Sportet e aventurës në Funar të Elbasanit, tërheqin qindra turistë vendas e të huaj

Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e të apasionuarve pas sporteve të aventurës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i Funarit i mbushur me kanore.

“Në Funar të Elbasanit krahas bukurisë së natyrës, po merr jetë edhe një tjetër lloj atraksioni, sportet e aventurës”, shkruan Rama krahas fotove nga ky liqen.

Rama tha se hiking e kanoe, janë sportet e aventurës që po rrëmbejnë vëmendjen e qindra turistëve vendas e të huaj gati për të përjetuar adrenalinën dhe energjine e këtyre sporteve.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.

Po ashtu, gjatë vitit të kaluar ka nisur puna edhe për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km shtigje malore, si dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./ KultPlus.com

70 studentë italianë vizitojnë Muzeun e Krujës

Rreth 70 studentë italianë nga Katania vizituan sot Muzeun e Krujës.

Turistët italianë përbëjnë numrin më të lartë të vizitorëve të huaj (rreth 35%), që kanë vizituar Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2024.

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë vijon edhe gjatë këtij fillimviti të ngjallë kureshtjen e turistëve vendas e të huaj.

Në vitin 2023 muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50 % ishin vizitorë të huaj, 30 % vendas dhe 20 % nxënës dhe studentë.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale apo riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. / KultPlus.com

“Toronto.com”: Shqipëria – destinacioni turistik në rritje i Evropës

Shqipëria ofron shumë më tepër përtej rivierës së saj, nga majat e pacenuara malore, Bjeshkët e Nemuna deri te vendet e trashëgimisë së lashtë, shkruan Jennifer Malloy në të përditshmen kanadeze “Toronto.com” .

Pamja e parë që të tërheq vëmendjen në Shqipëri, ashtu si për shumicën e turistëve, është vija bregdetare vezulluese që shtrihet përtej qyteteve turistike që përhapen pranë detit të kaltër.

Megjithatë, gjatë këtyre pushimeve, destinacioni ynë përfundimtar nuk ishte deti, por veriu i largët malor.

Kur unë dhe bashkëshorti im, së bashku me djalin tonë 2-vjeçar, arritëm në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë, punësuam një shofer për të udhetuar në majat e thyera të vendit.

Ne ecëm përgjatë vijës bregdetare perëndimore derisa arritëm në Bjeshkët e Nemuna, që për ne ishte një bekim.

Dikur, rruga që të çonte deri te kalimi marramendës – Porta për te majat e argjendta të Ballkanit, ishte një shteg dheu i thyer. Tani, shtrimi i saj në mënyrë perfekte, është një tregues i qartë i investimeve të vendit në turizëm nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës rurale.

Në të vërtetë, Shqipëria duket e vendosur për të lënë pas të kaluarën e saj komuniste dhe promovuar veten si një destinacion ideal turistik rural, me më shumë për të ofruar sesa thjesht vijën bregdetare.

Megjithëse zona e quajtur Riviera Shqiptare ka tërhequr vëmendjen më të madhe të udhëtarëve vitet e fundit, një pjesë kyçe e strategjisë së turizmit të qëndrueshëm të qeverisë përfshin nxitjen e njerëzve për të eksploruar më tej peizazhin natyror të pacenuar të vendit.

Eksplorimi i peizazhit natyror është i lehtë për t’u bërë, në një vend ku mundësohet udhëtimi njëditor – nga plazhet e bukura deri te majat malore të mbuluara me borë, diçka që mund ta përjetoni në fshatin turistik të Thethit, ku bujtinat baritore të drejtuara nga familjet ofrojnë strehë dhe ushqim për alpinistët që do të përballen ditën tjetër me ecjen rreth 15 kilometra deri në Valbonë.

Ne e kaluam natën në Theth në një bujtinë e cila drejtohej nga vetë familja – këtu nuk shërbeheshin biskota si në hotele. Në tasat e mbushura me tavë kosi (mish qengji me oriz dhe kos), ne zbuluam se nuk janë vetëm turistët që po zbulojnë kënaqësitë rurale të Shqipërisë.

Ne u takuam me Ava Melkani, një shqiptaro-kanadeze e cila u largua nga vendi në vitet 1990 për të kërkuar një jetë më të mirë. Ajo sapo kishte përfunduar ecjen e mundimshme nga Valbona në Theth me vajzën e saj 20-vjeçare.

Nën sundimin komunist, pak njerëz zotëronin një makinë dhe shumë familje nuk mund të përballonin as koston e një biçiklete, e lëre më një udhëtim në të gjithë vendin.

Të nesërmen, u nisëm për ecje në Qafën e Valbonës. Ishte radha jonë të mrekulloheshim me eksplorimin e veriut jo shumë të njohur.

Duke lënë pas fermat dhe shtëpitë e fshatrave, ne ndoqëm një shteg me aromë pishe që përshkonte një kodër me dru të rëndë, dhe u zhytëm në pamjen gjithëpërfshirëse të majave me nuanca margaritare që përqafonin luginën poshtë.

Më pas ecëm nëpër një grykë gjarpëruese smeraldi përpara se të merrnim një makinë me qira dhe të udhëtonim drejt vijës bregdetare jugore, duke marrë kohën tonë për të eksploruar vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën. Këto qytete të përcillnin ndjesinë e një oazi otoman.

Më pas, ne u endëm përgjatë ujit të kaltër të Adriatikut, ndërsa prisnim tragetin për në Butrint, një vend arkeologjik i disa qytetërimeve të lashta, të ruajtura në mënyrë perfekte në beton dhe fondante tullash.

Duke udhëtuar përgjatë vijës bregdetare jugore, ne lamë pas qytetet e mëdha duke iu afruar fshatrave me të vegjël dhe bujtinave të vendosura mes vilave dikur të braktisura.

Ne morëm frymë në rigjallërimin e natyrës, pushuam në hijeshinë e ashpër të arkitekturës dhe shijuam disa petulla me djathë – të shëndetshme për një ditë të gjatë noti, vozitjeje dhe zhytjeje në ujërat e pacenuara të detit.

Kohën tonë në Shqipëri e përfunduam në fshatin e Qeparos, i cili tashmë ka filluar të lulëzojë.

Mbetet vetëm të shpresojmë që kur të kthehemi sërish një ditë, vendi do të ndihet ende kështu: plot jetë, karakter dhe familje./ KultPlus.com

Vaçe Zela, dikur në veshje tradicionale shqiptare (FOTO)

Veshjet kombëtare shqiptare janë ndoshta krenaria më e madhe e këtij kombi.

Kush i vesh, e kupton mirë emocionin që japin veshjet kombëtare, të cilat për vite kanë karakterizuar shqiptarët dhe trevat e ndryshme shqiptare.

KultPlus ju sjell një fotografi të saj ku ajo është e veshur në kostum tradicional shqiptar.

Vaçe Zela mbetet ndër zërat më të mirë ndër tërë shqiptarët.

E lindur në Lushnjë, ajo mbetet krenaria e kombit shqiptar por edhe një grua me personalitet dhe me emocion hyjnor. E kur e shohim në veshje të tillë, fytyrë-krenare, veç e duam më shumë këtë Artiste të Merituar të Popullit.

Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të shkurtra deri te gjuri). Pra, në Shqipëri, burrat kanë mbajtur si veshjet në formën e një fundi të gjerë, ashtu edhe ato në formë pantallonash, por të parat kanë dalë nga përdorimi më herët se të tjerat. Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët dhe xhamadanët e kostumit festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si jastekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin gjithnjë të stolisura pasurisht.

Për gra, tipet kryesore të veshjeve, ishin: kostumi me xhubletë (një fund në formë këmbane), kostumi më këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me rrudha ose pala). / KultPlus.com

Ky fshat i Bazelit cilësohet ndër më të bukurit në Zvicër

Në një renditje të fundit, Arlesheim, pranë Bazelit, i është bashkuar rrjetit të fshatrave më të bukur të Zvicrës.

Zvicra mbushet me fshatra vërtet mahnitës (dhe qytete gjithashtu), ku monumentet historike dhe arkitekturore përzihen në natyrën e pacenuar, kështu që zgjedhja e atyre ‘më të bukurve’ nuk është një detyrë e lehtë, shkruan albinfo.ch.

Zgjedhja më e re, e vendosur në Basel-Country, por vetëm 20 minuta me tramvaj nga qendra e qytetit të Bazelit, Arlesheim “ka ruajtur karakterin e tij të fshatit”, sipas shoqatës, e cila çdo vit kurorëzon një ‘fshat më të mirë’ në Zvicër (edhe pse që nga viti 2019 në renditje përfshihet edhe Lihtenshtajni).

Arlesheim “karakterizohet nga një numër i madh ndërtesash historike”, tha shoqata.

Midis tyre janë Hermitazhi, i krijuar në fund të shekullit të 18-të si një kopsht peizazhi anglez (më i madhi në Zvicër) dhe një katedrale baroke e shekullit të 17-të.

Vendi ka gjithashtu shtëpi banimi nga më të vjetra në kanton, që datojnë në periudhat e Paleolitit, Epokës së Gurit dhe Neolitit.

Arlesheim është ‘fshati i bukur’ i 49-të në rrjetin e shoqatave, i shpërndarë në 18 kantone, si dhe principata e Lihtenshtajnit./The Local/ KultPlus.com

100 vite nga lindja e shkrimtarit At Zef Pllumi

Përkujtojmë sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin At Zef Pllumi.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhë . Studioi në disa fusha si në teologji, letërsi, filozofi dhe përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht dhe greqishte e vjetër.

Më 14.12.1946 u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg,në moshën 22 vjeç. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë në Muzeun e Shkodrës.Më vonë do të shërbej si meshtar i Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.

Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”.

Ai shkruan dhe boton triologjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”,“Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”,“Frati i pashallarëve Bushatlli”.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si edhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.

Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Po në atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në, Romë, Itali dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Shënim: Data e lindjes i mbeti 7 prill ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër). Ka dokumente ku figuron datëlindja në muajin gusht. /KultPlus.com

85 vjet nga lindja e ikonës Vaçe Zela, dymbëdhjetë herë fituese e Festivalit të RTSH-së

Vaçe Zela ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo dha një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Vaçe Zela vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër. / KultPlus.com

Rekord vizitorësh në mars, Kumbaro: Në tre muajt e parë të vitit 1,7 milionë turistë të huaj në Shqipëri

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Muaji mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj, ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare.

“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.

Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit, nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.

Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një aktivitet të Organizatës Botërore të Turizmit./atsh/KultPlus.com

Edukata

Poezi nga Dritëro Agolli

Edukata

Dy macka qimebardha porsi shkumës,
në pjatë hanin tok përshesh me qumësht.

Dy qentë shikonin vëngër të mërzitur,
dhe kuvendonin, veshët duke ngritur.

-Këto nuk paskan fare edukatë,
e sheh si futin hundët në një pjatë?

Ndërkohë u ra një kockë mu në këmbë,
për kockën qentë u shqyen keq me dhëmbë.

U ngrit një zhurmë e madhe e shamatë,
dhe macet thanë: “Kjo është edukatë!” /KultPlus.com

Gëte: Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës

Thënie nga Johan Volfgang von Gëte (Johann Wolfgang von Goethe):

Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr, filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda!

Besoji vetvetes dhe do të dish të jetosh!

Pasuria është diçka që mund të ndihmojë në jetë, por jeta nuk është diçka që kalohet për të grumbulluar para!

Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet!

Sjelljet e një njeriu janë një pasqyrë ku ai e sheh portretin e vet!

Njeriu fisnik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata!

Një jetë e padobishme është një vdekje e hershme!

Mosha na tregon sa fëmijë kemi mbetur!

Të gjitha mendimet inteligjente janë menduar tashmë; e vetmja gjë e nevojshme është të përpiqemi t’i mendojmë prapë!

Dijet që kam unë mund t’i ketë çdo njeri, por zemra ime është vetëm e imja!

Sundoje atë! Bëje botën t’i shërbejë qëllimit tënd, por mos i shërbe asaj!

Tregohu i njerëzishëm dhe përdor fjalë të mira, sidomos për ata që nuk janë të pranishëm!

Të jesh brilant nuk ka asnjë vlerë nëse t’i nuk respekton asgjë!

Disa defekte janë të domosdoshme për hir të individualitetit!

Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës!

Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndihesh i zoti t’i bësh!

Mirëkuptimi është gjenia e njerëzimit!

Korrektësia luan shumë rol, por guximi më tepër!

Një përgjigje korrekte është si një puthje e ëmbël!

Fati na i plotëson dëshirat, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej dëshirave tona!

Përça dhe sundo, bërtasin politikanët; bashko dhe prijë është kryefjala e mençurisë!

Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur!

Dyshimi rritet sa më shumë që të dimë!

Mos ëndërro ëndrra të vogla, sepse ato nuk kanë fuqi t’i vënë në lëvizje zemrat e njerëzve!

Gabimi është i pranueshëm për ne sa kohë që jemi të rinj; por ai nuk duhet gërmuar në pleqëri!

Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë të vogël, të lexojmë në poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë!

Të gjithë duan të jenë dikush; askush nuk do që të rritet!

Vajzat dashurohen për ato që janë; djemtë për çfarë premtojnë të jenë!

Shkoni në vendet e huaja dhe do të arrini të njihni gjërat e mira që i ke në atdhe!

Urrejtja është aktive, zilia është pasive; por ka vetëm një hap midis zilisë dhe urrejtjes!

Është i vdekur në këtë botë, ai që nuk beson në një botë tjetër!

Është më i lumturi, mbret apo bujk qoftë, ai që gjen paqe në shtëpinë e vet!

Unë mund të të them ty, mik i ndershëm, se kujt t’i besosh: besoji jetës; ajo të mëson më mirë se libri ose oratori!

Njihe veten? Nëse do ta njihja veten, do t’ia mbathja me të katra. Mos o Zot që ta njoh!

Dëgjoji bindjet e të gjithëve, por dyshimet e tua mbaji për vete!

Nëse fillon të mendosh për gjendjen tënde fizike apo morale, zakonisht e gjen se je i sëmurë!

Në fushën e ideve çdo gjë varet nga entuziazmi… në botën reale gjithçka qëndron mbi këmbënguljen!

Më mirë të mashtrohesh nga miqtë, se t’i mashtrosh ata!

Secili ta pastrojë derën e vet dhe e gjithë bota do të jetë e pastër!

Disa njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre derisa iu mbarohen, të tjerët bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre!

Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme!

Pasionet janë vese ose virtyte në kulmet më të mëdha të fuqisë së tyre!

Burracakët kërcënojnë vetëm kur janë të sigurt!

Gjëja më e vështirë për t’u parë është ajo që ke para syve!

Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë!

Ai që zë vendin e parë, rrallë e luan rolin kryesor!

Njerëzit përçmojnë atë që s’e kuptojnë!

Promovohet libri ‘Kabatë me gërnetë e violinë’ i studiuesit Vasil S. Tole

Paraditen e sotme në Teatrin e Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe të instrumentistëve u zhvillua veprimtari me karakter të dyfishtë, promovuese dhe kulturore.

Akademia e Shkencave bashkë me Orkestrën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore promovuan librin ‘’Kabatë me gërnetë dhe violinë’’ të akademikut të shquar Vasil S. Tole.

“Kabatë me gërnetë dhe violinë” është konceptuar nga autori si një përmbledhje dhe dokumentim i trashëgimisë së mjeshtrave më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në këtë gjini muzikore.

“Antologji do ta quaja, tha autori: antologji e mjeshtrave më të mëdhenj të kësaj muzike, të cilët kanë krijuar identitetin shqiptar në muzikë. Libri është multifunskional, pasi shërben edhe si guidë, edhe si libër studimor, në mënyrë të veçantë për dokumentim. Në libër janë të dokumentuara 30 kabatë më të mira në klarinetë e violinë”.

Vepra vjen me një risi: tashmë të gjithë dashamirësit e kabasë, përmes një kodi skanimi, do të kenë mundësi të njihen me të gjitha krijimtaritë e autorëve në libër përmes platformës youtube.

“Me mundësitë teknologjike të krijuara, mjafton të skanohet nga celulari “QR code” që gjendet në libër dhe të lidhesh direkt me kabanë e mjeshtrit. Në këtë mënyrë ai që ka në dorë librin vë në punë edhe leximin, edhe të dëgjuarin”, u shpreh Tole.

Kabaja e luajtur me gërnetë apo me violinë, e njohur prej më shumë se 150 vitesh, është llojformimi më i plotë e i konsoliduar në muzikën popullore me vegla të Shqipërisë së Jugut.

Në fjalën hapëse të këtij aktiviteti, drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, theksoi rëndësinë e promovimit të trashëgimisë sonë muzikore.

Të pranishëm ishin edhe mjeshtërit e sazeve: Aleks Xhelili, Josif Shukallari, Telando Feto dhe Aurel Qirjo, të cilët interpretuan së bashku me Orkestrën dhe Korin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore.

Libri ‘’Kabatë me gërnetë dhe violinë’’ u botua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale dhe MediaPrint./atsh/KultPlus.com

Tregim nga Shekhar Joshi: Vëllai i madh

Shekhar Joshi u lind në Almora, më 1934. I njohur sidomos për tregimet e shkurtra mbi jetën indistriale urbane.

VËLLAI I MADH

Shekhar Joshi

Jagdish Babu e pa atë për herë të parë në kafenenë e vogël me tabelën e gjerë, në të majtë, duke ardhur nga pazari. Me pamje të rregulltë, sy përshkënditës, flokë të arta-gështenjë dhe një gjallëri të lehtë të pazakontë të lëvizjeve – si një pikë uji që rrëshqet përgjatë gjethit të lotusit. Nga gatishmëria në sytë e tij njeriut mund t’i shkojë mendja se mund të ishte diku mes nëntë a dhjetë vjeç dhe ashtu ishte njëmend.

Kur Jagdish Babuja, duke tymosur një cigare gjysmë të ndezur, hyri në kafene, djaloshi ishte duke i hequr ca pjata nga një tavolinë. Por ndërkohë që Jagdish Babuja ishte ulur në tavolinën në qosh, djaloshi veç ishte ndalur para tij, duke shikuar thua se kishte orë që po e priste atë – një person që të ulej në atë karrige. Djaloshi nuk nxori fjalë nga goja. U përkul lehtësisht, që të tregonte respekt dhe vetëm atëherë buzëqeshi. Pasi mori porosinë për një tas çaj, ai buzëqeshi prapë, u largua dhe u kthye me çajin sa hap e mbyll sytë.

Ndjenjat janë të çuditshme. Qoftë edhe i izoluar në një vend të shkretë dhe të vetmuar, njeriu mund të mos e ndiejë vetminë. Pavarësisht izolimit, çdo gjë është njëmend intime, tamam vetja e vet. Nga ana tjetër, mendoi, nganjëherë ekziston një ndjenjë vetmie edhe në një ambient të potershëm në mesin e mijëra njerëzve. Çdo gjë aty duket e huaj, pa asfarë intimiteti. Por ajo ndjenjë vetmie dhe izolimi në mënyrë të pashmangshme i ka rrënjet te një histori ndarjeje ose shkëputjeje.

Jagdish Babuja kishte ardhur nga një regjion i largët dhe ishte vetëm. Në rrokopujën e pazarit, në zhurmën e kafenesë, dukej sikur asgjë s’kishte lidhje me asgjë. Mbase po jetoi këtu për një kohë të gjatë dhe po u mësua me të, do të nisë të ndiejë njëfarë afrie me mjedisin. Po sot pazari dukej i huaj, jashtë kufijve të përkatësisë – bukur jashtë. Atëherë zuri të kujtonte me mall njerëzit e fshatit të tij, shkollën dhe djemtë atje, kafenenë në afërsi që qendrës së qytetit.

“Çaj, Sha’b!”.

Jagdish Babuja shkundi hirin nga cigarja. Në shqiptimin e djaloshit të ‘Sahab’-it, ndjeu diçka që i kishte munguar. Vazhdoi ta çonte tutje spekulimin – “Si e ke emrin?”.

“Madan”.

“Shumë mirë, Madan! Prej nga je?”.

“Jam nga kodrat, Bubuji”.

“Ka me qindra vende kodrinore – Abu, Darjeeling, Mussoorie, Simla, Almora. Në cilën kodër gjendet fshati yt?”.

“Almora, Sha’b”, tha duke buzëqeshur, “Almora”.

“Cili fshat në Almora?”, këmbënguli ai.

Djaloshi u mëdysh. Mbase i turbulluar nga emri i çuditshëm i fshatit, ai u përgjigj bishtërueshëm – “Oh, është shumë larg, Sha’b. Duhet të jetë ndonja pesëmbëdhjetë a njëzet milje nga Almora”.

“Po prapë duhet ta ketë një emër”, këmbënguli Jagdish Babuja.

“Dotyalgaon”, u përgjigj me druajtje.

Tendosja e vetmisë u fishk nga fytyra e Jagdish Babu, atëherë buzëqeshi dhe kur i tha Madanit se ai ishte nga një fshat fqinj, djaloshit sa nuk i ra tabakaja nga dora prej gëzimit. Mbeti aty pa fjalë, i shushatur, thua se po mundohej ta kujtonte të kaluarën.

E kaluara: një fshat… bjeshkë të larta… një rrjedhë uji… nënë… baba… motër e madhe… motër e vogël… vëlla i madh.

Hija e kujt ishte ajo që Madani e shihte të reflektohej në formën e Jagdish Babusë? Nënës? – Jo. Babait? – Jo. Motrës së madhe apo të vogël? – Jo. Vëllait të madh? – Po, Dajyu!

Brenda pak ditësh hendeku i jofamiljaritetit mes Madanit dhe Jagdish Babusë ishte zhdukur. Posa zotëria ulej, Madani ia kriste – “Përshëndetje, Dajyu!”. “Dajyu, sot mban shumë ftohtë”. “Dajyu, a do të bjerë borë edhe këtu?”. “Dajyu, sot s’ke ngrënë shumë”. 

Atëherë nga një drejtim do të vinte një thirrje – “Djalosh!”. Dhe Madani do të jetë atje ende pa u shuar jehona e thirrjes. Duke u larguar me porosinë, ai do të pyesë Jagdish Babunë, “Ndonjë gjë për ty, Dajyu?”.

“Më sill pak ujë”.

“Menjëherë, Dajyu”, do të bërtasë Madani nga ana tjetër e sallës, duke e përsëritur fjalën “Dajyu” me padurimin dhe dashurinë e një nëne që e përqafon birin e saj pas një ndarjeje të gjatë. Pas ca kohësh, vetmia e Jagdish Babusë u zhduk. Tash jo vetëm pazari dhe kafeneja, por edhe vetë qyteti i dukej i ngjyrosur me një ndjenjë përkatësie. Thirrja e pandërprerë e “Dajyu” e Madanit duke kumbuar ngado nëpër sallë sidoqoftë nuk e gëzoi për shumë kohë. 

“Madan! Eja këtu”.

“Erdha, Dajyu!”.

Kjo përsëritje e fjalës “Dajyu” e ngjalli temperamentin borgjez të Jagdish Babusë. Kanosja e lehtë e intimitetit mund të mos i mbijetojë shtytjes së fortë të egos.

“Të ta sjell çajin, Dajyu?”.

“Jo çaj. Po çka është kjo ‘Dajyu, Dajyu’ që e thua gjithë kohës? A nuk ke ti respekt për prestigjin e njeriut?”.

Jagdish Babuja, flakë nga zemërimi, nuk po i kontrollonte fjalët më. As nuk u ndal një çast të vriste mendjen nëse Madani mund ta njihte kuptimin e fjalës ‘prestigj’. Po Madani, edhe pse pa ndonjë shpjegim, i kishte kuptuar të gjitha. A mundet dikush, që e ka përballuar pakuptueshmërinë e një bote në një moshë aq të njomë, të dështojë të kapë një fjalë të pavlerë?

Pasi i nxori menaxherit si shkas kokëdhimbjen, Madani u ul në dhomën e tij, me kokën mes gjunjëve dhe qau me ngashërim. Në këto rrethana, aq larg shtëpisë, manifestimi i intimitetit me Jagdish Babunë kishte qenë krejtësisht natyror. Po tash, për herë të parë në një vend të huaj, ai u ndie sikur dikush ta kishte shkoqur nga supet e nënës së tij, nga krahët e babait të tij dhe nga mbrojtja e motrës së tij.

Madani iu kthye punës si më parë.

Të nesërmen, duke shkuar për kafe, Jagdish Babuja papritur hasi në një shok të fëmijërisë, Hemantin. Kur hynë në kafene, Jagdish Babuja i bëri me shenjë Madanit, por i ra në të se djaloshi po përpiqej t’i rrinte larg. Në thirrjen e dytë, Madani më në fund u avit.

Sot s’kishte buzëqeshje në fytyrën e tij, as nuk tha “Çfarë mund të të sjell, Dajyu?”. Jagdish Babusë iu desh të fliste vetë – “Dy çaja, dy omëleta”.

Pavarësisht kësaj, në vend se të përgjigjej “Menjëherë, Dajyu”, ai tha “Menjëherë, Sha’b” dhe u largua, sikurse ai të ishte një i huaj.

“Me gjasë një djalosh nga kodrat”, spekuloi Hemanti.

“Po”, murmuriti Jagdish Babuja dhe ndërroi temë.

Madani solli çajin.

“Si e ke emrin?”, pyeti Hemanti, sikurse po përpiqej të tregohej miqësor.

Për disa momente heshtja e kaploi tavolinën. Sytë e ulur të Jagdish Babusë ishin përqendruar te tasi i çajit. Kujtimet pluskuan në sytë e Madanit – Jagdish Babuja duke e pyetur për emrin e tij si ky atë ditë… pastaj “Dajyu, nuk ke ngrënë edhe aq sot”… dhe një ditë, “Ti nuk tregon kujdes ndaj prestigjit të askujt…”.

Jagdush Babuja i ngriti sytë dhe pa se Madani dukej sikur do të shpërthente si vullkan. “Si e ke emrin?”, përsëriti Hemanti me këngëngulje. “

“Sha’b, ata më thërrasin ‘Djalosh’”, tha qetësisht dhe u largua tutje.

“Një kokëgdhë”, vërejti Hemanti, duke gjerbur çajin. “As emrin e vet s’e kujton dot”.

/Marrë nga “Modern Hindi Short Stories”, University of California Press, 2020/Përkthtimi: Gazeta Express/KultPlus.com

Muzika qytetare e Tiranës

Nga Vasil Tole

Muzika popullore e Tiranës është një fenomen konsolidohet në gjysmën e parë të shek. XX-të. Krijimi i saj u kushtëzua nga tre elemente thelbësore: nga hyrja e instrumenteve të temperuara evropiane, së dyti nga fqinjësia artistike me tre kultura të mëdha muzikore qytetare si ato të Elbasanit, Beratit dhe Shkodrës dhe së treti nga njohja dhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Kjo muzikë shfaq të njëjtat tipare strukturore dhe organizimi ashtu si pjesa më e madhe e muzikës dhe e këngëve qytetare të qyteteve të Shqipërisë qëndrore dhe veriore. Etnomuzikologjia jonë e ka klasifikuar gjithë zonën muzikore mbi lumin Shkumbin, kryesisht si zonë të njëzërëshit muzikor, e të formave të tij që shprehen si monodi, monodi me shoqërim apo edhe në homofoni. Muzika e re që pritej të krijohej në Tiranë nuk do të bënte ndryshim në këtë çështje, pra që do të ishte dhe strukturohej në tërësi si muzikë një zërëshe, ashtu siç është edhe sot. Përtej kësaj ajo i respektoi tiparet muzikore të zonës përreth edhe pse tash e tutje do të përcilleshin përmes veglave evropiane të temperuara.

Në fund të fundit, një qytet i ri si Tirana që po shndërrohej në një metropol, kishte nevojën për muzikën e re qytetare, për të provuar traditën shumëvjeçare dhe identitetin e saj të veçantën brenda identitetit kombëtar të muzikës popullore mbarëshqiptare. Ashtu siç natyrshëm, ajo kishte nevojë në përditshmërinë e vet për institucione shtetërore e kulturore, projekte moderne e tregti të zhvilluar, rrugë, parqe e sheshe publike, modë e shkollim me standarde etj. Si thoshte Lasgushi: … ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten. Kur ke tradicion, je Nacion, je Komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Më tej theksonte nevojën që tradita, ky potencial kolosal i brumosjes së Nacionit, ka një kusht: të jetë e Shkrojtur. Se fjala e shkrojtur e shumëfishon, e qindfishon vepërimin e saj, e mijëfishon e milionfishon. Ajo, e Shkrojtur, bëhet verb, bëhet e pushtetëshme, bëhet e shenjtë, divine, divinisohet.

Pikërisht këto ishin vitet e “shkrimit” të traditës tiranase në muzikën qytetare. Sepse përmes “shkrimit” në nota e fjalë dhe dokumentimit të saj do të provohej se kur je grup me traditë je njëherazi edhe Nacion me traditë. Se grupi ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale dhe nuk është amorf. Se ai ka ekspresion, ka zhvillim, përparim, perfeksionim gjatë jetës së tij. Se ai e mbush, e përmbush, e realizon veten e tij, vetveten, për të shkuar drejt perfeksionit, drejt përsosjes. Domethënë ai e jeton Fatin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Se ai ka zhvillim, nuk mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Se ai është njeri. Ai është, ai ekziston! Tradita është prova e pakontestueshme e Tij!

Pavarësisht faktit se veglat e temperuara erdhën në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, tradita e muzikës qytetare dhe e formacioneve muzikore të tyre ishte shumë e hershme, kjo jo vetëm e krahasuar me Tiranën, por edhe me qytete të tjera më të vjetra jashtë Shqipërisë. Qytete si Shkodra, Elbasani apo Berati kishin qindra vite që ekzistonin si të tillë. Në këtë kontekst është e pamundur që të mendosh jetën urbane qytetare pa vende të dedikuara argëtimi, të cilat lidhen ngushtësisht me artin dhe interpretimin e muzikës popullore. Qytetet që përmendëm më sipër, kishin me dhjetëra vende argëtimi ku muzika zinte vendin kryesor, e ndër to edhe Tirana nuk mund të bënte përjashtim.

Jules Alexandre Theodore Degrand (1844-1911), ish konsull i Francës në Shkodër, në veprën “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” e botuar në vitin 1901, shkruan se:… një luadh i gjerë pranë shtëpisë së mikpritësit tim, rrethuar me qiparisa të admirueshëm, është lënë testament nga i ati, pasardhës i bejlerëve të shquar të Tiranës, për kremtimin e ahengjeve që shoqëronin këto festa, (ndër to edhe Bajrami dhe Kurban Bajrami-shënimi ynë), ku një pjesë e madhe e popullsisë mblidhej aty.

Ishte standardi i familjeve të mëdha të Tiranës, të cilët të lidhur fort me qytetin e tyre mbështetën dhe inkurajuan zhvillimin e muzikës popullore qytetare si pjesë të angazhimit të tyre për një qytet të kulturuar.

Tiranasit e kishin dhe e kanë të fortë kultin e shtëpisë, sepse ai përmbante në thelb kultin e familjes. Shtëpia tiranase ndërtohej me qerpiç dhe me breza druri. Dy qenë pjesët e shtëpisë që adhuroheshin në mënyrë të përditshme nga pjesëtarët e saj: carani i vatrës dhe pragu i hyrjes. Zjarrin që ndizej në caranin e vatrës, simbolizonte përfaqësuesin e perëndisë diell brenda në shtëpi…..Veç kësaj ai mblidhte rreth vatrës tre, nganjëherë katër brezat e familjes patriarkale. Rreth vatrës brezat e rinj mësonin doket, këngët përrallat, historinë, por edhe mitet, ritet, kultet dhe të gjithë elementet e tjerë të identitetit qytetar.

Hyrja e veglave muzikore evropiane si violina, klarineta, fizarmonika etj., në muzikën popullore, krijoi atë fenomen që etnomuzikologjia e konsideron si “hibridizim muzikor”, pra kur vegla të tilla kombinojnë veçoritë e tyre muzikore me tiparet muzikore të një kulture vendase me qëllim krijimin e një lloji të ri. Kështu ndodhi në muzikën me saze të qyteteve të Shqipërisë së Jugut në fund të shek. XIX, kështu po ndodhte edhe me muzikën e re qytetare të Tiranës. Një shenjë tjetër e “hibridizimit” ishte implementimi tek veglat e reja i mënyrave tradicionale të interpretimit në to. Prof. R. Sokoli ka konstatuar se ahengxhinjtë e qyteteve të Shqipërisë Veriore shartuan në teknikën e përdorimit të violinës disa veçori të teknikës së kemanxhes duke e mbajtur veglën vertikalisht të mbështetur në gju, ashtu siç mbahet lahuta e lahuria etj.

Ndryshe nga sa më sipër, ai konstaton se violinistët popullore të Shqipërisë së Mesme e mbanin veglën horizontalisht mbështetur në sup. Kjo gjë provohet të ketë ndodhur në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Tjetër aspekt i “hibridizimit” ishte mënyra e akordimit të violinës, sidomos kur interpretonin “Vallen e Pipzave”. Teli i parë dhe i dytë akordohej në unison, ndërsa dy telat e tjerë akordoheshin në kuintë. (la-la-re-sol)

Nga ana tjetër, ajo që mund të dukej si disfavor për Tiranën, pra që fillimi i shek. XX-të e gjeti në fazat fillestare të urbanizimit e të jetës qytetare, e kësisoj pa formacione e muzikë të konsoliduar qytetare, u pa se ishte vërtet një përparësi, kjo në pikëpamje të procesit të krijimit të muzikës popullore qytetare të pas vitit 1920.

Kjo përparësi lidhej me faktin se muzika e qytetit të ri të Tiranës do të krijohej edhe në kushtet e lirisë, në kuadër të një shteti shqiptar që po konsolidohej, me rrënjë dhe e mirë fokusuar në muzikën qindravjeçare të një terreni të virgjër si ishte muzika e fshatrave të Malësisë së Tiranës. E theksoj këtë fakt pasi muzika tradicionale e fshatrave të Tiranës (në këngë, melodi instrumentale e valle), ruan elemente melodike primitive të origjinës së lashtë arbërore, kjo e mbështetur mbi mode modale diatonike, pa ndikime të thekshme kromatike, të cilat si dihen, lidhen më së pari me shtresimet e mbishtresimet e gati 500 vjetëve pushtimi otoman në muzikën tonë qytetare.

Ernest Koliqi në qëndrimin e tij specifikon disa nga qytetet ku ky ndikim ka qenë më i madh. Sipas tij: … ndikimi turk në qytete u ba gjithnjë e ma i madh, veçanërisht në Elbasan, Berat e Shkodër. Kangët që këndoheshin me nji orkestër të vogël me pesë vegla muzikore (nji saze, nji mandolinë të vogël, nji violinë, klarinetë, nji tambureto dhe nji këngëtar), buçisnin festive martesore. Këto janë kopjue vullnetarisht mbi bazën e modeleve të lindjes (qaside, gazel) dhe të mbushuna me shprehi e vallzime turke, persiane dhe arabe.

Etnomuzikologjia jonë e ka trajtuar këtë fenomen që ka ndodhur në muzikën qytetare, kryesisht të Shqipërisë Qendrore dhe asaj Veriore. P.sh, në analizën që i kemi bërë repertorit të “Ahengut Shkodran”, kemi konstatuar në të katër shtresa muzikore: shtresa e vjetër origjinale e parapushtimit turk e muzikës modalo-diatonike të Shkodrës dhe rrethinave; shtresën e muzikës modalo-kromatike të cilën e përhapi dyndja e osmanëve edhe ndër ne, ashtu si në folklorin e viseve të tjera të Ballkanit; shtresën e muzikës mbarëballkanike; dhe shtresën që përfshin periudhën e quajtur “shkodranizimi i ahengut”, ose çlirimin e ahengut nga orientalizmat.

Tirana nuk përfshihej në listën e ndikimeve të drejtpërdrejta, për shkakun e thjeshtë se pushtimi turk në thelb ishte pushtim qytetesh e kështjellash të tyre, e së këndejmi u zgjerua pak nga pak duke u shtrirë edhe mbi katunde. Kjo sepse influenca turke ka qenë influence qytetare, thoshte Çabej. Aty ata vendosnin administratën dhe fuqinë ushtarake, së bashku me formacionet muzikore.

Shkrimtari Ismail Kadare i kushton një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij analizimit të këngëve popullore në kuadër të identitetit evropian të shqiptarëve, e posaçërisht të atyre gjasme popullore, duke ju referuar këngëve të zvargëta e molisëse të ashikëve dhe dylberëve si dhe këngët vulgare dhe amanetë. Sipas tij e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë…. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh se ç’thonë. Ai e konsideron ato si nënkulturë të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor, si mbetje e rreckave të robërisë otomane. Për këtë, ashtu si fare rastësisht, në një reportazh të shkruar në qiell në vitin 1967, përgjatë një udhëtimi në kabinën e një avioni reaktiv të ushtrisë shqiptare, duke parë nga sipër rrugët e atdheut, thotë se ja që këtej mund të marrësh me mend udhët nga vinin karvanët e armiqve të nisur nga thellësitë e Anadollit, që zvarriteshin vargan nëpër tokë “me muzikë e me dajre”!

Ai e ka shumë të qartë statusin e këtyre krijimeve, kur i lidh ato me përdorimin e qëllimshëm të tyre prej administratës osmane për t’ia kundërvënë trashëgimisë kulturore dhe letërsisë shqipe, e cila pavarësisht pushtimit të gjatë, mbeti evropiane dhe homogjene përballë ndikimeve të kulturës pushtuese. Sipas tij:…  në shekullin XVIII u përpoqën të krijonin një diversion në letërsinë shqipe me anën e nxitjes së rrymës letrare të bejtexhinjve, e cila, duke mos pasur as peshën e as seriozitetin për t’i qëndruar përballë letërsisë shqipe, u harrua si një kujtim grotesk. Duke qenë prodhim i trysnisë së pushtuesit, megjithëse ata shkruanin shqip dhe kjo mund të konsiderohet një lloj jete e shkruar e shqipes në ato kushte, bejtexhinjtë e mbytën shqipen që përdornin në krijimtarinë e tyre me orientalizma.

Për fat, Tirana nuk ishte ende qyteti që mund të pushtohej e ndikohej muzikalisht. Ajo çka do të krijohej më pas si muzikë qytetare e Tiranës u pa se ishte një proces autentik dhe i vërtetë, i pëlqyer nga vetë tiranasit por dhe nga të tjerët. / KultPlus.com

‘Kapërolle’ nga zëri i veçantë i Eli Farës

Eli Fara është një artiste që në trojet shqiptare njihet me zërin e saj unik, dhe cilësohet si një nga këngëtaret më të njohura të ‘serenatës’, përcjellë KultPlus.

Ajo është shpallur Artiste e Merituar e Shqipërisë nga qeveria shqiptare para vitit 2000. Ndërsa në vitin 2012, ajo u shpall finaliste në festivalin, Kënga Magjike, me këngën “Romale”, një këngë e përzier me zhanre të ndryshme.

Eli Fara ka lindur më 21 maj 1968  në Korçë, por me origjinë është nga Dhoksati i Gjirokastrës.

Fillimisht ajo ka qenë mësuese e gjuhës shqipe në një shkollë fillore në Drenovë. Rrugëtimi i saj shënoi një pikë kthese kur ajo filloi të interpretonte  këngë popullore urbane të rajonit të saj.

Më poshtë gjeni interpretimin e Eli Farës, ‘Kapërolle’:

Sloterdijk: Puna skllavërore dhe puna në përgjithësi

Peter Sloterdijk (1947), filozof dhe eseist gjerman, profesor i estetikës në Hochschule für Gestaltung të Karlsruhes, rektor i të cilit është që nga viti 2001. Jep mësim po ashtu edhe në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës.

PUNA SKLLAVËRORE DHE PUNA NË PËRGJITHËSI

Peter Sloterdijk

Nata e gjatë e parahistorisë avulloi në muzgun e kohës historike kur gjuetarët dhe mbledhësit e epokave më arkaike arritën te një zbulim përplot me pasoja: gjuetia e preve kafshërore mund të zgjerohej me pretë njerëzore.

Pas kësaj erdhi afirmimi i skllavërisë, një institucion i mbetur në këmbë për kohë të gjatë dhe paralel me rritjen e bagëtisë. Në atë epokë muzgore edhe mbarështimi i kafshëve kaloi nga gjahu – ku qëllimi ishte vrasja – te kontrolli – ku qëllimi ishte shfrytëzimi – me pasoja që s’do të reshtnin kurrë as në epokën historike. Tash mund të saktësohet formula primare e këmbimit organik: «forca muskulore + x». Në gjithë atë që vijon, lypset të bëhet dallimi mes forcës muskulore vetanake (të atij që dominon) dhe e të tjerëve (të skllevërve dhe kafshëve të barrës). Vijon dallimi i dytë, që shënjon një ndarje jashtë rethit simbolik. Përtej plusit piroteknik, në shoqëritë e para të bazuara në rritjen e bagëtive dhe te skllevërit hyn në lojë një rritje vendimtare e forcës muskulore të kontrollueshme, që mund të përdoret për të gjitha veprimet që futen në tipologjinë «punë», mbi të gjitha në rrethin e agrikulturës së sapofilluar dhe në kontekstet e ekonomisë së pallatit, por edhe në ndërtimin e tempujve dhe varreve princërore.

Në rastet kur zgjerohet horizonti i «punës» së kuptuar kështu, të bazuar në zanafillë në forcën muskulore të të tjerëve, bilanci energjetik i «shoqërive», ose më mirë i ndërtimeve të para shtetëtore, njeh një zgjerim thërmues. Pikërisht ky zgjerim do t’u japë jetë qytetërimeve të para të avancuara si mbistruktura të një sasie masive të argatllëkut skllavëror. Në këtë mënyrë mund të lindte ideja mashtruese se «puna», e kuptuar si shumë e mundimeve muskulore të një popullsie, kalonte në vendin e parë të bilancit energjetik të shteteve despotike, ndërsa kontributet nga sfera e lëndëve djegëse bëheshin sekondare. Në të vërtetë, shuma e sferave muskulore në një sistem të parakohshëm shtetëror ose agroimperial është i përbërë në radhë të parë nga puna e skllevërve, qoftë ajo e kryer nga insividët që Platoni i quan «shteti i tretë» (përfshirë artizanët, bánausoi, demiourgói), apo nga «barbarët» e nënshtruar, që filozofi i konsideron të destinuar të jenë skllevër «nga natyra» (katá phýsin) për shkak të barbarive të tyre, do të thotë të qenies së tyre pa arsye.

Në këtë kuadër, megjithatë, definicioni aristotelian i skllavit si «instrument i gjallë» tregohet qysh nga fillimi i pamjaftueshëm: ajo që ka rëndësi nuk janë gjithaq cilësitë e instrumentit mekanik të një skllavi sa struktura e tij prej anglomerati muskulor antropomorf, pra edhe përdorshmëria e tij si makina e parë për prodhimin e energjisë. Historia e impianteve të prodhimit të energjisë mekanike (ku sistemi energjetik parëzohet me një sistem zbatimi) nuk fillon me mullinjtë e shumtë me ujë të Mesjetës, as me mullinjtë e erës, që e gjallëruan peizazhin e vendeve të Evropës veriore, duke filluar nga shekulli XVI (duket se veç Holanda kishte më shumë se dhjetë mijë mullinj, perandoria gjermane njëzet mijë), as me makinën me avull, që duke filluar nga gjysma e shekullit XIX i kanë tejkaluar sistemet më antike të prodhimit të energjisë. Përkundër, fillon mijëra vjet më parë, me përdorimin e biomakinave humanoide, të shtyra nga muskujt, të ndjeshme ndaj komandave dhe në gjendje të sillnin rezultatet e dëshiruara.

Në terma juridikë, karakteristika e statusit të skllavit është mungesa e zotësisë për të poseduar lirisht vetveten. Edhe sipas konceptimit antik, skllevërit janë krijesa me formë njerëzore, po megjithatë të konsideruar nga pronarët e tyre si robotë në të cilët, në njëfarë mase, pulla «unë» është e çaktivizuar. Gjithsesi s’e kanë posedimin dhe zotërimin e vetes së tyre. Duken të programuar «për nga natyra» që të jenë të qeverisur nga të tjerët, qoftë në kontekstin e përdorimit shtetëror, qoftë në atë të dimensionit civil dhe shtëpiak, ku skllevërit janë në varësi të drejtpërdrejta të pronarëve. Sipas Codex Iustiniani të vitit 529, një skllav që ikën nga pronari mund të akuzohet me fajin e «vjedhjes së vetvetes» (furtum sui), një krim paradoksal, ku i njëjti jo-person, i privuar nga të drejtat, paraqet në të njëjtën kohë hajnin dhe të mirën e vjedhur.

Mënyra e vetme legale sipas së cilës skllevërit mund të fitonin posedimin legjitim të vetvetes ishte akti i çlirimit (manumissio, nga manumittere, përbërë nga mittere, përzë, largoj dhe manu, me dorë), që bëhej nga pronari. Një ikje në masë e skllevërve mund të shndërrohej në një gjendje të lirisë relative nëpërmjet një akti legalizimi ex post: me lejimin e përgjitshëm të së drejtës së nënshtetësisë (siç bëri Caracalla me ediktin e vitit 212), ose nëpërmjet një imitimi në çelës religjioz të «emancipimit» civil. Në këtë rast, skllavi shkëputet nga pronari i tij tokësor për t’iu betuar për besnikëri Krishtit, pronarit të tij të ri. Paradoksi i krishterë kulminon në shkrimin e Luterit Mbi lirinë e të krishterit (1520), ku akti i emancipimit nga çdo dominim i jashtëm lidhet me skllavërinë vullnetare në shërbim të dashurisë; me ca sforcime, Luteri e justifikon detyrimin e nënshtrimit ndaj autoriteteve sekulare përmes argumentit, blasfem në mënyrë të mjegullt, sipas të cilit edhe ato autoritete kanë prejardhjen nga Zoti. Në këtë kontekst, pohimi i Palit që përkufizohet «skllav i Krishtit» duket në mënyrë programatike i ngarkuar me pasoja (doúlos Christoú*) dhe përmban in nuce fundamentin e një shoqërie skllevërish në shtëpinë e një autoriteti mbitokësor. Për këtë arsye, në Perëndim qenia njerëzore, si e krishterë, gjendet përherë në skenë si shërbëtore e dy pronarëve.

Gjatë gjithë periudhës së karakterizuar nga shoqëritë skllavëruese afrimohet një formulë e re për këmbimin organik: pushtet i komandës + park i biomakinave + x piroteknike. Dukshmëria masive e ushtrisë së skllevërve punëtorë përherë e ka fshehur faktin se, edhe sa ishte në fuqi mospërdorimi i forcës muskulore energjetike, ndihma e dhënë nga piroteknika gjithmonë ka ndërfutur një plus të çmueshëm të paktën sa puna skllavërore në regjimet metabolike të kulturave të avancuara në rrugë të maturimit: e ka bërë nën formën e vatrave të pafundme që sillnin efektet e dëshiruara në oxhaqe, furnela, stufa, furra, manifaktura metalurgjike, furra për qeramikë dhe vaska. Kjo vlen posaçërisht për qytetërimet e Epokës së bronzit, kur shkrirja e kallajit dhe bakrit në një lidhje të përshtatshme për të prodhuar armë e bënte të nevojshme një sasi të konsiderueshme të lëndës djegëse. Në të vërtetë, qysh Aristoteli kishte zhvlerësuar drurin duke e konsideruar si një materie pa cilësi dhe, para shpikjes së pylltarisë në Gjermani në fillim të shekullit XIX, pyjet nuk kishin kurrfarë mbrojtjeje; termi Nachhaltigkeit, «mbrojtje», fundamental në zhargonin pyjor (i ngjizur më 1713 nga Hans Carl von Carlowitz në librin Sylvicultura oeconomica), është në gojën e të gjithëve vetëm tash së voni, i shoqëruar nga korresponduesi i tij në anglisht sustainability. Ai që i përket një shoqërie të themeluar mbi shfrytëzimin e energjisë fosile e përdor këtë term për t’i bërë homazh të nxituar dhe faqor dijes antike pyjore, duke vazhduar ta injorojë gjerësisht kuptimin e tij të vërtetë: sipas parimit të ripërtëritjes së vazhdueshme është e mundshme të nxirret nga burimet ekzistuese vetëm ajo që mund të zëvendësohet në mënyrë të përshtatshme ose, me terma pyjorë, mund të garantojë një «rirritje».

Me imponimin e njerëzve të pajisur me fuqinë e komandës në raport me skllevërit, shërbëtorët dhe personat e obliguar të nënshtrohen, në gjuhët perandorake funksioni vokativ zhvillohet, në rrafshin formal dhe pragmatik, duke u shndërruar në imperativ. Zotësia për të përdorur fraza komandimi në mënyrë efikase dhe të kuptimtë e karakterizon klasën e pronarëve. Skllevërve u ngulitet habitus të përgjigjen me përulësi, ose thënë më mirë, t’u paraprijnë urdhrave me një qëndrim disponueshmërie të përulur. Nga këtej përshëndetja latine ego sum servus tuus, prej nga vjen servus e gjermanishtës meridionale dhe io sono il tuo schiavo (unë jam skllavi yt) në italisht; ose ciao; që të dy format sot përdoren vetëm në shkëmbimin komplimenteve mes të të barabartëve. Në shkrimet e tij politike, Aristoteli këmbëngul me njëfarë pathosi në faktin se nuk mund të ekzistojë një komunitet, një «rregullim i zakonshëm» njerëzor, nëse struktura nuk është e ndarë mes një dominimi dhe një të qeni i dominuar (árchein e árchestai). Ai që dominon duhet të jetë për nga natyra i zoti të reflektojë (diánoia); ai që nënshtrohet vihet në anën e mungesës së reflektimit. Ndërsa bëhet plotësisht skllav vetëm ai që në ekzsitencën e tij mbetet krejtësisht i kufizuar në sferën e trupit (sóma**). Sipas rregullit, dëgjueshmëri do të thotë të jesh i gatshëm t’iu nënshtrohesh programeve që parashikojnë sforcimin muskulor***.

Ekonomia skllavërore me mbistrukturat e saj padronale has në limite përgjithësisht të ngurta në faktin se një dru mund të digjet vetëm njëherë (ndërsa vjeljet në ara ripërtërihen përherë me ritmin vjetor falë forcës rigjeneruese të tokës, që garanton njëfarë rregullësie). Që një dru të rirritet do të duhet të të kalojnë disa vite. Ngadalësia e prodhimit të drurit e zbut arrogancën e pronarëve dhe pamjaftueshmëria relative e bollëkut të kultivimit të arave dhe kopshteve e përcakton kusurin. Edhe ngadalësia e këmbimeve taksore të mallrave që vijnë nga territore të afërta dhe të largëta nuk lë margjina të gjera për burimet fiskale të princërve. Ligji i pamjaftueshmërisë, që mbetet i pashkelur, ua kujton edhe tiranëve se lëshimi në dëshirën e pretendimit të së pamundshmes nuk sjell tjetër veçse rrënimin e gjithçkajes.

Shënime:

*Romakët, I, 1 dhe në katër pasazhe të tjera. Në periudhën moderne, qeniet njerëzore mund të konsiderohen në pjesën më të madhe si pasues dhe pasardhës të skllevërve të ikur apo të liruar. Përmes Deklaratës së të drejtave të njeriut dhe të qytetarit, të redaktuar më 1789 dhe më pas të rielaboruar, vërtetohet se skllevërit kishin të drejtën të vidhnin vetveten meqë, nëse më parë kishin qenë skllevër, ishin shkëputur nga vetvetja me një akt ilegal tjetërsimi. Motoja e Paracelsit «Ai që e di se i përket vetvetes nuk i përket askujt tjetër» paraqet parimin modern sipas të cilit ai që është i rritur dhe i moshës madhore është për nga natyra një qenie që ka zotësinë të jetë i lirë dhe fëmijët e qenieve njerëzore duhet të edukohen në atë mënyrë që të jenë të zotë të jenë të lirë.

**O. Gigon, Die Sklaverei bei Aristoteles, në Entretiens sur l’Antiquite classique, II, 1965, fq. 247-276.

***Mes këtyre, aktivitetet (jo rrallë skllavërore) e prerësve të druve, nxjerrësve të thëngjillit, të fokistëve dhe të farkëtarëve vihen sipas çdo gjase në kufirin mes ekonomisë muskulore dhe ekonomisë piroteknike. Duke u nisur nga periudha e thëngjillit, në shekullin XVIII, pozicioni ndërmjetësor zihet nga punëtorët e minierave të thëngjillit. Bashkë me tipografët dhe punëtorët e furrënaltave në industrinë e hekurit dhe të çelikut, përbëjnë elitën e proletariatit klasik, heroik.

/Marrë nga Peter Slotedijk, “Il rimorso di Prometeo. Dal dono del fuoco al grande incendio del pianeta”, Marsilio, 2024

/Përkthimi: Gazeta Express/KultPlus.com

Arrestohet Greta Thunberg

Policia e Holandës arrestoi aktivisten suedeze, Greta Thunberg këtë të shtunë.

Thunberg po marshonte kundër subvencioneve të karburanteve fosile, shkruan BBC, përcjell klankosova.tv

Rreth 100 protestues tentuan të bllokojnë autostradën A12 për në Hagë, e cila lidh kryeqytetin holandez me kufirin gjerman.

Policia e largoi me forcë Thunberg pasi ajo refuzoi të largohej vullnetarisht. Atë e futën në një autobus, aty ku pastaj i vendosën edhe protestuesit e të tjerë.

Policia ka komentuar përmes rrjetit social, X se bllokimi i rrugës nuk është i autorizuar nga këshilli i qytetit të Hagës.

‘Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët’, në muzeun ‘Marubi’

Ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga Fondacione Alinari me konsulencën shkencore të Rossella Menegazzo u hap në Muzeun “Marubi” në Shkodër.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë Alessandro Ruggiera dhe drejtoresha e Fondazione Alinari per la Fotografia Claudia Baroncini.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe prezanton veprat e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Felice Beato dhe Adolfo Farsari ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, në veçanti Japoninë, duke dhënë kështu ndihmesën e tyre në përparimin e fenomenit kulturor të Japonezizmit në Europë.

Ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale falënderoi drejtorin e “Marubit”, Luçjan Bedeni duke e cilësuar atë “drejtorin shembull, që mbrëmë gjatë prezantimit e quajtëm Luçjano Marubi”.

“E quajtëm kështu, aq i fortë është dedikimi i tij për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aq i madh është respekti ynë për ekipin e tij të shkëlqyer dhe vlerësimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për punën pasionante të institucionit të drejtuar prej tij – sot një oaz i mrekullueshëm e frymëzues për promovimin e historisë, artit, trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve të çmuara ndërkombëtare”, u shpreh Gonxhja.

“Falënderim e mirënjohje nga MEKI, me premtimin se mbështetja jonë ndaj nevojave, vizionit dhe projekteve të udhëhequra nga Luçjano do të jetë e pakrahasueshme me deri tash, sikurse dhe bashkëpunimi që suksesin e Muzeut “Marubi” në Shkodër t’a kemi referencë për sistemin tonë të administrimit publik”, përfundoi Gonxhja.

Ekspozita u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Istituto Italiano di Cultura a Tirana./atsh/KultPlus.com

Çelet në Vjenë ekspozita ‘Midis Fates dhe Fates’

Në Vjenë, në Bildungsakademie Gaweinstal, u hap ekspozita “Midis Fates dhe Fates“.

Në këtë event që mblodhi personazhe të shquara të artit dhe kulturës dhe jo vetëm, Fate Velaj paraqiti punimet e tij pikturë, fotografi dhe literaturë.

Mbi veprën e autorit, botën e tij midis artit, kulturës, politikës dhe diplomacisë, folën Franz Knittelfelder drejtor i Akademisë, Johannes Berthold, kryetar i Bashkisë, Andreas Minnich, deputet në Parlamentin e Austrisë si dhe ambasadore e Shqipërisë pranë OSCE-UNO, Eglantina Gjermeni./balkanweb/KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton masakrën e Reznikut: Nuk e harrojmë dhembjen e popullit tonë

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar sot masakrën e Reznikut të Vushtrrisë, ku forcat e armatosura të Serbisë, më 6 prill të vitit 1999 vranë civilët e pafajshëm shqiptarë.

“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë”, ka theksuar Kurti në një postim në Facebook.

Tutje Kurti ka theksuar se fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë.

“Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurt as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku”, ka shkruar tutje Kurti.

Kin Dushi, një nga prozatorët e parë, i persekutuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot një nga prozatorët e parë shqiptarë, Kin Dushi (27 maj 1922-6 prill 1994).

Kin Dushi lindi në Shkodër në fshatin Shirokë më 27 maj 1922. Studimet i kreu në shkollën e mesme “Normale” të Elbasanit dhe më pas mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtueseve fashistë. Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit dhe dërgohet në kampin e Prishtinës. Ditët e përjetuara në kampin e Prishtinës i shkruante në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951. Ky ditar konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë. Në vitet 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Pas kthimit, ai nis të punojë si gazetar tek gazeta “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, nga ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkroi “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Është i pari shkrimtar që fitoi çmimin e Republikës në Shqipëri, me romanin “Udha e Velanit”, dhe në vitet 1955-1956 u bë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”.

Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve”. Dy vite më vonë shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 5”. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të viteve të komunizmit. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të Luftës Nacionalçlirimtare në plenumin e 15-të të Komitetit Qendror të Partisë.

Më 3 tetor 1967, Kim Dushi arrestohet dhe dënohet me 8 vite burg politik si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Në vitin 1975 u lirua nga Burgu i Burrelit dhe punoi si punëtor ndërtimi në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” në Tiranë, derisa mbushi moshën e pensionit. Nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”. Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi, pasi kishte humbur krejtësisht shikimin, u nda nga jeta./atsh/KultPlus.com

‘Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës’

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari:

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

1.7 milionë turistë të huaj në 3 muaj, Rama: Rekord për industrinë e re të mikpritjes shqiptare

Kryeministri Edi Rama e cilësoi shifrën e 1.7 milionë turistëve të huaj në 3 muajt e parë të vitit 2024, si një rekord për industrinë e re të mikpritjes shqiptare.

Duke publikuar shifrat e turistëve në 3 muajt e parë të vitit, Rama tha se duhet të bashkojmë forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë.

“Mbi 1.7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, duke vendosur një rekord të ri për industrinë tonë të re të mikpritjes”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se 734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar, duke shenjuar në shifra një progres të madh, të cilit duhet t’i përgjigjemi me standarde gjithnjë e më të larta mikpritjeje, duke bashkuar forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë”.

Në vitin 2023 Shqipërinë e vizituan 10.1 milionë turistë.

Me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe detit Jon, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj për peizazhet e saj magjepsëse, kuzhinën e shkëlqyer dhe historinë. / KultPlus.com

“Ishujt 2024”, MEPJ: Dokumente biometrike për shqiptarët që jetojnë në zonat përreth ishujve të Egjeut

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi edhe këtë vit do të mundësojë realizimin e projektit “Ishujt 2024″.

Ky projekt ka për qëllim pajisjen me dokumente biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në zonat përreth ishujve të Egjeut/Mesdheut.

MEPJ bëri të ditur sot se në kuadër të realizimit të këtij projekti, ekipi i posaçëm do të gjendet në: Kretë më 22, 23 dhe 24 prill,  dhe në Rodos më 25, 26 dhe 27 prill.

“Të interesuarit, krahas detyrimit për kryerjen e aplikimit në e-Albania, duhet të dërgojnë në postën elektronike kërkesën e tyre me subjekt “Ishujt 2024“, si dhe të dhënat e mëposhtme: Emër/Mbiemër i aplikantit, Numrin personal (NID), Kodin e aplikimit për pasaportë ose/dhe kartë ID (03AT…); Adresën e vendbanimit – Ishulli”, theksoi MEPJ.

Afati përfundimtar për aplikim është data 19 prill 2024. / KultPlus.com