Niçe: Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa, në vegla dhe në armiq

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger.

“Nana, të dua” – mesazhet e ëmbla që vajzat ia lanë Vjosa Osmanit në zyrë

Vjosa Osmanit i duhet shpesh herë që të bëjë dy punë shumë të rëndësishme në jetën e saj njëkohësisht – të jetë në krye të detyrës si kryeparlamentare dhe të përkujdeset për dy vajzat e saj binjake.

Një rast të tillë ajo duket se e pati edhe një ditë më herët kur dy vajzat e saj i kishte marrë në zyrën e Kryetares së Kuvendit, njofton Klan Kosova.

Por, duket se bijat e Vjosa Osmanit u përkujdesën që ta lumturojnë nënën e tyre duke i lënë mesazhe shumë të ëmbla në zyrë.

“Nana, të dua”, kishin shkruar ato në disa letra që i kishin lënë në vend të ndryshme në zyrën e nënës së tyre, madje duke ia ngjitur një të tillë edhe në ekranin e kompjuterit.

“Kur i merr fëmijët me vete në punë dhe kthehesh një ditë më pas në zyrë për t’i gjetur këto”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Diaspora shqiptare në Gjermani vazhdon ta ndihmojë Kosovën

Ditë më parë në Essen është mbajtur takimi i radhës i Unionit të Biznesmenëve Shqiptarë në Gjermani. Diaspora shqiptare në Gjermani edhe një herë dëshmoi se është e gatshme të ndihmojë shqiptarët e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim nikoqire ishte firma Kelmendi Gmbh. Unioni ka marrë në pronësi nga UNDP fondin për investime të Luksemburgut. Për punësimin e kosovarëve në firmat anëtare të Unionit u formua grupi punues nga Zenun Krasniqi dhe Ejup Xhemajli, po ashtu në këtë takim kryesia e Unionit mori vendim që t’u ndihmojnë edhe hapjen e 15 bizneseve te vogla në Kosovë kryesisht në Krushë tē komunës së Rahovecit.

Duhet theksuar se arsyeja e përzgjedhjes së Krushës është se në këtë vend dëmet e shkaktuara nga lufta janë mjaft të theksuara dhe, siç e dimë në këtë pjesë mbijetojnë me punët bujqësore dhe punëdore kryesisht të udhëhequra nga gratë kryefamiljare. Këtë projekt për ta menaxhuar u zgjodhën Gani Nuha dhe Ilir Balija, shkruan kosovapres.

Vlen të cekët se edhe për “Projektin e 10 pacientëve për shërim gratis në Gjermani” u formua Komisioni në krye me Besim Rexhepajn, i cili ishte edhe iniciator i projektit.

Kryetari i Unionit, Ejup Berisha, gjatë hapjes të takimit, duke i përshëndet të pranishmit tha se Kosova ka nevojë më tepër se kurrë për investime nga Gjermania në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Unioni gjatë këtij takimi miratoj vendimin që të bashkëpunojë ngushtë me Rrjetzimin Global, por derisa rrjeti me seli në Amerikë nuk përfshin kërkesat e arsyeshme të Unionit që janë ngushtë të lidhura me ligjet gjermane në Statutin e posapërpiluar, Unioni Gjerman nuk mund të bëhet anëtar në Rrjetin Global. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Tirana më e pasura, Kukësi më i varfri në Shqipëri, e kjo nga fundi në Evropë

Ata që banojnë në Tiranë kishin të ardhura për frymë më të lartat në vitin 2018, ndërsa Kukësi vijon të jetë rajoni më i varfër i Shqipërisë, sipas të dhënave të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto rajonal, 2018.

Për frymë, të ardhurat janë sa 31.1% e mesatares së Bashkimit Evropian, që sipas Eurostat, është ndër më të ulëtat në Evropë.

I gjithë veriu vijon të jetë më i varfëri në vend, ndërsa Qendra më e pasura, shkruan mediat në Shqipëri.

Sipas INSTAT, në vitin 2018, niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë), arriti në 571 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2017, PBB për frymë në terma nominale u rrit me 5,75%.

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 462 mijë lekë, duke shënuar një rritje nominale me 4,7%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 19,1% nën mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 692 mijë Lekë dhe pati një rritje me 5,6%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 21,2% mbi mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 511 mijë Lekë, duke shënuar një rritje me 6,3%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 10,4% nën mesataren e vendit.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), në vitin 2018, ishte në Qarkun e Tiranës, me 783 mijë lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 5,1% krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 37,3% mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku i Fierit, me 599 mijë lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 8,4% ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 5,0% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark) në vitin 2018, u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 362 mijë Lekë duke shënuar një rritje në terma nominale me 7,3%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 36,6% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Elbasan me rreth 398 mijë Lekë duke shënuar një rritje me në terma nominale 5,9% ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,3% nën mesataren e vendit.

Standardi i fuqisë blerëse

PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2018 është 27.581 PPS.

PBB për frymë në PPS për vitin 2018 për Republikën e Shqipërisë është 31,1% e mesatares së Bashkimit Evropian BE28 = 100. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, në këto nivele Shqipëria renditet ndër më të varfrat në Europë, së bashku me Bosnjën e Kosovën.

Sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2018 ishte 37,7%, në rajonin Veri 25,1% dhe në rajonin Jug 27,8%.

Grupi i veteranëve të UÇK-së rregullojnë obeliskun e dëmtuar në Prizren

Obelisku në Prizren kushtuar dy ushtarëve amerikanë, që ishte dëmtuar pjesërisht, të enjten është rregulluar nga një grup i ish-ushtarëve të UÇK-së. Veteranët e UÇK-së krahas rregullimit të pjesës së prapme të obeliskut kanë vendosur edhe një flamur të ri amerikan në memorialin kushtuar ushtarëve të ndjerë amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert.

Invalidi dhe veterani i UÇK-së, Hysni Rexhaj duke folur në emër të grupit ka theksuar se dy të rënët amerikanë në vitin 1999 meritojnë respekt meqë kanë ndihmuar popullin e Kosovës në kohë të vështira.

“Ne premtuam se do ta rregullojmë këtë memorial të dëmtuar dhe sot e realizuam këtë zotim”, ka thënë Rexhaj.

Ai bashkë me një grup të shokëve të luftës kanë bërë homazhe para pllakës përkujtimore të dy ushtarëve amerikanë.

Ushtarët e ndjerë amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinor në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë.

Obelisku në Prizren në nderim të tyre ishte përuruar me 26 maj të vitit 2014, me rastin e shënimit të Ditës së Përkujtimit të ushtarëve amerikanë që kanë rënë gjatë shërbimit në forcat e armatosura.

Pasojat e pandemisë, 9 milionë turistë në vit, sot Amsterdami është bosh

Në ditë normale, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, mbyllën dyert për vizitorët për shkak të pandemisë koronavirus.

Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.

1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frank, nga këta 92% turistë të huaj. Edhe ky muze tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.

“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90% të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë për të rihapur dyert për turistët e huaj”, thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.

Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do e bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.

“E di që kemi 55 mijë shtretër hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori hotelier.

Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Holandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj kur niveli i vdekjeve u vu në kontroll.

Nga data 1 qershor do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh. / KultPlus.com

Axha Ramadan, 93 vjeçari që u bë frymëzim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, në krye të lagjes gjendet shtëpia dy katëshe e axhës Ramadan (Ramadan Rafuna), 93 vjeçarit që u bë inspirim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës. Ballkoni i shtëpisë së tij rrallë qëllon i zbrazët, axha Ramadan është figura qendrore e këtij balloni nga ku banorët shpesh i kthejnë sytë për të parë skenat më të mira që mund t’i pikasësh gjatë një kohe të tillë izolimi, shkruan KultPlus.

Në rrethana normale, mëngjesi axhën Ramadan e ka gjetur në Tokbashqe apo Gërmi, ku bashkë me shokët kanë luajtur ndonjë lojë shah apo kanë ecur rreth parkut, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19, e ka detyruar atë të izolohet në shtëpi. Por, kjo asnjëherë nuk ja ka zbehur energjinë e vullnetin për të kaluar ditën në mënyrën më të mirë. Në kushtet që ofron shtëpia, ai e ka shfrytëzuar ballkonin e shtëpisë për të bërë ushtrimet e mëngjesit, për të luajtur letra me mbesat e tij, teksa afër e mbante edhe një gotë çaj si shoqëruesin më të mirë në momente të tilla, e besa, ndonëse ju duket e pamundur për shkak të moshës së shtyrë, ai edhe ka lexuar gjatë kësaj kohë. Anekdotat e Anton Çettës, librin “Pa atdhe nuk kam fe” nga Selman Vokshi dhe “999 anekdota” të Salih Zogianit kanë qenë librat që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe karantine.

“Masi na izoluan ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, po masi i kam mbesat prapë mirë, se kemi lujt me letra, shah e domino, kështu që më ka kalu koha mirë, jo keq”, thotë ai për KultPlus.

Në rininë e tij ai ishte polic, por më vonë ai u bë pjesë e Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë pjesë e kësaj iniciative që ka arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90, ai padyshim ishte edhe afër Anton Çettës, kryetarit të kësaj lëvizje. E si duket “Plaku i urtë”, epitet të cilin Anton Çetta e kishte marrë nga populli i cili e respektonte dhe donte shumë, kishte ndikuar edhe te axha Ramadan. Ndonëse kanë kaluar vite e vite nga ajo kohë, ai e kujton me shumë nostalgji atë moment historik për shqiptarët.

“Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Rinia sot nuk e kuptojnë, ka qenë një fushë që është quajtur ‘Fusha  e Pajtimit të Gjaqeve’, ku janë falë 7 mijë gjaqe. Kur u qojke nana e ja falke gjakun e djalit, ose baba të djalit, apo vllau të vllaut, ka qenë shumë e vështirë, gjithë ai popull që ka qenë prezent nuk kanë mundur t’i mbajnë lotët”, tregon axha Ramadan i cili edhe sot, pas kaq shumë vitesh, teksa rrëfente, nuk mund t’i mbante emocionet, zëri i dridhej e lotët gati e tradhtuan.

“Me Anton Çettën kemi kaluar shumë kohë bashkë. Ka qenë një njeri i urtë, me fjalë të matura e të mira. Anton Çetta e ka hapë një rrugë në shqiptari që asnjëherë më parë, askush nuk ka vepru më mirë. Me u pajtu njerëzit mes vete në atë mënyrë, kjo ka qenë e jashtëzakonshme. Edhe në të ardhmen ka me vazhdu mu shkru për këtë ngjarje historike për vendin tonë”, thotë ai.

Një 93 vjeçar duke lexuar, është një pamje frymëzuese të cilën nuk ka mundur ta neglizhojë as fotografi Nok Selmani i cili qëllon të jetë komshiu i tij i parë. Duke u ndjerë i frymëzuar çdo ditë nga kjo figurë dhe energjia e tij, Noku ka ngrirë disa nga këto momente që për të kanë një domethënie të madhe. E 93 vjeçari shprehet i lumtur që ka frymëzuar banorët.

“Jam i lumtur që i kam frymëzuar banorët e lagjes edhe pse pa vetëdijen time, unë thjesht e kam bërë rutinën time ditore. Me ushtrime merrna gjithmonë kapak, më ka mbet shprehi prej moti. Ushtrimet më kanë ndihmu e më ndihmojnë ende për me qenë ma i shëndetshëm”, thotë axhi Ramadan.

Ndërsa, sot pas më shumë se dy muajve, ai ka dalë për herë të parë në qytet.

“Gjatë kësaj periudhe më ka mungu shumë koha kur dilja. Sot kam dal në mëngjes me ec. Kur dola i gjeta shokët aty, ju thash mos mu afroni, të ruhemi, po jo vallahi than, krejt në n’gryk më kanë marrë”, pohon teksa fytyra i buzëqeshte. Vërehej qartë në fytyrën e tij që dalja nga karantina dhe takimi me shokë e kishin rilindur edhe njëherë.

Krejt për fund të intervistës, ai deshi të ndajë edhe një mesazh me lexuesit e KultPlus.

“Kjo koha e karantinës e ka pasur anën pozitive dhe atë negative. Besoj që ka ndiku për mirë shumë tek njerëzit, që me dashtë më shumë njëri tjetrin. Besoj që e kanë kuptu sa e rëndësishme është me pas shoqëri, dashni e rahati në mes vete, jo mu marrë me ngatërresa. Se kohëve të fundit njerëzit e këqyrshin veç interesin personal, e tash besoj që kjo situatë ka ndiku me pa botën ma ndryshe, me dashni.” / KultPlus.com

Vogëlushi përpiqet ta zgjojë nënën e vdekur, pamje që kanë tronditur botën

Një video e shpërndarë në mediat sociale në të cilën shihet një vogëlush duke provuar të zgjojë nënën e tij të vdekur, të shtrirë në një platformë hekurudhore në qytetin lindor të Muzaffarpur, ka shokuar indianët dhe jo vetëm.

Sipas raporteve të mediave lokale, përcjell Telegrafi, familja e Arbina Khatoon tha që ajo vdiq nga uria dhe dehidratimi, duke theksuar se punëtorët migrantë që vuajnë kanë duruar për shkak të bllokimit të coronavirusit.

Policia lokale, megjithatë, tha që ajo vdiq për shkak se ishte e sëmurë.

Sipas Al Jazeera, 35-vjeçarja është ndër të paktën nëntë punëtorët migrantë që kanë vdekur në trenat ditët e fundit ndërsa udhëtonin përsëri në shtëpitë e tyre, njoftuan zyrtarët dhe media të mërkurën.

Media lokale transmetoi pamjet e djalit dy vjeçar duke tërhequr një leckë që mbulonte nënën e tij të vdekur në stacionin hekurudhor Muzaffarpur në shtetin verilindor të Bihar.

Policia lokale tha që Khatoon vdiq nga sëmundja, me hekurudhat indiane që ndajnë një letër nga të afërmit që dëshmojnë për shëndetin e saj të dobët.

Por ata që udhëtuan me të pretenduan se ajo vdiq nga mungesa e ushqimit dhe ujit gjatë një udhëtimi të gjatë me tren nga shteti Gujarat perëndimor rreth 1.800 kilometra larg.

Vdekjet e fundit nxjerrin në pah vështirësinë e migrantëve indianë në pandemi, gjatë së cilës miliona humbën punën e tyre dhe po përpiqen të kthehen në shtëpi nën bllokimin e vendit.

Vdekjet ndodhën në trenat specialë të organizuar nga qeveria indiane për të ndihmuar transportimin e punëtorëve të bllokuar në shtëpi.

Kritikët thonë se trenat specialë janë vonuar, duke i lënë migrantët të presin në mot të nxehtë për ditë të tëra, dhe se kishte pasur mungesë ushqimi dhe uji në udhëtime, akuza që Hekurudhat Indiane dhe qeveria i mohojnë.

Dhjetëra trena nuk mbërritën, sipas raporteve të mediave lokale, por zyrtarët hekurudhor thanë që trenat duhej të devijoheshin për të lehtësuar trafikun. / KultPlus.com

Prishtina do të bëhet me qendër për komunitetin LGBTI

Komuna e Prishtinës do të themelojë qendrën për nevojat e komunitetit LGBTI.

Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj.

“Jam shumë i lumtur që sot në prani të Kryetarit Shpend Ahmeti e zyrtarizuam themelimin e një̈ qendre për nevojat e komunitetit LBGTI në Prishtinë së bashku me Arbër Nuhiun nga CSGD dhe Blert Morinën nga CEL. Të njëjtën do ta rinovojmë̈ në tërësi dhe shumë shpejt do ta hapim”, ka shkruar Kukaj në Facebook.

Kukaj ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës do të përkrah komunitetin LGBTI edhe me projekte të tjera.

“Komuna e Prishtinës nuk do ndalet me kaq. Në do qëndrojmë̈ në mbështetje të këtij komuniteti edhe me punë e projekte tjera konkrete”, ka shkruar Kukaj. / KultPlus.com

Zbulohet vendi me 28 ton flori që i fshehu Hitleri

Vendndodhja e 28 ton ari të epokës naziste të fshehur në periudhën e Luftës së Dytë Botërore është gjendur në një pallat në Poloni. Ari me vlerë miliarda euro, si dhe sendet e tjera po me vlerë thuhet se janë 60 metra nëntokë në fund të një pusi në bazat e Pallatit Hochberg në Roztoka, afër Wałbrzych. Pallati është vendi i familjes së famshme Hochberg, pronarë të pasurive të shumta në zonë.

Studiuesit kanë gjetur informacionin rreth vendit të fshehjes së sendeve të çmuara duke analizuar ditarin e një oficeri. Ditari u shkrua nga Egon Olenhauer, të cilin Hitleri e urdhëroi të fshihte thesarin nazist.

Aty përshkruhet operacioni për të fshehur thesarin e kontrolluar si dhe detaje për njëmbëdhjetë vendndodhjet në Silesian e Poshtme dhe Opole, ku gjërat e vlefshme, përfshirë këtu artin, artefaktet fetare dhe depozitat bankare, si dhe artet nga Gjermania, Polonia, Franca, Belgjika dhe Rusia thuhet se gjenden.

Nëse supozimet e studiuesve janë të vërteta, sendet e vlefshme me vlerë rreth 1.3 miliardë euro mund të jenë fshehur në Poloni. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë marrë ende leje për të gërmuar në vendin e fshehjes, transmeton Shekulli raportimin e Daily Mailit.

Përfaqësuesit e fondit pretendojnë se ata kanë marrë tashmë miratimin paraprak për zbatimin e punimeve nga pronari i kështjellës.

Ditari i Egon Olenhauer u bë i famshëm në vitin 2018. Sipas studiuesve, kur Ushtria e Kuqe filloi ofensivën. / KultPlus.com

Shtyhet hyrja e Kobe Bryant në ”Hall of Fame”

Super ylli i ndjerë basketbollit, Kobe Bryant dhe pjesa tjetër e basketbollistëve të ”Hall of Fame” për vitin 2020, do të duhet ”të presin” për ceremoninë, që do të shtyhet për në fillim të vitit 2021.

Kryetari i ”Hall of Fame”, Jerry Colangelo tha se njoftimi nuk do të zyrtarizohet deri në një mbledhje të bordit më 10 qershor, por shtyrja për shkak të pandemisë duket si diçka e sigurt.

Bryant, i cili vdiq në një aksident ajror në janar, u caktua të kryesonte ceremoninë e ”Hall of Fame” së bashku me Tim Duncan dhe Kevin Garnett.

Fillimisht ceremonia u caktua për më 29 gusht./ KultPlus.com

Natyrë, histori dhe traditë, markohen shtigjet turistike në malin e Rrencit në Lezhë

Pushuesit dhe vizitorët që do të zgjedhin këtë verë Lezhën do të kenë mundësi të eksplorojnë lehtësisht edhe malin e Rrencit.

Një shteg mjaft interesant përshkon kurrizin malor të një zone që më parë ka qenë e banuar duke shijuar pamjet e mrekullueshme që natyra ka krijuar në këtë zonë, historinë, kulturën dhe panoramën e bukur që e shoqëron këtë udhëtim.

Për ta bërë më të lehtë udhëtimin, që mund të bëhet në këmbë, me biçikletë mali, motora apo fuoristrada, Drejtoria e Turizmit e Kulturës në Bashkinë e Lezhës ka realizuar edhe markimin e këtij shtegu, që nis në hyrje të rrugës për tek Rana e Hedhun dhe vijon ngjitjen e malit.

Janë 16 km shteg që tani do të mund të aksesohet më lehtë për shkak të sinjalistikës që është vendosur, por eksploratorët orientohen edhe për drejtimin e objekteve të kultit dhe vlerave kulturore që ndodhen në këtë zonë. / atsh / KultPlus.com

Përurohet kinemaja “Maks Velo”

 Mask Velo u nda nga jeta 3 javë më parë, por ëndrra e tij, për të cilën punoi gjer në ditët e fundit, para se të sëmurej, u bë sot realitet. Ajo ishte kinemaja e Laprakës, që e kishte projektuar që në vitet ’70, por pas viteve ’90 ishte lënë në harresë, e më pas ishte shkatërruar, për t’u zaptuar e kthyer në një hedhurinë.

Arkitekti punoi deri vonë për rikonstruksionin e saj, për ta kthyer në identitet, e vetëm sot ajo u hap. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, motra e Maks Velos, Diana, dhe miku i ngushtë i tij, regjisorit Kujtim Çashku, inspektuan përfundimin e punimeve të kinemasë, e cila tanimë mban edhe emrin e arkitektit të mirënjohur.

“Kur shtohet një kinema në Tiranë, për qytetin është një ditë e mrekullueshme, por është dy herë më e mrekullueshme kur i shtohet një kinema e projektuar nga Maks Velo, e cila nga sot, në nder të tij, do të quhet kinemaja “Maks Velo” në Laprakë. Sa ishte gjallë, Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë, madje mbaj mend një nga bisedat në atë kohë më të, kur thoshte: ‘Shiko, shumë mirë që po i bëni këto kanalizimet e ujërave të bardha e ujërave të zeza, rrugët dhe trotuaret, këndet e lodrave, por qyteti nuk jeton vetëm me llaç e tulla, qyteti jeton edhe me art, me kulturë, me filma, me teatër dhe nevojat e tjera për ushqimin shpirtëror”, u shpreh Veliaj.

Kinema “Maks Velo” do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Ajo do t’u vijë në ndihmë artistëve të rinj, të cilët mund t’i përdorin këto mjedise për të shfaqur prodhimet e tyre.

E emocionuar nga përfundimi i projektit, motra e Maks Velos, Diana, tha se kujtimi i tij dhe vepra artistike që la pas, do të mbeten të paharruara. “Jam shumë e emocionuar, e gëzuar, e mallëngjyer, për këtë nder të madh që i bëni vëllait tim. Falenderoj kryetarin e bashkisë, faleminderit miqve italianë, falënderoj Ministrinë e Kulturës. Kujtimi i Maksit, vëllait tim, do të mbetet i paharruar”, tha ajo. / Konica.al / KultPlus.com

Në Samadrexhë të Vushtrrisë po finalizohet palestra e sportit

Samadrexha e Vushtrrisë shumë shpejt do të ketë palestrën e saj të sporteve. Për këtë, sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Sipas memorandumit, për fazën përmbyllëse të projektit “Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në Samadrexhë të Vushtrrisë”, MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro investim. Po ashtu, ministria do të mbikëqyrë realizimin e projektit, e cila edhe e ka hartuar këtë objekt sportiv.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi theksoi se projekti në fjalë është me interes për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, duke pasur parasysh edhe faktin e traditës sportive që ka Samadrexha me rrethinë.

“Si ministri kemi në plan që të rrisim mbikëqyrjen dhe inspektimet në terren në ato projekte ku ministria po bën investimet e saj nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të rritjes së dinamikës së punës sepse në projekte të caktuara po krijohen vonesa në realizimin e punëve”, sqaroi ministrja Dumoshi, duke vënë në pah se MKRS-ja është e interesuar që projektet infrastrukturore të kryhen sipas standardeve dhe në kohën e paraparë.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e ministrisë për projektet konkrete që janë në dobi të qytetarëve të komunës që ai udhëheq.

Të dy biseduan edhe për projekte tjera nga fusha e kulturës dhe e trashëgimisë që janë në realizim e sipër si dhe për projektet e përbashkëta që priten të kryhen në të ardhmen e afërt. / KultPlus.com

Studentët në Itali do t’i mbajnë provimet në mes të ullinjve

Imagjinoni t’i nënshtroheni provimeve finale ulur në një tavolinë pikniku në qiellin e kaltër dhe në mes të plantacioneve të ullinjve, e zhurmës së zogjve në periferi të Umbrias.

Ky skenar dramatik i pret studentët në Institutin Agrokulturor Ciuffelli, pasi organizimi i provimeve në ambient të mbyllur është i pasigurt dhe i paparashikueshëm shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Në kampusin 75 hektarë të shkollës në periferi të qytetit Todi të martën, shtatë profesorë dhe një student kanë bërë një provë për provimet që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Në Itali gjithë studentët i nënshtrohen provimeve me gojë dhe me shkrim për të marrë një diplomë apo gradë. Normalisht të gjithë ato mbahen në ambient të mbyllur, por këtë javë provimet me shkrim janë anuluar për të evituar ngarkesën në klasa shkollore.

Zyrtarët e institutit kanë vendosur të mbajnë provimet me gojë në ambient të jashtëm.

Profesorët, duke mbajtur maska, qëndronin ulur me laptopët e tyre dhe printerët në një tavolinë pikniku rreth 19-vjeçarit Matteo Lenticchia, që po i përgjigjej një numri të pyetjeve hipotetike për qumështin, djathin, sigurinë e ushqimit, konsumimin dhe shpërndarjen.

Ata ishin vendosur nën hije të pemëve.

“Në fakt, është më relaksuese të jesh jashtë. Është më relaksuese të dëgjosh tingujt e zogjve sesa të dëgjosh sirenat e veturave”, ka thënë Lenticchia.

Në Institut gjatë pesë vjetëve studentët mësojnë çdo aspekt të agrokulturës, si të drejtosh një fermë, për kafshët, për bimët dhe madje edhe si të përdoren dronët për të monitoruar lagështinë në fusha.

Umbria, që gjendet në qendër të Italisë, është e famshme për prodhim bujqësi. / KultPlus.com

Fituesi i Nobelit për kimi: Karantina s’ka shpëtuar asnjë jetë deri më tash

Michael Levitt ka laboratorin e tij të biologjisë strukturore në Stanford University School of Medicine, dhe për shumë vite, ka qenë një referencë në botën e shkencës. Sidomos që nga viti 2013, kur ai fitoi çmimin Nobel në Kimi.

Ekipi i tij, me ndihmën e vullnetarëve nga vende të ndryshme, punon vazhdimisht në analizën e të dhënave në lidhje me virusin, me qëllim të gjurmimit të evolucionit të COVID-19.

Levitt është kritik i ashpër ndaj strategjisë së zgjedhur nga shumica e qeverive të botës për të luftuar pandeminë.

“Unë mendoj se karantinat nuk shpëtuan asnjë jetë”, tha ai në një intervistë për The Telegraph të shtunën. “Ata do të kenë shpëtuar disa jetë në aksidente rrugore dhe të ngjashme, por dëmi social nga abuzimi në familje, divorci, alkoolizmi ka qenë ekstrem. Dhe pastaj ka nga ata që nuk u mjekuan për sëmundje të tjera”, transmeton Telegrafi.

Levitt beson se me disa rekomandime specifike, të tilla si veshja e maskave nga fillimi i shpërthimit dhe miratimi i rregullave të caktuara të distancës sociale, i njëjti rezultat do të ishte marrë në aspektin shëndetësor, por me një kosto shumë më të ulët.

“Unë mendoj se virusi i vërtetë ishte virusi i panikut”, tha ai. “Për arsye që nuk janë të qarta për mua, unë mendoj se udhëheqësit u tërhoqën dhe njerëzit bënë gjithashtu, dhe unë mendoj se kishte një mungesë të madhe diskutimi”. / KultPlus.com

“Në kohët e sotme bëjmë një krim që do ta paguajmë shumë shtrenjtë: prodhojmë të shkolluar, por të paditur”

Publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti shpesh kritikon sistemin politikë por edhe shumë dukuri të tjera shoqërore. Përmes shkrimeve të tij ai ka arritur ta fitojë dashurinë e lexuesve të cilët e çmojnë shumë fjalën e tij, shkruan KultPlus.

Të shkolluar por të paditur është “krimi” i radhës të cilin e dënon përmes fjalës së tij Mehmeti e të cilën thënie ju sjell KultPlus:

“Në kohët e sotme bëjmë një krim që do ta paguajmë shumë shtrenjtë: prodhojmë të shkolluar, por të paditur” 

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romansier, tregimtar, eseist, publicistë dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.

Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Evropian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturorë në Shkup.

Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.

Tani punon si përgjegjës i zyrës së TV Top-Channel në Shkup.

Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. Kim Mehmeti është rrëfimtarë i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjeshtë ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejtë thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori.

Kim Mehmeti, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë 2008 Kim Mehmeti, fituesi i Shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008

Arsyetimi i Jurisë: Për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romantik, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit, juria vendosi njëzëri që çmimi t’i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin “Vitet e urithit”, botuar nga Toena, Tiranë më 2007.

Shpërblimi për gazetari nuk u nda, sepse sipas vlerësimit të jurisë, pavarësisht faktit se në mesin e konkurruesve ka pasur gazetarë kualitativë, këtë herë cilësia e teksteve të paraqitura nuk ka përkuar me standardin e lartë që ka vendosur juria për ta akorduar këtë shpërblim.

Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë tjera. / KultPlus.com

Rrenat si ushqim në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Lahu ma zuri priten para mejhanes krye Çarshisë. Më tha se më priste një bakshish-kafe. Nuk më la ta pyesja për shkakun e bakshishit.
“Peshqesh nga kajmekami”.
“Paska krisë ndonjë e mirë?”
Lahu si Lahu, gjithë gaz e verë, më tha se bakshish-kafja shkon me njëfarë rrene që duhet të merret si e vërtetë.
“Epo, edhe kohëve të liga u shkojnë mahitë… Njerëz jemi… Edhe ato ndihmojnë nganjëherë…”
Pyeta se cila ishte rrena e ditës.
“Fluturon, fluturon kali…”
“Ka edhe ndonjë tjetër?…”
“Thuhet se cjapi i Sylës ka dalë në Çabrat dhe po flet si njeri për një zaman të ri kur insani kthehet në hajvan dhe hajvani në insan…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”)

Veprat e kompozitorëve kosovarë, premierë në Londër

Vepra “Trio” e Kreshnik Aliçkaj dhe “Optio” e Memli Kelmendit, do të jenë veprat që do të interpretohen premierë botërore nga Willingdon House Music Londër, përcjellë KultPlus.

24 kompozitorë nga mbarë bota u janë përgjigjur thirrjes së aplikimit WHM (RE) Inventions, New music, për shkak të numrit të madh të veprave selektive, koncerti do të mbahet në dy ditë.

Koncerti i parë, “Optio” e Memli Kelmendit do të interpretohet të premten me 29 maj në ora 19:30 ndërsa koncerti i dytë, vepra “Trio” e Kreshnik Aliçkaj do të interpretohet të premten me 5 qershor në ora 16 :30.

Për shkak të pandemisë globale, virusit COVID-19, koncertet do të transmetohen drejtpërdrejt në livestream http://www.facebook.com/willingdonhousemusic

Willingdon House Music është ansambël profesional në përbërje nga: Flavia Hirte, Nicola Barbagli, Ellen Bundy and Max Mausen, të cilët njihen për interpretimin e veprave që nga periudha e barokut (instrumente të barokut) deri tek muzika bashkëkohore. / KultPlus.com

Studimi nga Australia ndez dritën e gjelbër për rihapjen e shkollave

Drita e gjelbër është ndezur nga një studim nga New South Wales, Australi, mbi çështjen e shqetësuar të rihapjes së shkollave.

Qëllimi i studimit ishte të ekzaminonte transmetimin e COVID-19 në 15 shkolla dhe qendra të kujdesit për fëmijë shkruan Mirror.

Raporti nga Qendra Kombëtare e Kërkimit dhe Mbikëqyrjes së Imunizimit (NCIRS) hetoi të gjitha rastet COVID-19 në shkollat ​​e NSW nga 5 Mars – 3 Prill 2020.

Nëntë fëmijë dhe nëntë mësues nga 15 shkolla u konfirmuan raste dhe të gjithë kishin mundësinë për të infektuar të tjerët në shkollat ​​e tyre. Nga ato 18 raste, gjurmimet e kontaktit identifikuan 735 fëmijë dhe 128 mësues që mund të kishin kontraktuar me COVID-19.

Asnjë mësues nuk kontraktoi virusin nga ndonjë prej fëmijëve të shkollës fillore. / KultPlus.com

“Puthja e jetës”, fotografia me historinë e jashtëzakonshme që intrigon publikun tash e 50 vite

Fotografia e realizuar në vitin 1967 e shkrepur përmes objektivit të Roko Morabit quhet “Puthja e jetës”,  dhe  ka intriguar publikun për më shumë se 50 vjet. Ajo  fsheh  në vete një histori të jashtëzakonshme të dy punëtorëve.

Një vit pasi u shkrep fotografia, fotografi mori çmimin Pulitzer dhe më pas ajo u botua në gazeta nëpër botë.

“Puthja e jetës”

Puthja e jetës  shfaq elektricistin J. D. Thomson duke i  dhënë frymëmarrje artificiale bashkëpunëtorit të tij Randall G. Champion, pasi ai humbi vetëdijen pas kontaktit me një tel të tensionit të ulët.

Të dy ata po bënin mirëmbajtje rutinore kur Champion aksidentalisht preku njërin prej telave të tensionit të ulët që ndodhej në majë. Ai humbi vetëdijen, për fat të mirë, rripi i sigurimit e pengoi që të binte. Thompson, i cili ishte poshtë tij, shpejt arriti lart dhe filloi t’i japë frymëmarrje artificiale, transmeton reporteri.

Duke parë rrethanat nuk ishte në gjendje të përdorte dhe duart për frymëmarrje artificiale por vazhdoi të fryjë në mushkëritë e Champions deri kur ndjeu një puls, më pas ia zgjidhi rripin që e mbante lidhur me shtyllën dhe zbriti me të në shpatulla.

Ai jetoi edhe për 35 vjet të tjerë pas kësaj ngjarje. Vdiq më 2002 në moshën 64 vjeç.

Rreth fotografit

Rocco Morabito ishte duke vozitur në West Street në korrik  të vitit 1967. Në një moment, ai ngriti kokën dhe pa elektricistin që ishte goditur nga rryma. Ai thirri menjëherë ambulancën dhe kapi aparatin për të shkrepur foton.

“Unë kalova pranë këtyre njerëzve që po punonin dhe vazhdova me punën time. Kam bërë tetë foto. Mendova të kthehem dhe të shoh nëse mund të bëj një foto tjetër. Atëherë dëgjova një ulërimë. Ngrita sytë dhe pashë që burri ishte varur. Oh Zoti im, nuk dija çfarë të bëja. Unë bëra një fotografi menjëherë, pastaj Thomson zbriti shkallët. Shkova në makinën time dhe thirra një ambulancë. U ktheva aty kur Thomson po i jepte frymë artificiale shokut të tij. E shkrepa një fotogravi kur dëgjova “Po merr frymë”.

Rocco Morabito mori çmimin Pulitzer të vitit 1968 për fotografinë “Puthja e jetës”. Fotografia u botua në  shumë gazeta nëpër botë. / KultPlus.com

Japonia kërkon turistë, ua paguan gjysmën e pushimeve

Janë të shumta vendet që ka kaluar piku i epidemisë së COVID-19, po mendojnë seriozisht për muajt verorë që po afrojnë, në tentativën për ta shpëtuar sadopak sezonin turistik, edhe pse tashmë të cunguar.

Japonia është një nga vendet që ka kaluar tashmë valën e pandemisë me “vetëm”  16.500 të prekur dhe 783 viktima. Vendi aziatik sapo ka dalë nga gjendja e emergjencës, dhe mendon të hapë sezonin veror në fillim të korrikut.

Për të tërhequr turistë nga e gjithë bota, Japonia ka planifikuar një paketë ndihmash për sektorin me rreth 10.5 miliardë euro.

Një nga propozimet më interesante për turistët që do të munden të arrijnë shtetin ishullor këtë verë do të jetë fushata e uljeve të çmimeve, që sipas agjencive të turizmit do të përgjysmojnë kostot e udhëtimit dhe ndenjjes në atë vend. Një në tre net në hotel do të jetë falas, ashtu si pjesa më e madhe e muzeve dhe parqeve, dhe pjesë e kostove të transportit hekurudhor, më i shpejti dhe komodi.

Për fatlumët, kjo periudhë mund të jetë një periudhë e papërsëritshme për të shijuar pa fluksin e zakonshëm dhe me kosto të përballueshme bukuritë e një vendi unik. / KultPlus.com

Panairi më i madh në botë i librit zhvillohet në tetor

Panairi i Librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë për libra, do të zhvillohet në tetor pavarësisht pandemisë së koronavirusit, vendosi kështu Bordi Mbikëqyrës i panairit.

“Këtë vit është më e rëndësishme se kurrë që të zhvillohet Panairi i Librit në Frankfurt”, tha drejtori, Juergen Boos.

Panairi i Librit i Frankfurtit daton që nga viti 1949.

Në vitet e mëparshme, më shumë se 300 000 vizitorë mblidheshin në Frankfurt për të parë rreth 7 500 ekspozues nga më shumë se 100 vende.

Organizatorët e panairit thanë se janë në diskutime se si do të garantohet siguria e vizitorëve, ekspozuesve dhe punonjësve. / KultPlus.com

Fjalimi i famshëm i Skenderbeut, autentik dhe i plotë nga Marin Barleti

Ky fjalim është shkëputur nga vepra e Marin Barletit, “Historia e Skenderbeut”, fjalimi të cilin Skenderbeu e kishte mbajtur para ushtrisë, në momentet kur po bëhej gati për mësymje ndaj qyteteve të tjera për t’i çliruar nga pushtimi osman. Ky është përshkrimi më autentik i fjalimit të famshëm të Skenderbeut të cilin e njohim sot.

“Asgjë të re, as të papritur nuk shoh këtu, kapedanë dhe ushtarë kryetrima, që të mos ma ndjente me parë zemra dhe të mos më mbushte me shpresë, sa herë që unë sillja ndër mend tërë mall edhe bujarinë e lashtë të popullit, edhe shërbimet e veçanta dhe zyrtare tuaja ndaj atit tim, Gjonit. Dhe me të vërtetë, mos ma merrni për mburrje, por unë s ‘kam dyshuar kurrë, në asnjë çast të jetës sime kur ruaja në zemer këtë qëllim, këtë dashuri për atdhe, kur ushqeja këto ndjenja për liri, këto dëshira të miat, që s’më ndaheshin, ishin edhe tuajat, Kur ju më ftonit shpesh, në kohën që unë isha pranë Tiranit, me tërë dashurinë dhe gatishmërinë tuaj për këtë vepër, gjë që unë tani e kujtoj me kënaqësi dhe them me mburrje, ju shkonte ndoshta në mend se e kisha harruar atdheun, se e kisha harruar nderin tim dhe lirinë, meqë ju ktheja prapë në shtëpi fort të pikëlluar pa asnjë shpresë të sigurte, pa asnjë shenjë të qartë të qëllimit tim. Por s’ka dyshim, qytetarë, se me atë heshtjen time, me atë përulësi të shtime të shpirtit tim, una mendoja për vete dhe për ju, sepse punët ishin të atilla, që duheshin bërë ma tepër sesa thënë, kurse ju kishit nevojë më fort për fre sesa për mamuze. Po e them se unë jua fsheha planet e mia, se s’ju thashë asnjë fjalë gjatë gjithë asaj kohe për dëshirat e mia, jo sepse dyshoja për besnikërinë tuaj apo s’ju a dija mirë shpirtin, posa ju vetë m’i shfaqët të parët qëllimet tuaja në atë kohë aq të rrezikshme, por sepse më mbante frika që më shtinte brishtësia e vdekatarëve dhe papërmbajtshmëria” e njerëzve, e cila lëshohet me ngut në çdo punë dhe, kur është rasti për lirinë, rrëmbehet e s’bëhet dot zap, nuk peshon asgjë, nuk ia var asnjë rregulli. Dhe, sikur t’i paraqitet rasti më i vogël, jo vetëm për ta fituar, por për ta provuar lirinë, atëherë s’mund ta largojnë atë nga qëllimi as një mijë shpata, siç i thonë një fjale, as një mijë rreziqe, as vdekja e sigurt dhe as rreziku i padyshimtë i të mirave të jetës. Por, kur në një punë të tillë, të nisur kot, përpjekjet dalin pa gjë, atëherë s’mbetet veçse vdekja më mizore apo skllavëria edhe më e keqe, dhe çdo shpresë për të nesërmen fluturon e rasti, që të shket një herë nga duart, s’kthehet më kurrë prapë. Kjo punë niset një herë e mirë e, në mos vaftë mbarë, mundësia zhduket përgjithmonë. Prandaj unë, po jua them sheshit, nuk e shikoja as veten time si një pjesëtar të sigurtë në këtë plan. Kisha frikë se mos gjuha, që s’i durohej para një pune kaq të madhe, se mos muret e shtëpisë më tradhtonin.

Për dëshmitar kam Hamzën, nipin, që u bë pastaj përkrahësi kryesor i planit dhe shoku i mundit, si edhe disa të tjerë fare të paktë, me ndihmën besnike dhe te papërtuar të të cilëve jemi duke e kryer këtë punë. Dhe, sado që neve na qëlloi të jetonim bashkë, të ushqeheshim dhe sidomos të kishim një shpirt e një zemër, megjithëkëtë asnjë nga këta s’më mori vesh që unë s’e kisha harruar atdheun, veçse në Luftën Hungareze, asnjë s’ma dëgjoi zërin, të flisja si njeri i krishterë e i lirë, veçse atëherë, kur e pati mundësinë pa frikë ndëshkimi.

Ju, epiriotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura, por juve ju pëlqeu, megjithëkëtë, se ndoshta kështu e deshën perënditë, që këtë liri ta prisnit më mirë nga unë, qoftë edhe vonë, sesa nga të tjerë, apo ta fitonit vetë me dorën tuaj. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në këtë liri, që qëndruat kaq kohë nën mënxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me pa të drejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë, sikur të kishit dëgjuar se u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishin zbritur këtu gjithë perënditë, Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë. Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, po ju m’i dorëzuat mua. Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestar të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zot të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak. Përpara tani, për të shtënë në dorë me ndihmën e perëndive edhe ç’ka mbetet! Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet. Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe, Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vende e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në të djathtën tonë shkrumbuese, sesa tani për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pangurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri. Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti. Unë besoj se do tạ gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veproj sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulitet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja: në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të zotët t’ia plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi pse të kthehemi prapë në shtëpi. Na duhet të provojmë çdo mjet, mundim, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej. Në qoftë se perënditë do të duan që ne ta marrim qytetin me forcë, atëherë nuk duhet të ketë vend nga ana jonë për asnjë mëshirë kundër kokëfortëve, por t’ia arrijmë fitores qoftë edhe në mënyrën më të pazakontë, me qëllim që t’ua thyejmë guximin të tjerëve. Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem atë në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllimn që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.” filozofia.al / KultPlus.com