Në një situatë pandemie, ku gjithçka është paralizuar dhe ku pjesa më e madhe e botës është karantinuar, regjisorja shqiptare, Suela Bako, ka “rrëmbyer” çmimin e parë në festivalin e filmit në Qipro.
Festivali i Filmit në Qipro, ndryshe nga shumë aktivitete të tjera që janë pezulluar, është mbajtur në datat 9-11 prill të këtij viti. Ndryshe nga vitet e tjera, festivali u realizua virtualisht nëpërmjet video-konferencave.
Gjithë pjesëmarrësit, që kishin aplikuar nga e gjithë bota, janë prezantuar online si dhe çmimet janë dhënë po online. Në një lidhje direkte në skype, regjisorja e filmit, Suela Bako ka treguar për këtë eksperiencë të re dhe fitoren e projektit filmik “The Three of Us”.
“Festivali i filmit në Qipro u mbajt në datat 9-11 prill. Ishte programuar për të marrë pjesë atje, por nga kushtet të cilat dihen tashmë u realizua virtualisht. Megjithëse funksionoi në mënyrë të shkëlqyer, pasi pati mbi 60 pjesëmarrës nga shumë vende të ndryshme dhe kishte rreth 45 vetë që dëgjonin. Kjo është eksperienca jonë e parë dhe ishte një provë e të ardhmes kinematografike, pasi kështu do të realizohen të gjitha takimet në Europë apo dhe më gjerë, për këtë periudhë që nuk dihet sesa do të zgjasë”, u shpreh Suela Bako. / Shqiptarja.com / KultPlus.com
Gratë shqiptare kanë qenë gjithmonë të suksesshme qysh nga kohërat më të vjetra, ato kanë treguar suksese të mëdha në fusha të ndryshme, mirëpo shpesh historia nuk ju ka dhënë edhe aq shumë hapësirë, shkruan KultPlus.
Në vitin 1982, Kosova kishte gjithsej 30 parashutistë, në mesin e të cilëve ishte edhe Bedrije Hajdari, gruaja e parë shqiptare në historinë e aeuronautikës e cila atë kohë e kishte fituar lejen e pilotes sportive. Dukë bërë kështu që vetëm një vit më pas, ajo të realizonte fluturimin e parë si pilote.
Bashkangjitur gjeni një video nga Arkivi i RTK-së, ku shihet Hajdari duke pilotuar. / KultPlus.com
Mbi lagjen periferike të Laprakës, mbi katdralen protestante natën vonë, pikat e para të shiut trokitën, gjysma ujë, gjysma depresion.
Mbi gratacielat e qendrës mbi minaren belhollë që trishtueshëm heshton, nata e errër u ndeh e pushtetshme gjysma makth, gjysma depresion.
Mbi bulevardin e madh, mbi statujat dridhur nga ankthi, mbi kryqëzime rrugesh si një papijon, shiu troket – shkop i rëgjuar plaku gjysma vdekje, gjysma depresion.
Mbi katedralen ortodokse, mbi katedralen katolike, E premtja e Zezë edhe më zezonë, shiu zbret si një antikrisht i zi sterrë gjysma djallezi,gjysma depresion.
Selitë diplomatike heshtin nën shiun zëçjerrë si një gramafon, vetëm në të rrallë ndonjë e – mail enigmë eterin çan nëpër depresion.
Aeroport memec si teatër absurd nuk ulet, nuk ngrihet asnjë avion, vetem një tufë korbash si në filmat e Hiçkokut mbi pistë çukasin depresion.
Teatri i Operes stonon nga një kollë e thatë, shkallë stadiumesh pa britma, pa pasion, mbi galerinë e artit shi vetmie bie, gjysma përçartje, gjysma depresion.
Drogaxhinj të papunë, prostituta që shfryjnë, pa një ftesë orgjie pa një telefon, qiellit enden ca lakuriqë nate, gjysma enigmë, gjysma depresion.
Balli i kryeqytetit digjet furrë, trupi dridhet nga ethet deri natën vonë, larg, në periferi, dy varrezat civile qielli i lag pa mëshirë me depresion. / KultPlus.com
Të nderuar shkrimtarë, botues, publicistë, kritikë letrarë e krijues të fushës së letërsisë,
Shumë të dashur njerëz të letrave,
Sot, festojmë Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, datë kjo e caktuar nga UNESCO për të nxitur leximin e për të bërë librin pronë të të gjithëve.
Në këtë ditë, kur botës i ikën personalitete markante, si Shekspiri e Servantesi, shënojmë ditën për librin; si shpikja më e bukur për ndarjen e ideve përtej kufijve të hapësirës dhe kohës. Atij që mbetet shtysa dhe forca më e fuqishme e çrrënjosjes së varfërisë dhe ndërtimit të paqes.
Kosova mburret me trashëgiminë letrare që personalitet të shumta i lanë ndër vite. Ndaj me respektin më të përulur dua të kujtoj të gjitha personalitetet e shquara të letërsisë sonë të cilët përmes librave të tyre na ushqyen idealet e shpirtin. Të gjithë njerëzit e letrave, që me angazhimin e tyre e bëjnë dijen të qasshme për secilin prej nesh.
Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dua t’i siguroj të gjithë krijuesit, autorët e botuesit në Kosovë, që do të bëj përpjekjen e vazhdueshme përmes formave dhe kanaleve institucionale, për ruajtjen dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare.
Duke njohur mirë sfidat e komunitetit krijues e botues në Kosovë, kujtoj që një segment tjetër i rëndësishëm po aq i ndërlidhur me krijimtarinë letrare e publicistike është edhe e Drejta e Autorit. Konsideroj se me gjithë hapat që janë ndërmarrë nga MKRS kundër piraterisë e falsifikimit, akoma na presin hapa të tjerë përmes të cilëve sigurojmë që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet.
Shpreh konsideratën time më të thellë për angazhimin e secilit krijues, botues, kritik e publicist dhe ju siguroj për mbështetjen time të pa rezervë që bashkërisht librit në Kosovë, t’i falim ditë të tjera, edhe më të mira. / KultPlus.com
Kancalarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se kontrollimi i koronavirusit të ri, përbën sfidë të madhe për kohezionin e Evropës.
“Kjo është sfida më e madhe prej Luftës së Dytë Botërore, për jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë”, ka thënë ajo para Parlamentit gjerman.
Më vonë gjatë ditës së enjte, ajo do t’iu bashkohet liderëve evropianë, përmes një video-konference, për të diskutuar krizën.
Ajo ka thënë se duke vazhduar mbajtjen e “disiplinës maksimale, ne mund të kthehemi më shpejt në një jetesë të sigurt”.
Merkel ka paralajmëruar se një disiplinë e tillë është e nevojshme për të ndalur rinisjen e izolimit.
“Ne nuk mund të humbim atë që e kemi arritur tashmë”, ka thënë ajo, teksa ka përgëzuar efikasitetin e sistemit shëndetësor të Gjermanisë dhe asistencën e forcave të armatosura në luftimin e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Ajo ka thënë se vendimet e qeverisë së saj ndaj krizës “nuk kanë model historik”.
Kancelarja gjermane ka thënë mes tjerash se Evropa duhet të rrisë kapacitetin për të prodhuar pajisje speciale mjekësore, në vend që të varet nga furnizimet globale.
Instituti gjerman, Robert Koch ka konfirmuar për 145,694 persona të prekur dhe 4,879 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në Gjermani. / KultPlus.com
Sot shënohet 404 vjetori i vdekjes së Miguel de Cervantes, njërit nga shkrimtarët më me ndikim në historinë e letërsisë botërore, shkruan KultPlus.
Për nder të jetës dhe veprës së këtij shkrimtari të madh, KultPlus sjell një pasqyrë të jetës së tij.
Miguel de Cervantes, (29 shtator 1547 – 23 prill 1616) ishte njëri ndër dramaturgët më të njohur spanjoll të shek.XVl. Fama e tij është e lidhur me Don Kishoti i Mançës.
Ne dimë shumë pak rreth lindjes së Miguel de Cervantes Saavedra (Servantesit). Data e saktë nuk mund të gjendet në ndonjë regjistër. Ndoshta ai ka lindur 29 shtator, ditën e San Miguel, për të cilën ai mori emrin. Ne e dimë se ai ka lindur në Alcala de Henares, një qytet i vogël pranë universitetit Madrid, ku ai u pagëzua në kishën e Santa Maria më 9 tetor, 1547. Cervantes ishte i katërti i shtatë fëmijëve të lindur në Dona Cortinas Leonor de dhe Don Rodrigo de Cervantes, një kirurg shëtitës të cilët luftuan për të ruajtur praktikën e tij dhe familjen e tij duke udhëtuar në të gjithë Spanjën.
Më shumë pak dihet rreth njëzet vitet e para të jetës Cervantès-së. Ai mendohet të ketë shkuar në shkollë në Valladolid dhe Sevilla. Ne nuk e dimë asnjë përveç se në datat 1567-68, ai u regjistrua në shkollën e humanist spanjoll, Juan Lopez de Hoyos, në Madrid. n 1569 Cervantes udhëtoi për në Itali për të shërbyer në familjen e një fisniku italian dhe, një vit më vonë, ai u bashkua me ushtrinë spanjolle.
Më 7 shtator, 1571, ai luftoi trimërisht kundër turqve në Betejën e Lepantit, ku ai u plagos rëndë dhe ka humbur përdorimin e dorës së tij të majtë. Pas një periudhe të gjatë të shërimit, ai vendosi të kthehet në jetën e ushtarit. Në prill 1572, ai u bashkua me kompaninë e Manuel Ponce de Leon, ku ne besojmë se Rodrigo vëllai i tij u regjistrua gjithashtu. Së bashku ata kanë marrë pjesë në një numër betejash.
Në mbyllje të jetës së tij, Cervantes u bë një anëtar i rendit të San Franciskos. Françeskanët kanë varrosur don Miguel de Cervantes, deri atëherë të quajtur “Princi i zgjuar”, në Madrid, 23 prill 1616, të njëjtën ditë një tjetër gjigant letrar, William Shakespeare, i cili ishte vënë për të pushuar në Angli. Françeskanët kanë varrosur Don Cervantès-it në një manastir triniteti në Madrid. / KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të drejtave autoriale. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Cervantes në Spanjë.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.
Two Young Women Readin In Park At Sunset
KultPlus ju sjell sot disa nga thëniet më të mira për librin:
“Duhet të bëni kujdes prej librave, çfarë është brenda tyre, fjalët, kanë fuqinë të na ndryshojnë” ― Cassandra Clare
“Mos lexoni siç bëjnë fëmijët, për t’u zbavitur apo siç bëjnë ambiciozët për të mësuar. Jo, lexoni që të jetoni.” ― Gustave Flaubert
“Nëse ka ndonjë libër që do ta lexosh, por nuk është shkruar akoma, atëherë duhet ta shkruash ti.” ― Toni Morrison
“Kur ke mbaruar së lexuari një libër, dëshiron ta kishe autorin që e ka shkruar mik, që të mund t’i telefonoje dhe t’i tregoje si ndihesh. Kjo nuk para ndodh.” ― J.D. Salinger
“E kam imagjinuar gjithnjë Parajsën si një lloj biblioteke.” ― Jorge Luis Borges
“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale.” ― Mark Twain
“Kaq shumë libra, kaq pak kohë.” ― Frank Zappa
“Nëse lexon vetëm librat që i lexojnë të gjithë, do të mendosh vetëm gjërat që i mendojnë të gjithë.” ― Haruki Murakami
“Librat janë miqtë më të qetë dhe më të përhershëm; ata janë këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur dhe mësuesit më të durueshëm.” ― Charles William Eliot
“Kur kam pak para, blej libra; dhe kur më tepron ndonjë gjë prej tyre, blej ushqim dhe veshje.” ― Desiderius Erasmus
“Ku është natyra njerëzore më e brishtë se në një librari?” ― Henry Ward Beecher
“S’mund të jetoj pa libra.” ― Thomas Jefferson
“Ka dy arsye për të lexuar një libër: një, të shijon leximi; tjetra: mund të mburresh rreth tij.” ― Bertrand Russell
“Librat janë kaq të veçantë, të rrallë dhe të tuat, saqë të tregosh se çfarë ndien për to duket si tradhti.” ― John Green
“Ka krime më të këqija se djegia e librave. Një prej tyre është të mos i lexosh.” ― Joseph Brodsky
“Mendo përpara se të flasësh. Lexo përpara se të mendosh.” ― Frances Ann Lebowitz
“Ne jetojmë për librat.” ― Umberto Eco
“Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet.” ― Cicero
“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.” ― Orhan Pamuk
“Librat janë aeroplani, treni, rruga. Ata janë destinacioni dhe udhëtimi. Ata janë shtëpia.” ― Anna Quindlen.
“Leximi i të gjitha librave të mirë është sikur bashkëbisedimi me mendjet më të mira të shekujve të kaluar.” – Rene Descartes
“Gjërat që dua t’i di janë në libra; shoku im më i mire është njeriu i cili do më sjell një libër që nuk e kam lexuar.” – Abraham Lincoln / KultPlus.com
Nesër duke filluar nga ora 19:00, Arbër Selmani do të lexojë disa nga poezitë e tij nga shtëpia, në kuadër të Poetry Night të organiuar nga Project Space Shtatëmbëdhjetë, shkruan KultPlus.
Në këto ditë të pandemisë, më e lehtë për Arbër Selmanin ka qenë përballja me poezinë. Këtyre ditëve, Arbëri ka shkruar e ka reflektuar mbi momente të ndryshme të jetës sot, dhe të jetës dikur.
Prej familjes, deri te dashuritë e rrugëve të Evropës, me kishën e xhaminë, me burrat e me gratë, me Adamin e me Rafaelin e me Silvian, Arbëri do t’i lexojë disa prej poezive të tij të reja por edhe atyre që tanimë i ka ndarë në rrjete sociale dhe të cilat janë përkthyer në sllovenisht, anglisht, turqisht, italisht e serbokroatisht
Arbër Selmani është gazetar ndërsa lidhja e tij me poezinë, siç thotë ai vet, është ndër lidhjet më të forta të 28 viteve të jetës së tij. Poezitë e tij janë kaq personale, dhe po kaq personal dhe i ndijshëm do të na vije edhe në këtë natë të leximit të poezive. / KultPlus.com
Pamjet e sigurisë kanë treguar momentin kur një hajdut ka thyer xhamat për të hyrë në muzeun holandez Singer Laren dhe ka vjedhur një pikturë të çmuar të Vincent van Gogh.
Hajduti ka qenë i armatosur dhe mesa duket ka përfituar nga izolimi i vendit, masë e marrë për parandalimin e koronavirusit, raportojnë mediat e huaja.
Ai vodhi “Kopshtin Parsonage në Nuenen në pranverën e 1884” nga Muzeu i Singer Laren në orët e para të 30 marsit, vlera e të cilës është 3 milionë euro.
Në kamera hajduti shihet me pikturën në krahë dhe duke vrapuar.
Askush nuk është arrestuar për vjedhjen e pikturës, e cila ishte marrë hua nga një muze tjetër Holandez, Muzeu Groninger.
Policia nuk ka publikuar videon e plotë kur hajduti u largua nga muzeu për të mbrojtur hetimet e tyre. / KultPlus.com
Sot, më 23 prill shënohet Dita Botërore e librit ndërkaq po sot bëhen 456 vjet nga lindja e kurse 404 vjet që kur ndërroi jetë autori William Shakespeare.
William Shakespeare ishte një dramaturg anglez që lindi më 23 prill 1564 në Stratford mbi Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet.
William Shakespeare e ngriti artin poetik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë përsipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngritet identiteti i Evropës historike.
Shakespeare konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njeri nder shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrw.
Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. Në këtë periudhë lëvrohen të gjitha llojet e dramatikes me të njëjtin sukses madje pasurohen me elemente të reja. Por kulmin e arrin tragjedia, e cila i paraqet heronjtë para konfliktesh e dilemash të skajshme, prej të cilave dilet me vullnet e forcë shpirtërore të paepur ose dalja nuk ekziston fare.
Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.
Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave të tij t’i ketë shkruar midis viteve 1585-1611, edhe pse kronologjia e veprave që i atribuohen atij nuk njihen me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë për këtë figurë madhështore të letërsisë.
Shekspiri përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohë që fjalori aktiv i njeriut të epokës nuk përmbante më shumë se 1500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht te gjallë dhe të pasur. Përdorte neologjizmat, lojërat e fjalëve dhe fjalë me shumë kuptime. / KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.
“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Rregulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.
Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.
“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.
Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.
“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh diçka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko. / atsh/ KultPlus.com
Me 27 prill 2020, në ora 20:00 ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
‘Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.’, thuhet në komunikatën për media nga Integra.
Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.
Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë. Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.
Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë.
Kjo ngjarje organizohet nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Laë Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.
Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Cervantes në Spanjë.
I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se tash është koha që institucionet të flasin për fazën e rihapjes pas përballjes me pandeminë edhe në vendin tonë.
Ai ka thënë se gastronomia (kafetë, restorantet) do të jenë të fundit që do të hapen.
‘’Është koha të diskutojmë për fazën e rihapjes. Jo të relaksohemi, por duhet ta diskutojmë se kur i vjen fundi kësaj pune. Nëse i përcjellim shtetet e tjera, kanë hapur dyqanet e vogla, pastaj butiqet e tekstilit deri në 100 metra katrorë. Hapi i parafundit, qendrat tregtare, hapi i fundit gastronomia’’, ka thënë ai në Rubikon. / KultPlus.com
Derisa ka mbetur edhe rreth 1 muaj deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020, ende nuk ka një vendim të Ministrisë së Arsimit se si do të përmbyllet ky vit.
MASHTI ka bërë të ditur për KOHËN se brenda pak ditëve do ta publikojë një vendim që e rregullon aspektin ligjor të përfundimit të vitit shkollor, si dhe do të nxjerrë udhëzim për vlerësimin e nxënësve.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASHTI ka njoftuar se është krijuar një grup i gjerë profesional i përbërë nga ekspertët e Kosovës dhe rajonit. Vendimi për këtë çështje pritet të merret nga MASHTI në bashkëpunim me drejtoritë komunale të Arsimit, raporton KOHA.
“Zgjidhja e MASHTI-t merr parasysh zgjidhjet që janë bërë në vende të rajonit (Kroaci) dhe në vendet e avancuara (si për shembull Kanada), që karakterizohen nga një qasje njerëzore dhe profesionale. Sipas kësaj, nxënësi nuk mund të vlerësohet më pak se nota e fundit më 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi për shkak të COVID-19. Po ashtu, zgjidhja jonë merr parasysh dispozitat ligjore të Kosovës, si për shembull gjetjen e zgjidhjeve konkrete në rastet kur një nxënës nuk është i kënaqur më notën përfundimtare. Pos kësaj, udhëzuesi parasheh një qasje e cila rregullon saktë raportet mësimdhënës – prindër – nxënës duke shmangur tejngarkimin dhe presionin në këtë relacion”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Ministrisë së Arsimit.
Ministria e Arsimit në Shqipëri ua ka lënë prindërve dhe nxënësve të vendosin vetë nëse duan përsëritje të vitit pa u penalizuar në dëftesat e tyre apo nëse duan ta përmbyllin vitin duke kaluar në klasën tjetër.
Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, një ide të tillë duhet ta praktikojë edhe Ministria e Arsimit në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, vlerëson se procesi mësimor në distancë është duke u realizuar me sukses dhe nuk duhet të mendohet përsëritja e vitit.
Në Kosovë, mësimi në shkolla është pezulluar më 11 mars për shkak të pandemisë Covid-19. Nga 23 marsi mësimi ka nisur të zhvillohet në distancë fillimisht për nivelin e ulët dhe arsimin e lartë e më pas edhe për shkollat e mesme. Koha.net / KultPlus.com
Libri Tregimet e Peterburgut eshte nje veper me tregime te shkurtera nga shkrimtari rus Nikollai Gogol.
Fillimisht dy fjale per botimin ne shqip i cili eshte shume vecante per dy arsye: e para sepse eshte perkthyer nga i madhi Mitrush Kuteli, me c’rast u botua per here te pare ne vitin 1952; arsyeja e dyte eshte qe botimit te dyte pastaj iu shtuan edhe ilustrimet fantastike te Anastas Konstadinit. Sic mund te vihet re edhe nga titulli, ngjarjet ne keto tregime zhvillohen ne Peterburg, kryesisht ne fillim te shekullit XIX. Permes ketyre tregimeve Gogoli ne menyre fantastike e pershkruan Rusine e asaj kohe, si ne aspekin politik ashtu edhe shoqeror. Me nje satire te shkelqyeshme dhe me doza te absurdit keto tregime te mbajne te lidhur pas tyre deri ne momentetet e fundit.
Sic dihet Rusia e asaj kohe, e sunduar nga regjimi carist e ndante shoqerine ne klasa e individet brenda saj identifikoheshin me grada. Kete e ve ne pah Gogoli ne te gjitha keto tregime, vecanarisht ne tregimin Nevski Prospekt, Hunda e po ashtu ne tregimin fantastik Portreti. E vecante e ketyre tregimeve eshte se pervec permbajtes mjaft interesnate, ne njeren ane ne to gjene nje humor elegant nderkohe qe ne anen tjeter personazhet kryesore te tyre kane perfundime tragjike.
Ne tregimin me te cilin edhe hapet ky liber, Nevski Prosepkt, fillimisht autori e glorifikon sheshin kryesor te Peterburgut te asaj kohe, ne te cilin njerezit dalin – sic thote autori – jo per te kryer ndonje pune te mire apo te mbrapsht por vetem per shetetije e takime te perezermeta. Por ky shesh eshte pikenisje e avanturave per dy personazhet e ketij tregimi, te cilet pavaresisht profesioneve te ndryshme jane miq te mire. Njeri eshte kolonel e tjetri artist. Ata te dy gjate nje shetitje ne Nevski Prospekt takojne e dy vajza te cilat ua marin mendt dhe qe te dy hidhen qe t’i bejne per vete. Per t’i rene shkurte, artisti i zhegenjyer qe nuk arriti ta bente per vete vajzen e bukur perfundon duke vrare veten nderkohe qe koloneli pati nje perfundit jo aq tragjik sa i pari por u prek ne seder pasi qe u rrah gati per vdekje nga i shoqi i vajzes se ciles iu vu nga pas per nje kohe te gjate.
Tregim tjeter mjaft interesant eshte edhe Portreti, ku permes ketij tregimi Gogoli i bene kritike artisteve te asaj kohe, te cilet artin e tyre filluan ta kultivojne ‘sipas modes’ dhe te motivuar financiarisht. Kesaj nuk mund t’i shmanget as personazhi kryesor i ketij tregimi Andrei Çartkov i cili pavaresisht talentit dhe potencialit premtues shndrrohet ne nje piktor mode, qe behet i famshem duke pikturuar portrete te zonjave e zotrinjeve te shtreses se larte te Peterburgut e qe me kalimin e kohes puna e tij shnderrohet ne pune mekanike, pa ndonje vlere artistike. Por Çartkov ndergjegjesohet vetem ne momentin kur e ftojne per vleresimin e nje vepre te nje artisti te madh i cili me talentin e tij kishe mahnitur publikun me vepren e tij madheshtore. Vetem atehere Çartkov e kuptoi se ç’eshte vepra e vertete e artit dhe ne cfare gjendje ishte katandisur ai me ‘artin’ e tij. Pas kesaj ngjarje, Çartkovit fillojne t’i shfaqen probleme mendore e shendetere te cilat shume shpejt triumfojne mbi te dhe vdes.
Libri mbyllet me tregimin fantastik Shenimet e nje te cmenduri, ku ne menyre mjeshterore rrefehet perditshmeria e nje te cmenduri i cili ishte nepunes shtetor.
Ky tregim eshte nje komedi brilante permes se ciles pershkruhet burokracia e larte ne institucionet shteterore dhe orvatjet e ‘te cmendurit’ per ta bere per vete vazjen e drejtorit te tij.
Duke pasur parasysh se Prishtina është futur në karantinë, komuna ka vendosur që t’i argëtoj qytetarët me një koncert.
Në sheshin e Prishtinës, do të këndojë këngëtari i njohur shqiptar, Sabri Fejzullahu.
Ky koncert do të mbahet të shtunën dhe qytetarët do të kenë mundësi ta dëgjojnë zërin e tij nëpërmjet ballkoneve por edhe transmetimeve direkte. Insajderi / KultPlus.com
“Njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun.
Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim?
Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije.
Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë.
Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.”
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë librin “Lufta dhe Paqja” të autorit rus Leo Tolstoy.
Lufta dhe Paqja, është një novelë historike, në përkthimin shqip e ndarë në katër libra, flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leon Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara.
Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.
David Richard Precht, njëri prej filozofëve më popullorë në Gjermani, mbi pandeminë dhe retorikën luftarake: “Koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.
David Richard Precht, i lindur më 1964, është filozof dhe autor gjerman. Ai ligjëron në “Leuphana Universität Lüneburg”. Në opinionin e gjerë gjerman Precht është bërë i njohur me librin “Kush jam unë – dhe nëse jam, sa shumë jam?” Së fundi ai ka botuar librat: “Gjahtarë, barinj, kritikë. Një utopi për shoqërinë digjitale” dhe “Të jesh vetvetja. Një histori e filozofisë 3.”
Në një intervistë dhënë gazetës “Frankfurter Rundschau” Precht ka folur mbi pandeminë dhe pasojat e saj në jetën e përditshme. Filozofi deklaroi se më shumë i pëlqen formulimi i ministrit gjerman të Shëndetësisë se koronaviruesi është i “kontrollueshëm”.
“Nga ana tjetër fjalimet siç po i mbajnë ende Trumpi dhe Macroni janë të tmerrshme. Nëse në këtë krizë diçka nuk është e saktë, atëherë janë metaforat e luftës. Nuk është e vërtetë se ne po hidhemi në një luftë heroike kundër virusit – përballë ‘kundërshtarit’ që kemi ky do të ishte një përfytyrim idiotik! Ne nuk po kundërpërgjigjemi, përkundrazi: ne po tërhiqemi. Po përpiqemi që sa është e mundur t’i shmangemi nga rruga. Sipas të gjitha rregullave të artit kjo është e kundërta e luftës”, shtoi Precht.
David Richard Precht thekson se nuk është demonstrim force nëse përdoren fjalë luftarake kundër pandemisë. “Veç kësaj, kjo retorikë ka një histori të ndyrë. Ajo është përdorur në fund të shekullit të 19-të kur u shfaqën epidemi dhe as dy gjenerata më vonë retorika u aplikua kundër njerëzve: parazitë, mikrobe të popullit – kjo gjuhë ilustruese e antinjeriut ka qenë, në njëfarë mënyrë, e parapërgatitur”.
Për dallim nga publicistë, politologë dhe ekspertë të tjerë, të cilët në këtë krizë shohin edhe shanse, Precht është skeptik. Ai përmend krizën financiare të viteve 2008/2009, e shkaktuar nga sistemi i shfrenuar spekulativ. Që nga atëherë, sipas Precht, kriza nuk është zhdukur. “Jo, krejt sistemi i prishur po kalbet. Pse? Sepse gjatë krizës kemi bërtitur: ‘Ka shpërthyer zjarri, ka shpërthyer zjarri! Duhet ta fikim dhe nuk mund të mendojmë se si mund ta ndërtojmë shtëpinë’. Pas krizës edhe zelli për rindërtim u zhduk shpejt”.
Si problem të shekullit 21 Precht e sheh diktatin e rritjes ekonomike. “Nëse shkëputemi nga ky diktat i rritjes ekonomike, atëherë prodhojmë të papunë – me krejt pasojat sociale dhe ekonomike. Por nëse nuk shkëputemi nga ky shtrëngim ekonomik, ne asgjësojmë bazat e natyrshme të ekzistencës të këtij planeti”, tha Precht. Si të dilet nga kjo dilemë? Precht e sheh daljen vetëm duke riorganizuar ekonominë sociale të tregut në një ekonomi të qëndrueshme tregu. Ky është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Por, thotë Precht, tani kemi shansin për ndryshime, të cilat janë të rëndësishme për mbijetesën tonë, siç thonë hulumtuesit e klimës.
Precht kërkon që shteti në të ardhmen tatimet t’i marrë më pak nga të ardhurat që burojnë nga puna dhe më shumë nga paratë që barten andej-këndej në tregjet e financave dhe kapitalit. “Një pjesë e madhe e këtyre bizneseve, të cilat do të mund të taksoheshin, nuk janë gjë tjetër përveçse bixhoz”, thotë Precht.
Në pyetjen nëse pandemia që shpërtheu në Vuhan të Kinës mund të lëkund botëkuptimet për shekullin 21 siç bëri tërmeti në Lisbonë më 1755, Precht u përgjigj: “Një skenar atraktiv! Me tërmetin në Lisbonë vërtet u rrëzua përfytyrimi filozofik dhe teologjik për zotin e mirë, i cili ka krijuar më të mirën botë. Në botën më të mirë nuk ka kuptim që katastrofat natyrore të bien mbi njerëz dhe të kushtojnë kaq shumë jetë njerëzish. Po të dëshiroja të bëja një krahasim me të tashmen, atëherë ai do të ishte ky: koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.
Sa i përket kufizimit të të drejtave të njeriut në kohën e pandemisë, Precht thotë se ato janë adekuate dhe qytetarët mund të shpresojnë se demokracia liberale gjermane, e cila respekton Kushtetutën, këto të drejta do t’i rivendosë. “Në Hungari nuk do të kisha një besim të tillë”, tha Precht.
Filozofi i njohur gjerman ka propozuar që për të përballuar krizën të aplikohet një tatim për shërbimet online. Sipas tij përfitues të mëdhenj të krizës së koronës janë Amazon dhe viganë të tjerë të shërbimeve online. Nëse qarkullimi i tyre taksohet me 25 për qind, do të krijohej një fond gjigant, nga i cili do të mund të përkraheshin dyqanet dhe restorantet.
“Unë edhe para koronës kam qenë për një tatim të tillë për të ruajtur biodiversitetin e tregut dhe për të penguar shkretimin e plotë të qyteteve të vogla dhe të mesme. Qyteti im i lindjes, Solingeni, është shembull i një stepe totale. Në vitet 70-të atje ka ekzistuar një tregti që lulëzonte me zejtari që i drejtonin pronarët. Sot praktikisht s’ka mbetur asgjë. Tani është me rëndësi të merren masa kundër kësaj, në mënyrë që të mos shkatërrohen edhe ato copëza që kanë mbetur. Hapësira gjallëruese urbane është truall i frytshëm për kulturë, bashkëjetesë sociale, demokraci vepruese. Kjo duhet të ruhet”. /Përktheu Enver Robelli për Koha.net / KultPlus.com
Historia e pop-kulturës është e mbushur me referenca nga filmat western dhe ata me superheronjë. Ndikimi që keto filma kanë pasur tek njerëzit ka qenë i madh. Ndërlidhja e kohëve të ndryshme kur kanë qenë të popullarizuara kanë frymëzuar dhe prekur audienca te gjeneratave të ndryshme, aq sa disa prej atyre që ishin rritur me filma western, më vonë bën filma me superheronjë.
Fjalën western shumica prej nesh mund ta kemi dëgjuar kalimthi nga bisedat e gjeneratave më të vjetra. Duket periudhë e lavdishme, që ndërthurë në vetvete kujtime te paharueshme në kinema dhe televizion, por që papritur i erdhi fundi. Në fakt filmat western prodhohen edhe sot, të menduar dhe trajtuar ndryshe nga ata të mëhershmit. Revizionizmi i tyre në fakt është temë më vete e një evoluimi të suksesshëm të një zhanri kaq te njohur. Por sot, filmat western e përjetojnë një “kthim në të ardhmen”. Ato janë të lidhura paralelisht për nga ndikimi dhe zhvillimi me një zhanër tepër të njohur sot: atë të filmave me superheronjë. Me siguri që nuk mund ta krahasojmë John Wayne-in me Robert Downey Jr, e as peisazhet e Kolorados tek “The Searchers” me pafundesinë hapësinore tek “Guardians of the Galaxy”, ama të përbashkëtat që kanë janë të tejdukshme, te ngulitura thellë në strukturën e tregimit dhe ndikimin që kanë keto filma në pop-kulturën tonë.
Zhanri western pushtoi ekranet e kinemave dhe ato televizive që nga koha kur filluan te prodhoheshin me të madhe. Në to filloi ti jipej formë heroit amerikan, një “template” që përdoret edhe në filma të tjerë të prodhuar në Hollywood. Sekuenca me aksion, performanca te shkëlqyera, muzikë dhe shumëçka tjetër. Këto filma shiheshin si argëtimi kryesor në kinema. Por pas një rrugëtimi të gjatë disadekadësh, ndikimi dhe prodhimi i tyre filloi të bie ndjeshëm, sidomos rreth mesit te viteve 70-të. Filmat fantastiko-shkencor dhe autorët e Hollywood-it të Ri erdhën si eklips që ia morrën shkëlqimin western-it. Arsyeja pse i përmenda keto fakte kanë të bëjnë me një deklaratë goxha interesante të regjisorit Steven Spielberg, i cili tha: “Filmat me superheronjë do të përfundojnë si filmat western”. Një deklaratë e tillë ngjalli shumë reagime nga komuniteti i filmbërësve të këtyre filmave, sidomos kur e merr parasysh se keto filma janë më të shikuarit, filma që thyejnë rekorde të shitjeve të biletave një muaj para se të dalin në kinema. Duket që parafytyrimi se një ditë këtyre filmave mund të ju vie fundi është i papranueshëm, keto filma janë në një maratonë ku po fitojnë dhe nuk kanë kundërshtarë fare. Por edhe filmat western të tillë ishin, e sot për ta flitet si të ishin pjesë e historisë.
Zhanri western shërbente si pasqyrim i zhvillimeve shoqërore në Amerikë, përgjatë dekadave. Duke qenë se zhanri western konsiderohet zhanri i parë në film dhe se që nga fillimi i prodhimeve të filmave amerikan, westerni ka qenë i spikatur, atëhere ka arritur që ti pasqyrojë me përpikmëri zhvillimet e brendshme sociale ne Amerikë. Ne fillim te shek. 20-të indianët paraqiteshin si njerëz të egër, njerëz pa etikë morale dhe të pacivilizuar, “savages” është fjala që nuk po i gjej përkthim adekuat. Kjo paraqitet në filma si “The Iron Horse” dhe plot filma të tjerë më pak të famshëm. Kjo ndihmoi ne krijimin e stereotipeve të indianëve në Amerikë. Aq më shumë kur këto filma ishin jashtëzakonisht të popullarizuar. Fast-forward në mesin e shekullit të 20-të, vitet e 50-ta filloi një ndryshim në pikëpamje. Filmat western filluan ti shfaqnin indianët më me simpatizëm, filmi “Broken Arrow” është shebulli më i njohur, ndërsa në televizor seriali “The Lone Ranger” paraqiste indianët dhe kaubojët si partnerë në luftimin e krimit.
Filmat me superheronjë janë të konstruktuar për të argëtuar masat. Ata janë të programuar me një formulë për shkarkim dopamine (hormon i kenaqësisë). Përgjatë filmit kemi ndertim tensioni, momente komike për ulje të tensionit, momente të trishta dhe momente muzikore të vëna me qëllim për të krijuar referenca pop-kulture që më vonë mund të monetarizohen përmes mallit që shitet si pjesë e filmit. Në fillim të këtyre filmave zakonisht antagonisti e kryen një krim të pashoq, ndoshta edhe e vret ndonjërin nga heronjtë, kjo na krijon pakënaqësi dhe dëshirë për hakmarrje, kah akti i tretë i filmit heronjtë ribashkohen dhe e mundin antagonistin duke e përmbushur dëshirën e audiencës. Krejt kjo është një formë manipulimi që kreatorët e këtyre filmave e bëjnë me audiencën. Një sërë emocionesh që ndërlidhen dhe japin rezultate të caktuara, që të gjitha të dirigjuara me kujdes nga regjisori i filmit.
Kjo na sjellë tek një e vërtetë tjetër; keto dy zhanre kanë shumë të përbashkëta. Janë më të popullarizuarit e kohës së vet. Thyejnë rekorde në kinema dhe ka seriale pafund me superheronjë në platforma televizive (The Punisher, Arrow, Daredevil, Gotham etj), njejtë sikur që kishte seriale western (Bonanza, Gunsmoke, Wagon Train etj). Dhe që të gjitha e kanë një “fanbase” besnik, në fakt ne SHBA ka panaire për adhuruesit e revistave komike, ku njerëzit vishen si personazhet dhe madje i takojnë edhe aktorët qe i sjellin këto personazhe në jetë. Si mund të paramendohet perëndimi i filmave me superheronjë? A janë fjalët e Spielberg-ut profetizëm? Një gjë është e sigurt, se ky fenomen e ka bazën e vet argumentuese.
E vërteta është se njerëzit pëlqejnë gjërat “ndryshe”. Kjo vlen edhe për arte tjera. Audiencës i pëlqen idea që të përfshihen në diçka që është risi, avant-garde. Ky është një fenomen sociologjik, ku koha luan një rol elementar në ndryshime të tilla strukturore. Dhe për më tepër, gjërat “ndryshe” marrin popullaritet të menjëhershëm. Gjëja më interesante në fakt është që ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta ringjallur zhanrin western në vitet e 90-ta. Clint Eastwood me filmin “Unforgiven” dhe Kevin Costner me “Dancing with the Wolves” janë shembujt më eklatant, por që nuk arritën sukses komercial përkundër suksesit me kritikët. Si ka mundësi që një zhanër, dikur kaq i popullarizuar, papritmas humbet ndikimin dhe nuk ka kush e zgjon nga koma në të cilën ka rënë?
Një betejë të tillë për përfaqësim në ekran e shohim edhe te filmat me superheronjë,” Wonder Woman” është filmi i parë ku personazh kryesor e ka një heroinë femër, e cila në një mënyrë e përfaqëson gruan e fortë, të pavarur dhe besnike. E njëjta vlen edhe për “Black Panther”, i cili është përfaqësimi më direkt i të gjithë afrikano-amerikanëve të cilët krenohen me trashëgiminë dhe historinë e vet. Ky hero e personifikon lavdinë dhe krenarinë e këtyre njerëzve. Historinë e popujve afrikanë që nuk e patën kurrë.
Njerëzit shohin ambiciet e veta të parealizuara në këto filma, heronjë që i duan të gjithë, aventura pa fund, dashuri pa kushte. Për sa kohë që jetojmë në shoqëri ku ka deficit të këtyre vlerave, atëher njerëzit do të përpiqen që ti gjejnë këto vlera gjetkë, shembull në atë kohë kanë qenë heronjtë e filmave western, ndërsa sot janë filmat me superheronjë. Në shumë mënyra këta personazhe i ngjajnë idoleve që adhuroheshin në mijëvjeçarin e parë. Njerëzit ia kontribuojnë fuqitë e veta këtyre idhujve dhe më pas e vendosin veten ne shërbim të tyre. Këta personazhe adhurohen pikërisht sepse njerëzit mund të bashkëndjejnë me ta. Deadpool është superhero me një sens humori por ka kancer, Iron Man është një gjeni me shumë para, por nuk ka familje, Batman poashtu njejtë, Logan është mutant por i shkatëruar nga jeta etj. Në shumë mënyra ne e shohim vetëveten te këto personazhe, e kjo është një themel që keto filma e kanë marrur nga western-ët.
Një gjë tjetër që këto dy zhanre kanë janë “elasticiteti” në trajtimin e temave. Kemi filma western si “The Dollar Triology” të Sergio Leone dhe “The Searchers” të John Ford. Të dyja western por ndryshe nga njëra-tjetra. Në anën tjetër kemi filma me superheronjë si “The Avengers” dhe “Joker”, poashtu të njëjta për nga lloji por ndryshe për nga përmbajtja.
Trashëgiminë e këtyre filmave e dimë të gjithë. Por nuk kemi se si ta parashikojmë kohën kur përfundon një cikël dhe fillon një i ri. Ajo çka na mbetet është që ta lëmë kohën ta bëjë punën e vet, ndërsa ne këto filma, ti shikojmë dhe shijojmë.
Ndodhi Iblisi të mashtrojë, joshi të bëjë mëkat Hava, por mëkati i saj krijoi botën humane, bota a është mëkat, njeriu nga mëkati është krijuar, disa kemi me pak e më të mëdha e disa më shumë e më të vogla; mëkati mësoi për t’u penduar, njeriu dhe mëkati u bënë bashkë, në fillim nuk kishte mëkat, Perëndia i krijoi të gjitha, njeriun e krijoi në fund, e krijoi Iblisin-djallin nga zjarri, vendosi të krijojë edhe një krijesë nga balta së cilës të gjithë iu përkulen, të gjithë e pranuan, djalli refuzoi përkuljen, ky si mbret refuzoi-unë nga zjarri jam s’i përkulem atij nga balta, i pari djalli bëri mëkat te perëndia, refuzoi të përkulet, Iblisi armik i hapur i njeriut, pastaj hakmarrja ishte e pamëshirshme, më jep kohë mu’ – i thotë Perëndisë – deri në ditën e fundit a në ditën e kiametit, i bëj për vete – i thotë Perëndisë, – me ty nuk do të mbesë as një njeri, Perëndia i thotë – të gjitha çka i bënë për vete do t’i do t’i marrësh, si djalli dinak Iblisi filloi nga Ademi dhe Hava, kanë qenë vetëm ata dy njerëz në botë të botëve, po Ademi nuk ishte lodër e lehtë, Ibilisi iu qas pastaj Havës, e gjora, djalli e mashtroi, ajo kafshoi e hëngër një nga pemët e ndaluara (Bibba e përcakton mollë, Kur’ani frut), mollën e ndaluar, mëkati fillon jo nga fruti por nga kafshimi, krejt jeta është mëkat mbas ngrënies së një kokrre, mëkati armiqësia dhe ndëshkimi vërshojnë si shiu si bora si zjarri, burri dënohet të punojë krejt jetën e tij për një kafshatë goje, gruaja të mbajë fryt në bark nëntë muaj pasi e hëngri frutin e ndaluar-shtatzënë, po mos ta kish hëngër a kish me pas mëkat, a kisha me qenë unë a kishe me qenë ti, po t’mos ishte mëkati në këtë botë do t’ kishin mbet bashkë përherë vetëm Ademi dhe Hava, do t’
jetonin në paqe jo si burrë e grua e bashkëshortë, por si mashkull dhe femër pa u ndjerë, pa mëkat dhe pendim, pa gjykim dhe ndëshkim.
Ps. Molla ndalohet pasi është pema e sherrit, pasi me kafshimin e saj fillon zbulimi i çdo gjëje, Iblisi shërbehet me ato trillimet e tij, provon te Ademi po ai i vendosur dhe i bindur me fjalën që ia kish dhënë Perëndisë e sheh se nuk po bindet, atëherë fillon me gruan dhe ajo e gjora luhatet, Zoti na ruajt nga mashtrimet, – i thotë Havës, – nëse han nga kjo pemë ti do bëhesh udhëheqëse e do ta mposhtesh Perëndinë, dëshira e madhe të udhëheqë dhe të bëhet e mençur, e zbret në mëkat, me frytin zihet shtatzënia, mollën e sherrit, mbasi e ha vet Hava, i thotë Ademit provoje, ai djalë i urtë e kafshon mollën; Ademi kërkon falje, Perëndia e fali por nuk e fali krejt, Ademi nuk ka bë mëkat edhe pse gaboi, e dëgjoi Havën, po Perëndia i ndëshkoi të dy, bashkëshortë – i solli në tokë dhe u tha se këtu do jetoni për një kohë, do të hani shumë mollë; kështu edhe vdekja që ne e bartim me vete që nga dita e lindjes erdhi bashkë me ata, ajo e fundme vjen dhe na merrë bashkë me mëkatin dhe pendimin tonë të arsyeshëm; edhe kështu ndodh përsëritja e ardhshme.
Ekipi i serisë “Friends” po iu ofron fansave mundësinë t’iu bashkëngjiten në xhirimet e episodit special të ribashkimit të tyre, në shkëmbim të donacionit për bamirësi.
Jennifer Aniston e bëri të ditur përmes rrjeteve sociale se një fitues fatlum do të jetë mundësi t’i bashkohet asaj dhe aktorëve, Courteney Cox, David Schwimmer, Lisa Kudrow, Matthew Perry dhe Matt LeBlanc, kur ata t’i fillojnë xhirimet e speciales për kanalin “HBO Max”.
“Jemi të lumtur t’i bashkohemi sfidës ‘ALL IN’ për t’i ndihmuar njerëzit të jenë të shëndetshëm dhe të ushqehen gjatë kësaj pandemie… Ju ftojmë juve dhe pesë miqtë tuaj që të na bashkoheni ne të gjashtëve në studion ‘Stage 24’. Bëhuni mysafirët tanë special në publik gjatë xhirimeve të episodit ribashkues në kanalin @HBOMAX, ku së bashku mund ta rikujtojmë serinë dhe ta festojmë kohën e mirë që e kemi kaluar bashkë. Kështu, keni mundësi ta përjetoni eksperiencën ‘Friends VIP’ në studiot e kompanisë ‘Warner Bros’. Shpresojmë kjo mundësi iu ofron pak gëzim dhe entuziazëm në këtë kohë të çuditshme. Klikoni në ‘AllInChallenge.com’ dhe dhuroni sado që keni mundësi, sepse çdo dollarë luan rol të rëndësishëm. 100 për qind të të ardhurave të mbledhura do të dhurohen për fondacionet @nokidhungry, @mealsonëheelsamerica dhe #AmericasFoodFund. Mezi pres t’iu takojë dhe përqafoj, kur të përfundon kjo pandemi,” shkruhej në mesazhin e Anistonit.
Ndërkohë, kriza e fundit shëndetësore i ka shtyrë xhirimet e episodit special, i cili për herë të parë i ribashkon në ekran yjet e serisë hit, 16 vjet pas përfundimit të saj, transmeton Koha. Xhirimet ishin planifikuar të fillojnë gjatë këtij muaji por disa burime e kanë konfirmuar lajmin se ato janë shtyrë deri në kohë të pacaktuar.
Aktorja e njohur hollywoodiane, Jennifer Aniston, gjithashtu i ka nxitur fansat të qëndrojnë në kontakt me të dashurit e tyre, në këtë periudhë të vetizolimit.
Si pjesë e sfidës “All In challenge”, Leonardo DiCaprio, i ka ofruar fansave mundësinë për të luajtur në filmin e tij të ardhshëm, “Killer Of The Fllower Moon”, në të cilin luan krahas Robert De Niros dhe regjinë e së cilit do ta bëjë Martin Scorsese. / KultPlus.com
Nga sot, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion linjën e ndihmës psikologjike.
Përmes kësaj linje të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë këtë, ka njoftuar ministria.
Numri ku mund të kontaktoni me psikologët është 038 200 80 890.
Kjo linjë që është rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisëm, do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë Covid-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të perjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.