Riccardo Cocciante vjen në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Këngëtari i njohur italian Riccardo Cocciante do të jetë i pranishëm në festivalin e 56-të të Këngës që do të mbahet në Radio Televizionin Shqiptar.

Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga çelja e këtij festivali, organizatorët konfirmojnë se kantautori i njohur italian do të vijë në natën e parë të Festivalit si i ftuari i nderit.

Kantautori i njohur italian Riccardo Cocciante ka qenë në Tiranë për një vizitë zyrtare në vitin 2013. Ai erdhi së bashku me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, pas triumfit të saj në “The Voice of Italy”. Cocciante i ka bërë një promovim të jashtëzakonshëm në atë kohë këngëtares shqiptare që triumfoi në spektaklin italian si zëri më i mirë.

https://www.youtube.com/watch?v=4ngZv1jVFq0

Ndërkohë grupi i organizatorëve dhe krijuesve festivalit të janë në momentet e fundit të përgatitjes. Përveç provave në skenë po mendohet edhe për detajet e spektaklit të çdo nate të festivalit, i cili do të mbahet nga data 21 deri me 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Festivali do të moderohet nga Adi Krasta dhe organizimi vjen me regjinë e Pali Kukes. / KultPlus.com

Thethi shënon rekord të vizitorëve këtë vit

Sipas statistikave të nxjerra nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit turistik.

Në park janë futur rreth 80 mijë turistë. Nga këta, 39000 janë vendas dhe rreth 41000 janë turist të huaj.

Ka një diferencë midis vizitorëve të huaj dhe atyre vendas. Kjo për arsye se Thethi, nëpërmjetë mediave është prezantuar si një destinacion i rrallë turistik ku ndërthuret natyra e bukur me reliev malor, me burimet ujore, me historinë dhe etnokulturën epike të zonës.

Vizitorët kanë qenë vendas, të ardhur nga Kosova, por edhe nga mbarë Europa kryesisht ajo Lindore.

Turistë të shumtë kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. / KultPlus.com

Zoran Zaev thotë se Maqedonia do ta ndihmojë Kosovën në UNESCO

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka thënë se Maqedonia do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

I pyetur nëse Maqedonia do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Ne do të ndihmojmë edhe në normalizimin e raporteve me Serbinë pasi edhe atë e kemi shtet fqinj”, ka përfunduar Zaev.

Kosova pati një tentim të dështuar që të antarësohet në UNESCO, ndërsa këtë vit ka vendosur që të mos aplikojë fare. Dokumentimi i herës së kaluar dështoi pasi Serbia pati prova se kosovarët kanë shkatërruar një pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, në trazirat e marsit të vitit 2004. / KultPlus.com

Esad Mekuli i shkruan femrës, në vitin 1949

PERDJA E ROBNISË –
Poezi e shkruar nga Esad Mekuli

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.
Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!
Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949

Mjekët e parë të Prishtinës, shpresa e shëndetësisë në mjerim

Në fillimvitet 50 të shekullit XX, ekzistonte një spital i përgjithshëm me 80 shtretër, objekt i trashëguar nga koha e Turqisë, dhe një poliklinikë me dy mjekë të kohës – Dr Panteliqi, që shkonte nëpër shtëpi për kontrollim të të sëmurëve, ndonëse mjek ushtarak, dhe Dr Tefik Rashiti (të dy nga koha e Mbretërisë serbe), si dhe një stomatolog, dr. Baruhi. Domethënë, këta kanë qenë mjekët e parë të Prishtinës.


Daut Mustafa

Të vjetrit e mbajnë mend edhe Dr.Tottin, i cili shkonte shtëpi më shtëpi. Sipas Dr. Daut Mustafës, në Prishtinë po punonin edhe Dr. Spiro Lito, një grek nga Gjirokastra, si dhe kirurgu italian Xhani Marketo. Në vonë, në vend të Spiro Litos vjen mjeku nga Kavaja, Dr. Mustafa Cara.

Në Prishtinë njihen që herët edhe Dr. Xheladin Deda – oftalmolog, Dr. Daut Mustafa – pneumolog, Dr. Izedin Osmani, Dr. Sehadete Mekuli, Dr. Ali Sokoli, shkruan KultPlus.


Xheladin Deda me gruan, Ballkize Bakiun

Kushtet në shëndetësinë kosovare ishin të mjerueshme, ndërsa i vetmi mjek shqiptar që punonte në ato vite në Prishtinë ishte oftalmologu Xheladin Deda, rreth viteve 1952. Në vitin 1958 sëmundjet ngjitëse po bënin hata mbi popullatën kosovare, vdekshmëria ishte e lartë, sidomos te fëmijët e moshës deri 1 vjeç. Në atë kohë ishte përhapur edhe sëmundja e tuberkulozit.

Ardhja në Prishtinë e Sehadete Mekulit me 1954 dhe Talat Pallaskës më 1958 paraqet mundësinë e parë për ecje drejt qëllimit.

Burimi: Libri “Prishtina e fëmijërisë sime” – Sanije Gashi.

Mësuesja

Poezi e shkruar nga Adelina Mamaqi.

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj.

Top 50 albumet e vitit nga Billboard, Dua Lipa në listën e më të mirëve

Albumi i këngëtares Dua Lipa, që është titulluar në bazë të emrit të saj, sic bëjnë zakonisht disa artistë botërorë, është në mesin e 50 albumeve më të mira të vitit 2017.

Kësisoj kanë vlerësuar kritikët e muzikës nga Billboard.

Albumi “Dua Lipa” është radhitur në pozitën e 43-të, ndërsa kritiku Patrick Crowley thotë se albumi ka edhe këngë tjera të fuqishme, përvec “New Rules” me të cilën edhe shpërtheu Dua, shkruan KultPlus.

Billboard, në këtë listë të 50-të albumeve, ka vlerësuar si pesë albumet më të mira të vitit projektet nga Khalid, Jay Z, Lorde, SZA dhe Kendrick Lamar. / KultPlus.com

Prishtina calling, Enver Petrovci prezanton votat e Jugosllavisë në Eurovizion (VIDEO)

Ka qenë Eurovizioni i vitit 1986 kur është dëgjuar emri Prishtinë.

Prishtina Calling – është thënë nga asokohe Enver Petrovci. Gara evropiane e muzikës asokohe mbahej në Norvegji ndërsa votat e Jugosllavisë në natën finale i prezantoi aktori, me anë të telefonit.

Nga Prishtina, Petrovci prezantoi votat e votuesve nga Jugosllavia në garën ku merrnin pjesë 20-të këngë. Edicionin e fitoi Belgjika, ndërsa Jugosllavia ia dha dhjetë pikë kësaj kënge.

Kjo ka qenë edhe hera e vetme kur votat në këtë garë janë transmetuar nga juria në Prishtinë, ndërsa Kosova vazhdon të mos marrë pjesë në garën muzikore, kjo për shkaqe kryesisht politike, shkruan KultPlus.

Enver Petrovci, vite më vonë, do të kthehej si një pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku nëse do të fitonte do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion.

https://www.youtube.com/watch?v=5p4BHLK8tiA

Saktësisht, Petrovci në vitin 2014-të këndoi në Festivalin e TVSH-së këngën “Të vranë bukuri”.

Asokohe, për Jugosllavinë në këtë garë këndoi Doris Dragovic, ndërsa u pozicionua në vendin e 11-të. Disa vite më vonë Jugosllavia do të shembej ndërsa shtetet e dala sot konkurrojnë të ndara në Eurovizion, përfshirë Kroacinë, Bosnjën, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë. / KultPlus.com

Motrat

Poezi e shkruar nga Izet Sarajliq.

Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.
Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha
Ninën e Razën.
Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.
Vdiqën
ose i vranë pa plumba?
Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.
Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.

Robert Aliaj: “E dehur jam” tingëllon sikur këngë greke

Një emision i cili bën bashkë emra të njohur të artit e kulturës në Shqipëri, “Dance with me Albania”, mbrëmë ka realizuar gjysmëfinalen e këtij sezoni.

Moderuar nga Alketa Vejsiu, emisioni mbrëmë ka ofruar disa orë muzikë shqipe ku emra të njohur kanë vallëzuar në spektaklin i cili me këtë format vjen në plot shtete.

Në një moment është vallëzuar me këngën “E dehur jam” nga Nexhmije Pagarusha. Komenti i njërit prej anëtarëve të jurisë, Robert Aliaj, megjithatë ka ngjallur debat.

Pasi me këngën kanë vallëzuar Xhensila dhe Trimi, dy pjesëmarrës në këtë emision, Aliaj ka komentuar.

“Kënduam greqisht, por kërcyem shqip” ka qenë njëri prej komenteve të Aliajt, anëtar jurie në këtë emision. Aliaj, një fytyrë e njohur në Shqipëri, menjëherë e bëri këngën e njohur të Pagarushës një këngë greke, dhe njerëzit kanë komentuar në rrjete sociale rreth këtij deklarimi, shkruan KultPlus.

Në po të njëjtën natë, anëtarja tjetër e jurisë, Valbona Selimllari, ka treguar se të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë me një zë si ai i Nexhmije Pagarushës, Bilbili i padiskutueshëm i muzikës shqipe. / KultPlus.com

Valbona Selimllari: Kosovarët duhet të jenë krenarë me Nexhmije Pagarushën

Sonte, në spektaklin e vallëzimit “Dance with me Albania”, në Shqipëri, të gjithë pjesëmarrësit po kërcejnë me këngë në gjuhën shqipe.

Emisioni, një format i cili transmetohet në disa shtete të botës ku njerëz të njohur kthehen në valltarë, ka ardhur në Shqipëri me emra si Rovena Stefa apo Aurela Hoxha.

Sonte, në një moment vallëzimi erdhi edhe kënga e Nexhmije Pagarushës – E dehun jam. Ajo erdhi e vallëzuar nga Trimi, një reper nga Kosova, dhe Xhensila nga Shqipëria.

“Të gjithë shqiptarët kudo në botë e pëlqejnë Nexhmije Pagarushën, por kosovarët duhet të jenë krenarë që e kanë” tha Valbona Selimllari, anëtare e jurisë në këtë spektakël, derisa po vlerësonte vallëzimin.

Në të njëjtën natë, të performuara erdhën edhe këngë nga Alban Skenderaj, Miriam Cani e Ardit Gjebrea. “Dance with me Albania” javën tjetër e përmbyllë këtë sezon me një finale ku do të këndohet e vallëzohet nga të gjithë pjesëmarrësit. / KultPlus.com

Të thashë, mos e fik dritën!

Poezi e shkruar nga Petrit Ruka.

Më kot po e fik dritën sa të zhvishesh, Zemra ime,
më kot fshihesh nën çarçafin e kaltër këtë natë,
ke harruar njerin krah jashtë
dhe ai Dritë e ka bërë dhomën,
si shandani i një katedraleje për ditën e Pashkës së madhe
e unë nuk di ku të pengohem…

Më kot. Edhe po ta mbulosh krahun,
rrugën gjer tek krevati e gjej symbyllur,
nga që je lakuriq, siç të bëri nëna për mua,
harrove që dy gjinjtë i ke jashtë
si pjepra të pjekur me hënë në fushë
dhe unë i gjej verbtazi me hundë si një iriq nate?

Ah, unë di si të vij
nëpër deltën e lumenjve të kofshëve të tua,
do ndjek oshëtimën,
aty ku trupi yt ndahet më dysh nga fryrja e shirave,
aty ku dua të jem veç një varkë.
pa vela, pa busull, pa rrema,
vetëm me lopatat e duarve të bëj përpara…

Mos lëviz! (Kam frikë mos shkërmoqesh nga pjekja,)
më mjafton vetëm një gisht vend,
aq sa do tani xhindi brenda shishes tënde
me verë të gazuar,
tani që vet ia heq tapën me një pëlcitje
si kërcitja e e gjuhës së tharë
pas qiellzës së kuqe.
Prit ta heqim edhe mbulesën e fundme pa zhurmë,
butë si lëkurën e një bananeje,
prit të ta ul pak më poshtë jastëkun,
prit të ta ngre pak më lart zemrën,
ta akordoj me timen që po përpëlitet
si një mëllenjë e therur.

Më ler tani ta pi dollinë e parë me fund
në kupën tënde rozë të gojës,
të dytën në kupë te kërthizës,
të tretën…
ah, ah, tani i harrova fare numurat
dhe nuk ka matematikë të m’i kujtojë.
Lermë tani të marr një valle kaçakçe,
ta kërcej mbi thithkën purpuroshe të gjirit,
siç bën një brumbull prilli mbi majën e gjembit,
lermë të kullos demat e mi të kuq
në luginën tënde të barkut
me formën magjike të violinçelit.
Dëgjon?! Filloi muzika!
Rënko tani në Oh-maxhor e në Ah- minor,
i kam të pafundme në kokë partiturat,
besomë, gënjejnë, nuk janë shtatë notat,
nuk qenë në shtrat kur i shpikën,
harruan që është gruaja vegla e parë muzikore e botës.

Ka ndaluar koha,
çdo sekondë jona tani nuk regjistrohet tek mosha,
është në llogari të përjetësisë,
dhe nuk po plakemi,
po nxjerrim qeliza te reja si bebet ne gjirin e nënës.
Po të dridhen kupat e gjunjve?! Mos u tremb!
është vallja e palcës që shkrin nga kënaqësia,
eja, pra, të mësojmë tërmetet,
të përplasim pllakat tona tektonike,
t’i bëjmë thërrime xhamat qorra të moralit,
dymijë vjet pa fshirë
nga avujt e pellgjeve dogmatike.
Zgjate shpirtin sa të bëjmë tre njësha bashkë,
minutë pas minuti,
nuk kemi punë me romanet e Paulo Coelho-s,
jemi ballakanas të lindur në vreshtin e Dionisit,
kur bëjmë dashuri, nxjerrim tym nga brinjët.

Bëhu shkretëtirë, se bëhem vetë Nili,
të mbush vetë me gurgullima ujrash,
me kroje mbretërore nga Mali i shenjtë i Tomorrit,
lufto si Kleopatra për tokën tënde.
edhe unë jam Çezari
që rroj për çdo milimetër pushtimi.
Të thashë, shpirt, të thashë
po nuk më dëgjove,
të mos e fikje dritën…
/ KultPlus.com

Elhaida Dani, me këngë të reja në gjuhën italiane

Këngëtarja Elhaida Dani po planifikon një album në gjuhën italiane.

E njohur në Itali dhe para disa vitesh e shpallur si zëri më i mirë në Itali, fituese e “The Voice of Italy”, Elhaida ka treguar sot në një prej emisioneve shqiptare që po planifikon disa këngë në gjuhën italiane, që mund të grumbullohen brenda një albumi.

Elhaida ka kënduar edhe në të kaluarën në gjuhën italiane, ka jetuar në Itali, ndërsa momentalisht po bën karrierë në Francë, me një shfaqje operistike, shkruan KultPlus.

Elhaida mbrëmë morri vendin e dytë në festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri, me kompozimin “E ngrirë”. / KultPlus.com

2Cellos: Bota ndaloi derisa po luaja në koncert me të mrekullueshmin Petrit Çeku

Çelisti kroat Stjepan Hauser, dhe anëtari i 2Cellos ka publikuar performancën e tij së bashku me kitaristin shqiptar, Petrit Çeku të mbajtur më 6 tetor në Zagreb.

Ata kanë performuar Arian (Cantilena) – “Bachianas Brasileiras No. 5” të kompozitorit brazilian, Heitor Villa – Lobos, së bashku me Orkestrën e Filarmonisë së Zagrebit në “Lisinski Concert Hall” në Zagreb.

Hauser tregons e ishte një moment magjik që ndjeu gjatë kësaj performance, në të cilën për një moment e gjithë bota ndalet.

“Video e re nga koncerti klasik me të mrekullueshmin Petrit Çeku. Ndonjëherë ka momente në muzikë që janë aq magjike sa ndjeni se e gjithë bota ndalet për disa çaste, koha nuk ekziston, dhe për mua të performoja këtë Aria të bukur ishte një prej atyre momenteve, shijojeni”, ka shkruar Hauser në Facebook. / KultPlus.com

Saimir Pirgu në Operën e Cyrihut me premierën e “Madama Butterfly”

Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu ka një bagazh të pasur bashkëpunimi me Operën e Cyrihut. Në këtë vazhdë, ai, këtë të dielë, më 10 dhjetor është pjesë e premierës së operës së njohur “Madama Butterfly” të Giacomo Puccinit.

Pirgu në këtë shfaqje, një tragjedi japoneze në dy akte, luan rolin e oficerit të Marinës Amerikane, Benjamin Franklin Pinkerton. Këtë rol, ndër më të shquarit në literaturën e operës botërore, por njëherësh të njohur si rol “antipatik” Pirgu një kohë të gjatë e ka refuzuar. Por së fundi, në inskenimin në Operën e Cyrihut ai e ka sfiduar veten edhe me Pinkertonin. Këtë e ka bërë pasi që regjisori, Ted Huffmann e ka nxjerrë këtë personazh nga koha e tij duke e bërë më të kuptueshëm në kohen tonë. Kështu pak a shumë shprehet Pirgu në një intervistë që gazeta “Tages Anzeiger” e ka realizuar me të, në prag të shfaqjes, me titullin “Tenori i lumtur”.

“Tek e vë dhe e heq kapelen e uniformës së oficerit të marinës amerikane, këngëtari shqiptar rrezaton”, trasnmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Po ashtu ai shkëlqen edhe pastaj, gjatë bisedës në garderobë, tashmë me veshje civile. Dhe ka një arsye të fortë për këtë: karriera e tij po ecën mirë, madje shumë mirë. Publiku e do atë dhe ai e do profesionin e tij. Një ëndërr është bërë realitet. “Natyrisht ka edhe vështirësi, por ku nuk ka të tilla”, thotë tenori. Rëndësi ka që e mira mbizotëron…”.

Ëndrra e Saimirit ka filluar kur ai kishte vetëm 13 vjet, kur po shikonte në televizionin italian koncertet e famshme me “Tre Tenorët” (Pavarotti, Domingio dhe Careras), përcjell albinfo.ch. Atëbotë Pirgu kishte filluar t`i imitonte ariet e tenorëve të përmendur ndërsa vetëm dhjetë vite më vonë ai po qëndronte tashmë në skenë përkrah njërit nga tre tenorët, me Placido Domingon, në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut.

Ky është treguesi i përparimit të shpejtë dhe ngjitjes së djaloshit të rritur në kushte modeste në Elbasan, drejt majave të suksesit në muzikë. Sot, kur ai është vetëm 36 vjeç, ka arritur pothuaj të gjitha që mund të arrijë një këngëtar opere.

Ai tregon se në fakt takimi me tenorin tjetër, Pavarottin ka qenë akoma më i rëndësishëm për të se këndimi me Domingon në Nju Jork. Pavarottin, Pirgu e ka njohur kur ishte student në Bozen të Tirolit, Jugor, Itali. Ai ishte një perëndi për të. “Diçka më shumë se një zë të tillë vërtet nuk mund ta dëshirosh”, thotë ai. Dhe, ky “Zot”, nga ana e tij, qe interesuar për tenorin e ri të talentuar. Ai i ka dhënë leksione Pirgut përgjatë 5-6 viteve. “E vizitoija rregullisht, ai u ka dhënë të gjitha roleve të mia `gëdhendjen` e fundit”. Dhe po Pavarotti ka qenë ai që ia ka shpjeguar kuptimin e `zërit diellor`, një zë me të cilin tashmë identifikohet vetë Pirgu. Këtë ai e shpjegon me parapëlqimin që ka për rolet pozitive, me të cilat lidhet dhe dashurohet publiku. E Pinkertoni nga “Madama Batterfly” përfundimisht nuk është një rol i tillë, shkruan Albinfo.

Premiera e operës “Madama Butterfly” jepet në Opernhaus të Cyrihut, të dielën, më 10 dhjetor, me fillim në orën 19.

Fillon rindërtimi i Teqesë së Madhe në Prizren

Kanë nisur punimet në rindërtimin e Teqesë së Madhe në Prizren, ku u tha se pas 70 viteve edhe në Prizren do të ketë mundësi të kryhen ritet fetare.

Po ashtu, u tha se rindërtimi i teqesë së Marashit-Hiesar, do të ketë një pamje arkitektonike dhe do të kushtojë rreth 300 mijë euro.

Historiani Parim Kosova tha se kjo teqe ka rëndësi të shumëfishtë historike kulturore dhe fetare.

“Tani me ndihmën e institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore u vendos edhe gurthemeli dhe nga sot fillon rindërtimi i kësaj teqeje ballkanike “, ka thënë ai, shkruan KP.

Shehi i teqesë se madhe të Prizrenit, Gufran Shejhi, tha se ‘rindërtimi i Teqesë së Marashit për neve do të thotë shumë, së pari nga ana shpirtërore, sepse krejt besimi lidhet me çështje shpirtërore që është thelbësore por pas asaj mundësohet edhe ana ku mund të kryejmë ritet fetare’.

Ai shpreson se ky objekt do të jetë si vazhdimësi e të parëve të tyre që janë 400 vjet e këndej.

Sipas tij, në mungesë të objektit të teqesë, ritet fetare kanë mbet vetëm ritet që mbahen te tyrbja, që dallojnë nga ato të teqesë. / KultPlus.com

I jepet lamtumira e fundit aktorit Blerim Peci

Edhe përkundër motit të lig që po mbretëronte në orët e pasdites në Shipol të Mitrovicës, qytetarë të shumtë morën pjesë në varrimin e aktorit të njohur, Blerim Peci, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Para ceremonisë së varrimit, janë mbajtur edhe homazhe për veprën e tij, raporton Koha.net.

Për vdekjen e tij, ngushëllime kanë shprehur qytetarë të shumtë, kolegë e politikanë.

Aktori Peci ndërroi jetë sot pasi, siç raportohet, vuante nga një sëmundje në mëlçi.

I ndjeri ka lënë prapa bashkëshorten dhe dy fëmijë. / KultPlus.com

Hashim Thaçi në ekspozitën e Petrit Halilajt në Paris

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka vizituar ekspozitën e artistit të njohur nga Kosova, Petrit Halilaj.

“Një djalë nga Runiku, sot me ekspozita paralele në Paris dhe Nju Jork, kudo që shkon e merr tërë Kosovën me vete, kujtimet, historinë, fëmijërinë. Është ky Petrit Halilaj, një nga artistët më të spikatur shqiptarë të sotmes. Pata kënaqësinë ta vizitoj ekspozitën e tij në Paris”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Mbahet punëtoria e parë për brendimin e qytetit të Prizrenit

Më datën 7 dhe 8 dhjetor në Prizren u mbajt punëtoria për realizimin e planit të veprimit mbi brendimin e qytetit të Prizrenit në të cilën morën pjesë profesionistë të fushave të ndryshme në Kosovë.

Autostrada Biennale së bashku me Rrjetin e Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK PZ) realizuan punëtorinë në lidhje me konceptin e brendimit të qytetit. Në këtë rast bëhet fjalë për qytetin e Prizrenit i cili njihet për diversitetin etnik, gjuhësor dhe fetar dhe gjithashtu për pasurinë kulturore të cilat së bashku japin potencial për tu bërë kryeqytet kulturor e shpirtëror i Kosovës.

Në këtë punëtori u prezantuan konceptet e brendimit të qytetit, u diskutua mbi elementet komplekse dhe gjithëpërfshirëse të brendimit të qytetit dhe rrjedhimisht u hartua plani i veprimit të fushës së brendimit i cili do të jetë pjesë e planit të menaxhimit të qendrës historike të Prizrenit.

Ky plan i veprimit ka për qëllim të shërbejë si pikënisje për zhvillimin e mëtutjeshëm të strategjisë së brendimit të qytetit të Prizrenit. Duke qenë se brendimi i qytetit është kompleks dhe shumë-dimensional, kjo punëtori ka mbledhur përfaqësues të fushave të ndryshme profesionale të cilët përveç njoftimit me konceptin e brendimit, kontribuuan në ofrimin e perspektivave të ndryshme dhe mundësuan gjithëpëfshirjen si element të rëndësishëm të konceptit të brendimit të qytetit.

Punëtoria përfshiu prezantime nga Eliza Hoxha, Yll Rugova, Jeton Jagxhiu, Nora Arapi Krasniqi, Berin Hasi dhe Tahar Alemdar. Kjo punëtori u financua nga CHwB Kosova dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Ri mbështetur në tryezë…

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…

Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.

Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.

Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…

Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.

E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…

S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar.

Andi Bajgora dhe Rinesa Qeriqi, së bashku në ‘Gjuj me dritë’ nga Oborri (VIDEO)

Duo/bendi nga Prishtina, “Oborri”, kanë lansuar videon për këngën e tyre “Gjuj me dritë”. 

Regjinë e spotit e ka realizuar Dritëro Mehmetaj, ndërsa aktorë kryesor në këtë projekt janë Rinesa Qeriqi si dhe aktori i filmit “Shok”, Andi Bajgora. 

Kjo këngë sheh zhvillimin e Oborrit drejt një fryme të paeksploruar më heret, ku vërehen ndikimet e zhanrit hip-hop, pop dhe poezisë direkte.

Ajo paraqet një reflektim të çiltër të jetës kaotike e klaustrofobike të Prishtinës e shoqërisë Kosovare, gjithmonë duke dhuruar një shpresë të fuqishme përgjatë narracionit përplot emocion njerëzor.

Oborri ka lansuar albumin e tyre debutues të vetë-titulluar në gusht 2017 të cilin mund ta bleni nepër pika të ndryshme Kosovë apo online. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

E nderuara familja Peci,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar.

Blerimi u nda nga kjo jetë në moshë të re, por vepra që la është voluminoze. Krijimtaria dhe produktiviteti i tij i panumërt do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin ka punuar dhe kontributin që ai ka dhënë në vazhdimësi e ka sjellë artin në Kosovë në një nivel tjetër.

Me kontributin e tij, Beli, siç e quajtën miqtë e tij, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e artit e të kulturës dhe jashtë saj. Me punën e tij ka bërë që të jetë i vlerësuar dhe motor që ka futur në lëvizje ata që kanë qenë përreth tij. Me entuziazmin e tij ai do të krijonte edhe shumë e më shumë, posaçërisht në fushën e humorit dhe për këtë Blerimi do të na mungojë edhe më shumë.

Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Blerim Pecit. / KultPlus.com

Momentet humoristike nga Blerim Peci mbesin të paharruara (VIDEO)

Blerim Peci, një prej komedianëve më të njohur në Kosovë, ka ndërruar jetë.

Lajmi sot ka tronditur komunitetin artistik i cili është i shokuar me ndodhinë.

Peci ka qenë i njohur sidomos kur luante në programin ‘Show Meselation”, bashkë me Fehmi Feratin.

Ai ishte i pranishëm edhe në emisionin “Vikendi” në Radio Televizionin e Kosovës, aty ku me batutat e tij ka bërë njerëzit të qeshin e ti harrojnë problemet e tyre.

Një nga pjesët më të pëlqyera të këtij emisioni ishte “Udhëtimi në kohë”, në të cilin aktori i ndjerë luante rolin e një burri të përkushtuar, ku bënte një krahasim interesant duke na dërguar deri në vitet e 60-ta dhe pastaj të kthente në realitetin në të cilin jetojmë, me aktoren Xhejlane Tërbunja krahas tij.

Po i sjellim këtu disa incizime të pjesëve qesharake ku luante Peci.

Nuk është konfirmuar ende cili është shkaku i vdekjes së Pecit, ndërsa ai ka qenë i martuar dhe ka dy fëmijë. / KultPlus