Takohemi për një libër të përkthyer, sonte në Tiranë

Në kuadër të fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” në Shqipëri, sonte në Tiranë vjen një takim ku do të flitet për letërsinë e huaj dhe shqipërimin e saj.

Ilia Lengu, Aida Baro, Edvin Cami e Maklena Nika janë përkthyesit që vijnë këtë natë për të ndarë me audiencën përvojën e tyre në përkthimin e veprave, për ti bërë ato sa më të dashura për lexuesin shqiptar.

Në qendër të takimit do të jetë leximi i veprave nga Paul Eluard, Camus, Aragon, Nikos Kazantzakis, Robert Musil, Goliarda Sapienza, shqipëruar me mjeshtëri nga përkthyesit e këtij paneli.

Diskutimi do të ndodhë në ora 18:00 në Friends Books House në Tiranë, ndërsa moderatore do të jetë Manjola Nasi, shkruan KultPlus.

Nisur nga përvoja e vitit të kaluar ku fushata përfshiu gjithë vendin, edhe këtë vit në fushatë të ftohen për bashkëpunim bibliotekat, libraritë, shkollat, universitetet, bashkitë si dhe të gjitha institucionet kulturore në vend.

Fushatë në mbarë vendin, me mbi 200 aktivitete leximi ku përfshihen shkollat, bibliotekat e rretheve, libraritë, etj. Aktivitetet do të angazhojnë të gjitha hallkat e librit: autorë, përkthyes, botues, redaktorë, mësues, nxënës e studentë, artistë, etj. / KultPlus.com

Ndërron jetë Mërkur Bozgo

Aktori i njohur Mërkur Bozgo është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Aktori i njohur shqiptar, vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh.

Bozgo numëron një numër të madh rolesh në kinematografi dhe teatër.

Ka interpretuar në disa filma shqiptarë si:
Në fillim të verës (1975), Punëtori që shënon me shenjë arkën me barut
Emblema e dikurëshme (1979), Drejtori i muzeut
Agimet e stinës së madhe (1981), z. Ali
Tela për violinë (1987), Andoni
Stolat në park (1988), Drejtori
Bolero (1997), Klienti i Evelines
Gjoleka, djali i Abazit (2006), Hoxha
Seriliali televiziv Komuna e Parisit, Xha Rakua
Bela TV Serial (2011) Babai

/ KultPlus.com

Ditëlindja e gjuhës shqipe

Nga Don Fatmir Koliqi

Dita e 8 nëntorit e vitit 1462 shënjon të parin shkrim shqip, ditëlindjen e gjuhës shqipe, apo ditë-pagëzimin e saj nga i përndritshmi prelat dhe bashkëpunëtor diplomat i Gjergj Kastriotit, argjipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli. Fal zbulimit fatlum të historianit Nikola Jorga, dashamirës i kombësisë shqiptare, i cili e gjeti Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe, në një fond të veçantë të Bibliotekës Laurentiana në Firencë të Italisë (aty ku edhe sot ruhet me kujdes), dhe e botoi më 1915 në bleun e katërt të veprës së tij “Notes et extraits pour servir à l’histoire des croisades au XVe siècle”, ne sot mund të kremtojmë ditëlindjen e shkrimit tonë shqip.

“Unte ‘paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” – “Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.” Është formula e pagëzimit, të cilën e gjejmë në një letër qarkore në gjuhën latine, që prelati e kishte shkruar pas një vizite baritore ndër besimtarë shqiptarë. Formula e pagëzimit në shqipen e lashtë, është në qendër të këtij teksti latin, që konsiderohej si gjuhë e kulturës, e mendësisë europiane të asaj kohe. Këtu trupëzohet shqipja natyrshëm në kulturën e djepit të saj, bashkë me latinitetin që e ka shoqëruar që në fillimet e epokës së re krishterore. Engjëllori, i nxitur nga dashuria për njeriun e vet, duke parë kohë të vështira e të paqëndrueshme e që priteshin të bëheshin edhe më të skëterrshme, la testamentin e tij shpirtëror e kulturor, për ta vegëzuar jetën e paraardhësve të vet arbërorë me gjeneratat që do vijnë, për ta bërë një continuum jete.

Ky testament është edhe themeli, djepi, shpirti dhe kulmi i kësaj vazhdimësie me periudhën etërve. Është testament që i ka dhanë vulën qenies sonë identitare, pagëzimin e së folmes sonë, asaj fjale që e ka lidhur kujtesën e paprishur ndër shekujt e hirtë, e ka bërë ta njohim me zë e me letër vetveten, sepse “fjala është pasqyrë e shpirtit: njeriu njihet prej fjalëve të tija”(M. Paloka).

Ky testament është vetëm një fjali, por që peshon shekuj. Fjali në të cilën është shkruar historia e shpirtit tonë të martirizuar, fjali që mban dëshminë e hirit shenjtnues ndër ne e në letrat tona. Një fjali që ka mbajtur gjallë frymëmarrjen e shpirtit shqiptar.

E lindur në një periudhë kapërcimesh të mëdha të gjindes sonë arbërore, në kohën e stuhive të forta, kohëve të pakohë, kohëve që kanë bà varrë të dhimbshme në shpirtin e njeriut tonë që ndjehen sot e kësaj dite, formula dëshmon farën e mbjell thellë në histori, pa pushu së jetuari deri në ditët tona, edhe pse ajo ka pësuar kohë thatësirash të rrezikshme e dritëhije që kanë ndjellë vdekjen.

Shekulli XV i heroit tonë Gjergj Kastrioti, mbrojtësi i kontinentit europian, nuk ishte vetëm kohë shpatash e luftërash, por gjithashtu edhe një kohë e luftës shpirtërore, kohë e mbrojtjes që shpirtit, identitetit dhe vazhdimësisë së etërve shekullor. Në këtë periudhë, fjala dhe shkrimi shqip do të jenë dëshmia e një botëkuptimi që duhet mbrojtur me sy të ballit, si bebëzën e syrit, si një paradigmë pa të cilën nuk jetohet, pa të cilën nuk njihemi e pa të cilën nuk rron shpirti arbëror mesdhetar. Germat e formulës dhe shkrimi i Imzotit janë vula të një bote të lashtë, kapërcime të pashkëputura dhe ruajtje të lashtësisë. Siç e thotë me kompetencë albanologu Eqrem Çabej, “shihet këtu se ka një traditë shkrimi në Shqipëri […] Lehtësia me të cilën shkruesi kalon nga shkrimi i latinishtes në të shqipes, duke përdorur kudo poato shkronja, dëshmon se në kohë të Skënderbeut ka pasur njerëz (klerikë, notarë e të tjerë) që shkruanin shqip, dhe se shqipja shkruhej me germa latine. […] alfabeti i Formulës e i Buzukut i ka rrënjët te një periodë më e përparme e shqipes. Çështja se prej ç’kohe buron ka rëndësi për historinë kulturale të vendit. Lehtësia e siguria në shkrim të Shqipes, që vihet re të Formula e pagëzimit, na dëften sikundër u tha se ka pasur një traditë letrare me një farë vjetërsie. Edhe gjuha e Gjon Buzukut me karakterin e përpunuar të saj shihet se mbështetet më një literaturë kishtare të mëparme, qoftë dhe me përmasa të vogla. Historiani shkodran Marin Barleti në vitin 1504 flet për disa “fragmenta quaedam verius quam annales” shkruar në “vernacula lingua“, d.m.th. në gjuhën popullore të vendit (sh. Historia e letërsisë shqipe I 156 v.). Më se dy shekuj më parë, në vitin 1332, arqipeshkvi i Tivarit Guillelm Adae prej Provencës së Francës shkruante se Shqiptarët në librat e tyre përdornin shkronjat latine. Po të kemi parasysh se Shqipëria, sikurse thotë Sufflay, është një vend me krishterim të lashtë dhe që m’anë tjetër ky vend ka qenë vendosur qëmoti në rrethin e kulturës romake e greke, mendimi i një shkrimi të gjuhës së vendit që në kohë të para është vetvetiu afër menç. Këtyre rrethanave u shtohet dhe puna e qëndrimit të benediktinëve e të dominikanëve në Shqipëri në periodën paraturke, dy urdhra fetare që kanë themeluar vatra kulture e shkrimi kudo që kanë shkuar. Kështu Formula e pagëzimit e vitit 1462, megjithëse nuk përmban veçse një fjali të vetme, përbën një hallkë që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane.”

Gjuha është pjesë e përbërëse e identitetit të një populli. Me anë të saj shprehet shpirti dhe kultura e tij. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folmja e saj, e shkruara e saj, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj, tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtarëve të atij populli dhe të asaj shoqërie.

Gjuha e jonë shqipe ka një traditë të lashtë e të pasur. Ajo është histori martire sui generis, sikur është subjekti të saj që e ka folur dhe e ka shkruar. Që nga Formula e Pagëzimit (1462) deri sot gjuha shqipe ka pasur një ejackëri tejet sfiduese, që shpesh u martirizua e u sha, u përdhos e u përçudnua, prej bijve të vet e prej të huajve. Megjithatë, shenjtërinë e pagëzimit të shqipes, ëmbëlsinë dhe hirin e saj s’ka mundur kush t’ia ndalë.

Për këtë arsye, 8 nëntori duhet të shpallet Festë e Gjuhës Shqipe, Ditëlindja e saj që duhet të kremtohet nga të gjithë me epitet.

Sot, gjuha shqipe ka nevojë të jetohet në tërësinë e vet, të flitet e të shkruhet me te dyja mushkëritë, se vetëm ashtu merr frymë natyrshëm. Pa të folme e pa të shkrueme shqip të mirëfilltë, s’do të ketë kulturë të mirëfilltë shqiptare, as shpirtërore e materiale.

Sot, kur kjo formulë shqiptohet në kishat tona arbërore, ngjallet shpirti i engjëllorëve të shumtë, mbajtës gjallë të këtij shpirti, e ujitet po ky shpirt me hirin shenjtërues të etërve e rinohet si hallkë e pashkëputur identiteti ynë i stërlashtë. Kjo fjali ngjanë të jetë magjia vet e një bote që vazhdon të lind e të rilind bijë e bija që i jap jetë bashkëkohësisë sonë.

Eminem dhe Beyonce publikojnë këngën “Walk on Water” (VIDEO)

Eminem ka bashkuar forcat me Beyonce.

Kurd y yje si këta dytë bashkohen, asgjë e keqe as edhe nuk mund të mendohet. “Ëalk on Ëater” është kënga që dyshja e solli dje, pa një videoklip zyrtar deri tani, shkruan KultPlus.

Ka kohë që është menduar një bashkëpunim i tillë. Beyonce, si mbretëreshë, është e para në këngë duke kënduar / I walk on water/But I ain’t no Jesus… I walk on water, but only when it freezes/.

Kënga është e para që e nisë albumin e radhës të Eminemit, pas “The Marshall Mathers LP2” në vitin 2013-të.

Eminem njihet për bashkëpunimet e tij me këngëtaret femra. Me Didon para disa vitesh ai solli “Stan”, më pas me Sian e solli “Beautiful Pain”, me Pink e solli bashkëpunimin “Revenge”, ndërsa tani po komentohet ardhja e re e duos me “Walk on Water”. / KultPlus.com

Libri dhe lexuesit ‘pushtojnë’ shtëpinë e Ismail Kadaresë

Fushata kombëtare e leximit, “Takohemi për një libër” këtë fundjavë është ndalur në shtëpinë “Kadare” në Gjirokastër.

Ky aktivitet u organizua nga nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli”, të cilëve iu bashkuan për të lexuar edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me ministrin Ditmir Bushati.

Muaji nëntor është shpallur muaji i leximit nga Ministria e Kulturës, por duket se kjo nismë vitin tjetër do të jetë e përditshme.

Këtë fakt e ka bërë të ditur nga Gjirokastra, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, e cila zbuloi dhe sloganin, i cili do të jetë; “Shëët se po lexoj” teksa kishte përzgjedhur për të lexuar pjesë nga libri i Gazmend Kapllanit “Ditar i shkurtër kufijsh”.

Ministrja Kumbaro gjatë aktivitetit tha se ,“qëllimi është që të jemi sa më shumë që e ndajmë librin me njëri-tjetrin, ashtu siç bëjmë kur dëgjojmë një muzikë të bukur. Prandaj bashkë me ministrin Bushati iu bashkuam aktivitetit tuaj për të lexuar sot një libër”,tha ajo.

“Vitin që vjen kemi menduar një iniciativë tjetër, e cila do të quhet “shëët se po lexoj”, prandaj përgatituni se do ta kemi të përditshme leximin dhe ndarjen e kënaqësisë që libri dhuron”,tha Kumbaro në aktivitetin e zhvilluar në shtëpinë Kadare “Takohemi për një libër”.

Fushata “Takohemi për një libër, është pjesë e programit “Edukimi përmes kulturës”, prioritet i qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës.

Fushata do të shtrihet në mbarë vendin përgjatë gjithë muajit nëntor, me mbi 200 aktivitete leximi ku përfshihen shkollat, bibliotekat e rretheve, libraritë, etj.

Aktivitetet do të angazhojnë të gjitha hallkat e librit: autorë, përkthyes, botues, redaktorë, mësues, nxënës e studentë, artistë, etj. / KultPlus.com

Muaji i trashëgimisë shqiptare në Kanada tashmë me stemë zyrtare

Muaji nëntor, që njihet ndryshe si muaji i shqiptarëve në Kanada, tashmë ka stemën zyrtare me të cilën identifikohet.

Në sajë të organizatës Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze me qendër në Toronto dhe lobueses, Ruki Kondaj, nëntori festohet në Ontario si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare.

Kryeministrja e Provincës së Ontarios, Hon. Kathleen Wynne, në përshëndetjen e saj dërguar komunitetit shqiptar ka nënvizuar rëndësinë e kontributit të shqiptarëve.

“Muaji i trashëgimisë shqiptare është një kohë për t’i dhënë haraç komunitetit shqiptar. Duke u bërë pjesë e historisë tonë të suksesit multikulturor, anëtarët e këtij komuniteti dinamik vazhdojnë të ndihmojnë në krijimin dhe forcimin e Ontarios. Jam shumë mirënjohëse për kontributin e tyre të shumëpritur në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të krahinës sonë”, deklaron kryeministrja.

Në 2015-ën, politikania dhe anëtarja e Asamblesë Legjislative të Ontarios, Laura Albanese, shpalli në parlamentin e Ontarios në Kanada muajin e shqiptarëve.

Prej dy vitesh festime të shumta, komuniteti shqiptar organizon takime dhe festime në nder të kulturës dhe traditave të vendit.

Sonte mbahet festivali ‘Lyra Fest’ në Gjakovë

Festivali i këngës për fëmijë Lyra Fest sivjet realizon edicionin e 11-të tij duke krijuar traditë në qytetin e Gjakovës. Duke përfshirë edhe këtë vit, numri i këngëve pjesëmarrëse është mbi 200, me autor të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare.

Ky festival ka për qëllim të krijojë një vend për njerëz të muzikës e sidomos për kompozitorë, orkestruesit dhe tekstshkruesit, duke llogaritur edhe fëmijët e talentuar të cilët do mund ta gjenin veten, një vend ku do të mund të shprehnin talentin e tyre, ku për shumëkë ndoshta do fillonte një jetë e re artistike e pse jo edhe një karrierë të re me shumë sukses në të ardhmen.

Festivali ka karakter garues ku konkurrojnë fëmijë nga mosha 6 deri 13 vjeç. Sivjet janë paraqitur 27 këngë konkurruese dhe janë përzgjedhë 18 prej tyre. Ndërsa, në përgjithësi, pritet të marrin pjesë mbi 150 fëmijë, si pjesë e korit, mysafirë etj.

Konkursi ka qenë i hapur nga data 15 shtator deri me 20 tetor. Ndërsa, festivali mbahet me 11 nëntor, sonte, nga ora 18:00, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”.

Ajo që e dallon festivalin Lyra Fest nga të tjerët është se këtu çmimet ndahen nga juria me votim të drejtpërdrejt në projektorin që e vendosin organizatorët në skenën e festivalit. Këtu ndahen 9 çmime, pra jo për çdo fëmijë pjesëmarrës siç është bërë praktikë në festivalet tjera. / KultPlus.com

Kam qarë aq shumë, me lot të hidhur

Poezi e shkruar nga Gertrud Kolmar.

Gabohesh. A mendon ti se ngaqë je larg
e që unë po vdes nga etja, dhe s’mund të të gjej ?
të mbërthej me sytë e mi,
me këta sy që secili strehon terr dhe yll.
të tërheq nën qepallë,
e mbyll dhe brenda je ti.
E si kërkon t’iu ikësh shqisave të mia, rrjetë gjahtari
ku asnjë bishë ska mundur të shpëtojë ?
mos më lësho më nga dora
si një buqetë të vyshkur,
që sillet poshtë në rrugë, e shkelur
para derës, e shpërhapur nga të gjithë.
Të kam dashur. Shumë të kam dashur
Kam qarë aq shumë… me lot të hidhur
dhe të dua ende më shumë sepse jam e lidhur me ty nga vuajtja,
e nga pena jote asnjë letër, ti s’më shkruan kurrë.
Kam pyetur miqtë, zotërinjtë dhe rojen e fanarit
të ishullit aq të vogël si një vizë,
kopshtarin tënd të pemëve të mia,
dhe me mijëra qenë të urtë e asnjëri s’qe i drejtë.
Thuajse s’e kisha ndjerë që strofka ime e paqes ishte prishur,
ajo që mbante rininë time – dhe diej të vegjël,
që kishin pikuar në rërën që i ka bërë të shkrijnë.
Jam ngritur dhe të kam shikuar.
Kalimi yt mbetet në ditët e mia
si një parfum që mbetet i varur në një rrobë,
sepse ajo s’e njeh më, s’e llogarit më, ajo thjesht e pret
për të vazhduar gjithmonë ta mbajë

Rita Ora lë me gojë hapur britanikët (FOTO)

Rita Ora u kthye në skenën e “X Factor” mbrëmjen e së dielës për të performuar këngën e saj të re “Anywhere” dhe habiti teleshikuesit britanikë.

26-vjeçarja kishte zgjedhur të dilte vetëm me të mbathura dhe rrjetet sociale “shpërthyen” duke u marrë me të.

Një përdorues shkroi në Twitter: “@RitaOra Mendoj se ke harruar të veshësh pantallonat për xfactor?”

“Veshja e Rita Orës është homazh për të gjithë ata që kanë harruar rrobat e fizkulturës në shkollë dhe duhet të bëjnë ushtrimet vetëm me mbathje”, bëri shaka një tjetër.

Ndërsa një fans postoi këtë shkrim: “Zot i madh! Rita Ora duhet të ketë humbur pantallonat rrugës për në skenë”. / KultPlus.com

Mesazhi i Josip Broz Titos në librezat e nxënësve në Jugosllavi (FOTO)

Në librezat për nxënësit e ciklit fillor, në vitin shkollor 1964/65, në faqen e parë të saj është shkruar mesazhi i Josip Broz Titos për nxënësit:
“Mësoni mirë dhe ndëgjoni arsimtarët tuej. Ata dëshirojnë me krijue prej jush qytetarë të mirë t’arsimuem të vendit tonë. Përpiquni me qenë sa ma të mirë. Ata që mësojnë ma me vështirsi duhet të bájnë pak ma tepër përpjekje që edhe ata të mbërrijnë sukses të mirë. Duhet të jeni të vendorun në punë; nëqoftëse nuk u mjafton nji orë për të mësue ndonji njisi, punoni dy ose ma teprë orë, por gjithmonë përvetësojeni mirë. Mësoni me kambëngulje dhe seriozisht, sepse dija ka randësi të madhe për qytetarët e vendit socialist siç ásht Jugosllavija jonë.
Kini gjithmonë ndërmend se ndaj Jugosllavisë socialiste keni obligime të mëdha. Gjithmonë duhet të mbani në mend se, bashkë me të vjetrit, për Jugosllavinë tonë të re kanë luftue me të vjetrit, për Jugosllavinë tonë te re kanë luftue me vetëdije kanë vdekë edhe të rijt prej moshës 15-vjeçare e ma nalt, se kanë sulmue në betejat ma t’ashpra tue mos mendue a do të dalin të gjallë prej lufte. Njerëzit tanë kanë dhanë me vetëdije jetën e tyne që breznive t’ardhshme dhe rinisë që vjen t’i sigurojnë jetë ma të mirë. Mos e harroni këtë kurr dhe le t’u delni borxhit tue mësue mirë dhe tue u bá qytetarë të vetëdijshëm të Jugosllavisë socialiste”
/ KultPlus.com

“Vuajtja është gjë e madhe. Në të fshihet ideja!”

“Arratia ka boll poshtërim dhe mundim, ndërsa juve ju duhet jetë e qetë, e përcaktuar mirë, me ajër. Edhe në i’a mbathshi, përsëri do ktheheni. Nuk bëni dot pa ne!
Do ju mbajmë nja tre muaj prapa hekurave dhe pastaj vetë do vini për ta pranuar fajësinë. Jam i bindur që edhe punën e vuajtjes do ta keni menduar; tani fjalën time s’e beson, atëherë do ta besoni, vetë keni për të ardhur në këto përfundime.
Se vuajtja, Rodion Romanoviç, është gjë e madhe. Mos më shihni mua që jam kështu i dhjamur, asaj unë nuk i’a kam nevojën, ama fort mirë e di, mos guxoni të qeshni, në vuajtje fshihet ideja!”
– Fyodor Dostoyevsky, “Krim dhe Ndëshkim”

Artistët shqiptarë bashkohen për ta mrekulluar Vjenën

Artistja Inva Mula do të koncertojë me datë 16 nëntor në Vjenë.

Sopranos së njohur shqiptare do ti bashkëngjitet në koncert edhe pianisti Genc Tukiçi, baritoni Gezim Myshketa, violinisti Olen Cezari dhe emra të tjerë të njohur të muzikës shqipe nëpër botë.

Koncerti ‘Vienna salutes to Tirana’ fillon në ora 19:00 në Sallën Moxart në Vjenë.

https://www.youtube.com/watch?v=4I-6SWugUsk

Në këtë koncert bashkohen edhe Eno Peçi – balerin, Volkhard Steude, Kuarteti i Filarmonisë Vjeneze dhe Maria Yakovleva – primabalerina e Operës Shtetërore të Vjenës.

Duket se koncerti do të mbledhë ajkën e artistëve shqiptarë që kanë në bagazh artistik një rrugëtim të suksesshëm brenda por edhe jashtë Shqipërisë, dhe për momentin artistët më aktivë dhe më përfaqësues shqiptarë në skenat e muzikës botërore, shkruan KultPlus.

Për koncertin ka njoftuar Tukiçi duke treguar se është i nderuar që do të jetë në këtë koncert krahas muzikantëve e artistëve më të shkëlqyer shqiptarë e austriakë.

Koncerti në fjalë do të mbahet në radhën e organizimeve kulturore për nderë të bashkëpunimit të ri Austri-Shqipëri 2018. / KultPlus.com

Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut shkon në Iran

Biografia e diktatorit shqiptar Enver Hoxha vjen tashmë edhe në gjuhën perse. Libri i gazetarit Blendi Fevziu është përkthyer së fundi në Iran, pas publikimeve që i janë bërë në gjuhën angleze, franceze dhe maqedonase. Përkthimi i librit në gjuhën farsi është bërë nga Bizhan Ashtari, studiues që trajton kryesisht jetën e diktatorëve të Europës lindore.

“Enver Hoxha” është e para biografi e diktatorit e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën. Ky botim që ka ardhur si fryt i një pune disa vjaçare të gazetarit në mbledhjen dhe analizmin e materialeve, është vlerësuar gjerësisht nga kritika ndërkombëtare veçanërisht pas përkthimit në gjuhën angleze dhe franceze.

“Fevziu ka bërë kërkime të jashtëzakonshme në arkiva, të vëna në dispozicion vetëm kohët e fundit, dhe ka intervistuar shumë njerëz të cilët e kanë njohur personalisht diktatorin ose kanë vuajur nga burgimet e gjata, e shpesh i kanë patur të dyja”, shkruante Scottish Review.

Ndërkohë edhe “Literary review ”, një nga revistat më prestigjoze ne botë për botimet dhe librat, një vit më parë i ka dedikuar një shkrim të gjatë dhe një analizë librit “Enver Hoxha”, përkthyer në anglisht në titullin “Enver Hoxha- The Iron Fist of Albania”.

Mbi këtë botim, Richard Hodges, President i Universitetit Amerikan në Romë shkruante: “Eshtë e çuditshme që askush nuk ka shkruar një biografi opozitare moderne të Hoxhës. Tani, Blendi Fevziu, gazetari i mirënjohur politik shqiptar, ka bërë një përpjekje të fortë për të ekzaminuar këtë monstër”. / KultPlus.com

Mbi 300 nënshkrime për rikthimin e ‘Ushtarit të panjohur’, Komuna e Gjilanit nuk e tërheq vendimin

Mbi 300 nënshkrime ka mbledhur brenda tre ditësh peticioni me anë të së cilit kërkohet që të mos i ndryshohet lokacioni shtatores “Ushtari i panjohur” në Gjilan, që u largua nga vendi ku kishte qëndruar për më shumë se 70 vjet. Por me gjithë kundërshtimet e shoqërisë civile, artistëve e arkitektëve, Komuna e Gjilanit nuk do ta rikthejë atë në vendin ku ka qenë.

Shtatorja e cila për shumë vite është bërë pjesë e memories kolektive të gjilanasve, do të vendoset 50 metra larg vendit ku ka qenë deri më tani, shkruan sot “Koha Ditore”. Në vend të saj do të vendoset shtatorja e dëshmorit të kombit, Idriz Seferi.

Një vendim për vendosjen e shtatores së Seferit ishte marrë në prill të këtij viti nga Kuvendi Komunal në Gjilan, pikërisht në parcelën ku ka qenë “Ushtari i panjohur”. Por në këtë vendim nuk përmendet largimi i shtatores.

Shoqëria civile dhe komuniteti artistik e ka kundërshtuar largimin e shtatores përmes peticioneve e thirrjeve nëpër rrjete sociale. Shtatorja “Ushtari i Panjohur” që nga e premtja e javës që shkoi ka mbetur e shtrirë dhe e mbuluar në tokë, në afërsi të vendit ku do të rivendoset në parkun e qytetit.

Sopranoja Migena Gjata sonte rikthehet në Tiranë

Ajo është një nga të paktat soprano shqiptare që ka vazhduar në rritje karrierën e saj jashtë vendit. Migena Gjata, është vajza që tërhoqi vëmendjen e kritikës apo mediave gjermane me zërin e saj edhe pse në moshë të re.

Nesër, të shtunën e 4 Nëntorit, Migenën e kthejnë në Tiranë, veprat e Schumann, Wolf, Schubert, Webern, e do ta mbyllë mbrëmjen me Strauss. Në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, ajo ka zgjedhur që hyrja të jetë e lirë për këdo që dëshiron të shijojë vlerat e muzikës operistike.

Por, cila është Migena Gjata dhe përse po flitet kaq shumë për të:

Migena e nisi rrugëtimin e saj në Tiranë në moshën 13 vjeçare kur filloi të merrte mësimet e para në muzikë. Më pas në liceun “Jordan Misja” e në Fakultetin e Arteve nën mentorimin e Prof. Suzana Frashërit, ajo u formësua më tej si artiste, ku puna e palodhur dhe talenti i hapën dyert për të studiuar në Universitetin e Arteve në Essen. Në klasën e Prof. Rachel Robins ajo u diplomua me rezultate maksimale dhe si rrjedhim fitoi bursën “Cläre und Alfred Pott Stiftung” që financoi studimet e saj.

Që prej 2010-s e deri më sot, Gjata ka qenë e ftuar dhe aktive në teatro të ndryshme, ku ka performuar pjesë nga Strauss, Mozart, Haydn, e të tjerë. Një ndër sukseset më të veçanta është debutimi i saj në televizionin gjerman WDR4 në transmetim të drejtpërdrejtë, ku performoi përkrah njërës prej orkestrave më prestigjoze të Vestfalisë. Ajo ka luajtur role të rëndësishme në një sërë operash ku vlen të përmenden Mbretëresha e Natës tek “Flauti Magjik”, Esmeralda tek “Nusja e shitur” e Zerbinetta tek “Ariadne auf Naxos”.

Kritikët që kanë dëgjuar Gjatën të performojë flasim për një zë të shkëlqyeshëm, të ngrohtë dhe unik. Waz.de shkruan: “Vokal i shkëlqyeshëm dhe i çmuar mozartian”, ndërsa Lokal-Anzeiger thotë se është “plot magji dhe shumë shprehëse”. Dhe së fundi, Opernnetz.de flet për “timbër të kadiftë e simpatik që është fleksibël si në notat e poshtme, ashtu edhe në të lartat pa asnjë lloj sforcimi”. / KultPlus.com

Kosovarja Tina Rama garon në ‘The Voice of Holland’ (VIDEO)

Tina Rama është një vajzë nga Prishtina e cila së bashku me familjen e saj jeton në Rotterdam të Holandës.

Se kosovarët janë të talentuar në muzikë tashmë kjo është dëshmuar edhe botërisht.

Rrugës se këngëtareve të famshme shqiptare si Rita Ora e Dua Lipa, Era Istrefi etj, i është duke bashkuar edhe një talente e re.

Bëhet fjalë për këngëtaren e re Tina Rama, e cila të premten do të merr pjesë në garën e muzikës për talente të reja “The Voice of Holland”, transmeton albinfo.ch.

Lajmin për të e ka bërë të ditur e ëma e saj Sabrina Gashi përmes rrjetit social “Facebook”.

“Dua të ndaj një lajm me ju të gjithë për gëzimin dhe mburrjen tonë, vajza ime Tina të premten merr pjesë në ‘The Voice of Holland’. RTL4 në ora 20:30”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

Ekspozita e Simon Shirokës e hapë ‘Parenthèse kosovare’ në Paris

Parisi do të mirëpresë këtë muaj një pjesë të kulturës shqiptare, në një organizim që quhet “Parenthèse kosovare”.

Nga data 10 deri me 25 nëntor, një ekspozitë, një shfaqje filmi dhe një koncert vijnë në kryeqytetin e Francës.
Salle Jean Mouly mirëpret ekspozitën e artistit të njohur Simon Shiroka, shkruan KultPlus.

Simon Shiroka u lind më 20 mars 1927 në Prizren, në qytetin me thesarin më të lashtë dhe më të larmishëm të artizanateve të traditës së përpunimit të metaleve të çmueshme. Mori dorë të mjeshtrit nga filigranistët më të shquar prizrenas dhe, duke pasuar ambicie më të madhe se shansi për t’u bërë një zanatçi i dalluar, vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Duhet theksuar se interesi i Shirokës për të aplikuar argjendin dhe materialet tjera fisnike në pikturë apo skulpturë artistike nuk ishte as i rastësishëm as i sforcuar.

Ai buronte nga një shpirt tejet i gjallë dhe i shqetësuar që hidhej në kërkime të vazhdueshme nga një entuziazëm çfarë rrallë mund të gjendet te artistët tjerë, edhe atëherë kur piktorët dhe skulptorët shqiptarë ishin mjaft të rrallë.

Simon Shiroka, jo vetëm që e avancoi artin e filigranit, por në të njëjtën kohë, edhe krijon vizione të reja me fantazinë e vet shpirtërore, duke shprehur ndjeshmëri për një art të lartë artistik. Talenti i mirëfilltë, përvoja dhe dashuria e zjarrtë për diçka të re, në artin e filigranit, gjurmon rrugë të teja sensitive, për ta sintetizuar artin kreativ dhe shprehjen e lartë artistike. Shiroka ka ndërruar jetë në vitin 1994.

Pos ekspozitës së Simon Shirokës, vjen edhe filmi “Home” me regji nga Daniel Mulloy.
“Home”, me aktorët Holliday Grainger dhe Jack O’Connell, fitues i çmimit BAFTA, flet për refugjatët. Arta Dobroshi, aktorja nga Kosova, është në mesin e ekipit që e ka realizuar filmin.

Filmi “Home” gjegjësisht trajton vuajtjet e refugjatëve dhe fatin e një familjeje e cila bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, duke u gjendur në situatë të njëjtë me refugjatët e vendeve të Lindjes. Familja në fjalë është angleze. Filmi është xhiruar kryesisht në Kosovë, përkatësisht në Janjevë dhe Graqanicë. Ai është kooproduksion i Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Pas shfaqjes së filmit, me 15 nëntor në ora 19:00 në Mairie du 4ème à Paris, këngëtari Shpat Deda, një prej producentëve të filmit, do të jetë i pranishëm për përgjigje ndaj pyetjeve të të interesuarve.

Deda në anën tjetër do të mbajë edhe një koncert, bashkë me artistët Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj. / KultPlus.com

Të pavdekshmit e historisë shqiptare! (FOTO)

Nga Brunilda Gorovelli

Disa emra të rëndësishëm që janë shuar, por qëdo mbahen mend gjatë nga publik. Roland Trebicka, Vaçe Zela, Liza Laska etj disa nga emrat e mëdhenj të kinematografisë shqiptare

Jeta është një rrugëtim sa i gjatë dhe i shkurtër për çdo njeri që është pjesë e kësaj bote. Dikush ikën duke lënë gjurmë të mëdha në vendin ku jeton, e dikush ikën si një njeri i thjeshtë e i zakonshëm. Ne jemi ndalur në këtë rubrikë duke ju sjellë në vëmendje disa nga emrat e rëndësishëm të filmit, muzikës dhe artit shqiptar, të cilët sot nuk jetojnë më, por që të gjithë ndjekin ende veprat që ato lanë pas.

Roland Trebicka

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947, ku kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi”. Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nasi). Në vitin 2011 u sëmur rëndë nga një sëmundje në mushkëri që e detyroi të rrijë larg skenës rreth dy vjet. Është nderuar me titullin Artist i merituar dhe Qytetar nderi i Korçës. Vdiq nga kanceri në mushkëri më 6 mars 2013.

Fatos Sela

Fatos Sela ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve Tiranë ku u diplomua si aktor. Karrierën e ka nisur si regjisor në RTV Shqipëtar (1972-1975). Nga viti 1975-1995 punoi si aktor e regjisor në teatrin Bylis të Fierit. Ndër rolet më të spikatura të kësaj periudhe janë: “Dy krisma ne Paris”, “Zoti godet me puter”, “Kush e vrau Kastijin”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur”. Emërohet aktor i Teatrit Kombëtar në vitin 1995. Nder interpretimet e kësaj periudhe veçojmë rolet: “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Greit”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Pamje nga ura”, “Magjia e madhe”, “Franku i V” etj.

Liza Laska

Aktorja Liza Laska (1926-2014) lindi në qytetin e Vlorës. Qysh në rini u dallua për talentin e saj dhe në vitin 1946 filloi punë në Teatrin Popullor në Tiranë. Më pas shkoi në Korçë, ku ishte aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti, duke luajtur role kryesore, deri më vitin 1962. Nga ky vit ajo u bë një nga aktoret e para, që formuan trupën e Teatrit Profesionist të Vlorës. Punoi aty deri sa doli në pension, duke qenë aktore e parë, edhe duke mbajtur peshën më të madhe të roleve femra, me mbi 60 role të tilla. Ka luajtur mbi 22 role në filma shqiptarë dhe mbi 100 role në teatër. Ka spikatur posaçërisht në rolet e nënave epike, që vuajnë dhe pësojnë halle e humbje të mëdha tragjike për bijtë e tyre të rënë për liri, po kështu, gra të vuajtura e fatkeqe, që durojnë me stoicizëm pasojat e një jete nën dhunë apo me liri të kufizuar: gra të emancipuara apo nëna e gjyshe të dashura. Krahas roleve në teatër, Laska ka interpretuar edhe 13 role të ndryshme në kinematografi si; nëna te “Shtigje lufte” (1974), Mara te “Dimri i fundit” (1976), me të cilin ka fituar “Medaljonin e Festivalit”, pastruesja te “Lulëkuqe mbi mur” (1976), nëna e Belulit te “Guna mbi tela” (1977 etj.

Laver Bariu

Laver Bariu (1929-2014) lindi në Përmet. Në moshën 10-vjeçare ushtronte në shtëpinë e tij llahutën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës, aty ku ishte zhvendosur për të jetuar me familjen. ëveçse ishte një mjeshtër i pakontestuar i klarinetës, Lavër Bariu kishte edhe hobi astronominë dhe parapsikologjinë. Ai gjithashtu ka kontribuar në krijimin e disa këngëve të reja të estradës shqiptare, përfshi edhe këngët më të fundit të këngëtares shkupjane Tuna. Ai tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

Vaçe Zela

Këngëtarja Vaçe Zela (1939-2014 Bazel) u lind në Lushnjë. Ajo do të bëhej shumë shpejt artiste e njohur nga të gjithë. Për kohën kur ajo ngriti në këmbë një karrierë të shkëlqyer, kjo do të thoshte që Vaçe Zela të meritonte titullin “Artiste e Popullit”. Shumë e re Vaçe Zela prezantohet në festivalet e këngës së lehtë në Radio dhe më vonë në Radio-Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Studioi për Art Dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë vendin e parë. Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj dëgjon në filmat “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës Bamir Topi i akordoi titullin “Nderi i Kombit”.

Poezi për Anton Çettën

Poezi e shkruar nga Ramadan Mehmeti, dedikuar Anton Çettës.

Rrjedhin vitet,
Fëmijët lëshojnë shtat,
Ndërrime në qytet,
Ndërrime edhe në fshat.

Burrat plaken,
Vjen brezi i ri,
Hapen rrugë të reja
Për ardhmëri.

Secilin brez
E dashura gjyshe
E mban në prehër,
Por, pak më ndryshe.

Dhe pak më ndryshe
Pleqëron ai “plak”,
Antoni u kërkon shqiptarëve
Nga vëllai t’mos derdhet gjak!

(Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë)

Netflix ndërpret të gjitha lidhjet me Kevin Spacey

Kompania Netflix njoftoi se aktori Kevin Spacey nuk do të jetë më pjesë e ekipit të aktorëve të serisë “House of Cards”, pas akuzave për shqetësime seksuale.

Netflix ka bërë të ditur në komunikatë se ndërpret të gjitha lidhjet me Spacey dhe se kompania do të shqyrtojë nëse seria do të vazhdojë pa aktorin transmeton ksp.

CNN më herët raportoi se tetë bashkëpunëtorë të tanishëm dhe të mëhershëm në serinë “House of Cards”, kanë bërë të ditur se Spacey vendin e punës e ka bërë “toksik”, ndërsa aktori Antony Rap e ka akuzuar për keqtrajtim seksual.

Aktori amerikan dhe fituesi i Oscarit, Kevin Spacey këtë vit nuk do të marrë shpërblimin Emmy për kontribut në kualitetin e televizionit për shkak të akuzave për shqetësime seksuale. / KultPlus.com

Eurovizioni prezanton videon e vogëlushes Ana Kodra (VIDEO)

Bukuroshja e vogël Ana Kodra do ta përfaqësojë Shqipërinë në garën muzikore Junior Eurovision 2017.

Eurovizioni për më të vegjlit, që do të mbahet këtë vit në Gjeorgji, ka përgatitur nga një video dhe kartolinë përshëndetëse për të gjithë pjesëmarrësit. Ana Kodra e ka prezantimin e saj ndërsa shihet duke luajtur në piano dhe duke prezantuar këngën e saj.

Ana do të këndojë në Tbilisi këngën “Mos ma prekni pemën” (Do not touch my tree), shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?feature=youtu.be&v=zhlLBybIyh4&app=desktop

Junior Eurovision është sikur Eurovizioni por për moshat e reja, ndërsa më pak shtete marrin pjesë në këtë festival sesa në Eurovizionin që e njohim të gjithë.

Ana Kodra do të këndojë në këtë festival me datë 26 nëntor, ndërsa janë gjithsej 16-të këngë që garojnë në spektaklin të cilin e ndjekin miliona fëmijë nga mbarë bota. / KultPlus.com

Placido Domingo: Tenori Ramë Lahaj i ka të gjitha mundësitë për një karrierë fantastike (VIDEO)

Tenori legjendar Placido Domingo flet për Ramë Lahajn.

Vetë tenori shqiptar e ka postuar një video ku dëgjohen disa nga mendimet e Domingos për punën e Lahajt. Lahaj ka kohë që bashkëpunon me Placido Domingon.

“Jam më se i nderuar për gjithë përkrahjen që më jep në çdo hap te karrierës sime” ka shkruar Lahaj duke e shoqëruar edhe një video ku Domingo tregon se Lahaj është një tenor që i ka të gjitha mundësitë për të bërë një karrierë fantastike, shkruan KultPlus.

“Ai ka performuar në teatrot më të mëdhenj botërore dhe është në kohë të përkryer për të gjitha paraqitjet e tij” thotë mes tjerash Domingo.

Shumë shpejtë do të dalë versioni komplet i videos.

Tenori Ramë Lahaj ka lindur në Istog. Vitin e kaluar ai ishte njëri prej fituesve të Çmimit operistik OPERALIA. Lahaj së fundmi ka performuar kahas Domingos kur në Meksikë salla operistike morri emrin e legjendës Placido Domingo. / KultPlus.com

Anton Çetta, profesori i letërsisë dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë.

Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas ,ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali. Sapo ishte kthyer Italia, në kohën kur forcat italo shqiptare kishin depërtuar në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nga Monarkia serbe-Kroate e Sllovene, Anton Çetta në fillim gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren.

Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën, punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në Universitetit të Beogradit, në Serbi.

Studimet i kreu në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.

Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968, ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i “Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve”. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Për aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë veprave, Anton Çetta iu ndanë mirënjohje, çmime e shpërblime të shumta. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë. / KultPlus.com

Chennevière, një poezi e fuqishme për nënën…

Poezi e shkruar nga Yves Mabin Chennevière.

Nënë,
nëna e ditës,
nëna e natës,
nënë,
nëna ime,
aroma e trupit tënd,
buzëqeshja,
heshtja jote,
lotët,
nuk janë më pluhur,
nuk janë më imazhe të zymta,
nuk janë më kujtime skeletike.

Nënë,
nëna e të tjerëve,
nëna ime,
ku është shpirti i botës ku ti nuk je më?
ku është shpirti yt, ku fle trupi yt?
ku është shpirti yt ku trupi im qetesohet?

Nënë,
nëna e orëve,
nëna e boshllëkut,
nënë
ku je?