Në vend të përshëndetjes…

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej
vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe
mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të
ndezur. / KultPlus.com

Uk Lushi: Ipeshkvia e Kosovës duhet të kërkojë falje për trajtimin çnderues të flamujve

Publicisti Uk Lushi sot ka reaguar në rrjetet sociale pasi ka dalë lajmi dhe disa fotografi se gjatë shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, ditën e djeshme, disa flamuj janë trajtuar në mënyrë të ç`nderuar.

“Imzot Dodë Gjergji, në emër të Ipeshkvisë së Kosovës, dunet të kërkojë falje publike për trajtimin çnderues të flamujve tonë gjatë shugurimit të Katedrales së Shenjtëreshës Nënë Tereza në Prishtinë dje. Flamuri duhet nderuar duke u mbajtur nalt mbi tokë gjatë tërë kohës dhe kudo” ka shkruar Lushi në rrjetin social Facebook, derisa komente të tilla kanë ardhur edhe nga komentuesit e ndryshëm që kanë parë fotografitë ku flamujt shihen të fshehur.

Presidenti i Kosovës në fjalën e tij po përdorte terma patriotik duke kritikuar vendosjen e dy monitorëve përballë monumentit të Gjergj Kastriot Skëndërbeut, por si për ironi, prapa tij ndodheshin flamujt e Shqipërisë e Kosovës për toke, së paku në këtë fotografi poshtë. Në një qoshe, të hedhur në tokë pranë statujës së Nënës Terezë, qëndrojnë të hedhur dhe të zhburosur dy flamujt, ai i shtetit të Kosovës dhe ai i shqiptarëve. / KultPlus.com

E bukura Penelope Cruz parakalon në Festivalin e Filmit në Venecia

Aktorja e njohur Penelope Cruz ka arritur në Festivalin e Filmit në Venecia.

Fituese e çmimit Oscar dhe një ndër femrat më të bukura që njeh kinematografia botërore, Penelope është pjesë e filmit “Loving Pablo” i cili u dha në këtë festival prestigjioz të filmit.

“Loving Pablo” ka në kastën e aktorëve Penelopen dhe Javier Bardemin – partnerin e saj edhe në jetën personale. Filmi, sic tregon edhe titulli, flet për jetën e Pablo Escobar – këtij personazhi të njohur në botën e karteleve të drogës. Escobar dashurohet në Virginia Vallejo, dhe këtu nis drama e vërtetë në filmin 123 minutësh.

Penelope ka parakaluar në tepihun e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia e shoqëruar nga ekipi i filmit, përfshirë këtu edhe regjisorin Fernando León de Aranoa, shkruan KultPlus.

Në film luajnë, krahas dyshes, edhe Peter Sarsgaard dhe Julieth Restrepo. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=NSDaVVqAm4o

Eneda Tarifa, anëtare e jurisë në Voice Kids Albania

Këngëtarja Eneda Tarifa këtë vit do ti bashkohet jurisë së spektaklit të zbulimit të talenteve të reja.

Eneda vjen për herë të parë si anëtare jurie në The Voice Kids Albania, e gatshme për të punuar e për t’u argëtuar me konkurrentët e vegjël.

Eneda është këngëtare e njohur shqiptare, pjesëmarrëse edhe në Eurovizion dhe një krijuese hitesh të njohura në Shqipëri. / KultPlus.com

Një baba

Poezi e shkruar nga Alma Papamihali.

Një baba, s’është thjesht një baba,
Por dera e një shtëpie të hapur.
Vazhdimësi shkruar në ballë,
Mbi flok’, përkëdhelje e zgjatur.

Një baba, s’është thjesht një baba,
Por fjalë me peshë të artë,
Ky emër që s’njeh të këmbyer,
I vetmi çelës i saktë…

Një baba është krahu në trup,
Kujdesi në njeri shndërruar,
Mendimi që s’flet por të ndjek,
Mirësi, njëher’ në jetë dhuruar.

Ekspozita “Korzo” sjellë posterat e filmave erotik të viteve 80-të e 90-të në Kosovë

Një ekspozitë e veçantë vjen me 8 shtator.

E premtja në mbrëmje në Soma Book Station vjen me ekspozitën “Korzo”.

Nëpër qytetet e Kosovës kinematë ishin plot filma erotik dhe pornografik, gjatë regjimit jugosllav. Ishin aty për gjithë popullatën pa marrë parasysh moshën. Gjithkush mund të vizitonte kinemanë të solidarizuar pranë ekranit të madh duke i ngulë sytë organeve gjenitale në përmasa të tmerrshme. Për çudi askush nuk vërehej duke e vizitu kinemanë por salla e errët ishte plot burra e fëmijë.

Sidoqoftë, programi i kinemasë prezantohej në qytet nëpërmjet të pllakateve ku lajmëronin filmin e radhës, shpesh në postera ishin disa vajza me gjoks të hapur…, dhe shpesh shpesh meshkuj nudo apo në ndonjë akt seksual në pozita të çuditshme.

Këto pllakate ishin të vendosura në shëtitore “Korzo” ku kalonin gjithë popullata. Aty pranë caktonin takim të gjithë…, të dashuruarit, familjet që shëtisnin korzon, aktivistët politik dhe fëmijët që takoheshin për t’shkue në shkollë fillore…, dhe për çudi gjithçka ishte e natyrshme.
Për fëmijët e asaj kohe ky funksion padyshim se ka arritur ta çoroditë raportin femër dhe djalë sepse të dy gjinitë janë zhvillu me ide se janë të ndryshëm biologjikisht vetëm për të arritur performancë seksuale dhe pritjet ishin se akti seksual duhet të ndodhë menjëherë me të takuar sikur se ndodhë në filma të kësaj natyre.

Kjo ndodhë se të gjithë fëmijët që kalonin aty pari ishin me sy në ato pllakate dhe mund ti vizitonin kinematë…, dhe gjithë kjo skuqje ndodhi para se të pranonin edukim seksual nëpër shkolla…, në fakt edukimi seksual nuk ndodhë nëpër shkolla shkaku se si temë ende mbetet e turpshme të trajtohet.

Ekspozita në fjalë hapet në ora 19:00, të premten me 8 shtator, shkruan KultPlus.

Posterat që shihen këtu janë pjesë e arkivit të Kino Lumbardhit dhe janë printime origjinale të viteve 1980 – 1990. Këta postera kanë qenë të vendosur nëpër pllakate të qyteteve në Kosovë ku janë prezantuar filmat në kinema. / KultPlus.com

Bebe Rexha në ushtrime me Sylvester Stallone (FOTO)

Suksesi i madh i këngëtares shqiptare Bebe Rexha e ka afruar atë me shumë yje botërore.

Së fundmi, këngëtarja me prejardhje shqiptare ka postuar një fotografi me aktorin e famshëm Sylvester Stallone.

Fotografinë Rexha e ka realizuar gjatë ushtrimeve duke treguar po ashtu se aktori 71-vjeçar akoma është në formë të lartë fizike.

Getting my Rocky on today.

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Kasem Hoxha: Shqiptarë, stop dhunën ndaj grave!

Aktori shqiptar Kasem Hoxha, i njohur për disa role ndërkombëtare ku përfshihen filmat “Head Full of Money”, “Chromium”, “Alive” e “The Cell”, ka ardhur sot në rrjetet sociale me një reagim më ndryshe.

Hoxha, i lindur në Tiranë, ka reaguar rreth dhunës ndaj grave dhe rasteve që së fundmi kanë ardhur nga Shqipëria, përfshirë vrasjen e një gjyqtareje por edhe dhunën në familje e cila raportohet shumë shpesh ndër shqiptarë.

“O, SIKUR TË KISHA NJË GRUSHT TË FORTË…..
aq urrejtje kam përbrënda, (kur dëgjoj dhe lexoj se çfar ndodh atje në vëndim tim çdo ditë), ndaj çdo atij specie të ashtëqujtur “MASHKULL”, që dhunon, masakron, vret Nënat, Motrat, Femrat tona aq të shtrejta!!!!
Stop DHUNËN ndaj grave!!
Për një garanci sigurie të jetës së tyre!
Dhuna nuk duhet toleruar dhe as lejuar!
Jam Me Ju!!!! “

Ky ishte reagimi i Hoxhës sot në rrjetet sociale, si për tu revoltuar rreth dhunës e cila ushtrohet ndaj grave, në një shoqëri patriarkale si shoqëria shqiptare. / KultPlus.com

Reportazh: 12-të vite pas bekimit të gurthemelit, u shugurua Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë

Sarandë Selimi

Sot janë mbushur gjithsej 20-të vite qëkur u nda nga jeta Gonxhe Bojaxhiu, ‘lule’ e tokës dhe gjakut shqiptar, Motra Terezë e Loretos (1929), Nëna Terezë ‘Misionare e Dashurisë’ (1959), Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003) dhe së fundmi Shën Nënë Tereza (2016).

E pikërisht sot në këtë ditë të shenjtë u bë edhe Shugurimi i një vendi të shenjtë, ai i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në kryeqytetin kosovar.

Qindra njerëz sot morën rrugën për në Prishtinë. Rruga kryesore që të dërgonte tek Katedralja ishte bllokuar e tëra për vetura. Karrige të shumta ishin vendosur para katedrales e poashtu edhe një monitor i madh për të gjithë ata njerëz që nuk kishin bileta për të hyrë brenda në këtë tempull të shenjtë që ta shohin nga afër Shugurimin e tij nga Kardinali Shqiptar Ernest Simoni – i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut.

Njerëzit ishin mbledhur para orës 11:00 dhe fiks në këtë orë u hapën dyert e katedrales duke prirë Kardinali Simoni, e pas tij Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Presidenti i Republikës së Kosovës – Hashim Thaqi, Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës – Isa Mustafa, Kryeparlamentari i Maqedonisë – Talat Xhaferi, politikanë nga të gjitha partitë e Kosovës, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, krerë nga besime të ndryshme fetare, shumë besimtarë e mbi të gjitha shumë njerëz që vlerësojnë lartë kontributin e të shenjtës Nënë Tereza.

Kardinali Ernest Simoni, nisi me lutjet e para, e pas kësaj mbajti një fjalim, një lloj ligjërate mbi atë se çka simbolizon Jezu Krishti e atë çka simbolizon Shën Nënë Tereza.

“Këtë ditë të madhe na e fali Zoti të gjithëve së bashku, që të bashkohemi para Krishtit tonë e t’i japim nderë e lavdi shpëtimtares tonë që ka drejtuar botën shpirtërisht. Një bijë e kombit tonë ishte ajo që i ndihmoi gjithë botës dhe ishte shembull i fuqishëm i të gjithëve. Vëllezër e motra, dua që këtë ditë ta falënderojmë të madhin Zot, t’i lutemi të madhit Zot për të gjitha të mirat që na i ka dhënë”, tha ndër të tjera ai, i cili vazhdoi tutje këtë ceremoni madhështore të Shugurimit të Katedrales.

KultPlus, i pranishëm në këtë ceremoni gjatë gjithë kohës, shoqëroi me video të ndryshme për lexuesit pjesën kryesore të kësaj ceremonie. Gjithçka kishte madhështinë e vet por ajo kryesorja ishte lyerja me vaj të shenjtë e pjesës kryesore të Katedrales, duke vazhduar më pas me lyerjen e 12 kryqeve në shtyllat ku qëndrojnë themelet e Katedrales e që simbolizojnë 12 Apostuj. Pas kësaj u bë tymosja e gjithë katedrales e krejt në fund erdhi koha e kungurimit që iu bë të gjithë besimtarëve të krishterë që ishin të pranishëm.

Pas krejt këtyre riteve fetare erdhi koha e fjalimeve nga të pranishmit, duke nisur me Presidentin e Kosovës – Hashim Thaqi.

Në fjalën e tij, Thaqi tha se kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.
“Ndihem shume krenar që qysh në verën e vitit 1999, pak ditë pas përfundimit të luftës në një bisedë me komunitetin katolik të shqiptarëve të Amerikës hodhëm idenë e ndërtimit të Katedrales në Prishtinë. Bashkërisht vumë gurthemelin e inauguruam Katedralen dhe sot jemi bashkë në shugurimin që po ndodhë”, ka thënë Presidenti.
Sipas tij, me shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar teqetë e njohura për të gjetur shërim për sëmundje apo halle, dhe me shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë shkuar në kishë për të gjetur përgjigje për hallet e tyre.

Ai ka thënë se tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë, duke uruar që kjo Katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t’ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.
Pas fjalimit presidenti Thaqi u largua menjëherë bashkë me kryeministrin në largim – Isa Mustafa dhe ministren në detyre të MKRS-së Vlora Dumoshi.

Fjalimet vazhduan, ku disa fjalë tha edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, i cili përveç të tjerash u shpreh shumë falënderues për të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni.

Shugurimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’, u bë sot, më 5 shtator, në përvjetorin e 20-të të vdekjes së Shën Nënë Terezës, plotë 12 vite, pasi që ishte bekuar gurthemeli i saj më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit presidentit historik Ibrahim Rugova. / KultPlus.com

27 vite nga mbyllja e dhunshme e Gazetës Rilindja

Bëhen sot gjithsej 27 vite nga ndalimi i botimit të Gazetës Rilindja.

E para gazetë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, Rilindja u botua për herë të parë në vitin 1945, me 12 shkurt.

Me 5 shtator 1990, nga pushteti serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, me 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, shkruan KultPlus.

Rikujtojmë se gazetarët e “Rilindjes” nuk u ndalën para presionit të Serbisë, kur në fillim të viteve 90 shkatërroi çdo gjë që ishte shqiptare.

Në ato kohë të rënda të okupimit pushteti serb e mbylli me forcë edhe gazetën “Rilindja”, por gazetarët dhe punëtorët e tjerë të saj nxorën gazetë të përditshme, gazetë të rezistencës, të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim të fuqishëm properëndimor. / KultPlus.com

Dhitë dhe këmbët e mbijetesës, puna e Doruntina Kastratit shpaloset në Prizren (FOTO)

Që nga lindja e deri në fund të ciklit jetësor pothuajse pareshtur lëvizim nga e njohura dhe e përjetuara drejt të panjohurës e të papërjetuarës. Nga ëndrrat tona në territore të reja si zona të shpresës, por edhe të frikës…

Një pjesë e konceptit artistik të veprës së re të Doruntina Kastratit vjen mes këtyre rreshtash. Një shëtitje e gjatë, një botë që rrotullohet, miliona këmbë që ecin poshtë e lartë, ekzistencë e herë mbijetesë.
Artistja Doruntina Kastrati mbi këtë inspirimin ka krijuar punën “Shëtitje e Gjatë”, një instalacion që është pjesë e Bienales së Artit në Prizren – Autostrada Biennale.

Artistja e lindur në këtë qytet, në vitin 1991, sjellë dhjetë skulptura me materiale organike, dhjetë dhia, ndërsa fokusi qëndron tek këmbët e tyre, si armë e mbijetesës.

“Pyetja që e shtroja ishte “Ç’është ky Long Walk?” që gjithçka rreth meje e bënte kuq: ujin, lulet, tokën, çdokënd, madje edhe ty dhe mua, që të ndihemi të frikësuar, të lemeritur?! Kuptoja se pyetja është universale, shtronte enigmën e ecejakeve të përditshme të çdo gjallese, çdo individi” tregon mes tjerash artistja.

“Që tre vite në kërkimet e mia nuk mjaftohem me vizione të sheshta por intrigohem dhe joshem me lëvizje dhe vizione plastike. Kjo lëvizje e imja e brendshme kushtëzohej edhe me shqetësimet ekzistenciale që i përjetoja duke përcjellë çdo ditë lajmet tragjike mbi refugjatët: kolona të gjata që gjarpëronin nga Orienti drejt Evropës si dhe anijet e stërmbushura me hallexhinj në kapërcim të Mesdheut… Kujtoja rrëfimet e ngjashme të të dëbuarve kosovarë, atë long walk – shëtitje të gjatë të brezit të prindërve të mi, më 1999…”, tregon artistja Kastrati.
Ajo është një prej artisteve që këtë vit po marrin pjesë në edicionin e parë të Autostrada Biennale – një Bienale e Artit që e ka kthyer Prizrenin në një tokë të fortë mbi të cilën qëndrojnë vepra arti, instalacione, video-instalacione, performanca, ekspozita, debate dhe artistë që sjellin veten e tyre në peizazh të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Këmbët e dhisë, apo edhe të kopesë së dhive, mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme të ekzistencës, ndër shkëmbinjtë e pjerrtë me do shkurre të pakta me të cilat ushqehen, shkruan koncepti i punës artistike. Puna e Doruntinës mund të shihet rrugës për në Kalanë e Prizrenit.

Doruntina, në anën tjetër, nuk është emër krejt i ri në artin shqiptar. Ajo ka prezantuar punën e saj në edicionin e dymbëdhjetë të Ekspozitës Artistët e së Nesërmes (2014), në Galerinë Kombëtare të Kosovës, njëherit shpallet edhe fituesja e këtij edicioni. Në janar të vitit të kaluar, krijuesja e dhjetë dhive bëhet edhe fituesja e edicionit të parë të fondacionit “Hajde”, e udhëhequr nga artisti Petrit Halilaj. Në shkurt të këtij viti Doruntina prezanton edhe ekspozitën e saj të parë personale në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, të titulluar “Red Landscape/Peisazh i kuq” kuruar nga Vala Osmani. / KultPlus.com

Miriam Cani rikthehet si pjesë e jurisë në “Voice Kids Albania”

Këngëtarja dhe prezantuesja e njohur nga Shqipëria, Miriam Cani, përmes një postimi në Instagram me entuziazëm ka njoftuar se do të rikthehet në “Voice Kids Albania”.

“Jam e lumtur të rikthehem në atë karrige tashmë për të dëgjuar e shijuar zërat e engjëjve të vegjël”, ka shkruar këngëtarja, transmeton Koha.net.

Cani, 32 vjeçe, është e martuar me këngëtarin e njohur nga Shqipëria Alban Skënderaj dhe së bashku kanë një vajzë, e cila quhet Ameli.

Engjëjt s’dashunojnë djallin

Poezi e shkruar nga Egzon Krasniqi.

Engjëll a djall !
M’kallzo si të t’emnoj !
Engjujt s’vrasin,
t’mirat i marrin me naje
E gabimin dojnë mos me shkrue.
Presin pishmanin tand
e të falin.
Djall s’të dua
Se djajtë vrasin.
T’bardhës i vnojnë pëlhurë
e t’zezën ta pikturojnë.
M’thuaj si të t’emnoj!
Si të t’emnoj ty
Që s’di ç’më fale.
E emnuam dashuni dikur
Dhe vargjet i shkruaja me ambëlsi.
Sa shume doje t’i knoje.
M’thuaj si të t’emnoj!
Djall që ma more dhe t’vetmin varg,
apo ndoshta je engjull e po i ban kangë.
Mes ktyne vargjeve po shkruaj edhe nji varg.
Nji varg…
Që t’emnoj engjull ,
E unë t’bëhem djalli.
Engjujt s’dashunojnë djaj,
Ndaj ta vendosim ndarjen e nji dashunie.
Mes engjujve e djajve
Le t’emnohemi
Ti engjulli
Unë djalli.

“Gruas time Janinës, me të cilën jetuam mes lumturisë e fatkeqësisë”

CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS
Përktheu Romeo Çollaku

Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit.
Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku.
Ajo dhe unë, martuar kaq vite.
Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri
Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen,
Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë,
Ia zhvishte lumin gri të flokëve,
I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri.
Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë.
S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes.
E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë.
E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime.
E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik.
Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë,
Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi.
Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë.
Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme.
Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë
Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet?
Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend.
Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë,
Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë.
Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe,
Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit,
Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme.
Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë
Sheh flakën tek përpin themelet e botës.
A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri.
Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë!
Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri!
Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë!

Populus Illyricus

Poezi e shkruar nga Mirko Gashi.

Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s’ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s’ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s’duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë.

2.-

pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s’do ta mësojë
as t’i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë

Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile

Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s’ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr

3.-

ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s’ka
asnjë kryevepër s’e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s’ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen

4.-

Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
“I di Meta punët e veta”

Studiuesi i njohur: Alfabeti shqiptar dhe ai grek kanë prejardhje të njëjtë

Gjuha shqipe, siç është përmendur nga Konica.al një artikull të mëparshëm, është shkruar shumë kohë para dokumentit të parë në gjuhën shqipe. Studiues të shumtë janë marrë me të duke konkluduar në përfundime të ndryshme. Por, studiuesi dhe albanologu i njohur G. fon Hahn harton një tezë të veçantë mbi gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj.

Sipas tij, gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e pellazgëve e cila shkruhej me një alfabet me 52 shenja. Duke studiuar këtë alfabet i cili gjendet në disa fragmente të ungjijve që janë gjetur në qytetin e Elbasanit, Hahn parashtron një pyetje: “A është ky alfabet i vjetër apo i ri?”.

Përgjigjja që ai i jep kësaj pyetje bashkë me argumentimin përkatës jepet në librin “Popullsia, gjuha dhe letërsia shqiptare” me autor Gaetano Petrotta:

Ky alfabet, paraadhës i alfabetit të tanishëm të shqipes, është monument i gjuhës pellazgjike e cila bashkë me atë greke janë zhvilluar nga fenikishtja.

Po sipas Hahn, ky alfabet nuk kishte një përhapje të gjerë në trojet shqiptare. Sipas tij, Në Durrës dhe në Shkodër është njëlloj i panjohur, ashtu si në tërë Toskërinë (Epirin); vetëm në qytetin e afërt të Beratit duket të jetë përdorur aty këtu. Në Elbasan, për më tepër ky alfabet kufizohet në përdorimin kishtar; ai përdoret gjithashtu nga shumë tregtarë në letërkëmbimet e tyre me bashkëkombasit që janë larg.

Alfabeti i përmendur, po sipas Hahn, përdoret për herë të parë nga një mësues me emrin Teodor i cili ishte edhe predikues i krishtërimit në qytet. Githashtu ishte i pari përkthyes i dy Testamenteve të Biblës, por gjithë letrat dhe punimet e tij u dogjën pas vdekjes së tij nga murtaja, me frikën se ato mund të mbartnin infeksionin.

Duke u nisur nga përhapja e kufizuar e alfabetit, nga preukopimet gjuhësore të mjeshtrit Teodor, i cili për më tepër ishte burrë mjaft i dijshëm, dhe nga mungesa e plotë e njoftimeve që duhet të vinin prej tjetërkah për të, studiuesi Petrotta konkludon se i pari që krijoi këtë alfabet duke trajtësuar atë grek dhe atë fenikas, ka qenë pikërisht Teodori.

Ai e futi këtë alfabet në shkollën që hapi vetë dhe ku dha mësim po vetë, me qëllimin për të liruar gjuhën shqipe nga nevoja për të përdorur dy alfabete, atë latin në veri dhe atë grek në jug, duke besuar se do të kontibonte në emancipimin politik të shqiptarëve dhe bashkimin kombëtar të tyre nëpërmjet një alfabeti të njësuar.

I këtij mendimi ishte edhe gjuhëtari i njohur gjerman, Gustav Majer i cili shkruan: “Mësuesi ortodoks, emri i të cilit lidhet me traditën, duhet të mendohet sipas gjasave autori i tij [alfabetit].”

Sislej Xhafa, pjesëmarrës në ekspozitën sensibilizuese kundër vetëvrasjeve

Artisti Sislej Xhafa nga sonte është pjesë e ekspozitës “Mal a ta Vie” në Gjenevë.

Ekspozita që është hapur sonte në Parc des Bastions e ka të përfshirë edhe artistin e njohur kosovar.
Gjithçka po zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve. Shtatë kabina telefonike janë në hapësirën ekspozuese, e që ofrojnë material dhe informacion mbi vetëvrasjen e adoleshentëve dhe shifrat shqetësuese që vijnë nga vende të ndryshme.

Deri me 10 shtator, vizitorët do të mund të dëgjojnë në këto kabina telefoni mesazhe të të rinjve që kanë provuar vetëvrasjen, dëshmi nga të afërmit e tyre, këngë që kanë ndihmuar në mbijetesë dhe mënyrat se si të largohen mendimet e tilla nga koka e njeriut.

Xhafa, një artist kosovar që telefonin si simbolikë e ka përdorur së fundmi në Bienalen e Venecias në Itali, është një prej artistëve në këtë ekspozitë, krahas edhe Sylvie Auvray, Sol Calero, Benjamin Renoux, Hicham Berrada, Issam Rezgui dhe Bathelemi Toguo.

Secila kabinë telefonike i takon një artisti, i cili punon dhe e krijon atë në formën që ai e koncepton. Jo vetëm ekspozitë, “Mal a ta Vie” është menduar edhe si një kampanjë sensibilizimi në vetëvrasjen nga të rinjtë, dukuri kjo e cila është shqetësuese marrë për bazë numrat e vetëvrasjeve nga moshat e reja, shkruan KultPlus.


(Këngë nga PINK që lidhet me vetëvrasjen)

Çdo ditë, prej orës 11:00 – 14:00 dhe 16:00- 19:00, studentët e mjekësisë dhe psikologjisë do të jenë të pranishëm në hapësirën ekspozuese.

Xhafa, një artist aktiv, ka ekspozuar në Zona Arti Contemporanee, në Maxi në Romë, në Ludwig Museum në Budapest, në 21st Century Museum of Contemporary Art Kanazawa në Japoni, mes tjerash. / KultPlus.com

“Buzë lumit Piedra u ula dhe qava”

fragment nga Paulo Coelho
perkthimi ne shqip nga D. Taçe

Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijme ta kontrollojmë. Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet. Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh.
Ky vogëlush është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin. Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brënda nesh. Lum fëmijët sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim. Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet i vetmuar se ne nuk e dëgjojmë thuajse kurrë. Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme. Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve. Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën.

Ja çfarë shkruhet në statujën e Skënderbeut në Romë (FOTO)

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, gjendet kudo në botë. Këtë vit Skënderbeu shënohet edhe 550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, shkruan KultPlus.

Një ndër statujat e Skënderbeut gjendet edhe në Romë, ku ky vend ka shkruar edhe një frazë poshtë statujës.

Nën statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Romë shkruhet:

“Roma përkujton 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, mbrojtësit të Qytetërimit Perëndimor”.


Ndërtesat kufitare të Alban Mujës, të enjten në Plovdiv të Bullgarisë

E enjtja e kësaj jave do ta gjejë qytetin Plovdiv në Bullgari me një ekspozitë interesante.

“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë.

Me 12 fotografi të 12 ndërtesave kufitare të shteteve të Shengenit të BE-së, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe artisti Alban Muja, me punën artistike “Borders Without Borders”.

Në ekspozitën “Migrimet e frikës”, Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin.

Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.

Artistit kosovar, në ekspozitën e cila vjen si pjesë e projektit të Plovdivit si Kryeqytet Evropian i Kulturës 2019, do ti bashkohen edhe artistët Azra Aksamija, Nika Autor, Lana Cmajcanin, Petya Dimitrova, Fanni Futterknecht, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Kamen Stoyanov, Ute Richter, Borjana Ventzislavova & Mladen Penev dhe Clara Wildberger, të përzgjedhur nga kuratorët Ilina Koralova dhe Boris Kostadinov, shkruan KultPlus.
Artistët janë angazhuar të shpalosin inspirimin e tyre rreth frikës nga varfëria, nga statusi social, frikës nga e njohura dhe e ndryshmja dhe frikës së të humburit të lirisë personale.

Artisti ka treguar për KultPlus se projekti është ende në proces dhe nuk ka përfunduar i gjithi. E njëjta punë artistike është momentalisht pjesë e Autostrada Biennale në Prizren ndërsa ekspozita “Migrations of Fear” do të hapet më pas edhe në Lajpcig dhe në Slovenj Gradec. / KultPlus.com

Fotoja kryesore: Pranvera Muja

Kur regjimi i Millosheviqit mbyllte shkollat shqipe në vitin 1992 (VIDEO)

Fillimi i vitit shkollor gati para dy dekadave në Kosovë ishte një sfide e madhe për shqiptarët e Kosovës.

Ky është një reportaszh i panjohur nga televizioni BBC, që sjellë kujtime të rënda të asaj periudhe të vështirë të historisë së Kosovës.

Regjimi okupator serb kishte mbyllur të gjitha objektet shkollore në gjuhën shqipe, dhe siç shihet në reportazhin e televizionit BBC, nxënësit dhe mësuesit shqiptarë prisnin jasht objektit shkollor të cilin e kishin mbyllur policia serbe, duke detyruar shqiptarët që mësimet ti mbajnë nëpër objekte e shtëpi private.

Në video shihet një mësues dhe nxënës i rrahur brutalisht nga policia serbe. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=V4sx3qdYC1s

Vaçe Zela, historia e sëmundjes dhe vetmisë në Bazel të Zvicrës

Vitet e fundit të jetës së Vaçe Zelës nuk ishin një pleqëri e ëndërruar.

Këngëtarja e madhe shqiptare, një zë i fuqishëm dhe i papërsëritshëm, ndërroi jetë në vitin 2014-të në Zvicër.
Atje ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.

Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen.

“Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo lufton sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.

Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj nuk ishte i fortë, shkruan KultPlus.

Irma, vajza e saj, emocionon kur flet për nënën e saj dhe sëmundjen.
“Tani, mami bën terapi intensive në një klinikë, spital – ditor i thonë këtu, pastaj i kthehet shtratit të saj, ku kërkon rehatinë shpirtërore dhe trupore. Ajo është në gjendje të tillë shëndetësore saqë edhe për të, edhe për ne, e vetmja temë diskutimi është shëndeti i saj” tregon Irma.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

Vaçja ndërroi jetë në shkurt të vitit 2014-të.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Vaçe Zela është kthyer në idhullin e shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe historisë së muzikës shqiptare zërin e saj të artë. / KultPlus.com

Dua Lipa sjellë versionin akustik të “New Rules” (VIDEO)

Dua Lipa në një videoincizim e ka sjellë versionin acoustic të këngës New Rules.

Kënga e cila e pozicionoi Dua Lipën në vendin e parë në Angli, madje duke e parakaluar edhe suksesin e Adele, vjen me versionin acoustic dhe në Twitter madje po shkruhet se ky version është më i mirë se origjinali, shkruan KultPlus.

Videoklipi New Rules ka rreth 170 milionë shikime në Youtube dhe mbetet kënga më e dëgjuar momentalisht në Angli, por edhe në shtete të ndryshme të Evropës.

Versionin acoustic të këngës dëgjojeni këtu: