Charles Bukowski: A jemi në shoqëri të mirë kur jemi vetëm?

“Unë kurrë s’kam qenë i vetmuar. Kam qenë në një dhomë – jam ndier vetvrasës. Kam qenë në depresion. Jam ndjerë i tmerrshëm – i tmerrshëm përtej gjithçkaje – por kurrë nuk e kam ndjerë se dikush do të futet në dhomë dhe do ta shërojë atë që jam duke e ndjerë… ose ndonjë numër më i madh i njerëzve.

Me fjalë të tjera, vetmia është diçka me të cilën asnjëherë s’kam qenë i shqetësuar.

Do ta citoj Ibsenin: “Më të fortit janë më të vetmuarit.” Unë kurrë s’kam menduar që një bjonde e bukur do të vijë tani, të bëjmë qejf dhe pastaj unë do të ndihem mirë. Jo, kjo nuk do të ndihmonte.

E dini këtë frazën e zakonshme të turmave “wow sonte është e premte, çfarë do të bëni? Do ta kaloni natën i ulur këtu?” Po, sepse nuk ka asgjë atje jashtë. Është vetëm marrëzia. Njerëz të marrë që shoqërohen me njerëz të marrë. Lërini le ta marrosin veten.

Unë kurrë s’kam i shqetësuar me nevojën për të nxituar jashtë gjatë netëve. Unë fshihem në bare sepse nuk dua të fshihem në fabrika. Kjo është e gjitha. Më pëlqen vetja. Unë jam forma më e mirë e dëfrimit që e kam. Le të pijm edhe më shumë Venë.”

– Charles Bukowski

Një poezi

Jam Shpëtim Selmani.
Motherfucker i shkencës së njohjes njerëzore.
Endacak bastard i rrugëve ku u vra shpirti.
Dhe nderi. Dhe turpi. Dhe faji. Dhe arsyeja.
Po endem atypari.
Unë dhe macja
Pa sy e Edgar Allan Po-esë.
Ende kam mundësi të bëj marrëveshje
Të fshehura me veten.
E vetmja lumturi në duar.
Po merrem me teatër. Teatri
Tjetër, dhuratë nga perënditë
Është një shfaqje pa shije
E mbipopulluar nga aktorët e këqinjë.
Jam kundër të gjitha qeverive.
Jam kundër të gjitha bashkësive atdhetare.
Dhe lirisht mund ta përdhosni
Idenë time sakate, e cila qëndron e varur
Nëpër shtyllat elektrike.
Shkruaj poezi. Kohëve të fundit
Më duket se të gjitha janë të njëjta
Dhe habitem me veten pse nuk
Heq dorë nga kjo gjë.
Por kur ndalem e mendoj.
Mendja e qenies njerëzore
Është një shkëmb fanatik
Që duhet të cahet në dysh.
Kam vibrime të frikshme kur
Gjëra të liga më rrethojnë.
Në mes errësirës rri i heshtur,
Vështroj dhe ha thonjët.
Jam romantiku i fundit
Hedhur si copë trëndafili
Në planetin e pajetueshëm.
Shel Silverstein është
Miku im më besnik,
Ngase nuk e njoha kurrë.
Jam Shpëtim Selmani.
Edhe nëse nuk do të isha
Nuk do të kishte farë rëndësi.
Fund e krye i rrahur nga
Grushtat e realitetit.
I dëbuar politikisht.
I urryer nga bombëkurdisësit.
I bekuar nga një grua
Dhe tragjikisht i zbathur në
Fushën e madhe të prushit.
Përgjithmonë hajvan vetmitar duke i dhënë
Botës dicka, për të cilën ajo nuk
Ka fare nevojë.
Një poezi.

Shpallen fituesit e edicionit të tetë të Festivalit Anibar

Edhe këtij edicioni të Anibar i erdhi fundi, pas një jave shumë të ngjeshur me shfaqjen e filmave konkurrues, jo-konkurrues, programeve të filmave, prezantimeve, dhe punëtorive, thuhet në njoftimin e dërguar nga Anibar.

Të përzgjedhur prej 2700 filmave nga stafi i Anibar në kategoritë: Student Competiton, International Competition, Ballkan Competition dhe Music Video, janë si më poshtë.

Juria këtë vit është përbërë nga 9 pjesëtar dhe e ndarë në Grand Jury dhe Student Jury, juri kjo e cila ka qenë vazhdimisht duke përcjellur filmat dhe të cilët vlerësimin e kanë bërë në bazë të kritereve që kanë vlerësuar storien, efektet speciale, dhe teknikën e përdorur të animacionit.

Këtë vit, juria e studentëve e përbërë prej Jeta Dobranja, Edvin Susuri, Andi Gola dhe Lunik Berisha , kanë zgjedhur këta filma:

Çmimi kryesor

Oh, Mother nga Polonia, Regjisore Paulina Ziolkowska

“Ne kemi vendosur të shpërblejmë filmin që ka një nga tregimet më të afërta me stilin e artit minimalist dhe poetik. Ajo tregon një histori të lidhjes midis nënës dhe fëmijës, por në përgjithësi gjithashtu flet për bashkëvarësinë njerëzore nëpërmjet tregimit metaforik, përdorimit të zgjuar të humorit vizual dhe tranzicionit të rrjedhshëm të animacionit”, thuhet në njoftim.

Përmendje e veçantë

Juliette nga Belgium Regjisor Lora D’Addazio

Filmi ka dizajn të madh të karakterit dhe animacion dhe ngjall një humor shumë të fortë dhe të errët. Duke përdorur një profilizim të mirë psikologjik të karaktereve të tij dhe në sajë të simbolikës fetare ajo tregon një histori intenzi të psikozës së të rriturve.

Përmendje e veçantë

Tough nga Mbretwria e Bashkuar, Regjisor Jennifer Zheng

Ne kemi vendosur të përmendim një film të gjallë dhe të thjeshtë, që tregon një histori për gjuhën dhe ndikimin e saj në kulturën dhe identitetin tonë. Ne e shohim këtë nëpërmjet një bisede personale midis nënës dhe vajzës së saj të shoqëruar nga drejtimi i madh dhe simbolizmi vizuel.

Përmendje e veçantë

It’s a Date nga Shtetet e Bashkuara,, regjisor Zachary Zezima

Filmi ka një histori rastësore të dy personave që na tregojnë se tiparet dhe interesat e të gjithëve janë të veçanta edhe pse mund të duken të alienuar në fillim. Duke pasur humor të veçantë, përdorimi i madh i dizajnit të ngjyrave dhe karaktereve ka një komplot shumë të afërt dhe kimi mes protagonistëve të saj.

Ndërsa, Grand Jury për kategorinë ndërkombëtare ka përzgjedhur:

Përmendje e Veçantë

Ogre nga Laurene Braibant nga Franca

Në këtë film të dizajnuar bukur dhe të animuar, audienca ndjen pa rehatinë me çdo kafshim që merr karakteri. Me një transmetim magjepsës dhe një animacion me nofull, ajo merr përparësi të përsosur të mediumit.

Përmendje e Veçantë

Pussy nga Renata Gasiorowska nga Poland

Kënaqësia e femrës është një temë e rëndësishme, që ky film prek me mjeshtëri momente qesharake. Drejtori kënaqet me një dizajn të thjeshtë, të gjallë dhe animacion që është plot karakter.

Përmendje e Veçantë

Nighthawk nga Spela Cadez nga Sllovenia

Një temë e errët dhe prekëse eksplorohet në një mënyrë të shkëlqyeshme teknikisht dhe vizualisht. Veçanërisht e jashtëzakonshme është se si ky film arrin të kombinojë elemente nga rrëfimi narrativ dhe jo-narrativ, duke na marrë në një udhëtim bindës.

Fituesi

Nothing Happens nga Michelle and Uri Kranot, nga Denmark

Subjekti i filmit komenton mbi natyrën vëzhguese të shoqërisë sonë modern, diçka gjithnjë ndodh kudo, ndërsa ne të gjithë e mbyllim syrin. Hypnotizuar me një masazh të jashtëzakonshëm, ne zgjoheshim shumë vonë për të vepruar. Të gjithë e dëgjuam të shtënën.

Ne kategorinë Music Videos fitues është:

Përmendje e Veçantë

GastaLoops nga Nicola Gastaldi nga Mbretëria e Bashkuar

Në këtë video muzike, çdo sekondë është një shpërthim idesh, i sinkronizuar me ritmet e muzikës. Është një vizual magjepsës dhe i mençur

Fitues

Zapaska nga Oleg Shcherba nga Ukraina

Grafikisht interesante dhe e sinkronizuar bukur me muzikën, ky animacion na lejon që të ulemi dhe të shijojmë udhëtimin. Qasja e tij e mençur e dizajnit grafik ofroi një përvojë të mrekullueshme të shikimit, duke përdorur çdo inç brenda dhe madje jashtë kornizës.

Ne kategorinë Ballkan Competition fitues është:

Përmendje e Veçantë

20 Kicks nga Dimitar Dimitrov nga Bullgaria

Kalimet ndonjëherë aq të mençura të këtij filmi na kaplon nga korniza e parë. Thjeshtësia e dizajnit i lejon shikuesit të përqendrohet tërësisht në animacion dhe të gëzojë rrjedhën e ndërlidhur dhe interesante të ndërgjegjes.

Fitues

Wicked Girl nga Ayce Kartal, nga Turkey and France

Idetë të mëdha dhe detaje të vogla; Errësira dhe drita; Ashpërsi dhe ndjeshmëri; Kundërshtarët takohen në këtë film, duke krijuar konflikt të bukur. Duke përcjellë procesin e mendimit të fëmijës, diskutimi mes asaj që dëgjojmë dhe shohim është hartuar me mjeshtëri. Ky film na ka lënë të qetë për shumë kohë.

Peticion për shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë

Projekti Njëkomb dhe Dardania Sacra kanë nxjerrë në internet- online një peticion për ndërtimin e një shtatoreje të heroit Adem Jashari në Prishtinë.

“Ky peticion bëhet për vendosjen e shtatores së heroit të kombit, Adem Jashari në Prishtinë e cila tash e 18 vite i ka munguar kryeqytetit të Kosovës, kjo është është një mungesë e madhe dhe një mospërfillje e institucioneve gjegjëse e të cilat janë: komuna e Prishtinës dhe qeveria e Kosovës. Vendosja e shtatores së heroit është një detyrim moral për të nderuar veprën e tij dhe kontributin e familjes Jashari për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ne i bëjmë thirrje qeverisë dhe komunës së Prishtinës që sa më parë të merret vendimi për vendosjen e shtatores së heroit, Adem Jashari!” shkruhet në konceptin e nxjerrë nga ky peticion. / KultPlus.com

https://www.change.org/p/dardania-sacra-dhe-projekti-njekomb-com-t%C3%AB-vendoset-shtatorja-e-heroit-t%C3%AB-kombit-adem-jashari-n%C3%AB-prishtin%C3%AB

Në Turqi, mësimi i parë në gjuhën shqipe do të jepet në Izmir

Kryetari i Qendrës për Hulumtime Strategjike të Ballkanit (BASAM), Rıfat Sati, thotë se vendimi për përfshirjen si lëndë me zgjedhje të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në shkollat e mesme të ulëta, është mirëpritur nga qytetarët me origjinë nga Ballkani në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sait në një deklaratë me shkrim duke rikujtuar se gjuha shqipe dhe ajo boshnjake janë futur në programin shkollor si lëndë zgjedhore, thotë se kjo është pritur pozitivisht nga emigrantët e Ballkanit në Turqi.

Mësimi i parë në Izmir

Pas përcaktimit së gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake si lëndë me zgjedhje për mijëra nxënës të 150 shkollave në Turqi, Sait, bën të ditur se Ministria e Arsimit të Turqisë ka nënshkruar protokoll bashkëpunimi me Rektoratin e Universitetit të Trakya-s, për përgatitjen e materialeve mësimore.

“Ministri i Arsimit İsmet Yılmaz dhe zv/ministri Orhan Erdem treguan përpjekje të mëdha që gjuha shqipe dhe ajo boshnjake të vendosen si lëndë me zgjedhje. Ne si komuniteti i Ballkanit i falënderojmë shumë. Në Izmir jetojnë një numër i madh të bashkatdhetarëve tanë nga Ballkani. Ne u takuam edhe ministrin e Arsimit, İsmet Yılmaz, i cili tha se ai do të marrë pjesë dhe shpresojmë që gjatë muajit tetor edhe me pjesëmarrjen e ministrave të Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës, me një organizim të bukur në Izmir do të jepet mësimi i parë në gjuhën shqipe”.

Autostrada Biennale e bën Prizrenin qytetin e debatit dhe ekspozitave të rralla

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale (AB) hapi ekspozitën me fotografi në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit dhe në të gjitha hapësirat në qytetin e Prizrenit, përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit, që është njëra nga hapësirat e Autostrada Biennales u hap ekspozita me fotografitë e hapësirave dhe objekteve kulturore e fetare të qytetit të Prizrenit nga vitet e para të shekullit të 20 deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtat fotografi mund të shihen edhe versionet aktuale të objekteve të ruajtura të këtij qyteti. Po ashtu në hamam u zhvillua edhe diskutimi me temë “Kufijtë e qytetit” ku folës ishte Manray HSU (kurator i këtij edicioni të Autostrada Bienale), Eliza Hoxha, Yehuda Safran (SHBA) dhe Edi Muka (Shqipëri), në kuadër të konferencës ndërkombëtare të AB-së.

Gjatë diskutimit folësit theksuan nevojën dhe ndjesinë që kanë qytetarët e Kosovës për të qenë pjesë e një bote më të gjerë.

Lidhur me organizimin dhe ecurinë e Autostrada Biennale-s, udhëheqësi i ekipit dhe themeluesi i AB-së, Leutrim Fishekqiu, në një intervistë për AA-në theksoi se që nga data 21 gusht të gjitha hapësirat e AB-së janë të hapura për publikun deri më 23 shtator.

Fishekqiu duke vënë theksin tek ideja inovative e Bienales së Stambollit dhe Venecias theksoi se me Autostrada Biennale ata kanë vendosur që ta zhvillojnë një ide të tillë inovative në Kosovë. “Të gjitha veprat e artit janë të shpërndara në hapësirat e Prizrenit. Kjo është ajo magjia e AB-së ku një qytet pa galeri po e shndërron totalisht në një muze ku të gjitha hapësirat si shtëpitë e vjetra, muzetë pra edhe stacioni i autobusëve po shndërrohen në galeri”, u shpreh Fishekqiu.

Fishekqiu tha se kanë punuar me një ekip të gjerë për përgatitjen e bienales ku sipas tij, kuratori i edicionit të parë të AB-së, Manray Hsu, nga Tajvani është një njeri që ka sjellë një përvojë të re në rajon. Ai theksoi se Hsu ndodhet në Prizren qe një muaj ku ka punuar së bashku me ekipin për t’i shndërruar hapësirat dhe objektet e trashëgimisë kulturore në galeri të artit.

Duke folur edhe për aktivitetet e ndryshme të AB-së, Fishekqiu u shpreh se do të ketë aktivitete të ndryshme edukative. “Kemi organizuar një konferencë tre ditore e cila ka filluar më 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më datën 22 gusht e quajtur “E ardhmja e kufijve” (The Future of Borders) e cila është edhe tema e edicionit të parë të AB-së. Ndërkaq ditëve në vazhdim të gjitha hapësirat do të jenë të hapura ku do të shtohen edhe disa hapësira kreative kryesisht nëpër hapësira publike”, tha Fishekqiu.

Ndryshe, gjatë bienales do të realizohen intervenime artistike në shtëpitë e vjetra të qytetit. Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor. / KultPlus.com

Shpëtim Selmani, shkrimtari i muajit gusht në rezidencën letrare në Tiranë

Shpëtim Selmani (Kosovë, 1986) është mik gjatë muajit gusht në Programin “POETEKA – Tirana in Between”.

Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit evropian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas.

Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi “Brenda Gucës”, në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin “Poezi”, ndërsa “Shënimet e një Grindaveci” u botuan nga “Qendra Multimedia” në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore “Tulla”.

Shpëtim Selmani është një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës. Në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adoptimi i saj për nën qiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tija sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes.

“Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe vecantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admirojë atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme”
Vladimir Arsenijevic , Shkrimtar.

Leze Qenës i dhemb zemra për Katarinën dhe Meribanin

Leze Qena, një prej aktoreve më simpatike e të lezetshme shqiptare, tregimin e saj në skenë e ka të pafund.

Rolet e saj në televizion e në teatër, ndër vite, me personazhe të ndryshme, e kanë formësuar në një grua e cila ka buzëqeshjen në rend të parë dhe humorin në rend të dytë. Vuajtja sikur nuk zë vend brenda saj, ose është kaq mirë e fshehur.

“Katarina Josipi dhe Meriban Shala kanë qenë dy shoqe dhe dy kolege që rrallë mund të gjenden! Se, aktorët janë si fëmijët, janë edhe xhelozë, edhe.. Unë nuk kam parë njerëz të jenë pa fije smire mes tyre, por, thjesht, të vuajnë njëra për tjetrën. Kur ka vdekur Meribani, shumë e re, 24 vjeçe, Kati vuante për të dhe shpesh qante. Unë dhe Xhevati shkonim, e dinim pse ishte e mërzitur. Meribanin unë e kam parë te shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, o Zot ai aktronte, e kam parë edhe te “Mirandolina”, ndërsa në shfaqjen “Nuk martohem më parë” kam aktruar me të” tregon rrëfimin e saj aktorja Leze Qena përballë Sanije Gashit.

Leze Qena duket se me këto dy aktore ka pasur shoqëri përtej aktrimit. Tri aktore me të njëjtin shpirt, vështirë se mund ti ndajë diçka, qoftë këtu edhe vdekja.

“Me Katin, ndërkaq, më ka rënë të luaj më shpesh. Kati është e pazëvendësueshme! Kush e ka parë në shfaqje, e di, kush nuk e ka parë – gjynah” tregon Leze Qena.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. / KultPlus.com

Ndërron jetë aktori Sotiraq Cili

Regjisori dhe aktori Sotiraq Cili është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga Teatri i Korçës ku Cili zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Sotiraq Cili lindi në Korçë më 15 mars 1942. Ai është i njohur dhe për interpretimet në kinematografi.

Filmi i parë ku ai mori pjesë ishte « Flamur me dallgë » më vitin 1970, të të vijuar më pas me « Një udhëtim i vështirë », « Tomka dhe shokët e tij », « Gjeneral Gramafoni » , « Pas gjurmëve », « Një natë nëntori »,« Karnavalet », »Prita », « Vjeshtë e nxehtë », etj. Në vitin 1988 ai interpretoi në filmin Rikonstruksioni me regji të Vladimir Kasaj dhe skenar të Vito Koçit. “Kronikë e një nate”, është filmi ku ai interpretoi në vitin 1990, nën regjinë e Esat Ibros dhe skenar të Bashkim Hoxhës.

Darka e fundit e komandantëve..

Shkruan: Egzon Kryeziu

Ju komandantë, në ditën që do bëni pazaret dhe do uleni në kolltuqe, atë mbrëmje shtrojeni një darkë, bëjeni me doemos.
Të jetë darkë lamtumire.

Të pastrehët e skamnorët, ftojini,u folni për lukset tuaja modeste, mandej shihni me ngërdheshje teksa i perbijnë lotët.
Ftojini edhe fëmijët, gratë e burrat, ata me flokë të rëna nga kanceri a leukemia dhe u tregoni drejtë, thuajini që do të vdesin në mungesë spitalesh.

Studentët t’i ulni në rendet e para, shikojini drejtë në sy dhe kërkoni prej tyne të heqin dorë nga ëndrrat.
Policët, gjykatësit, prokurorët, mjekët, profesorët e doganierët, dehni, pastaj ashtu të dehun prej secilit kërkoni betimin për servilosje, detyrojini të nënshkruajnë.
Akademikëve t’i bëni vend në qoshe, t’i ngopni, pastaj prisni derisa të degustojnë verën, mandej ua leni bakshishet, kështu e bleni heshtjen e tyne.
Gazetarët e ata që guxojnë të ngrisin zërin pritni tek dera dhe goditini fortë me çka të mundeni, frikësojini.
Këtë le ta bëjnë zagarët tuaj, ju mos e prishni terezinë.
Festoni për kolltuqet e për pushtetin, ngreni dolli , çlirimtarë e tradhëtarë krahë për krahë.

Ju tuxharë që mbani kuletën, darkën ta paguani me paratë tona, hallall ua bëjmë.

Në darkë të na ftoni, aman.
Dorën me të cilën luftuat na vëni përpara, ne ua puthim, atë tjetrën me të cilën vodhët ta fshehni bëni mirë se me te nenshkruat turpin.

Ndaj mos na fyeni pse ua themi në sy qe iu kanë vdekur idealet, komandantë.

Nënë Tereza ishte motivim për Princeshën Diana

Janë zbuluar letra të Princeshës së ndjerë, në të cilat ajo tregon se si takimi me Nënën Terezë i kishte ndryshuar jetën, dhe se si Nëna Terezë e kishte inspiruar që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Në letrat që janë zbuluar, Diana tregon se si Nënë Terezë dhe murgeshat i kishin ndihmuar të kishte zgjim shpirtëror në momentet e saj më të vështira.

Ajo kishte vizituar jetimoret në Kalkutë në vitin 1992, në kohën kur ajo kishte probleme të mëdha në martesën e saj me princin Charles.

Në një letër ajo ka thënë: “Sot diçka shumë e veçantë ka prekur jetën time. Kam vizituar shtëpinë e Nënës Terezë dhe kam gjetur rrugën të cilën kam kërkuar me vite”.

Shërbëtori personal i princeshës së ndjerë, Paul Burell, ka thënë se pas vizitës në Kalkutë, dhe pasi ka parë me sytë e saj fëmijë të sëmurë dhe në prag të vdekjes, ajo u bë më spirituale dhe fillojë të merrej më shumë me bamirësi.

Ai gjithashtu shtoi se ajo me Nënën Terezë tashmë kishin një lidhje të veçantë shpirtërore, dhe se puna e saj dhe përkushtimi i Dianës ndaj njerëzve në nevojë, ishin inspirim për shumë princesha tjera në glob, ka shkruar Mirror.

Diana kishte thënë se ajo as që mund t’i afrohej Nënës Terezë dhe punës së saj, dhe se ajo ishte shumë e vogël në krahasim me të.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj me hapat e saj”, kishte thënë ajo.

Burell ka shtuar se Nëna Terezë i kishte dhuruar princeshës një palë rruaza të shenjta, dhe se kur kishte shkuar ta shihte Dianën në spital natën e aksidentit, kishte parë se Diana kishte vdekur me to mes duarve të saj. / KultPlus.com

Audienca në Japoni mahnitet nga Dua Lipa (VIDEO)

Dua Lipa ka mahnitur audiencën me koncertin e saj të mbrëmshëm në Tokio të Japonisë.

Këngët e kosovares e kanë ndezur atmosferën në Summer Sonic Festival, ndërsa sot ajo do të performojë në Osaka.

“Një prej koncerteve më të mira për mua” ka shkruar Lipa në Instagram derisa ka postuar fotografi të atmosferës. Duke se japonezët janë të dashuruar me këngët e Dua Lipës, shkruan KultPlus.

Nga data 22 shtator Dua do ti bashkëngjitet në turne Bruno Marsit. / KultPlus.com

Ky është programi për sot i Autostrada Biennale në Prizren

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, vazhdon sot në Prizren, me organizimin e konferencës ndërkombëtare treditore “E ardhmja e kufijve”.

Në sesionin e sotëm “KUFIJT DHE DREJTËSIA”, me fillim nga 13:30, në Hamamin Gazi Mehmet Pasha, do të diskutohet për: Kufijtë – çfarë janë ata? Kur nevojiten? Çfarë i bën ata të dobishëm? Çfarë i bën ata të dëmshëm? Si ndikojnë ata në shoqëri?

Përderisa çështjet aktuale të kufirit në lidhje me refugjatët, emigrantët, personat pa shtetësi dhe të margjinalizuar janë pjesë qendrore e politikës dhe drejtësisë, për të tjerët është pjesa kryesore e demokracisë.
Përveç pretendimeve të të drejtave të njeriut, si mund të adresohet drejtësia, nëse nuk adresohet shumëllojshmëria e kufijve të saj?

Ndërsa kufijtë kombëtarë ndërthuren me diversitetin kulturor, drejtësia sociale është e ngarkuar me një tepricë historike dhe tregime gjeografikisht të çuditshme.
Atëherë, si përkon kërkimi i drejtësisë me formimin e subjektivitetit, për shembull, nga mjetet e protestës dhe rrëfimet? Kur masat migrojnë nëpër të gjithë kufijtë, si mund të përballojnë shtetet moderne demokratike krizën e menjëhershme në sistemin social? Pse duhet njerëzit të migrojnë në fund të fundit? A ekziston një ekonomi e politikës kufitare e lidhur me të dhe nëse po, si ndikohet shoqëria prej saj?

Në sesionin e parë, të organizuar në bashkëpunim me Firedrich Ebert Stiftung, panelistët janë : Manray HSU (kurator i këtij edicioni të Autostrada Bienale), Frank Hantke, Drejtor i zyrës së Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Prishtinë dhe Veton Surroi , ish-redaktor i gazetës Koha Ditore, publicist dhe analist politik.
Sot do të bëhet prezantimi i artistëve: Rena dhe Vladan (Serbi); Libia Castro (Spanjë) dhe Sead Kazanxhiu (Tiranë, Shqipëri).
Brenda sesionit të sotëm të konferencës, katërshja Haveit do të ketë një performancë artistike.

Ekspozita ndërkombëtare e hapur mbrëmë për shikim paraprakvazhdon të jetë e hapur edhe sot nga ora 12 – 18 për të ftuar dhe media të akredituara.

Hapja e ekspozitës për publikun do të bëhet të hënën, më 21 gusht, nga ora 12:00 në tëgjitha hapësirat e në Prizren, përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë.

Ekspozita ndërkombëtare “E ardhmja e kufijve”, së bashku me ngjarjet e saj diskursive dhe pedagogjike, do të shikojë: Si funksionojnë shtetet kombëtare dhe sistemi i tyre për të politizuar (ose depolitizuar) identitetet kulturore, për të territorizuar zonat natyrore, kulturore dhe ekonomike nën konkurrencën kapitaliste dhe gjenerimin e fitimit? Si përballen rezistencat lokale dhe rajonale me strategjitë gjeopolitike të sistemit shtetëror? Si përdor lëvizja qytetare mjete të ndryshme, artistike dhe të tjera, për të trajtuar problemet e kufirit, për të ndërtuar identitete lokale apo koalicion ndërkufitar?

Gjatë këtij rrugëtimi artistik që do zgjasë deri më 23 Shtator 2017, do të adresohen me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive. / KultPlus.com

Giovanni Belluscio: Gjuha shqipe ruhet mirë në Italinë Jugore

Ruajtja e gjuhës së Arbërit në Italinë Jugore, ka ndodhur si një proces natyror, pasi që nëpër shtëpitë arbëreshe është folur shqip.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress albanologu arbëresh Giovanni Belluscio, i cili ka ardhur në Prishtinë për të ndjekur seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Belluscio thotë se përfaqëson një seri të madhe arbëreshësh që kanë ardhur qysh prej viteve të 70-ta për të ndjekur seminarin e Gjuhës Shqipe.

Ai ka vlerësuar seminarin duke e konsideruar atë si ambasadorin më të mirë për albanologjinë në botë, madje, shpreson që tradita e seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare të vazhdojë me kushte edhe më të mira nga ato që janë sot.

“Ka disa vite që vijë këtu në Kosovë, në Prishtinë. Kam ndjekur edhe një seminar në 96-ën, kur kushtet ishin jo shumë të mira këtu. Përshtypjet janë gjithmonë shumë, shumë të mira. Seminari vazhdon me një traditë të gjatë dhe ka shumë persona që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Unë si italian, por sidomos si arbëresh, përfaqësoj një seri të madhe arbëreshësh që kanë ardhur këtu prej viteve 70-të për të ndjekur seminarin. Një pjesë e tyre janë bërë edhe pedagog në universitetet italiane”, tha ai.

Ai ka treguar se së pari ka folur shqip, ndërsa thotë se italishten e ka mësuar në shkollë.

“Jo nuk ka qenë e vështirë,ishte gjuha e vendit, domethënë si në të gjitha vendet, është gjuha që fëmijët mësuan. Unë për shembull mësova gjuhën e vendit, e fshatit tim sepse linda në fshat, linda në një familje arbëreshe ku përdorej arbërishtja dhe arbërishtja ka qenë gjuha ime e parë, para italishtes. Unë italishten, brezi im e ka mësuar në shkollë italishten, nuk ishte gjuhë e përdorur në shtëpi”, tha ai.

E se gjuha shqipe mësohet edhe në universitetet italiane, albanologu arbëresh thotë të ketë madje edhe italianë që ndjekin mësimet e shqipes.

“Nga pikëpamja shkencore kemi disa universitete në Itali ku jepet shqipja, edhe si gjuhë edhe si letërsi. Dhe pastaj ka katedra në Kozencë, në Palermo, në Napoli, në Romë, në Venecia ku ka jo vetëm studentë arbëresh por edhe studentë italianë që ndjekin kurse të gjuhës dhe disa prej tyre pastaj zgjedhin të bëjnë tema përkatëse për të mbaruar karrierën e tyre universitare”, tha ai për.

Mirëpo, Belluscio shpreh shqetësimet e tij sa i përket rënies demografike në disa fshatra të Italisë Jugore, gjë që sipas tij, paraqet rrezik për gjuhën por edhe kulturën arbëreshe.

“Ka fshatra ku gjuha shqipe ruhet më mirë, disa fshatra të tjerë që janë italianizuar shumë pak dhe disa të tjera që janë në një situatë të themi jo shumë të mirë sepse nuk ka folës të rinj. Brezi i ri është shumë i vogël, do të thotë janë shumë pak folës dhe kur dihet që një kulturë në një vend ku nuk ka folës të rinj ka rrezik që të zhduket jo vetëm gjuha, por edhe kultura e vendit”, tha ai.

Ai shprehet i bindur se gjuha shqipe do të pësojë ndryshime brez pas brezi, ashtu sikurse që ka pësuar ndryshime nga koha e Gjon Buzukut.

“Ne arbëreshët kemi huazime nga greqishtja, kemi huazime nga sllavishtja, kemi huazime sidomos nga italishtja, pak huazime nga turqishtja sepse ne jemi shpërngulur sapo turqit kishin mbërritur në Ballkan dhe kështu nuk kemi huazime nga turqishtja siç ka shqipja sot. Mendoj se nuk është argument që na intereson si gjuhëtar, fakti se duhet të krijohen neologjizma nga brumi i shqipes, folësit flasin gjuhën dhe sipas përdorimit gjuha formohet brez pas brezi. Pas disa brezash gjuha shqipe do të jetë shumë ndryshe nga e sotmja, ashtu siç është sot ndryshe nga gjuha e Buzukut”, tha ai.

Izer Aliu pranon çmimin për regjisorin më të mirë në Norvegji (VIDEO)

Në një ceremoni që i përngjanë vetë ceremonisë së madhe Oscars, shqiptari Izer Aliu ka marrë mbrëmë çmimin e regjisorit më të mirë.

Kjo ka ndodhur në Amanda Awards në Norvegji, në çmimet e mëdha të kinematografisë norvegjeze, ku Aliu morri çmimin e regjisorit më të suksesshëm.

Aliu morri këtë çmim për filmin “Hunting Flies”, ndërsa kishte edhe disa nominime tjera me të njëjtin film në këtë ceremoni, shkruan KultPlus.

Filmi flet për një mësues i cili pasi largohet nga puna provon një sukses me studentët e tij, ku hyn në lojë edhe miqësia e armiqësia mes fshatit. Filmi u shfaq vitin e kaluar në Toronto International Film Festival ndërsa në rolin kryesor paraqitet Burhan Amiti, si mësuesi Gani.

Izer Aliu është ndër regjisorët më të mirë të gjeneratës së tij momentalisht në Evropë, ndërsa në Norvegji tanimë ka fituar famë dhe reputacion dhe këtë e tregon edhe çmimi i cili mbrëmë padyshim i erdhi me meritë. / KultPlus.com

Ndërron jetë mësuesja Nadire Dida

Ka ndërruar jetë sot mësuesja e dalluar Nadire Dida.

“Sot i pushoi zemra e madhe Mësueses Nadire Dida. Varrimi bëhet sot në ora 16:45 në Prishtinë, ndërsa pamja bëhet në shtëpinë tonë në Bërnicë të Epërme, 700m nga rruga Prishtinë-Podujevë në drejtim të fshatit Siqevë, nga e hëna deri të mërkuren” ka shkruar në Facebook djali i të ndjerës – Agron Dida.

Dida, kjo grua e madhe e shqiptarëve, ishte e martuar me Sedat Didën. Sedati, kryeredaktor i Rilindjes, gjatë jetës së tij u burgos disa herë prej regjimit të asaj kohe. / KultPlus.com

Për gratë që do ta pshtojnë këtë vend

Shkruan: Ada Halilaj

Asht Shkodër.

Ora 7 pa 10.

-Takohna te Bar Flo-më shkrun-Te truma e Dugajve të Reja,sa hyn në pedonale,majtas-më shpjegon kur i kërkoj me ma rifresku pak memorien e lokaleve në qytet.

Pres disa minuta.Humbas majtas e djathtas me sy e pendohem që s’kam marrë me vedi gjyslykt e miopisë.Sa turbullt shoh!Ma në fund vjen nga e djathta jeme.Me flokët deri në klavikul,me mollëzat e guximshme,me fustanin e paqtë.Duket sikur ka dalë nga krahnori i një stine bardh e zi.

Flasim pa pauza të ndërmjetshme.Unë xhestikuloj shumë.Ajo pin cigare mbas cigareje.Artikulon saktë,ftoftë,me vetëdije metalike.Nuk ma ndërpret fjalen asnjëgerë.Ka një durim të përsosun dialogu.Qesh rrallë,por nuk asht e trishtume.Asht e zemërume,ndoshta pak shtegtare!Ka luftë,zjerm e stuhi në çdo inç të sajin.Nuk përmbahet po as nuk zgidhet.I vjen era liri edhe pse çdo natë struket të i njejti kafaz,prej të cilit i asht mbledh nyje një dëshirë e shfrenume ikjeje.Një prerje Cezariane perfekte rrin midis saj dhe turmes.E prapë mbi atë tokë i lëshon kambët si dy kuaj të etun për vrap.E unë mendoj:Vajza si kjo do ta pshtojnë këtë vend.Pse?Sepse thotë të vërtetën pa iu dridh as zàni e as qërpiku,mbron të vërtetën pavarësisht se prej cilës gojë del.

Mendoj,ndërkohë që ajo porosit një lang frutash, që arti,poezia,e bukura nuk e pshtojnë botën.Ato e rindërtojnë nga thërrimja ma e imtë por kjo botë ka nevojë të dëshpërume për të vërtetën,sidomos atë që dhemb me çdo dhimbje që gjen përpara.Prandaj na duhet vajza si Brigela Demaj.

Prandaj asaj dhe plot vajzave dhe grave si Rreze Abdullahu,Oli Pero,Gresa Hasa,Elona Culiq,Adela Radovani,Sibel Halimi,Entela Tabaku Sorman,Eli Krasniqi,Arjola Zadrima,Valbona Quku Lishi,Vlora Kanushevci,Silvi Bakiri,Mirela Kapaj,Nina Cara,Egla Harxhi e shumë të tjera plot pasion,ironi,talent,shpirt e vizion, u jam mirënjohëse dhe u them falemnders,falemnders që s’pushoni udhëtimin shpresëdhanës të mendimit të lirë në një Shqipni e Kosovë të mbledhun grusht.

Këto gra janë gratë e zemërume,gratë me zà,me tamth,me qëllime dhe ideale,gratë e egra,gratë e protestave,rezistencës dhe anti-konformizmit,gratë që s’e kanë ndërmend me vdekë nën diktaturen e burrave apo nën hijen e modelit të gruas tradicionale shqiptare,i cili vazhdon ende me përfaqësu modelin e parë reference për vajzat e reja.Gruaja sot,edhe pse punon dhe kontribuon financiarisht në familje,ka makinë personale dhe del darkave me kolektivin e punës,vazhdon të mbahet fort për jaken e burrit,vazhdon ende ti mësojë vajzes si bahet byreku dhe djalit si luhet me shpatë,vazhdon me mbyll një sy kur e vret ajo që sheh dhe me ba nje vesh shurdh kur e indinjon ajo që ndigjon,vazhdon me çu përpara një mendësi të ç’armatosun nga dinjiteti dhe një trup që ka frikë t’i ngjitet malit.

Nuk na mungojnë gratë e forta në këtë vend,por gratë që ndihen krenare për forcën që kanë dhe nuk kanë turp të rrëfehen si të tilla.

Nuk na mungojnë gratë shembullore,po gratë që i ngjajnë andrrave që kanë dhe jo shembujve të trashëgum.

Nuk na mungojnë gratë e shkathta,por gratë që shkathtësinë individuale nuk ngurrojnë ta derdhin në kauza universale.

Nuk na mungojnë gratë inteligjente,por gratë që nuk ndihen superiore,të privilegjume apo ma të bukura se të tjerat.Na mungojnë gratë që nuk i vejnë kambën grave.

Nuk na mungojnë gratë e suksesshme por gratë që ndihmojnë në suksesin e të tjerave.

Nuk na mungojnë gratë luftarake,por gratë që mbasi kanë luftu trimnisht për lirinë e vedit,përkrahin edhe betejat e shoqeve.

Na mungojnë gra që flasin sidomos kur komandohen me besu që heshtja asht gjithmonë mike e mendjeve të urta.

Gra që reagojnë,sidomos kur urdhnohen me u mënjanu e me pa punën e tyne.

Gra që kur shohin gratë e tjera duke shku drejt humnerave,bashkohen me i ndërtu një urë.

Gra që nuk paragjykojnë gratë e tjera por ua ndigjojnë historitë deri në fund.

Na mungojnë gra që mbasi provojnë mëshirë,keqardhje dhe dhimbje,shpërvjelin mangët dhe në të voglën e tyne, pagzojnë ndryshime themelore.

Këto janë gratë që du.

Këto janë gratë që do ta pshtojnë të ardhmen..

Gra që nuk i xen vendi vend,që nuk rrinë gjatë me duart kryq në gjoks e që nuk ulen me fjetë pa i ba vedit dy pyetje e dy premtime.

Gra që dojnë fort gratë e tjera,duke e ditë se sa thika na ngulen në shpindë sapo shohim pak drejtë,duke e njoft mirë tokën e minume në të cilën shkelim përditë,duke dëshmu se shumica na e dojnë trupin,flokët,sytë,buzët e barkun por jo shpirtin.Shpirtin na e dhunojnë,na e ndryjnë,na e fshehin nën shtatë lëkura.

Gra që dhimbjet nuk i vejnë në gjumë por ua kërkojnë ilaçin.

Gra që s’më ngjajnë aspak,s’më dojnë aspak,s’më vlerësojnë aspak por që nuk tentojnë asnjëherë me m’i vra andrrat e me ma djeg lirinë.

I du gratë që besojnë në Zot po aq sa ato që n’Zot s’betohen kurrë…i du gratë që punojnë tokën e ata që punojnë në kulla vrojtimi,i du gratë-nana po aq sa gratë-gra,du gratë racionale dhe irracionale,gratë e vetmive dhe gratë që vetminë e trembin me gurë.I du gratë që zgjedhin vetë por nuk bajnë moral mbi zgjedhjet e të tjerave.

I du gratë që edhe kur nuk arrijnë me vu vetë dorë mbi ballin e jetës,e pranojnë përçmimin për shtypjen dhe nënshtrimin e nuk tregojnë përralla mbretnore tek të cilat nuk besojnë as fëmitë.

I du gratë që bajnë sa munden,por të paktën bajnë diçka.

I du gratë që shkaktojnë vorbull sociale (patriarkale),që bajnë zhurmë dhe që nuk i ngjajnë pritshmërive ekstreme:të shenjtes dhe përfeksionit.

I du gratë e vërteta,gratë e sinqerta,në të mirë e në të keq.gratë që flasin troç,të shohin në dritë të syve dhe nuk kanë frikë as nga kush je ti,as nga sa lekë ke në xhep,as nga sa njerëz të njohin atje jashtë.

I du pafundsisht këto gra,duke fillu nga gruaja që po shkrun,nga vedi.

Ada Halilaj : https://woman-being.com/2017/08/19/per-grate-qe-do-ta-pshtojne-kete-vend/

Si e humbi zërin Nexhmije Pagarusha në Sarajevë, në vitin 1984?

Këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ka një karrierë disavjeçare për tu lakmuar dhe kësisoj ka hyrë përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve.

Këngëtarja e “Bareshës”, megjithatë, dikur u zhgënjye për faktin se humbi zërin dhe nuk dha maksimumin e saj në skenë. Kjo do të ndodhte kur kulmi arriti në Sarajevë, në një performancë të sajën kur ajo u kritikua për performancën e saj.

Historinë e tregon vetë Bilbili i Kosovës – Nexhmije Pagarusha.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Resa

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

S’ke pâsë resë kurrë?
Hjèdhe gurin i pari!

S’ke frymue n’ ofsh për jetën e tjetrit?
I pari hjèdhe at’ gur!

S’ke kqyrë tuj kja, t’qeshunën matanë?
Hjèdhe i pari at gur!

S’ke kjâ n’vedi, pse tjetri âsht nji hap nelt?
Hjèdhe, n’mujsh at’ gur!

S’ke ândrrue jetën, qi jotja s’kâ me kenë?
Mshèfe at’ gur, n’xhepin mâ t’ fellë…

Kur një shqiptare del në ballinën e Spotify (FOTO)

Spotify ka zgjedhur këngëtaren shqiptare në ballinën e ditës së sotme të top hiteve.

“Today’s Top Hits”, sjell 50 këngët më të mira në botën e muzikës.

“50 më të mirët në botën e muzikës. Gjithmonë i freskët, gjithmonë i ri. Ballina: Dua Lipa”, shkruhet në ballinën e Spotify.

Thank you @spotify for making me the cover of Today's Top Hits. Love 💚

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Kurse Dua Lipa ka falënderuar Spotify që e ka zgjedhur atë që të jetë në ballinë.

“Faleminderit Spotify që më vendose në ballinën e ‘Today’s Top Hits’. Dashuri”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram. / KultPlus.com

HAVEIT, nesër pjesë e Autostrada Biennale në Prizren

Katër vajzat e kolektivit artistik HAVEIT janë në mesin e pjesëmarrësve në edicionin e Autostrada Biennale – organizim artistik që do të nisë sonte në Prizren.

HAVEIT, të njohura për performancat e tyre në rrugë dhe ndërhyrjet aty ku vajzat e kanë parë të nevojshme, do të jenë pjesë e Autostrada Biennale me datë 20 gusht, këtë të diele.

“Do ti shfaqim katër video të titulluara “Kur baba kajke, nana mi lajke sytë”, ndërsa poashtu do të kemi edhe një performancë” tregon Hana Qena nga HAVEIT, për KultPlus.

HAVEIT do të paraqiten në ora 15:30 tek Hamami i Prizrenit, të dielën e 20 gushtit.
HAVEIT këtë vit do të jenë të pranishme edhe në disa ekspozita tjera në Prishtinë. HAVEIT përbëhet nga Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj dhe Alketa Sylaj ndërsa ato kanë performuar e ekspozuar në Stokholm, në Itali, në Tiranë, Greqi e në vende tjera. / KultPlus.com

Cigarja e Sandër Prosit gjatë xhirimeve të “Plumba Perandorit” (FOTO)

Një film ka gjithnjë dy histori. Atë që shfaqet në ekran dhe atë përtej tij që i përket grupit të punës që e realizuan atë.

Kohët kur xhirohet një film janë më të bukurat në jetën e aktorëve dhe regjisorëve, pavarësisht sfidave dhe vështirësive për të realizuar karaktere apo ndërtuar ngjarje. Disa fotografi bardh e zi të ruajtura me kujdes nga skenografi Fatbardh Marku na tregojnë momente interesante nga një prej filmave më të folur në kinemanë shqiptare “Plumba perandorit”.

Nën regjinë e Mevlan Shanajt, ky film tregon historinë e një të riu nga jugu i Shqipërisë i cili niset për në kryeqytet për një jetë më të mirë. Gjatë asëkohe në Tiranë pritej të vinte perandori i Italisë, dhe vendi ziente nga zhurmat e makinave ushtarake por edhe nga përgatitjet e bujshme. Ndërkohë ishte arestuar edhe i vëllai ku ekzekutohet, pasi merte pjesë në lëvizjen antifashiste. Urejtja e nxiti të merte një vendim që të qëllonte kundër perandorit.

I veshur me një pallto të zezë, kapele dhe një cigare në dorë duke biseduar me regjisorin e filmit, në foto na shfaqet i ndjeri Sandër Prosi. Duhet të jenë në bulevardin kryesor të qytetit të Sarandës. Foto është realizuar në vitin 1979. Në një tjetër foto regjisori përgatit për xhirim aktorin e ri protagonist në këtë film Kastriot Caushin në film (Vasil Laçi).

Pranë kameras shfaqet në disa foto regjisori Pali Kuke. Në një tjetër foto Sandër Prosi shfaqet i qeshur pranë Pali Kukes me cigaren që nuk e heq nga buzët. Në role të tjera në këtë film kanë intepretuar aktorët Vangjush Furrxhi, Liza Laska, Robert Ndrenika, Lec Shllaku, Ylli Demneri, Renis Hyka, Marko Bitrako, Agim Qirjazi, Jorgaq Tushe, Spiro Strati, Aleksandër Pogace, Rezarta Vincani. / KultPlus.com

Rita Ora tregon në emisionin amerikan obsesionin me patike dhe atlete (VIDEO)

Rita Ora ka marrë pjesë së fundmi në emisionin e njohur “Sneaker Shopping” nga Complex.

Rita Ora në këtë emision tregon se si bën zgjedhje kur duhet blerë patike e këpucë dhe se si harxhon kohë për një gjë të tillë.

Dashuria e saj mbesin Nike Air Force 1 dhe Human Race NMD nga Pharell. Ajo tregon se qysh e re ka qenë e interesuar në patike të kompanisë Nike dhe sidomos kur edhe këngëtari i saj i preferuar në fëmijëri – Dizzee Rascal ka punuar me kompaninë e njohur të atleteve. / KultPlus.com

Tiranës po i kthehet Shkolla “Kosova”, katër herë më e madhe

Një prej institucioneve simbol të arsimit në kryeqytet, shkolla “Kosova”, e cila u shkatërrua qëllimisht disa vite më parë, po rindërtohet për t’u rikthyer në vatër dije për fëmijët. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hapjen e themeleve të godinës, e cila do të jetë katër herë më e madhe se sa ish-ndërtesa e mëparshme që u dogj për t’u shndërruar në pallat. Në nisjen e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla do të jetë gati pas një viti dhe u shpreh i kënaqur që Tiranës do t’i rikthehet një nga shkollat simbol, që para disa vitesh u synua të kthehej në pallat.

“Për të gjithë ata qytetarë që kanë jetuar në Tiranë, të paktën në dekadën e fundit, e dinë që kjo shkollë i ngjan një prej atyre legjendave shqiptare, si legjenda e Rozafës. Më në fund, sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje. Një projekt i cili ka kaq kohë që përgatitet, por më në fund, me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Si një ish-nxënës i kësaj shkolle, Veliaj shprehu kënaqësinë e dyfishtë se ky institucion arsimor do të rikthehet me një kapacitet 4 herë më të madh, por duke ruajtur të njëjtën cilësi siç edhe e ka pasur shkolla e mëparshme. “Siç është ajo shprehja, këpucën e tij këpucari e rregullon të fundit. Kjo është në fakt shkolla ime. Më vjen mirë që e fundit në serinë e parë të shkollave, të katër shkollave të reja, është shkolla “Kosova”, ndaj ndihem shumë i lumtur që për të gjithë ata si puna ime, që kanë nostalgjinë e të qenit fëmijë, e të rriturit, të formuarit në këtë hapësirë fantastike si shkolla “Kosova”, do e rikenë, por kësaj here katërfish më të madhe. Shkolla shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë. Do të ketë të njëjtin cilësi, siç ka qenë ndër vite reputacioni i shkollës ‘Kosova’”, shtoi Veliaj.

Ai tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm do të ndihmojë që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera përreth që funksionojnë në këtë njësi. “Mezi pres që t’u lëmë hapësirë ndërtuesve, që këtë vit të punojnë me ritme të shpejta e ta përfundojnë para afatit, që shtatori tjetër jo vetëm të akomodojë këtu nxënësit e shkollës “Kosova”, por automatikisht të lirojë të gjithë trysninë që ushtrohet tek Liceu Artistik apo shkolla “Osman Myderizi” e “Mihal Grameno”, me nxënësit e shkollës “Kosova”, që janë shpërndarë në të gjithë këto territore”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se me shkollën “Kosova” shkon në 4 numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës për të vazhduar më pas edhe me 16 shkolla të tjera të reja që do të ndërtohen në partneritet me privatin dhe që do t’i japin fund problemit të ngarkesave në klasa. / KultPlus.com