E çka që jam çikë?

Djellza Krasniqi

Çka m’ka vetëdijësu ma s’shumti kur m’kanë thanë ti je çikë! Në nji shoqëri si kjo e jona dhe me mentalitetin: “Ah, çikë a?” Kurrë s’kemi me mujt me u zhvillu, as si shoqëri, e as si individë. Kur në familje tonë mëngjesi t’qelë shumë herët “çika” në ora 7 të mëngjesit duhet me qenë zgjut, me jua përgatit bukën babit që ka me shku herët në punë, edhe vllaznive që kanë me shku në shkollë. E tani s’duhet me i harru edhe punët e shpisë, se je çikë e këto veç ty t’takojnë me i bo, s’janë punë për djem.

Tasht koha për me u nisë për shkollë, ama ti hala s’je përgatit se u dasht me e bo edhe dreken gati që kur t’vijnë prej shkolle buken me e pasë gati vllaznit? T’shkon jeta e venitun edhe në shkoll t’ardhmen tande tu e menu, qysh me arrit sukses në jetë se familja nuk t’mban, je çikë duhet me punu.

E tash fundi i vitit, pak siklet apo?
Ah, nashti ki me e përmbajt veten prej njëmijë fjalëve nëse s’ki arrit sukses qysh baba e nana kanë dasht.

Babë, duhesh me kon në mledhje për sukses n’fundvit!
Përgjigjja e tij: “O baba ka punë tjera as që mos e prit!”

Fillova me do aktivitete me u marr, po e ni atë fjalimin që e kom menu që ma bojnë,
“Mos u merr me kto sene se ti nuk je djalë e natën vonë nuk ban me dal.”

E nëse nëpër rrjete sociale ja nis fol për do tema tabu që kurrë s’i kem ni, aty n’koment mundet me tu shfaq “Ani ju jeni të ri e jeni fmi e këto sene në vesh jeni ka doni me na i shti”.

Shoqëri e dashun, gruaja s’asht rob i kërkujt ani pse hala ekziston ai termi për msitni,
“Kem me ta gjet nji rob qysh je vet”. Kjo ka me vazhdu me kon përderisa edhe vet femra nuk e ofendon gjinin e vet nëpër klipe, nëpër shoqni tonë. Nëpër rrugë t’tilla që kalohen me përplot sfida, ofendime, depresion s’ka me vazhdu me kaq. Ne s’qajmë mbas derës natën e ditën me kallxu që keshmi, na jem burrnesha, po ekziston thënja “Çka kesha vesha”. M’kan ngrit në këmbë ata që n’pikë të dobët m’kan prek tu thon, çikë je po, dili zot vetit.

Edhe po t’njejtin sen kom me vazhdu jo veq për veten tem po për gjitha ato vajza që në mesin e këtij shkrimi e gjetën vetën e tyre.

Me dasht, me dasht, me dasht jetën ma shum se veten!/ supergrate/ KultPlus.com

Publikohet dokumentari “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” i vitit 1972

Fondacioni Lumbardhi sot lansoi dokumentarin “ Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” të prodhuar në vitin 1972.

Dokumentari “Prizreni – Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” i prodhuar nga Zastava Film në vitin 1972 me regji nga Zvonimir Saksida, paraqet historinë, traditat dhe bukuritë e Prizrenit me qëllim të promovimit të potencialit turistik të qytetit. I gjetur në arkivin e Kino Lumbardhit për herë të parë u shfaq në ekspozitën “Përnjëherë e mjegullt dhe e pashmangshme: Modernitetet 1945-1989” të realizuar në kuadër të projektit bashkëpunues “Prizren Urban Memoryscapes” mes Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore të mbështetur nga Fondi Kulturor Franko-Gjerman, Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane, Komuna e Prizrenit dhe Sharrcem.

Restaurimi dhe digjitalizimi i “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” u realizua nga partneri i projektit Instituti Nacional Audio-Vizuel i Francës – INA dhe Ambasada Franceze. / KultPlus.com

Ministri Gashi: MKRS është model për punën vullnetare në krahasim me përvojat e shteteve tjera të rajonit dhe më gjerë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në panelin e diskutimit “Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore” të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht foli rreth Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare –PDV duke thënë se “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë është lidere në Kosovë, rajon pse jo edhe model për shumë vende të ndryshme për njohjen institucionale dhe regjistrimin e punës vullnetare përmes Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare. Kjo është platformë elektronike shumë e avancuar e pa kopjuar dhe e krijuar nga ne dhe që administrohet nga Departamenti i Rinisë ku mbështetje teknike dhe financiare kanë dhënë UNICEF-i dhe OSBE-ja, mbështetje për të cilën gjithsesi jemi mirënjohës”.

Ministri po ashtu tha se kjo platformë jetëson lehtësisht Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2016 për punë Vullnetare për të Rinjtë në Kosovë. “Udhëzimi administrativ që ka krijuar MKRS-ja është një akt nënligjor i Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë dhe është në funksion të të rinjve dhe me shumë përgjegjësi themi se  është akt nënligjor që është zbatuar 100%, së fundi edhe me shpalljen e vullnetarit të vitit me 5 dhjetor 2018”, theksoi ministri Gashi.

Përveç tjerash, ministri Gashi e përmendi si shumë të rëndësishëm faktin specifikimin e natyrës së punës së të rinjve si mënyrë e parandalimit të abuzimit në emër të vullnetarizmit. Gjithashtu ai foli edhe rreth bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë  si UNICEF dhe OSCE për të themeluar për herë të parë Komitetin Kosovar për punë vullnetare për të rinj. “Ky komitet do të ketë rol të madh në promovimin dhe fuqizimin e vullnetarizmit rinor në Kosovë. Në këtë tematikë edhe më shumë gëzon fakti se ne tashmë jo vetëm që kemi trajnuar dhe certifikuar mbi 40 mentor vullnetar rinor”, tha ministri Gashi.

Në fund, ministri Gashi, për të pranishmit ndau të dhëna të nxjerra zyrtarisht nga Platforma dhe Databaza për Punë Vullnetare që administrohet nga MKRS-ja: “Gjithsej i kemi 3455 vullnetarë aktiv që janë të interesuar në platformë dhe që janë regjistruar nga organizata të ndryshme, 188 organizata të regjistruara në Platformë, 135 mundësi të krijuara për punë vullnetare”. / KultPlus.com

‘Unë do t’i laj këmishat tua, nga komplimentet e saj’ (VIDEO)

Dita e fundit e një jave pune është e premtja.

Dhe si çdo të premte, ia vlen edhe sot të dëgjojmë muzikë të mirë. Megjithatë, muzikë e mirë është ajo që i mbijeton kohës.

Jehona Sopi, këngëtare e njohur e muzikës argëtuese, në një baladë të sajën e thotë ‘Unë do ti laj këmishat tua’.

Balada është ndër më të fuqishmet e Jehonës ndër vite. Po e sjellim sot, me premtimin për këngë të tjera të mira në të ardhmen. / KultPlus.com

‘Për ty, me Zotin flas’

Nga Ali Asllani

Ti përhera në shtëpi
dhe përhera puth e pi

Pi e puth
si një zog i zën’ në kurth
përpëlite nëpër odë,
mbush një godë e zbraz një godë
dhe me fletë për poezi

Përgëzohem or’e ças,
nga një bot’ në tjetrën shkas
rreth për ty me zotin flas!

Syri puthet, gota pihet,
numri tyre s’mund të dihet,
kurse zemrat dashurohen,
gotat puthjet s’numërohen!

Un’ kam vjershën edhe pijen
po je ti që u jep shijen
pija ime, shija jote
un’i gjithë hija jote!

Në vend të dënimit, kjo shkollë i detyron fëmijët të meditojnë

Robert Coleman – Shkolla fillore në Baltimore në Maryland ka vendosur që në vend të dënimit për fëmijët që bëjnë sherre dhe probleme të ketë meditim.

Sipas arsimtarëve dhe personelit të shkollës, është e rëndësishme që studentët të kalojnë nëpër meditim pasi kjo do t’i bëjë ata të ndihen mirë edhe pas një problemi që e kanë shkaktuar.

Fëmijët shkojnë në ‘Mindful Moment Room’, një dhomë e veçantë për reflektim dhe për qetësim të shpirtit dhe ndjenjave.

“Nuk ta merr mendja se fëmijët meditojnë në qetësi, por ata këtë e bëjnë në mënyrë të mrekullueshme. Kjo strategji ka qenë sukses i madh” tregon Kirk Phillips, koordinator i këtij projekti brenda shkollës.

“Secili po i buzëqeshë njëri-tjetrit pas këtij adresimi të problemit, me anë të meditimit dhe me anë të qetësisë. Madje edhe shkollat tjera në Amerikë po e nisin këtë projekt, pasi meditimi i bën mirë njeriut” tregon Phillips. / KultPlus.com

Me grafite kundër udhëheqësve të Kosovës

Në objektin e Ministrisë së Kulturës, në mëngjesin e sotëm është parë një grafit i ri kundër udhëheqësve të Kosovës, raporton Koha.net.

Në këtë grafit shkruhet “Hashimi o legen”, “Ramushi o terpijan”, “Kadria o fullirant”, “Rrnoftë Vetëvendosja!”.

Edhe pse nuk dihet kush i ka shkruar këto, fjalia e fundit lë të kuptojë që mund të ketë qenë ndonjë simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që në muret e objektit të MKRS-së, që gjendet në qendër të kryeqytetit, ka grafite të ngjashme kundër liderëve kosovarë.

‘Unë shpresoj që pasi të vdes do ta vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë’

Enver Petrovci: Kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri…

“… Unë e kam fshehur gjithmonë mendimin tim, sepse kam menduar që vetë jeta dhe mënyra se si jetoj do të vijë një ditë në shprehje, atë se çfarë unë mendoj që nuk ka ardhur kurrë në shprehje që të dinë njerëzit. Kam kuptuar që tek populli shqiptar, kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri. Unë shpresoj që pasi të vdes do t’a vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë unë…”, u shpreh aktori Enver Petrovci, në emisionin “Voilà” te “Top Channel” në kanalin e Youtube …

‘Ti duhet me m’dâshtë, me m’thânë, me m’lâ si shejt…’

Nga Erenestina Gjergji Halili

Epma, thuejma, m’laj…
Ti duhet me m’dhânë , me m’thânë, me m’lâ,
bulbën e djallit, në shteg t’shpirtit, andej káh e prámja
me hi n’kishë teme, i lâmun n’mëshir’ hyjnore,
m’u bekue, n’dritë pa ardhë buzëmbrámja…
Ti duhet me m’dhânë, me m’thânë, me m’lâ,
nji grusht t’gogluem ndjesishë t’paprekuna,
me ditë si f’mija primend biblën teme femën,
n’shejtni t’njérit, m’u lâ kah m’don tuj m’pùthë.
Ti duhet me m’dâshtë, me m’thânë, me m’lâ,
si shejt…

Përfundimi hyjnor i Ermonela Jahos në mbylljen e ‘La Traviata’

Një mbyllje hyjnore e La Traviatës nga Ermonela Jaho.

Prova se opera është forma më sublime e artit. Mbyllja e perdes në performancën e shqiptares Ermonela Jaho në ‘La Traviata’ është veç vërtetim i kësaj thënieje.

Royal Opera House ka publikuar një video ku Ermonela shihet e dërrmuar, por si një artiste e madhe e cila falenderon publikun e saj, dhe jep 100 % nga energji e saj.

Ermonela vjen në rolin kryesor në operën e famshme, e cila është shfaqur rreth 1 mijë herë në kinema, në rreth 23 shtete.

Ermonela Jaho mbetet ndër sopranot më të njohura shqiptare në botë.

https://twitter.com/HeleneHPDV/status/1090744534189920259

“Kam dashur ta këndoj La Traviatën vetëm një herë në jetë, kam menduar se do të vdes pa e performuar” pati thënë Ermonela në një intervistë të sajën. / KultPlus.com

Dedikuar të birit sa qe në këtë jetë, nga Visar Zhiti

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e
gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë
përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i
dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.

Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj
vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje
ëndrrën tënde.

Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe
emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte
ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.

Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe
në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi
lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…

Një shansë tjetër për shqiptarët që ta shohin nga afër Rita Orën

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të performojë në Cyrih.

Ky event do të mbahet më 29 prill të këtij viti në Cyrih, në sallën 622.

Rita Ora tani së fundmi ka publikuar edhe albumin e fundit “Phoenix”.

Ora ka filluar karrierën e saj me këngën Hot Right Now dhe që nga atëherë ajo është bërë e njohur ndërkombëtarisht,kurse vitin e kaluar ka performuar në Prishtinë në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Dhe zoti më bëri grua

Gioconda Belli /
Përktheu: Enver Robelli

Dhe zoti më bëri grua,
me flokë të gjata,
sy,
hundë e gojë të një gruaje.
Me kodrina të rrumbullta
dhe rrudha
dhe lugina të buta,
më gërreu nga brenda
dhe më bëri punishte njerëzish.
I thuri bukur nervat e mia
dhe me kujdes m’i mati
hormonet.
Përzjeu gjakun tim
dhe e zbrazi në mua,
që trupin tim
ta ujit gjithkund.
Kështu lindën mendimet,
ëndrrat,
instinktet.
Të gjitha këto ai i krijoi me maturi
me psherëtimat e tij
dhe me dashurinë e tij zhbiruese,
ato një mijë e një gjëra, që çdo ditë më bëjnë grua,
dhe për shkak të të cilave unë
çdo mëngjes zgjohem krenare
dhe gjininë time bekoj.


Rrjeti global i hoteleve “Accor Hotels” aplikon për të investuar në “Hotel Grand”

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur në takim Presidentin e kompanisë “Global Hotel Investments” AG, Roger Maibach, kompani kjo e cila në partneritet me rrjetin më të madh të hoteleve në botë “ACCOR HOTELS” ka dorëzuar aplikacionin për statusin e Investitorit Strategjik për “Hotel Grandin” në Prishtinë.

“Accor Hotels” është një rrjet global i hoteleve dhe lider i tregut në Evropë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Ky rrjet posedon 4300 hotele në 100 shtete.

Në kuadër të këtij grupi veprojnë hotelet më të njohura botërore si: Movenpick, Fairmont, Sofitel, Rixos, Pullman, Swissotel, Grand Mercure, Novotel, Ibis etj.

Presidenti i “Global Hotel Investments AG”, Roger Maibach, potencoi që ky rrjet i hoteleve së shpejti do të jetë prezent edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni, shkruan ndertimi.info

“Aplikimi i një rrjeti me reputacion si ‘ACCOR Hotels’ për të hyrë në tregun e Kosovës është fat i mirë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe në interesimin e kompanive të tjera të këtyre përmasave për fitimin e statusit të investitorëve strategjik në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.

Gabriel, kolonelit s’ka kush t’i shkruajë…

– S’ka gjë për kolonelin?
Kolonelin e zu lemeria. Përgjegjësi hodhi thesin në sup, zbriti nga trotuari dhe u përgjigjë pa kthyer kryet:
– Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë.
Nuk vajti drejt e në shtëpi, siç e kish zakon. Piu një kafe në rrobaqepësi, ndërkohë që shokët e Agustinit shfletonin gazetat. Kishte një ndjesi si t’ia paskëshin hedhur. Do të deshte më mirë të rrinte aty deri të premten e ardhshme, sesa të kthehej atë natë tek e shoqja me duart bosh. Por, kur u mbyll rrobaqepësia, s’pati nga t’ia mbante. Gruaja e priste.
– Asgjë, – e pyeti.
– Asgjë, – u përgjigj koloneli.
Të premten tjetër doli përsëri te motobarkat. Dhe, si për çdo të premte, u kthye në shtëpi pa letër. “ Prit e prit, na erdhi në majë të hundës, – i tha atë natë e shoqja.
– Durim prej bualli duhet të kesh për të pritur një copë letër pesëmbëdhjetë vjet rresht, siç ke pritur ti”. Koloneli u shtri në hamak për të lexuar gazetat.
– Duhet pritur radha, – tha. – Kemi numrin 1823.
– Qysh kur presim ne, ky numër ka dalë dy herë në lotari, – ia ktheu e shoqja.
Koloneli i lexoi gazetat si përherë, nga faqja e parë deri tek e fundit, duke përfshirë edhe njoftimet. Por kësaj radhe nuk u përqendrua dot. Gjatë leximit e kishte mendjen te pensioni i tij prej veterani. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, kur kongresi kishte nxjerrë ligjin, koloneli filloi një proces legalizimi që zgjati nëntë vjet. Pastaj u deshën edhe gjashtë vjet derisa ta fusnin në listë. Për kolonelin ajo pat qenë letra e fundit që kishte marrë.
Mbaroi pas sinjalit të ndalimqarkullimit. Kur po shkonte të fikte llambën, vuri re se e shoqja nuk kishte fjetur.
– E ke ende atë copën e gazetës?
Gruaja u mendua.
– Ehë, me letrat e tjera duhet të jetë.
Doli nga kunupiera dhe nxori prej dollapit një kuti druri me një tufë letrash të renditura pas datave e të lidhura me një llastik. Gjeti lajmërimin e një agjencie avokatore që merrte përsipër një gjestion aktiv të pensioneve të luftë.
– Qysh kur të thosha unë të ndërronim avokat, paratë do t’i kishim marrë e do t’i kishim ngrënë, – tha gruaja duke i dhënë të shoqit copën e prerë të gazetës. – Tani veç të na i fusin në qivur si indianëve.
Koloneli lexoi copën e prerë që kishte datën e dy vjetëve të shkuar. E futi në xhepin e këmishës së varur prapa derës.
– Halli është se për të ndërruar avokat duhen para.
– Aspak, – ia ktheu gruaja. – Mjafton t’u shkruash ta zbresin llogarinë prej pensionit, kur ta marrim. Kështu u leverdis.

* Gabriel García Márquez – Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj.
* Përktheu nga origjinali: Aurel Plasari.

Lyrical Son, Ledri Vula e MC Kresha publikojnë “Menemadhe”

Tre reperët e njohur shqiptarë, Lyrical Son, Ledri Vula dhe MC Kresha kanë publikuar bashkëpunimin e tyre të ri me titull “Menemadhe”.

Vetë reperët janë kujdesur për tekstin. Kënga është produkt i “Strike Beatz dhe K-Master”.

Kënga është pjesë e albumit të ri të Lyrical Sonit e MC Kreshës, “United States of Albania”.

‘Më shiko, u shërova, me fatin tënd asgjë s’më lidh’ (VIDEO)

Gjithmonë u kthehemi këngëve të dikurshme, të cilat kanë sjellë tek ne emocione dhe sot na kujtojnë një kohë tjetër, dhe jetën tonë në këtë periudhë.

Një këngë që nuk e lëmë të harrohet është “U shërova” nga Hana Cakuli. Një melodi e fuqishme, po aq sa edhe teksti i saj, e sollën Hanën të re në skenën shqiptare por të veçantë, si një vajzë me të gjitha elementet për të qenë një emër i njohur muzikor.

“U shërova” u performua në festivalin Kënga Magjike në Shqipëri, nuk pati një videoklip, por e morri jehonën tek publiku.

Sot po e sjellim këtu këngën “U shërova” dhe tekstin e këngës e cila shkon përtej thjeshtësisë, drejt shërimit të shpirtit prej plagëve të ndryshme. / KultPlus.com

Nganjëherë të duket mbaroi,
kaq e pat dhe shpirti do t’lëshoj.
Analgjetik një maxi dozë,
disa qetësues për neurozë.
Ishte kjo dita ime, nata ime.

Shpesh u zgjova në shtratin lagur me lot
s’ka agime, perëndime ka plot.
M’dukej asgjë nuk meritoj
zërin e fortë më s’do ta lëshoj.
Ishin këto ditë e mija net e mija.

Ref:

Më shiko u shërova
me fatin tënd asgjë s’më lidh
u shërova
kur të përmendin zemra nuk më dridh
u shërova
o mos është veç ngushëllim
u shërova
se kurrë askush nuk e shëroi t’vetmen dashuri.

Një e marrë e pakrehur e sy palarë
ishte gati të vras për ty, të vjedh për ty
ngjyra për buzët varë
mykur në sirtarë.

Sot ta di për nderë
betohem në pranverë
Mirë jam pa ty u shërova
Mirë jam pa ty u shërova.

Më nuk më çahen sikur dheu duart
kur s’ka shi n’vjeshtë të mallkuar.
Kam kujtime n’dry
mirë jam pa ty
mirë jam pa ty

Ref:

Më shiko u shërova
me fatin tënd asgjë s’më lidh
u shërova
kur të përmendin zemra nuk me dridh
u shërova
o mos është veç ngushëllim
u shërova
se kurrë askush nuk e shëroi t’vetmen dashuri.

Të premten në Prishtinë, panel diskutimi mbi punën vullnetare

Të premten, me 1 shkurt, duke filluar prej orës 11:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë do të mbahet një diskutim mbi punën vullnetare.

Biseda dhe diskutimi do të fokusohen rreth angazhimit të rinisë në punë vullnetare dhe në rëndësinë e vullnetarizmit në kohën moderne. Me anë të diskutimit do të vijnë praktikat e mira të vullnetarizmit nga Kosova dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Pas një urdhëri administrativ nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, puna vullnetare e të rinjve dhe angazhimi i tyre vullnetar tanimë njihen si punë legjitime. Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e rinisë në Kosovë, dhe është një stimulim që të rinjtë të ndryshojnë sjelljet e tyre dhe të ndihmojnë në përparimin e shoqërisë.

Në panelin ‘Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore’ do të flasin:

Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Mr Gernot Pfandler, Ambasador i Austrisë në Kosovë
Miradin Bajri, Kordinator projekti në Diakonie Kosova 
Eliza Hoxha, aktiviste e shoqërisë civile dhe avokuese e punës vullnetare

Paneli i diskutimit do të moderohet nga Arbër Selmani, gazetar. / KultPlus.com

Regjimi e kishte ndarë Valbonën nga mamaja dhe babai i saj në një moshë shumë të re

Vetem 16 vjec, Valbona Çoku Mirakaj e mban mend mire makinen qe erdhi ta merrte me vete. Oficeret e Sigrumit te Shtetit ishin duke ndjekur femijen e disidentit Mentor Coku, ne menyre qe ta internonin ne kampin e Lushnjes per mosbindjen e tea tit.

Regjimi e kishte ndare Valbonen nga mamaja dhe babai I saj qe ne nje moshe shume te re. Keshtu qe, ajo u dergua ne nje kazerme ku dergoheshin burrat pa familje. Edhe ushtaret e kampit ndjene keqardhje ndaj nje vajze kaq te vetmuar, keshtu qe Valbona u lejua t’I bashkohej nje familjeje tjeter qe jetonte ne kamp.

Ajo punonte me ore te gjata ne fusha, dhe mban mend qe nuk kishte mbajtur ne dore as edhe nje cader, perpara se ti duhej te mbante vegla te renda pune.

Kaq I gjate ishte qendrimi I saj ne kete kamp, saqe aty takoi burrin e saj me te cilin sollen ne jete 3 femije (prape gjate qendrimit ne kamp), nderkohe qe jetonte me friken se edhe femijet e saj do te kishin te njejtin fat si ajo.

Babai I Valbones, Mentor Çoku, ishte nje activist si babai dhe xhaxhai I tij dhe regjimi I Shqiperise kishte vene nje shperblim per vrasjen e tij.

Ne nentorin e 1944-Mentor  u arratis nga shqiperia per ne Itali, kur Valbona ishte akoma nje bebe e sapolindur. Ne te njejten kohe, mamaja e saj u semur shume dhe u largua nga vendi ne kerkim te nje trajtimi mjekesor te specializuar ne Korfuz te Greqise, duke lene kshu pas Valbonen me mamane dhe vellain e saj.

Me pas, nena e Valbones, u hidherua tejmase kur kuptoi qe nuk mund te kthehej me, pasi gjate qendrimit te saj ne Korfuz, kufinjte e Shqiperise u mbyllen dhe nuk do te hapeshin me per 47 vitet e ardhshme. Kjo coi ne ndarjen e familjes, dhe Valbona nuk do e takonte me kurre mamane e saj.

Valbona u ribashkua me babain e saj mbas 30 vitesh por ishte teper vone per nenen e saj – nje grua e cila e mbushur me dhimbjen e ndarjes.

Tashme, e martuar dhe me femije, Valbona thote qe eshte e rendesishme qe te flitet per padrejtesiste qe ju bene gjenerates se saj, edhe nqs njerezit jane te shokuar nga mizoria e ketyre akteve…

Ne fjalet e saj:

“Kur bera 16 vjec, sapo kisha mbaruar vitit e trete te shkolles se mesme.

Por, nje dite, me thane qe do internohesha ne Lushnje. Mendoja se me ngaterronin me dike tjeter megjithese e dija mire historine e prinderve te mi; por mendoja qe ata do ishin duke ndjekur njerez me te rendesishem dhe jo nje femije.

Me derguan ne nje kamp ne nje fshat te Lushnjes. Kishte disa fshatra ne Lusnje, ishin me shume si sektore fermash dhe jo fshatra, te cilat ishin shnderruar ne kampe internimi.

Mua me derguan ne nje vend qe kishte qene dhe babai im dhe me futen ne nje kazerme ku dergoheshin burrat beqare pa familje.

Ishte e tmerrshme. Isha komplet vetem.

Ta quash kazerme eshte ti besh qejfin. Ishte si nje magazine e madhe me beqare.

Familjet ishin ne kazerma te tjera,

Isha shume e turpshme por kur e pashe veten ne ate vend u tmerrova.

Kaq e frikesuar isha sa ju afrova nje oficeri dhe e pyeta nqs mund ti bashkohesha nje familjeje.

Cuditerisht, atij I erdhi keq per mua. Nuk kishte pare ndonjehere nje rast te tille, qe te internohej nje vajze e vetme. Zakonisht kishte nena me femijet e tyre, sepse baballaret dergoheshin ne burg, por nje vajze te internohej vetem? Asnjehere.

Keshtu qe me tha qe mund ti bashkohesha nje familjeje vetem nqs do te me pranonin.

Pyeta nje nene disi te vjeter e cila kishte 3 vajza te rritura, nqs mund te rrija me to. Ajo tha pod he ndau krevatin e saj me mua.

2 kazerma kishin 20 familje. Mund ta degjoje personin tjeter duke marre fryme nga ana tjeter e murit.

Dita fillonte me apel.

Rreshtoheshim te gjithe.

Me pas, shkonim neper fusha.

Nje dite do korrje gru.

Nje dite do gerrmoje ndonje kanal.

Ndonje dite do punoje token.

Ndonje dite do korrje miser. Keshtu, pune ferme kryesisht.

Une nuk kisha mbajtur ndonjehere nje cader e jo me te mbaja vegla te renda pune. I terhiqja me vete.

Vitin e pare, shkoja ne shkolle, sepse me duhej te perfundoja maturen. Me lejuan te shkoja ne Lusnje. I vetmi kusht ishte qe te kthehesha ne darke.

Punonim rregullisht cdo dite. Pune shume e veshtire.

Nuk ka fjale qe mund ta pershkruajne horrorin e vertete te atyre kushteve.

Ne u martuam në kamp [me burrin Sokolin]. Femijet tane, qe te tre, u linden ne kamp.

Jeta u be akoma me e veshtire, sepse na duhej te rrisnim femije ne ato kushte. Nderkohe qe femijet rriteshin, te pushtonte nje merzi e madhe perbrenda, sepse mendoje qe dhe ata do te kishin te njejtin at si ty.

Ne vitin 1990, doli nje ligj qe te gjithe Shqiptaret duhet te pajiseshin me pashaporte, sepse pashaportat nuk ekzistonin atehere. Keshtu qe shkuam te Zyra e Puneve te Brendshme dhe polici aty me tha qe nuk mund te merrja pashaporte.

Ne gazete, shkruhej qe personat me ceshtje penale dhe ata ne moshen e ushtrise, nuk mund te pajiseshin me pashaporta. I thashe policit se une nuk isha as ne ushtri dhe as nuk kisha kryer ndonje krim.

Babai im jetonte ne Rome. Ishte Presidenti I Bashkimit Islamik, keshtu qe kishte nje fare pozite shoqerore.

Polici me pyeti se perse nuk mund te bente gje babai im per ne, megjithese ishte person kaq I rendesishem.

Per ta thene fiks fare, tha qe “si nuk leviz as nje gur te vogel per ju?”. Keshtu qe u ktheva ne shtepi dhe thashe me vete qe nuk do mund ta takoja dhe u ktheva ne shtepi duke qare.

Ne ate kohe, policet filluan te merrnin para. Sokoli pagoi 600 dollare per pashaportat tona; timen dhe te tim biri.

Ishte viti 1991. Babai im ishte ne Rome, presidenti I Unionit Islamik. I lashe vajzat e mia me burrin dhe mora djalin me vete – duke pasur frike.

Shume njerez me pyesin se si ishte takimi me babain tim mbas 47 vitet.

Edhe mbas 47 viteve, e njoha fytyren e babait tim, e cila ishte sin je drite per mua. Ishte e vetmja gje qe shifja midis turmes se njerezve.

U futem ne shtepi. Ai ndenji jashte, dhe me la te futesha vetem. Kishte vene nje foto te mamase time perballe hyrjes se shepise dhe nje buqete me lule me nje shkrim qe thoshte: “Mireseerdhe ne shtepi moj zonja e shtepise.”

Mamaja ime vdiq ne 1988-en por se pashe dot me kurre. Ajo vdiq e depresionuar me nje femije te vetem, te cilin nuk mund ta takonte dhe qe ishte ne nje kamp internimi. Ajo fajesonte veten per kete gje.

Takimi me te ishte nje gje e madhe, pasi nepermjet tij arrita te takoj ne njefare menyre, edhe nenen time. Ka qene nje histori e vecante, nje histori e trishtueshme.

[Ne Kamp] Kisha nje foto te nenes dhe babait qe e mbaja me vete gjithe kohes. Mendoja “Mjere ju, si jetoni pa mua’. Nuk e shikoja situaten e mjerueshme ne te cilen gjendesha vete. Sidomos mbasi linda femijet…

[Sot] Kam 2 femije ne Itali; vajza me e vogel dhe djali. Me qan zemra cdo here qe ikin nga ketu, keshtu qe perpiqem dhe imagjinoj se si kane jetuar prinderit e mi pa me pare asnjehere.

Nje person I ri sot, eshte I shokuar nga gjerat qe kane ndodhur atehere. Madje, as nuk I besojne qe jane te verteta. Gjerat si intervista jone, duhen, pasi njerezit duhet te mesojne efektin e vertete te komunizmit ne vendin tone.

Nje person I ri sot, nuk e kupton dot, nuk e perceptojne dot qe te burgosesh thjesht sepse po degjoje nje kenge te ndaluar.

Duhet thene, e vertata e vertete.

Keto gjera duhet te studiohen neper shkolla, sepse njerezit e moshes tone, ne mblidhemi bashke per te folur, por perfundojme duke folur vetem me njerez te cilet I kane kaluar edhe vete keto gjera dhe e dine se cfare ka ndodhur.

Bisedat tona duhen degjuar nga te rinjte te cilet nuk I kane perjetuar keto gjera. Te gjitha keto gjera I duken si fantazi rinise se sotme.

Realiteti duhet shkruar.”

Valbona Coku Mirakaj eshte 74 vjec. Ajo ka lindur ne 19 Tetor 1944 ne Tirane. Ajo jeten ne Tirane me burrin e saj.

burimi: http:http://evenwallshaveears.org/story/valbona-coku-mirakaj-2/?fbclid=IwAR3U4swTlxbSP1euiGysg8aSkXUF9bmAEEmWAiRaB3ypLCjnLFVOD7wmEl4

Bebe Rexha e befasuar me mbështetjen që mori pas kritikave të saj ndaj dizajnerëve

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha është befasuar me mbështetjen që kishte marrë pas kritikave që ajo iu kishte bërë dizajnerëve.

Ditë më parë Bebe Rexha kishte kritikuar publikisht disa stilistë të cilët kishin refuzuar t’i jepnin asaj veshje për “Grammy Awards” për shkak të masave të saj trupore, transmeton Koha.net.

Përveç fansave që i dhanë mbështetje ishin edhe yjet që e bënë këtë, përfshirë këtu edhe Demi Lovaton.

“Vetëm doja të ndaja ngjarjen time dhe sa shumë isha e frustruar. Kurrë s’kam pritur të marrë gjithë atë mbështetje dhe dashuri”, ka thënë ajo për People.

E rrallë, zbulohen gjurmët e gishtit të Da Vinçit


Gjurmët e gishtërinjve të Leonardo da Vinçit ekspozohen në Cardiff.

Për 500-vjetorin e vdekjes së mjeshtrit të madh për të cilin janë organizuar 12 evente në Britaninë e Madhe – disa vepra të tij që janë pjesë e koleksionit të Mbretëreshës do të ekspozohen në qytetin e Uellsit, duke përfshirë një vizatim në të cilin janë të dukshme gjurmët e gishtit të madh të dorës së majtë të Da Vinçit.

Vizatimi në të cilin ka mbetur gjurma e Da Vinçit është “Sistemi kardiovaskular dhe organet kryesore të grave”, një nga studimet e tij në anatomi, që daton në vitet e fundit të dekadës së parë të 1500-s.

Nuk është hera e parë që vërehet një gjurmë e Leonardos në veprën që ai ka lënë pas, por kjo është hera e parë që bëhet një studim i hollësishëm mbi të.

“Ka vizatime dhe piktura të pjesshme në vizatime të tjera nga Leonardo, por kjo është deri tani shenja më e qartë dhe më e pastër e Leonardos”, thonë studiuesit.

Skica në fjalë do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar në Cardiff nga 1 shkurti deri më 6 maj.

‘Flija’, një libër për flinë dhe kulturën buknore

Një libër i veçantë për flinë.

Arsim Canolli ka botuar librin me titull ‘Flija’, për ushqimin e shijshëm i cili shijohet kudo ndër shqiptarë.

“Për herë të parë shkruhet kaq gjerësisht e me angazhim kaq serioz për kulturën buknore, nëpërmjet praktikave të së cilës mund të njihet kultura e qytetërimi i shqiptarëve të Kosovës” Afërdita Onuzi

“Absorbimi i “brumit” nga tabani kulturor dhe tutje vuarja e tij në trajtim antropologjik, me akribi shkencore nga autori, lexuesit dhe studiuesit nga fusha e antropologjisë i ofrohet si botim i veçantë që sfidon me qasje, metodologji, analizë dhe rezultantë sintetizuese” Ukë Xhemaj

“Flija: vrojtim etnografik – një prozë e shkëlqyer antropologjike, gatuar e shërbyer me elegancë nga Arsim Canolli” Nebi Bardhoshi

Flia është një ushqim i preferuar shqiptar. / KultPlus.com

Letra e dashurisë së Kadaresë për rusen Ljuba

Një nga periudhat më të bukura në jetën e shkrimtarit Ismail Kadare ka qenë dhe koha e studimeve në Moskë. Në këtë kohë ai ka bërë vargje të ndjera për dashurinë. Në librin “Ftesë në studio”, ai tregon për herë të parë detaje mbi njohjet me vajzat ruse, duke treguar dhe disa copëza letrash që ua pat çuar vajzave me të cilat ishte shoqëruar. Shqiponline po boton disa pjesë nga këto letra, që vetë shkrimtari i ka bërë publike në këtë libër.

Një prej tyre ishte Ljuba, një mikeshë që në kohën që ka shkruar letrën kishte vetëm dy javë që e kishte njohur. Ja çfarë i shkruan ai asaj, duke pasur në mëndje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:

“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë, (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një cudnoje mgnovjenje, siç e shkruan Pushkini i madh.

Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.

Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”. Ja përgjigja që i kthen Ljuba: “Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ce kishte menduar.

Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes….

Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se cpërbindësh je. I poshtër gjer në fund duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.

Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë shumë. Ljuba” Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha ti prishja gjithashtu. Ishte padyshim një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.

Tek romani “Muzgu” Kadare e shpjegon këtë krizë. Por pavarësisht zemërimit të Ljubës, Kadare është ndër të parët shkrimtarë që ka folur hapur për këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë, të vajzave që takoi dhe që e bënë të shkruante poezitë më të bukura mbi dashurinë.

Moti sot në Kosovë, skllotë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe kohë pas kohe do të ketë reshje shiu dhe bore, që si proces njihet me termin skllotë.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 0-1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-5 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare deri 5m/s.