Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.
Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.
Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.
Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme.
Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij.
Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.
Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit.
Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.
Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllambë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra.
Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë.
E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën?
Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë.
Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.
Kultura: qarja e njerëzve në fytyrën e fatit të tyre.
Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata. E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.
Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.
Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im.
Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.
Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.
Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik.
Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.
Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.
Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë.
Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!
Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj.
Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.
Integriteti nuk ka nevojë për ligje.
Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht.
Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.
Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është.
Njeriu dëshiron të jetojë, por është e padobishme të shpresojë që kjo dëshirë do t’ia diktojë veprimet e tij.
Njerëzit binden nga argumenet tua, çilërsia jote dhe serioziteti yt vetëm pasi të kesh vdekur.
Njerëzit duhet të jetojnë dhe të krijojnë. Të jetojnë deri në pikën e lotit.
Askush nuk e kupton se disa njerëz shpenzojnë pa masë energji për të qenë normalë.
S’ka asgjë më të neveritshme se respekti i bazuar në frikë.
Një lidër dhe një popull do të thotë një mësues dhe miliona skllevër.
Vetëm filozofia e përjetësisë, sot në botë, mund të justifikojë jodhunën.
Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes është t’i japësh gjithçka të sotmes.
Fisnikëria e vërtë është e bazuar në shpërfillje, guxim dhe indiferencë të thellë.
Hakmarrja është e lidhur me natyrën dhe instinktin, jo me ligjin. Ligji, në vetvete, nuk mund t’iu bindet të njëjta rregulla si natyra.
Disa njerëz flasin në gjumë, mësimdhënësit flasin kur të tjerët flenë. Absurdi është koncpeti thelbësour dhe e vërteta e parë.
Mendja moderne është në pështjellim të plotë. Dija e ka shtrirë veten deri në atë pikë sa as bota, as zgjuarsia jonë nuk mund ta shfletojnë. Është e vërtetë se ne po vuajmë nga nihilizmi.
Nevoja për të pasur të drejtë është shenja e një mendjeje vulgare.
Shoqëria e mbështetur në prodhimin, është vetëm prodhuese, jo krijuese.
Mirëqënia e njerëzve në veçanti ka qenë gjithmonë alibia e tiranëve.
Ata që iu mungon guximi mund të gjejnë gjithmonë një filozofi për ta justifikuar atë.
Ata që shkruajnë qartë kanë lexues, ata që shkruajnë errët kanë komentues.
Ta braktisësh veten për parimet është vërtetë vdekje – dhe është vdekje për një dashuri të pamundur e cila është e kundërta e dashurisë.
E vërteta, si drita, verbon. Rrena, në të kundërt, është një terr i bukur që nxjrr në pah çdo objekt.
Çfarë është një rebel, një njeri që thotë jo. / Elida BUÇPAPAJ / KultPlus.com
ERRI DE LUCA – DORACAK PËR DOLLINË E NATËS SË VITIT TË RI
Ngre dolli për atë që është duke punuar, në tren, në spital, kuzhinë, hotel, radio, fonderi, në det, në një avion, në autostradë, për atë që kapërcen pragun e kësaj nate pa një përshëndetje, ngre dolli për hënën e re, për vajzën shtatzënë, për atë që jep një premtim, për atë që e ka mbajtur, për atë që ka paguar detyrimet, për atë që po i paguan, për atë që s’është ftuar askund, për të huajin që mëson italisht, për atë që studion muzikë, për atë që di të vallëzojë tangon, për atë që është ngritur për të liruar vendin, për atë që s’ngrihet dot, për atë që skuqet flakë, për atë që lexon Dikensin, për atë që përlotet në kinema, për atë që ruan pyjet, për atë që shuan një zjarr, për atë që ka humbur gjithçka dhe ia nis nga e para, për atë që s’pi verë dhe rreket të pranojë ata që pinë, për atë që është askushi për njeriun e dashur, për atë që i bien në qafë me shaka dhe një ditë do të jetë hero, për atë harron fyerjen, për atë që buzëqesh në foto, për atë që ecën në këmbë, për atë që di të ecë zbathur, për atë jep nga ajo që ka marrë, për atë që s’i kupton barcaletat, për fyerjen e fundit, qoftë e fundit, për barazimet, për x-in e skendinës, për atë që bën një hap para dhe kësisoj prish rreshtin, për atë që do ta prishë dhe s’mundet, dhe në fund, pi për atë që ka të drejtën e dollisë sonte dhe mes atyre që përmenda s’e gjeti veten.
Në tjetrën anë, është muaji i gjumit, kur shumica provojnë të
mbushin bateritë për vitin që po i pret, mbushur me angazhime, me afate, me
detyra, me shkrime, me gjithçka që është pjesë e përditshmërisë.
Megjithatë ka arsye të mos fleni, apo të qëndroni të
relaksuar këtë janar. Netflix dhe platformat tjera me seriale do t`ua bëjnë
janarin më të qetë, e pse jo edhe duke mbushur diapazonin e mendjes tuaj me më
shumë fantazi e njohuri.
Po i sjellim këtu katër seriale të cilat do të mund t’i
gjeni online e me to ta kaloni muajin e parë të 2019-tës.
YOU – Netflix
Seriali “You” është pjesë e Netflix. Çka do të bënit ju për dashurinë? A jeni gati edhe të vrisni për djalin që e doni, apo vajzën që e pëlqeni? A do ta përcillnit 24 orë? Çdo pengesë, secilën prej tyre, a do ta largonit lehtë prej rrugës? “YOU” është serial që sjellë paradoksin e rrjeteve sociale, ekspozimin e tepruar dhe shpesh të rrejshëm në rrjete sociale, dhe faktin se njerëzit ju përcjellin, e dini a se dini ju. Me 9 shtator të vitit të kaluar doli episodi i parë i “YOU”. Janarin me patjetër niseni duke e shikuar “YOU”, një seri me vrasje, dashuri, Instagram e shumë elemente tjera.
BLACK MIRROR –
Netflix
Së fundmi u fol për episodin e ri të këtij seriali, “Bandersnatch”. Megjithatë, ju që ende se keni nisur serialin në Netflix apo në platform tjetra, bëjeni tash. “Black Mirror” tregon se bota po ecën drejt një modernizimi teknologjik të çuditshëm. Një episod për flutura që i hajnë njerëzit, një tjetër për vlerësimin e njerëzve me anë të sjelljeve të tyre në formën “rating”, dhe një tjetër me fëmijë të cilën rriten me senzorë të futur në trurin e tyre. Nisjani me episodin e ri “Bandersnatch”, por kthehuni edhe në episodat e parë, prej vitit 2011-të. 8.9 është nota që IMDB i ka dhënë këtij seriali futuristik i cili mbi të gjitha do t`ju mbajë në pritje në fund të çdo episodi.
AMERICAN HORROR STORY
– FX
Po, është një serial komplet horror. Aty kanë luajtur mes tjerash edhe Lady Gaga e Jessica Lange. 8 sezona dhe 94 episoda ju presin t’i shikoni, ndoshta edhe brenda një jave, nëse keni kohë të uleni para laptopit a kompjuterit tuaj. Dramë, horror, pirje gjaku, jashtë-natyrales, gjithçka e keni brenda sezonave të këtij seriali. “Shtëpia vrasëse”, “Shtëpia e pleqve”, “Çmendina”, “Hoteli”, “Kulti”, “Apokalipsi” janë emrat e sezonave, pasi secili sezonë e ka një temë në vete, dhe një objekt ku zhvillohet. Seriali është nominuar për 303 çmime, prej të cilave i ka fituar 73.
DOGS OF BERLIN – NETFLIX
Dy policë investigojnë vrasjen e një futbollisti gjermano-turk. Ngjarja zhvillohet në Gjermani. Aktorët gjermanë dhe turq janë bashkuar për serialin që transmetohet poashtu në NETFLIX, dhe është lansuar vetëm muajin e kaluar, në dhjetor të 2018-tës. Seriali është në gjuhën gjermane, dhe ka dhjetë episode. Për ju që e doni dramën, por edhe futbollin dhe këtë dyshe të lidhur mes vete, ky serial është definitivisht për ju. Lista e të dyshuarve është e gjatë, njëjtë sikur drama dhe episodat e serialit që do t’ju mbajnë në emocion. / KultPlus.com
Ne do të bëheshim të gjitha mbretëresha Të katër mbretërive skaj detit blu: Efigjenia dhe Soledadi, Ljusilla e Rozalia gjithashtu.
Në Luginën e Elkuit, rrethuar Nga njëqind male varg e varg, Që flakëronin kuq sikur na bëheshin kurbanë Apo verdhonin si flori që na jepej haraç,
Ne thonim kështu të magjepsura Dhe besonim verbërisht Se të gjitha do të bëheshim mbretëresha Në katër mbretëritë e detit pikërisht. Me bishtalecat e vajzave shtatë vjeçe
Dhe me përparëset e kaltëra të veshura, Duke ndjekur mëllenjat në fluturim Nëpër hijet e vreshtave dhe pjergullave. Dhe katër mbretëritë tona,
Do të ishin kaq të mëdha, thonim ne, E sigurtë si fjala e Kuranit, Do të arrinin prej deti në det. Ne do të merrnim katër burra Kur të vinte koha për martesë, Dhe ata do të ishin mbretër e poetë Si King Davidi i Judesë.
Me stinën e dimrit vjen edhe koha më e mirë të shijoojmë borën por edhe skijimin.
Në një listë që e ka publikuar prestigjiozja angleze The
Guardian, me rekomandimin e lexuesve të saj, gjendet edhe Butterfly Outdoor
Adventure – kompania e inicuar nga Uta Ibrahimi nga Kosova.
Në shkrim paraqiten Bjeshkët e Nemuna shqiptare – si atraksioni
kryesor gjatë borës në Ballkan.
Kompania Butterfly Outdoor Adventure mundëson ecjen nëpër borë – snow shoeing, për një çmim 200 euro, për dy ditë, përfshirë ushqimin dhe ciceronin – guidën.
Elizabeth – lexuesja që ka propozuar, tregon se si ajo e ka përshkruar këtë rrugë në malet e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, është pritur me raki dhe me një mikpritje nga të gjithë.
Dua Lipa ka konfirmuar se më 25 janar do të publikojë këngën e saj të “Swan Song”.
“Swan Song” është kolona zanore e filmit aksion “Alita: Battle Angel”, transmeton Koha.net.
Producent të këtij filmi janë James Cameron dhe Jon Landau të njohur për filmin e tyre “Avatar”, derisa regjisor i filmit është Robert Rodriguez i njohur me “Sin City”.
Dua Lipa ndihet shumë krenare që është pjesë e një projekti kaq të rëndësishëm.
Përditë perëndojnë zotat dhe rrëshqasin trajtat e tyne mbi vjet dhe shekuj dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri. Ndër tru të njerzimit zoti galuc ka ndejun. Vetvetes me gisht tamthat i ka biruemun Në shej të pendimit dhe bërtet në kulm të hidhnimit: çka, çka krijova?! – E njeriu nuk e di: a asht zoti pjella e tij apo ai – vetë pjella e zotit? Por shef se asht kot së kotit me mendue mbi një idhull që nuk përgjegjet. Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri. Ka ardh një kohë në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë për me ndërtue Kullën e Babilonit,- dhe në majë të Kullës, në majë të ta majës së fronit ka me hypë njeriu dhe ka me thirrë: Perëndi! Ku je?
Dhe ky vit përfundoi. I shtrova të treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditët para meje në tepihun e dhomës së ditës. Ja ku është muaji kur vendosa të hudh poshtë çdo gjë që nuk ishte zotuar e ngulitur thellë në ëndrrat e mia. Ja ku është dita kur refuzova të jem viktimë e keqardhjes. Këtu është edhe java kur fjeta në kopsht. Ja edhe pranvera kur ia lidha lakun vetë-dyshimit dhe e vara lartë mirësinë tënde. E ula poshtë kalendarin. Ja edhe java kur vallëzova aq shumë sa zemra m’u çu peshë dhe mësoi t’lundronte mbi ujë përsëri. Këtu është edhe vera kur i hoqa të gjitha pasqyrat që vireshin nëpër mure; s’pata më nevojë ta shihja veten sa për t’u ndjerë e parë. Ja dita kur i shkurtova flokët dhe ia hoqa peshën e panevojshme kokës… I palova ditët e mira dhe i futa në xhepin e pasëm, aty do t’ruhen më mirë. Ato të panevojshmet do t’i kremoj. E ndeza shkrepsen. M’u ngrohën gishtërinjtë e këmbëve nga drita e zjarrit. Tani po e mbushi gotën me ujë të ngrohtë, ta pastroj veten për Janar. Dhe ja ku jam edhe më e fortë dhe më e zgjuar – gati për vitin e ri.
Ma nuk i due urimet. Aq ma pak ato që pa pikë marre ta urojnë nji vit të mirë. S’jam t’u i dashurue ma festat, as dritat në shpirta të zymtë, në mendje të sëmura, e në trupa të lodhun. Vendi ynë të dhuron çmenduninë, të ban me e njoftë anën ma të fortë që me u msue me mbijetu.
Ky vend t’len me jetue në kasolle që uji t’pikë mbi krye pa ndje as marre e as mshirë për kryet tand që e mbush si një kofe. E mbush me t’pshurrt e vet, e të dhjeren munohet me ta shit, se i dhimbset me ta fal. Ta nxjerrë prej hunsh lecken që ta dhuron, e ni pesë eurosh që t’i gjun si qenit t’zgjebosun.
Nuk do me ditë se ça ki jep ti për venin tand, prej teje don veç voten, e hiç n’xhep si hynë a e ki smut nanen, a e ki t’lodhun me jetë baben, a bajnë zorrtë e fmive tu si nji bubullimë për shkak t’unjes, e as nuk i intereson muni i jot e i grus tande që munohuni për ni krodhe buke me e qit në sofer.
Prej teje nji sen i intereson me ta lyp voten, e bash ty e familjes tande ja bjen morten. Kshtu që mani n’men se unë s’due urime, s’due me ma urue me fjalët ma të ambla fillimin e nji Viti të Ri, kur çdo ditë e jetës m’shkruhet si epitaf.
Nuk due dhurata, as shpresa e andrra. Thjesht du me jetue si ai guri që i rrin besnik arkivolit të jetës vet.
Esc Radio – Radioja e cila transmeton vetëm muzikë nga Eurovizioni – Festivali i Këngës Evropiane, ka zbuluar dje në mbrëmje 250 këngët më të pëlqyera të të gjitha kohërave në Eurovizion, votuar nga dëgjuesit e radios.
Sikur çdo vit, edhe këtë vit kjo listë sjellë këngët më të
mira dhe ato që i kanë rezistuar kohës.
Neve padyshim na intereson Shqipëria në këtë listë.
Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, i cili e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2018-të, renditet në vendin e 37-të, Rona Nishliu me këngën “Suus” në pozitën e 58-të, Elhaida Dani me këngën “Im Alive” në pozitën 92, Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” në pozitën 164.
Hersi Matmuja me këngën “One Nights Anger” në pozitën 181, “Identitet”
nga Ardian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko në pozitën 195 dhe Luiz Ejlli me “Zjarr e
ftohtë” në pozitën 201, shkruan KultPlus.
Këngët tjera që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion kanë mbetur jashtë kësaj liste.
https://www.youtube.com/watch?v=z_r4IzbwDY4
Për të shtatin vit me radhë, kënga më e votuar është “Euphoria”
nga Loreen. / KultPlus.com
Nuk ka muaj të vitit që Alban Muja nuk është i pranishëm në ndonjë ekspozitë nëpër Evropë, e shpesh edhe jashtë saj. Nëse jo ai fizikisht i pranishëm, puna e tij është e ekspozuar në galeri arti, në muze, në ekspozita kolektive e shpeshherë personale. Artist i njohur nga Kosova por një shpirt artistik që i përket botës, Alban Muja këtë vit është përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, për 2019-tën. Në këtë intervistë të fundvitit, Albani na tregon më shumë për këtë paraqitje të rëndësishme artistike, për karrierën e tij, për artin në Kosovë por edhe për Fakultetin e Arteve – institucionin ku edhe vetë ka ligjëruar për një kohë. Djali që krijoi “Palestinën” dhe “Tibetin”, dhe punët tjera artistike që janë shfaqur në Kosovë e jashtë saj, zbulon më shumë në këtë intervistë për KultPlus.
KultPlus: Po e nisim me atë se çka po bën momentalisht Albani? Ku është arti i Albanit, si dhe inspirimi brenda kokës së Albanit, kah anon? Alban Muja: Ka një kohë që jam në Paris, dhe këto ditë janë të fundit të një projekti që po e bëj këtu. Jam në një institucion që pret shumë artistë të mediumeve të ndryshme nga mbarë bota për residenca dhe çmime të ndryshme artistike. Është ‘Cite International des Arts’, institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca. Unë jam këtu pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin tim.
Nominimi ishte
siguruar për një listë të gjerë artistësh. Pastaj komiteti i ‘Cite International
des Arts’ më kanë zgjedhur mua dhe disa artistë nga vendet e ndryshme të botës
për këtë residencë e cila në rastin tim është përkrahur edhe nga Ambasada Franceze
në Prishtinë.
Pra nga nominimi e deri tek këto ditët e fundit në Paris është një projekt i tërë francez ku përfshin edhe një projekt timin që është në realizim e sipër në bashkëpunim me artistët tjerë në residencë. Por ajo çka është më e mira, jemi duke diskutuar se si një program i tillë me ju nda më shpesh artistëve nga Kosova, pasi këtu në ‘Cite’ shumica e shteteve por edhe institucionet e artit kanë studiot e veta ku i dërgojnë artistët, gjë që shpresojmë që në një të ardhmë të afërt, ku edhe jemi duke punuar në këtë drejtim, të ndodhë që edhe artistët kosovarë të kenë një studio të veten dhe të kenë mundësi që të kalojnë në Paris disa muaj kohë si formë e studimit dhe hulumtimit të ndonjë projekti që ata propozojnë.
Fotografia: Fadil Berisha
KultPlus: Këtë vit, një ndër sukseset më të mëdha tuat është përzgjedhja të përfaqësosh Kosovën në Bienalen e Venecias? Na trego më shumë çka do të ndodhë, me çka do të paraqitesh atje dhe sa ka rëndësi kjo arritje për karrierën e Albanit? Alban Muja: Padyshim, nominimi im për ta krijuar Pavijonin e Kosovës në Biennalen e 58-të të Venedikut është një privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, pasi siç e dimë Bienalja e Venedikut është eventi më i rëndësishëm i artit në botë, ndoshta edhe i kulturës në përgjithësi. Çdo artist e pret këtë rast, pasi është eventi i vetëm kur artisti nuk e prezanton vetëm emrin e tij por edhe shtetin nga vjen. Si i tillë, ky moment e shton edhe më shumë peshën dhe përgjegjësinë që të kemi një prezantim sa më dinjitoz. Mos të harrojmë se shteti ynë është një shtet i ri dhe i vogël, shumë shpesh edhe i kontestuar, dhe kjo më bën edhe më të përgjegjshëm që prezantimi im, përkatësisht i Kosovës të jetë në nivel. Gjithsesi, kur i shtohet këtu edhe fakti që prezantimet paraprake të Kosovës kanë qenë mjaft dinjitoze, shpresojmë edhe ne të vazhdojmë me suksese!
Sa i përket projektit, së bashku me ekipën e Pavijonit jemi ende në proces e sipër. Por ajo çka kemi kujdes, së bashku me Arta Aganin, e cila është komisionere e pavijonit, është të bëjmë një ekipë sa më profesionale dhe në ekipë kemi ftuar si kurator Vincent Honore, një kurator i rëndësishëm në skenën e artit botëror që të kurojë pavijon tonë. Honore me eksperiencën që ka në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit në Europë, si në ‘Palais de Tokyo’ në Paris dhe ‘Tate Modern’ në Londër, së bashku me asistenten e tij Anya Harrison, po ashtu kuratore e angazhuar mjaft, ndër të fundit angazhimi i saj dhe i kuratorit Honore në MoCo (Montepellier Contemporary), do të ndihmojnë që Pavijoni të marrë formën e duhur. Por sikur thashë më parë, ne si shtet i vogël dhe i ri gjithsesi duhet të fokusohemi t’i tregojmë botës së artit të kaluarën tonë duke mos dashur ta ekzagjërojmë por asnjëhërë duke e fshehur të kaluarën dhe rrugën tonë deri tek ky prezantim i yni që vjen pikërisht njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës.
Germans are a bit scared of me / 2013
KultPlus: Meqë po flasim për një paraqitje ndërkombëtare, a është arti kosovar sipas teje një promoter i mirë në diplomacinë kulturore? Alban Muja: Artistët vizuel në Kosovë që nga koha e okupimit kanë qenë mjaft aktivë në skenën e artit bashëkohor botëror dhe besoj me të drejtë mund të quhen promoterë të fortë në diplomacinë kulturore. Gjithsesi edhe artet tjera kanë një ngritje të mirë viteve të fundit dhe besoj që ajo po shihet edhe me prezencën e artistëve kosovarë në eventet më të rëndësishme sot të artit dhe kulturës së botës. Shpesh, nëse flasim për artet vizuele, ndoshta nuk komunikon me masën gjithmonë, por kanë një komunikim me një skenë të rëndësishme që nuk është vetëm e artit. Unë ende besoj që nuk ka promoter më të mirë për një shtet se arti dhe kultura, pa harru edhe sportin, andaj përkrahja duhet të vijë jo gjithmonë vetëm nga fondet publike, por edhe nga ato private pasi besoj që edhe ata duhet të jenë konsumues dhë përkrahës të rregullt të artit.
KultPlus: Sa ka marrë mbështetje Albani nga institucionet shtetërore për Bienalen e Venecias, duke marrë parasysh përmasat e Bienales? Alban Muja: Gjithsesi, pjesëmarrja e Kosovës që nga aplikimi deri te sigurimi i hapësirës që është një punë shumë, shumë e madhe, është shtetërore, pasi siç e përmenda është eventi i vetëm i këtij lloji ku nuk prezantohet vetëm artisti por edhe shteti. Andaj sikur edhe aplikimi dhe konfirmimi për pjesëmarrje por edhe buxheti kryesor vjen nga Ministria e Kulturës. Mund të them që nga nominimi im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë si me ministrin Kujtim Gashi edhe me Ministrinë në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi përkrahje edhe nga institucionet tjera si ato shtetërore dhe private, e që besoj do të kemi, por barrën kryesore në të gjitha shtetet sikurse edhe te ne e mbanë Ministria e Kulturës, që nga inicimi i pjesëmarrjes së Kosovës, në atë kohë në vitin 2013 nga Memli Krasniqi, që ishte një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga artistët në përgjithësi. Nuk ka event më të madh të artit në botë, për të promovuar artin dhe kulturën e një shteti, e kjo neve na duhet më së shumti.
HOTel 2014-2016 Installation
KultPlus: Dihet se Bienalja është edhe garuese. Pretendon Albani ta krijojë një Pavijon që mund të ketë vëmendjen dhe sytë e kritikëve? Alban Muja: Ajo çka po provojmë së bashku me ekipin është që të kemi një prezantim sa më dinjitoz, besoj ajo kërkohet nga ne dhe ky është fokusi ynë kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha shtetet, madje ato shtete që kanë buxhet milonësh, dërgojnë artistët apo projektet më të mira që kanë për momentin. Andaj duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk është që kam menduar shumë në këtë drejtim, pasi është mirë të jemi realist dhe të fokusohemi në atë çka mundemi dhe kemi mundësi t’i sjellim ne botës së artit. Dhe ky është qëllimi ynë i vetëm, pra të sjellim para audiencës së madhe dhe kritikëve një prezantim sa më të mirë, të një projekti që do flasë kryekëput për rrugën tonë si vend dhe si popull deri më tani.
KultPlus: Si artist tash e disa vite aktiv brenda e jashtë Kosovës, ku e sheh sot artin kosovar? Ku janë problemet dhe përparësitë në fushën e artit dhe kulturës në Kosovë? Alban Muja: Besoj që artet vizuele në Kosovë, sidomos artistët i kanë paraprirë zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë me prezencën e tyre në skenën e artit botëror, andaj shpesh skena e artit e Kosovës edhe pse e vogël ka pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, nëse shohim kushtet por edhe problemet në përgjithësi, që nga edukimi por edhe konsumimi i artit në vendin tonë. Edukimi në art në përgjithësi duhet të jetë shtylla kryesore, gjë që nuk ka ndodhë deri më tash mjaftueshëm, edhe pse besoj që ka iniciativa, si ato nga individë tek institucionet publike por edhe te institucionet private të edukimit.
Besoj që në të ardhmen duhet patjetër të fokusohemi te edukimi, pastaj investimi më i madh në burime njerëzore e deri te hapësirat e artit si ato publike por edhe ato private. Patjetër që vendit tonë i duhet në të ardhmen e afërt një Muze Arti, modern dhe bashkëkohor, pasi ka çka të tregohet, por para se një gjë e tillë të ndodhë duhet investime tek të rinjtë, pasi siç e dimë vendit tonë i mungojnë disa hallka të artit, përveç artistëve. Që nga kritikët dhe historianët e artit, besoj që duhet investim në të ardhmen e deri tek galeritë komerciale dhe koleksionistët, gjë që nëpër vendet tjera nuk mungojnë. Ne fatkeqësisht thuajse nuk kemi ose kemi shumë pak kritikë apo historianë të artit, asnjë kurator që ka këtë punë primare, dhe tregu i artit thuajse është inekzistent. Për të gjitha këto, përveç edukimit, ne nuk duhet të presim që çdo herë të inicohet nga fondet publike por edhe me iniciativë private.
My Name Their City / Miloti
KultPlus: Cilët janë artistët e preferuar të Albanit, në fushën e artit pamor? Alban Muja: Shpesh mendoj se kush janë artistët që unë i pëlqej, ka shumë, por më shumë ka vepra, andaj është e vështirë të them emra, pasi jam i sigurtë që do harroj shumë. Por ajo çka shpesh shoh në hapësira ekspozuese janë veprat, pasi jo çdo vepër e ndonjë artisti të preferuar mund të më pëlqejë. Zakonisht më pëlqejnë ato vepra tek të cilat nuk përfundon diskutimi aty brenda hapësirës ekspozuese apo ato vepra që ‘marrin’ me vete çdo gjë për disa sekonda. Arti ka ndryshu, siç ka ndryshu edhe qasja ndaj artistëve andaj vepra nuk duhet të jetë komforte por të ngritë debat për fenomene të ndryshme shoqërore.
KultPlus: Para se të përfundojmë, një pyetje rreth Fakultetit të Arteve në Kosovë, ku keni dhënë mësim… A është ky Fakultet në nivelin e duhur, meqë shpesh është objekt i sulmeve të ndryshme nga qarqet akademike dhe artistike. Alban Muja: Thënë të drejtën ka një kohë që nuk kam folë e nuk kam dashtë të merrem me Fakultetin e Arteve, pasi që nuk ka ndryshuar mendimi im sikur atëherë kur kam punuar për dy vite në këtë institucion, madje ku edhe e pata bashkëinicu dhe e kam shkruar vetë një program të ri që sot çka e di vazhdon të ecë disi.
Mendimi im është dhe sot pak a shumë i njëjtë: Fakultetit të Arteve i cili është institucion publik dhe paguhet me taksat tona, i duhet një reformim total. Atëherë pata thënë që ndoshta duhet me e mbyllë për një kohë deri sa të rishikohen disa gjëra, sidomos programet dhe stafi, tash po provoj me qenë më i butë dhe po them i duhet reformim, me të vetmin qëllim që mos të marrim gjeneratat e reja në qafë. Nuk them që nuk ka pasur iniciativa, por problemi është i thellë pasi shpesh lëndët janë ndërtuar për profesorët dhe jo për studentët dhe të tilla raste janë shumë. E di që ka një udhëheqje të re që një kohë dhe e di që është tentuar për një reformim, por një gjë e tillë nuk e di a ka ndodhur, pasi problemi është i grumbulluar në dy dekadat e fundit, së paku. Duhet të rishikohen programet dhe stafi akademik, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, besoj që është e vështirë për të ndryshuar pozitivisht. Gjithsesi, besoj në gjeneratat e reja që një ditë do të ngrisin zërin në këtë drejtim.
Fotografia: Matteo Fieni
KultPlus: Dhe për fund, planet e Albanit për vitin e ardhshëm, pos Bienales? Alban Muja: Gjithsesi angazhimi kryesor për momentin dhe deri sa të hapet Bienalja e Venedikut në muajin Maj, është projekti për këtë ekspozitë. Ka disa oferta dhe propozime sikurse edhe disa ekspozita, por të gjitha do shqyrtohen dhe do vlerësohen pas Biennales pasi si natyrë pune e kam pasur çdo herë problem me kry një punë të dytë para të parës, përveç pjesëmarrjes në disa ekspozita me vepra të punuara më herët. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj që angazhimet nuk do të ndalen, pasi ka disa projekte të reja që i kam punuar dhe që besoj që duhet ekspozuar apo ndarë me publikun.
More Raça është një regjisore e re e cila merret me gruan në dimensione të ndryshme. Filmat e saj trajtojnë gruan shqiptare, përditshmërinë e saj, dhunën ndaj saj, syrin e alivanosur të plot grave shqiptare, pafuqinë e tyre në shoqërinë patriarkale. Filmi i saj i fundit – “Ajo”, sjellë prapë gruan. Morea, as në të 30-tat e saj, tanimë ka marrë disa çmime dhe ka rrëmbyer vendin e saj në programe të ndryshme rreth regjisorëve e kinematografëve të rinj. Në këtë intervistë të fundvitit për KultPlus, Morea tregon pse ky obsesion me gjendjen e gruas në Kosovë, projektin e ri për filmin e metrazhit të gjatë dhe hobin e saj, sportin.
KultPlus: Do ta nisim këtë intervistë me filmin e fundit “She” (Ajo). Një realitet i hidhur shqiptar. Na trego pse kjo temë, dhe pse kaq e lidhur Morea me tema që kanë të bëjnë me gratë? More Raça: Këto janë tema të cilat më intrigojnë nga vetë fakti se gratë përballen me probleme të rënda jetësore në shoqërinë tonë. Mendoj se ne duhet të merremi me tema të tilla të cilat për subjekt dhe kryefjalë kanë gruan në shoqërinë tonë, shoqëri ku gruaja është shumë e diskriminuar.
KultPlus: Po ky film ka qenë afër edhe nominimit për Oscar? Cfarë përgjegjësie është kjo për Morenë si regjisore? More Raça: Filmi është përzgjedhur si një nga nëntë finalistët në festivalin prestigjioz Manhattan Short Film Festival, kështu edhe ka fituar të drejtën për aplikim në ceremoninë Oscars 2019, ku futen filmat më të mire të vitit. Për mua si regjisore është një sukses i madh, pasi në këtë ngjarje kanë konkurruar mbi 4 mijë filma nga e gjithë bota dhe një tregim shqiptar si filmi “She” ka arritur të triumfojë suksesshëm.
Aurita Agushi dhe Diella Valla në “AJO”
KultPlus: Në anën tjetër, presim debutimin tënd në filmin e metrazhit të gjatë? Kur do të ndodhë kjo tek Morea? More Raça: Filmin me metrazh të gjatë do të fillojmë ta xhirojmë së shpejti, në fillim të muajit prill dhe gjithsesi që ky do të jetë impenjimi dhe angazhimi im më i madh dhe absolutisht kryesor gjatë vitit 2019-të.
https://vimeo.com/277321235
KultPlus:Përpos si regjisore, çka janë të tjerat aktivitete, qefe dhe hobe të kohës së lirë në jetën e Moresë? More Raça: Hobi im është noti, prandaj Morea pos si regjisore ka dëshirë të merret edhe me not. Kam filluar të merrem me not që nga mosha e re pasi mami im është trajnere noti dhe më ka nxitur e motivuar të merrem me këtë sport që është shumë i mirë dhe i padiskutueshëm për shëndetin e njeriut.
KultPlus:Sot ka plot regjisorë të rinj, madje edhe të moshës tënde të cilët kanë suksese? A ka mbështetje institucionale sa duhet për zhvillimin e regjisorëve të rinj, marrë parasysh sukseset e tyre? More Raça: Regjisorët kanë mbështetje, çdo vit shihet që po përmirësohen edhe kushtet për zhvillimin e kinematografisë në vend andaj edhe këto rezultate nuk janë të rastësishme, vijnë padyshim nga puna e mirë e krijuesve kosovarë por edhe nga mbështetja institucionale që sigurisht pritet të jetë edhe më e madhe, pasi realizimi i projekteve serioze kinematografike ka një kosto të lartë financiare.
KultPlus:Berlinale Talents – na trego pak për këtë sukses tjetër, si aplikove dhe çfarë nënkupton kjo për karrierën e Moresë, inkuadrimi në këtë program të rëndësishëm të Berlinales? More Raça: Është një nderë dhe sukses i madh përzgjedhja në Berlinale Talents 2019 – një program që u kushtohet talenteve të reja dhe i cili ndihmon shumë në karrierën e pjesëmarrësve. Ky është një sukses për krejt filmbërësit në Kosovë. Pranimi im në një event kaq të madh botëror ku konkurrenca është shumë e madhe, me rreth 4 mijë regjisorë e artistë që aplikojnë vit pas viti, tregon që ka filmbërës të mirë dhe me potencial, të cilat do të luajnë rol në kinematografinë e Evropës në vitet e ardhshme dhe do t’i japin risi regjisë filmike.
KultPlus:Cilët janë regjisorët nga bota të cilët i pëlqen Morea? More Raça: Disa nga regjisorët e mi të preferuar janë Abbas Kiarostami, Jafar Panahi, Jane Campion, Andrea Arnold, Debra Granik dhe Haifa Al Mansour.
Në filmin “AJO” luajnë Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora dhe Bekim Mulaj.
KultPlus: Dhe për fund, cilat janë planet për vitin 2019? More Raça: Siç e thashë, këtë vit do të jem tërësisht e fokusuar në filmin tim të parë të metrazhit të gjatë.
2018-ta po merr fund sonte, por jo edhe këngët e Armend Rexhepagiqit dhe vargjet e mahnitshme brenda këtyre këngëve.
Këtë mëngjes të 31 dhjetorit po e sjellim një këngë që lidhë
dashurinë dhe festën.
“Një Vit i Ri” e Armend Rexhepagiqit është këngë e para dy dekadave, por gjithmonë aktuale në këtë ditë kur reflektohet mbi dashuritë e humbura dhe mundësitë e së ardhmes.
Poshtë po e sjellim këngë, një incizim të sajin të moçëm dhe tekstin e këngës së Armendit, duke e nisur këtë ditë me nostalgji. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=Oru4s827jik
Një milion yje shkëlqejnë, ecim ngadalë, ti më shikon ky vit që kalojë ne na ndau e na largojë, dhe nuk e di ç’të them tani, për ne të dy s’ka ardhmëri lotët të shkëlqejnë…Të dua
Përshpëris ato ditët tona, fluturuan drejtë harrimit. Të lodhur të frikësuar të lënduar nga dënimi. E ti po shkon…
Një vit i ri, një dashuri e madhe pa kufi Një vit i ri, mbeti një lot buzëqeshje në fotografi Unë do të gjejë do të krijojë në ndonjë tjetër vit të ri Me ty do t’vallëzojë e di, me ty unë do t’vallëzojë
Të dua…
Një vit i ri, një dashuri e madhe pa kufi Një vit i ri, mbeti një lot buzëqeshje në fotografi Unë do të gjejë do të krijojë në ndonjë tjetër vit të ri Me ty do t’vallëzojë e di, me ty unë do t’vallëzojë
Një ditë e thjeshtë dhe Bujar Ahmeti po e vizitonte Lezhën
me familjen e tij. Pas kënaqësisë, i kishte shkuar në mendje ta vizitonte
varrin e Skënderbeut në këtë qytet.
Dhe pikërisht derisa ai po qëndronte më afër se kurrë më Skënderbeun,
do të pranonte një telefonatë ku do t’i kumtohej lajmi se është përzgjedhur ta
luajë rolin e Skëndërbeut në shfaqjen e re të regjisorit Fadil Hysaj.
Bujari, aktor në shfaqjen që mbrëmë u dha premierë, ka besuar fuqishëm që do të jetë Skënderbeu. Megjithatë, ka të tjerë që e lakmojnë rolin e tij, dhe ai duket si playboy për kolegun e tij i cili insiston t`ia vjedhë rolin.
Shfaqja e cila mbrëmë erdhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës,
më shumë se 2 orë solli shfaqjen brenda shfaqjes. Derisa ekipa po provonte të luante
një shfaqje për Skënderbeun, aktorët donin t`ia nxirrnin sytë njëri tjetrit për
një copë skriptë. Dikë e largojnë nga shfaqja, dikë e marrin, një statiste përfundon
në rolin kryesor, një tjetër nuk dëshiron mikrofon, një regjisor është krejt afër
depresionit ndërsa një dramaturge është e dashuruar në këtë regjisor, por thjeshtë
atij nuk i jep ereksion.
Bujar Ahmeti, aktor kryesor në këtë shfaqje e cila mbrëmë mblodhi artdashësit në kryeqytet, tregon se të punosh në shfaqjen “Skënderbeu”.
“Ishte një proces interesant sepse ishte një tekst poetik, alla shekspirian dhe një tekst shqiptar i cili i është shtuar mbi dhe nuk interferon aspak me tekstin origjinal. Për mua shpesh ka qenë një situatë kaotike sepse kemi shtuar e larguar shumë herë tekst dhe rreth 12 drafte i ka sjellë regjisori për me, por prapë për mua është hera e parë që punova në një shfaqje të stilit të tillë dhe e shijova kënaqësinë e premierës” tregon për KultPlus Bujar Ahmeti, një prej Skëndërbeve të shfaqjes.
Arijeta Ajeti / Facebook
“Shfaqja tregon pakënaqësitë, stresin, mundimin, faktin që
njerëzit kur e fitojnë një rol veç ankohen e vajtojnë dhe nuk e shijojnë rolin.
Pakënaqësitë tona si aktorë janë gjithmonë të pranishme dhe të vazhdueshme në këtë
shfaqje” tregon Bujari.
Në shfaqje ka një regjisor. Ai është Shpëtim Selmani. Faris Berisha e ndihmon, por pse jo, provon ta helmojë. Donika Ahmeti është ajo që e ka përshtatur shfaqjen, e ka shkruar tekstin e saj, dhe ndoshta personi më racional në shumicën e shfaqjes. Ajo nuk e duron dhunën ndaj gruas dhe e di saktë që ekipi i shfaqjes nuk mishërohet me tekstin sepse nuk e kupton, dhe nuk e implementon në jetën reale.
Skënderbeu bëhet tejet poetik. Bujari nuk e lejon këtë.
Rolin e tij e dëshiron Afrim Muçaj, i cili tregon se lirinë nuk na solli ai,
por e gjeti mes nesh.
Gratë e shfaqjes janë histerike, por krejt në fund, kush nuk është. Teuta Krasniqit i largohet Topija për në luftë, dhe ajo pos e bukur është edhe një grua që di të bërtasë. Kur është jashtë shfaqjes, ende brenda në shfaqje, nuk lejon ta stopojnë dhe me karizmën e saj kërkon që kur ajo flet dhe performon në skenë, të mos ketë një zhurmë në anën tjetër të skenës. E bën me nerva kjo gjë. Edona Reshitaj është ajo që i di krejt tekstet e këngëve, ndërsa Sheqeria Buçaj është shumë dramatike. Disa prej këtyre përfundimeve i thotë, kuptohet, regjisori.
Shpëtim Selmani, pjesë e shfaqjes, tregon për KultPlus përvojën
e të punuarit në një shfaqje si “Skënderbeu”.
“Ka qenë bashkëpunimi im i parë me Hysajn. Procesi nuk ishte
i lehtë për shkak të natyrës dhe mënyrës se si janë shkruar tekstet. Unë luaj
rolin e regjisorit që përmbyset nga një realitet që e krijon vetë në përpjekje
për të dhënë një mesazh. Ne fatkeqësisht po vuajmë mungesën e një lideri dhe në
të njëjtën kohë po dështojmë ta krijojmë një rend të ri shoqëror që në krye ka
dashurinë dhe lirinë, si parakushte për të funksionuar në mënyrë të shëndoshë”
tregon për KultPlus Selmani.
Madje, është aq i rreptë si regjisor saqë kërkon prej aktorëve të dalin tek shtatorja e Skënderbeut, jashtë, dhe ta shohin e të kuptojnë kush ishte ai dhe si mund të futen në shpirtin e botën e heroit.
“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” është vepra e njohur e autorit anglez Thomas Whincop, që është shkruar në vitin 1747 dhe që mbrëmë erdhi e përshtatur për në skenën prishtinase.
Dibran Tahiri, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Ismet Azemi, Shpëtim Kastrati, Vjosa Tashollli, Adhurim Demi dhe Naim Berisha janë aktorët tjerë në shfaqje, shoqëruar edhe nga Baleti i Kosovës. / KultPlus.com
Ahmet Ali Demirel, 84-vjeçar nga qyteza Güce në provincën verilindore turke Giresun, çdo ditë përshkon në këmbë një rrugë prej 8 kilometrash në mënyrë që të lexojë gazetat.
Nga shtëpia e Demirel, i cili është i apasionuar pas leximit, distanca deri te qoshku i gazetave në qendër të qytezës është katër kilometra.
Demirel, baba i gjashtë fëmijëve dhe gjysh i 32 nipërve dhe mbesave, çdo ditë del nga shtëpia në orët e mesditës dhe ecën një orë e gjysmë për të arritur në qendër. Ai shfleton gazetat në qoshkun e vetëm në qytezën e vogël, ndërsa në prag të mbrëmjes, ai kthehet në shtëpi sërish në këmbë.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ai tregon se të gjitha zhvillimet në Turqi dhe në botë, që nga fëmijëria i ndjek vetëm duke i lexuar gazetat.
Demirel asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ky mjet i informimit, edhe pse, siç thotë, ishin përhapur edhe radio dhe televizori.
“E dua leximin dhe për këtë arsye, nuk kam hequr dorë nga shprehia ime për të lexuar gazetën, përkundër zhvillimeve teknologjike. Zhvillimit brenda dhe jashtë vendit çdo ditë i ndjek nga shtypi”, thotë Demirel.
Ai tregon se qyteza ka vetëm një qoshk të gazetave dhe se për të shkuar deri atje, përshkon katër kilometra të cilat janë të vështira.
“Rregullisht shkoj për të lexuar në qendër të qytezës. Këtë rrugë të pjerrët, kodrinore dhe të vështirë me dashuri. Përshkoj një rrugë prej afërsisht tetë kilometrash, vajtje dhe kthim”, shprehet Demirel.
Ai thotë se kohë pas kohe ka persona që ndalin veturat dhe i ofrojnë ta dërgojnë deri në qendër, por ai i refuzon këtë oferta nga shprehia për të ecur.
Ahmet Ali Demirel thekson se nuk ndien aspak lodhje dhe se emocioni për të shkuar të lexojë gazetat e mban atë në këmbë.
Ai shprehet se përpjekjet e tij janë për ta çuar në vend urdhrin “Lexo” të Zotit dhe të jetë shembull për të rinjtë me vullnetin e tij për të lexuar.
Ndërkaq, djali i tij, Hüseyin Demirel, thotë se babai i tij gëzon dashuri dhe respekt të madh në Güce për shkak të shprehisë së tij për të lexuar.
Ai shton se babai i tij vazhdimisht u rekomandon të gjithëve që të lexojnë shumë.
“Çdo ditë shkon në qendër të qytezës për të lexuar. Në shtëpi vazhdimisht lexon libra. Gjithnjë na këshillon të krijojmë shprei të të lexuarit. Na i shpjegon dobitë e leximit dhe përpiqet të jetë shembull”, shprehet Hüseyin Demirel.
Mirela Kumbaro, ish ministrja e Kulturës për 5 mandate të qeverisë Rama, e një ndër ministret më jetëgjatë në historinë e kësaj ministrie vijon të jetë aktive në Facebook përsa i përket aktiviteteve kulturore. Ministrja duket se ka vendosur të jetë deri në momentin e dorëzimit të punës ministres së re Elva Margariti në krye të detyrës.
Vetëm pak orë pasi u zëvendësua nga Margariti, ajo postoi në faqen e saj zyrtare në Facebook një pjesë nga mbyllja e vitit kulturor Shqipëri-Austri, duke shkruar “Festa e bukur jo vetëm në mbyllje të vitit kulturor Shqipëri-Austri, jo vetëm të vitit artistik 2018 , por edhe në mbyllje të një 5 vjeçari që ishte supersfida fantastike e skuadrës se kulturës .
Sonte krenare për talentet e reja të Teatri_të_Operas_dhe_Baletit që vitin e ardhshëm do të shkëlqejnë në skenën e re të Teatrit të Operas e Baletit që do të përfundojë punimet në Tiranë”, shkruan Kumbaro. Ndërsa sot ish ministrja ka shpërndarë pamje nga restaurimi i Kishës së Shën Thanasit duke shkruar se “Shumë krenare që ia dolëm me sukses një sfide shumë të vështirë në restaurime, siç është operacioni i shpëtimit i Kishës së Shën Thanasit në Leshnicë të Sarandës. Pas tërmetit të 2017 kisha me pikturat murale të jashtëzakonshme u dëmtua rëndë dhe nuk e fsheh që e kisha me fort dyshim se mund ta shpëtonim atë trashëgimi në majë të malit”.
Një tjetër lajm i shpërndarë nga Kumbaro është dhe nominimi për Çmimin Europian të Arkitekturës European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe Award ku nga Shqipëria janë në garë 12 projekte arktiekturore. “Por është krenari që 2 prej tyre janë projekte të dy institucioneve të rëndësishme kombëtare të realizuara nga Ministria e Kulturës në këto dy vitet e fundit: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nga Elisabetta Terragni dhe Daniele Ledda e Studio Terragni Architetti dhe Qendra e Artit Skenik ArtTurbina nga Atelie 4. Kumbaro lë ministrinë e Kulturës vetëm ndërsa ka hapur një nga fushatat më të mëdha për librin, Lëvizjen Kombëtare për lexim. / KultPlus.com
Një tjetër shqiptare po pushton toplistat angleze.
Ava Max – e lindur si Amanda, me prejardhje shqiptare dhe me prindër nga Tirana dhe Saranda, është momentalisht këngëtarja që këndon këngën më të dëgjuar në Angli – “Sweet But Psycho”.
Ajo e ka tejkaluar këngën “All I want for Christmas is you” nga Mariah Carey e cila gjatë periudhës së Krishtlindjeve ishte e para.
Është ndjenjë e krenarisë kur sheh vajzat shqiptare të cilat triumfojnë me muzikën e tyre.
Ava Max ka lindur në Amerikë, si Amanda Koci, dhe është vetëm 24 vjeçare. Kënga e saj “Sweet but Psycho” ka arritur suksese edhe në Danimarkë, Suedi, Zvicër e Poloni dhe shtete tjera në Evropë. / KultPlus.com
Përktheu Elona Caslli Charlie Chaplin – Kur fillova ta doja me të vërtetë veten
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, kuptova se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore nevojiteshin për të më kujtuar se po jetoja në kundërshti me vlerat e mia. Sot, e di që kjo gjë quhet Vërtetësi.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, kuptova, se sa shumë e fyeja dikë, kur i diktoja dëshirat e mia duke e ditur se nuk ishte çasti i duhur dhe se ai njeri nuk ishte ende gati, edhe pse, ai njeri isha unë. Sot ,e di që kjo gjë quhet Respekt.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, nuk dëshiroja më të kisha një jetë tjetër dhe kuptova se sfidat që po përballoja, veçse më ftonin të bëhesha njeri më i mirë. Sot, e di që kjo gjë quhet Pjekuri.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët kuptova se në çdo rrethanë isha në vendin dhe në kohën e duhur dhe gjithçka që më ndodhte kishte një domethënie të caktuar. Sot, e di që kjo gjë quhet Besim në Vetvete.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, nuk hoqa dorë nga koha e lirë dhe nuk fantazoja më për projekte madhështore në të ardhmen. Sot, bëj vetëm atë gjë që më pëlqen dhe më sjell gëzim, atë gjë që kam pasion dhe që më bën të lumtur dhe e bëj ashtu si më pëlqen, duke respektuar ritmin tim. Sot, e di që kjo gjë quhet Thjeshtësi.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët hoqa dorë nga gjithçka që vinte në rrezik shëndetin tim; ushqime, njerëz, objekte, rrethana dhe gjithçka që më ulte poshtë dhe më largonte nga vetvetja. Në fillim e quaja “ egoizëm të shëndetshëm” por Sot , e di që kjo gjë quhet Vetëvlerësim.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, nuk doja të kisha gjithmonë të drejtë dhe kur sillesha kështu, gaboja më pak. Sot, e di që kjo gjë quhet Përunjësi.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, nuk jetoja më në të shkuarën dhe nuk shqetësohesha më për të ardhmen. Sot kam mësuar të jetoj çastin e së tashmes, të vetmin çast që vlen me të vërtetë. Sot, e di që kjo gjë quhet Mirëqënie.
Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët, kuptova se Mendimi im mund të më bënte mjeran dhe të sëmurë. Por, kur e mësova mendimin tim të fliste me zemrën time, intelekti u bë aleati im më i mirë. Sot, e di që kjo gjë quhet Mençuri.
Nuk duhet të kemi frikë nga ndryshimet, kundërshtitë dhe problemet që kemi me vetveten apo me njëri-tjetrin, sepse edhe yjet ndonjëherë përballen mes tyre për të sjellë në dritë botë të reja. Sot, e di që kjo gjë quhet Jetë.
Çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid. Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejojmë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza
SA FËMIJË I KI?
Njo e kam!
E çika a ki?
Po, valla, tri!
Mund të tingëllojë e çuditshme, por këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë huqje gjuhësore. Ka të bëjë me huqje truri. Biseda të këtilla do të ketë pasur mundësi secili të dëgjojë në Kosovë, sidomos në rrethet rurale të vendit.
Djali, duke u parë si trashëgimtar i “linjës së gjakut”, është mbajtur edhe si i denjë për të mbajtur epitetin e fëmijës. Vajzat, duke qenë se do të martohen “në derë të huaj”, në disa familje nuk janë trajtuar si fëmijë të mirëfilltë.
Gjithsesi, ka të atillë që kur i lexojnë këto fjali do të mundë të kundërshtojnë. Të thonë se kjo nuk është e vërtetë. Se është një arkaizëm, i cili nuk mund të shfaqet në shoqërinë tonë edhe në ditët e sotme.
Madje mund të ketë edhe të atillë, të cilët mund të akuzojnë se kjo është një njollë të cilën na e kanë vënë të huajt për të na paraqitur si të prapambetur.
Natyrisht, do të ishte shumë më e lehtë sikur të ishte vetëm keqkuptim, ose tendencë qëllimkeqe. Fatkeqësisht, e kundërta sot provohet statistikisht.
Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejomë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza.
RAPORTI I AGJENCISË së Statistikave të Kosovës, i bërë publik para pak ditësh, është drithërues. Pak a shumë, çdo e dhjeta lindje e fëmijës së gjinisë femërore në vend ndalohet.
Raporti “Gratë dhe burrat në Kosovë” për vitet 2016-2017 tregon se koeficienti gjinor është se për çdo 111.2 meshkuj janë 100 femra të lindura.
Kjo çon te dyshimet se çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid (gendercide). Gjinicidi nënkupton vrasjen sistematike të pjesëtarëve të një gjinie të caktuar.
Në kohërat moderne, kur teknologjia ka mundësuar që të hetohet gjinia e foshnjës, ende pa dalë jashtë trupit të nënës, ka bërë që disa persona ta kenë në duar të vendosin nëse duan ta lejojnë që foshnja e gjinisë së caktuar duhet të vijë në jetë, ose duhet abortuar.
Kosova në këtë mes renditet më së larti në rajon, ngjashëm me Shqipërinë, me rreth 110 meshkuj për 100 femra të lindura, teksa mesatarja e Bashkimit Evropian është 106.
Ekspertët demografikë vërejnë se si rezultat i mosbalancimit të raportit gjinor mund të ndodhin disa pasoja në shoqëri, siç është edhe vështirësia më e madhe e meshkujve për t’u martuar. Mirëpo në rastin e Kosovës, ku emigrimi më i madh është i gjinisë mashkullore, kjo pastaj mund të balancohet.
SIDOQOFTË, NËSE ka diskriminim gjinor që para lindjes në një shoqëri, është e pritshme që kjo të qëndrojë edhe përgjatë gjithë jetës.
Kosova në letër është një shtet që angazhohet dhe garanton barazinë gjinore – si gjendje e mundësive të barabarta mes grave dhe burrave, për detyra dhe të drejta në pozitat familjare, profesionale e shoqërore – por kjo nuk vërtetohet edhe në praktikë.
Shteti ynë ka adoptuar shumë ligje dhe ka nënshkruar plot dokumente të detyrueshme ndërkombëtare që flasin për garancitë e barazisë mes gjinive dhe ndalojnë diskriminimin gjinor, mirëpo statistikat sërish e tregojnë pasqyrën e vërtetë – atë të pabarazisë turpëruese.
Duke filluar nga organi më i lartë përfaqësues, i cili, ndonëse me ligj detyron që çdo e treta kandidate për deputete në Kuvend të jetë grua, dhe ku asnjëherë nuk është arritur që një grua më tepër të jetë parlamentare më shumë sesa e përcakton kuota. E për të vazhduar te numri i grave të punësuara, i cili, sipas ASK-së, gjen se në vitin 2017 ishte 36.6 për qind për gratë kundrejt 28.0 për qind për burrat.
Kurse për të qenë edhe më ilustruese pabarazia gjinore, mjafton të merret parasysh se vetëm 16 për qind të pronave të paluajtshme në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave, sërish larg më e ulëta në rajon, ku për shembull Shqipëria ka 29 për qind, kurse Serbia 49 për qind të pronave në emër të grave.
PSE PO BËRTET “O, kuku, nonë”? – e kishin pyetur atë tipin që e kishte vetëm një djalë e tri vajza.
Se nona më don më së shumti! – ishte përgjigjur. (Marrë nga portali Koha.net)
Publikohen nominimet për Çmimin Europian të Arkitekturës European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe Award.
Nga Shqipëria janë në garë 12 projekte arkitekturore, në listën me 383 projekte dhe punë arkitekturore.
Në mesin e projekteve shqiptare janë edhe ArTurbina, Muzeu ‘Shtëpia me gjethe”, Parku Olimpik Tirana nga DEAstudio, Villa ‘Between Olive Trees’ dhe projekte tjera.
Nga Kosova, në këtë listë janë Garden House në Prishtinë, H House nga 4mGroup dhe Anarchitecture Theatre nga anarch, shkruan KultPlus.
Mbrëmë në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u mbajt koncerti tradicional i fundvitit që përmbyllë aktivitetin kulturor për vitin 2018, me ç’rast në këtë ngjarje u shpall edhe më i merituari në këtë fushë, Çmimi “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.
Me një program të pasur kulturor-artistik ku performuan anëtarë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, grupi i folklorit si dhe u interpretuan këngë popullore nga këngëtarë të mirënjohur ferizajas e më gjerë, të ekzekutuara këto nga orkestra e AKV “Kastriotët”, arriti edhe momenti kulminant i kësaj ngjarje, ndarja e Çmimit “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.
Pas një pune disa javore, komisioni nga 7 të nominuarit për këtë shpërblim, zgjodhi regjisorin e mirënjohur ferizajas, Besim Ugzmajli – Artist i Vitit 2018, duke i ndarë Çmimin “Finesa” për sukseset e tij ndërkombëtare dhe çmimet e shumta të pranuara në gara ndërkombëtare me filmin e tij “Forgive me” si dhe kontributin e tij të përgjithshëm në promovimin e kinematografisë vendore në arenën ndërkombëtare. Ndarjen e këtij Çmimi e bëri drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, shkruan Ferizaj Press.
Me mirënjohje u nderuan edhe shoqatat e grupet kulturore që dhanë kontribut në realizimin e aktiviteteve dhe avancimin e përgjithshëm të aktivitetit kulturor në Ferizaj gjatë vitit 2018.
Në këtë ngjarje u përkujtuan edhe personalitetet që ndërruan jetë gjatë këtij viti, protagonist e kontributor në zhvillimin e artit, kulturës e sportit siç janë Sheqer Shllaku, Ramadan Haziri, Isuf Aliu si dhe Ilirjana Vorfi.
Ky aktivitet përmbyll vitin kulturor në Ferizaj me mbi 150 ngjarje kulturore të realizuara gjatë këtij viti nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com