Sonte nuk vjen askush…

Poezi nga Majlinda Bashllari .

Sonte nuk vjen askush, tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën* vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda… i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht nga ajo majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…

*Siddhartha- vepër e Herman Hesse

Dy këngë për ata që nuk e harrojnë Ritmin e Rrugës

Një gjeneratë në Kosovë është rritur me këngët e grupit ‘Ritmi i Rrugës’.

Dy djemtë e grupit sonte kanë karrierë në fusha të ndryshme por stilin e tyre të vjetër e kujtojmë në këngët e ndryshme të dyshes.

Memli Kelmendi dhe Arbër Reçi formuan grupin ‘Ritmi i Rrugës’ në vitin 1995 ndërsa që nga ajo kohë e deri në shuarjen e grupit, ky mbeti absolut një prej grupeve që dha mësim në repin shqiptar.

Në vitin 2000 grupi publikoi albumin ‘Bota është e jona’ njëjtë sikur titulli i këngës që është mjaft e njohur dhe e pëlqyer edhe sot.

Sot po i kujtojmë dy këngë nga ky grup. Të parën e kemi ‘Ushtari i Rrugës’, një këngë himn i viteve të para të pasluftës në Kosovë.

Dikujt mund të mos i besohet se kënga “Ushtari i Rrugës” është realizuar në vitin 2003.

Më vonë, këngë të tjera do të vinin nga dy djemtë e rinj që krijuan këngë të ndryshme dhe i dhanë tekste rebele melodive.

Melodia e dytë që po e sjellim sot është “Përjetësisht” edhe kjo një këngë me një videoklip të veçantë dhe një mesazh të qartë për fansat e grupit.

Grupi viteve të fundit është kërkuar nga fansat por duket sikur nuk do të ketë një ringjallje të melodive të këtij grupi, pjesë e nostalgjisë muzikore në Kosovë. / KultPlus.com

HAVEIT: ‘Ne jemi grup artistik që i takojmë rrugës’

Punët e tyre artistike kanë ditur gjithmonë të godasin në realitetin kosovar. Kosovarët lirshëm shpesh edhe i kanë kërcënuar, aq lirshëm sa çdo ditë kërcënohet në këtë shoqëri kosovare ku luhet me letra të hapura kur vjen puna te kërcënimet paskrupull, por katër vajzat e grupit HAVEIT nuk kanë ndaluar.

Puthja e tyre në Sheshin e qytetit në Prishtinë ende është momentum i kohës. Tregimi i vajzave gjithmonë është i begatshëm edhe vite e vite pas debutimit të tyre artistik.

Sot në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, Hana Qena dhe Alketa Sylaj nga HAVEIT ishin pjesë e një bisede artistike – small artistic talk – ku treguan më shumë për përvojën e tyre dhe për planet e tyre, shkruan KultPlus.

Vajzat që jo shumë kohë më parë arritën deri te vëmendja e The Guardian për shkak të billbordeve me emrat e viktimave familjare – mes tyre Diana Kastrati e Zejnepe Bytyqi, para audiencës në Prishtinë prezantuan të kaluarën e tyre dhe vizionin për një të ardhme ku katërshja e vajzave thumbojnë bash aty ku nuk pritet e përllogaritet.
“Është interesante sepse punët tona lindin shumë shpejtë, sepse nëse nuk i realizojmë ashtu atëherë edhe ne jemi vetëm disa të rinj që mbesin duke u ankuar. Ne kemi pasur fillimisht opinione të fuqishme që i kemi përkthyer në punë. Punët tona vijnë si nevojë prej problemeve me të cilat ballafaqohemi çdo ditë” tregoi mes tjerash Alketa Sylaj.

Grupi foli për fillimet në vitin 2011-të, për punët artistike që pasuan – “Jepi me gojë” apo “Tagër”, për performancat e tyre në hapësirë publike por edhe për faktin se me kalimin e kohës ato janë zhvilluar dhe sot vijnë si artiste në forma të ndryshme.

“Performancat tonë janë performanca përtoke, e kur kemi dalë në rrugë e kemi kuptuar si është të njoftohesh me të panjohurën. Në plot prej performancave tona më pas ne vetë si HAVEIT kemi hasur probleme, kemi hasur në pyetje prej familjarëve në lidhje me performancat, por kjo është vetëm pjesë e punës dhe angazhimit tonë” tregoi Hana Qena.

U debatua edhe për puthjen e famshme që katër vajzat e realizuan para disa vitesh përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në ditën e Shën Valentinit, si revoltë ndaj shtypjes që kjo shoqëri i bën dashurisë mes personave të gjinisë së njëjtë.
“Është interesant fakti se kur shkuam në Polici, ata vetë na thanë që ta fshinim fotografinë që e kishim vendosë në rrjete sociale, ku po putheshim. Atyre u dukeshim një komunitet qesharak ndërsa kemi marrë atëherë plot mbështetje por edhe plot kërcënime. Megjithatë kjo ka qenë një kohë kur ka pasur debat rreth komunitetit LGBT” tregoi Hana Qena.

Pasi prezantuan një pjesë të punëve të tyre artistike ndër vite, HAVEIT treguan për planet.
Në korrik do të kenë një ekspozitë në Tiranë ndërsa më vonë do të jenë pjesë e një residence artistike jashtë vendit. Një pjesëmarrje në Shkodër poashtu do të jetë pjesë e planit artistik të Vesa Qenës, Lola Sylajt, Hana Qenës dhe Alketa Sylajt. / KultPlus.com

Katër shtete po realizojnë një film për ilirët

Edhe një film do të mund ta shohim gjatë vitit të ardhshëm në ekranet e mëdha të kinemave shqiptare.

Kështu së paku ka bërë të ditur Fatmir Spahiu, i njohur më mirë si “Oki” i serialit “Kafeneja Jonë”.

Ai përmes një mesazhi në llogarinë personale në Facebook ka treguar se produksioni “Buka” do të jetë pjesë e projektit filmik të titulluar “Illyricvm”.

Në një prononcim për Telegrafin, 37-vjeçari ka pohuar se “producentja e filmit është zonja Ankica Tilic, një emër i madh i kinematografisë evropiane kurse regjisor dhe skenarist është Simon Bogojevic Narath”.

Spahiu më tutje ka falënderuar Qendrën Kinematografike të Kosovës për votimin e projektit, i cili do të jetë koproduksion në mes të Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kosovës.

Fatmiri gjithashtu ka shprehur dëshirën që këtij projekti t’i bashkëngjitet edhe shteti shqiptar pasi që bëhet fjalë për një film për paraardhësit tonë.

Ndryshe, kasta e aktorëve do të përzgjidhet shumë shpejt pasi që të definohen të gjitha detajet rreth filmit.

Libri i shenjtë i Jusuf Gërvallës

Jusuf Gërvalla

Shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s’do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën’ e verdhë atje lart në tavan – dhe teja
tok me djepin e vjetër që s’përkundet – e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët – s’ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më fton

mbi tryezë ora e vogël rrah e s’pushon.

Demolohet xhamia e fshatit Llugaxhi, ende s’ka të dyshuar

Xhamia një shekullore e fshatit Llugaxhi të Lipjanit, ka qenë cak i një sulmi në mbrëmjen mes të premtes dhe të shtunës.

Nga sulmi janë demoluar muret brendshme dhe pjesa e “hytbes”, raporton KTV.

Xhaminë, banorët thonë se e gjetën në këtë gjendje kur dolën për të falur sabahun.

Ata shtojnë se nuk e dinë se kush mund të jetë autor i sulmit.

Në polici, pa dhënë shume detaje, kanë thënë se janë duke hetuar rastin dhe sulmin ndaj xhamisë e kanë cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”

Megjithatë, banorët thonë se së fundmi, ka pasur mospajtime lidhur me një kërkesë për ndërtimin e një xhamie të re.

Sipas tyre, shumica duan xhami të re në lokacion tjetër – dhe ruajtjen e xhamisë së vjetër – të ndërtuar në vitin 1917 – e cila kishte shërbyer edhe si shkollë.

Ndërsa të tjerë duan rrëzimin e më pas ndërtimin e xhamisë në lokacionin aktual.

Për xhaminë e re, thonë se Komuna e Lipjanin kishte miratuar kërkesën për ndarjen e kësaj parcele afër shkollës – por i njëjti vendim është pezulluar përkohësisht.

Derisa shprehet i habitur me atë që ka ndodhur, imami i kësaj xhamie, Vehbi Gajtani, e dënon sulmin, që thotë se është incidenti i parë në 13 vjet sa ai fal namaz në Llugaxhi.

Ndërsa, pohon se shumica janë pajtuar për xhami në lokacion tjetër.

Teksa thotë fjalë të mira për fshatarët, ai thekson nevojën për një xhami të re.

Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Bukurie Jashari, përmes telefonit ka thënë se vendimi për lokacionin e ri për ndërtimin e xhamisë është pezulluar deri në arritjen e pajtimit në mes banorëve.

Sipas banorëve, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka bërë vlerësimin e këtij objekti.

Televizioni ka provuar të marrë informacione për statusin e këtij objekti, por zyrtarë IKMM-së kanë qenë të paqasshëm të shtunën. / KultPlus.com

Këta janë filmat nga Ballkani që vijnë sivjet në PriFest

Është shpalosur sot programi i filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018.

Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku. Një program ku autorët ballkanikë trajtojnë tema të ndryshme nga ky regjion i jashtëzakonshëm në Juglindje të Evropës.

Programi i filmave të Ballkanit, i titulluar ‘Honey and Blood Program’, do të sjell këtë vit gjithsej 10 filma, prej të cilëve nga Kosova janë “Prishtina Story” me regjisore Burbuqe Berisha, “Rooftop Story” me regjisor Gazmend Nela dhe “The Return” (bashkëprodhim i Kosovës dhe Maqedonisë) me regjisor Kastriot Abdyli.

Me një titull simbolik, ashtu sic është edhe vet kuptimi i emrit Ballkan, ‘Gjak dhe mjaltë’ (Honey and Blood) ky program sjell një miks të autorëve tashmë të dëshmuar të rajonit dhe atyre debutues. Nga komedia deri te drama sociale, nga tema lufte deri tek filmat për të rinjë, dhe ajo që është shumë e veçantë, disa filma nga Kosova apo në koproduksion me Kosovën. Këta janë filmat ‘A Prishtina story’ dhe ‘Rooftop story’ nga autorët debutantë Burbuqe Berisha dhe Gazmend Nela, si dhe koproduksionet e Kosovës me Maqedoninë, ‘The Return’ nga Kastriot Abdyli dhe ‘Year of the Monkey’ nga Vladimir Blazevski.

Lista e filmave të Programit Garues Ballkanik – ‘Honey and Blood’:
1. Directions (Bullgari), nga Stefan Komandarev,
2. The Witch Hunter (Serbi), nga Rasko Miljkovic,
3. Men don’t cry (Bosnje dhe Hercegovinë), nga Alen Drljevic,
4. Year of the Monkey (Maqedoni), nga Vladimir Blazevski,
5. Comic Sans (Kroaci), nga Nevio Marasovic,
6. A Prishtina story (Kosovë), nga Burbuqe Berisha,
7. Rooftop story (Kosovë), nga Gazmend Nela,
8. The smell of money (Turqi), nga Ahmet Boyacioglu,
9. Zer (Turqi), nga Kazim Oz,
10. The Return (Maqedoni, Kosovë) nga Kastriot Abdyli.

Audienca e PriFest këtë vit mes datave 17-22 korrik do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re, “Kino Armata”.

Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletoren e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit.

Faruk Basha, njeriu që i dha shumë kinematografisë shqiptare

Po e kujtojmë sot një emër të rëndësishëm në kinematografinë shqipe.

Faruk Basha. Ka lindur në Tiranë në vitin 1940 ndërsa rrjedhë nga një familje e vjetër pejane që u vendos në Tiranë në vitet 30-të.

Në vitet 60-të ai kreu disa kurse speciale për kinematografi në Tiranë, ndërsa ka bashkëpunuar me Viktor Gjikën, Dhimitër Anagnostin e disa regjisorë të tjerë. Në vitet 60-të ai nisi më intenzivisht punën në filma, ndërsa pas suksesit si operator ai u bë pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve.

Vitet e 70-ta, Faruk Basha i kaloi duke marrë pjesë asokohe në bashkpëunimin kulturor mes Kosovës e Shqipërisë ndërsa pas vitit 2000 filloi punën si pedagog në Akademinë e Filmit Marubi ku punon ende.

https://www.youtube.com/watch?v=3ojMeAefMHs

Filmat në të cilët Basha ka punuar janë: “Familja ime”, “Fillim i vështirë”, “Asgjë nuk harrohet”, “Përtej mureve të gurta”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Në fillim të verës”, “Malet me blerim mbuluar” dhe filma të tjerë.

Efektet speciale të fotografisë ai i realizoi në “Balada e Kurbinit” në vitin 1990 dhe “Flutura në kabinën time në vitin 1988. / KultPlus.com

Borxhet e mia

Xhevahir Spahiu

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit,
i kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit
qe s’ja hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxhe krimit
që si vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxhe të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve,
gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.

Më mirë një shtëpi për aktorët sesa një shtëpi për dashnoret!

Ilirjan Blloshmi

Kisha pushimet, hoqa të gjitha portalet politike, nuk lexova asnjë lajm politik, kam ndjekur botrorin pothujase cdo ndeshje. Rilexova poezite e Salaman Ruzhdies, pata dhe nja dy libra të tjerë me vete por nje mut i lexova se nuk te linte birra dhe oqeani. Kisha dëgjuar nëpërmjet statuseve të miqëve për teatrin, për aktorët e shitur, për ata që po i lepinë bythën pushtetit, për ata që janë padinjitet etj etj. Për sa kohë kam qënë në Shqipëri unë kam qënë një vizitor i regullt i Teatrit. Nuk linja pothujase asnjë shfaqie pa parë, teatri më dhimbset, aktorët i dua, pavarisht se kush janë ata, me cfarë merrem ata, nuk më interson nëse janë të Lulit, të Edit, të Erionit apo të dreqit a shejtanit.

Sot jetojmë në një epokë jashtëzakonisht të materializuar, ku nëvoja shpirtërore është në limitet e saj. Përreth nesh ka shumë zhurma, aq shumë sa nuk na lejon, të dëgjojmë as të vërtetën dhe nevojat tona më të thella. Në gjithë këtë xhahamallahi lexon cdo gjë të mundshme, nga një grup që nuk ja kanë habarin fare teatrit, që nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre. Janë këta që kur ishin në shkollë, të vetim instrumet që kishin të preferuar ishte zilja e shkollës. Sot për teatrin proteson Besjan Pesha, ish drejor dhe hajdut i LSI-së. Protestojnë rrogëtarët e Ervin Salijanit, i cili ka dy breza që pasurohet në kurrizin tonë, vjedh pasuritë tona. Sot kanë dalë disa “filozofë” që Mul Noka paguan të sulmojnë aktorët që janë me Veliajn.

Lexova një” filozof” që thoshte se Arben Derhemit, Velija i ka premtuar një hyrje, një dyqan tek kulla, që do ndërtohet tek Teatri. Nëse kjo është e vërtetë hallall ta ketë Arbeni. Unë e kam parë Arben Derhemin të ushqet tek mencat e qytet studenti. Nuk e kam parë as me ML, as me BMW, por e kam parë të udhetojë më urban madje dhe me abone. Sepse në këtë vend kurvë sundojnë kopilat, që janë produkt i kurvezimit të politikës. Hidhni një sy deklaratave që bëjnë politkanët për pasurnë e tyre. Një hyrje për dashnoren që kan kur janë në pushtet, një hyrje për dashnoren kur janë ne opozite dhe një hyrje ku kanë gratë dhe fëmijët. Nëse vërtë Veliaj ju ka premtuar hyrje aktorëve aty, hallall e ti gëzoni. Vërjani kazmën asaj godine. Fundja më mirë një shtëpi për Arben Derhemin që na jep kënaqesi kur ngjitet në skenë. Sesa një shtëpi për Greta Kocin. Më mirë një shtëpi për Altin Bashën që është një nga regjizorët më të mirë që këmi aktualisht. Sesa një shtëpi për Gugunë. Më mirë një shtepi për Alfred Trebickën sesa një shtëpi për cdo dashnore ministri apo kryetari bashkie.

Ka shpresë për Kosovën në Eurovizionin e vitit tjetër

Ekziston një mundësi dhe shpresë që Kosova të jetë debutuese në Eurovizionin e vitit 2019-të në Izrael.

Në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, Unionit të Transmetuesve Publik, RTK ka marrë premtimin se në dhjetor do të dalë në votim anëtarësimi dhe nëse RTK anëtarësohet në EBU kjo nënkupton që Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion.

RTK ka paraqitur dëshirën dhe vullnetin të jetë pjesë e EBU-së dhe këtë e ka ripotencuar në Tiranë këto ditë.

Në listën e televizioneve publike që do të votojnë janë edhe RTSH nga Shqipëria dhe Radiotelevizija Srbije nga Serbia. Problematike mund të jenë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004. / KultPlus.com

Januzaj: S’festoj me shqiponjë sepse s’dua të bëj veprime politike

Dy lojtarët e Zvicrës me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, u ndëshkuan nga FIFA me gjobë për shkak të festës së tyre me simbolin kombëtar shqiponjën pas golave të shënuar në ndeshjen kundër Serbisë.

E sulmuesi belg, Adnan Januzaj, i cili po ashtu ka prejardhje nga Kosova, ndonëse ka lindur dhe është rritur në Bruksel, edhe pse shënoi gol në këtë Botëror kundër Anglisë, nuk festoi me në të njëjtën mënyrë.

Në një prononcim për AFP-në, Januzaj tha se nuk dëshiron të bëjë festime politike pas golave.

“Nuk jam shumë i përqendruar në momentin pas shënimit të golit”, tha Januzaj, raporton Koha.net.

“Është gol me plot emocione, po festoja me fansat dhe bashkëlojtarët, por mendoj se janë dy fusha – ajo e futbollit dhe ajo politike. Unë i festoj golat me bashkëlojtarët e mi”, tha Januzaj.

Adnan Januzaj, ditë më parë ka ripërsëritur deklaratën se është belg dhe se është i lumtur që luan për Belgjikën.

10 hapa për të zvogëluar dhunën e burrave kundër grave

Shqiptar Oseku

1. Te ashpërsohen sanksionet ligjore pēr vepra individuale të dhunës së burrave kundër grave. Të hiqet neutraliteti i rrejshëm i tekstit ligjor dhe të ceket qartë se dhuna e burrave kundër grave do të sanksionohet më ashpēr.

2. Te vendoset rekuizita e dhunes se përsëritur patriarkale: dhuna e perseritur, qofte edhe me partner te ri, te kete sanksion te ashpersuar ne shkalle progresive.

3. Te hiqet mundesia qe viktima te terheqe kallezimin penal. Çdo rast dhune te hetohet nga policia dhe dorezohet te prokurori pavaresisht deshires se paleve.

4. Te percillet rregullisht çdo rajon polior si procedon lendet, e cdo prokurori themelore sa lende dhune i ndjek ne gjyq. Suksesi në ndjekje penale të këtyre lëndëve të bëhet kriter bazë për vlerësim të prestacionit dhe rrogë në tē gjitha nivelet.

5. Keshilli Gjyqesor te organizoje kurse standarde per gjykates per dhunen e burrave kunder grave. Pjesemarrja dhe certifikimi ne kurs te behet i detyrueshem, si dhe kriter bazë për vleresim te prestacionit dhe caktim te rroges. E njejta te vleje dhe per prokurorine publike.

6. Dhuna e burrave kunder grave te behet pjese e kurrikules standarde te arsimit dhe trajnimit te kadeteve te policise. Instruktoret te jene te certifikuar nga Qendra per Studime Gjinore.

7. Te krijohet nje buxhet solid per te financuar Qendren per Studime Gjinore si pjese te universitetit publik. Qendra te kete tri profesura te perhershme ne kulture, kriminologji, e studime gjinore, qe emerohen me mandat dyvjeçar ne baze te arritjeve shkencore. Dhuna e burrave kunder grave te behet pjese e kurrikulave te fakulteteve ku ligjerohet kriminologji, juridike, sociologji, si dhe pune sociale. Te mos certifikohen themelata arsimore ku kjo mungon.

8. Barazia gjinore të bëhet pjesê e kurrikulave dhe themel certifikues qe nga parashkollorja. Barazia gjinore të jetë pjesë obligative e lëndës së edukatës qytetare në fillore. Poashtu, edukata qytetare të jetë pjesë e detyrueshme e kurrikulave të shkollës së mesme.

9. Barazia gjinore të jetë pjesë e skemës programore të televizionit publik dhe radios publike. Te gjitha institucionet publike te kene plane te barazise gjinore, duke perfshire ketu institucionet publike te artit dhe te kultures.

10. Te ndryshoje kuadri ligjor i kodit te familjes, eterit qe denohen nga gjyqi per dhune kunder nenes se femijeve te perbashket te humbin automatikisht kujdesin ndaj femijes ne favor te nenave. Eterit qe humbin kujdesin te obligohen ligjerisht per alimentacion. Nqs eterit nuk duan apo nuk munden te paguajne hisen e vet, shteti t’u paguaje alimentacionin nenave, e t’u kerkoje pastaj eterve rimbursim permes zyreve te permbarimit.

Nuk është hiç vështirë, për atë që do.

#feminizmishqiptar

Grupi gjerman e kallë sheshin në Triesta të Italisë me valle shqipe (VIDEO)

Në triesta të Italisë, grupi gjerman prej pesë anëtarësh FABULA AETATIS (Official), për mrekulli e kanë interpretuar përmes instrumenteve të tyre muzikore këngën shqiptare “Gajdexhiu”, si dhe një pjesë të këngës “E lutë nana bijën”, transmeton Albanienshow.

Në një moment, pra në minutën 02:04 të kësaj video, njëri nga anëtarët e këtij grupi e bën me duar shqiponjën️.

Ky supër interpretim është transmetuar LIVE në faqën zyrtare të grupit gjerman FABULA AETATIS (Official).

Me 2 korrik hapet skena e re e teatrit ‘Turbina’

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama bën me dije se në 2 korrik do të hapet salla e re e teatrit “Turbina”.

“Të hënën mbrëma 2 korrik hapet në Tiranë skena e re Turbina, një tjetër investim i qeverisë për artisët e dashamirët e Teatrit, Baletit, Muzikës e Arteve Pamore”, shkruan Rama në Facebook.

“The Son”, filmi boshnjak që pret të ketë Kosovën brenda tij

Në mesin e 30 projekteve që janë financuar kësaj here nga Eurimages është edhe “The Son” me regji nga Ines Tanovic.
Ky do të jetë filmi i dytë i metrazhit të gjatë i regjisores nga Bosnja.

Lajmi i mirë është se filmi do të mund të jetë një bashkëproduksion edhe me Kosovën.

Vjosa Berisha ka aplikuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës që të jetë bashkëproducente e filmit.

“Më është ofruar mundësia që të jem pjesë e këtij projekti dhe patjetër se më ka tërhequr. Regjisorja Tanoviç është një regjisore shumë e sukseshme, dhe projekti ka një temë sociale që është interesante, e aq më shumë për mua është tërheqës fakti që rolin kryesor do ta ketë aktori Uliks Fehmiu. Nëse projekti ka sukses në QKK, Kosova do të ketë mundësi të bëj bashkëprodhimin e parë me Bosnën” tregon Berisha.

Filmi ka marrë mbështetje prej 125 mijë eurove nga Eurimages, ndërsa janë ndarë gjithsej gati 7 milion euro për projekte të ndryshme filmike, dokumentarë dhe një animacion.

Prezantimi i Vjosa Berishës për ta arritur këtë sukses kinematografik do të jetë nesër, kur edhe do të dihet nëse Kosova mund të jetë pjesë e këtij projekti të suksesshëm boshnjak. / KultPlus.com

A është e vjedhur ‘This is America’ nga Childish Gambino?

Kënga ka goditur qysh në orët e para të lansimit.

“This is America” nga Childish Gambino po i sjellë artistit famën e kërkuar prej kohësh.

Së fundmi, duket se këngëtari po akuzohet se e ka vjedhur këngën, ose është inspiruar dukshëm goxha si shumë nga një këngë e mëhershme.

Ngjashmëria mes dy melodive vërehet. Kënga “American Pharaoh” është lansuar në mars të vitit 2016 ndërsa ajo e Gambinos në maj të këtij viti.

“Mendoj se kënga ime e ka inspiruar këtë artist, që nga hera e parë që e dëgjova këngën” ka reaguar Jase Harley, këngëtari i këngës për të cilën po thuhet se është vjedhur nga Gambino.

Gambino nuk ka reaguar ende. / KultPlus.com

Alban Skenderaj dhe Young Zerka sjellin ‘Deja Vu’ (VIDEO)

Këngëtari i njohur Alban Skenderaj dhe Young Zerka, kanë lansuar bashkëpunimin e tyre “Deja Vu”.

Teksti dhe melodia është punuar nga vetë ata.

Kënga është nën produksionin e Lorenc Aliaj i njohur si Avaxus dhe të Alban Skenderajt.

Videospoti është realizuar nga Fullmoon Production.

Këngës së shpërndarë në Youtube, i kanë bashkëngjitur edhe tekstin. / KultPlus.com

Mel Gibson dhe Jean Claude Van Dam mbërrijnë në Shqipëri

Dy aktorët Mel Gibson dhe Jean Claude Van Dam kanë zbarkuar në Shqipëri.

Report Tv ka mësuar se dy ikonat e kinematografisë amerikane, kanë zbritur paraditen e sotme në Rinas. Gibson e Van Dam, pritet të nisin ditën e nesërme xhirimet e një filmi aksion.

Ky lajm pritet të ekzaltojë qindra fansa të dy aktorëve që janë shumë të dashur edhe në Shqipëri.

Pjesë e filmit pritet të jetë dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri. / KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

Të hënën fillon Festivali i Arkitekturës në Prishtinë

Të hënen duke filluar nga ora 15:00 do të fillojë Festivali i Arkitekturës në Kosovë.

Me datë 2 korrik do të hapet kësisoj ekspozita mbi konzervimin e Bibliotekës Kombëtare.

Ekspozitën dhe festivalin do ta hapin Bekim Ramku – drejtor i festivalit, Fazli Gajraku – drejtor i Bibliotekës dhe Antoine Wilmering – përfaqësues i Getty Foundation.

Në mbrëmje me fillim prej orës 19:00 fillon cikli i ligjëratave të hapura për publikun në ambientet e Kino Armatës, me ligjëratat e Valentin Kunik, Guillame de Morsie, Ibai Rigby dhe Charlotte Malterre-Barthes.

Me datë 3 korrik vazhdojnë aktivitetet me puëntori, ekspozita dhe ligjërata tjera.

Programin e plotë të festivalit mund ta gjeni në këtë link. / KultPlus.com

Zbulohen datat e testit të dytë të Maturës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim për datat e mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore 2018, në afatin e dytë.

Sipas këtij vendimi, maturantët e mbetur për afatin e dytë të maturës, do t’i nënshtrohen provimit më datë 28 gusht 2018 (pjesa e parë) dhe më 1 shtator 2018 (pjesa e dytë), transmeton KP.

Këtë vendim, Bytyqi e ka marrë pas sugjerimeve nga Komisioni Shtetëror i Maturës lidhur me dinamikën e planifikuar të organizimit të Provimit të Maturës Shtetërore. / KultPlus.com

Të vraftë perëndia

Lefter Çipa

Të vraftë perëndia
Se një herë s`mu fale,
Për hallet e mia,
S`pate shpirt të qaje.

Ti e di, për tyja,
Mbaj mbi supe male,
S`di nga vjen fuqia,
Fuqi kaq e madhe.

Moj, ti e vrafsh veten,
me duart e tua,
pa ty po të mbetem,
jetën, s`kam ç`e dua.

Shpejt, më djegtë prushi,
Më rrëmbeftë flaka,
Si kallamé gushti,
Në gushë të rafsha.

Si qiri je ndezur,
Si fleta më dridhesh,
Dhe prapë duke qeshur,
Nga flaka më ngrihesh.

Nga sytë e përplasur,
Nga fjala e dehur,
Ndaj po ta them hapur,
Zvarrë më ke hequr.

Veç ta dish një ditë,
Syri do të qajë,
Unë përmbi gjinjtë,
Do të ndez cigarë.

Cigarja djegtë mua,
Ty të të zhurisë,
Sa shumë të dua,
E dinë perënditë.

‘Udhë të mbarë’ thotë Cute Babulja (VIDEO)

Shpesh i kujtojmë këngët e realizuara vite më parë, lidhur me emocione dhe me periudha të ndryshme të jetës sonë.
Mes tyre kujtojmë edhe grupin Cute Babulja.

Plot këngë nga grupi kanë ardhur nëpër vite, dhe gjenerata janë rritur me këngët e dyshes Genc Salihu dhe Enes Bajramliqi.

Cute Babulja është formuar në vitin 2004. Sot të dy artistët kanë karrierat e tyre përkatëse.

Megjithatë, kënga “Udhë të mbarë” është një ndër këngët unike të grupit. Në vitin 2005 me videoklipin e këngës grupi shënon edhe suksese në VideoFestin Muzikor të atij viti.

Po e sjellim kësisoj sot në rubrikën e retrospektivës muzikore këtë këngë dhe videoklipin e veçantë që dikut se asnjëherë nuk bëhet monoton, njëjtë sikur në dëgjim e edhe në shikim. / KultPlus.com