Gjakova, djepi i kulturës shqiptare

Qyteti i Gjakovës shtrihet në zonën jug-perëndimore të Republikës së Kosovës, përkatësisht është krijuar si nevojë e ndërprerjes së udhëtimeve të gjata mes qyteteve të Pejës dhe Prizrenit.  

Qyteti i Gjakovës me 85 fshatrat e saj karakterizohet me pasuri të madhe të monumenteve të të gjitha kategorive ku përfshihen: komplekse, shtëpi tradicionale, kulla, xhami, kisha, teqe, medrese, mejtepe, kroje, mulli etj.  Edhe pse si qyteti më i shkatërruar nga lufta e viteve 1998-’99 Gjakova ka arritur që në masë të madhe të ruaj –konservojë dhe restaurojë pasurinë e vet kulturore, edhe pse ka edhe mjaft punë për t’u bërë.

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për  Mbrojtje të Përkohshme në të cilën janë përfshirë objektet e të gjitha kategorive për Komunën e Gjakovës janë evidentuar gjithsej 148 monumente, prej te cilave 38 monumente te kategorisë së trashëgimisë arkeologjike, 1 Kompleks i Tërësisë Urbanistike “Çarshia e madhe” dhe 109 monumente te trashëgimisë arkitekturore prej nga 8 kulla te qytetit dhe 23 kulla ne fshatra.

Gjakova është një nga qytetet më kulturore në Kosovë. Gjatë periudhës Osmane, Gjakova shërbeu si një qendër tregtare në rrugën midis Shkodrës dhe Stambollit. Në të kaluarën, ishte shtëpia e disa aktivistëve të shquar shqiptarë të cilët luajtën një rol në Lidhjen e Prizrenit në fund të shekullit të 19-të. Qyteti u prek keq nga lufta e Kosovës, duke pësuar shkatërrim të madh fizik dhe humbje në shkallë të gjerë njerëzore dhe abuzime të të drejtave të njeriut.

Saranda Hyseni, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë për KultPlus se në Gjakovë nuk është asnjëherë mjaft, sepse është një qytet që jeton me kulturën dhe artin dhe ka shije shumë të hollë. “Kjo na bën ne që çdo herë të mundohemi që të sjellim risi dhe kualitet. Po ashtu kemi hapësira të  mjaftueshme, shumë shpejtë po e lëshojmë në funksion edhe Galerinë e Arteve, e munguar që disa dekada. Po ashtu shumë shpejt pritet të finalizohet edhe amfiteatri veror i qytetit i cili do të jetë unik për nga lloji në Kosovë”, ka thënë Hyseni , e cila më tutje tregon se ka një mori aktivitetesh që zhvillohen në Gjakovë, e  shumë prej tyre janë tradicionale.”Përkundër gjendjes pandemike po mbahet festivali për fëmijë “Lyra Fest” po ashtu jemi në përgatitje të një premiere në teatrin e qytetit “Hadi Shehu”, dhe duke shtuar po ashtu se gjatë  gjithë pandemisë kanë pasur aktivitete online që në një farë forme kanë  arritur sado pak ta zbusin zymtësinë e kohës”, ka thënë ajo.

Hyseni për KultPlus poashtu thotë se interesim ka mjaft, prandaj kjo i shtynë çdo herë të bëjnë aktivitete të reja si dhe gjithmonë kualitative. “Ne, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kemi disa forma të mbështetjes për të gjitha OJQ- të e kulturës. Duke filluar prej subvensioneve vjetore që ndahen si dhe bashkë organizimet dhe lirimi i hapësirave adekuateSecili drejtor dëshiron që ta rris kualitetin për periudhën që udhëheq me drejtori. Besoj se kjo periudhë katër vjeçare do mbahet mend për investimet e shumta që janë bërë e që do mbesin trashëgimi për brezat e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Sipas Hysenit trendi gjithmonë është pozitiv sa i përket asaj që çfarë është dhe nuk është e zhvilluar, mund të kenë pasur  ngecje aty këtu por në përgjithësi ka shkuar mbarë çdo gjë deri sa filloj faza pandemike që ndryshoi çdo gjë. Ajo më tutje shtoi se sa i përket fondeve dhe mbështetjeve që marrin “Përpos grandit qeveritar dhe të hyrave vetanake të komunës, në vazhdimësi ne kemi dhe mbështetje financiare në projekte të ndryshme nga organizata ndërkombëtare”.

Gjatë pandemisë Hyseni tregon se për dy muaj, çdo natë  kanë ofruar  shfaqje teatrale në bashkëpunim me të gjithë teatrot e Kosovës. Po ashtu, kanë organizuar edhe ekspozitë online me të gjithë piktorët e komunës së Gjakovës. Sa i përket hapësirave publike Hyseni për KultPlus ka thënë se ka mjaftueshëm hapësira, por që së shpejti do të lëshohen në funksion edhe disa të tjera. Kurse gjatë këtij viti ajo tregon se në bazë të disa aktiviteteve që do të zhvillohen do të jenë disa festivale të ndryshme. Për fund ajo thotë “Mbështetja nuk ka munguar e nuk do të mungoj asnjëherë  për projektet e mira që vjin për mbështetje tek ne” për të gjithë ata që janë të interesuar për të zhvilluar ndonjë aktivitet kulturor në qytetin e Gjakovës, shtoi ajo për KultPlus.

Edi Kastrati, aktor i njohur i Kosovës, njëherit edhe drejtor i përgjithshëm i Teatrit të qytetit të Gjakovës “ Hadi Shehu”, ka treguar për KultPlus se sa i përket aktiviteteve kulturore që zhvillohen në teatrin e Gjakovës, janë aktivitete të artit skenik. “Teatri prodhon vetem shfaqje teatrale ndërsa bën edhe bashkëpunime tjera”, duke shtuar më tutje se gjendja e teatrit i plotëson të gjitha kërkesat e nevojshme. Kastrati i pyetur se çfarë ka pasur mangut ky teatër dhe çfarë ka ndryshuar pas ardhjes së tij, ka thënë se “Nga ardhja ime si drejtor ,duhet ti pyesni të tjerët për mua, unë vetëm mundem me thanë se ka qenë tepër keq dhe është i kompletuar dhe ndoshta më i miri në Kosovë” tha ai për KultPlus. Ku më tutje i cili thotë se sa i përket aktiviteteve “Së pari duhet të ndryshoj gjendja e pandemisë e mandej të vazhdojmë me aktivitetet e shumta që kemi pasur gjithmonë dhe që do t’i kemi” tha Kastrati për KultPlus.

KVRL-Gjakovë, organizatë jo qeveritare, sa i përket angazhimeve kulturore, organizon aktivitete të ndryshme të cilat e promovojnë talentin e të rinjve, kryesisht në muzikë dhe art. Poashtu punon për ngritjen e vetëdijes për mbrojtje e trashëgimisë kulturore të Gjakovës me aktivitete promovuese dhe vetëdijesuese së bashku me organizatat anëtare dhe ato partnere. Ideal Zhaveli, udhëheqës i kësaj organizate ka treguar për KultPlus se mbështetjen e kanë nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet komunale, si Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por poashtu edhe nga drejtoritë tjera përkatëse ku bashkëpunojnë për aktivitetet e tyre.

Së fundmi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit na ka përkrahur me një subvencion për angazhimin e të rinjve në art përmes muraleve, poashtu  edhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, na ka përkrahur me një subvencion vjetor i cili ndihmon në promovimin e talenteve të rinj përmes vullnetarizmit duke shprehur talentin e tyre në art”.

Si qytetar i Gjakovës, Zhaveli mendon që duhet të bëhet më shumë rreth aktiviteteve kulturore. “ Bashkëpunimi mes institucioneve dhe organizatave lokale, duhet të jetë më i madh për të punuar për aktivitete kulturore, të cilat promovojnë Gjakovën por edhe mbrojnë objektet e trashëgimisë kulturore”. Ndryshimin të cilin Zhaveli  do të donte ta shihte, është ndoshta një komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe aktereve që punojnë në këtë drejtim, që të kenë informacionin e saktë se çfarë duhet të ndërhyhet apo të zhvillohet në komunën e Gjakovës.

Zhaveli për KultPlus tregoi më tutje se “Aktivitetet kulturore në Gjakovë, kryesisht i ndjek ato muzikore dhe teatrin e qytetit “ Hadi Shehu “, të cilat mendoj që janë të shumta në Gjakovë por që këtë vit kishte më pak për shkak të pandemisë”  shtoi ai për KultPlus, sa i përket aktiviteteve kulturore që ai i ndjek. Linda Krasniqi/ KultPlus.com

Tre nga policët që luftuan mbrëmë me terroristët janë shqiptarë nga Kosova

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë të ditur se tre nga policët që luftuan terroristët mbrëmë në Vjenë, kanë qenë shqiptarë nga Kosova.

Këto fjalë kryediplomatja kosovare i tha gjatë një konference për media së bashku me Ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Mass. “Tre nga policët që luftuan me terroristët mbrëmë në Vjenë janë shqiptarët të Kosovës”, thotë Haradinaj-Stublla.

“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nënvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirë integruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës. Ajo tha se Kosova qëndron përkrah aleatëve në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit. Deri tani pesë persona kanë vdekur nga sulmi me kallashnikov që u krye në mbrëmjen e së hënës në Vjenë, përfshirë njërin nga sulmuesit. / KultPlus.com

Fushata “Bëhu Mik i Prishtinës” fillon ta gjelbëroj kryeqytetin

Në kohën kur kryeqytetin pa lum e ka pushtuar ajri i papastër dhe mungesa e gjelbërimit, Komuna e Prishtinës ka nisur fushatën “Bëhu Mik i Prishtinës” dhe lokacioni i parë për mbjelljen e fidanëve, u bë hapësira e konvikteve, shkruan KultPlus.

Fushata “Bëhu Mik i Prishtinës” ka për qëllim rikthimin e gjelbërimit, pastrimin e ajrit dhe zbukurimin e qytetit nëpërmjet mbjelljes së drunjëve. Kësisoj, 15 fidanë u mbollën nga iniciatorët e këtij organizimi në afërsi të konvikteve studentore.

Kjo nismë do të vazhdoj edhe në ditët e tjera, ndërkaq Komuna e Prishtinës pati bërë thirrje për donacione materiale dhe për bashkim të qytetarëve në këtë nismë. Bllogu Sbunker së fundmi i’u bashkua iniciativës me 60 fidanë.

Të interesuarit për t’u bërë “mik i Prishtinës’’ nëpërmjet gjelbërimit, mund të kontaktojnë në emailin: [email protected] ./KultPlus.com

Këtë Halloween, Cineplexx sjell event të veçantë me çmim biletash vetëm 3€

Edhe këtë vit, për festën e Halloween më 31 Tetor, Cineplexx organizon event të veçantë, ku do të shfaqen 3 super-filma horror me çmim special prej 3 EUR.

Cineplexx do të jetë një destinacion fantatstik për ditën e Halloween. Me një çmim special të biletave (3,00 Eur) dhe dekorime të frikshme në korridor, kinemaja do të jetë vend perfekt për fansat e filmave horror dhe festës së Halloween në përgjithësi.

Këtë event, Cineplexx ka vendosur të risjellë në shfaqje 3 filma horror, 2 prej të cilëve u shfaqën më herët gjatë vitit, ndërsa super-horrori spanjoll, 32 Malasana Street, do ta ketë premierën këtë javë.

Këta janë 3 filmat të cilët do të mund ti shihni në Cineplexx këtë Halloween:

1. 32 Malasana Street

Filmi flet për një familje e cila shpërngulet në një shtëpi të re për të jetuar ëndrrën e një qyteti të madh. Por asgjë nuk është si ata mendojnë, sepse në atë shtëpi, ëndërrat shëndërrohen në ankthe.

2. The Invisible Man

Kur ish i dashuri abuzues i Cecilias vetëvritet dhe i lë asaj të gjithë pasurinë e tij, ajo nis të dyshojë se vdekja e tij është një rreng. Ndodhi të rastësishme e vdekjeprurëse bëjnë që Cecilia të përpiqet të provojë se ajo po përndiqet nga një person që askush nuk mund ta shikojë. The Invisible Man mbetet një nga filmat më të mirë dhe më të suksesshëm horror të vitit 2020.

3.Fantasy Island

Një përshtatje e serialit të famshëm horror të viteve 70, rreth një resorti magjik në ishull. Filmi flet për një grup të rinjsh të cilët shkojnë për pushim në një resort në ishull, por pushimi i tyre shëndërrohet në një makth.

Ky event do të fillojë të shtunën, më 31 Tetor nga ora 18:00, ndërsa biletat për këtë event mund ti bleni çdo ditë prej orës 15:00 në kinema, ose përmes aplikacionit që tashmë është i lansuar dhe gjindet për shkarkim në të dy platformat, IOS dhe Android. Listën e plotë të orareve të filmave për këtë event por edhe për ditën në vijim, mund ta gjeni në faqen e Cineplexx (fjalën Cineplexx e lidhni me këtë linkun këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/ )

Diskutohet për gjendjen e teatrove, alarm për gjendjen e teatrove lokale

Medina Pasoma

Gjendja e teatrove qendrore e lokale në mbarë Kosovën dhe e atyre të skenës së pavarur u diskutua në edicionin e 3-të të Kosovo Theatre Showcase të Qendrës Multimedia, nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefaj, drejtori i teatrit të qytetit të Gjilanit Erson Zymberi dhe drejtori i teatrit Oda, Florent Mehmeti, shkruan KultPlus.

Përderisa diskutimi u moderua nga Shaban Maxharraj,  në Teatrin Oda e pranishme nuk ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, pjesëmarrje që ishte paralajmëruar, dhe në vend të Dumoshit, fjalën e mori zëvendësministri Engelbert Zefaj për të shpalosur politikat e tyre si Ministri për jetën kulturore, specifikisht gjendjes së teatrit.

Zefaj, përgjatë fjalimit të tij theksoi se Teatri Kombëtar i Kosovës është mbështetur nga një shumë prej 370.000 eurove dhe teatrot e qyteteve në bashkëpunim me Komunat kanë mbushur vijat buxhetore të cilat do të mjaftonin për to për stafin artistik dhe menaxherial. Mirëpo, pandemia ka bërë që të dy këto grupe të mos i marrin paratë në tërësi.

“Ministria është e përkushtuar që ta mbështet Teatrin Kombëtar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi, poashtu është e përkushtuar që t’i mbështes teatrot profesioniste në përputhje me ligjin, që do të thotë të ndahet buxhet i mjaftueshëm që ato të kenë jetë normale artistike”, është shprehur Zefaj.

Tutje ai ka shtuar se brenda Kosovës ka qytete të cilat ende nuk kanë teatro profesioniste, sikurse është Vushtrria, Suhareka, Istogu…, për shkak të moskompletimit të numrit të duhur të stafit. Ai tha se janë në bashkëpunim me këto komuna në rrugëtim të themelimit të teatrove.

Një temë tejet e përfolur për disa muaj rresht ka qenë edhe shuma prej 5 milionë eurove, të cilat janë në kuadër të pakos emergjente për ndihmë ndaj komunitetit artistiko-kulturor. Përderisa gjatë ditës së sotme janë votuar kriteret dhe standardet për mënyrën e shpërndarjes së kësaj shume, Zefaj tregoi se ky është një proces me dy faza. Në fazën e parë do të shpërndahen 2.5 milion euro, ndërkaq faza e dytë e shumës do të nis nga dhjetori e janari.

“Nga java e ardhshme mund të themi se do të filloj shpërndarja e këtyre mjeteve te komuniteti sportiv, artistik e kulturor. Këto mjete janë planifikuar të ndahen në 3 masa, masa e parë ka të bëj me punësimin e të rinjve në sektorin publik e privat, masa e dytë ka të bëj me sportin që do t’i shkoj klubeve sportive në bashkëpunim me federatat, kurse masa e tretë prej 2 milionë eurosh do të shkoj në kulturë, ku do të përkrahen shoqatat dhe organizatat kulturore dhe krijuesit individualë”, vazhdoi tutje Engelbert Zefaj.

Zefaj njoftoj se 170 mijë euro janë ndarë për 42 projekte teatrore, ku 122 mijë euro kanë shkuar në 23 organizata teatrore, kurse 43 mijë euro kanë shkuar për individ që merren me teatër nëpërmjet konkurseve.

Në anën tjetër diskutimi vazhdoi edhe me drejtorin e Teatrit Oda, Florent Mehmeti, i cili që në fillim kritikoi politikat institucionale për mos krijimin e hapësirave të pavarura teatrore.

“Teatri Oda është e vetmja hapësirë e pavarur teatrore në krejt territorin e Kosovës . Kjo tregon se sa e vështirë dhe sa politika jostimuluese kanë ekzistuar në Kosovë qe një 20 vite, për të mos e zhvilluar këtë veprimtari”, tha Mehmeti.

Në anën tjetër ai kundërshtoi idenë e përpilimit të ligjeve për kulturën, sepse sipas tij ligjet krijohen për të ndaluar, ndërkaq kultura është fushë e krijimit të lirë. Mehmeti theksoi se ato duhet të përpilohen vetëm në rastet e kundërshtimit të diskriminimit, fyerjes apo çdo gjëje negative.

“Mendoj që ligjet nuk i ndihmojnë kulturës, pikërisht kemi ardhur në ditën kur pa e ndërruar fare ligjin janë financuar dhe krijuar ansamble rezidente në teatrot e qyteteve, vetëm pse ligji e ka lënë këtë të hapur dhe gjithmonë çështja është te vullneti politik ”, shtoi Memeti.

Përqendrimin e parasë publike në masë të madhe te teatrot publike, ai e quan si pasojë e politikave jostimuluese, të cilat krijojnë menaxhmente joefikase.

Sa i përket gjendjes së institucioneve të ndikuara nga pandemia, ai theksoi se përderisa ishte vullnet i qeverisë t’i mbyll ato, po të njëjtin vullnet duhet ta kenë që t’i dëmshpërblej.

“Fjala emergjencë është shumë qesharake” theksoi drejtori i Teatrit Oda, teksa kishte fjalën për paratë e fondit emergjent për ndihmë ndaj komunitetit kulturor.

Në anën tjetër ai e komentoi edhe “garën e teatrove profesioniste dhe atyre jo profesioniste”, që nënkuptonte mos themelimin e tyre në disa qytete të Kosovës. Kështu, ai u shpreh se ky tentim i centralizimit të institucioneve bën diskriminim për jetën kulturore të vendit, nëpërmjet neglizhimit të teatrove jashtë kryeqytetit.

“Politikat kulturore duhet t’iu përgjigjen gjendjes në terren, mundet me qenë një teatër në një fshat i cili arrin të njihet botërisht nga Kosova. Nuk do të duhej ndarja administrative të na tregonin se kush mund të krijoj teatro dhe në çfarë mënyre”, tha Florenti.

Pika që u pajtua edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi me parafolësin e tij ishte në centralizimin buxhetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe harresës ndaj institucioneve teatrore lokale. Zymberi beson se shuma më e madhe buxhetore iu dhurohet Teatrit Kombëtar, duke i bërë të tjerat të jenë në telashe financiare.

“Po bëj thirrje që ky buxhet të rishikohet, sepse nuk është e drejtë që ti kemi 6000 mijë euro për prodhim të 4 -5 shfaqjeve vjetore, i cili është i pamjaftueshëm”, tha drejtori i Teatrit të Gjilanit.

Ai theksoj se Teatri i Gjilanit ka totalisht 67 mijë euro për shfaqje, shërbime dhe mallra dhe si subvencione. Kështu, ai kërkoi që teatrot e qyteteve të kenë një hapësirë më të madhe të zhvillimit, pa i diskriminuar teatrot e pavarura. Për këtë ai shtoi se duhet të bëhet ripërpilimi i ligjit për teatrot nga një ekip profesional.

“Unë si drejtor i këtij institucioni kam filluar t’i shoh sfidat se si burokracia apo ballafaqimi me politikën, udhëheqësin komunale dhe ligjet e krijuara, që shpesh janë të mbyllura, nuk e lejojnë zhvillimin normal të një teatri të qytetit’’, u shpreh Erson Zymberi.

Këtyre kritikave për teatrot komunale, zëvendësministri Zefaj iu përgjigj duke thënë se disa nga komunat kanë vendosur që teatrot e tyre profesionale të jenë pronë dhe nën menaxhimin e Komunës dhe kësisoj Ministria vetëm i ndihmon.

Ai shtoj tutje për çështjen e mos themelimit të teatrove profesioniste nëpër qytete të ndryshme të Kosovës se njëherë duhet të ekzistojnë disa matje se si janë kushtet, e pastaj të vendoset.

“Nuk ia vlen të krijosh teatër e të mos kesh objekt, trupë artistike dhe kapacitete njerëzore”, theksoi Engelbert Zefaj.

Diskutimi në fund vazhdoi me pyetjet e publikut, të cilët të interesuar për gjendjen dhe të ardhmen e institucioneve ku buron arti dhe kultura kishin marrë vendet e tyre në ulëset e Teatrit Oda.  Ky panel diskutimi u organizua në kuadër të Kosova Showcase Theatre nga Qendra Multimedia./KultPlus.com

Vizatim fytyre në KultPlus Caffe Gallery, Latra Gashi do të prezantojë punën artistike

Të shtunën, prej orës 12:00, në KultPlus Caffe Gallery do të organizohet një prezantim për fëmijët dhe të rinjtë, ku do të ndërlidhet kreativiteti i të rinjve në fushën e artit, shkruan KultPlus.

Në këtë prezantim artistik, procesi i vizatimit të fytyrës do të bëhet nga Latra Gashi, një talente e kësaj fushe, e cila tashmë e disa vite është duke e dëshmuar punën e saj në këtë fushë.

Të interesuarit mund ta shohin nga afër punën e Latrës, e cila do të demonstrojë punën e saj te një numër i vogël i fëmijëve.

Kjo ngjarje kulturore mbështetet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë./ KultPlus.com  

Gjermani: Deri në 25 mijë euro gjobë nëse del pa maskë!

Mjekja Aurora Dollenberg Meta nga Gjermania ka deklaruar se situata atje sa i përket Covid është përkeqësuar dhe se vendi rrezikon të shkojë drejt një mbylljeje.

Ajo ka deklaruar se gjoba nëse njerëzit dalin pa maska është deri në 25 mijë euro.

“Deri 25 mijë euro gjobë në Gjermani nëse del pa maskë. Kjo ndodh nëse nuk bëhen lajmërime me shkrim.

Ka qenë një mbledhje e jashtëzakonshme nga ana e ministrisë dhe të hënën do të vendoset definitivisht nëse do të ketë një mbyllje të dytë”, tha ajo.

Trump për marrëveshjen e 4 shtatorit: Kosovarët e serbët përqafoheshin e putheshin (VIDEO)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka treguar prapaskena nga takimi mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Kandidati për t’u zgjedhur sërish si President ShBA-ve, në një tubim për fushatë zgjedhore tha se nuk u nevojit shumë kohë për t’u arritur marrëveshja mes shteteve.

“Marreveshja në mes Kosovës dhe Serbisë u arrit për 15 minuta. Derisa palët që ishin në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, përqafoheshin e putheshin”, u shpreh Trump në Bullhead City, Arizona.

Donald Trump tha se gjatë takimeve përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, siç thotë ai iu ka thënë se a janë budallenjë që po vriten mes vete./Front Online/ KultPlus.com

Mural Fest & Void Projects shfaqin dokumentarin me qëllim mbështetës ndaj punës së komunitetit Ashkali në Kosovë

Në kuadër të Festivalin “Mural Fest” është realizuar një projekt nga MURAL FEST & VOID PROJECTS, i cili ka për qëllim mbështetjen e punës që bëjnë komunitetit Ashkali në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.

Ky dokumentar përmban filmime nga jeta e përditshme e E.Krasniqi dhe kështu bëhet thirrje për respektimin e të drejtave të çdo punëtori, qoftë edhe të reciklues. Pavarësisht që këta persona diskriminohen për punën që bëjnë, qytetarët duhet të fillojnë t’i shohin si kontribues të mëdhenj të shoqërise edhe në aspektin ambientalist.

Skulptori Michael Beitz, krijoi në mënyrë përfekte një dhomë publike nga hekrat e mbledhur nga ky komunitet, duke e ngritur në një tjetër nivel dhe duke vlerësuar punën që bëjnë, punë kjo e cila nuk përkrahet e as nuk vlerësohet nga bashkëqytetarët.

Në këtë dokumetar paraqitet qartë se si shoqëria jonë e nënvlerëson dhe nuk e përkrahë punën që bënë ky komuninet. Ndërsa përveq kësaj, ky dokumentar ka për qëllim të vetë të ndryshoj mentalitetin tonë dhe të i hudh poshtë çdo paragjykim ndaj çdo pune.

Dokumentari është pjesë e projektit “Recikulesi” në kuadër të programit Kultura për Ndryshim, i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, mbështetur nga Komisioni Europian Kosova, Komuna e Ferizajt dhe Punëtoria e Veglave Plus, ndërsa është prodhuar nga “Omiz Film”./gazetametro.net

https://youtube.com/watch?v=g7JC-QmZ3i4%3Ffeature%3Doembed

Familja 4-anëtarëshe humb në Bjeshkët e Rugovës, u gjet nga dy vullnetarë

Stacioni Policor nё Pejё, ёshtё njoftuar se nё Bjeshkёt e Rugovёs ka humbur njё familje katёranёtarëshe.

Njёsitet relevante tё Drejtorisё Rajonale tё Policisё në Pejё dhe njësitet e Policisё Kufitare menjёherё janё angazhuar pёr gjetjen e familjes nё fjalё.

Ndёrsa në kërkim janё angazhuar vullnetarisht edhe dy qytetarё tё cilёt kanё pasur njohuri të mira pёr Bjeshkёt e Rugovёs.

Familja ёshtё gjetur nga qytetarët Idriz KURTBOGAJ dhe Liridon DEMAJ. Të cilët sot janë pritur në takim nga drejtori i Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, kolonel Sami Shabanaj, me ç’rast i ka falënderuar për kontributin si dhe u ka ndarë letёrfalënderim./ KultPlus.com

Ceremoni përmbyllëse e projektit Pen for Culture

ProPlus ka përfunduar me sukses tri punëtori me të rijnë prej 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë mare njohuri në fusha të ndryshme të kulturës.

Punëtoria me pikturë e udhëhequr nga Zake Prelvukaj, ajo me ese nga Vjosa Sadriu Hamiti dhe punëtoria me fotografi me Hazir Rekën janë realizuar në kuadër të projektit “Pen for Culture” që është mbështetë nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ceremonia përmbyllëse do të shënohet me ndarjen e mirënjohjeve për të rinjtë pjesëmarrës, mirënjohje që do të ndahen nga Ardianë Pajaziti, udhëheqëse e këtij projekti. Ceremonia mbahet më 30 tetor, në ora 16:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me mbrëmje letrare për Hasan Mekulin

Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës përkujton shkrimtarin, teorikun letrar dhe kritikun e ndjerë shqiptar Hasan Mekuli.

Përkujtimi mbahet të enjten, më 29 tetor, me fillim në orën 17.00.

Për veprën e Hasan Mekulit do të flasin Prof. Dr. Sali Bashota dhe Prof. Dr. Osman Gashi.

Mbrëmjen e udhëheq Prof. Dr. Ibrahim Berisha.

Përkujtimi për Hasan Mekulin është mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria  e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje  përkujtimore për shkrimtarët  e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com

Kinemaja e Pejës, hapësirë që përdoret për të gjitha aktivitetet kulturore


Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës u shkatërrua. Kinemaja e qytetit e cila u dëmtua rëndë, ndau fatin e shumë ndërtesave në qytetin e Pejës. Për ta riaktivizuar atë, një shumë e konsiderueshme parash duhej të investohej për të restauruar pjesën më të madhe të ndërtesës. Donatorët e parë u gjetën në Itali, ndërsa ideja fillestare ishte ta shndërronin kinemanë në një teatër klasik, pasi ndërtesa e Teatrit “Istref Begolli” ishte nën kontrollin e KFOR-it italian.

Kinemaja “Jusuf Gervalla” (ish Kino Radi) është ndërtuar me qëllim që të sigurojë një hapësirë ​​kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa gjatë periudhës 1955-1998 ka shërbyer si pikë qendrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, duke përfshirë kështu shfaqjen e filmave më të fundit, diskutime publike për filma të ndryshëm, koncerte muzikore, shfaqje teatrale dhe programe për fëmijë, duke u bërë kështu një nga institucionet kulturore më të frekuentuara të asaj kohe.

Kinemaja “Jusuf Gervalla”, në të kaluarën është njohur si Kino Rad (“Kinema e Punëtorëve”) u ndërtua në vitin 1955 me paratë e Sindikatës së Punëtorëve. Kinemaja ishte një ndërmarrje e shfaqjes së filmit që në atë kohë quhej Komuniteti Vetëqeverisës i Interesit në Kulturë (SCIC).

Kurse pas investimeve, Asambleja Komunale përmes një vendimi, ia dha kinemanë Anibarit për ta përdorur atë për një periudhë 15 vjeçare. Programi i aktiviteteve që Anibar kishte prezantuar përfshinte aktivitete si: shfaqja e filmit, panele diskutimesh dhe debate, koncerte, duke mos përjashtuar punëtori të ndryshme dhe zhvillimin e Akademisë së Animacioneve.

“Kinemaja e qytetit është pikëtakim i së kaluarës dhe i së ardhmes, i aktivizmit qytetar për avansim shoqëror, pajtimit dhe vend i mundësive të reja për dije dhe kreativitet. Kinema Jusuf Gërvalla shërben si hapësirë alternative ku organizohen aktivitete kulturore, festivale, ngjarje, shfaqje filmave, diskutime etj. Ndërtesa renditet si monument historik në listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare” tha Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Anibarit, për KultPlus.

Pas luftës, përmes ndihmës së dhënë nga një organizatë donatore nga Italia kinemaja është rindërtuar, rindërtimi filloi më 1 Korrik 2000, dhe kinemaja u rihap në shkurt 2001. Ndërtimi i përfunduar në këtë fazë nuk ka qenë në pajtim me kodin e ndërtesave të trashëgimisë kulturore për të ruajtur formën dhe arkitekturën e kohës, për këtë arsye ndërtesa ka humbur një pjesë të identitetit të saj, e cila mund t’i rikthehet përmes një programi të mirëfilltë të restaurimit.

Kinemaja i jep mundësi te rinjve që të organizojnë tubime të ndryshme kulturore, siç janë aktivitete muzikore, shfaqje teatrale, promovime dhe fjalime.

Dimal Stublla qytetar nga Peja tregon se pse është kino e rëndësishme dhe se çka duhet të ndryshojë.

“Personalisht kam marr pjesë në shumë aktivitete gjatë viteve. Kino mendoj që është i rëndësishëm, pasi që Pejës si qytet i ka humbur sensi kulturor”, ka thënë ai.

Komuna e Pejës ka kaluar nëpër procedurën e alokimit për përdorim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale, kryer përmes procedurës së ankandeve publike përmes të cilave procedura Anibar-it i është dhënë koncesioni për 15 vitet e ardhshme, çka do t’i mundësojë Anibar-it ta rivitalozojë, rimëkëmbë dhe t’ia rrisë vlerën ndërtesës përmes strategjisë së tij të zhvillimi dhe programit të paraparë për avancimin kulturor të kinemasë.

Në Kinema Jusuf Gërvalla shfaqen filma-dokumentar, të animuar, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, zakonisht shfaqen filma artistikë dhe alternativ.

Kinemaja Jusuf Gërvalla ka një program vjetor të rregullt. Programi aktual i Kinemasë përfshin shfaqje filmash, diskutime publike, netë poezie, koncerte, përformanca, dhe aktivitete tjera kulturore.

Kino nuk duhet të qëndroj gjithmonë si pjesë e një organizate, thotë Ariston Lipa qytetar nga qyteti i Pejës, i cili ka mbajtur edhe një aktivitet rreth robotëve në Kino.

“Shumica aktiviteteve janë të Anibar që ndodhin në kinema. Për momentin involvimi është veç si vullnetar, po s’ka shumë aktivitete përveç menaxhimit të kinos dhe kur ka ndonjë event si frankofonia ose shfaqja e ndonjë filmi. Unë  kam mbajt me Anibar një aktivitet, është quajtur “Cute Robots” ka qenë aktivitet me fëmijë 5-7 klasë të cilët do ndërtonin robota skulpturë prej pjesëve elektronike të vjetra… Kinemas i mungon një mision, qëllimi objektiv specifik se ku dëshirojmë të arrij mbas 3-5 viteve, jo vetëm një organizatë ta menaxhoj dhe ta përdor si zyre e kohë  pas kohë të bëjë  aktivitet koti”, ka thënë ai.

Anibar filloi negociatat me Komunën e Pejës që nga viti 2014 për të rritur numrin e aktiviteteve në kinema, megjithëse Anibar kishte përdorur kinemanë që nga viti 2010 për aktivitetet e saj. Vetëm në vitin 2014 kinemaja filloi të ringjallet me programe, pas negociatave të shpeshta me Komunën e Pejës, të cilat vërtiteshin rreth qëllimit të rritjes së numrit të aktiviteteve të kinemasë, të cilat njëkohësisht do të kontribuonin në ringjalljen e ndërtesës e cila ka qenë pasive në vite.

Kino Jusuf Gërvalles i mungon leja për shfaqjen e filmave në suaza të rregullta, dhe mundësi iu jep vetëm aktiviteteve të cilat janë të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës dhe Sportit.

“U jap mundësinë ta shfrytëzojnë hapësirën dhe paisjet e kinos për aktivitete të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në qoftë se do të rifunksionalizohej, rëndësia e kinos do të vinte në konsideratë në aspektin kulturor dhe rekreativ. Ndryshimet në Kino do të ishin logjistike (paisjet) dhe administrative (leje për shfaqjen e filmave në suaza te rregullta). I mungon qëllimi. nuk plotëson aktivitetet që nënvizohen në fjalinë “kino-teatri i qytetit”. Andaj momentalisht do e cilësoja si objekt me potencial për zhvillim”, thotë Kastritot Lipa .

Kinemaja ka qenë prej kohësh dhe mbetet edhe sot, vitrina më e mirë për filmat e rinj. Disa filma mund të qëndrojnë në kinema për disa javë me radhë, ndërsa të tjerët mund të zhduken shumë shpejt. Një gjë është e sigurt – filmat nuk shfaqen thjesht në kinema rastësisht.

Sidoqoftë, kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete të përditshme për shkak të mungesës së kushteve teknike, siç është një projektor dixhital që do të mundësonte shfaqjen e filmave më të rinj. Pavarësisht nga këto vështirësi, mund të thuhet se Kinema “Jusuf Gervalla” është burimi alternativ më efektiv i programeve edukative-kulturore./ Diona Krasniqi/ KultPlus.com

Arbër Sadiki: Klerikët janë për ti prirë ritualeve fetare, arkitektët duhen ti prijnë ndërtimit të objekteve

Islami, katolicizmi dhe ortodoksia, kanë bashkëjetuar prej kohësh në Kosovë. Dhe secili objekt fetar ndryshon edhe nga arkitektura dhe stili që kanë. Arkitektura në trashëgiminë kulturore të objekteve fetare përbën një rol unik, dhe mjaftë e rëndësishme për trashëgiminë kulturore.

Metoda themelore e hulumtimit është studimi i rasteve – përfshirë shumë raste dhe për nivele të ndryshme të analizës. Çështja e rolit të arkitekturës së objekteve fetare në qytet nuk shqyrtohej shpesh. Ndërveprimi i objekteve arkitektonike në strukturën hapësinore përreth është subjekt i luhatjeve.

Objektet e shenjta së bashku me mjedisin e tyre funksional të lidhur, kanë një ndikim të rëndësishëm në përbërjen e qytetit urban. Objektet e shenjta krijojnë imazhin e hapësirave publike. Përbëjnë një strukturë funksionale tërheqëse dhe të hapur për veprimtari të ndryshme. 

Vlera arkitektonike e objekteve sakrale, ka një efekt të rëndësishëm në aktivizimin e rajoneve dhe rajoneve turistike dhe të biznesit, dhe rrisin aftësinë konkurruese të qytetit dhe ndryshojnë kuptimin e tij në nivelin kombëtar ose ndërkombëtar. Arkitektura e objekteve fetare është zakonisht e stilit: gotik, romanesk, bizantin, rilindjes (renesanca), barok, victorian, mesopotamiane etj. 

Arbër Sadiki, arkitekt i Kosovës ka thënë për KultPlus se arkitektura e religjionit nuk ka se si të ndryshojë shumë prej arkitekturës së përgjithshme që prodhon një shoqëri.

“Natyrisht që arkitektura e një religjionit manifeston edhe parimet e atij religjioni në raport Perëndi – Njeri. Sa më të hapura, transparente, të çiltërta, të sinqerta, parimet arkitekturore mbi të cilat zhvillohet ndërtesa, manifeston edhe nivelin e përmbushjes së kategorive të nga vet ai religjion” ka thënë Sadiki, i cili më tutje tregon se ndërtesat fetare mesjetare ishin imponuese, të mbi-dimensionuara në raport me shkallën njerëzore për të imponuar nënshtrim, sepse vet qasja e religjioneve ndaj njeriut ishte e tillë.

“Nuk mund të themi të njëjtën për një ndërtesë fetare bashkëkohore, ku njeriu është në qendër të vëmendjes duke kërkuar afërsinë e tij me perëndinë përmes parimeve të çiltërsisë, transparencës, sinqeritetit, e jo imponimit. Por, derisa tek të parat, (mesjetaret) ato unifotrmisht manifestonin cilësi të tilla, tek rasti i dytë (bashkohoret), fatkeqësisht, jo gjithmonë manifestojnë cilësitë e cekura më lartë”, ka thënë Sadiki, i cili ka treguar më tej edhe për ndikimin që kanë këto ndërtesa fetare në zhvillimin e  mjedisit, duke qenë se i dedikohen perëndisë, vëmendja ndaj tyre gjithmonë është më e madhe.

“Mu për këtë, impenjimi gjatë realizimit të tyre duhet të jetë maksimal. Duke qenë se çdo religjion mëton të përkryerën, këtë duhet ta manifestojë edhe në arkitekturë. Mu ashtu siç bënin në Greqinë Antike, kur skulpturat që u dedikoheshin perëndive duhet patjetër të ishin të përkryera artistikisht”, ka vijuar ai.

Kurse në bazë të kritereve urbanistike që i përmbushin ato në kuptimin hapësinor, Sadiki thotë se vet lokacionet tyre të cilat paracaktohen pa kurrfarë kriteri profesional, pamundësojnë performancë të mirë të tyre urbanistike.

“E dyta, në shumicën e këtyre ndërtesave të realizuara 20 vitet e para janë kopje që barten gjithandej, dhe asnjëherë të projektuara saktësisht për vendin e caktuar. Kjo pamundëson akomodim dhe performancë të mirë urbane. Këto dy gabime që janë bërë gjithandej nëpër ndërtesa të kësaj kategorie të ndërtuara anekënd Kosovës, për fat të keq i gjejmë edhe tek Katedralja “Nënë Tereza”, dhe, sipas të gjitha gjasave, do ti gjejmë edhe te Xhamia e Madhe në Prishtinë”, ka thënë ai.

Nivelin që e kanë këto objekte fetare në krahasim me arkitekturën jashtë vendit, Sadiku për KultPlus ka treguar se sot gjithandej nëpër botë arkitektura sakrale ka avansuar aq shumë, saqë ndërtesat e kësaj kategorie shpesh përfaqësojnë ndërtesat më bashkëkohore.

Sadiki poashtu ka thënë se sa i përket paraqitjes së tyre të identitetit origjinal arkitektonik, të vetmet ndërtesa të kësaj kategorie që gëzojnë kualitet arkitektonik dhe rrjedhimisht me kohë kanë formuar identitetin e tyre arkitektonik duke u bërë si shenjëzime të vendeve ku janë ndërtuar.

“Janë xhamitë e ndërtuara gjatë periudhës otomane, këtu mund të veçojmë: Sinan Pashën në Prizren (1615) dhe Xhaminë e Mbretit në Prishtinë (1461), si dhe kishat mesjetare ortodokse, si: Manastiri i Graçanicës (1315) dhe Levishka në Prizren (1306)” ,duke shtuar se gjithçka që është ndërtuar 20 vitet e fundit në kategorinë e ndërtesave të kultit, janë më shumë një përzirje turbofolku patetik se sa tendencë për të shprehur çfarëdo identiteti arkitekturor.

Sadiki për KultPlus ka thënë se sa i përket gabimeve që përsëriten në arkitekturën e objekteve fetare, nuk mund të flitet për gabime, por kemi të bëjmë për bërjen keq të tyre me paramendim.

“Vet fakti që personat kyç që vendosin për mënyrën e realizimit të tyre nuk janë profesionistët (arkitektet, urbanistët, estetët, inxhinieret,…), por klerikët fetar, dështimi i tyre nuk vjen si rrjedhojë e gabimeve gjatë procesit, dhe si rrjedhojë, dihet se do të dështojë. Klerikët fetar janë për ti prirë ritualeve fetare, arkitektët janë ata që duhen ti prijnë ndërtimit të ndërtesave fetare. Rastet që pasqyrojnë më së miri këtë dështim janë mënyra se si është ndërtuar Katedralja “Nëna Terezë” në Prishtinë, dhe se si kanë rrjedhur gjërat deri më tani për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, po ashtu në Prishtinë” shton Sadiki për KultPlus.

Alfred Sokoli nga Katedralja e “Nënë Terezës” në Prishtinë, për KultPlus ka treguar se kur flasim mbi arkitekturën e Kishës i referohen arkitekturës së ndërtesave të kishave të krishtera.

“Tash 2000 vite të Krishterimit në botë, stili ka evoluar, në njërën anë nga arritjet e mëdha të njerëzimit e në anën tjetër duke imituar stile tjera arkitektonike dhe duke iu përgjigjur ndryshimeve, praktikave dhe traditave lokale. Nga lindja e Krishterimit e deri më tani, objektet më të rëndësishme për arkitekturën e krishterë kanë qenë kishat e mëdha të Bizantit, kishat romanike, katedralet gotike dhe bazilikat e Rilindjes me theks të veçantë në harmoninë”, ka thënë ai.  

Më tutje tregon se këto ndërtesa të mëdha, shpesh të dekoruara dhe në pikëpamje arkitekturale të çmuara ishin karakteristikë dominuese e qytetit apo fshatit ku ndodheshin. Ndërsa disa mbahen si vepra arti sublime dhe të papërsëritshme, shumë të tjera janë zhvilluar dhe ndërtuar në një vijë tjetër, duke treguar diversitetin dhe janë një shprehje e lirë e bukurisë, misterit dhe përshpirtërisë së lidhur me konceptin e ideatorit, bashkësisë, kohës dhe vendit. Sa i përket projektit të Katedrales, Alfred Sokoli  ka thënë se projekti për ndërtimin e këtij objekti ishte i kamotshëm, mirëpo kohërat e pavolitshme e kanë shtyrë procesin e ndërtimit të saj.

“Bekimi i gurthemelit u bë në vitin 2005, ashtu siç e parashohin ritet e krishtera për ndërtimin e një kishe, ndërsa punimet filluan në vitin 2007 dhe ka vazhduar deri në vitin 2017 kur është bërë shugurimi i saj. Stili i saj është neoromanik. Punimet e mbetura ende vazhdojnë”. Alfred Sokoli poashtu shton për KultPlus se projekti i saj, në fillim është shikuar me një sy kritik, pasi që gjendet në qendër të qytetit.

 “Dalëngadalë, me kalimin e kohës, është shndërruar në një pikë referimi dhe takimi për të gjithë qytetarët e vendit dhe rajonit. Po ashtu, ka ndikuar pozitivisht edhe në turizmin lokal dhe ndërkombëtar. Arkitektë, stilistë, fotoreporterë e shumë të tjerë vijnë nga e gjithë bota që ta shohin këtë vepër artistike të bukur dhe të veçantë. Vlen të theksohet se përveç arkitektëve nga Kosova, në projektimin dhe ndërtimin e Katedrales ka marrë pjesë edhe arkitekti italian Livio Sterlicchio me grupin e tij nga Roma”, ka thënë ai.

Sa i përket materialeve të nevojshme për ndërtimin e një objekti fetar në përgjithësi dhe një objekti kishtar në veçanti, fatmirësisht, në vendin tonë mund të gjenden pothuajse të gjitha materialet e nevojshme për ndërtim,  Alfred Sokoli duke treguar më tutje ka thënë se ndoshta mund të ceket që ka mungesë të teknologjisë së ndërtimit apo, më mirë të thuhet, se ka vështirësi për ndërtimin e objekteve të mëdha për shkak të mjeteve të pakta apo jo të duhura që posedojnë kompanitë e vendit tonë.

“Shumica e materialeve jen vendore, të tjera të nevojshme merren nga vendet në rajon, sidomos në Shqipëri.” shtoi për KultPlus.

Në një intervistë të bërë me Prof. Banush Shyqeriu, Arch. për KultPlus thotë se mendimi i tij për arkitekturën e xhamive në vendin tonë është se arkitektura shkon përtej nevojave utilitare dhe kjo më së miri mund të shihet historikisht në ndërtesat fetare apo ndërtimet e kultit të cilat gjithnjë e kanë përdorur artin dhe shkencën e ndërtimit – arkitekturën – për të ngritur vepra madhështore, ekspresive dhe reprezentative.

“Historikisht e gjere me sot sfidat që kanë sjellë tempujt, katedralet, xhamitë, kanë qenë shtytës të zhvillimeve të reja teknike-teknologjike dhe sistemeve inovative në arkitekturë” ka thënë Shyqeriu duke treguar më tutje se ndarja e arkitekturës në kategorinë sakrale dhe profane shpesh ka shkaktuar probleme historike, por historia na tregon se këto dyja kanë qenë pothuajse një, dhe arkitektura sakrale ka lindur nga ajo profane.

“Arkitektura e objekteve islame në kulmin e saj u reprezentua mu nga xhamitë si institucione dhe sisteme komplekse në të cilat u shfaq si arti ashtu edhe shkenca e ndërtimit dhe të arriturave tekniko-teknologjike”, shtoi ai  për KultPlus.

Mbështetur në stilin e arkitekturës të xhamive në Kosovë ai thotë se në Kosovë koncepti i stilit të ndërtimit apo më mirë të themi të ekspresionit të xhamive në kuptim e kategorizimit arkitektural ndahet në dy periudha; e para periudha Osmane, ndërtime tekniko-teknologjike dhe entitete reprezentative me identitet dhe karakter tashmë të njohur, fillimisht të influencuar edhe nga arkitektura bizantine.

Shyqeriu më tutje tregon se meqë  shumica e xhamive reprezentative që ende ekzistojnë sot në Kosovë ishin të ndërtuara kryesisht nga shekulli 14 gjerë në shekullin e 17, ndërtimet më të vonshme ose ishin xhami më të vogla dhe shumë modeste të fshatrave që prape do të bartnin elementet e gjuhës paraprake stilistike e disa ndoshta nuk e kishin luksin e kubesë, ose kryesisht kemi të bëjmë me valën e dytë te ndërtimeve më masive e që është periudha e pasluftës.

Në këtë rast Shyqeriu tregon se stili i ndërtimit përkthehet në stil të reprezentimit dhe imitimit tektonik, për faktin se guri u shndërrua në beton e çelik dhe ekspresionin e tij e zuri suvaja.

Duke u bazuar në nivelin e arkitekturës e xhamive me vendet e tjera, Shyqeriu tregon se së fundmi krahasimin këtu mund ta bëjmë në nivelin e inovacionit, ku në Kosovë thjesht kemi pasur shumë pak inovacion në kuptimin reprezentativ por kemi disa raste të suksesshme të rritjes së performances ku xhamitë e reja tashme nivelojnë sistemet qendrore të ventilimit dhe klimatizimit, menaxhimit të mençur, etj.

“Në rastin e Kosovës për shkaqe edhe të rrethanave sikurse madhësitë e lokacioneve dhe densitetit ne zonat urbane, shumica e xhamive kanë mbetur me hapësira që ofrojnë kryesisht vetëm kryerjen e riteve fetare dhe të njëjtat improvizohen për aktivitetet tjera”, ka thënë ai. 

Shyqeriu poashtu për KultPlus ka thënë se nëse shikoni se sa xhami ndërtohen brenda një viti apo edhe një dekade në Kosovë, do të kuptoni se ka shumë pak arkitektë që janë marrë dhe merren me xhamitë, jo thjesht si projekte për t’u ndërtuar por veçanërisht në studime më të thella drejtë sistemeve me inovative që i përgjigjen konditave lokale, nevojave bashkëkohore.

“Fatmirësisht ka disa arkitekt entuziast të cilët herë-herë japin kontributin e tyre, por mjerisht nuk ekziston një komunitet i cili do të bashkërendonte kapacitetet për te kontribuar siç duhet në këtë drejtim për faktin se këtu nuk duhet folur vetëm për xhami të reja, ngaqë në vazhdimësi ne kemi nevojë për restaurim, konservime dhe rinovime të xhamive të vjetra të cilat edhe ashtu janë të kategorizuara si Monumente të Mbrojtura, në anën tjetër për nevoja aktuale një pjesë e madhe apo mos te themi të gjitha xhamitë nuk i plotësojnë normativat e evakuimit dhe sigurisë në përgjithësi, një pjesë e xhamive janë aneksuar, shtuar, ndryshuar e rritur pa kritere dhe pa ‘dorën’ e arkitektit, andaj ne mendojmë se kontributi i arkitekteve këtu duhet të jetë i vazhdueshëm”, shtoi ai për KultPlus, për rëndësinë e këtyre objekteve, duke pas parasysh ndërtimin, lokacionin dhe rëndësinë arkitektonike të këtyre objekteve fetare. Linda Krasniqi/ KultPlus.com

Mimoza H lanson këngën e re, ‘Cycles of Birth and Death’ një baladë romantike (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Mimoza Hajdini ka lansuar kënëgën e saj të fundit, e cila artistikisht tashmë njihet si Mimoza H, shkruan KultPlus

Kënga e titulluar Cycles of Birth and Death është baladë, dhe është lansuar ditëve të fundit në YouTube.

KultPlus ju sjell këtë këngë të Mimozës e cila punën e saj artistike është duke e krijuar jashtë vendit./KultPlus.com

Izraeli në nëntor do të fillojë testimin e vaksinës në njerëz

Izraeli do t’i fillojë provat e para të vaksinës së mundshme kundër COVID-19, me 1 nëntor tek njerëzit.

Vaksina potenciale është bërë nga një institut kërkimor i mbikëqyrur nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa këto prova do të bëhen në njerëz.

Instituti i Izraelit për kërkime biologjike kishte filluar në mars provat tek kafshët për vaksinën e saj kundër koronavirusit, ndërsa ministria e Shëndetësisë ka dhënë aprovimin për ta dërguar në një fazë tjetër.

Testimet e para do të bëhen nga 80-të vullnetarë të moshave 18-55 dhe do të monitorohen për tre javë për të parë nëse do të zhvillohen antitrupat e virusit. Këto deklarime i ka bërë ministria e shtetit izraelit, ndërsa faza e dytë pritet të fillojë në dhjetor dhe do të përfshijë 960 njerëz.

Në rast se këta do të kenë sukses, sipas Reuters, faza e tretë do të ketë rreth 30 mijë vullnetarë, të planifikuar për testim në muaji prill-maj. Në rast se tregon sukses, vaksina mund të aprovohet për përdorim të gjerë.

“Qëllimi ynë përfundimtar është që ndahen 15 milionë vaksina për popullin dhe fqinjët tanë”, kanë thënë autoritetet./koha.net/ KultPlus.com

“Qiell i trazuar” u prezantua me premierë në PriFest, Nrecaj: Tema e vetëvrasjes më nxitë kureshtjen

Medina Pasoma

Një luftë njerëzore mes melankolisë së madhe që mendimet i prodhojnë, kthehet në një absurditet, që individi fillon të mendoj se çdo gjë është e kotë se dhe jeta nuk ka kuptim.

Robëria nga të jetuarit shfaqet nëpërmjet Robertit, personazhit kryesor të filmit të metrazhit të gjatë “Qiell i Trazuar”, i cili si premierë për publikun kosovar, përmbylli edicionin e sivjetmë të PriFest, shkruan KultPlus.

Në edicionin e 12të të PriFest, një ndër filmat e  fundit shqiptar që u shfaqë ishte “Qiell i trazuar”, i cili nëpërmjet një realiteti aktual shfaq trazirat e qenieve të tyre.

Beteja më e madhe e njeriut është me mendjen e tij, e cila vepron si një “qenie brenda qenies”, duke vënë në pah veprime të cilat në kushte normale nuk do të ndërmerreshin. Kësisoj, psikiatri i cili iu kishte dalur në ndihmë shumë pacientëve të tij, fillon mos të ketë mundësi t’ia bëj të njëjtën vetes.

Thellësia ekzistenciale në të cilën frymon reflekton me pagjumësi, sjellje agresive, problem familjare, neglizhencë ndaj gruas të tij të suksesshme dhe pakujdesi ndaj fëmijëve. Në pamjen e jashtme, ai shfaqet sikur të kujdeset vetëm për veten e tij, duke u shndërruar në një egoist por, në fakt ai mendon t’ia bëj vetes një fatkeqësi përbrenda fatit. Ideja e vetëvrasjes është ajo që tërë kohën e preokupon, të cilën më vonë e merr vesh edhe familja, e cila shqetësohet tejet shumë për këtë gjë.

Për “Qiell i trazuar” si prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisori dhe skenaristi Anton Nrecaj për KultPlus shprehet se do të dëshironte që premierën kosovare ta prezantonte në një mënyrë tjetër, duke i bashkuar shikuesit në një vend të vetëm për të kapur mesazhin që përçon ky film. Mirëpo, për Nrecaj sërish e rëndësishme mbetet pjesëmarrja në këtë festival, anipse në formën virtuale.

“PriFest është bërë një festival i rëndësishëm dhe një vend ku filmat vendor gjejnë gjithmonë hapësirë”, tha Nrecaj.

Jetësimi i temës së vetëvrasjes nëpërmjet interpretimeve artistike është e vështirë dhe do një përkushtim e përgatitje psikologjike, në mënyrë që aktorët ta bartin mbi supe një rrëfim jo të lehtë por, edhe aktual për dikë. Mirëpo, pikërisht kjo zgjoj  interesimin e Nrecajt.

“Edhe më herët  në pjesë teatrale, tregime e skenare kam trajtuar temën e vetëvrasjes. Si duket kjo temë më nxit kureshtjen”, theksoj Anton Nrecaj.

Mirëpo, ajo që e bën edhe më të veçantë filmin dhe që shkon përtej pritshmërive të publikut qëndron në ironinë e personit që ballafaqohet me këto problematika, i cili është shpëtimtari i të tjerëve por, jo edhe i vetes. Psikiatrin, në mendjen e së cilit iu sillet mendimi i vetëvrasjes, regjisori Nrecaj e përshkruan me shprehjen “edhe mjeku vdes”.

“Edhe ai tek i cili shkojmë të shërohemi një ditë vdes nga ndonjë sëmundje prej së cilës ndoshta e ka shëruar dikë tjetër”, thekson skenaristi dhe regjisori i “Qiell i trazuar”.

Ndërkaq emërtimin “Qiell i trazuar” ai e ndërlidh me mendjen, duke thënë se pikërisht ky qiell është anologji e saj.

Aktorët të cilët luajtën në këtë film ishin: Jehon Gorani, Arta Muçaj, Luan Kryeziu, Imer Kutllovci, Furtuna Aliu, Don Shala, Vedat Haxhiislami, May-Linda Kosumoviq, Fatlume Bunjaku, Ali Demi, Agim Sylejmani, Florist Bajgora./KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

“T’isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”

‘Ne të gjithë kemi fatin e të qenit tradhtar dhe të tradhtuar’

Albert Vataj

A mund ta mbushë tradhtia një zemër, të cilën e ka zbrazur pamjaftueshmëria

Ne të gjithë kemi fatin e të qenit tradhtar dhe të tradhtuar. Nëse guximi për ta mbajtur kurmin dhe shpirtin të kyçur pas hekurave të diktatit puritan ka shpërblyer zemra dhe identitete, ato thjeshtë meritojnë përulësinë e një respekti dhe bekimin e çdo kodi zakonor dhe predikimi të shenjtë.

Të sfidosh vetveten duke përplasur para mureve të ndalesës dhe nënshtrimit, stuhitë e dalldisë së pasionit, është një sipërmarrje heroike, që meriton blatime shenjtorësh dhe dritë të hyjshme përjetësie.

Ne duam, dhe dëshirat tona i blejmë me çmimin e vuajtjes dhe trazimit. Kërkojmë gjithnjë dhe papushim lypim ta pozicionojmë veten në të mundshmen e marrjes së asaj që mendojmë se na përket. Edhe nëse na duhet të kaptojmë male për të arritur atje ku trokthi i rrëmetshëm i zemrës na thërret, ne thjeshtë e bëjmë me çdo çmim. Ka beteja që tradhtia i fiton. Ato i përkasin jo dhe aq sfidave personale, se sa fatit. Të jesh në anën e djallit, je i privilegjuar dhe shpërblyer, si me kënaqësi ashtu edhe me flakët e ferrit. Të gjitha ata që janë të ftuar në këtë gosi, mendojnë se duke e mbajtur të fshehur, shpirti i tyre nuk ka pse të mbajë barrën e rëndë të fajit dhe nderi, atë të pendimit. Gjithsesi, të mbash diçka larg syve të botës, do të thotë se, pasioni e ka fyer aq rëndë integritetin tënd, sa ta lejojë atë të gabojë keqas, duke menduar se të fshihesh pas gishtit, ke shpëtuar nga barra e mëkatimit. Sikundër ka prej tyre që tradhtinë e kanë zeje, pjesë e personalitetit dhe karakterit. Ata nuk i druhen asgjëje, nuk i ruhen askujt, madje kjo mbetet e vetmja kryevepër e misionit të tyre, anipse mjerane. Çdo sfidë për ta është një trofe dhe çdo fitore është një arsye për vetëmburrje. Ata tradhtojnë sepse duan dhe gjithçka që ata synojnë është tradhtare, sepse e tillë është edhe ndjenja, pasioni dhe dëshrimi.

Nevojat tradhtare janë thirrje të thekshme nga skutat më të errëta të brendisë sonë, e cila ka mësuar më mirë se çdo ligjësi, atë të nënshtrimit. Tundimet më të parezistueshme, e djegin në zjarr e hekur të skuqur vullnetin. Trandjes dhe trazimit, me të cilat njeriu i prirjeve të epërme të devocionit ndeshet si një gladiator çdo ditë, me të vetmen qëllimsi, triumfin.

Kjo thirrje, ky zë, kjo yshtje, buron si magma prej thellësisë së tokës, nga aq thellë ku gatuhen zjarret e emocioneve të forta, ku shpuzet nervi i përpjekjeve për të zbuluar tempin e rrezikut dhe kutin e heroit në kurmin e brishtë të epsheve.

Triumfeti në tradhti, në shumë raste është sikur të arrish të kalosh nga një anë e një lumi në tjetrën duke kërcyer mbi kurrizin e krokodilëve, ose të përpiqesh të përdorësh copëza akulli si anije për të përshkuar detin… fatkeqësisht jo gjithnjë mund t’ia dalësh.Më shumë se gjithçka në këtë lojë zjarresh, në këtë sfidë rreziku, ajo që e pëson është zemra, të cilën nuk e shërojnë dot as pendimi as lotët.

Megjithatë ne vazhdojmë të jeni të dehur prej kësaj arome, të kapluar prej këtij zjarrmimi.

Ti që ke humbur zjarrin e një dashurie, dhe nuk mund ta rigjesh atë në atë vatër ku deri dje të ka ngrohur më dëshirim e përkujdesje, harroje se do ta gjesh në njëmijë zjarre që shpuzitin në udhën që përshkon harbimi. Ajo zemër ka vdekur.

Përvoja nuk mbamendet të ketë ruajtur në kujtesën e vet një tradhti, zjarri i apasionuar i së cilës i dha një zemre atë që vetja dhe fati i’a kishte ndaluar e mohuar me vargonj e pengim.

Mëshiruar qofshin prej shenjtorëve të dashurisë dhe dlirësisë së atyre forcave blatuese shpirtrash flakatar, gjithë ato kurme që lshohen dorzan një shpengimi tradhtar, jo dhe aq prej dëshirës për të mbushur një zemër të zbrazur, se sa për të ngërthyer në pelenat e egos një shpirt që ka vendosur të zgjedh fatin e dallgëve që përplasen me shkëmbinjtë e vuajtjes dhe pendimit./ KultPlus.com

Në qendrën kulturore “Margarita Xhepa” një kurs mbi folklorin shqiptar

Jo vetëm mësimi i gjuhës shqipe, por edhe mësimi i mbi artin dhe kulturën shqiptare ngjallin mjaft kureshtje tek brezin e ri shqiptar që po rritet në Itali.

Këtë fundjavë qendra kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, Itali, ka zhvilluar leksionin e parë të kursit folklorik shqiptar.

Kristian Zefi ka bërë të ditur lajmin ku tregon se fëmijët treguan mjaft interes. “Fëmijët mësuan të punojnë intstrumentin tonë frymor, bylbylin dhe ndoqën hapat e parë të punimit të Lahutës ose Lavdës, në djalektin Malsor. Një obligim dhe kënaqësi shumë e madhe me ju trashëgu artin dhe kulturen tonë brezave të rinj, dhe një kënaqësi akoma më e madhe për mua kur rinia të dëgjon me interes dhe vemendje të shtuar”, shkruan Kristian Zefi.

Kristian Zefi jeton në Asti, në rajonin e Piemontes, në Itali, u jep mësim fëmijëve më të vegjël shqiptarë, që si ai kanë lindur në emigracion dhe prej thuajse katër vitesh punon në mënyrë artizanale instrumente muzikore tradicionale të Shqipërisë dhe luan e këndon me lahutë, çifteli, sharki e fyell./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Aktorja e njohur egjiptiane vishet nga dizajnerja kosovare në një Festival prestixhioz

Lia Stublla vazhdon të ketë suksese edhe në arenën ndërkombëtare.

Dizajnerja kosovare kësaj radhe është përkujdesur për veshjen e aktores së njohur egjiptiane, Hoda Eletreby.

Ka qenë vet aktorja ajo që ka shprehur kënaqesinë me përzgjedhjen që i ka bërë në “Gouna Film Festival”.

Kjo nuk është hera e parë që Lia arrin sukese ndërkombëtare duke veshur disa herë emra të njohur të muzikës, filmit dhe modës./Indeksonline/

Të rinjtë për punëtorinë e fotografisë me Hazir Rekën: Kemi pas fat të takohemi dhe punojmë me fotografin Reka

Medina Pasoma
Fotografitë: Nok Selmani

Evolucioni i aparateve që nga antiket e deri te digjitalet e sotme, fotografitë të cilat kishin kapur momente të mrekullueshme ndër vite, filma të ndryshëm dhe plotë gjësende që i rezistonin kohës e mbushnin katërmurëshin e atelies së Hazir Rekës në Nerodime të Ferizajt.

Në përmbylljen e punëtorisë së fotografisë të organizuar nga ProPlus, pjesëmarrësit nuk patën rastin të shohin vetëm shkrepje fotografish të Rekës, mirëpo në atelien e tij rronte kujtesa kolektive, rezistenca shqiptare, dhimbja e refugjatëve, portrete plotë energji dhe historia e një populli ndër epoka të ndryshme, shkruan KultPlus.

Të rinjtë me entuziazëm për fotografinë i bashkoi organizata ProPlus me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në punëtorinë e fotografisë në krye me mjeshtrin Hazir Rekën në kuadër të projektit “Pen for Culture”. Në ditën përmbyllëse të kësaj punëtorie, fotografi i njohur hapi dyert e atelies së vet, pas trajnimit të këtyre të rinjve në KultPlus Caffe Gallery, për t’i frymëzuar tejet shumë nismëtarët e rrugëtimit fotografik.

Punëtoria fotografike e cila përmbylli ciklin e organizimeve në kuadër të projektit “Pen for Culture”, ishte një përvojë tre ditore për të rinjtë, e fokusuar në fotografimin e natyrës, pamjeve urbanistike dhe portreteve, teknikë kjo e zgjedhur nga profesionisti Reka, në mënyrë që shumëllojshmëria t’i garantoj të rinjve gjetje të vetes.

Drejtoresha e ProPlus, Ardianë Pajaziti për punëtorinë e tretë me radhë, pas asaj të esesë dhe pikturës në kuadër të projektit “Pen for Culture”, vlerëson lartë kontributin e profesionistëve në këtë rrugëtim të zbulimit të talenteve, duke përmendur Zake Prelvukajn, Vjosa Hamitin dhe Hazir Rekën.

“Kjo eskperiencë do të jetë një ndër eksperiencat më të paharruara, sepse nëpërmjet këtij projekti kemi zgjuar talentin te shumë të rinj, si në pikturë, ese dhe fotografi”, shprehet Pajaziti.

Tutje ajo thekson se do të ndjehet  shumë e lumtur nëse ndonjëri prej këtyre të rinjve që kanë marë pjesë në këto tre punëtori, këtë përvojë do të përdorë edhe si rrugëtim jetësor.

Në atelien për krijimin e së cilës Reka kishte dhënë 12 vite mund, çdo qosh kumbonte një histori. Aparatet e shumta që syri nuk mund t’i numëronte dhe fotografitë që përqonin emocione të mëdha, dëshmonin përpjekjen shumëvjeçare dhe profesionalizmin e mjeshtrit, i cili fotografinë e kishte kthyer në mision, ndërkaq jetën e kishte rrezikuar disa herë rresht, vetëm e vetëm që ta mundësonte dokumentimin real dhe historik. 

Të rinjtë në atelie ndërronin role, sa bëheshin fotografisti e sa protagonisti, të cilëve iu bëheshin foto-portrete. Këtë cikël procesesh i bënin që të kenë mendim të qartë për pozicionin e duhur, dritën, këndin nga i cili duhej të fotografohej, hijen prapa personit dhe shumë detaje të tjera, të cilat me ndihmën e Rekës merrnin formën më të bukur.

“Unë me qëllim insistova në fillim që ata t’i bëjnë portrete njëri tjetrit dhe mandej ua prezantova portretet që unë i kam realizuar më herët mirëpo, portretet e mia nuk kanë qenë të realizuara në studio por, kanë qenë të luftës”, shprehet Reka i cili me aparatin e tij fotografik ka ndalur kohën.

Në atelien e tij merrnin frymë edhe aparatet e tij të cilat i kishte përdorë 35 vite më parë, atëherë kur fotografia ishte më shumë dokumentim sesa një pamje e thjeshtë.

“Unë kryesisht jam marrë me fotografi dokumentare, protesta, demonstrata, lufta, refugjatë. Gjithmonë kanë qenë punë të rrezikshme ndërkaq, kur kam realizuar fotografi peizazhi e kam gjetë pak kohë për të pushuar prej dokumentares”, tha profesionisti Reka.

Gjithë rrëfimin kohor më së miri e shprehnin fotografitë. Dhimbjen e lënies së atdheut nën dorën e okupatorit dhe shpresën për mbijetesë, Reka e kishte zënë nga këndet e vogla të dritares së trenit të nisur për në Bllacë të Maqedonisë. Duar të vendosura në xham, sy të trishtuar, lot që rrokulliseshin në mollëzat e fëmijëve, lodhje mbarëpopullore dhe pafajësia e civilëve flisnin përtej fjalëve, nëpërmjet portreteve që objektivi i Hazirit i kishte kapur.

Duke qenë jetues i epokave të ndryshme, ai nuk u kursye të ndaj me pjesëmarrësit e punëtorisë dy reportazhe fotografike krejtësisht të kundërta nga përmbajtja dhe mesazhi, të cilat kishin një largësi të gjatë kohore.  Ai shpalosi rezistencën popullore gjatë vitit 1990, atëherë kur zhvillohej takimi mes Alternativës kosovare dhe senatorëve e kongresmenëve amerikanë në sheshin e Prishtinës. Hoteli Grand kishte qenë vendndodhja e protestuesve shqiptarë, të cilët i priste policia e atëhershme. Fatmirësisht Haziri kishte dëgjuar një epror t’i thoshte një polici se për 2 minuta do të intervenojnë te popullata civile, andaj ai shpejt e shpejt kishte ndërruar objektivin e tij dhe kishte kapur fotografinë e një burri i cili ulet në tokë dhe ia kap tjetrit pantallonat, në mënyrë që policia mos të ketë se si t’i largoj nga aty duke qenë në tokë.

Por, aparati i Hazirit nuk ishte përballur vetëm me skena të luftës, ai kishte vazhduar hovin e tij të punës edhe në kohë paqeje, duke sjell pamje të ndryshme të kulturës sonë.

Për fotografët e rinj ai shpalosi reportazhin e realizuar një javë më parë, i cili kishte qenë prezent te një familje pejane përgjatë kohës sa ishin duke e përgatitur hajvarin. Ndërkaq, mesazhi që ai përçonte te të rinjtë nëpërmjet këtij rrëfimi qëndronte në faktin se fotografi duhej të kishte durim, njësoj siç ai kishte pasur që të jetë me atë familje që nga blerja e specave, bluarja, përzierja e deri te shtruarja e tavolinës për ta ngrënë, pas 6 orëve punë.

Rrëfimet dhe pamjet që sillte Reka përbrenda atelies së tij padyshim që i pëlqyen shumë pjesëmarrësve. Bora Thacin e ka bërë për vete çdo detaj aty brenda dhe sa më shumë që i shikonte, aq më shumë i rritej kureshtja për këtë drejtim.

“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja që dikush ta kap aparatin dhe të bëj fotografimin e diçkaje, madje aparatet, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kam parë sot në atelie më kanë treguar se fotografia gjithmonë do të jetojë”, vlerësoi Thaci.

Ajo thekson se pas kësaj punëtorie interesimi iu është rritur dhe është përcaktuar në fotografimin e njerëzve.

“Nga kjo punëtori kam fituar shumë dituri ndaj fotografisë, aparateve dhe përdorimit të tyre, ndriçimin, mënyrat se si kapet më mirë një fotografi, dhe kur kemi të bëj me portrete kam mësuar se duhet t’i kushtoj rendësi vijave të fytyrës së personit”, tha Bora Thaci.

E mësime për fotografinë, përvojat e Rekës dhe durimin si element kyç për këtë rrugëtim i ka marrë edhe Diar Besaj. Ai theksoj se ndjehet i privilegjuar që ishte pjesëmarrës në këtë punëtori, teksa shton se tanimë fotografinë ka filluar ta shoh më ndryshe se më parë.

“Këndvështrimi im ka filluar të ndërrohet për nga vlera që tanimë e shoh në fotografi, sepse më parë e kam parë si diçka që e shpreh një ngjarje por, tash kam arritur ta shoh më thellë dhe ta përjetoj atë”, tha Diar Besaj.

Nga atelia e Rekës ai mbeti i fascinuar për origjinalitetin që pa, ndërkaq nga gjithë opusi fotografik, ai vlerësoi më së shumëti ato që janë realizuar në kohëra të rrezikshme.

“Fotografitë të cilat i ka bërë gjatë, mendoj që kanë qenë më me vlerë, të cilat portretizojnë dhimbje, ndjenjën e lënies së atdheut jo prej dëshirës”, shtoj Besaj.

Vlerësime për fotografitë e shumëta të Hazir Rekës dha edhe pjesëmarrësja, Erleta Gashi. Nëpërmjet kësaj punëtorie dhe shansit të dhuruar për takim me veprimtarinë e Rekës, asaj iu është shtuar interesimi për hulumtim të fotografisë më tutje.

“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë mendoj se kemi pasur fat të takohemi dhe punojmë me fotografistin Hazir Reka”, tha Erleta.

Gashi shtoi se në momentin që kishte parë aparatet e vjetra, asaj iu dha ndjesia sikur Reka kishte përshkruar një jetë të tërë nëpërmjet tyre.

Përmbyllja e kësaj punëtorie të fotografisë do të jetë një nismë rrugëtimi për gjithsecilin që e ka pasion fotografinë dhe do të mbetet një kujtim i paharrueshëm falë profesionalizmit dhe ekipit bashkëpunues. Ndërkaq këndvështrimet e ndryshme që kishin këta pjesëmarrës do të kurorëzohen nëpërmjet ekspozitës së fotografive në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com

Adele befason, për herë të parë ngjitet në skenë me një pamje krejt ndryshe (VIDEO)

Adele është rikthyer në një nga spektaklet më të famshme amerikane, Saturday Night Live”, pas 5 vitesh, por këtë herë me një ndryshim drastik në pamje. Këngëtarja prezantoi spektaklin dhe nuk ngruoi të bënte shaka për rënien e saj nga pesha e pamjen e re.

“E di që dukem shumë, shumë ndryshe nga hera e fundit kur më keni parë. Por në fakt, për shkak të të gjitha kufizimeve të COVID, duhej të udhëtoja lehtë dhe munda të sillja vetëm gjysmën time. Dhe kjo është gjysma që zgjodha”, u shpreh këngëtarja.

Adele tha se albumi i saj nuk ka përfunduar ende dhe se nuk e mendonte se do mund të këndonte e të prezantonte në të njëjtën kohë, por ajo ja doli mbanë më së miri. Kjo ishte hera e parë që këngëtarja shfaqej në një televizion amerikan, që nga viti 2017-të për çmimet “Grammy”.

Prandaj paraqitja e saj ishte shumë e veçantë, sepse që nga ajo kohë Adele ka ndryshuar shumë dhe kështu tregoi se nuk është e vërtetë që nuk do të shfaqet më në asnjë spektakël televiziv.

https://www.youtube.com/watch?v=oCvWhIR-o_U

Askush nuk e di çka do me thanë mall

Saranda Rugova

Askush nuk e di çka do me thanë
Mall
Përveç kilometrave që të gjejnë në largësi
aty ku frymën s’mund ta marrin
por, malli të shtrëngon në brendësi.
Kur një çast të ndalin kujtimet
dhe thjeshtë e kupton
se jeta rrjedh si lumi
dhe agonia të kaplon.
Shtëpia është aty
ku kandshëm të zë gjumi
dhe e qeshura e shpirtit themelet drithëron.
KultPlus.com