​Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë viktima të dyfishta

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite që i bëri organizatës Medica Gjakova, ka kërkuar nga institucionet dhe shoqëria që të qëndrojnë pranë grave që ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta – së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria.

Postimi i plotë:

Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi.

18:36 – Sot

Shpërndaje në

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite që i bëri organizatës Medica Gjakova, ka kërkuar nga institucionet dhe shoqëria që të qëndrojnë pranë grave që ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta – së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria.

Postimi i plotë:

Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi.

Këto gra nuk janë vetëm! Në njërën anë, ato kanë mbështetjen e organizatave si Medica Gjakova, të cilën e vizituam këto ditë, e organizatave të tjera simotra që nuk reshtin së rezistuari çfarëdo presioni, e në anën tjetër, na kanë ne të cilët ju përkulemi përpara qëndresës së pashoq përballë dhimbjes e vuajtjes që ato përjetojnë.

Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave.

Të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me mirëkuptim të plotë për vuajtjet e brengat e secilës e secilit. Mbi të gjitha, të jesh me to, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm DREJTËSI./ KultPlus.com

Çikat tona s’po ndalen, Loriana Kuka mposhtë rusen Antonina Shmeleva

Kosova e ka fituar edhe një medalje në Grand Slamin e xhudos në Budapestit, që përfundon sot. Loriana Kuka ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë.

Në luftë për vend të tretë, Loriana e mposhti rusen Antonina Shmeleva.

Grand Slami i Budapestit shënon rikthimin e garave të mëdha të xhudos pas pushimit të gjatë. Kosova është dëshmuar si fuqi e xhudos. Të premten medalje të artë fitoi Distria Krasniqi.

“La Repubblica” për librin e shkrimtarit shqiptar Romeo Çollaku

Gazeta italiane “La Republica” në suplementin “Robinson” kushtuar shkrimeve mbi artin, letërsinë dhe kulturën i ka dedikuar një shkrim edhe shkrimtarit shqiptar Romeo Çollaku për librin e tij “Miele sul coltello” (Mjaltë në thikë).

Në faqet e gazetës prestigjoze italiane shkruhet: Romeo Çollaku, shkrimtar, poet dhe përkthyes i gjuhës shqipe është një person që jeton me gjuhësinë, me atë që ka mësuar në fëmijëri, kujtimet që mban mend nga Shqipëria pas rënies së komunizmit, me atë që dëgjon në të tashmen, duke qenë gjithmonë i vëmendshëm me heshtjen e tij.

Në romanin “Miele sul coltello” (Mjaltë në thikë) vijnë të gjithë këto copëza kujtimesh, kthehen nga mali, ngjiten sërish rrugëve për në mal, deri në një fshat të humbur në Jug të Shqipërisë, vendosur në një skenë ku lëvizin disa personazhe.

Një prift ortodoks, një person thashethemexhi, një e ve italiane, shpesh në shënjestrën e thashethemeve të fshatit, dy të përndjekur, një i vetmuar, një ëndërrimtarë… Secili në karakterin e vet unik dhe bashkë bëjnë një kast personazhesh shumë interesant me histori universale, edhe pse në një fshat të humbur”, shkruhet në recensioni dedikuar librit./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Andshëm

Flutur Mustafa

“Me qetsinë qi sjell nata
Andshëm frymëmarrjen tande
Kam me e nigju.
Nuk kam me t’zgju
deri kur e vetmja nadja
Ka me ti puthë sytë para meje,
E nuk kam me e xhelozu.
Me qetsinë qi sjell nata
Kam me puthë lehtë buzen tande,
me t’pëshpëritë gjithçkanë që ti je.
Me qetsinë qi sjell nata
Kam me u deh n’aromen tande
Tuj m’shtëngu, tuj t’dashtë,
tuj ta kujtu atë çka n’krahnor temin
Ti e ban me vlu.”/ KultPlus.com

‘Shpia e Agës’ u shfaq sonte në Beograd, Zeqiraj: Sonte për mua është një natë e madhe

Suada Qorraj

Pasqyrë e luftës së fundit në Kosovë, mall, dhimbje e vaj i heshtur, dhunë, kujtime që përndjekin e formësojnë identitetin e pas luftës. Historia e pesë grave që bashkëjetojnë e ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet, secila me tregimin që dallohej nga tjetra, po që në fund të ditës i bashkonte dhimbja, vuajtja, e kaluara dhe e tashmja, por dhe Aga, djali që kërkon babain e tij të zhdukur në luftë. Përmbledhja e pafuqisë njerëzore, Kosovës, e luftës, jehoi shqip më të fuqishmin mesazh, në kryeqytetin e shtetit serb, Beogradin e ‘Mirëdita, dobar dan’, shkruan KultPlus.

Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.

Nëntë vjeçari Aga jeton me nënën e tij dhe katër gra të tjera në një fshat të largët malor në Kosovë. Aga përpiqet të fitojë ca para duke shitur cigare, por qëllimi i tij kryesor është kërkimi i babait të tij të zhdukur. E vetmja figurë mashkullore në jetën e tij është Cera, i cili është i vrazhdë e i ashpër, megjithëse kujdeset për Agën i cili është shumë i ri për të kuptuar pse jeton atje me ato gra. Kur ndodhë një urgjencë e papritur, Aga detyrohet të ndihmojë dhe kjo vë në lëvizje një sekuencë ngjarjesh që i zbulojnë atij të vërtetën.

Në një intervistë për KultPlus regjisorja e filmi ‘Shpija e Agës’, Lendita Zeqiraj ka thënë se sonte për të është një natë e madhe, sepse krijimtaria e saj po shfaqet në dy kryeqytetet më të mëdha në rajon. ‘Shpija e Agës’ përballë një publiku serb dhe ‘Gardhi’ përballë publikut në Kroaci.

“Sonte për mua është një natë e madhe, sepse sonte dy filmat e mi të fundit ‘Gardhi’ dhe ‘Shpia e Agës’ do të shfaqen në dy kryeqytetet më të mëdha të rajonit dhe në atë në dy festivale krejtësisht të ndryshme. ‘Gardhi’ garon në mesin e filmave të seleksionuar në One Take Film Festival në Zagreb të Kroacisë, ku edhe është shpërblyer me çmimin “Grand Prix” dhe ‘Shpia e Agës’ e cila poashtu sonte po shfaqet për herë të parë dhe do të jetë premierë në Serbi në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ në Beograd”, ka thënë Zeqiraj.

Tutje ajo ka shtuar se është mjaft kurioze të dijë se si do të priten filmat e saj dhe cili do të jetë reagimi i publikut. Zeqiraj ka theksuar se publiku i filmit ‘Shpia e Agës’ është i veçantë sepse filmi shfaqet për herë të parë në kuadër të një festivali politiko – kulturor.

“Gjithmonë jam kureshtare ta di se si priten filmat e mi nga publiku, sepse çdo reagim i publikut është një lloj kalibrimi për mua. Por publiku i natës së sotme është i veçantë për shkak se filmi im shfaqet ne kuadër te festivalit politiko-kulturor Mirëdita, dobar dan”, ka shtuar regjisorja.

Kurse për aktoren, Shengyl Ismaili, shfaqja e këtij filmi është një ndjenjë shumë e veçantë sepse filmi trajton një temë shumë te ndjeshme

“Ndjenjë shumë e veçantë, unë veç kam pasur më herët premierë në Beograd me teatër para 6 viteve por që qenka jashtëzakonisht interesant me pasë edhe premierë të filmit, sidomos tu e marrë parasysh temën e filmit që është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme”, ka thënë Ismaili për KultPlus.

‘Shpija e Agës’ u mirëprit me duartrokitje në sallë nga të pranishmit. ‘Mirëdira, Dobar Dan’ natën e sotme shënoi përfundimin e edicionit të tij shtatë./ KultPlus.com

“Grand Prix” për filmin e Lendita Zeqiraj në Zagreb

Në Zagreb të Kroacisë për disa net është mbajtur edicioni i festivalit “One Take Film Festival”, ku është prezantuar edhe filmi artistik i metrazhit të shkurte “Fence”, me regji të Lendita Zeiqiraj, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, filmi i Zeqirajt është shpërblyer me çmimin “Grand Prix” të festivalit, ndërkohë janë ndarë edhe çmime të tjera në kategori të ndryshme.

Filmi “Fence”, tashmë ka shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, kurse Lendita Zeqiraj njihet edhe për dy filmat e tjerë “Ballkoni” dhe “Shpia e Agës”./ KultPlus.com

Vajza me kostum tradicional të Tiranës në “National Geographic”

Foto e realizuar në Tiranë në vitin 1928 nga fotografi italian Luigi Pellerano, punonjës i “National Geographic”.

Pozicioni me shumë krenari i kësaj vajze rome, e veshur me kostumin tradicional të Tiranës tërhoqi interesimin e fotografit, duke e bërë atë të tërheqë interesimin e fotografit për të shkrepur këtë imazh në Urën e Tabakëve.

Në atë kohë ishte zakon që fëmijët romë të adoptoheshin nga familjet e pasura të Tiranës ose kishte raste që një familje e tërë rome punësohej nga të pasurit e vendit./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

‘Mirëdita, Dobar Dan” ndan çmim për regjisorin Ognjen Glavonjić

“Mirëdita, Dobar Dan” që po mbahet tash e sa mbrëmje në Beograd, po shkon drejt fundit të këtij edicioni, dhe pikërisht në mbrëmjen e së shtunës, organizatorët e këtij festivali kanë ndarë edhe çmimin për një regjisor, i cili me filmat e tij ka trajtuar temën e luftës, shkruan KultPlus.

Fiona Jelic, një nga organizatoret e festivalit, përgjatë dorëzimit të këtij çmimi për regjisorin Glavonjić, tha se ky çmim shënon obligimin e tyre, për ti shtyrë që të vazhdojnë punën më tej.

Ajo përmendi edhe riaktivizimin e çështjes së varrezës masive ne Batajnicë,  ku tha se për këtë varrezë, duhet të reagojnë edhe përfaqësuesit e shtetit edhe shoqëria.

Përgjatë ceremonisë, ajo kujtoi edhe faktin që para një kohe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic ka mbajtur një minutë heshtje për viktimat e Batajnicës. Por, sipas saj shteti nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt.

“Para pak kohësh kryeministri i Serbisë Vucic ka mbajtur një minutë heshtje në një sallë të mbyllur. Por që nga ajo kohë shteti nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt”, ka thënë ajo, duke ngritë zërin edhe në këtë festival për varrezën masive të Batajnicës, varrezë që janë gjetë trupa të qindra shqiptarëve të varrosur në grup.   

Sopas Fiona Jelic, reagimet nuk duhet të ndalen për këtë çështje, edhe pse, sipas saj, shoqëria është memece, e shurdhër dhe e verbër kundrejt kësaj çështjeje./ KultPlus.com

Albana Osmani sjell “Çika në betejë me inteligjencën artificiale”

Prej kohësh Albana Osmani është larguar nga televizioni për t’ju përkushtuar një projekti krejtësisht të veçantë. Moderatorja foli për një surprizë por nuk zbuloi nëse bëhej fjalë për një projekt televiziv apo diçka tjetër. Ndërkohë, së fundmi ajo ka zbuluar se ka qenë duke punuar për një libër, të cilin tashmë e ka publikuar.

Libri mban titullin “Çika në betejë me inteligjencën artificiale” dhe është publikuar ditën e djeshme. Albana ka publikuar disa fotografi nga ceremonia e promovimit të librit të saj të parë, ku shprehet tejet e lumtur për këtë sukses. Gjithashtu, ajo ka bërë me dije se brenda pak kohësh pritet të sjellë dhe versionin në anglisht të këtij libri.

“Libri sapo doli në internet, live në faqen zyrtare albana-osmani.com dhe mund të porositet globalisht nga tani nga çdo vend i botës. Përveç fizikisht në libraritë në Shqipëri: Adrion, Bukinist, Bookland, dhe shumë biblioteka të tjera që ju bëni njoftoj në ditet në vazhdim. Si dhe në Kosovë në libraritë e Dukagjin. (Versioni anglisht i librit do teë vije në pak dite kohe, me të gjitha detajet të cilat do t’i bëj publike).”, ka shkruar moderatorja.

“A Refugee’s Tale” si ecje në dy kohë me regjisorin nga Kosova

Saga shqiptare e fundshekullit të kaluar që u përshkua me shkulme refugjatësh, nuk është vetëm një fakt i “arkivuar” në histori. Nga qindra mijëra sosh, një histori e tillë është veçuar për të ngritur pikëpyetje mbi realitetet e sotme me refugjatë.

Duke evokuar fillimvitet ‘90, regjisori i filmave dokumentarë në “Al Jazeera”, Eki Rrahmani, ka kontrastuar përvojën e tij me ato të refugjatëve të ngecur në portat e Evropës.

“Tani e quaj Londrën si shtëpinë time. Këtu erdha më 1994”, thotë Rrahmani në fillim të dokumentarit të tij “A Refugee’s Tale”, i cili u shfaq mbrëmjen e së enjtes në “Al Jazeera”. I njëjti është transmetuar live edhe gjatë të premtes e po kështu do vazhdojë gjer në fund të këtij muaji.

Duke e ftillëzuar historinë e tij personale në ngjarjet e dallgëzuara në Kosovë, regjisori prishtinas ka sipërmarrë një udhëtim të pazakontë.

Për të dokumentari vjen edhe si ripërjetim personal në kohë, kurse për publikun një njohje tjetër e vuajtjeve të refugjatëve nga Lindja e Mesme.

“Vendimi për të ikur ishte i lehtë, por ndarja e vërtetë ishte e vështirë. Kurrë s’i pyeta prindërit se si u ndjenë kur u largova”, thotë Rrahmani, teksa kamera kap pamje nga rrugët e “Kodrës së Trimave”.

Mu aty shpërgjumen kujtimet kur si i ri mbante të plagosurit gjatë demonstratave të studentëve. Një plumb gome e kishte platitur për tokë. E megjithatë jeta kishte qenë më e fortë se vdekja si për ta bërë të mundur një “Rrno vetëm për me tregue”.

Me një kohëzgjatje prej rreth 50 minutash, nga një rrëfim personal dokumentari është kthyer në një udhëtim revalues për të vërtetat e pathëna për refugjatët.

“Jam i tmerruar se çfarë përjetojnë këta djem për të shkuar në Evropë”, thotë Rrahmani, ndërsa ndërmend përvojën e tij kur si i ri braktisi Kosovën për të ikur me një kamion-cisternë. Mes ankthit e të papriturave, ai megjithatë ia kishte dalë mbanë të vendosej fillimisht tek të njohurit e tij në Suedi e më pas në Britaninë e Madhe.

Kështu, pasi çmallet me prindërit e tij në Prishtinë, refugjati i dikurshëm nis udhëtimin e tij drejt pikës kufitare të Gjevgjelisë për të vazhduar drejt Selanikut.

Derisa BE-ja kishte shtrënguar kufijtë e saj ndërkohë që Turqisë i kishte dhënë disa miliarda euro për refugjatët e strehuar aty, dhjetëra mijëra fatkëqij, njerëz të të gjitha moshave, mbetën nën mëshirën e askujt.

Një qendër kujdesi në Selanik është një galeri e trishtueshme fatesh: ecja e gjatë deri në rraskapitje ka lodhur edhe të rinjtë. Shumica e tyre janë me këmbë të ënjtura e të mavijosura.

Caku tjetër i Rrahmanit është udhëtimi drejt ishullit grek të Lesbosit, që ka përkundrejt brigjet e Turqisë, aty ku ndodhet Moria. Bëhet fjalë për kampin më të madh me refugjatë në BE.

“Natën është shumë ftohtë këtu. Shumica e fëmijëve janë të sëmurë e nuk ka kurrfarë kujdesi mjekësor”, thotë një burrë esmer me kalamajtë e tij të vegjël./ koha.net KultPlus.com

Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret, vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij

Testamenti i Mitrush Kutelit

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3 (…)

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti, Dhimitraq

11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)

Besart Lumi në Beograd: Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë

Suada Qorraj

Njëzet vite që pas përfundimit të luftës, Kosova ende përballet me të kaluarën e saj të dhunshme, që nga përfundimi i konfliktit janë ndërmarrë shumë nisma të drejtësisë tranzicionale, por këto nisma ishin të fragmentuara dhe të njëanshme. Dhe si të tilla ato kanë qenë të padobishme për të sjellë shoqërinë kosovare në një të ardhme paqësore.

Në ditën e fundit të festivalit ‘Mirëdita,dobar dan’, solli përballë publikut serb prezantimin e raportiit “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale”, me autorët Besart Lumi dhe Gëzim Visoka.

Ky hulumtim tregon se një qasje nga lart-poshtë dhe e drejtuar nga jashtë e drejtësisë tranzicionale nuk ka qenë e dobishme dhe sugjeron që Kosovës i duhet një infrastrukturë e integruar dhe diskutuese për të siguruar legjitimitetin dhe efikasitetin e përpjekjeve për t’u marrë me të kaluarën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Autori i këtij hulumtimi, aktivisti dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale, Besart Lumi gjatë prezantimit që ju bëri të gjeturave theksoi se Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë. Madje ai theksoi se Serbia deri më sot nuk i ka kthyer as dëmshpërblimet e kontributeve pensionale.

“Serbia nuk ka paguar asnjë dëmshpërblim për dëmet dhe humbjet e jetëve nga fushata e saj ushtarake dhe policore në Kosovë dhe nuk ka kthyer kontributet pensionale. Në mungesë të dëmshpërblimit zyrtar nga Serbia, Qeveria e Kosovës ofron dëmshpërblime në formën e pensioneve dhe privilegjeve të tjera për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës së UÇK ’së; viktimat civile dhe të mbijetuarit e viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit; si dhe të burgosurit politikë dhe civilët e dëmtuar fizikisht”, u shpreh Lumi para të pranishmëve serb e shqiptarë.

Ndërkaq panelistja tjetër, Nora Ahmetaj aktiviste dhe eksperte për drejtësi tranzicionale gjatë këtij diskutimi tha se është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme që të gjendet e vërteta për viktimat që përjetuan dhunë dhe humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e New Social Initiative, Jovana Radosavjevic tha se Kosova njëzet e një vite pas përfundimi të luftës nuk ka arritur që të krijoj një strategji për ballafaqimin me të kaluarën. Sipas saj iniciativat e deritanishme që janë bërë për drejtësinë tranzicionale nuk kanë adresuar nevojat adekuate të komunitetit.

“21 vite më vonë Kosova ende nuk ka bërë një strategji për ballafaqimin me të kaluarën dhe këtu ka një mungesë të vullnetit politik. Ka pasur iniciativa të ndryshme që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën dhe me drejtësinë tranzicionale që nuk arritën që në mënyrë adekuate të adresojnë nevojat e komuniteiti”, ka theksuar Radosavjevic.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ do të vazhdoj natën e tij të fundit me prezantimin e përmbledhjes së tregimeve të Tristan Halilaj, ‘Richard Gere ka qenë këtu’ si dhe filmin e ‘Shpia e Agës’./ KultPlus.com

Imagjinoni sikur të kishit lindur në një shtet të varfër, dhe kur të jeni 28 vjet, të keni aq para sa nuk mund t’i numëronit dot

Një prej serialeve më të suksesshëm të kohëve të fundit, ka qenë “Narcos”. Në dy sezone, përshkruhet në mënyrë të hollësishme, e gjithë historia e ngjitjes dhe rënies së Pablo Escobarit, një prej baronëve më të mëdhenj të drogës, njeriut që për vite të tërë tronditi jo vetëm Kolumbinë, por edhe Amerikën, duke u shndërruar në shënjestrën numër një të DEA-s dhe forcave ushtarake të Kolumbisë.

Është historia e një njeriu, emri i të cilit, u shndërrua në simbolin e narkotrafikut. Kemi përzgjedhur më poshtë disa prej thënieve më të goditura, të nxjerra pikërisht prej serialit “Narcos”:

-“Unë jam Pablo Emilio Escobar Gaviria. Sytë e mi janë kudo. Kjo do të thotë që ju s’mund të lëvizni as gishtin në të gjithë Antioquian, pa e marrë vesh unë. E kuptoni? As edhe një gisht. Një ditë, unë do të bëhem president i Kolumbisë. Shikoni, unë bëj ujdi për të nxjerrë jetesën. Tani, mund të rrini të qetë dhe të pranoni ujdinë që po ju ofroj, ose pranoni pasojat”.

-“Ka një kohë për të luftuar, dhe një kohë për të qenë të zgjuar”.

-“Para apo plumb. Vendose vetë”.

-“Unë nuk jam njeri i pasur. Jam njeri i varfër që ka para”.

-“Gënjeshtrat janë të domosdoshme, kur e vërteta është shumë e vështirë të besohet”.

-“Qëllimi i luftës është paqja”.

-“Imagjinoni sikur të kishit lindur në një familje të varfër, në një qytet të varfër, në një shtet të varfër, dhe kur të mbushnit 28 vjeç, të kishit kaq shumë para, saqë as mund t’i numëronit dot. Çfarë do të bënit? Do të bënit ëndrrat tuaja realitet”.

-“Bëj kujdes me kërcënimet që nuk i ekzekuton dot”.

-“Nëse ka një gjë që kam mësuar në botën e narkotrafikantëve, kjo është që jeta është shumë më e komplikuar nga sa mendon. E mira dhe e keqja janë koncepte relative”.

-“Gjenitë konsiderohen gjithmonë si të marrë”.

-“Të këqijtë nuk luajnë sipas rregullave. Kjo i bën të këqij”.

-“Kur i afrohesh shumë diellit, ëndrrat e tua mund të shkrijnë”.

-“Thuhet shpesh se nuk ka nder mes hajdutëve. Kjo është dyfish e vërtetë mes trafikantëve të drogës”.

-“Nëse arrin në majë, kjo do të thotë se ke vrarë armiqtë. Dhe ndonjëherë, edhe partnerët”

-“Njerëzit e guximshëm kanë një zakon që vdesin shpejt”.

-“Asgjë nuk u jep atyre që kanë frikë më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”.

-“Nuk ka asgjë më të ulët se sa miu. Dhe nëse i lëmë minjtë të lirë, rrugët do të mbushen me ta”.

-“Në këtë luftë, të pafajshmit duken të jenë ata që do të lëndohen gjithmonë”.

-“Hapi i parë për të verbuar dikë, është ta bësh që të hapë sytë”.

-“Narkotrafikantët flasin gjithmonë për besnikëri… deri kur në lojë është bytha e tyre”./ KultPlus.com

Nan’ e dashtun, sot po vdes më kan futur në një thes

Historisë së dhimbshme të Marie Tuçi, poeti Meti Fidani ia kushtoi edhe një poezi:

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfushë
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nanë, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes. / KultPlus.com

70 vjet nga vdekja e Marie Tuçit, e futën në thes me një mace të egër, e rrahën barbarisht deri në vdekje

Marie Tuçi, mësuesja 22-vjeçare që vdiq nga torturat e tmerrshme në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja grua që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të kishës katolike shqiptare, kurse sot bëhen 70 vjet nga vdekja e saj, shkruan KultPlus.

Atë e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950./ KultPlus.com

Bllokohen sërish xhirimet e ‘Mision i pamundur 7’

Misioni i vërtetë i pamundur është të arrish të evitosh koronavirusin. Kështu edhe xhirimet e ‘Mision i pamundur 7’ me Tom Cruise në Venecia janë bllokuar nga Covid-19, që ka goditur 6 anëtarë të stafit.

foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
  • Xhirimet e sagës së 7 janë bllokuar papritur dhe trupa ka çmontuar të gjitha pajisjet e vendosura në Sheshin San Giacomo. Pas rasteve pozitive janë bërë të gjithë tamponët në përpjekjen për të zbuluar vatrën dhe për të vënë në izolim të gjithë rastet. Tom Cruise mbërriti në Venecia të hënën dhe kishte shkuar direkt në hotel.

Të nesërmen ai kishte inspektuar sheshin e xhirimeve dhe kishte takuar disa njerëz, por gjithmonë me maske dhe i distancuar. Të enjten në mbrëmje, në ditën e dytë të xhirimeve gjithçka është bllokuar. Të premten ka ardhur konfirmimi që një pjesë e stafit ishte i infektuar me Covid-19.

Cruise kishte ndërprerë xhirimet në Venecia në shkurt, përpara lockdown, por kishte thënë që do të kthehej sërish për të vazhduar xhirimet. Tani sërish një tjetër ndalesë.

Kënga e Rexhës: Ai nuk u mbytë nga kali, historia është krejt tjetër (VIDEO)

Shumë prej nesh janë rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë këngë të Qamilit të Vogël, ka ndier edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në ahur, transmeton KultPlus.

Sipas rapsodit Demir Krasniqi, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në afërsi të Medvegjës, ku për qëllime trashëgimie Rexhën jetim e ka vrarë mixha i tij.

Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali, madje shpeshherë edhe është ironizuar me rastin, duke thënë se Rexhën e ka mbytur pela. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që kemi besuar të gjithë ne. Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.

Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit.

Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai.

Kjo vesvese e shtyri atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend.

Nëna e Rexhës ishte kthyer nuse për kunatin

Dasmorëve nuk u kishte shkuar mendja se këtë krim mizor mund ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës. Ata i besuan fjalëve të axhës së Rexhës. Demir Krasniqi thotë se ngjarjen e kishte dëgjuar nga Qamili i Vogël. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte axha i Rexhës.

Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada. Sipas Krasniqit, këtë këngë e kishte sjellë në Gjakovë familja e këngëtarit Qamili i Vogël, që ishin shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës. Qamil Muhaxheri ishte i pari që e këndoi këtë këngë në Radio-Prishtinë. Kënga është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare, ku këndohet edhe në ditët e sotme, por është e ndërtuar mbi një rrëfim të pavërtetë, duke krijuar edhe versione që shkojnë deri në banalitet.

Krasniqi e ka përpunuar dhe përshtatur për këngë origjinalin e kësaj ngjarjeje dhe për herë të parë e ka incizuar në audio kasetë më 25 korrik 2012. Ai pretendon se kjo është e vërteta e vdekjes së Rexhës dhe ky version nuk është kundërshtuar ende nga rapsodët dhe muzikologët. /gazetametro.net/ KultPlus.com

Henry Noel Brailsford: Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është ‘Mbinjeriu’ për të cilin Nietzsche ëndërronte

10 thënie që të huajt i kanë shkruar për shqiptarët

Maurico Druon, sekretar i akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vetë historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”

Lamartini: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit, Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”.

Lord Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë peizazhin më të mrekullueshëm në botë. Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

Braisllav Nusic: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.

Dushko H. Konstantinov: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.

Maks Myle: “Emrat e mjaft popujve të njohur rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘Ar’. Kjo vlen edhe për mjaft vende të botës.”

Gjorgj Hahni: “Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve. Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”.

Haki Pasha: “Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”.

Harold Whitehal: “Hieroglifet egjiptiane, të krijuara para 4.000 vjetësh kanë domethënie shqipe”.

Henry Noel Brailsford: “Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është ‘Mbinjeriu’ për të cilin Nietzsche ëndërronte”./ KultPlus.com

Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri

Akademik Esat Stavileci, tashmë i ndjerë, në ligjeratën përshëndetëse me studentët e Universitetit të Prishtinës, të dhënë para pensionimit të tij pesë vite më parë, tashmë kjo ligjëratë mjaft prekëse, por edhe motivuese për të gjithë ne, po konsiderohet si një nga ”testamentet” më të mira lënë për gjeneratat e reja. Akademik Stavileci ka lënë një thesar përplot ”testamente” të shkencës e urtësisë, i cili nuk rreshti së punuari për dije asnjëherë.

Lexojeni të plotë ligjëratën “testament” të Akademikut Esat Stavileci:

”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.

Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen!
Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!

Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!

Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.

Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.

Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.

Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.

Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!

Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.

Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!

Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.

Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!

Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.

Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.

Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!

Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!

Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.

Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.

Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.

Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?

Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!

Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.

Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.

Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.

Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!

Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!

Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!

Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!

Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.

Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.

Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!

“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.

Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.

Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!

Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.

Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.

Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.

Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.

Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.

Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.

Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.

Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.

Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.

Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.

Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.

Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.

Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.

Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.

Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.

Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:

“Nuk vendoset karroca para kalit”.

Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.

Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.

E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.

Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.

Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.

Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!
Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!

Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.

Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.

Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.

Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.

Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.

Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.

Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.

Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.

Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!

Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.

Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.

Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?

Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!

Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.

Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?

Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.

Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.

Kam porositur:

(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.

(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.

(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.

(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.

Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatisë këtë ligjeratë?

Shkurt: tërë jetën!

Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.

Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!

Prishtinë. Fakulteti Juridik 8 tetor 2010.

PEN Qendra e Kosovës me mbrëmje letrare për Anton Pashkun

Në KultPlus Caffe Galery në Prishtinë, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” PEN Qendra e Kosovës vazhdon përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës.   

Përkujtimi i radhës i kushtohet prozatorit Anton Pashku.

Aktivteti në kujtim të Pashkut mbahet të hënën, më 26 tetor, me fillim në orën 17.00.

Për opusin letrar të Anton Pashkut do të flasin Anton Berishaj dhe Adil Olluri. Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin e PEN Qendrës së Koosvës me titullin “Ora e shkrimtarit” e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe KultPlus./ KultPlus.com

Lansohen produkte në emër të Erza Muqollit

Këngëtarja shqiptare Erza Muqolli që ka shënuar sukses të madh në Francë, por edhe në vende të tjera, fanasave të saj tashmë do tu ofrojë edhe produkte të tjera, shkruan KultPlus.

Është krijuar faqja e shitjes online me produkte të ndryshme me emrin e Erza Muqollit, duke nisë prej albumit të saj të parë solo, pastaj fanellë, kapelë, çantë, aksesorë për çelësa, fotografi me autografe dhe produkte të tjera.

Këto produkte tashmë janë në shitje dhe të gjithë fansat e saj mund ti porosisin online.

Babai i Erza Muqollit, që në të njëjtën kohë është edhe menaxher i Erza Muqollit ka thënë për KultPlus se kjo linjë e shitjes ishte paraparë që të ofrohej pranë audiencës gjatë tureve të koncerteve, por në të njëjtën kohë të lansohet shitja edhe online. “Por, si pasojë e pandemisë Covid 19, koncertet jemi detyruar ti anulojmë, atëherë vendosëm që këtë shitje online ta lansojmë tani, por të njëjtat do të ofrohen edhe gjatë tureve, në kohën kur edhe do të lejohen tubimet nëpër koncerte”, ka thënë Muqolli.

Erza Muqolli po konsiderohet si një yll i madh francez, por në të njëjtën kohë, ajo shumë shpesh është paraqitur edhe me këngë shqipe./ KultPlus.com

https://difymusic.com/erza-muqoli?fbclid=IwAR08D-_JNuboTvKy4_XadODfNzIEsH8KEORahdSUjvYIoMUzO4iSJ35xf4s

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani promovoi librin “Bürde & Segen“ në Cyrih

Është bërë e ditur se shkrimtarja shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, Shqipe Sylejmani, ka promovuar mbrëmë botimin e librit të saj më të fundit në gjuhën gjermane “Bürde & Segen“ (Barrë&Bekim), shkruan albinfo.ch.

Shqipe Sylejmani ka lindur në Prishtinë, Kosovë, në vitin 1988 dhe jeton në Zvicër që kur ishte katër vjeçe. Ajo studioi gazetari dhe komunikim në Cyrih dhe punoi ndër të tjera si gazetare në Zvicër dhe New York. Që nga viti 2018 ajo është përfshirë në fushën e financimit kulturor dhe është presidente e shoqatës “Kulturwerkstatt: Techno”.

Libri i saj u promovua mbrëmë, më 22.10.2020, në Cyrih të Zvicrës, ku të pranishëm ishin një numër i madh i libërdashësve. Përveç kësaj, promovimi u shoqërua edhe me muzikë popullore e folklorike.

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani mbajti edhe një fjalim në lidhje me librin e saj “Bürde & Segen“, duke pasqyruar disa pjesë të librit para audiencës së pranishme, shkruan tutje albinfo.ch.

Në librin “Bürde & Segen“ trajtohen tema interesante, ndërthurje historie, me të cilën autorja me mjeshtërinë e saj letrare rrëfen përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet në vendlindjen e saj.

Romani rrëfen historin e vajzës që jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë mund të dëshirojnë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet. Megjithatë, edhe në fëmijërinë e saj, ajo ndjeu se gjithnjë i ka humbur diçka. Kur gjyshja i vdes dhe e lë me një fletore me destinacione udhëtimi në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e reja vendos të udhëtojë në këto vende vetëm për të gjetur qartësi në lidhje me jetën e saj. Në udhëtimin e saj ajo jo vetëm zbulon anekdota të vjetra, histori dhe mite, por gjithashtu gjen miq të rinj, dashuri dhe veten, shkruan albinfo.ch./ KultPlus.com

Bujar Salihu vjen me librin “Linga e heshtjes”

“Linga e heshtjes” titullohet libri i ri me poezi i poetit Bujar Salihu, i cili, sipas shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka veçanti të shumta gjuhësore dhe tematike.

“26 vjet më parë, në moshën 22 vjeçe, një libër me poezi e botoi në dy gjuhë, në shqip dhe në frëngjisht. Pas botimit të librit të parë më 1994, i botoi edhe dy të tjerë dhe, me disa autorë shqiptarë, foli në disa gjuhë pasi disa përgatitës hartuan antologji me poezi shqipe. Veçantitë e tij letrare i kemi vënë re qëmoti, por edhe i kanë zënë ngoje Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Mustafë Xhemaili, Arif Molliqi, Faik Shkodra, Xhemail Ahmeti, Nexhat Rexha e ndonjë tjetër që tash s’po na kujtohet. Prandaj, duke pasur veçanti më tepër se disa poetë të tjerë e duke qenë poezia e tij objekt krahasimi me atë të A. Tufës, L. Leshanakut, A. Balës, B. Cufajt, V. Berishës, R. Zekthit, I. Belliut, D. Gashit, M. Mavrajt, Xh. Beqirit, L. Arapit, Rr. Paçarizit, E. Hatibit etj., disa poezi të Bujar Salihut i kemi botuar në revistën Akademia. Me kalimin e viteve, ai duke shtuar veçantitë gjuhësore dhe tematike në poezi e ne duke veneruar krijimet e tij, këtë herë i botojmë këtë libër, i cili një shok tjetër e ka të rrallë. Lexojini të gjitha poezitë e këtij libri, por mos harroni t’i lexoni poezitë Dita jote e fundit, Buka, Eja të pajtohemi, Veshkat e vyshkura, Hija e qershisë, S’e mbajte premtimin, E përvajshme, Puthje, Mbrëmë, Në vend të pasthënies dhe t’i mësoni përmendësh sepse fjalët, fjalitë, figurat, temat dhe motivet e tyre ju duhen shumë në jetën e përditshme”, ka shkruar shtëpia botuese “Armagedoni” në kapakun prapa të librit.

Bujar Salihu (1972) është nga Pogragja e Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan. Në vitin 1990 filloi studimet në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës por, për shkak të rrethanave politike, u detyrua t’i braktisë ato dhe Kosovën. Që nga viti 1992 jeton në Zvicër. Ka botuar përmbledhjet poetike: Në xipat e vetmisë (1994), Më pak se jetë (1997), Skeleti i dallëndyshes (2002). Poezitë e tij janë botuar në disa antologji poetike dhe janë përkthyer në disa gjuhë të mëdha. Është fitues i disa çmimeve letrare. Linga e heshtjes është libri i tij i katërt.

Doli nga shtypi revista “PEN KOSOVA”

Këto ditë doli nga shtypi numri i parë i revistës letrare e asociacionit të shkrimtarëve PEN Qendra e Kosovës.

Revista, kryeredaktor i të cilës është Osman Gashi, mban titullin “PEN KOSOVA”.

Në numrin e parë të kësaj reviste që mendohet të dalë dy herë në vit, janë botuar shkrime në poezi e në prozë të autorëve vendas e ndërkombëtarë.

Në revistën me 270 faqe, lexuesit kësaj radhe i ofrohen krijimet poetike të Martin Camajt, Ali Podrimjes, Teki Dervishit, Musa Ramadanit, Basri Çapriqit, Kujtim Paçakut, Sali Bashotës, Qibrije Demiri- Frangut, Engjëll I. Berishës, Blerina Rogova- Gaxhës dhe Xhemaludin Latiqit si dhe krijimet në prozë të Ernest Heminguejt, Ray Naylerit, Ibrahim Kadriut, Binak Kelmendit dhe Ibrahim Berishës.

Në revistë janë botuar edhe hulumtimet e Avni Spahiut nëpër arkivat evropiane për zhvillimet shoqërore në hapësirat shqiptare dhe teksti i Milazim Kransiqit për gjenocidin dhe ndjekjen e hebrenjve nga Spanja gjatë Mesjetës.

Revista përfshin edhe kumtesat e studiuesve Sali Bashota, Ibrahim Berisha, Osman Gashi, Blerina Rogova- Gaxha, Dije Demiri- Frangu dhe Haqif Mulliqi mbi veprimtaritë letrare të Basri Çapriqit, Ali Podrimjes, Martin Camajt dhe Teki Dervishit.

Në fund të revistës janë publikuar edhe dokumente lidhur me historikun dhe zhvillimet në PEN Qendrën ndërkombëtare anëtare e të cilës është edhe PEN Qendra e Kosovës. / KultPlus.com