Grimeri kosovar transformohet për Halloween, nga një burrë shndërrohet në grua (FOTO)

Arbër Bytyqi, grimeri kosovar ka postuar në rrjetet sociale transformimin e tij për festën e Halloween, shkruan KultPlus.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi, para dhe pas grimit, ku shihet një transformim i madh, nga një burrë me mjekër i shndërruar në një grua mjaftë tërheqëse. KultPlus ju sjell pamjet e postuara nga vet grimeri kosovar Arbër Bytyqi./KultPlus.com

“Tërbohet” trajneri shqiptar, shpulla futbollistëve (VIDEO)

Një video tronditëse po qarkullon në rrjetet sociale, ku duket një nga ish-trajnerët dhe ish-pjestarët e stafit teknik të ekipit të Laçit U-17, Ndue Tarazhi, i cili godet futbollistët e tij pas një ndeshje.

E gjithë historia ka nisur pas një humbje të skuadrës që Tarazhit, ish-trajneri i acaruar me lojtarët e tij, teksa i tregon se kush kishte fajet gjatë ndeshjes, fillon edhe të godasë lojtarët e vegjël që qëndrojnë të ulur para tij, shkruan ora news. 

Në një moment, një nga lojtarët edhe ngrihet për të mos duruar më. 

Kujtojmë se video është e disa kohëve më parë, ndërsa Ndue Tarazhi nuk është më pjesë e stafit teknik të Laçit U-17./KultPlus.com

Woman Entrepreneurs: Rudina Seseri, një ndër 100 gratë më me ndikim në botë

Ish-deputetja shqiptare, Rudina Seseri shpallet një ndër 100 gratë më me influencë në botë.

Ish- deputetja shqiptare, Rudina Seseri është klasifikuar nga revista “Woman Entrepreneurs” një prej 100 grave më me influencë në botë.

Bazuar në deklaratën e revistës së njohur 100 gratë e përzgjedhura si influencer po riformulojnë botën e biznesit, por jo vetëm, janë gjithashtu një mbështetje e mirë për të gjitha gratë e tjera.

“Inteligjenca artificiale po riformulon jetën tonë. Çfarë na pret tashmë? Kjo është ajo çfarë po përpiqet të zbulojë Rudina Seseri”, shkruan “Woman Entrepreneurs”.

Kjo kompani me bazë në Boston, Amerikë, ka prezantuar edhe një vit më parë fondin e saj të parë prej 112 milionë dollarësh në vitin, që prej kësaj kohe ajo ka investuar në 19 biznese të tjera./KultPlus.com

Incident në TKK, rrëmbehet shqiponja nga pllakati i shfaqjes

“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” që është dhënë premierë në mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës është përcjellë me një incident, pikërisht para fillimit të shfaqjes, shkruan KultPlus.

Sokol Plakolli ka prerë pjesën e panos së kësaj shfaqje, ku ka marë shqiponjën, por i njëjti në këtë pano ka lënë yllin, sipas tij, yllin komunist.  Ai në një reagim në facebook ka shkruar se nuk e ka vjedhur shqiponjën, por sipas tij, ai e ka çliruar.

Stafi i TKK-së ka tentuar të pengojë veprimin e Plakollit, por i njëjti ka arritë të interevenojë në pllakatin e kësaj shfaqje me tekst të Veton Surroit dhe regji të András Urbán.

Plakolli më pas ka postuar fotografi me shqiponjën që kishte nxjerrë nga pllakati, sikurse që ka postuar video

Jeton Neziraj për këtë veprim të Sokol Plakollit ka shkruar “Shqiponjë-vjedhësi na e nisi mbarë shfaqjen ”Shfaqja e fundit…’ e Veton Surroit 🙂”, kurse Sokol Plakolli ka vazhduar me reagime të tjera duke shpërndarë fotografinë e Nezirajt pranë pllakatit, dhe duke e quajtur tashmë këtë pllakat si një pllakat fantastik.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi./KultPlus.com

Vasfijeve të Kosovës

Donika Gashi

Isha e re, e njomë, ende fëmijë
Më zuni lufta, kaosi, frika.
Hije ndjellakeqe më ndoqi urrejtja e tjetrit
Për atë e cila në sytë e tyne isha.

Nuk qaja që ato mund të ishin ditët e mia të fundit.
As pse ndoshta kurrë ma,
Nanës
S’do t’ia ndjeja përqafimin.
Brenda meje qante secila frymë
Nga frika për mundësinë e të jetuemit
me llahtarin e kujtimit.

Ndodhi ajo që nuk e kisha mendu asnjëherë.
(Babai im as një thikë të hairit në shpi nuk e kishte siguru.)
Nanës kur më përcolli te dera e shpisë,
peng ia lashë zemrën,
Atdheun,
timen paprekshmëni.

Mbaj mend mirë fytyrat e llahtarshme
Egërsinë mbi njomësinë time.
Kam qenë e bukur, e di!
(Plus shqiptare Kosove
në një moment aq fatligë.)

M’u desh të jetoja gati njëzet vjet
Me ankthin e asaj dite që ma dërmoi
Qenien.
Shpesh doja të mos isha ma, të tretesha si harrimi.

Ika larg,
Të mos ecja përditë nëpër të kaluemen
e mijëra vetëve të mia…

Largësia nuk ma veniti dhimtën.
As dashninë për Shtëpinë,
As guximin.

U ktheva kah Dielli
Të shpaloja,
Të Vërtetën./KultPlus.com

Shkrimtarët e rinj bëhen bashkë në një festival

Letërsia e re shqipe do të jetë në fokus të “New Literature Festival” i cili do të hapë për herë të parë siparin nga data 29-30 tetor në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Personazhe të jetës letrare pas viteve 90-të, dhe emra të njohur të letërsisë shqipe do të jenë bashkë në një komunikim që kërkon të nxjerrë në pah prirjet e sotme të letërsisë bashkëkohore shqipe.

“New Literature Festival kërkon të kthejë vëmendjen nga proza dhe poezia bashkëkohore shqipe, duke i dhënë më shumë hapësirë shkrimtarëve dhe poetëve të rinj. Është shumë e rëndësishme të kemi një tablo të skenës letrare në vend, ndaj ky event kërkon jo vetëm të konfigurojë një tablo letrare por dhe të nxjerrë në pah prirjet e letërsisë së re shqipe e vokacionet e saj”, thotë Alda Bardhyli, kuratore e festivalit.

Pas viteve 90-të gjithnjë e më pak është folur për letërsinë e re shqipe, dhe në diskursin publik gjithnjë e më tepër flitet për shkrimtarët që karrierën e tyre e kanë nisur para viteve 90-të. “Një letërsi me një të shkuar letrare siç është letërsia shqipe e para viteve 90-të, e krijuar nën rregullat e soc-realizmit është shumë interesante të shihet nën një optikë të re, në mënyrën sesi kjo histori e saj ka ndikuar në zërat e rinj”, thotë Bardhyli.

Festivali është konceptuar në formën e një dialogu ku gjithnjë në fokus është një autor i ri. Por duke e parë letërsinë si një proces, pjesë e dialogut nuk do të jenë vetëm të rinjtë por dhe emra të konfirmuar në fushën e letrave si Ardian Vehbiu, Visar Zhiti, Blendi Fevziu, Bashkim Hoxha, etj.

Festivali do të nisi me një tryezë diskutimi që do të bëjë bashkë botues, studiues të letërsisë, autorë të rinj mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Më pas, Ardian Vehbiu do të vijë në një dialog mbi librin “Gjuha e thyer, gjuha qe thyen” dhe prozën e re shqipe. Më pas është Blendi Fevziu që do të komunikojë me të rinjtë, duke marrë shkas nga botimi i librit të tij më të ri. Brajan Sukaj fitues i Çmimit të madh të Panairit 2018 me romanin “Ciklopi”, do të vijë në Visar Zhitin.

Është interesante të ndjekësh një komunikim i dy autorëve që vijnë nga kohë e qasje të ndryshme kulturore, që i bashkon letërsia. Dita e dytë e festivalit do të hapet me një aktivitet kushtuar shkrimtarit Enkelejd Lamaj. Prej vitesh ai eksploron gjininë e thrillerit shumë pak e studiuar nga letrat shqipe. Lamaj është autor i librave “Ajo e errëta”, “Vendi diku midis”, “Libri i bardhë”, “Fytyra e natës”. Fituesi i edicionit të 5 të çmimit Kadare, Loer Kume, do të vijë në një diskutim mbi letërsinë e re shqipe dhe letërsinë që ai shkruan. Një tjetër dialog do të jetë mes shkrimtarit të ri Tobias Xhaxhiu dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha. Gjergj Erebara dhe Fatmira Nikolli do të jenë në një komunikim mbi lidhjet e artit me pushtetin, referuar koncepteve të Julian Barnes. Do të jenë stacione të vogla takimi me autorët e rinj, përgjatë dy ditëve të festivalit, të cilat do ti japin atyre zë dhe hapësirë për të shprehur e thelluar mbi prirjet dhe shqetësimet e letërsisë së re shqipe. Festivali mbyll aktivitetet kushtuar letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë që prej një muaji kanë nisur nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të tetorit të librit./KultPlus.com

Erza Muqolli lanson albumin e saj solo në Francë

Këngëtarja e njohur shqiptare Erza Muqolli po shijon punën e madhe për realizimin e albumit të saj të parë solo, album që tashmë ka dalë në shitje, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli në këtë album ka punuar ngushtë më këngëtarin dhe kompozitorin e njohur francez Vianney.

Në këtë album, Erza Muqolli ka futur edhe gjuhën shqipe, ku kënga që fillon albumin e saj është titulluar “Fillim”, pjesë nga vargjet e Naim Frashërit, sikurse që në këtë album ka sfiduar vetën edhe në cilësinë e kompozitores.

Ky album është edhe paralajmërim për një shpërthim të suksesshëm të Erza Muqollit, pasi që tashmë është planifikuar edhe turi i saj i koncerteve në shumë shtete të Evropës.

Erza Muqolli njihet si një ndër talentet e rralla të vendeve frankofone, pasi që me vetëm 8 vjet ajo ka marr pjesë në një talent show të madh të Francës, e cila është përzgjedhur në mesin e finalistëve. Për disa vjet ajo ka kënduar me një grup të fëmijëve, e cila ka realizuar shumë ture të koncerteve, prej të cilave kanë dhuruar mbi 2 milionë euro për fëmijët në nevojë, sikurse që kanë shitur miliona kopje të albumit.

KultPlus ju sjell këngën me vargje të Naim Frashërit, sikurse edhe linkun se ku mund ta blini albumin e Erza Muqollit./KultPlus.com

Gérard Depardieu i dorëzohet Çelësi në Gjirokastër

Aktori i njohur francez Gérard Depardieu po qëndron në Shqipëri, përkatësisht në Gjirokastër, i cili është duke marë pjesë në xhirimet e regjisorit kosovar Arben Kastrati, i cili është duke xhiruar filmin “Unë dhe Millosheviqi”, shkruan KultPlus.

Gérard Depardieu, sot i është dhuruar celësi i hyrjes në Shqipëri, dhe për këtë simbol ka njoftuar ish ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro.

”Çelesin për të hyrë në Shqipëri, Gérard Depardieu e merr në #Gjirokastër, ku tjetër! 😍

Në librin e Bashkisë Gjirokastër, ai i lë këtë shënim:
“Faleminderit Gjirokastrës!
dhe Kryetarit të bashkisë Flamurit, si dhe grave gjirokastrite!
Shihemi së shpejti
G. Depardieu”
Flamur Golemi”, ka shkruar Kumbaro.

Filmi i Kastratit është bashkëprodhim i regjisorit me Francën dhe përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Boëen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj./KultPlus.com

Studio Gjuhë Gjermane, pa shkëputje nga puna

Gjermania konsiderohet fuqia ekonomike e Bashkimit Evropian dhe gjuha gjermane është gjuha më e folur në Evropë. Deri sa Gjermania vazhdon të mbizotërojë në politikën evropiane dhe gjithnjë e më shumë në qendër të çështjeve globale, tani është koha ideale për të mësuar rreth gjuhës dhe kulturës së saj. 

Të mësuarit e gjermanishtes mund të ju ndihmojë të lidheni me 220 milionë folës të kësaj gjuhe në mbarë globin. Është gjuha e dytë shkencore më e përdorur në botë. 

A dëshironi të studioni Gjuhë Gjermane pa shkëputje nga puna? Kolegji Universum iu mundëson ti ndjekni ligjëratat vetëm të shtunen apo online.  Apliko tani përfito 20% zbritje për 3 vite studimi https://bit.ly/2HuMame, afati i fundit 25 Tetor;

 
Kolegji Universum i vetmi institucion i akredituar në Kosovë që e ofron programin e Gjuhës Gjermane

Për më shumë informata kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062./KultPlus.com

Urdhri i Palmave Akademike i dorëzohet Nerimane Kamberit

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel ka dekoruar shkrimtaren dhe gazetaren Nerimane Kamberi me Urdhrin e Palmave Akademike, si pjesë e kontributit të jashtëzakonshëm gjatë gjithë karrierës së saj profesionale në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.

“Një ceremoni e bukur u organizua me ketë rast për të nderuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në përhapjen e kulturës dhe gjuhës frenge në Kosovë!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Kamberi kohë më parë ka promovuar librin “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”, i cili përmban një përmbledhje të reportazheve për Kosovën, kujtimet, komunitetet etnike, fenë, artin, kulturën, luftën dhe paqen./KultPlus.com

Vogue shkruan për dasmën e nuses shqiptare që u mbajt në terminalin e Aeroportit JFK në NewYork

Adriana Xhakli dhe Perry Petra-Wong u takuan në aeroport. Ka qenë vera e vitit 2012, kur Adriana po pushonte me një mik të Perryt. “Mbaj mend që Perry po qëndronte jashtë me bagazhet e tij” – thotë Adriana. Kësaj romance, revista e famshme “Vogue” ia kushtojë një artikull.

Ai kishte buzëqeshje në fytyrë sepse ishte duke u takuar me gruan e tij të ardhshme. Kështu, ata përfunduan duke kaluar tërë javën së bashku, dhe që atëherë u bënë të pandashëm. Pak më shumë se dy muaj më vonë u transferuan në Nju-Jork.

Xhakli dhe Wong u bënë të pandashëm. Më vonë çifti ndërmerr një udhëtim në Turqi, kujtimet e bukura nga ky udhëtim i kujton Adriana, ku të njëjtin vendosën ta bëjnë dasmën brenda terminalit të aeroportit JFK në New York, përkatësisht në Hotelin TWA

Dhe kështu i erdhi radha dasmës. Ajo ishte madhështore. Për këtë ngjarje solemne Adriana dëshironte dicka interesante, një dizajn të përshtatshëm për veshjen e saj.

“Veshja ime e dasmës duhej të ishte moderne, e shkurtër dhe e rehatshme”, thotë ajo. “E dija se nuk do të isha në gjendje ta duroja një fustan, pasi do ta teproja”, vijon ajo.

Revista e famshme ia kushton artikullin shqiptares duke e shoqëruar me fotografi nga ceremonia si dhe duke ndarë shumë pasazhe nga jeta e çiftit.

Pwr mw shumw, mund ta lexoni artikullin e plotw tw Vogue, mbi kwtw ceremoni qw wshtw mbajtur brenda terminalit. /KultPlus.com

https://www.vogue.com/slideshow/adriana-xhakli-perry-petra-wong-wedding-twa-hotel-jfk?fbclid=IwAR07e_TqDBlmcIzDD8t8mJmhuvjtR4bbsiytfmpZ3BTcySnaw3Dj3EGKkQk

“121 foto në 121 jetë suksesi” prezantoi gratë e suksesshme edhe në Prishtinë

“121 foto në 121 jetë suksesi”, nga Tirana ka zbritë në Prishtinë, ku ka prezantuar ekspozitën e 121 grave të suksesshme shqiptare nga të katër anët e botës, e ku janë përfshirë, artiste, mjeke, ushtarake, gazetare, instrumentiste dhe shumë profile të tjera që kanë treguar sukses në vende të ndryshme, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës, Mal të Zi e Diasporë, shkruan KultPlus.

Flora Nikolla, organizatore e kësaj ekspozite, që të njëjtën e ka nxjerrë edhe në një libër, ishte e pranishme në Prishtinë, për të prezantuar suksesin e këtyre grave, që tashmë është duke i prezantuar në shumë vende të Shqipërisë, e tashmë edhe në Kosovë, përkatësisht në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Duke e vlerësuar vitin 2020, si vit të Luginës së Preshevës nga Albanian Exellence, organizatë që e përfaqëson Flora Nikolla, ajo ka treguar për rrugëtimin dhe për planifikimin e mëtutjeshëm të kësaj ekspozite, gjithnjë duke pas në fokus zërin dhe fuqinë e gruas.

Kjo ekspozitë është përcjellë edhe prej disa nga gratë që janë të përfshira në këtë ekspozitë.

Kurse ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi” është përshëndetë edhe nga ministrja e Ministrisë së Kulturës Elva Mragariti.

“Të nderuara miq e mikesha ! Me dëshirën për të qenë pranë jush, pranoni përshëndetjen time! Jo shumë kohë më parë, një gazetar më pyeti nëse ministret femra ishin thjesht një numër në qeveri. Në një vend me një të shkuar patriarkale, pyetje të tilla janë të shpeshta, por realiteti është tjetër gjë. Ky aktivitet është më shumë se një përgjigje. 121 gra e vajza, ardhur nga kontekste të ndryshme sociale, ia kanë dalë, jo vetëm të tejkalojnë çdo lloj paragjykimi, por edhe të jenë zonja në profesionet e tyre: sipërmarrëse, mjeke, shkencëtare, ushtarake, gazetare, artiste, që na bëjnë të ndihemi krenare. Janë 121 zonja, që janë bërë bashkë nga një tjetër zonjë, Flora Nikolla, e cila i qëmtoi këto histori suksesi, duke na bërë shpresëplota se kudo ka kapacitete, që do ta çojnë kombin tonë përpara. Por edhe konteksti ku zhvillohet ky aktivitet është një përgjigje. Prishtina , pret Zonjat e suksesit shqiptar kudo jane , ne Biblioteken Kombëtare ne muajin tetor , ne muajin e librit , pret Zonja nga Anglia, Gjermania, Zvicran, Mali I Zi , Kroacia…rri aq bukur prane Albanian Excellence nga Tirana ! Ju pershendes fort nga Tirana duke ju uruar shume suksese ne jetet tuaja!!!”, ka thënë në telegramin e saj ministrja Margariti, për këtë ekspozitë që po qëndron në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

QKMRT shënon 20 vjetorin me një studim, i pari i këtij lloji në botë

20 vjetori i themelimit të Qendrës për Rehabilitim të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT), udhëhequr nga Feride Rushiti, këtë institucion e ka gjetë me shumë suksese përgjatë këtyre 20 viteve punë, por ky përvjetor është kurorëzuar edhe me dy zëra të fuqishëm për të dënuar dhunimet seksuale që janë bërë përgjatë luftës nga serbet në Kosovë, e ato janë Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, ku kjo e fundit ditëve të fundit ka dorëzuar kallzimin penal në prokurori, shkruan KultPlus.

Dhe 20 vjetori i punës së këtij institucioni, të enjten është shënuar edhe me shpalosjen e një hulumtimi me temën “Trauma ndërbrezore”, që është organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT).

Kontesha e Wessex ishte figura e kësaj konference, ku kanë marë pjesë edhe shumë mysafirë të tjerë, ku janë prezantuar hulumtimet, ku për këtë studim, janë intervistuar 130 gra qe kishin përjetuar dhunë seksuale/tortura gjatë luftës në Kosovë dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

“Gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë të larta ose të ulëta) të kortizolit. Kortizoli është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Këtu vërejmë  se fëmijët e lindur nga nënat me ÇSPT gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të kishin nivele të larta të kortizolit (15.5%) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa ÇSPT gjatë shtatzënisë (3.0%)”, është thënë në këtë studim, ku është përcjellë me mjaftë interesim dhe pyetje nga të pranishmit.

Kurse nikoqirja e kësaj konference, Feride Rushiti e cila ka përshëndetë gratë më të fuqishme të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimanin, ka treguar për këtë hulumtim, studim që po bëhet për herë të parë në botë, për lidhjen e mundshme mes nënave dhe fëmijëve. “Ky studim ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës dhe jo fëmijët e lindur nga dhunimi”, ka thënë Feride Rushiti.

E kontesha e Wessex, në këtë prezantim ka treguar se ka pasur rast të ketë biseduar me disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku ajo ka treguar se rrëfimet e tyre janë të tmerrshme.

“Dhimbja e tyre është evidente por guximi i tyre të mos i nënshtrohen këtyre traumave është mbresëlënëse”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi Goodman ka treguar përvojën e saj, pikërisht duke iu referuar këtij studimi.

 “Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat qe kam pasur, si nënë e dy vajzave. Shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur duke rritur fëmijët e mi. Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma bartet te fëmijët e mi, por jo pse unë nuk jam nënë e mirë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.

Në këtë konferencë ka folur edhe drejtori i Institutit Danez kundër Torturës, Rasmus Grue Christensen, kurse delegacioni në krye me Feride Rushitin, me konteshën e Wessex, të shoqëruara edhe nga dy zërat e fuqishëm të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani kanë realizuar edhe takime të tjera me palë ndërkombëtare, duke bërë edhe një vizitë pranë simbolit të heroinave, të cilat edhe kanë ndarë një moment kujtimi, duke e shënuar me një fotografi./KultPlus.com

Teatri i Qytetit të Gjilanit në kërkim të llogos së re, fton dizajnerët për aplikim

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka hapë një thirrje për dizajnerët, të cilët mund të aplikojnë me punën e tyre për llogon e re të këtij institucioni kulturor, shkruan KultPlus.

Në këtë njoftim thuhet se aplikantët që aplikojnë duhet të marrin parasysh se punimet e tyre duhet të kenë elemente artistike dhe estetike të dallueshme për veprimtarinë e Teatrit, të jetë origjinale dhe unike, si dhe elemente të tjera. Për më shumë, të gjithë ata që mund të aplikojnë, KultPlus ju sjell linkun me informata shtesë të kësaj thirrjeje./KultPlus.com

https://www.facebook.com/teatriiqytetitgjilan/

Nga një juriste me rol kryesor në filmin “Zana”, ky është rrëfimi i gruas që u sfidua me aktorët profesionist

Ardianë Pajaziti

Një telefonatë e papritur ia ka prishur rutinën shumë vjeçare. Oferta për të qenë në një film të metrazhit të gjatë dhe në një ndër rolet kryesore, Fatmire Sahitin e ka vënë në një sprovë shumë të madhe, ta pranonte këtë rol, apo të shihte një grua tjetër duke luajtur rolin të cilin ia kishin ofruar.

E profilizuar në juridik dhe për shumë vite duke punuar si zyrtare në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Sahiti nuk e kishte menduar se do të merrte ofertë për një rol kryesor, e aq më pak të sfidohej në shesh xhirim me aktorët më të njohur kosovarë.

Ajo kujton ditën kur e kishte pranuar këtë telefonatë, në një kafe të pasdites që ishte duke e shijuar me shoqet e saj.

“Isha me shoqe duke pirë kafe, më cingëroi telefoni dhe regjisorja e filmit “Zana”, Antoneta Kastrati më tregoi se kishte menduar që të më ofronte një ndër rolet kryesore në film, atë të vjehrrës”, ka treguar Fatmire Sahiti për KultPlus.

Qysh nga ajo bisedë, ajo kishte luftuar shumë me veten se nëse do të duhej të vazhdonte jetën e deritanishme, apo të sfidohej me botën e filmit.

Fatmire Sahiti, amatore në fushën e kinematografisë, por që në rininë e hershme kishte luajtur në disa shfaqje në Teatrin e Ferizajt, për herë të parë kishte pranuar një rol në filmin e metrazhit të shkurtë “Anestezioni”, me regji të birit të saj, Noar Sahitit.

“Noari më është lutur shumë që të pranoj rolin në filmin e tij, por duke e ditur se edhe po e ndihmoj djalin tim që ta bëj filmin, me të cilin edhe diplomohej, unë pata pranuar të luaja, por nuk e kisha menduar që pikërisht ky rol do të më sillte një rol edhe më të madh, atë të filmit “Zana”, që tashmë Kosova e ka propozuar për çmimin Oscar”, ka thënë Sahiti.

Pas telefonatës me Antonetën, kishin pasuar bisedat e shumta me djalin e saj, i cili, sipas Fatmires, kishte insistuar shumë që ta pranonte rolin.

Para se të futej në film, krejt kjo ofertë, pikërisht jetën e Fatmires e kishte shndërruar në një film, ku nga një fytyrë anonime kishte shansin që të prezantohej në ekrane të mëdha.

Fillimisht kishte lexuar skenarin, më pas kishte dëgjuar rrëfimin personal të regjisores dhe dilema e saj kishte filluar të merrte formë drejt përgjigjes po, dhe nga Fatmire Sahiti juriste, të futej në lëkurën e Remzies, atë të rolit të vjehrrës që bartë në filmin “Zana”. 

“Kur jam takuar me Antonetën, ajo më ka treguar se filmi që do të xhirohej ka pjesë edhe të dhimbjes së saj, pasi që përgjatë luftës, ajo kishte humbur më të dashurit e saj. E kam bashkëdjerë dhimbjen e saj, dhe mënyra se si më është ofruar më ka bërë që të ndihem rehat dhe kam pranuar këtë rol”, ka thënë Sahiti, e cila iu përvesh këtij roli në moshën 63 vjeçare.

Me dilema shumë të mëdha se nëse do t’ia dal me këtë rol kaq të madh e kaq të ndjeshëm, Fatmire Sahiti kishte besuar në fjalët e regjisores, se ajo do tia dal, pavarësisht faktit se pothuajse në çdo skenë ishte me aktorët e njohur Adriana Matoshi dhe Astrit Kabashi.

“Në këtë film luanin aktorët më të kërkuar të Kosovës, sikurse janë Adriana Matoshi e Astrit Kabashi, por Antoneta Kastrati , pos që ka insistuar më ka thënë edhe se beson shumë në mua, atëherë kam pranuar që të luaj në këtë film”, ka thënë Sahiti.

Sahiti tregon se përgjatë xhirimeve ka pas shumë sfida, pasi që ka pas skena shumë të rënda, duke pas parasysh edhe kohën e dimrit dhe të ftohtit e madh kur janë realizuar xhirimet, por sipas saj, po këto xhirime janë një ndër periudhat më të bukura të jetës së saj.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, përveç që jam lodhë, edhe e kam shijuar shumë atë periudhë. Edhe Adriana më ka ndihmuar shumë që të jem e natyrshme, sa që shumë herë e kam harruar praninë e kamerave, sepse e kam pas ndjesinë se po bashkëbisedoj me Adrianën si në ditë të rëndomta”, ka thënë Sahiti.

Duke kujtuar atë kohë të xhirimeve, ajo në të njëjtën kohë shprehet e kënaqur që ky film tash është propozuar nga Kosova për çmimin Oscar. Duke iu gëzuar rrugëtimit të mundshëm të filmit nëpër prezantime të ndryshme, ajo ka treguar se nëse produksioni vendosë që ajo të jetë pjesë edhe e udhëtimeve, duke përfshirë si rast të mundshëm edhe çmimet Oscar, ajo ka thënë se është e gatshme ta përcjellë këtë film, aty ku edhe i ofrohet mundësia.

Filmi “Zana” është duke u shfaqur edhe në Cineplexx, dhe ky film është parë edhe nga shumë kolegë të Fatmires, e cila nga një zyrtare e MKRS-së, tashmë është shndërruar në një fytyrë të njohur të ekranit.

Disa shfaqje, filmi “Anestezioni” dhe filmi “Zana”, tashmë janë në bagazhin e saj, por ajo nuk e ka menduar se si do të veprojë nëse edhe filmi “Zana”, do ti sjell një rol tjetër të mundshëm.

“Unë çdo punë që e pranoj e realizoj me përkushtim, por se si do të veproj për një rol të mundshëm, thjeshtë nuk e kam menduar”, ka thënë Sahiti, e cila nuk dëshiron të reflektojë për periudhën e rinisë, atëherë kur ishte ngjitur në dërrasat e teatrit të Ferizajt, se nëse ka gabuar apo jo që nuk e ka vazhduar këtë profesion.

“Ishin kohë të vështira atëherë kur e provova teatrin, sidomos për vajzat dhe gratë, tash është shumë më ndryshe”, ka përfunduar Sahiti, duke thënë se pikërisht angazhimi i saj në teatër, në rininë e hershme, ka ndikuar që të jetë ndjekëse e madhe e shumë ngjarjeve kulturore./KultPlus.com

“ProPlus” hapë thirrjen për të rinjtë nga të gjitha komunitetet

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë hapë thirrjen për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë thirrje të hapur kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët e duan fushën e artit.

ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar në fushën e pikturës, që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.

Afati për aplikimin është deri më 25 tetor, dhe mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre në [email protected], ku do të përzgjidhen 10 nxënës nga kjo thirrje.

Bëhuni pjesë e kësaj punetorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punetorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Kjo punëtori do të mbahet me profesoreshën, artisten Zake Prelvukaj, ku në fund të punëtorisë, do të pajisen me mirënjohje/KultPlus.com

Përfundoi konkursi i tretë “Biber”

Konkursi i tretë për tregimin e shkurtë „Biber“ në të cilin morën pjesë autorët/et që shkruajnë në gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, boshnjake, kroate e malazeze ka përfunduar, përcjell Portalb.

Juria të cilin e përbën Rumena Buzharovska, Lejla Kalamujiq dhe Shkelzen Maliqi mori vendim për tregimet të cilat do të marrin shpërblime si dhe ato të cilat do të jenë të botuara në një përmbledhje.

Me vendim të jurisë u shpërblyen këto tregime:

· Çmimi i tretë: Mačetom ćeš me, mačetom ću te (Po më qëllove me shpatë, me shpatë do të të qëlloj), Tamara Kovaçeviq nga Lublana

· Çmimi i dytë: Lito (Vera), Ante Storiq nga Shibeniku

· Çmimi i parë: Glava (Koka) Monika Herceg nga Petrinja

Përveç këtyre tregimeve, në përmbledhje do të botohen edhe tregimet e këtyre autorëve dhe autoreve: Bojana Babiq, Luiza Bouharaoua, Dimitrije Bukviq, Gabrijel Deliq, Afrim Demiri, Milana Gajoviq, Tihana Gambirazha, Abid Jariq, Besa Kalaja, Mario Merxhan, Aida Sheçiq Nezireviq, Ernad Osmiq, Slagjana Nina Perkoviq, Nikola Petroviq, Isidora Petroviq, Aneta Petruševska, Dragana Rangjeloviq, Bojan Todoroviq, Stefan Slavkoviq, Gordana Stojanoska, Imer Topanica dhe Manja Veliçkovska.

Konkursi „Biber“ ka qenë i hapur nga janari deri në qershor të këtij viti. Gjithsej në konkurs kanë ardhur 464 tregime.

Temë e konkursit ishin të gjitha tregimet që lidhen me pajtimin në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, ato tregime të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh mes njerëzve, zvogëlimit të urrejtjes dhe zhbërjes së paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat merren me ballafaqimin me të kaluarën, me zhbërjen e imazheve për armikun, me dhembshurinë për tjetrin, tregimet e guximshme të cilat guxojnë të ecin me këpucët e “armikut”, tregimet të cilat i lëvizin kufijtë dhe na hapin shtigje të ndërtojmë të ardhme më të qartë, më të sigurt e më të lirë për të gjithë./KultPlus.com

U përdhunua para se të vritej me gurë, i jepet lamtumira politikanes kurde

Një numër i madh njerëzish morën pjesë në funeralin e politikanes dhe aktivistes së njohur kurde të të drejtave të njeriut, Hevrin Khalaf.

Pavarësisht luftimeve, ishte e pamundur që ata të mos i jepnin lamtumirën e fundit 35-vjeçares. Vdekja e saj në një rrugë ndërmjet Hasakah dhe Qamishli qe një provë mizore e destabilizimit të rajonit që tani është në prag kolapsi. Khalafin, një grua e fortë, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave civile, e përkushtuar për mbrojtjen e më të dobëtëve, e njihnin të gjithë në Qamishli, Kobane dhe Raqqa.

Ajo kishte mësuar anglisht në një moshë shumë të re, ishte bërë inxhiniere dhe qe përkushtuar të ndihmonte gratë.

“Ishte gjithmonë e pranishme në takimet me delegacionet e huaja. Elegante dhe e matur, kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatët amerikanë dhe evropianë “, thonë bashkëpunëtorët e saj.

Mediat sociale lokale zbuluan detaje të frikshme rreth vdekjes së politikanes. Sipas disave duket se ka qenë viktimë e një prite të planifikuar mirë. Hevrin ishte nisur të merrte pjesë në një takim në Hasakah me disa aktivistë nga partia e re, ku ishte sekretare e përgjithshme, “Partia Siriane e Ardhmërisë”.

Por mbi makinën e saj u qëllua me mitraloz. Shoferi dhe një nga bashkëpunëtorët u vranë menjëherë. 35-vjeçarja u tërhoq zvarrë e u përdhunua përpara se të vritej me gurë në mes të rrugës. Mendohet gjerësisht se autorët e krimit janë forcat paraushtarake pro-turke, që veprojnë në rajon./tch

Swissinfo.ch: Çka do të bënte Kosova pa Schatzit, nëse do të ndalnin dërgimin e parave (VIDEO)

swissinfo.ch, përktheu Mirishahe Limani Hiler

Çka do të ndodhte me Kosovën nëse shqiptarët etnikë që jetojnë në Zvicër do të ndalnin dërgimin e parave në vend? Diaspora ka mbështetur familje për dekada, por gjeneratat e reja nuk do të vazhdojnë medoemos ta bëjnë të njëjtën gjë.

Vendi i dytë më i varfër në Evropë, Kosova, vuan nga papunësia e lartë dhe mungesa e investimeve. Dërgesat nga diaspora nga Gjermania, Zvicra dhe vendet nordike i sjellin asaj gati 17% të produktit të saj të brendshëm bruto, ndërsa ndihma ndërkombëtare siguron 10% të tjera. Ndihma zyrtare e Zvicrës është 80 milion franga për periudhën 2017-2020.

Për breza, kosovarët kanë lënë vendin e tyre për të gjetur punë në vende të pasura. Por pasi mërgimtarët të vendosen në këto vende, shumë prej tyre e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbajnë kulturën e tyre të gjallë në një vend të huaj. Shumë të rinj kosovarë kanë lindur në Zvicër ose kanë ardhur në këtë vend në moshë shumë të re. Ata nuk flasin shqip dhe jeta në vendin e të parëve të tyre u duket e huaj për ta.
Ata që kthehen nga Zvicra në vend gjatë verës për t’u takuar me familjet e tyre, thirren me nofkën “Schatzis” (“të dashur”). Ata kanë lidhje të forta emocionale me Kosovën.
Për disa muaj çdo vit, vizitat e tyre rigjallërojnë ekonominë lokale. Në Prizren, Prishtinë apo Pejë, restorantet dhe rrugët e tregut janë plot. Frangat e tyre zvicerane i bëjnë shumë të lumtur dhe shumë prej tyre gëzojnë qëndrime në hotele të shtrenjta që u kushtojnë atyre një shumë më të vogël se sa shuma e asaj që do të paguanin në Zvicër.
Ndërsa shumë zvicerane nga Kosova vijnë me makinë, stacionet e benzinës bëjnë biznes të mirë kur “Schatzis” udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të vizituar atraksione turistike, përfshirë monumentet e heronjve të luftës. Disa blejnë banesa ose madje ndërtojnë shtëpi të bukura për pushimet e tyre verore, duke i dhënë një shtysë sektorit të ndërtimit.
Ne takuam disa “Schatzis” gjatë pushimeve të tyre në Kosovë dhe u kërkuam që të na tregonin për anëtarësimin dhe dërgesat e tyre në diasporë./KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B3UVHKjnm6Z/

“121 foto në 121 jetë suksesi“ po zbret edhe në Prishtinë

Organizata “Mbretëresha Teutë” dhe “Albanian Exellence” kanë bashkuar programin në një datë të vetme, dhe si të tilla do të zbresin në një mbrëmje artistike në Prishtinë, njëra nga Zagrebi dhe tjetra nga Tirana. Në një intervistë për KultPlus, Flora Nikolla, drejtoresha e Albanian Exellence ka zbuluar mbi ekspozitën “121 foto në 121 jetë suksesi”, që do të prezantohet më 16 tetor në Prishtinë, por edhe për organizatën “Mbretëresha Teutë”, e cila do të vlerësojë punën e disa grave, sidomos atyre që kanë punuar ngushtë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.  

KultPlus: Po vjen ekspozita e 121 grave të suksesit në Prishtinë, pas një rrugëtimi në shumë vende të tjera, më saktë, sa prezantime të tilla janë realizuar deri tash?

Flora Nikolla: Më 16 tetor, 121 zonja të suksesit shqiptar të hulumtuara dhe të përzgjedhura nga Albanian Excellence në një ekspozitë dhe në një album fotografik, do të jenë së bashku në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë , pas një rrugëtimi që nisi në qershor në selinë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta , për të vijuar në pika kyce të shqiptarizmës sonë, si në Strugë (Maqedonia e Veriut ), Preshevë (Republika e Serbisë), ashtu dhe në qytetet perferike të Shqipësë si Patosi dhe Pogradeci i përralluar. Emëruesi i përbashkët i këtij udhëtimi, është dhënia e ideve dhe mesazheve fisnike të mirësisë femërore për vijimësinë e më të spikaturës në shoqërinë tonë të shqiptarizmës por edhe të shoqërisë së globalizuar të cilës në tërësinë tonë si komb i përkasim në të pesë kontinentet. Në këtë kuptim, ky udhëtim i zonjave të suksesit, ka ndryshuar nga qyteti në qytet nga udhëtimi në udhëtim, duke krijuar sot një mozaik ngjarjesh, idesh, projektesh të cilat do të zënë udhë në vitin 2020, viti që po troket . Ndaj them se, Ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi “, nuk mbeti kurrësesi, në suazën e formalitetit që ka një ekspozitë në tërësinë e saj. Absolutisht Jo … !!! Ajo shkoi e po vijon që të shkojë edhe më tej me ide që lindin e pasurohen udhës, dhe që në fund të fundit na bashkojnë e na bëjnë më të denjë si komb, në këtë shekull ku protagonizmi dhe pragmatizmi qëndrojnë mirë, kokë më kokë me njëri –tjetrin.

KultPlus: Kur do të mbahet ekspozita në Prishtinë ?

Flora Nikolla: Ekpozita “121 foto në 121 jetë suksesi” do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, më 16 tetor në oren 20.00. Një grup zonjash do të na bashkohen në këtë vjeshtë në të 16-tin tetor në Prishtinë, ku do të organizohen Ditët e Mbretëreshës Teutë, dhe kur kjo ekspozitë është inkorporuar aq bukur në këtë aktivitet , në saje të një mirekputimi absolut mes drejtuesve të të dy shoqatave respektive. Shumica e pjesmërrësve në këtë aktivitet shumëdimensional, do të jenë nga kryeqendra e Kosovës, por shumë të tjera do të vijnë nga Shqipëria, ashtu dhe nga shtete të tjera ku ata punojnë. Së bashku do të jenë edhe tek Mbretëresha Teutw, ashtu dhe te Albanian Excellence. Kështu së bashku do të jenë edhe te e shkuara e lavdë e Shqiptarisë edhe te e tashmja e Shqiptarisë. Së toku do ti mbledh dhe do ti bashkojë Prishtina e shqiptarizmës! Së toku do të jenë më të hijshme në një amfiteatër origjinal fotosh . Së toku do të jenë më të forta për të thënë njëzëri : “Ti nuk je vetëm “Së toku do të jenë më të bashkuara për të thënë : “Ne jemi me Preshevën”, sfida e fundit që Albanian Excellence ka marrë përsipër për vitin 2020.

KultPlus: Është një ndër ekspozitat e rralla që ka përfshirë gra nga të katër anët e botës, ku janë përfshirë gra të profileve të ndryshme, si ndiheni për këtë kurorëzim të kësaj pune kaq të madhe?

Flora Nikolla: Po, është e vërtetë që kjo ekspozitë përmbledhë një numër të madh zonjash që përmbyllen në shifrën 121. Pse 121 ??? Sepse Albanian Excellence , është krijuar në vitin e 100 të shtetit shqiptar(2012) dhe gjithmonë në aktivitetet e saj do ta këtë gjithnjë këtë numër emblematik me vetë … 21 … ? 21, ka të bëjë me shekullin që jetojmë sigurisht, por dhe me Memorandumin e nënshkruar në Nju Jork në shtator të vitit 2016 “Të jesh grua në shekullin e XXI “. Firma e parë e këtij memorandumi, ka qënë firma e Presidentit të Republikës së Shqipërisë së asaj kohë, Shkëlqesisë së tij , zotit Bujar Nishani e pasuar në firmëzim nga të paktën 70 zonja suksesi që ishin prezente nga e gjitha hapësira shqiptare në mbremjen Gala të organizuar në Symphoni Space në Manhattan, e cila promovoi librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork “, ideuar dhe realizuar nga Albanian Excellence. Pra ne jemi në organizimin e të gjitha aktiviteteve kushtuar zonjave të suksesit , pas nënshkrimit të këtij memorandumi të vitit 2016.

KultPlus: Në këtë ekspozitë janë përfshirë zonja që për kriter ka qenë suksesi i tyre, e që shumicën prej tyre nuk i keni takuar personalisht, po keni parë punën e tyre nga larg, kjo është një vulë suksesi për këtë përzgjedhje. A të ka mbet peng që nuk ka qenë numri më i madh?

Flora Nikolla: Dua të theksoj se nga krijimi i Albanian Excellence , deri më sot janë botuar 10 libra me personazhe mbarë shqiptare, që përvijojnë suksesin. Një bazë shumë e mirë e kësaj ekspozite kanë qenë zonjat që janë intervistuar gjatë këtyre viteve dhe që kanë ardhur në aktivitetet e AE, një grup tjetër, janë zonjat që morën pjesë personalisht në Konferencën Ndërkombëtare kushtuar grave të suksesit që u zhvillua në prill në Tiranë dhe ku u nënshkrua Aleanca e Gruas së suksesit shqiptar, po një grup tjetër pjesmarrës në këtë ekspozitë, janë zonjat instrumentiste që bëjnë pjesë në orkestrën zyrtare të Albanian Excellence (me instrumentistë të shquar shqiptarë në botë, e krijuar vitin e kaluar nën kujdesin e Presidentit Meta). Po ashtu ka dhe një grup gazetaresh që bëjnë pjesë në jurinë, që do të japin dy cmime në mbrëmjën Gala që do të mbyllë vitin 2019, të përcaktuar si viti i gruas nga AE, në Mbrëmjen Gala, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”. Pjesa tjetër kanë qenë zonja të njohura përmes botës virtuale që sot të jep aq shumë informacion e që në ndonjë rast të barazon edhe njohjen personale përmes asaj virtuale. Peng? Suksesi vijon të formëzohet edhe në këto momente që flasim. Ndjesë për shumë zonja që spikasin sukses e që për një apo një arsye tetër, nuk i kemi përfshirë. Sigurisht misioni sapo ka nisur dhe ne vitin 2020, kemi rezervuar të tjera surpriza për botën e madhe të suksesit grua!

KultPlus: Po pas Prishtinës, cfarë rrugëtimi do të ketë kjo ekspozitë?

Flora Nikolla: Besoj do të vijojmë në Zagreb me Ditët e Mbretëreshës Teutë që organizohen atje në Nëntor, më pas do të jetë prezente kjo ekspozitë, si epilog i këtij rrugëtimi në natën e madhe të 12 dhjetorit kur, në ish Hotel Sheraton, do të organizohet Gala-ja e madhe “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, spektakël i cili do të shpallë 12 zonjat që do të marrin stafetën e këtij titulli të madh për vitin 2020. Do të jetë një natë magjike plot vezullim femëror dhe plot ndricim suksesi. Ju siguroj .

KultPlus: A do të ketë format tjeter prezantimi i grave të suksesit, në një të ardhme të afërt, duke zgjeruar këtë listë nëpër vite?

Flora Nikolla : Po sigurisht misioni do të vijojë , por do të dëshiroja ta lija surprizë për vitin 2020. Faleminderit.

KultPlus: Ekspozita fillimisht është hapur në Presidencën e Shqiperisë me prezencëm e zotit Ilir Meta, një mbështetje e madhe pa dyshim, po ka patur figura të tjera të rëndësishme që e kanë mbështetur këtë ekspozitë?

Flora Nikolla: Po ka qenë një mbështetje absolute , mbështetja e Presidentit Meta dhe një pasdite shumë e bukur për të gjitha zonjat pjesmarrëse. U ndjenë aq mirë në kopshtin presidencial ku ishin vendosur fotot e zonjave, ato u njohen, u takuan, biseduan , bënë foto së bashku. Më pas na kanë mbështetur në Pogradec, ishte gusht, koha e ndërrimit të drejtuesve të bashkive . Por në fakt na mbështetën të dy zotërinjtë, dhe zoti Kapri dhe zoti Xhakolli, (qesh ), ishte eksperiencë shumë e bukur . Por po ashtu na ka mbështetur para disa ditëve, kryetarja e bashkisë së Patosit , znj. Rajmonda Balilaj, e cila është pjesë e ekspozitës, na mbështeti në organizimin e një aktiviteti mbresëlënës në qytetin e saj që ajo di ta administrojë aq mirë. Shumë detyra kemi marrë përsipër edhe në Patos për vitin 2020. Por po ashtu dhe Olsa Poshka , e bëri pjesë të festivalit të saj teatror këtë ekspozitë duke ngjitur të gjitha fotot e zonjave në skenën e këtij teatri… Ah sa bukur ishte , e kujtoj me shumë mall atë ditë në Strugë, ashtu edhe pëshëndetjen e Minsistres shqiptare të Kulturës. Por mrekulli ishte dhe Presheva, ky skaj i kombit tonë, Ardita Behluli, me qetësinë e zellin e saj, kishte organizuar aq bukur cdo gjë për ekspozitën por edhe për zonjt pjesmarrëse të ardhura nga të gjitha trojet amtare në Preshevë . U ndjemë bukur, kur nënshkruam me Komunën e Preshevës, memorandumin e bashkëpunimit për vitn 2020, të cilin e kemi shpallur , viti i Preshevës nën siglën “Ne jemi me Preshevën “. Puna në fakt ka nisur tashmë , jemi në udhë të mbarë për të organizuar një koncert humanitar me këngëtaren e mirënjohur Eda Zari, ashtu dhe për ngritjen e disa fondeve për botimin e dy librave me fëmijë talentë deri në 14 vjec nga Lugina e Preshevës e disa ide të tjera që serish po i lë surprizë për më pas për ti treguar tek ju, nisur nga një bashkëpunim i frytshëm që kemi me Kult Plus, një media shumë serioze në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe për këte ju falenderoj me zemër.

KultPlus: Dhe për fund i kthehemi prapë Prishtinës, kush do te jetë nikoqir i kësaj mbrëmje dhe sa do të zgjasë ekspozita në kryeqytetin e Kosovës?

Flora Nikolla: Si e shkrova më lart, do të jetë Biblioteka Kombëtare,  Albanian Excellence ju përgjigj ftesës së Mbretëreshës Teutë për tu bashkuar këtu. Dhe ne jemi këtu me dëshirën e madhe për të sjellë këtë ekspozitë. Është vetëm dëshira të jemi bashkë, paparë fondet që në këto aktivitete janë të domosdoshme. Mbërritja në Prishtinë, për mua , përbën një ngjarje të madhe , e para sepse na solli në Prishtinë një zonjë, pjesë e kësaj ekspozite , një zonjë që i përket botë se medias dhe artit, e cila prej 15 vitesh nderon duke bashkuar zonjat e suksesit shqiptar. Ajo është zonja Shenida Bilalli , e cila organizon në këtë mes vjeshte me diell, përvjetorin e 15 të Klubit të Grave shqiptare ashtu edhe 3 vjetorin e themelimit të Klubit Ndërkombëtar “Mbretëresha Teutë”, duke nderuar viktimat e dhunës seksuale të Luftës në Kosovë në vitin 1999,  përmes këtij organizimi ku do të ndajë cmime dhe për zonjat që kanë punuar në përkrahje e rehabilitim të kësaj shtrese të shoqërisë së Kosovës. Së dyti më solli dashuria ime e madhe për këtë vend, që si gazetare e kam përjetuar në shumë etapa të rritjes së saj, nga pranvera e vitit 1999. Qindra reportazhe kam shkruar për Kosovën në momente shumë të vështira të ekzistëncës, mijëra lajme kam transmetuar gjatë punës sime si kyeredaktore në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ashtu dhe po aq bukur kam shkruar skenarin e dokumentarit historik “Shqiptarët”, prodhim i Radio Televizionit Shqiptar. Të gjitha së bashku përbëjnë një ndjesi aq të bukur që kam për Kosovën, ndaj dhe ardhja e ekspozitës e cila bart suksesin e zonjave tona kudo janë, e bëjnë më të qenësishme dashurinë për tokën e Kosovës dhe për njerëzit e saj, ashtu edhe më ngazëllyese këtë fakt shëmbëllyes kur jemi së bashku për të qënë mes nesh me dashurinë e madhe njerëzore e cila duhet të na drejtojë në cdo hap tonin./KultPlus.com

E mbijetuara e dhunës seksuale nga lufta në Kosovë dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale

Të hënën, më 14 tetor 2019 e mbijetuara e dhunës seksuale e luftës në Kosovë , do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale në Kosovë për të kërkuar drejtësi.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se më 13 tetor 2019, QKRMT mbush 20 vjet nga themelimi i saj. Për gjatë këtyre dy dekadave, QKRMT thotë se ka trajtuar mijëra të mbijetuar të luftës në Kosovë. Përveç trajtimit të viktimave të luftës, QKRMT u angazhua fuqishëm në avokimin për njohjen ligjore të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku përfundimisht nga muaji Shkurt i vitit 2018, ka filluar procesi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Po ashtu, gjatë këtyre viteve QKRMT u bë zë i fuqishëm i të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në kërkim të drejtësisë. Shumë raste, QKRMT i ka adresuar te misionet ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX), dhe institucionet vendore të drejtësisë. Vetëm në dy vjetët e fundit, QKRMT ka referuar mbi dhjetë raste të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës për t’u hetuar tek Prokuroria Speciale”, thuhet në njoftim.

Megjithëkëtë, thuhet aty, deri më tani asnjë kryerës i dhunimeve gjatë luftës nuk ka marrë dënimin nga gjykatat, po ashtu Prokuroria Speciale në Kosovë, përveç hetimit të këtyre rasteve, ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

“Prandaj, në kërkim të drejtësisë për vete dhe për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, anëtarja e QKRMT-së, Sh.S., e mbijetuar e dhunës seksuale nga koha e luftës, ka vendosur që publikisht të kërkojë drejtësi”, thuhet në njoftim.

Me mbështetjen e stafit të QKRMT-së, Sh.S. më datën 14 tetor 2019, ora 11.00, do të dorëzojë kallëzimin penal rreth ngjarjes që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Kallëzimi penal do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kallëzimi penal do të bëhet më 14 tetor në orën 11:00.

Black and white image of a young woman crying useful to illustrate stress, depression or domestic violence

Libri për historinë e Gretës edhe në shqip, prej sot mund ta blini edhe në KultPlus Caffe Gallery

 

Atë mëngjes fundvere në Stokholm, më 20 gusht 2018, bën nxehtë i pabesueshëm. Dhe siç thuhet edhe në TV, muajve të fundit temperaturat kanë qenë vluese, ndoshta shkaku i zjarreve të shumta që kanë rënë në gjithë Suedinë.

Atë ditë, Greta Thunberg që atëherë ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, nis grevën e saj para ndërtesës së Parlamentit: nuk mund të pritet më, politikanët duhet të bëjnë diçka për të shpëtuar planetin.
Është #fridaysforfuture i parë në histori.


“Përgatituni të lexoni një tregim shprese, guximi dhe vendosmërie. Kjo është historia e vërtetë e Greta Thunberg-ut, por edhe ajo e shumë vajzave dhe djemve të tjerë në gjithë botën, të gatshëm të luftojnë kundër indiferencës së të rriturve, në emër të një të ardhme më të mirë. Sepse nuk je kurrë shumë i vogël për të bërë ndryshime të mëdha.

Sëmundja e Greta Thunberg

Greta nuk ka qenë gjithmonë një heroinë guximtare, e njohur në gjithë botën për vendosmërinë e vet. Para se të fillonte aventurën para Parlamentit Suedez ishte një vajzë e çuditshme, e heshtur dhe ndrojtur. Nga ato nxënëset që i ndjekin mësimet në heshtje, të ulura më vete, në një bankë në rreshtat e fundit. Në jetë nuk i kishte ndodhur ndonjë gjë e veçantë, asgjë që të linte të kuptoje se një ditë do të bënte që qindra e mijëra të rinj të ndiqnin shembullin e saj. Libri është botuar nga “Magjia e Librit”, dhe shitet në librari të ndryshme. Librin mund ta gjeni edhe në KultPlus Caffe Gallery, si dhe te “Dukagjini” e “Toena”. Çmimi i këtij libri është 5 euro./KultPlus.com

Gjermanët refuzuan nobelistin Handke, ishte adhurues i kasapit të Ballkanit

Shkruan: Arben Veselaj

Akademia suedeze e Nobelit, lëre që po i injoron dhe tall vlerat universale të letërsisë, por tani ka zënë t’i shpërblejë edhe shkrimtarët neonacistë si PETER HANDKE.


Hadke ka bërë disa herë dëshmi se ishte (dhe është ende) një përkrahës i madh i krimit në Ballkan, sidomos i krimit serb ndaj shqiptarëve. Ai e kishte adhuruar Kasapin e Ballkanit (Millosheviqin) si një perëndi. Bile, nga dëshpërimi për perëndinë e tij, kur ai ishte burgosur, e kishte vizituar në burgun Hagës, në vitin 2005. Me atë rast ai kishte shkruar edhe një reportazh, në të cilin, veç karakterit kriminal që ka, s’e kishte fshehur fare as karakterin racist, duke i akuzuar dy gjykatësit e Millosheviqit: “Xhamajkianët e zinj me mjekra të bardha”!


Handke ka kohë që është refuzuar dhe po ashtu është përjashtuar nga asociacione dhe institucione me kredibilitet moral e kulturor kudo nëpër Evropë. Bile, qenë vetë gjermanët ata që të parët e refuzuan Handken, për shkak të veprimeve të tij kontradiktore. Është i njohur tashme fakti se si Juria e çmimit letrar “Heinrich Heine” nga Universiteti Publik i Dyseldorfit të Gjermanisë, pasi e kishte nominuar Handken për këtë çmim, ishte detyruar ta tërheq vendimin, pasi Këshilli Bashkiak i qytetit të Dyseldorfit kishte ndërhyrë ashpër, duke mos e lejuar Jurinë që të zhytej në një skandal të tillë. Dhe kështu – Handke nuk e mori çmimin “Heinrich Heine” – çmim me të cilin më parë ishin lauruar mendjendriturit si: Gunter Kunert, Elfriede Jelinek, Walter Jens, Maks Frish, Wolf Biermann, Hans Magnus Ezensberger etj.


Po ashtu, në vitin 2006 edhe një teatër parisien (“Comedie-Françiase”) e kishte hequr nga repertori i tij një shfaqje sipas një teksti të Peter Handke-s (“Voyage to the Sonorous or the Art of Asking”, sepse atyre ditëve ai u pa duke e mbajtur fjalimin e mortit në varrimin e Millosheviqit në Serbi.
Çmimin Nobel që sot Akademia suedeze ia akordoi Peter Handke-s, është një mesazh i keq për vlerat humaniste dhe universale që i promovon Bota Perëndimore. Me këtë akt u nëpërkëmbën dhe u përdhosën vlerat humaniste që proklamon Letërsia e Madhe që nga epet antike e deri tek postmodernia./KultPlus.com