Filmi për berberin shqiptar nga Zvicra, shfaqet në DokuFest

“Bashkimi United” hyn në kategorinë e filmave kombëtarë, por këtë herë nuk do të jetë në këtë garë, meqenëse është prodhuar nga një regjisor i huaj.

Platoja e Dokukinos ishte e mbushur me adhurues të filmave, aktorë, regjisorë e producentë shqiptarë dhe të huaj, shkruan albinfo.ch.

Ata ishin mbledhur për ta parë programin e filmave kombëtarë në DokuFest, program të cilin e hapi “Bashkimi United”, film i prodhuar në Zvicër nga regjisori Lasse Linder.

Megjithëse nga një regjisor i huaj, filmi ka si protagonist kryesor një berber shqiptar, apo një berber shumëdimensional, siç e quan veten Bashkimi – personazhi i filmit.

Në këtë film, Bashkimi, duke kënduar “Oh liri”, në lokalin e tij ndan brengat e jetës me klientët e vet, dhe mbi të gjitha, tregon dëshirën për realizuar një film.

“Një film brenda filmit”

Përgjatë 10 minutave, shfaqja e filmit u përcoll me të qeshura nga publiku, si rezultat i skenave komike që paraqiste berberi shqiptar në film.

Sidomos, publikut i la përshtypje pjesa gjatë së cilës Bashkimi shfaqte ëndrrën e tij për të xhiruar një film, ku ai luante rolin e një kauboji që shpëtonte njerëzit duke ua prerë flokët që ua mbulonin gjithë fytyrën.

Por përpos se berber, aktor e regjisor, Bashkimit i vinë për doresh edhe punë të tjera, me një fjalë, çdo gjë që lidhet me të mirën e njerëzve.

Pas filmit, në skenë doli edhe regjisori Lasse Linder, i cili tregoi se ideja për këtë film erdhi rastësisht.

“Banoja 50 metra larg nga salloni i tij, dhe isha i vetëm në atë qytet, sepse sa isha vendosur, dhe po kërkoja një floktar”, tha Linder.

Më pas, kishte filluar shi, dhe Lasse ishte futur në lokalin e tij, dhe aty kishte filluar bisedën e parë me Bashkimin.

Atij i kishte lënë përshtypje se si Bashkimi kishte vendosur dy ekrane pranë sallonit, ku paraqiste fotografi para dhe pas prerjes së flokëve.

“Pastaj ai tha se gjithmonë kishte dashur që të kishte një film apo reklamë që do të mund ta shfaqte aty, dhe pastaj e kuptova se ky person dëshiron ta realizojë një film”, tregoi Linder.

Dhe pjesa tjetër dihet, ata  bashkuan idetë dhe talentet, dhe i sollën publikut dokumentarin 10 minutësh për mërgimtarin ëndërrimtar e shumdimensional.

“Bashkimi United” hyn në kategorinë e filmave kombëtarë, por këtë herë nuk do të jetë në këtë garë, meqenëse është prodhuar nga një regjisor i huaj.

Trailerin e filmit mund ta shihni duke klikuar në këtë vegëz, kurse filmi do të shfaqet edhe sot, në Solar Cinema në kuadër të DokuFest-it, nga ora 20:00. Këtë herë, hyrja është pa bileta dhe falas, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, në kuadër të këtij programi, dje janë shfaqur edhe filmat “Larg”, “Decision”, “Nëpër mendje” dhe “Toni and Bleri”.

Ti n’daç m’thuej pijanec

Liridon Mulaj

Une sonte do pi,
e ti n’daç m’thuej pijanec
N’daç thujem i mjerë
Çka zemra të dojë , thuema me urrejtje,
veç dije se unë do pi, 
deri sa mos t’muej ma

Tash ti nisja e
m’shaj,
m’truej
m’padit
m’përbuz
m’duej
a m’braktis

Se sonte mrenda meje
bota asht veç mllef,
mërzi e përulje
e rrazë kësaj rrokopuje ,
zani yt asht veç nji zukatje
Prandaj sonte, unë do pi
e ti m’picko
veç dije se
ke me vdek n’mue
si bleta pa thumb…/KultPlus.com

Bleona Hasani vjen me këngë të re

“Good Vibes” titullohet projekti i saj i ri Bleona Hasani, këngëtarja kosovare e cila jeton në Suedi po vazhdon sukseset e saj në industrinë e muzikës. Bleona kësaj here erdhi në bashkëpunim me DJ e njohur suedez, Primo & Janousek të cilët publikuan projektin më të ri, të titulluar “Good Vibes”

14 vjeçarja nga Mitrovica, jeton në Suedi dhe po hyn në tregun muzikor suedez duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Këngëtarja shqiptare mjaft e talentuar në janar të këtij viti kishte publikuar këngën “No one like you” e cila rezultoi e sukseshme

Thënie shkodrane: Zoti të dhashtë bereqet n’tru!

• Prej fmijës dhe budallës mësohet e vërteta.

• Fukaraja ma mirë mos leftë.

• Aj mend xixi mend, as për vedi as për kënd.

• Lype – s’ta japin; merre – s’t’thojnë gja.

• Kur s’ke pula mos ban “ish”.

• Ka thanë frati shko te shtrati n’mos t’marrtë gjumi t’pushon shtati.

• Grueja asht si gjarpni nën jastek.

• Deka me nder asht kapak florini.

• Ç’ka del prej mice gjun për mij…

• A ke pa me fjetë?

• Kryet thi e menden fmi.

• Zoti të dhashtë bereqet n’tru

• T’bana bir, me hjekë mirë; m’dole dreq me hjekë keq.

• Mendja e madhe e zeza e t’zot.

• Inatin e mramjes, lene për nadje…

• Gungaçit vetëm vorri ia drejton samarin…

• E han marren me bukë.

• Bane t’mirën e hidhe n’det, n’mos ta dit’t peshku, ta din Zoti vetë.

• I buti – si muti.

• Kur s’ka njeri mend ka kamë.

• Kmisha me arrna e trupi me barna s’mbahen.

• Zemra m’don – betha s’ma mban.

• Vesha – kopilesha.

• Malli i mirë shitet afër.

• Kush ka mik ka çiflik.

/Telegrafi/

‘Dua të bëj dashuri deri në moshën 85 vjeçare’

Ernest Hemingueji njihej për jetën aventuroze dhe dashurinë e madhe që kishte për alkoolin. Sipas tij, mënyra më e mirë për të shpenzuar paratë ishte shampanja, shkruan insajderi.

Edhe shëndetligu Xhejms Xhojs mahnitej nga mënyra e jetesës së shkrimtarit amerikan. Në një profil të “New Yorker” për Ernest Heminguejin flitet mes të tjerash për miqësinë e tij të çuditshme me Xhejms Xhojsin. Ky i fundit grindej me njerëz nëpër bare dhe pastaj fuste Heminguejin për t’i rrahur.

“Xhojs futej në sherr, pastaj as nuk e shihte personin që kishte përballë, por kthehej nga unë dhe thoshte: Merru me të!”.

Në profilin e shkruar në “New Yorker” ka një përshkrim të Heminguejit se si do të donte ta kalonte pleqërinë: “Kur të plakem, dua të jem një burrë i ditur dhe jo i mërzitshëm. Dua të shoh luftëtarë të rinj, kuaj, çiklistë, piktorë, avionë, restorante, kurva dhe bijtë e tyre dhe të mos shkruaj asnjë rresht për ta. Do të doja t’u shkruaja letra miqve dhe ata të m’i kthenin ato. Do të doja të bëja dashuri deri në moshën 85-vjeçare… “.

Nisi Dokufest, do të prezantohen 280 filma

Edicioni i tetëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dokumentar dhe atij artistik, në mbrëmjen e së premtes ka hapur portën për artdashësit, shkruan KultPlus.

Me një hapje ndryshe, pa fjalime as të organizatorëve, por as të politikanëve, Dokufest këtë edicion e nisi me thënie të ndryshme, që kishin përfshirë situatën politike, atë gjinore, duke përfshirë thënie shumë thumbuese që tashmë shoqëria kosovare shumicën prej tyre i ka shumë të njohura, për të vazhduar më pas me prezantim të filmave.

280 filma dhe 16 programe janë përfshirë në programin e këtij edicioni, që do të zhvillojë paralelisht edhe debate, panele, por edhe aktivitete të tjera që janë në kuadër të këtij festivali.

Organizatorët e këtij festivali kanë bërë të ditur se ka me pasë edhe shumë filma që do të jenë premiera, duke potencuar edhe pjesëmarrjen e Petrit Halilajt dhe të shumë artistëve të tjerë.

Ky edicion i DokuFest-it na sjell një mori ngjarjesh për të gjitha moshat. Përveç programit të pasur me filma të cilët do të shfaqen në kinematë tashmë tradicionale të festivalit, ju do të bëheni një me performancat muzikore të cilat gjithashtu tashmë i kanë krijuar skena e veta. Muzikë elektronike, eksperimentale e deri te iso-polifonia do të ju shoqërojnë përgjatë 9 netëve të magjishme që po priten me shumë entuziazëm nga adhuruesit e festivalit më të mirë në vend. Ekspozita, punëtorit e masterklasa të ndryshme do të shpalosen për ju gjatë këtyre ditëve që aq sa po i prisni ju, edhe ato po ju presin juve./KultPlus.com

Haradinaj: Përmes festivaleve ndërkombëtare si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar dy organizimet e festivaleve ndërkombëtare “Sunny Hill” dhe Doku Fest.

Haradinaj me këtë rast thekson se nëpërmjet këtyre dy festivaleve po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale.

Përmes festivaleve ndërkombëtare, si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale. Mbresëlënës fakti se angazhimi i pandalshëm i krijuesve të këtyre festivaleve, po mbledh rreth vetës turistë të shumtë, adhurues dhe njerëz të njohur të botës së filmit e të muzikës dhe e rëndit Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha globale. Përgëzoj këngëtaren tonë me famë botërore Dua Lipa dhe organizatorët e DokuFest, që po iu ofrojnë qytetarëve të këtij vendi një atmosferë të gjallë e përplot entuziazëm. Falemnderit të gjithë atyre që na bëjnë krenarë me veprat e tyre.

RH./KultPlus.com

Kadare ka thënë: Nënë Tereza e thirri Clintonin, i tha bëj diçka për shqiptarët e mi të Kosovës (VIDEO)

“Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Clintonin dhe i ka thënë: Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”, ka thënë më parë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare!

“Duke ja thënë kjo Nënë e Kishës, Clintonit, ai çlirohet nga ç´do skrupull moral, sepse atij po i thotë një njeri i shenjtë. Ajo theu ligjin e fesë për popullin e saj, theu rregullin e fesë për shqiptarët e saj. Me këtë ajo i ka larë të gjitha. E turpi ynë i përbashkët është për sharjet ndaj Nënë Terezës”, u shpreh Kadare në gjykimin e tij për Nënë Terezën. 

Mos i prisni kryetarët, bëjini gjërat vetë

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”

“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

Muzika jote s’ka asnjë vlerë – Zvicra nuk i jep leje për të kënduar këngëtares nga Kosova

Këngëtares nga Kosova i është ndaluar hyrja në Zvicër për shkak se shteti helvetik ka kërkuar që muzikantët nga vendet e treta duhet të garantojnë “një performancë me vlerë muzikore në një nivel të lartë”.

Bëhet fjalë për këngëtaren e zhanrit tallava, Xh. B. Asaj ju ndalua hyrja me pretekstin se këngëtarja në fjalë  “s’është shumë të kualifikuar”, shkruan Indeksonline.

Këngëtarja e folklorit nga Kosova Xh. B kishte bërë kërkesën të hynte në Zvicër midis shtatorit 2018 dhe prillit 2019. Por ajo u privua nga leja e qëndrimit afatshkurtër nga Zyra e Migracionit në Cyrih.

Zyra e Migracionit u ndesh me tre video muzikore B. e cila ishte shikuar vetëm 3500 dhe 31,000 herë në Youtube. Kjo nuk është e mjaftueshme që Zyra të jepte vizën të hynte në territorin e Zvicrës kësaj këngëtare me tallava çka Drejtoria e Sigurisë në Cyrih i ka kundërshtuar ankesën.

Filozofi shqiptar mik i burrështetasve, filozofëve dhe shkrimtarëve

Isuf Luzaj ligjëroi në universitete në Amerikë por njihet fare pak nga shqiptarët.

Kush është Isuf Luzaj? Ai është emër i madh i kombit shqiptar, intelektuali akademiku profesori, filozofi me renome botërore, mund ta themi me krenari. Atdhetari i orëve të para që luftoi për liri, antifashisti, antikomunisti numër 1 në Shqipëri.

Shqipëria ka fatin ta ketë një personalitet boteror si ai, por edhe fatkeqësinë e mosnjohjes së tij si duhet, sa duhet, nga rrethet zyrtare intelektuale, akademike, filozofike historike në vend.

Isuf Luzaj eshte nje nga njerëzit e shquar me influencë të shekullit 20, profesor i universiteteve më prestigjoze në Itali, Argjentinë, SHBA, filozof antikomunist që udhiqej nga filozofia euro-amerikane.

Drejtues i bibliotekes së Vatikanit gjate viteve 1945-1948, bashkëpunëtor i Nënë Terezes në Kalkuta, mik i Alcide De Gasperi, mik i presidentit francez Charles De Gaulles, dhe presidentit italian Sandro Pertini. I vlerësuar nga Joan Domingo Peron, Eugeniu Aramburo, Arturo Fondizi, tre ish presidentë të Argjentinës, i nderuar nga Parlamenti Argjentinës dhe Universiteti Nacional. Përfaqësues i Argjentinës në kongreset botërore të filozofisë. Hartues i programeve akademike ne universitete. Mik i Jorge Luis Borges, i Jean Paul Sartre, i Pablo Nerudës, i Gabriela Mistralit, i Alfonsina Stronit e shume personaliteteve të shquara të kulturës e politikës botërore të kohës kur ai jetoi e punoi.

Politikisht e ideologjikisht atë e kërkonte ta shtinte në dorë Stalini. Presidenti amerikan Ronald Reagan e ka dekoruar “Profesor i Amerikës” dhe ia pat dorëzuar vetë ai. Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në SHBA, pasi ka dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Ai ka mbetur mik i presidentit Georg H Bush dhe i presidentit Bill Clinton.

Në qarqet shqiptare prof. dr Isuf Luzaj ka qenë mik i Eqrem Bej Vlorës, Gjergj Fishtës, Fanolit, Mit’hat Frashërit Kol Bibë Mirakës. Për prof Luzajn fliste me konsideratë Ernest Koliqi, Maliq Beg Bushati e të tjerë.

Profesori Luzaj ka kontribuuar për zgjidhjen e cështjes shqiptare dhe të Kosovës. Ai është takuar në fillim vitet 90 me presidentin Ibrahim Rugova, të cilin e quante flokëgjati i Kosovës. Prof. Luzaj ka ndërruar jetë në vitin  2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri. Duke qenë ortoped i fjalës, ai ia la amanet të bijës së tij Elizabeta Luzaj që kur të pavarësohet Kosova, të vijë te varri dhe t’ia jep këtë kumt të gjakuar. Profesor Isuf Luzaj për pasardhës ka lënë tre djem dhe një vajzë.  Rrugën e tij të letërsisë e ka vazhduar i biri i tij Dalan Luzaj.

Ai ishte një personalitet shumë dimensional, dhe këtë yll të kombit shqiptar pritet ta njohim në vitet e ardhshme duke ia lexuar veprat nga fusha e filozofisë dhe e letërsisë.

Veprat e botuara:

“Rrefimet” v. 1938, libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim;

Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare” të Branko Merxhanit;

 “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë,1946;

Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë.

Novela politike-shoqërore filozofike kundër komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar, 1954;

“Metodologjia për studimet e filozofisë” për shkollat e mesme, 1965;

Ndër vitet 1963-1990 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë.

“Gloria e çmendjes”, Tiranë, 1995;

“Lamtumira e yjeve”, Tiranë 2001, Tiranë

 “Rindertimi i Fuqive Shpirterore:, Tirane, 2005;

Tragjedi me tri akte “Princesha Rugina”, Tiranë, 2015

 “Kujdesjet e Bletës”, essais ekzistencialistë, I, II, Tiranë, 2017;./KultPlus.com

Letra e kandidates për studente të mjekësisë: M’fal Kosovë që mezi po pres me ikë prej teje

Gresa Berisha një kandidate për studente në Fakultetin e Mjekësisë përmes një letre të publikuar në llogarinë e saj në facebook ka shfaqur dëshpërimin për mospranimin në këtë faklutet.

Ajo ka përmendur zhgënjimin që i kanë shkaktuar institucionet kosovare kur premtuan për rritjen e numrit të studentëve në këtë njësi akademike.

Gresa mes tjerash konsideron si mundësi edhe largimin nga Kosova.

Më poshtë letra e saj e plotë postuar në Facebook:

Po shkruaj tu e përfaqesu mllefin e 75 studentëve, që presin, qe morën premtime, të mjekësisë së përgjithshme, e që spo bahën dot të tillë. Të mos na kishit premtu që kjo punë ka me u ba, bahet, u ba, mllefi prapë kish qenë ekzistues, se 900 studenta që konkurrojnë për 125 vende janë shumë, po të paktën na kishit kursy prej stresit, tutës, dhunës psikologjike që na keni ba tash e dy javë, tu e ba refresh n’ethe çdo minutë, faqen tuaj me pa nëse keni fillu me zbatu premtimin. Nëse ka mbet edhe nji pikë shprese për ne. Po shkruj, para së gjithash, tu e përfaqësu nji t’ ri kosovar, që kurrë andërr të madhe nuk e ka pas “me dalë në Gjermani”. Për ma keq, inati ja kam marrë kujtdo që më ka thanë “ik prej këtij vendi, këtu send s’ka”. Nji i ri, kosovar, që kurrë s’ka pas dyshime se ku e don të ardhmen, s’kam dyshu kurrë në Kosovën ku kam lindë e këtu du me vdekë. Të kam kushtu shumë vargje Kosova jem. Shumë herë e kam recitu me krenari të madhe Poemën e Kosovarit, saherë ka buçu skena prej ”Jam shqiptar, e kosovar, zot e krenar” që kurrë s’kam mujtë me përfundu pa e qitë nji pikë lot. Kush ka fole keq për jetën në ty, kam thanë që asht dembel e s’ja ka andja me punu, prandaj e fajson sistemin e shtetin. Vargu mu ka zbehë, zani u venitë. 18 vjecare sot, asht shumë herët me u ftofë unë prej jetës në ty. Asht shumë herët me i qu duart prej teje. Unë ty të duhem Kosovë. T’duhen këta 75 studenta. Na të dojna Kosovë. Ti s’po na do neve. Nesër kismet, po shkoj m’i tërheqë dokumentat. Po i përkthej 5-shet e tri viteve shkollë të mesme, po i përkthej 166 pike të provimit të maturës, vlerësimit ma të rremë, vlerësimit ma të poshtër ekzistues, në lista përfundimtare të dështimit po i la 30 pikë të provimit pranues (prej 40 sa janë gjithsej), e po aplikoj për infermiere në Gjermani. Marrëveshjet i keni nënshkru, s’besoj që m’del problem me ikë. Kurrë andërr kaq të cekët s’kam pas. Toka jote më ka degju, Kosova jeme, në parashkollorë kur më ka pyet edukatorja “çka do me u ba kur të rritesh?” që i kam thanë ”doktorreshë”. S’e kam ditë atëherë që toka jote ka me mi shkel andrrat. Edhe kam mësu, natë e ditë. S’ka qene problem, se rrugët e vështira prapë mbesin ma tërheqëse. Po vështirësitë që m’i ke qitë ti janë ba t ‘pakalueshme. M ‘fal Kosovë. M’fal që menzi po pres me ikë prej teje. M’fal shumë që s’po i du ma dështimet n’ty, s’du ma dështime që nuk i meritoj! Po kur krejt të ikin Kosovë.

T’pavdekshmit

Denis Galushi

Jo, ata nuk vdesin! 
Ata janë gjallë, n’parajsë na presin.
Mos ishin ata, sot nuk do të ishim ne.
Ata sakrifikuan vetën që, 
T’themi sot lirshem mirëdita apo ‘’laqho dive’’.

I përvëluan dhe i dogjen për së gjalli,
Por, nuk e dorëzuan bajrakun ngjyrë qielli dhe bari.
Rrota në mes bëri histori
E, ne sot e kultivojmë romanipen me shumë dashuri.

Disa male e kodra janë shkrirë, 
Nga gjenocidi që përjetuan burra, gra, pleqë e femijë.
Valët e detit nga ajo ditë,
I kaploi katrani dhe gjaku i zi.

Bota heshti e pa turpëruar,
Por, oqeanet e malet janë betuar,
Që lapsi një ditë ka me dëshmuar, 
Holokaustin romët që e kanë përjetuar.

Ah, të vdekurit tanë, nuk vdesin!
Ata dhanë emer e mbiemër këtij identitetit. 
E, ne duhet t’a ruajmë e përqafojmë,
Dhe t’i tregojmë botës që jemi tridhjetë million romë./KultPlus.com

Dua Lipa arrin në Kosovë, këto janë fjalët e para të saj

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa sapo ka arritur në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ajo pritet të përformojë në festivalin Sunny Hill që do të mbahet me datën 1, 2 dhe 3 gusht.

Me të mbërrirë në aeroport, Lipa ka thënë “Mirë se ju gjejë, po ndihem shumë mirë dhe e lumtur.”

Edhe pse pritet që të përforjmë, Dua Lipa ka thënë se nuk e di nëse do të përformoj.

Në pyetjen se a do të përformojë, Lipa ka thënë “Nuk e di a do të këndojë”.

Dua Lipa, imazhi më ri i parfumit YSL BEAUTY

Lajmin e ka konfirmuar artistja shqiptare me famë botërore përmes llogarisë së saj në Instagram, ku ka thënë se është shumë krenare që më fund po e zbulon Libre, aromën e re të nxjerrë nga Yves Saint Laurent Beauty.

Në korrik, këngëtarja poashtu përmes profilit të saj në Facebook ka bërë të ditur se do ta sjellë koleksionin Dua Lipa x Pepe Jeans, në bashkëpunim me brendin Pepe Jeans. “Më në fund mund t’ju them se në bashkëpunim me brendin londinez Pepe Jeans, kam kijuar koleksionin Dua Lipa X Pepe Jeans për ju!

Jam inspiruar nga vitet 90’-00’ në Londër, dhe gjithmonë imagjinoja të krijojë rroba të më përfaqësojnë mua dhe më së shumti dëgjuesit e mi./KultPlus.com

Pesë filozofët që “folën” edhe me vdekjet e tyre të çuditshme

Simon Krishlej, profesor i filozofisë në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në Nju Jork, ka shkruar një libër të quajtur ”Libri i Filozofëve të Vdekur” (2008). Ai rrëfen tregime të ndryshme rreth vdekjes së filozofëve, dhe disa prej tyre janë realisht të çuditshme apo dhe qesharake. “Ambicia e librit, është të tregojë, se shpesh vepra më e madhe e artit të një filozofi, është mënyra e vdekjes së tij”- u shpreh Kritshlej për “The Guardian”.

Krisipi vdiq duke u gajasur Krisipi (280–207 P.E.S), njihet si një nga stoikët më të mëdhenj. Ai vdiq gjatë olimpiadës së 143-të, në moshën 73 vjeçare. Rreth vdekjes së tij, ka 2 histori alternative, dhe që të dyja kanë të bëjnë me alkoolin. Krisipi e pranonte hyjnizimin, si pjesë të zinxhirit shkakësor të fatit. Teoria e parë është se ai vdiq nga marramendja 5 ditë pas pirjes së një vere shumë të fortë. Megjithatë, tregimi i dytë është edhe më i çuditshëm , dhe lidhet me emrin e tij.

Duke parë se një gomar po hante fiqtë e tij, në vend se të mërzitej për këtë, ai i tha me zë të lartë një gruaje të moshuar:”Tani jepini gomarit të pijë verë të pastër, për të shpërlarë fiqtë”. Ai e gjeti batutën e tij kaq për të qeshur, sa që nisi të qeshë në mënyrë të pakontrollueshme , u rrëzua përtokë dhe pati një bllokim frymëmarrjeje që i mori jetën. Francezin Zhylien Ofrej de La Mëtrje, e mori më qafë e ngrëna me tepri Autori i “Njeriu-makinë”, Zhylien Ofrej de La Mëtrie (1709-1751), ishte i njohur për teoritë e tij materialiste të natyrës njerëzore, dhe nuk pati ndonjë vlerësim të veçantë nga bashkëkohësit e tij të Iluminizmit. Vdekja e tij, shihet si e përshtatshme me filozofinë e tij, dhe përshkruhet si një “vdekje materialiste”. Ai humbi jetën për shkak të mbi-ngrënies. Dë La Mërtie ndodhej në shtëpinë e ambasadorit francez në Berlin, zotit Tirkonel, duke konsumuar pate tartufi.

 Ai hëngri aq shumë, sa që menjëherë nisi të ndihet keq. E refuzoi ndihmën e mjekëve, duke i quajtur ata sharlatanë, dhe u përpoq të shërohej, duke nxjerrë vetë gjak nga trupi. Megjithatë, kjo metodë nuk funksionoi, dhe ai ndërroi jetë pas disa orësh. Herakliti vdiq i mbuluar nga jashtëqitjet e lopës Herakliti (535- 475 P.E.S), ishte një filozof grek para-stoik, i njohur për refuzimin e shoqërisë, që ai nisi ta përçmojë. Ai vendosi të jetonte i izoluar nëpër male, ku ushqehej vetëm me barishte. Ai u enjt në pjesë të ndryshme të trupit, për shkak të kequshqyerjes, dhe duhej të kthehej në qytet për të marrë ndihmë mjekësore. Megjithatë, ai nuk donte të ndiqte këshillat e mjekëve, por kërkoi të mbulohej me plehun e lopëve për të shëruar sëmundjen e tij. Ka dy versione të historisë së vdekjes së tij. Sipas së parës, ai u mbyt në jashtëqitjen dhe urinën e lopës. Në të dytën ai ul para rrezeve të diellit, feçet iu thanë plotësisht, dhe ai vdiq nga mbinxehtësia.

Diogjeni u vetëvra duke mbajtur frymën Ekzistojnë shumë anekdota të pazakonta të shkruara rreth Diogjenit (vitit 320 P.E.S), të tilla si jetesa në një fuçi, jashtëqitja në teatër, dhe ngrënia e sasive të mëdha të qepëve në një moment të jetës së tij. Megjithatë, elementi më i shquar e njohur për të, është se ai nuk kishte frikë nga autoriteti. Ai ishte i vetmi që u tall me Aleksandrin e Madh, dhe mbeti gjallë më pas. Sipas “The Guardian”, Diogjeni dëshironte të varrosej me fytyrë përmbys, si në fjalët e tij:”Pas pak kohësh, e poshtmja do të ngjitet lart”. Ai jetoi deri në moshën 90 vjeçare, dhe vdekja e tij është e rrethuar ende nga misteri. Megjithatë, ka dy teori më të mundshme. Ai vdiq ose duke konsumuar një oktapod të pa gatuar, ose vendosi të kryente vetëvrasje duke mbajtur frymën. Mishel Fuko Një filozof francez (1926-1984), i njohur për teoritë e tij subversive mbi seksualitetin dhe stilin ekscentrik të jetesës, Mishel Fuko la një trashëgimi të fortë të shkruar mbi seksualitetet e çuditshme. Ai u sëmur në vitin 1984, duke vuajtur nga simptoma të vazhdueshme, të ngjashme me gripin. Ai vazhdoi të punonte mbi librin e tij “Historia e seksualitetit”, gjatë gjithë kohës që vuante nga sëmundja e tij. U zbulua më vonë se ishte prekur nga AIDS, për të cilën me sa duket kishte pasur dijeni që në fillim. Vdekja e tij në vetvete, nuk është aq mbresëlënëse se sa fakti, që kishte filluar të lexonte në mënyrë obsesive Senekën, teksa po i afrohej ora e vdekjes. Ai vdiq më 25 qershor, në të njëjtën datë që vdiq edhe filozofi i njohur romak./VintageNews – Bota.al

Flamuj shqiptarë në festën kombëtare zvicerane

Në festën kombëtare të Zvicrës, shumica e qyteteve janë zbukuruar me flamuj zviceranë, mirëpo në disa vitrina të dyqaneve të Otto-s, vërehet prania e filxhaneve që e kanë të shtypur flamurin e Shqipërisë.

Zëdhënësja e kompanisë Otto ka deklaruar se nuk është në dijeni për këtë cështje dhe se një gjë e tillë ka shumë mundësi të jetë një gabim në vendosje dhe jo një strategji e shitjes, pasiqë Lozana, vendi ku gjenden këto dyqane, ka shumë banorë shqiptarë. 1 gushti, festa kombëtare e Zvicrës shënon aleancën e formuar në vitin 1921 prej tre kantoneve të Uri-t, Schwyz-it dhe Unterwalden-it, qendra rreth të cilës është formuar Zvicra./KultPlus.com

Thuani Nënës, mikes sime, se drita që ka ndezë në jetën time vazhdon të ndriçojë

Nga Shën Nënë Tereza

Nuk do ta harroj kurrë herën e parë që kam qenë në Bourke, në vizitë tek motrat e Dashurisё. Shkuam në periferi të qytetit. Njerëzit jetonin në baraka të bëra me karton. Hyra në njërën nga ato shtëpi të vogla. Po e quaj “shtëpi”, sepse në fakt bëhej fjalë për një dhomë të vetme. I thashë atij njeriut që jetonte aty: “Të lutem më lejo ta shtroj krevatin, të të laj rrobat dhe të pastroj dhomën.”

Ndërsa ai vazhdonte të përsëriste: “Jam mirë kështu… Jam mirë kështu…”

E unë i thashë: “Po do të jesh edhe më mirë nëse më lejon ta bëj këtë shërbim për ty.” 

Së fundi pranoj dhe më lejoj. Atëherë nxori nga xhepi një zarf të vjetër, pastaj një tjetër e një tjetër sërish. Filloj t’i hapte njërin pas tjetrit. Brenda zarfit të fundit ishte një foto e vogël e të atit, të cilën ma dha ta shoh. E pashë foton, pastaj vëzhgova atë dhe i thashë: “Ti i ngjan vërtetë t’atit tënd”. Fakti që e kisha parë ngjashmërinë mes tij dhe të atit e lumturoi shumë. E bekova foton dhe ia dhashë. Të njëjtën gjë bëra me zarfin e parë, të dytin dhe të tretin. Foton e vuri afër zemrës.

Pasi ia pastrova dhomën gjeta në një qoshe një llambë të madhe, plot me pluhur, e pastrova dhe i thashë: “Pse nuk e ndezë këtë llambë ? Është një llambë aq e bukur!”

Pse nuk e ndezë? Ai m’u përgjigj: “Për kë? Janë muaj e muaj që askush nuk vjen më të më shohë… Për kë duhet ta ndezë?”

Atëherë iu drejtova: “A do ta ndiznit nëse motrat e mia do të vinin të të takonin?” E ai m’u përgjigj që po.

Motrat shkonin tek ai për 5- 10 minuta çdo ditë dhe filluan ta ndezin atë llambë. Pas pak kohe, ai vetë mori zakon ta ndezë. Më pas, gradualisht, motrat nuk u ndalën më tek ai, por megjithatë çdo mëngjes, kalonin andej sa për ta përshëndetur. Unë, e harrova krejtësisht këtë fakt, por dy vjet më vonë ai m’i përcolli këto fjalë: “THUANI NËNËS, MIKËS SIME, SE DRITA QË KA NDEZË NË JETËN TIME VAZHDON TË NDRIÇOJË”./drita.info

Puthja qi m’bani me faj

Albert Vataj

U gjindëm nji ditë të dy njaq ngat,
njaq sa fryma m’frymonte në frymën e saj,
njaq sa syt, shkreptinin n’detin e dhanun tallaz,
ishim njaq ngat, sa me mujt me e ndigjue shkulmin e kurmit
mishit qi epshëm i kridhej në zjarm.

N’kyt tërbim e trazim gjimueshëm n’zemër e gjak,
hutimi, ngurimi e cytje me ngulm,
u epëm pa ja da t’anshmeve dëshirime,
syt, syt prekën tue u dridh tulin e hepuem t’buzëve,
buzëve qi epshi i kuqlonte, me adh, tue i kall.

U epëm n’kyt çast pror, si pend sfinksi, nderej mbi prush,
dhe… ngulmueshëm e rrëmbeva kryet e saj,
qafën qi i’u kput, mbi mua u prarua si nji han,
gishtat i’a ngërtheva rrëmbyeshëm mbi floknajë,
t’mijat buzë i’a ngjesha ngulmueshëm mbi buzët e saj.

I’a nduka me zjarm e afsh t’lumet buzë, shpuzë,
t’amlat buzë, qi njaq fort andës po mi hidhnin prush,
dhe t’mija buzë kafshonte ajo me huj,
u puthëm, u puthëm hujshëm e mujshëm… s’di se sa.

Pambarim i’u dhamë atij ngazëllimi epshi, n’hy blatue
njaq, sa edhe tash…
n’buzt e mia e ndjej zjarmin e buzëve t’saj,
përskuqjes s’hepueme qi struket e djeg,
nën hinin e atij çasti që e kallën ato puthje, ai purtek.

Ndalëm s’di se kur njat turr me huj e újë,
tue lan, sa shumë eshkë e etje në buzë,
e harruem me u pa në sy t’përshkënditur Vezuv,
heshtëm, ndonji fjal s’xumë mes vedi me than,
me buzët e shkrumuna, n’zjarmin e epjes s’mbram.

Ndërmendem se munda me than vetëm një fjalë,
kurrnji ma shumë jo, vetëm nji… m’fal!
Atëditë e sot
tue kafshu n’buzt e mija puthjen e saj
hala ndihem i xanun n’faj./KultPlus.com

Ç’është dashuria?

Ç’është dashuria? Fjala është falsifikuar dhe molepsur aq shumë, saqë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe ta përdor. Të gjithë flasin për dashurinë – çdo revistë e çdo gazetë, çdo misionar flet papushim për dashurinë. E dua vendin tim, e dua mbretin tim, e dua librin, e dua atë mal, e dua kënaqësinë, e dua gruan, e dua Zotin.

Dashuria është një ide? Nëse po, mund të kultivohet, ushqehet, ledhatohet, urdhërohet me shkop, mund ta trajtojmë si të duam. Kur thoni se e duam Zotin, çdo të thotë? Do të thotë se doni një projeksion të imazhit tuaj, një projeksion të vetes suaj nën një farë mveshjeje respektueshmërie, varësisht prej asaj që e besoni si fisnike dhe të shenjtë. (…)

Dashuria mund të jetë zgjidhja e fundme e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut. Pra, si do t’ia bëjmë për të zbuluar se ç’është dashuria? Duke u mjaftuar me përkufizimin e saj? Kisha e ka përkufizuar në një mënyrë, shoqëria në një tjetër, e kësisoj ekziston një numër i madh devijimesh dhe interpretimesh të gabuara.

Të adhuruarët e dikujt, të fjeturët bashkë, shkëmbimi i emocioneve, miqësia – vallë, kjo është ajo që ne mendojmë se është dashuri? (…) Dashuria mund të ndahet në të shenjtë dhe në profane, në njerëzore dhe në hyjnore, apo ekziston vetëm dashuria? Dashuria i përket ndokujt, dhe jo shumë njerëzve? Nëse them, “Të dua”, mos vallë kjo e përjashton dashurinë e tjetrit? Dashuria është personale, apo jopersonale? Morale apo imorale? Është diçka intime, apo jo? Nëse e doni njerëzimin, a mund ta doni edhe të veçantën.

Dashuria është një ndjenjë? Është një emocion? Është kënaqësi? Është dëshirë? Të gjitha këto pyetje tregojnë – është apo s’është e vërtetë?- që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet e s’duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën jetojmë. Kështu, për të thelluar çështjen se ç’është dashuria, pikësëpari do të na duhet të çlirohemi nga ndryshku i shekujve, t’i lëmë mënjanë të gjitha idealet dhe ideologjitë, mbi çka duhet e çka s’duhet të jetë. Të ndarët e çfarëdolloj gjëje, në atë që duhet të jetë e në atë që është, përbën mënyrën më gënjeshtare e të jetuarit.

Pra, si do t’ia bëj për të zbuluar se ç’është ajo flakë që ne e quajmë dashuri- jo për t’ia shprehur ndokujt tjetër, po veç për të ditur se ç’është ajo në vetvete? Si punë të parë, më duhet të largoj mënjanë ato që, kisha, shoqëria, prindërit e mi dhe miqtë, ato që çdo person e çdo libër ka thënë mbi dashurinë, sepse dua ta zbuloj vetë se çfarë është (…) Qeveria thotë: “Shko e vrit për dashurinë ndaj vendit tënd”. “A është kjo, dashuri? Religjioni thotë: “Harroje seksin për dashurinë ndaj Zotit”. A është kjo, dashuri? Dashuria është dëshirë? Mos thoni jo. Për pjesën tonë më të madhe, është – dëshirë e kënaqësi, kënaqësi që rrjedh nga shqisat, nga tërheqja seksuale e nga kënaqësia.

Ajo që seksi ju jep çastërisht, është braktisje e plotë e vetes suaj. Mandej riktheheni në konfuzionin tuaj, e kështu, doni ta ripërsërisni e ripërsërisni atë gjendje në të cilën nuk ka shqetësime, probleme, nuk ka unë. (…) T’i përkasësh një tjetri, të jesh psikologjikisht i ushqyer nga një tjetër, të varesh nga një tjetër- në gjithë këtë duhet të jetë prorë ankthi, frika, xhelozia, faji, e përsa të jetë frika, nuk është dashuria. Një mendje e ndrydhur nga dhimbja nuk ka për ta ditur kurrë se ç’është dashuria; sentimentalizmi dhe emotiviteti nuk kanë të bëjnë absolutisht me dashurinë. E kështu, dashuria nuk ka të bëjë fare me kënaqësinë dhe dëshirën.

Dashuria nuk është një prodhim i mendimit, që është e kaluara. Në mënyrë absolute, mendimi nuk mundet kurrsesi të kultivojë dashurinë. Dashuria nuk është e kufizuar apo e kurthëzuar nga xhelozia, meqë xhelozia i përket së shkuarës. Dashuria është gjithmonë prani aktive. Nuk është “Do të dua” ose “Kam dashur”

Shkëputur nga libri: “Liri nga e njohura” – Jiddu Krishnamurti –

Shoqëria e çiçibunëve

Andreas Dushi

Mos i qitni para derrave margaritarët tuaj…

Ungjilli sipas Mateut 7, 6

Derrat vështirë se mund t’i kapërdijnë margaritarët. Derrat kanë çiçibunët. A e dini çfarë janë çiçibunët? Një lloj kokrre që del si fryt i një peme të pavlerë e cila digjet aq shpejt sa nuk mund të përdoret as për zjarr. Ky është ushqimi i derrave. Me atë, ata kënaqen dhe kërkojnë prap’ derisa të stërngopen.

Por këtyre derrave, përballë çiçibunëve, që me shumicë jepen sot, dikush ndonjëherë u zgjat edhe ndonjë margaritar. Derrat e përbuzin, e largojnë, e shkelin dhe, herë pas here, kthehen kundër atij që ua dha dhe e qëllojnë.

E vërteta është se çiçibunët përtypen më lehtë se margaritarët. Janë të butë dhe nuk duhet farë shijeje artistike për t’i përjetuar. Mjafton një mediokritet i drunjtë dhe ja, çiçibunët janë mrekullia vetë. Një thjeshtësi e tillë është ajo çka sot ka ndikuar çmendurisht shoqërinë tonë.

Kush i jep asaj margaritarë, herë quhet i guximshëm, herë donkishot (kryesisht nga Rosinantë të lodhur) e herë budalla. Nëse gjykojmë me metrin e çiçibunngrënësve, të tillë do të jenë të gjithë!

Nëse nuk është kjo arsyeja, përse Dostojevski po bëhet gjithnjë e më “i pakuptimtë”; studentët gjithnjë e më robotë; shkrimtarët gjithnjë e më bestseller; dashuritë gjithnjë e më të shkurtra; pedagogët gjithnjë dhe më akademikë; derrat gjithnjë e më të pranishëm? Përse sot, dilema migjeniane mes derrit dhe Sokratit duket e pakuptimtë, pasi as që mund të imagjinohet zgjedhja e vuajtjes si Sokrat para mrekullisë së të qenurit derr i majmë?

Lexuesi masiv sot kanalizohet ndër moçale gri ku nuk gjen letërsi, por aventura dashurie prekëse me vajza jetime, djem që i rreh babai apo gra që i rreh burri dhe ngushëllohen me dashurinë rinore e cila u shfaqet papritmas, ndërsa shikuesi masiv ka braktisur çdo emision që ka lidhje me artin, margaritarin e margaritarëve dhe ka gjetur ngushëllim duke u shkrehur në vaj përballë historive me dhunë, braktisje, rikthime në emisione ku synimi është nxjerrja në pah e një lumturie që i ngjason mërzisë së krokodilit pasi ka ngrënë të vegjlit e vet.

Ama duhet pranuar diçka e mirë që shoqëria e sotshme ka: Ndarjen e çiçibunëve. Po, vërtetë jemi një shoqëri altruiste, sidomos mes akademikëve, që më së miri i përshkruan Houllebecq. Është e vërtetë se ata i ndajnë çiçibunët mes njëri – tjetrit, prandaj shohim se si pa farë turpi proklamojnë njëri – tjetrin si Akademikë, Studiues e të tjerë terma që gjithnjë fillojnë me shkronjë kapitale. Ah, sikur të ishin kaq të mirë edhe me ne, studentët!

Derrat, mes të tjerash, kanë një veçori: Kur shohin se në ushqimin e tyre është diçka e papërshtatshme, diçka që nuk është uniforme me pjesën tjetër, e nxjerrin jashtë dhe e zhdukin, i japin krah, e tresin. Kështu ndodh në këtë shoqëri e cila, kur mes çiçibunësh gjen ndonjë margaritar, si e çmendur i turret margaritarit për ta larguar, pasi druhet mos edhe çiçibunët mund të kthehen në të tillë dhe kjo… kjo do të ishte diçka e tmerrshme!/politiko.al

KultPlus sjell Erza Muqollin në Kosovë

Erza Muqolli për herë të parë do të prezantohet para audiencës kosovare, e cila është figura e edicionit të tretë “Ta zbardhi ftyrën”, projekt ky brenda platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.

Erza Muqolli e cila me hapa gjigant është duke shënuar suksese në vendet frankofone, fillimisht si fëmijë e tashti edhe me lansimin e këngës së parë të albumit solo, album që pritet të lansohet së shpejti, po vjen në Kosovë në fund të muajit korrik.

“Tashmë gjithcka është e konfirmuar. KultPlus sivjet do të shënojë edicionin e tretë të ngjarjes kulturore “Ta zbardhi ftyrën”, që organizohet nga KultPlus, dhe që ka për qëllim paraqitjen e artistëve me ndikim në botën e jashtme, sikurse që është duke e shënuar një sukses të tillë edhe Muqolli në Francë dhe jo vetëm”, ka shpjeguar Ardianë Pajaziti, themeluese e platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.

Pajaziti ka bërë të ditur se kjo ngjarje kulturore do të mbahet më 30 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare prej orës 20:00, ku Erza Muqolli para të pranishmëve do të tregojë për rrugëtimin e saj në Francë, sikurse që do të jetë edhe pjesa e performancës së saj.

Kjo ngjarje kulturore është mbështetur nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ministria e Integrimeve.

Kjo mbrëmje në Kosovë vjen menjëherë pas paraqitjes së Erza Muqollit në Francë, e cila është prezantuar në një koncert që është ndjekur nga 40 mijë të pranishëm.

Erza Muqolli është shprehur e kënaqur që po shënon paraqitjen e saj të parë para audiencës kosovare, dhe pikërisht kjo paraqitje po ndodhë nëpërmjet gazetës online për art dhe kulturë KultPlus.

“Ta zbardhi ftyrën” edicionin e parë e ka nisë me Sislej Xhafa e Imer Kutllovcin, edicionin e dytë e ka shënuar me Flaka Gorancin, kurse sivjet do të shënohet me Erza Muqollin./KultPlus.com

Qeshi me zë në qendër të Prishtinës, polici e dënoi me 100 euro

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur, Aida Gashit qytetare e cila po qëndronte ulur në një pushimore në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet.

Gashi, e cila pas orës 24:00 po priste një taksi dhe po bisedonte me shoqe dhe qeshte me zë, është dënuar me 100 euro gjobë nga Fatmir Miftari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Të gjithë situatën e ka treguar edhe vet Aida e cila ka publikuar gjobën e vënë dhe emrin e policit në fjalë. Madje, ajo ka rrëfyer edhe bisedën me policin Fatmir Miftari, i cili e gjobiti atë për shkak të të qeshurave të saj.

“Çka po kesh me zë?”, ishin fjalët e Miftarit (pjesëtar i Policisë së Kosovës). E habitur me pyetjen e policit, Aida iu është drejtuar atij: A seriozisht po më pyet?

Fatmiri: Je tu keshë shumë, mos kesh!

Aida: Me çka po e matë që po keshi shumë?

Fatmiri: Me veshtë e mi!.

Kaq ishte biseda mes Aidës dhe Fatmirit i cili pa hezituar edhe ia ka vënë gjobën prej 100 eurove vetëm pse ajo qeshi me zë.

E Aida, për gjithë këtë situatë edhe ka ironizuar me vendimin e policit në fjalë.

“Dënim me 100 euro gjobë, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një femijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka vazhduar se “1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shumë se që është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më denu mu të pacipën që po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një të mitur, tjetri e mbyt gruan me femijë, krejt këto pasojë e neglizhencës së policisë sepse ma së lehti e ka me dalë në qytet e me më denu mu me 100 euro gjobë se qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Lasgush Poradeci: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën

Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.

Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:

Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com