Rita Ora kërkon falje për tekstin e “Girls”

Rita Ora thotë se nuk ka menduar të fyejë askënd me këngën e saj të re “Girls”, që shërbeu për publikim të informatës se ajo është biseksuale.

Disa këngëtarë e muzikantë reaguan përmes rrjeteve sociale duke thënë se teksti i Rita Orës ishte “i dëmshëm”, ndërsa këngëtarja shqiptare me famë botërore ka reaguar duke thënë se s’ka menduar asnjëherë të ofendojë komunitetin LGBT, shkruan koha.net.

“‘Girls’ është shkruar për të treguar të vërtetën time dhe është një përvojë e vërtetë dhe e sinqertë e jetës sime. Kam pasur lidhje romantike me gra dhe burra gjatë jetës dhe ky është rrugëtimi im personal. Më vjen keq që mënyra si jam shprehur e ka lënduar ndokënd. Nuk do ta bëja kurrë me qëllim ndaj askujt”, ka shkruar ajo në Twitter duke shtuar se me artin e saj dëshiron të tregojë veten dhe të forcojë fansat e saj që të ndihen krenar për veten.

“Jam përpjekur vazhdimisht të jem kontribuuese për komunitetin LGBT gjatë gjithë karrierës sime dhe do të vazhdoj të jem”, ka thënë më tej ajo.

Kënga, e cila është bashkëpunim i Ritës me Bebe Rexhën, Cardi B dhe Charli XCX, u kritikua nga ata që besojnë se ishin nënvlerësuar lidhjet e gjinisë së njëjtë.
Hayley Kiyoko, këngëtare amerikane, kritikoi Ritën për fjalinë “Nganjëherë, dua të puth femra/ Vera e kuqe, vetëm dua të puth femra”, duke thënë se me këtë fjali janë lënduar për shkak “se nuk duhet patjetër të pihet verë për të puthur femra”.

Një udhëtim nga Gjirokastra në Tepelenë në 1916

Reportazh i gazetarit francez Robert Vaucher botuar në gazetën franceze “L’Ilustration”

Lufta Parë Botërore e vuri Shqipërinë për herë të parë nën vëzhgimin dhe interesin e drejtë për së drejtë të Fuqive të Mëdha. Territoret shqiptare kishin qenë dhe më parë nën vëzhgimin dhe interesat gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha të paktën që nga Lidhja e Prizrenit por kësaj radhe ushtritë dhe shërbimet e tyre mbështetëse ishin të pranishme në territorin e Shqipërisë të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 29 korrik 1913. Për këtë arsye dëshmitë arkivore të kësaj kohe marrin një rëndësi të veçantë pasi janë dëshmi që paraqesin ngjarjet, balancën e forcave si dhe japin informacion të drejtë për së drejtë për popullsinë dhe jetën sociale. Përpos këtyre dokumentave arkivore ka dhe dëshmi të tjera të rëndësishme si reportazhe gazetash, letra ushtarësh të dërguara nga fronti apo dhe libra udhëtimesh , përshtypjesh dhe mbresash.

Një informacion shumë i rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore, zonën e pushtimit italian dhe francez janë reportazhet e gazetarit të famshëm francez, korrospodentit të gazetës së famshme france “Le Ilustration” Robert Vaucher ( 1890-1977). Më 1910, ai shkoi të studionte për Shkencat Tregtare në Shkollën kombetare greke të gjuhëve e të tregtisë në Kostandinopojë nga ku filloi të dërgonte artikujt e tij te pare per Svicera Liberale. Shumë shpejt u gjend ne Romë në shërbim të agjencisë Stefani. “L’Illustration”, gazeta e famshme franceze, i besoi atij një post si korrespondent lufte, dhe nga viti 1914 – 1919, detyra e korrospodentit do e çonte nga Dardanelet në Serbi, në Shqipëri dhe në fund në Rusi. Në këtë të fundit ai nuk nguroi të transmetonte mesazhe konfidenciale për llogari të Francës, gjë qe do t’i kushtonte, sepse do te denoncohej nga bolshevikët si agjent i imperializmit francez.
Si korrospodent lufte në Shqipëri ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku e Korça. Edhe pse nuk ishte një njohës i mirë i terrenit më parë apo edhe pse qe shkolluar në një shkollë greke në të cilat mësohej se territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut i përkisnin Greqisë, Robert Vaucher raportoi dhe shkroi shkrime që tregojnë për një etikë profesionale dhe shumë afër realitetit. Reportazhi që po botojmë është nga hyrja e trupave italianë në Tepelenë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 1916. Deri pak më parë Tepelena si dhe disa territore të tjera ishin mbajtur pushtuar nga forcat greke dhe ishin bërë shesh luftimi mes çetave patriotike dhe terrorit të mbjellë gjithandej nga Legjionet te shenjta greke të organizuara kryesisht me të burgosur dhe luftëtarë nga Kreta. Voucher rrëfen edhe për Ali Pashën dhe kontaktet e tij me Napoleonin dhe trupat franceze në Korfuz, masakrën e Hormovës të organizuar nga grekët dhe Tepelenën e djegur nuk ngurron ta quajë një Pompe modern. Në rrëfimin etij ndihet keqardhja dhe ndjesia për ti qendruar afër realitetit por nuk mungon dhe gjuha e tipit kolonialist kur shqyrton veprimet e Ali Pashës ndaj francezëve si motive kusarie dhe në përgjigjen e ashpër të Napoelonit e shikon si të vetmen rrugë që duhet përdorur për të komunikuar me popuj të tillë. Po kështu ndihet një dozë romantizmi kur banorët ë Hormovës i konsideron si ushtarët e Skënderbeut të masakruar nga turqit, kur dihet e Hormova u shkatërrua në 1784 nga Ali Pasha Tepelena.
Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës e cila numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar pas viteve 20’.

Një eskursion në Tepelenë

Tepelenë, 25 dhjetor 1916

Kuajt tanë rrëshqasin në kalldremet e lagështa të Gjirokastrës. Sapo u gdhi dhe ne zhytemi në mjegullën përgjatë rrugës më zhavorr duke iu drejtuar Drinos. Fshatrat janë të vendosura në shpatet e maleve, në luginë ku nuk mund të banohet sepse përmbyten shumë shpesh. Shpesh herë duhet të kalojmë përrenjtë, degë të Drinos dhe në fund kuajt tanë zhyten deri në gjoks në këtë lumë. Sidoqoftë, kalorësit e eskortës sonë luajnë me vështirësitë, ata i përkasin një shkolle të mirë. Gjenerali Komandant i Shqipërise Jugore është një kalorës i aftë. Gjatë disa ditëve të kaluara me atë, unë munda të vlerësoj guximin e tij dhe pa hezitim ndonjëherë e ndjek në udhëtimet e tij. Do të më kujtohen gjatë disa prej shkëmbenjve që iu ngjitëm me kal. Ndërsa patkonjtë e kafshëve tona rrëshqasin mbi gurin e lagësht, duke bërë shkëndija.
Pasi kaluam per herë të fundit Drinon në një urë të vjetër guri gungaç, rruga ndjek një grykë të ngushtë e piktoreske, pastaj papritmas të shpie në guaskën e thellë te Tepelenës në pjesën e poshtme të së cilës Vjosa shkarkon ujrat e baltosura. Dikur, Tepelena i ngjante një qyteti të fortë me kalanë e saj te lashtë te Ali Pashës së Janinës, muret mbrojtës dhe të lartë të së cilës zbresin pothuajse deri në lumë. Këto mure janë e vetmja gjurmë e mbetur e fuqisë së pashait të tmerrshëm që, me dinakërinë e tij, i krijoi shumë vështirësi gjeneraleve francezë H, dhe këtë e raporton M. A. Boppe, Ministri i Francës pranë qeverisë, në veprën e tij magjepsese: Shqipëria dhe Napoleoni. Perandori, i lodhur nga tradhtia e tij, urdhëronte më 15 mars 1811, Dukën e Cadores: “Bëjeni, ju lutem, një deklaratë nga mua pëe Pashain i Janinës. Ju do e njoftoni atë që me herën e parë që ai të parandalojë furnizimin e Korfuzit dhe të refuzojë kalimin e bagëtive dhe të ushqimeve te destinuara për këtë vend, unë do t’i shpall luftë atij. Butësia dhe mirësjellja nuk kanë asnjë vlerë pranë një njeriu të kalibrit të këtij kusari”. Napoleoni, duke përdorur rrugën e vështirë, fitoi kauzën e tij. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet lënë pas dore në këto vende.
Kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhe mbërriten ne Tepelenë, ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. Në këtë Pompé modern, aleatët tanë gjetën vetëm ca ciganë , pasi njéri ata mund të kishin vetëm emrin. Ata jetonin në rrënojat si kafshë në strofkat e tyre dhe ushqeheshin me bimë. Gratë që u sollën dru italianëve dhe refuzuan monedhat prej ari që iu ofruan si shpërblim, duke mos kuptuar aspak se për çfarë ato copa të vogla prej metali të pangrenshëm mund të përdoreshin. Aktualisht iu shpërndame bukë dhe miell me të cilat ato bëjnë galeta.

Me ardhjen e mbrëmjes, duhet të hipim në kuaj dhe të rifillojme rrugën për Gjirokaster. Nata bie shpejt, një nate e shkëlqyer Krishtlindjeje, e butë dhe e qetë. Ngado mbizotëron heshtja. Ndonjëherë, duke kaluar pranë një poste, ne shohim zjarre të mëdha rreth të cilave ushtarët janë të grupuar. Ne kemi kaluar tashmë më shumë se 70 kilometra, kuajt tanë të lodhur nuk vazhdojnë më. Me vijne ndermend të gjitha skenat e tmerrit që u zhvilluan në këtë vend, per tragjedinë e Hormovës, fshati shqiptar në të cilën, ka katërqind vjet, që gjatë pushtimit turk, muslimanët masakruan gjithë banorët e njohur si (të krishterë si të gjithë ushtarët e Skenderbeut) dhe konvertuan me forcë në Islamizëm gratë dhe fëmijët. Kur grekët u rikthyen, tre vjet më parë, ata u bënë shqiptareve myslimane një trajtim pak më të ndryshëm – hakmarrje me së shumti të urryer që goditën pasardhësit e këtyre të krishterëve të vrarë nga turqit!/Dorian Koci

Vjen në Tiranë “Mbreti i Maskave” Veneciane: Bëj punë me kosto të vogël, por me vlerë të madhe

Në Venezia njihet si “Mbreti i Maskave”. Di të bëjë gjithfarë shëmbëlltyrash, me një kosto fare të vogël, por me një vlerë mjaft të madhe. Ai i krijon veprat e tij duke u frymëzuar nga kryeveprat artistike, portretet e personazheve historike, figurat alegorike dhe mitologjike si dhe nga tradita e “Komedisë së Artit” italian. Ndërsa punët e tij mund të përdoren gjërësisht në një ballo, festë karnavalesh, apo në një film me metrazh të gjatë. Kështu është shprehur dhe vetë Guerrino Lovato, mjeshtrit i Artit Venecian, i cili ka mbërrirur në Tiranë për të bërë të njohura 100 nga punimet e tij më të mira.

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, artistitit Vladimir Myrtezai Grosha, kuratores Migena Hajdari nga galeria Blu Art Itali dhe Institutit Italian të Kulturës, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik kombëtar u zhvillua një takim i zgjeruar me mjeshtrin Guerrino Lovato.

Në fjalën e tij të përshëndetjes me këtë rast, Drejtori i Muzeut Hiztorik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi do të theksonte se marrëdhëniet e Shqipërisë me Venecian kanë qenë shekullore dhe se vetë institucioni që ai drejtonte kishte në themel të programit të tij, jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare por dhe pasqyrimin e trashëgimisë së vendeve të tjera. “Maskat janë një pjesë e rëndësishme e kulturës Veneciane, ndaj dhe puna e mjeshtrit Guerrino Lovato duhet të bëhet e njohur për dashamirësit e këtij arti në Shqipëri”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Ai më pas vlerësoi dhe iniciativën e kuratorëve Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari të cilët bënë të mundur ardhjen e këtij Mjeshtri të Madh.

Për të pranishmit që mbushën sallën “UNESCO”, Vladimir Myrtezai rrëfeu iniciativë dhe rrugën e mbërritjes së mjeshtrit Guerrino Lovato nga Venecia në Tiranë, duke u shprehur se “mjeshtri vinte nga vendi i artit të madh” dhe se një nga prioritetet e tij ishte ishte që të thellohej në kulturën vendase për të zbuluar qoftë dhe gjëra krejt të panjohura më parë për publikun.

Më pas mjeshtri Guerrino Lovato do të tregonte përmes pamjeve që trasmetoheshin nga projektori, se si kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “Kam përdorur materiale të thjeshta dhe ekonomike, që kanë fare pak kosto, madhje edhe prej letre, por që marrin vlerë mjaft të madhe”, do të shprehej mjeshtri Guerrino Lovato.

Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin “Eyes ëide shut” me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio. Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.
Gjithashtu, mjeshtri Lovato zhvilloi një vizitë në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, i cili u impresionua nga koleksioni i Pavijonit të Lashtësisë dhe ai i Ikonave./KultPlus.com

Edhe Shqipëria në ceremoninë e hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem

SHBA hap sot ambasadën e re të saj në Jerusalem, një lëvizje kjo e pëlqyer nga Izraeli, por e dënuar nga palestinezët dhe faktori ndërkombëtar.

Zyrtarë të lartë amerikanë do të marrin pjesë në ceremoninë e sotme, përfshirë vajzën e presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ndërkohë, ndonëse votoi pro rezolutës turke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Tirana zyrtare ka vendosur të mos e bojkotojë ceremoninë e përurimit të ambasadës amerikane në Jerusalem.

Gazeta “Times of Israel” shkruan se nga ftesat e dërguara për përfaqësuesit e 86 vendeve të ndryshme, vetëm 33 e kanë pranuar atë, ndërsa pjesa më e madhe e diplomatëve evropianë, nuk do të jenë të pranishëm.

Përveç Shqipërisë, në aktivitet marrin pjesë edhe Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria që kundërshtojnë çdo ndryshim të statusit të Jerusalemit pa një marrëveshje izraelito-palestineze.

Ceremoninë ku do të marrë pjesë kryeministri Netanyahu dhe ku do të flasë edhe ambasadori amerikan në Izrael, Friedman, e kanë bojkotuar vende të tilla kryesore në botë, si Kina, Rusia, Gjermania, India, Kanadaja, Australia dhe Argjentina.

Izraeli, mori kontrollin e Jerusalemit Lindor në luftën e Lindjes së Mesme në 1967 dhe e konsideron atë si kryeqyteti i përjetshëm, i pandashëm.

Vendimi i presidentit Trump, vitin e shkuar, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, përmbysi dekada neutraliteti amerikan mbi këtë çështje dhe i vendosi SHBA-të përballë pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar.

Ceremonia e hapjes në fakt është disi e nxituar por qëllimi është që ajo të koinçidonte me përvjetorin e 70 të shtetit të izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet t’i drejtohet pjesëmarrësve në ceremoni, përmes një lidhjeje video.

Dua Lipa favorite për filmin James Bond

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, thuhet se mund të realizojë kolonën zanore të filmit të ardhshëm të James Bond.

Capital FM shkruan se shumë kishin parashikuar që Ed Sheeran dhe Adele ishin më të favorizuar për t’u përzgjedhur, por suksesi i menjëhershëm i Dua Lipës në skenën botërore duket se e ka bërë atë kandidaten kryesore.

Ishin Adele dhe Sam Smith dy artistët që së fundi kishin kënduar kolonën zanore për filmat me spiunin më të famshëm në botë.

Amaneti më i mirë në historinë shqiptare, letra e Mitrush Kutelit gruas së tij

E dashur Efterpi,
Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund.

Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën.

Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri.

Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina.

Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.

Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”.

Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin…

Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”.

Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane.

Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë.

Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe.

Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë.

Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet.

Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore.

Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët.

Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..
Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit.

Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët.

Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija.

Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik.

Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve.

Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë.

Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq.

Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike.

Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare.

Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane.

Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak.

Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim.

Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin.

Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda.

Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave.

Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”.

Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot.

Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin.

Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave.

Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani.

Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.

Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time.

Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe.

Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.

Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital.

Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar.

Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë.

Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di.

Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.
Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa dhe shiko se ku arrita.
Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma.

Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!
S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogrdec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë.

Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret.

Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi.

Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi.

Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur.

E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë.

Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.

Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë.

Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin!

Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave.

Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë.

Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap.

Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes.

Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi.

Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur.

Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla.

Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet.

Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim.

Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk.

Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.
Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti
Dhimitraq./KultPlus.com

Vdiq aktorja e “Supermanit”

Aktorja Margot Kidder, e njohur për rolin e Lois Lane në filmat “Superman” gjatë viteve 1970-1980, ka vdekur në moshën 69-vjeçare.

Ajo vdiq në shtëpinë e saj, ndërsa shkaku i vdekjes akoma s’është bërë i ditur.

Kidder njihet edhe për rolet në “The Great Waldo Pepper”, e “R.L.Stine’s The Haunting Hour”.

Sa i përket rolit të Lanes në “Superman”, ajo e përsëriti këtë rol në filmat “Superman II” dhe “Superman III”.

Dimensione mbresëlënëse

Ekspozita e Merita Malokut në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë

Ibrahim Kadriu

Ditë më parë në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë u hap ekspozita e piktores Merita Maloku, hapjen e të cilës e bëri shkrimtari Ibrahim Kadriu. Po sjellim tekstin nga hapja e ekspozitës.
Çdo rrëfim arti ka dimensionet e veta me të cilat i afrohet artdashësit që, në qaste të përjetimit, gllabëron me shikim e ndjenja.; përvetëson reflekset që ia zënë pritën, në rastin konkret – nga format shprehëse në pëlhurë që i kemi përpara. Këtë formulim e sajova derisa, në atelienë e Merita Malokut, qëndroja para pëlhurave të veshura me ngjyrat e shpërndara të cilat i kanë dhënë shkas autores të komunikojë artistikisht në mënyrën më të përshtatshme. E cilësoj mënyrën si të përshtatshme duke pasur parasysh se, kjo autore e zellshme, i ka rrumbullakuar këto vepra figurative me domethënie universale, që domethënë se çdokush do të kënaqet në mënyrën e vet derisa qëndron para tyre, si në rastin e sotshëm që i kemi përpara.

Këto vepra, siç shihen, përmes shprehjeve subtile krijojnë imazhe të një bote imagjinatave, e cila zanafillën mund ta ketë në shprehjet poetike, të kushtëzuara nga përjetimet reale. Kjo mënyrë e komunikimit artistik shfaqet nga përjetimet shpirtërore të autores, e jo nga imitacionet që na janë servuar nga krijues të varfër shpirtërisht.

Merita Maloku na bind me argatinë që ia bën frymëzimit vetjak. Prandaj veprat e saja na dalin origjinale, të shtrira në pëlhurë vetëm si produkte të frymëzimit real dhe si të tilla na imponohen dhe bëhen të pëlqyeshme. Motivet të cilat e kanë nxitur autoren të jetë krijuese, si thuhet, me marifet, janë intime, të shprehura me panel të sigurt, pa dridhje dore. Kjo përshtypje krijohet sapo ndeshesh me veprat e saj,sapo e shikon me vëmendje perceptimin e ngjyrave të shtrira, shpesh në përngjasim të hapësirës qiellore, herë të kthjelltë, herë të ngarkuar me vranësira, por përgjithësisht të mbështetura në bazën emocionale dhe që janë mbresëlënëse.

Këto vepra të ekspozuara definohen edhe me një lloj karakteri sugjestiv,që domethënë se ofrohen mundësi interpretimi sipas ndjesive personale. Zakonisht këtë mënyrë komunikimi e kanë krijimet që i përkasin modernitetit, të tilla çfarë na ka falë vullneti krijues i autores, me një stil unik origjinal . Kjo autore, me sa mund të kuptohet nga veprat e krijuara, ka ndjeshmëri të pazakontë, një butësi shpirtërore e shprehur përmes ngjyrave të lehta që reflektojnë botën e brendshme. Ngjyrimet fluide bindin edhe për subtilitetin e autores e cila, ka kujdes të mos e rëndojë pikturën me nuanca të ashpra. Kjo butësi shprehëse i bën pikturat më të afërta, të pëlqyeshme./KultPlus.com

Një libër si një bibliotekë e tërë

Fjala është për librin e Rifat Hoxhës me titull “Kadareja, Nobeli dhe Letërsia e braktisur”, Botimet Jozef, Durrës 2017

Ibrahim Kadriu

Mbi autoritetin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare janë shkruar aq shumë libra dhe vazhdojnë shkrimet e autorëve të ndryshëm. Portreti i këtij shkrimtari me reputacion aq të madh botëror, varësisht nga autorët dhe qasjet e tyre, na del shumëdimensional, shpesh edhe enigmatik, misterioz kur vështrohet jeta e tij nëpër dekada. Portreti i tij na del pro et contra, sidomos pas nominimit për çmimin Nobel, tash e para njëzet vjetësh. Jemi dëshmitarë të shumë vlerësimeve, të kritikave dhe të mehamendjeve të autorëve të ndryshëm, një pjesë e të cilëve Kadarenë e shikojnë me një dioptri tjetër, e jo me atë konkreten e cila i ka dimensionet e veta me të arriturat kulmore në fushën e letërsisë, e që në botë ia ka dhënë vulën e afirmimit jo vetëm autorit, por edhe përgjithësisht kulturës shqiptare. Një vistër librash e shpërfaqin figurën e autorit dhe e bëjnë biografinë e tij të qëndrueshme, jetëgjatë; biografi e cila do t’i qëndrojë kohës denjësisht . Por ka edhe të tillë autorë që dëshirojnë të bëhen të mëdhenj, duke duke gjurmuar në pluhurin e kohës për të gjetur mangësitë e këtij shkrimtari. Në shumësinë e këtyre librave gjen hapësirën e vet edhe libri më i ri “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur” e Rifat Hoxhës (nga Kavaja) i cili deri tash ka botuar disa libra monografikë, eseistikë, botime historike dhe romane.

Libri i fundit për Kadarenë, dhe jo veç për Kadarenë, merret në shqyrtim sepse është i veçantë, sepse kur i shkon në fund, ke përshtypjen se ke lexuar një bibliotekë të tërë, sepse, pra, pavarësisht se personazhi kryesor është Kadareja dhe aferat rreth çmimit Nobel, ofrohen shumë të dhëna që përbëjnë mozaikun e portretit të shkrimtarit. Muaji i tetorit gjatë këtyre dy dekadave të fundit, sdiç e dimë, gjithherë ka qenë një lloj arene ku janë thyer shpatat pro e contra për Kadarenë, të atyre q kanë sulmuar dhe kundërshtuar ndarjen e këtij çmimi pretencioz dhe të atyre që kanë lobuar vazhdimisht, por, siç dihet çmimi Nobel nuk iu nda. Autori i librit, Rifat Hoxha, tërë librin me afro 230 faqe e bën në formë kolazhi, duke i ofruar lexuesit të gjitha aspektet të cilat e bëjnë emrin Kadare të diskutueshëm. Me fjalë të tjera, ky autor është përpjekur, dhe ka arritur të heq mjegullën që i mëveshët shkrimtarit , atë mjegull të të mjegulluarve që i fusin duart në bërllokun komunist për ta nxjerr shkrimtarin hiq më pak se diktator, sepse, siç shkruajnë ata “ishte i përkëdheluri i Enver Hoxhës”. Rifat Hoxha i nxjerr në pah të gjitha të palarat, kjo domethënë se nuk i jep krah shkrimtarit, por e nxjerr të vërtetën, duke u mbështetur edhe në postulatin se “Shqiptari çdo gjë ta fal, vetëm suksesin jo!” Në këtë frymë merret me të gjitha reagimet, shkrimet, letrat dhe intervenimet në adresë të Komitetit të Akademisë kundër ndarjes së çmimit Nobel shkrimtarit tonë. Në libër u jepet hapësirë edhe shumë shkrimeve që vijnë nga të huajt, shkrime që i ndihmojnë propozimit, por edhe të tjerat që ia mohojnë. Në faqet e librit radhiten edhe shembujt konkretë të autoriteteve letrare botërore, që kishin të njëjtin fat si Kadare, kur refuzoheshin ose etiketoheshin.

Ky libër, lirisht mund të thuhet i rrallë, i ka dhënë shkas autorit të hulumtojë për t’i shtruar në një vend (siç është ky libër) aq shumë të dhëna jo veç për Kadarenë, por edhe për shumë shkrimtarë të tjerë duke i përfaqësuar me mendimet e tyre mbi letërsinë dhe mbi raportet në shoqërinë që i takonin./KultPlus.com

Të jesh njeri

Poezi nga Mevi Rafuna

Sa e vështirë është të jesh njeri,
në botën që pa mëshirë të zhvesh nga mirësia,
ku një fjalë,
një buzëqeshje
ngjan si e shthurur
se nga e keqja thonë lindi djalli,
në fatin që fytin ta përthekon
është e kot të mund të zgjidhesh,
as zogjët nuk ja dalin
edhe pse kanë krahë të ngjiten atje përtej qiellit,
është e zorshme
të nxjerrësh një britmë
se askush nuk dëgjon
kur lart lart ngjiten shërbëtoret
e mbi njeriun shkelin pa drojë
se njeriu ka vdekur thonë
mbi gjakun vjollcë
ngjizet harrimi për të sotmen
në kohët që vrazhdë gërryejnë lëkurën
sdo këtë më pasardhës të mirësisë
veç sherbëtorëve
dhe ndoshta
dikush do guxoj
ti thyejë pasqyrat e rreme./KultPlus.com

Ka nisë ndërtimi i Pavijonit të Kosovës në Venedik

Komisionerja e Paviljonit të Kosovës Jehona Shyti dhe përfaqësuesja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 16 Ndërkkmbëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018 Eliza Hoxha po qëndrojnë në Venedik, për të përcjellur nga afër ndërtimin e Pavijonit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Siç është publikuar edhe më herët, tema e sivjeme e Pavijonit të Kosovës fokusohet në rrëfimin e viteve të 90-ta, mbijetesën kolektive, mobilizimin shoqëror dhe krijimin e hapsësirave të lira për veten dhe realizimin e ëndrrës për shtetin e Kosovës. Kjo temë shpaloset në Venedik nën ombrellën me titull THE CITY IS EVERYHERE, qyteti është gjithandej.

Edhe pak ditë kanë mbetur deri tek hapja zyrtare e Pavijonit, e cila do të ndodhë më 24 maj 2018, ku do te jenë prezent krerët më të lartë të shtetit, arkitektë, artistë, medie dhe miq të Kosovës./KultPlus.com

Eugent Bushpepa fuqishëm edhe në performancën e sotme para jurisë ndërkombëtare (VIDEO)

Po afrohen orët deri në natën e madhe të finales së Eurovisionit. Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, po përfaqson Shqipërinë këtë vit në Eurovision, ndërsa para tri netve arriti ta dërgojë atë në finale, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjellë një video nga performanca e Bushpepes për juritë ndërkombëtare që përbëjnë 50% të votimit total. Këtë vit në Eurovision do të marrin pjesë tre shqiptarë, te cilët përfaqësojnë flamuj të ndryshëm. Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë, Ermal Meta Italinë dhe Eleni Furera Qipron.

Të shtunën në mbrëmje i pari ndër ta do të këndojë Bushpepa, i 12-ti në renditje, ndërsa Furera dhe Meta do të këndojnë në fund, përkatësisht në vendin e 24-ërt dhe 25-së. Këngët e tyre mjaftë të vlerësuara, sjellin histori jetësore, ngjarje emigracioni të vendit të vogël të Ballkanit gjatë tre dakadave të fundit. Performancat e tyre kanë qenë ndër më të vlerësuarat nga mediat në festival. Natën finale në Lisbonë do ta çeli Ukraina./ KultPlus.com

Aurela Gaçe lanson këngën “Të dua” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Aurela Gaçe ka prezantuar këngën e saj më të re, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është baladë dhe është e shoqëruar edhe me videoklip, kurse duke pasë parasysh stilin e këngëtares Aurela Gaçe, edhe kënga e re përpos që shihet të jetë e fuqishme, ka edhe një tekst mjaft të bukur.

KultPlus sjellë këtë këngë për adhuruesit e Aurela Gaçes./KultPlus.com

Teatri Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ sjellë komedinë ‘Trashëgimtari’

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vazhdon të sjellë shfaqje të cilat bëjnë për vete publikun por edhe shpalosin tema të ndryshme. Këtë javë që po vjen ky teatër do sjellë komedinë “Trashëgimtari”, shkruan KultPlus.

Komedia goteske “ Trashëgimtari”, me regji nga Milto Kutali dhe autor Arben Iliazi, vjen me një mesazh të qartë: Me para mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen dhe moralin, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja, ku me rolet e tyre do të luajnë: Dajana Nenaj, Donald Shehu dhe Xhuliano Brisku.
Fatiku dhe Suzi, që bashkëjetojnë prej 7 vitesh si burrë e grua, janë dy karaktere kontravers, pa asgjë të përbashkët. Fatiku, një “zyrtar i lartë” , i katapultuar në politikë pa asnjë meritë dhe që jeton me ambicien pa kufij për pushtet e para , përfaqëson individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria.
Komedia “Trashëgimtari do të shfaqet më 14 dhe 15 maj në ora 20:00, salla Moliere, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Hyrja për të parë këtë shfaqje do të jetë falas./KultPlus.com

Hapet thirrja për studentë të Universitetit të Prishtinës dhe arkitektë të rinj

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” është kombinimi i pikave të ndryshme që përfaqësojnë të kaluarën kronologjike historike me vendet arkeologjike, të tashmen me brezat e arkitektëve të rinj dhe të ardhmen me fëmijët e vegjël të edukuar sipas praktikave të qëndrueshme. Të gjitha këto elemente së bashku janë pjesë e instalimit që pasqyron jetën historike dhe shoqërore të Kosovës.

Ky projekt është një projekt arsimor dhe kulturor, i cili lidhet me një zonë të qëndrueshme urbane dhe struktura arkitektonike që promovojnë rëndësinë e hapësirës së lirë, si një vend takimi, shkëmbimi i mendimeve dhe iniciativave, dhe krijimi i mundësive për mirëqenien dhe dinjitetin e çdo qytetari. Hapësirat e lira si zonat urbanistike kanë një ndikim të madh në zhvillimin shoqëror.

Thelbi i instalimit është vepra “Arti i Ri Urbanistik” e Mjeshtrit Ibrahim Kodra, e rrethuar me imazhe nga kontestet fotografike kombëtare për trashëgiminë kulturore të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në Prishtinë.

Në kudër të këtij projekti do të ekspozohen modelet më të mira të hapësirës së lirë urbanistike të krijuar nga arkitektë të rinj nga Kosova dhe vizatime të fëmijëve nga shkollat artistike në Kosovë rreth zonës së re të lirë urbane të ekspozuar.

Përfshirja e pikturave dhe veprave të artit të fëmijëve në këtë prezantim ka të bëjë me përfshirjen e ideve të reja që në një farë mënyre reflektojnë vizionin e tyre objektiv ekologjik dhe të qëndrueshëm për të ardhmen, dhe se si e shohin këtë të ardhme në botë. Ky projekt është i frymëzuar nga OKB –ja për qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, për shembull qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme, energji të përballueshme dhe të pastër, ujë të pastër dhe kanalizime, konsumim të përgjegjshëm dhe prodhim e veprim klimatik, shëndet dhe mirëqenie të mirë, industri, inovacione dhe infrastrukturë.

Fondacioni i Zvicrës Ibrahim Kodra i përkushtohet aktiviteteve për të promovuar dhe mbështetur projekte kulturore dhe arsimore për brezat e rinj.

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” realizohet në sajë të kontributit të rëndësishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. .
Koncepti i projektit është krijuar dhe finalizuar nga ekipi i Fondacionit Zviceran Ibrahim Kodra.

Projekti i një qyteti të ri duhet të përfshijë:
Hapësirat e lira urbane për të gjithë qytetarët;
Një apo më shumë prej 17 qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.
https://www.un.org/sustainab…/sustainable-development-goals/
ti dedikohet `Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018, kështu që përfshihet edhe aspekti tradicional i arkitekturës së Kosovës;
bashkëjetesën kulturore që mund të përfshijë karakteristika të lashta dhe moderne;
ndërtimin e qëndrueshëm dhe të respektueshëm për kushtet ekologjike dhe mjedisore.

Formati i projektit: 30 x 40 cm (horizontal)
Të dërgohet projekti deri në datën 14 Maj në formatin digjital në:
[email protected]
[email protected]

Për informacione shtesë rreth konceptit “Free Space” (Hapësira e Lire), ” vizitoni faqen zyrtare të Biennale Architettura Venezia 2018 (www.labiennale.org), skicë e përgjithshme./KultPlus.com

Nëse do rrisja dhe njëherë fëmijën tim

Poezia “Nëse do rrisja dhe njëherë fëmijën tim” nga Diane Loomans.

Nëse do e rrisja dhe një herë fëmijën tim
do t’i ndërtojë më parë vetë-vlerësimin,
e më vonë shtëpinë.

Me gishta me shumë do pikturoja me të,
e gishtin më pak do ja drejtoja për gabime,
do t’i zëvendësoja qortimet më përqafime
do t’i largoja sytë nga ora e do ta shihja atë në sy,
do ngjisja balona me të drejt qiellit,
do të ndaloja së qeni serioz,
por do luaja shumë seriozisht

do vrapoja pafundësisht nëpër yje
dhe përqafimet do ishin shtroja jonë
nëse…. edhe një here./KultPlus.com

Tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, rreth 500 mijë shqiptarë te “Verat e Llukës” (VIDEO)

Tubim i përmasave epike, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë bashkohen në fushën e pajtimit. Vlenë të përmendet se kjo ishte një nga periudhat kur vetëdija kombëtare ishte në nivelin më të lartë. Fushata e pajtimit të gjaqeve ishte një nga nismat më patriotike, që rezultoi me 1800 gjaqe të falura, dhe rreth 30 mijë ngatërresa të pajtuara.
Dhe një kontribut të madh pat dhënë figura e njohur shqiptare Anton Çetta, i cili me kontributin e tij ka arritë të vë paqe në shumë familje shqiptare.


Lufta për të shpëtuar lumenjtë, edhe nëpërmjet filmit

Mbrëmë Kino ABC ka mirëpritur premierën e filmit “Blue Heart”, filmi i cili dokumenton betejën për të shpëtuar “Zemrën e kaltër të Evropës”, shkruan KultPlus.

AlberinaHaxhijaj

Filmi “Blue Heart” dokumenton betejën për lumin më të madh në Evropë, Vjosa e Shqipërisë, përpjekjet për të shpëtuar Rreqebullin e rrezikuar të Ballkanit në Maqedoni dhe gratë e Krushqices, Bosnje dhe Herzegovinës, të cilët mbajnë një protestë 24-orëshe për një muaj, për të mbrojtur burimin e vetëm të ujit të freskët të komunitetit.

Mirëpo premiera e këtij filmi në Kino ABC, jo vetëm që solli një pasqyrim të asaj që po ndodh, e ka ndodhur, por vuri në pah edhe rreziqet që i kanosen natyrës, pikërisht përmes ndërtimit të hidrocentraleve nëpër lumenj.

Kështu me të përfunduar ky film u dëshmua përsëri se fuqia më e madhe e lumenjve është bashkimi i njerëzve dhe kulturave të ndryshme. Mirëpo shfaqja e tij ngjalli edhe debatin se çfarë po ndodh në Kosovë dhe cilat janë mundësitë alternative të energjisë, të cilat nuk e dëmtojnë natyrën, nuk shkelin ligjet juridike dhe nuk mohojnë të drejtat elementare të njerëzve, e ndër to është edhe qasja në ujë të pijshëm.

Prandaj, pasi filmi i cili dëshmonte se më shumë se 3,000 diga dhe diversione të hidrocentraleve janë të propozuara ose po ndërtohen në lumenjtë e fundit të Evropës në Ballkan dhe do të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për lumenjtë, tema për kafshët e egra dhe komunitetet lokale, u hap edhe në diskutim me tre panelistët e ftuar, Fatos Lajci (ERA), Dajana Berisha (FIQ) dhe Behare Bajraktari (RTK).
Dajana Berisha tha se ky film përkundër që dokumenton një të vërtetë e cila nuk është e këndshme përmes pamjeve të bukura që shfaq është edhe shlodhëse.

“Duke e parë lumin Vjosa i cili gjarpëron dhe nuk ja ndien për asnjë lloj ministër apo ministre, por në atë qetësinë e vet e në një harmoni të madhe me natyrën vazhdon rrjedhën e tij. Duke parë pamjet e tjera të bukura, disi të mishëruara edhe në karakteret e grave të fshatit të cilat qohen me një energji dhe guxim alla grash ballkanase për të mbrojtur lumin, të bënë të ndjehesh mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se pikërisht këto bukuri të cilat na i ka falur natyra ne po i lejojmë që të keqpërdoren dhe të shkatërrohen.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që nëse e shkatërrojmë këtë bukuri në vendet ku jetojmë po shkatërrojmë një pjesë tonën goxha të madhe shpirtërore e mendore. Po shkatërrojmë vetveten, komunitete dhe po krijojmë konflikte të panevojshëm e për një arsye e cila tashmë është shumë e qartë dhe fare banale, për shkak të disa ujqërve nëpër qeveritë respektive të këtyre vendeve të Ballkanit”, u shpreh ajo, duke treguar se zgjedhja më e mirë për energji nuk është përmes hidrocentraleve, mirëpo duke shfrytëzuar erën dhe diellin.

Në anën tjetër, Fatos Lajçi tregoi se si pasojë e hidrocentraleve dhe vendosjes së gypave nëpë lumenj, Kosova tashmë e ka humbur një lum.

“Një lum veçse ka vdekur dhe ai është Lumëbardhi i Decanit. Mirëpo ajo që duhet të theksojmë që prodhimi i energjisë prej hidrocentraleve sado që krijon energji, sasia e kësaj energjie është e vogël, ndërsa shkatërrimi shumë i madh. Ne po shkatërrojmë lumenjtë, shtretërit e tyre diçka që është e pariparueshme”, tha ai duke shtuar se nëse vazhdon vendosja e gypave, Kosova do të humb edhe lumenj të tjerë.

E sipas tij një fat i tillë mund ta pret edhe Lumëbardhin e Grykës së Rugovës, e tutje diskutoi edhe për kafshët, për ruajtjen e parqeve, e që po ashtu ndikojnë në mjedis.
Ndërsa gazetarja Behare Bajraktari theksoi se një problem i madh është mungesa e informimit dhe se pikërisht kësaj ajo i kushton vëmendje të veçantë. Ndërsa potencoi se dëmtimi i mjedisit është juridikisht i dënueshëm. Në Kosovë janë duke u ndërtuar përafërsisht rreth 11 hidrocentrale, ndërsa në Rajon rreth 38./KultPlus.com

“Fieri 2018” bashkon 100 botues nga trevat shqiptare

Rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi po marrin pjesë edicionin e 5-të të panairit kombëtar të librit “Fieri 2018”, që u hap dje në sheshin qendror të qytetit të Fierit.

Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm personalitete të letrave nga bota akademike, shkrimtarë, studiues, qytetarë, nxënës, etj. Në panairin “Fieri 2018” janë prezantuar 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1500 janë të rinj.

Gjatë ditës të panairit do të organizohen konferencat shkencore si: “Figura e Skënderbeut në letërsinë shqipe e të huaj”,“Jorgo Bulo, ‘magjistari’ i fjalës së mençur”, me rastin e 79-vjetorit të lindjes,
“Universalja në veprën e Petro Markos”, “Shkrimtaret në letërsinë shqipe”, Tryezë e rrumbullakët: “Data dhe personalitete” – kolazh me krijime të autorëve shqiptarë e të huaj, që kanë përvjetorë lindj.esh dhe vdekjesh

Po ashtu do të promovohen një numër i madh librash si; “Shkrimtar i majave letrare-Mbi prozën e Zija Çelës”, “Njëfarë Z. Piekielny” (“Un certain M. Piekielny”) të Francois-Henri Désérable. Përkthyes: Urim Nerguti, “Urtia e fjalës” të akademik Ali Aliut, “Zjarr dhe tërbim” Jenny Han, “Gusht 1914” të autorit rus, Aleksandër Sollzhenjicin, “Anatomia e një krize financiare 2008-2018’ të autorit Adrian Civici, “Ditari i maces”, Shkëlzen Zalli, “Arti i bisedimeve”, të autorit Jakup Krasniqi, “Këngë të Solomonit”, të autorit Sadik Bejko, etj.

Pjesë e aktiviteteve të ditës së sotme të panairit është edhe takimi me studiuesin dhe shkrimtarin Nasho Jorgaqi.

Panairi i librit do të qëndrojë i hapur deri më 13 maj. Dita e fundit do të kurorëzojë me çmim 4 autorët më të mirë të vitit në një ceremoni organizuar për këtë rast.

Orë e pikturuar

Poezia ‘Orë e pikturuar’, nga poeti spanjoll, Pedro Salinas. Përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti.

Dy e njëzetëepesë.

Po. Por jo këtu, jo.
Në cilën ditë do të jetë kjo dy e njëzetëepesë e veçantë,
në cilën botë do të jetë dy e njëzetëepesë, në cilin vit?
Ajo orë është duke ecur për bukuri,
e çuditshme, e lirë,
duke fluturuar përgjatë harresës së kohës.
Qartësisht, ajo ishte një orë ku nuk ka ndodhur asgjë:
Gjashtëdhjetë minutat e saj ishin gjashtëdhjetë minuta puthje të gjata,
të ngadalëta, të pafajshme
mbi faqet e buta të një pasdite shtatori, nuk e di se ku.
Deri sa ndaloi, deri sa koha ndaloi dhe arriti aty ku është tani:
shpirti i një ore të zgjedhur
– përse?
– e shpëtuar midis të gjitha orëve mbi atë orë të pikturuar,
atë fytyrë fallco, ate matëse të së përjetshmes. /KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Kur u takova me katër kosovarë

Tiranë, e Djelë 9 Janar 1972:

U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”.

Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.

Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.

Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik./KultPlus.com

Përfaqësuesi i Malit të Zi në Eurovizion: Shqipëria është favoriti im, me zemër po e them

Vanja Radovanovic, përfaqësuesi i Malit të Zi në Eurovizion ka thënë se ka dhënë gjithcka nga vetja për ta përfaqësuar sa më mirë vendin e tij në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Mirëpo, edhe pse ai nuk ia ka dalë të jetë pjesë e finales, ai ka treguar për favoritin e kësaj mbrëmje të madhe.

“Favoriti i imi është Shqipëria, shumë kisha dëshiruar që Shqipëria ta fitonte këtë garë, prej zemrës po e them, me ta jam” ka thënë ai, duke iu referuar performancës së Eugent Bushpepës./KultPlus.com

Eurovizioni shfaqi flamurin e Kosovës pas performancës së Serbisë, serbët reagojnë në rrjete sociale (FOTO/VIDEO)

Mbrëmë është mbajtur gjysëmfinalja e dytë e Eurovisionit. Në garë kanë qenë 18 shtete, në mesin e tyre edhe përfaqesuesë nga Serbia, Sanja Ilić dhe Balkanika.

Në momentin e përfundimit të këngës së tyre, kamera është fokusuar tek publiku në sallë siç ndodh zakonisht pas përfundimit të çdo kënge.

Por në rastin e Serbisë, në vend të flamurit serb, fansat e Eurovisionit, kanë shfaqur flamurin e Kosovës, shkruan Magazina.al
https://www.dailymotion.com/video/x6jaips
Kjo menjëherë ka ngjallur reagime të serbëve në rrjetet sociale, ku e kanë cilësuar këtë si provokim nga ana e Eurovisionit, pasi sipas tyre shfaqja e flamurit të Kosovës pas përformancës serbe ishte e çëllimshme.