16-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës u shënua për herë të parë në Poloni, përkatësisht në Varshavë, shënim që u bë nga Misioni i parë i Republikës së Kosovës në Poloni, përkatësisht nga ambasadori Drilon Gashi, shkruan KultPlus.
Kjo festë është shënuar me pianisten e njohur Lule Elezi e cila në këtë ceremoni është prezantuar me vepra shqiptare por edhe veprat e njohura nga kompozitori polak Frédéric Chopin.
Për këtë shënim ka njoftuar edhe pianistja Lule Elezi e cila nëpërmjet një postimi ka ndarë edhe momente nga ceremonia e 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Poloni./ KultPlus.com
Me emrin artistik Kim, djali nga Kosova ka mahnitë me zërin e tij jurinë e sivjetshme të American Idol, i cili përpos me zërin ata i mahniti edhe me rrëfimin e tij, përcjell KultPlus.
Kim ka treguar se American Idol e përcjellë qysh prej se ka siguruar kompjuterin e tij të parë, dhe se talentin për muzikë e ka të trashëguar nga nëna e tij.
Tash e gjashtë vjet jeton në Amerikë, duke ndjekë ëndrrën e tij se një ditë do të jetë në American Idol. Dhe pikërisht ky emocion dhe ky rrëfim ka bërë që juria e American Idol ta shtyjë djalin nga Kosova që ta thërras nënën e tij drejtpërdrejtë nga skena e American Idol, të cilën nuk e ka parë tash e gjashtë vjet. Përpos që ka përshëndetë nënën e tij, ai ia ka kënduar edhe këngën e famshme “Oj Kosovë, oj nëna ime’, i cili ishte i mbushur në lot.
Kim ka kaluar fazën e parë të American Idol, duke u vlerësuar si një talent i madh i muzikës./ KultPlus.com
Pafika e Gocës së Kaçanikut nuk e ka komoditetin e artisteve të operave të shteteve të zhvilluara, të cilat shijojnë edhe shumë repriza të një shfaqje operistike dhe kalojnë prej njërës në tjetrën shfaqje. Pafika jonë hoqi gërshetat menjëherë pas reprizës së dytë të shfaqjes “Goca e Kaçanikut”, ‘armët’ e shfaqjes dhe u nis për në Pejë, për të vazhduar rutinën e mëhershme, për të mbajte mësim me studentët e muzikës. Sepse, një soprano në Kosovë nuk është vetëm një soprano, për faktin se nuk mund të mbijetojë si e tillë. Një soprano në Kosovë mund të jetë një soprano, mund të jetë edhe një profesoreshë, mund të jetë pjesë e korit shtetëror, mund të jetë pjesë edhe e një projekti tjetër të jashtëm, por asesi nuk mund të jetë vetëm një soprano që mund ta shijojë magjinë e një shfaqjeje edhe për një kohë, edhe përkundër sakrificës e mundit të madh, që në fund audienca me shumë dashuri t’ia shtojë epitetin e dashur “Pafika jonë”.
Pafika jonë nuk i ka mbajt provat në sallën ku edhe është dhënë premiera, sepse Pafikës sonë ende nuk i është ndërtuar shtëpia e saj. Pafikës sonë dhe krejt trupës përcjellëse të shfaqjes “Goca e Kaçanikut” i është dashur të ushtrojnë në Sallën e Kuqe të Prishtinës, e më pas të barten për premierë dhe reprizën e parë në një sallë private, ku vetëm me provën gjenerale, shpejt e shpejt u është dashur të përshtaten me formatin e skenës së re.
Pafika jonë nuk ka pas një dhomë personale në prapaskenë, edhe përkundër peshës së madhe si artistja kryesore e shfaqjes, po prapa perdeve me gjithë trupën e shfaqjes, ata disi struken në qoshe të prapaskenës, e brenda pak minutave duhet të shndërrohen në shkëlqim të saj.
Kjo është Pafika jonë, që shpërfaqë në të njëjtën kohë edhe suksesin edhe sakrificën, edhe buzëqeshjen edhe trishtimin, edhe shkëlqimin në skenë edhe vuajtjet prapa skenës, por e lumtur, shumë e lumtur, për faktin se pikërisht asaj i është besuar ky rol historik për Operën e Kosovës, e cila vazhdimisht do të kujtohet si sopranoja që hapi perdet për këtë institucion me një shfaqje operistike kombëtare, institucion që mëton që në vitet në vijim ta ketë shtëpinë e saj operistike.
E lodhur nga rruga, pas kthimit prej Pejës ku kishte mbajt mësim me studentët e saj, sopranoja Adelina Paloja përderisa fliste me mua, më thoshte se ende po e ka ndjesinë e gërshetave, e besa edhe shumë shpesh po prek brezin e saj, në kërkim të armëve (rekuizita të shfaqjes) .
“Më mungon Pafika”, thotë duke qesh Adelina Paloja, e cila nuk e fsheh kënaqësinë e suksesit të dy mbrëmjeve kur edhe e shfaqën shfaqjen “Goca e Kaçanikut”, shfaqje kjo me muzikë të Rauf Dhomit, regji të Nikolin Gurakuqit, libret të Jusuf Buxhovit e Ajmone Dhomit.
Adelina Paloja nuk ishte fare në këtë botë kur kompozitori Rauf Dhomi para 53 viteve e kishte rrumbullakuar këtë shfaqje operistike, por as kur para 45 viteve ishte shfaqë për herë të parë në Tiranë. Dhe se një rol i tillë do ti besohej pikërisht vajzës nga qyteti me ajrin më të ndotur të Kosovës, Obiliqit, por që po ky qytet çuditërisht ka nxjerr një artiste me zë kaq të kristaltë. Dhe se do ti shkonte roli i Pafikës, jo të gjithë e kishin perceptuar, vetëm për një fakt, se disa menduan se Adelina Paloja ka një fytyrë shumë të butë për karakterin e Pafikës, sepse Pafika në këtë shfaqje paraqitet si një vajzë lozonjare e deri te heroina, dhe kësaj të fundit i druheshin. Por Adelina Paloja përgjatë intervistës kujtoi fjalët e kompozitorit e regjisorit të shfaqjes: Edhe kompozitori Rauf Dhomi, edhe regjisori Nikolin Gurakuqi, të dy të nesërmen më thanë ‘Kjo është Pafika jonë’.
Po jo vetëm shtëpia operistike u mungon këtyre artistëve. Edhe shkollimi i tyre, literatura lë shumë për të dëshiruar. Adelina Paloja tregon për KultPlus se për herë të parë për shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut” kishte dëgjuar përgjatë shkollimit, por vetëm si literaturë, nuk kishin pas rast si studentë që të dëgjonin ndonjë notë nga kjo shfaqje operistike.
“Në momentin kur është vendosë që të punohet për këtë shfaqje, atëherë edhe është filluar të punohet në përpunimin e shfaqjes, sepse ishte një botim i vjetër dhe mezi shiheshin notat”, ka thënë Plaoja.
Ajo vazhdon ta konsiderojë rolin e Pafikës si rol të një shfaqje historike për Kosovën, dhe se ndihet me fat që pikërisht ky rol i është besuar asaj. “Ndonjëherë e ke përshtypjen që karriera e juaj nuk përcillet sa duhet nga të tjerët, sidomos nga profesionistët. Po pikërisht rrugëtimi i artistit nëpër shfaqje të tilla, si brenda dhe jashtë vendit, rrumbullakojnë mozaikun e suksesit dhe të ofrohen edhe role të tilla. Mendoj se mu për këtë arsye mu ofrua roli kryesor i kësaj shfaqje, sepse kanë parë performancat e mia të shumta”, ka thënë Paloja, e cila e vetëdijshme për peshën e shfaqjes, tregon për hezitimet që kishte në fillim, por dëshira dhe dashuria për këtë shfaqje, sipas saj kanë triumfuar në pranimin e rolit, dhe që sipas Palojës mbetet vendimi më i mirë që ka marr në karrierën e saj artistike.
“Ne si artistë kemi pas mundësi që të performojmë me vepra botërore, por asnjëherë më nuk do të përsëritet shfaqja e parë operistike kombëtare e Kosovës. Kjo shfaqje për jetë do të mbetet në histori, dhe për mua nuk do të kishte një moment më briliant. Rolit të Pafikës ia dhash hakun, e po besoj që edhe muzikës operistike kosovare”, ka thënë Paloja.
Sopranoja Paloja është e lumtur për këtë prurje operistike, shfaqje kjo që ka përfshirë solistë të rinj e energji të re.
“Po uroj që Opera e Kosovës të shihet me shumë prioritet, në mënyrë që solistët të angazhohen sa më shumë. Edhe pse arritëm ta realizonim këtë shfaqje, për shkak të kostove të larta që ka një shfaqje, ne e mbyllëm këtë sezon me vetëm dy repriza, në mënyrë që të kthehemi prapë edhe me disa repriza në vjeshtë. E uroj që këto repriza të jenë më të shpeshta, me qëllim që tu jepet shansë të rinjve”, ka thënë Paloja, e cila ka shpjeguar se kjo shfaqje operistike, si e para kombëtare për Operën e Kosovës do të shfaqet edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, me qëllim që të prezantohet trupa e Operës së Kosovës edhe përtej Kosovës.
Paloja, e cila qysh e vogël është marr me muzikë, një vajzë që e para në familjen e saj ka qarë rrugën e karrierës artistike, pa pas atë bagazhin e privilegjeve familjare, tashmë është prezantuar edhe në skena të ndryshme të Evropës, e përgjatë këtij viti ka projekte edhe në Austri e Itali. Ajo vazhdon të punojë brenda Kosovës e herë pas herë të lëvizë edhe jashtë shtetit, por asnjëherë se ka parë si opsion që karrierën ta realizojë vetëm jashtë Kosovës.
“Nuk është zgjidhje që secili të synojë për të performuar vetëm jashtë vendit. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendet e jashtme ka shumë shtëpi operistike e shumë produksione, që shumë më lehtë se këtu mund të marrim edhe oferta. Por unë nuk e shoh atë zgjidhje, unë po besoj që institucionet e tona dita ditës po forcohen, dhe me patjetër bashkërisht duhet ti rrisim edhe profesionalisht. Unë do të vazhdoj të kem performanca jashtë vendit, por vetëm me lëvizje, asesi të shkëputem prej Kosovës”, ka thënë Paloja.
Duke kujtuar sfidat e shumta nëpër vite, qysh prej moshës së vogël ku i është dashur ti ndërrojë dy autobus për të ndjekur shkollën e muzikës, e deri të mosha e rritur, ku sipas saj shpesh herë i është bërë e padrejtë, ajo thotë se vetëm këmbëngulja të sjell role të mëdha, sikurse rolin e Pafikës, pasi që, sipas saj padrejtësitë e shumta përgjatë rrugëtimit, sidomos në fushën e artit, pothuajse janë shumë të shpeshta.
Duke bart mbi supe rolin kryesor që shënjon rrugëtimin e Operës Kombëtare të Kosovës, ajo tashmë ëndërron diçka tjetër. Skenat e mëdha prestigjioze sikurse “La skala” apo skena të ngjashme të mëdha, por sipas saj, jo me sforcim, se kërkesat e sforcuara sipas saj asnjëherë nuk e reflektojnë magjinë e skenës, por do të punojë shumë deri në një ngjitje të tillë skenike.
“Sikurse deri më tash që kam punuar pa sforcime, punë e angazhim që më solli rolin më të dashur që do ta ëndërronte çdo artiste, sepse si grua, unë me këtë rol përfaqësova heroinën tonë Pafikën, duke personifikuar shumë vajza e gra heroina shqiptare, e sukses më të madh nuk di që mund të ëndërrojë një artiste, sidomos kur kemi të bëjmë me sukës kombëtar. Pafika më ka plotësuar rrugëtimin në karrierën time artistike, dhe si të tillë do ta ruaj me shumë xhelozi”, ka thënë Paloja, e cila këtë sukses, thellë thellë ia dedikon prindërve e bashkëshortit të saj, që sipas Palojës, vetëm artistët e kuptojnë më së miri sakrificën e familjes, të cilët ndihmojnë aq shumë për një grimcë shkëlqimi skenik./ KultPlus.com
Vlera Kastrati ditëve të fundit ka prezantuar videoklipin e këngës “Loti”, këngë që shpërfaqë dhimbjen e popullit shqiptar që ka kaluar përgjatë luftës.
Kjo këngë, është kënga e tretë e realizuar me videoklip nga tetë këngët e shkruara e të komponuara nga Vlera Kastrati, e të inçizuara në Romë nga Amedeo Tommasi, pianist dhe aranzhues.
“Kjo pikë loti të cilës unë i këndoj, dua të prek çdo dhimbje që ka mbetur në mendjet e zemrat tona. Dhe janë ende aty, të paprekura e të shtypura diku thellë brenda vetes sonë. Ky lot qan për ne. I shpërfaq ndjenjat tona me çiltërsinë e një fëmije. Kjo pikë loti na kërkon t’i shohim e shërojmë dhimbjet. Për mua, mbi të gjitha kjo këngë është një lutje – mos pafshim më kurrë luftë”, ka thënë Kastrati lidhur me mesazhin e kësaj kënge. / KultPlus.com
Hagji Gjoni do të prezantohet me ekspozitë personale “Beteja”, ekspozitë që do të prezantohet më 6 mars në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Me këtë ekspozitë, Hagji Xhoni do të shpërfaqë punën e tij ne skulpturë, që simbolikisht, secili punim, në thelb ka tregimin për të rënët. Figurat janë të sendërtuara në frymën e një teatri simbolik, përmes së cilave evokon ide mbi imazhet e hapësirave të thurura me tela gjembor që diktojnë dhunë në zhvillimin e trungut të lules dhe të shpërndarjes së aromës së dashurisë në përmasa ndërnjerëzore.
Në rastin konkret, “figurat e kuajve”, paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda apo formulë e shtigjeve garuese, apo deshifrim i të fortëve.
Ndërsa, përmes figurës së “qiririt” parainskenon kufinjtë e dhembjes dhe të përlotjes, ndërsa, ”thesi me grurë” përkon me provebrin ”Çka mbjellë korrë” – metafor për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë ndërsa njeriu do të ngelej me thes në shpinë si hamalli i Muslim Mulliqit duke projektuar shtegëdaljet për vete.
Hagji Gjoni, është skulptor i veçuar tashmë. Simbolikën e luftës e ka të sendërtuar në detaje mikroskopike, rrënjët dhe petalet e lules i integron brenda kurthit të robërisë, i ka të lidhura me zingjirët e tankseve, në interpretime tjera ato duken dhe si tespi, të karakterit biblik – simbolik parasegjithash.
Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të bëhet më 6 mars, në ora 19:00. Kjo ekspozitë është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte kurse kuratore e ekspozitës është Ardianë Pajaziti./ KultPlus.com
Sibel Halimi, drejtoresha e sapo emëruar në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka filluar pritjet dhe vizitat nëpër institucione, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe problemet që mund të ballafaqohet sektori i kulturës në kryeqytet, shkruan KultPlus.
Një pritje të tillë ka bërë për një pjesë të redaksisë së gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, ku ka pritë drejtoreshën e këtij mediumi Ardianë Pajaziti, redaktoren përgjegjëse Jeta Zymberi dhe përgjegjësen për marrëdhënie me publikun, Liridona Spahiu.
Sibel Halimi në këtë takim ka thënë se KultPlus është një medium tepër i rëndësishëm për promovimin e kulturës, dhe se një bashkëpunim i tillë me redaksinë e KultPlus është më se i domosdoshëm.
Ajo ka treguar gatishmërinë e saj për mbështetjen e zhvillimeve kulturore në cdo segment, dhe se me këtë dinamikë do të vazhdojë deri në fund të kryerjes së mandatit.
Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se sikurse edhe në vitet e mëparshme, KultPlus do të jetë i hapur për të gjitha ngjarjet kulturore, duke përfshirë edhe ato që organizohen nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Ylli shqiptaro-britanik, Dua Lipa ka emocionuar me një rrëfim të bërë së fundmi në emisionin e famshëm britanik “The Graham Norton Show”, ku ka folur për sakrificat e emigracionit që në moshë të vogël me familjen e saj.
E lindur fillimisht në Londër nga prindër shqiptarë që ikën nga konflikti dhe paqëndrueshmëria politike në Ballkan, Dua u largua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2008 kur familja e saj u zhvendos në Prishtinë për të jetuar, pasi Kosova shpalli pavarësine.
Megjithatë, pas disa vitesh, Dua vendosi të kthehej në Britaninë e Madhe në moshën 15-vjeçare për të ndjekur ëndrrat e saj për t’u bërë një yll i muzikës pop, shkruan DailyMail.
Ajo shpjegoi: “U ktheva në Londër nga Kosova vetëm kur isha 15 vjeçe sepse kishte më shumë mundësi në muzikë në Londër. Ishte një kohë e mirë”.
E pyetur se si ndihej duke bërë një lëvizje kaq të madhe në një moshë kaq të re, interpretuesja e hitit “Levitating” zbuloi se pavarësisht mungesës së tyre fizike ajo ndihej jashtëzakonisht e mbështetur nga familja e saj.
“Jam shumë pranë prindërve të mi, të cilët më besuan shumë, ndaj isha sa më mirë. Familja ime më mbështet në të gjitha çmenduritë”, ka treguar Dua.
Dua u kthye në Britaninë e Madhe në vitin 2014, pasi besonte se duhej të shpërngulej nëse donte të depërtonte në tregun ndërkombëtar të muzikës.
Shtëpia botuese “DRITA” rikthehet me ngjarjen kulturore të përvjetshme, të prezantimit të botimeve të saja gjatë një viti.
Sivjet, prezantimi i botimeve të vitit 2023 do të mbahet të enjten, më 22 shkurt 2024, në orën 19:00, në bibliotekën “Ernest Koliqi”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Do të prezantohen tetë libra nga katër seritë e botimeve: letërsi, monografi, teologji, përshpirtëri. Prezantimi i këtyre botimeve do të shoqërohet edhe me disa pika muzikore në violinë, piano e kitarë.
Pas promovimit do të ketë një koktej në “Agora” të Qendrës “BogdaniPolis”./ KultPlus.com
Ëmbla Aliu e cila deri tash është treguar më shumë si balerinë, së fundi ka debutuar edhe në muzikë duke u prezantuar me këngën “Ëmbla- Ëmbla”, projekt ky që vjen i realizuar nga “Beko& Friends”, shkruan KultPlus.
Tekstin dhe muzikën e kësaj kënge e ka realizuar Bekim Këpuska, kurse ky projekt është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
KultPlus ju sjell videoklipin e Ëmblës./ KultPlus.com
Gazetarja dhe artistja ukrainase Liudmyla Makei e mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ka mbajte punëtorinë artistike për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, të cilët, në shenjë të 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë realizuar një pikturë të përbashkët, shkruan KultPlus.
Me dominim të ngjyrës së kaltër, shumë fëmijë të dy shteteve kanë shfaqë talentin e tyre përgjatë kësaj punëtorie, të cilët në në një pëlhurë të përbashkët kanë shkrirë imagjinatën e tyre me ndihmë të Liudmyla Makei por edhe të artistes nga Kosova, Bija Jasiqi.
Kjo pikturë do të qëndrojë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery si shenjë e mbështetjes të grupit të gazetarëve ukrainas që i bën tash e sa kohë kjo galeri.
“Jam e lumtur që po jap këtë kontribut për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, iniciativë kjo që do të ishte e pamundur pa mbështetjen e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e KultPlus, e cila na mbështeti këtë projekt”, ka thënë për KultPlus, Liudmyla Makei, e cila këtë punëtori e caktoi me qëllim në ditën e shtetësisë së Kosovës, që të jetë një shenjë mirënjohje për dashurinë që kanë marrë dhe po vazhdojnë ta marrin në këtë vend./ KultPlus.com
Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.
Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:
Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com
Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës edhe këtë vit po festohet në mes ngjarjeve dhe organizimeve të ndryshme. Por një event krejtësisht i veçantë sot do të organizohet nga gazeta online KultPlus me gazetaren e parë ukrainase të strehuar në Kosovë dhe njëherit artisten, Liudmyla Makei e cila do të mbajë një punëtori për artin e pikturës me fëmijët.
Fëmijët së bashku me të pranishmit do të marrin pjesë në këtë përvojë kreative, duke eksploruar botën e mahnitshme të vizatimit dhe duke punuar për të krijuar një projekt të përbashkët që përfaqëson bashkëpunimin midis kulturave ukrainase dhe kosovare.
Ky aktivitet do të zhvillohet sot duke filluar në ora 12:00, në ambientet KultPlus Caffe Gallery.
Organizatorët ftojnë të gjithë fëmijët që të festojnë festën e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë kreative dhe të veçantë. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka pranuar telegram urimi nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III.
Në letrën e tij, Mbreti Charles III ka thënë se vlerëson lidhjen në mes të shteteve tona, duke theksuar se shpreson se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e rëndësishme globale, nga të cilat do të përfitojnë brezi ynë i ardhshëm.
Në vijim, gjeni mesazhin e plotë të urimit nga Mbreti Charles III:
Me siguri e keni pyetur veten se përse përgjigjemi gjithnjë me “alo” kur flasim me dikë në telefon.Në fakt, kjo fjalë është përdorur për herë të parë nga Thomas Edison.
Me siguri e keni pyetur veten se përse përgjigjemi gjithnjë me “alo” kur flasim me dikë në telefon.Në fakt, kjo fjalë është përdorur për herë të parë nga Thomas Edison.
Por, sipas krijuesit të telefonit, Alexander Graham Bell është dashur që në thirrjet telefonike të përgjigjemi me “Ahoy!” e cila në thelb është një përshëndetje që është përdorur nga marinarët.
Kështu, fjala “Alo” e përdorur gabimisht nga Edison mbeti si një zakon për miliona njerëz.
Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore Rita Ora sapo ka lansuar këngën e saj më të re “Gryffin”, shkruan KultPlus.
Kjo këngë është lansuar edhe me videoklip dhe për projektin më të ri ka njoftuar vet Rita Ora e cila ka ndarë me ndjekësit edhe pamje nga ky projekt.
Rita Ora pak më herët lansoi një këngë tjetër e cila në vidoklipin e saj kishte futë pamje nga fëmijëria e saj, duke përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes.
KultPlus ju sjell videoklipin e kësaj kënge./ KultPlus.com
Akil Dashevci do të prezantohet sonte me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, i cili nëpërmjet kësaj ekspozite do të prezantojë shpirtin e tij artistik, shkruan KultPlus.
Dashevci me këtë ekspozitë po shënon ekspozitën e katërt personale, dhe në të njëjtën kohë ka marr pjesë edhe në ekspozita kolektive dhe në gara të artit pamor.
Akil Dashevci talentin e tij për ngjyrat dhe artin e ka zbuluar gjatë mbylljes në kohë të pandemisë, ngjyra që tashmë kanë shpërthyer përtej mureve të krijimtarisë dhe për tu prezantuar për publikun e gjerë.
Ekspozita e Akil Dashevcit do të hapet në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery dhe do të rri e hapur për dy javë.
KultPlus Caffe Gallery dhe Akil Dashevci ju ftojnë që të jeni pjesë e kësaj mbrëmje me ngjyra që do tu prezantohet një ditë para 16-të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com
Më 16 shkurt të vitit 1922, u emërtua monedha zyrtare shqiptare “Lekë”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thotë se sa i përket prejardhjes së emrit të monedhës shqiptare, ka diskutime të shumta.
Sipas hipotezës së studiuesve italianë në botimet e viteve ‘30 dhe ‘40, emërtesa derivon nga emri i krishterë i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Ndërkaq, ka të tjera hipoteza që diktojnë se emërtesa është vënë në nderim të Aleksandrit apo të Lekës së Madh. Sipas bisedimeve parlamentare në 1922, mes propozimeve kanë qënë “Skënder ose Shqipe”.
Deri në vitin 1947, kur u miratua dekretligji përkatës, kartëmonedhat “Frang” do të ishin paralelisht në qarkullim me njësinë monetare të Lekut.
Si në Venecia, qytetin e famshëm italian, kjo është ndjesia që të përcjellë vizita në punishten e prodhimit të maskave veneciane në Shkodër.
Për sipërmarrësin Edmond Angoni, maskat “Made in Albania” janë nga më të veçantat në të gjithë botën.
“Janë të veçanta sepse të gjitha janë punë dore, janë objekte që ti e vendos sot, por më pas mund ta mbash në shtëpi si aksesor. E trajtojmë jo thjeshtë si maskë, por si vepër arti. Mbulojmë kryesisht tregun Venecian ku kemi dhe njësitë tona të tregtimit të maskave, dyqanet, por jo vetëm këtu duke shkuar kudo në botë”, shprehet Angoni.
Krijimi i një maske të tillë kërkon kohën e vet.
“Për të pasur një maskë varet nga madhësia, tipologjia e saj pasi një maskë kalon të paktën në 10 deri 12 duar punë. Më e thjeshta do të paktën tri ditë ndërsa e komplikuara shkon deri në tri javë”, shton ai.
Kjo punishte përbën edhe një nga atraksionet turistike të qytetit.
Maskat e shumëllojshme janë të pranishme jo vetëm në Shkodër e Venecie, por në disa nga vendet më të rëndësishme të botës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2023.
Anton Nikë Berishës i është dhënë çmimi për vepër jetësore “Azem Shkreli”.
Kurse çmimi për prozë i është dhënë, Afrim Demirit, çmimi për poezi, Halil Matoshit, çmimi për kritikë/eseistikë u është dhënë Kujtim Shalës dhe Nysret Krasniqit, çmimi për përkthim Blertë Ismailit, kurse çmimi për krijimtari për fëmijë sivjet nuk është i dhënë askujt, ani pse ka pasur propozime për këtë çmim.
Juria e përzgjedhur nga MKRS-ja për çmimet e sivjetme, qenë në këtë përbërje: Bardh Rugova, kryetar; Naime Beqiraj, Alban Beqiri, Azem Deliu, Vlora Ademi, anëtarë.
Xhudistja kosovare, Nora Gjakova ka kaluar në çerekfinale të Grand Slamit që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.
Gjakova në raundin e dytë e mposhti nikoqieren Aclya Toprak në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare do të ballafaqohet me serben Marica Perishiq.
Përndryshe, Gjakova e nisi mirë garën duke triumfuar në raundin e parë, duke mposhtur garuesen nga Gjeorgjia, Nino Laldzen. /Klankosova.tv./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16 vjetorin e pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R.Biden Jr.
Me këtë rast, Presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
Në vijim, gjeni letrën e plotë të urimit, të dërguar nga Presidenti Biden:
Parlamenti i Greqisë miratoi të enjten një projekt-ligj që lejon martesat civile të të njëjtit seks, një fitore historike për mbështetësit e të drejtave të LGBT që u prit me brohoritje nga shikuesit në parlament dhe dhjetëra të mbledhur në rrugët e Athinës.
Ligji u jep çifteve të të njëjtit seks të drejtën për t’u martuar dhe birësuar fëmijë dhe vjen pas dekadash fushate nga komuniteti LGBT për barazinë martesore në vendin socialist-konservator.
Greqia është një nga vendet e para të krishtera ortodokse që lejon martesa të tilla.
Ky është një moment historik,” tha për Reuters Stella Belia, drejtoresha e grupit të prindërve të të njëjtit seks Rainbow Families. “Kjo është një ditë gëzimi”.
Projektligji u miratua nga 176 ligjvënës në parlamentin me 300 vende dhe do të bëhet ligj kur të botohet në fletoren zyrtare të qeverisë.
Megjithëse anëtarët e partisë së qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re abstenuan dhe votuan kundër projektligjit, ai fitoi mjaft mbështetje nga opozita e majtë në një shfaqje të rrallë uniteti ndërpartiak, pavarësisht një debati të tensionuar.
“Është një hap shumë i rëndësishëm për të drejtat e njeriut, një hap shumë i rëndësishëm për barazinë dhe një hap shumë i rëndësishëm për shoqërinë greke,” tha 40-vjeçari Nikos Nikolaidis, një historian.
Sondazhet e fundit tregojnë se grekët janë të ndarë për këtë çështje. Kisha e fuqishme Ortodokse, e cila beson se homoseksualiteti është një mëkat, ka kundërshtuar me forcë martesën e të njëjtit seks, ndërsa shumë në komunitetin LGBT besojnë se ligji nuk shkon aq larg sa duhet.
Ai nuk i anulon pengesat për çiftet LGBT në përdorimin e metodave të riprodhimit të asistuar. Shtatzënitë surrogate gjithashtu nuk do të shtrihen tek individët LGBT, megjithëse projektligji njeh fëmijët e lindur tashmë përmes kësaj metode jashtë vendit./ KultPlus.com
Artistët finlandezë dhe islandezë ishin ata që bën thirrje që Izraelit tu ndalohet pjesëmarrja në Eurovizion Song Contest 2024 për shkak të luftës në Gaza, por Unioni Evropian e Transmtuesve përsëriti qëndrimin se Izraelit do ti lejohet pjesëmarrja në Malmo.
Në një deklaratë, drejtori i përgjithshëm i EBU, Noel Curran tha se Eurovision Song Contest është një ngjarje muzikore jopolitike dhe një garë ndërmjet transmetuesve të shërbimit publik që janë anëtarë të EBU. “Nuk është një garë mes qeverive”, ka thënë ai.
“Organet tona drejtuese rishikuan listën e pjesëmarrësve për konkursin e 2024 dhe ranë dakord që transmetuesi publik izraelit përmbushi të gjitha rregullat e konkurrencës për këtë vit dhe mund të marrë pjesë, siç ka bërë për 50 vitet e fundit” është thënë me këtë rast.
Eden Golen do të përfaqësojë Izraelin në Eurovizion./ KultPlus.com