Fëmijë shqiptarë e ukrainas realizuan pikturë të përbashkët në KultPlus Caffe Gallery, Makei: Falënderim për mikpritjen kosovare

Gazetarja dhe artistja ukrainase Liudmyla Makei e mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ka mbajte punëtorinë artistike për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, të cilët, në shenjë të 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë realizuar një pikturë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Me dominim të ngjyrës së kaltër, shumë fëmijë të dy shteteve kanë shfaqë talentin e tyre përgjatë kësaj punëtorie, të cilët në në një pëlhurë të përbashkët kanë shkrirë imagjinatën e tyre me ndihmë të Liudmyla Makei por edhe të artistes nga Kosova, Bija Jasiqi.

Kjo pikturë do të qëndrojë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery si shenjë e mbështetjes të grupit të gazetarëve ukrainas që i bën tash e sa kohë kjo galeri.

“Jam e lumtur që po jap këtë kontribut për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, iniciativë kjo që do të ishte e pamundur pa mbështetjen  e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e KultPlus, e cila na mbështeti këtë projekt”, ka thënë për KultPlus, Liudmyla Makei, e cila këtë punëtori e caktoi me qëllim në ditën e shtetësisë së Kosovës, që të jetë një shenjë mirënjohje për dashurinë që kanë marrë dhe po vazhdojnë ta marrin në këtë vend./ KultPlus.com  

Sot në KultPlus Caffe Gallery, punëtori për fëmijë me artisten ukrainase Liudmyla Makei

Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës edhe këtë vit po festohet në mes ngjarjeve dhe organizimeve të ndryshme. Por një event krejtësisht i veçantë sot do të organizohet nga gazeta online KultPlus me gazetaren e parë ukrainase të strehuar në Kosovë dhe njëherit artisten, Liudmyla Makei e cila do të mbajë një punëtori për artin e pikturës me fëmijët.

Fëmijët së bashku me të pranishmit do të marrin pjesë në këtë përvojë kreative, duke eksploruar botën e mahnitshme të vizatimit dhe duke punuar për të krijuar një projekt të përbashkët që përfaqëson bashkëpunimin midis kulturave ukrainase dhe kosovare.

Ky aktivitet do të zhvillohet sot duke filluar në ora 12:00, në ambientet KultPlus Caffe Gallery.

Organizatorët ftojnë të gjithë fëmijët që të festojnë festën e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë kreative dhe të veçantë. / KultPlus.com