Zvicra me tre shqiptarë në Botëror

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin e ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për Kupën e Botës.

Në mesin e 26 futbollistëve të ftuar i shohim edhe emrat e tre shqiptarëve: të zakonshmit Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka dhe Ardon Jashari, ndërsa s’kishte vend për Andi Zeqirin, shkruan gazeta experess.

Helvetikët gjenden në grupin G të Botërorit së bashku me Brazilin, Kamerunin dhe Serbinë.

Xhaka me shokë do ta nisin eksperiencën në “Katar 2022” me ndeshjen ndaj Kamerunit, më 24 nëntor, kurse duelin special me Serbinë do ta zhvillojnë më 2 dhjetor, e paraprakisht me Brazilin, më 28 nëntor./ KultPlus.com

Çelësi i Prishtinës në duar të arkitektit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se i ka dhuruar çelësin e Prishtinës, Andrija Mutnjakoviq, arkitektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Rama theksoi se pikërisht Bibloteka Kombëtare është shkaku që ka zgjedhur të jetë arkitekt.

“Kënaqësi shumë e veçantë t’i dhurojmë çelësin e Prishtinës Andrija Mutnjaković, arkitektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, si një simbol i mirënjohjes dhe vlerësimit nga unë dhe qytetarët e Prishtinës për kontributin e jashtëzakonshëm në krijimin e një veçantie dhe ekspresiviteti të guximshëm të qytetit tone”, ka shkruar Rama.

“Pikërisht godina e Bibliotekës, e cila na jep një ndjenjë krenarie, identiteti dhe nderi, është arsyeja pse zgjodha të bëhesha arkitekt”./ KultPlus.com

Pastronte vullnetarisht mjedisin, shqiptari vlerësohet me çmimin e rëndësishëm në Itali

Saimir Dashi, i cili jeton prej vitesh në Livorno është vlerësuar me çmimin “Oscar” në Itali për kontributin që ka dhënë në mjedis. Ideja për të pastruar qytetin e Livornos lindi në një kohë kur kishte mbetur pa punë. Kështu, ai ndërrmerr nismën e bukur sociale dhe ekologjike duke pastruar vullnetarisht detin.

Në pak javë, ai largon shumë mbetje që kanë përfunduar në det. Në pak javë, Saimiri, i njohur dhe si “Pastruesi vullnetar i detit” tërhoqi vëmendjen e autoriteteve vendase, të cilët e vlerësuan me çmimin “Oscar” për vullnetarizëm. Ai madje ka shpikur dhe një pajisje për të mbledhur bishtat e cigareve.

Në një intervistë që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai tha se për këtë nuk kanë vlerë çmimet por mesazhi që iu përcjell njerëzve për të mbrojtur mjedisin. “Kjo ka ndodhur kur qëndrova pa punë për një kohë dhe lindi ambicia për ambientin dhe fillova dhe jam këtu ku jam sot, merrem me pastrimet.“, tha ai.
“Unë do të mundohem në pjesën time, për sa kam mundësi, që të jap një lloj mësimi, të transmetoj se për çfarë bëhet kjo.”, tha ai.

‘The Times’ zbulon arsyen pse nuk u transmetua dokumentari për Mbretin Charles III

BBC ka treguar arsyen se përse një dokumentar që ishte planifikuar të shfaqej në ditën e tretë pas vdekjen së mbretëreshës Elizabeth II, nuk u publikua kurrë.

The Times raporton se kjo ka ndodhur nga frika e kanalit mediatik për të mos treguar mungesë respekti pas ndarjes nga jeta të monarkes.

Dokumentari i titulluar “Born to be the King- i lindur për të qenë mbret” ishte planifikuar të tregonte marrjen e pushtetit nga mbreti i ri Charles III, dhe përmbante intervista me Charles, kryeministra, sekretarë kabineti dhe figura të shquara.

Koha se kur do të transmetohej ishte parashikuar shumë më parë, por se mëngjesin e ditës së tretë pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës, drejtuesit e BBC-së vendosën të mos ta shfaqin.

Dokumentari, ishte porositur nga BBC që në vitin 2010, që atëherë është parë vetëm nga dhjetëra mijëra dhe jo nga një audiencë televizive që ndoshta do të kishte arritur në miliona shikues.

Zbulimi vjen disa javë pasi David Dimbleby tha se BBC refuzoi të trajtonte çështje të pikante në lidhje me familjen mbretërore dhe trajtonte me shumë delikatesë çdo çështje që kishte të bënte me monarkinë.

Ai tha se BBC mendonte se shfaqja e fuqisë së monarkisë do ta bënte më të pëlqyeshëm në sytë e shikuesve.

John Bridcut, autori i dokumentarit, ka bërë një numër filmash për familjen mbretërore, duke përfshirë “Prince, Son and Heir: Charles at 70”, i cili u pa nga 6.5 milionë persona në BBC.

Ai tha se mendonte se vendimi i marrë nga BBC ishte një vendim i gabuar.

“Unë mendoj se ata kishin frikë se mos akuzoheshin se nuk i dhanë vdekjes së mbretëreshës kohë dhe respekt të mjaftueshëm. Ata nuk vlerësuan setrishtimi për vdekjen e Mbretëreshës do të shoqërohej me një ndjenjë mirëseardhjeje për Mbretin e ri. Të dyja shkojnë paralelisht, jo njëra që e zëvendëson tjetrën”, tha ai.

Në dokumentar, Lordi Wilson i Dinton-it, ish-sekretari i kabinetit, flet për marrjen e shumë letrave nga Charles mbi çështjet e politikës dhe thotë se si Mbret ai “do të jetë në gjendje të sigurohet që ai të kuptojë mirë pikpamje të ndryshme përpara se të formulojë politika .

Dokumentari përfshin gjithashtu një intervistë të 2018 me princin.

“Unë nuk jam aq budalla. Unë e kuptoj se është një detyrë më vete të qenit sovran”, thotë Charles./ KultPlus.com

Të rinjtë e Kosovës prezantuan artin e tyre në Sofje të Bullgarisë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ishte nikoqire dhe bashkë organizatore e ekspozitës me fotografi, pikturë e videoinstalacion e që ka për qëllim për përkrahjen e artistëve të rinj.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje me ambasadorin Delfin Pllana ka bashkëorganizuar këtë mbrëmje arti me Institutin Shtetëror të Kulturës të MPJ-së së Bullgarisë dhe Doma Art Foundation, në kuadër të Next Balkan Platform e cila ka për synim përkrahjen e artistëve të ri në Ballkanin Perëndimor, aktivitete këto që brenda një jave u prezantuan në tri hapësira prestigjioze të prezantimit të artit dhe kulturës.

Hapja e ekspozitës me piktura u bë më 27 tetor në Toplotsentrala Regional Art Center, ndërsa ajo me fotografi me videoinstalacion në Doza Gallery në Sofje, ndërsa më 2 nëntor para korit diplomatik edhe në Mission Galery të Institutit Shtetëror të Kulturës pranë MPJ-së së Bullgarisë.

Kuratore e ekspozitave dhe pjesës konceptuale ishte artistja Hana Halilaj, ndërsa me veprat e tyre u prezantuan: Yll Xhaferi, Laureta Hajrullahu, Arbnor Karaliti, Mimoza Sahiti, Leart Rama dhe Atdhe Behluli, të gjitha pjesëmarrës edhe në Manifesta 14. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 30 nëntor./ KultPlus.com

800 mijë vizita në 100 ditshin e Manifesta 14

Një konferencë përmbyllëse e Manifesta 14 në Prishtinë që u hap para 100 ditëve dhe brenda kësaj periudhe ka shënuar 800 mijë vizita vlerësoi se brenda kësaj periudhe, Prishtina u shndërrua në një qendër të madhe kulturore në Evropë, shkruan KultPlus.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, zëvendësministrja e MKRS-së Daulina Osmani dhe Hedwig Fijen që ishte në krye të kësaj bienale për gjatë gjithë kësaj kohe, në këtë konferencë kanë vlerësuar se kjo bienale ka ndikuar që Prishtina të jetë në mediet më prestigjioze në botë, duke shpërfaqë një dimension tjetër të Kosovës, e jo sikurse ka ndodhë shpesh që janë prezantuar shkrime për makiato e për periudhën e pasluftës.

Në këtë konferencë u bë me dije se këto 800 mijë vizita që janë bërë në hapësira të mbyllura e në intervenime publike është ofruar art bashkëkohor, duke vënë fokusin në atë se Manifesta është një përvojë kolektive, dhe si e tillë ka ofruar emocion për shumë vizitorë./ KultPlus.com

Krerët e shtetit në përkrahje të grave të prekura nga kanceri i gjirit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.

Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./ KultPlus.com

Publikohet “Pure” kënga më e re e Gjon’s Tears (VIDEO)

Këngëtari shqiptar “Gjon’s Tears që po shënon suksese të njëpasnjëshme sapo ka publikuar këngën e tij më të re, shkruan KultPlus.

“Pure” është kënga me e re e “Gjon’s Tears e cila tashmë është prezantuar në kanalin zyrtar të këngëtarit shqiptar.

Gon’s Tears kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovizion, i cili me vota të jurisë profesionale kishte renditë i pari. / KultPlus.com

Architech Festival me diskutim publik për hapësirat publike në Ulpianë  

Të hënën, Architech Festival Edicioni III do të prezantojë një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë, që do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, diskutim që do të nisë në 17:30, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se diskutimi publik do të bëhet me të rinjtë, banorët dhe komunën mbi temën ‘se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm’.

Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.

Në këtë diskutim publik ndër të tjera do të prezantohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, do të prezantohen para qytetarëve dhe komunës projektet propozimet mbi nevojat e qytetarëve të dala si rezultat i rekomandimeve.

Në anën tjetër do të flitet edhe për realizimin e dy nga projekteve brenda këtij viti dhe për projektet më afatgjata prej 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.

Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, drejtoresha e hapësirave publike Donika Çetta, Kosovare Sadiku, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “YARL” dhe Besarta Halimi nga OSBE.

Architech Festival Edicioni III fton të gjithë të interesuarit që të jenë pjesë e këtij diskutimi, duke shijuar bashkë prezantimin dhe kafenë e pasdites. / KultPlus.com

Presidentja Osmani shtron Darkën e Lamës në “Shtëpinë e të moshuarve” (VIDEO)

Tashmë e sa vite është traditë që në Kosovë të shtrohet Darka e Lamës, dhe këtë vit, presidentja Vjosa Osmani ka shtruar një darkë për të moshuarit që qëndrojnë në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell më poshtë statusin e plotë të presidentes Osmani sikurse edhe një video nga kjo darkë.

Darkën e Lamës, festën tonë tradicionale, të cilën e organizojmë në përfundim të të korrave, sivjet e shtruam për më të dashurit tanë, të moshuarit, të cilët qëndrojnë në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë, për t’ua shprehur mirënjohjen e respektin tonë të thellë për ta.

​Duke e shtruar sofrën e bukës me ta, ne treguam solidaritetin tonë për gjithë ata breza, të cilët i mblodhën bereqetet e kësaj toke, duke e mbajtur gjallë jetën tonë të përbashkët.

​Ata meritojnë më shumë se çdonjëri që t’ua shprehim mirënjohjen tonë./ KultPlus.com

Nesër ecja me moto “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”

Nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, nesër në ora 12:00 do të mbahet ecja me moto “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, ecje kjo që tashmë është bërë tradicionale për luftën e kancerit të gjirit, kampanjë që ka filluar qysh nga fillimi i muajit tetor.

Ecja do të nisë para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe është me organizim të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”./ KultPlus.com

Mbrëmje poetike me Arbër Selmanin

Të enjten mbrëma në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, shkrimtari, aktivisti i të drejtave të njeriut, fituesi i festivalit të poezisë “Tirana Gate” dhe bursës Sakharov, si dhe njëri nga gjashtë evropianët e vitit 2022 që po bëjnë diferencën, Arbër Selmani, do të sjell një natë të veçantë poetike, përcjell KultPlus.

Arbëri, shkrimet e të cilit janë përkthyer në gjuhën angleze, greke, gjermane, frënge, serbo-kroate dhe të tjera, dhe i cili ka të botuar katër libra me tregime dhe poezi, do të rrëfejë copëza të jetës së tij përmes poezisë dhe tregimeve personale, shoqëruar në kitarë nga Endrit Xërxa.

“Sonte, prej orës 19:00, ju pres për një natë poetike shumë intime. Kom vendosë që me u thellu në emocionet prej të cilave burojnë poezitë e mia. Disa histori të miat familjare e personale janë në poezitë e mia, për të cilat po du me folë ma haptazi, sepse janë aq sa intime, edhe universale. Shkrimi është vuajtje që bëhet ma pak e goditshme. Nëse doni me dëgju pak poezi në shqip e anglisht, rrëfime, kitarën e Endrit Xërxa, edhe me i shoqëru me një pije, ju pres te Europe House – Shtëpia e Evropës në kryeqytet (përballë Komunës së Vjetër dhe Zyres së BE-së)”, ka shkruar Selmani në rrjetet sociale.

Ngjarja fillon nga ora 19:00. / KultPlus.com

Vuçiq: E mbështes liberalizimin e vizave për Kosovën

“Nuk kam asgjë kundër që Prishtina të ketë një regjim pa viza”, kështu është shprehur sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, derisa refuzoi të tregojë saktë arsyen e këtij qëndrimi, shkruan Tanjug.

Vuçiqi e dha këtë koment sot para gazetarëve teksa po komentonte vizitën e kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen, e cila e vlerësoi Prishtinën për punën e saj të palodhur dhe përkushtimin ndaj reformave evropiane, se ajo nuk ka asgjë kundër Prishtina që të ketë një regjim pa viza.

“Sa i përket lavdërimit të Prishtinës, nuk kam asgjë kundër dhe jam shumë pro që t’u jepet një regjim pa viza dhe do ta mbështes gjithmonë dhe në çdo moment, siç kam bërë gjithmonë, për shumë arsye, e bëj, nuk dua të shpjegoj”, tha Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me lavdërimet e Von der Leyenit”, ka thënë Vuçiqi, përcjell Insajderi.

“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke dhënë mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën./ KultPlus.com

Një jetë me ditar në dorë

Agim Vinca

(Motrës, Halides, në vend të lamtumirës)

Dyzet e gjashtë vjet me ditar në dorë, nga mosha 19 vjeç kur e kreu Normalen, e deri kur doli në pension. Dyzet e gjashtë vjet, një jetë e tërë, pa munguar kurrë, as edhe një ditë të vetme, pos në rast sëmundjeje a vdekjeje në familje

Ishte privilegj ta regjistroje djalin a vajzën, nipin a mbesën, në klasën e mësueses Halide. Gara ishte e fuqishme. I doje nxënësit si fëmijët e tu dhe i trajtoje të gjithë njësoj: të varfër a të pasur, bij intelektualësh apo fëmijë fshatarësh, gjithsecilit ia jepje hakun që i takonte.

Ishe e para vajzë veleshtare që shkoi në Shkollën Normale në Shkup, në vitin e largët 1960. Normalja “Zef Lush Marku” ishte shkollë dhe konvikt, me profesorë e edukatorë, me orar mësimi e studimi, me restorant (mensë) e mbrëmje vallëzimi. Një çerdhe e vërtetë dijeje e mësimi, por edhe kulture e formimi, ku vijonin mësimet të rinj e të reja nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni e më gjerë… Më kujtohet kur erdhe në gjysmëvjetor, kishe ndryshuar shumë, fytyra të qe pastruar nga njollat e diellit (“leçe” u thonë në Veleshtë), ishe rritur e zbukuruar. Kushtet e jetës në fshat atëbotë ishin të vështira, kurse atje në kyeqytet, sado-kudo, ushqimi ishte më i rregullt dhe kushtet e banimit pak më të mira.

Në udhëtimin tënd drejt dijes kishe shumë shokë e shoqe, por shoqe jote e jetës mbeti ladorishtarja Naze, që u nda nga ti e fundit në varrezat e Prishtinës në Dragodan (Arbëri).

Nuk ishte e lehtë “të thyhej akulli” rreth shtatëdhjetë vjet më parë, kur prapambeturia qëndronte këmbëkryq në vatrat tona. E kush do t’ia bënte fora pos familjes Vinca, një pinjoll i së cilës e kishte sjellë i pari Abetaren në fshat? “Si, or Nexhat, e çove cucën n’shkollë, n’Shkup?”, e kishin ngacmuar babën tonë të urtë e besimtar ca fshatarë zevzekë e fanatikë, kurse hoxha i fshatit nuk i kishte folur një kohë të gjatë. Ishte herezi t’i prisje flokët e të dilje zbuluar në kohën kur edhe ngarja e biçikletës quhej mëkat, sepse “toçaku” ishte vegël e shejtanit!

Në Normale këndoje në korin e shkollës, por shquheshe edhe si soliste. Repertori yt ishte i gjerë, por këngë jotja e preferuar ishte “Si m’ke sytë, m’i ke vetullat”, që e këndoje shpesh në ndeja e gazmende familjare me sy gjysmë të mbyllur. (Si refleks i largët i kësaj kënge të moçme, m’u fiksuan në kujtesë sytë dhe vetullat e tua në çastet e fundit në spital!). Këndoje bukur, sikurse edhe Shpresa, kurse vajtimin, ndryshe nga ajo, nuk e kishe zanat. Ndoshta ngaqë duke qenë më e vogla, këtë “barrë” në familje e kishin mbajtur nëna dhe motrat e mëdha.

Karrierën si mësuese e fillove në vendlindje, për ta vazhduar, pas martesës, në Shkup, kurse nga viti 1973, në Prishtinë, ku fillimisht punove në shkollën speciale për të verbër, duke e mësuar edhe alfabetin e Brajit.

Punove gati një çerek shekulli në “Hasan Prishtinë”, pastaj në shkollën “Gjergj Fishta”.

Nuk pushove për asnjë çast as në kohën e aparteidit, kur ti dhe kolegët e tu mbanit mësim në bodrum, kurse ata të tjerët në katet e sipërme. Pas çlirimit të Kosovës, kur erdhi liria e fituar me aq mund e sakrifica, Dositeji shkoi nga kishte ardhur dhe shkollës iu kthye sërish emri i mëparshëm (“Hasan Prishtina”), tok me bustin e Heroit në oborrin e saj. Kalove në shkollën tjetër me emër të madh, “Gjergj Fishta”, duke u shkëmbyer me një kolege për arsye praktike, për ta vazhduar punën si gjithnjë me zell e përkushtim të madh.  

Edhe pse vetëm me Normale e Akademi Pedagogjike, kishe njohuri më shumë se shumë njerëz me tituj shkencorë. Lexoje vazhdimisht, përveç shtypit, edhe vepra letrare: romane, poezi, libra publicistikë etj. Me libër bije e ngriheshe. Gjuhën e flisje bukur, pastër, shqip; edhe e shkruaje pa gabime. E, megjithatë, gjithë jetën emri të mbeti me dy trajta: Alide në vendlindje, në Veleshtë e në Strugë; Halide në Prishtinë e në Shkup.

Me punën dhe sjelljen tënde nderove veten e familjen, por edhe rrethin ku jetove e veprove. Fitove respektin e kolegëve dhe dashurinë e nxënësve, që në punën tënde zinin vendin kryesor, ashtu sikurse edhe ata e kishin në zemër mësuesen e tyre të dashur.

Ish-nxënësit e tu të vizitonin; të shkruanin e të telefononin; të dhuronin lule e libra; të ftonin për kafe a edhe për drekë a darkë në ndonjërin nga restorantet e Prishtinës, ku ktheje shpesh me shoqet e tua pas shëtitjeve të mëngjesit në Gërmi e Taukbahçe.

Ishe e urtë e paqësore dhe u qëndroje larg sherreve, por nuk lëshoje pe kur duhej mbrojtur shkolla shqipe dhe gjuha amtare. Nuk po përdori fjalë të mëdha si “çështja kombëtare” dhe “interesi kombëtar”, që kanë nisur të na i neveritin zhurmaxhinjtë e pasluftës, ata që gjatë tërë jetës kanë kënduar ashtu siç u diktonte pushteti i kohës. (Të kujtohet peticioni i vitit 1989 me 1200 nënshkrime në mbrojtje të emrit të shkollës sate, tekstin e të cilit e shkrova unë, kurse ti me nxënësit e tu u kujdesët që t’i mblidhnit nënshkrimet e prindërve, disa prej të cilëve, nga frika, nënshkruanin në mënyrë krejt të palexueshme?).

E doje shumë natyrën… Në pushimet e verës shkoje me dëshirë në vendlindje për t’i vizituar të gjithë me radhë, familje e farefis, por edhe për të pushuar pak buzë Drinit a në plazh nën rrezet e diellit…

Ndejën e fundit e patëm në ditëlindjen time, më 22 maj të këtij viti, në Prizrenin e bukur. Ishte dreka jonë e fundit e përbashkët, thellë në grykën e Lumëbardhit. Sapo ishin shfaqur shenjat e sëmundjes, që do të të shtronin në spital dhe në shtrat pas operacionit.

Nuk më heq zemra të shënoj përvjetor a të bëj promovim libri pa ty, që ishe vizitore aq e rregullt e tyre, tok me shoqe, edhe pse e di, jam plotësisht i sigurt, se ti nuk do ta doje këtë.

Dëgjimi i rënduar në vitet e fundit, që ishte pasojë e “muzikës” gjysmëshekullore të “kosheres së bletëve”, klasës përplot me nxënës, ishte burim humori për ne. Një ditë në mëngjes, në ditët e mbylljes në karantinë, zhvilluam këtë dialog me telefon: “A e ke dëgjuar Këngën e mjekut?” – të pyeta unë, ndërsa ti m’u përgjigje: “Vetëm unë jam zgjuar. Të tjerët janë në gjumë”. Ishte koha kur u mbyllën rrugët dhe sheshet e Prishtinës, por jo edhe dyert e zemrës.

Jeta jote nuk qe pa sfida, por të gjitha i përballove me durim e qetësi.

Nënë, motër, gjyshe, teze e hallë, ti ishe edhe lexuese e rrallë. Ndër librat e fundit që lexove qenë Ditari im i pandemisë, ku je edhe personazh dhe libri bestseler i Lea Ypit “Të lirë, të jetosh në fund të historisë”, që flet për Shqipërinë e diktaturës dhe të tranzicionit, parë me sytë e një vajze të zgjuar shqiptare, që po bën emër në botë. Në “muajin e librit”, si quhej dikur tetori, unë humba motrën, por edhe lexuesen time të rregullt. (Ky është shkrimi im i parë që ti nuk do ta lexosh si zakonisht, fizikisht, por besoj se do ta ndjesh edhe atje tek je, çuditërisht!). Në kohën kur lexuesit si ti janë specie në zhdukje kanë arsye të pikëllohen edhe miqtë e mi shkrimtarë.

Nuk kanë të sosur kujtimet, motër dhe unë s’di nga t’ia nisi e ku të bitisi.

Kur rashë në spital tre-katër vjet më parë, më the: “Dua të vdes para teje, jo vetëm pse jam më e madhe, por edhe që të më kushtosh poezi si Vaes e Zinijes”. (Nuk e përmende dhimbjen tonë të madhe, Shpresën). “Ty do të të kushtoj për së gjalli dhe jo poezi, por tregim” – të thashë.

Nuk e mbajta premtimin, sepse nuk e prisja që ti, motra ime e vogël, e vetmja që më kishte mbetur, të ikje kaq shpejt.

I deshe shumë “loçkat e tua”: Vjolën e Tanën, Borën e Lean, Marinin e Lirin (ah!), por nuk arrite ta njihje anëtarin më të ri të familjes, Nolin e vogël. Do t’i flasim për Ty kur të rritet dhe urojmë që të ketë një mësuese si ti kur të shkojë në shkollë.

Ike pa e thënë fjalën e fundit, pa na thënë “lamtumirë”, sepse në muajt e fundit të jetës ishe në komë. Nuk di në ishte komë a diçka tjetër, por di se na brengosi pa masë gjendja jote. Merrje frymë dhe i pranoje ushqimin e ilaçet, por nuk flisje. Gojë kishe, gojë s’kishe! Shpresoj t’i kesh dëgjuar dhe t’i kesh marrë me vete, si peng dashurie, fjalët që t’i thoshin të dashurit e tu që të rrinim mbi krye ditë e natë dhe në mënyrë të veçantë mbesa Vlerë, që tregoi një kujdes të pashembullt dhe një dashuri të paparë prej bije, por edhe familjarët e tjerë, që u kujdesën për ty deri në fund, ashtu siç u kujdesën edhe për përcjelljen tënde në banesën e fundit dhe për pritjen e njerëzve që hynë e dolën varg në shtëpinë tënde në Taslixhe në ditët e “të pames” tradicionale.

Tri ditë rresht si në ekran e kam parë motrën time me sytë e të tjerëve: miqve, kolegëve, prindërve, ish-nxënësve. Gjithë ai respekt e dashuri e paparë, që jo vetëm të mallëngjen, por edhe të bën krenar. Dhe nuk e kam për turp të them me keqardhje dhe ndoshta edhe me një dozë kritike se nuk e kisha njohur sa duhet motrën time!

Lamtumirë, motërmira ime! U prehsh në paqe!

Prishtinë (Ulpianë), 25 tetor 2022/ KultPlus.com

U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.

Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.

Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.

Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi në ballinën e revistës prestigjioze operistike (FOTO)

Sopranoja e njohur kosovare Elbenita Kajtazi e cila po shënon suksese të panumërta, së fundi  ka zënë edhe ballinën e një prej revistave më prestigjioze operistike, shkruan KultPlus.

Për muajin nëntor, sopranoja Elbenita Kajtazi është zgjedhë të jetë në ballinën e revistës Das Opernglas.

Sopranoja Elbeniota Kajtazi ka njoftuar për këtë intervistë të dhënë për këtë revistë, intervistë që ka zënë edhe ballinën e kësaj reviste.

“Nder i madh të jem në kopertinën e revistës së mirënjohur Das Opernglas , intervistë të cilën do e mbaj mend gjatë!”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

“Tri motrat” e Çehovit nga Qëndrim Rijani me premierë në Teatrin Shqiptar

Të enjten në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të prezantohet me premierë shfaqja “Tri motrat” e Çehovit’ që vjen me regji të Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje që më pas reprizën do ta ketë më 29 tetor, me rolin e Olgës do të shfaqet Amernis Nokshiqi, Xaka Jonuzi në rolin Mashës dhe Sabina Memishi në rolin e Irinës.

Në role tjera vinë: Andrea-Arben Rasimi, Natalia-Sara Bajrsmi, Anfisa-Drita Kaba Karaga, Çebutikini-Adem Karaga, Kulligini- Hamdi Rashidi, Vershenini-Fisnik Zeqiri, Tuzenbahu-Dritero Ame, Solioni-Abedin Aliji, Fedotiku-Rrahim Ramadani, Rodeja-Mentor Kurti, Aleksej-Genci Mirzo, Ferraponti-Hetem Etemi. Në këtë shfaqje kompozitor është Trimor Dhomi, koreograf  Artan Ibershimi, kostumografe Maria Papuçevska dhe skenograf Bujar Muça.

“Tri Motrat” janë të mbushura me konflikte  dhe emocione, përfshihen në  afera të trazuara dashurie./ KultPlus.com

Gratë ukrainase do të dekorohen me Medaljen Presidenciale të Meritave në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Të shtunën dhe të dielën do të nisë së mbajturi në Prishtinë, Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë këtij forumi do të nderohen me Medaljen Presidenciale të Meritave gratë ukrainase. Ajo ka thënë se në forum do të ketë edhe përfaqësues nga Ukraina dhe atyre do të ju ndahet medalja.

Më tej Osmani tha se për dy ditë në Prishtinë do të organizohen 16 panele me 400 pjesëmarrës dhe aty do të ketë një adresim edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken./ KultPlus.com

Biblioteka e re 272 milionëshe e Dubait është “oqeani” i ri i dijes

Dubai njihet si vendi i shkëlqimit, ndërtesave gjigande, hoteleve luksoze dhe qendrave tregtare vezulluese, përshkrimi i botës së vërtetë kapitaliste.

Mes gjithë rrëmujës, gjendet një oaz i bukur qetësie, ku vizitorët mund të përfshihen brenda një libri, të hapin laptopët e tyre dhe të punojnë apo studiojnë, të mahniten pas dorëshkrimeve të rralla dhe botimeve të para në ekspozitën e katit të shtatë të BibIiotekës Mohammed Bin Rashid, e cila u hap në Qershor.

Hyrja në bibiliotekë është falas për të gjithë, vendas e turistë, me vende që duhet të rezervohen më parë. Bibilioteka mbart një etiketë çmimi tipike për Dubain sepse ndërtimi i saj kushtoi 1 miliardë Dihramë ose 272 milionë Dollarë. Emri u vendos në nder të sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, drejtuesi i Dubait, i cili njoftoi për ndërtimin e saj në vitin 2016.

Mbi 1.1 milionë kopje të printuara dhe dixhitale ndodhen brenda kësaj ndërtese prej 54.000 metra katrorë, që pritet të mbledhin turmat e apasionuara pas kulturës dhe jo konsumit. Forma e bibiliotekës i përngjan një libri të hapur, në të vërtetë është frymëzuar nga një mbajtëse librash ku dikur vendosej Kurani i shenjtë.

9 biblioteka të dedikuara medias, arteve, biznesit, gazetave ndërkombëtare, hartave dhe atlaseve, librave për fëmijë e të rritur dhe një koleksion thesaresh të çmuara të arkivës ndodhen në këtë “shtëpi” gjigande.

Koleksioni vijon të zgjerohet, por që tani shifrat e tij janë mbresëlënëse. Përveç kopjeve të shtypura dhe dixhitale, vizitorët kanë akses në mbi 6 milionë kopje shkrimesh akademike, 73.000 partitura, 75.000 video,  35.000 gazeta ndërkombëtare dhe 5000 të përditshme historike që mbulojnë një periudhë 325-vjeçare.

Dhe kur nevojitet një pushim, ka edhe një kafene./tvklan.al/ KultPlus.com

Osmani: Shumica e ambasadorëve dhanë garancion se s’do të ketë kritere shtesë për vizat

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka marrë garancion nga shumica e ambasadorëve në Kosovë që nuk  do të ketë kritere shtesë për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se jo vetëm që nuk do të kërkojnë kritere shtesë, por edhe do të kundërshtojnë dhënien e kritereve shtese teknike, pasi sipas saj, ato kanë përfunduar më 2018.

“Mirëkuptim kemi nga shumica dërmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime që po merremi intensivisht jo vetëm ne por edhe diplomatët tanë që po merren me këtë temë me shpresën e plotë që në takimet e radhës që do të mbahen në nivel të grupeve punuese për vizat të sigurohemi që të mos ketë ndonjë bllokadë”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Osmani tha shpreson që vendimi për vizat të merret më së largu në dhjetor dhe pastaj të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj e të mos lidhet me procesin ETIAS./ KultPlus.com

Vjeshta

Poezi nga Asdreni

U zhduk vapa, shkoi vera,
dhe bilbili më s’këndon.
erdhi vjeshta me të tjera,
syri ynë që i shikon.

Teret koha, hapen retë,
ngjyra plumbi përsëri,
duket prapë tjetër jetë,
që natyra ndërron tashti.

Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s’ka hijen,
që e kishin gjer’ në sot.

Bukurite janë zhdukur,
shiu e bryma zuri vend,
bari lulet kopshti i bukur,
u ndryshuan në cdo kënd.

Por e mirë është vjeshta,
sepse bujku gjithmon’ punon,
për të vjelur sot ka vreshta,
nesër arat po lëron.

Njerëzit në cdo anë,
posa ngrihen në mëngjes,
nëpër fusha cdo gjë kanë,
rendin, mbledhin me kujdes.

Pra me punë gjith’ të rrojmë,
se vec puna ne na vlen,
sepse ndryshe s’trashëgojmë,
verën tjetër që po vjen. /KultPlus.com