Fati tragjik i autorit të veprës “Kosova, djepi i shqiptarizmit”: Enveri e akuzoi se hodhi gurë kundër Jugosllavisë motër

Nga: Dashnor Kaloçi

Në fillim të vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike dhe i kishte rikthyer asaj pothuajse të gjitha viset shqiptare që Kongresi i Berlinit në vitin 1878 – si dhe Konferenca e Londrës më 1913 – ia kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës.

Hamit Kokalari lindi në vitin 1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ishte pinjoll i një prej familjeve nacionaliste më të njohura të jugut të Shqipërisë, ku të parët e saj ishin shkolluar në universitete të ndryshme të botës. Babai i Hamitit, Reshat Kokalari, ishte një intelektual tepër i njohur, sidomos për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Gjirokastrës. Hamiti kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Muntazin e Vesimin, si dhe një motër – Musinenë. Ashtu si shumë pinjollë të tjerë të trungut të Kokalarëve, që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës, edhe Hamiti në vitet tridhjetë u diplomua në një prej fakulteteve të Francës në Jurisprudencë. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1942-1943 shërbeu për pak kohë në administratën e lartë vendore të Kosovës dhe pranë ambasadës shqiptare në Shkup të Maqedonisë. Gjatë asaj periudhe, Hamiti u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me mjaft politikanë e intelektualë të njohur me bindje nacionaliste të atyre trevave shqiptare, të cilët e ndihmuan atë në punën hulumtuese, studiuese dhe shkencore për veprën e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, të cilën ai e botoi në Tiranë në vitin 1943.

Përveç një pune tepër të madhe studimore e shkencore, ku autorit iu desh të shfletonte edhe arkivat sllave, ajo që vlen për t‘u theksuar në botimin e atij libri ishte edhe kurajoja e guximi i autorit, i cili e botoi atë pikërisht në periudhën kur Partia Komuniste e Shqipërisë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe emisarët serbo-malazezë që drejtonin e udhëhiqnin realisht lëvizjen komuniste në vendin tonë, kishin filluar një valë terrori kundra nacionalistëve shqiptarë.

Menjëherë pas mbarimit të luftës, në dhjetorin e vitit 1944, dy vëllezërit e Hamitit, intelektualët e njohur me bindje nacionaliste, u pushkatuan pa gjyq në një nga bodrumet e hotelit “Bristol” në qendër të Tiranës, ku ata mbaheshin të lidhur që prej disa kohësh. Sipas mjaft dëshmive të dhëna pas viteve 1990, ekzekutimi i tyre është bërë me urdhër direkt të Enver Hoxhës, për motive personale të veta. Sipas dëshmive të intelektualit, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur, Mexhit Kokalari, pak ditë pas ekzekutimit të tyre, kur Fejzie Kokalari shkoi të ankohej tek Enver Hoxha për gjëmën që u kishte ndodhur, Enveri i tha asaj: “Muntazin dhe Vesimin bëmë mirë që i pushkatuam, ndërsa Hamiti duhet të na falënderojë që e lamë gjallë për mëshirë, se ishte i sëmurë nga tifua. Hamiti ka hedhur shumë gurë kundër Jugosllavisë motër. Të rrinë urtë bashkë me Musininë se po e lëvizën bishtin do t‘i dërgojmë te dy vëllezërit” (Enveri e mbajti deri diku fjalën e tij: intelektualja e famshme Musine Kokalari, e cila ishte laureuar për Letërsi në një nga universitetet e Italisë, u burgos dhe u internua për vite me radhë, deri sa mbylli sytë e vetme në një kthinë të errët të qytetit të Rrëshenit në vitet 1980).

Edhe pse kishte marrë kërcënimin direkt nga Enver Hoxha, Hamiti vazhdoi të merrej me çështjen e Kosovës, me qëllim që ta zgjeronte, kompletonte dhe ta ribotonte përsëri studimin e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Kështu, dy tre vjet pas botimit të librit, Hamit Kokalari i dërgoi një letër Nexhmije Hoxhës, ku i kërkonte ribotimin e librit, por përgjigja që erdhi prej saj ishte negative. Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë-gjashtë gjuhë të huaja. Pas një sëmundjeje të gjatë, Hamit Kokalari u nda nga jeta në vitin 1989. Libri i tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, u ribotua në Itali në vitin 1962 nga një grup intelektualësh të njohur nacionalistë shqiptarë dhe parathënia e tij u shkrua nga Abaz Ermenji.

Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj ku autori ka përdorur shumë referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu etj., e po ashtu edhe të huaj, si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd.

Nga libri i Kokalarit, “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.

“Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë.

… Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagandistëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumenta më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklora. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftrat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftrat që kanë bërë kundra Turqëvet dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën ‘Prilozi Proncevanje norodne poezie’ …

Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë permëndur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqëvet dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit sërb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithëshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtrija serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar. Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: “Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijen Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqëvet. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historija e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37) …”

Çlirimi i Kosovës nga partizanet shqiptarë dhe jugosllavë- ripushtim sllavo- komunist (1)

Rishqyrtim historik

“ÇLIRIMI” I KOSOVËS NGA PARTIZANËT SHQIPTARË DHE JUGOSLLAVË – RIPUSHTIM SLLAVO-KOMUNIST (1)

Diskursi i “çlirimit” të Kosovës nga nazi-fashizmi, siç po shënohet edhe këto ditë në disa qytete, duhet të rishqyrtohet nga historiografia institucionale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Meqë faktet historike flasin qartë se koniza globale antifashiste jo vetëm që injoroi realitetet e kohës nga shpërbërja e Jugosllavisë së Versajes siç ishin ato të çlirimit të një pjese të madhe të shqiptarëve nga pushtimet serbo-jugosllave (1912-1941), por njëherësh të drjetën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, që u pasqyruan me shtetin e parë shqiptar nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1994 në përmasat e përafërta të shtrirjes etnike,në përputhje me vendimet e Kuvendit të Dytë të Lidhjes së Prizrenit, e anatemoi me hipotekën e “shtetit kuisling”. Kjo i hapi rrugën hakmarrjes komuniste në përmasa tragjike në Kosovë me mbi 50 mijë viktima. Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korriku të vitit 1945, duhet të kualifikohen si ripushtim i Kosovës nga Beogradi.

Nga Jusuf BUXHOVI

Skenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”.

Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.

Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan.

Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.

Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.

Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.

Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…”

Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa:

– së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;

– pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe,

– së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.

Por, kërkesa e “spastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpuno-torët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më.

Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut.

Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë) , ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë.

Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bom-bardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.

Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Vermahtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.

Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.

Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastruk-turën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.

Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.

Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ.

Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.

Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.

Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.

Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palo-kën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.

“Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun.

Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”.

Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste.

Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.

Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.

Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugo-sllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.

Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:

– sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë;

– shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare;

– të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;

– organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.

Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpuni-mit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.

Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.

Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.

Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Briga-da I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan.

Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.

Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.

Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.

Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.

Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.

(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337)../ KultPlus.com

“Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë”

(Duhet të bëhesh i butë si lepuri, duhet të përtypësh si bualli, si sojka duhet ta ndërrosh gjuhën. – Mundesh?…)

– Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë. Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t’u lakmosh të vdekurve…

Pastaj të pyesin: Pse jetove?
Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?
Do të pyesin: Çka bëre?
Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë,
Do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,
Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë
Dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh
E nuk e ke bërë.
Mund t’i përballosh akuzat, komandant i ri?

Do të të pyesin:
Pse flisje kur duhej të heshtje?
Pse heshtje kur duhej të flisje?
Pse e lavdëroje dreqin?
Pse i shaje pëllumbat?
Pse i trembje zogjtë?
Pse? Pse? Pse?
Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.
Gjyqi yt do të zgjasë shumë.
Mundesh, o komandant i ri?

Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu.
Mund të qëndrosh, komandant?
Mund të qëndrosh, o njeri?…

Pjesë nga monodrama “Komandanti” 1996 – Hasan Dajaku . /KultPlus.com

Në Muzeun Marubi, ekspozitë për fotografët e periudhës osmane

Muzeu Marubi me një ekspozitë unike që sjell bashkë krijimtarinë e disa prej fotografëve më të rëndësishëm të Periudhës Osmane duke përfshirë këtu edhe fotografitë e Pietro Marubbi-t, të zbuluara së fundmi në koleksionin fotografik të Sulltan Abdyl Hamitit II në Stamboll, shkruan KultPlus.
 
Në këtë ekspozitë do të prezantohen fotografitë e : Vëllezërit Abdullahyan / Pascal Sébah (1823 – 1886) / Vasilikis Kargopoulos (1826 – 1886) / Félix Bonfils (1831-1885) / Pietro Marubbi (1832 – 1903) / Guillaume Berggren (1835-1920) / Nikolas Andriomeno (1851-1929) / Bogos Tarkulyan (Phébus) (?-1940?) / Vëllezërit Gülmez / Bahriyeli Ali Sami (1872-?). Kjo ekspozitë do të hapet më 12 nëntor, me fillim në ora 18:00 dhe është kuruar nga Lucjan Bedeni./ KultPlus.com

“Community Building Mitrovica” në mesin e më të mirave për çmimin “Pluralizmin Global”

“Community Building Mitrovica” është përzgjedhur në mesin e 10 finalistëve më të mirë për çmimin “Pluralizmin Global” 2021, shkruan KultPlus.

Organizata jo-qeveritare “CBM” ka synim kryesor të lehtësojë kontaktin dhe dialogun ndërmjet qytetarëve në të gjithë rajonin e Mitrovicës.

Përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, CBM ka njoftuar se kanë lajme emocionuese për të ndarë.

“Është nder të përzgjidhem dhe presim me padurim ceremoninë virtuale në shkurt 2022. Urime të gjithë finalistëve”, ka shkruar Community Building Mitrovica.

Qendra Globale për Pluralizëm jep çdo dy vjet çmimin që ka për qëllim të njoh pluralizmin në veprim, individë, organizata dhe qeveri në mbarë botën që po bëhet për të ndërtuar një shoqëri ku diversiteti mbrohet dhe vlerësohet./KultPlus.com

Nevruz Musa me ekspozitë personale në Tetovë, prezanton pikturat e tij në Galerinë e Arteve

Piktori dhe artisti grafik, Nevruz Musa, do të hapë një ekspozitë personale të pikturave të tij, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në llogarinë personale në “Facebook”, Musa njoftoi se me datë 12 nëntor 2021 me fillim nga ora 16:00 do të hap ekspozitën e pikturave të tij në Galerinë e Arteve në Tetovë.

Ai ka realizuar një sërë ekspozitash personale, që nga viti 1984 në Klubin e Artistëve të Kosovës e deri në Tiranë më 2010.

Përpos atyre personale, Musa ka marrë realizuar edhe disa ekspozita kolektive, sikurse në Montreal, Bordighiera, Gabrovo, Beograd, Shkup etj./KultPlus.com

Ministri Çeku me ftesë për komunitetin artistik, nis seria e diskutimeve mbi kulturën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku do të fillojë serinë e diskutimeve të hapura mbi kulturën.

Ky diskutim do të realizohet përmes bashkëbisedimit me komunitetet artistike, përcjellë KultPlus

Këto takime qëllim kryesor do të kenë adresimin e sfidave të përbashkëta në fuqizimin e rolit të komuniteteve në zhvillimin e politikave thuhet ndër tjerash në njoftim.

Diskutimi i parë do të marrë pjesë më 10 nëntor në ora 17:00 në Kino Armatë, derisa fokusi do të jetë në fushën e kinematografisë bëhet e ditur nga një njoftim i MKRS-së në Facebook./KultPlus.com

Brikena Sopi, me dramën “Hekurudha” fiton çmimin “Katarina Josipi”

.

Sot në Ministrinë e Kulturës u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”.

Shkrimtarja dhe dramaturgia Brikena Sopi, me dramën “Hekurudha” ka marrë çmimin kryesor.

Juria vlerësuese e cila ka qenë në përbërje nga Doruntina Basha – dramaturge (Kryesuese), dhe anëtarëve: Florent Mehmeti – regjisor, Ilire Vinca – aktore, Shefqet Gjocaj- zv. Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Liri Cami – përfaqësuese e MKRS -së, unanimisht kanë vlerësuar të mos ndajnë çmimin e dytë dhe të tretë për shkak të prurjeve të pakta dhe mos përmbushjes së kritereve artistike të konkursit.

Kryesuesja e jurisë vlerësuese Doruntina Basha, në arsyetimin për dramën fituese tha se “Hekurudha” është një dramë psikologjike e cila me precizitet pothuajse matematikor, në një ambient minimalist dhe me një qasje moderne trajton fërkimet mes traditës, modernes, gjinisë, familjes e individit brenda një shoqërie të ngujuar mes të kaluarës dhe të ardhmes.

Brikena Sopi duke pranuar këtë çmim ndër të tjera tha që është e nderuar që po vlerësohet puna e saj dhe po promovohet drama shqipe.

Kurse ministri Çeku vlerësoi punën e jurisë ndërsa tha që çmime të tilla përveç që vlerësojnë artistët janë edhe instrument nxitës për krijimtari artistike./ KultPlus.com

Yllka Gashi edhe me një çmim të madh, aktorja më e mirë në Scottsdale të Arizonës

Yllka Gashi, ylli i kinematografisë shqiptare, merr edhe një çmim tjetër ndërkombëtar

Aktorja nga Kosova, Yllka Gashi, ka marrë bujë të madhe përmes filmit “Zgjoi” më portretizimin e Fahrije Hotit, shkruan KultPlus

Gashi ka marrë çmimin si aktorja më e mirë në rol kryesor në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Scottsdale të Arizonës.

Ky është çmimi i tretë i Gashit, derisa para disa ditëve kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në Festivalin Spanjoll “Seminci”.

Së fundmi, kinemaja “Cinneplex” ka njoftuar se filmi “Zgjoi” është duke thyer rekorde në shikueshmëri, me mbi 10 mijë bileta të shitura.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë. /KultPlus.com

Buzëqeshja e Nexhmije Pagarushës po i kthehet kryeqytetit, murali me portretin e saj në qendër të Prishtinës

Në ditët e sotme, muralet paraqiten përmes artistëve në çdo stil grafik të mundshëm: abstrakt, foto-realist, surrealist, ekspresionist dhe grafiti etj.

Së fundmi, muralet janë bërë objekte qendrore të komunitetit që i bashkojnë njerëzit për të festuar trashëgiminë dhe historinë e kulturës së tyre.

Profesoresha në Akademinë e Arteve në Barcelonë dhe artistja e njohur e muraleve, Alba Fabre, është duke punuar në Kosovë mbi figurën e jashtëzakonshme të Nexhmije Pagarushës, e cila ka filluar me realizim sot, e qw pritet tw pwrfundojw deri nw fund tw javws.

Lebibe Topalli nga Mural Fest, e cila është edhe organizator i këtij projekti ka thënë për KultPlus, se dimensionet e këtij murali shkojnë mbi 150 m2, dhe se ky mural po punohet në bardh e zi.

“Këtë mural nuk kemi mund ta bëjmë kudo, kemi kërkuar për një lokacion që i përshtatet figurës së saj, andaj ne vendosëm që ta bëjmë në këtë ndërtesë që ka qasje mes Filharmonisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, pikërisht institucione që edhe përkojnë me figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Topalli për KultPlus.

Kurse në një intervistë për KultPlus, Fabre rrëfen histori nga puna e saj dhe dashurinë që e ka për vendin e Kosovës.

“Drejtoresha e Mural Fest , Lebibe Topalli, me të cilën kam punuar në të kaluarën ka kontaktuar me mua për një punë të re. Kam pranuar me qejf dhe kam ftuar kolegun tim në fakultet, Mario Castillo për të punuar bashkë”, ka thënë fillimisht ajo për KultPlus.

Fabre tutje shpjegon se si erdhi deri te zgjedhja e fotos së Nexhmije Pagarushës dhe detajet në punë.

“Organizatori, Ardian Ajdini, ka biseduar me familjarët e Nexhmije Pagarushës dhe më pas unë kam zgjedhur se cilën foto do ta paraqes në mural, i cili do të jetë bardhë e zi për shkak të natyralitetit që sjellin këto ngjyra”, deklaroi në vazhdim.

“Pyetja që më bëhet më së shpeshti është ajo se si arrijmë ta transmetojmë një fotografi në diçka kaq të madhe. Ne fillimisht përgatitemi maksimalisht për ta punuar një gjë të tillë. Puna e jonë kryesisht lidhet me pjesën e “fotoshopit”, përmes së cilit punojmë në detajet, format, vijat dhe më pas i transmetojmë ato në murale”, shtoi tutje.

Një histori interesante të cilën Fabre e rrëfen ka të bëjë me teshat e saj, të cilat nuk ndryshojnë pothuajse asnjëherë.

“Teshat e mija i mbulon ngjyra dhe nuk mund t’i përdorë më, kështu që kam vendosur që të përdorë teshat e njëjta, të të njëjtit brend në çdo mural që e bëjë. I njoh brendet në Spanjë, bashkëpunoj me ta dhe i promovoj në vendet të cilat bëjë murale”, rrëfeu profesoresha e Akademisë së Arteve.

E pyetur mbi punën në Kosovë dhe njerëzit këtu, Fabre ka thënë se do të punonte me dëshirën më të madhe në qoftë se do t’i ofrohej rrogë këtu.

“E dua Kosovën dhe njerëzit që më rrethojnë. Është e çuditshme ndjenja se si ndjehem pikërisht sikurse në Barcelonë, aty ku është edhe shtëpia e ime. E vetmja gjë që nuk më pëlqen janë dimrat e ftohtë”, përfundoi muralistja nga Spanja.

Fabre kishte punuar në Ferizaj një tjetër mural në kuadër të Mural Fest, derisa puna e saj njihet në pothuajse gjithë Evropën dhe jo vetëm. Ka punuar në disa shtete sikurse Belgjika, Liban, Barcelonë, Meksikë etj./ KultPlus.com

Anila Aliu merr çmimin e parë në “Golden Classical Music Awards”

Pianistja Anila Aliu, ka fituar çmimin e parë në garat ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”, ku performoi në një ndër sallat prestigjioze në botë, “Carnegie Hall”, në New York.

Anila u shpreh shumë e lumtur pas këtij suksesi.

“Të fitosh është kënaqësi, sigurisht. Por, të fituarit nuk është qëllimi. Të duash të fitosh është qëllimi, të mos dorëzohesh është qëllimi. Kjo natë është konfirmim i mrekullueshëm që ëndrrat bëhen realitet, sepse e imja u bë. Performanca në Carnegie Hall, një performancë që do të qëndrojë në zemrën dhe mendjen time përgjithmonë”, ka shkruar Anila.

Aliu ka ndarë disa pamje nga koncerti i madh në të cilin ajo u shpërblye me çmimin kryesor./ KultPlus.com

Dashuria e parë

Poezi nga Giuseppe Ungaretti

Natë qytetëse ish ajo,
E mekët, e trëndafilta drit’ e squfurt,
Prej së cilës një siluetë u luhat
M’e qartë përvijohej e saja trajtë.

Natë mbytëse ish
Kur befas çataj bojërozë pashë
Në një sqetull kinse të paqtë.

Ç’prej asaj nate rishtare e fatkeqe
e në thellësitë e gjakut tim të tëhuajtur
Rob tyrin fshehtësirat më bënë. / KultPlus.com

“Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia”

Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse.

Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi në këmbët e malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi.

Të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t’i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij. Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur gojarisht për ta kthyer përmbys.

Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë.

Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve.

Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet.

Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës./ Edi Rama/ KultPlus.com

10 mijë bileta të shitura në Cineplexx Kosova për filmi “Zgjoi”, rekord i shikueshmërisë

Filmi “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit është duke zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te audienca e Kosovës, shkruan KultPlus.

Filmi tash e disa javë është duke u paraqitur në shumë terminë brenda Cineplexx Kosova, ku për këtë periudhë janë shitur 10 mijë bileta, kanë njoftuar nga kinemaja më e madhe në vend.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë./ KultPlus.com

Tryezë shkencore për Nuhi Vincën, poeti i parë i trevës së Strugës

Më 11 nëntor në Institutin Albanologjik në Prishtinë do të mbahet Tryeza Shkencore me rastin e 90 vjetorit të lindjes të Prof. Dr. Nuhi Vincës, shkruan KultPlus.

Në këtë tryezë do të bëhet prezantimi dhe ribotimi i veprës me titull “Lirika popullore e dashurisë”.

Nuhi Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, Maqedoni, ku më së shumti njihet për rolin e tij si pedagog, poet e përkthyes letrar. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu” e cila konsiderohet një nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni.

Poeti i njohur ka tri merita që s’mund t’i mohohen nga askush: është profesor i parë i gjimnazit të Strugës; është poeti i parë i trevës së Strugës (e ndër të parët në Maqedoni) me veprën poetike për të rritur “Dallgë Jugu”; është studiuesi i parë me monografinë shkencore për kulturën shpirtërore të regjionit të Strugës, etj.

Disa prej veprave të tij më të njohura janë: “Këngë pune e pushimi (poezi), Dallgë jugu, Vrulle lirike, Një ylber pa ty, Te guri i kufirit etj”,

Tryeza Shkencore nis të enjten më 11 nëntor me fillim nga ora 12:00 në Institutin Albanologjik në Prishtinë./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot përkujton shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Sot, më 9 nëntor 2021, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë Ramiz Kelmendi.   

Për veprën jetësore të Ramiz Kelmendit do të flasin Ibrahim Kadriu dhe Binak Kelmendi.   

Aktiviteti fillon në orën 17:00.  Ftoheni të merrni pjesë.  

Ky aktivitet është i pesti me radhë në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.   

Më parë janë përkujtuar shkrimtarët Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli dhe Din Mehmeti. / KultPlus.com  

Historianët e Deçanit me letër për Qeverinë e Kosovës: Të shpallen të pavlefshme vendimet e Serbisë në dëm të Kosovës

Lidhja e Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”- Dega në Deçan, i kanë dërguar zyrtarisht një kërkesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për të miratuar një ligj përmes së cilit do të hidheshin poshtë të gjitha vendimet që ka marrë Serbia në dëm të Kosovës gjatë viteve 1989-1999, përcjell KultPlus.

E gjitha kjo u bë e ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare të kryetarit të kësaj lidhje, Shkodran Imeraj, i cili ka shkruar se është momenti i fundit kur Kosova duhet ta miratojë këtë ligj.

Tutje, historiani nga Deçani ka shtuar se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk duhet të sfidohen me ligjet e kohës se Millosheviçit.

“Përveç rasti të Manastirit të Deçanit, i cili po pretendon që t’ i gllabërojë pronat dhe ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe “Iliria”, në rastin konkret kemi edhe Kishën Ortodokse në pronën e Universitetit të Prishtinës, proces i cili po vazhdon në organet tona të drejtësisë, rast i cili ka gjasa të përfundojë si rasti i pronave të  Ndërmarrjet ‘Apiko’ dhe “Iliria”,  thuhet ndër të tjerash në letrën e LHK- Dega Deçan drejtuar kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca./ KultPlus.com

Regjisori Zgjim Terziqi fitoi një tjetër çmim ndërkombëtar

Filmi ‘2000: A post war Odyssey’ i Zgjim Terziqit, ka fituar një çmim prej 8,000 eurove për zhvillimin e skenarit nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisori, i cili përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” njoftoi se ata fituan çmimin e tyre të tretë përmes kësaj pjese të skriptës.

Ky është filmi i parë artistik i regjisorit Terziqi dhe gjithashtu ka fituar edhe një financim zhvillimi nga Kinematografia e Kosovës./ KultPlus.com

7 letrat e dashurisë më të bukura të të gjitha kohërave

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

‘Me gëzim po shkoj në punë, po punoj e qet e lirë’ (VIDEO)

Fitnete Rexha është e njohur për shumë këngë të realizuara, e cila për kontributin e saj në muzikë ka edhe titullin “Artiste e merituar”.

Ajo është e njohur për këngët “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” dhe shumë këngë tjera.

KultPlus ju sjell këngën “Me gëzim po shkoj në punë”, këngë kjo mjaft e njohur për popullin shqiptar.

Me gëzim po shkoj në punë
Po punoj e qet e lirë

Faqebardhë e lumja unë
Sa me gaz e me dëshirë

Me shoqet jam vu në garë
Tu kalu normën përditë

Na u dhashtë punë e mbarë
Jemi shembull për të rinjt

Po punoj për vendin tim
Do të ec përher më shumë

Natë e ditë e pa përtim
Faqebardhë e lumja unë

Natë e ditë e pa përtim
Faqebardhë e lumja unë./ KultPlus.com

Shitësi i librave me porosi për Arben Vitinë dhe Përparim Ramën

Florim Beqiri me një ilustrim përmes dy fotografive u bën thirrje kandidatëve për kryetar komune të përfshijnë librin në program qeverisës.

Shitësi i librave në qytet, Florim Beqiri, u ka bërë thirrje kandidatëve për kryetar komune në Prishtinë që të përfshijnë në programin e tyre diçka të re për librat, shkruan KultPlus

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Beqiri, ka ilustruar përmes dy fotografive se si në ditët me reshje shiu krijohet kaos përbrenda shtëpizës së librit.

“Shoqëria jonë ka nevojë për libra e art. Si mundësi edukimi”, ka thënë ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale për të votuar të parin e Prishtinës do të mbahen më 14 nëntor./KultPlus.com

Flaka Goranci bën bashkë artistë kombëtar e ndërkombëtar në video projektin “O Vendi im”

Mexosopranoja shqiptare Flaka Goranci do të sjell një projekt shumë të veçantë në mbrëmjen e sotme, e cila për adhuruesit e saj do të sjell videoprojektin “O Vendi im”, shkruan KultPlus.

Goranci ka njoftuar për KultPlus për emocionet që i ka sjell ky projekt, i cili edhe ka ngërthyer shumë profesionistë për realizimin e këtij videoprojekti, që ka për dedikim 28 Nëntorin.

“Me tekst dhe muzikë të Rashid Krasniqit, e kënduar nga figura emblematike e Kosoves si Muharrem Qena, kënga “Mallëngjimi” apo siç e njohim të gjithë si “O vendi im” vjen e orkestruar nga kompozitori dhe dirigjenti jonë me qëndrim në Gjermani, Kushtrim Gashi, e interpretuar nga instrumentistë nga Filharmonia e Vjenes si Adela Frasineanu në violinë, Edison Pashko në Cello dhe pianisti i mrekullueshëm me qëndrim dhe veprim në Vjenë, Mennan Berveniku. Videoklipi me pamjet nga qyteti i Gjakovës i cili për qellim ka pikërisht afirmimin e vendit tonë nëpërmjet pamjeve të realizuara, vjen me regji nga Artan Korenica dhe i punuar nga produksioni Onima”, ka thënë Goranci për KultPlus.

Kënga “Mallëngjimi” është pjesë e “Albanian Floëers” CD e cila u realizua nga “Gramola” kompani në Vjenë, duke korrur suksese të mëdha internacionale. Ky projekt është përkrahur nga Komuna e Gjakovës. Ky videoprojekt do të lansohet në ora 17:00, në YouTube./ KultPlus.com

“Vera Andrron Detin” bën historinë në festivalin japonez, Krasniqi : Po bërtisja, qeshja e qaja nga gëzimi

Për herë të parë në historinë e tij, filma nga regjisore femra fituan dy çmimet kryesore të festivalit japonez që po mbahet në Tokio.

Filmi që paraqet një dramë gjysmë-autobiografike të regjisores kosovare, Kaltrina Krasniqi, fitoi çmimin kryesor në ceremoninë e filmit në Tokio, në një ceremoni virtuale, të transmetuar drejtpërdrejt nga kryeqyteti i Japonisë, kurse drama “La Civil” e regjisores rumune Teodora Ana Mihai, gjithashtu e bazuar në një histori të vërtetë, mori vendin e dytë në Tokio. Çmimet kryesore në këtë ceremoni në Japoni u zgjodhën nga një juri e udhëhequr nga ikona e ekranit francez, Isabelle Huppert.

“Pasi që mora lajmin sot në mëngjes se filmi është shpërblyer me çmimin kryesor, po bërtisja, qeshja dhe qaja nga gëzimi”, tha Krasniqi, duke theksuar se “Vera Dreams of the Sea” ishte filmi i parë i Kosovës që konkurroi ndonjëherë në Tokio. Faleminderit shumë për këtë nderim që më bëtë”, shtoi ajo, vlerësim që ka edhe shpërblimin prej 30 mijë eurove.

Për këtë sukses të filmit ka shkruar edhe The Hollywood Reporter.

“Vera andrron detin” është me skenar të Doruntina Bashës dhe me regji të Kaltrina Krasniqit, film që po vlerësohet shumë nëpër festivale të ndryshme. Premierën botërore e kishte në Festivalin e Venecias.

Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.

Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri./ KultPlus.com

Me fotografinë e Janjevës, Arben Llapashtica fiton vendin e parë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me rastin e shënimit të 8 nëntorit “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve” ka hapur ekspozitën e foto-konkursit “Fshati im”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë është bërë edhe ndarja e çmimeve fituese, ku fotografi Arben Llapashtica ka marrë vendin e parë.

Në një fotografi ku shihet një djalosh i buzëqeshur duke luajtur me ujë, Llapashtica është nderuar me çmimin e vendit të parë.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, fotografi ka deklaruar se i vjen mirë që kjo foto ka marrë këtë çmim.

“Eee sa po me vjen mire per kete foto edhe per vendin e dashtun Janjevën”, ka shkruar ai.

Ky event është mbajtur në ndërtesën e ish-Rilindjes dhe ka marrë pjesë edhe ministri Liburn Aliu. /KultPlus.com