Ekspozita në Shkodër me dyert që rrëfejnë historinë e qytetit

Për të gjithë dashamirësit e kulturës dhe historisë, DRTK Shkodër në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) organizuan ekspozitën fotografike “Dyer që flasin n’Gjuhadol”.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë, paraqet përmes fotografive dyert e vjetra të qytetit, të cilat përcjellin historinë e tyre dhe të qytetit.

“Kjo është një mundësi për të përjetuar nga afër një pjesë të Shkodrës që ruan gjurmët e së kaluarës”, shkruan DRTK Shkodër.

Së bashku me COD, DRTK Shkodër, ka ndërmarrë një nismë të veçantë për dokumentimin e dyerve të vjetra të qytetit, duke zbuluar historitë e tyre dhe detajet arkitektonike unike. Kjo iniciativë synon të mbrojë trashëgiminë kulturore të Shkodrës, duke sjellë në jetë kujtimet dhe historitë e këtyre dyerve, lidhjet e tyre me familjet dhe identitetin historik të qytetit.

Përmes fotografive që ndau në rrjetet sociale Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, duket se ekspozita ka ngjallur kureshtjen e grupmoshave të ndryshme, përfshirë nxënësve të shkollave.

Banesat Shkodrane në shek. XVIII-XIX, për shkak të zgjerimit të qytetit në pjesën fushore, karakterizohen nga oborre të mëdhenj ku binin në sy portat e jashtme, të cilave i kushtohej kujdes në aspektin estetik, si dhe funksional, duke u dekoruar me qemere dhe elemente të tjera guri ose druri të gdhendur. Dera prej druri ndahej në dy pjesë, ku kapaku i madh hapej vetëm për qerret, ndërsa dera e instaluar në njërën prej kapakëve, funksiononte për hyrje-dalje të pjesëtarëve të familjes dhe miqve.

Element dallues në derë ishte “rezja” që zakonisht punohej tek kovaçi dhe forma më e përhapur ishte ajo e patkoit të zgjatur. Këto dyer, së bashku me këto elemente, ishin dukshëm një prezantim i rangut shoqërorë të familjeve që banonin në këto banesa, për kohën kur u ndërtuan.

Me kalimin e kohës, ndërtimet e stilit neoklasik në qendër të qytetit, nga fundi shek. XIX-fillim shek. XX, ku dyert për shkak të pozicionimit në fasadë erdhën duke u zvogëluar në forma dhe përmasa, për rrjedhojë forma dhe stilizimi i rezeve fitoi elemente të reja dekorative, duke futur motive floreale, zoomorfe dhe humanoide.

Këto elemente ruhen sot me fanatizëm nga shumë familje si kujtesë historike, por edhe si dëshmi e dijebërjes, traditës së shumë zejeve, duke i dhënë banesës shkodrane formën e një ansambli muzeor në dru, gur, hekur dhe plot pasuri të tjera etnografike./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, dhe pranoi “Raportin për Kosovën 2024” të Komisionit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi “Raportin për Kosovën 2024” nga Komisioni Evropian.

Raporti i sivjetshëm vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, si dhe identifikon sfida në disa fusha të tjera. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për integrimin në BE.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani u shpreh se zgjerimi i BE-së do të kontribuojë jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon dhe më gjerë.

Më tej, Presidentja Osmani deklaroi se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave dhe është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, një element që është theksuar edhe në raport.

Në takim u diskutuan edhe gjetjet e raportit, të cilat nënvizojnë nevojën për adresimin e mospërputhjeve në fusha të caktuara. Presidentja theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Presidentja potencoi se është shumë me rëndësi që raporti ka ritheksuar nevojën e përsëritjes së procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit, duke respektuar parimet e transparencës dhe meritokracisë.

Raporti i sivjetshëm veçon përpjekjet e pandalshme të Presidentes Vjosa Osmani në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS). Aty theksohet vëmendja e lartë politike nga ana e Presidentes për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe viktimave të dhunës seksuale e njëkohësisht organizimi i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i cili kishte mbledhur mbi 1 mijë pjesëmarrës nga mbi 40 vende të botës./KultPlus.com

‘Mbi bar dua të prehem,të këndoj, të dëfrehem’

Poezi nga Asdreni

Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njërzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;
bilbili t’ia thotë
nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqipërinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nëpër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;
për këtë kam dëshirë
dhe s’dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!/ KultPlus.com

Mbyllet tryeza shkencore dedikuar origjinës së shqipes

Albanologët e huaj dhe vendas përfunduan tryezën shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut.

Në konferencë u rikonfirmua ndarja e hershme 6000-vjeçare e shqipes dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës, por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit Ballkanik.

U diskutua gjithashtu çështja e emrit të gjuhës shqipe, kur e mori shqipja këtë emër (Michiel de Vaan).

Ndër dukuritë e përbashkëta gjuhësore që ndajnë gjuhët e “Lidhjes gjuhësore ballkanike” (“Balkan Sprachbund”) mjaft interesante është nyja e prapme shquese që haset në gjuhën shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte. Autori i kumtesës përqendrohet në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij (A. Spiro).

Risi e kësaj tryeze janë studimet e kryera me metoda të reja të kombinuara ndërdisiplinore, që nga njëra anë konfirmojnë rezultatet e arritura prej kohësh nga gjuhësia historike-krahasuese indoeuropiane dhe nga ana tjetër bëjnë hapa përpara në drejtim të saktësimit të kronologjisë relative të dallimit të gjuhëve nga trungu i përbashkët indoeuropian, duke hapur edhe shtigje për kërkime të mëtejshme e debate shkencore. Si një nga gjuhët e shkëputura herët nga ky trung i përbashkët, konfirmohet gjuha shqipe si një nga gjuhët më të lashta në Ballkan, ardhur ndoshta drejtpërdrejt nga rajoni anatolian ose nga stepat pontike.

Në mbyllje tryeza u vlerësua një sukses cilësor dhe shprehje e avantazheve që ofron bashkëpunimi midis albanologëve dhe qendrave e institucioneve kërkimore të tyre./atsh/KultPlus.com

5 nëntori shënon Ditën Botërore të Gjuhës Rome

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome, shkruan KultPlus.

UNESCO shpalli Ditën Botërore të Gjuhës Rome në 2015 për të promovuar ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome, për të përmirësuar mirëqenien e popullit rom dhe për të njohur rëndësinë e të gjitha gjuhëve, diversiteti i të cilave është një burim force për të gjitha shoqëritë që të ndajnë.

Gjuha rome ka rreth 33.000 fjalë dhe paraqet një bazë të mirë për modernizimin dhe standardizimin përfundimtar të saj.

Ka 17 dialekte, por folësit e dialekteve të ndryshme mund ta kuptojnë njëri-tjetrin. Është bërë një punë thelbësore për të krijuar një idiomë standarde, por ende duhet bërë shumë punë.

UNESCO duhet të vazhdojë të marrë drejtimin në zgjerimin e dialogut ndërkulturor, duke nxitur afrimin kulturor veçanërisht duke shpallur Ditën Botërore të Gjuhës Rome që do të ndihmojë në zhvillimin dhe kërkimin e mëtejshëm të gjuhës rome në shtetet anëtare. /KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku.

nuk ka shumë marifet!
merre një grusht dhembje
shtoji ca pika loti
e pak pluhur rrugësh të pasosura
pak aromë stinësh të dashurisë
në fund
i shton erëza djegëse dashurie
dhe i hedh ca yje përsipër
dhe e lë të piqet
të piqet në zjarr të shpirtit
gjer në agim.

ja pra, kështu bëhet kënga rome…

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Antropomorfet”

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Antropomorfet”. Ky emision përmban tri pulla që paraqesin figura me formë njerëzore, të krijuara nga dora e njeriut, të cilat datojnë nga periudha parahistorike.

Gërmimet arkeologjike në Republikën e Kosovës kanë zbuluar artefakte të shumta nga epoka të ndryshme, përfshirë epokën e neolitit, të metaleve dhe të antikitetit. Ndër zbulimet më të njohura janë figurinat antropomorfe, të gjetura në lokalitete si Bardhoshi (rreth 5000 vjet p.e.s.), Barileva, Tjerrtorja – Prishtinë, Fafos – Mitrovicë dhe shumë vende të tjera. Këto figura dëshmojnë për kulturën dhe besimet e lashta të shoqërive që kanë banuar këto troje dhe janë pasuri e veçantë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Përmes këtyre pullave postare, Posta e Kosovës jo vetëm që dokumenton dhe ruan këtë trashëgimi të çmuar, por njëkohësisht promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ftojmë qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që të bëhen pjesë e kësaj përvoje të rrallë duke blerë këto pulla, të cilat pasqyrojnë rrënjët e lashta dhe historinë e pasur të Kosovës, duke e bërë atë të njohur në mbarë botën./KultPlus.com

Calbraith Rodgers, piloti që realizoi fluturimin e parë mbi ShBA

Piloti Calbraith Rodgers, më 5 nëntor të vitit 1911, u ul me aeroplanin e tij në Long-Beach të Kalifornisë, duke plotësuar në këtë mënyrë fluturimin e parë nga njeri skaj i Shteteve të Bashkuara në tjetrin.

Këtë fluturim, piloti Rodgers e bëri për të fituar çmimin prej 50 mijë dollarësh që kishte ofruar botuesi i një gazete për fluturimin e parë nga njëra anë e vendit në tjetrën brenda 30 ditësh.

Aeroplani i tij ishte pak më i madh se një balonë me një motor me 35 kuajfuqi. Zoti Rodgers u nis nga Gjiri Sheepshead i New Yorkut dhe gjatë ditës së parë ai mbuloi 134 kilometra, duke fluturuar gjithsejtë 105 minuta, transmeton ksp.

Ai cilësoi këtë si një “fillim të suksesshëm”. Mirëpo, përpjekjet për të filluar udhëtimin ditën e nesërme ishin më shumë tipike të kësaj ndërmarrjeje. Ai u përplas për një kotec pulash dhe e shkatërroi avionin.

Mekanikët e tij, të cilët e ndiqnin në një tren të posaçëm, e rindërtuan aeroplanin brenda 40 orësh dhe zoti Rodgers u kthye përsëri në ajër.

Ai qëndroi gjithsej 82 orë e 10 minuta në ajër, me 70 ndalesa gjatë 49 ditëve për të përshkuar distancën nga një skaj i vendit në tjetrin.

Megjithëse ai nuk e bëri udhëtimin brenda afatit për të fituar çmimin me para, Calbraith Rodgers u bë i famshëm pasi ai demonstroi se fluturimi transkontinental ishte i mundshëm./KultPlus.com

Java Kulturore Malazeze do të bëjë bashkë artin e traditën

Në përfundim të Javës Kulturore Spanjolle mbërrin Java Kulturore e Malit të Zi. Nga data 7 e deri në 12 nëntor publiku do të ketë mundësi të ndjekë një sërë aktivitetesh që do të bëjnë bashkë artin e traditën për një festë të vërtetë kulturore gjatë kësaj jave të jashtëzakonshme.

Java Kulturore Malazeze ka në program një gamë të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga kinematografia, ekspozita të artit bashkëkohor dhe kartografike, workshop mbi përkthimin letrar dygjuhësh, duke përfunduar me koncert muzikor dhe shfaqje teatrale.

Përveç Tiranës Java Malazeze shkon edhe në qytetin e Shkodrës me shfaqjen teatrale “Butterfly” e cila do të vihet në skenën e Teatrit “Migjeni”.

Organizatorët ftojnë artdashësit t’u bashkohen këtyre aktiviteteve për të festuar dhe shijuar pasurinë kulturore të Malit të Zi, duke premtuar se do të jetë një javë e mbushur me frymëzim, kreativitet dhe kulturë./atsh/KultPlus.com

Elbenita Kajtazi, Elda Laro dhe Kori Siparantum hapin perden e edicionit të 13-të të ReMusica

Festival Edicioni i 13-të i ReMusica Festival do të fillojë sonte, dhe programi i sontëm do të sjell një spektakël të madh, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mbrëmja e sontme përfshinë sopranon e njohur Elbenita Kajtazi, pianisten Elda Laro dhe Korin Siparantum me dirigjent Memli Kelmendin.

Kjo mbrëmje do të flllojë në ora 19:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë./ KultPlus.com

‘Monologjet e vrara’ sjellin dhimbjen dhe fjalët e pathëna të grave që janë viktima të Femicidit e dhunës në familje

Vjollca Duraku

Performanca “Monologjet e vrara” me regji të Xhemail Avdylit është dhënë mbrëmë premierë në formë të monologjeve të përcjella në sfond me pamje vizuele nga Anisa Ismaili, Rajmonda Ahmetaj dhe Qendresa Loki, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

“Monologjet e vrara” e shkruara nga Qëndresa Loki erdhën si protestë artistike, ndërgjegjësim dhe homazh ndaj të gjitha grave të cilat janë dhunuar, keqtrajtuar, e vrarë nga familja, bashkëshortët dhe individë të caktuar, duke zgjuar te publiku emocione të thella mbi atë se çfarë mund të kenë përjetuar këto gra.

As lotët nuk munguan gjatë performancave artistike të cilat trajtonin dhimbjen fizike dhe shpirtërore të viktimave, që fjalë për fjalë shprehnin vraga të thella të vetë qenies së tyre. Përmes tre monologjeve është shfaqur historia tragjike e Marigona Osmanit e cila është përdhunuar dhe vrarë nga burri i saj, Hamide Magashit- gruaja shtatëzënë që është vrarë nga bashkëshorti në oborrin e QKUK-së, dhe ajo e shumë grave të tjera që përjetojnë dhunë në familje.

Pas performancave emocionuese, në një prononcim për KultPlus, aktorja Anisa Ismaili ka thënë se arsyeja e trajtimit të këtyre temave ka të bëj me përmsat dhe aktualitetin e tyre në shoqëri.

“Këto të gjitha janë raste të vërteta që janë shkruajtur nga Qëndresa.Tekstualisht sot gjithçka ka qenë premierë edhe për mua. Kemi pasur këtë hapësirë sot, dhe kemi ardhur ta realizojmë. Vazhdimisht më thonë pse i realizoni në vazhdimësi këto lloj temash. Mirë do të ishte të realizojmë komedi ndoshta, por këto tema vazhdimisht janë prezente. Janë prezentë prej njerëzve, prej familjarëve që iu ndodhin këtyre grave”, ka thënë aktorja Anisa Ismaili duke uruar që këto të jenë rastet e fundit .

“Ne si artiste e kemi obligim të ngrisim zërin dhe përmes artit të tregojmë se çka ndodh në shoqërinë tonë. Vazhdimisht themi që gruaja është shtylla e familjes, por hajde të tregojmë që njëmend është shtylla e familjes. Të mos ketë raste të tilla, ose të reagohet më shpejtë dhe thjeshtë kjo performancë të jetë e fundit e këtij lloji. Ta bëjmë të ardhmen për komedi për gra të suksesshme, sepse gra të e tilla kemi mjaft në Kosovë”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, Rajmonda Ahmetaj për shkak të ndjeshmërisë së vet procesit të shtatëzënisë ka thënë se ka përjetuar emocione të papërshkruara derisa interpretonte monologjet e grave shtatëzëna, jeta e të cilave është privuar nga bashkëshortët e tyre.

“E gjithë performanca është e koncentruar në monologje të grave të cilat më nuk ekzistojnë. Për faktin që momentalisht jam shtatzënë, i kam përfaqësuar të gjitha ato gra që janë vra gjatë shtatëzanisë. Ka qenë jashtëzakonisht emocionuese, po rrëqethem kur tash po flas duke e ditur se në çka kanë kaluar deri në atë moment ato. Ndoshta këto performanca të cilat i realizojmë janë shumë pak me atë çka duhet bërë për vetëdijesim të shoqërisë, pasi edhe gjatë kësaj jave që është realizuar performanca ka ndodhur edhe një rast i hidhur i një tjetër vajze”, është shprehur Ahmetaj.

Kurse, Qëndresa Loki e cila ka qenë edhe tekst shkruese e monologjeve është shprehur se nuk ka qenë aspak e lehtë për të krijuar tekste me një tematikë të tillë.

“Edhe vetë teksti në disa raste thotë që “NUK ËSHTË E LEHTË”, vërtetë nuk është e lehtë as për të punuar performanca të tilla, as për të shkruar tekste për performanca të tilla, e lëre më për gra të cilat kanë përjetuar dhimbje të tilla, Nuk është e lehtë! Pjesa ime shpërfaq një grua e cila dhunohet nga dy persona, nga e cila dhunë ajo e gjen edhe vdekjen”.

Lokaj më tej ka thënë se çdo lloj dhune e përjetuar të mos heshtet, por të adresohet dhe të trajtohet nga organet kompetente me urgjencë në mënyrë që të parandalohet hovi i ngjarjeve të tilla të kobshme.

“Çdo fjalë e çdo gruaje që përjeton qoftë dhunë fizike, psikike apo çfarëdo lloj dhune që ajo e përjeton, dhe në qoftëse vetëm një individi ajo ia tregon atë lloj dhune të cilën e përjeton, e lus atë individ kushdo qoftë ai ta flasë me dikë tjetër. Ta drejtojë problemin diku tjetër që ky problem të mos haset në vesh të shurdhër, por të parandalohet dhuna dhe secila vrasje e secilës grua që po ndodh në vendin tonë”, ka thënë Loki.

Ndërkaq, Xhemail Avdyli ka thënë se një performancë e tillë ka qenë një lloje proteste artistike, e cila ka ardhur si formë ndërgjegjësimi për shoqërinë.

“Përmes monologjeve kemi gjetur mënyrën më të mirë për ta emancipuar në një farë mënyre publikun. Të tre monologjet janë të bazuara ndoshta në ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur. Kjo lloj performance ka qenë një lloj proteste në formë artistike, duke u munduar që këtë ta sjellim atë se çka do të thoshin tani ato gra të vrara, si do ta përjetonin ato, si do të mund ta thonin ato dhe nuk kanë arritur dot për shkak se janë të vrara”, ka thënë regjisori Avdyli.

Kurse, artistja Arbresha Grabovci-Nixha e cila ka ndjekuar nga afër “Monologjet e vrara” u shpreh se ndihej e nderuar të ketë qenë pjesë e një perforance e cila dhuroi emocione dhe mesazhe të ndjeshme.

“Sonte ishte një nder i madh me qenë pjesë e kësaj performance të tri monologjeve, të tri aktoreve tona të shquara duke filluar nga Anisa Ismailit, Qëndresa Lukut dhe Rajmonda Ahmetaj. Sonte ka qenë një befasi e madhe për mua, për kundër asaj që më dha një emocion për botën e femrave për dhimbjen, për lindjen, për barrën, për dhimbjen fizike dhe shpirtërore, pata një nder t’i dëgjoj këto vargje të cilat janë të shkruara nga Qëndresa Loku, Jam e befasuar nga ky projekt”, ka përfunduar artistja Arbresha Grabovi-Nixha./ KultPlus.com

Java Kulturore Spanjolle, kërcimtarja më e mirë e flamenkos “magjeps” Tiranën

“Bienvenido a flamenco” ishte recitali i Rocío Garridos, valltares nga Spanja e cila interpretoi mbrëmë në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse, në Tiranë.

Recitali i flamenkos erdhi në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Rocío Garridos është fituese e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare si kërcimtarja më e mirë e flamenkos. Kërcimi i saj ka fuqinë për të sjellë ndjeshmërinë e kitarës në çdo lëvizje, duke rritur emocionin e këndimit dhe duke krijuar muzikë me ritmin e trokitjes së këpucëve.

Flamenco, me rrënjët e tij të thella në kulturën spanjolle, është një kombinim i mrekullueshëm i muzikës, kërcimit dhe shprehjes emocionale, që përfshin ritme të ndryshme dhe improvizim të jashtëzakonshëm.

Emocionet e kësaj forme arti të lashtë që vazhdon të frymëzojë dhe magjepsë njerëzit në të gjithë botën, pati mundësinë t’i përjetonte edhe publiku i kryeqytetit./atsh/KultPlus.com

145 vite nga vdekja e shkencëtarit James Clerk Maxwell

James Clerk Maxwell ka lindur më 13 qershor 1831. Ishte një shkencëtar skocez në fushën e fizikës matematikore.

 Arritja e tij më e madhe ishte formulimi i teorisë klasike të rrezatimit elektromagnetik, duke sjellë së bashku për herë të parë energjinë, magnetizmin dhe dritën si manifestime të ndryshme të të njëjtit fenomen. Ekuacionet e Maxwell për elektromagnetizmin janë quajtur “bashkimi i dytë i madh në fizikë” pas një të parë të realizuar nga Isaac Newton.

Me publikimin e “Teoria Dinamike e Fusit Elektromagnetik” në 1865, Maxwell tregoi se fushat elektrike dhe magnetike kalojnë nëpër hapësirë ​​ndërsa valët lëvizin me shpejtësinë e dritës.

Maxwell propozoi që drita është një valëzim në të njëjtin medium që është shkaku i fenomeneve elektrike dhe magnetike. Bashkimi i fenomeneve të lehta dhe elektrike çoi në parashikimin e ekzistencës së valëve të radios.

Ai ka vdekur më 5 nëntor 1879/KultPlus.com

111 vite nga lindja e aktores angleze Vivien Leigh

111 vite më parë ka lindur Vivien Leigh, aktore angleze me një bukuri të theksuar.

Vivien Leigh (5 nëntor 1913) ishte aktore angleze e teatrit dhe e filmit. Ishte fituese e dy Oscarëve për role të përfaqësuara nga shtresa e lartë nga Amerika e Jugut, Scarlett O’Hara në ‘Iku bashkë me erën’ (1939) dhe Blanche DuBois në ‘Tramvaji i quajtur dëshirë’.

Ajo poashtu, ishte edhe aktore e suksesshme e teatrit, ku shpeshherë aktroi me bashkëshortin e saj, Laurensë Olivierin, i cili bëri regjinë e disa shfaqjeve të saja. Gjatë karrierës së vetë tridhjetëvjeçare, mori pjesë me rolet në komeditë e Noela Cowardit dhe Gjorgj Bernard Shout deri te ato klasike, të personazheve shekspiriane si që janë Ofelia, Kleopatra, Zhyljeta dhe Lady Macbeth.

Leigh në filmin A Yank at Oxford më 1938, ishte bashkë me Robert Taylorin, Lionel Barrymoren dhe Maureen O’Sullivanin, në filmin e saj të parë i cili tërhoqi vëmendjen, edhe në ShBA. Gjatë reproduksionit fitoi reputacion të lartë, por edhe njerëz të papërshtatshëm, kur Kordës i thotë agjenti i saj që kontratatën nuk do ta vazhdojë nëse akoma do të sillet ashtu.

Vivien Leigh çmohet ndër aktoret më të bukura të kohës së saj, ku regjisorët këtë e kishin pohuar në shumicën e filmave të saj. Kur e kishin pyetur a është hendikep bukuria e saj, thotë “njerëzit mendojnë se nëse dukesh përafërsisht tërheqëse, nuk din të aktrosh, mua më ka mbetur vetëm e vetëm të aktroj, mendoj se bukuria nuk është hendikep i madh, nëse vërtet don të dukesh si që roli e kërkon, i cili nuk është si ti.”

Vdiq në Londër, më 8 korrik 1967/KultPlus.com

Muzeu “Onufri” rekord vizitorësh, 100 mijë në 10 muaj

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, deklaroi për ATSH-në se, muaji tetor ka rezultuar me një vizitueshmëri të lartë për Muzeun “Onufri”. Pasku tha se për herë të parë në historinë e Muzeut “Onufri” është kaluar pragu i 100 mijë vizitorëve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, muajt janar-tetor 2024 shënuan një rritje me 40% të vizitueshmërisë, ku shumicën e përbëjnë turistët e huaj (grupe të organizuara nga agjenci shqiptare e të huaja).

Vizitorët e huaj të këtij muzeu kryesisht janë polakë, spanjollë, italianë, francezë etj. I pyetur për grupmoshat që frekuentojnë më shumë këtë muze, drejtori Pasku tha se, kryeson ajo e mbi 40-vjeçarëve, por kufiri i moshës është zgjeruar dhe gjithashtu është rritur ndjeshëm edhe numri i vizitorëve vendas.

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit./atsh/KultPlus.com

Shkrimtari Jusuf Buxhovi promovon të enjten librin “Libri i Gjakovës”

Shkrimtari dhe Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, të enjten, me datë 7 nëntor do të promovojë librin “Libri i Gjakovës”.

Promovimi do të bëhet në Bibliotekën e Qytetit, duke filluar nga ora 11:00, në kuadër të manifestimit të 60-vjetorit të “Mitingut të Poezisë”.

Buxhovi kishte njoftuar se “Libri i Gjakovës” është botimi i dytë i këtij libri, me disa ndryshime.

“Dimensioni shpirtëror i një dashurie tragjike nga mallkimi i “gjakut të papastër” midis një dërvishi të verbër dhe fallxhorës në rrethanat e pushtimit tridhjetë e shtatë mujor të Gjakovës nga ushtria serbe dhe ajo malaziase në vjeshtën e vitit 1912, kur qyteti përgjatë lumit Krena, ndahet në dy pjesë, gjendje kjo që nxjerrë në pah edhe natyrën e karaktereve ndër më të ultat”, kishte shkruar Buxhovi./KultPlus.com

May be an image of 1 person and text

Në bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë u mbajt “Ora e Shkrimtarit” me poeten Naime Beqiraj

Në një ambient të bukur, rrethuar me libra llojesh dhe zhanresh të ndryshme dhe me praninë e shumë pjesëmarrësve, në Bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë, u mbajt Ora e shkrimtarit me poeten Naime Beqiraj. Ky ishte takimi i dymbëdhjetë më radhë, i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili po organizohet në shumë qendra të Kosovës.

Aktiviteti u moderua nga shkrimtari Binak Kelmendi, i cili prezantoi Naime Beqirajn, si poete, gazetare dhe drejtoreshë e Bibliotekës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Duke i përmenduar veprat kryesore të saj të shkruara deri më tani, Kelmendi vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Beqirajt në kuadër të zhvillimeve të poezisë së sotme shqipe.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Xhenet Syka, drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, e cilësoi Naime Beqirajn si një zë të veçantë poetik që dallohet me vlerën e poezisë së saj. Pos kësaj, znj. Syka, foli edhe për kontributin e Naime Beqirajt në organizimin e edicionit XX-të jubilar të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.

Ndërkaq, poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili njëherësh është udhëheqës i këtij projekti, tha se takimet e tilla kanë vlerën e tyre, në radhë të parë, për rëndësinë e letërsisë kombëtare dhe për leximin në përgjithësi, sidomos për gjeneratat e reja. Prandaj takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të biseduar për temat që ndërlidhen me arsimin, kulturën dhe për nxitjen e talenteve të reja, për t’u marrë me fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare.

Ora e Naime Beqirajt në Bibliotekën “Azem Shkreli”, në Pejë ishte e ndërlidhur me kujtimet e fëmijërisë së saj, pastaj me fillimet krijuese dhe me botimet e poezive të para në revistat letrare që botoheshin në Kosovë. Në këtë mënyrë, poetja Beqiraj shpalosi kujtime të shumta nga përvoja e saj krijuese, të ndërlidhura edhe me qytetin e bukur të Pejës, pikërisht me vendlindjen ku burojnë frymëzimet e shpirtit, si dhe me pasionin e dashurinë për librin, leximin, miqtë etj.

Pasi lexoi poezinë e saj “Xhubletë e n’ejme n’kambë”, e cila me përmbajtjen interesante dhe me ritmin e saj, veçanërisht në të folmen gege, para së gjithash, i emocionoi të gjithë të pranishmit, Beqiraj foli për përvojën e saj krijuese, për bashkëpunimin me Azem Shkrelin dhe me poetë të tjerë, për vitet e studimeve në Prishtinë, duke përfshirë orët letrare të organizuara nga Klubi

Letrar “Jeronim de Rada” i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si dhe për shumë aktivitete të tjera letrare dhe kulturore.

Në vazhdim evokoi periudhën e botimit të librit të parë me poezi “Mbi Siparunt”, pastaj të librave “Maket Kosove”, “Njomja e fikut”, përfshirjen në antologji të shumta të poezive brenda dhe jashtë vendit, për përkthimin e poezive të saj, por edhe për profesionin e gazetares në disa mediume në Kosovë, para dhe pas luftës.

Në pjesën e fundit të këtij aktiviteti letrar u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Naime Beqiraj, me ç’rast nga të pranishmit iu parashtruan pyetje të shumta, kryesisht që ndërlidheshin me krijimtarinë e saj poetike në të kaluarën dhe për projektet krijuese në të ardhmen, por u debatua edhe për probleme të ndryshme të letërsisë, kulturës, leximit, promovimit të vlerave krijuese etj./KultPlus.com

“The Guardian”: Aventurë emocionuese skijimi në peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi bashkohen në Bjeshkët e Nemuna, duke ofruar ditë të mrekullueshme skijimi, shkruan Katy Dartford në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.

Është e vështirë të dish saktësisht se në cilin vend ndodhesh kur je lart në Bjeshkët e Nemuna.

Të njohura si Alpet Shqiptare, ky varg malor i thyer shtrihet nga Shqipëria veriore në Kosovën perëndimore dhe në verilindje të Malit të Zi.

Ne ishim në një udhëtim turistik për ski për të eksploruar zonën, e cila tërheq 200 deri në 300 vizitorë gjatë sezonit dimëror.

Vendosëm të eksploronim zonën për borën e pa gjurmuar dhe mundësinë për të eksploruar tre vende brenda një dite, të rrethuar nga një shkretëtirë e bardhë vezulluese me vetëm disa fshatra të veçuara.

Kërkohen aftësi të mira skijimi jashtë dhe një nivel i mirë fitnesi për ngjitjet, por Alpet premtojnë një aventurë larg shpateve të destinacioneve të zakonshme evropiane të skive, të tejmbushura me turistë.

Gjatë një jave, kemi bërë 4-8 milje në ditë ngjitje dhe u akomoduam në bujtina.

Ne vazhduam drejt majës (Maja e Bardhë) 2392 metra, të nxitur nga bora e pastër që na priste në shpatin e saj jugperëndimor në Kosovë.

Ne u ngjitëm përgjatë Qafës së Pejës (2275 metra), që përshkon dy vendet, duke ruajtur një ritëm metronomik me skitë tona turistike.

Ndërsa arritëm majën, majat përreth ofronin një shfaqje magjepsëse, duke zbuluar një pamje të një vargmali dhe të një maje me dëborë, përpara se të kalonim edhe një herë pas një perdeje të trashë reje.

Ne u shpëtuam mjegullave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe zbritem në peizazhin e mbuluar nga dielli të Kosovës.

Kishim kohë edhe për një xhiro tjetër në këtë peizazh të pacënuar dimëror – përpara se të skijonim nëpër luginën kosovare të Zalli i Rupës me bredha – dhe të përfundonim turneun tonë të skive rreth Bjeshkëve të Nemuna.

Udhëtimi ynë nisi një javë më parë në Pejë, në fund të skajit lindor të vargmalit malor. Pasi arritëm në qytetin e Kosovës në mbrëmje, na ranë në sy majat mbresëlënëse gëlqerore të larta – të cilat dominuan peizazhin e pyllëzuar mëngjesin tjetër.

Përveç ndërtesave që datonin nga e kaluara e tij romake, bizantine dhe otomane, si banjot termo-minerale aty pranë, të krijuara që nga lashtësia, qyteti kishte gjithashtu një fabrikë birre të njohur (Birra Peja).

Virtyt Gacaferri i cili na njohu me zonën – bëri shaka se kishte jetuar në gjashtë vende pa u zhvendosur fizikisht, një referencë për të kaluarën e trazuar të rajonit, veçanërisht shpërbërjen e Jugosllavisë dhe konfliktin e Kosovës në vitet 1990.

I frymëzuar nga suksesi i një shtegu ecjeje prej 119 miljesh (192 kilometra) (Majat e Ballkanit i iniciuar në 2013) për të promovuar paqen dhe për të ofruar punësim në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, Virtyti donte të shihte nëse malet mund të tërhiqnin vizitorë edhe gjatë muajve të dimrit.

Kështu që, ai punoi për hapjen e tre bujtinave për sezonin dimëror dhe u krijua Balkans Natural Adventure – një nga kompanitë më të mira që ofron turne të vetëdrejtuara në Majat e Ballkanit.

Ne i kaluam netët në këto bujtina gjatë turneut tonë. Të nesërmen në mëngjes u nisëm nga Hotel – Kulla e Zenel Beut në drejtim të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Me pajisjet për skijim dhe bagazhet tona të lidhura në majë të furgonit, ne kaluam në shtigje të pjerrëta pyjore dhe përrenj shkëmborë, duke u ngjitur drejt majave me borë që shfaqeshin në horizont.

Më në fund arritëm në bujtinën Gacaferi, në një luginë me borë në provincën e Deçanit në Kosovën perëndimore.

Ndërsa ne ngjiteshim në Qafën e Ali Pejës, zbuluam një panoramë të maleve të thepisura dhe luginave të pacënuara.

Pas një ngjitjeje dy-orëshe arritëm në dy maja të rrumbullakosura 2300 metra, të cilat, si shumë të tjera në rajon, nuk ishin emërtuar ende.

Këto maja ofronin pamje të luginës së Dobërdolit dhe Valbonës në kufirin shqiptar, ndërsa Gjeravica e Kosovës, maja e dytë më e lartë e Bjeshkëve te Nemuna rreth 2656 metra, ngrihej pas nesh.

Gjatë kthimit tonë në bujtinë pas skijimit për 30 minuta nëpër borën e butë, Safete Gacaferi na priste me filxhanë kafe turke pranë një zjarri të ndezur.

Pas një dite të gjatë, ne pushuam rreth sobës, duke parë punën e vështirë që po bëhej në kuzhinë.

Safetja përgatiti piten duke rrotulluar copa brumi në rrathë të hollë dhe duke i përhapur ato me një përzierje qumështi kremoze të njohur si halta, përpara se t’i mbështillte në formë spiraleje dhe t’i piqte.

Ne i hëgrëm ato me qofte shtëpie dhe speca, përpara se të shkonim në dhomat tona të përbashkëta me shtretër të rehatshëm.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm për ski në një peizazh të pastër njëngjyrësh, me synimin për të vizituar tre vende në pak sekonda.

Duke arritur Majën e Trekufirit (2,366 metra), ku takohen të tre kufijtë, ne thirrëm emrat e secilit vend – Shqipëri, Mali i Zi dhe Kosovë – ndërsa ndodheshim ne majën e malit.

Më pas zbritëm drejt një fshati të zbrazët, Bogiçevicës, ku na mirëpriti një oficer gazmor i patrullës kufitare, kureshtjen e të cilit e zgjoi risia e vizitorëve të sezonit dimëror.

Një ish-kamion i ushtrisë, i pajisur me një rimorkio për pajisjet tona, na çoi në një udhëtim në Babino Polje në Mal të Zi.

Në bujtinën “Eko Katun Hrid” na pritën fëmijët e Enes “Enko” Dreskovic, të cilët na ofruan lëng boronice të bërë në shtëpi dhe pantofla të ngrohta.

Bujtina ishte aq larg sa nuk kishte sinjal telefoni, por kishte dushe të nxehta në apartamentet e sapondërtuara, të cilat kishin krevate dyshe dhe teke. Ne shkuam për të fjetur nën zhurmën e lumit poshtë.

Ndërtesa kryesore ishte një shtëpi tradicionale familjare me një dhomë ndenjeje dhe kuzhinë të madhe dhe të ngrohtë.

Enko është një figurë madhështore dhe gjithashtu drejtori i Parkut Kombëtar Prokletije të Malit të Zi.

Gjatë një darke ku na shërbyen bërxolla qengji, peshk të skuqur, pulë dhe patate, ai ndau historinë e përfshirjes së tij në krijimin e parqeve kombëtare në të tre vendet, rreth 20 vite më parë.

Vizioni i tij ishte të bashkonte parqet dhe të thyente kufijtë.

“Njerëzit këtu janë të njëjtë, pavarësisht nga kombësia. Fqinji juaj mund të jetë më i afërt se vëllai juaj”, tha ai.

Gjatë dy ditëve në vijim, ne vizituam fshatrat e thella si Dobërdoli në Shqipëri, duke qëndruar në bujtinën “Leonardi”, një nga vendet më të veçuara deri më tani.

Prej këtu skijuam deri në majën e Shpatit (2203 metra), duke ndjekur kreshtën befasuese që të çonte në majën e quajtur “Kershi i Kocit” – para se të ktheheshim në ngrohtësinë e bujtinës, ku na servirën një shishe raki.

Udhëtimi u mundësua nga Balkans Natural Adventure; pushimet shtatë ditore kushtuan rreth 1500 euro, duke përfshirë guidat lokale, transfertat dhe disa vakte./atsh/KultPlus.com

Vjershë

Poezi e shkruar nga Alexander Pushkin.

Mos u ngrys prej dëshpërimit
Nëse jeta të gënjen,
Hesht në ditën e mundimit
Rishtaz ditë e gazit vjen.

Zemra me të ardhmen rron,
Nga e sotmja shqetësohet,
Kur gjithçka papritur shkon
Për të shkuarën mallohet.

Dhe zemra rrek e ngazëlluar
Sepse për të u ngjallën sot
Hyjni e vjershë e frymëzuar
Dhe jetë e dashuri e lot.

‘U përzgjodh arkitekte e huaj’, nënkryetarja Pashako flet për sfidat e “Shtëpisë Studio Kadare-Agolli”: Hera e parë që muzealizohet letërsia!

Frida Pashako, nënkryetare e Bashkisë Tiranë, në një intervistë për “Exclusive” në Top Channel foli për projektin “Shtëpia Studio Kadare- Agolli”.

Ajo u shpreh se për projektin u zgjodh një arkitekte e huaj, ndërsa shtoi se kjo ishte një mundësi për bashkinë për të krijuar një shtëpi muze. Ndër të tjera ajo foli për sfidat dhe vështirësitë e projektit, por që çdo gjë shkoi më së miri.

“U përzgjodh një arkitekte e huaj që kishte punuar te “Shtëpia e Gjetheve”. Është hera e parë që muzealizohet letërsia dhe figura e personave shumë të rëndësishëm. Prania e një arkitekti të huaj ishte shumë e rëndësishme, pasi i jepte distancën dhe ftohtësinë e duhur për të interpretuar. Duke dhënë sa më shumë informacion, lë vizitorin të gjejë konkluzionet e tij.

Ishte një mundësi e madhe për bashkinë për të krijuar një shtëpi muze, pasi ne e kemi nisur punën kur Ismaili ishte gjallë. Muzetë janë menduar për njerëzit që nuk ekzistojnë më, ishte një punë shumë delikate. E shpjeguam që s’do bënim një fetiçizëm të shkrimtarit, por më shumë vepra e tij. Të ruanim brenda mureve veprat dhe atmosferën.

Për ne ka qenë një projekt shumë i rëndësishëm, i shtrirë ndër vite. Ka filluar në vitin 2017. Këto janë apartamente ku bashkohen dy njësi banimi.”, u shpreh Pashako./ Top Channel/ KultPlus.com

Pse Pensilvania është shteti që vendos zgjedhjet presidenciale amerikane?

 A do të ketë sërish Pensilvania një votë vendimtare në zgjedhjet e nesërme presidenciale amerikane? Pse shteti më i pavendosur amerikan nuk do të jetë i lehtë as për Trump dhe as për Harris?, pyet një nga gazetat më të njohura të botës ”The Hindustan Times”.

Pensilvania, shteti i pestë më i populluar në SHBA, ka 19 vota elektorale vendimtare dhe qëndron si më i madhi nga shtatë shtetet kryesore.

Fushata agresive e kandidatit republikan për president Donald Trump dhe kundërshtares së tij demokrate, zëvendëspresidentes aktuale Kamala Harris në Pensilvani, ka të ngjarë të rezultojë në një garë të barabartë në zgjedhjet për Asamblenë e SHBA-së.

Më i madhi nga të shtatë shtetet amerikane të lëvizjes, Pensilvania, shpesh konsiderohet si një faktor vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Është një çmim që kandidati fitues duhet të pretendojë të jetë presidenti i ri i SHBA.

Megjithatë, Pensilvania nuk do të jetë e sjellshme as me Harris dhe as me Trump ditën e votimit.

Harris kundër Trump: Pensilvania nuk do të jetë e lehtë për asnjërin prej tyre

Ndërsa si Donald Trump, ashtu edhe Kamala Harris u kanë premtuar mbështetësve të tyre se do të çlirojnë Pensilvaninë, votuesit në këtë shtet kanë një detyrë të vështirë për të zgjedhur mes të dy kandidatëve.

Ndërsa votuesit janë të mërzitur me Kamala Harris për shkak të rritjes së normës së inflacionit nën administratën Biden-Harris, roli i Trump në kufizimin e aksesit të abortit për miliona amerikanë ka të ngjarë të ndikojë në ndikimin e tij në shtetin që duhet fituar.

Pse Pensilvania është një fushëbeteje e rëndësishme?

Pensilvania, shteti i pestë më i populluar, ka 19 vota elektorale vendimtare dhe qëndron si më i madhi nga shtatë shtetet kryesore. Të dy, Kamala Harris dhe Donald Trump po bëjnë përpjekje të konsiderueshme këtu, me vizita të shpeshta në këtë shtet kyç që ndodhet midis Liqeneve të Mëdha dhe Atlantikut – më shumë se çdo shtet tjetër.

Sfida është veçanërisht kritike për Harris, pasi asnjë demokrat nuk është ngjitur në presidencë që nga viti 1948 pa fituar Pensilvaninë.

Që nga viti 1992, ky shtet ka qenë pjesë e shteteve industriale veriore që mbështesin vazhdimisht kandidatët demokratë – derisa Trump e shkatërroi atë traditë në 2016 me një diferencë të ngushtë.

Kush ka të ngjarë të fitojë Pensilvaninë?

Një sondazh i kryer me 800 pjesëmarrës sugjeron se për shumicën e votuesve në Pensilvani ekonomia dhe inflacioni janë faktori më vendimtar i ndjekur nga aborti.

Disa ekspertë politikë mendojnë se votuesit e Pensilvanisë mund të favorizojnë Trump për të menaxhuar ekonominë, pasi nën administrimin e tij ekonomia ishte në një vend shumë më të mirë.

Sa i përket numrave, Harris ka të ngjarë të fitojë dy pikë, 50%-48%, sipas një sondazhi nga ”Marist”, që përfshin gjithashtu votuesit e pavendosur.

Nga ana tjetër, ka një diferencë prej 48%-47% në një sondazh të ”Washington Post” (diferenca e gabimit 3,1 pikë), të dyja të publikuara të premten e kaluar./ atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti në Vjenë: Demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës. Ai ishte folës kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kurti fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë.

“Si një vend i ri me një angazhim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë”, tha Kurti.

Ai foli edhe rreth arritjes së marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.

Numri një i qeverisë kosovare u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike.

“Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”, u shpreh Kurti.

Albin Kurti, me këtë rast foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.

Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha kryeministri, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona”, thuhet në njoftim.

Ai tha se kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë.

“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Sot ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se për të patur zhvillim nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”, potencoi kryeministri i vendit.

Ai këtë e mbështeti me indikatorët e performancës ekonomike, politikat sociale, mbështetjen për qytetarë, punësimin, rritjen e pensioneve, pagave dhe pagës minimale, në të njëjtën kohë kur kemi treguar përparim dhe përmirësim në demokraci, në sundim të ligjit, në liritë civile dhe të drejtat politike, siç dëshmohen në raporte të ndryshime ndërkombëtare.

Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri. Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.

“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë.

‘Wine & Stories’, mbi 5 mijë vizitorë në sheshin e Beratit

Fundjava që kaloi mblodhi në Berat mbi 5 mijë vizitorë dhe turistë u mblodhën për tri netë në sheshin kryesor të qytetit për të festuar për verën.

“Wine & Stories of Berat” mblodhi 41 kantina, 34 nga Shqipëria e Kosova dhe 7 nga Italia, të cilat morën në fund edhe çmime për verërat më të mira.

Somelierët Darrel Joseph, Mauro Porcu dhe Paul Breus dhanë 7 çmime bronz, 53 silver dhe disa çmime gold.

Në këtë festë morën pjesë personalitete të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik. Ky është një ndër aktivitetet më të mëdha të  kalendarit të festave, që organizohen në Berat.

Të surprizuar nga suksesi i festivalit janë edhe kantinat e qytetit.

Një prej sipërmarrësve të kantinave, tha se “festivali këtë vit shkoi përtej pritshmërive tona dhe shumë më mirë se viti i kaluar. Pjesëmarrja e njerëzve ka qenë masive nga Shqipëria dhe nga bota”.

“Mendoj që vendndodhja këtë vit, në sheshin e ri, kryesor të qytetit, krijoi hapësirë më të madhe dhe sigurisht pati më shumë pjesëmarrës. Verëdashësit kanë konsumuar më shumë se 3 ose 4 gota vere, duke provuar nga të gjitha llojet e verërave që ne kemi. Ata preferuan më shumë varietetet autoktone të zonës së Beratit. Ajo që na pëlqeu ishte fakti që klientët, sidomos turistët e huaj kërkonin informacion gjatë panairit për verën që pinin”, tha ai.

Këngëtarët Alban Skënderaj, Ronela Hajati, McKresha, Lyrical Son, Eugent Bushpepa performuan në tri netët e festës në sheshin kryesor të qytetit, tek bulevardi “Republika”.

Pjesë e festës ishte edhe turi i degustimit, vizitës në vreshta, shtypjes së rrushit, muzikës tradicionale, ushqimit fantastik dhe pamjeve perfekte./abc news/ KultPlus.com

Gjërat personale të intelektuales Musine Kokalarit do të ruhen në muze

Për 41 vite me radhë ka ruajtur me kujdesin dhe fanatizmin më të madh rrobat dhe sendet personale të shkrimtares disidente Musine Kokalari, e tashmë ato I dorëzoi pranë muzeut që pasardhësit i kanë ngritur për nder të saj.

Bibika Kokalari tregon disa prej çasteve nga takimet e pakta që mundi të kishte me intelektualen gjirokastrite, e cila u burgos dhe u internua për rreth 40 vite nga regjimi komunist, dersa ndërroi jetë e vetme në Rreshen.

Musine Kokalari nuk pranoi kurrë t’i bashkohej rradhëve të komunistëve, madje në gjyqin famëkeq kundër saj ajo mohoi kategorikisht të ishte mbështetëse e regjimit dhe idealeve të Enver Hoxhës, gjë e cila solli dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj. Bibika thotë se jo pak herë i është kërkuar që sendet që mbante prej vitesh t’i dorëzonte  pranë muzeut etnografik në Gjirokastër,por siç thotë ajo kjo nuk mund të ndodhte kurrë, pasi ky muze ndodhet në banesën e ish diktatorit Enver Hoxha.

Musine Kokalari kaloi 16 vjet burg dhe 22 të tjerë internim. Në 10 shkurt të vitit 2017 dosja e saj u hap e para për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe dënuan gjatë regjimit komunist./abcnews.al/ KultPlus.com