Plazhe, laguna, kulturë e kulinari, Xhani: 1.4 milionë turistë vizituan Lezhën

Lezha me bregdetin dhe lagunat e saj, sitet kulturore e historike, peizazhet mahnitëse tërheq pushues vendas dhe të huaj, trend që vijon në rritje prej vitesh tashmë.

Potencialin më të madh e ka turizmi bregdetar pasi plazhet e Lezhës, Shëngjini, Talja apo Rana e Hedhun frekuentohen masivisht.

Fluksi më i madh i turistëve regjistrohet gjatë sezonit veror, edhe pse Lezha ndërthur natyrshëm turizmin bregdetar me atë historik e natyror.

Janë rreth 1. 4 milionë turistë që e kanë vizituar Lezhën gjatë periudhës janar-tetor 2024, ndërsa kryesojnë sërish pushuesit nga Kosova me 75% të prenotimeve.

Edhe këtë vit pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shëngjinin si destinacionin e tyre të preferuar për të kaluar pushimet me familjet.

Turistët e huaj, të cilët vijnë kryesisht nga Gjermania, Italia, Franca, Republika Çeke, Zvicra, Polonia dhe Ukraina zënë 20% të shifrës së përgjithshme, të ndjekur nga pushuesit nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë me 5%.

Statistikat u bënë të ditura nga Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës, i cili në një intervistë për ATSH-në u ndal te arritjet e këtij sezoni turistik, por edhe sfidat me të cilat u përballën autoritetet vendore për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit.

Rreth 1.1 milionë turistë zgjodhën bregdetin e Lezhës 

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, plazhet e Lezhës tashmë janë bërë destinacioni kryesor për pushuesit nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Këtë sezon veror janë rreth 1.1 milionë turistë dhe vizitorë që i janë drejtuar plazheve të Lezhës.

“Nga raportet për muajin qershor dhe korrik rezultojnë 700 mijë turistë. Për muajin gusht rezultojnë 500 mijë turistë që përdorin strukturat akomoduese dhe janë rreth 100 mijë turistë ditorë që shfrytëzojnë plazhet qytetit të Lezhës. Përqindjen më të madhe e zënë shqiptarët e Kosovës me 75 % të prenotimeve, por është vënë re gjithnjë e më shumë një rritje e numrit të turistëve nga vende të ndryshme të botës, më së shumti nga Gjermania, Zvicra, Ҫekia, Italia, Maqedonia dhe nga Kanadaja e Amerika”, u shpreh Xhani për ATSH-në.

Bregdeti i Shëngjinit vijon të mbetet zgjedhja kryesore e turistëve, i kompletuar me një sërë shërbimesh, i ndjekur nga plazhi i Ranës së Hedhun.

Xhani theksoi se si rrjedhojë e rritjes së numrit të turistëve, por dhe rritjes së monitorimit të strukturave akomoduese nga bashkia Lezhë, janë rritur dhe të ardhurat nga vjelja e taksës së fjetjes me 30 % më shumë se vitin e kaluar.

Por, sipas tij, “ky nuk është rezultati përfundimtar pasi është akoma në proces vjelja e taksës së fjetjes dhe kjo do të vazhdojë deri në dhjetor 2024”.

Turizmi historik dhe ai kulinar, “magnete” për turistët e huaj

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Xhani theksoi se Kalaja e Lezhës në total ka pasur 5837 vizitorë nga janar i vitit 2024 deri në gusht 2024, duke sjellë një rritje prej 65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur ka ka pasur rreth 4 mijë vizitorë.

Për sa i përket lëvizjes së turistëve në Zonat e Mbrojtura të Qarkut Lezhë, Xhani tha se për muajt maj – korrik në Kune u regjistruan gjithsej 3728 vizitorë, në Vain – Tale 4540 dhe në monumentin e natyrës Rana e Hedhun gjithsej 13 543.

Po ashtu në Memorialin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë pritur 17.270 vizitorë nga janar 2024 deri në gusht 2024.

Lezha vitet e fundit është bërë e njohur për gastronominë ideale, pra për gatimet e shijshme, shërbimin cilësor, çmime të arsyeshme që janë vlerësuar edhe nga turistët vendas dhe të huaj ku këtë vit ka pasur 250 mijë vizitorë.

Turizmi historiko-kulturor zë një pjesë të rëndësishme të turizmit ku merr një pjesë të konsiderueshme me rreth 30 mijë turistë.

Xhani bëri të ditur për ATSH-në se nga muaji shtator ka pasur po ashtu një rritje të konsiderueshme të turistëve të huaj të organizuara në ture nga agjenci turistike, të cilët kanë vizituar më shumë atraksionet historike dhe kulturore.

Harta e turistëve të huaj që kanë vizituar Memorialin e Skënderbeut gjatë muajit shtator është zgjeruar duke arritur në turistë nga 32 shtete.

“Gjatë muajit shtator, Muzeu Etnografik dhe Memoriali kanë pasur 2.149 vizitorë, të cilët vijnë nga shtete si Anglia, Spanja, Italia, Kosova, Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Izraeli, SH.B.A, Poloni, Zvicra, Islanda, Hungaria, Austria, Australia, Kanada, Peru, Kina, Portugalia, Kroacia, Danimarka etj”, tha Xhani.

Interesi, sipas tij “ka qenë i lartë dhe për objektet religjioze si Kisha e Shën Eufemisë, Kisha e Shën Barbaras dhe Kisha e Shën Premtes”.

Xhani u ndal edhe te sfidat me të cilat janë ndeshur autoritetet vendore gjatë këtij sezoni veror, ndërsa veçoi si problematikë situatën nga zjarret.

“Problematikat që janë hasur gjatë muajit gusht kanë qenë të lidhura me zjarret masive që kanë rënë në malin e Shëngjinit, në afërsi të portit. Ndërhyrja e institucioneve përkatëse ishte e menjëhershme, duke marrë masat e nevojshme për t’i evakuuar pushuesit. Puna ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ku edhe është bërë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit dhe rikthimi i normalitetit”, tha ai./atsh/KultPlus.com

Filmat e animuar me legjenda shqiptare do të shfaqen në Zagreb

Më 26 tetor 2024, në orën 17:00, kinemaja CineStar në Qendrën Branimir, Zagreb, do të jetë mikpritëse e një eventi të veçantë kulturor, ku do të shfaqen filmat e animuar të bazuar në legjenda shqiptare. Këto filma, të titulluar “Legjenda e Argjiros” dhe “Legjenda e Vendit t’Shenjt”, kanë për qëllim të prezantojnë trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të kulturës shqiptare për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit.

Ngjarja do të nisë me një ceremoni ku do të marrin pjesë përfaqësues të ambasadave dhe artistë të mirënjohur si skenaristja dhe regjisorja Eliona Thomaraj, piktori dhe skenografi Bledar Grecaliu, si dhe fëmijët që janë pjesë e projektit. Filmat do të shfaqen në gjuhën shqipe me titra në anglisht, duke e bërë këtë event të hapur dhe të aksesueshëm për publikun ndërkombëtar.

Ky aktivitet organizohet nga Shoqata Teatrore në Kroaci “Mërgimtari”, Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci dhe Ambasada e Shqipërisë, me mbështetjen e ambasadave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut./ KultPlus.com

Maratona ime

Poezi nga Sibel Halimi

Po, jam grua
Nuk besoj në autoritete
të shpifura
Rrënoj botën ringris të shtypurin
Krijoj rrugëdalje

udhë t’reja t’pashkelura

u jap shpirtë trupave të vdekur
Besoj në dashuri
në diell e hënë

shpresën në yje varur e kam
ngre kokën shoh re të zeza

Po, jam grua e s’ndalem
Eci e lodhur, e dërrmuar
mbi pullazin e qelqtë që mbruan
pezmin e mitit të madhështisë

Jam grua, fustani i zi, i bardhë i kuq
Lëvizë në frymën tënde
valëvitet në erë flamur i grisur

zë në thua në rritën tënde
nuk rrëzohem jo se jam grua

Drita është hapi im helius
vallëzoj për ty

Jam grua
Arnoj fustanin tim
Me fatin e shoqes sime

pasuri të vetme
kavanozin e babait tim trashëgim
Tërhequr zvarrë në rininë e tij
E qaforen e nënës dhuruar kur linda unë

Jam grua që vrapoj zbathur
me vragë e gjakosur
vrapoj e qesh sepse dashuroj marrëzisht lirinë

mitet bien bashk me rrobat e mia
kallen flatrat
jam lakuriq, por e lirë. / KultPlus.com

TKK nikoqir i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, drejtori Sheremeti: 12 shfaqje në konkurrencë dhe shumë aktivitete teatrale 

Era Berisha 

Së shpejti vjen shfaqja më e re në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Emira”, nën regjinë e Kushtrim Bekteshit. Drama e shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori, do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor, me ç’rast janë bërë bashkë tri shtete për realizimin e saj. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Shqiptar i Shkupit kanë bashkuar forcat e tyre për të sjellë një premierë të veçantë në Prishtinë, shkruan KultPlus.  

Si rrallëherë, projekti përfshin tri kryeqytete të rajonit dhe tashmë përgatitjet veçse kanë filluar. Emocionet janë të mëdha për drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, i cili na tregon se projekti vjen si pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim teatror në mes të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, e nënshkruar në shtator të vitit 2022, ku pjesë e saj është organizimi i përbashkët në formatin e rotacionit, të festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Marrëveshja përfshin edhe realizimin e një projekti bashkëprodhim në mes të tre teatrove kryesore shqiptare në rajon, çdo vit. Ky projekt ka ardhur pas bashkëprodhimit të vjetshëm të shfaqjes “Shtëpia e Zotit” në regjinë e Ilir Bokshit.  

Me shfaqjen “Emira” do të hapet edhe Festivali i Teatrove “Moisiu” që këtë vit, nikoqir do të jetë Teatri Kombëtar i Kosovës. Se si erdhi deri te përfshirja e këtij festivali, në një intervistë për KultPlus ka treguar drejtori Sheremeti, i cili thotë se bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr por që fatkeqësisht mbetej si e atillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë. 

 “Në muajin maj të vitit 2022 u takuam bashkë me Adem Karagën, Altin Bashën dhe Hervin Çulin dhe diskutuam shtruar e miqësisht lidhur me ëndrrën e kamotshme të komunitetit teatror shqiptar për thellim dhe institucionalizim të bashkëpunimit. Bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr dhe fatkeqësisht mbetej si e tillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë, ose ndonjëherë edhe për shkak të kapriçove. Dhe u dakorduam, u morëm vesh si njerëz, si miq si artist dhe si udhëheqës institucional që ta ndryshojmë ‘lojën’ dhe ta bëjmë këtë ëndërr realitet”, thotë ai. 

Sipas tij, me shumë vështirësi, me shumë sfida, me shumë improvizime dhe me shumë dashuri, ndodhi “Moisiu” në Shkup për 12 netë rresht në nëntor të vitit 2022. Duket se ata morën mësimet nga Shkupi dhe i implementuan në Tiranë në nëntor 2023, duke mbledhur kështu të gjitha mësimet e dy edicioneve të kaluara, që tani po mundohen t’i implementojnë sivjet në Prishtinë.  

“Po shpresojmë dhe besojmë se të gjitha sfidat që i kemi, do të tejkalohen dhe do t’i festojmë në mënyrën më të mirë për të arriturat e teatrit shqiptar nga 20-28 nëntori i sivjetmë në Prishtinë dhe të vazhdojmë prapë në Shkup e Tiranë e Prishtinë gjatë gjithë jetës.” 

Përpos shfaqjes “Emira”, nuk pritet që këtë vit të jepet ndonjë premierë tjetër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kjo për shkak të vonesës në prodhim pasi që intervenimet në sallën e Amfiteatrit kanë qenë të planifikuara në muajin janar të këtij viti, por që pastaj ato kanë zgjatur deri në fund të muajit mars. 

Sidoqoftë, brenda këtij viti, TKK ka sjellë premierat: “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare nën regjinë e Kushtrim Koliqit, “Martesa” e Grombroviq nën regjinë e Norbert Rakovskit dhe “Makbethi” i Shekspirit nën regjinë e Qëndrim Rijanit. Njëkohësisht, në TKK janë shfaqur edhe premierat e bashkëprodhimeve të TKK-së, si “Fausti” i Fadil Hysaj dhe “The best european show”, një bashkëprodhim i madh evropian i TKK-së me katër teatro tjera evropiane. 

Tani po kurorëzohet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”, një bashkëprodhim i dytë me radhë, i tre teatrove kombëtare shqiptare, që vjen nëpërmjet premierës së shfaqjes “Emira” të Santorit.  

Për faktin se ky festival ka karakter garues, konsiderohet se këtë vit, tre nga pesë anëtarët e jurisë do të jenë të huaj. Ende nuk është kryer formacioni i plotë i jurisë, por së shpejti TKK do të dalë me të gjitha informatat për këtë pjesë. 

Përpos shfaqjeve, natyrisht që ka diçka edhe përtej teatrit në këtë edicion. Sipas drejtorit Sheremeti, festivali përmban një program intensiv jashtë programit të shfaqjeve. Janë gjithsej dymbëdhjetë shfaqje, (katër nga secili shtet) të cilat do të jenë në konkurrencë. Këto shfaqje përpos në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë, priten të shfaqen edhe në Sallën e Kuqe si dhe në Teatrin Oda. 

Po ashtu, drejtori Sheremeti ka bërë të ditur për KultPlus se do të ketë edhe shumë aktivitete anësore. Çdo ditë në mesditë një trupë e kritikës do të mbaj diskutime me ekipet dhe publikun e shfaqjeve të një nate më herët dhe njëkohësisht pritet të ketë edhe punëtori tematike si: gjithëpërfshirja në teatrot shqiptare, Punëtori mbi Arkivat e teatrove shqiptare, Punëtori mbi përdorimin e pajisjeve moderne në realizimin e rekuizitave në teatrot shqiptare si dhe një konferencë ndërkombëtare me temën “Ku jemi sot”, ku përpos teatrove shqiptare do të jenë folës dhe mysafirë edhe shumë teatro evropiane – partnerë të TKK-së nga European Theatre Convention.  

Është e kuptueshme që shfaqjet e TKK-së vazhdojnë të zgjojnë interes për publikun dhe si drejtor i këtij institucioni, Kushtrim Sheremeti po ndjehet i lumtur me rezultatet. 

“Jam shumë i lumtur me rezultatet në aspektin e përgjithshëm, por besoj se mund të bëhet edhe më shumë. Përtej klisheve, jam çdo ditë në garë me vetveten sepse jam i bindur që këto suksese mund dhe do të tejkalohen, sidomos pas kthimit në objektin e TKK-së i cili tashmë ka filluar të rinovohet.”  

Për më shumë informacione rreth premierës së shfaqjes “Emira”, klikoni këtu. / KultPlus.com 

Me një skenografi moderne, Opera ‘King Lear’ vjen premierë në natën e dytë të PriVocal Fest

Vjollca Duraku
Foto: Adi Beqiri

Opera “King Lear” e William Shakespeare me kompozim nga Zoe Hippius është dhënë mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, në kuadër të Prishtina International Vocal Festival, shkruan KultPlus.

“King Lear” erdh si operë e shkruar në dy akte për solistë dhe orkestër virtuale me elemente të një rrjeti nervor, e cila u jetësua përmes aktrimit dhe këndimit fantastik të solistëve: Ismet Vejseli- tenor, Elonë Sadiku-soprano, Dea Xhemaili- mexosoprano, Elona Alshiqi-soprano, Harris Bajraktari-bariton, Shinasi Ramadani- Rizah Jahaj- tenor, Rigon Begolli-bariton dhe Lurni Krasniqi- aktor.

E tërë ngjarja u zhvillua në errësirë pothuajse të plotë, duke u përshtatur me tonin e errët dhe dëshpërues të vetë tragjedisë së Wiliam Shakespeare, e cila konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha të letërsisë të shkruar ndonjëherë.

Opera bazohet në historinë e Mbretit Lir ( britanik), i cili tenton të ndajë mbretërinë dhe pasurinë të tre vajzave të tij, e cila pasohet nga tradhëti, lojëra e komplote për pushtet dhe ambicie personale edhe të djemve të Earl-it të Gloucesterit.

Fytyrat e ngjyrosura të solistëve paraqisnin maskat përmes së cilave individët vendosin për të ardhur deri te pushteti duke fshehur fytyrën e vërtetë. Ndërsa interpretimi me veshje të zakonshme paraqiste një shmangie nga shfaqja klasike duke i dhënë operës elemente moderne. Shfaqja përfundon me vdekjen e disa prej personazheve kryesore.

Pas shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, kompozitorja Zoe Hippius tha se është ndarë e kënaqur me performancën e solistëve.

“Jam shumë e lumtur sepse sot ishte premiera ime. Për herë të parë e kam provuar veten si skenariste, dhe kjo gjë sonte më pëlqeu shumë. Dëshiroj që të vazhdoj më tutje. Të gjithë këngëtarët ishin të mrekullueshëm. Edhe stafi më kanë ndihmuar shumë. Jam habitur se si për një kohë të shkurtër janë përgatitur, janë koncentruar dhe e kanë përcjellë tërë pasionin e tyre te publiku. Niveli i këndimit dhe aktrimi ishte i lartë”, ka thënë kompozitorja Hippius, duke shpresuar që ta pëlqejë edhe publiku.

“Kemi përdorur orkestër elektronike. Kënga e parë edhe e fundit kanë qenë me program kompjuterik, pjesa tjetër është elektronike. Jam inspiruar nga tragjedia e Shekspirit, Mbreti Lir. E gjitha është se si ti mundesh të përceptosh një harmoni të mesjetës që më ka inspiruar mua, që është pjesë e një stili jo shumë të zakonshëm. Uroj që ta pëlqejnë njerëzit”, ka thënë Hippius.

Ndërsa, tenori Ismet Vejseli tha se kjo operë për të ka qenë sfiduese, porse një bashkëpunim i shkëlqyer me kolegët profesionist solli rezultatin e mbrëmjes.

“Është hera e dytë që performoj në muzikë moderne. Është shumë e vështirë edhe vokalisht por edhe muzikalisht. Unë e kam pasur rolin kryesor të King Lir-it. Ka qenë shumë e vështirë ta përgatitësh, mirëpo provat kanë qenë shumë intensive, kemi kaluar shumë mirë me kolegë të cilët janë të gjithë të talentuar, dhe mendoj që rezultatin e patëm shumë të mirë”, ka thënë tenori Vejseli duke shprehur edhe një mesazh për audiencën vendore.

“Audienca duhet ta kuptojnë që muzika moderne dhe kompozitorët e tashëm duhet t’i respektojmë dhe t’i dëgjojmë, jo vetëm kompozitorët e vjetër që i performojmë në të gjitha shtëpitë e operave, sepse dhe muzika moderne i ka vlerat e saj. Muzika historikisht është vlerësuar pas disa vitesh, dhe duhet të jemi të parët që e vlerësojmë këtë operë”.

Kurse, sopranoja Elona Alshiqi e cila është artiste e re ndau përvojën e saj për krijimin e kësaj opere.

“Ka qenë hera e parë që kam marrë pjesë në një operë. Provat për këtë shfaqje i kemi nisur disa ditë më parë. Ka qenë pak e vështirë për ta sjellë këtë shfaqje në këtë skenë të vogël, në këto kushte, por sidoqoftë ja kemi dalë mbanë me anë të Zoe-it, drejtorit Syla dhe në përgjithësi me mbështetjen e gjithë stafit. Sonte përjetuam emocione të paharruara”, ka përfunduar sopranoja Elona Alshiqi.

Koncerti i radhës “Young Generation” i Prishtina International Vocal Festival do të mbahet më 18 tetor, në ora 19:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com

Rita Petro nesër e pranishme në stendën e Kosovës në panairin e librit në Frankfurt të Gjermanisë

Shkrimtarja Rita Filipi (Rita Petro) do të jetë e pranishme në stendën e Kosovës (4.1 F96) nesër në orën 12:00, në panairin më të madh të librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, përcjell KultPlus.

Nesër do të promovohet Antologjia me 13 shkrimtarë përfaqësues të letërsive kombëtare, projekt i Bashkimit Europian për Çmimet Letrare (EUPL).

Rita Petro është e përfshirë në këtë Antologji me një fragment nga romani “Lindur së prapthi” në shqip dhe në anglisht, përkthyer nga Suzana Vuljeviç. / KultPlus.com

Së shpejti vjen premiera e shfaqjes dans teatër “Pas Luftës, kush jemi ne!?’

Kompania e dans teatrit “Noa” në bashkëpunim me shoqatën “Yjet që nuk vdesin” me producent Nusret Pllana, kanë nisur rrugëtimin artistik për krijimin e shfaqjes dans teatër “Pas Luftës, kush jemi ne!?’, përcjell KultPlus.

Kjo shfaqje i dedikohet sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së popullit tonë, me fokus tek kategoria e të zhdukurve si dhe fëmijët e vrarë.

Liria e fituar me shumë mund nga ne, është vlera më e lartë që ne si shoqëri e kemi, mirëpo, a jemi ne të vetëdijshëm për Lirinë tonë!?
A e vleresojmë sa duhet sakrificën e nënave, baballarëve tanë…
A jemi në nivelin ku kemi prosperuar me breza!
A e duam atëdheun në nivelet e duhura!
A jemi ne të humbur në raport me kategorinë e të zhdukurve në luftën e fundit!
A po e mbajmë gjallë kujtimin dhe angazhimin për vlerat dhe sakrificë n e popullit tonë , apo ja kemi lënë fatit të kohës të merret me të …

Tendenca e shfaqjes dans deatër “Pas Luftës, Kush jemi ne!? është që nëpërmjet gjuhës së trupit, atë të fjalës, komponimit koreografik, qasjes bashkëkohore imazheve e të gjithë komponentëve të saj, të arrij në atë formë artistike që të ngjalli refleksion mbi atë se “kush jemi ne, pas luftës!?”, “a i vlereësojmë sa duhet vlerat e pakontestushme te luftës tone për liri”, e shumçka tjetër, që së shpejti do keni mundësi t’i shihni në premierën e cila realizohet pikërisht për nder të Festës së Nëntorit. / KultPlus.com

Vdes tragjikisht Liam Payne, ish-këngëtari i ”One Direction”

Ish-këngëtari i ”One Direction”, Liam Payne u gjet i vdekur, pasi 31-vjeçari ra nga ballkoni i dhomës së tij të katit të tretë, në një hotel në Buenos Aires, tha policia argjentinase, sipas Reuters.

Policia tha në një deklaratë se ata u thirrën në hotelin ”CasaSur”, pasi u njoftuan për një “burrë agresiv që mund të ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit”.

”Kur arritën, menaxheri i hotelit raportoi se kishte dëgjuar një zhurmë të madhe nga oborri i brendshëm dhe policia zbuloi se një burrë kishte rënë nga ballkoni i dhomës së tij”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa shumë nga detajet rreth rrethanave të vdekjes së tij mbeten të paqarta, Payne kishte folur publikisht për betejat e tij me shëndetin mendor dhe përdorimin e alkoolit për të përballuar presionet e famës.

Vdekja e tij çoi në një derdhje pikëllimi nga yjet dhe fansat e industrisë së muzikës, duke përfshirë ata mes turmës që u mblodhën jashtë hotelit.

Aktorja e njohur, Violeta Antier tha se kishte ardhur menjëherë pasi i thanë se Payne kishte vdekur.

“E pashë atë dy javë më parë në një koncert të Niall, një tjetër anëtar i One Direction. Ai ishte atje, e pashë”, tha ajo.

“Ai ishte në rregull”, shtoi Antier.

Payne ndoqi një koncert të 2 tetorit nga Horan në Buenos Aires.

Të dy kishin postuar video së bashku dhe me fansat./ KultPlus.com

Premiera e “Të gjashtët kundër Turqisë”, shfaqja e cila u bë britmë për ata që nga frika heshtin 

Era Berisha 

Me një imazh të këndshëm (një shitës që bën pambuk sheqeri, qetësisht këndon një muzikë të lehtë turke), ka nisur mbrëmë premiera e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Shfaqja e shkruar nga Jeton Neziraj, ka prekur një temë të ndjeshme, por tejet të domosdoshme për të dalë në pah e vërteta të cilën shpesh, asnjeri nga ne nuk dëshirojmë ta shohim e as ta dëgjojmë, shkruan KultPlus. 

Ora shënoi fiks 20:17, kur të pranishmit tashmë veçse kishin mbushur hapësirën e Teatrit Oda, qosh më qosh. Zhurmimet e audiencës para nisjes tregonin një faktor kyç për interesimin që kishin për të parë këtë shfaqje. Loja nisi me një muzikë të qetë turke dhe imazhi i skenës na tregonte për krijimin e pambuk sheqerit dikund në një rrugicë të vogël, me një simbol të flamurit turk mu në krye. Por, shpejtë kalon në diçka tjetër. Shfaqja krijon një shfaqje brenda saj, më saktësisht, një “skenë” të improvizuar me emrin ‘Gerçek tiyatrosu’, që nëpërmjet një flamuri me dimensione të mëdha, shfaq dy kukulla që ironizonin me degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë, nëpërmjet personazheve si: Hoxha efendi dhe Tayip efendi. Ato lëviznin nën hije, njëlloj sikurse edhe pushteti që është në dorë të pushtetarëve të tanishëm të botës. 

Skenografia e krijuar nga Alice Vanini i ka dhënë shfaqjes një estetikë të përmbushur mirë. Reflektorët e mëdha në të dy anët ndërronin ngjyrat në secilën skenë dhe çdo herë arrinin të krijonin një intensitet të paparë për ta dramatizuar më mirë shfaqjen, kësisoj edhe dalloheshin edhe atmosferat e ndryshme të skenave të ndryshme përbrenda.  

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala. Qysh në fillim ata prezantojnë personazhet e tyre dhe tregojnë se marrin përgjegjësi vetëm për talentin e derdhur mbi atë skenë. “Ne marrim përgjegjësi për mundin, djersën, talentin që e derdhim në këtë skenë, madje edhe për këtë botë që tatëpjetën e ka marr. Por, refuzojmë të asocohemi prej skenave që do i shihni në vazhdim, që kanë ndodhur në realitet, jo shumë kohë më parë në Turqi, Pensilvani e Kosovë.” 

Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetëra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.   

Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë. Këtë e tregojnë edhe vetë aktorët, të cilët shpalosën se dy aktorë turk janë përzgjedhur nga thirrja e hapur specifikisht për këtë shfaqje, mirëpo ata menjëherë hoqën dorë nga frika e pushtetit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të cilin konsiderohet që ka një ideologji shtypëse.  

“Të gjashtët kundër Turqisë” vazhdimisht ka shtruar pyetje për shoqëritë me pikëpamje specifike të cilat dështojnë të mbajnë premtime dhe për politikanët të cilët gjithnjë duan që të krijojnë pushtetin nën vazhdën e ideologjisë shtypëse. Por, shfaqja kalon edhe përtej kufijve, nëpërmjet skenave nga të cilat kërkohet llogari për regjimet shtypëse të pushtetarëve të tjerë të botës. 

“Kushdo që flet për korrupsion, quhen/bëhen të burgosur politik”, “Në Turqi ka më shumë të burgosur politik se në Iran e Kinë”, “Turqia antidemokratike, e korrupsionit dhe e krimit”, janë disa nga mesazhet që epen në shfaqje, nëpërmjet lojës aktoreske të mrekullueshme. Në anën tjetër, “Nuk ka forcë që mund të na gjunjëzojë”, thotë personazhi i Tayip efendisë, i cili tenton të portretizojë më së miri luksin, mendësinë dhe çnjerëzimin e presidentit aktual të Turqisë. 

Mes elementeve të shumta që ndonjëherë vinin jo të “ngjitura” mirë, më interesant qe ai i hologramit nga i cili fliste personazhi i Hoxha efendisë. Po ashtu, prania e bomave, armëve, koncepti i “nëntë jetëve”, moskallja e flamurit turk në skenë dhe dronit lëvizës e “mbikëqyrës”, tregonin shumë për prapaskenat e vijës së bardhë e të zezë, prapa të cilave fshihen pushtetarët e botës.  

Po ashtu, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe muzika nga Gabriele Marangoni, kanë shtuar një sharm të dukshëm në shfaqje. Vallëzimi i valles rrotulluese të figurës së dervishëve (sufistë të njohur në kulturën turke e jo vetëm), bukur ka plotësuar shfaqjen. E njëjta, ndodhi edhe në skenat e fundit ku mjegulla u bë pjesë e pandashme e hapësirës, që njëkohësisht portretizonte një mjegull që ka hyrë në mendësinë tonë, për t’i mbyllur sytë ndaj padrejtësive. 

Si mace rruge janë konsideruar ata që frikën e kanë në palcë. Me këtë shfaqje, aktorët janë bërë zëri i atyre që nuk kanë zë, i atyre që janë të fshehur kudo në botë. Ata nuk mund të flasin sepse nuk kanë të drejta, mirëpo kjo shfaqje vjen si britmë për shpirtin e tyre. Pra, teatri është zhurma që këta aktorë e kanë krijuar për ta mposhtur atë frikë. 

Gjithashtu, shfaqja vjen e frymëzuar nga tragjedia “Të shtatët kundër Tebës” e Eskilit, që për temë themelore ka momentin e duelit vëllavrasës mes dy djemve të Edipit, Eteoklit dhe Polinikut. Kolektivi ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, ka kapërthyer një temë të zorshme e cila zgjoi pikëpyetje të shumta përgjatë dy orëve interpretim. 

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre. 

Aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për sfidat politike, mesazhin kyç e deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që ai beson se do të  prezantohet edhe ndërkombëtarisht. 

“”Të gjashtët kundër Turqisë”, është një vazhdimësi e shfaqjeve që i përkasin teatrit politik. Qendra Multimedia përveç pjesës së prodhimit të shfaqjeve, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në artikulimin e temave që njerëzit, artistët, nuk kanë guxim ose “nuk duan” të merren me to. Të vetëdijshëm për gjithë çfarë po ndodhë rreth nesh ose edhe me ne, ku çdo ditë e më tepër, liria e të drejtat elementare po na uzurpohen, nuk guxojmë të mos flasim e mos të reagojmë. Nëse jo ne? Atëherë kush?…Prandaj edhe si qytetar por edhe si aktor kam kënaqësi kur angazhohem në projekte si ky i fundit. Ka qenë një proces i gjatë, me shumë sfida edhe politike gjatë rrugës, me kolegë aktor turq që pavullnetshëm u desh të hiqnin dorë nga shfaqja për çështje sigurie, por besoj se ia kemi dalë të realizojmë një shfaqje të mirë. Besoj se shfaqja jo vetëm për shkak të temës por edhe për estetikën që ka, do të ketë jetë të gjatë dhe do të ketë mundësi të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.” 

Reprizat e radhës të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë.

Fotografitë: Armend Nimani / KultPlus.com 

“Po përshëndetemi për të mbramen here, dallgët e jetës do të na vërviteshin kush’ di se kah”

Gazeta Fryma 1944; artikull nga Muhamet Bala

Në fotografi Gaspër Pali

Mësuesi im

Jam shtri. Mbramje vonë. Kam bashkue përmbrapa duert e mija nën qafë. Kam ndezë cigaren e po kujtoj. Sa t’ambla janë  casat e kujtimit! Ngadalë tres në një gjysëm pavetdijeje : koha më rrëmben me furin e vet. Ndij erën jashtë që furet me hov. Qelqet e dritares dridhen. Dridhet diçka thellë edhe mbrënda mejet. Kjo erë e furishme më zgjon një kujtim që kam fort për zemër.

Me duket se jam në klasë. Dimën. Dhoma e shkollës âsht e ftofët. Dridhen trupat e nxanesavet. Mësuesi, në kambë, flet.

Ăsht hollak, i gjatë. Drita e meket e ditës së dimnit përshkon qelqet e akullt të dritares e rreh fytyrën e zbehtë të mesuesit të letërsis. Mollezat e faqevet të tija duken ma të thella. Syt, drita ia qet ma të errët: duken se kanë humbue mbrenda gropavet. Floket gati të pangjyre ndehen rrallë e rrallë mbi kreun e madh: Si e kane ba kendimet ! Sa fort e ka prishe jeta. Asht mësuesi i gjuhës shqipe.

Ăsht mësuesi i im.

Flet. Flet me ato buze të holla. Zani i tij dridhet prej te ftoftit, dridhet prej mendimevet që e djegin, dridhet prej trupit qe e mundon.

E na, xanesat, dëgjojmë, përpijmë gjithçka.

Çdo lëvizje e buzëve të tija na mëson, na there.

Duert e holla e të thata të tija lëvizin idhnake mbi tryezën ku rrin. Ep shkoqitje. Siellet kah drrasa e zezë: Shkruen ndonjë emen. Mandej, shpejt drejtohet nga na.

Me’ majet e gishtavet te hapun ndeqe për sy syzat e trasha.

Flet : – Serembe, De Rada, Frasheri, Fishfa, Noli, Mjeda, Platonicus, Migjeni. E rreshton fjalorin e tij te zakonshem : « dri-dhje», «andje», « epsh», «anderr », «gaz », « dej », « vullnet », « fuqi » , « lem’im ». Ndërsa, kohë mbas kohet, si nje « refrain » vjen porosija e tij : « Djelm, ike koha t’a dijni, ike koha! Shijonie! 

E fjalori shterret. Goja e mësuesit pëshpërite, heshte, mbyllet : Ngjiten buzet e tija. Por na, e dëgjojmë. Mbarë klasa thithe ajrin e përziemë me dufet e pafund të mesuesit. Mandej ndehet heshtja. Përjashta era fryen terbueshem.

Një ditë, mëngjes i ftofet dimni, cilet dera e klases : – Urdhen i Drejtorit – : « Mesuesi i gjuhes Shqipe Dr. Gasper Pali âsht i semunde rande. Ne mungese zavendesimi, klasa ka pushim ».

S’flet kurrnji. Rrijme ashtu ner banka. Presim. Por pritja asht e gjatë, teper e gjatë … : Mesuesi vuente ne shtrat: i shkyhej gjoksi !

Na kryejm pjekunin e pershendesim njeni tjetrin, noshta per te mbramen here: dallget e jetes do te na verviteshin kush’ di se kah!

Në një mëngjes vere një dorë e fortë trokiti ne derën e shtepis seme.

Dal. Ishte nji shok i imi. Ne fetyren e ti dallova shpejt nje dhimbe te madhe.

– Profesor Gasper Pali ka vdeke ! – tha shoku tue me shtrengue doren. Lajmo ner shoke.

Kishte ndrrue jete nji puntuer i letravet shqipe. Kishte pushue se rrahuni nje zemer qe kishte vuejte thelle jeten … !

Ishte zhduke mesuesi i im!

E mue mu lidh, ketu te fyti dicka si ny.

« Koha hik, ta dijni djelmoca, koha kalon!

Mbas pak vjen prendimi i andrrimevet!

Ta dijni, rreshqet gazi, shpejt shkyhet tisi i vegimeve te kryeme e mjerimi ne shpirt qe nisi m’u shpeshtue. Me thuej, pse kaq shpejt zbehen andrrat mbi bote? O… ndij perqethje per shka kam per te bjerre e shpirti me mbete i ftofte si muzg dhetori…!

Koha hik, ta dijni djelmoca, koha hik! Shijonie .. !

Keta me kujtohet mue sonte. E me hyejne thelle nje nga nje fjalet e tija.

E prap nji ndalim fryme ndij ketu permbrenda ne krahnuer … ! / KultPlus.com

Personat e verbër marshim për të drejtat dhe nevojat e tyre në Durrës

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë në qytetin e Durrësit u zhvillua një marshim nga persona të verbër, të cilët kërkuan të drejtat dhe  theksuan nevojat e tyre.

Me thirrjet “Integrim, Dinjitet, Integritet” dhe me banderola e pankarta në duar, personat e verbër ngritën problematikën e hershme të mungesës së infrastrukturës dhe sinjalistikës.

Ata improvizuan një semafor akustik për të treguar rëndësinë e sinjalizimit zanor.

Pjesëmarrësit theksuan nevojat ekonomike dhe përshtatjen e trotuareve me shirita vizues, që u lehtësojnë lëvizjen e pavarur, pa ndihmën e kujdestarëve të tyre.

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë simbolizon pavarësinë dhe lirinë e lëvizjes për personat e verbër./ KultPlus.com

S’ka formulë për lumturinë

Poezi nga Ndue Ukaj

Dikur m’ka ndodhë të shkruaja për gjëra që s’i kuptoja plotësisht.
Për fenomene fizike,
por ato të shpirtit
të zhveshin prej të gjitha mësimeve,
shkollave, doktrinave, statistikave
dhe ekuacioneve matematikore.

As sot s’jam i sigurt nëse kam kuptuar shumë ekuacione,
por e di që s’mjaftojnë krejt shkollat e botës
për t’i shpjeguar fenomene shpirti.

Dikur mbaja në shpinë ëndrra dhe thosha:
bota është e vogël dhe unë i kam hapat e mëdhenj.

Tani shoh vitet përreth meje,
mbaj në shpinë botën e madhe
dhe e mat me hapat e mi të vegjël.

Sot ditët janë të shkurtra e netët të gjata
dhe s’preferoj të shkruaj për gjëra të mëdha,
për shembull: ëndrra për pushtimin e galaktikave.

Të kam thënë: ne s’e dimë asnjëherë
çka humbim dhe çka fitojmë,
ndonëse përditë na pëlqen
t’i ngrehim lart flamujt e triumfit,
është thënë,
perënditë e humbjes s’njohin disfatë./ KultPlus.com

Restaurimi i Manastirit të Mesopotamit zbulon tjetër thesar të trashëgimisë kulturore

Një tjetër thesar i vyer i trashëgimisë sonë kulturore ka dalë në dritë, në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam.

Projekti i restaurimit vjen në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit nënshkruar mes ish-Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi të pikturave murale, të cilat sipas tij, “po rilindin nga e para përmes restaurimit që po iu bëhet detaj pas detaji për të ruajtur dekorin autentik të tyre”.

Në Manastirin e Mesopotamit ndërhyrjet nisën prej datës 27 gusht dhe fokusohen në ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe.

Më herët, afresket kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere.

Ndërhyrjet në këtë kishë, i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në një projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë edhe në vitin 2025./ KultPlus.com

Nga 1 nëntori Policia e Kosovës nuk do të lëshojë vërtetime mbi të kaluarën kriminale

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se nga 1 nëntori nuk do të lëshojnë vërtetime mbi të kaluarën kriminale.

“Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton mediat dhe qytetarët se duke filluar nga data 01.11.2024, nuk do të lëshojë për palët kërkuese/qytetarët vërtetim për të kaluarën kriminale. Ndërprerja e lëshimit të vërtetimeve i referohet Ligjit Nr. 08/L-194 mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale, i cili shfuqizon çdo dispozitë tjetër ligjore që përcakton nxjerrjen apo lëshimin e certifikatave që ndërlidhen me evidencën penale. Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës mbetet përgjegjës për t’i lëshuar këto vërtetime, prandaj palët kërkuese/qytetarët mund të aplikojnë në gjykatat që mbulojnë territorin e tyre.”/ KultPlus.com

Zemërimi jonë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe,
Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re,
Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot,
M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-
Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:
Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,
Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare, aktivitet kushtuar Milan Kunderës

Në përkujtim të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit Milan Kundera dhe në kuadër të Tetorit të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë dhe Ambasadën franceze në Tiranë, zhvilluan veprimtarinë kulturore “In Memoriam Milan Kundera 1929-2023”.

Në nderim të kësaj figure komplekse, që nëpërmjet penës ndryshoi letërsinë e shekullit XX, për këtë veprimtari ligjëruan përkthyeset e veprës së Milan Kunderës: Anna Kareninová, përkthyese në gjuhën çeke, dhe Saverina Pasho, përkthyese në gjuhën shqipe. Nëpërmjet përvojave vetjake në procesin e përkthimit, ato analizuan profesionalisht veprën e Milan Kunderës dhe sollën një tablo se si shkrimtari, që i prezantoi Perëndimit Lindjen, “foli shqip”.

Me rastin e kësaj veprimtarie, Biblioteka Kombëtare çeli edhe ekspozitën “Kundera në koleksionet e Biliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.

Në këtë aktivitet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha u përshëndet edhe nga Pavel Vacek, ambasador i Republikës Çeke në Tiranë dhe Samuel Richard, Konsull i Parë në Ambasadën franceze në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Kur Arthur Miller i shkruante Marilyn Monroes: E dashura ime perfekte

“Nëse të kam bërë të qash, ose të kam mërzitur qoftë edhe për një sekondë, më fal, e dashura ime perfekte”, kështu i shkruante në një nga letrat e pafund dramaturgu Arthur Miller, aktores së njohur Marilyn Monroe. Dhjetëra letra dashurie janë gjetur në arkivin personal të shkrimtarit, pjesa më e madhe dedikuar bjondes me të cilën pati historinë më të gjatë të dashurisë.

Në një letër që mban datën 30 prill 1956 kur Miller ishte duke i dhënë fund divorcit me Mary Slattery, tregohet pasioni i madh që i kishte rrëmbyer.

“Do të puth e do të mbaj në krahë deri sa bashkë të shkrihemi në ndodhi të papritura, e jashtëzakonisht të bukura, deri sa të dëgjosh psherëtimat e mia. E kur koka jote të prehet mbi shpatullën time, atëherë do të jem burri më i lumtur më botë…”, shkruan Miller.

Nga gjithë historitë e dashurisë, ajo me Miller do të ishte më e veçanta për aktoren, e cila pavarësisht kontraditave në fund të kësaj lidhjeje do ta ruante gjithnjë me dashuri në kujtesë. Ata u martuan më 29 korrik 1956. Çifti u takua në Lee Strasberg dhe miqtë janë shprehur se ajo e “magjepsi” Arthur Miller me një shikim. Pasi ata u martuan, Arthur shkroi një pjesë të Roslyn Taber në vitn 1961, “The Misfits” (Mospërshtatjet) posaçërisht për Marilyn Monroe. Fatkeqësisht martesa e Monroe dhe Arthur Miller mori fund në 20 janar 1961, kështu që filmi “The Misfits” (Mospërshtatjet) u duk sikur t’i përshtatej plotësisht situatës të krijuar mes çiftit.

Miller do të shprehej më vonë se “Unë nuk e kam kuptuar, se si Marilyn u bë një simbol i autenticitetit. Ndoshta kjo kish të bënte me faktin, se prej shikimit të saj burrat tradhëtonin dhe gratë indinjoheshin nga smira…”.

Pas vdekjes së saj, Miller do të ishte njeriu që do të përkufizonte më mirë karakterin e jetën e saj.

“Merlin vinte nga vitet dyzetë dhe pesëdhjetë. Ajo ishte dëshmia, se në psikikën amerikane seksualiteti dhe serioziteti nuk mund të ekzistonin bashkë, madje ato ishin në armiqësi e dy kontradikta përjashtuese mes tyre. Por më në fund Marilyn hapi rrugë dhe sërish asaj iu desh të pozojë nudo në një pishinë, që të mund të xhirohej një film”, shprehej ai./KultPlus.com

Përfundon fushata në terren e “Korpusit të Mozaikëve”

Fushata në terren për projektin shkencor në vazhdim “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë”, një bashkëpunim midis Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe CNRS-Paris, ka përfunduar me sukses për këtë vit.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se, objektivi i projektit përfshin punën mbi mozaikun e vilës së Athinasë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe mozaikun e ambientit qendror të Bazilikës B në Parkun Arkeologjik të Bylisit.

Në këta dy mozaikë, ekipi realizoi rilevimin grafik dhe ortografik me dron, dokumentoi detajet e ndryshme të strukturave, studioi teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura.

Gjithashtu u kryen ndërhyrje konservuese dhe konsoliduese aty ku ishte e nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre mozaikëve.

Çdo vit në këto parqe ndërhyhet në një mozaik, në konservimin e tij, si edhe kryhet një studim i imtësishëm për mënyrën e ndërtimit, atelienë që ka punuar për të, materialet dhe teknikat.

Bashkëpunimi midis dy institucioneve, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore, Lindja dhe Mesdheu, CNRS – Paris, – Universiteti Sorbone-Paris IV ALCP konsiderohet një pasuri shkencore dhe teknike për mozaikët në monumentet shqiptare./atsh/KultPlus.com

Filmi “Përrallë nga e kaluara“ shfaqet i restauruar në COD

Në sallën “Forum” të COD-it, u shfaq një tjetër film shqiptar i restauruar.

Falë bashkëpunimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq komedia “Përrallë nga e kaluara“. Filmi i prodhuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, është bazuar në novelën me titull “14 vjeç dhëndërr” të Andon Zako Çajupit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987.

Komedia trajton historinë e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Filmi shpalos hakmarrjen e Marigosë me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe ku në fund fiton duke u bashkuar sërish me njeriun që dashuronte.

E pranishme gjatë shfaqjes ishte edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria, e cila bëri një panoramë mbi procesin e realizimit të një filmi të restauruar, gjithashtu dhe rrëfeu për punën kolosale që AQSHF ka zhvilluar për të ruajtur dhe servirur në gjendje optimale tek publiku këto pasuri kombëtare kinematografike./atsh/KultPlus.com

45 vite më parë Shën Nënë Terezës iu dha Çmimi Nobel për Paqe

Sot janë bërë 45 vite nga koha kur Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për Paqe.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup, më 26 gusht 1910, e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës, ishte një murgeshë dhe misionare katolike indiane me prejardhje shqiptare. Jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke dhënë kontributin e saj bëmirës.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsion. Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes. Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë

Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 tetori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Që prej vitit 1993, ndërgjegjëson njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim. Organizata të ndryshme jo qeveritare dhe komunitetet e bamirësisë mbështesin këtë Ditë duke u bërë thirrje drejtuesve dhe qeveritarëve që në agjendën e tyre lufta kundër varfërisë të ketë prioritet.

Në 17 tetor të vitit 1987, më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme , dhunës dhe urisë. Që prej atij momenti individë dhe organizatat në mbarë botën e shikonin 17 tetorin si një ditë ku mund të rikujtonin përkushtimin e tyre për t’i dhënë fund varfërisë.

Dhe pse 17 tetori u njoh si ditë zyrtare në vitin 1993, në shumë vende të tjera rreth botës kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987./rtk/KultPlus.com

175 vite nga vdekja e kompozitorit Frederic Chopin

Sot, janë bërë 175 vite nga vdekja e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë, Frédéric Chopin.

Frédéric François Chopin konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike. I lindur në Poloni në 1810, Chopin filloi të luante piano në një moshë të re dhe shpejt tregoi talent të jashtëzakonshëm. Ai studioi muzikë në Varshavë dhe më vonë në Paris, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur.

Muzika e Chopin është e njohur për elegancën, ndjeshmërinë dhe shkëlqimin teknik. Ai shkroi kryesisht për piano, dhe kompozimet e tij karakterizohen nga meloditë e tyre lirike, lulëzimi virtuoz dhe kompleksiteti harmonik. Shumë nga pjesët e tij, të tilla si “Nocturnes” e tij të famshme, janë shumë emocionale dhe ndjellëse, duke kapur një sërë humoresh dhe ndjenjash.

Muzika e Chopin ishte shumë me ndikim në zhvillimin e periudhës romantike në muzikën klasike, dhe ai shpesh konsiderohet një figurë kryesore në lëvizje. Veprat e tij ishin gjithashtu një burim frymëzimi për kompozitorët e mëvonshëm, duke përfshirë Debussy dhe Ravel.

Gjatë gjithë jetës së tij, Chopin luftoi me shëndetin e dobët, duke përfshirë tuberkulozin, i cili përfundimisht çoi në vdekjen e tij të parakohshme në moshën 39-vjeçare. Megjithatë, pavarësisht jetës së tij të shkurtër, trashëgimia e tij si kompozitor ka qëndruar dhe muzika e tij vazhdon të interpretohet dhe të festohet. Rreth botës. Sot ai mbahet mend si një nga kompozitorët më novatorë dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. / KultPlus.com

Rrahman Paçarizi sjell librin “Hyrje në Psikolinguistikë”, promovimi më 21 tetor

Të hënën, më 21 tetor, duke filluar nga ora 18:00, në librarinë “Dukagjini” do të promovohet libri i autorit Rrahman Paçarizi, me titull “Hyrje në Psikolinguistikë”.

Libri ofron një tablo të përgjithshme të katër nënfushave kryesore të psikolinguistikës; prodimin e gjuhës, të kuptuarit e gjuhës, të nxënët e gjuhës dhe çrregullimet gjuhësore.

Në panel për të diskutuar rreth librit do të jenë gjuhëtari Shkumbin Munishi, gjuhëtarja Enkelejda Kapia dhe psikologu Labinot Balaj./KultPlus.com

Mbi 200 artistë në edicionin e 23-të të Festivalit ReMusica

Prej 5 deri më 8 nëntor do të mbahet edicioni i 23-të të Festivalit ReMusica, e që këtë vit a për temë “Togetherness – Së Bashku”, shkruan KultPlus.

Për katër ditë sa edhe do të zgjasë ky edicion i këtij festivali do të paraqitet një program, me theks të veçantë mbi përsosmërinë muzikore, zhvillimin edukativ dhe shkëmbimin kulturor global.

“Ky edicion do të jetë një festë e muzikës dhe artit, duke promovuar si shumëllojshmërinë ashtu  dhe gjithëpërfshirjen”, thuhet nga organizatorët. 

“Qëllimi i tij është të ngrisë skenën e muzikës klasike të Kosovës përmes gërshetimit të muzikës klasike dhe bashkëkohore, edukimit dhe diplomacisë kulturore, duke krijuar kështu mundësi të qëndrueshme për artistët dhe krijuesit e festivalit brenda rajonit” është detajuar më tutje.

Këtë vit, ReMusica vendos në qendër të vëmendjes artistët vendas me karriera ndërkombëtare, duke i bërë bashkë ata nga vende të ndryshme. Programi përfaqëson frymën e bashkimit, teksa këta artistë angazhohen në partneritete kuptimplota dhe shkëmbejnë perspektivat e tyre unike. 

“Përveç këtyre performancave bashkëpunuese, këtë vit Festivali ReMusica është nikoqir i mysafirëve ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të festivaleve europiane, organizata, anëtarë të medias ndërkombëtare, etj. Mysafirët do kenë privilegjin të përjetojnë festivalin në mënyrë unike, të eksplorojnë komunitetin artistik vendas dhe të hapin rrugë për mundësi dhe bashkëpunime në të ardhmen.Në zemër të festivalit zë vend  pasioni dhe përkushtimi i artistëve të përfshirë, që kanë një ndikim të rëndësishëm në komunitetet e tyre, nga talentet lokale deri te yjet ndërkombëtarë” thuhet më tutje për përmbajtjen e programit të sivjetmë.

Edicioni i 23-të me mbi 200 pjesëmarrës nga Kosova, Belgjika, Franca, Portugalia, Austria, Gjermania, Spanja, Italia dhe nga e gjithë Europa, do t’ofrojë një program të gjerë, duke filluar nga Koncertet: me artistët më të çmuar të skenave botërore dhe vendore; Diskutime: Panele diskutimi me tema të rëndësishme si qëndrueshmëria dhe praktikat mjedisore brenda industrisë duke synuar krijimin e  një platformë për dialog ekspertësh dhe shkëmbim idesh.; Koncertet akusmatike & elektroakustike; Rrjetëzim: mundësi për rrjetëzim, bashkëpunim dhe krijim lidhjesh midis artistëve vendas, mysafirëve ndërkombëtarë, krijuesve të festivaleve dhe profesionistëve të industrisë; Programi Edukativ – punëtori dhe masterklasa, një mjedis dinamik dhe pasurues ku artistët, studentët dhe dashamirët e muzikës mund të bashkohen për të shkëmbyer ide, ndërtuar lidhje dhe frymëzuar njëri-tjetrin. Poashtu, Festivali do të përfshijë një gamë aktivitetesh, duke përfshirë programin tradicional ReMusica Junior për fëmijë, punëtori, programin ReNeë për artistë të rinj dhe shumë më tepër!

Kurse për artistët pjesëmarrës të këtij edicioni, organizatorët kanë shpalosë disa prej emrave, e ata janë: Petrit Çeku, Raquel Andueza, Elbenita Kajtazi, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda ./ KultPlus.com