Iluzioni i vezëve 

Ilir Muharremi, kritik i artit  

Në zemër të një rrethi, si një tempull i heshtur, një televizor i vjetër mbart peshën e kohës, mbuluar nga vezët e thyera që derdhen ngadalë, si lotët e një kujtese të humbur.  

Gjurmët e të verdhës pikojnë mbi ekranin e ftohtë,  njollat e jetës sfidojnë atë që dikur ishte burim i imazheve të largëta, iluzione të pakapshme. Sislej Xhafa, me duar që lëvizin butësisht si në një rit të vjetër, thyen vezët një nga një, duke lëshuar në rrjedhë brishtësinë e jetës mbi xhamin e fortë.  

Krisja e çdo veze është një thirrje e padukshme, një përplasje e heshtur mes natyrës së gjallë dhe teknologjisë së vdekur. Shkallët përreth, të hijshme dhe të plota,  ngjyrosen nga gurët që i japin hije rrethit,  dhe në mes të kësaj simetrie të përsosur,  qëndron ky akt i vogël rebelimi,  një poezi e mbështjellë me kaosin e një gjesti të thjeshtë.

Rrjedha e së verdhës dhe e bardhës shkrin kufijtë e së ngrirës,  duke sjellë një ndjenjë gjallërie në një ekran të zymtë,  ku dikur ngjyrat shpërndaheshin si iluzione që na robëronin mendjen. Tani, vetëm piklat e vezës që rrëshqasin,  krijojnë një peizazh të ri — të çrregullt, të papërsosur, por të vërtetë. Në këtë kontrast të butë, ku teknologjia përkulet para natyrës,  poezia nuk gjendet në fjalë,  por në heshtjen që pason thyerjen,  në brishtësinë që sfidon çdo strukturë të ngrirë, duke na kujtuar se edhe ekrani më i fortë thyhet nën peshën e jetës së vërtetë./ KultPlus.com

“La Belle De L’Adriatique” me 120 turistë francezë ankorohet në Durrës

Anija turistike “La Belle De L’Adriatique” është ankoruar ditën e sotme në portin e Durrësit.

Autoriteti Portual i Durrësit bëri të ditur se 120 turistët francezë, pasagjerë në këtë anije do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës e Beratit.

““La Belle De L’Adriatique”, vizitorja jonë besnike është rikthyer sot në Autoritetin Portual Durrës” me 120 turistë francezë që do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës, Beratit, etj”, njoftoi APD.

Sezoni turistik vijon të sjellë flukse vizitorësh nga mbarë bota, të cilët zgjedhin transportin detar për të eksploruar vendin tone

Të gjithë operatorët portualë janë të angazhuar për të mirëpritur me qindra vizitorë çdo ditë.

Mbi 6.3 milionë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për ta vizituar gjatë 7 muajve të këtij viti, nga 5. 1 milionë që e vizituan atë në të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh/KultPlus.com

Lamtumirë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më del e zë pshon me të fshehtë,
Një brengë hije-rëndë mbi sy
Përbrenda në zemrën e shkretë
M’i shtje drejt-për-drejt që të dy.

E loti prej syve të tua
Rëngjethet valome perdhe:
M’ja ndjen vështrimin-bukur-pallua
Ti zemres greminen e re…

Po këngët qe sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa ana,
Ndrin Yll’ i të rriturit t’im./ KultPlus.com

Mësimet e dashurisë

(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)

Ndue Ukaj

Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore.

Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës.

Si biografi më i shquar i saj  e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.”

Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës:  botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.

Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon  se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”  dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.

Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese.

Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i  sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”

Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale.

Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.

Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos  në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë.

Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.

Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?

Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse.

Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.”

Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.”

Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.

(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)/ KultPlus.com

Sibel Halimi: Lokacionet publike po shndërrohen në hapësira artistike e kulturore

Në lagjen Dardania një hapësirë publike nga mbrëmë është shndërruar në kinema verore, ku shumë të pranishëm shijuan kinemanë.

Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për këtë nismë, e cila ka theksuar se kinemaja e hapur për fëmijë është një mundësi që të nxitë imagjinatën e tyre.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të Halimit.

Mbrëmë parku ishte i mbushur plot fëmijë, lumturia e të cilëve i jepte gjallëri tërë zonës.

Ndjenjë e mirë që lokacionet publike të kryeqytetit po shndërrohen në hapësira ideale për aktiviteteve artistike dhe kulturore.

Kinemaja e Hapur për Fëmijë është një mundësi e jashtëzakonshme që atyre t’u ofrohen filma që nxisin kureshtjen dhe imagjinatën e tyre, për mendim kritik./ KultPlus.com

Këngët arbëreshe ndezin 100 mijë spektatorët në bregdetin e Salentos

Mbi 100 mijë spektatorë në një nga panoramat më të bukura të bregdetit të Salentos shijuan e kërcyen nën ritmin e këngëve arbëreshe: “Ec e c’è”, “Manushaqe” e  “Lule – Lule”.

Tre këngët qenë pjesë e natës finale të Festivalit më të rëndësishëm të muzikës folkloristike italiane që prej tre dekadash zhvillohet në komunën e Melpignano të Leçes.

Tinguj nga instrumentet më antike muzikore, këngë e valle shekullore që i këndojnë jetës, tokës, produkteve të kopshteve e prodhimeve të stinës, mallit, dashurisë, familjes e atdheut bashkojnë çdo vit në Salento, dhjetëra mijëra turistë e të apasionuar të muzikës popullore nga e gjithë bota.

“Nata e Tarantës” emër i marrë nga taranta e picika, kjo valle unike e karakteristike e zonës, udhëton në sheshe e qyteza deri në natën finale të zhvilluar pak orë më parë me performancën unike të valltarëve e këngëtarëve më të mirë të muzikës folk të jugut të Italisë mes të cilëve dhe pakicat etnike si arbëreshe e grekët.

Ritëm e tinguj që ushtojnë deri në ekstazë e që evokojnë melodinë e Tarantës e Picika.

Legjenda thotë se ky kërcim lindi si kura më e mirë terapeutike për t’u shëruar nga pickimi i Tarantolës, merimagës helmuese që sëmurte punëtorët e linte fushat pa mbjellë.

Për herë të parë në skenën e Melpignanos u këndua kënga arbëreshe “Manushaqe” e cila iu bashkua repertorit të dy këngëve të tjera “Lule Lule” e  “Ec, Ec”, interpretuar nga artisti Salvatore Galeanda.

Edicioni i sivjetshëm i “Natës së Tarantës” solli në skenë fituesen e “Sanremo 2024”, Angelina Mango, këngëtarët Gaia e Gioelier e Ste – këngëtaren napoletane me origjinë nigeriane mjaft popullore në rrjetet sociale./KultPlus.com

Shqipëria, vendi i nderit në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin”

Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vitin e ardhshëm vendi i nderit në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin”.

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim CEO-n e Messe Berlin, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rothe. Në takimin e zhvilluar në Kryeministri ishte e pranishme dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Me Mario Tobias, bosin e Qendrës së Panaireve të Berlinit, ku mbahet edhe panairi më i madh në botë i turizmit “ITB Berlin”, si edhe me Deborah Rothe, drejtuesja e ITB, për të diskutuar hapat e bashkëpunimit në funksion të edicionit të vitit të ardhshëm të panairit të turizmit, ku Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit, duke fituar pozicionin qendror në panair dhe mbështetjen e ITB për promovimin e turizmit shqiptar në një zinxhir të tërë aktivitetesh që kulmojnë në mars 2025 në shfaqjen e madhe të Berlinit”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ky është një vlerësim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë dhe një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike./atsh/KultPlus.com

Ul siparin edicioni i katërt i “Porto Palermo Festival”

U mbyll këtë të diel edicioni i 4, i Porto Palermo Festival, me një mbrëmje të dedikuar për turistët dhe vendasit në qytetin e Himarës, mbështetur nga Bashkia Himarë dhe Green Coast.

Kjo mbrëmje e organizuar në detaje nga violinisti virtuoz me famë botërore Olen Cesari, kishte të ftuar special artistë nga zhanere të ndryshme muzikore si grupi polifonik Muza, tenori i mirënjohur shqiptar Kastriot Tusha, artistja e muzikës klasike italiane Francesca Carli, e shumë dashura për publikun Marsela Cibukaj dhe i ashtu quajturi “Mbreti i Natës” Dren Abazi me grupin e tij Zig Zag Orchestra.

Secili prej artistëve performoi këngë të njohura për publikun që i shoqëroi gjatë gjithë mbrëmjes.

Porto Palermo Festival, një organizim i cili promovon rritjen e turizmit të qëndrueshëm shqiptarë në zonën e Rivierës Shqiptare dhe sitet historike, u zhvillua përgjatë një muaj në Kalanë historike të Ali Pashës për 12 netë me artistë të ndryshëm duke u ndjekur nga dashamirës shqiptar dhe turistë të huaj.

Organizatori Olen Cesari, synon dhe shpreson se me hapjen e tunelit në Porto Palermo si atraksion turistik, festivali do të internacionalizohet më shumë dhe do të ketë më shumë vizibilitet tek të huajt për ta ndjekur, sidomos nga vendet fqinje si Italia, Greqia, Mali i Zi etj./tema/KultPlus.com

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze, gërmime rreth banjave termale të Apolonisë

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze po kryejnë gërmimet rreth banjave termale të Apolonisë.

Ambasada e Francës në Shqipëri bëri të ditur sot se janë zhvilluar takime të frytshme me këto ekipe arkeologjike.

Ambasada franceze thekson këtë partneritet në këtë 1️0️0️ vjetor (1924-2024) të bashkëpunimit shkencor midis Francës dhe Shqipërisë, bazë e frankofonisë shkencore midis dy vendeve tona.

Ambasada e Francës ka përkujtuar themeluesit e këtij partneriteti të gjatë: Léon Rey (1887-1954), Pierre Cabanes (1930-2023) dhe Hasan Ceka (1900-1998)./tema/KultPlus.com

Java Kulturore Hungareze në 1-6 shtator, tinguj magjepsës e performanca tradicionale

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga 1-6 shtator me Hungarinë, me koncerte, ekspozita, shfaqje dhe argëtim pa fund.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale videon promovuese të kësaj jave kulturore.

Koncerte live dhe performanca folklorike tradicionale, por edhe ekspozita mahnitëse me skulptura xhami dhe piktura do të jenë disa nga aktivitetet argëtuese të kësaj jave kulturore.

“Rikthehemi sërish me Javët Kulturore Ndërkombëtare, këtë radhë duke ju prezantuar me Javën Kulturore Hungareze nga data 1 deri më 6 Shtator. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe performancat folklorike tradicionale që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube kjo javë ka diçka për të gjithë”, u shpreh Gonxhja.

Ministri ftoi qytetarët të eksplorojnë ekspozitat mahnitëse me skulptura xhami dhe piktura, të marrin pjesë në workshop të veçanta me artistët dhe të përjetojnë ritmet e muzikës klasike dhe duelet e Beatbox-it.

“Jeni gati të zhyteni në kulturën hungareze? Na ndiqni dhe bëhuni pjesë e çdo momenti unik”, u shpreh Gonxhja.

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli siparin më 1 maj dhe do të zhvillohet deri në nëntor. JKN do të mbushë salla, teatro, galeri arti, sheshe dhe qytete me programe të pasura aktivitetesh nga 20 shtete.

JKN nisi me “Javën e Evropës” dhe vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turiqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA,  Austrinë, Spanjën, Malin e  Zi, Meksikën e Kosovën.

Edicioni i parë i JKN-së filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./atsh/KultPlus.com

Ujërat Termale të Bënjës tërheqin çdo ditë qindra vizitorë

Ujërat Termale të Bënjës, janë shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar turistik në vendin tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga Ujërat Termale të Bënjës.

Kumbaro u shpreh se Ujërat Termale të Bënjës  janë monument natyre dhe destinacion që frekuentohet nga qindra vizitorë çdo ditë.

Ujërat termale të Bënjës ndodhen rreth 13 km larg qytetit të Përmetit. Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit të Langaricës.

Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni i Lengaricës dhe Ura e Katiut./atsh/KultPlus.com

Kur të jesh plakur

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu Orjela Stafasani

Kur të jesh plakur, thinjur dhe përgjumur të jesh,
përkulur pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo,
për shikimin e butë që patën sytë e tu ëndërro
dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.

Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet madhështore
dhe dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet,
por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret
dhe ta deshi fytyrën që e ndryshuan brengat njerëzore.

Dhe duke u përkulur në vatrën e oxhakut,
murmuron, pak trishtueshëm, se si iku kjo Dashuri
dhe fluturoi përmbi male, atje në lartësi,
duke fshehur fytyrën e saj mes yjesh. / KultPlus.com

Më 27 gusht të vitit 1770 lindi Hegeli, filozofi i shquar gjerman

George Wilhelm Friedrich Hegel, ishte i biri i një nëpunësi te thjeshtë te financave mbretërore. Liceun e mbaroi me 1788 dhe u anetaresua ne seminarin e Tubingenit ku studioi ne deget filozofi dhe teologji.

Ai ndante dhomën e konviktit me Fridrih Holderingun (1770-1834) dhe Fridrih von Shelingun (1775-1854). Hegeli e dha provimin perfundimtare me 1793 dhe me pas dha mësime private ne Berne deri me 1797. Nga ky vit e deri me 1800, ai dha leksione private ne Frankfurt-mbi-majn. Vdekja e babait i beri te mundur te shtinte ne dore nje trashëgimi te mjaftueshme për tu vendosur ne Jene. Atje, me 1801, mbrojti tezen e tij. E nisi si mesues privat, por me 1805 te gjithë e njihnin si profesori i jashtezakonshem i filozofise. Per dy vjet, Hegeli perfundoi vepren e tij te njohur “Phanomenologie des Geistes” (Fenomenologjia e Shpirtit).

Pak para se kjo veper te shihte driten e botimit me 1807, Hegeli mori drejtimin e gazetes se Bambergut “Bamberger Zeitung”. Ai mbajti nga viti 1808 deri me 1816, ai mbajti postin e rektorit te liceut artistik te Nurembergut. Rreth kesaj periudhe daton edhe vepra e tij e dyte “Wissenschaft der Logik” (Shkenca e Logjikes). Hegeli u martua me 1811 me Mari von Tuher e cila do te behej nena e dy femijeve te tij. Vepra e radhes mbante titullin “Enzyklopadie der philosophien Wissenschaften Grundrissen” (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) dhe nen titull shkruhej “Profesori i universitetit te Haidelbergut G.W.F. Hegel”. Dy botime me te plota pasuan ne ne vitet 1827 dhe 1830. Krahas karrieres didaktike, ne kete periudhe, Hegeli botoi (ne bashkepunim me nje reviste) studimin e tij “Heidelberger Jahrbucher” (Analet e Haidelbergut). Me 1818, ai u fut si profesor ne Universitetin e Berlinit ku zevendesoi Fihten. Leksionet e tij u bene menjehere te famshme. Nder deget qe jepte Hegeli rreshtohen:

  • Logjika
  • Historia
  • E Drejta dhe Feja
  • Antropologjia
  • Psikologjia
  • Filozofia e Natyrës
  • Filozofia e Artit
  • Historia e Filozofisë
  • Historia Botërore

Shkolla e krijuar rreth tij dote ushtronte nje ndikim te madh ne opinionin publik dhe qarqet intelektuale ne vitet 1820. Nje organ i shperndarjes se mendimit Hegelian ishte dhe “Jahrbucher fur wissenschaftliche Kritik” (Analet e Kritikes Shkencore)qe dote botohej per here te pare me 1827. Megjithate, ajo qe mbahet si vepra me e rendesishme e Hegelit qe botuar para 6 vitesh dhe titullohej “Grundlinien der Philosphie des Rechts” (Parime te Filozofise te se Drejtes). Ky ishte nje traktat filozofik-politik mbi teorine e shtetit. Njekohesisht, ishte i pari dhe i vetmi cikel konferendash berlineze te botuara nen kujdesin e vete Hegelit. Ai i vizitonte rregullisht qendrat me te medha intelektuale te Europes. Me 1830, mori postin e rektorit te Universitetit te Berlinit. Gjithesesi, ai nuk e mbajti kete post gjate. Me 14 nentor 1831, Hegeli nderroi jete. Ai u varros prne Fihtes ne varrezen protestante te kishes se Berlinit. Shume nga mendimet dhe parimet qe u botuan me vone ne “Vepren e Plot te G.W.F. Hegel” ishin ne te vertete leksione qe u botuan nga studentet pasi Hegeli nuk i la te shkruara.

Filozofia e Hegelit

Merita kryesore filozofike e Hegelit është krijimi i nje sistemi teresisht te ri dhe te thjështë te mendimit filozofik. Ai e konkretizonte : “…une them nje pohim. Ky pohim quhet ndryshe edhe teze. Bashkebiseduesi im me kundershton dhe ky kundershtim interpretohet si antiteze. Nese ne ulemi dhe nxjerrim nje perfundim te perbashket me konsensus ,ajo qe del quhet sinteze e dy mendimeve te meparshme…” Sot ne e shohim se sa i dobishem është ky parim, pasi vetem kompromisi nuk e bllokon ecurine e gjerave dhe nxjerr ne pah me te miren e te dyja paleve. Duhet pasur parasysh se ne kohen e Hegelit, ekzistonte nje rivalitet i madh mes empiristeve dhe racionalisteve. Edhe pse gjeografikisht, Hegeli gjendej ne gjirin e racionalisteve, ai nuk u fut as ne kampin e tyre, as ne ate te moralisteve. Shumica mund ta quajne Hegelin nje pozitivist te bazuar te historia.

Veprat më të njohura

  • Phanomenologgie des Geistes (Fenomenologjia e Shpirtit) – 1807
  • Wissenschaft der Logik (Shkenca e Logjikes) – 1808-16
  • Heidelberger Jahrbucher (Analet e Haidelbergut) – 1818
  • Enzyklopadie der phiosophien Wissenschaften Grundwissen (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) – Botimi I me 1821, botimi II me 1827, botimi III me 1830.
  • Grundlinien der Philosophie des Rechts (Parime te Fiolozofise te se Drejtes) – 1821
  • Jahrbucher der wissenschaftliche Kritik (Analet e Kritikes Shkencore) – 1827
  • Veprat e plota – pas vdekjes /KultPlus.com

Akademi solemne për 114 vjetorin e Nënës Terezë: Bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës

Sot, në 114 vjetorin e lindjes së  Shën Nënë Terezës është organizuar një akademi solemne në shenjë nderimi e mirënjohjeje për veprën e jashtëzakonshme të saj, në Katedralen Nëna Terezë, në Prishtinë.

“Bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës”.

Kjo fjali u tha në këtë ceremoni solemne nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji i cili Nënë Terezën e cilësoi si personalitetin (pasaportën) më të mirë të popullit shqiptarë në botë.

“Ne sot po kujtojmë një bijë të popullit tonë, e cila nuk ka bërë asnjë gjë tjetër të veçantë përveç se e ka shpallur dashurinë e saj për Zoti, njeriun dhe nuk e ka harruar kurrë dashurinë për popullin e saj. Në fjalimin e saj Budapest ka thënë “Unë e kam në zemër popullin tim shqiptarë”. Kjo dëshmi e heshtur, ka qenë dëshmi e heshtur e çdo shtërngim dore të çdo kryetari të shtetit dhe çdo të pushtetshmi të botës- “Bëni diçka për popullin tim. Ne nuk kemi pasaportë e fytyrë më të mirë e më të shëndritshme, më të shkëlqyeshme se të paraqesim virtytet e popullit tonë përpara botës se sa Nënë Terezën”, ka thënë ipeshkvi Gjergji.

Ai më tej tha se Zoti në kohë të vështira e bekoi popullin shqiptarë me një “çikë” e cila dashurinë dhe shëmbëlltyrën e Zotit e shpërfaqi anekënd botës.

“Zoti vepron me heshtjen e dashurisë  së vet për ata që e duan, për gjithë krijesën e vet dhe të gjithë të krijuarit. Në vitin 1910 Zoti e bekoi popullin tonë me një çikë themi ne në Kosovë, duke e dhuruar në familjen e Bojaxhinjve. Në këtë heshtje dashurie e zbërtheu në të gjithë botën një dashuri të madhe të Zotit për njerëzit e vuajtur dhe për njerëzit e mjerë në skaj të botës në Indi, pasaj të rikthyer në të gjitha anët e botës, e pastaj edhe te ne”, ka thënë ai më tej.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Nënë Tereza është shqiptarja e parë që ka fituar çmimin Nobel për paqe, duke u bërë nënë për të gjithë njerëzit në nevojë.

“U bëmë bashkë për të kujtuar Nënë Terezën në datën e lindjes se saj. 114 vite më parë, më 27 gusht 1910, kur prifti Dom Zef Rama, e pagëzoi vajzën e sapolindur me emrin Anjeze. As ai që i dha emër dhe as prindërit e saj që e sollën në jetë nuk kishin se si ta dinin që para duarsh po e mbanin dikë që do të bëhej e njohur botërisht për njerëzinë e saj. Në moshën 69 vjeçare u laureua me çmimin Nobel për paqe, duke u bërë shqiptarja e parë e cila fiton cilëndo kategori të çmimeve”, tha Kurti.

Në këtë ceremoni gjithashtu u tha se Nënë Tereza nuk i përketë vetëm një komuniteti fetar pasi jeta dhe vepra e saj kishte dimension të gjerë në kuptimin e plotë të fjalës,  e cila dha shërbim pa dallim ndaj të afërmve në nevojë.

Kujtojmë që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara datën 5 shtatorë e ka shpallur Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, dhe në këtë ngjarje për të shenjtën e popullit shqiptar u paraqit kërkesa që data 5 shtator në Kosovë të shpallet Festë me motive e aktivitete të shumëta bamirësie./ KultPlus.com

Kumbaro: Shqipëria, vendi i nderit në panairin e turizmit ‘ITB Berlin’ në 2025-ën

 Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një takim me CEO-n e Messe Berlin, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rothe.

Kumbaro u shpreh se me Tobias dhe Rothenisi bashkëpunimi shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin”.

Kumbaro theksoi se, Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike.

“Shumë i mbarë takimi i sotëm së bashku me Kryeministrin Edi Rama me CEO-n e Messe Berlin Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin Deborah Rothe me të cilët nisim bashkëpunimin shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin” në të cilin kemi marrë ftesën për të qenë Vendi i Nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale./ atsh/ KultPlus.com

Blasfemi

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com

Macron: Arrestimi i kreut të Telegram nuk ishte një akt politik

Presidenti Emmanuel Macron mohon se arrestimi i themeluesit të aplikacionit të mesazheve Telegram Pavel Durov ishte një akt politik.

“Arrestimi i presidentit të Telegram në tokën franceze u bë si pjesë e një hetimi gjyqësor në vazhdim. Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik”, shtoi ai.

”I takon gjykatësve të vendosin për këtë çështje”, shkroi Macron në X, duke thënë se kishte lexuar “informacion të rremë në lidhje me rolin e Francës në këtë rast”.

Pavel Durov, themeluesi dhe shefi ekzekutiv (CEO) i aplikacionit të koduar të mesazheve Telegram, u arrestua rreth orës 20:00 të shtunën teksa zbriti nga avioni i tij privat në aeroportin Bourget në Paris.

39-vjeçari franko-rus shoqërohej nga truproja e tij dhe një grua.

Arrestimi u krye nga Xhandarmëria e Transportit Ajror (GTA). Durov, i cili ishte i listuar në FPR (Dosja e Personave të Kërkuar), sapo kishte ardhur nga Azerbajxhani./ atsh/ KultPlus.com

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze, gërmime rreth banjave termale të Apolonisë

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze po kryejnë gërmimet rreth banjave termale të Apolonisë.

Ambasada e Francës në Shqipëri bëri të ditur sot se janë zhvilluar takime të frytshme me këto ekipe arkeologjike.

Ambasada franceze thekson këtë partneritet në këtë 1️0️0️ vjetor (1924-2024) të bashkëpunimit shkencor midis Francës dhe Shqipërisë, bazë e frankofonisë shkencore midis dy vendeve tona.

Ambasada e Francës ka përkujtuar themeluesit e këtij partneriteti të gjatë: Léon Rey (1887-1954), Pierre Cabanes (1930-2023) dhe Hasan Ceka (1900-1998)./atsh/ KultPlus.com

Filmi ‘AND THE WIND WEEPS’ i regjisores Aulona Selmani vjen si premierë regjionale në përmbyllje të PRIFEST-it

PRIFEST ka njoftuar se gara unike e filmave të metrazhit të mesëm do të përmbyllet me premierën regjionale të filmit AND THE WIND WEEPS, të regjisores Aulona Selmani.

Filmi flet për historinë e Dautit, një i mbijetuar i një masakre ku i është vrarë djali, ai për 20 vite është përgatitur për letrën që do ta lexojë nësë një ditë do e thërrasin në Hagë për të dëshumar për terrorin që kishte ndodhur atë ditë. Djegia e kujtimeve bëhet akoma më e rëndë kur Dauti merr lajmin se vëllau i tij ka vdekur nga një sëmundje, duke e lënë Dautin si të vetmin dëshmitar të ngjarjes. Kujtesa e tij fillon ta tradhëtojë në detaje të rëndësishme të dëshmisë. Ai ndoshta nuk do arrijë të vë drejtësinë në vend për djalin e tij. Për vëllaun e tij, për shokët e tij. A do e falin të vdekurit Dautin që ai i është nënshtruar harresës?

Filmi, nën regjinë dhe skenarin e Aulona Selmanit, vjen si premierë regjionale në PriFest.

Producent i filmit është Lauro Jenni. Kurse kasta e aktorëve që luajnë në film janë: Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, Armend Smajli, Afrim Muçaj, Ermal Sadiku.

Filmi i kaluar i regjisores Selmani ‘Si në vaj’ ishte fitues në edicionin e kaluar të PriFest.

Filmi do të shfaqet me datë 14 shtator 2024, në kino Armata, në bllokun e filmave të orës 17:00./ KultPlus.com

Ambasadori Rohde: Kosova e mbështeti Ukrainën edhe pse se ka njohur si shtet

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.

Në organizimin për Ditën e Ukrainës nga shtetet e QUINT-it, ai theksoi se Kosova është në mesin e shteteve ndërkombëtare që e mbështeti  Ukrainën.

“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që duhet kjo nuk është vetëm një premtim, por edhe një zotim që shumë shtete e kanë bërë, jam krenar të them që Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetje nga fillimi”.

“Ky solidaritet veçanërisht i jashtëzakonshëm pasi që Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet sovran, ende kosovarët bashkëndjejnë dhimbjen e ukrainasve që nga ditët e fillimit të luftës”, tha Rohde. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Mbyllet për 1 vit Muzeu Kombëtar, ministri Çeku: Pas restaurimit Kosova do të ketë institucion modern muzeal

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot është marrë vendimi për mbylljen e Muzeut të Kosovës, për shkak të resturimit të përgjithshëm të cilit do t’i nënshtohet ky institucion.

Ministri Çeku tha se Këshilli Drejtues ka vendosur që mbyllja e muzeut do të  bëhet për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Ai më tej ka potencuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës pas restaurimit do të jetë institucion modern muzeal, me standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë.

“Kontrata për restaurimin e përgjithshëm tashmë është nënshkruar, ndërsa sot Këshilli Drejtues ka marrë vendim për mbylljen e Muzeut për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Krahas restaurimit po vazhdon trajtimi i fondit muzeor, ndërsa po formohet komisioni profesional për rikonceptimin e ekspozitave të përhershme”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com

Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com

Kurti: Mbështetja për miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike, tregon përkushtimin për të vepruar në unitet me partnerët

Kryeministri Albin Kurti tregoi në një pritje të organizuar për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës se çfarë ka bërë Kosova për ta mbështetur këtë shtet që prej kur Rusia nisi pushtimin e tij.

Kurti tregoi se Qeveria ka miratuar 13 paketa sanksionesh amerikane kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai tha se mbështetja e Kosovës për “miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike”.

Kurti tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “tregon përkushtimin tonë për të vepruar në unitet me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”.

“Rusia ka qenë gjithmonë joeuropiane”, tha ndër tjerash Kurti në një fjalim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Solidariteti ynë [për Ukrainën] është detyra jonë që i përkasim kontinentit europian”, tha ai.

Amfiteatri i Durrësit, ‘magnet’ për turistët

Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, falë edhe thesareve të tij kulturore dhe historike. Amfiteatri Romak, një nga atraksionet kryesore të qytetit antik, mahnit vizitorët me historinë dhe arkitekturën e tij të lashtë.

“Jam nga Sllovakia, Amfiteari është shumë i bukur. Është hera e parë që vij  në Shqipëri dhe mendoj që është mahnitëse.”

“Më pëlqen ky vend, historia e tij, edhe mozaikët që pash.”

“Kthehemi për të disatën herë në Shqipëri sepse më pëlqen shumë, veçanërisht Durrësi”.

“Është shumë i bukur ky sit, historia e tij është interesante po aq sa mënyra që i ka rezistuar kohës.”

Amfiteatri, i ndërtuar në shekullin e II Pas Erës Sonë gjatë periudhës Romake, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Statistikat tregojnë një rritje të dukshme të interesit të vizitorëve gjatë periudhës Janar-Korrik.

Jona Saraçi, specialiste në Qendrën Muzeore të Durrësit, thekson se turistët që e vizitojnë Amfiteatrin i përkasin grupmoshave të ndryshme, por mbizotëron mosha e tretë.

Amfiteatri ka një kapacitet prej rreth 15,000 spektatorësh dhe është përdorur për lojëra gladiatorësh dhe shfaqje të tjera publike në atë periudhë.

Me kalimin e kohës, ai ka mbetur një dëshmi e fuqishme e historisë dhe traditës së lashtë të Durrësit, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj./klantv/ KultPlus.com