Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në natën e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” që mbahet në Memaliaj.
Kumbaro u shpreh se, me këtë festival po krijohet një traditë e bukur që nisi dje e do të vijojë për pesë ditë rresht, me grupe folklorike nga Shqipëria dhe nga Kosova.
“Memaliaj përqafuar nga Vjosa nuk është më qyteza hije anës rrugës, por qyteti ku memaljotët kanë nisur të japin apartamente me qira për turistët dhe të ndërtojnë agroturizme për vizitorët që gëlojnë në gjithë qarkun dhe lëvizin nga një qytet në tjetrin, nga Gjirokastra, Libohova e Dropulli, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e tani edhe në Memaliaj, për të shijuar më të mirat e kulinarisë, historisë, mikpritjes së ngrohtë dhe natyrës së pashoqe”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro ftoi pushuesit që nëse po vizitojnë Gjirokastrën këto ditë, në mbrëmje të ndalojnë në Memaliaj dhe të shijojnë koncertin dhe aromën e Vjosës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të suksesshme, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.
Durrësi ishte ndalesa e radhës, ku DPA-ja “u ankorua” në përmbushje të angazhimit për të promovuar trashëgiminë dokumentare të kombit. Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, DPA-ja shfaqi në një nga sheshet e qytetit ekspozitën, që na rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.
Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të: Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut; Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve; Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).
Ekspozita ngjalli kureshtjen e mjaft banorëve dhe turistëve të qytetit bregdetar./atsh/ KultPlus.com
Robert Anthony De Niro (lindi më 17 gusht 1943) është një aktor amerikan.
I njohur për bashkëpunimet me Martin Scorsese, ai konsiderohet si një nga aktorët më me ndikim të brezit të tij. De Niro është marrës i vlerësimeve të ndryshme, duke përfshirë dy Academy Awards, një Golden Globe Award, Cecil B. DeMille Award, dhe një Screen Actors Guild Life Achievement Award.
Në vitin 2009, De Niro mori Kennedy Center Honor dhe fitoi një Medalje Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama në vitin 2016.
De Niro studioi aktrim nëHB Studio,Stella Adler Conservatory, dhe Actors Studio të Lee Strasberg. Bashkëpunimi i tij i parë me Scorsese ishte me filmin e vitit 1973, Mean Streets. De Niro fitoi dy Academy Awards, një për Aktorin më të Mirë Dytësor për rolin e tij si Vito Corleone në The Godfather: Part 2 (1974) të Francis Ford Coppola dhe tjetri për Aktorin më të Mirë duke portretizuar Jake LaMotta në dramën e Scorsese, Raging Bull (1980). Rolet e tjera të tij të nominuara për Oscar ishin për Taxi Driver (1976), The Deer Hunter (1978), Awakenings (1990), Cape Fear (1991), dhe Silver Linings Playbook (2012).
Ai ka luajtur gjithashtu në filmat 1900(1976), The King of Comedy (1982), Once Upon a Time in America (1984), Brazil (1985), The Mission (1986), Goodfellas (1990), This Boy’s Life(1993), Mary Shelley’s Frankenstein (1994), Heat (1995), Casino (1995), Jackie Brown (1997), Joker (2019), The Irishman (2019), dhe Killers of the Flower Moon (2023). Ai drejtoi dhe luajti si në A Bronx Tale (1993) dhe The Good Shepherd (2006). Rolet e tij komike përfshijnë Midnight Run (1988), Wag the Dog (1997), Analyze This (1999), filmat Meet the Parents (2000–2010), dhe The Intern (2015)./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një vizitë në “Parkun Arkeologjik- Ulpiana” ku nga afër kanë parë rezultatet e ekspeditës së këtij viti nga arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja.
Ministri Çeku me këtë rast ka thënë se janë është duke u zgjeruar hulumtimi dhe gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi, dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.
“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti i pamë nga afër rezultatet e ekspeditës së këtij viti, takuam arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja në këtë hapësirë.
Kjo është bërë më e lehtë tashmë që është marrë vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave përreth dhe ato janë në pronësi të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com
Familjarë dhe të njohur kujtuan në Tiranë në një takim homazh, shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që u nda nga jeta muajin e kaluar.
Autori që bëri të njohur vendin në letërsinë ndërkombëtare u shua në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një krijimtari të pasur për përmes metaforave, alegorisë dhe simbolikave historike, përshkroi Shqipërinë dhe epokën kur Kadare jetoi.
Në fjalën e mbajtur në homazh, bashkëshortja e tij, Helena Kadare, e pati të vështirë të përmbaje emocionet
“Për njerëzit e dashur është e vështirë. Nuk e kuptojmë tamam që nuk është më”, tha ajo.
Partnerja e tij e një jetë i përmblodhi shkurt vitet me të duke i përshkruar përmes dy ekstremeve.
“Tani unë kam qenë bashkëshortja dhe mikja e tij, në pothuajse 60 vjet. Jam përpjekur të bëjë më të mirën për familjen tonë. Prezenca ime në jetën e Ismailit ka qenë një rrugë e gjatë, e shkëlqyeshme dhe e lodhshme gjithashtu, sepse siç e dimë të gjithë rrugëtimi i tij ka qenë plot kthesa e pengesa. Ka qenë rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij”.
Në këtë vazhdë, gruaja që ishte vetë shkrimtare por e la letërsinë e saj për t’iu përkushtuar shkrimtarit të madh, sot kur ai nuk është, ajo ndihet veçse krenare.
“Jam përpjekur të jem një grua dhe një shoqe për ta mbështetur, në këtë momente të vështira dhe ka pasur dhe momente të lumtura që kemi kaluar së bashkua. Nuk kam bërë më shumë se çdo grua shqiptare, duke qenë afër bashkëshortit të saj. Për ta përfunduar këtë gjë siç thoshte ai vetë, kam bërë një punë normale në një vend anormal dhe siç e dini e ka bërë me sukses, jam krenare që kam qenë në krah të tij”, tha ajo.
Helena tha se Ismail Kadare e braktisi disiplinën e tij letrare, vetëm gjatë krizës së Kosovës, kohë kur shkrimtari përdori emrin e tij në kancelaritë evropiane. “Kurrë se braktisi letërsinë përveçse gjatë krizës së Kosovës, hoqi dorë nga puna për t’u marrë me këtë gjë, me takimet dhe me letrat e pafundme”, kujtoi
Botuesi i ti, Bujar Hudhri, ndau me të pranishmit, kujtimet e një nate dimri me Kadarenë në Gjirokastër.
“Po ktheheshim nga Jorgucati për në Gjirokastër në një natë dimri kur sapo ishte botuar ‘Darka e gabuar’ dhe ndërsa unë isha në timon, Kadare, pothuaj si në monolog, thotë: Sa e çuditshme, e një fëmijë i këtij qyteti, rritet dhe e bën këtë qytet të njohur në botë. Të ishte nëna gjallë sa do gëzohej ta dinte se lexohet në gjuhët e huaja”
Të pranishmit në takim, sollën kujtime me të dhe vlerësime për të.
Blendi Fevziu: Kadare më tha se jam bërë si personazhet e mi, por i thashë se personazhet etu nuk I arrin askush, as I ti I pari. Vepra e tij ka qenë emancipuese për shoqërinë shqiptare.
Inva Mula: Kur shkova në Paris, Kadarenjtë kishin shkuar dy vite më para. Ishte një terren që ata kishin ndërtuar dhe një aura rreth emrit të Kadaresë që ishte e fortë dhe e madhe që implementoi një energji kaq të mirë atje ku unë shkoja.
Veton Surroi: Vlera e madhe e Kadaresë ka qenë formësimi i rrëfimit bashkëkohor shqiptar dhe formësimi i gjuhës bashkëkohore që e lidh kombin me letërsinë dhe kontributi I madh në krijimin e identitetit të përbashkët.
Filantropi Kadri Morina tregoi për të pranishmit dhe një botim të rrallë të autorit të madh.
“Unë kam të ruajtur librin e parë të Ismail Kadaresë që është i vitit 1954. Është kopje që e ruaj si pasaportë sepse librat janë thesar i madh”, tha ai.
Ismail Kadare u bë i njohur me romanin “ Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, por veprat e tij, nga “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kështjella”, “Dimri i madh” e deri te “Kur Sunduesit grinden” e vënë shkrimtarin përballë kohëve e pushteteve me një alegori që zhbën kufijtë. Ai është fitues i dhjetëra çmimeve letrare ndërkombëtare./ Balkanweb/ KultPlus.com
Kapela e veshur nga aktori, Harrison Ford në pjesën e dytë të ekskluzivitetit të filmit ‘Indiana Jones’ është shitur për 630 mijë dollarë në ankand.
Fedora me ngjyrë kafe e krijuar posaçërisht për filmin ‘Temple of Doom’, arriti të enjten në Los Angeles, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Artikuj të tjerë të kujtimeve të filmit u shitën në të njëjtën kohë, duke përfshirë rekuizita nga prodhimet e ‘Star Wars’, ‘Harry Potter’ dhe ‘James Bond’.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ftoi sot qytetarët dhe turistët që të vizitojnë këtë fundjavë Kishën e Kuklit dhe shtëpinë e Dom Ndre Mjedës, një kompleks unik që ndodhet në fshatin Kukël, 30 minuta larg qytetit të Shkodrës.
Kompleksi, Kisha dhe shtëpia, ndërtuar nga vetë dora e poetit, në stilin neoklasik i kanë mbijetuar kohës së komunizmit duke u bërë një nga qendrat unike të turizmit historik e kulturor në Shqipëri.
E ndërtuar në vitin 1906, banesa e Mjedës u kthye në shtëpi-muze ku ekspozohen sende personale të poetit, materiale fotografike, shkrime studimore, libra e shumë objekte të tij. Shtëpia dykatëshe është shndërruar në ekspozitë, ku ndër sendet më të rëndësishme është tavolina e punës së poetit, me jetë mbi 100 vjeçare, ku shkroi veprat më të bukura shqip.
Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” ne Kukël, që nga viti 2012 mban statusin Monument Kulture i Kategorisë l./atsh/ KultPlus.com
Po erret dhe terri si ushtri e tmerrshme pushton çdo gjë. E shikoj botën e kërrusur, që lëviz si një plak i drobitur dhe flet për kohë të tretura. Rrugët janë zbrazëti, një qetësi ulëritëse ka mbështjellë tokën. Viruset përshkojnë qiellin si korba, shpërfillin ligje shtetërore dhe forcat e serta ushtarake. Kjo kurrsesi s’mund të jetë errësira e tunelit të Sabatos, as kujë burrash. Është një koll i tmerrshëm që ka mbushë çdo skutë me pikëllim. Po erret. Zbrazëtia e universit është futë në zemrën time. Por unë s’do të ndalem. Më duhet të mbërrij tek altari hirplotë, të ndez një qiri të vogël, një qiri i vogël e mund terrin e madh, në emër të dashurisë që duhet të shumëzohet, si buka dhe peshqit në rrëfimet biblike. Retë e zhurmshme përshkojnë qiellin dhe flasin për stinën e mërzitshme. Ti e ndrojtur matanë hijes shikon lajmet dhe thua: bota po armatoset. Unë shikoj sytë e tu, të tregoj se jam çarmatosë dhe shëtis me retë e mia në universin e gjuhës. Aty ku vjel fjalë, si vreshtari hardhinë. Shtrydh rrush për vérën time, që do ta pi stinëve, kur të shkruaj poema ose të lexoj kronika të marra politike. Kur shkrova librin “Gjithmonë diçka mungon” vërtet besoja se gjithmonë diçka mungon: muzeu i dashurisë dhe i vuajtjeve, por i turpit është gjithkund, edhe atëherë kur je pranë detit e duket se qielli është hapë vetëm për ty. Ti je e vetëdijshme se gjërat ndryshojnë. Bie shi dhe aroma e mykut prish harmoninë e gjërave. Në bibliotekën tënde ka libra pafund, kronika të vjetra për fate njerëzore. Të dremitur pimë kafe dhe kundrojmë retë që përshkojnë qiellin tash miliona vjet. Retë e bardha humbasin në thellësinë e qiellit, në atë pikë ku molekulat e shpirtit janë më shumë se krejt universi. Në atë pikë jam çarmatosë. Shikoj përtej murit të fillimit, te koha zero e jetës në tokë dhe pyes: kush qe i pari që braktisi altarin e dashurisë? Përgjigje s’gjej. Bota kokëforte tund kryet dhe thotë se përgjigje s’ka. Në vend të tyre ka bredhje mes dilemash pafund. Unë vazhdoj t’i shkruaj poemat e shpirtit për nostalgjinë, atë dhimbjen që të shpon si shigjetë zjarri, atë dhimbje që të shpon përditë, në mëngjes kur dielli të përqafon, në mbrëmje kur terri të pushton. Atë dhimbjen që bie në altarin tënd, si buqeta me lule nga duart e nuses pas kurorëzimit në kishë. Unë kam nisë një rrugëtim të ri poetik dhe s’lutem në të premten e madhe, pres kambanat e së dieles, të këndoj “Haleluja.” Në fund të këtij udhëtimi të dremitur dua t’i ngij mushkëritë me ajër të pastër. Përse ka diçka në vend të hiçit? Marramendje filozofike. Marramendje poetike. Marramendje politike. Përpara meje hapen hartat e një atlasi që e tundin duart e frikshme. Bota ka nevojë për një psalm të ri që shpërndan dashuri./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndjekur së afërmi gërmimet arkeologjke në parkun arkeologjik “Ulpiana”, të cilat po zhvillohen nga arkeologë vendorë e të huaj.
Kryeministri Kurti tha se pas zbulimit të mbishkrimit historik në bazilikën e Justinianit, ky ekip i ka zgjeruar gërmimet duke shpërfaqur fragmente të tjera nga mozaiku i dekoruar, të cilat janë dëshmi që ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.
Më tej Kryeministri Kurti “Parkun Arkelogjik-Ulpiana” e ka cilësuar si pasuri me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, i cili mund të shndërroj Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Në Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, ishim për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.
Pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë. Këto simbolika i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.
Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.
E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.
Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë.
Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare./ KultPlus.com
Festivali jubilar XXX i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, u hap në Teatrin Kombëtar me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak fitues të çmimit Oscar, Danis Tanoviç.
Filmi i ri i regjisorit Tanoviç u shfaq njëkohësisht në Sarajevë në Teatrin Kombëtar, Kinemanë Verore Coca-Cola, Kinemanë Verore “Stari Grad” dhe Kinemanë Verore të Qendrës “Safet Zajko”, ndërsa shfaqje u mbajtën gjithashtu në Mostar dhe Tuzla.
Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnje-Hercegovinës kanë kaluar në tapetin e kuq të SFF-së para Teatrit Kombëtar, mes të cilëve edhe ekipi i filmit “Pas verës”.
“Pas verës” është një dramë komedi për një grua të re që vjen në një ishull të largët për të zgjidhur çështjen e trashëgimisë familjare. Në një vorbull emocionesh të reja, përmes një sërë situatash të paparashikuara, Maja më në fund do të përballet me pyetje nga e kaluara e saj. Kërkimi i trashëgimisë bëhet kërkim i identitetit të vet, por edhe i faljes.
Rolet në film u luajtën nga Anja Matkoviç, Uliks Fehmiu, Goran Navojec, Mario Knezoviç, Marija Shkariçiç, Mirela Brekalo, Snjezhana Sinovçiç, Luka Juriçiç, Boris Ler, Ivana Roshçiç, Jadranka Matkoviç e tjerë.
Nikoqire e ceremonisë së hapjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ishte aktorja boshnjake Maja Izetbegoviç.
Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dhuroi drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.
Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.
Një ditë para hapjes zyrtare të Festivalit XXX të Filmit në Sarajevë, në Kinema Verore Coca-Cola u shfaq filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të BH-së.
Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në festivalin e këtij viti./atsh/ KultPlus.com
Sot janë bërë 113 vite nga vdekja e veprimtarit të shquar Petro Nini Luarasit.
Petro Nini Luarasi (Luaras, 22 prill 1865- Ersekë, 17 gusht 1911) ka qenë prift ortodoks i krishterë, mësues, publicist dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Edhe babai i tij, Nini Petro Kostallari, kishte qenë aktiv në Rilindjen Kombëtare Shqiptare si publicist dhe mësues.
Pasi mbaroi shkollën e seminarit të Qestoratit punoi si mësues në fshatrat e rrethit të Kolonjës, ku mësoi shqip i maskuar dhe përgatiti një numër shokësh si mësues të ardhshëm të shqipes.
Në vitin 1887 Luarasi dhe shoku i tij mësues Thanas Sina morën drejtimin e shkollës shqipe në Korçë nga Pandeli Sotiri pas largimit të tij. Mes viteve 1887 dhe 1893 Luarasi hapi në Ersekë dhe në disa fshatra të rrethit të Kolonjës shkolla në gjuhën shqipe.
Themelimi dhe promovimi i shkollave shqipe nga Luarasi në zonën e Kolonjës e solli atë në konflikt me Filaretos, kryepeshkopin grek të Kosturit. Në vitin 1892 një letër qarkore iu dërgua popullatës shqiptare ortodokse të Kolonjës për të shkëputur lidhjet mes tyre dhe Luarasit me Filaretos, duke iu referuar atij si një “renegat i mallkuar” që përhapte “masonerinë dhe protestantizmin e lirë”, ndërsa dënonte punën e tij me shkollën shqipe dhe thoshte se Gjuha shqipe “nuk ekzistonte”.
Më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën 1904 – 1908, ku ishte anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nismëtar i shoqatave patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Luarasi punoi gjithashtu si drejtor dhe mësues i Shkollës së parë shqipe të motrave Qiriazi në Korçë dhe në vitet 1909-1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit, të themeluar nga Papa Kristo Negovani.
Ai gjithashtu ka kontribuar në organizatat për rrugën që çon në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (shkëputja) nga Perandoria Osmane.
Luarasi mori pjesë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit të shqipes në vitin 1908. Për veprat e tij patriotike, shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtarinë shoqërore, ai u persekutua të dy nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës dhe regjimi i turqve të rinj. Sipas shumë mundësive ai vdiq i helmuar nga Patriarkana më 17 gusht 1911.
Ai bashkëpunoi, botoi dhe ishte kryeredaktor me këto revista: Bashkimi i kombit (botuar në Manastir gjatë periudhës 1909-1910), ku ai ishte kryeredaktor; Drita, (botuar në Sofje, Bulgaria gjatë periudhës 1907-1908); Kombi (botuar në Boston, më 1908); Liria (botuar në Selanik gjatë periudhës 1909-1910)
Në këto revista ai botoi shkrime mësimore, poezi dhe publicistike. Në veprën e tij politike “Mallkimi i shkronjave shqipe” dhe “Çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911), mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për të drejtat e tyre për kulturën e vet kombëtare. Ai propagandoi idetë kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që ishin ato të bashkimit të popullit shqiptar në luftën e tij për lirinë e Shqipërisë, pavarësisht besimeve fetare.
Ai vdiq më 17 gusht 1911. Për kontributin e tij të madh rreth qështjes shqiptare Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.” / KultPlus.com
Sot, janë bërë 185 vite nga lindja e patriotit të madh shqiptar dhe njërit nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit.
Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në fshatin Frashër të Përmetit.
Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.
Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.
Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.
Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.
Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.
Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjetshëm. Pasi kreu tri vite dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 u lirua me kushtin që të mos merrej me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit.
Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente të veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut.
Në këtë park mund të shihet me sy të lirë shiu i meteorëve, duke ofruar një përvojë të kompletuar të turizmit natyror.
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga eventi i përvitshëm organizuar nga “Shebenik Egnatia Explorers”, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nga ku “shiu i meteorëve duket me sy të lirë dhe atraksionet e parkut të ftojnë për një përvojë të kompletuar të turizmit natyror”.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
“Shiu i meteorëve”
Një herë e një kohë mendohej se yjet në rënie ishin lotët e Shën Lorencit, i martirizuar në vuajtje. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për yje të vërteta, por për mbetjet e perseidi, që e kanë origjinën nga kometa suift-tuttle, e zbuluar në 1862 nga astronomi italian Giovani Vrginio Schiaparelli.
10 gushti është dita e përcaktuar në kalendarin fetar, por sidoqoftë, për të parë më mirë shiun e meteorëve, duhet pritur 12 gushti, kur perseidet janë më të dukshme në qiell.
Kulmi shënohet natën mes 12 dhe 13 gushtit, rreth orës 22 të mbrëmjes, aq sa mund të shihen deri në 50 meteorë në orë. Por duhet patur kujdes nga ndotja nga ndriçimi; për të admiruar yjet që bien më mirë, duhet zgjedhur një vend i errët, larg nga qytetet, e nëse është e mundur në lartësi.
Astronomët sugjerojnë se duhet parë në drejtimin veri lindje, në natë të plotë, kur hëna ka perënduar./atsh/ KultPlus.com
Edgar Allan Poe ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në shekullin e 19-të.
Pjesa më e madhe e punës së tij u frymëzua nga ngjarjet që ndodhën rreth tij. Ato që e bënë botën të kthej sytë nga shkrimet e Poes nisin me kryeveprën e hershme “Për Helenën” deri te “Ulalume” e errët dhe misterioze. Nga “Korbi”, i cili e bëri atë me famë botërore pas botimit në 1845, te “Annabel Lee”, i cili është një lavdërim i botuar pas vdekjes për një vajzë “në një mbretëri pranë detit”. Pikërisht do të ishte vdekja e vajzës që ai dashuronte që e bëri atë të veçantë në shkrimet dhe thëniet e tij.
Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:
Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.
E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.
Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.
Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.
Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.
Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.
Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.
Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?
Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.
Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën.
Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë. / KultPlus.com
Mjaft o tallaz, de, mjaft! Pa zbrit, se s’të shoh dot. Kurrë ndonj’herë s’je ngritur kaqë sa sot. Po ç’ke, vallë, që dukesh kaq i ngrysur, i nxirë? Përse këlthet kështu së thelli si egërsirë? Përse ky shi i fortë, ky rrebesh e ky terr? Kjo shqot’ e zezë, e marrë, që sokëllin si Ferr? Vala jote po ngjitet lart e më lart gjithmonë! Qëndro! Mos shko më tutje! S’ke lejë! Ndal të thonë! Ligjet e vjetra, frenat, të vjetërat kufi, Injorancën, mjerimin, hiçin, – këto qeli, Këto burgje të shpirtit, ku vdes e fundmja shpresë, Edhe gostin’ e madhe ku horat s’kanë pjesë, Gjith’ supersticionet, fatalitetet krejt Dhe pushtetin e burrit mbi gruan drejtpërdrejt, – Sakën! sakën se i prek këto të shënjta gjëra! Pa zbrit aty dhe hesht! Këto mure të gjëra plot kulla, i ndërtova rreth mbarë njerëzimit. Po ti gjith ulërin! Gjith çohesh prej tërbimit! Çdo gjëje po i turresh me sulm e me vërtik: Vate ungjilli i vjetër, vate kanuni antik! Trekëmbëshi vala jote e shëmbi, e gllaburoi. Mos, mbretin! Mzos e prek! – O qiell! E rrëzoi. Mos, njerëzit e shënjtë! Mos, priftin! Mos, gjyqtarin! Ndalu të thonë! – I fshiu të gjithë, u bëri varrin! Zoti të tha: – Tallaz, më tutje ti mos shko! Po ç’është kshtu? O Zot! Po mbytem! Obobo! Deti s’po bindet, deti po shfryn me gjëmë e dhunë./ KultPlus.com
Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur. Ata janë kopshtarët e zhytur në mundime dhe mendime, që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë.
Muzika është ndoshta shembulli më unik i asaj që mund të ketë qenë hyjnore, nëse nuk do të kishte ardhur shpikja e gjuhës, formimi i fjalëve, analiza e ideve, komunikimi i shpirtrave.
Lumturia është e dobishme për trupin, por është dhimbja që zhvillon fuqitë e mendjes.
Shpesh është mungesa e imagjinatës që e ndalon njeriun të vuajë shumë. Mos ndaloni së kërkuari atë dëshironi ose do të përfundoni duke dashur atë që arrini të gjeni.
Në realitet, çdo lexues është çfarë ai po lexon, lexuesi i vetvetes.
Puna e shkrimtarit është thjesht një lloj instrumenti optik, i cili i ofron lexuesit të mundësojë që ai të dallojë se çfarë është ai, pa këtë libër.
Bota nuk u krijua një herë, por sa herë që vinte një artist origjinal.
Ne punojmë vazhdimisht për të formuar jetën tonë, por pavarësisht nga vetë kopjimi, ne dizejnojmë tiparet e personit që jemi dhe jo atij që do të donim të ishim.
Në dashuri nuk mund të ketë qetësi, sepse përparësia e fituar nuk është gjë tjetër veçse një pikënisje e re për dëshirat e reja.
Librat e vërtetë duhet të jenë fëmijë jo të dritës dhe mashtrimit, por të errësirës dhe heshtjes.
Leximi na mëson të rrisim vlerën e jetës, një vlerë që ne nuk kemi qenë në gjendje ta vlerësojmë dhe madhështinë e së cilës e realizojmë vetëm falë librit.
Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar.
Gjithmonë përpiquni të mbani një copë parajse mbi jetën tuaj.
Le t’ua lëmë gratë e bukura burrave pa imagjinatë.
Leximi është ajo mrekulli e frytshme e komunikimit në mes të vetmisë.
Ne vuajmë nga vuajtjet vetëm duke e provuar atë në mënyrë të plotë.
Asistenti i Matthew Perry është deklaruar fajtor për komplot në shpërndarjen e ketaminës – lidhur me vdekjen e aktorit amerikan.
“Kenneth Iwamasa, 59 vjeç nga Toluca Lake – pranoi se kishte injektuar në mënyrë të përsëritur ketaminë pa trajnim mjekësor në trupin e Perry – duke përfshirë kryerjen e injeksioneve të shumta më 28 tetor 2023 – ditën kur ai vdiq”, tha Departamenti i Drejtësisë.
Ai u deklarua fajtor më 7 gusht për “një akuzë të komplotit për shpërndarjen e ketaminës duke shkaktuar vdekje”.
Iwamasa ishte një nga pesë personat e akuzuar pasi ylli i “Friends” vdiq nga një mbidozë aksidentale me ketaminë tetorin e kaluar.
Një hetim mbi rrethanat e vdekjes së Perry – zbuloi se në vjeshtën e vitit të kaluar aktori 54-vjeçar – i ishte rikthyer varësisë dhe këta të pandehur përfituan”, tha avokati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Martin Estrada.
“Matthew Perry kërkoi trajtim për depresionin dhe ankthin dhe shkoi në një klinikë lokale ku u bë i varur nga ketamina intravenoze”, tha administratorja e Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), Anne Milgram.
“Kur mjekët e klinikës refuzuan të rrisnin dozën e tij, ai iu drejtua mjekëve të paskrupullt që e shihnin Perry si një mënyrë për të fituar te ardhura të shpejta”, shtoi ajo.
Dr. Salvador Plasencia, 42 vjeç nga Santa Monica – dyshohet se ka bashkëpunuar me Dr. Mark Chavez, 54 vjeç nga San Diego – për të furnizuar Perry me sasi të mëdha ketamine – duke përfituar nga ylli amerikan 2000 dollarë për një shishkë – që kushtonte afërsisht 12 dollarë.
Perry, i cili më së shumti luajti Chandler Bing në hitin amerikan “Friends”, u gjet i vdekur në pishinën e rezidencës së tij, në Los Anxhelos më 28 tetor.
Në dhjetor, vdekja e Perry u cilësua si një aksident nga “efektet akute të ketaminës” – një qetësues që mund të përdoret si një ilaç rekreativ, si dhe për të trajtuar depresionin dhe menaxhimin e dhimbjes.
Një ekzaminues mjekësor tha se Perry kishte marrë terapi me infuzion me ketaminë për depresionin dhe ankthin, me trajtimin e tij të fundit të njohur një javë e gjysmë para vdekjes së tij.
“Ketamina në sistemin e tij pas vdekjes – nuk mund të jetë ajo që ka marrë gjatë terapisë me infuzion”, thuhet në raport. / KultPlus.com
Ai ndërtoi një prej perandorive më të fuqishme të teknologjisë, duke u shndërruar në një ikonë të kurajës dhe sipërmarrjes. “Apple” nuk mund të kuptohet pa Steve Jobs dhe Steve Jobs nuk mund të identifikohet pa “Apple”. Ata janë sinonim i njëri-tjetrit, dhe e sotmja është afeksion i kësaj realeje që dhuron përtej imagjinatives. Kafshimi i mollës së kafshuar të Steve Jobs, është një kafshim pasioni.
Steve Jobs, babai i iPhone, iPod, iPad dhe bashkëthemeluesi i Apple Inc, humbi betejën e tij të gjatë kundër një forme të rrallë e kancerit në pankreas dhe ndërroi jetë më 5 tetor 2011 në moshën 56-vjeçare.
Steve Jobs, i cilësuar si Leonardo Da Vinci i kohëve moderne, do të mbahet mend në fushën e teknologjisë së komunikimit për risitë që solli, veçanërisht me iPhone dhe iPad, dy krijesa që shumë shpejt pushtuan tregjet botërore.
Pra se të shuhej, në shtratin e vdekjes ai la fjalët e të fundit si testament për gjeneratën:
“Arrita majat e suksesit në botën e biznesit. Në sytë e të tjerëve jeta ime ishte mishërim i suksesit. Sidoqoftë, përpos punës, unë kam pak gëzime. Në fund, pasuria është vetëm një fakt i jetës me të cilin unë jam mësuar.
Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt. Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet.
Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme. Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.
Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria. Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar.
Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arrij lartësitë që do të arrish. Është e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”…
Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”.
Kur një njeri shkon në sallën e operacionit, do të kuptojë se ekziston një libër që duhet të përfundojë së lexuari – “Libri i jetës së shëndetshme”. Në çfarëdo faze të jetës që mund të jemi tani, herët ose vonë do të përballemi me momentin final të ‘mbylljes së perdeve’.
Ruaj si gjënë më të çmuar dashurinë për familjen, dashurinë për bashkëshortin/en, dashurinë për miqtë… / KultPlus.com
Kur Thomas Hobbes e përshkroi jetën në gjendjen e natyrshme si “vetmitare, të varfër, të shpifur, të shëmtuar dhe të shkurtër”, ai shkroi një prej fjalive më të famshme në gjuhën angleze. Filozofi i shekullit 17 thoshte se “pa një fuqi të përbashkët që t’i mbajë të frikësuar”, qeniet njerëzore bien në gjendjen natyrore – një gjendje luftërash anarkike dhe grabitjesh e paligjshmërie.
Analiza e Hobbes jehon fuqishëm sot, ku shtetet po dështojnë në shumë pjesë të botës, duke lënë pas kaos dhe krim. Gjithnjë e më shumë, vizioni i tij pesimist duket i përligjur tek rënia e madhe e sigurisë, që u duhet qenieve njerëzore në përditshmërinë e tyre.
E megjithatë, paradoksalisht Hobbes ishte edhe optimist. Duke përdorur arsyen, besonte ai, qeniet njerëzore mund të ngrihen mbi konfliktin shtazarak. Njerëzimi mund të gëzonte atë që ai, në kryeveprën e tij “Leviatani” (1651) e quante “jetesa komode” – një jetë e qytetëruar, në paqe, begati dhe kulturë, përmes një kontrate sociale që do të krijonte një sundimtar të cilit të gjithë do i bindeshin. Pushteti që ata do të krijonin – që mund të ishte një mbret apo një ansamble republikane – do të ishte i pakufi në fuqitë e veta, dhe nëse sovrani do të dështonte në mbrojtjen e qytetarëve të vet, ai mund të përmbysej. Duke u fokusuar tek individët dhe mirëqenia e tyre, Hobbes ishte liberal, ndoshta i vetmi që ia vlen të lexohet sot.
Mendimi i Hobbes se konflikti është gjendja e paracaktuar njerëzore ka shumë mësime për të na dhënë. Njëri është që, rrëzimi i tiranëve nuk siguron lirinë. Në Irak dhe më vonë në Libi, perëndimi imponoi ndryshim regjimi, me besimin se do të shpinte në demokraci. Rezultati në të dy rastet ishte shpërbërja e shtetit. E vërteta të cilën na e kujton Hobbes, është se politika nuk përbën një zgjedhje binare, midis lirisë dhe tiranisë.
Hobbes na ndihmon të kuptojmë edhe transformimet në demokracitë gjatë shekullit 21. Në një njëpasnjëshmëri krizash, qeveritë kanë kaluar nga pretendimet për zgjerimin e lirive njerëzore, tek premtimet për mbrojtja nga rreziqet. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe kriza ekonomike e vitit 2008 sollën zgjerimin e kompetencave të qeverive perëndimore, në nivele që nuk ishin njohur qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Procesi vazhdoi me politikat e zbatuara gjatë pandemisë së COVID-19. Shteti mori përgjegjësi për shëndetin fizik dhe mendor të popullatës. Jo liria, por siguria është bërë imperativi kryesor. Duke u kursyer qytetarëve ankthet që vijnë me lirinë e mendimit, Levatianët e rinj që janë shfaqur në Perëndim kanë disa ngjashmëri me shtetet totalitare të shekullit të kaluar.
Nga një këndvështrim, Hobbes mund të lexohet si një liberal që hedh dritë mbi humbjen e lirisë në kohën tonë. Nga një tjetër, ai thekson disa mangësi themelore të liberalizmit. Ai synonte të themelonte autoritetin e shtetit mbi një moral minimal që mund të pranohej nga të gjithë. Për të kjo nënkuptonte trajtimin e vetëruajtjes si vlerë supreme. Impulsi mbizotërues njerëzor nuk ishte dashuria për pushtetin, por frika nga vdekja – mbi të gjitha, vdekja nga duart e qenieve të tjera njerëzore. Hobbes e dinte se njerëzit janë gati të vdesin për krenarinë dhe reputacionin. Megjithatë, ai ishte i bindur se shtytja për të shmangur një fund të dhunshëm ishte mjaftueshëm e fortë, për të mposhtur impulset e tjera njerëzore dhe për të mbështetur një sovran që ofronte paqe.
Edhe në kohën e Hobbes, ky ishte padyshim një vizion tepër optimist. Luftërat fetare treguan njerëz që vdisnin për besimet e tyre, dhe kamikazët vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot. Këta besimtarë besojnë në një jetë të përtejme, por shumë prej atyre që kanë vdekur për besimet e tyre nuk e kanë pasur një besim të tillë. Qeniet njerëzore nuk e vlerësojnë mbijetesën mbi të gjitha gjërat e tjera. Ajo që ata kërkojnë është një jetë që ka kuptim për ta.
Në një pjesë të Leviathan-it që studiohet rrallë, Hobbes shkroi për “privilegjin e absurditetit, të cilit nuk i nënshtrohet asnjë krijesë e gjallë, por vetëm njeriu”. Ai vazhdoi të dallonte shtatë lloje të absurditetit ndaj të cilave qeniet njerëzore janë të prirura. Të gjithë ata kanë të përbashkët gabimin e trajtimit të termave abstrakte, sikur të pasqyronin entitete ekzistuese. Ndryshe nga kafshët e tjera, njerëzit vdesin (dhe vrasin) për hir të fjalëve.
Hobbes nuk arriti ta pranonte këtë të vërtetë në teorinë e tij politike, por kjo nuk është befasuese, sepse shkatërroi bazën e optimizmit të tij. Edhe pa prirjen e tyre për absurditet, është e vështirë të shihet se si qeniet njerëzore mund ta nxjerrin veten nga gjendja natyrore e Hobbesit. Si mund t’u besojnë të tjerëve – aq më pak sovranit të plotfuqishëm – për të mbajtur premtimet e tyre?
Hobbes ishte shumë optimist. Paradoksi i fundit i filozofisë së Hobbes-it është se ai tregoi që qeniet njerëzore, në fund, nuk sundohen nga frika, por nga nevoja për kuptim që i bashkon ata, edhe pse i çon në konflikt./ KultPlus.com
Mbreti i i muzikës ‘Rock & Roll’, Elvis Presley ishte ylli përfundimtar i viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70, ai ka disa këngë legjendare në karrierën e tij, ndërsa fansat e tij ishin pak si shumë të fiksuar pas zërit dhe pamjes së tij, transmeton KultPlus.
Më poshtë do të gjeni disa fotografi të rralla dhe shumë të bukura të yllit të muzikës, Elvis Presley. / KultPlus.com
9 shkurti 2025 shpallet nga Presidentja Osmani si datë e zgjedhjeve të rregullta parlamentare
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.
Këtë vendim, Presidentja Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike.
Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti.
Pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Përgjatë takimeve, Presidentja vazhdimisht ka potencuar që duhet te ketë kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura edhe për votimin e mërgatës në përputhje me ligjin e ri.
Presidentja Osmani u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen në këtë proces me seriozitetin dhe përkushtimin që meriton, duke ruajtur standardet demokratike dhe rregullat më të larta të etikës, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të mbetet shembull i zgjedhjeve të lira e demokratike. Presidentja, së shpejti, do ti ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për ti ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor. / KultPlus.com