Rama ndan pamje nga bregdeti i Jonit

Shqipëria po shënon këtë vit një “boom” në turizëm, ndërsa vetëm në 7 muajt e parë në aeroportin e Rinasit janë përpunuar mbi 5 milionë e 982 mijë pasagjerë, prej të cilëve 3 milionë e 547 mijë e 987 janë të huaj.

Riviera Shqiptare, e cilësuar si nja zonat më të bukura turistike, ka tërhequr në vijimësi vëmendjen e medieve të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit mbetet destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

Vetëm në dy javët e para të muajit gusht, Shqipëria u vizitua nga 571 338 persona, ose rreth 162 mijë persona më shumë se në të njëjtën periudhë të gushtit 2023.

Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediet ndërkombëtare Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar./ KultPlus.com

“Shndrite n’Shirokë”, nis edicioni i parë i festivalit të dritave

Nis sot edicioni i parë i festivalit të dritave “Shndrite n’Shirokë”.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehet se sot dhe nesër, do të jenë dy ditë plot aktivitet në Shirokën e bukur, të pakrahasueshmen e Shkodrës e cila mirëpret edicionin e parë të LightsFest, festivalit i cili plotëson çdo dëshirë.

“Me artistë, panaire, kulinari, sporte ujore, paradë motoçikletash dhe argëtim për fëmijët, mos mungo në Shirokë më 17 dhe 18 gusht për Festivalin e Dritave”, shprehet Rama.

Investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen Shirokës, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe molin për varkat lundruese.

Shiroka e rilindur po mikpret turistë nga e gjithë bota teksa të tjera projekte transformuese janë në kantier apo do të jenë në kantier për Shkodrën Turistike 2030./ KultPlus.com

Ringrihet Kulla e Çunmulajve dhe kthehet në muze të Malësisë

Në Hot të Malësisë së Madhe u zhvillua ceremonia e përfundimit të punimeve për ringritjen e kullës së njohur të Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në Muze të Malësisë. Fisi i Çunmulajve ka nxjerrë figura te shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit dhe Malësisë për përpjekjet e tyre në mbrojtje te identitetit dhe trojeve shqiptare, mes të cilëve shquhet prijësi dhe luftëtari popullor Çun Mula, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Siç njofton nga Hoti i Malësisë së Madhe, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, Kulla e Çunmulajve u braktis dhe thuajse u rrënua gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosen.

Ceremonia e përurimit të përfundimit të punimeve për ringritjen e Kullës së Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në muze mblodhi në Hot të Malësisë së Madhe banorë të Malësisë, të Shkodrës, Tuzit e Trieshit si dhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, të cilët kontribuan për ringritjen e kullës.

Pllakën me mbishkrimin “Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu Malësia e Madhe” e zbuloi kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj së bashku me nismëtarin për ringritjen e kullës, drejtuesin e shoqatës “Kulla e Bajraktarëve të Hotit”, Arjan Bajraktarin.

Duke folur në ceremoninë e rastit, Arjan Bajraktari vlerësoi faktin se kjo nisëm kulturore dhe historike gjeti mbështetjen masive të malësorëve, në të dy anët e kufirit, por edhe në diasporë duke i dhënë kështu Malësisë një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të vet.

“Në atë ditë jo të largët, 12 shkurtit 2022, këtu në Hot, në këtë oborr, në çeljen e fushatës ku donator i parë ishte Mark Gjoku Ulaj që dhuronte 5 mijë dollarë në emër të vëllazërisë së tij, ndoshta askush nuk e mendonte se kjo fushatë për mbledhjen e fondeve do të merrte përpjesëtime kaq masive sa do të mund të arrinim sot, më 16 gusht 2024, të inauguronim përfundimin e punimeve të rinovimit të kullës, për më tepër, me një koncept muzeal modest”, tha ai.

Kulla e Çunmulajve, në Hot të Malësisë së Madhe, i ka fillimet e saj rreth viteve 1770-1780 për të rrugëtuar gjatë shekujve duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Malësisë dhe kombit përmes prijësve dhe luftëtarëve popullorë të Çunmulajve, të cilët i prijnë Hotit dhe Malësisë në luftërat kundër ushtrive osmane dhe atyre malazeze në mbrojtje të kufijve kombëtar.

Mes tyre shquhet bajraktari i Hotit, Çun Mula, një nga figurat më të rëndësishme të Malësisë, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në betejat për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Pas vendosjes së komunizmit, trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosën, ndërsa kulla e tyre nisi braktisjen dhe rrënimin.

Profesor Lekë Junçaj duke folur për historinë e kullës dhe trashëgimtarëve të saj tha mes të tjerash se ajo ishte një kështjellë arbërore.

“Kjo godinë gjigante nuk ishte vetëm kullë rezidence, por ishte kryeqendra e Hotit, epiqendër e shtatë maleve të Malësisë për tubimet, angazhimet, pajtimet dhe besëlidhjet e shumta të popullit të shumëvuajtur malësor. Ishte një kështjellë arbërore, mbrojtëse e trojeve dhe vlerave tona më të mira, nga ku me shekuj u mbrojt kufiri veri-perëndimor nga invazionet serbo-malazeze”, thotë ai.

Për ringritjen e Kullës së Çunmulajve kanë dhënë kontributet e tyre financiare rreth 500 persona nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Mal të Zi, Europa, Kanadaja dhe SHBA.

I ardhur nga New Jorku, ku ka emigruar prej 50 vitesh, Mark Gjok Ulaj thotë se kjo ka dëshmuar vlerësimin e madh të malësorëve për bajraktarin e Hotit, Çun Mulën, dhe gjithë pjesëtarët e fisit të Çunmulajve.

“Çun Mula i Hotit i ka prirë tanë bajrakut të Hotit dhe ka qenë një ndër burrat ma të mirë që ka mujt me pasë kombi shqiptar. Mbas tij, të gjithë kanë ardhë secili ma i mirë se tjetri. Mul Delija ka qenë bajraktari i Hotit. Ka qenë kapedani që e ka kryer shkollën në Itali edhe e ka shpëtu Malësinë e Madhe, kur ka hy komunizmi, për mos me u vra vëllau me vlla”, thotë ai.

Megjithëse shumë larg vendlindjes, shqiptarët që kanë emigruar prej vitesh në Amerikë, vazhdojnë të mbajnë gjallë historinë e Hotit të Malësisë së Madhe dhe prijësve e luftëtarëve popullorë, që u prinë malësorëve ndër shekuj.

Përfaqësuesi i malësorëve nga Michigani, Gjokë Martin Noni Junçaj, tha se me rindërtimin e kullës së Çunmulajve malësorët dëshmuan se i ruajnë dhe trashëgojnë vlerat e tyre.

“Kur kam dëgjuar për këtë projekt e kam çmuar vlerën që ai ka për popullin tonë. Ne, të gjithë e dijmë se, gjithçka që lind duhet edhe me vdekë. Po historia e shqiptarëve kurrë nuk vdes. Sot e kemi nderu Çun Mulën edhe tanë Malësinë dhe shqiptarizmin”, thotë ai.

Kulla dy katëshe e Çunmulajve tashmë shfaqet e ringritur në mes të fushës së Hotit, pranë kishës së ndërtuar disa vite më parë, edhe ajo me kontributin e shqiptarëve të Amerikës./VOA/ KultPlus.com

Mbrëmë në Etno Fest u promovua libri për Qamilin e vogël

Alisa Buzhala

Me një fluks të madh të vizitorëve dhe dinamikës së programacionit, festivali i artit dhe kulturës po i afrohet fundit të këtij edicioni. Kanë mbetur edhe 2 ditë nga finalizimi i kësaj maratone të ‘kompozimit’ të shumëllojshëm, të fokusuar në traditën shqiptare si dhe artin në të gjitha format e tij.

Në ditën e shtatë të edicionit të 14-të të Etnofestivalit u pasqyruan vlerat artistike mbi të cilat është ndërtuar kultura e përgjithshme e artit shqiptar, posaçërisht përmes muzikës.

Atmosferën e kësaj nate e krijuan ansambli ‘Qamili i vogël’ të cilët zgjodhën paraqitjen në Etnofest si vend për ta bërë promovimin e librit të ri që i dedikohet pikërisht artistit Qamili i vogël, për jetën dhe veprën e tij, i cili la pas vetes një krijimtari të pasur të teksteve dhe këngëve shqipe.

Bashkëpunëtorët e artistit dhe figurës së dashur mbarëkombëtare vendosën që, në emër të vlerave artistike dhe vetë rëndësisë së kësaj trashëgimie, si dhe në kujtim për mikun e tyre Qamilin, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, ta botonin librin. Autorë të këtij libri janë bashkëatdhetarët që tani jetojnë në vende të ndryshme të botës, e që ishin anëtarë të ansamblit që nga fillimi i viteve ’80-ta: Sylejman Saliu, Salih Berisha dhe Behar Arllati.

Gjatë këtij promovimi, publikut të madh në numër iu bashkëngjit edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me disa anëtarë të tjerë të qeverisë, të cilët përcollën këtë ngjarje dhe më pas edhe koncertin artistik të shoqëruar me instrumente nga grupi i ansamblit ‘Qamili i vogël’. Këngët e vjetra që qëndrojnë thellë në memorien e gjeneratave të ndryshme, u kënduan njëzëri nga audienca e pranishme në etno-kompleksin në Kukaj.

Ndërkaq, vizita e kryeministrit të Kosovës dhe ekipit vazhdoi në hollët, muzetë dhe ekspozitat e hapura që e karakterizuan këtë edicion. Albin Kurti, në bashkëbisedim me organizatorët, cilësoi se Etnofesti është një aset i vërtetë dhe i çmuar i ekosistemit tonë artistik.

Pjesa teatrale që u dha në mbrëmjen e ditës së shtatë të Etnofestit ishte shfaqja ‘Audienca’, nën regjinë e Bashkim Ramadanit, e cila trajton censurën dhe burokracinë. Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë përplasjen midis individit, meritokracinë dhe autoritetin, kompromiset morale dhe etike që njerëzit bëjnë nën presion, si dhe absurditetin dhe ironinë e jetës nën një regjim totalitar.

“Audienca” është një nga veprat më të njohura të Václav Havel, dramaturgut çek, që më vonë u bë President i Çekosllovakisë dhe më pas i Republikës Çeke. Kjo dramë komike përqendrohet në dy personazhe kryesore: Vaněk, një shkrimtar disident që përfaqëson një version të vetë Havelit, dhe Sládek, një punëtor në një fabrikë birre. Dialogu që zhvillohet mes dy personazheve përmes aktorëve Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi përfshin satirë të mprehtë, humor dhe revoltë. Shfaqja u dha në një nga skenat me amfiteatër në Kukaj, me një skenografi dinamike dhe plot dramë.

Etno-nata, e destinuar për ta mbajtur këtë festival simbol të gjithëpërfshirjes kulturore, natën e shtatë të saj kishte përzgjedhur këngëtaren Linda Rukaj, e cila me sharmin e saj solli një atmosferë solide për të pranishmit, të cilët njëkohësisht po shijonin ushqimin tradicional, nën melodinë e pastër të këngëve të vjetra shqipe. Në after-natën dhe atmosferën përcjellëse të saj u përkujdes DJ Philip me setin e tij muzikor të gërshetuar mes stilit jazz, oriental dhe tekno.

Ndërsa Etnofesti i afrohet fundit të tij, ky edicion ndërthuri  traditën dhe inovacionin artistik, duke u bërë shtëpi e vlerave kulturore./ KultPlus.com

Tekstet shkollore, Nagavci: Nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njofton se nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar për subvencionimin për tekstet shkollore.

Ajo tha se deri më tani numri i aplikuesve ka rritur në 121,200.

Postimi i saj i plotë:

Të dashur prindër dhe nxënës, Deri tani numri i aplikuesve për subvencionim për tekste shkollore në Platformën e-kosova ka shkuar në 121,200. Nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar. Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve. Në shërbimin tuaj është edhe numri i telefonit pa pagesë për çfarëdo pyetje që mund të keni rreth aplikimit:0800 30 900 si dhe emaili:[email protected]. / KultPlus.com

NASA dërgon furnizime në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për astronautët e bllokuar

Një anije kozmike u ankorua me Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) sot për të ofruar ushqim, karburant dhe furnizime të tjera për astronautët.

ISS aktualisht është shtëpia e shtatë anëtarëve të ekuipazhit të Ekspeditës 71 dhe dy astronautëve të NASA-s, Sunita Williams dhe Barry Wilmore, të cilët mbeten të paplanifikuar në stacion për shkak të shqetësimeve të sigurisë me kapsulën Starliner.

Anija kozmike pa pilot Progress 89 dërgoi rreth tre tonë furnizime sot. Ajo do të qëndrojë e lidhur me ISS për rreth gjashtë muaj përpara se të niset për rihyrje në atmosferën e Tokës.

Kujtojmë se astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams vlerësuan se do të qëndronin në hapësirë ​​për rreth 10 ditë, por ata janë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për më shumë se dy muaj pa asnjë datë kthimi në horizont./balkanweb/ KultPlus.com

EXPOART.40 vjen me MasterClass dhe Workshop për artistët e rinj

EXPOART.40 ka njoftuar se do të fillojë me aktivitetet e saj  MasterClass dhe Workshop të dedikuar për artistët e rinj.

Në njoftim thuhet se MasterClass dhe Workshopi do të ofrojnë një platformë për artistët e rinj për të ndarë idetë dhe përvojat e tyre, duke u fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive artistike dhe promovimin e dialogut ndërkulturor. Programi është konceptuar për të ofruar një eksperiencë të pasur edukative, e cila përfshin ligjërata nga ekspertë të fushës, diskutime, dhe krijime artistike.

Ky projekt synon të forcojë lidhjet ndërmjet artistëve dhe komuniteteve të ndryshme, duke i dhënë rëndësi zhvillimit të artit bashkëkohor në Kosovë.

Në përfundim të Workshopit, punimet më të mira do të përzgjidhen nga kuratori për t’u ekspozuar në një ekspozitë prestigjioze që do të mbahet në Greqi gjatë muajit shtator 2024.

“Ne jemi të përkushtuar të sjellim përpara talente të reja dhe të ndërtojmë ura të forta komunikimi përmes artit. Ftojmë mediat dhe publikun e gjerë të na bashkohen dhe të ndjekin këtë ngjarje të rëndësishme artistike”, thuhet në njoftim.

EXPOART.40 është mbështetetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Komuna e Prishtinës. Këto aktivitete do të zhvillohen nga data 19 deri më 23 gusht 2024 në Rezidencën 17, Prishtinë./ KultPlus.com

Mbi 121 mijë aplikues për subvencionimin e teksteve shkollore, nga java tjetër fillon transferi i mjeteve

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se deri tani numri i aplikuesve për subvencionim për tekste shkollore në Platformën e-kosova ka shkuar në 121 mijë e 200.

Sipas Nagavcit, nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar.

“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, tha Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që edhe këtë vit subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore do të subvencionohet sikur vitin e kaluar. Megjithatë, nuk e di se sa do të jenë çmimet e librave dhe as kosto e përgjithshme që do t’i kushtojë ministrisë për këtë subvencionim.

Nis ‘Jehona e Vjosës’, Festivali folklorik në Memaliaj

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në natën e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” që mbahet në Memaliaj.

Kumbaro u shpreh se, me këtë festival po krijohet një traditë e bukur që nisi dje e do të vijojë për pesë ditë rresht, me grupe folklorike nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Memaliaj përqafuar nga Vjosa nuk është më qyteza hije anës rrugës, por qyteti ku memaljotët kanë nisur të japin apartamente me qira për turistët dhe të ndërtojnë agroturizme për vizitorët që gëlojnë në gjithë qarkun dhe lëvizin nga një qytet në tjetrin, nga Gjirokastra, Libohova e Dropulli, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e tani edhe në Memaliaj, për të shijuar më të mirat e kulinarisë, historisë, mikpritjes së ngrohtë dhe natyrës së pashoqe”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro ftoi pushuesit që nëse po vizitojnë Gjirokastrën këto ditë, në mbrëmje të ndalojnë në Memaliaj dhe të shijojnë koncertin dhe aromën e Vjosës.

Arkivat shëtitëse “ankorohen” në Durrës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të suksesshme, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Durrësi ishte ndalesa e radhës, ku DPA-ja “u ankorua” në përmbushje të angazhimit për të promovuar trashëgiminë dokumentare të kombit. Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, DPA-ja shfaqi në një nga sheshet e qytetit ekspozitën, që na rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të: Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut; Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve; Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).

Ekspozita ngjalli kureshtjen e mjaft banorëve dhe turistëve të qytetit bregdetar./atsh/ KultPlus.com

Robert De Niro feston 81 vjetorin e lindjes

Robert Anthony De Niro (lindi më 17 gusht 1943) është një aktor amerikan.

I njohur për bashkëpunimet me Martin Scorsese, ai konsiderohet si një nga aktorët më me ndikim të brezit të tij. De Niro është marrës i vlerësimeve të ndryshme, duke përfshirë dy Academy Awards, një Golden Globe Award, Cecil B. DeMille Award, dhe një Screen Actors Guild Life Achievement Award.

Në vitin 2009, De Niro mori Kennedy Center Honor dhe fitoi një Medalje Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama në vitin 2016.

De Niro studioi aktrim nëHB Studio, Stella Adler Conservatory, dhe Actors Studio të Lee Strasberg. Bashkëpunimi i tij i parë me Scorsese ishte me filmin e vitit 1973, Mean Streets. De Niro fitoi dy Academy Awards, një për Aktorin më të Mirë Dytësor për rolin e tij si Vito Corleone në The Godfather: Part 2 (1974) të Francis Ford Coppola dhe tjetri për Aktorin më të Mirë duke portretizuar Jake LaMotta në dramën e Scorsese, Raging Bull (1980). Rolet e tjera të tij të nominuara për Oscar ishin për Taxi Driver (1976), The Deer Hunter (1978), Awakenings (1990), Cape Fear (1991), dhe Silver Linings Playbook (2012).

Ai ka luajtur gjithashtu në filmat 1900 (1976), The King of Comedy (1982), Once Upon a Time in America (1984), Brazil (1985), The Mission (1986), Goodfellas (1990), This Boy’s Life (1993), Mary Shelley’s Frankenstein (1994), Heat (1995), Casino (1995), Jackie Brown (1997), Joker (2019), The Irishman (2019), dhe Killers of the Flower Moon (2023). Ai drejtoi dhe luajti si në A Bronx Tale (1993) dhe The Good Shepherd (2006). Rolet e tij komike përfshijnë Midnight Run (1988), Wag the Dog (1997), Analyze This (1999), filmat Meet the Parents (2000–2010), dhe The Intern (2015)./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Vendosja e terrenit në pronësi të shtetit të Kosovës ka lehtësuar punën për zbulime të reja arkeologjike

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një vizitë në “Parkun Arkeologjik- Ulpiana” ku nga afër kanë parë rezultatet e ekspeditës së këtij viti nga arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja.

Ministri Çeku me këtë rast ka thënë se janë është duke u zgjeruar hulumtimi dhe gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi, dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.

“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti i pamë nga afër rezultatet e ekspeditës së këtij viti, takuam arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja në këtë hapësirë.

Kjo është bërë më e lehtë tashmë që është marrë vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave përreth dhe ato janë në pronësi të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com

1 muaj pas vdekjes/ Helena Kadare: Rruga ime me Ismailin e shkëlqyer dhe e lodhshme, krenare që kam qenë në krah të tij

Familjarë dhe të njohur kujtuan në Tiranë në një takim homazh, shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që u nda nga jeta muajin e kaluar.

Autori që bëri të njohur vendin në letërsinë ndërkombëtare u shua në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një krijimtari të pasur për përmes metaforave, alegorisë dhe simbolikave historike, përshkroi Shqipërinë dhe epokën kur Kadare jetoi.

Në fjalën e mbajtur në homazh, bashkëshortja e tij, Helena Kadare, e pati të vështirë të përmbaje emocionet

“Për njerëzit e dashur është e vështirë. Nuk e kuptojmë tamam që nuk është më”, tha ajo.

Partnerja e tij e një jetë i përmblodhi shkurt vitet me të duke i përshkruar përmes dy ekstremeve.

“Tani unë kam qenë bashkëshortja dhe mikja e tij, në pothuajse 60 vjet. Jam përpjekur të bëjë më të mirën për familjen tonë. Prezenca ime në jetën e Ismailit ka qenë një rrugë e gjatë, e shkëlqyeshme dhe e lodhshme gjithashtu, sepse siç e dimë të gjithë rrugëtimi i tij ka qenë plot kthesa e pengesa. Ka qenë rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij”.

Në këtë vazhdë, gruaja që ishte vetë shkrimtare por e la letërsinë e saj për t’iu përkushtuar shkrimtarit të madh, sot kur ai nuk është, ajo ndihet veçse krenare.

“Jam përpjekur të jem një grua dhe një shoqe për ta mbështetur, në këtë momente të vështira dhe ka pasur dhe momente të lumtura që kemi kaluar së bashkua. Nuk kam bërë më shumë se çdo grua shqiptare, duke qenë afër bashkëshortit të saj. Për ta përfunduar këtë gjë siç thoshte ai vetë, kam bërë një punë normale në një vend anormal dhe siç e dini e ka bërë me sukses, jam krenare që kam qenë në krah të tij”, tha ajo.

Helena tha se Ismail Kadare e braktisi disiplinën e tij letrare, vetëm gjatë krizës së Kosovës, kohë kur shkrimtari përdori emrin e tij në kancelaritë evropiane.
“Kurrë se braktisi letërsinë përveçse gjatë krizës së Kosovës, hoqi dorë nga puna për t’u marrë me këtë gjë, me takimet dhe me letrat e pafundme”, kujtoi

Botuesi i ti, Bujar Hudhri, ndau me të pranishmit, kujtimet e një nate dimri me Kadarenë në Gjirokastër.

“Po ktheheshim nga Jorgucati për në Gjirokastër në një natë dimri kur sapo ishte botuar ‘Darka e gabuar’ dhe ndërsa unë isha në timon, Kadare, pothuaj si në monolog, thotë: Sa e çuditshme, e një fëmijë i këtij qyteti, rritet dhe e bën këtë qytet të njohur në botë. Të ishte nëna gjallë sa do gëzohej ta dinte se lexohet në gjuhët e huaja”

Të pranishmit në takim, sollën kujtime me të dhe vlerësime për të.

Blendi Fevziu: Kadare më tha se jam bërë si personazhet e mi, por i thashë se personazhet etu nuk I arrin askush, as I ti I pari. Vepra e tij ka qenë emancipuese për shoqërinë shqiptare.

Inva Mula: Kur shkova në Paris, Kadarenjtë kishin shkuar dy vite më para. Ishte një terren që ata kishin ndërtuar dhe një aura rreth emrit të Kadaresë që ishte e fortë dhe e madhe që implementoi një energji kaq të mirë atje ku unë shkoja.

Veton Surroi: Vlera e madhe e Kadaresë ka qenë formësimi i rrëfimit bashkëkohor shqiptar dhe formësimi i gjuhës bashkëkohore që e lidh kombin me letërsinë dhe kontributi I madh në krijimin e identitetit të përbashkët.

Filantropi Kadri Morina tregoi për të pranishmit dhe një botim të rrallë të autorit të madh.

“Unë kam të ruajtur librin e parë të Ismail Kadaresë që është i vitit 1954. Është kopje që e ruaj si pasaportë sepse librat janë thesar i madh”, tha ai.

Ismail Kadare u bë i njohur me romanin “ Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, por veprat e tij, nga “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kështjella”, “Dimri i madh” e deri te “Kur Sunduesit grinden” e vënë shkrimtarin përballë kohëve e pushteteve me një alegori që zhbën kufijtë. Ai është fitues i dhjetëra çmimeve letrare ndërkombëtare./ Balkanweb/ KultPlus.com

Kapela e njohur e ‘Indiana Jones’, shitet për 630 mijë dollarë

Kapela e veshur nga aktori, Harrison Ford në pjesën e dytë të ekskluzivitetit të filmit ‘Indiana Jones’ është shitur për 630 mijë dollarë në ankand.

Fedora me ngjyrë kafe e krijuar posaçërisht për filmin ‘Temple of Doom’, arriti të enjten në Los Angeles, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Artikuj të tjerë të kujtimeve të filmit u shitën në të njëjtën kohë, duke përfshirë rekuizita nga prodhimet e ‘Star Wars’, ‘Harry Potter’ dhe ‘James Bond’.

Shtëpia e Ndre Mjedës, kompleks unik 30 minuta larg Shkodrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ftoi sot qytetarët dhe turistët që të vizitojnë këtë fundjavë Kishën e Kuklit dhe shtëpinë e Dom Ndre Mjedës, një kompleks unik që ndodhet në fshatin Kukël, 30 minuta larg qytetit të Shkodrës.

Kompleksi, Kisha dhe shtëpia, ndërtuar nga vetë dora e poetit, në stilin neoklasik i kanë mbijetuar kohës së komunizmit duke u bërë një nga qendrat unike të turizmit historik e kulturor në Shqipëri.

E ndërtuar në vitin 1906, banesa e Mjedës u kthye në shtëpi-muze ku ekspozohen sende personale të poetit, materiale fotografike, shkrime studimore, libra e shumë objekte të tij. Shtëpia dykatëshe është shndërruar në ekspozitë, ku ndër sendet më të rëndësishme është tavolina e punës së poetit, me jetë mbi 100 vjeçare, ku shkroi veprat më të bukura shqip.

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” ne Kukël, që nga viti 2012 mban statusin Monument Kulture i Kategorisë l./atsh/ KultPlus.com

Altari i dashurisë

Poezi nga Ndue Ukaj

Po erret dhe terri si ushtri e tmerrshme pushton çdo gjë.
E shikoj botën e kërrusur,
që lëviz si një plak i drobitur dhe flet për kohë të tretura.
Rrugët janë zbrazëti,
një qetësi ulëritëse ka mbështjellë tokën.
Viruset përshkojnë qiellin si korba,
shpërfillin ligje shtetërore dhe forcat e serta ushtarake.
Kjo kurrsesi s’mund të jetë errësira e tunelit të Sabatos,
as kujë burrash.
Është një koll i tmerrshëm
që ka mbushë çdo skutë me pikëllim.
Po erret. Zbrazëtia e universit është futë në zemrën time.
Por unë s’do të ndalem.
Më duhet të mbërrij tek altari hirplotë,
të ndez një qiri të vogël, një qiri i vogël e mund terrin e madh,
në emër të dashurisë që duhet të shumëzohet,
si buka dhe peshqit në rrëfimet biblike.
Retë e zhurmshme përshkojnë qiellin
dhe flasin për stinën e mërzitshme.
Ti e ndrojtur matanë hijes shikon lajmet dhe thua: bota po armatoset.
Unë shikoj sytë e tu, të tregoj se jam çarmatosë
dhe shëtis me retë e mia në universin e gjuhës.
Aty ku vjel fjalë, si vreshtari hardhinë.
Shtrydh rrush për vérën time, që do ta pi stinëve,
kur të shkruaj poema ose të lexoj kronika të marra politike.
Kur shkrova librin “Gjithmonë diçka mungon”
vërtet besoja se gjithmonë diçka mungon:
muzeu i dashurisë dhe i vuajtjeve, por i turpit është gjithkund,
edhe atëherë kur je pranë detit e duket se qielli është hapë vetëm për ty.
Ti je e vetëdijshme se gjërat ndryshojnë.
Bie shi dhe aroma e mykut prish harmoninë e gjërave.
Në bibliotekën tënde ka libra pafund,
kronika të vjetra për fate njerëzore.
Të dremitur pimë kafe
dhe kundrojmë retë që përshkojnë qiellin tash miliona vjet.
Retë e bardha humbasin në thellësinë e qiellit,
në atë pikë ku molekulat e shpirtit janë më shumë se krejt universi.
Në atë pikë jam çarmatosë.
Shikoj përtej murit të fillimit, te koha zero e jetës në tokë
dhe pyes: kush qe i pari që braktisi altarin e dashurisë?
Përgjigje s’gjej.
Bota kokëforte tund kryet dhe thotë se përgjigje s’ka.
Në vend të tyre ka bredhje mes dilemash pafund.
Unë vazhdoj t’i shkruaj poemat e shpirtit për nostalgjinë,
atë dhimbjen që të shpon si shigjetë zjarri,
atë dhimbje që të shpon përditë,
në mëngjes kur dielli të përqafon,
në mbrëmje kur terri të pushton.
Atë dhimbjen që bie në altarin tënd,
si buqeta me lule nga duart e nuses pas kurorëzimit në kishë.
Unë kam nisë një rrugëtim të ri poetik
dhe s’lutem në të premten e madhe,
pres kambanat e së dieles, të këndoj “Haleluja.”
Në fund të këtij udhëtimi të dremitur
dua t’i ngij mushkëritë me ajër të pastër.
Përse ka diçka në vend të hiçit?
Marramendje filozofike.
Marramendje poetike.
Marramendje politike.
Përpara meje hapen hartat e një atlasi që e tundin duart e frikshme.
Bota ka nevojë për një psalm të ri që shpërndan dashuri./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton Ulpianën antike: Kjo pasuri paraqet një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndjekur së afërmi gërmimet arkeologjke në parkun arkeologjik “Ulpiana”, të cilat po zhvillohen nga arkeologë vendorë e të huaj.

Kryeministri Kurti tha se pas zbulimit të mbishkrimit historik në bazilikën e Justinianit, ky ekip i ka zgjeruar gërmimet duke shpërfaqur fragmente të tjera nga mozaiku i dekoruar, të cilat janë dëshmi që ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.

Më tej Kryeministri Kurti “Parkun Arkelogjik-Ulpiana” e ka cilësuar si pasuri me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, i cili mund të shndërroj Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Në Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, ishim për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.

Pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë. Këto simbolika i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.

Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.

E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.

Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.

Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë.

Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare./ KultPlus.com

Me ‘Pas verës’, ku luan edhe Uliks Fehmiu, hapet Festivali XXX i Filmit në Sarajevë

Festivali jubilar XXX i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, u hap në Teatrin Kombëtar me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak fitues të çmimit Oscar, Danis Tanoviç.

Filmi i ri i regjisorit Tanoviç u shfaq njëkohësisht në Sarajevë në Teatrin Kombëtar, Kinemanë Verore Coca-Cola, Kinemanë Verore “Stari Grad” dhe Kinemanë Verore të Qendrës “Safet Zajko”, ndërsa shfaqje u mbajtën gjithashtu në Mostar dhe Tuzla.

Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnje-Hercegovinës kanë kaluar në tapetin e kuq të SFF-së para Teatrit Kombëtar, mes të cilëve edhe ekipi i filmit “Pas verës”.

“Pas verës” është një dramë komedi për një grua të re që vjen në një ishull të largët për të zgjidhur çështjen e trashëgimisë familjare. Në një vorbull emocionesh të reja, përmes një sërë situatash të paparashikuara, Maja më në fund do të përballet me pyetje nga e kaluara e saj. Kërkimi i trashëgimisë bëhet kërkim i identitetit të vet, por edhe i faljes.

Rolet në film u luajtën nga Anja Matkoviç, Uliks Fehmiu, Goran Navojec, Mario Knezoviç, Marija Shkariçiç, Mirela Brekalo, Snjezhana Sinovçiç, Luka Juriçiç, Boris Ler, Ivana Roshçiç, Jadranka Matkoviç e tjerë.

Nikoqire e ceremonisë së hapjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ishte aktorja boshnjake Maja Izetbegoviç.

Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dhuroi drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.

Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.

Një ditë para hapjes zyrtare të Festivalit XXX të Filmit në Sarajevë, në Kinema Verore Coca-Cola u shfaq filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të BH-së.

Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në festivalin e këtij viti./atsh/ KultPlus.com

Petro Nini Luarasi, mësuesi dhe drejtori i Mësënjëtores së parë shqipe në Korçë

Sot janë bërë 113 vite nga vdekja e veprimtarit të shquar Petro Nini Luarasit.

Petro Nini Luarasi (Luaras, 22 prill 1865- Ersekë, 17 gusht 1911) ka qenë prift ortodoks i krishterë, mësues, publicist dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Edhe babai i tij, Nini Petro Kostallari, kishte qenë aktiv në Rilindjen Kombëtare Shqiptare si publicist dhe mësues.

Pasi mbaroi shkollën e seminarit të Qestoratit punoi si mësues në fshatrat e rrethit të Kolonjës, ku mësoi shqip i maskuar dhe përgatiti një numër shokësh si mësues të ardhshëm të shqipes.

Në vitin 1887 Luarasi dhe shoku i tij mësues Thanas Sina morën drejtimin e shkollës shqipe në Korçë nga Pandeli Sotiri pas largimit të tij. Mes viteve 1887 dhe 1893 Luarasi hapi në Ersekë dhe në disa fshatra të rrethit të Kolonjës shkolla në gjuhën shqipe.

Themelimi dhe promovimi i shkollave shqipe nga Luarasi në zonën e Kolonjës e solli atë në konflikt me Filaretos, kryepeshkopin grek të Kosturit. Në vitin 1892 një letër qarkore iu dërgua popullatës shqiptare ortodokse të Kolonjës për të shkëputur lidhjet mes tyre dhe Luarasit me Filaretos, duke iu referuar atij si një “renegat i mallkuar” që përhapte “masonerinë dhe protestantizmin e lirë”, ndërsa dënonte punën e tij me shkollën shqipe dhe thoshte se Gjuha shqipe “nuk ekzistonte”.

Më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën 1904 – 1908, ku ishte anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nismëtar i shoqatave patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Luarasi punoi gjithashtu si drejtor dhe mësues i Shkollës së parë shqipe të motrave Qiriazi në Korçë dhe në vitet 1909-1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit, të themeluar nga Papa Kristo Negovani.

Ai gjithashtu ka kontribuar në organizatat për rrugën që çon në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (shkëputja) nga Perandoria Osmane.

Luarasi mori pjesë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit të shqipes në vitin 1908. Për veprat e tij patriotike, shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtarinë shoqërore, ai u persekutua të dy nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës dhe regjimi i turqve të rinj. Sipas shumë mundësive ai vdiq i helmuar nga Patriarkana më 17 gusht 1911.

Ai bashkëpunoi, botoi dhe ishte kryeredaktor me këto revista:
Bashkimi i kombit (botuar në Manastir gjatë periudhës 1909-1910), ku ai ishte kryeredaktor;
Drita, (botuar në Sofje, Bulgaria gjatë periudhës 1907-1908);
Kombi (botuar në Boston, më 1908);
Liria (botuar në Selanik gjatë periudhës 1909-1910)

Në këto revista ai botoi shkrime mësimore, poezi dhe publicistike. Në veprën e tij politike “Mallkimi i shkronjave shqipe” dhe “Çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911), mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për të drejtat e tyre për kulturën e vet kombëtare. Ai propagandoi idetë kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që ishin ato të bashkimit të popullit shqiptar në luftën e tij për lirinë e Shqipërisë, pavarësisht besimeve fetare.

Ai vdiq më 17 gusht 1911. Për kontributin e tij të madh rreth qështjes shqiptare Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.” / KultPlus.com

Abdyl Frashëri, ideologu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot, janë bërë 185 vite nga lindja e patriotit të madh shqiptar dhe njërit nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit.

Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në fshatin Frashër të Përmetit.

Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.

Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.

Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjetshëm. Pasi kreu tri vite dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 u lirua me kushtin që të mos merrej me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit.

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

‘Shiu i meteorëve’, Rama ndan pamjet e veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente të veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut.

Në këtë park mund të shihet me sy të lirë shiu i meteorëve, duke ofruar një përvojë të kompletuar të turizmit natyror.

Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga eventi i përvitshëm organizuar nga “Shebenik Egnatia Explorers”, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nga ku “shiu i meteorëve duket me sy të lirë dhe atraksionet e parkut të ftojnë për një përvojë të kompletuar të turizmit natyror”.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.

Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.

Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

“Shiu i meteorëve”

Një herë e një kohë mendohej se yjet në rënie ishin lotët e Shën Lorencit, i martirizuar në vuajtje. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për yje të vërteta, por për mbetjet e perseidi, që e kanë origjinën nga kometa suift-tuttle, e zbuluar në 1862 nga astronomi italian Giovani Vrginio Schiaparelli.

10 gushti është dita e përcaktuar në kalendarin fetar, por sidoqoftë, për të parë më mirë shiun e meteorëve, duhet pritur 12 gushti, kur perseidet janë më të dukshme në qiell.

Kulmi shënohet natën mes 12 dhe 13 gushtit, rreth orës 22 të mbrëmjes, aq sa mund të shihen deri në 50 meteorë në orë. Por duhet patur kujdes nga ndotja nga ndriçimi; për të admiruar yjet që bien më mirë, duhet zgjedhur një vend i errët, larg nga qytetet, e nëse është e mundur në lartësi.

Astronomët sugjerojnë se duhet parë në drejtimin veri lindje, në natë të plotë, kur hëna ka perënduar./atsh/ KultPlus.com

Gjuha shqype

Poezi nga: Ndre Mjeda

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqype m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.

***

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqype, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqypnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqyptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqyp flet./ KultPlus.com

‘Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë’

Edgar Allan Poe ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në shekullin e 19-të.

Pjesa më e madhe e punës së tij u frymëzua nga ngjarjet që ndodhën rreth tij. Ato që e bënë botën të kthej sytë nga shkrimet e Poes nisin me kryeveprën e hershme “Për Helenën” deri te “Ulalume” e errët dhe misterioze. Nga “Korbi”, i cili e bëri atë me famë botërore pas botimit në 1845, te “Annabel Lee”, i cili është një lavdërim i botuar pas vdekjes për një vajzë “në një mbretëri pranë detit”. Pikërisht do të ishte vdekja e vajzës që ai dashuronte që e bëri atë të veçantë në shkrimet dhe thëniet e tij.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën.

Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë. / KultPlus.com