164 vjet nga lindja e artistit të jashtëzakonshëm, Kolë Idromeno

Më 15 gusht 1860 lindi Kolë Arsen Idromeno, në një familje të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubit, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë.

Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha.

U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj. Njihet edhe si pionier i pikturës shqiptare duke krijuar një sërë veprash të rëndësishme për historinë e saj.

Më 1884 është i dyti që hap studion e tij fotografike të quajtur “Dritëshkroja e Kolës”. Më 1912 shfaq për herë të parë në Shkodër e Shqipëri një film pas një kontrate të nënshkruar me agjensinë austriake të filmit “Stauber”. Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”.

“Kolë Idromeno Artisti që me talentin e tij të jashtëzakonshëm i dha jetë artit shqiptar, duke lënë pas ikona të artit, në mes tyre “Motra Tone”, Xhokonda shqiptare”, shkroi sot ministri Gonxhja në kujtim të Idromenos.

Ndërkohë Muzeu “Marubi” është duke përgatitur ekspozitën “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar” e kuruar nga Luçjan Bedeni. Ekspozita vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Muzeu Marubi dhe Instituti i Antropologjisë për digjitalizimin, restaurimin, konservimi dhe ekspozimin e koleksioneve dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Në kujtim të Arbën Xhaferit

Shkruan: Donika Hoti

Mendimi filozofik shqiptar dhe vizioni i tij në pikëpamjet politike e bëri të njohur para opinionit mbarëshqiptar si mendimtarin më të çmuar pas viteve të ’90-ta. Veprimtaria e tij intelektuale posedonte një diapazon dhe një aftësi për t’i zbërthyer në mënyrë thelbësore proceset shoqërore të cilat i tejkalonin shoqëria mbarëshqiptare.

Personaliteti i tij njihej si kontribuues për faktorizimin e politikës shqiptare në Republikën e Maqedonisë, sidomos në kohën e ballafaqimeve në mes arrogancës së politikës maqedonase dhe inferioritetin e politikës shqiptare, duke ndërmarrë hapat për të ecur drejtë së ardhmes që duhet të vinte një ekuilibër në mes ëndrrave irracionale maqedonase dhe ambicieve shumëtokësore të shqiptarëve.

Figura e Arbën Xhaferit ishte dhe mbetet si njëri ndër mendimtarët më të çmuar dhe origjinalë në mbarë botën shqiptare. Mendimet e tij të qarta intelektuale rreth proceseve shoqërore dhe mendimeve filozofike-politike e bëjnë atë që të mbetet njëri ndër figura më të çmuara të mendimit filozofik shqiptar.

Mendimi i tij filozofik e bën atë figurën më të çmuar pas sociologut të parë në Kosovë, profesor Fehmi Aganit dhe politikologut të parë shqiptar, Mr. Ukshin Hotin, të cilët vlerësohen lart si studiues dhe argumentues të mendimit sociologjik dhe filozofik shqiptar të shekullit XX.

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar të vitit 1948 në qytetin e Tetovës të Republikës së Maqedonisë. Shkollën fillore dhe të mesme e përfundoi në vendlindje, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik, në Drejtimin e Filozofisë, në Universitetin e Beogradit. Në fillim të viteve të ’70-ta, përpara se të hynte në botën e gazetarisë dhe të politikës Arbën Xhaferi për opinionin publik njihej si kritik i filmit, duke pasur botën artistike si pasion.

Me përfundimin e studimeve universitare në Degën e Filozofisë Xhaferri nga mesi i viteve ’70-a deri në vitet ’90-a punoi si gazetar komentator dhe më pastaj si redaktor përgjegjës në programin e kulturës, në Televizionit e Prishtinës. Në mesin e viteve ’90-a është ndër të parët të cilët u përjashtuan nga Televizioni i Prishtinës nga regjimi i instaluar i politikës së Sllobodan Milosheviqit.

Pas përjashtimit të tij nga Televizioni i Prishtinës filloi të punonte në të përjavshmen “Koha”, me redaktor Veton Surroin dhe në “Forum”, i cili drejtohej nga veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi, si dhe në disa medie të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe shumë gazeta prestigjioze në botë. Pas vitit 1993 Xhaferri vendosi të luftonte me një mision pa ndonjë çmim, përkatësisht të kontribuonte me diapazonin e tij intelektual me elitën e politikës së Republikës së Maqedonisë.

Me daljen e tij nga politika, për arsye shëndetësore nga vitit 2007 deri 2012, u rikthye në botën e gazetarisë duke u marrë me opinione dhe me debate televizive mbi çështjen e politikës dhe të kulturës shqiptare. Arbën Xhaferi ndërroi jetë më 15 gusht 2012 në Klinikë Neurokirurgjike të Shkupit, rreth orës 16:00, si pasojë e hemorragjisë cerebrale të pësuar një javë më parë edhe pse prej vitit 1992 vuante nga sëmundja e Parkinsonit, kjo ishte arsyeja e tij kryesore pse vendosi të kthehej në Tetovë.

Me kthimin e tij në Tetovë, në vitin 1993, u rikthye në skenën politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë, duke u zgjedhur një vit më vonë si kryetari i subjektit politik Partia Demokratike Shqiptare, e themeluar së bashku me Menduh Thaçin.

Ky subjekt u formua pas përçarjes së subjektit politik Partia për Prosperitet Demokratik, e cila u nda në dy fraksione politike, Partia për Prosperitet Demokratik, e vjetra, u përkrah nga organet e larta shtetërore të Republikës së Maqedonisë, ndërsa fraksioni i dalë nga Partia për Prosperitet Demokratik, e cila doli me kandidimin e kandidatëve të pavarur, me kryetarin Arbën Xhaferin u manifestua me përkrahje masive të shqiptarëve në Maqedoni.

Me ardhjen e tij në pushtet arriti ta instalonte një gjeostrategji të re në skenën politike maqedonase. Duke u njohur si ndërtues i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundër respektimit të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe si mjet efikas kundër ndarjes territoriale që ende edhe sot i kanoset Maqedonisë.

Roli i Xhaferrit në Negociatat e Ohrit ishte njëri ndër firmëtarët e kësaj marrëveshjeje, e cila i dha përfundim konfliktit të armatosur në Maqedoni, por që nuk e zgjidhi problematikën në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, siç edhe vetë e pranoi më vonë.

Gjatë veprimtarisë së tij në botën e politikës ka publikuar dy vepra“PDSH-ja jo në letër” dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”, ndërsa nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama, Qendra Kulturore e “Klan Kosova”, në Prishtinë dhe “Dudaj” në Tiranë, botoi pesë vëllime me mbi 2000 faqe ese dhe analiza të shkëlqyera të Arbën Xhaferrit mbi “Çështjen kombëtare”, ”Identitetin”, “Demokracinë”, “Sfidën nga ekstremizmi fetar”, “Kauzën shqiptare në Maqedoni”, “Çështjen e Kosovës”.

Figura e Arbën Xhaferit ishte dhe mbetet një ndër figurat më të çmuar të politikës mbarëshqiptare. / KultPlus.com

Kumbaro: Bjeshkët, këto peizazhe të paprekura idilike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau online disa prej atyre pamjeve që e bëjnë Shqipërinë përrallën e një vendi. “Peizazhe të paprekura idilike e një jete baritore në bjeshkët e veriut”, shkroi ministrja.

Bjeshkët shqiptare prej kohësh janë vendosur në itinerarin e të apasionuarëve të natyrës e alpinizmit. Dikur margaritare të paprekur edhe nga një pjesë e shqiptarëve, sot gjen në to vizitorë nga të katër anët e globit.

Thethi dhe Valbona, marrin më shumë vëmendje, si dy qendrat kryesore të pushimit në bjeshkë. Shtegu që i lidh, është vazhdimisht i rrahur nga vizitorë vendas e të huaj, të cilët mrekullohen me natyrën shqiptare.

Udhëtimi i këtyre anëve në turizëm, nisi falë njerëzve larpamës të cilët filluan të kthenin kullat e familjes, në bujtina pritëse. Fillimisht ofronin fjetjen, ushqimin por u kthyen edhe në udhërrëfyes për vizitorët e parë, ndërsa tani miqtë priten me profesionalizëm, ku përveç të bukurës e xhevahireve të fshehura maleve, ofrohet edhe një shërbim hotelier.

Ardhja gjithnjë e më shumë e turistëve në këto zona të thella malore, solli punësimin e më shumë njerëzve si dhe krijoi kushtet për rimëkëmbjen e kullave që ishin trashëguar brez pas brezi. Mbulim i gjerë i bjeshkëve tashmë ka bërë që veriu i Shqipërisë të mos jetë edhe aq i fshehur dhe pse ka ende pyje e maja larg masave të mëdha të turistëve./atsh/KultPlus.com

Vdes aktorja e filmit “The Notebook”

Aktorja amerikane Gena Rowlands, e cila është e njohur për rolet në filmat, duke përfshirë The Notebook dhe Another Woman, ka vdekur në moshën 94-vjeçare.

Rowlands, e cila u nominua për Oskar për filmin A Woman Under the Influence të vitit 1974 dhe Gloria të viteve 1980, vdiq në shtëpinë e saj në Indian Wells, Kaliforni.

Nuk u dha asnjë asryse për shkakun e vdekjes, por ajo kishte vuajtur nga Alzheimer, sipas raportimeve.

Ajo u largua nga aktrimi në vitin 2015 pasi fitoi katër çmime Emmy, dy Golden Globes dhe fitoi dy nominime për Oscar, sipas Deadline.

Si A Woman Under the Influence ashtu edhe Gloria ishin bashkëpunime me ish-bashkëshortin e saj, John Cassavetes.

Emmy-t e saj ishin për filmat The Betty Ford Story, Face of a Stranger, Hysterical Blindness dhe The Incredible Mrs Ritchie, shkruan BBC./KultPlus.com

Legjenda e operas, José Carreras, do të këndojë në Tiranë

Legjenda e muzikës klasike, tenori me famë botërore José Carreras do të këndojë së shpejti për publikun shqiptar.

Më 8 shtator stadiumi “Selman Stërmasi” do të mirëpresë José Carreras, një nga tenorët më të mëdhenj të historisë së operas.

Carreras, i lindur në Barcelonë dhe i njohur për performancat e tij në skenat më prestigjioze botërore si Theatre alla Scala, New York Metropolitan Opera dhe Royal Opera House, ka një karrierë që përfshin mbi 60 opera dhe më shumë se 160 regjistrime muzikore. Ai është bërë një ikonë e muzikës klasike, duke fituar zemrat e miliona adhuruesve në mbarë botën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ftoi qytetarët që të mos e humbin këtë natë të magjishme.

“Mos e humbisni mundësinë për të përjetuar një natë të paharrueshme me zërin e tij të jashtëzakonshëm”, shkroi Veliaj, në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com

27 vjet pa kompozitorin e madh dhe një nga themeluesit e muzikës klasike shqiptare, Çesk Zadeja

Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare, shkruan KultPlus.

Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova.

Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Ai ishte i njohur për kompozimet e tij, sikurse “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, Poema vokale” etj, derisa ishte dekoruar edhe me “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Vdiq në Romë, më 15 gusht 1997. /KultPlus.com

12 vite nga vdekja e Arbën Xhaferit

Sot mbushen dymbëdhjetë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.

Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.

Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. / KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës, sërish rekord vizitorësh edhe në korrik

Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një numër të lartë për muajin korrik.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se vizitat turistike në kalanë e Gjirokastrës gjatë muajit korrik 2024 ishin më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

35,996 vizitorë gjatë kësaj periudhe ose 13.78% vizitorë më shumë se gjatë të njëjtit muaj të vitit 2023 vizituan kalanë.

Edhe sa i përket statistikave që ndau ministri Blendi Gonxhja, rreth kalave e monumenteve të kulturës, në krye qendronte kalaja e Gjirokastrës, si institucioni më i vizituar për periudhën janar-korrik 2024.

“Listën e kalave dhe monumenteve më të vizituar e kryeson kokëlartë dhe krenare, Kalaja e Gjirokastrës me 120,723 vizitorë”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit./atsh/KultPlus.com

“Daily Express”: Vizitoni thesarin e pazbuluar të Europës, Shqipërinë

Vendi mesdhetar shpesh është krahasuar me Maldivet falë ujërave të tij mahnitëse të pastra kristal dhe brigjeve ranore, shkruan Aurora Bosotti në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Pavarësisht se krenohet me një vijë bregdetare prej 279 miljesh të stolisur me plazhe me rërë të artë dhe pyje mahnitëse, Shqipëria mbetet një thesar i pazbuluar nga pushuesit.

Ekspertët e udhëtimeve kanë vlerësuar hijeshinë e këtij vendi – shpesh duke e krahasuar me Maldivet, falë ujërave të tij të pastra kristal dhe vendpushimeve të qeta.

Ndryshe nga destinacionet e njohura të pushimeve si Spanja, Greqia dhe Italia, vendi i Evropës Juglindore po punon për të rritur shkallën e turizmit në vend.

Shqipëria shpreson të çojë numrin total të vizitorëve në vit në pesëfishin e popullsisë aktuale të vendit, e cila është 2,8 milionë.

Objektivi për të tërhequr 14 milionë turistë ndërkombëtarë do të ishte një rritje prej katër milionësh krahasuar me 10 milionë vizitorë të raportuar në vitin 2023.

Për të nxitur turizmin, Shqipëria po ndërton gjithashtu një aeroport të ri me vlerë 103 milionë euro për t’u kujdesur për turistët.

Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do t’u japë padyshim turistëve një arsye tjetër për të vizituar Rvierën Shqiptare, pasi do të reduktojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga aeroporti në bregdet.

Qeveria shqiptare zbuloi fillimisht planet për ndërtimin e aeroportit të ri në 2017-2021, “Mabetex International”, një kompani e njohur për ekspertizën e saj në projektet e inxhinierisë civile në shkallë të gjerë – njoftoi synimin e saj për të investuar mbi 103 milionë euro në fazën fillestare, e cila përfshin ndërtimin e një piste dhe terminali.

Aeroporti i ardhshëm thuhet se do të ketë një sërë objektesh, duke përfshirë një pistë 1,9 milje, një terminal të gjerë 12,43 milje katrorë, një kullë operacioni dhe një ndërtesë të brigadës së zjarrit.

Shqipëria është destinacioni ideal për udhëtarët që nuk duan të shtrëngojnë buxhetin e tyre – me fluturimet nga Londra në Tiranë që kushtojnë më pak se 117 euro gjatë pikut të sezonit, ndërsa një vakt mesatar mund t’ju kushtojë vetëm 6 euro.

Akomodimi në Shqipëri ofron gjithashtu çmime të përballueshme – me dhoma buzë detit të disponueshme për vetëm 30 euro.

Në varësi të nevojave dhe preferencave të turistëve, ka zona të shumta brenda vendit që presin për t’u eksploruar.

Pushuesit që kërkojnë nje ndryshim nga relaksi tradicional buzë detit mund të zbulojnë Kanionin mbresëlënës të Gjipesë, i vendosur midis Dhërmiut dhe Vunoit, një nga plazhet e pacenuar të Gjipesë.

Më tej udhëtoni përgjatë Rivierës Shqiptare – Ksamili një perlë e Shqipërisë – po shkakton bujë mes vizitorëve të huaj – të cilët e kanë cilësuar si “Maldivet e Evropës” për shkak të popullaritetit në rritje në mediat sociale.

Një tjetër vend që duhet vizituar është Dhërmiu, një fshat bregdetar që krenohet me një nga plazhet më të njohura dhe më të gjata të Shqipërisë, i kompletuar me çadra nga gjethet e palmës dhe shezlongët me pamje nga deti./atsh/KultPlus.com

Flamurit

Poezi nga Petro Marko

Rilindi madhështore shkaba dykrenore!
Rozullitmin çuditi! Në shkëlqim
Orizonti shqiptar është’ dhe n’lulzim
Fara e kopshtit të vjetër, madhështore
Triumfoj prej zgjedhjes s’madhe e shekullore…
Engjëlli jetprurës, me mundim
Flet, përpiqet e, m’von në mbarin,
Liri thërret q’andej prej Vlore!…
Agoj… Shkaba u shkund dhe mal mi mal
Me mall prej Vlore vallen zuri.
U tund Arbnia, zgjohet me nga dal,
Rrezët e dritë shikon që i pruri,
I kombësis fatos Ismail Qemal.
Rroft, emri i Tij, dhe lart, oh, lart Flamuri!

Media gjermane ‘Prisma’: Shqipëria – destinacioni i ri turistik me male piktoreske dhe histori të pasur

 Shqipëria – destinacioni i ri mesdhetar – ofron brigje të pacënuara, male të larta dhe një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë – Lumi i Vjosës. Një vend në lëvizje dhe me një trashëgimi të pasur kulturore, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen gjermane “Prisma”.

Vitet e fundit, ka pasur një tendencë në rënie për të planifikuar udhëtime në vende të largëta për pushime.

Shqipëria – dikur një vend i izoluar – në kohën e komunizmit –  tani po gezon një reputacion si një destinacion i guximshëm, i pacënuar, plot aventura dhe shumë i përballueshëm.

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion popullor turistik.

Me plazhe që të lënë pa frymë, male piktoreske dhe një histori të pasur, vendi mesdhetar ofron një alternativë interesante kundrejt destinacioneve të mbipopulluara të pushimeve si Italia apo Greqia.

Shqipëria ofron gjithçka për çdo lloj vizitori. Nuk është çudi që Tirana dhe Riviera Shqiptare të bien në sy!

Bregu i Shqipërisë në detin Jon ofron të gjitha bukuritë tipike të rivierës mesdhetare, por pa turma vizitorësh dhe çmime të larta.

Në veri, mund të shijoni peizazhin malor kryesisht të paprekur, me lumenj bruz që rrjedhin nëpër një horizont të pafund majash të mjegullta.

Në bregdet, ujërat blu të shndritshëm takohen me plazhet ranore të ndriçuara nga dielli, të ndara nga brigje shkëmbore dramatike, dhe në brendësi mund të zbuloni kulturën tradicionale shqiptare.

Dhërmiu është një nga vendet më magjepsës për pushime verore.

Plazh i gjerë me rërë, bare plazhi dhe një numër në rritje vendpushimesh.

Në fshatin e vjetër bregdetar po punohet për ruajtjen e traditës dhe paprekshmërinë e siteve kulturore.

Shtëpitë e vjetra po restaurohen dhe shndërrohen në hotele – duke ruajtur vlerat historike.

Vetëm aventurë! Ju mund të shijoni pamjet mahnitëse të Rivierës Shqiptare përmes një udhëtimi me varkë.

Kryeqyteti, Tirana është i ri dhe plot gjallëri – ngjyrat e theksuara të mureve të ndërtesave largojnë zymtësinë e arkitekturës komuniste.

Shqipëria ofron hotele të reja edhe në fshatrat e vjetër.  Një vend në tranzicion që po zhvillohet me ritme të shpejta!/ atsh/ KultPlus.com

Dhjetë dramat shekspiriane të bazuara në histori të jetës reale, nga Hamleti te Mbreti Lir

Legjendari William Shakespeare ishte një dramaturg i zgjuar, por shumica e dramave të tij në fakt bazoheshin në materiale ekzistuese, si tregime të vjetra dhe ngjarje historike. Shekspiri do të ristrukturonte ndjeshëm historitë dhe do të shtonte personazhe. Përshtatjet e tij të shkëlqyera skenike bazuar në historinë aktuale ndihmuan për ta bërë atë një ikonë letrare. Disa prej tyre rrjedhin nga biografitë e figurave historike që ishin padyshim njerëz realë, si Richard III, ndërsa të tjera rrjedhin nga folklori që është pranuar kryesisht si i bazuar në fakte. Nga Hamleti te Mbreti Lir, këto janë 10 drama Shekspiriane të bazuara në ngjarje të jetës reale.

Hamleti

Shekspiri shpesh shkroi për mbretërinë, por jo të gjithë janë të vetëdijshëm se Hamleti bazohej në një princ viking, që besohet nga shumë se ka ekzistuar në të vërtetë. Ai është paraqitur në kronikën e mbretërve të Danimarkës nga historiani Saxo Grammaticus, me titull ” Bëmat e danezëve” , shkruar rreth vitit 1200, afërsisht 400 vjet përpara se Shekspiri të shkruante “Tragjedinë e Hamletit, Princit të Danimarkës” , midis 1599 dhe 1601. Shfaqja e përjetshme dhe jashtëzakonisht popullore betejat e princit të ri të detyruar nga fantazma e babait të tij, për t’u hakmarrë për vrasjen e tij. Hamleti mëson se vrasësi ishte xhaxhai i tij, Klaudi, i cili u martua me nënën e Hamletit dhe u bë mbreti i ri. Historia bazë e princit të vërtetë, emri i të cilit ishte Amleth, është shumë i ngjashëm me shfaqjen; megjithatë, Amleth nuk vdiq në të njëjtën mënyrë si Hamleti. Në të vërtetë, ai i vuri zjarrin sallës së xhaxhait të tij dhe e pasoi atë si mbret. Ai u vra më vonë në betejë nga pasardhësi i tij në fron. Historia fillimisht u transmetua përmes traditës gojore në kultura të ndryshme. Megjithatë, Shekspiri ka të ngjarë të jetë frymëzuar nga një shfaqje e mëparshme në skenë në Angli rreth asaj kohe.

Richard III

Ndërsa ekzistenca aktuale e disa mbretërve dhe mbretëreshave për të cilat shkroi Uilliam Shekspir mund të vihet në dyshim, ne e dimë se personazhi titullar i Richard III , i shkruar midis 1592 dhe 1593, ishte një monark i vërtetë britanik i shekullit të 15-të. Megjithatë, mund të ketë versione shumë të ndryshme të ngjarjeve historike, veçanërisht kur përfshihen axhendat politike.

Riçardi III i jetës reale ka një reputacion si një djall pamëshirshëm ambicioz, i cili ka të ngjarë të ketë vrarë nipat e tij në mënyrë që të mund të merrte fronin. Shumë njerëz kanë argumentuar se ai është karakterizuar në këtë mënyrë për shkak të propagandës së përhapur nga armiqtë e tij në atë kohë, veçanërisht ata besnikë të Henry Tudor, i cili e pasoi atë si mbret kur ai mundi dhe vrau Richardin në betejë.Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar efektiviteti i dramës biografike Richard III në formësimin e këtij imazhi të tij gjatë shekujve. Shakespeare priret të shkruante për dinastinë Tudor në një dritë shumë simpatike, me sa duket sepse një prej tyre, Mbretëresha Elizabeth I, ishte një mbështetëse e madhe e punës së tij dhe gjyshi i saj ishte Henry Tudor. Sot, ka ende shumë njerëz që besojnë se Rikardi ishte një horr që kreu krime të paimagjinueshme, por të tjerë, si anëtarët e Shoqatës së hapur Richard III, e refuzojnë këtë përshkrim të tij. Filmi i vitit 2022 “Mbreti i humbur”, për zbulimin e mbetjeve të Richard III pas më shumë se 500 vjetësh, paraqet portretin shekspirian të mbretit dhe këndvështrimin e kundërt të mbështetësve të tij.

Makbethi

E njohur fillimisht si Tragjedia e Makbethit , kjo dramë emocionuese skoceze e mbushur me tradhti, dramë, pezullim dhe, natyrisht, të mbinatyrshmen u shkrua ndërmjet viteve 1606 dhe 1607. Ajo përshkruan figura reale historike, por është gjithashtu një shembull se si Shakespeare ndonjëherë merrte rëndësi liritë me historinë. Një nga ndryshimet më të dukshme midis historisë dhe shfaqjes është se në jetën reale, Makbethi vrau mbretin Duncan në fushën e betejës në vend të atentatit, i ndihmuar nga Lady Macbeth, në kështjellën e Dunsinane, si në versionin e Shakespeare. Në shfaqje, Makbethit nxitet të heqë dorë nga monarku aktual bazuar në një profeci të tre shtrigave se ai vetë është i destinuar të jetë mbret. Siç thotë kompania Royal Shakespeare, “shfaqet çmenduria e lindur nga ambicia dhe ai dhe gruaja e tij marrin pushtetin me të gjitha mjetet e mundshme, duke çuar në pasoja vrastare”. Makbethi historik, mbretërimi i të cilit zgjati dukshëm më gjatë se ai i homologut të tij imagjinar, gjithashtu kishte një pretendim shumë më të fortë për fronin.

Timon i Athinës

E shkruar ndoshta midis 1606 dhe 1608, Timon i Athinës është një tragjedi satirike që bazohet në një histori të vërtetë nga antikiteti që përqendrohet te një fisnik i pasur, i cili njihet për përbuzjen e tij ndaj njerëzimit. Në këtë shfaqje, ndoshta të bashkëshkruar nga Thomas Middleton, Timon fillon si një personazh jashtëzakonisht bujar që zhgënjehet me njerëzimin pasi hyn në borxhe për shkak të shpenzimeve të bollshme për të tjerët. Më pas ai sheh shokët që mendonte se ishin miqtë e tij që ia kthenin shpinën. Timon reagon duke organizuar një banket për këta njerëz të pasinqertë, gjatë së cilës shërben vetëm ujë të nxehtë dhe gurë. Pasi mallkoi Athinën, ai lë shoqërinë pas, duke u tërhequr në shkretëtirë. Më vonë, kur Athina do të pushtohet, Timon u jep diçka nga ari që ka zbuluar armiqve të qytetit. Timon u përfaqësua në veprat e shumë shkrimtarëve të famshëm, përfshirë historianin Plutarku.

Antoni dhe Kleopatra

Ashtu si me njerëzit e tjerë të jetës reale për të cilët shkroi, William Shakespeare ndihmoi për t’i bërë të famshëm të dashuruarit tragjikë Antony dhe Kleopatra me përshtatjen e tij teatrale të historisë së tyre. Lidhja pasionante e dashurisë midis gjeneralit të shquar të Julius Caesar, Marc Antony, dhe dashnores së Cezarit, mbretëreshës egjiptiane Kleopatra, ofron shumë romancë dhe dramë, duke e bërë atë të përshtatshme për skenën. Shakespeare e bazoi shfaqjen e tij në Jetën e Antonit të Plutarkut . Megjithëse duket qartë se Plutarku po përpiqej të ishte i drejtë në këtë biografi, portreti i tij jashtëzakonisht negativ i Kleopatrës tregon njëanshmëri. Sipas Rebecca King të Universitetit të Uashingtonit në St. Louis podcast Hold That Thought, përshkrimi i Plutarkut “tradhton ndjeshmërinë e tij romake”. Shakespeare luajti romantizmin e vetëvrasjes së Kleopatrës, gjë që rrit ndikimin emocional tek audienca. Ndërsa Kleopatra besonte se do të ribashkohej me Marc Antony në jetën e përtejme, ishin poshtërimet me të cilat u përball si një e burgosur e profilit të lartë, që duket se ishin motivimi më i madh i Kleopatrës për të dashur të vriste veten.

Mbreti Lir

Tragjedia Shekspiriane me pesë akte Mbreti Lir , e shkruar midis viteve 1605 dhe 1606, është një sagë familjare që ka të bëjë me rivalitetin e vajzave të një monarku të moshuar, që konkurrojnë për favorin e babait të tyre ndërsa ai po ndan mbretërinë e tij mes tyre. Meqenëse madhësia e amaneteve varet nga sa dashuri ka secili për Lear-in, Regan dhe Goneril të dy tregojnë dashuri të madhe për të përmes fjalimeve prekëse, por të pasinqerta. Cordelia, vajza e vetme që e do vërtet, refuzon të luajë këtë lojë, por mbetet besnike, ndërsa motrat e saj kthehen kundër Lear, i cili më pas çmendet. Me intrigën dhe dramën e lartë të Mbretit Lir, përralla mund të duket si produkt i një imagjinate shumëngjyrëshe, por bazohet në historinë e një mbreti të lashtë britanik. I njohur ndonjëherë si Leir i Britanisë, biografia e tij është rrëfyer në tekste të ndryshme historike, duke përfshirë botimin e dytë të Kronikave të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës nga Raphael Holinshed, i cili duket se ka qenë një burim kryesor për Shakespeare. Ndërsa ka mosmarrëveshje se sa pjesë e historisë është e vërtetë, shumë studiues besojnë se ajo është e rrënjosur në fakt. Pjesë të shfaqjes që shpiku Shakespeare përfshinin çmendurinë e mbretit dhe karakterin e shakasë së tij besnike të oborrit.

Henri VIII

Henri VIII është një nga veprat më të vogla të Shakespeare dhe një pjesë e problemit mund të ketë qenë një konflikt interesi gjatë shkrimit të kësaj drame për familjen e Elizabeth I. Karakterizimi i tij i nënës së Elizabeth, Anne Boleyn (Anne Bullen në shfaqje), e cila ishte shpesh i përbuzur, në fakt ishte shumë dashamirës në këtë version të tregimit, i cili është gjithashtu i mbushur me intriga politike. Megjithëse Elizabeth kishte vdekur 10 vjet para se William Shakespeare bashkëpunoi në këtë projekt me John Fletcher në 1613, ai ndoshta ndihej ende borxhli ndaj saj për mbështetjen kaq shumë të karrierës së tij. Shfaqja ndjek miqësinë plot ngjarje midis Anne dhe Henry VIII, dhe atë që do të rezultonte të ishte martesa e tyre e pafat pasi ai u divorcua nga gruaja e tij e parë. Në fund të shfaqjes, “Ana lind Princeshën Elizabeth, e cila profecitë e Kryepeshkopit do të bëhen të mëdha”.

Koriolanus

Përveçse ishte jashtëzakonisht i talentuar, Shakespeare ishte gjithashtu çuditërisht i larmishëm në temën e tij, duke punuar në një gamë të gjerë zhanresh. Megjithëse dramat dhe melodramat e tij romantike mund të jenë më të famshmet sot, ai gjithashtu shkroi për luftën, veçanërisht në Coriolanus, i cili ndonjëherë emërtohet “shfaqja e luftës e Shakespeare”. Sipas traditës romake, ishte një udhëheqës i shquar ushtarak i kthyer në politikan romak, Gnaeus Marcius Coriolanus, për të cilin historiani Plutarku shkroi në “Jetët Paralele” Coriolanus, i shquar për skenat e tij të rënda të fushëbetejës, është vendosur gjatë krijimit të republikës së Romës, një kohë e ndarjes së thellë midis klasave të larta dhe të ulëta. Në shfaqje, ne shohim Coriolanus aristokrat humbet ofertën e tij për postin më të lartë të zgjedhur, kur ai nuk mund të fshehë përbuzjen e tij për njerëzit e zakonshëm. Ai më pas dëbohet nga qyteti. Megjithëse planifikon hakmarrjen, Coriolanus përfundimisht vendos të kursejë qytetin dhe sjell një kohë paqeje, por si shumë nga figurat historike që Shakespeare zgjodhi të shkruante, ai pati një fat tragjik.

Cymbeline

E vendosur në Britaninë e lashtë, përpara pushtimit romak, drama e Shakespeare, Cymbeline është marrë nga historia e një figure të vërtetë historike, mbretit Cunobeline. Ai ishte një sundimtar i fuqishëm kelt, domeni i të cilit përfshinte një pjesë të Essex-it dhe më vonë Kentit. Cymbeline mbretëroi gjatë një kohe të begatë në Britani dhe ishte në marrëdhënie shumë të mira me Perandorinë Romake, madje zgjodhi t’i paguante haraç Romës, megjithëse mund ta kishte shmangur atë. Sipas Kronikave të vitit 1587 të Raphael Holinshed-it , djali më i madh i mbretit, Guiderius, e ndërpreu këtë praktikë të pagimit të haraçit ndaj Romës, gjë që shkaktoi zemërimin e perandorit Klaudi, duke e shtyrë atë të pushtonte Britaninë. Në versionin e Shakespeare, i shkruar midis viteve 1608 dhe 1610, i cili është një largim i madh nga përralla historike, është vetë Cymbeline ai që refuzon të paguajë haraç. Cymbeline u frymëzua gjithashtu nga një histori e Giovanni Boccaccio të quajtur Decameron, për një burrë që vë baste për besnikërinë e gruas së tij. Në shfaqjen e Shakespeare, kjo skemë përfshin vajzën e Cymbeline, Imogen, dhe burrin e saj, Postumus. Pas dasmës së tyre sekrete, Cymbeline e dëbon Postumin në Romë, ku ai pranon një bast për besnikërinë e Imogenit ndaj tij. Burri kundër të cilit ai vë baste është Giacomo, i cili synon ta joshë vetë. Kjo shfaqje shekspiriane në fakt ka një fund të lumtur për çiftin romantik dhe për mbretërinë.

Otello

Me eksplorimin e tij bindës të temave të tilla si dashuria, xhelozia, hakmarrja dhe martesa ndërracore, nuk është çudi që tragjedia me pesë akte Othello, e shkruar më 1603, mbetet një nga dramat më të famshme të Shakespeare. Pas arratisjes së diskutueshme të zonjës veneciane, Desdemona te Otello, një komandant ushtarak i trashëgimisë maure, ushtari, Lago, komploton hakmarrje kundër Othello-s kur ai kalohet për promovimin e togerit në favor të Cassio. Plani i keq i Lagos është të bindë Othellon se Desdemona ka një lidhje me Cassio-n. Kur ai arrin të besojë se nusja e tij ka qenë e pabesë, Othello çmendet dhe e mbyt atë për vdekje. Më vonë, duke mësuar për gënjeshtrën, ai vret veten.Për një kohë të gjatë, supozohej se komploti i Othello-s ishte marrë nga një roman i autorit italian Giraldi Cinthio. Megjithatë, në fund të shekullit të 19-të, u bë një zbulim emocionues se kjo dramë e pasionuar kriminale bazohej në një histori të vërtetë. Sipas një artikulli të vitit 1898 në Ann Arbor Argus, Shakespeare mendohej se kishte përdorur informacionin që ai mori nga ambasada veneciane në Londër si frymëzim për shfaqjen e tij. Një ndryshim i madh midis së vërtetës dhe trillimit është se Otello i vërtetë nuk e vrau Desdemona (emri i vërtetë i së cilës ishte Palma), por ai e rrahu brutalisht.

Nga Jennifer Lafferty fakt i kontrolluar nga Darci Heikkinen

Përgatiti: Albert Vataj

Xherdan Shaqiri largohet nga Chicago Fire

Xherdan Shaqiri është larguar nga skuadra e ligës MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Chicago Fire.  Lajmin për largimin e tij e ka bërë të ditur Chicago Fire të mërkurën pasdite.

“Pas diskutimeve me Xherdanin, me marrëveshje të dyanshme kemi ndarë rrugët”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Georg Heitz.

“E falënderojmë atë për kontributin në klub dhe i dëshirojmë atij më të mirën”, ka shtuar ai.

Shaqiri u transferua te Chicago Fire më 9 shkurt të vitit 2022 nga Lyoni francez.  Shaqiri zhvilloi 75 ndeshje, prej të cilave 63 herë ishte titullar te skuadra amerikane.  Realizoi 16 gola dhe regjistroi 20 asistime në të gjitha garat.

“Besoj se është koha e duhur për mua që të shikoj mundësi të reja në karrierën time. Dua ta falënderoj klubin dhe tifozët për përkrahjen që e kam pasur gjatë kohës time në Chicago. Chicagos i dëshiroj më të mirën në vazhdim”, ka thënë Shaqiri.

Vargjet e Jacques de La Fons për Skënderbeun

Nga Aurenc Bebja

Në faqen n°200 të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francez Jacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij

lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)

Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij

Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,

Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,

Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata

Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me

Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

https://www.darsiani.com/la-gazette/viti-1609-vargjet-e-jacques-de-la-fons-per-skenderbeun-ne-vepren-le-dauphin / KultPlus.com

Gonxhja: Artistët më në zë në Festivalin e Dritave në Shirokë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se ky është një festival dritash, dëshirash, argëtimi, promovimi, kulinarie, kulture, sportive.  Me pjesëmarrjen e artistëve më në zë të momentit, e shumë surpriza të tjera, si panaire, facepainting, kanoe, kulinari, lojëra për fëmijë etj.

“Ky festival plotëson çdo dëshirë, ndaj në 17-18 Gusht duhet të jeni në Shirokë, në të bukurën Shkodër të shnrisnim zemrat dhe shprehim dëshirat”, thekson Gonxhja.

Në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë si Eneida Tarifa, Frederik Ndoci etj./ atsh/ KultPlus.com

Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist – e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.

Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.

Hetime për këtë rast po kryen edhe Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila ka kërkuar informacione në Kosovë për rastin Banjska, përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Serbisë dhe ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës.

Në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë është përmendur që Kosova nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Serbia, në kërkesën e bërë në tetor të vitit të kaluar, “për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Kjo ministri ka bërë thirrje për një kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 gusht se, Kosova mund të ndihmojë në mbajtjen e Radoiçiqit përgjegjës për veprën penale.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.

Mekanizmi ndërkombëtar u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Serbi që t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë rast.

‘Unë dhe ti lusnim natën që edhe pak të zgjaste, të mos kish agim’ (VIDEO)

Një prej këngëve më të mira shqipe që flet për dashurinë, “Për një çast më ndali zemra” është krijim muzikor i veçantë i Rovena Dilos dhe Pirro Çakos.

Një prej hiteve më të mëdha shqiptare, kënga morri pjesë para disa viteve në Festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri. Në vitin 2001, saktësisht, kënga morri vendin e parë në këtë festival, shkruan KultPlus.

Në këngë kanë punuar Timo Flloko dhe Pirro Cako, si tekstshkrues e kompozitor, ndërsa zëri i Rovenës veç sa i ka dhënë jetë edhe më shumë një kënge legjendare si kjo.

Asokohe edhe Rovena edhe Pirro tanimë ishin të njohur për publikun shqiptar, me pjesëmarrjet e tyre nëpër festivale dhe ngjarje kulturore të asaj kohe. Të dytë edhe sot janë emra të njohur, ndërsa kjo këngë mbetet himni i karrierës së tyre.

Më poshtë gjeni tekstin e këngës:

Për një çast, më ndali zemra, s’ishe ti,
Shpirtin sonte, ma trazove përsëri
Më kujtohet,sa shumë prisja,
Që të ndjeja erën tënde
Kthehu, dhe një herë unë të të shihja.

Ëndrra gjumin,ma këputi e më zgjoi,
Mbi nënkres të ndjeva frymën, ku je ti,
Puthjet ende janë të nxehta,
S’na i ftoh dot largësia.
Eja,mos u fshih vetëm në ëndrra.

Unë dhe ti,
Lusnim natën që edhe pak të zgjaste,
Të mos kish agim,
Edhe dielli fare të mos lindte,
Vetëm unë dhe ti,
Lusnim natën që pafund të zgjaste
Të mos kish mbarim,
Edhe dielli atë ditë të shuhej,
Ndarje të mos kish
Nëse mijëra kilometra sot na ndajnë.

Ref.
Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Dashuria nis me ty,me ty mbaron
Je kuptimi që merr dita sa fillon
Puthjet ende janë të nxehta
S’na i ftoh dot largësia
Eja, mos u fshih vetëm në ëndrra

Unë dhe ti
Lusnim natën që edhe pak të zgjaste
Të mos kish agim
Edhe dielli fare të mos lindte
Vetëm unë dhe ti
Lusnim natën që pafund të zgjaste
Të mos kish mbarim
Edhe dielli atë ditë të shuhej
Ndarje të mos kish..Ndarje te mos kish..ooo…oo

Unë dhe ti
Lusnim natën që pa fund të zgjaste
Të mos kish mbarim

Edhe dielli atë ditë të shuhej
Ndarje të mos kish
nese mijra kilometra sot na ndajn

Ref.
Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer..ejaaa si dikur.. / KultPlus.com

Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit

Qyteti i Ferizajit mirëpret një zhvillim të rëndësishëm në fushën e arsimit profesional me hapjen e shkollës së re të mesme profesionale, KPU – Kolegji Profesional Universum, pjesë e rrjetit të shkollave Universum, (aktive që nga viti 2004). Kjo iniciativë e re synon t’u ofrojë nxënësve një mundësi për të ndjekur arsimin e mesëm profesional, të dizajnuar për të përmbushur kërkesat në rritje të tregut modern të punës.

Kolegji Profesional Universum ofron programe të fokusuara në Top profesionet e së ardhmes:

– Shkenca Kompjuterike dhe Programim– Infermieri
 Teknik Dentar
– Fizioterapi
 Mekatronike – Operator i Roboteve Industrial#Regjistrimet për klasën e X-të po vazhdojnë: kpu-universum.com/apliko/
Një nga pikat e forta të Kolegjit Profesional Universum është plani i personalizuar i mësimit, që i adreson nevojat individuale të çdo nxënësi. Shkolla përdor një gamë të gjerë metodash për t’u përshtatur me stilin unik të të mësuarit të secilit, duke përfshirë: Mësimin praktik, Seminaret dhe projektet, Integrimi i Inteligjencës Artificiale (AI) etj.
Metoda inovative e të mësuarit të bazuar në projekte (PBL) është një element thelbësor në #KPU, duke e bërë procesin e të mësuarit më atraktiv dhe të angazhuar për nxënësit. Kjo metodë u jep atyre mundësinë të punojnë në zgjidhjen e problemeve reale dhe të ballafaqohen me pyetje komplekse, duke nxitur zhvillimin e të menduarit kritik dhe kreativitetit, aftësive të komunikimit, bashkëpunimit në ekip, autonomisë dhe përgjegjësisë.

#APLIKO për informata: kpu-universum.com/apliko/Kolegji Profesional Universum aplikon Modelin e Mësimit Dual, duke kombinuar mësimin teorik në klasë me trajnimin praktik në mjedise të vërteta pune. Ky model inovativ siguron që nxënësit të zhvillojnë njohuri të thella teorike dhe njëkohësisht të fitojnë aftësi praktike në fushën e tyre të studimit, duke i përgatitur ata për të qenë konkurrues në tregun e punës.

Pra një nga objektivat kryesore të KPU është përshpejtimi i integrimit të nxënësve në tregun e punës. Përmes një përvoje të pasur praktike dhe bashkëpunimit të ngushtë me kompani partnere, nxënësit marrin përvojë konkrete që i ndihmon të jenë të gatshëm për sfidat e karrierës së tyre.

KPU – Kolegji Profesional Universum synon të jetë një shtytje e fuqishme për zhvillimin profesional të të rinjve në Ferizaj dhe më gjerë, duke ofruar një arsim inovativ, të lidhur ngushtë me trendet e së ardhmes. 
Informohu më shumë, apliko online kpu-universum.com/apliko/ ose kontakto 045481241./ KultPlus.com

Më 9 shtator nis ‘Java e Albanologjisë’ me edicionin jubilar të 50-të

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka njoftuar është duke u përgatitur për mbajtjen e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila do të mbahet në kuadër të edicionit të pesëmbëdhjetë, jubilar.

Pjesë e kësaj konference shkencore do të jenë studiues të njohur të fushave qenësore të dijeve albanologjike.

Në kuadër të “Javës së Albanollogjisë” do të mbahen pesë sesione nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë, si dhe do të ketë diskutime të ndryshme për çështje të rëndësishme dhe të veçanta të kërkimeve albanologjike.

Edicioni i sivjetmë do të fillojë më datën 09.09.2024, ora 10:00, dhe do të përfundojë më 11.09.2024./ KultPlus.com

‘Martesa’- projekti i radhës i TKK, fillojnë provat

Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provat për shfaqjen e radhës bazuar në dramën “Martesa” nga autori polak, Witold Gombrowicz e adaptuar dhe në regji të regjisorit të njohur polak, Norbert Rakowski.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.

Pjesa tjetër e stafit që kontribuojnë për realizimin e shfaqjes “Martesa” janë: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenografe: Maria Jankowska, Kostumografe: Paola Grocholska, Kompozitor: Tomor Kuçi, Asistent regjisor: Skender Podvorica dhe Përkthyes: Qerim Ondozi

Premiera e shfaqjes jepet me 20 shtator 2024./ KultPlus.com

‘Kur shpërblehet njeriu? – Kur e kujton veten të lumtur!’

Ç’është jeta për ty? – e pyeta.
-Flluska sapuni, – m’u përgjigj.
-Po vdekja?
-Shpërblimi i jetës!
-Ç’është bota?
-Një pikë helm në hapësirë!
-Ç’është më e kuptuar në Botë?
-Vdekja.
-Cila është kafsha më e egër?
-Njeriu!
-Po më e butë?
-Ajo që s’ka lindur!
-Cili njeri ju duket më i poshtër?
-Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!
-Ç’është budallallëku?
-Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
-Po puna më e mençme?
-Te gëzosh të tanishmen!
-Ç’është më e afërme?
-Vdekja!
-Po më e largët?
-Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
-Çfarë është e pavdekur?
-Hapësira!
-Çfarë është më e bukur?
-Fantazia!
-Po më e shëmtuar?
-Sëmundja!
-Më e hidhur?
-Jeta!
-Më e ëmbël?
-Hiçi!
-Ç’gjë është më e madhe?
-Libri i Botës!
-Po më e rëndë?
-Fjala!
-Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:
-Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?
-Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?
-Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!
-Kur shpërblehet njeriu?
-Kur e kujton veten të lumtur!
-Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?
-Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!
-Çfarë gjë ju duket më e vështirë?
-Të jesh njeri!
-Po më e lehtë?
-Të krijosh krijesë njerëzore!
-Cili është ngushëllimi i të pasurit?
-Pesha e qeses!
-Po i të vobektit?
-E ardhmja!
-Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.
-Vdekja! -mu përgjigj serioz
-Po ç’përmban jeta e njeriut?
-Vetëm dyshime!

Pse?! – Sterjo Spasse/ KultPlus.com

Kumbaro: Berati, pikëtakim fantastik për sportet e aventurës

Berati, qyteti mijëravjeçar, pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, ka se ç’t’i ofrojë turistëve.

Përtej shijimit të pjesës muzeale, Berati është shndërruar edhe në një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau online, një material filmik që tregon disa prej përvojave më të bukura e emocionuese që kanë kaluar vizitorët vendas e të huaj, të qytetit të Beratit.

“Nga xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, tek hiking me mushka në Kalanë e Tomorit, aksesimi i këtyre destinacioneve falë investimeve në infrastrukturë dhe ideve të bukura të guximtarëve në industrinë e turizmit, e kanë disafishuar hartën turistike të Beratit brenda pak vitesh”, shprehet ministrja Mirela Kumbaro.

Berati ofron shumë për miqtë e tij, si për ata që duan të kalojnë pushime aktive ashtu edhe për ata që zgjedhin qetësinë e muzeumeve, kishave e xhamive mesjetare. Qyteti që në lashtësi mbante emrin Antipatrea mendohet se u themelua në vitin 314 para Krishtit. Bazuar në mbetjet qeramike të gërmimeve arkeologjike, supozohet se banohej nga popullsia ilire që i përkiste fisit të Dasaretëve. Antipatrea u ndërtua në një vend të rëndësishëm strategjik, në majë të një kodre që dominon grykën e lumit Osum.

Gjatë gërmimeve të kryera në zonën e Kalasë së Beratit, u zbuluan disa pjesë të murit antik të qytetit të ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit, si dhe u identifikua edhe porta e qytetit të asaj periudhe. Këto mund të shihen ende në disa vende, të ndërtuara në murin mesjetar të qytetit dhe në portën e qytetit./atsh/ KultPlus.com

Gazetari hulumtues Diamant Salihu nominohet për çmimin ‘Kristallen’ në Suedi

Diamant Salihu, gazetari i njohur hulumtues në Suedi me origjinë nga Kosova, është shqiptari tjetër i nominuar për çmimin televiziv “Kristallen”. Salihu u nominua për emisionin “Bedragarna”, të publikuar këtë pranverë në programin “Uppdrag granskning” të SVT-së.

Përveç gazetarit Salihu, për çmimin “Kristallen” është nominuar edhe aktorja Dodona Imeri. Kristallen është një çmim vjetor që nderon personalitete dhe programe televizive në Suedi, dhe u dha për herë të parë në vitin 2005. Ky çmim është krijuar me qëllim që Suedia të ketë një ekuivalent të çmimit prestigjioz amerikan, Emmy Award./ KultPlus.com

Xhubleta

Poezi nga Sabri Hamiti

Xhubleta rri varur
se trupi ka ikur
të nxihet në det

Xhubleta rri varur
se gjiri e mashtroi
me këmishë mëndafshi

Xhubleta rri varur
se humbi xhevahiri
në fund të detit

Xhubleta rri varur
e ha vetveten
me tijën e leshit

ABC, 1994 / KultPlus.com