Falë përkthyesit të Kadaresë, Joachim Röhm, lexuesit gjermanishtfolës patën një qasje të rëndësishme në kulturën shqiptare

Publiku gjermanishtfolës i shkrimtarit të famshëm shqiptar,Ismail Kadare, që u nda nga jeta më 1 korrik 2024 ishte relativisht i vogël, por i përkushtuar tha në një intervistë për DW, përkthyesi i veprave të tij, Joachim Röhm. Këtë e konfirmon edhe fakti, që shtëpia botuese e tij. S.Fischer, priti dy ditë derisa të shkruante dy fjalë të shpejta si nekrologji, pasi u pyet nga DW. Qendrimi i dyzuar i kritikëve gjermanishtfolës ndaj shkrimtarit Kadare, vihet re edhe në shkrimet e botuara në shtypin gjerman me rastin e vdekjes së tij. Por edhe në këto deklarata që i dhanë DW-së disa studiues nga Gjermania

Zuzana Finger, balkanologe dhe përkthyese
“Libri i parë shqiptar që kam lexuar, si studente e Balkanologjisë në një seminar përkthimi të Prof. Dr. Norbert Reiter, ishte “Kështjella” – nga Ismail Kadare. Njohja me bukurinë dhe fuqinë e madhe të gjuhës së Kadaresë ishte një moment vendimtar për zhvillimin tim të mëtejshëm profesional.

Ismail Kadare i hapi letërsisë shqiptare rrugën drejt letërsisë botërore. Falë përkthyesit të tij në gjermanisht, Joachim Röhm, lexuesit gjermanishtfolës patën një qasje të rëndësishme në kulturën shqiptare. Veprat e Ismail Kadaresë u bënë sinonim dhe shenjë cilësie për letërsinë shqiptare. Kushdo që e lexonte njëherë, do të donte të lexonte edhe autorë të tjerë shqiptarë.

Veprat e Ismail Kadaresë lindën në kushte politike ekzistenciale të jashtëzakonshme dhe rëndësia universale e tyre që tejkalon kufijtë e letërsisë shqiptare qëndron në faktin se ai shkroi një letërsi artistikisht të pavdekshme në shërbim të humanizimit.”

Kameloni nga Tirana

Christian Voß, shef i Katedrës së Sllavistikës dhe Hungarologjisë në Universitetin e Berlinit dhe president i Shoqatës Martin Camaj:

“Ismail Kadare është padyshim talenti më i madh i prozës nga Evropa Juglindore – ai ka arritur ta përshkruajë gjallë si historinë bashkëkohore, ashtu edhe të kaluarën para-komuniste dhe osmane në romanet e tij. Romani i tij më mbresëlënës për mua është “Pallati i Ëndrrave” (1981), i cili flet për një ministri në Perandorinë Osmane ku analizohen dhe kontrollohen të gjitha ëndrrat e nënshtetasve – deri në varr. Një parabolë e shkëlqyer mbi shtetin shtypës të Enver Hoxhës.
Por Kadare ka shkruar edhe romane si “Dimri i Madh” në stilin e realizmit socialist, që glorifikojnë diktatorin, kinse të adhuruar shqiptar, i cili si Davidi sfidoi Goliathin sovjetik, Hrushçovin, në Moskë, më 1961.

Kjo përshtatje me sistemet politike si një kamelon, shpjegon edhe se përse Ismail Kadare, pas kthesës politike në Shqipëri, nuk arriti të luante atë rol politiko-shoqëror që morën përsipër në Gjermaninë Perëndimore shkrimtarë, si Siegfried Lenz, Günter Grass ose Heinrich Böll – duke trajtuar në romanet e tyre çështjet e përgjegjësisë dhe fajit.”

Unik në letrat shqipe

Florian Kienzle, albanalog dhe përkthyes
“Takimi im me letërsinë e Kadaresë filloi në fund të viteve ’90, kur u shpërngula në Shqipëri me familjen time. Ismail Kadare ishte përkthyer në gjermanisht; çdo roman i tij ia vlente të lexohej dhe për shqiptarët e asaj kohe ai ofronte një burim krenarie, pasi të gjitha vlerat e tjera ishin rrëzuar. Proza e Kadaresë pasqyronte historinë shqiptare: ishte e përgjakshme, epike dhe e përjetshme.

Më vonë, do të vinte një moment kur do të lodhesha me të. Tekstet e tij kishin të bënin shumë pak me periudhën e turbullt të tranzicionit që përjetonim ne çdo ditë. Filluan të më tërhiqnin zëra të rinj dhe të guximshëm, si ato të Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi apo Fatos Kongoli.

Më vonë, kur nisa studimet e albanologjisë në Mynih dhe fillova të lexoj letërsinë shqipe në origjinal, u magjepsa nga fuqia e tij gjuhësore, që vinte herë me pompozitet e herë me qetësi. Sërish ndjeva nevojën për ta lënë. Pyesja veten: Vetëm Kadarenë ka letërsia shqipe? Zbulova autorë të ndaluar në kohën e komunizmit, si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta apo Martin Camaj.

Kështu kaloi marrëdhënia ime me Kadarenë: herë i zhytur në universin e tij të pashtershëm, herë i velur dhe në kërkim të autorëve të tjerë.

Kadare nuk do të na mungojë si njeri. Kishte zëra të tjerë më autentikë, siç ishin ish të përndjekurit politikë, që nuk kishin nevojë as për stilizim letrar e as për libra me kuptim të dyfishtë, siç ishin ato të Kadaresë. Megjithatë, kush nuk e ka lexuar Kadarenë ka një mungesë. Vërtet që gjithë bota e tij rrotullohet rreth shqiptarëve, por ai trajton aty mekanizmat e gjithë botës, shtrengimet njerëzore dhe padrejtësitë, dhe, po, ai ka humor, gjë që e kuptova vonë. Me prodhimtarinë dhe universalizmin e tij, ai mbetet unik në letërsinë shqipe.”

Përfaqësues i nacionalizmit të orientuar kah Evropa

Konrad Clewing, historian nga Regensburgu, ish-nxënës i Martin Camajt

“Ismail Kadare ishte një shkrimtar i madhërishëm. Dua të përqendrohem në një keqkuptim që doli në pah në lajmet mbi vdekjen e tij: Media në gjuhën gjermane shpesh e quante shkrimtar “franko-shqiptar”. Në të vërtetë, Kadare, veç shtetësisë shqiptare dhe franceze, kishte edhe atë kosovare. Fakti që kjo e fundit nuk përmendej, flet për qëndrimin hierarkik të intelektualëve perëndimorë ndaj ‘Ballkanit’. Por në fakt, Kadare nuk ishte shkrimtar franko-shqiptaro-kosovar, por shkrimtar shqiptar. Disa mendje të mençura në Perëndim nuk mund ta pranojnë këtë, sepse koncepti politik i tyre për identitetin kombëtar reduktohet te shtetësia. Ky është një koncept problematik për shumë emigrantë. Ndërsa në rastin e Kadaresë, ai është ngatërrues. Ismail Kadare ishte përfaqësues i mprehtë i nacionalizmit laik shqiptar të orientuar kah Evropa. Shpresojmë që nuk do ta ndjejmë mungesën e të ndjerit edhe në këtë drejtim.”/DW/ KultPlus.com

Dhjetë letrat më romantike të dashurisë

Lista e dhjetë letrave më romantike të dashurisë të shkruara nga meshkujt së bashku me disa pjesë të veçanta prej tyre.

Letra e Ernest Hemingway për Marlene Dietrich

“Nuk mund të ta them dot, sesa herë hidhja krahët e mi rreth teje ndihesha sikur isha në shtëpi”.

Letra e Napoleon Bonapartit për të dashurën e tij Josephine

“Qëkur të lashë, kam qenë vazhdimisht në depresion. Lumturia ime është të jem pranë teje…”.

Letra e Frida Kahlo për Diego Riverën

“Asgjë nuk krahasohet me duart e tua, me ngjyrën jëshile në të verdhë të syve të tu. Shpirti im plotësohet nga prania jote. Gishtat e mi prekin gjakun tënd…”.

Letra e Georgia O’Keeffe për Alfred Stieglitz

“I dashur, trupi im është çmendur duke të kërkuar ty. Nëse nuk vjen nesër, nuk e di se si do të mund të pres më tepër për ty. Pyes veten nëse trupi yt e dëshiron trupin tim, po aq sa unë e dëshiroj trupin tënd aq pranë, saqë lëndohem kur ti largohesh”.

Letra e Beethoven në shtratin e vdekjes për personat e dashur që ende jetonin të shëndetshëm

“Edhe pse në shtrat, mendimet e mia janë me ju, të dashurit e mi të pavdekshem. Vazhdoni të më doni, mos më gjykoni. Mos e gjykoni zemrën më besnike të të dashurit tuaj”.

Letra e George H. Bush për Barbara Bush

“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.

Letra e Ronald Reagan për Nancy Reagan

“Gjëja më e rëndësishme është se nuk dua të rri pa ty për 20, apo 40 vitet e ardhshme, apo për gjithë vitet e jetës që më kanë mbetur. Jam bërë i varur nga ndjesia e të qenurit i lumtur dhe të dua shumë ty”.

Letra e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas

“Çdokush është i nevrikosur me mua që erdha sërish tek ty, por ata nuk na kuptojnë ne. Unë ndihem sikur vetëm me ty mund të bëj gjithçka. Më ndihmo të sjell në vend jetën time të rrënuar dhe atëherë shoqëria dhe dashuria jonë do të marrin një tjetër kuptim në këtë botë”.

Letra e Henry VII për Anne Boleyn

“Por nëse ti më dhuron trupin dhe zemrën tënde, unë premtoj të jem shërbëtori yt, siç kam qenë përherë dhe vazhdoj të jem edhe tani”.

Letra e Vita Sackville për Virginia Woolf

“Por, e dashur, unë nuk mund të qëndroj dot i zgjuar apo serioz me ty. Të dua shumë për ta bërë këtë gjë. Të dua sinqerisht. Ti nuk e ke idenë sa serioz rri unë me njerëzit që nuk i dua, por ti i ke thyer gjithë barrierat e mia”./ KultPlus.com

‘Të pashë, më pe, dhe tash, zhveshur nga keqkuptimi, ti, amazonë mbi shkrepëtimë, regëtin nga e fundmja e papritura mbërrimë’

Poezi nga Pedro Salinas

“[XII]
S’më duhet kohë
të di sesi je:
të njihesh me dikë është xixëllimë.
E kush mund të t’njohë
aty ku ti hesht, a në
fjalë me të cilat hesht?
Ai që ti mëton në at’jetë
që rron, s’di gjë rreth teje
veç nënkuptimeve, shkaqeve
të rreme pas të cilave fshihesh.
Dhe të t’ndjeki së prapthi
në bëmat e tua, të kaluara,
të mbledhë veprim a gëzim,
mote dhe emra, do të qe
si të t’humbiste. Une jo.
Të njoha në shtrëngatë.
Të njoha, të beftë,
n’atë çarje mizore
mugëtire dhe drite,
atje ku përshfaqet thelli
q’ikën ditës dhe natës.
Të pashë, më pe, dhe tash,
zhveshur nga keqkuptimi,
nga rrjedha, nga e shkuara,
ti, amazonë mbi shkrepëtimë,
regëtin nga e fundmja
e papritura mbërrimë,
imja je prej qindra motesh,
prej kaq kohësh që të njoh,
sa në dashurinë tënde sytë i mbyll,
dhe bëj përpara pa e humbur,
krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë
tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur
me të cilën shfaqen shkronja
e trajta dhe mbyllen hesape
me besimin se kthjellohet
cila je ti, e padukshmja ime.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Publikohet ‘traileri’ i festivalit Sunny Hill 2024

Më 25, 26, 27 dhe 28 korrik në Prishtinë do të mbahet një nga festivalet më të mëdha të Evropës Juglindore, Sunny Hill.

Në faqen zyrtare të Sunny Hill në rrjetin social Facebook, është publikuar ‘trailer’-i i festivalit i cili paraqet përmbajtjen e asaj që prezantohet përgjatë këtyre ditëve.

Artistë të mëdhenj nga skena botërore që do të performojnë në festival janë: Stormzy, DJ Snake, BurnaBoy, BlackCoffee e shumë të tjerë.

Kurse nga skena vendore do të performojnë emra të njohur të muzikës si: Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Yll Limani e të tjerë./ KultPlus.com

Në listë për t’u bërë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndërhyrje arkitekturore në Kalanë e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës, një nga më të bukurat në Shqipëri prej disa vitesh ka hyrë në programin e restaurimit, si pjesë e projektit EU4Culture.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se po kryhen ndërhyrje arkitekturore për restaurimin dhe plotësimin i qemerëve të tullës, restaurimin e bedenave të dëmtuar, restaurimin e shkallëve të gurit, si dhe ndriçimin artistik të mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre.

Po ashtu, theksoi ministri, po kruhet pajisja e një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur, si dhe plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike dhe mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme.

“Bashkëpunimi me EU4Culture Albania dhe UNOPS Albania sjell rezultate të prekshme për ekonominë dhe komunitetet, turizmin dhe ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore e historike”, theksoi ministri Gonxhja.

Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore.

Zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë omane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521./atsh/ KultPlus.com

‘Skena e pavarur’, aktivitete kulturore për të gjitha moshat në çdo cep të Shqipërisë

 Ditët e nxehta dhe netët e gjata të verës nuk mund të kalojnë pa muzikë, argëtim dhe shoqëri të mirë.

“Skena e Pavarur” e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), sjell në çdo cep të Shqipërisë aktivitete dhe ngjarje për të gjitha grupmoshat përgjatë të gjithë muajit korrik.

Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja publikoi edhe kalendarin e aktiviteteve, ndër të cilat veçojmë “Festivalin e 19-të ndërkombëtar të muzikës së dhomës, Durrës 2024” që do të mbahet deri më 25 korrik në katedralen “Shën Lucia”; United dance-Tirana që do të mbahet me 27 korrik në Amfiteatrin e Liqenit, Tiranë; Takimet muzikore të dy botëve, që do të mbahet sot në Apolloni, Fier; Lyhnida Fusion Fest që do të mbahet për dy ditë 26-27 korrik në Pogradec, Tirana Foto Festival, një tjetër aktivitet që do të mbahet në Parkun “Rinia”, në Tiranë nga data 11 deri më 25 korrik,etj./atsh/ KultPlus.com

Shkrimtari Visar Zhiti fiton çmimin ndërkombëtar, ‘Camaiore – Francescco Belluomini’

Shkrimtari Visar Zhiti ka fituar çmimin ndërkombëtar që jepet në Itali, “Camaiore – Francescco Belluomini” për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, përkthyer në italisht nga Profesor Elio Miracco.

Juria italiane, e kryesuar nga Michele Brancale, e përbërë nga poetë, studiues dhe kritikë letrarë, Cinzia Demi, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino, mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi të botuara së fundmi, seleksionoi 25 prej tyre, pastaj nxori 7 poetë kandidatë nga bota për çmimin:

-Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia
-Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia
-Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania
-Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca
-Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba
-Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia
-Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria

Zhiti u zgjodh fitues në votimin e fundit nga juria, e cila dha edhe njoftimin, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në muajin shtator./ balkanweb/ KultPlus.com

Njihuni me deputetin e ri më të ri britanik – i lindur në 2002

Një 22-vjeçar i zgjedhur si deputet me një shumicë të vogël ka thënë se nuk dëshiron që mosha e tij të jetë fokusi teksa shkon në Westminster.

“Unë dua që ne të largohemi nga kjo mendësi e çuditshme ndaj moshës së të rinjve. Për sa më përket mua, ne jemi njësoj si çdokush tjetër. Unë thjesht dua të vazhdoj me punën”.

Sam Carling i laburistit ka të ngjarë të jetë “fëmija i Shtëpisë” – titulli jozyrtar që i është dhënë anëtarit më të ri të Dhomës së Komunave – pasi fitoi ngushtë në North West Cambridgeshire.

Studenti i diplomuar në Universitetin e Kembrixhit mundi veteranin deputetin konservator Shailesh Vara, me 39 vota për të marrë vendin.

Carling e quajti fitoren e tij një “tërmet politik” dhe tha se shpresonte që më shumë të rinj të konkurrojnë për poste publike.

“Atëherë ata do ta shohin veten të përfaqësuar, si në parlament ashtu edhe në këshillat vendorë. Kjo do të ndihmojë në trajtimin e apatisë”, tha ai.

“Fëmija i Shtëpisë” i mëparshëm ishte i diplomuar në Universitetin e Oksfordit dhe deputeti i Partisë Laburiste Keir Mather, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme Selby dhe Ainsty në 2023.

Carling, i cili ka qenë këshilltar në Kembrixh, tha se shumë votues u befasuan kur zbuluan se ai po kandidonte për postin, por se “njerëzit në pragun e derës ishin shumë pozitivë”.

Ata thanë ”Kjo është mirë, ne kemi nevojë për më shumë të rinj’”.

“Ka shumë abuzime që synojnë të rinjtë në internet, por ballë për ballë, njerëzit përgjithësisht janë të emocionuar ta zbulojnë”.

Pas pikës kufitare të Kapshticës, edhe Qafë Thana mbulohet nga arti i ngjyrave

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska pasi ka pikturuar Kapshticën, po realizon muralen edhe në fasadën e godinave në Pikën Kufitare Doganore të Qafë Thanës, duke mundësuar një imazh të veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në drejtin të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale edhe fotot e murales.

Muralja e artistes polake përfaqëson një lloj luleje të zones, e cila sjell më shumë ngjyra dhe më shumë jetë në këto godina. Artistja do të pikturojë edhe pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, duke sjellë pamje më të bukur për secilin që zgjedh të vizitojë vendin tonë.

Në Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë Thanë gjatë muajve të fundit është shtuar fluksi i lëvizjeve të mjeteve sidomos fundjavave.

Autoritetet bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të mundësuar mbarëvajtje të kalimit të qytetarëve./atsh/ KultPlus.com

Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë

Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.

Vjosa, perla e Europës gjendet vetëm 1 orë e 45 min nga Saranda dhe 45 min nga Gjirokastra.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën me dije se nga brigjet e Vjosës çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj mes kulturës, sporteve në natyrë, traditës e historisë, teksa ndau foto të një grupi turistësh të huaj që po bëhen gati të sfidojnë dallgët e Vjosës së egër.

Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.

Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.

Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen./atsh/ KultPlus.com

Miku i madh i shqiptarëve George Bush feston 78-vjetorin e lindjes

George Bush lindi më 6 korrik të vitit 1946 në New Haven, Connecticut. Bush ishte presidenti i 43-të i vendit. Është djali më i madhi i ish presidentit amerikan George H. W. Bush. Para se te zgjidhej si president ka qenë governatori i 46-shtë i Teksasit qe prej 1995. Bush u rizgjodh president në vitin 2004.

Ndërmjet viteve 1968 dhe 1973, Bush shërbeu si pilot për Rojen Kombëtare Ajrore të Teksasit. Më 1975 ai filloi karrierën profesionale të tij në biznesin e naftës dhe gazit, të cilën e la më 1986. Më 1988 ai u përfshi aktivisht në fushatën e suksesshme të babait të tij për presidencën dhe më 1989, së bashku me një grup investitorësh, bleu ekipin profesionist të bejsbollit Texas Rangers, për të shërbyer si partneri administrues i përgjithshëm i tij deri në nëntor 1994, kur u zgjodh guvernator i Teksasit. Më 1998 Bush krijoi një precedent duke u rizgjedhur për një mandat të dytë katër-vjeçar si guvernator i Teksasit.

Në vitin 2006, Kongresi u rimor nga Partia Demokratike dhe u vështirësua vendimmarrja gjatë 2 vjecarit të fundit. Në Dhjetor 2007 u shfaqën dhe shenjat e para të recensionit dhe krizës ekonomike botërore, gjë që do e kthente George Bush në një nga presidentët më pak të pëlqyer në historinë modern të ShBA-ve. Në kuadër të luftës së tij kundër terrorizmit, Bush i kushtoi rëndësi të madhe dhe aleancave ushtarake, si NATO dhe luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të NATO dhe në muajt e fundit të mandatit të tij të dytë, firmosi dhe për zgjerimin e aleancës me Kroacinë dhe Shqipërinë. Rol të rëndësishëm luajti dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e saj nga shtetet perëndimore. Pavarësisht pëlqimit të ulët nga populli amerikan, së bashku me Bill Clinton, George Bush mbetet një nga presidentët e figurat më të dashura për popullin shqiptar. /KultPlus.com

Artistja Barbara Prenkas sjell ekspozitën ‘Covers’, gërshetohen arti me teknikën artizanale

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur ekspozita “Covers” e artistes Barbara Prenkas, kuruar nga Zef Paci.

Përmes këtyre pikturave, ajo sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të design-it dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale.

Sipas artistes, jorgani ka ngarkesë simbolike, është i njëjti, por mënyra e prodhimit, stili, koha, pigmentet kanë ndryshuar.

Arsyeja e risjelljes sot të këtyre mbulesave gjendet në ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit është një jehonë që mbetë mbrenda nesh.

Ekspozitën mund ta vizitoni nga e marta deri të shtunën.

Biden: Vetëm Zoti mund të më bindë të largohem nga gara presidenciale

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden ka thënë se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë atë që t’i japë fund ofertës së tij për rizgjedhje, teksa ai u ul për një intervistë të rrallë në primetime në një përpjekje për të qetësuar shqetësimin e demokratëve për kandidaturën e tij.

Duke folur për ABC News të Premten, Biden refuzoi gjithashtu të bënte një test njohës dhe t’i bënte rezultatet publike në mënyrë që të siguronte votuesit se ai është i aftë për të shërbyer një mandat tjetër.

“Unë kam një test kognitiv çdo ditë. Çdo ditë e kam atë test – gjithçka që bëj është një test”, i tha ai George Stephanopoulos.

81-vjeçari e kundërshtoi edhe një herë idenë, e transmetuar nga disa zyrtarë dhe donatorë demokratë, se ai duhet të qëndrojë mënjanë për një alternativë më të re pas debatit të tij katastrofik me Donald Trump javën e kaluar.

2151357602

Frida Kahlo, artistja që pikturoi jetën e saj

Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.

Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.

U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.

Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.

Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi  punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.

Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.

Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.

Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com

Gjithnjë e më shumë vizitorë në Kalanë e Rozafës

Kalaja e Rozafës, një destinacion i rëndësishëm historiko-kulturor në Shkodër po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj ndërsa nuk resht edhe interesi i vendasve.

Vizitat turistike në Kalanë e Rozafës vijuan trendin rritës gjatë muajit qershor, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj.

18.078 vizitorë mikpriti kalaja e Shkodrës gjatë muaji qershor, shifër e cila është 4,5% më e lartë se ajo e një viti më parë.

Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme./atsh/ KultPlus.com

Sonte Filharmonia përmbyll sezonin me ‘Koncert për Paqe’

Për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filharmonia e Kosovës prezanton koncertin “Koncert për Paqe” me të cilin  përmbyllet sezona 2023/2024.

Koncerti do të sjellë te publikut vepra të fuqishme nga literatura muzikore, të interpretuara nga mbi 200 muzikantë: Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës (Dir. Hajrullah Syla) dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” – Pejë (Dir. Hysen Nimani). Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).

Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane,  Komuna e Prishtinës dhe RTK.

Mbrëmja fillon në ora 20:30, më 6 korrik, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Hyrja është falas, ndërkaq rezervimi është i domosdoshëm https://bit.ly/3zruKVb. / KultPlus.com

Gjuha shqipe

Poezi nga Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com

Thënie për librat: Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat

Këto janë disa nga shprehjet më të veqanta për librin:

1. Shoku më besnik kur mbetem vetëm është libri, tek ai gjejë ngushëllimin kur të tjerët më tradhtojnë.
2. Prindërit, që t’i edukojnë mirë fëmijët, duhet t’i rrethojnë me libra.
3. Librat janë thesari i deponuar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e gjeneratave dhe popujve.
4. Koleksionimi i librave është në fakt koleksionim i lumturisë.
5. Libri është dritare prej nga ne e shohim botën.
6. Leximi pa meditim është thjesht sikur ngrënia e ushqimit pa marrë frymë (pandërprerë).
7. Lexoje një libër të mirë tre herë sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë. Abbas Akkad
8. Më i rrallë se libri i mirë është lexuesi i mirë.
9. Kush shkruan, lexon dy herë.
10. Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat.
11. Më thuaj çfarë lexon të të them se kush je.
12. Krenaria e një tregtari është në mallin që posedon, krenaria e një dijetari në librat që posedon.
13. Libri është shok që nuk të bën hipokrizi, nuk mërzitet duke qëndruar me ty, nuk të qorton nëse e anashkalon dhe nuk të përhap sekretet kurrë.
14. Prapa çdo libri ka një ide e parapa çdo ideje ka një hap përpara.
15. Në përfundim të leximit të një libri të mirë ndihemi sikur po i japim lamtumirën një shoku të çmuar.
16. I urituri nuk ia di vlerën ushqimi pa mos u ngopur më parë. Kështu është puna edhe me lexuesin që lexon librin e parë që i ka rënë në dorë.
17. Proverbat popullor janë libër enciklopedik në të cilin lexon me lehtësi moralin dhe kulturën e një populli.
18. Të mbushësh raftet me libra është më e dobishme se të mbushësh portofolin me para.
19. Edukatorët të thonë: “Lexoje librin që të bën dobi!”, ndërsa unë të them: përfito nga ajo që lexon!
20. Dija është ndër shkaqet më të rëndësishme të lumturisë, andaj bëje librin, mjetin e dijes, shoqërues tëndin të përhershëm.
21. Trupi nuk zhvillohet pa ushqim, po kështu as mendja pa lexim dhe meditim.
22. Dashuria për leximin është mirësi e përshpejtuar për besimtarin në këtë botë.
23. Nuk ka anije si libri që na bartë sa në një vend sa në tjetrin!
24. Dashuria për leximin nënkupton shndërrimin e monotonisë në dëfrim.
35. Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit.

Përktheu: Dr. Sedat Islami/ KultPlus.com

Në mjegull


Poezi e shkruar nga Hermann Hesse.

Sa çudi të endesh në mjegull!
Çdo gur e kaçubë në vetmi,
Asnjë dru s’i sheh drurët e tjerë,
Vetëm gjithkush rri.

Plot miq bota ime pat qenë,
Kur jeta kish dritë ende.
Tani që kaq mjegull ka rënë,
Asnjërin s’e shoh as më sheh.

I mençur nuk është, pa fjalë,
Ai që terrin s’kupton.
Se si fshehtësisht ngadalë,
Nga gjithçka e veçon.

Sa çudi të endesh në mjegull!
Jeta bëhet vetmi.
Asnjeri nuk njeh njerëz të tjerë,
Vetëm gjithkush rri./KuktPlus.com

Preç Zogaj: Libri i Kadaresë “Mosmarrëveshja”, si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë

Nga Preç Zogaj

Solid nga pikëpamja e strukturimit, “Mosmarrëveshja” është nga ata librat e papërcaktueshëm jo thjesht në kuptimin e llojit, por edhe të vetë temës apo subjektit që trajton.

Nuk e thua dot se është vetëm ese, ndërsa ndeshesh nëpër faqet e tij me fakte të mirëfillta historike të shkruara në stilin e historianit, ndeshesh me synopse romanesh që rrëzëllejnë si xeherorët në thellësi të lëndës së përzishme; me ligjërime poetike dhe filozofike në prozë për himnin kombëtar, apo për Zotin e animizuar të racës; me shtrirjen e harkut të imagjinatës për të lidhur brigjet e ndara të ngjarjeve, apo vakumet e krijuara nga aksidentet dhe rrëmetet e historisë.

Nuk e thua dot ndërkaq me siguri të plotë se “Mosmarrëveshja” trajton aksh temë, pasi gjithë libri është një ndërthurje dhe pranëvënie temash e refleksionesh të largëta, që nganjëherë duket sikur janë futur me njëfarë arbitrariteti në kapakët e të njëjtit libër. Si për shembull përsiatjet për fatin e Skënderbeut nga mesjeta në Rilindje në një anë dhe përshkrimi i vrasjeve terroriste brenda llojit dhe prapa shpine në radhët e formacioneve partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër.

Ombrella e ndërthurjeve, ajo që mëton të konferederojë temat dhe stilet e librit është “Mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshja është subjekti i epërm dhe gjithëpërfshirës i lëndës. Por të mos mendojë njeri se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje konkrete, të prekshme, të dokumentueshme. Mosmarrëveshja është efemere, hukamë e shekujve të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në të njëjtën kohë është gjendje e të jetuarit tonë si popull, ku kornizës së përbashkët të gjuhës, gjërave që pëlqejmë dhe zakoneve që kanë konturuar apo formuar konstitucionin tonë, i përgjigjen diversiteti religjioz dhe kundërshtitë e brendshme. Të cilat, ndërsa shkrihen në karakteristikat e identitetit tonë, kanë qenë dhe mbeten sot e kësaj dite pjesa jonë e zbuluar përkundrejt shënjestrave dhe goditjeve nga ana e atyre që na kanë dashur të ngatërruar, me një kornizë shpirtërore të shprishur.

“Mosmarrëveshja” ka në boshtin e saj ketë temë. Temën e kornizës shpirtërore të shqiptarëve. I vetëdijshëm për terrenin e rrëshqitshëm dhe natyrën delikate të eksplorimit të tij, si dhe duke dashur të mbrohet nga keqkuptimet, teprimet apo edhe nga pasojat e një blasfemie, Kadare e ka paraqitur tekstin e tij si “sprovë letrare”. Sprova letrare është tendë e madhe për të gjitha pyetjet, madje edhe për trillimin artistik. Dhe mënyra më e mirë për t’u përballur me një temë të tillë është ta shtrosh thjesht, siç e shtron diskuri popullor. Pse jemi kështu? Pse vonohemi? Pse nuk bëhemi siç do të duhej të bëheshim?

Konica dhe Fishta na lanë me shkrim kumtet dëshpëruese se armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Më tej ka pasur dhe ka gjithnjë një pengim apo një drojë për të hulumtuar arsyet e thella të kësaj dukurie, si të jetë fjala për një besëtytni që nuk duhet prekur ngaqë mund të shpërthejë më keq apo duke shkuar me mendimin se Shqipëria kështu është ndërtuar, kështu u bë nën pushtimin e gjatë osman, kështu ekziston, si unitet të kundërtash, si trikotomi e një populli me dy-tre shpirtra, që gravitojmë në drejtime të ndryshme dhe prodhojnë ashtu historinë origjinale të vendit të tyre. Historinë e mbështetur në të mos marrurit vesh.

Po të ishte kështu, kërkimi i shkaqeve që përcaktojnë prapambetjen dhe vonesat e Shqipërisë nuk do të kishte kuptim. Të gjithë do të duhej të pajtohemi me një gjendje mallkimi pa shpëtim. Por nuk është kështu. Për këtë temë kardinale është shkruar me kursim, ngaqë është e vështirë, e rëndë, delikate gjithashtu. Përveç talentit dhe përgatitjes, mendoj se kërkohet domosdoshmërisht edhe statusi i shkrimtarit, në kuptimin që kjo është temë e një karriere të sprovuar, apo e një doktorature të lartë, së cilës autori i është qasur vit pas viti e dekadë pas dekade në ngjitjen e tij drejt majave të letërsisë dhe artit. Me fjalë të tjera, kjo e “Mosmarrëveshjes” është një temë e majave, një temë për Kadarenë, pa dyshim, jo vetëm se Kadare është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në një formë a në një tjetër, krijimtaria e tij ka qenë prej dekadash një eksplorim në çështjet e identitetit kombëtar dhe konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve.

Ka qenë e pritshme pra që autori i novelave që pahitën me ndriçim arbëror kujtesën dhe ndërgjegjen e lexuesve të tij në periudhën e komunizmit, të përballej në qetësinë e lavdisë dhe famës me temën madhore të kornizës shpirtërore. Libri “Mosmarrëveshja-mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është sprova. Në të vërtetë, një eksplorim si ky, i mbështetur në dije të gjera por gjithnjë të pamjaftueshme, nuk mund të mos jetë letrar. Sprova letrare është qasja e duhur për të sjellë një tablo sa më gjerë të raportit të Shqipërisë me vetveten.

Matet Kadareja, vonohet t’i afrohet thelbit të “enigmës”- cila është kjo fantazmë, cila është mosmarrëveshja? Ky afrim do të kalojë nëpër disa stade që janë vetë kapitujt e librit, gjithsej dymbëdhjetë, botë më vete secili, që mund të ndahen në dy grupe. Botët e epërme, ato që i kushtohen Himnit, Skënderbeut, Zotit… dhe botët e poshtme, ato që sjellin pasqyrimin e një përballjeje mes njerëzve të gjallë, bashkëkohës. Mes kombëtaristëve në një anë dhe mohuesve në anën tjetër, me të cilët shkrimtari në zbritjet e tij nga fluturimet e epërme shpenzon edhe disa polemika. Vetë autori nuk është njëpërmasor në këto botë. Si në një paradoks mitik apo si projeksion i asaj që do të ndodhë me të në të ardhmen, ai zmadhohet duke u ngjitur, pra duke u larguar dhe zvogëlohet disi duke u afruar.

Po cila është thellë-thellë “Mosmarrëveshja”? Ku mund ta kapim? Në origjinë apo në pasojë? Në esenë e tij, Kadare citon një dialog nga drama e shkurtër “Nën hajat të Parizit” të Gjergj Fishtës. Dy personazhe, Skenderbegu dhe Djalli bisedojnë me njëri tjetrin.Skendërbegu në botën tjetër e pyet djallin që sapo ka mbërritur plot me lajme nga toka: “Si janë pra shqyptarët e Shqipërisë”? Djalli i përgjigjet: “Si janë? …Si i don armiku”!

Citime, sentenca dhe pohime te tilla kanë një aktualitet të njëjtë, qoftë kur vinë nga shekujt e pushtimit osman, qoftë kur merren nga masmediat e kohës së sotme. Në atdheun si përmasë shpirtërore apo si parim shpirtëror, pesëqind vjet janë si pesë vjet apo si pesë ditë; zhvillimet dhe ngjarjet në këtë sferë i nënshtrohet një kalendari tjetër, që ngjan të jetë olimpik si vetë vështrimi i hulumtuesit. Ajo që Fishta ka shkruar në vitin 1914 është aktuale në Shqipërinë e vitit 2021 dhe ajo që “mohuesit” shkruajnë sot kundër Gjergj Kastriotit jehon, lidhet dhe shkrihet me gjithë investimin shekullor për çmitizimin, zvogëlimin apo denigrimin e tij. Pjesa “Tri kohë për Skënderbeun” është një tablo e bëmave të mëdha të heroit kombëtar, trajtuar e shkruar me thellësi dhe bukuri të rrallë, si në një stafetë të marrë nga duar e paraardhësve të shquar.nga Barleti te Fan Noli e Gjergj Fishta-, që Kadare e çon përpara dhe e lartëson me mjeshtëri.

Kapitull pas kapitulli, ora e heqjes së vellos nga fytyra e enigmës afrohet. Ta shohin të gjithë. Përçarja është thelbi i “Mosmarrëveshjes”, e cila shfaqet në mungesën e vullnetit për të qenë bashkë apo në dobësimin e vullnetit për të qenë bashkë. Jemi të përçarë. Nuk kemi vullnetin e duhur për të qenë bashkë. Është kaq e thjeshtë dhe kaq dramatike njëkohësisht. “Lëkundja e vullnetit për të qenë bashkë do të ishte për kombin si lëkundja e një tërmeti të ngadaltë, por të zgjatur e me pasoja fatale. Valët e tij do të shtriheshin shumë larg në kohë, për të arritur, përherë rrënimtare, gjer në kohën që po jetojmë, në shekullin XXI”, shënon Kadare në kapitullin “Epilog me Zotin”, që vjen si një konkluzion i gjithë sprovës së tij. Jemi në zemër të problemit, të cilin aurtori e prek me njëfarë rezervimi. Problemi në fakt ngjan të jetë shumë më i madh dhe, pse jo, edhe më i thellë se sa kundërshtitë që provokojnë polemikat për çështjen e figurës së Skënderbeut dhe për çështje të tjera të ngjashme.

Kadare afrohet disa herë në të ashtuquajturin Trekëndësh të Bermudës, që ka të bëjë me marrëdhëniet tona me Turqinë, Greqinë, Serbinë. Duke vlerësuar fqinjësinë e mirë, “Mosmarrëveshja” në tërësi është një guidë pa të dytë e orientimit perëndimor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Autori trajton me guxim dhe elegancë dyzimet dhe shtysat kundërthënëse për orientimin në rrafshin politik kryesisht, për t’u rikthyer, si te një brengë gërryese, te tema e dobësisë së vullnetit për të qenë bashkë. Ndarjet, tërheqjet dhe shqyerjet nuk vinë nga konstitucioni shpirtëror i shumicës së popullit, por stimulohen nga armiqtë dhe rivalët e Shqipërisë dhe interpretohen e sherbehen si të tilla sa nga “renegatët”, aq edhe nga elitat politike të korruptuara dhe të papërgjegjshme të vendit. Një konkluzion si ky duket pak më i ngushtë se gjerësia me të cilën e ka shtruar problemin e ngërçit kombëtar Kadareja. Libri të krijon përshtypjen se autori kërkon të thotë apo po përgatitet të thotë më shumë. Por edhe me aq sa thotë libri u kumton bashkëkohësve dhe brezave me një forcë të madhe shprehëse se vullneti për të qenë bashkë dhe të marrun vesh, si rreth një urdhërese hyjnore, sa i takon përkatësisë europiane, nuk bie në kundërshtim me liritë, përkundrazi, i përforcon ato. Libri apelon vetvetiu për një vetëdije të re në këtë rrafsh. Të gjithkujt dhe sidomos të atyre që marrin përsipër të drejtojnë vendin. Ai sjell gjithashtu jehonën e një thirrjeje aktuale në dritën e kalendarit olimpik të atdheut shpirtëror: të deosmanizimit të shoqërisë shqiptare aty ku ka nevojë./TopChannel/KultPlus.com

Dashuri pas dashurie


Poezi e shkruar nga autori Derek Walcott. 

Do vijë një ditë
kur, tërë hare,
vetvetes do i thuash tungjatjeta
në prag të derës tënde, para pasqyrës tënde,
dhe do i uroni mirëseardhjen njeri-tjetrit,
duke i thënë, pa ulu ca. Ha diçka.
Do e duash përsëri të panjohurin, vetveten.
Nxirr verë. Nxirr bukën. Ktheja zemrën që i ke marrë
vetvetes, këtij të panjohuri që të ka dashur
gjithë jetën tënde, dhe ti s’e ke përfillur
ngase doje dikë tjetër, që të njihte me sy mbyllur.
Hiq letrat e dashurisë nga rafti
fotografitë, shënimet dëshpërake,
qëroje pamjen tënde prej pasqyrës.
Ulu. Kremto jetën.
Shqipërim nga Edon Qesari./KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.

U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

Hapet në Korçë ekspozita në nderim të piktorit Vangjush Tushi

Në qytetin e Korçës u çel ekspozita në nder të piktorit korçar Vangjush Tushi.

Kjo ekspozitë mbi veprimtarinë dhe jetën e “Piktorit të Popullit” Vangjush Tushi, mblodhi shumë artdashës korçarë.

Në ekspozitë janë prezantuar për herë të parë piktura nga koleksioni i familjes dhe disa nga sendet personale të piktorit.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole i pranishëm në çeljen e ekspozitës, tha se “artisti Vangjush Tushi meriton mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për kontributin në jetën artistike të qytetit tonë”.

Ekspozita në nder të piktorit Vangjush Tushi do të jetë e hapur për 3 ditë radhazi në galerinë “Guri Madhi” në Korçë, të cilën mund ta vizitojnë të gjithë artdashësit.

Vangju Tushi u arrestua dhe dënua me 10 vite heqje lirie, për agjitacion e propagandë, ndonëse ishte i sëmurë me parkinson. Pas 6 vitesh në burgun famëkeq të Ballshit, ai ndërron jetë në 30 korrik të vitit 1982, por la si trashëgimi të familjes, qindra piktura që e mbajnë gjallë e sot e kësaj dite figurën e tij.

Vangjush Tushi është vlerësuar pas vdekjes me titullin “Piktor i Popullit” nga presidenti i Republikës, po ashtu edhe me titujt “Qytetar Nderi”, “Emblema e Artë e Qytetit” dhe “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Një rrugë në qytetin e Korçës mban emrin e Vangjush Tushit në nder të figurës së tij./KultPlus.com