Sot bëhen 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.
Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.
Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.
Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë familje të cilat falen mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. / KultPlus.com
Shfaqja ‘Ëndërrat e Hamletit’ me regji të Mentor Zyberajt ka marrë vlerësim të lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “Other Voices”, në Teatrin La Abrego, në Spanjë.
Lajmin e ka bërë të ditur për fansat regjisori i shfaqjes Mentor Zyberaj përmes një shkrimi në facebook.
“Uroj për këtë sukses bashkëpunëtorët dhe kolegët të cilët janë pjesë e realizimit të shfaqjes. Falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme për kontributin e pjesëmarrjes në Festival!”, është shprehur regjisori Zyberaj.
Regjinë dhe interpretimin e shfaqjes “Ëndërrat e Hamletit” e ka realizuar aktori dhe regjisori, Mentor Zymberaj, përderisa tekstin e ka shkruar artistja Nina Mazur./KultPlus.com
Një adaptim i një prej librave më ikonikë të të gjitha kohërave, “Njëqind vjet vetmi” i Gabriel Garcia Marquez do të vijë në Netflix.
Një trailer u lançua për seritë që bëjnë fjalë për familjen me shumë gjenerata nga qyteti mitik i Macondo dhe për murtajën që i përndjek ato.
Traileri i prezanton shikuesit me familjen Buendia dhe tregon sesi historia do të zgjasë me gjenerata të tëra.
Gjithashtu përfshin një linjë dialogu – linjën hapëse të romanit të Garcia Marquez: “Shumë vite më von, përpara skuadrës së pushkatimit, Kolonel Aureliano Buendia do kujtohej për atë pasdite të largët kur i ati e çoi të zbulonte akullin.”
Fansat do të shpresojnë që ky do të jetë një adaptim që i qendron besnik librit por nuk do jetë asesi e lehtë të përshtasësh romanin ikonik.
Nuk ka ende një datë të saktë për “Njëqind vjet vetmi” por Netflix premton që do të vijë “së shpejti”.
Marrë parasysh që kemi tashmë një trailer, besohet se seriali do të shfaqet dikur mes Qershorit dhe Shtatorit të 2024.
Seriali do të ketë në regji Laura Mora dhe Alex Garcia Lopez dhe përshkruhet nga Netflix si një prej produksioneve më ambicioze në Amerikën Latine deri më tani.
Seriali u filmua tërësisht në spanjisht dhe u xhirua në Kolumbi me mbështetjen e familjes së Garcia Marquez.
Romani tregon historinë e familjes Buendia dhe patriarkut të saj Jose Arcadio Buendia, që themeloi qytetin fiksional të Macondos. Është një nga modelet e parë të realizmit magjik dhe konsiderohet si kryevepra e Garcia Marquezit./tema/KultPlus.com
Shkrimtari i “Trilogjisë së Nju Jorkut” dhe “Leviathan” ka vdekur nga ndërlikimet e kancerit në mushkëri. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë dhe është një shkrimtar i nderuar në Francë, të cilën ai e konsideronte “shtëpinë e tij të dytë”.
Paul Auster, autori amerikan, veprat e të cilit përfshijnë “Trilogjinë e Nju Jorkut” ka vdekur në moshën 77-vjeçare pas komplikimeve nga kanceri në mushkëri.
Auster vdiq në shtëpinë e tij në Brooklyn, Nju Jork, sipas New York Times, duke cituar një mik të romancierit. Diagnoza e Auster me kancer u njoftua për herë të parë vitin e kaluar nga gruaja e tij dhe autorja tjetër Siri Hustvedt.
I lindur në Nju Xhersin fqinj, Auster u bë një ikonë letrare në Nju Jork gjatë viteve 1980 me vepra si “Trilogjia e Nju Jorkut”, të cilat vendosën një kthesë filozofike në zhanrin e detektivëve.
Veprat e tjera të tij kryesore përfshijnë “Moon Palace” (1989), “The Book of Illusions” (2002) dhe “The Brooklyn Follies” (2005).
Romanet postmoderne dhe shpesh ekzistencialiste të Auster-it, temat e të cilave shpesh rrotullohen rreth humbjes në të gjitha permutacionet e saj, janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Ata janë jashtëzakonisht të popullarizuar në Evropë.
Ai fitoi çmimin e huaj Médicis për “Leviathan” në 1993 dhe është një shkrimtar i nderuar në Francë, të cilën e konsideronte “shtëpia e tij e dytë”./euronews/KultPlus.com
Filip Gjergji i lindur 1 maj 1927 njihet si themeluesi i koreografisë shqiptare në Shkodër. Pinjoll i familjes së njohur Gjergji të ardhur nga Mirditë në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës para qindra vitesh është i afërm dhe i përfaqësuesit kualitet të jareve shkodrane Ndrek Gjergji, shkruan KultPlus.
Bashkohës dhe koleg i personaliteteve të artit si Fadil Kraja dhe Prenk Jakova, Filipi është dhe autor i disa botimeve si “Barcoleta shkodrane”, “Për Shkodrën dhe njerëzit e saj” si dhe pritet të botojë Historikun e Serenatës së parë të mbërritur nga Spanja në qytetin e humorit, argëtimit dhe kulturës.
Gjergji u radhit në grupin më të madh të valleve me artistë të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Në këtë grup kërceu si solist në disa valle.Ky grup iu bashkëngjit Ansamblit Kombëtar Popullor që mori pjesë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest. Kanaçi, nga kujtimet e tij, më ka treguar se”në këtë evenimet Filip Gjergji ishte korifeu i disa valleve popullore, me të cilat la mbresa të thella,një baletmaestër hungarez foli mbi finesën e tij.”Për fat të keq grupi u shpërnda, sapo erdhi nga Hungaria…” Në vitin 1949 Filipi u emërua koreograf në Shtëpinë e Kulturës ,Shkodër,të cilin e drejtonin tre personalitete:Prenk Jakova,kompozitor, AndreaS, regjisor dhe Filipi.
Vlerësimet për Filip Gjergjin mbeten gjithnjë në kontekstin,jo vetëm të mirënjohjes për një mësues,po shtrihen më gjërë në parimet e kujtesës , kur na duhet të kthejmë sytë dhe të shohim se si jeta e një artisti sillet në hapësirën e kohës, por i tejkalon ato në përmasat e dhënies së ndihmesës për artin,sidomos për artistë të tillë që vunë bazat e koreografisë kombëtare dhe, me modelin e tyre, bëhen shembull frymëzues për artistët e rinj.Arti i fuqishëm mbetet gjithnjë një përcjellje vlerash që ushqjejnë njëra tjetrën si rrjedhat e një lumi të pashtershëm.Në këtë hulli Filip Gjergji është një shembull frymëzues dhe ,nga krijimtaria e tij e niveleve të larta artistike, jo vetëm mund të mësosh, por edhe frymëzohesh… /KultPlus.com
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.
Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.
Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës./KultPlus.com
Nga qershori deri në shtator, turistët spanjollë do të mund të shijojnë një verë idilike mes brigjeve blu dhe Alpeve të mahnitshme shqiptare, shkruan e përditshmja spanjolle “Gaceta del Turismo”.
Agjencia turistike “Soltour” ofron udhëtime ekskluzive në Shqipëri nga 15 qytete spanjolle me fluturime direkte duke përfshirë akomodimin.
Vera është sezoni perfekt për të eksploruar Shqipërinë, një destinacion trendi që fsheh disa nga sekretet e ruajtura më mirë në Evropë.
Operatori turistik ka nisur një operacion ekskluziv të fluturimeve direkte drejt Tiranës, kryeqytetit shqiptar, nga gjithsej 15 qytete spanjolle, si Madridi, Bilbao, Valencia, Zaragoza apo Sevilja, ndër të tjera.
Udhëtimet me fokus të theksuar rajonal, u ofrojnë turistëve nga e gjithë Spanja mundësinë për të nisur një aventurë unike dhe për të zbuluar një destinacion të pakrahasueshëm siç është Shqipëria.
Zbulimi i zemrës së Shqipërisë është i mundur duke filluar me Tiranën e gjallë, ku udhëtarët do të jenë në gjendje të eksplorojnë Muzeun Kombëtar të Historisë, të admirojnë arkitekturën e epokës komuniste dhe të shijojnë jetën e gjallë të natës në kryeqytet.
Por, përtej kryeqytetit, udhëtarët do të mund të zbulojnë edhe Golemin, një fshat bregdetar në perëndim të vendit.
Gjithashtu, Shqipëria ofron plazhe të qeta me rërë pranë Adriatikut, perfekte për t’u çlodhur në një nga brigjet më të famshme të viteve të fundit, një kartolinë idilike që çdo udhëtarë mund ta përjetojë.
Itinerari përfshin edhe Durrësin, një qytet plot histori që mund të zbulohet duke ecur deri në amfiteatrin e tij romak dhe shëtitoren e tij.
Për ta përmbyllur, turi përfshin një udhëtim të fundit nga Radhima në Vlorë.
Plazhet e pastra kristal dhe gjiret e fshehura ofrojnë një mjedis ideal për të shijuar kuzhinën lokale buzë detit, ndërsa zbuloni anën më pak të njohur të Shqipërisë.
Udhëtarëve u ofrohet një mundësi unike për të vizituar një nga xhevahiret e fshehura në Evropë.
Turistët spanjollë mund të përjetojnë një verë plot përvoja të reja në destinacionin e ri dhe tërheqës, Shqipërinë./atsh/KultPlus.com
Një hapësirë e re kulturore i është shtuar kryeqytetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA).
Kjo sallë shumëfunksionale, e çelur sot në prani të dhjetëra studentëve të Universitetit të Arteve (UA) do të shërbejë si kinema, sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh.
Me rastin e hapjes së kësaj salle, DPA-ja dhe UA-ja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që i hap udhën kryerjes së një sërë projektesh artistike dhe kulturore.
Përfaqësuesit e dy institucioneve bashkëpunuese, Drejtori i Përgjitshëm i DPA-së, Prof. Dr. Asoc. Ardit Bido dhe rektori i UA-së, Prof. Kastriot Çaushi, u dakordësuan mbi kushtet e një marrëveshjeje 5-vjeçare, që parashikon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Kjo marrëveshje synon po ashtu të sigurojë qasje të lehtësuar për studentët e të gjitha cikleve, si edhe për pedagogët e UA-së, në pasurinë arkivore që zotëron DPA-ja.
Në fjalën e mbajtur, Bido tha se përmes kësaj salle, ofrohet një mundësi shumë e mirë për rininë shqiptare për të shpalosur talentin e saj në disa gjini artistike.
“Është kënaqësi që inaugurojmë një ambient të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Një sallë multifunksionale që do të shërbejë si sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh. Në kuadër të riorganizimit të hapësirës së jashtme të DPA-së, ne duam të zhvillojmë aktivitete kulturore dhe duam t’ia ofrojmë rinisë shqiptare këtë sallë, së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur, që të mund të shpalosë talentin e vet. E nisim bashkëpunimin me Universitetin e Arteve. E falenderoj shumë rektorin për gatishmërinë.”- është shprehur Bido.
Në fjalën e tij të rastit, Çaushi shprehu vlerësimin dhe befasinë për këtë nismë, që e ka shndërruar Arkivin në një alternativë kulturore.
“Në këtë sallë gjej befasinë e një salle që më emocion dhe më gëzon, ku do të shfaqet jeta ime dhe e kolegëve të mi, që është filmi. Pasi komunikova me drejtorin tuaj, kuptova që në Arkiv kishte një realitet tjetër. Është një hapësirë që mund ta perdorim. Edhe hapesira jashtë, mund të përdoret për teatër, balet, ekspozitë pikture, dhe për shfaqje muzikore. Ndërkohë që kjo sallë mund të ishte një depo, ju e keni shndërruar në kinema të vogël. Jam vërtet i lumtur. Shoh një realitet krejt tjetër.”- tha Çaushi.
Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike të realizuara nga studentë të ciklit master në UA “Vragë” nga Mario Çaçi, “Punë e pambaruar” nga Redi Jata, “5 1sha” nga Dionis Prifti, “Obituari i nesërm” nga Renis Hyka dhe “Hi në tapet” nga Enea Gramo dhe Enton Lazaj.
Në angazhimin e shprehur përmes kësaj marrëveshjeje, DPA-ja merr përsipër vënien në gatishmëri të hapësirës pa pagesë, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në marrëveshje. Në këtë marrëveshje përfshihen shfaqja e filmave dokumentarë, vënia në skenë e shfaqjeve të ndryshme prej trupës studentore të UA-së, aktivitete muzikore dhe të arteve të bukura.
Kalendari i aktiviteteve do të përcaktohet bashkarisht prej institucioneve, me shkrim ose në formë elektronike, minimalisht 30 ditë para datës së parashikuar të aktivitetit përkatës. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.
Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të të rinjve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur me një kapacitet prej 140 ulësesh, me Hapësirën e Studimit në Natyrë dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore kryesisht për të rinjtë, që mund të shërbejë njëkohësisht edhe si një pikë atraksioni për turistët./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një takim në Theth me përfaqësuesit e agroturizmit që operojnë atje, ku do të prezantojë paketën e re të mbështetjes për investime në alpe.
I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, Kryeministri u ndal fillimisht në Bunin e Bajraktarit të cilin e cilësoi, Ballkonin e Perëndisë.
Në një videomesazh nga Buni i Bajraktarit, Rama bëri të ditur se “do të diskutojë me ata të cilët kanë hapur dyert dhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik, për paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male”.
Rama tha se kjo paketë do t’u hapë rrugën të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar dhe punojnë pa pushim duke kursyer.
“Kursimet e tyre mund t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë shpërndarë lart e poshtë. Me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se sa fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo do t’i japë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë, falë turizmit dhe falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri.
“Janë edhe më shumë turistë këtë vit se 10 milionë të vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit, mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”, tha Rama.
Ndërsa Spiropali nënvizoi zhvillimin që ka marrë zona e Alpeve.
“Këtu jemi në qendrën e Alpeve, pak më vonë do të shkojmë në Theth dhe do t’i biem përqark gjithë kësaj unaze, që si asnjëherë ka marrë një zhvillim të ri dhe besoj do të sjellë jo vetëm më shumë turistë, por edhe më shumë begati për gjithë banorët e kësaj zone”, tha ajo.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se do të fillojë loti i dytë i rrugës së Dukagjinit, shumë i mirëpritur nga banorët e zonës. “Sot makineritë janë atje, na presin të fillojmë komandën për të bërë edhe 30 km rrugë të tjera”, tha ai.
Kryeministri u shpreh: “Ka edhe një tjetër plan shumë ambicioz, por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët dhe Shkodërlocen, që tani me krahët e rilindjes do të fluturojë lart e më lart dhe do të kthehet në atë lartësi të cilën e kanë dashur dhe kënduar poetët e vetë të jashtëzakonshëm”./atsh/KultPlus.com
Duke synuar të kenë aeroportin më të madh dhe më spektakolar në botë, të gjithë sytë janë nga Dubai, duke promovuar zbatimin e një investimi prej 35 miliardë dollarësh.
Siç raporton Al Jazeera, puna për zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar Al Maktoum tashmë ka filluar.
Kur të përfundojë aeroporti, ai do të jetë më i madhi në botë.
Kryeministri dhe nënkryetari i Dubait, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, tha të dielën se aeroporti i ri do të jetë pesë herë më i madh se aeroporti aktual ndërkombëtar i Dubait.
Do të ketë pesë pista, 400 porta dhe me kapacitet për të shërbyer deri në 260 milionë pasagjerë në vit, sipas asaj që është paralajmëruar zyrtarisht, padyshim do të jetë më e ngarkuara.
Të gjitha operacionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait do të transferohen, gradualisht gjatë viteve të ardhshme, në Aeroportin Ndërkombëtar Al Maktoum.
“Dubai do të bëhet aeroporti i botës, porti i tij dhe qendra e re globale”, thekson Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum.
Paul Griffiths, shefi ekzekutiv i Dubai Airports, tha se këto lëvizje do të vendosin Dubain si një qendër kryesore ndërkombëtare të aviacionit./alsatm/ KultPlus.com
KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.
Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?
Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.
Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.
Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.
lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.
U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.
E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?
Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.
Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)
Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.
U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:
Pse u skuqët?
Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik
U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?
Dukej e frikësuar:
– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?
Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.
Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:
Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.
Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:
Zotëri, zotëri!
Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:
Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…
Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.
S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.
Pa menduar fare, e kapa për krahu.
Atëherë, ju kujtohet?
Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:
– Më kujtohet vazhdimisht .
Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com
Eja, mbretëreshë e puthjeve, lule e shfrenuar buzëqeshje e çmendur, dashnore pa dashuri… Eja, unë ta di dhimbjen që gëzimin ka kapluar dhe lutjen e hidhur që në gojë të rri.
Unë s’të ofroj dashuri, kur ti i thua jo dashurisë; e di sekretin tënd, virgjëreshë e njollosur; Dashuria është armike e kënaqësisë në të cilën hidhërimin tonë kemi fundosur.
Të duhemi… Tash ajo kohë ende s’ka ardhë! Ty dhe mua na çojnë dallgët përpjetë. Në t’njëjtën kohë, jemi shenjtorë dhe mëkatarë; Në t’njëjtën kohë, jemi mbretër dhe të shkretë!
Unë e di që t’njëjtët që na adhurojnë thellë-thellë njëlloj na përbuzin mua e ty. Dhe të drejtë janë zërat që na nënçmojnë… S’ka çmim ajo që shesim ne të dy.
Kështu, të dy: ti – dashuri, unë – poezi, e japim për ar botën që e përçmojmë… unë shpirtin; trupin prej perëndeshe, ti; Eja të qeshim bashkë, teksa vajtojmë.
I riu, tek ne, s’dëshiron tjetër veç Natyrshmërisë të bëjë, mes poezive dhe bakanaleve, dhuratën perandorake të bukurisë, dritë, në rrugën e errët të vdekatarëve.
Oh! Ngrije kokën, lule e mbushur me gjallëri që fal hijeshi, kënaqësi, ngjyra, aroma… Thuaju me atë gojë epshore plot freski që nuk janë të kësaj bote dashuritë tona!
Në fat, rrugëtimi i njëjtë na ka rënë pjesë , një ankth i ngjashëm na ngre e s’ka të kryer, derisa të ngatërrohen përgjithmonë në harresë, hijeshia jote e kalbur dhe vargu im i thyer.
Le ta kryqëzojmë rrugën tonë të Fatkeqësisë ballëlartë, duart kapur t’i kemi Eja me mua, mbretëreshë e bukurisë, Kurtizane dhe poetë, të një gjaku jemi!/ KultPlus.com
“Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur. S’ka të vërtetë, s’ka sinqeritet, s’ka forcë, s’ka mirësi që mund ta shërojë atë dhimbje.
E gjitha që mund të bëjmë është të shohim përmes saj deri në fund dhe të mësojmë diçka prej saj, por ajo që do ta mësojmë nuk do të na ndihmojë në përballjen me dhimbjen tjetër, e cila vjen tek ne pa paralajmërim.”
“Nuk më intereson se çfarë do të bësh me mua, por vetëm nuk dua të më lëndosh. Tashmë kam pasur mjaftueshëm lëndime në jetën time. Më shumë se mjaftueshëm. Tani dua të jem e lumtur.”
“Nuk është se ne nuk përshtateshim. Ne thjeshtë skishim asgjë për të thënë.”
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.
Kurti, në një postim në rrjetin social Instagram, tha se programi ‘Kompakt’, është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë është, kurse vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga SHBA-ja.
“Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot. 236.7 milionë dollarë është vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovë”, ka shkruar Kurti në Instagram.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në vendin tonë.
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantohet me një koncert me solistët Erëmira Çitaku dhe Meriton Ferizi, nën drejtimin e dirigjentit britanik, Chris McCracken.
Repertori i mbrëmjes përfshinë “Koncert për flaut Nr. 1” nga francezi André Jolivet në interpretim të flautistes Çitaku dhe Orkestrës Harkore.
“Një prej veprave më të njohura të shkruara për instrumentin e fagotit “Koncert për fagot Nr. 2” nga kompozitori gjerman Franz Danzi, vjen premierë për publikun e Prishtinës. Kjo në interpretim të orkestrës dhe fagotistit të parë të Filharmonisë së Kosovës Meriton Ferizi.
Në pjesën e dytë të koncertit, do të interpretohet “Simfonia Nr. 8” e kompozitorit Antonín Dvořák”, thuhet në njoftim.
Koncerti mbahet më 11 maj, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë./KultPlus.com
Shfaqja ‘Ëndërrat e Hamletit’ me regji të Mentor Zyberajt ka marrë vlerësim të lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “OTHER VOICES” , në Teatrin La Abrego, në Spanjë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur regjisori i shfaqjes Mentor Zyberaj përmes një shkrimi në facebook.
“Uroj për këtë sukses bashkëpunëtorët dhe kolegët të cilët janë pjesë e realizimit të shfaqjes. Falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme për kontributin e pjesëmarrjes në Festival!”, është shprehur regjisori Zyberaj.
Regjinë dhe interpretimin e shfaqjes “Ëndërrat e Hamletit” e ka realizuar aktori dhe regjisori, Mentor Zymberaj, përderisa tekstin e ka shkruar artistja Nina Mazur./ KultPlus.com
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.
Në fjalën e saj, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ky projekt nuk është vetëm investim në energji, por edhe në të ardhmen e vendit.
Ajo tha se në qendër të këtij projekti është transformimi i sektorit të energjisë nëpërmjet parimit të barazisë.
Osmani theksoi se MCC fokusohet në projekte që synojnë ruajtjen e energjisë në bateri e që si të tilla do ta revolucionarizojnë sektorin e energjisë së Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti Kurti theksoi se me këtë program synohet që të sigurohet që të rinjtë e vendit që janë të përgatitur profesionalisht të marrin pjesë në sektorin e energjisë moderne në të ardhmen.
Ai gjithashtu premtoi se do të rritet edhe pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë, të paktën 33 për qind deri në vitin 2031.
Kurse në fjalën e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dha më shumë detaje në lidhje me këtë grant.
Ai tha se kompaktet janë grante 5-vjecare mes MCC dhe vendeve që i plotësojnë disa kritere, duke shtuar se është me rëndësi që Kosova është pjesë e atyre vendeve.
Poezi nga Gabriel García Márquez Përktheu: Albert Bikaj
Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia, të lësh pas shokët të tentosh të fluturosh; të fluturosh duke mësuar drejtime të tjera duke kaluar nëpër shtigje Do të thotë tentim për të ndryshuar. Të udhëtosh do të thotë të vishesh si i çmendur të thuash “nuk më intereson”, do të thotë deshirë për tu rikthyer. Rikthim duke vlerësuar imsirat Teksa shijon një gotë, do të thotë deshirë për të filluar.
Të udhëtosh do të thotë të ndihesh si poet, Të shkruash një letër, të dëshirosh një përqafim. Të përqafojnë kur të mbërrish pran portës Duke mallëngjyer qetësinë do të thotë të lëjosh që të puthesh.
Të udhëtosh do të thotë të bëhesh tokësor të njohësh njerëz të tjerë t’ia fillosh nga e para. Të shtrishë dorën, të mësosh nga i forti, [do të thotë] të ndihesh i vetmuar.
Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia, të vishesh si i çmendur Duke thënë çdogjë e asgjë në një kartolinë. Do të thotë të flesh në një shtrat tjetër, të ndjesh se koha është e shkurtër, të udhëtosh do të thotë të kthehesh pas. /KultPlus.com
Në fundprillin e vitit 1957 lexuesi shqiptar mori romanin e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzerit “Një tragjedi amerikane” në dy vëllime, të shqipëruar nga Bujar Doko. Po nga ky autor në vitin 1965 u përkthye dhe u botua romani “Gjeniu”. Të dy veprat janë ribotuar disa herë në vendin tonë. Ato janë përkthyer e botuar edhe në Prishtinë.
“Një tragjedi amerikane” u botua në dhjetor 1925 në dy volume. Me këtë vepër, Drajzer krijoi një rrëfim prekës dhe në të njëjtën kohë të fuqishëm mbi rininë në shoqërinë industriale amerikane. Për vite të tëra, Drajzer kishte mbledhur të dhëna mbi histori të ndryshme të djemve të rinj të dëshpëruar për një vend në shoqëri. Në veçanti, vëmendjen e autorit e tërhoqi çështja e Chester Gillette. Në rajonin Herkimer, Nju Jork, në vitin 1906, Gillette nxori për shëtitje në liqen të dashurën e tij shtatzënë dhe e la të mbytej. Autori i krimit makabër u zbulua shumë shpejt dhe Gillette u dënua me vdekje në karrigen elektrike, vendim që u zbatua në mars 1908.
Gillette ishte personazhi mbi të cilin u krijua Klajdi i Drajzerit. Një i ri i cili fillon punë në fabrikën e xhaxhait të tij dhe që dyzohet mes ndjenjës për një vajzë të thjeshtë dhe ambicies për lidhje me një vajzë të shoqërisë së lartë. Ambicia rezulton më e fortë. Klajdi mëson për shtatzëninë e të dashurës punëtore dhe vendos ta heqë qafe, në kuptimin e parë të fjalës. Klajdi e lë vajzën shtatzënë të mbytet në liqen, megjithatë shpresat e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë së lartë mbyten bashkë me vajzën: Klajdi arrestohet, dënohet dhe ekzekutohet në karrigen elektrike.
Për të shkruar romanin e njohur, Drajzer bëri muaj të tërë kërkime në të dhënat gjyqësore dhe raportimet e gazetave mbi çështjen Gillette-Brown. Qëllimi i Drajzerit nuk ishte të tregonte një histori pasioni dhe krimi, një histori të një vrasësi gjakftohtë. Ndërsa lexon librin, nuk i shpëton dot një lloj keqardhjeje për Klajdin, edhe pse krimi që kreu është makabër. Klajdi ishte fajtor, por edhe viktimë në të njëjtë kohë, viktimë e sistemit, kohës, shoqërisë në të cilën jetoi./Hejza/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e lansimit të programit “Kompakt”, ka thënë se është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë.
Sipas saj, ky event përveç shënimit tonë të bashkëpunimit të suksesshëm po ashtu përbën edhe fuqizimin e vendit.
“Ky kompakt përfaqëson më shumë se sa një grant, është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë. Marrëdhënie e ndërtuar në vlera, respekt të përbashkët për prosperitet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se SHBA kanë mbështetur Kosovën dhe kanë qëndruar pranë nesh edhe në ditët më të vështira në secilin hap të saj, duke përpjekur në zhvillimin ekonomik dhe atë demokratik.
“Kompakti që po lansojmë sot nuk është vetëm investim në infrastrukturën e energjisë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, por është investim për të ardhmen e Kosovës dhe njerëzve të saj”, tha presidentja e vendit.
Ajo, tutje shtoi se në qendër të këtij projekti që po lansohet sot është transformimi i energjisë përmes zbatimit të solucioneve inovative dhe vendosja e parimit të barazisë, si parakusht në qëndrueshmërinë në botën e energjisë .
“Si e tiullë MCC-ja fokusohet kryesisht në projektet e ruajtjes së energjisë në bateri që do ta revolucionalizojë energjinë e Kosovës, të adresojë sfidat më të mëdha të Kosovës e të rajonit që është qëndrueshmëri e energjisë dhe besueshmëria në të”, tha mes tjerash presidentja Osmani./rtk/ KultPlus.com
Me një letër dërguar opinionit ndërkombëtar, anëtarët e PEN Qendrës Ndërkombëtare, shkrimtarë dhe shkrimtare nga hapësira e ish- Jugosllavisë, kanë shfaqur shqetësimin për situatën e përgjithshme në Ballkanin Pereëndimor dhe për këtë kanë fajësuar regjimin e Beogradit për shka të qëndrimit luftënxitës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi.
Shqetësimit të këtyre PEN Qendrave, u bashkohet edhe PEN Qendra e Kosovës.
Në vazhdim, letra e PEN Qendrave:
“Ne, anëtarët dhe anëtaret e PEN Qendrës Ndërkombëtare, shkrimtarë dhe shkrimtare nga hapësira e ish-Jugsllavisë, ia tërheqim vëmendjen opinionit botëror për rrezikun e qartë dhe të shpejtë nga konfliktet në territorin e Ballkanit Perëndimor.
Vite më herët, narrativat agresive të nacionalsitëve serbë ndihmuar nga regjimi në Beograd dhe nga një pjesë e klerit të Kishës Ortodokse Serbe, destabilizuan rajonin, para së gjithash Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën.
Me fillimin e invadimit rus në Ukrainë, retorika gresive serbomadhe përforcohet në gjithë ish-Jugosllavinë. Regjimi në Beograd dhe regjimi në Banjallukë (entiteti i Republikës Serbe, B e H), nuk fshehin simpatitë ndaj apetiteve imperialiste të Rusisë dhe as rëndësinë e përkrahjes së regjimit në Kremlin.
Në shtatorin e vitit 2023, përshkallëzimi i armatosur filloi me sulmin terrorist në Banjskë (Kosovë), ndërsa, sa vie e afrohet votimi për rezolutën e KB-së për gjenocidin srebrenicas, kërcënimet e Milorad Dodikut me shkëputje të Republikës Serbe po forcohen dhe këto nuk do të duhej nënçmuar. Pranimi i pritshëm i Kosovës në Këshillin e Europës është edhe një pikë kritike, sepse regjimi i Aleksandër Vuçiqit nuk po tregon asnjë gatishmëri për bashkëpunim, paqe dhe kompromis. Përkundrazi, me paralajmërimin për tubime serbomëdha me organizim të shtetit të Serbisë dhe të Kishës Ortodoske, qëndrimi luftënxitës i regjimit të Beogradit bëhet i qartë dhe i rrezikshëm.
Regjimi agresiv beogradas, i cili pafshehur dhe haptas po armatoset, është burimi kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Njëherë në të kaluarën, kjo narrativë e po këtyre qarqeve, na ka shtyrë në luftën e përgjakshme dhjetëvjeçare në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Duhet ta dimë rrezikun dhe duhet ta ngrëmë qartë zërin kundër konflikteve të armatosura në territorin e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast apelojmë te regjimi i Beogradit që të pranojë pajtimin si opsion të vetëm të mundshëm politik në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Poashtu apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që të reagojë urgjentisht ndaj këtij rreziku dhe të bëjë çdo gjë që është në forcën e saj ashtu që flaka e luftës të mos ndizet sërish në Ballkanin Perëndimor.
Theksojmë se ky apel nuk është drejtuar kundër popullit serb, por, përkundrazi, ka për qëllim që edhe atë ta mbrojë nga regjimi që po e shtyn edhe më tej në konflikte në rajon, dhe më së shumti t’i mbrojë ata që kanë guximin t’i kritikojnë veprimet e regjimit aktual në Serbi,
Të shqetësuar, ju lusim për bashkëpunim dhe paqe”, përfundon letra të cilën e kanë nënshkruar anëtarët e PEN Qendrave:
Adil Olluri Adnan Čirgić Ag Apolloni Agron Gashi Ahmed Burić Ajla Demiragić Aleksandar Radoman Alida Bremer Almir Alić Aljaž Koprivnikar Amir Brka Andrea Lešić Andrej Nikolaidis Anton Berishaj Antonije Nino Žalica Artan Krasniqi Asmir Kujović Avni Spahiu Aziz Mustafa Barbara Pogačnik Binak Kelmendi Boban Batrićević Boris A. Novak Branko Čegec Diana Burazer Dije Demiri Frangu Dražen Katunarić Dubravka Duba Sambolec Dušan Gojkov Đorđe Šćepović Elvis Ljajić Engjëll I. Berisha Esad Duraković Fahredin Shehu Faiz Softić Ferida Duraković Flamur Maloku Gëzim Aliu Ibrahim Berisha Ibrahim Kadriu Iva Grgić Maroević Ivan Herceg Ivan Radeljković Izet Perviz Jasna Šamić Jelena Luzina Jelena Šušanj Lana Derkač Lidija Dimkovska Lila Cona Lindita Tahiri Lulzim Tafa Marijan Grakalić Marko Vidojković Milan Jazbec Milazim Krasniqi Milena Šmit Milorad Popović Monika Žagar Nadežda Čačinović Naim Kryeziu Naime Beqiraj Nataša Konc Lorenzutti Nenad Popović Nerimane Kamberi Nerzuk Ćurak Nihad Hasanović Osman Gashi Safer Grbić Said Khatibi Sali Bashota Sanja Orlandić Sanja Roić Sanja Šoštaric Selma Raljević Senada Kreso Sibila Petlevski Sonja Zubović Šuhreta Dumanić Tanja Miletić Oručević Tanja Tuma Tijana Rakočević Tomica Bajsić Vahid Duraković Vahidin Preljević Vanda Mikšić Vesna Mikolič Vladimir Martinovski Vladimir Martinovski Xhevahire Izmaku Zlatko Topčić Zoran Anchevski Zvonko Maković/ KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se deri më sot, nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave Covid-19, në Kosovë.
Këtë e konfirmon në një përgjigjie për klankosova.tv, vet kjo ministri, kur u pyet mbi mundësitë e ndonjë pasoje që mund të kenë qytetarët nga vaksina AstraZeneca, kompani e cila e pranoi për herë të parë në një proces gjyqësor, se mund të shkaktojë mpiksje fatale të gjakut.
”Në Kosovë, me qëllim të monitorimit të efekteve të padëshiruara (efekteve anësore) të vaksinave gjatë vaksinimit kundër COVID-19 është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara dhe se përkundër administrimit të rreth 1.9 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 (shumica dërmuese të Pfizer/Biontech), nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i këtyre vaksinave në Kosovë”.
Tutje Ministria e Shëndetësisë thotë se shumica dërmuese e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech dhe sipas saj AstraZeneca u përdor në fillet e para të pandemisë.
”Vaksina të Astra Zeneca janë përdorur vetëm në fillim, kur MSH kishte siguruar një kontigjent të vaksinave Astra Zeneca përmes OBSH-UNICEF-Gavi -Aleanca globale e vaksinave (24. 000 doza nga GAVI dhe me pas një numër dozash donacion nga Norvegjia)”.
Megjithatë, kjo ministri, në përgjigjiet e saj për klankosova.tv, shton se qysh në lansimin e saj në treg, AstraZeneca kishte njoftuar se mpiksja e gjakut dhe efektet anësore janë të mundshme tek një grupmoshë.
”Që nga fillimi i përdorimi të kësaj vaksine në nivel global, kompania Astra Zeneca, kishte njoftuar se mpiksja e gjakut mund të jetë një nga efektet anësore te mundshme (sidomos te moshat nen 40 vjeç), por e rrallë dhe se, “benefitet e përdorimit të vaksinës janë shumëfish më të larta se sa rreziqet”.
Derisa pyetur nga Klani nëse kanë bërë ndonjë hulumtim për efektet anësore potenciale tek të vaksinuarit e deritashëm nga secili lloj i vaksinës, Ministria e Shëndetësisë konfirmon se komiteti që mbikëqyr rastet mbetet ende aktiv.
”Ky komitet është edhe tani aktiv dhe përcjell çdo të re rreth vaksinave në përdorim dhe ngjarjeve të lidhura me to”.
Interesimi i Klan Kosovës, erdhi pasi AstraZeneca ka pranuar për herë të parë në dokumentet gjyqësore se vaksina e saj Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë.
Sipas britanikes, Telegraph, avokatët argumentojnë se vaksina prodhoi një efekt anësor shkatërrues në një numër të vogël familjesh.
Gjigandi farmaceutik po përballet me një padi grupore në Britani, për pretendimet se vaksina e tij, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, shkaktoi vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore solli mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shfaqjen “Këngët e Atdheut tim”. Koncerti me pjesëmarrjen e një numri të madh këngëtarësh, u realizua në nder të Mjeshtrit të Madh të Penës dhe Polifonisë së Jugut, Lefter Çipës, “Nderi i Kombit”.
Vlerat muzikore, pjesë korale të përpunuara nga krijimtaria e mjeshtrit Çipa dhe ndërthurje e polifonisë vokale me instrumentet popullore, si dhe etydi koreografik, erdhën nga orkestra, solistët, grupi vokal, grupi i valleve të AP-së, si dhe grupeve të ndryshme polifonike.
Për herë të parë erdhi në duet diva e TKOB, Eva Golemi me legjendën e rocku-t shqiptar Aleksandër Gjoka, në një përpunim të këngës së famshme “Tundu bejke e bardhë” nga kompozitori dhe drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar, Sokol Marsi.
Koncerti pati pjesëmarrjen e veçantë të artistit Bujar Asqeriu “Nder i Kombit”, solistëve: Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Gjezo, Mirela Aliaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka; solistëve valltarë: Gëzim Halili, Helga Saraçi, Marjana Shkreta, Rei Berisha, Frenki Ziaj. Pjesëmarrës në koncert ishin edhe Irini Qirjako, Petrit Lulo, Artur Vera, Bashkim Alibali, Hatixhe Lushi, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Pilurit e shumë artistë të tjerë.
Poeti Lefter Çipa (Pilur, 1942 – 2021) është autori më prodhimtar i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike. Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore dhe ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në Festivalet Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë.
Lefter Çipa është nderuar me çmime dhe dekorata, ndër të cilat edhe me dekoratën më të lartë, “Nderi i Kombit”./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Çeku ka marr pjesë në prezantimin e Petrit Halilaj në New York, përkatësisht në The Met, ku bëhet edhe artisti i parë shqiptar që prezantohet në këtë nivel kaq prestigjioz, shkruan KultPlus.
Më poshtë e sjellim reagimin e plotë të ministrit Çeku.
Artisti ynë Petrit Halilaj arriti që përmes artit të sjell një pjesë historie të vendit tonë në mesin e komunitetit më prestigjioz artistik të New Yorkut, duke na bërë secilin prej nesh krenar për të dhe Kosovën njëkohësisht.
Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e hapjes së ekspozitës së tij “ABETARE” në muzeun e New Yorkut, The Metropolitan Museum of Art.
Ekspozita u frymëzua nga vizatimet e shkrimet e nxënësve në bankat e shkollës që ai ndoqi në Runik gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, ndërsa për prezantimin në MET zgjeroi hulumtimin në shkolla të tjera ku kishte konflikte, në Shqipëri e vende nga ish-Jugosllavia. Këto vizatime të shndërruara në skulptura metalike sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imagjinative të brezave të studentëve, jetët e të cilëve u shënuan nga konflikte traumatike dhe ndarje territoriale gjatë luftërave në Ballkan.
Përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikan e më gjerë./ KultPlus.com