“Ura me Tri Harqe 2024” është projekti që bën bashkë tri shkolla të larta të artit shqiptar. Ekspozita, pjesë e projektit, u çel në Galerinë Fab, me vepra të përzgjedhura nga studentë të Fakultetit të Arteve Prishtinë, Fakultetit të Arteve Tetovë dhe Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë.
Në faqen online të galerisë FAB shkruhet se, “Ura me Tri Harqe” është aktiviteti më i rëndësishëm artistik për institucionet e larta artistike shqiptare.
Aktivitetet e parashikuara në axhendë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme me evente muzikore, koncerte, shfaqje filmash kinematografike me metrazh të shkurtër, shfaqje të artit dramatik dhe veprash arti pamor, etj.
Në mjediset e galerisë FAB janë vendosur një numër i madh veprash të cilat janë të zhanreve të ndryshme: pikturë, fotografi, skulpturë e instalacion.
Ky është një projekt i përbashkët kulturor mbarëkombëtar i lindur në vitin 2000 dhe që zhvillohet me rrotacion mes 3 vendeve. Këtë vit është edicioni XIV dhe zhvillohet në Universitetin e Arteve në Tiranë./atsh/KultPlus.com
“Prishtina International Theatre Festival”, ka njoftuar se nga data 20 deri më 26 maj do të mbahet hapja solemne e Edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.
Ceremonia e hapjes solemne të PITF 2024 do mbahet të hënën, me 20 maj 2024 nga ora 20:00 në Kolegjin AAB, në prezencën e personaliteteve të rëndësishme të jetës publike e kulturore të Kosovës.
Në natën e parë të festivalit gjithashtu do mund të ndiqni edhe shfaqjen ““Muhammad Ali, the one and only”, nën regjinë e Dino Mustafić nga Teatri Kombëtar i Sarajevës.
Në natën e dytë, më 21 maj duke filluar nga ora 19:00, do të shfaqet “The Feral Womxn” me regji nga Jemima Rose Dean.
Në po të njëjten natë, do të jepet për publikun edhe shfaqja “Bretkosa” nga teatri Faruk Begolli dhe me regji të Burbuqe Berisha, kurse shfaqjen “Father and Father” me regji të Kushtrim Koliqit, mund ta ndiqni më 22 maj, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com
“Mrizi i Zanave” tash e sa vjet e ka vendosë Shqipërinë në hartë të botës, dhe kjo gjithnjë për përkushtimin e madh që ka themeluesi i saj Altin Prenga, shkruan KultPlus.
Prenga sot ka datëlindjen, dhe si gjithnjë që vjen me ide konkrete, edhe datëlindjen e tij e ka shndërruar në një moment për plotësimin e ëndrrave të banorëve të Fishtës.
Më poshtë po ju sjellim të plotë kërkesën-dhuratë të Altin Prengës.
Jam Altin Prenga. Sot kam ditelindjen dhe kerkoj nga ju te gjithë si dhurate nga një ndihmë te vogël.
Dua të më ndihmoni ti plotësojmë ëndrren Francesk Gostinit.
Francesku është 21 vjeç dhe banon ne Fishtë. Ai është operuar në zemër dhe nuk ka shumë forcë fizike por ka shumë vullnet dhe pasion për punen. Ëndrra e tij është të ketë një stallë me dhi dhe një zetor te vogël.
Për ti ndryshuar jetën Franceskut na duhen 25,000€.
Personalisht, cdo here kam qënë i idesë që njerëzve nuk ju duhet lëmoshe për ushqime apo shtëpi dhurate por ju duhet punë që të mbajnë familjet e tyre./ KultPlus.com
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e KiE.
Sipas saj, kjo është vetëm çështje kohe.
Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë.
Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë CoE: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike.
I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut sa më shpejt se sa vonë./ KultPlus.com
Bard Books sapo e ka botuar librin monografik për romanin “Pallati i Ëndrrave, “Distopia e Kadaresë”, të studiuesit Besnik Jaha.
Ag Apolloni librin “Distopia e Kadaresë” të Besnik Jahës e ka vlerësuar si monografinë më të plotë për kryereomanin distopik të shkrimtarit të njohur botëror.
“Duke pasur për objekt romanin alegorik Pallati i Ëndrrave, studiuesi Besnik Jaha ka lexuar paralelisht tekstin dhe kontekstin, e, gjithashtu, ka komentuar edhe interpretimet letrare dhe ideologjike që kanë bërë të tjerët për këtë roman”, ka thënë mes tjerash Apolloni.
Besnik Jaha (Prishtinë, 1988) ka kryer studimet baçelor dhe master për Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku vazhdon edhe studimet e doktoratës. Ka botuar studime dhe artikuj të ndryshëm për letërsinë shqipe dhe atë botërore, si dhe hulumtime për fenomene të ndryshme nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë. Nga viti 2020 është editor në revistën kulturore Symbol dhe në shtëpinë botuese Bard Books./ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë shënohet më 17 maj dhe synon të koordinojë ngjarjet ndërkombëtare që rrisin ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBTI.
Në vitin 2013, kur u shënua përvjetori i 9-të i kësaj dite, u zhvilluan ngjarje në pothuajse 120 vende, në të gjitha rajonet botërore.
Themeluesit e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, siç njihej fillimisht, krijuan Komitetin IDAHO për të koordinuar veprimtaritë bazë në vende të ndryshme, për të promovuar ditën dhe për të lobuar për njohjen zyrtare më 17 maj.
Kjo datë u zgjodh për të përkujtuar vendimi për heqjen e homoseksualitetit nga klasifikimi ndërkombëtar i sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1990. / KultPlus.com
Klaudio Findiku është duke e sfiduar vetën në sferën politike, përkatësisht për pozitën e këshilltarit në Komunën Fossalta di Piave në Venezia, shkruan KultPlus.
Me prejardhje nga Durrësi, Findiku ka dhënë një kontribut të madh në fushën e kulturës në Itali, duke qenë drejtues i shoqatave vullnetare kulturore në Itali.
Findiku ka bërë të ditur se është president dhe krijues i çmimit ndërkombëtar “AQUILA D’ORO” shqiponja e artë.
“Ajo që unë kërkoj në emër të listës është të na votoni pasi e ardhmja është në duart tona. Së bashku për të krijuar komunitet për një Fossalta më të mirë” shprehet Findiku.
“Është koha për t’i krijuar hapësirë një gjenerate të re për të udhëhequr. Unë nuk kandidoj për një vend, po kandidoj për ju dhe për të arritur atë që duan qytetarët” ka thënë më pas Findiku. / KultPlus.com
Sot hapet ekspozita fotografike “Kraja Monumentale” në Gjuhadol, lagjja historike e qytetit të Shkodrës.
“Ekspozita “Kraja Monumentale” shënon fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe harmonik mes qytetit të Shkodrës dhe krahinës së Krajës”, bën të ditur Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e cila mbështet në këtë aktivitet Shoqatën “Kraja”. Ky bashkëpunim synon të përforcojë lidhjet historike, kulturore dhe sociale midis këtyre dy vendeve, duke sjellë në vëmendje trashëgiminë e tyre të pasur dhe duke inkurajuar ndërveprimin dhe ndërtimin e një bashkësie të fortë.
Kraja, trevë e malësisë së Mbishkodrës, ka një lidhje të thellë historike dhe kulturore me qytetin e Shkodrës. Kjo lidhje ka evoluar dhe përhapur nëpër shekuj, duke u shfaqur nëpërmjet ngjarjeve historike, traditave kulturore dhe shkëmbimeve të shumta njerëzore.
Ekspozita, e kuruar nga Korab Kraja, përqendrohet në trajtimin e lidhjeve historike-kulturore midis Shkodrës dhe Krajës, duke eksploruar trashëgiminë e tyre të përbashkët dhe influencën reciproke që kanë pasur në zhvillimin e tyre të kulturës dhe identitetit. Përmes fotografive, artefakteve dhe materialeve informative, ekspozita shpalos historinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore të krahinës së Krajës dhe rrethin e Shkodrës.
Kjo ekspozitë synon të inkurajojë një marrëdhënie të ngushtë dhe të qëndrueshme midis qytetit dhe krahinës, duke promovuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe përkrahjen e njëri-tjetrit në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe kulturës për të dy komunitetet./atsh/KultPlus.com
Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?
Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.
Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.
Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?
Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?
Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. / KultPlus.com
Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.
Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.
Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.
Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.
Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.
Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.
Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.
“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.
Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.
“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera
“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.
Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.
“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.
Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.
“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.
“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.
Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.
Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.
“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com
Kanë nisur kremtimet dhe përgatitjet për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve e cila është më 18 maj dhe synon të tërheqë më shumë vëmendje ndaj këtyre institucioneve të artit, kulturës e trashëgimisë.
Me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një listë institucioneve ku do të ketë aktivitete mbrëmjen e nesërme.
“Nata e Muzeve”, 18 maj, në një mbrëmje plot ngjyra dhe muzikë së bashku me Universitetin e Arteve Tiranë dhe me përkrahjen e Bashkive Shkodër, Durrës, Krujë, Korçë, Fier dhe Berat”, shkroi ministri Gonxhja dhe më pas renditi institucionet e angazhuara: Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë; Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Berat; Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër; Kullën Veneciane, Durrës; Muzeun Arkeologjik Apoloni; Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.
Ndryshe nga ditët e tjera të vitit, më 18 maj, muzetë do të rrinë të hapura në pritje të vizitorëve deri në orën 22:00 dhe hyrja do të jetë falas./atsh/KultPlus.com
Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, ka njoftuar se tani e tutje librat e tij mund të shkarkohen përmes faqës së tij elektronike, pa pagesë.
Ai ka bërë të ditur se në faqen e tij gjenden botimet historiografike “Kosova” në tri vëllime, anglisht, “Maqedonia” , anglisht dhe shqip, “Dardania”, “Kosova – histori e shkurtër” dhe “Kthesa historike “1.
Ndërkaq, nga romanet e tij, në faqe gjenden “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Libri i Bllacës”, trilogji, “Trilogjia gjermane”, “Letrat për Kryeprincin”, “Libri i të mallkuarve”, “Jeniçeri i fundit”, “Dosja B” (shqip dhe anglisht), “Mona” dhe “Dushkaja”.
“Në këtë faqe që mund të shfrytëzohet gratis, gjenden edhe shënime. recensione si dhe opinione të autorit. Faqja do të plotësohet me botime tjera në gjuhët e huaja”, ka shkruar Buxhovi.
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt ceremonia e përurimit të Qendrës së ringritur të Studimit të Arteve, si njësi kërkimore afatgjatë e ngritur pranë Akademisë së Shkencave.
Ceremonia u çel në praninë e emrave të njohur të artit shqiptar me një fjalë përshëndetëse nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Për punën e kësaj qendre dhe perspektivat e saj foli akad. Stefan Çapaliku.
QSA është një institucion kërkimor-shkencor pjesë e strukturës së Akademisë së Shkencave, i themeluar në vitin 1986. Ajo ka si objekt studimi: artet figurative, teatrin, kinemanë, muzikën, koreografinë, fushat e bashkëveprimit të arteve.
Studimet teorike dhe ato mbi problemet metodologjike ishin parësore përpara vitit 1991. Ndërsa pas vitit 1993 studimet e historisë së arteve në Shqipëri dhe vështrimet kritike e analitike mbi to zunë vendin kryesor, pa përjashtuar edhe studimet në rrafshin teorik e metodologjik, kur ishte e nevojshme.
QSA i kushtoi vëmendje trashëgimisë dhe traditave në artet shqiptare, duke filluar që nga periudhat e hershme, ajo e mesjetës e deri sot; trajtoi çështje e dukuri që lidheshin me rrjedhat bashkëkohore të arteve në Shqipëri. Ajo funksionoi si njësi unike e organizuar në tre sektorë: ai i arteve figurative, ai i arteve skenike dhe kinematografisë dhe ai i muzikës dhe koreografisë.
Në vitin 2000 QSA ndërmori projektin “Enciklopedia e artit shqiptar”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencës dhe Arteve në Kosovë. QSA boton revistën shkencore “Studime mbi artin”, numri i parë i së cilës ka dalë në vitin 1995.
Në shtator 2007 QSA kaloi si institucion pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, e integruar si departament më vete në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Me reformën shkencore të vitit që shkoi Qendra e Studimit të Arteve doli edhe njëherë si njësi shkencore më vete, duke shtuar organikën e vet, e cila do vazhdojë të jetë në zgjerim./atsh/KultPlus.com
Shitet në ankand 35 milionë dollarë një pikturë e Claude Monet. Ka zgjatur vetëm 8 minuta “lufta” e ofertave për të patur ‘Meules a Giverny”, e përfunduar në vitin 1893 nga gjigandi i impresionizmit.
Ankandi është zhvilluar në New York, pasi online u hapën edhe shitjet për rreth 50 piktura të artit modern me vlerë prej të paktën 235 milionë dollarë.
Claude Monet ishte një ndër themeluesit e impresionizmit francez, ku drita është elementi thelbësor, pasi nxjerr në pah ngjyrat dhe mënyrën si perceptojmë botën. Shumica e pikturave të tij janë peisazhe të larmishme. Piktura e tij “Le basin aux ninpheas” vitin e kaluar u shit në ankand për shifrën rekord prej 74 milionë dollarë.
Tregu botëror i artit në vitin 2023 shënoi një rënie të ndjeshme./tvklan/KultPlus.com
Sot bëhen 129 vite nga lindja e shkrimtarit Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.
Haki Stermilli ka lindur në Dibër më 17 maj të vitit 1895. Ai ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në vitet 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogu, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Në shkrimet e tij ai trajtoi tema me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.
Stërmilli ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë të cilin e shkroi 1936.
Veprat tjera të tij ishin Dibranja e mjerueshme (1923), Dashuni e besnikri (1923), Agimi i lumnueshëm (1924), Burgu (1935), Sikur t’isha djalë (1936), Fyelli i Dibrës përmbledhje që u botua në serinë “Visaret e Kombit” (1944), Trashëgimtarët tanë (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet e lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).
Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti.
Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.
Një vend dikur i ndaluar për turistët britanikë, tani i shndërruar në një nga pikat kryesore të udhëtimeve dhe i vlerësuar nga pushuesit falë plazheve të tij magjepsëse dhe çmimeve të lira, shkruan Benedict Tetzlaff-Deas në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Pas disa dekadash nën regjimin komunist, Shqipëria hapi dyert e saj për turistët në fund të shekullit të XXI, dhe që atëherë ndërtesat gri të epokës komuniste janë zëvendësuar me peizazhet shumëngjyrëshe të qytetit dhe një kulturë elegante kafenesh.
Për më tepër, plazhet e vendit janë vlerësuar si disa nga më të mirat në të gjithë Evropën. Ksamili – një fshat bregdetar në Rivierën Shqiptare – është krahasuar me Maldivet nga përdoruesit e TikTok-ut dhe influencuesit e udhëtimeve.
Plazhet me rërë të bardhë, deti i qetë dhe kasollet e kashtës në plazhe sigurisht që kanë një ngjashmëri të madhe me ishullin tropikal, dhe gjithashtu janë shumë më të përballueshme.
Një industri turistike në lulëzim – do të thotë – se në Ksamil tani ofrohet një përzgjedhje e gjerë hotelesh dhe akomodimesh alternative, ku disa dhoma të disponueshme i gjeni për vetëm 23 euro nata.
“Kur njerëzit shohin foto të këtij vendi, ata menjëherë mendojnë për Maldivet! Por, për fatin tonë, është shumë më afër”, tha një përdorues i TikTok “The Travel Mum” duke e vlerësuar Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm të pushimeve.
“Shtojeni atë në listën tuaj të destinacioneve për pushime në 2024”, tha një tjetër.
Aktivitetet e njohura përgjatë bregdetit përfshijnë zhytjet dhe notin – por nëse dëshironi të relaksoheni ka shumë karrige të vendosura përreth bregut ku mund të shijoni rrezet e diellit.
Kostoja mesatare e një birre është vetëm 2 euro, ndërsa vera priret të jetë e këndshme dhe e ngrohtë, me temperatura mesatare deri në 25 gradë Celsius.
Në Ksamil do të keni mundësi të zbuloni Rivierën Shqiptare, një zonë e bukur ende relativisht e paprekur nga turizmi ndërkombëtar, e cila krenohet me vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qytetet dhe vendasit miqësorë.
Pikat kryesore turistike përfshijnë Lagunën e Kripës në liqenin e Butrintit, shpellën enigmatike të Kreshmoit dhe qytetin antik bizantin të Gjirokastrës.
Fluturimet drejt kryeqytetit shqiptar, Tiranë nga Londra nisin nga rreth 70 euro.
Një qytet historik i vendosur mes maleve,
Tirana – një qytet historik i vendosur mes maleve – ia vlen të vizitohet për të shijuar një pushim të këndshëm në qytet, me ndërthurjen e saj të gjallë të së vjetrës dhe të resë që i jep një hyrje të shkëlqyer Shqipërisë përpara se të udhëtoni në pjesën tjetër të vendit.
Britanikët që mezi presin të largohen me pushime mund të kursejnë deri në 140 euro në pikat e e njohura turistike evropiane dhe destinacionet e plazhit./atsh/KultPlus.com
Me vepra të autorëve të shquar si Bethoven, Listz e Brahms, u mbajt koncerti i dytë i Festivalit të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” nga protagonistët Saran Suebsantiwongse- Bariton dhe Alberta Troni- Pianiste, shkruan KultPlus.
Salla edhe këtë herë e improvizuar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare u mbush të mërkurën mbrëma me adhurues të muzikës klasike, për të shijuar mjeshtërinë e pianistes së njohur Troni dhe baritonit Suebsantiwongse, i cili nga Tajlanda kishte ardhur për të ndarë përvojën që e kishte marrë nga shkollimi i tij në Shkollat e Muzikës në Manhattan dhe në Britani.
Koncerti filloi me drejtimin e drejtoreshës organizative të Festivalit Besa Luzhës, e cila me një fjalim përshëndetës i uroi mirëseardhje publikut në sallë, duke e njoftuar edhe për përmbajtjen e koncertit, pjesa artistike e së cilit do të fillonte pas pak, në skenën e rregulluar me shumë shije dhe finesë.
Dritat u fikën. Menjëherë në sallë u paraqitën edhe protagonistët e mbrëmjes. Pas një përulje plot respekt para publikut filloi interpretimi i veprës së parë “An Die Ferne Geliebte”- A cycle of six songs op.98 nga autori L.B. Bethoven.
Tingujt nga loja aq e bukur e pianistes Toni, përshtateshin shumë natyrshëm me zërin brilant të baritonit tajlandez, duke e emetuar një energji mjaft e këndshme në çdo kënd dhe cep të ambientit, që më pas me karakterin dhe filozofinë e secilës vepër integroheshin pashmangshëm në secilin që gjendej në sallë.
Veprat tjera të cilat pasuan në koncert ishin: “Un sospiro”, “La leggerezza”- Piano Solo e autorit F. Listz, “Meine Liebe ist grun” Op. 63 Nr.5, “Von ewiger Liebe” / Love is forever. Op.43 Nr.1 “Alte Liebe” op.72 Nr.1 të autorit J. Brahms, “Tango-Rapsody” Adions Nonino- Piano Solo nga A.Piazzolla dhe Don Quichotte a Dulcinee, “Chanson Romanesque”, “Chanson epique”, “Chanson a boire” nga M. Ravel.
Para fillimit të pikës së fundit artistike baritoni Suebsantiwongse iu drejtua publikut me një fjalim ku tha se ishte shumë i lumtur që gjendej në Prishtinë për të performuar në Festivalin “Chopin Pinao Fest”, duke treguar po ashtu që kultura dhe vendi i Kosovës në përgjithësi i kishin pëlqyer jashtë mase.
Ndërsa pas koncertit në një prononcim për KultPlus, pianistja Alberta Troni u shpreh e lumtur që kishte arritur një bashkëpunim të frytshëm me baritonin në fjalë, bashkëpunim ky që sipas saj për t’u sjellë në nivel të tillë nuk ishte aspak i lehtë.
“Këtu duhet ta falënderoj edhe ambasadoren në shkuarje të Kosovës në Tajlandë- Bankok, Ulpiana Lamën, e cila gjithashtu vendosi një relacion bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Tajlandës, e pastaj faktikisht janë vendosur edhe konturat e programit. Pas kësaj baritoni ka ardhur në Kosovë kemi bërë një punë intensive, ku më pas siç tregoi edhe ai, i ka pëlqyer shumë vendi, ambienti, kultura njerëzit sepse për të është hera e parë që vjen në Ballkan”, u shpreh pianistja Troni.
Troni më tej foli edhe për procesin e punës nga ku tha se gjithçka ka shkuar shumë natyrshëm, përkundër faktit që baritoni i përkiste një kulture tjetër, për më tepër që edhe programi interpretues ishte me kërkesa të mëdha artistike nga repertori i Bethoven, Ravell dhe Brahmz.
“Zakonisht te ne këndohet muzikë operistike, mirëpo në këtë rast Suebsantiwongse kishte përzgjedhur një repertor pak më filozofik, më të thellë. Nuk ishte e lehtë të ndërlidheshin veprat me njëra tjetrën, sepse kërkonte një koncentrim më të thellë dhe përkushtim. Bashkëpunimi ka shkuar shumë natyrshëm, sepse është shumë me rëndësi përputhja e ngjyrës së tingullit. Ai menjëherë është adaptuar me punën time. Kemi punuar shumë intensivisht sepse megjithatë aziatikët janë të njohur për punë të madhe, derisa ne ndoshta mbajmë prova deri në një orë me këtë kanë zgjatur provat deri në tri orë. Mendoj që në fund kemi dhënë një produkt të bukur”, ka thënë pianistja Troni.
Kurse baritoni Suebsantiwongse ka thënë se ndjehet i impresionuar me kulturën dhe shumëçka tjetër në Kosovë, por mbi të gjitha me kualitetin e zërave të studentëve të Fakultetit të Artit.
“Fillimisht isha shumë i impresionuar me kualitetin e zërave të tyre. Mendoj se biologjikisht njerëzit nga Kosova kanë zëra kaq të bukur, të fuqishëm. Por gjithashtu ka të bëjë edhe me kulturën, siç është muzika folklorike, vendi që inspiron njerëzit të jenë të ndjeshëm, të bëjnë art me zërin. Janë të vetëdijshëm për këtë kualitet dhe me të shkëlqejnë. Përveçqë e kam kuptuar se kanë zëra të bukur, si askund në botë, ata janë studentë që kanë përvojë në këndim”, është shprehur baritoni tajlandez Saran Suebsantiwongse.
Ndërsa, drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula ka thënë se vetë prania e publikut në sallë është tregues faktik që “Chopin Pino Fest” ka arritur të ketë publikun e tij, i cili mbi te gjitha përjeton emocione kulmore artistike me vepra të autorëve më të shquar botëror.
“Sonte, ishte koncerti i dytë i radhës. Profesoresha jonë, Alberta Troni, ka përzgjedhur një bariton nga Tajlanda i cili ka ardhur special nga ky shtet i largët prej Kosovës. Është hera e parë që ai vjen në Ballkan për të interpretuar një program sfidues nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike. Edhe profesoresha Troni luajti dy etida të Listz-it, një vepër premierë të Piazzolla-s, Kjo mbrëmje kishte një sharm të veçantë. Dhe jam shumë e lumtur që përsëri salla ishte e mbushur me publik kjo tregon që ne kemi arritur ta krijojmë publikun tonë, i cili e di që kur vjen këtu dëgjon vërtetë vlera, vlera kulmore artistike. Kjo është legjitimacioni jonë, letërnjoftimi i festivalit tonë që vërtetë përçon emocione të përceptimit të vlerës kulmore artistike tek artëdashësit”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.
Drejtoresha më tej foli edhe për sfidat me të cilat u hasën përgjatë realizimit të këtij festivali, i cili po prezantohej me edicionin e 14-të ende në një sallë jo adekuate.
“Organizimi i këtij festivali është sfidues çdo vit edhe pse kemi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe ambasadat. Sfidues është për shkak se duhet gjithmonë të improvizohet salla. Ne megjithatë arritëm të krijojmë një ambient shumë të bukur koncertal, ku ka fatmirësisht edhe akustikë e cila na lejon t’i shijojmë vërtetë këto koncerte” ka treguar drejtoresha.
Ajo më tej tha se koncerti me kuartetin e kitarës dhe koncerti me muzikë Jazz janë risitë që e zhvendosin për dy netë instrumentin e pianos nga “fokusi” i “ChopinPianoFest”.
Gjithmonë kemi edhe risi të festivalit në të cilin fokusi është te është pianoja. Edicioni i sivjetëm dallon mjaft nga viti i kaluar. Ku kemi pasur kuintete, sekstete, duo, trio, ku gjithmonë pianoja është pjesë e festivalit, sivjet kemi edhe dy koncerte ku pianoja nuk është pjesë e ansamblit. Kemi kuartetin e Kitarës me Petrit Çekun dhe një Jazz mbrëmje shumë të veçantë”, ka përfunduar drejtoresha Pula.
Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet me solistin Kosti Deti-Piano, më sonte, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Organizuar nga Komuna e Kaçanikut, sot u mbajt diskutim publik lidhur me Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut, ku për hapat e deri tanishëm foli drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Hafize Sallahu, ndërsa pjesëmarrësit i përshëndeti Nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi i cili falënderoi këshillin punues në hartimin e këtij draft statuti.
Pjesëmarrësit përgëzuan këtë iniciativë dhe me pyetje të ndryshme nga këshilli punues i këtij draft dokumenti kërkuan sqarime më të hollësishme rreth funksionalizimit të Muzeut.
Sqarime pjesëmarrësit morën nga kryesuesi i këshillit punues të Muzeut Hajredin Rramajli me anëtarët e tjerë të këtij këshilli. Ky dokument tani më është në fazën e dërgimit në kuvend për miratim.
Luan Hajra është këngëtar i cili indentifikohet me zhanrin e muzikës popullore qytetare, shkruan Kult Plus.
Hajra ka lindur më 31 korrik të vitit 1949, në qytetin e Mitrovicës. Fillet e karrierës së tij kanë qenë qysh në moshën 12-13 vjeçare, duke marr pjesë në dasma. Talentin e tij për të kënduar e kishin hetuar orkestra e Sali Currit, për ta bërë më vonë edhe pjesë të aktivieteve të tyre.
Ai nuk ka kryer asnjë shkollë për muzikë, e megjithatë ai arriti të krijonte këngë me të cilat depërtoi në zemrat e publikut. Përgjatë karrierës së tij ai interpretoi përkrah: Esat Bicurrit, Bashkim Paçukut, Liliana Çavollit, Nexhmije Pagarushës, Bik Ndojës, Shyqri Alushit etj.
‘Dashurova unë një vajzë’, ‘Mbrëmja e maturës’, ‘Na ka çu Dudia letër’, ‘Oda me tavan’, ‘Lulëzoi fusha, lulëzoi mali’, ‘O Zambak’, ‘Kur hana del’, ‘Te dugojë e re’, ‘Po ta marrë kangën me saze’, janë disa prej këngëve nga repertuari i tij.
Ai ka vdekur më 27 shkurt 2022.
KultPlus ju sjell këngën ‘Nëpër telat e telefonit’:
14 thëniet më inspiruese të të gjitha kohërave nga Albertin Einstein.
– “Të pakët janë ata që i shohin sytë e tyre dhe i ndjejnë zemrat e tyre”
– “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuritë. Njohuritë janë të kufizuara. Imagjinata e rrethon botën”
– “Përpiqu të mos bëhesh njeri i suksesit, por të bëhesh njeri i vlerave”
– “Çdo njeri është gjeni. Por, nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në pemë, ai do ta jetojë tërë jetën duke besuar se është budalla”
– “Shikoni thellë në natyrë, dhe pastaj do të kuptoni çdo gjë më mirë”
– “Të gjitha religjionet, artet dhe shkencat janë degë të së njëjtës pemë”
– “Në mesin e vështirësive gjendet mundësia”
– “Një njeri që nuk ka gabuar kurrë, asnjëherë nuk ka provuar diçka të re”
– “Gjëja më e rëndësishme është të mos ndaleni së pyeturi. Kureshtja e ka arsyen e vet se përse ekziston”
– “Jeta është sikur biçikletë. Për ta mbajtur balancimin, ju duhet të lëvizni tërë kohën”
– “Në momentin që ndaleni së mësuari, ju filloni të vdisni”
– “Njerëzit e dobët hakmerren. Njerëzit e fortë falin. Njerëzit inteligjentë injorojnë”
– “Anija është gjithmonë e sigurt në breg, por nuk është ndërtuar për atë qëllim”
– “I flas çdo njeriu në të njëjtën mënyrë, qoftë nëse e mbledh bërllokun, qoftë nëse është dekan i fakultetit”. /KultPlus.com
Është mbyllur të mërkurën edicioni i III-të i panairit të librit “Kamza Lexon”, i cili zgjati për tre ditë me radhë. Në këtë panair, u zhvilluan ceremoni për ndarjen e çmimeve, ku ishin të pranishëm shkrimtarë, gazetarë, lexues dhe zyrtarë.
Çmimin e mirënjohjes e mori shkrimtari Bajram Karabolli , Viktor Canosinaj mori çmimin për librin më të mirë për fëmijët, Jamarbër Hoxha “ Forca krijuese në zhanrin prozë dhe poezi, Fatmir Toçi mori çmimin për “Librin më të mirë studimor” ndërsa shkrimtari Ahmet Prençi për “Prozën më e mirë” me Brengën Prokurorit.
Ky i fundit në një pronocim për Euroneës Albania theksoi se ndjehet i emocionuar dhe se ndihet i motivuar për krijimin e një vepre tjetër.Teksa vlerësoi punën e bërë në Kamzë përsa i përket arsimit ,pati një mesazh dhe për të rinjtë.
“Ndjehem i emocionuar. Kjo më jep motiv për të krijuar një vepër tjetër. Shoh që ka një frymarrje tjetër në Kamzë. Shkollat kanë bibloteka të reja. Mesazhi i vetëm është që të rinjtë të lexojnë sa më shumë e të kenë kontakt me librin”-tha Ahmet Preçi.
Ndërsa Irena Toçi, botuesja e librave të Jamarbër Hoxhes, 13-vjeçarit me aftësi ndryshe, tregoi se pavarësisht moshës Jamarberi është nje autor që vlerësohet lexuesit.
“Është kënaqësi që ku r e kam zbuluar Jamarbërin. Janë poezi filozofike që shprehin përjetimet dhe emocionet. Ky vlerësim dhe mbështetja që i kemi dhënë e kanë nxitur për të ecur në këtë rrugë. Është shumë i vogël në moshë për të qenë një autor i vlerësuar”-tha Irena Toçi.
Sakaq, Liridon Mulaj, organizator i këtij eventi tha se shkrimtarët në këtë panair ishin të zgjedhur, jo vetëm në Shqipëri por dhe nga diaspora. Mulaj përfundoi duke thënë sse synymi i tyre është që ky panair të kthet në një traditë dhe të zhvillohet çdo vit./euronews/ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Muzeve e cila kremtohet çdo 18 maj, do të jetë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë vizitorët në qytetin e Shkodrës. Një sërë institucionesh si bashkia e Shkodrës, DRTK Shkodër, Muzeu Marubi etj, janë bërë bashkë për t’i sjellë publikut një mori aktivitetesh dhe takimesh kulturore me në qendër edukimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e vlerave muzeore të Shkodrës.
Festa nis ditën e premte, 17 maj, në kalanë e Rozafës, e quajtur me këtë rast si “kalaja e mrekullive” ku publikun e presin biseda, facepainting, kuice, arkeologji, trashëgimi, pikturë, muzikë dhe argëtim për fëmijët që nuk duhen humbur.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci postoi në rrjetet sociale një kalendar të eventeve të fundjavës, që siç shkruan ai do të jetë plot art, traditë e histori.
Në programin e datës 17 është workshop-i “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore”, instalacioni “Zërat e kujtesës”, një ekspozitë e dorëshkrimeve të vjetra, ekspozitë mbi xhubletën, në muzeun “Oso Kuka” si dhe “Muzat”, një performancë poetike.
Po të premten do të ketë edhe një ekspozitë të arkitektëve.
Ndërsa më datën 18 maj, aktiviteteve të mësipërme do t’u shtohet ekspozita e partiturave, shoqëruar me një koncert vokal me vepra të kompozitorëve të qytetit. Gjithashtu në Muzeun e Fotografisë “Marubi” do të ketë punëtori “Magjia e fotografisë” dhe “Manjikana” frymëzuar nga kultura japoneze si dhe do të ofrohen vizita me guidë në ekspozitën e dinastisë Marubi./ atsh/ KultPlus.com
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com
Kinema “Millennium” shfaqi mbrëmjen e djeshme premierë e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga filmi “Gunat përmbi tela”, i cili i është nënshtruar restaurimit digjital.
“Me një tjetër film të kinematografisë shqiptare që i është nënshtruar restaurimit digjital, “Gunat përmbi tela” i regjisorit Muharrem Fejzo, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, ndërsa publikon dhe linkun e filmit në Youtube.
Restaurimi digjital i këtij filmi dhe aktiviteti i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.
Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35 mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj.