Banka e Shqipërisë organizon ekspozitë për zhvillimet ekonomike në Beratit

Banka e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Muzeumeve, organizojnë në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri”, Berat në datat 18-19 prill 2024,  ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve tregtare, ekonomike dhe etnografike të qytetit të Beratit, gjatë shekujve XVIII-XX.

Në këtë ekspozitë prezantohen koleksione numizmatike, kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit XX, monedhat kombëtare, të cilat mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit, me vlera historike dhe kulturore universale.

Një hapësirë të veçantë në këtë ekspozitë do të zënë edhe elementë të edukimit financiar nga Banka e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

69 vite nga vdekja e gjeniut Albert Einstain

Albert Einstein u lind në Ulm të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e titulluar “A4” nga Edi Hila

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur dje ekspozita nga piktori Edi Hila e titulluar “A4 Print” dhe do të qëndrojë e hapur deri me 25 qershor.

Ekspozita ka për kurator Shkëlzen Maliqin, filozofin, kritikun e artit dhe intelektualin nga Kosova. Në hapjen e ekspozitës ishin dhe emra të njohur të artit shqiptar si Zef Paci.

Edi Hila njihet si piktor i veçantë që ka një marrëdhënie deri diku të pakrahasueshme me hapësirën si koncept. I frymëzuar nga piktorët e mëdhenj europianë ai duket sikur pikturon duke u nisur nga korniza për të shkuar drejt qendrës.

Edi Hila njihet edhe si mësuesi i Edi Ramës, në fillimet e tij të karrierës si piktor. Pavarësisht izolimit që i shkaktoi artit regjimi komunist, Edi Hila mundi të njihet me historinë e artit të shekullit të XX dhe të mësojë nga mjeshtrit europianë duke dalë jashtë korniza të realizmit socialist./tema/KultPlus.com

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës.

Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër trupave osmane. Afro 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15 000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës.

Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën. Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 Prill 1881. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut.

Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan luftime në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës. / atsh / KultPlus.com

Rihanna shkëlqen në prezantimin e ri të “Fenty X PUMA”

Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, ka shkëlqyer në prezantimin e ri i cili vjen në bashkëpunim me Fenty x Puma Creeper Phattz Earth Tone.

Sipas mediave të huaja, Rihanna po shkëlqente si një diamant, me ngjyrën e saj të flokëve bionde dhe me grimin e saj të theksuar.

36-vjeçarja, ka sjellur disa stile me markën sportive dhe të mërkurën ka festuar prezantimin e saj të fundit në Tobacco Dock në Londër./KultPlus.com

Para vdekjes së nënës ne mbetemi fëmijë që qajmë me sytë e qiellit

Nga Albert Vataj

Vdekja e një nëne nuk është si çdo vdekje, si çdo mbarim i ditëve e shterrim i hapave, fikje e dritës së syve e këputjes së frymës. Vdekja e një nëne është solemniteti më i trishtë i një dhimbje që kafshon plagën që çel humbja.

Vdekja e një nëne është mbarimi i të gjitha ëndrrave që shohim në prehrin e saj dhe realiteteve të përmallshme që shpalojmë në epjen ngadhënjyese, që bekoi vullneti hyjnor i shpirtit të saj. Me humbjen e nënës mbetemi pa prehje, pa prekje që na përmend e na mbush me shend, mbetemi të vetëm në çdo dhimbje dhe të harruar në çdo gazmim. Sepse është thyer brenda nesh ena e lëndës magjike që mëkoi syri dhe prekja e saj. Të gjithë rendim drejt një caku të mbramë, duke ju bindur përulësisht ligjësisë së jetës dhe duke besuar në drejtësinë e ashpër të atij vullneti qiellor, asaj mirësie të lartë që na shpërbleu me shëmbëlltyrën e vet dhe na zbraz nga fryma tokësore, duke na mbushur me hapësirën e përjetësisë.

Etja për dritë hyjnore thërret vetëm ata, nënat, zemra dhe shpirti i të cilave rrok pafundësinë siç arriti ajo të mbushte çdo epje me përqafime. Ajo ikën pa marrë leje, ikën gjithnjë kaq papritur, ikën për të marrë në udhën e pasosur shpirtin që mbushi me pafundësi. Iku edhe kjo nënë e këtij fillimmarsi, duke lënë më shumë se dhimbje, lot. Mes heshtjes dhe pikëllimit që notonte mbi tymin e cigares, dikush pyeti sa vjeç ishte nëna. Ai i tha: – Nënë! Dhe lotit i fshehu. Ikën një nënë, ikën duke na lënë jetim, edhe pse prehërin në ditët e acarta të pleqërisë i’a ngrohën nipër dhe mbesa. Duart e saj i’a puthën gjithë ato mirënjohje. Falenderues mbeti gjithkush që ruajti në zemër dhe kujtime bujarinë e begatë dhe mirësinë e shenjtëruar të nënës që ajo mëkoi. Ikin nëna një ditë për të mos lënë moshë, numër vitesh që sakrifikoi, numër betejash ku luftoi, pafundësi çastesh meraku që e çanë dhe thërrmuan zemrën e saj. Dashuria e saj, ajo që nuk e mori dot në prehjen e paqes së gjithmonshme, qëndruan në ajrin dhe frymëmarrjen e gjërave që mbeten pjesë e shastisjes së kësaj dite morte. Mbetet gjithçka këndej, këndej ku dhimbja e humbjes dhe pikëllimi zgjohen për të kërkuar prej nesh një dorëzim pa kushte, një gjunjëzim që të epërm ka besimin në atë që ofron përulësisht me lutje.

Para çdo vdekjeje mundemi të jemi burra, por para vdekjes së nënës ne mbetemi fëmijë që qajmë me sytë e qiellit. / KultPlus.com

Petrit Halilaj me instalacion gjigant në Metropolitan Museum of Art New York

Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj është talenti më i ri që ngarkohet për të krijuar një vepër specifike që do të përshtatet me taracën e Metropolitan Museum of Art, në Nju-Jork. Ky do të jetë projekti i parë madhor i Halilajt, në Shtetet e Bashkuara, i cili pritet të transformojë “The Met Roof” me një instalacion gjigant skulpturash.

“Puna e Halilajt është thellësisht e lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon”, shkruan The Metropolitan Museum of Art (MET).

Pas një periudhe formimi në Itali, ku studioi art në Accademia di Brera, në Milano, Halilaj u transferua në Berlin, në vitin 2008, ku jeton dhe punon ende. Projektet e tij përfshijnë një shumëllojshmëri mediesh, duke përfshirë skulpturën, vizatimin, poezinë dhe performancën.

Ekspozita mbështetet nga organizata bamirëse Bloomberg Philanthropies.

Petrit Halilaj bëri bujë me koleksionin e tij, “Abetare” që në thelb i referohet mënyrës se si mësohen ABC-të e një gjuhe. Tavolinat që ai përdori në ekspozitën e tij përfaqësonin 30 vjet shtresa vizatimesh. Halilaj i mori këto vizatime, i zmadhoi dhe i bëri skulptura 3-D. Përmes shkarravinave të gjetura mbi banka, artisti shpjegoi se si kishte ndikuar lufta tek fëmijët e shkollës e në të njëjtën kohë si u ndikuan ata nga bota e internetit. / atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike

18 Prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike nga ICOMOS, qё prej vitit 1982.

Tema e këtij viti “Fatkeqësitë dhe Konfliktet nga Këndvështrimi i Kartës së Venecias”, thekson nevojën urgjente për të trajtuar pasojat e ndryshimeve klimatike, në monumentet dhe sitet historike.

Qëllimi i kremtimit të kësaj dite, e cila fillimisht u njoh si e tillë prej UNESCO-s, është të ndërgjegjësojë rreth trashëgimisë kulturore dhe diversitetit në planet.

Objektivi i 18 prillit është të frymëzojë njerëzit dhe bashkësitë lokale të vlerësojnë trashëgiminë e tyre kulturore. Përtej ruajtjes e mbrojtjes së monumenteve, mëton të tërheqë vëmendjen edhe tek brishtësia e kësaj trashëgimie.

Tema e këtij viti ka të bëjë me Kartën e Venecias, e nënshkruar në 1964-ën, 2 dekada pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendet po bënin progres në të gjitha drejtimet, përfshirë atë ekonomik.

Tashmë, 6 dekada më pas, bota përballet me emergjencën klimatike, rritjen e katastrofave mjedisore si dhe shkatërrimin e siteve të trashëgimisë, prej konflikteve. Në këtë 60-vjetor të Kartës së Venecias, ICOMOS do ta vërë theksin tek këto probleme që kërcënojnë trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë ekspertët ftojnë të vizitohen monumentet e sitet arkeologjike në mbarë globin, si një mënyrë kremtimi e 18 prillit./atsh / KultPlus.com

Kur sheh shpirti…!

Në vitin 1919, u zhvillua një takim unik midis dy figurave ikonike: Charlie Chaplin dhe Helen Keller.

Chaplin, i njohur për gjenialitetin e tij komik dhe yjet e filmit pa zë, iu afrua Keller-it me një kuriozitet pothuajse fëminor. Pavarësisht se ajo ishte e shurdhër dhe e verbër, Keller zotëronte një aftësi të jashtëzakonshme për të komunikuar përmes prekjes dhe alfabetit manual.

Ndërsa Keller udhëhoqi me durim duart e Chaplin-it nëpër format dhe lëvizjet e alfabetit manual, fytyra e Chaplin-it u ndriçua me magjepsje dhe habi. Sytë e tij shprehës pasqyronin gëzimin dhe habinë e një fëmije që zbulonte diçka të re dhe magjike.

Nëpërmjet këtij ndërveprimi, Chaplin jo vetëm mësoi alfabetin manual, por gjithashtu fitoi një vlerësim të thellë për fuqinë e komunikimit dhe lidhjes njerëzore, duke kapërcyer barrierat e aftësisë së kufizuar dhe gjuhës. Ky moment, i kapur në kohë, shërben si një testament për gjuhën universale të ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Fytyra e Statujës së Lirisë…

Nga Eva Dori

Si ia dha fytyrën e veja e krijuesit të makinave qepëse Singer Statujës së Lirisë?

Jeta e Isabella Boyer është si një roman emocionues. Ajo ka lindur në Paris, në një familje me baba pastiçeri afrikan dhe nënë angleze. Ajo quhej Isabella, një emër i bukur që duhet të ishte baza e një fati të bukur.

U bë e qartë se natyra i dha Isabelës një bukuri të veçantë.

Në moshën 20-vjeçare, ajo martohet me prodhuesin e makinave qepëse, Isaac Singer, 50 vjeç, dhe pas vdekjes së tij bëhet gruaja më e pasur në vend.

Dhe nuk është çudi që ajo u zgjodh si modele për Statujën e Lirisë, sepse ajo mishëron ëndrrën amerikane të realizuar. Pasi u bë e ve, Isabella filloi të udhëtonte nëpër botë, duke kërkuar njohuri të reja dhe sfida emocionuese, shumë e re për t’u varrosur nën rroba zie.

Ajo u martua me violinistin holandez Victor Robstett, i cili është një personazh i famshëm botëror dhe një kont, kështu që Isabella bëhet edhe konteshë.

Së shpejti Isabella bëhet ylli i showroom-eve në Amerikë dhe Evropë, dhe është e ftuar në të gjitha eventet botërore. Në njërën prej tyre, ajo u takua me skulptorin e famshëm francez Frederick Bartoldi. Në atë kohë, Bartoldi ishte i impresionuar shumë nga udhëtimi i tij në Shtetet e Bashkuara, nga madhësia e vendit, nga burimet e tij natyrore, nga popullsia atje dhe kishte pranuar tashmë propozimin për të krijuar një statujë që simbolizonte pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.

Skulptura duhej të ishte një dhuratë nga Franca për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Kështu lindi ideja e një statuje gjigante që përshkruante një grua që mbante një pishtar në njërën dorë dhe pjata në tjetrën, me datën e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Bartoldi ishte aq i impresionuar nga fytyra e Isabelës sa vendosi ta përdorte atë si model për skulpturën e tij. Prandaj, në ishullin Bedlow në Gjirin e Nju Jorkut, u ngrit Statuja e Lirisë me figurën e një perëndeshë të lashtë, por me fytyrën e Isabella Boyer.

Isabella martohet për herë të tretë, në moshën 50-vjeçare, me Paul Sohege, një koleksionist i famshëm arti.

Ajo vdiq në Paris në vitin 1904 në moshën 62 vjeçare dhe është varrosur në Varrezat Passy.

Por statuja me fytyrën e saj vazhdon të ngrihet mbi ishullin Bedlow, duke simbolizuar krenarinë e parë të Amerikës, lirinë./KultPlus.com

‘Lexojmë për njëri-tjetrin’, maratonë leximi në Bibliotekën e Kryeministrisë

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) rikthen sërish këtë vit Maratonën e Leximit. Veprimtaria vjen si një bashkëpunim me nxënësit e shkollës “Fan Noli”, Tiranë, me temë “Lexojmë për njëri-tjetrin”, nga fondi i librave të Bibliotekës së Kryeministrisë.

Gjatë maratonës, (18 prill) nxënësit do të lexojnë në mënyrë vijuese pjesë të librave për fëmijë, të cilët gjenden në bibliotekën e COD-it. Në fund ata do të kenë mundësi të japin përshtypje për ngjarjet e lexuara nga bashkëmoshatarët e tyre.

Maratona të tilla leximi zhvillohen edhe në vende të tjera me qëllimin për t’i afruar fëmijët me librin, në këto kohë kur mbizotëron përdorimi i teknologjisë. Leximi në vegjëli, është një pjesë e rëndësishme e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme të fëmijëve, që do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë aftësi të mira leximi edhe në të ardhmen./atsh/KultPlus.com

Një portret i veçantë psikologjik i novelës “Dashuria e parë”

Shkroi: Rea Sejdiu

Që nga fillet e letërsisë, e deri më sot, mendohet të jenë shkruar afro 160 milionë libra. Krahas numrit të madh të veprave, autorët e studiuesit e letërsisë ende mbesin të tërhequr nga letërsia ruse, specifikisht ajo e shek. XVIII-XIX. Gjatë kësaj periudhe hasim edhe shkrimtarë të cilët deri më sot përmenden si autorë të mëdhenj të letërsisë botërore, këtu duke përfshirë edhe Ivan Turgenievin.

I dalluar për veprat e tij të shkurta, Turgeniev shkroi më shumë se 20 novela e romane, në të cilat bën pjesë “Dashuria e parë”, vepër e botuar në vitin 1860, e cila cilësohet si mjaft autobiografike.

“Dashuria e parë”, me pak fjalë, është novelë që shtjellon dashurinë e parë dhe rininë, e në të njejtën kohë “studion” kompleksitetin e këtyre dy koncepteve së bashku. Më konkretisht, në libër bëhet fjalë për Vladimir Petroviç, një aristokrat të moshuar, i cili rikujton dhe rrëfen dashurinë e tij të parë në moshën 16-vjeçare, me një vajzë të quajtur Zinaida Aleksandrovna.

Ndryshe nga shumë libra të tjerë, ngjarja te “Dashuria e Parë” zhvillohet në bazë të evoluimit të karakterit të personazheve. Vetë fakti se libri është i shkruar në vetën e parë, na e mundëson krijimin e një lidhjeje më të ngushtë me personazhin kryesor e në të njejtën kohë vëzhgimin e ngjarjeve të cilat po i ndodhin atij në një shkallë më të afërt.

Për t’i kuptuar më mirë librin dhe personazhet, normalisht që duhet shtjelluar edhe subjekti i tij.

Siç u përmend, ngjarja fillon me Vladimir Petroviç, një 16 vjeçar që kalon verën në një vilë brenda një fshati të Rusisë, ku papritur bie thellë në dashuri me një vajzë që takon aty, Zinaida Aleksandrovna, e cila në atë kohë ishte 21 vjeçare.

Vladimiri bën gjithçka për të marrë vëmendjen e Zinaidës, të cilën nuk e dashuron vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, por nuk ia arrin qëllimin. Arsyeja pse ai `’dështon`’ lidhet ngushtë me karakterin e vetë personazheve. Edhe Petroviçi edhe Zinaida janë personazhe të cilët gjatë veprës ndryshojnë shumë.

Në përgjithësi, Petroviçi është një personazh mjaft nostalgjik e melankolik në fillim, por me zhvillimin e ngjarjeve ngadalë evoluon dhe karakteri i tij. Në moshën 16-vjeçare vërehet se ai ishte i frustruar me mënyrën sesi të tjerët e vlerësonin atë si fëmijë, e mundohej të bëjë ç’mos për të dëshmuar të kundërtën, edhe pse pjekuria e tij nuk mund të kundërshtohej.

 Çfarë të lë përshtypje është dallimi në mes të Petroviçit dhe prindërve të tij. Përderisa ai vinte nga një familje aristokrate, të cilët vlerësonin shumë pozitën e tyrë në shoqëri, deri në atë pikë ku bënin dallime tek të tjerët pikërisht për shkak të klasës së tyre shoqërore, Petroviçi nuk ishte fare i preokupuar me këtë temë.

Me zhvillimin e historisë mund të dallojmë edhe zhvillimin e karakterit të personazhit. Kur takojmë Petroviçin për herë të parë, ai është thjesht një 16-vjeçar, një fëmijë, i cili kishte rënë në dashuri e idealizonte rrethanat e tij, ndërsa në përfundim, shohim një personazh i cili ka përjetuar vështirësitë e jetës dhe dashurise, e përmes reflektimit mbi të kaluarën, ka arritur të kuptojë kompleksitetin e dashurisë, jetës dhe vetë identitetit.

Në anën tjetër, Zinaida ka një karakter mjaft misterioz, enigmatik, por njëkohësisht të zgjuar dhe kreativ (në shumë raste, tregon interes në muzikë, në letërsi, etj). Edhe pse princeshë, ajo nuk i përket shtresës së lartë shoqërore, aristokracisë, pra janë një familje mjaft e varfër. Është shumë magjepsëse, por edhe artificiale e dinake,  ku vazhdimisht përdor këto cilësi për të joshur ata përreth saj, duke marrë pikërisht çfarë i nevojitet nga ta. Përmes këtyre cilësive mund të përfundojmë se ajo paraqet nje karakter kontravers, për shkak se përderisa paraqitet si zemërmirë, veprimet që i bën janë vazhdimisht e kundërta, ajo pandërprerë shfrytezon e lëndon të tjerët, për të përfituar vetë. Duhet cekur se Zinadia është një karakter shumë kompleks në anën emocionale, për shkak se krahas maskës që ajo mban veshur vazhdimisht, pra si një vajzë e sigurt e e fortë, në vepër vihen në pah disa momente ku ajo ka konflikte me vetveten dhe është mjaft e ndijshme e e pasigurt.

Për t’u kthyer përsëri tek subjekti, shohim se me kalimin e kohës, Petroviçi vëren nje ndryshim në karakterin e Zinaidës, ajo sillet ndryshe, është vazhdimisht e heshtur në mendime dhe konkludon se ajo kishte rënë në dashuri, por misteri ishte se me kë? Pas shumë përpjekjeve për të zgjidhur këtë enigmë, ai kupton se vajza me të cilën ishte dashuruar, në fakt ishte ne dashuri me babain e tij. Edhe pse i thyer emocionalisht, Petroviçi përballon inatin e zemërimin e tij, arrin ta shikojë në sy përsëri babain e vet, e në një mënyrë pranon e përqafon sfidat e kaluara, por edhe ato të cilat do e prisnin në të ardhmen.

Krahas subjektit të veprës, veçori e rëndësishme e kësaj vepre është edhe intertekstualiteti, pra komunikimi i librit me vepra dhe priudha të ndryshme të letërsisë. Përgjatë veprës, ka shumë momente në të cilat përmenden apo referencohen elemente të antikitetit, sidomos ato që kanë të bëjnë me antikitetin grek, e këto zakonisht shfaqen në debatet apo diskutimet në mes të personazheve të novelës.

Përmenden krijime të përcjellura nga lyrat dhe poezia jambike ( gjë që lidhet drejtpërdrejt me lirikën antike greke); në ngjarjen që imagjinon Zinadia ajo krijon një vend ku do jetonin vetëm gratë (ngjashëm me ishullin Lesbos) e në të njëjtën kohë diskuton mbi tiparet e grave në antikitet. Biseda e citime bëhen edhe për autorë e filozofë të shquar të antikitetit, siç kemi Virgjilin, Homerin, etj.

Në masë të madhe përdoren figurat letrare, ku ato dominuese janë metafora dhe krahasimi (sidomos gjatë pjsëve ku Petroviçi përshkruan bukurinë e Zinaidës – “mbi leshrat e saj të buta dhe të verdha si floriri”) Gjatë të gjithë librit, motivi kryesor i cili zhvillohet është ai i dashurisë dhe nevojës së njeriut për të, jo vetëm dashurisë romantike, por edhe asaj platonike, birnore, etj.

Mënyra se si autori trajton këtë motiv, pra me shkallë të ndryshme kompleksiteti, përcjell edhe mesazhin që vetë libri mundohet të bartë, se edhe dashuria nuk është aq e thjeshtë, por ka sfera të llojllojshme në kuadër të saj.

Vepra në të njejtën kohë hedh dritë mbi mënyrën se si dashuria ndryshon dhe zhvillohet, prej një “dashurie fëmijore”, në një më të pjekur, por edhe se si vetë njeriu, në faza të ndryshme të jetës së tij (më saktësisht, faza të ndryshme të pjekurisë psiqike), percepton dashurinë në mënyrë jo të njejtë./ KultPlus.com

Bimë e mëshirës së fatit

Ibrahim Berisha

Bukën e moçme as rastësisht mos e pështyjë
Mendo sa vështirë fara del mbi dhe
Bimë e mëshirës së fatit.

Në degën e lëmueshme të qershisë
Me kokrra
Të errëta si hija e hollë e zërit

Në bunarin e vjetër mos e pështyjë

Prandaj mos pështyj as në kasollën e qenit
Mban zinxhirin në qafë edhe kur s’ka nevojë

Në gurë të vegjël veshur me myshk
Mos e prej dorëzën e derës

Edhe kur flet vetë me vete sytë kah dielli
Arrën e madhe mos e prejë
Nuk është rasti

Prandaj
Bukën e ftohët as rastësisht mos e pështyjë
Mendo sa vështirë fara del mbi dhe
Bimë e mëshirës së fatit./KultPlus.com

Kryeministri Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat

Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.

Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.

Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.

Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.

Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor,  kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.

Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Zëri i shiut…

Poezi nga Ernest Hemingway

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente, e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti / KultPlus.com

Agjencia ‘InterstellarTravel.Co’- shkëlqen si një dritare në botën e udhëtimeve dhe eksplorimeve

Ofrimi i shërbimit dhe qasjes së sigurtë në të gjitha eventet muzikore dhe kulturore në Europë & Botë është risia kryesore në tregun aktual të agjencisë “InterstellarTravel.Co”, shërbim ky i cili i ofron edhe më shumë qytetarët e Kosovës me trendet dhe ngjarjet globale, duke e vënë në një linjë me çdo qytetar tjetër të botës së civilizuar.

Analiza e ofertave, krijimi dhe pas edhe përshtatja e tyre enkas për klientin është shkaku kryesor që agjencia e udhëtimeve “InterstellarTravel.Co” ka krijuar një imazh kredibil duke qëndruar si brend në top agjencitë e vendit, pikërisht tash në kohën kur sektori i udhëtimeve për qytetarët e Kosovës po shënon një kthesë të madhe historike.

Korrektësia e treguar gjatë përvojës pesë vjeçare ka bërë që ky ekip të transformohet në emër të besueshëm për shumë njerëz që janë pasionont të udhëtimeve, kështu duke u bërë partneri i tyre kryesor për avantura të paharruara jetësore. Sot, në kohën kur janë hapur kufijtë izolues, kjo agjenci synon të realizojë edhe dëshirat më “të paarritshme” që një qytetar i vendit në të kaluarën ka mundur vetëm t’i imagjinojë.

Duke pasur fokusin gjithmonë në ekspanzim, “InterstellarTravel.Co” aktualisht ofron akomodim dhe shërbim cilësor në më shumë se 500.000 hotele në të gjithë botën si dhe fluturime në 10.000+ aeroporte komerciale globale, falë specializimit të stafit në krijimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare si gërshetim i kërkesave dhe ofertave të tregut.

Suksesi i arritur falë ofrimit të standardeve të larta të cilësisë në kërkesat e  klientëve, koincidon me atë që  “InterstellarTravel.Co” është zgjedhja e duhur për ju.

Për më shumë informacione mund të kontaktoni në numrat edhe email adresën si më poshtë:

(Viber, Whatsapp)
(+383) 048 668 996
(+383) 049 760 768
(+44) 7497397248
[email protected]

ose edhe në zyrë, në adresën:
Rruga Qamil Hoxha, Nr.3 Prishtinë /KultPlus.com

Prezantohet drejtori i ri artistik i trupës së baletit të TKOB

Trupa e baletit e TKOB-së tashmë ka një drejtori të ri artistik, Carlos Montalvan. Në një video që ndau online, drejtoresha e institucionit, Abigeila Voshtina, drejtori i ri prezantohet përpara publikut.

Carlos Montalvan, vjen nga Kuba, me një karrierë të gjatë në skenat botërore.

Që në moshë të re, Carlos Montalvan fitoi çmimin “Artista Nobel” në festivalin “Panorama de las Artes Escenicasi”. Për meritat e tij artistike, ai iu bashkua stafit të shkollës “Vicentina de la Torrei” në Kamagueji.

Më pas u diplomua për art koreografik dhe krijoi disa koreografi që u vlerësuan në konkurset ndërkombëtare të Kamaguejit, të Santiago de Kubas dhe fituan medalje ari në Havanë.

Në vitin 2007, Montalvan iu bashkua kompanisë “Balletto del Sud”. Ai ka qenë protagonist në shfaqjet “Traviata”, “Carmina Burana”, “The Firebird”, “Karmen”, “Liqeni i Mjellmave” e të tjera. Si dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur si Alicia Aloniso, Kylian, Forsythe, David Dawson, Gonzalo Galguera, Fredy Frannutti, Ben van Cauwenbergh e ka interpretuar përkrah Letizia Giuliani, Enada Hoxhes, Linsay Kemp, Luciana Savignano, Carla Fracci./atsh/KultPlus.com

234 vite nga vdekja e nënshkruesit të Pavarësisë së ShBA-ve, Benjamin Franklin

Benjamin Franklin lindi më 17 janar 1706 në Boston dhe ishte një botues amerikan, burrë shteti, shkrimtar, shkencëtar, sajues dhe filozof politik, shkruan KultPlus.

Konsiderohet gjithashtu si një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte biri i dhjetë dhe fëmija i pesëmbëdhjetë i një përpunuesi sapuni dhe qiriri. Qysh në vitet e hershme të jetës së tij ai ka marrë një zhvillim të gjerë të njohurive përmes leximit intensiv të letërsisë së përgjithshme dhe shpirtërore në mënyrë autodidakte.

Ai për një kohë ka punuar në një dyqan arti te James-gjysmë vëllai i tij. Ndërsa përgjatë viteve 1729-1766, ai ishte redaktor i Gazetës së Pensilvanisë. Në vitin 1750 Franklin u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Pennsylvania.

Ndër studimet e shumta që pati përgjatë viteve ai studioi ujin e kuq, Rryma e Gjirit, përmbajtjen e kripës. Në kohën e krizës së Aktit Stamp , u bë një avokat i njohur i të drejtave amerikane në Londër. Në maj 1775 ai shkoi përsëri në Pensilvani dhe u bë anëtar në Kongres. Ai përndryshe kishte projektuar, komitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 

Në 1769 themeloi Shoqërinë filozofike Amerikane. Ndërsa në vitin 1776 Benjamin Franklin ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik.

Ai gjatë karrierës së tij u përfshi në disa qështje me interes publik përmes disa shkrimeve të tij, ku disa nga temat kishin të bëjnë me pastrimin e rrugëve, ndriçimin, futja e zjarrfikësit vullnetar ,

Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka botuar traktate dhe ese për të gjitha llojet e temave, të tilla si për politikën, dhe çështjet ligjore të arsimit dhe të kontrollit të popullsisë.

Dalja e tij e fundit publike para vdekjes së tij ishte në mbështetjen e një programi të Kongresit, për heqjen e skllavërisë në nivelin federal duke dhënë këshilla ndaj masave. Më 17 prill 1790 Benjamin Franklin vdiq në moshën 84 në Filadelfia.

Organizohet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i Botimeve Akademike dhe Shkencore

Duke filluar nga data 23-25 prill në Tiranë do të mbahet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor.

Ky Panair organizohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Komiteti organizativ i ngritur për këtë qëllim ka aprovuar programin e veprimtarive që do të bëjë bashkë 35 institucione të kërkimit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave.

Kështu ka njoftuar Qendra e Studimit të Arteve përmes një njoftimi në Facebook.

Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Ky panair, i kthyer tashmë në traditë (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, IAL-të, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.

Si një aktivitet me karakter promovues, konfirmues dhe manifestues, Panairi i 3-të i librit akademik dhe shkencor, Tiranë 2024, do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga e gjithë hapësira shqiptare, duke synuar lidhjen në një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute, për të lehtësuar jo vetëm marrjen e informacionit, por edhe mundësinë e shkëmbimeve shkencore, në liri të plotë komunikimi e ndërveprimi.

Panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.

Kryeministri Kurti: Serbia e ka problem faktin që ekzistojmë si popull dhe si shtet

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar lirim të menjëhershëm të qytetarëve kosovarë që janë ndaluar e që po mbahen të bllokuar nëpër kufijtë me Serbinë.

I pyetur nga RTK për veprimet e autoriteteve serbe nëpër kufij, kryeministri Kurti deklaroi që kjo situatë ishte e paralajmëruar nga Serbia, derisa thotë se kjo po bëhet edhe pas suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

“Të dielën ka pasur një deklarim publik nga presidenti i Serbisë, ku është paralajmëruar se do të ketë kësi lloj  arrestimesh e ndalimesh për shqiptarët në vendkalimet kufitare. Ai ka thënë publikisht kur e ka vizituar njësitin e specializuar Kobra të ushtrisë së Serbisë se aty ku kanë kontroll efektiv do të ketë sulme mbi ata që Serbia i konsideron të padëshirueshëm. E këtu e ka fjalën për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe jo vetëm, por gjithashtu edhe për serbët të cilët janë të integruar në institucionet e sistemit tonë. Ndërkaq, pas kalimit me sukses me 82 përqind të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së duket se është përshpejtuar dhe është rritur përmasa e Serbisë, e cila thjesht ka problem me faktin që ne si popull dhe si shtet ekzistojmë”, ka theksuar Kurti.

Këto komente kryeministri i bëri pas homazheve në Poklek në 25 vjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Ai tutje theksoi se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.

“Shumë prej të cilëve mbase i kanë ende në pushtet që asokohe bënin urdhërdhënie e ekzekutim, e këtu nuk e kam fjalën vetëm për presidentin e Serbisë, i cili dihet botërisht se ka qenë ministër i Informacionit. Qindra shqiptarë të ngujuar e të arrestuar nga autoritetet e Serbisë duhet të lirohen menjëherë, qoftë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo kufirin e Serbisë e Kroacisë dhe duhet t’u mundësohet dhënia e ushqimeve dhe medikamenteve, meqenëse për disa prej tyre po bëhen 24 orë që mbahen kësisoj të ngujuar dhe në mesin e atyre qindrave janë me dhjetëra fëmijë, e të cilët sigurisht se vuajnë më së shumti këtë gjendje kriminale që është bërë me urdhërdhënie nga Beogradi”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se nëse dëgjohet me vëmendje se çfarë ka thënë presidenti i Serbisë kur e ka vizituar njësitin Kobra, aty do të mund të kuptohet se ajo që po ndodhë sot ka qenë e paralajmëruar.

10 vjet nga vdekja e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerësKronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tijErendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. / KultPlus.com

Arrestohet administratori i grupit “Albkings”, reagon Haxhiu: Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të administratorit të grupit “Albkings” që sipas saj ky ishte grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë.

“Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë “Albkings”. Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave.

Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura”, ka shkruar ministrja.

Sipas Haxhiut, dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona.

“Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje.

Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani”, shkruan ministrja Haxhiu. / KulPlus.com

Hapet audicion për filmin “Vdekja e një të pafajshmi” me regji të Visar Morinës

Është hapur audicion për filmin e metrazhit të gjatë “Vdekja e një të pafajshmi” të regjisorit Visar Morina, ku janë ftuar të gjithë aktorët dhe jo aktorët që të marrin pjesë në këtë audicion që do të mbahet me 27 prill.

Sipas njoftimit, kërkohen burra të moshës 35 deri në 75 vjeçar dhe gra të moshës 30 deri në 75 vjeç.

Për të aplikuar është e nevojshme që të dërgohen disa të dhëna personale ku përfshihen emri, mbiemri, mosha, një fotografi, CV dhe gjatësia e trupit.

Data e fundit për aplikim është 23 prill 2024. / KultPlus.com