Arrestohet administratori i grupit “Albkings”, reagon Haxhiu: Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të administratorit të grupit “Albkings” që sipas saj ky ishte grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë.

“Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë “Albkings”. Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave.

Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura”, ka shkruar ministrja.

Sipas Haxhiut, dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona.

“Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje.

Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani”, shkruan ministrja Haxhiu. / KulPlus.com

Hapet audicion për filmin “Vdekja e një të pafajshmi” me regji të Visar Morinës

Është hapur audicion për filmin e metrazhit të gjatë “Vdekja e një të pafajshmi” të regjisorit Visar Morina, ku janë ftuar të gjithë aktorët dhe jo aktorët që të marrin pjesë në këtë audicion që do të mbahet me 27 prill.

Sipas njoftimit, kërkohen burra të moshës 35 deri në 75 vjeçar dhe gra të moshës 30 deri në 75 vjeç.

Për të aplikuar është e nevojshme që të dërgohen disa të dhëna personale ku përfshihen emri, mbiemri, mosha, një fotografi, CV dhe gjatësia e trupit.

Data e fundit për aplikim është 23 prill 2024. / KultPlus.com

“20 Ditë në Mariupol” në Kino Armata

Më 30 prill në orën 18:00 në Kino ARMATA mbahet panel diskutimi dhe shfaqet filmi dokumentar fitues i çmimit Oscar “20 Ditë në Mariupol” (“20 Days in Mariupol”).

Pas hapjes së ekspozitës “Ukraina: Një krim lufte” (në Qendrën Barabar), do të mbahet një diskutim mes Svetlana Bachevanova, kuratore dhe botueses së librit të njëjtit titull dhe Brendan Hoffman, fotograf me renome i vendosur në Ukrainë.

Audienca ftohet të zhytet në fuqinë e rrëfimit vizuel në kohë krize gjersa eksplorojmë narrativat pas “Ukraina: Një krim lufte,” libër dhe ekspozitë vizituese që përfshinë punën e mbi 90 fotografëve pranë 30 rrëfime dëshmitarësh të pushtimit rus të Ukrainës dhe krimet e luftës të kryera në tokën ukrainase.

Libri “Ukraina: Një krim lufte” përfshinë mbi 360 fotografi mbërthyese së bashku me 30 rrëfime dëshmitarësh, duke ofruar dëshmi të dorës së parë të pushtimit rus të Ukrainës. Nëpërmjet thjerrëzave të këtyre fotoreporterëve të talentuar, ekspozita kap realitetet e tmerrshme të konfliktit, krizën humanitare dhe ndjekjen e pamëshirshme të drejtësisë për krimet e luftës të kryera në tokën ukrainase.

Pas panelit, do të shfaqim “20 ditë në Mariupol”, një dokumentar i vlerësuar me çmimin Oscar, që ndjek udhëtimin e guximshëm të gazetarëve ukrainas të bllokuar në qytetin e rrethuar. Shikuesit ftohen të shohin angazhimin e tyre të papërkulshëm për të dokumentuar mizoritë e pushtimit rus, një dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor.

Kjo ngjarje është pjesë e ekspozitës “Ukraina: Një krim lufte” që tregon punën e jashtëzakonshme të 93 fotoreporterëve nga e gjithë bota. Nga 29 prilli deri më 17 maj, mund të zhyteni në mbi 360 fotografi të fuqishme dhe 30 rrëfime dëshmitarësh, duke hedhur dritë mbi konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë tek Qendra Barabar në Prishtinë.

Prodhuar nga FotoEvidence dhe mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor, në bashkëpunim me Qendrën Barabar, kjo ekspozitë shërben si një mjet jetik për avokim dhe mobilizim. Lejoni që kjo ekspozitë të frymëzojë dialogun, të nxisë ndjeshmërinë dhe të nxisë mbështetjen për popullin e Ukrainës në kërkimin e tyre për drejtësi dhe shërim. Pas turneut në Tiranë dhe Prishtina, ekspozita do të vazhdojë rrugëtimin e saj në kryeqytetet tjera ballkanase./KultPlus.com

Hyrja falas në parqet arkeologjike Shkodër-Lezhë, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, hyrja në parqet arkeologjike Shkodër-Lezhë do të jetë falas.

Kjo është një mundësi e mirë për të eksploruar historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore.
DRTK Shkodër ftoi që të shfrytëzohet 18 prilli, si një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar dhe përjetuar trashëgiminë tonë, në harmoni me natyrën, historinë e kulturën.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve mbahet më 18 Prill çdo vit në mbarë botën. Qëllimi është të ndërgjegjësohemi për diversitetin e trashëgimisë kulturore, cenueshmërinë e vendeve dhe monumenteve dhe të bëhen përpjekjet e nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre./ atsh / KultPlus.com

Fatmir Toci promovon librin “Arbëreshët- Shqiptarët e Italisë”

Me 24 prill do të organizohet promovimi i librit të Fatmir Tocit “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë”,, në Akademinë e Shkencave.

Libri me titull “Arbëreshët- Shqiptarët e Italisë: vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit” ka tërhequr vëmendje akademike.

Nën moderimin e botueses Irena Toci për librin do të diskutojnë figura të njohura si profesor Shaban Sinani dhe profesor Rexhep Qosja.

Gjithashtu do të marrin pjesë akademik Rami Memushaj, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Romë, njëkohësisht autori i librit, Fatmir Toci.

Presidentja Osmani: Ata që kanë urdhëruar masakrën e Poklekut kanë marrë medalje nga Vuçiqi

Me rastin e 25 vjetorit të masakrës në fshatin Poklek i Vjetër të Komunës së Drenasit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë homazhe pranë varreve të të vrarëve, derisa u shprehën se ky përvjetor është ndër më të rëndit për Kosovën.

E para e vendit, Vjosa Osmani tha se masakra në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme dhe mizore që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave e foshnjave.

Ajo tha se kryerësit e krimeve, jo vetëm që nuk janë dënuar, porse po marrin medalje e po promovohen nga Aleksandër Vuçiq. Osmani theksoi se thirrja për çdo përvjetor është të vihet drejtësi për kriminelët, që shtoi se dihen me emër e mbiemër.

“Sot më 17 prill është një prej përvjetorëve më të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë nga masakrat e kryera ndaj civilëve e këtu në Poklek, është ndër masakrat më të tmerrshme, më mizore, një holokaust për nga ngjashmëria dhe mizoria, që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave, njerëzve të pambrojtur, ndaj foshnjave gjashtë muajshe. Në Poklek, në shtëpinë që do ta vizitojmë së shpejti, janë djegur disa herë radhazi civil, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës. Janë ekzekutuar foshnjet siç e thashë edhe fëmijë të cilët e tëra çfarë donin dhe prisnin ishin të jetojnë të sigurtë, të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Viktima më e vogël e kësaj masakre kishte emrin Liri, gjashtë muajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe liria por edhe gjitha familja e saj do ta bënin në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë. Në këtë përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi. Ata që kanë urdhëruar për këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër. Qendra për të Drejtat Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë dite ishte në krye të forcave policore, që kanë djegur dhe ekzekutuar këto familje. Por, për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë dënuar, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë“, tha Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sot po bëhen 25 vjet nga masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Kosovë.

Ai potencoi se para 25 vjetëve, në Poklek ndodhi një prej akteve më të rënda të gjenocidit që Seria kreu mbi popullatën civile të Kosovë. Konjufca tha se vrasja e 25 fëmijëve në këtë masakër, tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit të Kosovës.

“Po bëhen 25 vjet prej kur ka ndodhur njëra nga masakrat më të tmerrshme në Republikën e Kosovës. Pra, këtu 25 vjet më parë ndodhi një prej akteve të rëndë të gjenocidit që Serbia okupatorë i kreu mbi popullatën tonë civile. Nga 54 që i vrau, 25 ishin fëmijë, këtu në Poklek, gjë që e tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët që t’i vrajë Serbia? Të vetmin faj në thonjëza, që ata e kishin ishin pse ishin shqiptarë. Kjo ishte arsyeja pse ishin ekzekutuar ata, gjë që tregon se qëllimi përfundimtar i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë. Kurse ne, jo vetëm që e kujtojmë me pikëllim këtë masakër, por edhe ndihemi të poshtëruar si popull meqenëse nuk erdhi kurrë drejtësia për këto krime që i kryen forcat e armatosura serbe të ushtrisë dhe policë”, tha Konjufca./ Express / KultPlus.com

Shpallen katër librat finalistë të Çmimit të Përkthimit “Fjala Fest” 2024, mes tyre edhe “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë

Katër librat finalistë të Çmimit të Përkthimit “Fjala fest” 2024 dhënë nga Albania Letteraria, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe DEP janë:

“Flama” nga Tom Kuka me përkthim nga Valentina Notaro në 2022, “Diktatori i Kryqëzuar” nga Mira Meksi me përkthim nga Giovanna Nanci (Bonanno;2023)

“Pallati i Ëndrrave” nga Ismail Kadare me përkthim nga Liljana Cuka dhe “Kinostudio” e Gëzim Qëndro me përkthim nga Caterina Zuccaro.

Fituesi për përkthimin më të mirë nga shqipja në italisht do të shpallet me 6 Maj dhe ceremonia e çmimeve do të mbahet ditën e diel të 19 Majit në Milano në kuadër të FjalaFest, edicionit të parë të Festivalit të Letërsisë shqipe./atsh/KultPlus.com

“Lonely Planet”: Berati mes kështjellave, kanioneve dhe maleve të shenjta

Shumica e turistëve që udhëtojnë në Berat, në jug të Shqipërisë, mahniten me qendrën historike dhe Kalanë e tij, një vendbanim i lashtë i banuar ende sot. Sigurisht, qyteti ia vlen të vizitohet, shkruan Francesca Massotti në botimin italisht të “Lonely Planet”.

Planifikoni një udhëtim në Shqipëri dhe përjetoni aventura të paharrueshme në rrethinat e asaj që konsiderohet unanimisht një nga skenat më të bukura në Ballkan.

Xhamitë, manastiret dhe aventurat në kanione

Ju mund të shijoni ushqimin tradicional dhe origjinal në fermat e zonës, të bëni ekskursione në malin e Tomorrit, malin e shenjtë të vendit.

Legjendat dhe malet e shenjta

Një vend është magjik kur origjina e tij lidhet me legjendat. Ky është rasti i Beratit, një qytet në jug të Shqipërisë.

Thuhet se dy vëllezër, Shpiragu dhe Tomorri, duke u grindur për një vajzë me të cilën ishin të dy të dashuruar, luftuan për vdekje për të konkurruar për të.

Tomorri përdori shpatën për të luftuar, ndërsa Shpiragu u përgjigj me flakë.

Nga historia e tyre lindën malet mes të cilëve ndodhet ky qytet i trashëgimisë së UNESCO-s: Mali i Shpiragut që duket i prerë në feta dhe Tomorri me gropat e tij të mëdha.

Vajza e pikëlluar për fatin e dy vëllezërve derdhi lotë të shumtë të cilët sipas legjendës i dhanë jetë Osumit, lumit që sot ndan në dysh qendrën historike.

Veçanërisht mali i Tomorrit dominon zonën dhe shoqëron udhëtarët gjatë udhëtimeve të tyre në këtë zonë të Shqipërisë.

Është një mal i shenjtë, jo vetëm për shkak të legjendës, por edhe sepse është vendi ku çdo vit, në fund të gushtit, besimtarët bektashinj mblidhen për pelegrinazh, një vëllazëri islame me origjinë sufiste e themeluar në shekullin e XIII – ende e përhapur në të gjithë gadishullin ballkanik dhe në Turqi – e cila e ka selinë e saj në Tiranë (Qendra Botërore Bektashiane, e inauguruar në 2015).

Shije tradicionale

Në rrëzë të malit, në fshatin Roshnik, Alpeta Agroturizëm është një bujtinë e zemrës.

E krijuar fillimisht si bodrum vere në vitin 1994, ndër të parat në Shqipëri, që nga viti 2018 ka qenë një fermë dhe restorant dhe në tavolina shërbehen gatimet më të mira të gastronomisë vendase.

Është gjithashtu një bazë e shkëlqyer për të eksploruar mjedisin ose bërë kajak në pellgun afër pronës. Por arsyeja kryesore pse njerëzit vijnë këtu është dhe mbetet një. Në fakt, dy, ushqimi dhe vera.

Perime nga kopshti, byrekë të shijshëm të mbushur me djathë dhe mish dhie që rritet në shpatet e malit Tomorr, makarona të përgatitura vetë dhe shumë të tjera.

Gjithçka këtu është lokale, sezonale dhe e freskët, sipas traditës më të mirë shqiptare.

Ndër të gjitha verërat spikat Pulëz, një verë e bardhë e bërë nga rrushi me erë, e cila të kujton “Chardonnay”.

Mes vreshtave dhe kanioneve

Në rrethinat e Beratit nuk mungojnë bodrumet e verës.

Qyteti, në fakt, është në një pozicion ideal për rritjen e rrushit: toka është gëlqerore dhe klima është e butë. Dielli dhe sasia e duhur e shiut alternohen në mënyrë të përkryer.

Nuk është çudi që bodrumet më të rëndësishme të verës në Shqipëri – mes tyre, Veraria Çobo, Kantina Nurellari dhe Kantina Pupa – ndodhen pikërisht këtu.

Ata që e duan adrenalinën duhet të vizitojnë Kanionet e Osumit, të gdhendur pranë lumit me të njëjtin emër, 53 kilometra në juglindje të Beratit.

Formacionet shkëmbore, kalimet, ujëvarat dhe shpellat ngjajnë me një miniaturë të grykave të thella amerikane, vetëm se këtu natyra është padyshim më e harlisur.

Kanionet e Osumit janë një parajsë për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë: ecjet në shtigjet përgjatë kanioneve.  Një panoramë që është e vështirë të harrohet!

Berati, muze në natyrë

Duke u ngjitur përgjatë brigjeve të lumit, më në fund do të mbërrini në Berat – qyteti i dritareve të mbivendosura.

Fjala kyçe këtu është të humbasësh. Minaret, drunjtë, kryqet dhe manastiret fshihen mes rrugëve labirintike të këtij muzeu të hapur, i cili sipas UNESCO-s është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave.

Dy lagjet që përbëjnë shpirtin historik të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, ndahen nga Osumi dhe janë shtëpia e shtëpive të lashta tradicionale, kopshteve me lule, kishave dhe xhamive të heshtura, si dhe muzeume interesante.

Ashtu si Muzeu Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore – Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi as edhe një hebre nazistëve.

Muzeu tjetër i rëndësishëm në Berat, Onufri kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, është i mbyllur brenda mureve të Kalasë së Beratit.

Për ta arritur atë, ngjitesh në majë të kalasë duke ecur përgjatë rrugëve të heshtura me kalldrëm. Gjithçka duket një magji.

Mjafton të vizitoni Kishën e Trinisë së Shenjtë, e vendosur në kodrën pas mbetjeve të kështjellës, për ta kuptuar këtë. Nga këtu mund të shijoni një pamje të gjerë të luginës. / atsh / KultPlus.com

https://www.lonelyplanetitalia.it/articoli/itinerari-di-viaggio/tra-castelli-canyon-e-monti-sacri-a-berat-in-albania

Turisti gjerman dhe shishet e plastikës

(Rrëfim çartaqejfas)

Po bënim shëtitjen e mëngjesit buzë detit… Kishte pak njerëz. Një burrë në moshë ulur në një karrige plazhi na përshëndeti. Ia kthyem pa ditur se kush është dhe vazhduam ecjen. Në kthim përsëri na u ballafaquan shikimet. Burri me mjekër më përngjau në një piktor të Prishtinës, që e njoh, por nuk ia di emrin. Më ndodh shpesh kjo gjë, prandaj e pashë të udhës t’i flisja. “Më dukeni fytyrë e njohur”, i thashë dhe prisja të më thoshte: “Jam filani nga Prishtina a nga Peja”, por doli krejt e kundërta.

Personi me të cilin na takoi rastësia nuk ishte shqiptar, por gjerman.

Më pyeti në dija gjermanisht a anglisht, unë i thashë jo, “French” dhe filluam bisedën në  frëngjisht. Më tha se kishte tri javë që ishte në Shqipëri, se kishte qenë në Sarandë e Butrint, në Shkodër e Lezhë, për t’u vendosur në kamp këtu në Tale dhe se kjo ishte dita e tij e fundit në këtë vend.

Mësova se emrin e kishte Gert dhe se vinte nga Bohumi. “Aha, Bohum, i thashë, qytet i bukur,  ka një Universitet të njohur dhe njihet edhe për ekipin e futbollit”. Gjermanit i erdhi mirë dhe buzëqeshi. Ndërkohë arriti edhe e shoqja me ca gjëra në duar. Po bëheshin gati të hanin mëngjes buzë detit, mëngjesin e fundit në Shqipëri. Gruaja, një
gjermane sykaltër dhe e qeshur, e bukur edhe në moshë të shtyrë, quhej Elvira. Që të dy ishin pensionistë, sikurse edhe ne, unë dhe ime shoqe, Flutura. Gerti kishte punuar profesor në një shkollë të mesme në Bohum dhe ishte 76 vjeç, siç tha vetë. “Qenkemi moshatarë”, i thashë, duke e shqiptuar këtë fjalë edhe në shqip, në trajtën gege:
“mocanikë”. Dy moshatarë, njëri shqiptar, tjetri gjerman, që të dy mjekërbardhë!

Po bisedonim prej në këmbë, aty buzë detit, ku çifti gjerman po shijonte çastet e fundit nën rrezet e diellit dhe aromën e Adriatikut.

U thamë se jemi nga Prishtina dhe se edhe ne sot, pas pak, do të niseshim për në vendin ku jetojmë. Gerti me gruan që kishin shëtitur botën, nuk kishin qenë në Kosovë dhe ne i ftuam ta vizitojnë Republikën e Kosovës (e përdora me qëllim emërtimin zyrtar), që nuk ka det, por ka bjeshkë të mrekullueshme dhe njerëz bujarë.

“Nesër do të kthehemi për në Gjermani, duke kaluar nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia e Austria, por shpresojmë një ditë të vijmë edhe në Kosovë…”.

I pyetëm si kanë kaluar dhe a u ka pëlqyer Shqipëria dhe vendi tek janë vendosur, plazhi i Tales. “Mirë, shumë mirë, vend i bukur, por jo sa duhet i pastër”, tha burri, turisti nga Bohumi dhe hodhi shikimin nga plazhi i gjerë përplot me shishe plastike e mbeturina të tjera.

“Një gjë nuk e kuptoj, shtoi, përse gjithë këto shishe pastike? Pse ndodh kjo?!”.

Nuk dita ç’t’i them në çast dhe m’u kujtuan sakaq fqinjët e mi në Ulpianë që pinë duhan dhe i gjuajnë pakot e cigareve për dritare. Herë-herë edhe shishet e birrës a kanaçet.

Turisti gjerman shprehu habinë për këtë veprim dhe më pyeti përsëri: “Pse?”.

Elvira qëndronte pranë të shoqit dhe buzëqeshte. Edhe ajo dhe ime shoqe e ndiqnin bisedën, sepse kuptonin frëngjisht sa për t’u marrë vesh.

Çështje kulture dhe edukate, desha t’i them, sepse s’mund të quhet ndryshe kjo sjellje, por e zbuta pak, duke i zëvendësuar fjalët “kulturë dhe edukatë” me “shprehi e keqe”.

Dhe m’u kujtua një ngjarje e freskët e para pak ditëve.

Një ditë a dy para nisjes për në Shqipëri bëra fjalë me një “kojshiken” time duhanxhie pikërisht për këtë çështje. Dola rastësisht në dritare dhe e pashë me cigare në gojë tek llafoste me dikë, kurse pranë saj katër pako të zbrazura cigaresh të hedhura në park, në barin e gjelbër, që të katra të njëjta, që do të thotë të hedhura nga e njëjta dorë.

“Kush po i gjuan këto sende në park?”, i thashë.

“Çka je kah flet, kojshi, ma ktheu me pafytyrësi, a unë, a?!”

“Nuk thashë se ti, por dikush po dhe unë ty po të shoh këtë çast me cigare në gojë!”.

E hoqi cigaren nga goja dhe duke tundur thonjtë e gjatë të lyer me llak, më tha: “Hajt, allahile, k’qyr punën tande!”.

U detyrova ta mbylli dritaren dhe të kthehem në dhomë për ta “k’qyrur punën time”, ndërkohë që ime shoqe dhe im bir më qortuan pse bëj fjalë me njerëz për punë që nuk janë të miat.

M’u rishfaq e gjallë kjo skenë teksa bisedoja me çiftin gjerman nga Bohumi aty në plazhin e Tales.

“Nuk e kuptoj pse ndodh kjo?”, thoshte gjermani duke parë shishet e plastikës në çdo cep. Habitet Herr Gerti, sepse ai nuk arrin ta kuptojë se ne nuk jemi gjermanë, por ballkanas, shqiptarë dhe se do të na duhet edhe shumë kohë për ta krijuar vetëdijen se duhet të kujdesemi për mjedisin ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona, pra ta ruajmë pastërtinë edhe jashtë pragut e jo vetëm brenda.

U përshëndetëm me miqtë tanë gjermanë, duke u uruar rrugë të mbarë dhe vazhduam ecjen duke shkelur mbi rërën e butë të plazhit, të “stolisur” me plastikat që ia kishin vrarë, me të drejtë, sytë gjermanit. / KultPlus.com

Marsh protestues në Pejë për Gjyljeta Ukellën, vajza e saj i prin marshit

 

Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në Pejë pas ngjarjes së rëndë tragjike që ndodhi dje ku Gjylejta Ukella u v*ra nga bashkëshorti i saj, kanë organizuar për sot MARSH PAQËSOR PROTESTUES, me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”.

Marshi që ka filluar nga ora 11:00 nga Qendra e qytetit vazhdon tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë.

Edhe një herë, bëhet thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore. Mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm!’-thuhet nga organizatori. Marshit i ka pri vajza e të ndjerës e cila shihet në gjendje të rënduar emocionale, teksa i janë bashkuar edhe shumë figura politike e institucionale lokale. / KultPlus.com

EBC sjell brendin Keune në Kosovë, kujdesi profesional i flokëve asnjëherë më afër

Ne jemi Keune, brend profesional i kujdesit të flokëve nga Amsterdam, ndërtuar mbi besnikërinë ndaj stilistëve të flokëve. Me 100 vjet përvojë tani distribuimi i brendit në Kosovë është nën ombrellën e EBC Distribution.

Për artistët e vërtetë të ngjyrave. Keune Color është përgjigja e vetme e ëndrrave për flokët dhe ngjyrat.

Me Tinta Color: nga të kuqet e ndritshme deri te mbulimi i plotë i fijeve gri. Me tonerët dhe glazurat e Semi Color deri te fijet e bukura blonde me serinë e Ultimate Blonde. Çfarëdo që keni me mendje Keune Color e ofron atë.

Seminari i brendit Keune me edukatorë të çertifikuar do të organizohet në Kosovë me datën  17.04.2024 në ora 18:00 në Hotel Sheraton Marigonë për të gjithë stilistët e flokëve. 

@keune.kosova

Sopranoja Elbenita Kajtazi godet televizionet e Kosovës: Transmetoni muzikë klasike që nuk ka të bëjë aspak me të mbajturit zi

Sot është shpallur ditë zie në Kosovë, këtë vendim e mori ditën e djeshme presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore

Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë. Njëri rast ndodhi në Ferizaj, e tjetri në Pejë. Në rastin e parë i dyshuar është ish-bashkëshorti i e në rastin e dytë bashkëshorti i viktimës. Situata po cilësohet si alarmante nga të gjithë, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave.

Një reagim e ka bërë sot edhe sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi e cila ka vlerësuar se koncertet e muzikës klasike të cilat janë përzgjedhur për tu transmetuar sot në televizionet e Kosovës, nuk kanë të bëjnë aspak me të mbajturit zi. Ajo gjithashtu një pjesë të fajit për atë se çfarë po ndodhë në shoqërinë tona, duke ju referuar dy vrasjeve të fundit të grave, ja hedh pikërisht televizioneve që sipas saj çdo ditë servojnë në ekran degjenerim, çka po ndikon në shkatërrimin e identitetit edukativ dhe kulturor të të rinjve tanë.

“Sot, meqenëse është ditë zie, disa nga televizionet tona kanë vendosur të transmetojnë koncerte të muzikës klasike që nuk kanë të bëjnë aspak me të mbajturit zi!

Unë ju them atyre: vazhdoni dhe transmetoni degjenerimin që servoni çdo ditë në ekranet televizive, e që ndikon negativisht tek gjeneratat e reja!

Edhe ju jeni fajtorë për shkatërrimin e identitetit edukativ dhe kulturor të të rinjve tanë!”, shkruan sopranoja Kajtazi. / KutPlus.com

“Shitësi”: Odisejadë moderne e njohjes dhe rikthimit te vetja midis vorbullës temporale dje/sot

Recension mbi romanin “Shitësi” të Andrin Aliut, nga studiuesja letrare, Rrezartë Morina.

Ngjizja e letërsisë mbi substratin multidimensional të përftuar nga realiteti dhe procesi kompleks i të jetuarit është një dukuri e pashmangshme e artit dhe procesit krijues. Që nga pikëpamja aristoteliane mbi imitimin e realitetit si instinkt natyror të njeriut, edhe letërsia sipas po kësaj pikëpamjeje lind e frymëzuar prej proceseve jetësore, prej vetë kompleksitetit të qenies dhe interaktivitetit, jo rrallë konfliktuoz, me ambientin, shoqërinë, jetën.

Mbi një logjikë të tillë, duke marrë krahë nga një kontekst i përcaktuar i një rreziku identitar, social, politik, kulturor të popullit shqiptar të Kosovës në njërën anë dhe vetë kompleksitetit të qenies në anën tjetër, autori i ri në botën e letrave shqipe, Andrin Aliu, gdhend po këtë realitet, duke sjellë një roman në të cilin pasqyrohet konflikti, kriza identitare e qenies njerëzore përplasur në vorbullat e një të kaluare të trishtë plot humbje, zhgënjim (referuar luftës në Kosovë) dhe përpjekjes për ndërtimin e një identiteti të ri.

Me personazhe që luftojnë midis binomit kontrastiv e kaluar/e tashme, “Shitësi” artikulohet si një roman brenda të cilit manifestohet odisejada e përhumbjes, kërkimit dhe përpjekjes për rikthim te vetja brenda kornizës së një shoqërie dhe një Kosove reflektuar brenda një diversiteti prizmash kohorë e kulturorë, manifestuar si preokupim i personazheve të romanit për anomalitë shoqërore, politike, kulturore, religjioze, psikologjike të popullit shqiptar ndër periudha historike. Ndaj, ndanë konfliktit internal të qenies për ta rikthyer identitetin, romani shpërfaq një portret të përgjithshëm të shqiptarit, vë në pah frymën e trashëguar, si vazhdim i një shoqërie tradicionale dhe identitetin e kësaj shoqërie në kohët moderne.

Me një titull minimal e nominativ, ky roman e nis rrugëtimin si mishërim i përçapjeve të rëndomta ekonomike e sociale të një familjeje prej dy anëtarësh, për t’u shndërruar në mishërim të përsiatjeve filozofike, psikologjike e identitare të një grupi personazhesh (në mënyrë simbolike një nocioni të tërë). Kështu, romani që hapet me familjen e vogël të Zgjimit, nxënës gjimnazi që për ta mbështetur financiarisht të ëmën u përvishet gjetjes së disa punëve, gradualisht nis e përthith personazhe të reja, që përmes një lidhjeje simbiotike e plotësojnë njëri – tjetrin. I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të qenë i dobishëm, Zgjimi pranon të angazhohet si shitës dyqani në fillim, mirëpo gjithçka ndryshon me angazhimin e tij si mirëmbajtës pallati dhe shitës akulloresh duke katalizuar dromcat e para të dinamikës së ngjarjeve në roman. Puna e shitësit dhe mirëmbajtësit që në fillimet e romanit manifestohet si burim financiar për familjen e Zgjimit, gradualisht merr një funksion kompleks, konotativ, duke u transformuar në burimin shpirtëror që në qendër ka të kaluarën e Zgjimit – përkujtimin dhe depërtimin për ta njohur më thellë figurën krenare të të atit dëshmor pikërisht përmes njerëzve të lidhur me profesionet që ushtron. Takimi me xha Murselin (Refikun), Fazilen (Florën) e Mustafain, dy të parët të implikuar me profesionin që ushtron Zgjimi, kthehet në katalizatorin e shpërfaqjes së të kaluarës. Duke qenë të tre miq të ngushtë të të atit dëshmor të Zgjimit, bashkë me ta zgjohet e kaluara dhe po këtu nis krisja, dyshimet e kriza identitare e këtyre tri personazheve mes dy kohëve: e kaluar/e tashme. Brenda krizës për mbijetesë të Zgjimit, vihet përballë kriza për jetesë, rikthimi në jetë i tri personazheve miq të babait të Zgjimit, duke provuar rëndësinë ekzistenciale. Të dalë nga një luftë mizore (lufta e fundit në Kosovë), me përjetime makabre, gati apokaliptike, identiteti i këtyre tri personazheve del i gjymtuar, duke krijuar një situatë kontrastive me të kaluarën e lavdishme. Përballë së kaluarës së lavdishme, simbol i një miqësie plot sinqeritet, idealeve filozofike e vendosmërie atdhetare të patundur të personazheve, ribashkimi i tyre në një të tashme, brenda konturave të lirisë, sjell si produkt një grup të çalë, përfaqësues të dyshimit (Murseli), zhgënjimit (Fazilja) e pendesës (Mustafai). Midis një transformimi fatal identitar, i vetmi element neutral kthehet reflektimi i Gëzimit (babai i Zgjimit), që vjen përmes të birit si element balancimi, vetë përzgjedhja e emrit të të cilit është indicie, e zgjimit të së kaluarës, kërkesës e thirrjes për reflektim, për rigjetje të vetes midis përhumbjes dhe frikës për të gjurmuar në të kaluarën.

Por, midis kësaj përplasjeje kohore e kaluar/e tashme, zgjidhja e vetme mbetet rigjetja paradoksale përmes heshtjes, harrimit e kamuflazhit identitar:

      Do të jemi sërish bashkë,
kur të bëhemi dikush tjetër

Ky mendim i shprehur që në parahyrje të romanit manifestohet si paralajmërim i gjithë odisejadës dhe e paraqet të kaluarën në dy fytyra inverse:

a) e kaluara bashkon përmes evokimit të kujtimeve plot ëndje

b) e kaluara ndan përmes evokimit të fatkeqësive

Midis këtij kontrasti të së kaluarës, e vetmja zgjidhje mbetet heshtja, fshehja brenda një identiteti të ri. Ndaj, Mustafai që ende ruan emrin e së kaluarës mund ta shijojë ribashkimin me shoqërinë e vjetër vetëm në suaza të kamuflazhit identitar të Refikut e Florës, tashmë të identifikuar si Mursel e Fazile, në të kundërtën çdo kthim në të kaluarën është evokim i fatkeqësisë dhe si rrjedhojë edhe krisje e grupit.

Përtej krizës identitare dhe qetësisë që siguron kamuflazhi, heshtja dhe e vërteta iluzive e krijuar dhe pranuar nga të dy palët e grupit, romani bëhet një muze brenda të cilit ruhen tablo të shoqërisë dhe vetë Kosovës në dy pamje: Kosova e luftës dhe Kosova e paqes.

Me penelatë të trashë, autori Aliu, me rrëfimet e vendosura në gojën e personazheve ilustron finesa të një të vërtete historike të Kosovës, duke ekspozuar mizanskena të dëbimit, mizorisë serbe e sidomos me theks në masakrën e burgut të Dubravës, masakër kjo që tjetërson personazhet e veprës, qoftë si humbje fizike (vrasja e Gëzimit, babait të Zgjimit) a qoftë përhumbje shpirtërore, identitare e individuale (krizat post-traumatike që vazhdojnë t’i shfaqen Murselit/Refikut si dëshmitar i kësaj ngjarjeje). Këto mizanskena, të përshkruara herë – herë me imtësi, bëhen reflektim i atdhedashurisë dhe altruizmit për atdhe. Ngjizur tragjicitetit të vrasjeve, brenda këtij portreti të Kosovës së luftës shkëlqen heroizmi dhe trimëria e popullit shqiptar, megjithatë për t’u davaritur në tabllot e Kosovës së paqes.

Bashkëdyzimi tragjizëm e heroizëm i kohës së luftës lë pas vetëm tragjizmin dhe kritikat për një shoqëri të kohës së pavarësisë. Rrëmimi nëpër të gjitha poret e jetës së shoqërisë sonë përfton një portret të Kosovës së paqes që konstruktohet mbi një varg kritikash karshi gjendjes politike, religjioze, shoqërore e ekonomike të vendit. Duke vënë theksin në varfërinë shoqërore, lakminë, egoizmin, hipokrizinë e harbutllëkun e përfaqësuesve të politikës e punëdhënësve, romani përpiqet të japë një pamje besnike të realitetit të vendit, pa lënë anash këtu shqetësimet e natyrës globale (ndryshimet klimatike, katastrofat arkitekturore si degradim i natyrës e ambientit). Brenda imazhit të Kosovës moderne, romani nuk ngurron shqyrtimin e temave tabu – bisedat e Zgjimit me Gresën mbi homoseksualitetin, incestin (që tejkalon diskutimin duke u kthyer në vepër të realizuar); revolta e heshtur që shfaq gjyshi i Zgjimit me rrëfimin e tij mbi pamundësinë për t’u shkolluar janë momentume të cilat, pavarësisht gjykimit me një ton kritik të Zgjimit, pasqyrojnë nevojën e lirisë individuale si vlerë.

E nëpër kornizat e një morie tabllosh të peizazheve urbanistike e rurale të Kosovës ndryhen emocionet e konceptet filozofike, të katalizuara prej personazheve kryesore të veprës, duke përftuar universalitet në roman. Ndjenja e dashurisë përjetuar si glorifikim, koncepti i vdekjes e kalueshmërisë së kohës përjetuar si frikë e dyshim, koncepti i miqësisë manifestuar si vlerë janë motivet që ravijëzohen nëpër disa prej momentumeve kruciale të romanit.

Shpalosja e gjithë multiversit tematik të këtij romani realizohet nëpërmjet një galerie personazhesh, në të cilën gërshetohen një diversitet moshash, gjinish, bindjesh morale, shoqërore e politike duke derivuar në kolorizëm, që nga personazhet që meditojnë mbi kuptimin e fshehtësitë e jetës duke i dhënë jehonë natyrës iluministe (Zgjimi, i ati i Zgjimit, xha Murseli, Fazilja), e gjer në personazhet pragmatike, ekzistenca e të cilave vibron vetëm brenda përditshmërisë (xha Faruku, teto Fatimja), duke ndërtuar kështu tipat e personazheve triviale, por të domosdoshme për ilustrimin e realitetit praktik. Mes gjithë këtij diversiteti piketohet odisejada në të cilën brumoset karakteri i protagonistit – Zgjimit. Portretizuar nëpër të gjitha fazat e rritjes, që nga foshnjëria e gjer në adoleshencë, brenda Zgjimit ndryhet qetësia, maturia, mendja kritike e me finesa filozofike, trashëguar prej të atit. Pjekuria që rrezaton përgjatë të gjitha fazave e që jo rrallë ngjallë habi te lexuesi bëhet vula mbi të cilën Zgjimi, jo vetëm se trason të njëjtën rrugë të të atit, por përmbush kushtet për të qenë strumbullari i gjithë odisejadës që ndjekin personazhet e vëna në kërkim të vetes.

Me po aq kolorizëm paraqitet edhe rrafshi temporal i aspektit narrativ të romanit. Duke mbuluar një hapësirë të gjerë kohore e vendore, autori Aliu tregon shkathtësi duke manovruar me kohën në roman, e cila rrëshqet vazhdimisht midis së kaluarës e së tashmes.

Në një multivers ngjarjesh që strukturalisht i ngjan një mozaiku, përmbushur nëpërmjet kujtimeve të së kaluarës dhe ndodhive aktuale të kohës reale të personazheve, aplikimi i analepsave bëhet domosdoshmëri. Përmbushjen identitare personazhet s’kanë se si ta gjejnë pa u kthyer prapa në kohë, ndaj evokimet e vazhdueshme, që shpesh amplifikohen si evokim i shumëfishtë (evokim brenda evokimi) përftojnë pikërisht analepsat zhenetiane të rrëfimit. Këto evokime, derivuar herë si elemente kruciale të funksionalizimit të temës kryesore e herë si digresione – informacione të jashtme plotësuese për personazhet kanë thyejnë identitetin e një romani linear duke i dhënë si rezultat një strukturë komplekse. Për më tepër, loja temporale nuk realizohet vetëm si kthim prapa, mirëpo edhe përmes lëvizjeve proleptike, që manifestohen në roman si paralajmërime për fatin e disa prej personazheve, një lloj profecie që arrin përmbushjen gjer në fund. Në anën tjetër, natyra e romanit që ngrihet mbi një rrugëtim në kërkim të diçkaje ka shtuar momente të suspansës – fati ende i pazgjidhur i grupit, identiteti ende i vagullt i personazheve (Murselit e Faziles) katalizojnë kërshërinë e habinë te lexuesi.

Në një ndërthurje mes analepsash e prolepsash shkrihet edhe një spektër tonesh që varion nëpër të gjitha nuancat që nga toni emotiv (gjer në krajatat emocionale të Zgjimit si rezultat i humbjes së papritur të së ëmës), për të ravijëzuar në tonin serioz (burim i gjykimit të ftohtë dhe racional të personazheve), satirik e kritik (teksa vë në shpoti anomalitë e secilës hallkë jetësore në Kosovë) e gjer në atë humoristik (përmes nuancave të humorit, si ilustrim i çiltërsisë familjare).

Përgjithësisht, me një spektrum divers tonesh e stilesh që përshkruajnë në imtësi pamje e ndjesi; me një strukturë komplekse që end rrëfimin nëpër dimensione diverse kohore gjer në përftimin e produktit final, ky roman bëhet portret i përpjekjes së individit për t’u mbijetuar plagëve të së kaluarës. Derisa penelatat e holla, ngjyer brenda koncepteve psikologjike frojdiste e filozofike, i bëjnë jehonë individit që kërkon të jetojë, qoftë edhe duke harruar e duke qenë i harruar, penelatat e trasha deskriptive të vendit tonë japin përfundimisht imazhet besnike ku përplasen glorifikimi për shoqërinë fisnike të së djeshmes me mllefin për shoqërinë hipokrite të së tashmes. / KultPlus.com

Në Teatrin Metropol vjen shfaqja për fëmijë “Të kujt janë këpucët?”

Në Teatrin “Metropol”, në Qendrën Kulturore Tirana do të shfaqet “Të kujt janë këpucët?”, një tregim për fëmijë 3-12 vjeç nga Imelda Baglady.

Kjo është historia e ndjeshme e rivalitetit mes motrave në botën e Imelda Baglady. Eldamina dhe Madelina, dy motra në një udhëtim emocionesh dhe dashurie.

Eldamina, e madhja, adhuron të kërcejë si Hirushja, madje mbajti edhe këpucët e famshme prej qelqi! Por gëzimi i saj hijezohet nga xhelozia ndaj motrës së saj të vogël.

Ndërsa Imelda Baglady, me një karakter unik, përcjell rrëfimin, duke ndërtuar histori rreth objekteve të saj të dashura, përfshirë një palë këpucë të veçanta, pretenduar se janë nga Hirushja.

Në një moment zemërimi, Eldamina hedh këpucët e çmuara në liqen, duke shkaktuar ngjarje që ndryshojnë jetën e familjes së tyre.

Udhëtimi i Eldaminës për të gjetur këpucët çon në një realizim emocionues të dashurisë për motrën e saj të vogël, duke ia dhuruar në fund këpucët e Hirushes./tema/KultPlus.com

Vajza që e do poezinë

Ndue Ukaj

Ajo lindi në ditën kur s’duhej.
Qyteti kundërmonte aromë të keqe,
zogjtë kishin ra në qetësi të detyruar
e aroma e luleve ishte mbytë nga duhma e shurrës.

Vetëm zhurma e aeroplanëve dëgjohej
dhe shushurima e korit të kohës,
ku vend zënë politikanë me xhepat plot parulla.

Koha ikën.
Mes nesh kryelartë rri jeta jote
e ëndërruar çdo natë.
E ne të hutuar shikojmë sytë e saj si pikturohen nëpër vite,
ato kujtime të shpërndara si flokët e shprishura në trupin tënd.
Pastaj shtrojmë pyetje të shumta,
pyetje të cilave u mungojnë përgjigjet.
Ditëve kur shfaqen njerëz me shikime të mjegullta
dhe duar të ngritura kah qielli që kërkojnë mëshirë.

Në qytetin e saj ka shumë bërllok.
Ajo e do poezinë, por s’ i lexon përrallat patriotike.
Ajo i pi kafet e zeza, por me një gotë raki.
Ajo e ka fustanin e zi, por mendjen e bardhë si bora.

Oh ç’predikime dëgjon ajo me veshët e bukur,
dhe sytë e stuhisë që i shohin përtej mureve.
Ajo bën plane për të nesërmen,
por fustani i kapet në një gozhdë.

Pastaj qetësisht kërkon fundin e gjërave pa e gjetë rrugën e daljes.
Dhe kështu i shterret fjala
e shtegton nëpër imagjinatë,
e në vetmi kërkon Kullën e Babelit
dhe në një ditë me mjegull të dendur
sheh si tullat i përplasen
nëpër gishtërinjtë e saj të hollë. / KultPlus.com

Deputetja shqiptare e Maqedonisë së Veriut në KiE ia përmendi Serbisë vrasjen e familjes Jashari

Deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Arta Bilalli-Zeneli në debatin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u shqyrtua raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ia ka përmendur Serbisë, vrasjen e 56 anëtarëve të familjes Jashari, brenda një dite, duke thënë se nga Asambleja mund t’i dërgojnë një sinjal asaj familje dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Deputetja Bilalli-Zeneli ka thënë se nuk pajtohem me mendimet se ky anëtarësim do të krijojë konflikte të reja në Evropë.

Duke e mbështetur kërkesën për anëtarësim të Kosovës në KiE i japim sinjal se ata do t’i bashkohen familjes evropiane

“Të dahsur kolegë a është themeluar kjo organizatë për të parandaluar luftërat në mes të popujve në Evropë, të gjithë pajtohemi që po, pra komentet se ky anëtarësim do të provokojë konflikte të mëtejme në Evropë, nuk tingëllon mirë dhe nuk është i përshtatshëm dhe është në kundërshtim me qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Të gjitha shtetet demokratike dhe organizatat ftojnë për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimit tim, ky anëtarësim do të përforcojë, do të shtyjë përpara këtë dialog sepse do t’i kemi dy palë të barabarta në dialog dhe barazia është një vlerë thelbësore e Këshillit të Evropës. Në 1999, një ish ministër i Francës ka thënë se po të ishte një çmim nobel për liri, atëherë do t’i jepej familjes Jashari në Prekaz, sepse është një familje ku 56 anëtarë të familjes janë vrarë brenda një dite të vetme. Familja Jashari nuk e ka marrë çmimin nobel por duke e mbështetur këtë raport dhe këtë kërkesë për anëtarësim, do t’iu japim një sinjal se ata do të kenë një karrige dhe do t’i bashkohen familjes së madhe evropiane të cilës ata i përkasin”, tha ajo. / KultPlus.com

Sot ditë zie në Kosovë, në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e sotme,  17 prill të shpallet ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë. Njëri rast ndodhi në Ferizaj, e tjetri në Pejë. Në rastin e parë i dyshuar është ish-bashkëshorti i e në rastin e dytë bashkëshorti i viktimës. Situata po cilësohet si alarmante, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një reagim, ka thënë  se femicidi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.

“Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb”, tha Osmani të martën.

Osmani tha se duhet të rizgjohemi kundër këtij fenomeni pasi nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur.

Ajo tutje i bëri thirrje të gjithëve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore, pasi një gjë e tillë po e njollosë shtetin dhe mund ta shkatërrojë atë nga brenda.

“Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore i cili siç e përmenda po e njollosë shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda. E kemi detyrë që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë dhe qytetarët”, ka thënë Osmani.

Gjatë ditës së hënë dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë. Në marshin e organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.

Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan. / KultPlus.com

Reuters për Akil Gjakovën: Fituesi i 62 medaljeve, në kërkim policor për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e publikut për ndihmë në lokalizimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është akuzuar për dhunë në familje, për këtë rast ka shkruar edhe Reuters.

“Policia e Kosovës po kërkon nga të gjithë qytetarët që kanë informacion për lokacionin e të dyshuarit të njoftojnë stacionin më të afërt policor”, ka thënë policia përmes një njoftimi publik me foton e Gjakovës të bashkëngjitur, pa dhënë detaje për akuzat.

Mediat lokale më herët kanë raportuar se gruaja e tij e ka paraqitur rastin në polici.

Gjakova, 28-vjeç, ka fituar 62 medalje në xhudo, përfshirë gjashtë arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare, dhe pritej të merrte pjesë në lojërat olimpike Paris 2024.

Federata e Xhudos e Kosovës ka thënë se është në kontakt me Gjakovën dhe besojnë në pafajësinë e tij, duke thënë se ai ishte jashtë vendit dhe do të dorëzohet para autoriteteve porsa të kthehet.

Urdhri për arrest ndaj Gjakovës vjen teksa vendi u trondit kur një burrë vrau gruan e tij të martën, pak kohë pas një femicidi tjetër të premten e kaluar kur një burrë vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj. / KultPlus.com

Faza përzgjedhëse e festivalit ‘Gurra Folk Fest’

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për të gjashtin vit radhazi, organizon Festivalin Folklorik “Gurra Folk Fest”, një garë folku midis shkollave të mesme të Qarkut të Vlorës. Festivali “Gurra Folk Fest” aktualisht është në momentet e fazës përzgjedhëse për edicionin e tij të 6-të.

Ditën e djeshme, në Livadhia, Bashkia Finiq, u realizua takimi seleksionues i shkollave të mesme, për bashkitë: Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq. Rreth 150 nxënës u ngjitën në skenën “Katina Papa”, Livadhia, veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, si dhe me performancë të lartë artistike, duke elektrizuar gjithë sallën.

DRTK Vlorë falenderoi mësuesit dhe nxënësit e të gjitha shkollave, për angazhimin serioz dhe punën, për të sjellë një performancë sa më dinjitoze në skenë. Pjesëmarrje mahnitëse dhe performanca të shkëlqyera sollën shkollat:

“Bido Sejko”, Konispol;

“Lefter Talo”, Livadhia;

“Sulejman Delvina”, Delvinë;

“Hasan Tahsini”, Sarandë;

“Dea-2001”, Sarandë;

“Antoni Athanas, Sarandë./atsh/KultPlus.com

‘I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër’, kronika e paharrueshme e George Orwell

Në vitin 1928, 25 vjeçari Eric Arthur Blair vendoset në Paris, kryeqyteti i kulturës botërore dhe destinacioni i shumë shkrimtarëve dhe artistëve, të pasur dhe të varfër, nga e gjithë bota. Një incident i pakëndshëm i ndodh shkrimtarit të ri, që e zhyt në mjerim, në uri dhe në kërkim të punëve të rëndomta. Shkrimtari, që më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi në këtë mënyrë të eksploronte Parisin dhe, më pas Londrën, nga statusi i “skllavit të skllavit” dhe prej syve të endacakut. 

I botuar fillimisht në vitin 1933, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër u bë një udhërrëfyes klasik i dy metropoleve të mëdhenj dhe një analizë e mprehtë sociale e politike e viteve ’30. Ky është libri që besohet se caktoi edhe pikën e kthesës së Orwellit, nga fëmija e një familjeje me mirëqenie dhe i arsimuar në shkollën e elitës Eton, në luftëtar për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. 

Kjo është hera e parë që ky libër vjen në gjuhën shqipe.

Pak nga jeta e autorit

Eric Arthur Blair (25 qershor 1903 – 21 janar 1950) ishte një romancier, poet, eseist, gazetar dhe kritik anglez i cili shkroi nën emrin e stilolapsit të George Orwell. Vepra e tij karakterizohet nga proza ​​e kthjellët, kritika sociale, kundërshtimi ndaj totalitarizmit dhe mbështetja e socializmit demokratik.

Orwell prodhoi kritikë letrare, poezi, letërsi artistike dhe gazetari polemike. Ai është i njohur për novelën alegorike Ferma e Kafshëve (1945) dhe romanin distopian Nëntëmbëdhjetë Tetëdhjetë e Katër (1949). Veprat e tij jo-fiction, duke përfshirë Rrugën drejt Wigan Pier (1937), duke dokumentuar përvojën e tij të jetës së klasës punëtore në veriun industrial të Anglisë dhe Homage to Catalonia (1938), një rrëfim i përvojave të tij në ushtar për fraksionin republikan të Lufta Civile Spanjolle (1936–1939), respektohen po aq kritikisht sa edhe esetë e tij mbi politikën, letërsinë, gjuhën dhe kulturën. /Liberale.al/KultPlus.com

Akil Gjakova dorëzohet në Polici në pikën kufitare në Morinë

Xhudisti Akil Gjakova është dorëzuar në Polici në Pikën kufitare në Morinë.

Burime të Tëvë1 bëjnë me dije se Gjakova është dorëzuar në Polici, para pak çasteve, derisa pritet të dërgohet në stacion policor për intervistim.

Gjakova ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës sot pasi i njëjti është raportuar për dhunë në familje nga bashkëshortja e tij.

Bashkia e Durrësit miraton vendimin, Mirush Kabashi merr titullin ‘Qytetar Nderi’ 

Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com

Gati në përfundim të mandatit të tij si drejtor i Filharmonisë, Jashari pritet nga Ministri Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim profesorin dhe dirigjentin Baki Jashari i cili po e përfundon mandatin e tij si drejtor i Filharmonisë së Kosovës.

Ministri Çeku dhe drejtori Jashari bashkë diskutuan për punët e angazhimin e këtij të fundit në institucionin më të lartë të muzikës në vend.

“Ministri e falenderoi për kontributin e tij jetësor në skenën e muzikës klasike dhe atë 18 vjeçar në forcimin e institucionit të Filharmonisë”, thuhet në njoftim.

Deri në shpalljen e konkursit të rregullt, si ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës është emëruar Dardan Selimaj, zyrtar i brendshëm i këtij institucioni, i cili poashtu ishte pjesë e takimit./KultPlus.com

Kryeministri Rama: Mozaikut evropian të Këshillit të Evropës po i mungon Kosova

Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane.

Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti hap historik.

“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, u shpreh Rama.

“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur”.

“Vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë”.