Sekretari amerikan, Antony Blinken viziton sot për herë të parë Tiranën – agjenda e plotë

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, do të vizitojë sot për herë të parë Shqipërinë.

Sekretari Blinken do të jetë për disa orë në Tiranë, para se të marr pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih.

Vizita e tij rreth 10-orëshe pritet të nise në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetëror, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që pritet të jepet do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

ken pritet të takojë edhe kreun e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Duminin. Ndërkohë, në agjendë mungojnë takime me krerë të opozitës.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.

Në Tiranë janë vendosur flamuj amerikanë për të mirëpritur sekretarin amerikan.

Edhe Policia e Shtetit ka përgatitur plan masash për garantimin e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kësaj vizite.

Agjenda e plotë:

Rreth orës 11:00 Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

Ora 13:35 Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe anëtarët e familjes në Tiranë, Shqipëri.

Ora 14:15 Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.

Ora 15:05 Sekretari Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri.

15:35 Sekretari mban fjalime në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “ Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” në Tiranë, Shqipëri.

Ora 16:15 Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.

Ora 17:55 Sekretari merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi mbi Kuadrin për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.

Ora 18:10 Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë, Shqipëri. KultPlus.com

54 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970.

Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm.

Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.

Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës.

Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur./ KultPlus.com

Kur ti fle

Shkruan: Jacques Prévert
Përktheu nga frengjishtja: Ag Apolloni

Kur ti fle

Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.

Ti i mbyll sytë sapo bie n’shtrat
e unë rri e shoh trupin tand të gjatë.
Asht qesharake, po mue m’ban me qajtë
kur shoh se papritun ti nis e qesh.
Ti qesh ndërsa fle.
A thue tash ku je?
Vërtet ku ike që m’le?
Në nji vend tjetër
ndoshta me nji tjetër grue.
Tash ti je me të dhe po qesh me mue.

Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.

Kur ti fle
unë s’e di a m’do përnjimend.
Të kam afër, por jo në këtë moment.
Edhe pse jam zhveshë e për trupi t’u kam mbështetë,
më duket sikur kemi dikend ndërmjet.
E prapë unë rrahjet e zemrës muj me t’i ndëgjue,
edhe pse nuk e di nëse rrahin për mue.
Nuk di asgjâ, jo nuk di mâ.
Uroj që zemra jote të pushojë
atë ditë kur të mos më dojë.

Natën ti andërron,
po unë çka me ba?
Të shoh si andërron
dhe m’vjen me qa’.

Kështu kalon nata e ti zgjohesh në mëngjes
dhe jam unë ajo së cilës ti tash i buzëqesh.
Ti i buzëqesh rrezes, ditës me diell,
e unë due ta harroj atë që e mendoja n’terr.
Ti më drejtohesh si përherë,
duke u shtriqë n’shtrat:
“A ke flejtë mirë?”
E unë ta kthej pa e zgjatë:
-“Po, shpirt, shumë mirë.”
-“Kurse unë të kam pa andërr si çdo natë.” /KultPlus.com

“Martir i gjallë”, Papa Françesku nderon Kardinalin shqiptar, Ernest Simon Troshani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se Papa Françesku e ka nderuar Kardinalin shqiptar, Ernest Simon Troshani, i cili ka qenë i burgosur për tri dekada nga regjimi komunist.

“FOTO e mbrëmjes. Papa Françesku nderoi sot Kardinalin shqiptar Ernest Simon Troshani, “martirin e gjallë” që ka vuajtur për tre dekada torturat e burgjeve komuniste, historia e të cilit përloti Atin e Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri 10 vite më parë”, shkroi Rama në Facebook, raporton Klankosova.tv.

Në fund të Audiencës së Përgjithshme të kësaj jave, Papa Françesku la mënjanë fjalët e tij të përgatitura dhe i ofroi një përshëndetje të gjatë, pa shkrim, një prej vizitorëve të tij, raporton “Vaticannews”.

Pas diskutimit të historisë së martirizimit të krishterë në Romën e lashtë, Papa vuri në dukje se edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën dhe i dha një përshëndetje të veçantë kardinalit Ernest Simoni, të cilin e përshkroi si një “martir të gjallë”.

Fjalët e Papës

Papa Françesku e filloi nderimin e tij për kardinalin Simoni duke iu referuar shumë martirëve të krishterë të varrosur përreth tyre në Vatikan.

“Të gjithë ne kemi lexuar, kemi dëgjuar, historitë e martirëve të hershëm të Kishës”, tha ai. “Edhe këtu, ku është Vatikani tani, ka një varrezë dhe shumë janë ekzekutuar këtu”.

“Por, edhe sot”, theksoi Papa, “ka shumë martirë në mbarë botën: shumë, ndoshta më shumë se në fillim. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”.

Më pas ai prezantoi kardinalin Simoni, duke vënë në dukje se ai “jetoi 28 vjet burg” si rezultat i persekutimit komunist të Kishës në Shqipëri, i cili, tha ai, ishte “ndoshta më mizori” i këtij lloji.

Kardinali Simoni “vazhdon të dëshmojë”, theksoi Papa. “Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar”.

Pas lirimit nga burgu në vitet 1990, Kardinali Simoni i fali rojtarët e tij dhe rifilloi shërbimin e tij si prift, me një fokus të veçantë në promovimin e pajtimit në Shqipërinë postkomuniste.

“I dashur vëlla”, përfundoi Papa Françesku, “të falënderoj për dëshminë tënde”.

Njëzet e tetë vjet burgim

I lindur në fshatin Troshan, në veri të Shqipërisë, në vitin 1928, Ernest Simoni filloi studimet për priftëri brenda urdhrit françeskan kur ishte vetëm dhjetë vjeç.

Në vitin 1948, manastiri françeskan ku ai po qëndronte u godit nga agjentë të regjimit komunist. Fretërit u pushkatuan dhe të tjerët u dëbuan.

Pavarësisht kësaj, Simoni vazhdoi studimet e tij teologjike në fshehtësi dhe u shugurua klandestinisht meshtar në vitin 1956.

Në vitin 1963, pas meshës së Krishtlindjes, Simoni arrestohet dhe burgoset. Ai qëndroi pas hekurave për njëzet e tetë vjet, duke u përballur me izolimin dhe shumë vite punë të rëndë.

Papa Françesku u takua me At Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në shtator 2014 dhe u përlot kur e dëgjoi duke diskutuar për vuajtjet e tij. Pasi u kthye në Romë, Papa vendosi ta bënte priftin e moshuar Kardinal. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Promovohet libri ‘Qyteti dhe letërsia: ese’ i Stefan Çapalikut, konsiderohet udhërrëfyes i mrekullueshëm për qytetin e Shkodrës

Në mesin e shumë adhuruesve të librit është promovuar libri “Qyteti dhe letërsia: ese” i autorit Stefan Çapaliku, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Autori Çapaliku në këtë libër ka sjellë një shtrirje letrare të qytetit të Shkodrës këtu duke përfshirë arkitekturën, pikturën, fotografinë, humorin, zejet dhe gjithçka tjetër që e karakterozon qytetin e Shkodrës, këtu pa harruar edhe tre figurat kyqe të letërsisë shqipe të cilët ishin me prejardhje shkodrane si Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Ernest Koliqin.

Këtë ngjarje e shpalli të hapur panelistja dhe drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç që falënderoi të gjithë për pjesëmarrje, tha se librin perlë sipas saj e kishte lexuar me shumë ëndje, i cili do të shërbej edhe si udhërrëfyes për ata që nuk kanë njohuri mbi qytetin e Shkodrës.

“Stefan Çapaliku është me fat, m’u për faktin që është shkodran, pikërisht për këtë edhe ka zgjedhur të shkruaj për Shkodrën dhe shkodranët. Të shkruash për letërsinë e Shkodrës dhe jo vetëm, dhe për figurat shkodrane, është një privilegj sikurse që e ka pasur Çapaliku. I ndarë në disa kapituj, apo më mirë në disa perla shkodrane ku përfshin arkitekturën, letërsinë, tri figurat kryesore të letërsisë që vijnë nga Shkodra: Gjergj Fishtën, Migjenin e Ernest Koliqin por duke përfshirë edhe figura të tjera të letërsisë, si Kolë Idromeno, Marubi etj, ky libër mund të konsiderohet edhe si udhërrëfyes për të gjithë ara që nuk kanë njohuri për këtë qytet, e sidomos për të huajt” ka thënë Drejtoresha Pajaziti duke shtuar se libri do të duhej të përkthehej së paku në gjuhën angleze në mënyrë që këto informacione  për Shkodrën të mund t’i marrin edhe qytetar nga vende të tjera jashtë trojeve shqiptare.

Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se përmes përshkrimit fantastik dhe në detaje të qytetit, autori ka sjellë para lexuesve Shkodrën, ashtu siç Ismail Kadare e kishte sjellë kafenenë ‘Rostand’ të Parisit,  duke e bërë të njohur edhe te ata që kurrë nuk e kanë vizituar Parisin.

“Stefan Çapaliku ka sjell në pah ndikimin e qytetit në krijimin letrar, që është shumë më i theksuar në ndikimin e Shkodrës te krijuesit letrar dhe jo vetëm. Se qyteti apo një vend i caktuar i qytetit ka një rëndësi të madhe në krijimtarinë e një krijuesi na ka dëshmuar edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili kafen ‘Rostand’ të Parisit e bëri të njohur edhe te ata që kurrë nuk e kanë vizituar Parisin”, tha më tej Pajaziti, duke uruar që të tilla libra të botoheshin edhe për qytetet e tjera të mëdha, në mënyrë që brenda një libri të ketë rrëfime në disa segmente për frymën kulturore të një qyteti.

Panelisti tjetër, Ag Apolloni, po ashtu e ka vlerësuar këtë vepër letrare të autorit Çapaliku duke potencuar se libri “Qyteti dhe letërsia” për të është një goditje qysh në titull, i cili të nxit për të shkruar edhe libra të tjerë me temë të ngjajshme.

“Është një libër që trajton një temë interesante për letërsinë shqipe. Vetë koncepti i relacionit në mes të letërsisë dhe qytetit është shumë domethënës për zhvillimin e letërsisë shqipe. Kur e pash titullin e librit, ngaqë nuk e dija që do ta ketë këtë titull para se të botohej, më shkoi mendja te një kritik i yni shumë i njohur, Arshi Pipa, i cili kur flet për letërsinë e shekullit XX, të vëllimi i trete i Triologjisë ‘Albanika’ thotë që pse letërsia shqipe nuk e ka të zhvilluar temën urbane, kjo sepse të gjithë shkrimtarët janë nga fshati. E thotë sikur me humor, por realisht është kështu. Ta zëmë Fishta ose shkrimtarët e asaj kohe nuk mund të flisnin për epokën e Jazzit në Shkodër, ose për një shfaqje operistike në atë kohë. Kjo pra tregon se pse nuk mund të bëhej një letërsi tipike moderne qysh e bënin autorët evropian, ngase ata kalonin kohë nëpër vende urbane, klube, kafene shumë moderne dhe kjo impononte atë stil shkrimi”, ka thënë Apolloni.

Panelisti Apolloni po ashtu tha se autori si risi në letërsinë shqipe e kishte sjellë edhe trajtimin e temës së varrezave, e cila fare rrallë hasej te autorë të tjerë shqiptarë.

“Stefan Çapaliku e lidh ndjeshmërinë e shkrimtarëve me qytetin e tyre si reflektohet qyteti në veprat e tyre, çfarë rëndësie kanë për qytetin dhe varreza që është një qytet brenda qytetit. Kësaj temës së fundit nuk i kemi kushtuar shumë rëndësi përveç te Kuteli “Midis të gjallëve dhe të vdekurve”. Pra, e rikthen këtë temë dhe e sjellë si diçka që është e pranishme në jetë. Pra, sepse tema e vdekjes është gjithmonë e pranishme në jetë.” ka thënë panelisti Apolloni duke e potencuar si libër që mund të nis diskutime në vazhdimësi, duke nxitur shkrime për qytete tjera të veçanta.

Ndërsa, vetë autori tha se libri bazohet në elemente kulturologjike më shumë se sa në ato letrare, të cilat e karakterizojnë qytetin e Shkodrës.

“Libri mund të ishte thirre edhe ‘Kultura dhe Qyteti’ sepse është një libër kulturologjik më shumë se sa mirëfilltazi një libër që mbështetet te letërsia. Por letërsia ka qenë njëfarë predominancë në kohën kur unë jam përqendruar të flas për qytetin. Qyteti i Shkodrës ka qenë rasti i studimit mund të ketë qenë edhe ndonjë qytet tjetër, por unë nuk i njoh qytetet e tjera, unë njoh Qytetin e Shkodrës”, ka thënë autori.

Ai më tutje tregoi edhe për mënyrën së si e zgjodhi të shkruaj për Shkodrën, për elemente dhe figura të shquara të këtij qyteti.

“Tema për të shtjelluar qytetin ka ardhur te unë në mënyrë graduale. Ato pak ese që unë kam shkruajtur nuk kanë ardhur asnjëherë si një lus letrar, por kanë lindur si shqetësime. Mbaj mend kur kam kryer doktoraturën jam konsultuar me një përkthes par excelance si Gjon Shllaku, ku e kam pyetur çfarë mund të marr për të trajtuar. Kisha shkuar me idenë për Fishtën dhe Lahutën e Malësisë, dhe ai më rekomandoi Satirën e Fishtës, e jo Lahutën. Këtë e kisha vath në vesh sepse satira merret me qytetin. Në të vërtetë Fishta është një poet i qytetit, për shkak ta Satirës dhe jo për shkak të Lahutës” përfundoi ai duke thënë që  libri ka plot gjëra intersante kulturologjike.

Ndërsa profesori Agim Vinca, përveç temës së varrezve tha se edhe tema e barcoletave e përfshirë në këtë libër është një pjesë mjaft interesante

“Tema e barcoletave është shumë interesante, të cilën e kanë edhe qytete të tjera, si Gjakova. Humori ka qenë shumë i rëndësishëm sepse e ka përmbytur seriozitetin. Humori është i shëndetshëm”, ka thënë profesori Vinca.

Në fund të ngjarjes pjesëmarrësit patën mundësi të marrin libra me nënshkrimin e autorit, si dhe të shkëmbenin ndonjë batutë me shkrimtarin shkodran./KultPlus.com

Valentini shqiptar i Pervizit, sot në Klubin e Librit ‘Mësojmë nga e kaluara’

Valentin Previzi dhe e fejuara e tij italiane, Goricia Mamin, lënë Italinë dhe mbërrijnë në Shkodër më 10 tetor 1944.

Mësojnë se familja e Valentinit, djalit të Preng Pervizit, gjeneralit të ushtrisë mbretërore shqiptare, është shpallur “armike e popullit”. Disa muaj më vonë në qytetin e Shkodrës fillojnë arrestimet, burgosjet dhe pushkatimet e para. Në zallin e Kirit ekzekutoheshin me dhjetëra burra pa gjyq, e për të vijuar më pas dhe në lagjet e rrugicat e qytetit, të gjithë të ashtuquajtur “armiq të popullit”.

Në këto kushte Gori pas shumë përpjekjeve riatdhesohet në Itali me besimin së shumë shpejtë çifti do të ribashkohej. Për Valentin Pervizin, si dhe për të gjithë familjen e mbetur nis odiseja e burgjeve dhe internimeve dhe prej gjysmë shekulli ata mbeten larg njëri-tjetrit.

Valentini, pas rënies së regjimit, rigjen Gorin, e cila ende e priste në Bolonjë, në vitin 1991. Kalojnë 8 vite së bashku dhe na lënë si mësim dashurinë e tyre që i mbijetoi errësirës komuniste.

Më 2017 kjo histori erdhi për publikun nga Lek Pervizi, vëllai i Valentinit, në librin “Odiseja e Pafajësisë”, ku me nota autobiografike, historia e familjes së gjeneralit të mirënjohur shkrihet me historinë e errët të Shqipërisë nga viti 1944, deri në vitin 1991.

Ky libër ishte sot, në qendër të diskutimeve të Klubit të librit: “Mësojmë nga e kaluara” me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve të Universitetit “Fan S. Noli”, mësuesve të historisë dhe letërsisë, të arsimit parauniversitar të qytetit të Korçës, si dhe të ftuarve të nderit, Ylber Merdani dhe Eva Pervizi, mbesa e autorit dhe personazhit kryesor.

Nën moderimin e drejtuesit prof. dr. Metin Venxha, i departamentit Histori-Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli”, dhe dr. Brunilda Çërraga, AIDSSH, nisi diskutimi për librin, ku u përcoll mesazhi që njohja e së kaluarës historike edhe nëpërmjet teksteve letrare, të shkruara si histori personale, është një mundësi e shtuar diturie për rinjtë, mësuesit e nxënësit.

Dëshmitar i kohës, Ylber Merdani, “Qytetar nderi” i qytetit të Korçës, ish-i dënuar politik, pas përgëzimeve të rastit për nismën e Klubit të Libri rrëfeu sakrificat e të burgosurve, dhe shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, nën regjimin komunist. Ai vjen nga një familje ku katër breza kanë jetuar nën persekutim dhe trauma. Si i mbijetuar ai vlerëson se të rinjtë duhet ta njohin të kaluarën që ajo të mos përsëritet.

Dr. Orjon Ago, historian dhe zv/dekan i Fakultetit të Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli”, bëri një krahasim të historisë së librit dhe fakteve historike, si dhe theksoi se, ende historia ka nevojë për rishikime bazuar në dokumente dhe dëshmi të tilla që na vijnë nga të mbijetuarit.

Msc. Enxhi Beka, studiuese e historisë në AIDSSH, në analizën e saj sipas këndvështrimit historik u shpreh se romani, “Odiseja e Pafajësisë” nuk është vetëm odiseja e Valentin Previzit në veçanti, apo e familjes së Previzëve në tërësi.

“Por simbolikisht është një “odise pafajësie” e shumë individëve duke filluar që nga një shtetas i thjesht që ka jetuar në vitet e regjimit komunist, e që për regjimin për shumë arsye ishte i papëlqyeshëm e duke vijuar nga figurat apo familjet më erudite të Shqipërisë së asaj kohe që kaluan nëpër një odise vuajtjesh, internimesh, ekzekutimesh e ata që mundën, mbijetese”, tha ajo.

Dr. Nuredin Nazarko, studiues i historisë, tha se është e rëndësishme që e kaluara të mos mbulohet nga rrjedha e kohës.

“Populli që harron historinë është i paracaktuar që ta përsërisë atë. Ende sot ka studentë që nuk dinë saktësisht se çfarë është komunizmi si ideologji dhe çfarë e shkakton. Ideologjitë kanë fuqinë e ideve të mëdha. Komunizmi e përsosi ideologjinë dhe e ngriti në piedestal. Duhet të shohim të vërtetën lakuriqe”, u shpreh ai.

Msc. Leonora Hysolli, pedagoge e departamentit të Letërsisë, Universiteti “Fan S. Noli”, në diskutimin e saj e trajtoi veprën nga pikpamja letrare: “Në libër gjejmë personazhe dhe ngjarje të një kohe të panjohur për lexuesin e ri. Ky libër sjell konceptin e dashurisë së vërtetë, e cila nuk njeh kufinj kohorë dhe gjeografikë.”

Brendon Salih, studiues i historisë, e sheh librin në një qasje paradokse “ku “armiku” që etiketohet vjen nga një kulturë perëndimore për të kontribuar në vendin e vet, por që fatkeqësisht e ndjek një valë persekutimi në regjimin antinjeri”.

Mbesa e Valentinit, Eva Pervizi, në emër të familjes përcolli disa nga ngjarjet e jetës së përbashkët me xhaxhain e saj në internim dhe falenderon AIDSSH që këto histori që vijnë nga e kaluara i kthen në mësime për nxënësit dhe mësuesit e rinj.

Aktiviteti e Klubit të Librit synon pasurimin e platformës “Mësojmë mbi të shkuarën 1944-1991-burime arsimore të hapura”, produkt i marrëveshjes dypalëshe MAS-AIDSSH, e cila ka në fokus njohjen e brezave të rinj, me ngjarje e vende, që dëshmojnë histori dhe realitete të viteve 1944-1991, dhe përfshirjen e tyre në vizita në vende të kujtesës historike.

Historia mbi veprimtarinë e ish-Sigurimit e Shtetit jo vetëm nuk është e përfshirë në asnjë nga programet lëndore apo tekstet shkollore, por edhe mësuesit e rinj në moshë ende nuk i njohin plotësisht të vërtetat e regjimit komunist në vend./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti takon ish-presidentin Sejdiu dhe ish-shefin e UNMIK-ut, Rucker

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka pritur në takim ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun dhe ish-shefin e UNMIK-ut, Joachim Rucker.

Kurti, vlerësoi lart kontributin dhe rolin e Gjermanisë në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Gjatë takimit ish-presidenti Sejdiu e informoi Kurtin për lansimin e autobiografisë së tij të titulluar “Ora e Kosovës”, një vepër që rrëfen përvojat dhe sfidat në udhëheqjen e vendit.

Po ashtu, Sejdiu dhe Rucker, ndanë me kryeministrin detaje rreth ligjëratës që ata mbajtën në Universitetin e Prishtinës, duke u fokusuar në rëndësinë e arsimit dhe ngritjes së brezave të rinj.

“Temë tjetër e diskutimit ishin dhe zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet vendi, veçanërisht në kontekstin e dialogut me Serbinë. Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e qeverisë për të avancuar në këtë proces, në normalizimin e marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, duke ruajtur interesat shtetërore dhe duke promovuar stabilitetin e paqen në rajon”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës transmeton Klankosova.tv/KultPlus.com

Filip Roth interviston Milan Kunderën: Mbretëria e xhelatit dhe e poetit

Kjo intervistë përmbledh dy bisedat që pata me Milan Kunderën pas leximit të një dorëshkrimi të përkthyer të “Libri i  të qeshurës dhe harresës”, biseda e parë ndodhi në kohën kur vizitoi për herë të parë Londrën, e dyta kur bëri vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara. Për këto udhëtime u nis nga Franca; që nga viti 1975, Kundera dhe e shoqja kanë jetuar si emigrantë, në Reennes, ku ai dha mësim në universitet dhe tani në Paris. Gjatë bisedave, Kundera nganjëherë fliste edhe frëngjisht, por më shumë çekisht dhe bashkështorja, Vera, bënte përkthyesen mes nesh. Një tekst përfundimtar në çekisht u përkthye në anglisht nga Peter Kussi.

Intervista është shkëputur nga: “Kuvendime të çlirëta: Një shkrimtar, kolegët dhe vepra e tyre” përmbledhje intervistash të romancierit Filip Roth me shkrimtarë të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ndër shkrimtarët e intervistuar janë Primo Levi, Aharon Appelfeld, Ivan Klima, Isaac Bashevis Singer, Milan Kundera dhe Edna O’Brien. Intervista me Kunderën u zhvillua më 30.11.1980.

Përktheu nga anglishtja Granit Zela

Filip Roth: Mendoni se shkatërrimi i botës do të  ndodh së shpejti?

Milan Kundera: Kjo varet nga çfarë nënkuptoni me fjalën “shpejt”.

Nesër, ose pasnesër.

Ndjenja që bota po rend drejt shkatërrimit është e kahershme.

Pra, nuk ka arsye pse të shqetësohemi.

Përkundrazi. Nëse një frikë ka qenë e pranishme në mendjet e njerëzve për shekuj me radhë, patjetër që këtu ka diçka.

Sidoqoftë, më duket që ky shqetësim është sfondi ku ndodhin të gjitha ngjarjet e historive të librit tuaj më të fundit, edhe i atyre që janë me natyrë të dallueshme argëtuese.

Nëse dikush do të më kishte thënë që fëmijë: “Një ditë do ta shohësh kombin tënd të zhduket nga harta e botës, do ta kisha quajtur një lajthitje, diçka që nuk mund ta imagjinoja dot. Njeriu e di që është i vdekshëm, por për të është një e vërtetë e padiskutueshme që kombi zotëron njëfarë jete të përjetshme. Por, pas pushtimit rus në vitin 1968, çdo çek u përball me mendimin që kombi i tij mund të fshihej sakaq nga Europa, ashtu si gjatë pesë dhjetëvjeçarëve të kaluar 40 milionë ukrainas janë zhdukur nga kjo botë pa u ka kushtuar askush vëmendje. Ose lituanezët. E dini që në shekullin e 17-të, Lituania ishte komb i fuqishëm europian? Sot rusët i mbajnë lituanezët në rezervat si fis gjysmë i zhdukur; i kanë veçuar nga vizitorët për të mos lejuar që njerëzit jashtë të marrin vesh për ekzistencën e tyre. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për kombin tim. Është e sigurt që rusët do të bëjnë të pamundurën ta shpërbëjnë në civilizimin e tyre. Askush nuk e di nëse do t’ia dalin. Por, mundësia ekziston. Dhe vetëm kur e çojmë ndër mend që një mundësi e tillë ekziston, kaq mjafton që të të ndryshojë gjithë kuptimin për jetën. Në kohën e sotme, madje, unë e shoh Europën të brishtë, të vdekshme.

E megjithatë, a nuk janë fatet e Europës Lindore dhe asaj Perëndimore çështje krejtësisht të ndryshme?

Si koncept i historisë kulturore, Europa Lindore është Rusia, me historinë e saj tepër specifike, të ngulitur në botën bizantine. Bohemia, Polonia, Hungaria, ashtu si Austria nuk kanë qenë kurrë pjesë e Europës Lindore. Që në fillim ato kanë marrë pjesë në aventurën e madhe të qytetërimit perëndimor, me Gotikën, Rilindjen, Reformacionin, e cila e ka djepin në këtë zonë. Pikërisht këtu, në Europën Qendrore, kjo kulturë moderne pati shtysat e mëdha; psikanalizën, strukturalizmin, muzikën me dymbëdhjetë tone, muzikën e Bartokut, estetikën e re të veprave të Kafkës dhe Musilit. Aneksimi pas luftës i Europës Qendrore (ose të paktën i pjesës kryesore) nga qytetërimi rus bëri që kultura perëndimore të humbiste qendrën jetike të rëndesës. Është ngjarja më domethënëse në historinë e Perëndimit gjatë shekullit tonë dhe ne nuk mund të mos marrim parasysh mundësinë që fundi i Europës Qendrore shënoi fillimin e fundit për Europën si një dhe e pandarë.

Gjatë pranverës së Pragës, romani “Shakaja” dhe tregimet “Dashuri gazmore” u botuan 150.000 kopje. Pas pushtimit rus, u përjashtuat nga mësimdhënia në Akademinë e Filmit dhe të gjithë librat tuaj u hoqën nga raftet e bibliotekave publike. Shtatë vjet më vonë, bashkë me gruan futët në bagazhin e makinës një grusht libra, disa rroba dhe u nisët drejt Francës, ku jeni bërë një nga autorët e huaj më të lexuar. Si ndiheni si emigrant?

Për një shkrimtar, përvoja e te jetuarit në disa vende është një bekim i madh. Botën mund ta kuptosh vetëm nëse e sheh nga kënde të ndryshme. Libri i fundit që shkrova në Francë, shpalos një hapësirë të veçantë gjeografike: ajo që ndodh në Pragë shihen me sytë e europianëve perëndimorë, ndërkohë që çka ndodh në Francë shihet përmes syve të Pragës. Ka një pikëtakim të dy botëve. Në njërën anë, vendi im i lindjes: në rrjedhën e një gjysmëshekulli, me përjetimin e demokracisë, fashizmin, revolucionin, terrorin stalinist, shpërbërjen e stalinizmit, pushtimi gjerman dhe rus, shpërnguljet në masë, vdekjen e Perëndimit në tokën e vet. Ndërsa po fundoset nën peshën e historisë, botën e sheh me një skepticizëm të pamatë. Në anën tjetër është Franca: për shekuj me radhë ka qenë qendra e botës dhe sot po vuan nga mungesa e ngjarjeve të mëdha historike. Kjo është arsyeja pse Franca ngazëllehet nga qëndrimet ideologjike radikale. Është pritshmëria lirike, neurotike e një bëme të madhe, e cila gjithsesi nuk po ndodh dhe as ka për të ndodhur.

A jetoni në Francë si i huaj, apo kulturalisht ndiheni si në shtëpinë tuaj?

Jam shumë i dhënë pas kulturës franceze dhe i detyrohem shumë. Veçanërisht letërsisë më të vjetër. Rabële është shkrimtari më i dashur. Dhe Didëro. Më pëlqen shumë “Zhak fatalisti” po aq a Lorens Sterni. Ata ishin eksperimentuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave në gjininë e romanit. Dhe eksperimentet e tyre ishin zbavitëse, plot gëzim e hare, nëse mund ta themi kështu, por nuk i gjen më në letërsinë frënge dhe pa këto cilësi në art gjithçka e humbet domethënien e vet. Sterne-i dhe Didëro-i e kuptojnë romanin si një lojë të madhe. Ata zbuluan humorin e formës romanore. Kur dëgjoj argumente skolastike që romani i ka shteruar mundësitë e tij, unë kam ndjesinë krejt të kundërt: në rrjedhën e historisë, romani nuk shfrytëzoi shumë mundësi, për shembull: shtysat për zhvillimin e romaneve të fshehura te Sterne-i dhe Didëro-i nuk janë rimarrë nga pasuesit e tyre.

Libri juaj i fundit nuk quhet roman dhe megjithatë në tekst shpreheni: Ky libër është  roman në formën e variacioneve. Pra, është roman, apo jo?

Sipas gjykimit tim estetik, është roman, por nuk dëshiroj që mendimi im të ndikojë në opinionin e askujt. Në brendi të formës romanore, fshihet një liri e pamasë. Është gabim ta shikosh një strukturë standarte si thelb i pandryshueshëm i romanit.

Megjithatë, me siguri që ka diçka e cila e bën romanin të jetë roman dhe që e kufizon këtë liri.

Një roman është një shkrim i gjatë sintetik në prozë mbështetur në lojën me personazhe të krijuar. Këta janë kufijtë e vetëm. Me termin “sintetik” kam ndër mend dëshirën e romancierit për ta ngërthyer temën nga të gjitha anët dhe në tërësinë më të plotë të mundshme. Eseja ironike, narrativa romanore, fragmenti autobiografik, fakt historik, fluturimi i fantazisë: fuqia sintetike e romanit është e aftë të kombinojë gjithçka në një tërësi të njësuar, si në muzikën polifonike. Uniteti i një libri nuk ka nevojë të burojë nga subjekti, por mund të arrihet nëpërmjet temës. Në librin tim më të fundit, ka dy tema të tilla: e qeshura dhe harresa.

 E qeshura ka qenë përherë afër jush. Librat tuaj shkaktojnë të qeshurën nëpërmjet humorit ose ironisë. Kur personazhet tuaj fillojnë të brengosen, kjo ndodh sepse përplasen me një botë që e ka humbur sensin e humorit.

Vlerën e humorit e mësova gjatë kohës së terrorit stalinist. Atëherë isha 20 vjeç. Arrija ta dalloja këdo që nuk ishte stalinist, të cilit nuk duhej t’i trembesha, nga mënyra si buzëqeshte. Sensi i humorit ishte shenjë e besueshme dallimi. Që prej atëherë më tmerron një botë e cila po e humbet sensin e humorit.

Në librin tuaj të fundit, përfshihet diçka tjetër. Në një parabolë të vogël ju e krahasoni të qeshurën e engjëjve me të qeshurën e djallit. Djalli qesh, sepse atij bota e Zotit i duket e pakuptimtë. Engjëjt qeshin me gëzim, sepse gjithçka në botën e Zotit ka kuptimin e vet.

Po. Njeriu përdor të njëjtat reagime fiziologjike – të qeshurën – për të shprehur dy qëndrime të ndryshme metafizike. Dikujt i bie kapela mbi arkëmortin e futur në një varr të sapohapur, funerali e humbet kuptimin dhe lind e qeshura. Dy të dashuruar rendin nëpër lëndinë të kapur për dore dhe duke qeshur. E qeshura e tyre nuk ka fare të bëjë me shakatë apo humorin. Është e qeshura serioze e engjëjve që shprehin gëzimin e të jetuarit. Të dyja llojet e të qeshurit hyjnë te kënaqësitë e jetës, por kur tregon një apokalips të dyfishtë: si në rastin e të qeshurës entuziaste të engjëj fanatikë, të cilët janë aq të bindur për domethënien e botës së tyre, sa janë gati të dënojnë me varje këdo që nuk gëzon si ata. Dhe e qeshura tjetër, që dëgjohet nga ana e kundërt, e cila shpall se gjithçka është bërë krejt e pakuptimtë, që madje vetë funeralet janë qesharake dhe seksi në grup thjesht një pantomimë komike. Jeta njerëzore është e kufizuar nga dy humnra: nga njëra anë fanatizmi dhe nga ana tjetër skepticizmi absolut.

Ajo që ju tani e quani e qeshura e engjëjve, është termi i ri për një “qëndrim lirik ndaj jetës” në romanet tuaj të mëparshëm. Në një nga librat tuaj ju e përshkruani  epokën e terrorit stalinist terror, si mbretëria e xhelatit dhe poetit.

Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, por edhe ëndrra e parajsës – drama e lashtë e një bote ku të gjithë do të jetonin në harmoni, të bashkuar nga një qëllim dhe besim i  përbashkët, pa sekrete nga njëri-tjetri. Edhe André Breton-i e ëndërronte për këtë parajsë kur fliste për shtëpinë prej xhami ku gjakonte të jetonte. Nëse totalitarizmi nuk d t’i shfrytëzonte këto arketipe, të cilat janë thellë brenda të gjithëve ne  dhe të rrënjosura thellë te të gjitha fetë, nuk mund të tërhiqte kurrë aq shumë njerëz, veçanërisht gjatë fazave të para të ekzistencës së tij. Megjithatë, sapo ëndrra për parajsën fillon të bëhet realitet, aty-këtu njerëzit fillojnë të ngrenë pengesa dhe kështu udhëheqësit e parajsës duhet të ndërtojnë një gulag të vogël përbri Edenit. Me kalimin e kohës ky gulag rritet gjithnjë e më i madh dhe më i përsosur, ndërkohë që parajsa përbri bëhet gjithnjë e më e vogël dhe e varfër.

Në librin tuaj, poeti i madh francez, Elyar, ngrihet mbi parajsë dhe gulag duke kënduar. A është origjinale kjo pjesë historie që përmendni në libër?

Pas luftës, Pol Eluard hoqi dorë nga surrealizmi dhe u bë përfaqësuesi më i madh të asaj që mund ta quaj “poezia e totalitarizmit.” Ai i këndoi vëllazërimit, paqes, drejtësisë, të nesërmes më të mirë; i këndoi për miqësinë dhe kundër izolimit, për gëzimin dhe kundër errësirës, për pafajësinë dhe kundër cinizmit. Kur në vitin 1950, udhëheqësit e parajsës e dënuan me varje mikun e Elyarit në Pragë, surrealistin Zalvis Kalandra, Eluarld-i i ndrydhi ndjenjat e tij të miqësisë, për hir të idealeve mbi-vetjake dhe deklaroi publikisht miratimin për dënimin e shokut të tij. Xhelati vriste, ndërkohë që poeti këndonte. Dhe jo vetëm poeti. E gjithë periudha e terrorit stalinist ishte periudha e delirit kolektiv lirik. Kjo tashmë është harruar plotësisht, por është thelbi i çështjes. Njerëzve u pëlqen të thonë: Revolucioni është gjë e bukur, vetëm terrori që buron prej tij është i keq. Por, kjo nuk është e vërtetë. E keqja tashmë është e pranishme te e bukura; ferri është në ëndrrën për parajsën dhe nëse duam të kuptojmë thelbin e ferrit, duhet të shqyrtojmë thelbin e parajsës prej nga e ka zanafillën. Është jashtëzakonisht e lehtë të dënosh gulagët, por t’i kundërvihesh poezisë së totalitarizmit që të shpie drejt gulagut, përmes udhës së parajsës është më e vështirë se kurrë. Në ditët e sotme, njerëzit në mbarë botën e kundërshtojnë pa mëdyshje indenë e gulagëve, edhe pse janë ende të gatshëm të hipnotizohen nga poezia totalitariste dhe të marshojnë drejt gulagëve të rinj nën ritmin e të njëjtit avaz lirik të luajtur nga Elyari, kur u ngrit mbi Pragë, si kryeengjëlli madhështor me lirë, ndërkohë që tymi i trupit të Kalandrës u ngrit drejt qiellit nga oxhaku i krematoriumit ku digjej. 

Te proza juaj duket karakteristike përballja e vazhdueshme e privates me publiken. Por, jo në kuptimin që historitë betjake ndodhin sfond politik, as që ngjarje politike kapërcejnë kufijtë e jetëve vetjake Përkundrazi, ju vazhdimisht tregoni që ngjarjet politike drejtohen të njëjtat ligje si ato të ngjarjeve vetjake, aq sa proza juaj është një lloj psikoanalize e politikës.

Metafizika e njeriut është e njëjtë, si në sferën vetjake, ashtu edhe në atë publike. Le të marrim temën tjetër: harresën. Ky është problem i madh vetjak i njeriut: vdekja si humbje e vetvetes. Por, çfarë është vetvetja? Shuma e gjithçkaje që mbajmë mend. Pra, ajo që na tmerron te vdekja nuk është humbja e së shkuarës. Harresa është një formë vdekjeje përherë e pranishme në jetë. Ky është problem i heroinës sime, e cila përpiqet gjithë dëshpërim të ruaj kujtimet nga i shoqi i saj i dashur. Por, harresa  është problem i madh edhe i politikës. Kur një fuqi më e madhe do t’ia heqë një vendi të vogël ndërgjegjen kombëtare, ajo përdor harresën e organizuar. Pikërisht kjo po ndodh tani në Bohemi. Letërsia bashkëkohore çeke, për aq vlerë sa ka, nuk është botuar për dymbëdhjetë vjet. Dyqind shkrimtarë çekë janë të ndaluar, përfshirë të ndjerin Franz Kafka. Njëqind e dyzetë e pesë historianë çekë janë larguar nga postet që mbanin, historia është rishkruar, monumentet janë shkatërruar. Një komb që humbet vetëdijen për të kaluarën dalëngadalë humbet veten. Dhe kështu situata politike ka ndriçuar mizorisht problemin e zakonshëm metafizik të harresës me të cilën përballemi gjatë gjithë kohës, çdo ditë, pa i kushtuar vëmendje. Politika heq maskën metafizikës së jetës personale ndërsa jeta personale i heq maskën metafizikës së politikës.

Në pjesën e gjashtë të librit tuaj, heroina kryesore, Tamina, arrin në një ishull ku ka vetëm fëmijë. Në fund ata e ndjekin deri në vdekje. Është kjo ëndërr, përrallë, apo alegori?

Për mua asgjë nuk është më e huaj sesa alegoria, një histori e trilluar nga autori për të ilustruar një tezë. Ngjarjet, qoftë realiste apo imagjinare, duhet të jenë domethënëse në vetvete dhe mendohet që lexuesi të joshet nga fuqia dhe poezia e tyre. Ky imazh më ka përndjekur gjithmonë dhe gjatë një periudhe të jetës më dilte vazhdimisht në ëndërr: Një njeri i cili gjendet në një botë me fëmijë, nga e cila nuk ikën dot. Dhe papritur fëmijëria, të cilën të gjithë i këndojmë me tone lirike, dhe e adhurojmë, na shfaqet hapur si tmerr i mirëfilltë. Si kurth. Kjo histori nuk është alegori. Por, libri im është një polifoni në të cilën histori të ndryshme shpjegojnë, ndriçojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ngjarja themelore e librit është historia e totalitarizmit, i cili i privon njerëzit nga kujtesa dhe në këtë mënyrë i shndërron në një komb fëmijësh. Këtë e bëjnë të gjitha sistemet totalitare. Dhe ndoshta këtë e bën edhe epoka jonë teknike, me kultin për të ardhmen, me moskokëçarjen për të shkuarën dhe mosbesimin ndaj mendimit. Në mes të një shoqërie të trazuar rinore, një i rritur i pajisur me kujtesë dhe ironi, ndihet si Tamina në ishullin e fëmijëve.

Pothuajse të gjithë romanet tuaja, secila prej pjesëve të librit tuaj të fundit, gjejnë zgjidhje  në skena të mëdha aktesh seksuale. Edhe ajo pjesë që mban emërin e pafajshëm të “Nënës” është vetëm një skenë e gjatë me tri lloje aktesh seksuale, me prolog dhe epilog. Çfarë do të thotë seksi për ju si romancier?

Në ditët tona, kur seksualiteti nuk është më tabu, thjesht përshkrimi, rrëfimi thjesht seksual është bërë tejet i mërzitshëm. Sa i vjetëruar duket Lawrence, apo edhe Henri Miller, me lirizmin e veprimeve të pahijshme! E megjithatë, disa pjesë erotike të Zhorzh Batajt (George Bataille) më kanë lënë shumë përshtypje. Ndoshta sepse nuk janë lirike, por filozofike. Keni të drejtë kur thoni që tek unë gjithçka mbaron me skena të mëdha erotike. Kam ndjesinë që një skenë e dashurisë fizike hedh një dritë tejet të fortë, e cila papritur zbulon thelbin e personazheve dhe përmbledh gjendjen e jetës së tyre. Hygo bën dashuri me Taminën, ndërkohë që ajo përpiqet dëshpërimisht të mendojë për pushimet e humbura me të shoqin e dashur, tashmë të ndjer. Skena erotike është vendi ku synojnë të gjitha temat e historisë dhe ku ndodhen sekretet e saj më të thella. 

Në fakt, pjesa e fundit, e shtata, merret vetëm me seksualitetin. Pse mbyllet libri me këtë pjesë e jo me një tjetër, si për shembull me të gjashtën, më dramatiken, në të cilën  heroina vdes?

Tamina vdes, nëse shprehemi metaforikisht, mes të qeshurës së engjëjve. Nga ana tjetër, nëpërmjet pjesës së fundit të librit, jehon një tjetër lloj e qeshure, ajo që dëgjojmë kur gjërat humbasin kuptimin. Ka njëfarë vije ndarëse imagjinare përtej së cilës gjërat duken të pakuptimta dhe qesharake. Njeriu  pyet veten: A nuk është e pakuptimtë për mua të ngrihem në mëngjes? Të shkoj në punë? Të rropatem për gjithçka? T’i përkas një kombi vetëm sepse kam lindur në atë mënyrë? Njeriu jeton afër këtij kufiri dhe fare lehtë mund të gjendet në anën tjetër. Ky kufi ekziston kudo, në të gjitha fushat e jetës njerëzore dhe madje në atë që është më e thellë dhe më biologjike nga të gjitha: seksualiteti. Dhe pikërisht, sepse është zona më e thellë e jetës, pyetja që shtrohet për seksualitetin është më e thella. Ja pse libri im i variacioneve nuk mund të përfundojë me tjetër variacion.

Atëherë, është kjo pika më e largët ku ka arritur ndonjëherë pesimizmi juaj?

Jam i lodhur me fjalët “pesimizëm” dhe “optimizëm”. Një roman nuk pohon asgjë; por hulumton dhe ngre pyetje. S’e di nëse kombi im do të zhduket, dhe as se cili nga personazhet e mi ka të drejtë. Unë trilloj histori, i vë përball njëra me tjetrën dhe kësisoj ngre pyetje. Marrëzia e e njerëzve vjen nga pyetjet që kanë për gjithçka. Kur Don Kishoti doli nëpër botë, bota u shndërrua në mister para syve të tij. Kjo është trashëgimia e romanit të parë europian për tërë historinë e mëvonshme të romanit. Romancieri mëson lexuesin të kuptojë botën si pyetje. Ky qëndrim mbart urtësi dhe tolerancë. Në një botë të mbështetur në siguri të shenjta, romani është i vdekur. Bota totalitare, qoftë e mbështetur te Marksi, qoftë tek Islami apo çdo gjë tjetër, është më shumë një botë përgjigjesh sesa pyetjesh. Aty, romani nuk ka vend. Në çdo rast, mua më duket se në të gjithë botën njerëzit në ditët e sotme parapëlqejnë më shumë të gjykojnë, se të kuptojnë, të përgjigjen më shumë se të pyesin, aq sa zëri i romanit mezi dëgjohet mes marrëzisë së zhurmshme të sigurive njerëzore./Exlibris/KultPlus.com

Hesse, ose poet, ose asgjë

Një prej shkrimtarëve më të shquar gjermanë të shekullit të njëzetë, Herman Hesse u lind më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Shtutgartit dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Përveç shkrimeve në prozë, ai shquhet si poet me më shumë se 680 poezi, të përmbledhura këto në 12 vëllime. Se një ditë do të bëhej shkrimtar, ai e kishte të qartë, por tjetër gjë shihnin prindërit tek ai. Sipas tyre, duhej të bëhej klerik, si ata vetë: i ati punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, ndërsa e ëma ishte bijë e një misionari. Në këto kushte, poeti u rrit në një familje me tradita të forta fetare. Në vitin 1891, prindërit e dërguan në seminarin protestant “Maulbronn”. U largua vetëm pas disa muajsh, pasi nuk mund ta duronte edukimin kristian.

Brenda vetes, ai ishte i vendosur: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë!” Por, rruga nëpër procesin krijues, për të qe një odise e vërtetë. Hesse ndërroi disa shkolla dhe nuk mundi të përshtatej, ndaj në një fazë depresive, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, u përpoq të vriste veten. Më vonë, ai punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate për kulla, si dhe në librari.

Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon kështu interesin mbarë-botëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe. ”

Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike, politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu, një nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, Hesse u bë qytetar zviceran, ndërsa më 1946 iu akordua çmimi “Nobel” në letërsi…/Hejza/KultPlus.com

Komuna e Prizrenit dhe UNDP fillojnë një Projekt për Promovim të Turizmit

Në përpjekje të përbashkët për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të sektorit privat, Komuna e Prizrenit dhe UNDP në Kosovë nënshkruan marrëveshje për të zbatuar një projekt që do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në qytet.

Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queiros, theksoi se qëllimi i tyre nuk është thjesht të rrisin numrin e vizitorëve por, i një rëndësie vendimtare është të sigurojnë që rritja e turizmit të reflektohet në përfitime të qarta për ekonominë vendase dhe sektorin privat.

“Duke rigjallëruar modelet tradicionale të biznesit, ne synojmë të ndërtojmë një themel ekonomik të qëndrueshëm që mund të përshtatet dhe të lulëzojë. Ky partneritet i fundit plotëson bashkëpunimin që daton më shumë se 10 vjet në mes të UNDP-së dhe Komunës së Prizrenit dhe është një testament për atë që ne mund të arrijmë së bashku. Unë besoj fuqimisht se së bashku do të nxisim potencialin e plotë të Prizrenit si destinacion kryesor për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, vuri në pah rëndësinë e projektit, duke thënë se zhvillimi i turizmit në Prizren është një mundësi e mirë për ta stimuluar ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke rritur nivelin e cilësisë së jetesës së banorëve.

“Investimi në infrastrukturën turistike dhe promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit, domosdo tërheq vizitorë dhe forcon ekonominë lokale. Prioriteti i zhvillimit të turizmit përputhet me aspiratat tona për t’u bërë një destinacion i njohur, duke kontribuar në zhvillimin rajonal dhe njohjen ndërkombëtare të Prizrenit”./KlanKosova/KultPlus.com

Komuna e Prizrenit

Ekspozita ‘Gjilpëra’ në Galerinë FAB

Galeria FAB është gati për t’i  hapur dyert artdashësve të cilët do të ndjekin ekspozitën e artistes së re Artemisa Çullhaj. Ekpozita është kuruar nga Najada Hamza dhe do të qëndrojë e hapur nga 15 shkurti deri më 27 shkurt, pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.

Artemisa dhe “Gjilpëra” siç titullohet ekspozita, i kanë fillesat në atelierin e tekstilit. FAB shkruan në faqen e saj online se, premisa estetike dhe intelektuale e artistes, puna ndër vite bërë me pasion dhe vullnet të epërm, ndërtoi një profil artistik me fjalor dhe identitet personal krijues, bazuar në një shtresëzim historik e kulturor, të vjetër e të thellë sa jeta. Sipas galerisë, veprat tek “Gjilpëra” shfaqin lëndën në një format tejet elegant, ku dashuria dhe koha bëhën një, e zgjasin sa një përjetësi.

Dalja përtej formatit dhe mediumit të veprave të përzgjedhura, duke mbivendosur në telajo të buta prerë në format e trupit njerëzor pikturat e mjeshtrave të mëdhenj, është një akt bashkëkohor i cili shton një element të ri të ndërveprimit fizik me veprën e artit. Vepra që lënë dyert e muzeumeve për t’u veshur e marrë identitete të reja në lëvizje, imazhe të njohura që përtej pasarelave janë copëza arti që përcjellin mesazhin e vlerës së qëndrueshme./atsh/KultPlus.com

‘Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare

Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë

O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com

Shkodra i bashkohet Tuzit të Malit të Zi në festimet e karnavaleve

Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve.

Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunë.

Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj.

Në emër të bashkisë Shkodër, Nënkryetari Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.

Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme që ka nisur që nga viti 1996. Artistët kanë interpretuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të marrë pjesë do të ketë shumë surpriza në datat 23-24-25 Shkurt./TopChanel/KultPlus.com

Nga sot qytetarët mund të raportojnë degradimin mjedisor online

Sot, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me dymbëdhjetë organizata partnere lansoi platformën digjitale që promovon aktivizmin e gjelbër në komunitet, www.kdi-green.org. Me lansimin e kësaj web-platforme, të gjithë qytetarët e vendit nga sot do të kenë një mjet shtesë në dispozicion për të shpërfaqur dhe raportuar rastet e degradimit të mjedisit në lagjet e tyre dhe në hapësirat publike ku ata gravitojnë.

Ndërsa institucionet lokale e qendrore do t’a kenë një hartë të problemeve mjedisore, ku janë të vizuelizuara rastet e ndotjes së ajrit, tokës, lumenjve, deponitë ilegale, shkatërrimi i pyjeve, betonizimi i hapësirës së gjelbër – të gjitha të raportuara në kohë reale.

Si një instrument që do të nxisë komunikimin e qytetarëve me komunat, platforma përveç që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të qenë aktiv në luftimin e degradimit mjedisor do të shërbejë edhe si katalizator i zgjidhjes së këtyre problemeve nga institucionet lokale dhe qendrore.

“Gjatë muajve të fundit, KDI në bashkëpunim me 12 organizata lokale përmes vizitave në terren kanë identifikuar dhe dokumentuar dhjetëra zona natyrore të degraduara si pasojë e  hedhjes së paligjshme të mbeturinave e mbetjeve inerte, shpyllëzimit të pakontrolluar e derdhjes së ujërave të zeza dhe kimikateve në lumenj e liqene në dymbëdhjetë komuna të Kosovës. Gjatë këtyre vizitave u grumbulluan fakte që dëshmojnë për nivel alarmant të ndotjeve mjedisore dhe u dëgjuan rrëfime të qytetarëve që jetojnë afër mbi efektin e këtyre ndotjeve në jetën e tyre të përditshme. Vizita si kjo, por edhe ndotje tjera që po ndodhin gjithandej Kosovës ngrisin nevojën për intervenim urgjent nga institucionet në mënyrë që të evitohet rreziku publik nga këto degradime“, theksoi Ardian Muçaj nga KDI.

Për më tepër, Kosova në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Deklaratës së Sofies është zotuar për përmbushjen e Agjendës së Gjelbër 2030 e cila kërkon që vendi të përafrojë politikat e saj drejt tranzicionit të gjelbër, politikave të qëndrueshme mjedisore, klimatike e të energjisë në mënyre që të rritet mirëqenia e qytetarëve dhe të mbrohet mjedisi.

Valon Raka nga OJQ mjedisore „Gjethi“ theksoi se “ky projekt po n’a mundëson që t’i qasemi ndotjeve në mënyrë më analitike, t’i dokumentojmë ato dhe t’u japim zë komuniteteve që po preken çdo ditë nga efektet, shpesh edhe “të panjohura” të ndotjeve”. Ai poashtu përmendi incidencën e statistikat shëndetësore që po shkaktohen nga ndotja e lumit dhe ndotja e ajrit në zonën e Kaçanikut ku ai vepron.
 
Ndërsa, Gentiana Zeqiri nga OJQ “Iniciativa Qytetare Skenderaj“, duke iu referuar vizitave në terren për të parë degradimet mjedisore të shkaktuara nga faktori njeri dhe fatkeqësitë natyrore, siç ishin vërshimet e janarit të vitit 2023, vendosi theksin në dëmtimin e shtratit të lumit Klina dhe në deponinë e mbetjeve inerte afër fushës ndihmëse KF Drenica. Lidhur me këto probleme, Gentiana tha që kanë filluar të punojnë me zyrtarët komunalë në mënyrë që ato të adresohen.
 
Në fund, Antoneta Zhjeqi nga “Qendra për Politika dhe Avokim“ u fokusua në problemet mjedisore me të cilat ballafaqohet kryeqyteti, duke vënë theksin në zhvillimin e hovshëm të qytetit dhe në menaxhimin jo të mirë të mbeturinave, apo ngecjeve në planifikimin urban si faktorët kyç që i kontribuojnë ndotjes. Vizitat në terren mundësuan identifikimin e deponive ilegale në Shkabaj dhe në Kodrën e Trimave, të cilat strehojnë mbetje toksike me efekt negativ në shëndetin e banorëve përreth.
 
Zhvillimi i platformës u realizua në kuadër të projektit Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër Komunitar me mbështetje të UNDEF./rtk/ KultPlus.com


 

40-vjet nga vdekja e gjeniut shqiptar, Gjon Mili

Ky shkrim homazh në rastin e 40-vjetorit të vdekjes së fotografit shqiptar me famë botërore, Gjon Mili është një rast i mirë që lexuesit shqiptar t’ia rikujtojmë se kush ishte “Gjeniu shqiptar” që me artin e tij fotografik mrekulloi emra të mëdhenjë të artit dhe kulturës botërore siç ishin Pablo Picasso, Sean O’Casy, Pablo Casals, Sofia Loren, Marlon Brando, Frenk Sinatra, Robert Cappa, Henri Cartier-Bresson, Arthur Rubinstein, Duke Elington, Alfred Hitchcock, Anri Mattise, John Coltrane, Jean-Paul Sartre, Eugène Ionesco e shumë të tjerë, si dhe të hedhim një vështrim tek disa gazeta e revista amerikane që publikuan lajmin për vdekjen e tij…

Gjeniu shqiptar ndrroi jetë në Ditën e Shën Valentinit,me 14 shkurt të vitit 1984.

Shkruan: Fahredin Spahija

Mili u lind më 28 nëntor 1904, në Korçë, nga prindërit Vasil Mili dhe Viktori Çekani. Me ndihmën e dajës së tij, Koço Çekani, si 18 vjeçar emigron në Amerikë. Daja e ndihmon financiarisht, derisa nuk i mbaron studimet në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit. Në këtë universitet prestigjioz ishte ndër studentët më të dalluar, për çka rekomandohet të fillonte punën si inxhinier në kompaninë e famshme të prodhimeve të mjeteve ndriçuese, Westinghous Lamp Company. Për dhjetë vjet sa punojë në këtë kompani, do të vlerësohet si një nga punëtorët më të zotët dhe më inventivë.

Në vitin 1937 Mili do të njihet me profesorin Harold E. Edgerton – njeriun i cili zbuloi flashin elektronik dhe atë stroboskopik. Mes tyre nis një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë, që do të shtyjë Milin të kombinojë elektronikën më fotografinë. Në vitin 1938, falë kësaj miqësie – dhe pas sugjerimit të Edgertonit për t’a krijuar një portfolio me fotografi stroboskopike – fotografi shqiptar fillon punën në revistën e famshme amerikane LIFE.

Fal punës kreative dhe novative, Mili shpejtë do të bëhet fotografi më i dalluar jo vetëm në LIFE, por edhe në komunitetin artistik amerikan dhe evropian. Kështu, në vitin 1949, gjatë realizimit të një reportazhi për artistët pamorë më të mëdhenj të shekullit XX, Gjon Mili takon Pablo Picasson në shtëpinë e tij në rivierën franceze. Aty ai realizon një varg fotografish me teknikën e tij origjinale, ku më e famshmja mbetet ajo që do të quhet: “Picasso duke vizatuar Kentaurin me dritë”. Një vit më vonë, në janar të vitit 1950, koleksioni i fotografive me Picasson ekspozohet në Muzeun e famshëm të New Yorkut, MoMA, ku do të përcillet me kërshëri të jashtëzakonshme si nga kritika ashtu edhe nga publiku amerikan.

Në vitin 1966, Gjon Mili përjeton një tragjedi: shkaku i instalimit të vjetër të rrymës elektrike, studion e tij në Rrugën 23 të New Yorkut e kaplojnë flakët e pakontrolluara, të cilat ia shkatërrojnë dy të tretat e materialeve të vlefshme (fotografi, negativë, dokumente e letërkëmbime të rëndësishme). Gjatë përpjekjes për ta shuar zjarrin e madh në studion e tij, vdesin 12 zjarrfikës.

Gjatë karrierës mbi 45-vjeçare artistike, Mili realizoi edhe disa filma të shkurtër artistikë, nga të cilët duhet të veçohet ai kushtuar xhaz muzikantëve të mëdhenj të kohës, “Jammin’ the Blues”. Shkaku i vlerave artistike dhe risive regjisoriale, ky film u nominua për çmimin Oscar në edicionin e vitit 1944.

Për veprën fotografikë të Gjon Milit janë botuar tre libra. Në vitin 1960 botohet libri “The Magic of Opera” – libër i panjohur deri tani për opinionin shqiptar, që i kushtohet historikut të Operës Metropolitane. Tri të katërtat e këtij libri janë të ilustruara me 68 fotografi të Milit, nga të cilat duhet të veçohet ajo e divës së operës botërore, Maria Callas. Tekstin e librit e ka shkruar kritikja e teatrit dhe muzikës, Mary Ellis Peltz.

Në vitin 1970 botohet libri “Picasso’s third dimension”, i redaktuar nga vet Gjon Mili, ku përfshihen fotografitë e realizuar nga dy vizitat – më 1949 dhe më 1967 – që ia ka bërë piktorit më të madh të shekullit XX. Libri përfshinë serinë e fotografive të “vizatimit me dritë”, disa portrete – në mesin e të cilëve është ajo emblematikja, e Picassos me lulen e kuqe në vesh – si dhe fotografitë e dhjetëra veprave artistike që piktori i kishte në atelienë e tij. Teksti shpjegues i Milit karakterizohet nga një stil i rrjedhshëm dhe lehtë i kuptueshëm.

Në vitin 1980 botohet vepra “Gjon Mili-Photographs & Recollections”, që mund të konsiderohet si libër monografik i gjeniut shqiptar, i botuar tërësisht nën mbikëqyrjen e tij. Në tekstin e shkruar nga vet Mili, shpjegohet rrugëtimi i tij krijues – qysh nga fotografia e tij e parë artistikë e realizuar në vitin 1931 (portreti i çelistes Margaret Aue), si dhe porosia e parë e bërë nga revista LIFE në vitin 1938 (ku portretizohet kampioni i tenisit në SHBA, Bobby Riggs).

Qysh në fillim të tekstit të kësaj monografie, Mili përmend shoqërimin e tij me Faik Konicën, për të cilin thotë se “ishte një shok i moshuar shqiptar; një shkrimtar i shkëlqyer; një humanist dhe një intelektual i mprehtë. Konica ka marrë mundin për të zgjeruar interesimin tim për artet, sidomos për filmat, të cilët i pëlqente dhe i konsideronte si një formë artistike më rëndësi…”, ka shkruar ai.

Shoqërimi i Milit me Konicën i ka fillet tek Federata Panshqiptare “Vatra” (e themeluar në Boston, në vitin 1911 nga Fan Noli), të cilën Gjoni i sapoardhur në New York, e vizitonte shpesh. “Vatra” për te u bë nji “strehë shqiptare” në Amerikën krejtësisht të panjohur për te, si dhe një mundësi për të krijuar miqësi me shqiptarët që mblidheshin rreth saj si dhe rreth gazetës “Dielli”që ishte organ zyrtar i saj. Sipas Dalip Grecës një ish-botues dhe redaktor i gazetës “Dielli”, Gjon Mili pas arritjes në Amerikë e fliste shqipen me vështirësi dhe ishte pikërisht, lidhja e tij me “Vatrën”, ajo që atij ia mundësoi mësimin e shqipes së folur por edhe të shkruar, të cilën Mili shumë intelegjent, në dekadën e parë të jetës së tij në “tokën e ëndrrave”, e përdori për të shkruar shumë artikuj lidhur me aktivitetet politike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës por në raste të caktuara edhe të përkthente tregime nga gjuha rumune, në shqip.

Gazeta “Dielli” e datës 25 maj 1928 jep këtë shënim të redaksisë për Gjon Milin: “Zoti Gjon Mili ish-arkëtar i Vatrës, i rritur në Rumani, kur erdhi në Amerikë, nja pesë vjet të shkuara, nuk e dinte mirë shqipen. Po të marrim atë gjë në sy, do të shohim nga përralla e përkthyer se përparimi që ka bërë me shqipen është me të vërtetë për të vënë re”. Z. Greca na jep edhe një detaj tepër interesant që tregon lidhjen e fortë të Milit me Federatën “Vatra” dhe përkrahjen financiare që ai ia jep asaj herë pas here. Vetëm në vitin 1928 gjatë një fushate për ta ndihmuar këtë shoqatë të rëndësishme shqiptare, Mili i dhuron 2,500 dollarë të cilat nëse përllogariten me kursin e sotëm të valutës amerikane, na del shuma prej 120,000 dollarësh! “Ka shënuar rekord, askush nuk ka dhuruar sa ai. E konfirmon këtë fakt dokumenti që ndodhet në arkivin e Vatrës. Gjon Mili kishte kryer edhe detyrën e arkëtarit të Vatrës. E vërteton këtë fakt një urim që botoi Dielli në numrin e marsit 1930, përmes të cilit mësojmë se Mili ishte në Boston, pas një problemi shëndetësor,që e kaloi. Pas shtrimit në spital gjithçka shkoi mirë. Në fakt edhe në një numër të mëparshëm, atë të 7 Marsit, Dielli e njoftonte shtrimin në spital të Milit, ndërsa numri i 11 marsit 1930 i uronte shërim të plotë ish arkëtarit të Vatrës. Derisa publikohen këto lajme rreth tij, kuptohet se që në atë kohë ai ishte një personalitet që përbënte lajm. Saktësojmë se Gjon Mili nuk ka qenë kryetar as i ndonjë dege të Vatrës, as i qendrës, siç kanë përcjellë informacione të pasakta disa shkrime, apo intervista. Ai ka luajtur disa herë rolin e Chairman-it në kuvendet e degës nr. 42, por kjo nuk do të thotë se ai kryente funksionin e kryetarit,-Chairmani kishte mandat vetëm për Kuvendin.

Rasti i Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se Gazeta “Dielli” ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare…”, thuhet në shkrimin e Dalip Grecës të botuar në gazetën “Dielli”, me 02 mars të vitit 2015 i cili ma tutje na jep edhe të dhëna për vdekjen e Milit: “Mjeshtri u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, veçanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar disa dekada për revistën e njohur”LIFE”, bashkëpunim që e kishte nisë që më 1937 dhe përfundoi në fund të jetës më 1984. Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhattan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së Nju Jork-ut dhe zëvendës/kryetare e Federatës Vatra, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, e cila ishte një nga shqiptaret e pakta që nuk i ishte ndarë deri në çastet e fundit të jetës.” Sipas një deklarate që ish-Nënkryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Sergio Bitici i kishte dhënë gazetës “Dielli” pas ceremonisë mortore të Gjon Milit, del se në funeral kishin mar pjesë vetëm tre shqiptarë: veç atij edhe mikja besnike e fotografit, zonja Nexhmije Zajmi dhe Tonin Mirakaj, patriot i dalluar dhe një kohë edhe kryetar i Federatës!

Nëse për shqiptarët indiferentë dhe shpesh të pakuptueshëm, nuk ishte bërë bujë e madhe rreth vdekjes së shqiptarit më me nam në Amerikë dhe Europë, tepër mbresëlënëse janë reagimet e ditores njujorkeze “The New York Times” dhe revistës mujore “Popular Photography” që konsiderohej më e specializuara dhe më e madhja për fotografinë amerikane dhe botërore. 

Dy ditë pas funeralit të Gjon Milit (16.02.1984), gazeta “The New York Times” boton shkrimin e William. R. Greer me titullin “Gjon Mili, Life Magazine Photographer, dies” ku veç arsyeve dhe vendit të vdekjes dhe të dhënave për ceremonin mortore të fotografit shqiptar, jepen të dhënat kryesore që identifikojnë aktivitetin dhe artin fotografik të Gjon Milit.

“Z. Mili, një bashkëpunëtor për një kohë të gjatë në revistën Life, filloi të përdorte blicin elektronik në vitin 1937. Me të, ai ngrinte një moment veprimi në një fotografi ose, me një seri të shpejtë shkrepjesh të njëpasnjëshme, bënte një studim-frize të fazave të njëpasnjëshme të të njëjtin veprim.

Pikërisht me një teknikë të tillë, të quajtura fotografi stroboskopike, ai e krijoi versionin e tij të pikturës së Duchamps “Nude Descending a Staircase”…
Tutje nuk lihet pa u përmendur edhe fotografia ikonike e Milit që tregon gjeniun Picasso duke vizatuar me një llambë drite një kentaur, e që gazetari e quan “The Definitive Picture”.

Revista amerikane “Popular Photography” në edicionin e saj të muajit korrik të vitit 1984), vdekjes së Gjon Milit ia kushton editorialin e saj të shkruar nga një mik i vjetër i fotografit shqiptar, editori, shkrimtari dhe fotografi Arthur Goldsmith i cili veç tjerash jep të dhëna për karakterin e “gjeniut shqiptar” dhe shpjegon relacionin miqësor me të cilin jo çdo herë shkonin gjërat lehtë. “Mili ishte një personalitet jashtëzakonisht individualist, i flaktë, i zjarrtë dhe rast i rëndë për t’u përballur edhe për miqtë dhe admiruesit e tij të shumtë, por ishte më bujar me ata që i pëlqenin. Ai dhe unë patëm një grindje që lindi nga arsyet më të parëndësishme personale dhe nuk folëm për më shumë se një dekadë. Pastaj, në një ceremoni, iu afrova për të thyer akullin dhe dita tjetër na gjeti së bashku. Ai më tha atë natë se nuk mendonte se isha njeriu që shkruaja më së miri për fotografi dhe se gjatë atyre viteve sa nuk kishim folur, ai kishte lexuar gjithçka që kisha shkruar.

Epo, ndoshta e gjithë kjo nuk ishte fjalë për fjalë e vërtetë, por mund ta imagjinoni se si u ndjeva, dhe isha i lumtur që në dekadën e fundit marrëdhënia jonë ishte aq e përzemërt.”, shkruan Goldsmith.

“Mili pati një ekspozitë mbresëlënëse retrospektive në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë në Nju Jork (1980), të cilën Harvey Fondiller e prezantoi me entuziazëm në POP PHOTO (Popular Photography v.j.)… Më vjen mirë që ndodhi kur ai ishte ende në gjendje të mirë shëndetësore për ta shijuar atë. Ai, së bashku me Edgerton, do të zbarkojnë në historinë e fotografisë në një nivel me Eadweard Muybridge si zgjërues të përceptimit vizual njerëzor.”, vazhdon ai.

Arthur Goldsmith përshkruan edhe trajektoren e suksesit të Gjon Milit që nga mbëritja e tij në New York.

“Gjon Mili 79 vjeç, vdiq nga pneumonia me14 shkurt 1984. Me origjinë shqiptare, ai erdhi në SHBA në vitin 1923 për të studiuar inxhinierinë elektrike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Pas diplomimit, ai punoi për 10 vitet e ardhshme si inxhinier ndriçimi për General Electric (Westinghaus) ndërsa ndoqi fotografinë si hobi. Në vitin 1937, ai takoi prof. Harold Edgerton, njeriun që zhvilloi flashin elektronik dhe filloi një bashkëpunim të gjatë që i mundësoi Milit të kombinonte elektronikën dhe fotografinë. Nëpërmjet atij kombinimi, bota e fotografisë u transformua dhe vizioni njerëzor u zgjerua. Duke bashkuar ekspertizën e tij elektronike të teknologjisë së lartë me ndjeshmërinë estetike dhe fuqinë e personalitetit të tij, Mili përfundoi një punë të mahnitshme: imazhe tani të marra si të mirëqena, por që fillimisht konsideroheshin shpesh si të falsifikuara, sepse nuk ishin parë kurrë më parë. Ato varionin nga pjesë milisekondëshe të kohës, një predhë 37 mm e ngrirë që lëvizte me një shpejtësi prej afro 3000 këmbë (afërsisht 1000 metra v.j.) për sekondë, te pamjet stroboskopike në skenat e kërcimit të vallëtarëve dhe fotografia e Pikasos duke vizatuar me një laps-llambë (vizatim me dritë v.j.). Edhe pse asnjëherë nuk ishte pjesë e stafit të Life, Mili ishte i shumë i lidhur me të. Life riprodhoi shumë imazhe të tij mahnitëse dhe e mbështeti atë pasi Studio e tij në Union Square (një studio e njohur fotografike) u dogj në vitin 1966.”

Në fund të këtij shkrimi përkujtues për këtë figurë të jashtëzakonshme që në rrafshin ndërkombëtar e lartësoi emrin e shqiptarit për 60 vjet pa ndërprerje dhe në rrafshin kombëtar dha kontributin e tij të padiskutueshëm intelektual dhe financiar, në forcimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, në mënyrë që kjo shoqëri ta lunate rolin e saj të padiskutueshëm në promovimin e kulturës dhe politikës shqiptare në periudhën kruciale për ekzistencën e shtetit shqiptar që sulmohej pandërprerë nga fqinjët e tij hijena, që tentonin zhbërjen e asaj që u themelua me 28 Nëntor të vitit 1912, shqiptarët (shoqëritë dhe politika në Shqipëri e Kosovë) akoma nuk e vlerësojnë si dhe sa duhet! Gjon Mili e ka merituar që në Korçë, Tiranë dhe në Prishtinë t’i ngritet një bust apo shtatore në ndonjë nga parqet apo sheshet e tyre në mënyrë që ata që e vlerësojnë jetën e veprën e tij madhore, ta kenë një vend ku do ta nderojnë ate qoftë me një lule të freskët!/KultPlus.com

Inspektorati në aksion, e dënon personin që hodhi rrobalarësen nga ballkoni

Inspektorati i Prishtinës ka gjobitur me 200 euro personin, i cili ka hedhur rrobalarësen nga ballkoni i apartamentit të tij, duke rrezikuar kalimtarët.

Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina në vendet e palejuara.

Në pamjet e publikuara nga “Vrojtuesit e lagjes”, bëhet e ditur  se rasti ka ndodhur në Lakrishtë, konkretisht te “banesat e Shqipërisë”.

Siç bëhet e ditur, në katin e parë të kësaj ndërtese është një çerdhe për fëmijë.

“Një veprim skandaloz besoj po shihet qartë aksidenti që kë mundur të shkaktohet me kojshinë poshto. Përves asaj në kat të parë vërehet qartazi që është kopshti për fëmijë. Bëhet fjalë për lagjen Lakrishtë banesat e Shqipërisë”, thuhet në postimin e faqes “Vrojtuesit e Lagjes” .

Forca dhe rezistenca e dy grave të jashtëzakonshme shkencëtare në skenën e Teatrit të Metropolit

Teatri i Metropolit së shpejti do të ngjisë në skenën e tij, shfaqjen “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, një histori që rrëfen forcën dhe rezistencën e dy grave të jashtëzakonshme shkencëtare, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe një pasion për shkencën.

Drama e shkruar nga Lauren Gunderson, vjen me regji të Armela Demaj dhe interpretimin e Yllka Mujo dhe Armela Demaj.

“Shfaqja, e shkruar me një tekst të pasur dhe emocional, shërben si një dritare në jetët e brendshme të këtyre dy figurave historike, duke na ofruar një pasqyrë të sfidave që kanë përballur dhe ecurisë që kanë arritur pavarësisht pengesave”, shkruan Teatri i Metropolit në faqen online.

Dialogjet e fuqishme të veprës theksojnë rëndësinë e miqësisë, mbështetjes dhe respektit të ndërsjellë në arritjen e qëllimeve të dy shkencetareve.

Hertha Ayrton, e lindur si Phoebe Sarah Marks më 28 prill 1854 dhe ndarë nga jeta më 23 gusht 1923, ishte një shkencëtare, inxhiniere dhe aktiviste britanike që kontribuoi ndjeshëm në fushat e fizikës dhe inxhinierisë. Ajo u dallua veçanërisht për punën e saj në elektroteknikë dhe për studimet e saj mbi valët e rërës dhe qarkun elektrik.

Ndërsa Marie Curie ishte një shkencëtare e shquar polako-franceze, e njohur për punën e saj revolucionare në fushën e radioaktivitetit. Marie Curie u bë gruaja e parë që fitoi një Çmim Nobel dhe i vetmi person në histori që ka fituar Çmime Nobel në dy fusha të ndryshme shkencore, pasi ajo gjithashtu fitoi Çmimin Nobel në Kimi në vitin 1911 për punën e saj në përpunimin e radiumit dhe studimin e vetive të tij./ atsh / KultPlus.com

“Qyteti i fundit” i Petro Markos përkthehet në gjuhën italiane

Përkthimi librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të jetë një ndër prioritetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Falë programit të përkthimit të krijmtarisë shqipe në gjuhë të huaja, çdo vit 6 vepra të letërsisë shqipe janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Sot botuesi i “Besa”, Livio Muci dorëzoi pranë QKLL-së botimin në italisht të romanit “Qyteti i fundit” të Petro Markos, nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në kuadër dhe të Vitit Petro Marko.

Libri është përkthyer nga Jolanda Guazzoni Kodra dhe Valentina Notaro.

Përmes programit “Fondi i Përkthimit në gjuhë të huaj”, përgjatë 3 viteve, janë mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përkthimi i 25 autorëve shqiptarë si: Visar Zhiti, Romeo Çollaku, Fatos Lubonja, Zija Çela, Tom Kuka, Mira Meksi, Natasha Lako, Artan Fuga, Ylljet Aliçka etj. Përkthimet janë kryer në gjuhë të ndryshme si frëngjisht, greqisht, turqisht, serbisht, italisht, etj. Gjuha italiane është gjuha ku libri shqip është përkthyer më së shumti këto vite./ atsh / KultPlus.com

Aktori amerikan realizon dokumentar për luftën në Sarajevë, flitet për periudhën e rrethimit nga okupatori serb

Ylli i Hollivudit Matt Damon ka qenë së fundmi i ftuar në programin e CNN-it ku ka folur për dokumentarin “Kiss the Future”, i cili bazohet në jetët e njerëzve që kanë jetuar në Sarajevë gjatë periudhës së rrethimit nga okupatori.

“Është historia më emocionuese dhe në të vërtetë flet për atë se si drita fiton ndaj errësirës”, tha aktori, shkruan Klix.

Dokumentari i ri rrëfen për skenën muzikore që ka mbijetuar dhe ka lulëzuar në Sarajevën e shkatërruar nga lufta, që kulmon me koncertin legjendar të grupit U2 në kryeqytetin boshnjak.

Gazetarja legjendare dhe qytetare nderi e Sarajevës, Christiane Amanpour, ka bërë të ditur në profilin e saj në Twitter një pjesë nga programi i CNN-së ku e ka ftuar Matt Damonin, që është edhe producent i këtij dokumentari së bashku me Ben Affleck.

Në fillim të bisedës, Damon ka shpjeguar se si i erdhi ideja për të prodhuar filmin mbi Sarajevën. “Historia më u rrëfye dhe e mendova që ishte e mahnitshme. Gjithçka erdhi së bashku me njohjen e regjisorit të filmit Nenad, i cili ka folur për të me pasion”. / KultPlus.com

‘Rebounds. A BasketBallet’ nesër premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës, MKRS sjell video nga provat

 

Fotografia: Arben Llapashtica

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjell premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka sjell edhe një video nga provat e kësaj premierë e cila po pritet me shumë entuziazëm. / KultPlus.com

Cineplexx Prishtina sjell eksluzivisht të gjithë kastin e aktorëve të filmit “Dy Gisht Mjaltë 2”

A jeni gati të takoni yjet e filmit “Dy Gisht Mjaltë 2”, atëherë mos mungoni në premierën e filmit me datë 15 Shkurt në Cineplexx Prishtina, në Albi Mall.

Në një pritje madhështore duke filluar nga ora 17:00 do keni mundësi të takoni të gjithë aktorët në ambientet e Cineplexx Prishtina, ku do mund të fotografoheni me të preferuarit tuaj.

Kasti do të jetë në kinema për 3 orë ku do të futen në çdo orar për të ju përshendetur të gjithë juve që po i prisni me padurim.

Ermal Mamaqi 
Elvana Gjata 
Bujar Asqeriu
Natasha Sela
Marjana Kondi
Fidel Kourouma
Elson Bajrakurtaj
Klea Coli
Sejfulla Myftar
Dashnor Diko
Xhevahir Zeneli
Sheki Useini
Belinda Dragoti
Bledi Mane
Joel Mamaqi
Samuele Vargu

Nxitoni dhe blini biletën tuaj në aplikacionin e Cineplexx Kosova. 

Shkarko në iOS  –  Cineplexx Kosova  
Shkarko në Android – Cineplexx Kosova

“Qyteti dhe letërsia: ese” nga Stefan Çapaliku promovohet sot në KultPlus Caffe Gallery

Shtëpia Botuese “Olymp” së fundi ka botuar librin më të ri të shkrimtarit të njohur nga Shqipëria, Stefan Çapalikut, shkruan KultPlus.

“Qyteti dhe letërsia: ese” është libër që sjell rolin e hapësirës urbane për krijimin e letërsisë, duke vënë theksin në Letërsinë Shqipe dhe Qytetin Shqiptar.

Në këtë promovim do të merr pjesë edhe vet autori Stefan Çapaliku, ku për librin do të flasin edhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni dhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Stefan Çapaliku është shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar. Andaj për një takim sa më të afërt me autorin, ju ftojmë që të jeni më afër kësaj mbrëmje letrare.

Takimi me autorin Çapaliku do të mbahet sot, më 14 shkurt, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë./ KultPlus.com