Dua Lipa do të performojë sonte në Çmimet Grammy 2024

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Grammy për këtë vit, e cila do të zhvillohet në Los Angeles të dielën, do të fillojë me performanca të disa emra të njohur artistësh botërorë.

Ndër yjet që do të performojnë në këtë ceremoni, do të jetë edhe këngëtarja shqiptare Dua Lipa, raportoi të dielën BBC-ja.

Ajo është nominuar për dy çmime Grammy me ‘Dance The Night”, për Këngën e Vitit.

Përveç saj, Billie Eilish, Joni Mitchell dhe U2, pritet ta zbukurojnë skenën e Grammy Awards 2024.

Ylli i zhanrin R&B, SZA do të kryesojë me gjithsej nëntë nominime.

Yjet e Chart-it, Taylor Swift, Olivia Rodrigo, Miley Cyrus, Lana Del Rey dhe Ice Spice gjithashtu kanë nominime të shumta.

Më shumë se 80 çmime do të shpërndahen në atë që quhet “ceremonia e premierës” në orën 20:30.

Shfaqja kryesore, e cila do të fillojë në orën 01:00 të së hënës, do të transmetohet drejtpërdrejt në SHBA në CBS. / KultPlus.com

Janari shtoi vizitorët dhe të ardhurat nga biletat në Kalanë e Rozafës

Vizitueshmëria në Kalanë e Rozafës ka ardhur në rritje. Muaji janar i këtij viti shënoi të tjera shifra pozitive me 961 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ftoi të gjithë të apasionuarit pas historisë ta vizitojnë Rozafatin, për t’u njohur me historinë e për të kaluar një ditë plot aventura të paharrueshme në kala.

Sipas statistikave të publikuara nga DRTK Shkodër, nga 1-31 janar i 2024, kalaja u vizitua nga 3542 vizitorë, ndërsa një vit më parë kjo shifër arriti në 2581 persona.

Krahas vizitueshmërisë janë rritur dhe të ardhurat nga shitja e biletave, në masën 20, 6%. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Masakrimi i shqiptarëve nga Serbia në funksion të spastrimit etnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000, ku struktura e grupe kriminale të Serbisë kryen një fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas.

Kryeministri Kurti në postim në Facebook ka thënë se atë natë ata i vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan.

“Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë. Shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë u uzurpuan nga serbë dhe ndër vite, mijëra shqiptarëve u është mohuar çdo e drejtë dhe u është pamundësuar çdo mundësi për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat e tyre”.

Kryeministri  ka thënë se ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës. “Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë.

“Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi”, ka shkruar Kurti. 

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka.

“Viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, i kujtojmë me nderime dhe dhembshuri, teksa angazhohemi për drejtësi për ta dhe për të dëbuarit si dhe për ligjshmëri, rend dhe kushtetueshmëri të plotë në veri të vendit sikur në çdo pjesë të Kosovës!”, ka shkruat tutje kryeministri Kurti. / KultPlus.com

OSBE reagon për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe vendimin për dinarin

Misioni OSBE është shprehur i shqetësuar në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, për t’i  dhënë fund përdorimit të dinarit serb. PO ashtu ky mision ka kritikuar edhe mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe vendimin për dinarin.

Përmes një kumtese, OSBE fillimisht ka deklaruar se kjo rregullore do të ketë një ndikim serioz, veçanërisht për ata banorë që marrin pagesa në dinarë.

Si pozitive OSBE i sheh deklaratat e institucioneve të Kosovës se do të ketë një periudhë tranzicioni për të investuar në komunikim më të mirë me serbët lokalë – përdorues të dinarit.

“Megjithatë, Misioni e pranon pranimin e deklaruar të institucioneve të Kosovës se do të ketë ndikim tek ata banorë, si dhe shprehjen e gatishmërisë së tyre për të siguruar një periudhë tranzicioni dhe për të investuar në komunikim më të mirë në mënyrë që të shmangen vështirësitë dhe mungesa e qartësisë për ata që janë prekur”, thuhet në komunikatë.

“Është thelbësore që të drejtat e komuniteteve joshumicë, duke përfshirë komunitetin serb të Kosovës, të respektohen plotësisht dhe të lihet koha për konsultime të nevojshme me të prekurit. Është gjithashtu e rëndësishme që i gjithë komunikimi publik përkatës të jetë në të dyja gjuhët zyrtare”, thuhet ndër tjerash në njoftim

OSBE i ka parë si problematike edhe mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, që ky mision i cilëson si “qendra që kanë ofruar shërbime sociale për komunitetin serb”.

“Misioni i OSBE-së ka monitoruar gjithashtu veprimet e fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës, duke përfshirë operacionet që synojnë zyrat e zyrave të Beogradit në komunat e Kosovës, Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si dhe në OJQ. Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë”.

“Mbyllja e papritur e objekteve që ofrojnë shërbime sociale ose shëndetësore për anëtarët e komuniteteve joshumicë rrezikon të ketë një ndikim negativ tek individët dhe familjet duke kufizuar aksesin e tyre në disa shërbime thelbësore. Mbrojtja e mirëqenies së komuniteteve të prekura, duke përfshirë veçanërisht grupet vulnerabël, duhet t’i jepet përparësi përpara se të zbatohen politika ose vendime të tilla”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Letra e panjohur e Musine Kokalarit: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës

Nga Uran Butka

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijen e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabejn, Xhuzepe Skiron, Angelo Leotin etj., letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës “L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykim kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) “Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vështëron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla “Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narrativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigjeMë duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve” – përsiat Musineja.

Po ju dërgoj ‘Dasmën gjirokastrite’ – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme – “por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8 shkurt 1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmerrshme e jetës së saj ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmundjes së rëndë të kancerit që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të vetmisë dhe të lirisë së brendshme.

Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” – shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne, nuk na lënë kufoma të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera.

Vetë Musineja ishte një intelektuale që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit, kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare.

“Në odën time të vogël” – shkruan ajo në ditarin e saj – “përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”, 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9 nëntor 1944, që e kishte shkruar për znj. Makbule tri ditë para pushkatimi të tij:

“Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi.

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja” – i  shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj:

“Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” – klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë – siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit (dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912, viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë për humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyra ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”. /GazetaExLibris/ KultPlus.com

“Ç’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç! Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!”

Rubairat

Marrë nga libri “Rubairat” i Omer Khajamit. I shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi (pseudonim i Fan Nolit). Edicje e dytë, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927.

-1-

Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.

-2-

Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte.”

-3-

Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”

-4-

A di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

-5-

U gdhi! Me Verë zemrën e zbardhëllonj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmonj:
Në Djall dërgonj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me Llaut’ e lavdëronj.

-6-

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

-7-

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

-8-

Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali, pallati e lisi.

-9-

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtir Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrvërri.

-10-

Ja, Mars’i ri dëshirat na valon,
Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhën shkon
Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

-11-

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor, Bilbil’ i shkretë:
Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

-12-

Bilbili nëpër kopshtet në Prënverë
Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!
S’e gjeni këtë ditë tjatër herë.”

-13-

Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr prënvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhé Parajsën me Huri.

-14-

Qesh Trëndafili e thotë: “Lulëzonj
Dhe botës bukurinë po ia shtonj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtronj”.

-15-

“Jam, thotë, lulja e Josefit t’ri
T’Egiptes, xhevahir, zemërflori:
Ja edhe rrob’ e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri”.

-16-

Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot’ e Fatit shpresat m’i dërrmon,
Pështillem si burbuq’ i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.

-17-

U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer’i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Llautën
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

-18-

Me Ver’ e Vajza, me Llaut’ e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

-19-

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
“Zotit – po thon’ – i ardhtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin, as ia dua.

-20-

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej – edhe andej Hardhi.

-21-

Në prehrin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

-22-

Te Shpell’ e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C’pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

-23-

“Pse s’pi më pak?” më thonë njerëzia,
“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”
Një: Faq’e Vajzës; dy: Rubin’i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

-24-

Drit’ e Kungatës vlen çdo mbretri
N’Evropë dhe n’Afrikë dhe n’Asi:
Rënkim’i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat’ e turmës në Xhami.

-25-

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

-26-

Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

-27-

S’ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.

-28-

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

-29-

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

-30-

Rënkonj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’ o punë:
Vrermjalt’ e flagëves’ e qiellhapsanë!

-31-

Nga hidhërim’ i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtonj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

-32-

Kur s’dhëmp e s’shemp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

-33-

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

-34-

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

-35-

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshertij për ty me mall.

-36-

Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m’iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

-37-

Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
“Bëje të mirën dhe e hith në det”.

-38-

E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy tortyrë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

-39-

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?

-40-

Në këtë Dhé pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s’kam parë,
S’të kapërcen as hëna në shkëlqim.

-41-

O ti mbi Dhé m’e zgjedhura Selvi,
M’e shtrenjtë je se shpirt’ e syt’ e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s’ka;
M’e çmuar një qind herë më je ti!

-42-

Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt’ e shkruar.

-43-

Ti, që me faqe Rrushn’ e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t’Babilonës
Dhe mbretëresh’ e kulla ia rrëmben.

-44-

Për ty bënj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

-45-

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

-46-

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

-47-

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

-48-

“Sa bukur të jesh Mbret!” disa mejtojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” ca besojnë:
Ah, merr paran’ e that e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

-49-

Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

-50-

Shpirti për ku m’u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S’e di, po veresie
S’lë gas të saktë, Ver’ e Vajz’ e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

-51-

Sa save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull’ e Natës Korbi u bërtet:
“Të çmëndur! S’ka as lart as poshtë çpagë!”

-52-

Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me këngën, me Llautën, me Dollinë
Dëfrenj: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

-53-

Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.

-54-

Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!

-55-

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

-56-

Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

-57-

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

-58-

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosrò harroni:
Rustemi le t’ju ftonjë në kushtrim
E Taji në zijefet, mos i dëgjoni.

-59-

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

-60-

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër nofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

-61-

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

-62-

U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumëri: sill Verë!
S’ka gjë, në qoft’ e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!

-63-

Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemrat shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

-64-

Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?

-65-

Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

-66-

Ah, mbushni Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
Ç’mërziti kur e sotmja ka lezet?

-67-

Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u çkallmo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.

-68-

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

-69-

Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, të çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbjell në Dhe të zi.

-70-

Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nukë shpëton dot.

-71-

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.

-72-

Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.

-73-

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.

-74-

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”

-75-

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

-76-

Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.

-77-

M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

-78-

Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.

-79-

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën – e kush e di ku fluturon?

-80-

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lërini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, – dhe profkat prejini!

-81-

Çdo shpresë që me flagë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy – dhe menjëherë shkrin.

-82-

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

-83-

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

-84-

Te ky Karvan – Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ – e iknë të pakthyer.

-85-

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

-86-

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a liparak i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.

-87-

S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.

-88-

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”

-89-

Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?

-90-

C’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkonj me prrallat? Hiç!

-91-

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahram u lavdërofsh, mbytesh e hump!

-92-

Ah, Rrot’ e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i Zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!

-93-

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
Ç’burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m’i shtrove!

-94-

O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er’ e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball’ e pas prej Hiçit e rrethuar!

-95-

Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom’ e Baltovinë
Sipas fytyrës s’Tij gatoi Njerinë?

-96-

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja kreu,
Adamn’ e shkret e korri, e rrëmbeu.

-97-

Si en’ e bën me mend e thellësi,
Kuror’ i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.

-98-

Pse pra mërziti për mjerim’ e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.

-99-

Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q’u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Çkulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

-100-

Përunjiu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs’ e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhrin kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.

-101-

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhrin shtrirë,
Pa Ver’ e Këng’ e Grua – pa mbarim!

-102-

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht’ i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm’ e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.

-103-

Një çast nga Pus’i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt’ u shuan dhe Karvani u gdhi
N’Agimn’ e Hiçit! – Oh, le të nxitojmë!

-104-

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.

-105-

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S’kujdeset Zot’i Math i lavdëruar.

-106-

Rrot’ e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t’të hanë.

-107-

Lëviz, Khajam, se Kup’ e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s’i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.

-108-

Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!

-109-

Munxosi Qiejt’ e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin’ e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?

-110-

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?

-111-

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: “Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!”
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.

-112-

Për Ligjë kam për ditë të dëfrenj,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcenj;
Kur mora nuse Jetën, s’deshi pajë;
Më tha: “Gas patsh, atë pagesë vlenj”.

-113-

E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her’ e ndava Fen’ e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.

-114-

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n’erë! S’jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.

-115-

Kur isha i ri, kujtonja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q’u mplaka di që s’dija gjë
E që s’di hiç nga Bota dhe nga Jeta.

-116-

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor’ e trobolitnja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m’i marrë dilnja.

-117-

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim’e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m’u fal:
“Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!”

-118-

Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er’ e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po frynj te Nat’ e Re.

-119-

Si zok nga pylli sterr’ u arratisa,
Për një fole në ferr’ e driz’ u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s’gjeta,
Nga dera q’u vërsula jashtë krisa.

-120-

Me Ujë hiçi Balta m’u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m’u përvëlua:
Fryra në Botë si një flag’ e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.

-121-

Ç’fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m’i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm’ e ikim?
Pyes më kot, – s’përgjigjet Perëndia.

-122-

Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?

-123-

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?

-124-

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.

-125-

Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.

-126-

Në Botë s’ndisnja, po s’më ke pyetur!
Në varr s’kërcisnja, po s’më ke pyetur!
Zot, më zvarrise me pahir, se s’lintja
As rronja as vdisnja, po s’më ke pyetur!

-127-

Në Vijën që përshkruanj në Jetim
S’gjenj Pikënisje, s’gjenj Pikëmbarim:
Nga arthmë s’pamë dhe ku vemi s’dimë,
Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.

-128-

Një Qark, si un’ e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s’piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.

-129-

Nga qëndr’ e Dheut në Qiell të Shtat’ u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.

-130-

Një derë ka që Çelësin s’ia gjejmë
Dhe ka një Vel, me sy s’e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un’ e ti në tym kërcejmë.

-131-

S’përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t’errëta për Perëndi,
As Dit’ as Nat’ as Hën’ as Yjt’ as Qielli,
S’përgjigjemi e heshtim un’ e ti.

-132-

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: “Cila është Drita
Për djemt’ e tu të humbur n’errësirë?”
“Një mendje e verbër!” tha një zë nga prita.

-133-

Ahere Poçen po rrëmbenj si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt’ e gjenj në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
“Pi, puth, se posa vdiqe, s’ngrihesh kurrë!”

-134-

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz’ e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!

-135-

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q’u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

-136-

Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
“Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!”

-137-

Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok’ e një Qezari
Dhe dorëza nga dor’ e një lipsari!

-138-

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.

-139-

Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: “Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërrmuar”.

-140-

Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete miriade,
Saki – Vigani derdh e s’nëmëron.

-141-

Kur un’ e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdonjë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton’ e ikjen i përfill
Si val’ e detit rërën e përpjekur.

-142-

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S’e vuri re që diç mungon, kur s’ishim,
Kur vdesim, s’ndrron e s’ngel, vazhdon një soj.

-143-

Mi Dhe e nënë Dhe gjum’ i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir’ e Hiçit!
Si hije vijm’ e shkojmë në Skëterrë.

-144-

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç’bën
Kur s’je më ti, po hi në Hiç përhapur?

-145-

Do t’ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?

-146-

Çudi, asnjë i vdekur s’dha një shenjë,
Asnjë s’u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet’ u dashka cilido t’a gjenjë!

-147-

I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.

-148-

Kur Shpirti muntka veten ta çlironjë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturonjë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj’ e ta burgos’ e ta verbojë?

-149-

Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.

-150-

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?

-151-

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n’Errësirën posht’ e tatëpjetë:
M’u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: “Parajs e Ferr jam vetë”.

-152-

Qiell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij’e zez’ e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n’Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!

-153-

Kjo botë: Endrr’ e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm’ e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij’ e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast’i prehjes që gëzojmë.

-154-

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.

-155-

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S’janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit – dhe pastaj në gjum’ u kthyen.

-156-

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n’Errësirën Udhë s’çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t’arratisë.

-157-

Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s’kanë marrë;
Ç’gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?

-158-

Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s’ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat’ e hidhur histori!

-159-

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij’e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s’ka, se s’na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.

-160-

C’e shtyri këtë Qiell të rrotullonjë
Dhe ç’dorë më në fund do ta dërrmonjë
S’gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S’gjendet asnjë kandar që ta peshonjë.

-161-

Natyra ësht’ e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s’del dot nga qarku i forcës s’tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.

-162-

Qarkove tërë Tokën? S’është hiç!
Gërmove tërë Botën? S’është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S’është hiç!

-163-

Në Hapësirën Dheu: koqe kumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!

-164-

Kjo Botë me shkëlqime s’është hiç!
Ky Qiell me Serafime s’është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s’është hiç!

-165-

Nga Rrot’ e Fat e Zot s’kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!


-166-

Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç’mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S’të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!

-167-

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit – shpejt, mor djal’ i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe përmi çë, të lutem, varesh ti?

-168-

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Çelës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un’ i verbëri –
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.

-169-

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s’po vdes – S’ka funt e s’ka mbaresë!

-170-

Posa e devinojm’ e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet’ e vepëron, Vet’ e shikon.

-171-

Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s’fle, të tjerët flen’ e shkojnë.

-172-

Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s’e zbulon:
Bërtet, po vesh’i shurdhër s’e dëgjon,
Shkëndrit, po syr’i verbër s’e shikon.

-173-

Qan pika: “Ah! Sa lark nga Deti jam!”
Dhe Det’i jetës qesh: “Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.

-174-

Parad’ e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s’gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.

-175-

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S’tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det’i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.

-176-

Se lart e posht’ e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm’ e shkojmë.

-177-

Jemi një lodër shah me net’ e dit’
Ku Fati njerëzit si gur’ i qit:
Andejkëtej i lot, i vret’ i ther
Dhe një nga një t’i hodhi në kutit.

-178-

Dhe topthi as për po as jo s’pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q’e heth në lëm’ e di përse –
Ay e di – Ay e di vërtet.

-179-

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën ktheu: dhe asnjë fjal’ e vijë
Nuk ësht’ e mundur kurrë që të shuhet
Me lotë a me lutje a me dijë.

-180-

Doktorët, fillosofët le të flasin,
Nga thonjt’ e Fatit nukë do të shkasin;
S’jemi veç hallka në Zinxhir e s’mundim
As t’ikim, as ta thyejm’, as ta ngasim.

-181-

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm’ e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm’ e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtitet, mor të marrë!

-182-

Njeriu i funtm’ u mbrujt nga Balt’ e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjesi i parë i Krijesës shkroi
E funtmja ditë ç’gjë ka për të parë.

-183-

Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith’ Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn’ e Shpirtin m’u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.

-184-

Çdo dell m’u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un’ e kam gjetur Çelësin për Derën
Ku leh ay me buj’ e patërdi!

-185-

Ç’m’u dirse e ç’m’u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s’mbeti pllan i Botës;
Allahu, kur e bëri, s’na pyeti.

-186-

Ç’kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat’ e kota:
C’më qahesh? Zaret s’munt t’i loç
Veç se ashtu si t’i ka hedhur Rrota.

-187-

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S’pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! – Kështu i Urti tha qëmoti.

-188-

Ka vetëm për të marrët lumëri,
Për t’Urtët s’ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të marton
Me motrat Lumëri e Çmendëri.

-189-

Shigjetat m’i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mpron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt’ i mënçur s’jam.

-190-

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!

-191-

Jetesa rregullisht pas Urtësisë
S’i ësht’ e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t’arratisë.

-192-

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym’ i lumtur për një çast
N’ Avushën prapë më ka qerthulluar.

-193-

Me vrer për ditë Fati po na ndes,
S’jep gas që s’na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s’na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.

-194-

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç’flamur helmi kish në bark,
S’më nxirte në mejdan askurrë mëma.

-195-

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respironj në zjarr ma ktheve.

-196-

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër’ e Vdekjes pen’ e Jetës,
Nga thonjt’ e Fatit me tërbim u shqite.

-197-

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her’ e mir’ e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!

-198-

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.

-199-

Sikur të merrte Engjëll’ i bekuar
Librën, që Fat’ i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!

-200-

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t’arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.

-201-

Të kisha ah! fuqi prej Perëndie,
I jipnja shkelmin kësaj Gjithësie
Dhe krenja Botë tjatër ku të kishte
Çdo plotësim dëshire dhe lirie.

-201-

Të mirat Botës son’ ia studiova.
Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:
Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.

-203-

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve
Dhe Kryevegla n’arkë t’axhaminjve:
E Bukura e Dheut flë në shtrat
T’eunukëve, në djep të çiliminjve!

-204-

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,
Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:
Po rri mënjan’ i qet’ e bëj sehir
Shakatë që na bën i Madhi Zot.

-205-

Profetët le të lehin hu mi hu
Për Providenc’ e Perëndi me tru:
Eni, me Poçen shtrojani këtu,
Dhe losni me Atë që lot me ju.

-206-

U dashka që ta lë ballsamn’ e Verës
Nga frik’ e zez’ e vrerit të Skëterrës,
Ah, për shërbet’n e Qiellit që do t’pi
Kur të më thahen koskat prapa ferrës!

-207-

Kurani thotë, Qielli ka Huri
Të bukura dhe Verë me gosti:
Posa pra ësht’ ashtu, o Perëndi,
Stërvitem që këtu e që tani!

-208-

Në qoftë se Parajsa jote s’qas
Veçse ata që lodhen me namas
Dhe s’duan Ver’ e Vajza, pa dyshim
Asnjë njeri s’të hyn n’atë kafaz.

-209-

Parajsa paska Vajza syshkëndija,
Me Ver’ e mjaltë, lum’ e kronj e vija;
Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë
Në dorë njëja sot se nesër mija.

-210-

Ay që ka në zemër Urtësi
S’lë asnjë çast t’i shkonjë pa dobi;
Po adhuron një Dashuri qiellore,
Dhe Kupën kap me Ver’ e zbras Dolli.

-211-

Të Madhit Moamet i çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
“O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

-212-

Përgjigjet Moameti me selam:
“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t’Urtët nuk e bëj haram!”

-213-

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,
Më thonë: “Vera ësht’ armik i Fesë”,
O burrani, pra, Kupat mbushini
T’ia pimë gjakun qenit të pabesë!

-214-

Posa e bëri Zoti në fillim,
Hardhinë pse m’a thurrni me ndalim?
Thomëni, kur s’e njihni për besim,
Kush e ka vën’ atje këtë mallkim?

-215-

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,
Se vijës s’Vreshtës bëji Dashuri;
Nga nën’ e ëmbël rrodhi bij’ e keqe,
Po Bija ka më tepër bukuri.

-216-

Vera, vërtet, më doli e pabesë,
Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,
Po fajn’ e ka Sakiu: S’ia di vlerën;
Kur t’ia mësonjë, nukë do t’ma shesë.

-217-

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,
Në sy të Botës krejt më turpëruan;
Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik
Dhe namin për një metalik ma shuan.

-218-

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;
Po a jam esëll vallë kur betohem?
Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,
Pendohem për pendimin që zotohem.

-219-

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.
Faqia iu nxi, ia mori namin era:
Saki, më sill ca Verë! Cip’ e çjerrur
Më s’qepet dot, as zbardhet dot Skëterra.

-220-

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rronj dot,
Pa kupë barrën, vrerin s’ia duronj dot;
Jam mirë vetëm n’atë çast kur shokët
“Dhe njëzë!” thon’ – e unë s’mëkatonj dot.

-221-

Kur s’pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,
Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;
Kërkonj pra mezin, Jetën çakërqef:
As that’ as qull, po lagur leht’ e larë.

-222-

Me Poçen n’sqetull, me Kuran në bres,
Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;
Ajme! S’kam Din e s’kam Iman e s’jam
As i Krishter’ as Mysliman as Putperes.

-223-

As Kisha, as Xhamia nuk më nxe,
Allahu më gatoi s’di me ç’hile;
Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,
Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.

-224-

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia
U çthurret zemr’ e shpirt më çqetësira;
Po sa Sekretin e natyrës studiuan
S’i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira

-225-

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t’ikë,
Nga Lloma në Liri pa fre, pa frikë;
Po thik’ e Sheriatit ia pret krahët
Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.

-226-

Xhami e Kish’ e Tempull: robëri!
Këmban’ e Minare: një patërdi!
Dervish e Prift e Hoxh’ e Kryq e Hënë:
Pengime që të gjitha për Liri.

-227-

Në Labyrinth të Besëve kërkova,
Me Porosi e Dogma u qarkova;
Po u gënjeva; s’gjeta lule fare
Dhe vetëm driza t’egëra zbulova.

-228-

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se Perëndinë s’e përfaqësojnë.

-229-

“Allahu ësht’ i math!” çirren, këlthasin,
Nga gjëm’ e tyre tunden e kërcasin
Për ditë pesë herë Minaretë:
Ay s’dëgjon. Vajtimet kot buçasin.

-230-

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,
Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:
Po kujve u zbulohet e Vërteta?
Askujt! S’qas pran’ as mu’ as ty kjo Trime.

-231-

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë
E të na japë Shpirt e të na varë
Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar
Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?

-232-

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkonjë
Flori për Baltën e të na gjykonjë
Për borxhe që s’ia detyrojm’ aspak
E që s’ia lajmë dot! – O Djell, o Shkronjë!

-233-

Nga tmerr’i Perëndis’ e me pahir
Padrejtësinë nuk e quanj Hir;
Sepse kur s’thom të Drejtën me çekan
S’qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.

-234-

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,
E dbove kur na je mëshirëplot?
Për mëkatarët është Hiri Hir;
S’ke Hir kur na e jep me djers’ e lot.

-235-

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,
Shpirti m’u err, o Perëndi, ndriçomë;
Jo si çpërblim për vepra që s’bënj dot,
Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.

-236-

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë
Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:
Ata që flasin n’emrin tënt gënjejnë;
Nga thonjt’ e tyre, Perëndi, zbërthemë!

-237-

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim
Që mirësia jote s’ka mbarim;
Me një pendim, kush nuk e bën të keqen
Dhe kush e bën s’të kan’ asnjë ndryshim.

-238-

Embël gjykon në Qiell Mëshir’ e gjërë,
Po s’më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;
E mira e pabërë s’ësht’ e bërë
E keq’ e bërë nuk ësht’ e pabërë.

-239-

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë
Dhe kurrë një mëkat pa bërë s’lashë:
Më thua se më ndih në të këqia;
“Më keq se un’ a ka?” o Zot, të thashë.

-240-

Të mirat një nga një m’i nëmëro,
Të ligat togje-togje m’i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego.

-241-

Khajami vark’ e fajeve e shtoi
Dhe egjërën nga shpirti s’e qëroi:
Po s’dëshpërohet sa për Hir Qiellor,
Se Njënë kurrë Dy s’e nëmëroi.

-242-

Kundër së keqes shpirti më lëfton,
Me turp e vrer mëkatet m’i kujton:
Kam shpresë se m’i fal Mëshira jote,
Po prapë turpi mbetet e s’pushon.

-243-

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur
Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:
Fal dorën që Gërshetet përkëdhel
Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.

-244-

A mundin farisjanët zemërngrirë
Për ty të bisedojn’ e për Mëshirë?
Na djek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!
Gjetkë m’i shit ato! Të njoh më mirë!

-245-

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,
S’dua të shoh njeri e rronj i shkretë:
Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,
Ay e di ç’kam vojtur nga kjo Jetë.

-246-

Me bindjen Mbretërin’ un’ a ta rrit?
Me fajet Madhështin’ a ta çukit?
Mos më punit, po falm’ – o Zot – se the
Q’i fal mëkatet shpejt – von’ i punit.

-247-

Me gryk’ e zemër’ – o Zot – kur më krijove
Dhe Ver’ e Vajza ballazi më shtrove,
E dije pa dyshim që do t’u sulem:
S’kam faj! Kam bër’ ashtu si e caktove!

-248-

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,
Me Lule, Hën’ e Diell ma përqas.
Pastaj më porosit të mos e ngas!
Tamam: përmbys Dollin’ e mos e zbras!

-249-

Me baltë më gatove: ç’faj të kam?
Me lesh e li m’arnove: ç’faj të kam?
Mi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m’i shkrove: ç’faj të kam?

-250-

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve
Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:
S’fëjejmë dot pa dijën tënd’e lejen;
Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?

-251-

Kur t’erren Tok’ e Qiell nga Kijameti
Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,
E kap për rrobe Zotin e i thom:
“S’të kemi faj! S’na dbon dot nga Xheneti!”

-252-

Vullnet përveç Vullnetit t’tij s’të ka,
Për vepërim Ay liri s’më la,
Si deshi Vetë, çdo gjë ësht’ e bëhet:
Kundër s’i vete dot, – a bën shaka.

-253-

Më la të verbër e më vuri trap
Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:
Më shtyn të bie brenda dhe pastaj
Si mëkatar e si rebel më kap!

-254-

Rebel t’u sulkam, pse s’më shtyp për dhe?
Në sterr’ u ngulkam, Dritë pse s’më dhe?
Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,
Mëshirën, Mirësinë ku m’i ke?

-255-

O Ti, që me pusi dhe gracka thure
Greminën e përlotur ku na prure,
Që me predestinatën na mbërtheve,
Dënime për mëkate qysh na vure?

-256-

O Ti, që njerëzit me Balt’ i tore
Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,
Për çdo mëkat që faqen po na nxin
Epna e merrna ndjesë njerëzore!

-257-

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë
Të mjaftë sa të mbytem n’errësirë:
Po sikur t’ishe Vet – o Zot – njeri,
A do ta deshe këtë tru të mpirë?

-258-

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,
Me forc’ e me shkëlqim më pate ngjeshur:
Tani më çjerr e më përmbys përdhe!
Përse? Ç’të bëra që më le të çveshur?

-259-

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,
E nesër do t’më shtypësh nënë Dhe:
Veprën e bukur, Zot, përse e prish?
Në qoft’ e keqe, fajin Vet’ e ke.

-260-

Për Vetëdije miriade vjet
Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:
Kur dije q’e merr prapë, ç’ma dhurove?
Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?

-261-

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj, cili ësht’ i dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si i krisur?

-262-

Kush rroi mbi Tok’ e s’mëkatoi? Më thuaj!
Ay që s’mëkatoi a rroi? Më thuaj!
O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj,
Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj!

-263-

Më linde pas dëshirës fuqiplote
Më le të mbytem nëpër llom’ e lote;
Tani tregomë ç’është më e fortë:
Mëkati im, apo Mëshira jote?

-264-

O Zot, barrën e Jetës lehtësoma
Nga syt’ e turmës çdo kusur mbuloma:
Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate
Kësulën, kokën nesër rrotulloma.

-265-

Ti, që sekretet na i di të gjithëve,
Që në shtrëngic’ e zi na ndih të gjithëve,
Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi,
Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve!

-266-

Vinj në Xhami, po jo të të gënjenj;
Kur jam atje dëfrim në zemër ndjenj
Dhe ikënj shpresëplot; Vend më të mirë
Të lahem e të fle ku mund të gjenj?

-267-

O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë!
Te lartësia jote Ti afromë!
Esëll, të Mirën e të Ligën njoh:
Dua t’i mbyt e dehem! – Mëshiromë!

-268-

Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim,
Që digjesh në Skëterr’ e në Vajtim,
Prej teje Zoti a kërkoi drejtim?
Cili je ti, që po m’i jep mësim?

-269-

Kur Ramazani ish më të mbaruar
Dhe natën prisnin Hënën e gëzuar
Në Furrën e Poçarit isha shtruar
Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar.

-270-

Çudi! Si njerëz, mbledhur në pazar,
Ca poçe bisedonin plot me zjarr;
Dhe befas një prej syresh pa durim:
“Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?”

-271-

Një tjatër tha: “Ah, punën e dëfteu
Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu:
Pra, duke qenë një Krijesë Dheu,
Andej na mori dhe andej na ktheu!”

-272-

Një tjatër tha: “As foshnja pa gjykim
S’e thyen enën që i dha dëfrim:
Qysh pra Ay që na krijoi me mall
Po na dërmon, na çqyen me tërbim?”

-273-

Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi
Një poçe e shëmtuar dhe pa soj:
“Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej
Ustajt të vëngër dora, kur m’artoi?”

-274-

Një tjatër tha: “Na trëmbin me kazan,
Me Ferr e furr’ e Djall e me katran,
Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka!
Se Zoti ka Mëshir’ e ka derman!”

-275-

Një tjatër Poçe tha me psherëtim:
“Mua më latë fare në harrim;
Po lagmëni, vaditmëni me Verë,
Dhe ja, e mblodha veten pa vonim”.

-276-

Edhe kështu kur Poçet bisedonin,
Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin;
Dhe thirrën pasandaj me brohori:
“Vjen një Saki!” dhe Verën lavdëronin.

-277-

O Zot, O Drit’ e Vetëm e Vërtetë,
Më lumërofsh a më dënofsh përjetë,
Me Ty kungonj më mirë në Tavernë:
Se në Xhami s’të puth – e s’rri dot qetë.

-278-

E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu
Burimn’ e Jetës q’ëndërroi njeriu
Dhe ma tregoi: tani s’i çkulem dot!
Ver’ e Pavdekësisë më përpiu!

-279-

Këtu paraja kallpe nukë shkon,
Se menjëherë fshesa e spastron;
Një Shenjt na thirri në Tavernë: “Pini!
S’ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!”

-280-

Në Jetë si mi Detin udhëtojmë
Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë:
Po kemi Zotin midis nesh sa herë
Me Verën e bekuar po kungojmë.

-281-

S’do Trëndafili? – Gjëmin prap’ e kemi;
Parajsa s’qas? – Në Ferr të lirë vemi:
Çfryn Minareja – Ja, gjëmon Këmbana,
N’Alltar Kungata pret në re prej kemi!

-282-

Më thoni që do t’digjem në Skëterrën,
Se adhurova Dashurin’ e Verën:
Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës,
Unë kam dy: Kungatën edhe Verën.

-283-

Një plak të shenjtë, t’urt’ e mjekërgjatë
Kam parë që vraponte që menatë;
I thashë: “Ku po shkon kështu, Uratë?”
Më tha: “N’Alltar për Mesh’ e për Kungatë”.

-284-

Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur,
Me Këng’ e Valle në Gërmadhen mbledhur,
Kungojm’ e puthemi me Dashuri,
Përsipër Fes’ e Qiellit jemi hedhur.

-285-

Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini!
Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini!
Se Vreshta tha: “Ky është Gjaku im,
Q’u derth për ju! Kungoni: merrni pini!”

-286-

Mystikërisht me frikë iu afruam
Me Bes’ e Shpres’ e Dashuri kunguam:
Nga Vetja ikm’ u tarm’ u transformuam,
Në Vreshtën e Vërtet’ u transplantuam.

-287-

Te Shpell’ e Shenjtë, natën, nga Alltari
Një Engjëll dolli me stoli prej ari,
Ngre lart Kungatën Vresht’ e Xhevair,
Ma zgjat – fjesht Rrush! – Puth Qiellin mëkatari!

-288-

Rrush, Ver’ e kuqe, si rubin që rrjeth,
Që qesh nga gryk’ e shishes kur të derth,
Je gjak i zemrës që kërkon Çlirim,
Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth.

-289-

Rrush, Rrush, që me Logjikë absollute
Të gjitha sektet nëpër vrima i fute,
Rrush alkemist, që pisën na e zbardhe
Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute.

-290-

Rrush, o Sulltan Mahmud, o Ngadhënuar,
Ti helmet e ti tmerret ke larguar
Nga shpirti yn’ i ngrysur e i ndryshkur,
Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar.

-291-

Na fryn në zemër gas e ngrohtësi,
Na thurr mbi krye drit’ e bukuri,
Na çkul nga dimr’i djeshm’ e brym’ e pritme,
Na thyen hekurit, na fal Liri.

-292-

Sëlargu shtaz’ e ndyrë u afrua,
Sytym, xhybekatran, as burr’ as grua,
Na tha: “Vera prej Dinit u ndalua!”
Na theu Poçen dhe u shenjtërua!”

-293-

Mor Hoxh’ i egër, ma mbaro qërtimin,
Mos m’ulëri në dasmën dhe dëfrimin:
Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin,
Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin.

-294-

Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro,
Beko pa folur, mos më prediko:
Un’ ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër,
Se je i vëngër, sytë çap shëro!

-295-

E ëmbël është Vera me Dolli,
E ëmbël Harpa, Vallja me Huri:
I ëmbël është çdo besnik që s’pi
Kur lark një mijë parasanga rri.

-296-

Me etjen Tavernarin e gëzonj
Dhe supet me mëkate i ngarkonj:
Kështu Mëshir’ e Zotit hyn në punë,
Se myshterinjtë gjithënjë ia shtonj.

-297-

Lus Verën, jam pjanik: po, ashtu jam!
Pagan e heretik: po, ashtu jam!
Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s’jam!
I Vetes jam besnik: po, ashtu jam!

-298-

Kam parë një hermit pa Ligj’ e Fe,
Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe;
E njoha dhe pyeta duke qarë:
Më trim se ky, o Zot, në Bot’ a pe?

-299-

Të vjetrit shok’ e miq më neveritnë,
Të rinjt’ ato të vjetrat përsëritnë:
Tani kam hequr dorë nga çdo mik;
Kurrë Besnikë miq mi Dhe s’u rritnë.

-300-

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,
Hap sytë! t’ësht’ armiku m’i pabesë:
Miq mos kërko në turmën posht’ e lart;
Të puthi kush? – Largohu pa vonesë!

-301-

Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë;
Vrerin që s’ka shërim e pi si burrë:
Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht;
Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë.

-302-

Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi,
Dhe intrigan, kur rron në vetëmi:
Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli,
Më mirë mos u njih, mos njih njeri.

-303-

Mos qas veç shokë t’Urtë në shtëpi,
Largohu nga të marrët pa kufi:
Kur t’ep i marri mjaltë hidhe tej,
Kur t’ep i Urti vrer, e merr, e pi.

-304-

Të marrët, të stolisur, syverbuar,
Që kurrë me kandilin e pashuar
S’kanë kërkuar natën Drit’ e Shkencë,
Asnjë të Madh s’na lanë pa çnderuar.

-305-

Rrëmbyen mall, memuriet e ar
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson prralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.

-306-

Çudi, që parësi e titulluar,
Nga skllavëria kalbur, shtazëruar,
Kur shohin një të varfër po të lirë,
E quajn’ a t’marr’ a të mallkuar.

-307-

Nga Bot’ e Lartë një Myster m’u zgjith;
Me ty, Njeri, Krijes’ e tër’ u thith:
Je djall a ëngjëll, shtaz’ a lule e pisë;
Je ç’dukesh; pamja me çdo gjë të lith.

-308-

Njeriu qënka thelb’ i Gjithësisë
Dhe drit’ e syrit t’madh të Perëndisë:
Qarku i Qënies qënka si Unazë
Me vulë xhevair’ e Njerëzisë!

-309-

Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar
Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar:
Kështu në syt’ e Perëndisë jemi
Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar.

-310-

Te Bot’ e murme dhe e trubulluar
Dy farë shtazësh janë lumëzuar;
Ata që paskan çdo gjësent zbuluar
Dhe sa s’të kanë asgjësent mësuar.

-311-

Ari s’lint Mënt, po Mënt që bukë s’kanë
Në Kopsht të Dheut qajnë si n’hapsanë:
Qesh Trëndafili se ka qesen plot,
Kur Vjollc’ e vafër kokën var mënjanë.

-312-

A dini pse Zambakun dhe Selvinë
I quajmë symbole për Lirinë?
Kjo një qint duar ka, po s’vret e s’vjeth,
Ay me dhjetë gjuhë, s’e kafshon njerinë.

-313-

Më mirë bukëthat’ e rrobëçquer
Me ujë rro, i lirë, poçethyer,
Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer
A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer.

-314-

Mos e përdor për shtypje sqojtësinë,
Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:
Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme,
Goditje prit, po mos godit njerinë.

-315-

Lakmim’ i Trupit ngjan me qen të lik,
Që leh pa funt e gjumin na e fik:
Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur,
Na çjerr, na copëton si ujk armik.

-316-

Në leqet e ambicjes mos u zir,
Nga thonjt’ e avaricjes mos u çirr;
I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt’ u prir,
Si pluhër n’erë mos u drith, u tir.

-317-

Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni
Me burrëri dhe dinjitet qëndroni:
Përballni dhe armiq si Rustem Zalli,
Nga miq si Taj dhurata mos pranoni.

-318-

Harxhova jetën kot nëpër këneta
Dhe asnjë pikë lumërie s’gjeta:
Tani kam frikë se u mplaka, shkonj,
E s’provonj dot si duhet rrojtur jeta.

-319-

Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë,
Nga qindra xhevahire njëz’ i dhashë:
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk’ i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.

-320-

Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë
Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë;
Asnjë s’kam zgjidhur prej Enigmave;
Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.

-321-

Ah, nesër Fati do të na gremisë
Dhe çdukemi nga Kopsht’ i Dashurisë:
O Vajzë, sillmë Ver’ e lagm’ e puthmë,
Dhe prapë nem gëzimn’ e djalërisë.

-322-

O Hën’ e shpirtit tim e pavenitur,
Ja, Hën’ e Qiellit del nga ret’ e ndritur:
Sa herë do të dal’ ajo si sot –
E kot në kopsht për ne ka për të pritur!

-323-

Tavern’ e Shenjtë na u çthur me vrima,
Veriu vërshëllen, na grin thëllima:
Ma bëni baltën tulla e m’i mbyllni
Të mos më ngrijnë Verë shokët trima.

-324-

Për Vdekjen s’dridhem as derth fare lot;
M’e mirë gjë në Botë s’gjendet dot:
Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot
Më kot ma dha – e un’ ia kthenj më kot.

-325-

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim:
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!

-326-

Miq, shpresa, Qiell’ e Tok’ e Djaj më lanë,
Zi brënda, lart’ e posht’ e anembanë:
Veç Verës s’më ka mbetur tjatër mik,
Dhe dua dhe në Varrin ta kem pranë.

-327-

Me Verë, kur t’ap shpirt, kungomëni,
Në Verë lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pështillmëni,
Në kopsht me Këng’ e Rrush mbulomëni.

-328-

Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi
Varrin stolismani, qëndismani:
Rreth meje buzëqeshur shtrihuni
Spërkatmëni me Ver’ e pihuni!

-329-

Që Varri im me Ver’ e Rrush të shirë
Tym, afshe të lëshojë si një Tirë
Sa kur të shkonjë Mysliman’ i mirë
Si në pusi të dehet i papirë.

-330-

Dhe kur të shkosh, moj Dor’ e këmb’ argjënde
Për të gostitur miqtë n’ato vënde,
Ku pinim bashkë, e t’arrish ku rri,
Mos psherëti! – po zbrasmë Kupën tënde.

-331-

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli –
Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!/ KultPlus.com

Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë, unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit ‘si’ apo ‘pse’

Stephen Hawking ishte shumë më tepër se një fizikan teorik me një film fitues të çmimit Oscar dedikuar për të. Ai ka dhënë kontribute të çmuara jo vetëm për botën e shkencës, por edhe për vetë jetën për të gjithë ata që donin të mësonin diçka prej tij.

Përgjatë karrierës së tij, Hawking na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë planetin, dhe në të njëjtën kohë, edhe veten tonë. Këto janë disa mendime që ai i ka ndarë me të gjithë dhe që kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Ndoshta do të ndikojnë po aq fuqishëm edhe tek ty.

“Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë. Unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit “si” apo “pse”. Ndonjëherë gjej përgjigje e ndonjëherë jo”.

Hawking na kujton se duhet të qëndrojmë po aq kuriozë sa ishim, kur ishim fëmijë. Ai na tregon se si të jemi guximtarë. Jo çdo gjë është e mundur dhe përgjatë gjithë pamundësive, ne mund të marrim përgjigje thjesht duke bërë pyetje. Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që duam, ose të mos marrim fare përgjigje, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të mos bëjmë pyetje. Vetë jeta është një pikëpyetje e madhe, për të cilën asnjëherë nuk do të ndalesh së i pyeturi të tjerët dhe veten për të marrë përgjigje.

“Nëse do të duhet të zgjidhja të isha një superhero, do të zgjidhja Supermenin. Ai është gjithçka që unë nuk jam”.

Hawking, në mesin e më të suksesshmëve dhe më të zgjuarve në botë, sërish ka ëndrra si çdokush tjetër. Dëshira e tij për të bërë gjëra që nuk i ka bërë më aprë, apo për të qenë si dikush tjetër, e bën atë njësoj si të gjithë ne. Ne të gjithë jemi njerëz në fund të fundit, dhe si njerëz ne mund të bëjmë aq sa na lejojnë mendja dhe trupi ynë.

Hawking mund të mos kishte superfuqi për të fluturuar si Supermeni (ai vuante nga sëmundja e Lou Gehrig, ose e njohur ndryshe si ALS – skleroza amniotrofike laterale), por ai kishte një inteligjencë shumë më të madhe se çdo personazh superhero nëpër libra apo filma.

Ai arriti të tejkalonte barrierat dhe të mahniste botën me zbulimet e tij. Çdokush në gjendjen e tij do të ishte ndalur, nuk do të donte më të jetonte, por Hawking na tregon se njerëzimi i gjithë ka të bëjë me ëndrrat dhe synimet që i vendos vetes dhe për të cilat punon fort t’i arrish.

“E shkuara, ashtu si e ardhmja, është e pafundme dhe ekziston si një pasqyrë mundësish”.

Nga ky përfundim i shkencëtarit, unë arrij të kuptoj edhe një herë rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. Ndërsa jetojmë ditë pas dite, ne vihemi përballë një numri të madh mundësish. Ne kemi fuqinë të bëjmë gjëra të mëdha, por të cilat mund t’i arrijmë në të tashmen.

Ne mund të shohim nga e shkuara duke menduar për mundësitë që na janë ofruar dhe të mendojmë për mundësitë që mund të na ofrohen në të ardhmen. Në këtë moment na është falur e tashmja dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur”.

“Cilësia që dua të veçoj, është empatia. Ajo na mbledh së bashku dhe na jep një ndjesi më të paqtë, më të dashur”.

Hawking ka thënë: “Cilësia më e keqe e njeriut, të cilën do doja ta ndryshoja, është agresiviteti”. Ai vuri në dukje se agresioni ka qenë një cilësi që i lejonte njerëzit të mbijetonin në ditët e urisë, por që tashmë është një dëm për njerëzimin. Që në vitin 2015, ai ka mbështetur gjithmonë e më tepër rëndësinë e empatisë.

Shkencëtari ka shpjeguar se vetëm empatia mund ta luftojë siç duhet agresivitetin. Koncepti i empatisë është duket tepër i thjeshtë, por sërish mbetet një cilësi, për të cilën vënia në zbatim has tepër vështirësi. Empatia është ndjesia e mirëkuptimit dhe aftësisë për të ndarë me të tjerët eksperiencat dhe emocionet. Vetëm duke u vënë në praktikë, ajo mund të na çojë në ndryshime të mëdha dhe pozitive. / KultPlus.com

Calbraith Rodgers, piloti që realizoi fluturimin e parë mbi ShBA

Piloti Calbraith Rodgers, më 5 nëntor të vitit 1911, u ul me aeroplanin e tij në Long-Beach të Kalifornisë, duke plotësuar në këtë mënyrë fluturimin e parë nga njeri skaj i Shteteve të Bashkuara në tjetrin.

Këtë fluturim, piloti Rodgers e bëri për të fituar çmimin prej 50 mijë dollarësh që kishte ofruar botuesi i një gazete për fluturimin e parë nga njëra anë e vendit në tjetrën brenda 30 ditësh.

Aeroplani i tij ishte pak më i madh se një balonë me një motor me 35 kuajfuqi. Zoti Rodgers u nis nga Gjiri Sheepshead i New Yorkut dhe gjatë ditës së parë ai mbuloi 134 kilometra, duke fluturuar gjithsejtë 105 minuta, transmeton ksp.

Ai cilësoi këtë si një “fillim të suksesshëm”. Mirëpo, përpjekjet për të filluar udhëtimin ditën e nesërme ishin më shumë tipike të kësaj ndërmarrjeje. Ai u përplas për një kotec pulash dhe e shkatërroi avionin.

Mekanikët e tij, të cilët e ndiqnin në një tren të posaçëm, e rindërtuan aeroplanin brenda 40 orësh dhe zoti Rodgers u kthye përsëri në ajër.

Ai qëndroi gjithsej 82 orë e 10 minuta në ajër, me 70 ndalesa gjatë 49 ditëve për të përshkuar distancën nga një skaj i vendit në tjetrin.

Megjithëse ai nuk e bëri udhëtimin brenda afatit për të fituar çmimin me para, Calbraith Rodgers u bë i famshëm pasi ai demonstroi se fluturimi transkontinental ishte i mundshëm./KultPlus.com

Norman Wisdom, filmat e të cilit ishin thellësia e nevojës sonë për çlirim dhe pozitivitet

“Komedia ime është për fëmijë nga mosha tre në 93 vjeç. Njeriu ka nevojë për një lloj humori pak si fëmija dhe nëse nuk e ka këtë aftësi, është shumë keq”, kjo ishte jo vetëm një nga shprehjet monumentale të Norman Wisdom, por mbetet dhe sintezë e krijimtarisë së tij.

Ai nuk është më, por shumë më e tepërt në kohë ishte ndarja me humorin e tij, lojën virtuoze dhe sarkazmën, ironinë therëse dhe formën më të epërme të përfshirjes në një situatë çlirimi prej negativitetit dhe lejimit të një momenti hareje, imponuar nga rolet dhe personazhet, karakteret dhe tipet që ai i solli përmes aktrimit. Mimika e tij, pantomima dhe gjestikulacionet, zëri dhe naiviteti i shtirur, shkujdesja teveçele dhe fudullëku lojcak, erdhën për të mbetur si një kujtesë e pashlyer e humorit që ai na dhuroi. Gjithashtu Wisdomi edhe kërcente, këndonte dhe luante vegla muzikore, por qe komedia, me të cilën ai fitoi zemrat e miliona vetëve, shqiptarëve në veçanti.

Ndoshta ai kudo që përcillej ishte i famshëm, por në Shqipëri ai mbeti një ikonë. Nofka e tij Pitkini u përdor gjerësisht në veprimtarinë jetësore shqiptare, duke ironizuar ose fshikulluar me këtë epitet njerëzit, karakteret, tipat dhe personazhet që ai jetësoi në filmat e tij komik. Ai u kthye në një figurë kulti në Shqipërinë komuniste shkruajnë agjencitë Rojter dhe AFP, ku filmat e tij qenë ndër të paktët prodhime kulturore të Perëndimit, që lejoheshin të shfaqen në televizor. Norman Wisdomi e vizitoi Shqipërinë në vitin 1995, pas rënies së komunizmit. Agjenti i tij për 30 vjet, Johnny Mans e kujton këtë vizitë në Shqipëri: “Ishte e krahasueshme me dalldinë për Bitëllsat adhurimi për të në Shqipëri”, thotë ai. “Edhe burrat i afroheshin dhe e puthnin.”

“Gjithmonë sa herë në mediat britanike kumtojnë një lajm ka të bëjë me Shqipërinë, shkruante para disa kohësh Muhamed Veliu, gazetarët nuk harrojnë që t’i shtojnë vendit tone dashurinë dhe admirimin e madh për komikun e tyre, Sir Norman Wisdom. Madje ata shkojnë më tej duke e cilësuar si një hero komik kombëtar të shqiptarëve. Kur në Shqipëri përmendet emri i tij padyshim që kujtimi i parë që të vjen në mëndje nga rolet e Normanit është ai më tipiku më entuziasti që të bën për të qeshur më shumë, pikërisht Pitkini i famshëm. Rroli i Pitkini i ndërtuar me mjeshtëri dhe luajtur me shumë finesë nga aktori ku vlen për tu përmendur episodi “Pitkini Ushtar” ishte i vetmi program televiziv prodhuar në perëndim i cili “gozhdonte” përpara ekraneve bardhezi shqiptarët e lodhur nën regjimin komunist të asaj kohe. Si për çudi ky program megjithëse ishte prodhuar në një shtet “revizionisto-kapitalist” siç ishte Anglia për udhëheqjen komuniste ishte OK. Duke mos pasur programe të tjera, roli i pitkinit dhe emri i anglezit Norman Wisdom u bënë një amalgamë e pandarë humori për shumë breza. Ishte vetë diktatori Hoxha me kastën e tij ata të cilët paradoksalisht do të lejonin filmat komik të ndiqeshin nga shqiptarët, dhe në të njëjtën kohë të ngrin në kult figurën e Norman Pitkinit.

Pas një fëmijërie të varfër në Londër, Wisdom u fut në ushtrinë britanike si djalë i ri. Për herë të parë ai pati mundësinë të ushqehej aty si duhet dhe të zhvillonte talentin e tij për të zbavitur të tjerët. Nga ushtria ai u largua në vitin 1946, duke e filluar karrierën profesioniste si humorist në moshën 31 vjeçare. Ngjitja e tij dhe kthimi në një nga artistët më të njohur britanikë qe shumë e shpejtë. Karrierën artistike e ai përfundoi zyrtarisht kur mbushi 90 vjeç.

Ai luajti 19 filma televizivë dhe një sërë komedish televizive. Mbretëresha Elisabeth II i dha atij titullin “sir”. Filmat e tij përfshijnë “Probleme në dyqan” (Trouble in the store), për të cilin ai mori një çmim BAFTA dhe në vitin 1966 ai u propozua për Çmimin Tony (Tony Award) për rolin e tij në komedinë muzikore “Eci i lumtur” (“Walking happy”)

Norman Wisdom, i njohur për rolin e famshëm të Pitkin, u lind më 4 shkurt 1915 dhe vdiq në moshën 95-vjeçare më 4 tetor 2010. Ai ishte komedian, këngëtar dhe aktor, regjisor e skenarist anglez, ikonë e filmit. Wisdom-i u bë i famshëm me filmat e tij humoristikë në vitet 1950-1960, ku luante rolin e njeriut të cilin nuk e marrin seriozisht dhe të përçmuar nga shoqëri, por që në fund triumfon përballë kundërshtarëve. Charlie Chaplini e ka quajtur Wisdomin kllounin e tij të preferuar. Në Britani ai konsiderohet “një nga personazhet më të qëndrueshme të komedisë britanike”.

Ai ishte dhe mbeti një legjendë, një personalitet i jashtëzakonshëm i humorit, një nga figurat e artit kinematografit që mundi të ngulitej thellë në shpirtin shqiptar. /Nga Albert Vataj/ KultPlus.com

“Guxoi të kërkonte falje për krimet”, Guardian në shtëpinë e Sanduloviqit që u keqtrajtua pasi bëri homazhe në Prekaz

“Më goditën aq fort sa humba ndjenjat”: Politikani serb i opozitës tregon për gazetën e njohur ndërkombëtare, “The Guardian” e cila ia ka dedikuar një artikull të gjatë Nikola Sanduloviqit, politikanit pro-perëndimor serb i cili u përball me keqtrajtim të pabesueshëm pasi vendosi të kërkonte falje për krimet e Serbisë në Kosovë dhe bëri homazhe në Prekaz.

Arrestimi i politikanit pro-perëndimor Nikola Sanduloviq, i cili guxoi të kërkonte falje për krimet në Kosovë, ekspozon tensionet që ende janë të acaruara në Ballkan. Kjo është fjalia që ‘Guardian’ e ka vendosur në krye të shkrimit të gjatë për këtë rast.

I lidhur me shtrat në vilën gjigante me tulla dhe mermer që është shtëpia e tij, Nikola Sanduloviq rrëfen sulmin që, thotë ai, e la të paralizuar në anën e djathtë dhe të paaftë për të ecur. Ishte 3 janar ora 15:20 kur tre automjete që transportonin agjentë nga shërbimi sekret BIA i Serbisë u ndalën jashtë shtëpisë së tij në zonën e Senjakut të Beogradit. Të mbështjellë në një furgon të zi – xhamat e tij të lyer që fshihnin atë që do të ndodhte më pas – njerëzit e maskuar i thanë së shpejti pse kishin ardhur: ish-sipërmarrësi dhe politikani i opozitës kishte guxuar të kërkonte falje për krimet e kryera nga serbët kur konflikti ndëretnik tronditi Kosovën në fund të viteve 1990 pas shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.

“Ishte e paimagjinueshme”, i tha ai gazetës së njohur në intervistën e tij të parë me një gazetë britanike që nga sulmi. “Një ditë pasi postova videon në rrjetet sociale duke thënë ‘më fal’ teksa vendosa lule te varri i vajzës së re, e cila, po, ishte në lidhje me një themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [e cila udhëhoqi revoltën kundër sundimit serb] unë mora kërcënime”.

“Pastaj kur filluan rrahjet më goditën aq fort sa humba ndjenjat. Në furgon më goditën në kokë, më goditën me grusht në fytyrë dhe më goditën me shkelma. Në hollin e selisë së BIA-s, ma hoqën këmishën dhe më detyruan të gjunjëzohesha dhe të puthja fotografitë në murin e agjentëve që kishin vdekur në Kosovë. Ata vazhduan të pyesnin se kush qëndronte pas vendimit tim për ta vizituar atë vendt, kush po më jepte ryshfet për të bërë gjëra të tilla”.

Tortura, pretendon Sanduloviq, zgjati gjashtë orë. “Ata u ulën në të dyja këmbët e mia, më tërhoqën krahët dhe ma kthyen kokën mbrapa, ndërkohë që incizonin [skenat] dhe bërtisnin ‘tradhtar’,” tha 60-vjeçari, duke shfaqur një parakrah ende të mavijosur dukshëm. “Në fund thashë: ‘Nuk do t’i përgjigjem më pyetjeve. Më vrisni ose telefononi një mjek”.

I pranuar atë mbrëmje në një spital ushtarak, do të kalonin 24 orë para se pacifisti i vetë-përshkruar të lejohej të kthehej në shtëpi, ku policia, e armatosur me një urdhër arresti, nuk humbi kohë për ta kapur përsëri. 12 ditët e ardhshme – me përjashtim të një nate në një klinikë shtetërore – do të kalonin në krahun mjekësor të burgut qendror të Beogradit, të ndaluar nga një prokuror me dyshimin për “nxitje të urrejtjes racore, kombëtare dhe fetare”. UÇK-ja është cilësuar si organizatë terroriste nga Serbia.

Për Aleksandar Vulin, ish-shefin e inteligjencës së vendit, i cili pranoi se kishte urdhëruar arrestimin, veprimet e Sanduloviqit në mbështetje të Kosovës meritonin një dënim shumë më të madh. Agjentët e BIA-s, tha ai për gazetën Novosti, me të vërtetë e kishin marrë atë, por nuk kishin përdorur çdo forcë fizike – taktika që shërbimet e tjera sekrete padyshim do t’i kishin përdorur. “Nëse Sanduloviq do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Himmlerit, Mossadi do ta vriste atë… Unë i kërkoj falje Serbisë që nuk mund të bëj më shumë”. Një aleat i ngushtë i Aleksandar Vuçiq, presidenti populist i djathtë i Serbisë, pro-rusi i paturpshëm Vulin dha dorëheqje në nëntor pasi u sanksionua nga SHBA për keqpërdorim të detyrës publike dhe përfshirje në kontrabandën e paligjshme të armëve.

Me retorikën në nivele të tilla – Vulin është i vetmi zyrtar që ka folur publikisht për incidentin – vëzhguesit thonë se është tregues i gjendjes shpirtërore në përgjithësi, një që krahasohet gjithnjë e më shumë nga serbët me klimën që mbizotëronte nën Sllobodan Millosheviqin, njeriu i fortë i dikurshëm i quajtur ende kasapi i Ballkanit.

Përpara se sulmi i supozuar të katapultonte Sanduloviqin e hapur pro-perëndimor në faqet e shtypit ndërkombëtar – për shkak se gjendja e tij është pak e mbuluar në nivel lokal – ai ishte një figurë e diskutueshme në margjinat e qiellit politik të një vendi të dominuar nga sundimi autokratik i Vuçiqit. Hera e fundit që ai konkurroi në zgjedhjet kombëtare ishte në vitin 2016, kur partia e tij e vogël Republikane Serbe fitoi më pak se 1% të votave.

“Censura është e çmendur. Vuçiq kontrollon gjithçka. Ai vjedh votat dhe është e pamundur të dëgjohet”, u ankua ai. Të dërguarit perëndimorë që kërkuan lirimin e Sanduloviçit – diplomatët amerikanë janë ndër ata që kanë bërë gjithashtu udhëtimin në vilë për të zhvilluar bisedime pranë shtratit me të – pranuan se duhej të gërmoheshin thellë në arkivat e tyre për të zbuluar se kush ishte ai dhe nuk u pëlqente gjithçka që zbuluan.

Por mes tensioneve të përshkallëzuara rajonale, të përkeqësuara nga ndërhyrja e hapur ruse në të gjithë gadishullin ballkanik, përpjekja për ta paraqitur politikanin si një kolumnist të pestë ka nxjerrë në pah frikën mbi rënien demokratike të Serbisë në një kohë kur shteti kandidat për në BE është kapluar nga protestat mbi akuzat se rizgjedhja e fundit e Vuçiqit u manipulua.

“Për autoritetet nuk është një pamje e mirë”, tha një diplomat. “Pajtimi në këto pjesë nuk është kurrë një gjë e keqe dhe në këtë rast nuk mund të mohohet”.

Në një fjalim të premten, Vuçiq akuzoi liderët shqiptarë etnikë të Kosovës se synojnë ta “pastrojnë etnikisht” territorin pas vendimit të saj për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb dhe për ta zbatuar euron si monedhën e vetme. Duke u zotuar se do ta shpërfillte masën, ai u zotua të kërkonte një takim urgjent të këshillit të sigurimit të OKB-së nesër, duke thënë se serbët vendas “janë të frikësuar, ata janë duke pritur në radhë” nga frika se nuk do të mund të marrin pensionet dhe pagat në dinarë.

Javën e kaluar, Çedomir Stojkoviq, avokati i shquar i të drejtave të njeriut që përfaqëson Sanduloviqin, e përshkroi atë si një nga figurat e pakta në Serbi që do të mbështeste ndonjëherë publikisht pavarësinë e Kosovës.

“Ai u sulmua në këtë mënyrë sepse ai thotë gjëra që askush nuk dëshiron të dëgjojë”, tha ai. “Për mua Nikolla është më shumë një aktivist politik dhe ndonjëherë bën deklarata provokuese, por sipas cilit ligj, në cilin vend të këtij planeti, vendosja e luleve mbi varrin e një vajze shtatëvjeçare është e paligjshme?”.

Të enjtën, Michael Polak, një avokat britanik, hyri në Pallatin e Drejtësisë të Beogradit me një padi me Stojkoviq për të paraqitur një ankesë penale kundër “torturuesve të Sanduloviqit” dhe ndalimit të paligjshëm. “Është e jashtëzakonshme në një vend europian në vitin 2024 që dikush mund të rrëmbehet nga shtëpia e tij nga agjentë shtetërorë dhe t’i nënshtrohet këtij lloji të trajtimit”, tha ai. “Në asnjë moment nuk duhet të ketë mosndëshkim për torturat. Sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Serbia ka për detyrë t’i hetojë akuzat dhe të kërkojë përgjegjësi nga autorët”.

Më vonë, ndërsa ai ishte gati të largohej nga vendi, Polak u ndalua në aeroportin e Beogradit nga policia duke kërkuar të dinte pse ai “po ndërhynte në punët e brendshme të Serbisë”. Kur më në fund u lejua të hipte në aeroplan, atij iu tha se nuk do të ishte i mirëpritur të kthehej. / KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton ‘netët e tmerrit’ në Mitrovicë: Dëshmi e tendencës për spastrim etnik të asaj pjese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.

Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.

1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!

Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë! / KultPlus.com

Dita botërore e kancerit dhe kujdesi nga kjo sëmundje

E njohur si dita ndërkombëtare e vetëdijesimit në agjendën globale të shëndetit, “Dita e Kancerit” është me 4 shkurt. Kjo ditë është bërë për të bashkuar njerëzit që të luftojnë kundër kancerit, dhe për të ndihmuar e për të shpëtuar miliona jetë nga vdekja e parandaluese duke rritur edukimin dhe vetëdijen dhe duke përfshirë njerëzit, komunitete dhe qeveritë për të marrë vendime të nevojshme.

Me COVID-19 që ndikon në çdo aspekt të jetës dhe rezulton në përkeqësim të përhapur të shëndetit, ekziston një urgjencë kur bëhet fjalë për kujdesin mjekësor dhe sigurimin e mirëqenies fizike. Prandaj, është thelbësore që të jemi të vetëdijshëm për sëmundjen, shkaqet kryesore të mundshme të kancerit dhe kërcënimin e perceptuar për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Çka e shkakton kancerin?

Shpesh përshkruhet si një betejë që dikush duhet të luftojë për të mbijetuar, rreziku nga kanceri është rritur shumë.
Me ndryshimet në jetën social-ekonomike që janë shfaqur ne glob, mënyra e jetesës dhe zakonet për dieta kanë bërë një ndryshim të madh. Pirja e duhanit, dieta me shumë yndyrë dhe kimikatet toksike janë disa shembuj që mund të jenë faktorë rreziku për disa kancere të të rriturve.

Ndërsa një faktor rreziku nuk është domosdoshmërish përgjegjës për sëmundjen, ai mund ta bëjë trupin më pak rezistent ndaj tij. Prandaj, është thelbësore të familjarizohesh me rreziqet dhe shkaktarët dhe të marrësh masat e duhura në përputhje me to.

Mënyra e shëndetshme e jetesës dhe kujdesi

Llojet më të zakonshme të kancereve, d.m.th., Oral, mushkëri dhe kolorektal, janë shkaktuar kryesisht nga konsumi i lartë i duhanit dhe shëndeti i dobët i përgjithshëm trupor duke e bërë edhe më të rëndësishme që duhet bërë ndryshime të vetëdijshme të jetesës që sigurojnë parandalimin në kohë. Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ulë rrezikun e llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë Kancerin e gjirit, prostatës, mushkërive, zorrës së trashë dhe veshkave.

Prandaj është e rëndësishme të përfshihen lloje të caktuara të ushqimit, veçanërisht perime kryesuese si brokoli, lakër, në dietë, ndërsa gjithashtu të ndaloni konsumin e duhanit dhe të mbeteni të vetëdijshëm për ruajtjen e shëndetit të mirë me Yoga dhe ushtrime të rregullta. Një kombinim kolektiv i këtyre është provuar të thyejë grupe të qelizave që kanë pësuar mutacion në përbërje biologjikisht aktive duke zvogëluar rrezikun e kancerit në një masë më të madhe.

Për më tepër, duhet bërë edhe një shqyrtim i rregullt mjekësor një përparësi që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke ndihmuar në rritjen e shanseve të trajtimit dhe shërimit.

E rëndësishme është edhe sigurimi i mbrojtjes së duhur financiare për kancer, sepse bazuar në llojet e kësaj sëmundje trajtimet për kancer kanë kosto të lartë. / KultPlus.com

Muzeu Olimpik i Pekinit rihapet për publikun pas rinovimeve

Pasi u mbyll për rinovime që zgjatën më shumë se dy vjet, Muzeu Olimpik i Pekinit u rihap për publikun të shtunën për të shënuar përvjetorin e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

E vendosur në jug të Stadiumit Kombëtar të njohur si “Foleja e Zogjve”, ky muze, i themeluar në vitin 2009, tani mbulon një sipërfaqe totale prej 26 mijë metrash katrorë. Përmes më shumë se një mijë ekspozitave, muzeu demonstron trashëgiminë e Pekinit si një qytet olimpik i dyfishtë, shkruan Xinhua, transmeton Klankosova.tv.

Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, shprehu urimet e tij më të mira për popullin kinez për Festivalin e ardhshëm të Pranverës dhe vuri në dukje përmes video-lidhjes, “Të gjithë njerëzit kinezë mund të ndihen shumë krenarë për faktin se kur Pekini u bë qyteti i parë në botë për të pritur të dyja edicionet verore dhe dimërore të Lojërave Olimpike, ju po shkruanit një histori të madhe olimpike”.

“Muzeu i ri dhe i përmirësuar Olimpik i Pekinit është një shembull i ndritshëm i një trashëgimie të gjallë dhe do të vazhdojë të frymëzojë çdo vizitor me vlerat olimpike të përjetshme”, tha Bach./KlanKosova/KultPlus.com

Papa i bën thirrje botës që të ndalojë trafikimin e qenieve njerëzore

Papa Françesku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore, duke thënë se shumë prej tyre janë bërë viktima të një shfrytëzimi të tillë.

Ai tha gjithashtu se toleranca dhe vëllazëria janë të nevojshme kundër urrejtjes dhe luftës; se paqja ishte përgjegjësi e gjithë familjes njerëzore; se vëllazëria njerëzore është spiranca e shpëtimit të njerëzimit; dhe se “jeta ka një vlerë të pamasë, ndaj le të kapërcejmë vizionet ideologjike”, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, transmeton Klankosova.tv./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ngjarjet e vitit 2000 në Mitrovicë, kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe mbrojtje të lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.

Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.

1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!

Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!/KultPlus.com

Tragjedia “Elektra”! Shfaqet premierë në Durrës me regji të Kiço Londos

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet premierë tragjedia e Sofokliut “Elektra” me regji të Kicco Londos.

E sjellë nga teatri shëtitës “Çajupi”, “Elektra” vjen para publikut durrsak me mesazhet e forta që mbërrijnë aktuale nga kohët antike në ditët e sotme.

“Është rol shumë i vështirë. Tragjeditë në vetvete janë të vështira dhe është përgjegjësi e madhe t’i luash. Elektra ka mjaft karakteristika për t’u admiruar. Është një luftarake e padorëzuar deri në fund. Ajo jeton për hakmarrjen e saj dhe e realizon duke vënë drejtësi”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

“Është e guximshme për shkak të peshës së madhe artistike që ka Sofokliu është një gjë e rëndë. Elektra gjithashtu. Megjithatë jam i lumtur, krenar për këtë staf që bën gjithçka dhe përtej moshës së re që kanë për të mbajtur një vepër kaq të madhe”, tha regjisori Kiço Londo.

Gjatë të gjithë shfaqjes, tragjedia përfshiu emocionalisht publikun që e vlerësoi gjatë me duartrokitje trupën e aktorëve dhe regjisorin.

“Mbeta shumë i kënaqur dhe i surprizuar jo vetëm nga konceptimi regjisorial, por edhe loja e mrekullueshme e aktorëve. Një lojë ansambël, në veccanti Elektra shkëlqente. Duhen thënë fjalë jashtëzakonisht të mira për regjisorin që tregoi dhe njëherë tjetër se është regjisor i talentuar i vendit tonë”, tha Enver Plaku.

“Një shfaqje e kompletuar me të gjithë elementet. Një Elektër tipike e ditëve të sotme. Laura kishte sjellë një figurë të kompletuar me të gjitha parametrat. I uroj shumë suksese trupës së Kicco Londos dhe pastë rrugë të gjatë “Elektra”, tha Gjergj Doçi.

“Jam shumë e kënaqur për këtë. Personalisation Elektrën, publiku e ka dashur, e ka pritur mirë. Është përlotur bashkë me të. E ka ndjerë dhembjen e personazhit. Me të vërtetë që jam e surprizuar”, tha Laura Nezha.

Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja zbulon pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e harruar të faljes. Pas Durrësit, Elektra do të udhëtojë nëpër gjurmën e rrugës Egnatia si një realitet që bashkon edhe sot vendet e popujt.

“Ky është një projekt që do të udhëtojë nëpër rrugën Egnatia. Është një ndërthurje e teatrit të lashtësisë, teatrit të Sokratit me një rrugë nga më të lashtat jo vetëm në rajonin tonë, po në të gjithë historinë e njerëzimit. Një rrugë që ka lidhur Romën me Lindjen”, tha regjisori Kiço Londo./topchanel/KultPlus.com

BQK tregon se ku dhe si mund të bëhet pranimi dhe konvertimi në euro

Rregullorja e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës ku ndalohet qarkullimi i dinarit serb po vazhdon të kundërshtohet nga shtetet e QUINT-it.

QUINT ka kërkuar që kjo rregullore të pezullohet dhe çështja e dinarit serb të diskutohet në kuadër të dialogut.
Sipas ndërkombëtarëve, vendimi i ri i BQK-së mund të krijojë tensione ndër etnike, megjithatë BQK tashmë ka publikuar rregulloren me sqarime për qytetarë.

“Valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar në Republikën e Kosovës që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

BQK rithekson se valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.

Gjithashtu, BQK njofton se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ.

Po ashtu, rregullorja nuk ka vendosur asnjë kufizim sa i përket transferit ndërkombëtar të mjeteve në llogari.

“Prandaj, transferi në çfarëdo valute që niset nga vendi huaj, mund të pranohet dhe konvertohet në euro në vlerë ekuivalente me kursin përkatës, sipas procedurave të vet bankës së klientit”./ rtv21/KultPlus.com

Nëpër fusha e nëpër male, fryn murlani me stuhi…

Poezi nga Ndre Mjeda

Nëpër fusha e nëpër male
Fryn murlani me stuhi
O murlan, njat frymën ndale
Ndal ti, o akull, mos më ngri.
Mos ma ngrini këtë pikë gjak!
-Struku, struku, i shkreti plak.
Po del dimni me kosë në dorë,
Gjeth e bar i ka kositë;
Qet ballkoni pjalm e borë,
E plak-shkreta, tue mërdhitë,
I thotë vedit me za pak:
-Struku, struku, i shkreti plak. / KultPlus.com

‘Paleta e tij është e ngjyer në rrezet e diellit’ kështu tha për Rembrandt, i magjishmi francez i letërsisë, Viktor Hygo

Nga Albert Vataj

Ai ishte një prej penelatave më të pazakonta të pikturës, një prej gjenive, jeta e të cilit fatkeqësisht u moleps hera-herës me spazme therëse e dhimbje, gjurmë të cilat ai i la në pikturë, në ashpërsinë e kumtit shprehës, në terrin përpirës që përgjohet nga një dritim tinzar. Megjithatë kjo nuk e ndali hovin e tij sendërtues, nuk e vuri dot nën fre këtë pasion të hazdisur kumti. Plot 700 është numri i punëve, ndoshta shumë më shumë ishte ai zjarr përpirës i këtij shpirti që kuntoi dhe i blatoi botës të hyjshmin kurm e përjetim, por asnjëri prej këtyre shpërthimeve eterne estetike, nuk do ta shmangte fundin fatal të këtij gjeniu tragjik.

Rembrandt Harmenszoon van Rijn, konsiderohet si një ndër mjeshtrat më të mëdhenj të historisë së artit europian dhe piktori më i famshëm holandez i shekullit të 17-të. Kontributi i tij në art erdhi në atë periudhë të cilën historianët e quajnë epoka e artë holandeze, kur kultura holandeze, shkenca, tregtia, pushteti dhe ndikimi në botë arritën majat më të larta. Mes veprave kryesore të Rembrandt-it janë “Martesa e Samsonit”, “Mëngjesi martesor”, “Shën Pali në Burg”, “Leksione anatomie”, “Nusja çifute”, “Portreti i një njeriu”, “Familja”, “Portret i vetvetes” dhe “Adhurimi i Magit”.

I susksesshëm si piktor portretesh, vitet e fundit të jetës i kaloi mes tragjedish personale dhe vështirësish financiare. Autoportretet e tij formojnë një biografi intime e unike, ku artisti vëzhgoi veten sinqerisht e përulësisht./ KultPlus.com

Kalaja Rozafës me 961 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023

Vizitueshmëria në Kalanë e Rozafës ka ardhur në rritje. Muaji janar i këtij viti shënoi të tjera shifra pozitive me 961 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ftoi të gjithë të apasionuarit pas historisë ta vizitojnë Rozafatin, për t’u njohur me historinë e për të kaluar një ditë plot aventura të paharrueshme në kala.

Sipas statistikave të publikuara nga DRTK Shkodër, nga 1-31 janar i 2024, kalaja u vizitua nga 3542 vizitorë, ndërsa një vit më parë kjo shifër arriti në 2581 persona.

Krahas vizitueshmërisë janë rritur dhe të ardhurat nga shitja e biletave, në masën 20, 6%./atsh/KultPlus.com

Kozmonauti rus thyen rekord, kaloi mbi 878 ditë në hapësirë

Kozmonauti rus Oleg Kononenko vendosi të dielën një rekord botëror për kohën totale të kaluar në hapësirë, duke tejkaluar bashkatdhetarin e tij Gennady Padalka i cili kaloi më shumë se 878 ditë në orbitë, tha korporata hapësinore e Rusisë.

Kononenko pritet të arrijë gjithsej 1000 ditë në hapësirë më 5 qershor dhe deri në fund të shtatorit do të ketë 1110 ditë.

“Unë fluturoj në hapësirë për të bërë gjënë time të preferuar, jo për të vendosur rekorde” ,tha Kononenko për TASS në një intervistë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS)

“Jam krenar për të gjitha arritjet e mia, por jam më shumë krenar që rekordin për kohëzgjatjen totale të qëndrimit njerëzor në hapësirë e mban ende një kozmonaut rus”.

59-vjeçari mori vendin e parë nga Padalka, i cili grumbulloi gjithsej 878 ditë, 11 orë, 29 minuta dhe 48 sekonda.

Bashkimi Sovjetik e trembi Perëndimin në vitet e para të garës hapësinore duke qenë i pari që nisi një satelit në orbitën e Tokës – Sputnik 1, në 1957 – dhe më pas kozmonauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë në 1961, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Por pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, programi hapësinor i Rusisë u përball me mungesa masive fondesh dhe korrupsion.

Zyrtarët nën presidentin Vladimir Putin janë zotuar në mënyrë të përsëritur se do ta kthejnë rënien e programeve hapësinore të Rusisë, megjithëse probleme serioze mbeten ende, sipas zyrtarëve dhe analistëve të hapësirës, transmeton Klankosova.tv./KultPlus.com

Ujëmbledhësit e Gjirokastrës, monumente të trashëgimisë kulturore

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka përfunduar punën për pastrimin nga vegjetacioni në bendin mbi përroin e “Nokovës” në fshatin “Nokovë”, bend i cili është Monument Kulture i kategorisë së parë.

Bendi është ndërtuar poshtë fshatit mbi përroin e Nokovës, në një distancë rreth 700m nga banesat e fshatit. Bendi me gjatësi 16 m akumulon gjatë natës një volum uji prej 400 metër kub.

Prita prej muri guri, me lartësi 5,5 m është në formë kantraforti. Në skajin e majtë kreu i bendit ka një ulje prej 0,40 metrash për shkarkimin e ujërave të tepërta.

Në mesin e bendit poshtë është vrima e daljes së ujit për vaditje (0,6 x0,6m) e mbuluar sipër me qemer cilindrik. Muratura e bendit është punuar me gurë vendi të zinj e shtuforë.

Me herët DRTK Gjirokastër pastroi edhe tre bende të tjera në zonën e Lunxhërisë, po ashtu Monumente Kulture, Kat. I.

Njëri prej tyre ishte bendi i “Mingulit” i cili ngrihet mbi përroin e Mingulit gjatë rrugës që të çon në “Manastirin e Shpërfytyrimit” i cili është një nga bendet më të goditur nga ana konstruktive me gjatësi 17m, gjerësi 2m e me lartësi 4m./atsh/KultPlus.com

Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë…

Poezi nga Naim Frashëri

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë./KultPlus.com

Tano Banushi, figura emblematike e humorit shqiptar

Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.

Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën “Dje dhe sot” të shkruar nga prof. Filip Ndocaj.

Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqjet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” ishin si “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqje variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën “Armiku i Popullit” i Ibsenit.

Po atë vit interpretoi në komedinë “Pashuku” të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit “Vasil Shanto” dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore). 

Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija. Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit”. Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Herojtë e Vigut”, ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.

Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene.

Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë “Po ta këndoj kangën me saze”, sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar “Pastro kopshtin, bahçevan!” Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.

Ndërroi jetë më 7 gusht 1993./KultPlus.com