Ujëmbledhësit e Gjirokastrës, monumente të trashëgimisë kulturore

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka përfunduar punën për pastrimin nga vegjetacioni në bendin mbi përroin e “Nokovës” në fshatin “Nokovë”, bend i cili është Monument Kulture i kategorisë së parë.

Bendi është ndërtuar poshtë fshatit mbi përroin e Nokovës, në një distancë rreth 700m nga banesat e fshatit. Bendi me gjatësi 16 m akumulon gjatë natës një volum uji prej 400 metër kub.

Prita prej muri guri, me lartësi 5,5 m është në formë kantraforti. Në skajin e majtë kreu i bendit ka një ulje prej 0,40 metrash për shkarkimin e ujërave të tepërta.

Në mesin e bendit poshtë është vrima e daljes së ujit për vaditje (0,6 x0,6m) e mbuluar sipër me qemer cilindrik. Muratura e bendit është punuar me gurë vendi të zinj e shtuforë.

Me herët DRTK Gjirokastër pastroi edhe tre bende të tjera në zonën e Lunxhërisë, po ashtu Monumente Kulture, Kat. I.

Njëri prej tyre ishte bendi i “Mingulit” i cili ngrihet mbi përroin e Mingulit gjatë rrugës që të çon në “Manastirin e Shpërfytyrimit” i cili është një nga bendet më të goditur nga ana konstruktive me gjatësi 17m, gjerësi 2m e me lartësi 4m./atsh/KultPlus.com