Transformimi i Piramidës së Tiranës ka tërhequr edhe vëmendjen e gjigantit mediatik “The Guardian”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “The Guardian”, ku ndër të tjera vlerësohet se “Piramida zbulon krenarinë për të kaluarën krahas shpresës për të ardhmen”.
“E kthyer në simbolin e Shqipërisë moderne, veç aspektit arkitektonik, Piramida rikrijon edhe modelin e Tiranës plot ngjyra e me një ofertë turistike që po rritet dita-ditës”, u shpreh Rama.
Sipas “The Guardian”, Piramida, një monument i rrënuar i trashëgimisë komuniste në Tiranë është transformuar në një vend argëtues me shumë hapësira.
“Ky është projekti i një seri përpjekjesh për të ndryshuar kuptimin dhe përvojën e trashëgimisë komuniste të Tiranës”, shkruan “The Guardian”, ndërsa heq paralele me Berlinin.
“Punimet e reja theksojnë kompleksitetin e historisë së ndërtesës, e cila përfshin punën dhe aftësinë e njerëzve që e ndërtuan atë dhe gjenialitetin përshtatës të profesioneve të mëvonshme”, shkruan “The Guardian”./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka emëruar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Kurti tha se si përgjigje ndaj dhunës, qeveria po e përmirëson edhe kornizën ligjore, teksa shtoi se përpjekjet për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme
“Për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026)”.
“Kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, kreu i qeverisë tha se për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, është miratuar Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërsa për trajtimin e dhunimeve seksuale është lansuar Protokolli Shtetëror
“Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.
“Rregulluam bazën ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, dhe prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste. Kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për 2023”.
“Përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, filluam reformë të thellë për Qendrat për Punë Sociale”, shkroi më tej Kurti.
Tutje, Kurti tha se ministria e Drejtësisë ka planifikuar mbi 80 aktivitete në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, për të cilën tha se do të hapet më 25 nëntor.
“Puna në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet, vazhdon përditë”, tha ai./KlanKosova/KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrualla Çeku ka bërë të ditur se është bërë restaurimi i shtëpisë tradicionale të familjes Sokoli në Prizren.
Shtëpia e familjes Sokoli që ndodhet në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, e që bën pjesë në trashëgiminë kulturore, i është ri-konstruktuar çatia, fasada dhe i është bërë trajtimi i strukturës së dyshemesë së meskateve./KultPlus.com
Saranda vijon të jetë edhe gjatë këtij viti destinacioni i preferuar i kroçerave turistike.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në fund të tetorit në Portin e Sarandës kanë mbërritur 25 kroçera, nga të cilat 10 të mëdha dhe 15 të përmasave më të vogla”.
“Vetëm nga kroçerat e mëdha në port kanë mbërritur 15 294 turistë, ndërsa nga anijet e tjera turistike kanë mbërritur 4401 turistë”, tha Qendro.
Sipas tij, ajo që vihet re këtë vit është ardhja e kroçerave edhe gjatë muajit nëntor.
“Në fillim të muajit nëntor mbërriti në port kroçera “Nieuw Statendam” me 2497 turistë në bord, të kombësive të ndryshme, angleze, kanadeze, holandeze etj.”, shtoi Qendro.
Drejtori i portit të Sarandës bëri të ditur se “në nëntor presim edhe kroçera të tjera që do të vizitojnë qytetin bregdetar”.
Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj, që vizitojnë vendin tonë me kroçera.
Turistët që vijnë me kroçera kanë vizituar sitet turistike e arkeologjike të Sarandës, Gjirokastrën, si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës./atsh/KultPlus.com
Presidentja Osmani është takuar me Princin William, të Mbretërisë së Bashkuar me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunime në temat si përkrahja e rinisë në dy tema të rëndësishme aktuale, siç janë projektet e agjendës së gjelbër dhe ndërgjegjësimin rreth çështjeve që lidhen me shëndetin mendor, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Presidentja Osmani përmes një postimi në facebook.
“Kënaqësi të takoj sërish Princin William të Wales-it, në kuadër të ceremonisë Earthshot Prize në Singapor.
Diskutimet tona u fokusuan në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në tema si përkrahja e rinisë në projekte të agjendës së gjelbër si dhe në projekte për ndërgjegjësimin rreth çështjeve që lidhen me shëndetin mendor”, ka shkruar Presidentja Osmani në facebook./ KultPlus.com
Rehova, një nga fshatrat më të bukur në vend, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik për nga resurset e veçanta që ka, që nga tradita, historia dhe mikpritja.
Krahas rijetësimit të kishave, investimet e qeverisë në këtë perlë të Kolonjës janë shtrirë edhe në infrastrukturë.
Së fundmi, po investohet për ndërtimin e rrugës që e lidh me Ersekën.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky kantier punimesh për rijetësimin e fshatit.
“Rehova turistike ku dita-ditës po merr jetë projekti për rijetësimin e fshatit dhe ndërtimin e rrugës që do të bëjë lidhjen me Ersekën, duke nxjerrë në pah natyrën magjepsëse të kësaj zone”, shprehet Rama.
E shpallur qendër e mbrojtur si dhe e përfshirë në projektin “100 fshatra turistikë”, në Rehovë po kryhen një së investimesh në infrastrukturë për rehabilitimin e rrugicave, fasadave dhe portat prej guri./atsh/KultPlus.com
Sot u certifikua grupi i parë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Xhudo në kuadër të programit shtetëror “Kosova, Shtet i Xhudos”.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Uroj shumë që kjo përvojë të ju ketë forcuar edhe më shumë, jo për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të aftë të mbroni vetveten dhe të jeni të përgatitur me teknikën, forcën, dhe qëndrueshmërinë përkatëse. Vetëm kësisoj arrijmë të ndërtojmë një Kosovë të sigurt e demokratike, të lirë e të barabartë për të gjithë”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit.
Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka thënë që këta janë vetëm ushtarët e parë të certifikuar, duke e quajtur rastin e sotëm si gjurmë të përhershme.
“Ne si sport i xhudos bëjmë hapa të lehtë, por ngado që shkelim lëmë gjurmë të pashlyera, dhe kjo sot jam i bindur se do të mbetet gjurmë e përhershme”, tha ai duke falënderuar kryeministrin Kurti si përkrahësin kryesor të programit “Kosova, Shtet i Xhudos” dhe ideatorin e këtij programi, ministrin Çeku.
Në anën tjetër, trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë që xhudoja shkon përtej sportit duke shërbyer si shtyllë kryesore e organizimit dhe forcimit të ushtrive në botë, përfshir tash edhe atë të Kosovës.
Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet panairi i 26-të i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes.
“Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të zgjedhin librat që dëshirojnë por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete”, tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri.
Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.
“Unë besoj në rrafshin kombëtar, është ngjarja më e madhe më e rëndësishme në fushën e kulturës. Kemi botues nga Kosova, shumë autorë nga Kosova, kemi gjithashtu stendë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Është një festë e bukur e kulturës shqiptare, është një festë e bukur e librit në gjuhën shqipe”, u shpreh Ymeri.
Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht./euronews.al / KultPlus.com
Festivali i Këngës “Luleborë” është gati për edicionin e 8-të.
“Luleborë” është një festë e muzikës, që organizohet nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me institucionet kulturore të qytetit.
Nga viti në vit, ky festival i muzikës nuk është vetëm i artistëve nga Shkodra, por nga të gjitha trevat shqipfolëse. Qëllimi i këtij festivali, edhe në edicionin e 8-të të tij, është të pasurojë muzikën shqiptare me elemente ritmikë, melodi dhe harmoni që përfaqësojnë kulturën tonë.
Nën kujdesin e një stafi të tërë profesionistësh, Festivali i Këngës “Luleborë” i pret artdashësit në datat 10-11 nëntor, në Teatrin “Migjeni”. / atsh / KultPlus.com
Sot janë bërë 61 vjet nga vdekja e Ana Eleanor Roosevelt, politikanes, diplomates dhe aktivistes amerikane. Ajo ishte Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara e cila shërbeu më së gjati, duke mbajtur postin e saj nga marsi i vitit 1933 deri në prillin e vitit 1945, gjatë kohës së shërbimit të bashkëshortit Franklin D. Roosevelt për 4 mandate.
Presidenti Harry S. Truman do ta quante me vonë ‘Zonja e Parë e Botës’ në nder të arritjeve të saj në fushën e të drejtave të njeriut. Ajo ka shërbyer si e dërguar e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
KultPlus ju sjell edhe disa thënie nga Eleanor Roosevelt:
“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”
“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”
“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”
“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”
“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.” / KultPlus.com
Bashkim Shehu, një nga autorët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, prezantoi romanin e tij më të ri: “Kryevepra të pakryera”. Romani i botuar nga Toena, u prezantua në një ceremoni në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Historia e një shkrimtari vjen përmes një narracioni shkëlqyes të një udhëtimi në botën e pafundme të artit, përmes një stili plot kulture”, thuhet në faqen online të QKLL për “Kryeveprat e pakryera”.
Eventi letrar u moderua nga Majlinda Toçi dhe për veprën e fundit të Bashkim Shehut, folën prof. Dhurata Shehri dhe poeti e botuesi Krenar Zejno.
Bashkim Shehu lindur më 1955 në Tiranë, është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Deri më 1981 punoi si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme: Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (roman); Rrëfim ndanë një varri të zbrazët (roman autobiografik); Vjeshta e ankthit (roman); Gostia (roman) dhe dy përmbledhje me tregime. / atsh / KultPlus.com
Një monument i rrënuar i trashëgimisë komuniste në Tiranë është transformuar në një vend argëtues me shumë hapësira, shkruan gazetari Rowan Moore në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.
Piramida e Tiranës, një kon betoni 21 metra i lartë në kryeqytetin e Shqipërisë u hap në vitin 1988 si një muze për të përkujtuar ish-udhëheqësin Enver Hoxha, i cili për katër dekada deri në vdekjen e tij në vitin 1985 drejtoi një shtet të izoluar komunist në të cilin makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra ishin të ndaluara.
Monumenti ishte ekuivalenti i tij me varrin e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq të Moskës.
Dizajni i ndërtesës, nga një ekip arkitektësh ishte njëkohësisht fantastiko-shkencor dhe faraonik.
Me kalimin e kohës, piramida shërbeu si një stacion radioje, një klub nate, qendër konferencash dhe një bazë për NATO-n gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovën fqinje.
Megjithëse prishja e Piramidës u propozua për shkak të strukturës gjithnjë e më të rrënuar, kishte edhe një plan për të ndërtuar një teatër kombëtar.
Përfundimisht, bashkia vendosi ta shndërrojë atë në një qendër IT për të rinjtë, një “mjedis ushqyes për të rinjtë shqiptarë”, kostoja e ndërtimit prej 12 milionë eurosh të së cilës do të financohej nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Një shumëllojshmëri prej 34 kutish shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër si blloqe ndërtimi të një fëmije të pakujdesshëm, u projektuan nga kompania arkitekturore holandeze MVRDV.
Kutitë shërbejnë si klasa, kafene, hapësira trajnimi, kafene.
Rreth gjysma prej tyre janë për përdorimin e Tumo, një institucion arsimor jofitimprurës që ofron arsimim pas shkollës falas për adoleshentët në teknologjitë e reja.
Dy kutitë e përkulura, do të shërbejnë për të bërë teatro dhe leksione.
Publiku mund të endet midis dhe mbi kutitë, të ecë në çatitë e tyre, dhe të ulet në tarracat e tyre.
Ato janë grumbulluar brenda piramidës, të fiksuara rreth çatisë së saj dhe përhapen në hapësirën përreth.
Ju mund ta konsideroni kompozimin të ngjashme me një fshat, duke krijuar hapësira joformale midis kutive dhe me strukturën urbane ngjitur dhe me platformat dhe ballkonet e tij që ndjekin ngjarje të paspecifikuara teatrale të së ardhmes.
Pjesa e brendshme e piramidës është e kalueshme dhe e ngjitshme, duke ofruar një eksperiencë të ngjashme me parkun.
Mbi të gjitha, dominon struktura me trarë të prerë, mermer të plasaritur dhe detaje të çuditshme komunisto-brutaliste të ekspozuara.
Por, punimet e reja, nëpërmjet riparimeve selektive dhe futjes së dritës shtesë, dhe kutive me ngjyra, zbulon me sukses fisnikërinë dhe dramën e fshehtë.
Ky është projekti i një seri përpjekjesh për të ndryshuar kuptimin dhe përvojën e trashëgimisë komuniste të Tiranës.
Në Berlin, për shembull, disa ikona komuniste dhe naziste u shkatërruan, ndërsa disa ndertesa të tjera u ruajtën në emër të historisë, dhe me përpikëri siç është restaurimi i Reichstag, ndërtesa historike legjislative e qeverisë në Berlin dhe muzeut “Neues”.
Pasi artisti Edi Rama u bë kryetar bashkie në vitin 2000, blloqet e zymta të apartamenteve në Tiranë u lyhen me ngjyra të ndezura, një mënyrë e lirë, por efektive për të gëzuar njerëzit dhe për të nënkuptuar se vendi po ndryshonte.
Rama është tashmë kryeministër i Shqipërisë dhe rinovimi i qytetit vazhdon me mbështetjen e tij dhe të kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.
Vendi publik qendror i qytetit, dikur sheshi Skënderbej, është pasuruar me një mini pyll me biodiversitet të ashpër.
Disa kulla ngrihen rreth qendrës, të projektuara nga disa prej arkitektëve më të njohur bashkëkohorë evropianë.
Më i gjati prej tyre është “Downtown One”, i projektuar gjithashtu nga MVRDV, një bllok apartamentesh dhe zyrash të vendosura afër piramidës.
Punimet e reja theksojnë kompleksitetin e historisë së ndërtesës, e cila përfshin punën dhe aftësinë e njerëzve që e ndërtuan atë dhe gjenialitetin përshtatës të profesioneve të mëvonshme.
Piramida zbulon krenarinë për të kaluarën krahas shpresës për të ardhmen./atsh / KultPlus.com
Policia e Kosovës ka larguar një pankartë “Kjo është Serbi” nga ura e këmbësorëve në Soçanicë.
Pesë ditë më parë e njëjta parullë është vendosur në rrethojën nga drejtimi nga Mitrovica Veriore në Leposaviq, dhe mbrëmë në urën e këmbësorëve nga drejtimi nga Leposaviqi në Mitrovicën e Veriut, raporton Express.
Ura e këmbësorëve në Soçanicë është ndërtuar në janar të vitit 2021 në mënyrë që nxënësit dhe banorët e këtij vendi të mund të kalojnë të sigurt rrugën kryesore Leposaviq-Mitrovicë Veriore. Jo shumë kohë më vonë, serbët vendosën një pankartë me mbishkrimin “Kjo është Serbi” dhe disa flamuj serbë. / KultPlus.com
KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.
Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.
Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.
Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.
Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, njëherit organizatorja e kësaj ngjarje të madhe, është shprehur shumë e lumtur që ndër vite ka pasur mundësi të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears dhe Gëzim Myshketa, dhe se kjo traditë po vazhdon të rritet dhe të zhvillohet nga viti në vit.
“Me sopranon Elbenita Kajtazi si mysafiren e këtij edicioni, ne jemi të sigurt se do të shohim një tjetër mbrëmje të padëgjuar plot emocione dhe frymëzim”, shprehet Pajaziti, e cila ka treguar se koordinimi me figura të tilla po është shumë sfidues, pasi që agjendat e këtyre artistëve po janë të prenotuara për një periudhë të gjatë.
“Jemi të lumtur që edhe përkundër agjendave të ngjeshura nëpër botë, artistët nuk po na thonë asnjëherë jo. Përgjigjet pozitive nga artistë të kalibrit të tillë janë motiv për ne që të vazhdojmë me prurje të tilla”, ka thënë Pajaziti.
“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.
Për të qenë pjesë e kësaj mbrëmje, nga sot, ju mund të rezervoni ulësen tuaj përmes emailit: [email protected] duke na dërguar emrin dhe mbiemrin si dhe numrin e ulëseve që doni të rezervoni.
Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq për detaje të tjera KultPlus do të ju mbaj të informuar në vazhdim. / KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
“Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore. V, një dramaturge, autore, interpretuese, feministë dhe aktiviste amerikane, e njohur më parë si Eve Ensler, ka prekur zemrat dhe mendjet e miliona lexuesve me veprat e saj të fuqishme.
“Shko aq larg sa të mos kesh më frikë të mos kthehesh.” – V
Veprat artistike të V dhe kontributi i saj aktivist kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botë. Ajo renditet ndër autoret me numrin më të madh të kopjeve të librave të shitura nga lista e New York Times, me dramat dhe librat e saj të botuara në mbi 48 gjuhë dhe të interpretuara në mbi 140 vende. V është vlerësuar edhe me “Çmimin Tony” për arritjet në Teatrin Amerikan Broadway dhe “Çmimin Obie” për arritjet në shfaqjet e luajtura jashtë Broadway. Ajo njihet edhe për themelimin e “V-Day”, lëvizjes globale me bazë në komunitet për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave (përfshirë personat cis-gjinor, transgjinor, atyre që mbajnë identitet fluid, dhe jo-binar) dhe planetit. Ajo është themeluese e “One Billion Rising”, fushatës më të madhe për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave në mbi 200 vende, si dhe bashkëthemeluese e “City of Joy”, një qendër revolucionare udhëheqëse për gratë kongoleze të mbijetuara të dhunës në Bukavu të Republikës Demokratike të Kongos.
“Mbrëmja Artistike me V” ofron një mundësi unike që përmes diskutimit të njoftoheni me perspektivat e saj depërtuese mbi letërsinë dhe përkushtimin e V ndaj kauzave aktiviste feministe e ndryshimeve shoqërore.
Diskutimi do të shoqërohet me interpretime artistike të copëzave nga krijimet letrare të V, të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët e Ansamblit të Artpolis. Mbrëmja do të moderohet nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis. / KultPlus.com
Projekti/instalacion në hapësir publike, WHERE IS I ( located) / KU GJENDET UNË ( e vendosur) nga grupi Globalodromia FILOART, kuruar nga Arta Agani, është instaluar në fasadën e objektit në qendër të Prizrenit.
Këtë projekt e kanë mbështetur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport Komuna e Prizrenit.
Grupi Globalodromia FILOART shfaqet në Kosovë pas disa ekspozitave dhe organizimeve të mëhershme, ku për herë të parë FILOART ekspozon në vitin 1987 në hapësirat e “Boro dhe Ramizit” të atëhershëm, qendrës së rinisë dhe sportit të sotme, me ekspozitën “Kjo nuk është ekspozitë por e kundërta e saj” atë që lirisht mund ta quajmë ekspozita e parë konceptuale në Kosovë. Më vonë shfaqet në Prishtinë në vitin 2001 në ekspozitën NOW që u hap si kollaboracion i artistëve Kosovarë dhe Berlinas në Galerinë e Arteve të Kosovës ndërsa më vonë në vitin 2019 sërish në GKK tani me ekspozitën “GROUPING – MOVING – SPREADING” ku edhe filloi bashkëpunimi me kuratoren. Qysh atëhere lindi ideja që instalacioni HOW LONG IS NOW të realizohet në Prishtinë me një dimension të ri duke tërhequr një tangjentë lidhëse mes Berlinit dhe Prishtinës, duke arritur të realizohet definitivisht në Nëntor të vitit 2022.
Ndërkaq, vazhdim I natyrshëm I këtij bashkëpunimi ishte projekti I rradhës I cili po inaugurohet sivjet, WHERE IS I, në qytetin e Prizrenit.
Qëllimi:
Instalacioni në fjalë ka për qëllim të pasurojë hapësirën publike të qytetit të Prizrenit me një vepër të re arti e cila e bën këtë pjesë edhe pikë interesi të qytetit meqë edhe gjendet në një pjesë shumë të frekuentuar.
Instalacioni përbëhet prej fjalisë WHERE IS I (KU GJENDET UNË), shkronja me dimensione të mëdha të vendosura në një lartësi prej 12 metrash, të punuara nga material reflektues. Ky material vetëm sa e plotëson domethënien e fjalisë e cila ka për qëllim të nxitë mendimin kritik te qytetari I Prizrenit, dhe ka një dedikim gjithëpërfshirës. Si cdo vepër konceptuale e FILOART, edhe kjo vepër I adresohet individit dhe shoqërisë duke I nxitur ata të rishikojnë aspektin kohor dhe hapësinor momental në nivelin individual, socio-politik dhe ekonomik, duke e hapur mundësinë e ndryshimit të rrethanave drejt përmirësimit dhe pasurimit shpirtëror. Shkronjat reflektojnë hapësirën përballë që është qielli I cili ndryshon brenda ditës por pamja e shkronjave poashtu ndryshon bashkë me reflektimin, varësisht prej pozitës së vëzhguesit. Me këtë theksohet temporaliteti dhe ndryshueshmëria e momentit, këndvështrimit dhe individit si pjesë e shoqërisë e cila poashtu është e ndryshueshme.
Deklarata e grupit:
KU GJENDET UNE (e vendosur)
1997-2019-2021 Globalodromia
„Unë e di se nuk di asgjë“ 1
„Unë mendoj, pra jam“ 2
Këto janë disa nga citimet e njohura nga filozofët që kanë formësuar historinë njerëzore.
Prapëseprapë, lind pyetja, për cilin Unë po flisnin këta filozofë?
Sa herë në ditë një person përdor fjalën Unë?
Gjithçka fillon me Unë.
Unë kam lindur në …
Gjithçka që ne (unë) kemi bërë në jetën tonë, është Unë-(i) që i ka bërë.
Por ku ndodhet Unë?
Deri më tani, asnjë shkencëtar-e, filozof-e, teolog-e apo kushdo qoft nuk mund t‘i përgjigjej kësaj pyetjeje.
“.. Pyetja se ku ndodhet Unë është shumë më e vështirë për t‘u përgjigjur.
Truri është një sistem shumë i organizuar në mënyrë distributive dhe Unë nuk mund të lokalizohet.
Është një atribut për tërësinë e veprimeve të qëllimshme që vëzhguesi mund të perceptojë.” 3
A do të arrijë njeriu (unë) të gjejë vendin e Unë-(it)?
Misteri nuk është larg nesh. Në fund të fundit, është unë që ne (unë) po kërkojmë.
Njeriu mund të udhëtojë edhe në shumë planete ose sisteme diellore dhe të ndërmarrë kërkime
dhe të bëj matje atje, megjithatë, pa e ditur pikën e fillimit (Unë), çdo informacion „i ri“ që arrin
në Unë-(in) (e papërcaktuar) është: i përafërt, jo i saktë dhe për këtë arsye, ende jo saktësisht e matshme.
„Sepse ajo që mund të matet ekziston poashtu“ 4
A mund të gjejmë një krahasim në natyrë për të shpjeguar vendndodhjen e Unë-(it)?
Jo, kjo nuk është e mundur sepse ne nuk e dimë se çfarë lloj njohurie do të kemi duke gjetur vendin
Unë-(it).
Pyetja, „Ku jam (ndodhem)“ është ndoshta pyetja themelore për njerëzimin. Arsyeja është shumë e
thjeshtë, çfarë do të thotë informacion nëse nuk e dimë se ku përfundon informacioni?
Kjo pyetje („Ku gjendet Unë“) mund të formojë një diskurs për të hulumtuar kërkimin e vendndodhjes
së saktë të Unë-(it).
Gjetja e vendndodhjes së Unë-(it) do t‘i përgjigjej gjithashtu një pyetjeje themelore:
Si pjesë e organizimit të aktiviteteve të shumta në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Shkolla Finlandeze po organizon festivalin vjetor të kodimit për të 6-tin vit radhazi, Junior Code Weekend Fest, më 18 nëntor nga ora 10:00-15:00, festival një ditor i cili fokusohet në zhvillimin dhe praktikimin e aftësive në teknologjitë më të avancuara në treg.
Gjatë festivalit, nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë bazat e kodimit (block coding) nga mësimdhënësit e shkollës duke aplikuar teknologji të ndryshme inovative. Në të njëjtën kohë nxënësit do të praktikojnë njohuritë e tyre të arritura gjatë festivalit dhe të krijojnë produkte teknologjike. Pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata në përfundim të projekteve të tyre.
Kush mund të marr pjesë?
Varësisht se a jeni fillestar apo të avancuar në kodim, festivali është i hapur për të gjithë nxënësit. Të gjithë nxënësit e klasave 3-9 mund të marrin pjesë në festival duke plotësuar linkun e regjistrimit. Regjistrimi është i obligueshëm pasi që vendet e pjesëmarrjes janë të limituara.
Nxënësit duhet të kenë me vete laptop ose ipad me të cilën do të praktikojnë kodimin dhe projektet e organizuara gjatë ditës.
Ku mbahet festivali?
Festivali mbahet në lokacionin e Shkollës Finlandeze. Lokacioni mund të gjendet përmes linkut në vijim (lokacioni është afër rrethit të QMI, Prishtina Mall, rruga për Ferizaj, kthesa në të majtë afër Orient Mobile). Nëse keni ndonjë pyetje ose kërkesë ju lutemi ndihuni të lirë të na kontaktoni përmes emailit ose telefonit në 045 235 650.
Duke filluar nga kopshti e deri në edukimin në shkollën e mesme, Shkolla Finlandeze zbaton qasjen e veçantë finlandeze të bazuar në projekte dhe praktikë; Zhvillimit të kreativitetit përmes lojrave dhe metodave kreative; Avancimit në shkenca dhe matematikë përmes eksperimenteve praktike dhe zhvillimit të njohurive të avancuara në robotikë dhe kodim. Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore.
Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësimdhënës të shkëlqyeshëm finlandez dhe ndërkombëtarë; me teknologji të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra, dhe jo vetëm lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët, Shkolla Finlandeze në Kosovë është shkolla ndërkombëtare më inovative në vend me sistemin arsimor më të avancuar në Kosovë. / KultPlus.com
Gjatë ditës së djeshme është bërë prezantimi i sukseseve të organizatave kulturore përfituese në programin e Bashkimit Evropian “Evropa Kreative”.
Arben Papadhopulli, udhëheqës i projektit dhe Nita Llonçari nga Desku i Evropës Kreative prezantuan arritjet, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm të organizatave në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe në rritjen e bashkëpunimit kulturor në nivel ndërkombëtar.
Në sesionin e pasditës janë prezantuar informata të detajuara për thirrjen e ardhshme të COOP për vitin 2024 për organizatat e interesuara për të aplikuar.
Projektet përfituese ndër vite nga programi, janë sukses i jashtëzakonshëm për organizatat të cilat promovojnë dhe mbështetësin inovacionin dhe kreativitetin në fushën e kulturës dhe arteve. / KultPlus.com
Shkrimtari, filozofi, mendimtari, publicisti, përfaqësuesi i ekzistencializmit ateist, laureat i Çmimit Nobel në Letërsi (1957), gjatë jetës së tij ai u quajt “ndërgjegjja e Perëndimit”. Lindur në qytetin algjerian të Mondovi më 7 nëntor 1913. Babai i tij, një rojtar i bodrumit të verës, u plagos për vdekje në Betejën e Marly në 1914, dhe pas vdekjes së tij familja e tij u përball me vështirësi serioze financiare.
Nuk dihet nëse Alberti mund të kishte marrë një arsim nëse në 1923 një mësues i shkollës fillore nuk do të kishte bindur nënën dhe gjyshen e nxënësit të tij të aftë ta dërgonin atë në Lice. Në vitin 1930, Camus u sëmur nga tuberkulozi dhe ai duhej të përfundonte sportet aktive, dhe më pas, për shkak të një sëmundjeje të mëparshme, ai nuk u lejua të kalonte trajnime pasuniversitare dhe nuk u dërgua në ushtri. Gjatë viteve 1932-1937. Albert Camus u arsimua në Universitetin e Algjerit (Fakulteti Filozofik), duke u diplomuar me një diplomë master.
Vitet pas diplomimit ishin të mbushura me aktivitete të fuqishme – shoqërore, krijuese, teatrale. Në 1935 ai u bë anëtar i Partisë Komuniste Franceze, nga e cila u largua në 1937, tk. politika e Kominternit u bë e huaj për të. Në të njëjtin vit, ai kupton në mënyrë aktive ekzistencializmin, studion veprat e përfaqësuesve të tij. Në 1936, Camus ishte organizatori i “Teatrit të Punës” udhëtues, ku ai ishte regjisor dhe aktor. Gjatë viteve 1936-1937. ndërmori udhëtime në Evropën Qendrore, Itali, Francë. Në vitin 1936, u botua një koleksion i eseve lirike të titulluar “Ana e gabuar dhe fytyra”, dhe vitin tjetër u botua romani “Martesa”.
Që nga viti 1938 Camus ka punuar si redaktor për revistat periodike. Që nga viti 1940, biografia e tij është shoqëruar me Francën dhe Parisin. Suksesi i jashtëzakonshëm i romanit I huaji, i shkruar në 1942, e bën autorin e tij të famshëm në të gjithë botën. Gjatë luftës, Albert Camus ishte anëtar i lëvizjes së Rezistencës, anëtar i organizatës nëntokësore “Komba”, punonjës i organit të saj të shtypit. Ishte kjo gazetë që botoi në 1943 “Letrat drejtuar një miku gjerman”, të cilat afirmuan vlerat e përjetshme morale. Në 1944, Camus shkruan romanin Murtaja, në të cilin fashizmi është personifikimi i dhunës dhe së keqes (u lirua vetëm në 1947).
Vitet 50 karakterizohet nga dëshira e qëllimshme e Camus për të qëndruar e pavarur, për të shmangur preferencat e diktuara ekskluzivisht nga “përkatësia partiake”. Një nga pasojat ishte mosmarrëveshja me Jean Paul Sartre, një përfaqësues i shquar i ekzistencializmit francez. Në vitin 1951, një revistë anarkiste botoi një libër nga Albert Camus “Njeriu rebel”, në të cilin autori eksploron sesi një person lufton me absurditetin e brendshëm dhe të jashtëm të ekzistencës së tij. Libri u perceptua si refuzim i bindjeve socialiste, dënim i totalitarizmit, diktaturës, të cilit Camus iu referua edhe komunizmit. Hyrjet në ditar dëshmojnë për keqardhjen e shkrimtarit për forcimin e ndjenjave pro-sovjetike në Francë, verbërinë politike të së majtës, e cila nuk donte të vinte re krimet e Bashkimit Sovjetik në vendet e Evropës Lindore.
Kjo periudhë karakterizohet nga rritja e interesit për teatrin. Në 1954, Camus vuri në skenë veprat e tij dhe bëri përpjekje për të hapur një teatër eksperimental në kryeqytet. Në 1957 ai u bë një laureat Nobel me formulën “për kontributin e tij të madh në letërsi, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ndërgjegjes njerëzore”.
Jeta e Albert Camus më 4 janar 1960, u ndërpre nga një aksident me makinë në të cilin ai dhe familja e shokut të tij u futën. Shkrimtari-filozofi i madh u varros në jug të Francës, në varrezat në Lourmarin. Në vjeshtën e vitit 2009, Presidenti francez Nicolas Sarkozy doli me një nismë për të rivarrosur eshtrat e Camus në Panteon, por të afërmit e saj nuk e mbështetën atë. Në verën e vitit 2011, njëra nga gazetat italiane njoftoi një version që Camus ishte viktimë e shërbimeve speciale sovjetike, të cilët krijuan një aksident, por nuk mund të duronte kritikat e biografëve. /KultPlus.com
“Komploti” është romani më i ri i autorit Ben Blushi i cili doli këto ditë nga shtypi.
Romani për të cilin autori fillimisht nuk zbuloi shumë, sot na shpaloset deri në një masë përmbajtja e këtij romani, ngjarja e të cilit zhvillohet në vitin 2043 dhe 2044, pra 20 vjet më vonë.
Gjithashtu autori ka bërë me dije se romani do të jetë në të gjitha libraritë e Kosovës duke nisur nga dita e enjte, 9 nëntor kur edhe do të prezantohet pasdite në librarinë Dukagjini në Prishtinë. Ndërsa në Shqipëri do të qarkullojë për herë të parë në datën 15 nëntor në Panairin e Librit.
Ky është njoftimi i plotë i autorit Ben Blushi:
Komploti është romani im i ri që këto ditë del në treg.
Ky roman është shkruar mes muajit shkurt dhe prill të këtij viti. Nuk e mbaj mend datën kur kam nisur ta shkruaj por mbaj mend se e kam përfunduar javën e parë të prillit 2023. Pasi e lashë pothuajse gjashtë muaj pa e prekur, e rilexova në gusht, e shkurtova në shtator dhe ia dorëzova botuesve të mi, Pegi dhe Dukagjini, në tetor.
Ngjarjet e Komplotit zhvillohen në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, pra 20 vjet më vonë, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne. Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit, i cili këto ditë u caktua realisht një zonë ku do strehohen refugjatët që nuk e kalojnë dot Adriatikun.
Meqë popullsia e tyre, pra e emigrantëve shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkije një afgan.
Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
Këtu fillon Komploti.
Afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vendos të çlirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre çifutë që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurrin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën. Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier shqiptar që shpesh krijon kaos pa shkak.
Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Afganistan të vogël në mes të Europës. Këtë përpjekje të afganëve, shqiptarët arrijnë ta shmangin me ndihmën e tre çifutëve dhe përmes një veprimi të çuditshëm.
Ky është pak a shumë romani, vazhdimin dhe fundin e të cilit nuk mund ta tregoj pasi botuesit e mi do ma ndalonin.
Si të gjithë shkrimtarët edhe unë nuk jam më pronari i librit tim. Prandaj nuk më lejohet të tregoj më shumë. Edhe sa tregova ishte e ndoshta e tepërt megjithëse e pamjaftueshme.
Për të qetësuar të gjithë ata që mund të gjejnë paralele apo ngjashmëri mes Shqipërisë së vitit 2044 dhe Shqipërisë së sotme, dua të them se ky roman është një fiction, pra fantazi dhe asgjë më shumë.
Si i tillë nuk besoj se bën dëm por kjo nuk është më në dorën time.
Komploti do të jetë në të gjitha libraritë e Kosovës duke nisur nga dita e enjte 9 nëntor kur do të prezantohet pasdite në librarinë Dukagjini të Prishtinës. Ndërsa në Shqipëri do të qarkullojë për herë të parë në datën 15 nëntor në Panairin e Librit, ku ju pres të gjithëve për autografe në stendën e Botimeve Pegi.
Tani për tani kaq për Komplotin tim. / KultPlus.com
Më 7 nëntor 1968, ndërroi jetë “Piktori i Popullit”, Abdurrahim Buza.
Buza lindi më 1905, në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i mori në në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas, ndoqi Normalen e Elbasanit (1923-1928).
Në vitin 1928 fitoi bursë njëvjeçare në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino, ku pati si bashkëstudent një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Odhise Paskalin. Më tej, vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence.
Në vitin 1933 kthehet në Tiranë, ku punoi si mësues në Shkollën e Vizatimit në Tiranë. Më 1947-n, u punësua si mësues vizatimi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku edhe doli në pension në vitin 1966.
Pikturat e tij të para janë frymëzuar nga qëndrimi i tij në Pogradec. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i krijimtarisë së tij. Disa prej veprave të tij më të njohura, janë: “Dasma kosovare”, “Pogradeci”, “Nusja kosovare”, “Azem Galica dhe luftëtarët”, “Refugjatët” etj. Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945. / KultPlus.com
Libri ‘Good Morning, Hope’, i motrave Detina dhe Argita Zalli tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.
“Mirëmëngjes, shpresë” është titulli që ky libër bart në gjuhën shqipe e ku motrat Zalli rrëfejnë historinë e tyre por njëkohësisht historia e shqiptarëve që në vitet e 90-ta u larguan nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Disa shkuan në Itali, Greqi e Angli duke rrezikuar jetën.
Libri në gjuhën shqipe është përkthyer nga shtëpia botuese “Botime Pegi” dhe më datë 17 nëntor libri do të promovohet tek Europa House e ku prezentë do të jenë edhe motrat Zalli.
“Me shume kenaqesi ju njoftojme qe libri jone, Good Morning, Hope eshte perkthyer nga shtepia me e madhe botuese ne Shqiperi, Botime Pegi dhe do te dali ne Shqiperi. Ne daten 17 Nentor, diten e premte, une do te jem ne Shqiperi per te folur rreth librit. Do te mbahet nje event per kete tek Europa House ne oren 17:00. Ketu mund te blini dhe librin. Mirepresim te gjithe! Detina dhe Argita!”, shkruajn motrat Zalli.
Detina dhe Argita Zalli ishin vetëm 9 vjeç, kur në Shqipëri filloi Lufta Civile, e pas kësaj jeta e tyre mori kahje komplet ndryshe. Prindërit e tyre kërkuan me çdo kusht të largoheshin nga Shqipëria, por kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë për ta.
Pas shumë sakrificave, familja Zalli shkuan në Angli, por jeta atje nuk ishte një lule e çelur. Prindërit e tyre e kishin të vështirë të punësoheshin për shkak të mosnjohjes së gjuhës, në anën tjetër motrat Zalli aso kohe 12-vjeçe u detyruan që të visheshin si më të mëdha në moshë për të punuar.
Fyerjet, racizmi dhe diskriminimi që u bëhej nga shokët e klasës ishte një tjetër sfidë me të cilën u përballën për vite me radhë. Por e gjithë kjo histori frike e sakrifice, motrave Zalli u shërbeu si frymëzim për të punuar shumë e për të arritur suksese të mëdha sidomos në fushën e shkencës duke u bërë një histori frymëzuese e suksesi.
Ato patën mundësi të studiojnë e të punojnë në universitet më të njohura në botë si ato të Harvardin, Oksfordit dhe Kembrixhit. Ndonëse u bënë shkencëtare në një moshë shumë të re, ato patën rastin të punojnë me shume shkencëtarë të njohur e laureatë të çmimit Nobel. Libri i tyre, është një përmbledhje e bukur e gjithë kësaj rruge të egër por frymëzuese. / KultPlus.com
80.1 vjet është jetëgjatësia totale në lindje në Bashkimin Evropian në vitin 2021.
Jetëgjatësia e grave është rreth 83-vjeç ose gati 6 vjet më e gjatë se e burrave. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, ku bëhet e ditur se jetëgjatësia më e lartë në lindje për gratë ishte në Madrid, 88.2-vjeç, e ndjekur nga pesë rajone të tjera në Spanjë.
Jetëgjatësia më e lartë për meshkujt, e cila ishte 82.8-vjeç, u regjistrua në rajonin autonom të ishullit Aland në Finlandë.
Nivelet e radhës më të larta u regjistruan në dy rajone spanjolle, Comunidad de Madrid (82.2-vjeç) dhe Comunidad Foral de Navarra (81.9).
Në nivel kombëtar, jetëgjatësia më e gjatë në lindje u regjistrua në Spanjë (83.3- vjeç), Suedi (83.1-vjeç), Luksemburg dhe Itali (82.7-vjeç), dhe më e ulëta në Bullgari (71.4-vjeç), Rumani (72.8-vjeç) dhe Letonia (73.1-vjeç).
Në nivel shtetesh, me një mesatare prej 76.7 vitesh, Kroacia është në grupin e tetë vendeve të BE-së me jetëgjatësinë më të ulët në lindje. Më të këqijat janë Bullgaria (71.4), Rumania (72.8) dhe Letonia (73.1).
Kroacia Veriore (Zagorje, Varazhdin, Krapina, Podravina dhe Prigorje, Qarku i Zagrebit) ka një jetëgjatësi 75.8-vjeç, Qyteti i Zagrebit 77.8, Kroacia Panoniane (Sllavonia, Virovitica, Bjellovari) 75.2 dhe Kroacia e Adriatikut 77-vjeç.
Jetëgjatësia më e gjatë e grave është në Kroacinë e Adriatikut 81.2-vjeç. Burrat, nga ana tjetër, jetojnë më të shkurtër në veri të vendit, në Kroacinë Panoniane – vetëm 72.
Nga ana tjetër, meshkujt në rajonin e Sllovenisë perëndimore dhe bregdetare jetojnë mesatarisht 79.2-vjeç, ndërsa gratë 85-vjet në perëndim të Sllovenisë. / KultPlus.com