Ministri Çeku: Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ka vizituar sot Gjilanin dhe Vitinë për të parë nga afër punimet që po realizohen në monumentet historike që janë në rrezik, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë vetë ministri përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik.

Ndërhyrjet tona në monumentet që janë në rrezik po vazhdojnë në gjithë Kosovën. Për t’i parë nga afër punimet, bashkë me këshilltaren Nora Arapi Krasniqi sot ishim në Gjilan dhe Viti.

Atje u pritëm nga Artan Hoxha, drejtor i QRTK Gjilan dhe stafi profesional, të cilët na shoqëruan në vizitat tona te Shtëpia kullë e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme të Gjilanit, Mulliri i Ndue Sopit dhe Mulliri e Velanica e Vishëve në Binçë të Vitisë.

Këto janë vetëm disa nga ndërhyrjet emergjente në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajit. Përveç tyre, në fazën e parë ndërhyrje do të kemi edhe në Mullirin e Zylbeharit, Mullirin e Madh, Xhaminë në Dunavë, Xhaminë e Llovcës, Xhaminë e Germovës, Xhaminë e Carrabregut, Xhaminë në Vryqec dhe Xhaminë e Velekincës./KultPlus.com

Ministri Çeku: Meddy na la në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese

Sot, si pasojë e infektimit me koronavirus ka vdekur fotografi kosovar, Meddy Huduti.

Për ikjen e hershme të fotografit Huduti ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili e ka përshkruar atë si një artist të talentuar dhe ikonë të gjeneratës së re, por edhe personalitet modest dhe njeri shpirtbardhë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar parreshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë.

Ngushëllime familjes dhe miqve, gjithë komunitetit artistik. Ahmed (Meddy) Huduti do të rrojë përherë në fotografitë që na i bëri, ndër më të mirat që kemi./KultPlus.com

Ministri Gashi takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, O’Connell

Ministri Kujtim Gashi, priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairí O’Connel, me të cilin bisedoi për zhvillimet në fushat që i mbulon MKRS-ja, politikat programore dhe objektivat që ka në plan MKRS-ja të përmbushë si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Britanisë së Madhe në sferat që janë më me prioritet dhe në interes të dy vendeve në kuadër të këtyre fushave.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin O’Connell dhe, përmes tij qeverinë dhe popullin britanik për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për popullin e dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.

Ministri u shpreh se e çmon bashkëpunimin e deritashëm dhe përkrahjen që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për projekte të ndryshme të cilat e kanë ndihmuar MKRS-në që të realizojë politikat e saj dhe se kjo ka krijuar lehtësira të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e punës së ministrisë. Ndër këto projekte është Databaza e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën Britania e Madhe ka ofruar mbështetjen e plotë për këtë projekt. Programi i bursave, i cili është nënshkruar në një marrëveshje mes MKRS-së dhe Këshillit Britanik që studentët kosovarë të vazhdojnë studimet në universitetet britanike në fushën e trashëgimisë dhe projekte tjera infrastrukturore, janë ndër të shumtat që ambasada e ka ndihmuar MKRS-në.

Poashtu, ministri Gashi tha se mbetet i përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe i tilli të thellohet edhe më, në të ardhmen. Ai tha se MKRS-ja do të angazhohet në reformimin e politikave të saj programore me synim të depolitizimit dhe zvogëlimit të barrierave të panevojshme administrative duke siguruar edhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve vartëse të ministrisë. “Do të angazhohemi që të rikonceptojmë mbështetjen e fuqishme për kulturën e pavarur, gjegjësisht, artistët, punëtorët profesional të Trashëgimisë Kulturore, sportistët dhe aktivistët e rinj të dëshmuar”, tha ministri Gashi.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Ruairí O’Connell, e uroi ministrin Gashi për detyrën e re. Ai i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe arritje në punën që do bëjë në të ardhmen.
Ambasadori theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ai potencoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje. O’Connell e inkurajoi ministri që të punojë dhe të angazhohet në përkrahjen e vlerave dhe mbështetjen e talenteve të rinj në të gjitha fushat./ KultPlus.com

Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com