Nën magjinë e ‘Bareshës’, shënohet  mes emocionesh të forta 100-vjetori i lindjes së kompozitorit Rexho Mulliqi

Flonja Haxhaj

100-vjetori i lindjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, u shënua mbrëmë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës, e cila për të nderuar këtë figurë që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, i parapriu edhe sezonit që do t’iu kushtohet tërësisht veprimtarisë së kompozitorit Mulliqi, shkruan KultPlus.

Koncerti i organizuar për të shënuar një ditëlindje jubliare, solli magjinë e veprave që u përkasin stile të ndryshme, por në fund emocionet më të shumta publiku i përjetoi kur në skenë u jetësua ‘Baresha’ për orkestër simfonike.

Para një publiku që kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antoin Marugier, u përcoll magjia e veprave të Beethoven, Prokofiev dhe Mulliqit.

Po ashtu, në rolin e solistit u rikthye edhe koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili luajti “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.

Pas performancës që dhuroi pafund emocione në publik, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili drejtoi Filharmoninë e Kosovës për herën e tij të dytë. E ndonëse skena në të cilën ai performoi mbrëmë mund të jetë shumë më e vogël nga ato që ai është mësuar të punojë, Marguier shprehet se më shumë se kaq për të është e rëndësishme emocioni që përçohet e që jo gjithmonë ka të bëjë me përmasat e skenës.

“Nuk ka skenë më të vogël, çdo skenë është e madhe, skena është vendi ku shpreh dëshirën e kompozitorit, kështu që ka gjithmonë të njëjtat përmasa kudo që të jetë sepse gjithmonë është më i rëndësishëm emocioni që shfaqet kur takohen interpretuesit, kompozitori e që nuk është në mesin tonë dhe publiku”, tha Marguier.

Më tutje ai foli edhe për kompozitorin Rexho Mulliqi, muzikën e të cilit, Marguier thotë se filloi ta studiojë pak javë më parë. 

“Unë nuk e kam njohur deri më tani kompozitorin Rexho Mulliqi. Fillova të studioja për të pak javë më parë dhe pata kohën të zbuloja këtë lloj muzike dhe shprehjet e tij. Gjithashtu njerëzit këtu dhe orkestra më treguan për të dhe sigurisht nuk është kurrë e lehtë të vij si i huaj nga një kulturë tjetër dhe të vendos këmbët e mia në një muzikë të re në vendin e muzikës”, tha më tutje Marguier duke falënderuar edhe pjesëtarët e orkestrës për bashkëpunimin.

Në këtë koncert të një rëndësie të madhe kombëtare, pjesa e parë ishte e rezervuar për pianisten Vesa Berisha, e cila në vitin e kaluar fitoi garën ‘Pianisti i ri 2022’. Ajo u paraqit suksesshëm duke iu bashkëngjitur orkestrës në interpretimin e kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.

Ndërkaq, ajo ndau për KultPlus emocionet e kësaj nate, e që sipas saj përjetohen rrallëherë.

“Ka qenë një emocion që rrallëherë mund të përjetohet. Jam shumë me fat dhe e vlerësoj shumë mundësinë që më është dhënë që të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha pianistja Berisha, e cila më tutje vlerësoi lart edhe punën me dirigjentin Antoine Marguier.

Për të folur rreth këtij koncerti që iu kushtua kompozitorit që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është një koncert kompleks, marrë parasysh stilet e ndryshme të veprave që u luajtën.

“Ky është një koncert kompleks meqë janë shpalosur stile të ndryshme, vepra të kompozitorëve të ndryshëm duke filluar nga Bethoveeni që është një botë në vete, më pas Prokofievi i cili në botën e muzikës artistike konsiderohet si një kompozitor shumë i veçantë në stilin e tij dhe natyrisht këtu Visar Kuçi ka bërë një punë të mrekullueshme. Është e pashmangshme të përmendet që meqë është edhe ditëlindja e kompozitorit tonë të madh Rexho Mulliqi, e kemi parë të arsyeshme që në vigjilje të 100-vjetorit t’ia kushtojmë këtij kompozitori”, u shpreh Jashari, i cili mes tjerash tha se Filharmonia e Kosovës do të mundohet që me mundësitë e sa të bëjë promovimin e veprave të Mulliqit edhe jashtë vendit.

Ndërkaq, në sezonin artistik të vitit 2023, Filharmonia e Kosovës do t’ia kushtojë veprimtarisë artistike muzikore të Rexho Mulliqit./ KultPlus.com

Vesa Berisha fiton çmimin kryesor në “Pianisti i Ri”

Në edicionin e 15-të festivali “Pianisti i Ri” arriti të mbledhë një numër në rritje të pianistëve të talentuar.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të këtij festivali:

Finalen e “Pianistit të Ri” e madhështoi prezenca e ministrit të kulturës Hajrulla Çeku, si dhe mysafirëve tonë special: fituesi i edicionit 14-të Ledian Shala dhe Kori Okarina nën udhëheqjen e Prof. Elikona Hysaj Shala.

Jemi të lumtur që në këtë vit jubile rikthehemi me bashkëpunimin me një nga festivalet më të rëndësishme – DAM Festival, respektivisht mundësia e koncertimit të fituesit me Filharmoninë e Kosovës.

Na gëzon fakti që tash e 15-të vite, festivali “Pianisti i Ri” ka hapur dyert në skena ndërkombëtare për shumë nga fituesit e kësaj gare.

Interesimi në rritje i pianistëve të rinj dhe progresi i tyre ndër vite është shtysë që festivali “Pianisti i Ri” të vazhdon traditën në profilizimin e pianistëve premtues.

Një falenderim i veçantë jurisë profesionale për vlerësimin dhe punën e palodhshme: kryetare e jurisë Prof. Lule Elezi, anëtarët e jurisë: Prof. Nadjezhda Porodini dhe Prof. Danica Stojanova.

Urime të gjithë pjesëmarrësve dhe shumë suksese në edicionin e 16-të!

Çmimi i I-rë “Pianisti i ri 2022” bashkëpunim me DAM Festival – koncerton me Filharmoninë e Kosovës – Vesa Berisha

Çmimi “Fahri Beqiri” – Hillari Parangoni

Çmimi “Recital në DAM Festival” – Era Kume

Çmimi “Okarina”- Kejdi Pepaj & Riola Susuri

Stafi Organizativ:

Vlora Baruti – Drejtoreshë Ekzekutiv

Agron Shujaku – Drejtor Artistik

Yllka Shyti – Menaxhere / KultPlus.com