Në Durrës u zhvillua aktiviteti krijues i cili mblodhi fëmijë dhe të rritur në një proces ndërveprues, ku përmes artit dhe dorës së tyre, ata u njohën me simbolet tradicionale të xhubletës dhe disa nga elementet karakteristike të dyerve të vjetra të qytetit të Durrësit.
“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u ndjerë, eksploruar dhe rikrijuar”, shkruhet në faqen online të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, e cila e mbështeti këtë projekt.
Në fokus ishte xhubleta, një veshje simbolike me histori mijëravjeçare, e cila u interpretua nga fëmijët përmes qepjes me rruaza dhe motive dekorative. Në një tjetër kënd, pjesëmarrësit punuan mbi modele të dyerve të vjetra të qytetit, të cilat i zbukuruan me qëndisje dhe ngjyra, duke sjellë histori të reja mbi simbole të vjetra.
MEKI tha se, kjo punëtori ndërvepruese lehtësoi njohjen dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore përmes pjesëmarrjes aktive dhe krijuese./atsh/KultPlus.com
Një ekip nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i kryesuar nga zëvendësministrja Lira Pipa, zhvilloi një inspektim në kantierin e rikonstruksionit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Ky teatër qëndron si një nga institucionet më të rëndësishme të jetës artistike në qytetin bregdetar.
Gjatë vizitës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve që po realizohen në këtë projekt strategjik të bashkëfinancuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri Blendi Gonxhja, në një reagim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e këtij investimi, duke e cilësuar atë pjesë të një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës kulturore në vend. Sipas tij, kultura mund të shërbejë si një motor i fuqishëm për zhvillimin e komuniteteve dhe për rigjallërimin urban të qyteteve, përcjellë KultPlus.
Projekti i rikonstruksionit të Teatrit të Durrësit synon përmirësimin e plotë të kushteve teknike dhe funksionale të godinës, përfshirë modernizimin e skenës dhe hapësirave të brendshme. Por përtej aspektit teknik, theksi vihet në ringritjen e teatrit si një qendër aktive për krijimtarinë artistike, dialogun kulturor dhe edukimin e brezave të rinj në frymën e artit dhe të shprehjes së lirë.
“Ky projekt ambicioz përpiqet të komunikojë imazhin e një qyteti në lëvizje, aktiv dhe inovativ, i cili respekton trashëgiminë e tij kulturore duke ndërtuar mbi të një të ardhme të qëndrueshme dhe cilësore,” u shpreh ministri Gonxhja, duke nënvizuar rolin që Teatri “Aleksandër Moisiu” pritet të ketë në jetën kulturore të Durrësit në të ardhmen./KultPlus.com
Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, pikërisht në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.
Gjatë punimeve është zbuluar një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike. Zbulimi ka ngjallur interes të madh për rëndësinë që mbart në trashëgiminë kulturore të qytetit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se pas gjetjeve është hartuar menjëherë Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, i cili i hapi rrugën një procesi të plotë studimi dhe konservimi, përcjellë KultPlus.
“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.
Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke zhvilluar një koncept të ri arkitektonik ku edukimi dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në mënyrë harmonike. Projekti i ri do të mundësojë që gjetjet të ekspozohen për publikun, duke u integruar natyrshëm në infrastrukturën e shkollës.
Ky model i ri zhvillimi synon të sjellë një transformim të qëndrueshëm urban dhe arsimor për qytetin, si dhe të nxisë turizmin kulturor.
Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, janë të angazhuara për të ndjekur nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e plotë të gjetjeve në projektin e ri të shkollës.
“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com
I lindur në Francë, me rrënjë spanjolle, Jean-Pierre Martinez, është një dramaturg me një rrugëtim interesant. Në mesin e krijmtarisë së tij është edhe komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premiera e të cilës u mbajt në amfiteatrin e Durrësit.
U ngjit për herë të parë në skenë në moshën njëzetvjeçare, jo si shkrimtar, por si baterist në grupe rok. Më vonë kaloi në fushën e reklamave, përpara se të niste një karrierë si skenarist televiziv. Në fund, u rikthye në skenë si dramaturg.
Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” u realizua nën regjinë e Andia Xhungës, kjo komedi solli në skenë një përzierje humori dhe reflektimi, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut dhe duartrokitje të zjarrta.
E përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, komedia u vu në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që njëherësh janë edhe emra të njohur të skenës shqiptare.
Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm me shitjen e të gjitha biletatve në dy netët e para në kohë rekord, duke e kthyer këtë shfaqje në një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore të kësaj vere në qytetin bregdetar, përcjellë KultPlus.
Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël dhe të harruar, i cili rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta. Në këtë realitet të zymtë, mbërritja e papritur e një gazetareje të famshme sjell përplasje botëkuptimesh, situata të papritura dhe skena komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo sociale absurde dhe njëherazi thellësisht njerëzore.
Me ritëm të gjallë dhe humor, vepra ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe raportin e brishtë mes realitetit dhe absurditetit.
Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Endri Sinës, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik./KultPlus.com
Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.
Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.
Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.
Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.
Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri)./atsh/ KultPlus.com
Nata e parë e “Vala Fest” solli një atmosferë fantastike në sheshin “Sfinksi” në Durrës, së cilës iu bashkuan turistë dhe pushues të shumtë.
Kryebashkiakja Emirana Sako tha se Durrësi mirëpret sot, në natën e dytë të festivalit, të gjithë dashamirësit e muzikës, teksa artistë si Alban Skënderaj dhe Semi Jaupaj, apo grupet Hot Stuff Band dhe DJ Wise & Vlnondrums do të dhurojnë performancat e tyre artistike.
Sheshi “Sfinksi” u kthye mbrëmjen e kaluar në fokus të argëtimit, teksa nisi nata e parë e festivalit “Vala Fest”. Qytetarë durrsakë dhe turistë të shumtë, që po e vizitojnë qytetin bregdetar në këto ditë të nxehta vere, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë nën ritmet e muzikës më të mirë shqiptare.
Për disa orë me radhë, të pranishmit kanë kërcyer dhe kënduar bashkë me këngëtarët dhe DJ-të më të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke e shndërruar sheshin në një hapësirë festive dhe energjike.
Në këtë event kulturor, që tashmë po kthehet në një traditë të dashur për qytetin bregdetar, nata e dytë sot pritet të sjellë edhe më shumë emocione./atsh/ KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi zhvilloi një vizitë inspektuese në fondet arkeologjike të Durrësit, në kuadër të monitorimit të punimeve për transferimin dhe sistemimin e fondit arkeologjik të Institutit të Arkeologjisë në Durrës.
Akad. Gjinushi u njoh nga afër me kushtet teknike të ruajtjes së materialit, organizimin e inventarit, si dhe me punën e stafit specialist në këtë proces delikat që synon të sigurojë vazhdimësinë e kërkimit shkencor dhe trashëgimisë arkeologjike të qytetit antik.
Vizita u përqendrua në procesin teknik të zhvendosjes së materialit arkeologjik nga godina e mëparshme, e cila aktualisht do t’i nënshtrohet një rikualifikimi tërësor si pjesë e projektit të rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
Materialet janë transferuar dhe po sistemohen në një strukturë të re dhe të dedikuar, të ngritur enkas për të garantuar ruajtjen, administrimin dhe aksesin shkencor të fondeve arkeologjike.
Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të standardizimit të infrastrukturës së ruajtjes muzeale dhe të burimeve arkeologjike, si edhe një model i bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare./ KultPlus.com
Koncerti Grand Gala “Liszt 212 Vjet” në Durrës nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Hungarinë, kulminacioni i merituar i “Hungarissimo 2023”, Javës Kulturore Hungareze që përfshiu Shqipërinë.
Hapësira e shenjtë e teatrit u pushtua nga kompozimet e fuqishme të Franz Liszt, teksa performuesit, me çdo goditje të harkut dhe çdo notë të luajtur, sollën për publikun shqiptar pasionin dhe vrullin e klasikut të madh hungarez.
Teatri “Aleksandër Moisiu” u gjallërua nga jehona e kompozimeve të Franz Liszt, teksa Orkestra Simfonike e RTSH performonte para një publiku të mahnitur. Interpretimet e pianistes së mirënjohur Almira Emiri u pritën me duartrokitje entuziaste, duke mishëruar frymën dhe kompleksitetin e kompozimeve të Liszt. Ndërkohë, udhëheqja mjeshtërore e dirigjentit Oleg Arapi dhe drejtimi artistik i Liman Malokut siguruan një përvojë gjithëpërfshirëse që elektrizoi të pranishmit.
Përzgjedhja e programit të mbrëmjes ishte e kuruar me kujdes dhe solli pjesë që luheshin për herë të parë në vendin tonë. “Rapsodi Hungareze Nr. 2”, me melodinë e saj të njohur, paraqiti një pamje të gjallë të shpirtit hungarez, ndërsa forca orkestrale pas “Les Preludes” pikturoi një peizazh zanor me përmasa epike. Dramaticiteti dhe veçanësia e “Totentanz” ishin gjithaq drithëruese për dëgjuesit. Këto pjesë, të përjetshme në bukurinë dhe kompleksitetin e tyre, jo vetëm u interpretuan, por erdhën me një frymë të re në skenën shqiptare, duke rezonuar me një publik që ishte i etur për një udhëtim muzikor në zemrën e romantizmit hungarez.
Jo vetëm kaq, por bukuria e mbrëmjes u shtua dhe nga një dhuratë e posaçme për teatrin e Durrësit, i cili përgjatë 15-viteve të fundit nuk ka pasur një piano për performuesit e ndryshëm. Nisur nga ky fakt, “Hungarissimo”, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, mundësuan riparimin dhe risjelljen në skenë të një instrumenti funksional, që do u shërbejë jo vetëm pianistëve të afirmuar, por edhe gjithë talenteve të reja durrsake që do të marrin përsipër peshën e performimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Kujtojmë që “Hungarissimo” e këtij viti ishte veçanërisht domethënëse pasi shënoi gjithashtu 200 vjetorin e poetit kombëtar të Hungarisë Sándor Petőfi. Ndikimi i tij dhe festimi i jetës dhe veprave të tij kanë qenë një fenomen global dhe Java e Kulturës Hungareze në Shqipëri kontribuoi në këtë përkujtim ndërkombëtar.
Seria e ngjarjeve në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana, duke kaluar nëpër Vlorë, Pogradec, Korçë, e më në fund duke kulmuar në Durrës, ishin më shumë se një vitrinë e kulturës hungareze. Ato ishin një dëshmi e fuqisë së shkëmbimit kulturor dhe promovimit të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve. Suksesi i Javës Kulturore Hungareze mund të matet jo vetëm në pjesëmarrjen dhe duartrokitjet, por edhe me ndikimin e qëndrueshëm që ka pasur në nxitjen e dialogut ndërkulturor. Në fakt, eventi u përqafua jo vetëm brenda Shqipërisë, por u celebrua edhe nga miqtë e shumtë hungarezë në Hungari dhe jo vetëm. Entuziazmi dhe vlerësimet e larta nga pjesëmarrësit dhe audienca nënkuptojnë se eventi arriti qëllimin e tij për të festuar dhe thelluar lidhjet kulturore që ndajnë Hungaria dhe Shqipëria. Për këtë arsye, grupi organizator i Festival Academy është thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që na u bashkuan në këtë rrugëtim.Java e Kulturës Hungareze ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u dëshmuar si një histori e pabesueshme suksesi. Gama e gjerë e ngjarjeve, me muzikë, art dhe letërsi, jo vetëm që nderoi trashëgiminë hungareze, por gjithashtu hapi rrugën për bashkëpunime të ardhshme dhe përpjekje kulturore midis dy vendeve. Pashmangshmërisht, kjo festë ka vendosur një standard të lartë për ngjarje të ngjashme në të ardhmen. / atsh / KultPlus.com
Projekti Ecopark në Durrës ka arritur në finalen e çmimit prestigjioz botëror të arkitekturës.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e së shtunës, teksa ndau në rrjete sociale, informacionin e publikuar në faqen e prestigjozes ndërkombëtare, //miesarch.com/work/5462, mbi çmimet në arkitekturen kontemporane.
“I emocionuar të njoftoj se projekti Durres Ecopark ka arritur në finalen e çmimit prestigjioz botëror të arkitekturës në https://miesarch.com/work/5462”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se, “duke e shndërruar një landfill dikur famëkeq në një simbol të eko-rezistencës, ne po bëjmë hapa drejt një Shqipërie më të pastër dhe më të gjelbër”.
“Kjo arritje tjetër e vlerësuar botërisht është vetëm dëshmia e radhës e vizionit fitues për këtë vend të Rilindjes Urbane dhe e pasionit e këmbënguljes sonë për ta ngjitur Shqipërinë në një majë të re. Le të vazhdojmë me këmbëngulje vetëm përpara, duke u bashkuar të gjithë për Shqipërinë e Pastër, si edhe duke bërë çdo përpjekje që punët e bukura të shtohen bashkë me respektin e botës për vendin tonë të mrekullueshëm”, u shpreh Rama.
“Eco Park Durrës është një park i madh publik i ndërtuar mbi një ish-landfill, që ishte një problem serioz mjedisor për qytetin. Dizajni është frymëzuar nga një mozaik i famshëm lokal romak, “Bukuroshja e Durrësit”, i cili shërben si një metaforë për shndërrimin e një vendi të ndotur me konotacione negative në një hapësirë publike për rekreacion dhe edukim mjedisor”, thuhet në artikull.
Projekti transformon një landfill të kontaminuar në një vendgrumbullim sanitar të formuar nga kodra të përbëra nga mbetjet. Kodrat janë të mbuluara me bimësi dhe të skalitura duke krijuar një ndërhyrje artistike. Një rrjet shtigash dredha-dredha e bën të gjithë peizazhin të kalueshëm duke e kthyer atë në një park publik të qytetit të pajisur me ambiente rekreative dhe sportive.
Kodra më e madhe, e bërë gjithashtu me mbeturina të ngjeshura, strehon në njërën anë murin më të lartë të ngjitjes në Ballkan, i cili është gati për të zhvilluar garat ndërkombëtare. Pavijoni Eco, i vendosur në hyrje, ka ambiente për parkun dhe një ekspozitë të përhershme që promovon ndërgjegjësimin ekologjik tek vizitorët dhe shkollat. Një rrjet prej nëntë pavijonesh eco tematike do të ndërtohet në majë të kodrave për të paraqitur problemet kryesore mjedisore të Shqipërisë dhe për të përforcuar rolin edukativ të parkut.
Vendi është përdorur prej vitesh si një vendgrumbullim i hapur ku mbetjet e ngurta janë grumbulluar pa asnjë mbrojtje. Si rezultat u krijua një problem serioz mjedisor. Ndotja e tokës prodhohej nga rrjedhjet e mbetjeve të ngurta në tokë. Ndotja e ajrit u shkaktua nga zjarret e shpeshta të provokuara nga njerëzit që digjnin ilegalisht plastikë dhe mbetje organike për të nxjerrë çelikun. Ndotja e ujit u krijua nga shpërndarja e mbetjeve në kanalet e ujit dhe ndotja e ushqimit u krijua për shkak të praktikës së ushqyerjes së kafshëve me materialet organike të mbetjeve.
Funksioni kryesor i projektit ishte të zgjidhte një problem emergjence mjedisore. Por, ky problem nuk u kuptua vetëm si teknik që mund të zgjidhej me një landfill sanitar të rrethuar. Ai u kuptua edhe si një çështje sociale që kërkonte një strategji më komplekse të fokusuar në zgjidhjen e problemeve mjedisore, krijimin e hapësirave publike rekreative për qytetin dhe promovimin e ndërgjegjësimit ekologjik tek qytetarët. Kjo strategji parashikon eco-parkun si një makinë të gjallë mjedisore të aftë për të evoluar në të ardhmen duke shtuar pavijonet e reja tematike dhe programe edukative.
Materiali kryesor i përdorur për ndërtimin e parkut janë mbetjet e gjetura në landfillin në vend. Mbetjet zhvendosen, formohen dhe kompaktohen për të formuar një peizazh artificial. Ky peizazh funksionon si një makinë pastrimi, duke nxjerrë rrjedhjet dhe duke eliminuar gazrat e metanit. Maja e kodrave është e mbuluar me një gjeomembranë dhe një kapak balte përfundimtare ku mbillet bimësia.
Kodra më e madhe ku ndodhet një mur ngjitjeje mbështetet nga një mur masiv 30 metra i lartë i bërë prej betoni të përforcuar që është projektuar në një formë të lakuar për të përballuar më me efikasitet forcat. Muri i ngjitjes është bërë nga panele GRP të papërshkueshëm nga uji të montuara në një strukturë çeliku të galvanizuar. Gjeometria e murit është e formuar për të siguruar zona të ndryshme ngjitjeje si zona e ngjitjes për fëmijë ose ngjitje me shpejtësi. /ATSH /KultPlus.com
648 turistë amerikanë, anglezë, kanadezë, australianë, etj., mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit me kroçierën “Nautica”.
Anija turistike ka qëndruar mëngjesin e sotëm në kalatën portuale nr.5 dhe ka sjellë në vendin tonë turistë nga 18 vende të ndryshme të botës mes të cilëve edhe nga kontinente të largëta si Australia, Amerika e Veriut, Zelanda e Re.
Nuk mungonin vizitorët edhe nga vendet e BE-së si Gjermani, Belgjikë, Holandë, Poloni etj.
Shumë nga turistët po vizitojnë sitet turistike dhe ato të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar dhe zonave përreth në Krujë dhe Tiranë. / KultPlus.com
Kroçera “La Belle De L’Adriatique” po vijon të sjell në Portin e Durrësit turistë nga vende të ndryshme të cilët çdo ditë e më shumë po zgjedhin për të eksploruar dhe kaluar pushimet në vendin tonë.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se dje kanë mbërritur 142 turistë, kryesisht francezë, të cilët në turin e tyre ditor do të njihen nga afër me destinacionet turistike e historike të Durrësit, Krujës e kryeqytetit.
Për gjatë këtij 6 mujori, mbi 240,000 pasagjerë dhe 95,036 automjete kanë udhëtuar nga dhe drejt Portit të Durrësi.
Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, 111,395 pasagjerë janë regjistruar në hyrje dhe 127,784 në dalje, ose në total, 15,881 pasagjerë më shumë se 6 mujori i parë i vitit paraardhës.
Muaji qershor reflekton një rritje të konsiderueshme në masën 13 % sa i përket transportit të pasagjerëve me tragete nga ku janë përpunuar rreth 50,000 pasagjerë dhe 18,670 automjete, respektivisht 5,650 pasagjerë dhe rreth 10,430 automjete më shumë, në raport me qershorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë që me çeljen e sezonit veror, ka nisur edhe aplikimi i masave shtesë të shërbimeve në terminalin e trageteve për përballimin e fluksit progresiv në hyrje-daljet e udhëtarëve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve./atsh/KultPlus.com
Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është ankoruar në port kroçera “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
Për të disatin vit radhazi është pikërisht “La Belle De L’Adriatique”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat në portin e Durrësit, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Turistët e huaj gjatë qëndrimit njëditor ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.
“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.
Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në axhendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferuara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatat portuale në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.
Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt portit të Barit, Mal i Zi, për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut/atsh/KultPlus.com
Arkeologët kanë zbuluar struktura dhe artefakte të lashta në kantierin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës. Gërmimi zbulon struktura dhe artefakte të rëndësishme antike, duke hedhur dritë të re mbi historinë pararomake dhe romake të Durrësit.
Si rezultat i gjetjeve historike, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore urdhëroi që çdo strukturë e pambuluar duhet të mbrohet në gjendjen e saj origjinale. Ky zbulim ka qenë përbënte një sfidë për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, pasi kërkonte zhvendosjen e godinës dhe rimendimin e projektimit të saj.
“Respektimi i Protokolleve Ligjore ndihmoi në sigurimin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe zbutjes së kërcënimeve ndaj zonës arkeologjike gjatë planifikimit”, thuhet në faqen zyrtare të PNUD-it.
Ekipi i arkeologëve nën drejtimin e Iris Pojanit bëri zbulimin e jashtëzakonshëm, ku gjeti një pjesë të një harte të gdhendur në mënyrë të detajuar për të kaluarën e qytetit. Harta tregonte ndarjen e qytetit në hapësira të ndryshme si dhe jep informacion të vlefshëm për historinë e hershme të qytetit dhe shtrirjen e tokave bujqësore përreth.
Arkeologia Pojani dhe grupi i saj zbuluan edhe artefakte sa i përket jetës fetare urbane dhe jashtë urbane, duke theksuar rëndësinë e religjionit të qytetit, shoqëruar me një sistem kompleks rrugësh dhe ndërtesash, duke shfaqur planifikimin e tij mbresëlënës urban.
Pas prezantimit të gjetjeve, Ministria e Kulturës vendosi të ruajë murin dhe kullën e plotë të epokës helenistike arkaike dhe të zhvendosë themelet e shkollës në një zonë të pabanuar, për të lejuar vizitorët të vizitojnë zbulimet pa ‘cenuar’ hapësirën e shkollës, duke u caktuar një hyrje e veçantë u projektua posaçërisht për qëllime vizite.
Përveç strukturave të mureve, shumë artefakte u mblodhën në vend gjatë gërmimeve arkeologjike. Specialistët po punojnë tani për të përpunuar gjetjet.
Vazo me figura të zeza dhe të kuqe të shekullit të 5-të gjenden së bashku me llamba, mallra dhe forma të ndryshme. Figurina terrakote të subjekteve njerëzore dhe kafshësh janë të dëshmuara mirë. Tani procesi i gërmimit ka përfunduar dhe rikonstruksioni i shkollës është vendosur të vazhdojë menjëherë pas përfundimit të saj, në përputhje me ligjin. Zbulimet gjatë gërmimeve hedhin dritë të re mbi shoqërinë e lashtë që jetonte dikur në atë në zonë, duke ofruar një pasqyrë të vlefshme në mbi praktikat e tyre kulturore dhe ekonomike.
Gjatë një vizite në vendin e gërmimit, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it, Monica Merino shprehu vlerësimin për projektin, duke thënë: “Projekti EU4Schools është më shumë se thjesht ndërtimi i një shkolle. Ai përfaqëson një angazhim për ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit që brezat e ardhshëm ta vlerësojnë dhe ta gëzojnë”. /rtsh.al/ KultPlus.com
Pas një sërë hotelesh prestigjioze me 5 yje të cilët kanë vendosur që të investojnë kapitalet e tyre në vendin tonë, një tjetër emër i madh i hoteleve i shtohet konkurrencës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga hoteli më i ri e më i madh në vend i brandit prestigjioz ndërkombëtar Meliá.
“Me 520 dhoma dhe 470 të punësuar, hoteli hap dyert në pranverë buzë bregdetit Adriatik si një shembëlltyrë e Shqipërisë turistike që përparon çdo ditë”, tha Rama.
“Melia Hotel”, është grupi i cili po investon në zonën e Gjirit të Lalzit, duke krijuar kushte mjaft të mira për pushuesit, ndërsa hapja e tij pritet që të ketë edhe një impakt në zhvillimin ekonomik të zonës./atsh / KultPlus.com
Torra Veneciane në Durrës do të kthehet në qendrën e parë të interpretimit të Trashëgimisë Kulturore.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ndau sot foto nga rikonstruksioni i Torrës Veneciane.
“Fantastike të shohim Torrën Veneciane pa skela pas disa muajsh restaurimi të kujdesshëm nga ekspertët e EU4Culture”, theksoi Delegacioni i BE-së në rrjetet sociale.
“Kulla do të kthehet në qendrën e parë të interpretimit të Trashëgimisë Kulturore dhe për këtë qëllim po montohen të gjitha pajisjet digjitale. Mezi presim hapjen e saj në verën e ardhshme!”, shtoi delegacioni i BE.
“Krenarë të shohim një tjetër objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare duke u rehabilituar falë programit EU4Culture, të zbatuar nga UNOPS”, përfundoi delegacioni i BE-së. / KultPlus.com
Durrësi ka marrë një tjetër pamje përgjatë ditëve të fundit dhe tashmë është gati për të pritur festat e fundvitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme në rrjetet sociale pamje nga Durrësi i dekoruar me zbukurimet shumëngjyrëshe.
Dhjetori është muaji i festave dhe si të gjitha qytetet, edhe Durrësi është përfshirë nga atmosfera e gëzueshme e këtyre ditëve.
Përveç pemës së madhe të vendosur në qendër të Durrësit, vezullimi i dritave shumëngjyrëshe dhe zbukurimet e ndryshme kanë krijuar tashmë atmosferën festive në këtë qytet. /atsh /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i ri i Durrësit do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama përshëndeti votimin e marrëveshjes nga Kuvendi me 74 vota pro dhe 35 vota kundër.
“Me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama.
Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se Porti Turistik i Durrësit është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, i cili do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.
Kryeministri tha se ai do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Rama u shpreh se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.
Sipas tij, “për herë të parë në histori shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë”.
Kuvendi i Shqipërisë votoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 35 vota marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”. / atsh / KultPlus.com
Kulla veneciane, në zemër të Durrësit shumë shpejt do të hapet për vizitorët.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila pa sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë monument simbolik të qytetit të Durrësit.
“Restaurimi i objektit është në fazat përfundimtare dhe do të nisë procesi i plotësimi i tij me pajisjet që do t’i shtojnë kësaj qendre edhe aspektin multimedial, që do të shërbejnë për informimin dhe orientimin e vizitorëve në gjithë qytetin e Durrësit”, shprehet ministrja.
Kulla Veneciane me përfundimin e restaurimit do të shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit.
Falë programit EU4Culture, kulla do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale.
Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes. / KultPlus.com
Këto ditë, në Bulevardin e Pishave, në plazhin e Golemit, u zhvillua një aktivitet kulturor jo i zakonshëm! Bulevardi mori pamjen e një “Çarshie të Vjetër” me plotë tezga të zbukuruara me ngjyra dhe motive nga trashëgimia jonë kulturore.
Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD, në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës e me mbështetje nga Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave – UN WOMEN si dhe me mbështetje financiare nga Qeveria Suedeze, përmes Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, kishin organizuar PANAIRIN E ARTIZANATIT, në të cilin morën pjesë dhjetëra artizanë e artizane nga Durrësi, Tirana, Elbasani, Kavaja, Vau Dejës, Berati, Gjirokastra etj. Në një kënd ishte edhe tavolina e punës, e menduar si punëtori në natyrë për të gjithë ata të rinj e të reja që dëshironin të provojnë se si bëhet një punë dore nga artizanati. U ekspozuan lloj-lloj produkte të prodhuara mjeshtërisht nga artistë popullorë të këtyre trevave, si: kostume popullore, poçeri, punime tezgjahu, qëndisma, punë grepi e shtize, filigran e produkte të tjera.
Aktiviteti ishte një gjetje origjinale për të bashkuar në një vend shumë artizanë e artizane dhe për t’i ekspozuar punimet e tyre të dorës. Nga ana tjetër, eventi u organizua në vlugun e turistëve vendorë e të huaj dhe, ata që patën rastin ta vizitojnë këtë panair, thjesht u mrekulluan! Ky Panairi i Artizanatit pa dyshim që mund të merret si model i një eventi shumë domethënës, si për turistët ashtu edhe për prodhuesit e punimeve të dorës. Turistët mund të kthehen duke marrë me vete ndonjë punim me motive popullore, ndërsa artizanëve e artizaneve u shtohet besimi se ekonomia solide familjare mund të arrihet edhe përmes artizanatit.
Natyrisht, qëllimi i këtij eventi, mbi të gjitha, është që të nxirren në pah vlerat e trashëgimisë kulturore, të shtohet edhe më shumë dashuria për artizanatin dhe, mbi të gjitha, të sensibilizohen institucionet nacionale për një bashkëpunim sa më të ngushte me mjeshtrit e këtij arti popullor që të jenë sa më shumë pranë origjinales dhe, në këtë periudhë të globalizimit, tregut të përbashkët në industrinë kulturore, t’i qasemi me vlera burimore nga trashëgimia jonë kulturore.
Pa dyshim, ky event model duhet të kalojë në aktivitet tradicional dhe të lëvizë në të gjitha qendrat, duke i ftuar edhe artizanet dhe artizanët nga Kosova, si dhe nga viset e tjera etnike. Ky aktivitet jo vetëm që do të ishte i qëlluar në kohën e turistëve por, mbi të gjitha, do të ishte i dinjitetshëm edhe në pritje të mërgimtarëve tanë! Një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e artizanatit si një degë e industrisë kulturore!
Nëse institucionet qendrore dhe ato lokale nuk janë në gjendje që të organizojnë evente të tilla kulturore, të paktën mund t’i përkrahin dhe t’i motivojnë iniciativat e këtilla që mund të dalin nga shoqëria civile. Në rastin konkret, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD-ja ua bëri të qartë të gjitha institucioneve përkatëse shtetërore se, eventet e këtillë jo vetëm që janë të rëndësishëm, porse edhe të domosdoshëm të shtrihen përgjatë tërë periudhës së turizmit, madje cep më cep shteteve shqiptare si dhe në viseve tona etnike. Trashëgimia jonë kulturore e jashtëzakonshme duhet të dalë përtej “punëtorive”, madje përtej muzeve etnologjike. Në një event si Panairi i Artizanatit duhet që të kenë qasje edhe ata që për shkaqe të ndryshme nuk kanë qenë në vendlindje apo nuk kanë pasur mundësi ta vizitojnë Panairin. Kjo mund të bëhet duke e organizuar vit për vit Panairi të jetë edhe online dhe, përmes katalogëve elektronikë të kenë mundësinë e porositjes të prodhimeve artizanale që mund t’iu pëlqejnë shqiptarëve anekënd botës. /HEJZA/ KultPlus.com
Kulla C në kalanë e Durrësit, e rrëzuar pjesërisht nga tërmeti i vitit 2019, u rikthye ashtu siç ishte.
Rindërtimi i Kullës C, u arrit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit të SHBA, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe të agjencisë suedeze të “Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar”.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe ambasadoret e SHBA-së dhe Suedisë, dy vendeve që kontribuan në rindërtimin e kullës. Kjo ishte hera e dytë që kulla rindërtohej, me të njëjtat materiale që kishte më parë, duke ruajtur kështu autenticitetin e saj.
“Monumentet kulturore të Shqipërisë, si kjo kullë dhe Kalaja e Prezës, të cilën e përuruam muajin e kaluar, – tha ambasadorja Kim, – kanë një histori për të na treguar neve dhe brezave të ardhshëm.”
“Shpresoj që të rinjtë, t’i shohin këto fortifikime si një simbol të trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe, tani, si një simbol të miqësisë së thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, u shpreh Kim.
Me tej ambasadorja Kim tha se Ambasada e SHBA ishte krenare që mundi të mbështeste restaurimin e Kullës C përmes Fondit të Ambasadorit të SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërsa ambasadorja suedeze, Elsa Hastad shtoi se është e mahnitshme që gjatë gjithë kësaj historie kjo kullë ka qenë një pikë mbrojtje dhe sulmi.
“Ja ku jemi tani të gjithë së bashku, në një kohë ku marrëdhëniet e jashtme ndërtohen me besim, bashkëpunim dhe miqësi”, – tha Hastad.
Ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti hodhi idenë se emri që mban kulla është jo i denjë për historinë që përcjell kjo fortesë, dhe se do të jenë arkeologët ata që do të vendosin për një emër tjetër.
Përveç një spektakli me efekte vizive mbi muret e kullës, të pranishmit kanë dëgjuar edhe një koncert nga “a cappella” i grupit “The Kroks” tek Universitetit të Harvardit, i përbërë nga 12 studentë, të cilët këndojnë xhaz, pop, swing dhe funk nga këngët më të bukura amerikane dhe më gjerë. Çdo verë, grupi bën turne ndërkombëtarë dhe ata për herë të parë vizitojnë Shqipërinë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
I njëjti grup do të performojë sonte tek “Reja”, për publikun e Tiranës./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi mbrëmë se në nëntokën e Durrësit është zbuluar një perëndeshë.
“Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.
“Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2 janë drejt përfundit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë”, u shpreh Margariti.
“Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës”, nënvizoi Margariti./ KultPlus.com
Ekspedita e përbashkët arkeologjike shqiptaro-franceze ka zbuluar një statujë të vogël bronzi që mendohet se i takon Perëndeshës Artemisë të qytetit antik të Durrësit.
“Objekti është ende pa pastruar sepse ka vetëm një orë që është gjetur dhe ka nevojë për trajtim dhe observim. Dallohet qartazi se kemi të bëjmë me një personazh femëror, ndoshta mund të jetë edhe Perëndesha Artemisë”.
Bashkëdrejtuesja franceze e projektit Katerine Abedje Rejnal tha se janë evidentuar shtresa të hershme të shekullit të II dhe të III, në të cilat është konstatuar djegie masive nga një zjarr që mendohet se ka djegur të gjithë qytetin. Ndërsa Arkeologia Brikena Shkodra tha se këto gërmime mundësojnë transformimin e forumit bizantin nga shekulli shtatë deri në atë të katërmbëdhjetë.
“Na dha mundësinë që të argumentojmë një pas një që ky moment nga transformuar një pas një. Muret janë përdorur në forma të ndryshme banimi në funksion të qytetit mesjetar deri të paktën në shekullin e 14-të.”
Forumi bizantin është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Për shkak të vlerave kulturore që përmban Forumi i Bizantin, ai ka hyrë pothuajse në të gjitha guidat turistike të vendit tonë./Tv Klan/ KultPlus.com
Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.
Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.
Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.
Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.
Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.
Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.
Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.
Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.
Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.
Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.
Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com
Në qytetin e Durrësit vijon puna për rijetësimin e monumenteve të kulturës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, me të cilin bisedoi mbi projektet e rijetësimit të disa prej monumenteve të qytetit bregdetar.
“Me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako për të çuar përpara punët e mira që kemi nisur për rijetësimin e monumenteve të kulturës, që nga amfiteatri, muzeu arkeologjik, TID Durrës e të tjera objekte me një rëndësi të veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, tha Margariti.
Në qytetin e Durrësit gjenden objekte mjaft të rëndësishme, të cilat përbëjnë potenciale mjaft të favorshme për turizmin kulturor siç janë: Amfiteatri i Durrësit, forumi bizantin, Muzeu Arkeologjik ku janë të paraqitura periudhat greke dhe romake, Torra Veneziane, xhamia e Fatihut, Muzeu Etnografik etj. / KultPlus.com