Fshatrat dhe qytetet e Kosovës që flenë mbi Ar dhe Argjend

Kosova njihet për pasuritë e saj nëntokësore, e veçanërisht arin dhe argjendin. Kjo është një nga arsyet pse Serbia bën një luftë kaq të madhe për të marrë veriun e Kosovës.

Në Strategjinë minerare të Kosovës janë paraqitur të dhëna për pasurinë nëntokësore të vendit. Ari është njëri prej mineraleve që e pasuron nëntokën e Kosovës.

Në Strategjinë minerare thuhet se ari paraqitet edhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve, mirëpo deri më tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumbit dhe zinkut.

Në Strategjinë minerare të dhënat bazohen në hulumtime të pakta që janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit.

Miniera e Artanës (ish-Novobërda), është më e pasura sa i përket arit. Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri në 2 mijë e 700 kilogramë.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, thuhet në Strategjinë minerare të Kosovës.

Tutje, në Strategji janë paraqitur të dhëna për përmbajtjen e arit në secilin ton të eksploatuar. Shembull, në Stantërg vlerësohet se përmbajtja e arit në një ton është vetëm 0.6 gram.

“Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac: 1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, Crepulë: 0.13 g/t”, thuhet tutje në Strategjinë minerare. / KultPlus.com

Mali i Zi hap kufijtë me Serbinë, kushtet për Kosovën mbesin njëjtë

Nesër do të hapet kufiri me Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosha, Ai nuk ka folur për Kosovën, qytetarët e së cilës mund të hyjnë në Malin e Zi vetëm nëse kanë rezultat negativ për Covid 19.

Për të hyrë në Mal të Zi, një test negativ PCR ose një ELISA serologjike ka shumë të ngjarë të jetë e nevojshme, tha Mugosa.

Sipas tij, u vendos që të hapen kufijtë me kërkesë të industrisë së turizmit.

“Ne shohim që situata me Serbinë po përmirësohet, që do të thotë se kurba po barazohet,” shpjegoi Mugosa.

Ai tha se “kemi hyrë në një fazë në të cilën transmetimi lokal është ende i lartë, por ai është plotësisht i kontrolluar”.

“Jemi në fazën e rregullimit të kurbës, presim që ajo të shkojë më poshtë. Situata është një reflektim i sjelljes sonë. Të gjithë ne së bashku në këtë kohë nuk po sillemi mjaftueshëm me përgjegjësi. Të gjithë ne së bashku nuk veprojmë në mënyrë të përgjegjshme, sepse kemi 50-60 raste në ditë edhe pse testojmë shumë, rreth 450 mesatarisht. Kjo është në nivelin e 50,000 testeve në Gjermani, dhe ne jemi lider në rajon me Sllovenët “, tha Mugosha për TV Vijesti.

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi, Mugosa thotë se nuk pret ndonjë rrezik të rritjes së numrit të pacientëve.

“Nëse respektojmë masat e veshjes, maskave, distancës, atëherë zgjedhjet nuk kanë një ndikim të madh, as nuk do të zgjedhin një arsye për sëmundje më të madhe të njerëzve,” theksoi Mugoša.

Ai theksoi se deri në fund të javës tjetër, ata do të kenë rekomandime konkrete për hapjen e shkollave, dhe që kopshtet pa dyshim do të fillojnë të punojnë në shtator. / KultPlus.com

Pamje fantastike të Kosovës nëpërmjet dronit, i riu kosovar: Ky është vendi im

Ylber Kabashi i cili me profesion është fotograf, ka realizuar një video të shkurtër përmes secilës shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Video është realizuar me dron dhe përmes saj, Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.

“Ky projekt domethënës do të shpalosë disa nga bukuritë spektakolare në natyrën e Kosovës. Gjatë xhirimeve të tyre, unë vazhdimisht u kujtova për njerëzit, falë kujt mund të dalim dhe të vizitojmë këto vende sa herë që duam. Ata mbeten heronjtë e mi! I dashur shikues, unë jam Ylber Kabashi. Ky është vendi im. Kjo është Kosova. Ju lutemi shijojeni me anë të këtyre pamjeve”, ka shkruar Kabashi në publikimin e videos. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ldBv64yebgg&fbclid=IwAR1ESO1-UpoHnq6Sc-syM7FQp_nJiLct40nImE09B7RRwyJhOc6THbhjENc

BE-ja mbështet Kosovën me afro 10 milionë euro

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se 9.985 milionë euro janë disbursuar në Thesarin e Kosovës si ndihmë nga Komisioni Evropian, të cilat kanë të bëjnë me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike, raporton Gazeta Express.

“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. BE është duke punuar me Qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.

Komisioni Evropian pret që Qeveria të përshpejtojë reformat në Administratën Publike.

“Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rrisë transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”, thuhet në njoftim.

Tutje Zyra e BE-së njofton se kjo shumë financiare po ashtu do të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë.

“Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. /KultPlus.com

Protestë artistike – ‘Ka virus, s’ka ministër’

I Am I (Unë jam unë) është autori i shumë protestave artistike që trajtojnë çështje të ndryshme politiko-sociale, shkruan KultPlus

“Ka virus, nuk ka ministër. Bravo Armend!”, është protesta e rradhës e autorit ‘I Am I’, ndaj situatës pandemike dhe politike në Kosovë, përmes së cilës i drejtohet një kundërshtim menaxhimit të situatës pandemike në vend.

“MINISTËR SYTË E COVID-IT I KI! VIRUSI NUK KA SY! MOS IA JEPNI SYTË JU!” ka shkruar autori teka ka publikuar disa foto para Ministrisë së Shëndetësisë, me sy të mbuluar me maskë.

‘I am I’ (Unë jam unë), është emri artistik i tij, dhe njihet për protestat e tij artistike ndaj disa çështjeve me rëndësi publike.

Sa është kostoja e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë?

Ehat Murtezajt nga qyteti i Skenderajt, në vitin 1999, forcat serbe i kanë vrarë tre anëtarë të familjes dhe i kanë djegur shtëpinë e banimit. Ehati i cili në atë botë ka qenë 13 vjeç, thotë se nuk mund të llogaritet dëmi i shkaktuar, pasi nuk ka mjete financiare që mund të shpaguajnë krimin e ndodhur.

“Në maj të vitit 1999, forcat serbe kanë vrarë gjyshin, gjyshen dhe motrën 21 vjeçare, që ishte studente në Universitetin e Prishtinës. Shtëpinë tonë e kanë gjuajtur 23 herë më predha dhe shtëpia ka marrë flakë”, thotë Murtezaj.

Edhe pse Ehati nuk ka të evidentuar koston e humbjeve materiale, mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Për këtë ata thonë se pala kosovare duhet të kërkojë shpagimin e dëmeve të fundit, në procesin e dialogut që ka rinisur javën e kaluar në Bruksel.

Sipas një studimi të UNHCR-it në nëntor 1999, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banuara në Kosovë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht, citohet në​ një raport të Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW).

I njëjti raport thotë se sipas një vlerësimi të dëmeve, të Kombeve të Bashkuara, për 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e shkollave të anketuara u dëmtuan rëndë dhe më shumë se 60 për qind u shkatërruan plotësisht.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjate luftës në Kosovë janë vrarë mbi 13,000 persona.

Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, më 16 korrik është ngritur në Bruksel, kur rifilloi dialogu Kosovë-Serbi pas 20 muajsh pauzë.

Në këtë takim është biseduar për personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit tha se tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës edhe fondi pensional. Takimi i radhës në nivel të ekspertëve mes Kosovës dhe Serbisë mbi këto çështje është i paralajmëruar për 23 korrik.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk publikojnë të dhënat e kostos së dëmeve të luftës së shkaktuar nga Serbia në Kosovë, por thonë se ato ekzistojnë.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha të dhënat do të paraqiten në Bruksel nga anëtarët e delegacionit dhe do të bëhen publike.

“Ka të dhëna edhe për dëmet e luftës, për dëmet në objektet e trashëgimisë kulturore, dëmet në shkolla, ka fakte” tha Beqiri.

Sa vlerësohen dëmet e luftës në Kosovë?

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ekspertët e ekonomisë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e realizuan një studim në të cilin janë vlerësuar dëmet e luftës.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, i cili në vitin 2006 gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Vjenë ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike, thotë se sipas të dhënave të ekspertëve që janë paraqitur në bisedime, dëmet në përgjithësi që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten rreth 22 miliardë euro.

Atkivistë dhe familjarë të personave të pagjetur mbajnë në duar emrat e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovës.

Përveç vrasjeve, dhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë, Shatri thotë se serbët kanë shkaktuar dëme në sektorin publik, atë privat, pastaj siç thuhet, grabitjen e fondit pensional, depozitave të qytetarëve e shumë dëme të tjera.

“Dëmet që janë bërë – ekonomitë familjare janë shkatërruar, janë djegur bagëtitë, prona shoqërore është shkatërruar, në disa raste është plaçkitur dhe fizikisht është bartur në Serbi etj. Delegacioni nga Kosova duhet t’i paraqesë këto të dhëna në tavolinë dhe faktori ndërkombëtar duhet të shoh se çfarë ka nodhur” tha Shatri.

Mustafa: Pa shpagim të dëmeve nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi

Edhe Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest” ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë. Mustafa nuk tregon koston e dëmeve, por thotë se spastrimi i llogarive ekonomike dhe zhdëmtimi i atyre që kanë pësuar dëme gjatë luftës është çështje esenciale për normalizim të marrëdhënieve dhe për fqinjësie të mirë në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për arsye se dëmet në pronën private gjatë luftës janë jashtëzakonisht të mëdha. Ne i kemi listuar ato të gjitha. Dhe kur është fjala për dëmet tek personat privat as shteti dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të intervenojë që të mos zhdëmtohen. Sepse Konventat ndërkombëtare, Konventa për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut e mbron pronën privat nga dëmtime çoftë me motive politike apo të luftës. Dhe këtu kemi të bëjmë me të gjitha nacionalitetet”, shprehet Mustafa.

Sheremeti: Kosova nuk ka të dhëna për dëme të luftës

Por, Furtuna Sheremeti, e cila është duke doktoruar në Belgjikë në temën për matjen e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës, thotë se autoritetet e Kosovës nuk kanë treguar gatishmëri për dokumentimin e krimeve dhe dëmeve të luftës.

Sheremeti, e cila ka qene këshilltare e ish-kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, mendon se Kosova nuk ka pasur një strategji operacionale si shtet për të adresuar të kaluarën.

“Kosova pas 20 vitesh pas luftës nuk ka bërë asgjë për të adresuar dëmet. Ato që janë bërë për dokumentim janë bërë prej shoqërisë civile. Ekziston një databazë për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë dhe e cila mbahet nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e cila është iniciativë e shoqërisë civile nuk është nga shteti”, thotë Sheremeti.

Rastet individuale

Në Fondin për të Drejtat Humanitare me seli në Beograd, thonë se nuk e kanë numrin e saktë të procedurave për kompensimin e dëmeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, kundër organeve të Serbisë, sepse nuk i janë drejtuar të gjithë Fondit.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se “disa prej tyre kanë paditur përmes avokatëve, të cilët janë të angazhuar në mënyrë të pavarur”.

Fondi për të Drejtën Humanitare u është drejtuar më shumë se 130 shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qenë viktima të shkeljes së të drejtave njerëzore dhe ata janë përfaqësuar nga avokatët në rreth 35 lëndë për kompensim të dëmit, thuhet në përgjigjeje të këtij Fondi .

Iniciativat e qeverisë për vlerësim të dëmeve, të dështuara

Ndryshe, deri më tani, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë vlerësim zyrtar të dëmeve materiale. Por, në vitin 2011, 12 vjet pa përfundimit të luftës, pati paralajmëruar se do ta nisë mbledhjen e fakteve për të argumentuar, siç ishte thënë “të vërtetën shkencore dhe profesionale për krimet e luftës”, dhe në këtë kuadër, në vitin 2011, 12 vjet pas luftës, pati krijuar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Një grua duke ecur para një baneri kushtuar luftës në Kosovë, i vendosur para Qeverisë së Serbisë, 22 mars 2019.

Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018, ndërkohë që në Ministrinë e Drejtësisë është formuar Divizioni për Drejtësi Tranzicionale, i cili është dashur të vazhdojë punën e institutit. Drejtues të këtij institucioni thonë se janë në fazën e konsolidimit dhe shumë shpejtë do nisin punën në terren.

Edhe qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, kishte paralajmëruar që të themelojë institutin e ri për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Kjo megjithatë mbeti pezull pas ndërrimit të qeverisë në Kosovë /REL / KultPlus.com

“Nga Kosova, me dashuri”, Action Bronson publikon dokumentarin nga vizita në Prishtinë (VIDEO)

Action Bronson ka sjellë dokumentarin e realizuar gjatë vizitës në Kosovë.

Action Bronson në vitin 2018 mori pjesë në festivalin “Sunny Hill” bashkë me Dua Lipën e disa emra të njohur.

Këtë udhëtim, ai e shfrytëzoi edhe për të bërë një vizitë në Kosovë dhe Maqedoni, bashkë me disa miq të tij.

Madje, ai ka realizuar edhe një dokumentar, ku sjell pamje nga vendet që vizitoi, ushqimet që i provuan si dhe vizitat tek familjarët e tij.

Me këtë dokumentar, ai tregon nga afër për mikpritjen që shqiptarët u bëjnë të gjithëve, si dhe kulturën që ka Kosova dhe Maqedonia, ndërsa nuk munguan pamjet nga festivali “Sunny Hill”.

Si i dhënë pas kuzhinës, Bronson në pjesën më të madhe të dokumentarit tregon për ushqimet që i ka ngrënë ku ka shkuar si dhe ato që i përgatiti bashkë me hallën e tij.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme, ku gjendet dokumentari i plotë i reperit dhe kuzhinierit të njohur./ln/KultPlus.com

Kosnett: Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë vlera të përbashkëta

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka uruar 244-vjetorin e pavarësisë së Amerikës.

Ai tha se SHBA-ja dhe Kosova ndajnë vlera dhe atribute, duke shtuar se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovën për ta bërë të pavarur dhe sot vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe pandemisë së koronavirusit.

“Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Populli ynë është i fortë dhe i mençur, kreativ, i dhembshur dhe i shkathët. Si miq, partnerë, ne i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur, qëndruam së bashku pas sulmeve të 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit global. Ne qëndrojmë së bashku edhe në përballjen me pandeminë globale”, tha Kosnett.

Po ashtu, mbasadori Kosnett tha se duhet angazhim qytetar që një shtet të ketë demokraci. Ai tha se në kohën kur SHBA-ja po përballet me trazira, ku protestuesit po kundërshtojnë racizmin dhe pabarazinë, ka shpresë se do të ndodhin ndryshime pozitive.

“Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport spektatorësh. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Po ashtu kërkon ndershmëri dhe përulësi për të adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është kohë e trazirave dhe ankthit në Amerikë – por gjithashtu e shpresës. Ka shpresë se ndryshimet pozitive mund të vijnë vetëm përmes angazhimit qytetar. Dhe e njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën”, tha ambasadori Kosnett.

Ambasadori amerikan në Prishtinë në adresimin e tij për Ditën e Pavarësisë, theksoi përkushtimin e SHBA-së për të ndërtuar një shoqëri dhe një të ardhme për brezat që do të vijnë.

“Në këtë Ditë të Pavarësisë së SHBA-së, le të zotohemi se do të bëjmë përpjekje për të ndërtuar shoqëri –për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët – duke reflektuar mbi ëndërrat e themeluesve të shtetit amerikan dhe për të përmbushur detyrimet tona, për brezat që do të vijnë”, tha Kosnett. / KultPlus.com

Thirrje liderëve para takimit në Uashington: Ia kujtoni Serbisë vrasjet e dhunimet

Kreu i Organizatës së veteranëve, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për udhëheqësit e Kosovës dhe liderët e partive politike që të kenë qëndrime të njëjta para takimit me Serbinë në Uashington.

Gucati në një shkrim në Facebook ka thënë se kjo duhet të ndodhë për të mirë të vendit, derisa kanë bërë thirrje që klasa politike të bashkëpunojnë e të jenë shembull i unitetit në vend dhe në rajon.

“Vetëm të bashkuar mund të ecim tutje dhe të kemi zgjidhje sa me të mirë për Kosovën, ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Washington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ai. /KultPlus.com

Më 1 korrik Kosova e Shqipëria me platformë të përbashkët turistike, do të ketë ulje çmimesh

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin, së bashku me kryetarin e Shëngjinit dhe Vlorës.

Krasniqi tha se me ministrin e turizmit të Shqipërisë diskutuan për fillimin e sezonit turistike në korrik dhe njoftoi për një platformë të përbashkët turistike.

“Sot ndihem jashtëzakonisht i nderuar për vizitën e institucioneve nga Shqipëria. Diskutuam lidhur me turizmin e dyja shteteve mundësit e bashkëpunimit në të ardhmen. U dakorduam në fillim të korrikut të bëjmë hapjen e sezonit të verës”.

“Në fund të nëntorit të bëjmë hapjen e sezonit dimëror në Kosovë, u pajtuam një platformë të përbashkët të të dyja vendeve”, tha Krasniqi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë, Blendi Klosi, tha se me këtë platformë të përbashkët duan të dalin me një ofertë jo vetëm për shqiptarët e të dyja vendeve, por edhe për turistët nga vendet e tjera.

“Si një promotorë të jashtëzakonshëm të ekonomisë së shqiptarisë, deti shqiptarë është i të gjithë shqiptarëve alpet janë të përbashkëta e si e tillë do të jenë në një platformë të përbashkët. Diskutuam për një platformë të përbashkët turistike, një ofertë për vendet tjera e sidomos për vendet e largëta”.

Ministri Klosi tha se të dyja vendet e dëshmuan se sistemi shëndetësorë mund ta luftoj Coronavirusin, dhe me këtë garantoi për siguri shëndetësore, raporton EO.

“Me dy bashkitë do të donim të ftonim të gjithë qytetarët të vazhdojnë të jenë turistët më të mirë që Shqipëria ka, në Shqipëri dëshmuam ashtu si në Kosovë se sistemet shëndetësore ia dolën dhe mund të garantojmë një siguri shëndetësore por që rekomandimet do të zbatohen në rigorozitet”, tha Klosi.

Klosi premtoi që në Shqipëri do të ketë ulje çmimesh gjatë kësaj sezonit turistik.

“Nuk ka shancë të ketë rritje çmimesh, do të kemi ulje çmimesh”, tha ai. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Historia na tregon se disa herë qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Beogradit

Nga Ilir Canhasi

-Përshtypje nga leximi i librit “Kosova” 1912-1945 të autorit Jusuf Buxhovi, botoi “Jalifat Publishing” dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2015

Sa herë që e lexojë historinë e popullit shqiptarë aq herë më rrëqethet trupi nga vuajtjet, vrasjet, burgosjet, shpërnguljet, humbjet e territoreve dhe pasurive private e shtetërore.

Por, pastaj ndalem dhe mendoj, por nuk ishin vetëm të huajt që na binin ditë të zeza, ishim edhe ne bashkëfajtorë.
Pse, pse ky popull kaq i vogël e lindi kaq shumë tradhtar???

Ndoshta në një periodë kaq të shkurtër kohore me një zhvillim të marramendshëm të shpejtë të ngjarjeve ishte e pamundur që çdo figurë politike të mos gabonte, por gabimet e tyre dallonin në ato të mëdha që ishin te kobshme për të ardhmen e vendit dhe gabime të vogla e të mundshme për riparim.

Historia na tregon disa herë që qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Serbisë.

Ishte qeveria e Esat Pashës, qeveria e Ahmet Zogut dhe në fund kishim Enver Hoxhën që morri në dorë udhëheqjen Shqipërisë me ndihmën e Serbisë.

Ishte Ahmet Zogu që me ndihmën e Serbisë i shpallë luftë të pa mëshirë ndaj figurave të mëdha në popull siç ishin Bajram Curri, Azem Bejta, Hasan Prishtina e shumë të tjerë.

Dhe në fund kishim Enver Hoxhën që me ndihmën e komunistëve serbë morri pushtetin në Shqipëri.

Në libër autori përshkruan edhe luftërat vëllavrasëse gjatë 1912-1945:
Kishim tri luftëra vëllavrasëse:
Lufta e parë 1914-1915 grushtshteti islamik proturk në krye me Haxhi Qamilin “ duam babën”.
Lufta e dyte 1924 grushtshteti kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe Lufta e tretë 1944 kur Enver Hoxha me njësitet shqiptare dhe serbe sulmojnë forcat reaksionare siç ishin Ballistët, Zogistët, SS-Skenderbeg.

Për lexuesin shqiptarë është e qartë kur lexon për programet antishqiptare të akademikëve serbë si ” Naçertanja” e Ilia Garashaninit dhe “Shpërngulja e Shqiptarëve” (Iselevanje Arnauta) e Vasa Çubrilloviqit, por është e pa kuptueshme qëndrimet e komunistëve shqiptarë nga Shqipëria.

Hyrja e brigadave të Shqipërisë në Kosovë ishte mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës.
Nga frika që kishin për tu përballur me forcat balliste, zogiste dhe të SS-ve shqiptare, Tito dhe komunistët serbo/jugosllav dhanë urdhër dy brigadave shqiptare të Shqipërisë të nisen për në Kosovë për të mashtruar popullin se ne jemi këtu që t’ju mbrojmë nga gjermanët fashistë.

Me fotografi të Titos dhe Enverit dhe me dy flamurët atë shqiptar dhe jugosllav, pasi luftuan disa ditë me vëllezërit e tyre shqiptarë dhe forca të pakta gjermane morrën qytetin e Gjakovës, duke valëvitur flamurin shqiptar dhe pa KURRFARË PARALAJMËRIMESH SE PAS TYRE DO TË VININ ARADHAT PARTIZANE SERBO/JUGOSLLAVE.

Këtë poshtërim na solli Enver Hoxha, Ramiz Alia, Reiz Malile e të tjerë.
Dy gjenocide serbe dhe një gjenocid të përbashkët nga serbo-shqiptarët komunist.

Kishim dy gjenocide të bëra më herët nga serbët mbi popullsinë shqiptare, atë të vitit 1877-8 dhe të vitit 1912, por që gjenocidi i tretë ndaj popullit shqiptarë të ndihmohet edhe nga vetë komunistët shqiptarë të nisur së pari nga Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e tij e pastaj të ndiqet edhe nga komunistët shqiptarë të Kosovës siç ishte Fadil Hoxha me bashkëpunëtorët e tij kurrë se kisha besuar që kjo mund të ndodhte.

Gjenocidi i tretë mbi popullin shqiptarë të Kosovës filloi kur Tito pranoi ofertën e Çubrilloviqit për vrasjen e 200.000 gjermanëve dhe 50.000 shqiptarëve.

Urdhri për mobilizimin e mijëra shqiptarëve për ti dërguar në front erdhi nga shtabi suprem i armatës Jugosllave dhe e zbatuan shtabet e divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë.
15.000 mijë shqiptarë vdesin në frontin e Sremit.

Komandant Shaban Haxhia nga Tropoja tregon:
“Mbasi kishim hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me ne…Na dukej vetja rob lufte…pa ushqim.
Po na vinte një vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasen në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime. Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthyn për në Kosovë…”
Komandanti e përfundon me fjalët tronditëse:
“U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne….”

Ndërsa në vrasjen e Shaban Polluzhës me 8000 luftëtarë të tij në Drenicë, Ramiz Alia duke lëvduar punën e partizanëve jugosllav raporton:
“ Kjo lëvizje ka qenë dhe ka përfshi në gjirin e saj një pjesë të mirë burrash 7000-8000 të armatosur. Lëvizja e këtyre reaksionarëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë…”

Në një raport të Reiz Maliles, zëvendës komisar politik i Divizionit V dërguar komandantit suprem Enver Hoxhës shkruan:
“ Partizanët shqiptarë janë duke ndjekur dhe asgjësuar bandat reaksionare kosovare, nē njē sulm ku morri pjesë edhe Divizioni VI asgjēsuam 68 reaksionarë kosovarë”.

Brigadat shqiptare përveç vrasjeve bënin spastrimin e terrenit nga përkrahësit dhe tē familjeve të tyre, burgosjes së tyre, të gjithë dezertorët e kapur janë dorëzuar te shtabi operativ i Kosmetit, ku ata pushkatoheshin ose dërgoheshin si njësi plotësuese partizane në frontin e Sremit, ku gjenin VDEKJEN E PASHMANGSHME SI PARAROJË PËR PASTRIMIN E TERRENIT NGA MINAT.

Nga të dhënat jugosllave del se nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë shqiptarë që ishin dorëzuar te ta, ku këta së bashku me 13.000 ushtarë të tjerë shqiptarë të mobilizuar me dhunë i dërgojnë në grupe të vogla në frontin e Triestës, ku shumica e tyre u vranë gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Mali i Zi.

Dhe masakra më e madhe ndodhi në Tivar ku u vranë qëllimisht mbi 4000 mijë shqiptarë dhe 400 shqiptarë në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka.

Pas këtyre vrasjeve, burgosjeve, shpërnguljeve të shqiptarëve nga komunistët serbë dhe shqiptarë nga frika udhëheqësit shqiptarë të Kosovës njëherit nënshkrues të marrëveshjes së Bujanit ( Mehmet Hoxha kryetar, Fadil Hoxha mësues, Ali Shukriu, Hajdar Dushi etj) ndryshuan qëndrimet e tyre 100% kur votuan pro rezolutës për bashkim të popullit shqiptarë me serbinë mbajtur në kuvendin e Prizrenit me 1945.

Mehmet Hoxha:
“Që Kosova dhe rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptarë, por e forcon dhe i jep siguri se do të ketë të njëjtat të drejta me popujt e tjerë”.

Xhavid Nimani:
“Është dëshirë e masave tē gjëra të Kosovës e të rrafshit të Dukagjinit që të bashkohen me Serbinë Federale”.
Memorandumi i Çubrilloviqit
Në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e Shqiptarëve, të bëjmë për vete klerin dhe njerëzit me ndikim, me para ose me shtrëngim…

Dr. Vasa Çubrilloviq 1937
Statistikat tona të viteve 1921-1931, tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjellorja e grave shqiptare.
Pra, shtrohet pyetja: cili ishte gabimi më fatal për kombin shqiptarë?
Gabimi më i madh historik i popullit shqiptarë sipas meje ishte prishja e marrëveshjes së Mukjes me 1943 nga Enver Hoxha.

Më 1943 filloi tmerri i shqiptarëve në Ballkan e që përfundoi me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe sulmin e Nato-s ndaj forca e serbe.
A ka tentime që edhe sot Shqipëria me liderët e saj të përzihen në punët e brendshme të Kosovës?
Po! / KultPlus.com

Kosovës mund t’i kthehen kufizimet shkaku i virusit

Në ditën e parë të hapjes së plotë të pikës kufitare të Vërmicës, qytetarët sërish janë përballur me radhë pritjesh. Mëngjesin e së hënës pritjet e qytetarëve për të kaluar nga Morina në Vërmicë kanë zgjatur rreth një orë, derisa janë parë tollovi njerëzish të cilët nuk e kanë respektuar distancën dhe mbajtjen e maskës gjatë pritjeve për të matur temperaturën dhe simptomat e tjera për koronavirus.

Për të parë mbarëvajtjen e procesit të kontrolleve mjekësore vizitë në Vërmicë bëri Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bashkë me drejtorin e Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

Zemaj kërkoi nga stafi mjekësor që të mos pranojnë qytetarë pa maska. Ndërsa Ramadani tha se virusi nuk e ka më fuqinë e njëjte por shtoj se nëse nuk respektohen masat atëherë vendi do të rikthehet në situatën e mëhershme dhe do të merren masa më rigoroze. Deri tani Kosova ka hapur vetëm një pjesë të kufijve. Me Shqipërinë vazhdojnë të jenë të mbyllur kufiri i Qafës së Prushit dhe Qafë Morinës. /KultPlus.com

Kosova ndan 10 mijë euro për rindërtimin e shkollës së djegur në Rozhajë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 mijë euro për rindërtimin e shkollës fillore së djegur në fshatin Dacaj të Rozhajës në Mal të Zi.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ministri Besnik Bislimi ka vendosur për këtë mbështetje financiare pas kontakteve me autoritetet lokale dhe komunitetin shqiptar në Mal të Zi.

“Ky Vendim është bazuar në kompetencat e tij ligjore të Ministrit të Financave dhe Transfereve, duke u bazuar në Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP) dhe Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët për të gjithë të huajt

Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët, për të gjithë të huajt që duan të dinë diçka më tepër për historinë, kulturën, bukuritë natyrore dhe vendet atraktive, ku mund të argëtohen dhe të pushojnë.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje të atraksioneve turistike të të dy vendeve duke ftuar turistët ti shijojnë ato.

“Nëse keni shpirtin e eksperiencës, nëse ju pëlqen të zbuloni kulturat e lashta dhe dëshironi të gjeni veten në mes të një natyre përrallore e ende të pazbuluar, të shijoni një ushqim të mrekullueshëm, duam t’u mirëpresim në një natyrë të paprekur e të egër prej 39 635 km2”, thuhet në videon e publikuar nga ministri Klosi.

”Vendet tona”, thuhet më tej në video, “nuk kanë industri të mëdha dhe nuk ka asnjë McDonald. Është mallkim, apo bekim?”

“Harrojeni rregullin, lëreni pas ritmin e qyteteve të zhurmshme, shmangni radhët e gjata të turistëve, ejani të përjetoni vendet unike që ofrojnë vendet tona”, është ftesa për aventurierët./atsh/ KultPlus.com

Mjerimi i Kosovës në mesin e shekullit XX-të në Der Spiegel: 6 traktorë dhe 16 shtëpi me rrymë

Gazeta prestigjionze gjermane ‘Der Spiegel’ ka publikuar nje shkrim të vitit 1969 nga arkiva  për gjendjen politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së dytë botërore.

Në këtë shkrim që e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, publicisti Halil Matoshi thuhet se deri në vitin 1941 në Kosovë kishte vetëm gjashtë traktorë, 16 vendbanime të elektrizuara, 49 mjekë, ndërsa 10,000 shqiptarë vuanin nga tifoja, 15,000 nga mikoza, 90,000 nga malaria dhe çdo i dyti nga zgjeba.

Zgjeba e njohur si zhuga është sëmundje ngjitëse e lëkurës që shfaqet zakonisht midis gishtave, në bark, në kurriz, në kofshë etj. me puçrra me ujë e me kore, të cilat kruhen shumë

Edhe pse shqiptarët luftuan krahë për krahë me popujt tjerë kundër nazi-fashizmit, Tito nuk ua dha statusin e Republikës në Jugosllavi. Plani për t’i bërë shqiptarët bashkë në një Republikë, si pjesë e federatës së sllavëve të jugut, dështoi pas kundërshtimit të Stalinit. Që atëherë Shqipëria staliniste e më vonë maoiste, përdorë shqiptarët e Kosovës si levë kundër Beogradit.

Pas LDB mbi 40 mijë nacionalistë shqiptarë, ranë viktimë e aksioneve të Titos.

Vetëm çdo i 16-ti shqiptar ka një vend pune. Të ardhurat për kokë banori janë 42 DM në muaj.

Në Beograd punojnë si pastrues të rrugëve, ngarkues qymyri, shitës kikirikash, po aq shqiptarë, sa punojnë në ndërmarrjet industriale të Kosovës.

Shefi i policisë sekrete jugosllave Udba Aleksandar Rankovic vazhdon të tiranizojë shqiptarët. Vetëm më 1965 Udba kreu 41 vrasje në Kosovë, 25 të tjera në fillim të vitit 1966. Udba themeloi dhe toleroi organizata të paligjshme (nën emrat si “Shqiptarët për Liri” dhe “Revolucionarët Maoist”), më pas i arrestoi anëtarët e tyre./GazetaExpress/ KultPlus.com

Ura e qytetit kroat binjak të Prizrenit merr ngjyrat e flamurit të Kosovës

Qyteti i binjakëzuar me Prizrenin, Osijeku i Kroacisë, në shenjë të miqësisë dhe të solidaritetit në kohën e pandemisë ka ndriçuar monumentin më të famshëm të qytetit me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës.

Ura e këtij qyteti ka marrë ngjyrat kaltër e verdhë duke reflektuar edhe në ujërat e lumit Drava, njofton Klan Kosova.

Një fotografi të tillë e ka publikuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka falënderuar edhe homologun e tij kroat për përkrahjen e dhënë.

“Falënderoj përzemërsisht kryetarin e Komunës së Osijekut, z. Ivan Vrkić, për mbështetjen e cila është mjaft domethënëse në këto ditë të vështira ku po kalon e gjithë bota nga kriza shëndetësore e pandemisë”.

“Shpresoj që këtë krizë ta tejkalojmë së bashku sa më parë dhe të kemi bashkëpunim edhe më të fortë për t’u rimëkëmbur”.

Një sukses i heshtur i Kosovës në arsim

“Zakonisht kur dikush e përmend fjalën ‘shkencë’, menjëherë në trurin tonë paraqitet një burrë i vjetër, i racës së bardhë, me një mantel të bardhë laboratori”.

“Por, ky në fakt nuk është pasqyrimi i njerëzve që merren me shkencë”, thotë Ferdiana Hoti, një shkencëtare e re nga Gjilani, e cila është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si dhe në Qendrën Shkencore Belge për Energji Nukleare. Në fokus të studimeve të saj janë aspektet e komunikimit, në rastet me rreziqe nukleare.

“Shkencëtarët janë vajza, janë gra, janë burra e djem, të rinj e të vjetër, të racave të ndryshme e të profesioneve të ndryshme. Ka shkencëtarë me mantel të bardhë, e ka nga ata që gjithë ditën e kalojnë para kompjuterit, duke bërë analiza statistikore”, thotë ajo, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, shkollimi fillor dhe i mesëm në Kosovë, nuk i ka ofruar njohuri praktike, në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Shumë më ndryshe është në Belgjikë, ku sipas saj, përparësitë janë të shumta.

“Janë kushtet financiare dhe pajisjet më të reja, të cilat të ndihmojnë të bësh hulumtime, ashtu sic duhet. Gjatë doktoraturës këtu të jepet e gjithë ndihma financiare për të përfunduar hulumtimet, të cilat do të të nevojiten gjatë studimeve. Varësisht prej idesë që ke, mund ta gjesh shumë lehtë përkrahjen nga departamente të ndryshme për pajisjeve teknologjike, apo edhe mund t’i blesh ato”, thotë Hoti.

Vlerësimi i pavërejtshëm i PISA-s
Edhe më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sistemi arsimor vuan nga cilësia e dobët, për të ngritur kuadro profesionale.

Cilësia e dobët në arsim, pakënaqësitë e mësimdhënësve sa i përket pagave dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura arsimore, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat përballet sektori i arsimit në Kosovë, thonë ekspertët.

“Rezultatet e fundit të PISA [Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve] krahasuar me ato të vitit 2005, tregojnë se jemi në krizë. Është zhgënjyese, sepse Kosova nuk ka vizion dhe nuk di çfarë të bëjë për të ndryshuar gjendjen në arsim në një periudhe 10-vjeçare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.

Në fakt, Kosova u përball më vlerësimin e dobët të PISA-s dy herë me rradhë, për ngecjet që ka shënuar ndër vite në arsim. Ajo që nuk ka rënë shumë në sy te ky vlerësim, është fakti se Kosova kishte një përparësi të vecantë në raport me vendet tjera – në shkencë vajzat kishin tejkaluar djemtë, për gjashtë pikë në shkallën e vlerësimit.

“Në të gjitha vendet djemtë i kaluan vajzat në matematikë për pesë pikë, por në Kosovë vajzat shënuan rezultatet të ngjashme me djemtë në matematikë. Në shkencë vajzat i tejkaluan djemtë mesatarisht me dy pikë në nivel të të gjitha vendeve, por në Kosovë vajzat i tejkaluan djemtë në shkencë me gjashtë pikë”, thotë hulumtimi i PISA-s.

Në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë “Rrjeti i Grave në Arsim të Lartë dhe Shkencë”, një organizatë që ka për synim përkrahjen vajzave dhe grave në zhvillimin e karrierës së tyre akademike, shkencore dhe udhëheqëse, mbajti konferencën “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”.

Njëra ndër gjinekologet e para në Kosovë, Emine Gashi, në fjalimin e saj porositi vajzat dhe gratë “të mos zbrapsen dhe heqin dorë nga qëllimet e tyre pavarësisht pengesave”. Kjo organizatë po angazhohet në promovimin e mundësive të barabarta në hulumtime shkencore.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me investimet e kësaj ministrie për krijimin e mundësive të barabarta dhe për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave në shkencë.

“Në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) është një organizatë joqeveritare, e cila merret me qeverisjen demokratike dhe zhvillimin e qendrueshëm. Një ndër projektet e saj është edhe avokimi i drejtpërdrejtë tek akterët kyç të fushës së barazisë gjinore në institucionet shtetërore. Por, kjo organizatë në fokus ka edhe fuqizimin e grave në shkencë.

Dora Musa, zyrtare në këtë organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative dhe plan-programet e shkollave.

Kjo organizatë këtë fakt e ka vërejtur gjatë zbatimit të një projekti në shkollat e Kosovës për vetëdijësimin mbi barazinë gjinore.

“Zakonisht, temat e barazisë gjinore preken pak, për mos të thënë fare, nga arsimtarët dhe profesorët e lëndëve siç është Edukata Qytetare. Ky fakt limiton njohuritë e gjeneratave të reja në çështjet gjinore. Në kuadër të aktiviteteve të mbajtura në shkolla, kemi vëzhguar një gatishmëri nga ana e drejtorëve dhe mësimdhënësve për të ligjëruar mbi barazinë gjinore, por ndër vite është bërë pak në këtë drejtim”.

“Ajo çfarë kemi kuptuar gjatë kontakteve me nxënësit është se ata kanë dëshirë të madhe që jo vetëm të dëgjojnë për barazinë gjinore gjatë një ore ligjërimi në kuadër të një lënde, por të kenë lëndë të veçantë për çështjet gjinore. Sidoqoftë, për t’u arritur kjo duhet përfshirje e institucioneve qendrore të sektorit publik, respektivisht Ministrisë së Arsimit. Për fat të keq nuk kemi parë një vullnet të tillë”, thotë Musa.

Deri atëherë, shkencëtarja e re, Ferdiana, ka një porosi për të gjitha ato vajza dhe gra, kudo ku janë…

“Po deshët të merreni me shkencë, merruni me shkencë, eksploroni kurreshtjen”./rel/

Kosova në mesin e vendeve përfituese të mbështetjes 3 miliardëshe të Komisionit Evropian

Komisioni Evropian ka planifikuar që të ndajë një fond prej 3 miliardë eurosh në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Në mesin e shteteve të cilat do të përfitojnë nga një fond i tillë do të jetë edhe Republika e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfimruar, Vladis Dembrovskis, i cili është zëvëndëspresident i Komisionit Evropian.

“Shtete përfituese të propozimit 3 miliardësh të Komisionit Evropian për koronavirusin janë Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjerogjia, Jordania, Kosova , Moldavia, Mali i Zi, Tunizia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina”, ka njoftuar Dembrovskis, raporton Express.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë për Ukrainën ku do t’iu ndahen 1.2 miliardë, derisa Kosova do të përfitojë 100 milionë euro.

Këto mjete financiare janë ndarë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet për të investuar mjetet në fushat ku më së shumti ka nevojë aktualisth në kohën e pandemisë, siç është sistemi shëndetësor. /KultPlus.com

Kosova s’ka se si ta luftojë dezinformimin në kohën e pandemisë

Që nga shfaqja e rasteve të para të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, ka pasur shtim të lajmeve të rreme dhe dezinfomatave.

Përmbajtje të tilla, si për zanafillën e përhapjes së virusit dhe deri te zbulimi i vaksinës, kanë qenë të përditshme në rrjete sociale.

Ato kanë marrë pëlqime dhe shpërndarje të shumta nga audienca shqipfolëse.

Përveçse përmbajtja ka qenë e paverifikuar, shpeshherë lajme të tilla kanë ndikuar në përhapjen e panikut.

Disa vende të botës kanë krijuar mekanizma për luftimin e lajmeve të rreme në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri, por në Kosovë përveç bazës ligjore që rregullon në një masë sanksionet për shpërndarjen e informacioneve të pavërteta nuk ka një mekanizëm adekuat.

Selatin Kllokoqi nga organizata “Democracy Plus” vitin e kaluar ka hartuar një analizë që trajton sanksionet ligjore për personat dhe mediumet që përhapin lajme të rreme ku, sipas tij, ka rezultuar se nuk është e mjaftueshme baza aktuale ligjore.

“Ekziston baza ligjore, por siç duket nuk është e mjaftueshme, sepse gjatë këtyre ditëve apo gjatë këtyre javëve nuk kam dëgjuar ende që ka ndodhur ndonjë rast që ka shkuar në gjykatë për shpërndarje të lajmeve të rreme apo panikut, përkundër faktit se kemi pasur shumë të tilla. Mendoj që edhe te ne në një situatë më të mirë pasi të kalojë kjo pandemi dhe të kemi një qeveri funksionale duhet të merren masa që ligjet që e rregullojnë këtë çështje të adoptohen edhe më mirë në mënyrë që mos ta kemi këtë vërshim të përditshëm të lajmeve të rreme”.

Shpërndarja e propagandës që nxit urrejtje dhe kryerjen e veprave penale është e dënueshme me Kodin Penal në Kosovë, ndërsa ndjekja në rastet penale kryhet në dy forma – me paraqitjen e rastit nga pala e dëmtuar, por edhe nga vetë prokuroria.

Mekanizmi tjetër i parandalimit të lajmeve të rreme zhvillohet përmes kontesteve civile, sipas Ligjit mbi Shpifjen dhe Fyerjen.

Ky ligj e përcakton që autori i lajmit është përgjegjës për shpërndarjen e informacionit, të cilin ai e ka ditur se është i pavërtetë ose është dashur ta dijë se është i pavërtetë.

Ky rregullim ligjor nuk është i mjaftueshëm për të luftuar keqinformimin në kohën e pandemisë së koronavirusit, thotë juristi Kushtrim Palushi.

“Problematika e lajmeve të rreme është pa mbulueshmëri ligjore dhe në këtë mënyrë personat të cilët merren me këtë fenomen janë rrjedhimisht pa kontroll. Do të thotë ata mund të veprojnë të lirë pa u frikuar se dikush, ndonjë ‘watchdog’ ose ndonjë institucion përgjegjës është duke i mbikëqyrur. Në këtë aspekt, atëherë lind nevoja që kjo problematikë të rregullohet, nëse jo me një ligj të veçantë, atëherë të rregullohet me akte nënligjore si nga ana e Komisionit të Pavarur për Media, po ashtu nga ana e Këshillit për Media të Shkruara”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se keqinformimi dhe lajmet e rreme kanë ndikim të madh te qytetarët, sidomos tani kur janë të izoluar si pasojë e masave të ndërmarra nga institucionet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmbajtje të tilla të rrejshme që kanë qarkulluar në rrjete sociale janë denoncuar në polici, konfirmon Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Përmes një komunikimi ditor dhe transparent është arritur që të bindet pjesa më e madhe e popullatës që informatat burimore lidhur me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] t’i marrin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Përkundër ngarkesave të mëdha, një numër i lajmeve të rrejshme dhe raportimeve me dezinformata dhe të pavërteta janë denoncuar në mekanizmat për siguri kibernetike e privatësi dhe institucionet e sigurisë duke u nisur nga fakti që dezinformatat në situata të emergjencave të shëndetit publik paraqesin edhe rrezikim të sigurisë kombëtare”.

Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi ka krijuar një plan për informim i cili, sipas tij, ka pasur efekt pasi qytetarët në masë të madhe po informohen rreth koronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Edukimi medial në shkolla si zgjidhje e problemit

Të sfiduar nga përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinfomatave, disa vende evropiane prej vitesh kanë të integruar edukimin medial në shkolla.

Futja e kësaj lënde në shkollat e Kosovës mund të jetë një zgjidhje për të edukuar popullatën për përmbajtjen që lexon, thotë Alban Zeneli, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

“Kjo problematikë bëhet edhe më e madhe në rastin e Kosovës, për shkak se shoqëria nuk është e përgatitur. Ne nuk kemi një shkollim publik i cili ofron edhe edukim për media, sepse kjo do të ndihmonte në përgatitjen e shoqërisë për këtë problematikë. Pra, thjesht, njerëzit do ta refuzonin përmbajtjen e rreme dhe nuk do të jepeshin shumë pas senzacionit nëse do t’i kishin informatat paraprake nga shkollimi i tyre”.

Në kuadër të Policisë së Kosovës prej vitesh ekziston një njësit i specializuar kundër krimeve kibernetike, por ky njësit kryesisht merret me krime të natyrave të ndryshme dhe që lidhen me vepra të rënda penale.

Që nga shpallja e pandemisë së koronavirusit, institucione të ndryshme kanë bërë thirrje që qytetarët të informohen nga media dhe burimet kredibile në fushën e shëndetit, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë./ REL

S’dihet nëse Kosova do të jetë pjesë e testit “PISA 2021”, rekomandohet pauzë

Nxënësit e Kosovës vitin e ardhshëm ka gjasa të mos i nënshtrohen testit “PISA 2021”. Një gjë të tillë është duke e shqyrtuar Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit. Ministria përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN ka theksuar se pas shqyrtimit të kësaj mundësie do ta bëjnë të ditur qëndrimin e tyre.

“Duke marrë për bazë rezultatet jo të mira gjatë viteve të fundit në testin PISA, MASHTI është duke e shqyrtuar këtë çështje dhe pa vonuar do të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj tematike”, është thënë nga Zyra për media e Ministrisë së Arsimit, raporton KOHA.

E pyetur nëse mësimi online është duke ndikuar në rënien e cilësisë në arsim, MASHTI është përgjigjur se në këtë fazë nuk mund të japin konstatime të tilla. Sipas Ministrisë, në bazë të informacioneve që i kanë nga drejtoritë komunale, mësimi virtual po realizohet në mënyrë të kënaqshme.

Ekspertë të arsimit vlerësojnë se vitin e ardhshëm Kosova nuk do të duhej të merrte pjesë në testin PISA. Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, thotë se për shkak se mësimi tashmë po mbahet në kushte jo të zakonshme, nuk mund të pritet cilësi derisa zgjidhja më e mirë, sipas tij, është që të pauzohet në PISA deri në vitin 2024.

Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”, thotë se për organizimin e testit PISA në nivel botëror do të vendoset nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e

Zhvillim, derisa për pjesëmarrjen e Kosovës shton se është në dorë të MASHTI-t.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është një studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë, dhe mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015” ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77 derisa në matematikë dhe shkencë të 76-tin duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane dhe Filipinet. Koha. net / KultPlus.com

Për herë të parë Kosova pjesë e çmimit të BE-së për letërsi


Për herë të parë Kosova do të jetë pjesë e çmimit të BE-së pë letërsi, shkruan KultPlus.com

“Këtë vit Kosova është një nga 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja)”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“KOSOVA PJESË E ÇMIMIT TË BE-së PËR LETËRSI

Këtë vit Kosova është një nga 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja) për çmimin e Bashkimit Europian për letërsi, që synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Europës.

Ky është edicioni i dymbëdhjetë i çmimit të BE-së për letërsi (EUPL) ku Kosova merr pjesë për herë të parë. Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Europian Europa Kreative që ka për qëllim të nxisë dialog ndërkulturor dhe promovim të arritjeve artistike në zhanrin e romanit. Në konzorcium të këtij çmimi marrin pjesë edhe Këshilli i shkrimtarëve europianë, Federata e botuesve europianë, si dhe Federata ndërkombëtare dhe europiane e librashitësve.

Në fazën e parë të kësaj gare, juritë kombëtare të shteteve pjesëmarrëse i kanë propozuar listat e ngushta të autorëve pjesëmarrës të cilat mund të gjenden në uebfaqen e EUPL-së : https://www.euprizeliterature.eu/news/eupl-2020-shortlist

Juria kosovare e përbërë nga Lindita Tahiri (kryetare), Osman Gashi, Festa Molliqaj dhe Lindita Rugova i kanë dhënë secili nga disa propozime, dhe pas shqyrtimit të kritereve të konkurrimit, në listën e ngushtë kanë mbetur këta autorë: Azem Deliu me romanin Shënimet e krimbit Smolinski, Majlinda Bregasi me romanin Gërsheti i prerë, dhe Shpëtim Selmani me romanin Libërthi i dashurisë. Listën e ka aprovuar Këshilli i EUPL-së, dhe kriteret për pjesëmarrje kanë qenë: autori të jetë në fillim të karrierës letrare dhe të ketë botuar minimum dy e maksimum katër libra, romani të jetë botuar 18 muaj para shpalljes të fituesit dhe të përfaqësojë vlera europiane, duke përjashtuar çfarëdo paragjykimi ndaj grupeve të caktura shoqërore, racizëm, seksizëm, pornografi, homofobi apo urrejtje.

Fituesi i çmimit nga lista e ngushtë do të shpallet në 19 maj, dhe EUPL do ta botojë antologjinë vjetore me fragmente nga romanet fituese të këtij çmimi, duke synuar një audiencë më të gjërë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët europiane. Fituesit do të marrin shpërblimin prej 5.000€ dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave”.

Më në fund përmirësohet cilësia e ajrit në Kosovë

Masat e izolimit, lëvizjes dhe masat tjera të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë rezultuar edhe me rënie të qarkullimit rrugor dhe të aktiviteteve tjera ekonomike.

Kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të ndotjes së ajrit për disa parametra e sidomos me parametra që ndërlidhen me transportin rrugor.

Të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), që vijnë nga sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit që menaxhohet nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tregojnë për ulje të përqendrimeve të disa ndotësve të ajrit, e në veçanti të përqendrimeve të dyoksidit të azotit (NO2) që kryesisht vije për shkak të zvogëlimit të trafikut dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme.

Të dhënat e IHMK nga stacionet e monitorimit, flasin për ulje të ndotjes në shkallë deri në 50% në disa zona urbane krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu për shembull nga këto matje është konstatuar se në Prishtinë në stacionin matës në IHMK përqendrimet mesatare të NO2 për muajin mars të këtij viti kanë qenë 18.3 µg/m3, krahasuar me 43.5 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar.
Ndërsa në stacionin matës tek ndërtesa Rilindja përqendrimet mesatare të NO2 për muajin mars të këtij viti kanë qenë 26 µg/m3, krahasuar me 47.8 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar.

Ulje të niveleve të përqendrimit të NO2 janë regjistruar edhe në zonat tjera urbane të Kosovës.
Kështu gjatë muajit mars të vitit 2020, nivelet mesatare të NO2 në Gjilan ishin 18.8 µg/m3, krahasuar me 35.2 µg/m3 të muajin mars të vitit kaluar, në Drenas 11.5 µg/m3 krahasuar me 16.7 µg/m3 të vitit të kaluar, në Han të Elezit 17 µg/m3, krahasuar me 61.3 µg/m3 nga marsi i vitit të kaluar dhe në Obiliq 22 µg/m3 krahasuar 24.2 µg/m3 me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ulje të koncentrimit janë regjistruar edhe për parametrat tjerë sikurse është PM2.5 dhe PM10 përqendrimi i të cilit në ajër është i ndërlidhur po ashtu me aktivitetet e transportit.

Duhet konstatuar se në këtë analizë nuk janë marrë parasysh parametrat meteorologjik për dy muajt për të cilët janë analizuar rezultatet e matjeve.

Për me shumë informata ju lutem vizitoni ueb faqen e AMMK (www.ammk-rks.net) ku mundë të gjeni edhe raportin e plotë mujor të muajit mars për vitin 2020. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës vendos flamurin italian në ndërtesë në shenjë solidarizimi

Në objektin e Qeverisë së Kosovës është vendosur flamuri i Italisë në shenjë solidarizimi me viktimat atje nga koronavirusi.

Këtë veprim e ka ndërmarrë vetë qeveria e Kosovës pasi u raportua në medie se vetëm këto dy ditë shifrat e të vdekurve në shtetin italian janë afër 400.

“Italia sot feston Ditën e Bashkimit. Në 159- vjetorin e saj, Italia gjendet përballë një armiku me të cilin ajo dhe i gjithë globi do të triumfojë. Qytetarët e Kosovës i janë falënderues përherë shtetit tonë mik dhe gjithsecili prej nesh bashkëndjen me ta”, thotë qeveria në një komunikatë për media.

Qeveria e Kosovës thotë se është duke i marrë hapat e domosdoshëm që t’i bëjë ballë kësaj pandemie.

“Jemi të përkushtuar në luftën kundër virusit Corona dhe do të fitojmë nëse të gjithë qëndrojmë në shtëpitë tona e do të kujdesemi për pastërtinë tonë”, theksoi Qeveria. / KultPlus.com