Në Amerikë kthehen festimet me fishekzjarre për Ditën e Pavarësisë

Amerikanët po festojnë ditëlindjen e 245-të të vendit sot, me fishekzjarrë që mund të duken më të shndritshme, hotdogë që mund të shijojnë më shumë dhe grupe muzikore që mund të tingëllojnë edhe më bukur, një vit pasi pandemia detyroi anulimin e pothuajse të gjitha festimeve.

Si gjithmonë, shfaqjet e fishekzjarreve janë pika kulmore e festimit të 4 korrikut. Dy nga shfaqjet më të mëdha të tyre do të jenë në Shëtitoren Kombëtare në Uashington dhe mbi një kilometër e gjysmë përgjatë lumit lindor të Nju Jorkut, që ndan Manhatanin nga lagjet Kuins dhe Bruklin.

Disa veprimtari klasike të 4 korrikut të tilla si Konkursi i famshëm i Ngrënies së Hot Dogut në Coney Island të Bruklinit mbeten të kufizuara për të mundësuar distancimin fizik për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e mbi 600,000 amerikanëve. Varianti më agresiv Delta ka ngritur alarmin për mundësinë e një vale tjetër infeksionesh midis të pavaksinuarve.

Megjithatë, festa është një moment kur amerikanët shfaqin patriotizmin e tyre dhe festojnë me një ndjenjë të re lirie në një kuptim më personal duke kaluar kohë me miqtë përsëri dhe duke shijuar kënaqësitë e thjeshta të verës.

Por 4 korriku i këtij viti nuk është plotësisht i zhveshur nga masat e kujdesit. Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi javën e kaluar organet e rendit të shteteve amerikane për rritjen e kërcënimit nga dhuna e grupeve të brendshme ekstremiste mes zbutjes së kufizimeve të COVID-19 dhe festës së 4 korrikut.

Kjo fundjavë feste pritet ketë trafik më të ngarkuar – me rreth 43.6 milion amerikanë që udhëtojnë me makina, ose 5 për qind më shumë se një rekord i mëparshëm i vendosur në 2019, tha Shoqata Amerikane e Automjeteve.

Në Uashington, Presidenti Joe Biden planifikon festime me 1,000 persona në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë punonjës sektoresh kritikë dhe familje të ushtarëve amerikanë.

Presidenti organizon aktivitetin ngjarjen tre ditë pas vizitës së tij në Sërfsajd , Florida, për të ngushëlluar familjet, të dashurit e të cilëve humbën jetën nga shembja e një godine banimi më 24 qershor.

Disa komunitete të Floridës kanë anuluar fishekzjarrët e 4 korrikut në shenjë respekti për ata që janë prekur nga tragjedia, thanë zyrtarët e qytetit.

Po në Uashington të dielën, bandat marshuese do të rikthehen për një paradë tradicionale. Në mbrëmje, Shëtitorja Kombëtare pritet të tërheqë turma të mëdha në një shfaqje fishekzjarresh prej 17 minutash që do të lëshohen nga të dyja anët e Pishinës Reflektuese të Përkujtimores së Linkolnit.

Dhe në lumin Lindor të Nju Jorkut, pjesëmarrësit do të shikojnë një shfaqje spektakolare fishekzjarrësh.

Ndriçimi i tyre jo vetëm që entuziasmon turmat, por edhe ndihmon në rimëkëmbjen e bizneseve që furnizojnë me fishekzjarre me 4 korrik në shfaqjet e tyre në gjithë vendin.

Por për disa 4 korriku do të jetë i errët.

Pjesa perëndimore e Shteteve të Bashkuara përballet me një rrezik të shtuar për zjarre pas një vale të nxehti dhe thatësirës së madhe. Dhe problemet e furnizimit në të gjithë vendin, të lidhura me pandeminë, kanë rritur çmimet e gjithçkaje, nga sendet shtëpiake te fishekzjarret. /voa/ KultPlus.com

Kosnett: Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë vlera të përbashkëta

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka uruar 244-vjetorin e pavarësisë së Amerikës.

Ai tha se SHBA-ja dhe Kosova ndajnë vlera dhe atribute, duke shtuar se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovën për ta bërë të pavarur dhe sot vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe pandemisë së koronavirusit.

“Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Populli ynë është i fortë dhe i mençur, kreativ, i dhembshur dhe i shkathët. Si miq, partnerë, ne i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur, qëndruam së bashku pas sulmeve të 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit global. Ne qëndrojmë së bashku edhe në përballjen me pandeminë globale”, tha Kosnett.

Po ashtu, mbasadori Kosnett tha se duhet angazhim qytetar që një shtet të ketë demokraci. Ai tha se në kohën kur SHBA-ja po përballet me trazira, ku protestuesit po kundërshtojnë racizmin dhe pabarazinë, ka shpresë se do të ndodhin ndryshime pozitive.

“Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport spektatorësh. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Po ashtu kërkon ndershmëri dhe përulësi për të adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është kohë e trazirave dhe ankthit në Amerikë – por gjithashtu e shpresës. Ka shpresë se ndryshimet pozitive mund të vijnë vetëm përmes angazhimit qytetar. Dhe e njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën”, tha ambasadori Kosnett.

Ambasadori amerikan në Prishtinë në adresimin e tij për Ditën e Pavarësisë, theksoi përkushtimin e SHBA-së për të ndërtuar një shoqëri dhe një të ardhme për brezat që do të vijnë.

“Në këtë Ditë të Pavarësisë së SHBA-së, le të zotohemi se do të bëjmë përpjekje për të ndërtuar shoqëri –për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët – duke reflektuar mbi ëndërrat e themeluesve të shtetit amerikan dhe për të përmbushur detyrimet tona, për brezat që do të vijnë”, tha Kosnett. / KultPlus.com