Në objektin e Qeverisë së Kosovës është vendosur flamuri i Italisë në shenjë solidarizimi me viktimat atje nga koronavirusi.
Këtë veprim e ka ndërmarrë vetë qeveria e Kosovës pasi u raportua në medie se vetëm këto dy ditë shifrat e të vdekurve në shtetin italian janë afër 400.
“Italia sot feston Ditën e Bashkimit. Në 159- vjetorin e saj, Italia gjendet përballë një armiku me të cilin ajo dhe i gjithë globi do të triumfojë. Qytetarët e Kosovës i janë falënderues përherë shtetit tonë mik dhe gjithsecili prej nesh bashkëndjen me ta”, thotë qeveria në një komunikatë për media.
Qeveria e Kosovës thotë se është duke i marrë hapat e domosdoshëm që t’i bëjë ballë kësaj pandemie.
“Jemi të përkushtuar në luftën kundër virusit Corona dhe do të fitojmë nëse të gjithë qëndrojmë në shtëpitë tona e do të kujdesemi për pastërtinë tonë”, theksoi Qeveria. / KultPlus.com
Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar pesë raste me virusin Covid-19. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend. Deri më tani, janë mbyllur shkollat, të gjitha kafiteritë, restorantet, e dyqanet të cilat frekuentohen në masë të madhe nga qytetarët, shkruan Express.
Qytetarët e vendit duket se po e respektojnë vendimin e qeverisë që të qëndrojnë në shtëpi, për t’u mbrojtur nga virusi Covid-19, i cili deri më tani, në tërë botën ka marrë jetën e më shumë se 5 mijë personave.
Pas konfirmimit të 5 rasteve me Coronavirus në Kosovë të gjitha qytetet e Kosovës kanë filluar të marrin masa.
Klina, Vitia e Malisheva janë qytetet në të cilat janë ndaluar hyrje-daljet. Kjo pas inga këto tri qytete janë të prekurit me koronavirus.
Por, të izoluar po qëndrojnë edhe prishtinasit, e kjo më së miri shihet në fototo e realizuara nga fotografi Marjan Komani, këtë të diele në Prishtinë.
Sheshet e rrugët e kryeqytetit po qëndrojnë të heshtura e pa njerëz, të cilët si masë kryesore mbrojtëse ndaj virusit, po e praktikojnë qëndrimin nëpër shtëpitë e tyre.
Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën, shkruan sot gazeta Zëri.
Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore.
Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010.
Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.
Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global. / KultPlus.com
Raporti i Freedom House edhe sivjet e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se “zgjedhjet e kanë vënë në pushtet partinë nacionaliste Vetëvendosje, ku ajo ka një mundësi për ta ndryshuar kulturën e korrupsion në vend”.
Sa i përket Serbisë dhe Malit të Zi, raport thotë se, gazetarët e pavarur, figura të opozitës dhe ata që perceptohen si armiq të qeverisë, janë përballur me ngacmime, kërcënime dhe nganjëherë edhe me dhunë.
“Zhgënjimi i publikut me partitë qeverisëse kanë nxitur protesta të mëdha në të dyja vendet, por ato nuk arritën të sjellin ndonjë ndryshim domethënës”, thotë organizata.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe Maqedonisë së Veriut ku thuhet se “vendi mbajti zgjedhje konkurruese presidenciale, duke ndihmuar në riparimin trashëgimisë jodemokratike të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski”.
Lidhur me situatën e përgjithshme në Evropë, raporti thotë se “parimet e demokracisë liberale në Evropë, janë vënë nën presion serioz viteve të fundit”.
“Drejtuesit dhe partitë populiste në Evropën Qendrore ruajtën ritmin e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura gjatë këtij viti”, thuhet në raport./rel / KultPlus.com
Zvicra është zyrtarisht vendi më i shtrenjtë në botë për të jetuar, thuhet në një raport të revistës CEOWORLD.
Pas saj renditet Norvegjia, e pasuar nga: Islanda, Japonia, Danimarka, Bahamas, Luksemburgu, Izraeli, Singapori dhe Koreja e Jugut.
Revista CEOWORLD e bazon vlerësimin e saj në disa shpenzime për jetesën, përfshirë: strehimin, veshmbathjen, ushqimet, internetin, transportin dhe ngrënien jashtë.
Këto të dhëna pastaj futen në një indeks, duke përdorur Nju Jorkun – qytetin më të shtrenjtë në botë – si pikë reference.
Nju Jorku ka 100 pikë në indeks.
Rrjedhimisht, një vend me më shumë se 100 pikë është më i kushtueshëm se Nju Jorku, ndërsa me më pak sinjalizon se është më i lirë.
Në listën prej 132 vendesh, Kosova renditet e 124-ta.
Sipas kësaj liste, vendet më të përballueshme për jetesë janë: Pakistani, Afganistani, India, Siria, Uzbekistani, Kirgizia dhe Tunizia/REL / KultPlus.com
Nga 5 marsi, në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen 4 premiera të ndryshme botërore.
Nga data 5 mars, në Cineplexx do të keni
mundësi t’i shihni disa nga premierat më të fundit botërore. Filmi më i pritur
i kësaj jave është super-horrori The Invisible Man, i cili filloi
shfaqjen këtë fundjavë në Amerikë, dhe u shënua si filmi me arkëtimet më të
mëdha gjatë vikendit, me një notë perfekte nga kritikët dhe shikuesit, që e
quajtën “Filmin e parë horror të vitit 2020 që nuk bën ta humbni”.
Katër filmat që do të fillojnë të shfaqen këtë javë janë:
1) The Invisible Man
Kur ish i dashuri abuzues i Cecilias vetëvritet dhe i lë asaj të gjithë pasurinë e tij, ajo nis të dyshojë se vdekja e tij është një rreng. Ndodhi të rastësishme e vdekjeprurëse bëjnë që Cecilia të përpiqet të provojë se ajo po përndiqet nga një person që askush nuk mund ta shikojë. Filmi vjen nën regjinë e Leigh Whannell, ndërsa në rol kryesor Elisabeth Moss.
2) The Way Back
Një ish-lojtari fenomenal basketbolli, në luftë të vazhdushme me alkoolizimin, i ofrohet një punë si trajner në shkollën ku ai ka studiuar. Teksa ekipi fillon të fitojë, atij i duhet të luftojë me demonët e tij të vjetër. Filmi vjen në regjinë e Gavin O’Connor, dhe me rol kryesor Ben Affleck.
3) Brahms: The Boy 2
Filmi flet për një familje e cila pasi zhvendoset në Rezidencën Heelshire, vërejnë që djali i tyre shumë shpejt miqësohet me një kukull të gjallë të quajtur Brahms. Miqësia me të del të jetë e rrezikshme për familjarët. Ky është filmi i dytë i zhanrit horror që do ta ketë premierën këtë javë në Cineplexx.
4) Onward
Të vendosur në një botë të fantazuar
periferike, dy vëllezër adoleshentë elfë nisen në një mision për të zbuluar
nëse ende ka magji nëpër botë. Një tjetër film i animuar që vjen si bashkëpunim
i Disney dhe Pixar Animation Studio.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të
përfitojnë nga ofertat e ndryshme, Cineplexx në bashkëpunim me Raiffeisen Bank
Kosova sjell një super ofertë për biletat që blihen në Cineplexx. Për çdo
biletë që paguani me Gold dhe Bonus Cards, ju mund ta merrni 1 tjetër FALAS.
Biletat për këta filma mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx. Më shumë informata rreth filmave mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. (lidheni me kete link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)
Shkalla e lartë e emigrimit të qytetarëve jashtë vendit dhe rënia e natalitetit, prezantohen si faktorë që po ndikojnë në tkurrjen e numrit të popullsisë në Kosovë. Të dhënat zyrtarë ndër vite, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rënien e konsiderueshme të numrit të lindjeve dhe për numrin në rritje të qytetarëve që kanë ikur apo kanë lëshuar Kosovën.
Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara “Vlerësimi i Popullsisë”, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.
Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo -0.16 për qind.
Ndërkaq, sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.
Kosova në regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011 kishte regjistruar 1,739,825 banorë, por në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Ndërsa, në raportet e vlerësimit të popullsisë, në numrin e banorëve janë të përfshirë edhe këto komuna.
Sa i përket numrit të lindjeve të gjalla të ndodhura brenda territorit të Kosovës në vitin 2014 ishin 25,929, derisa në vitin 2018, ishte 22,761 lindje. Ndërsa, numri i vdekjeve në vitin 2018 në Kosovë ishte rreth 10 mijë.
Në vitin 2019, zyrtarë shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se numri i lindjeve ka shënuar rënie.
“Ka një rënie të numrit të lindjeve në përgjithësi në Klinikën Gjinekologjike. Në vitin 2019 kanë qenë 9,622 foshnje, që krahasuar me vitin paraprak (2018) ka një rënie për 600 foshnjave më pak”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhevdet Gojnovci drejtor në Klinikën Neonatologjike në QKUK.
Emigrimi dhe rënia e fuqisë punëtore Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.
Të dhënat për vitin 2019 ende nuk janë publikuar për migrimin dhe as për lindjet dhe vdekjet.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se një trend më i madh emigrimit të qytetarëve të Kosovës do të jetë pas politikave të reja të emigracionit në Gjermani.
Ky trend në rritje, sipas tij, do të ketë pasja të mëdha për Kosovën. Përveç zvogëlimit të popullsisë, Xhambazi thotë se do të zvogëlohet edhe fuqia punëtore.
“Nëse Qeveria e Kosovës nuk arrin në mënyrë serioze ta kthejë mbrapa këtë trend negativ të emigracionit, mendoj që brenda 10 –15 vjetësh do të kemi një problem serioz demografik dhe do të kemi një numër shumë të vogël të fuqisë punëtore”, thotë ai.
Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto shifra tregojnë se popullsia e Kosovës po tkurret ndër vite. Duke pasur parasysh këtë gjendje, thotë Blaku, Kosova duhet ta trajtojë problemin e migracionit dhe rënien e natalitetit.
“Ikja, braktisja së bashku me rënien e natalitetit, janë dy ngjarje, zhvillime dhe përjetimet më të rënda të shoqërisë shqiptare meqë bëhet fjalë për tkurrjen e popullsisë, kapitalit më të shtrenjtë kombëtar”, thotë ai.
Instituti GAP, në një hulumtim të titulluar “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, sheh një potencial edhe më të madh të emigrimit të qytetarëve të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80 për qind janë miratuar. Por, vetëm 40 për qind e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24 për qind tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët”, thuhet në këtë raport.
Sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, prijnë ndërtimtaria, hoteleria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit.
Ika e të rinjve nga Kosova pati ngritur shqetësime edhe nga bizneset. Ata në vazhdimësi kanë deklaruar se nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë edhe përkundër shkallës së lartë të papunësisë në vend, e cila arrin rreth 30 për qind.
Regjistrimi i popullsisë, më 2021
Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, pritet të bëhet në vitin 2021.
Demografi Blaku thotë se numri i banorëve të Kosovës do të jetë më i vogël, në krahasim me regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011.
“Në bazë të projeksioneve demografike dhe në bazë të qarkut migrator aktual që është në manifestim, do të dalim përsëri një numër më i vogël. Por, duhet të insistohet që në formularët për regjistrimin e popullsisë të hyjë edhe rubrika për kontingjentin e popullsisë në migracion, respektivisht të shfrytëzohet rasti që jo vetëm popullsia rezidente që punon dhe jeton në Kosovë, por edhe pjesëtarët e shoqërisë shqiptare në migracion, që të dihet numri i përgjithshëm”, thotë Blaku.
Ndryshe, emigrimi i lartë edhe sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese, pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit në vitet e fundit, kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç. /KultPlus.com
Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni nga premierat më të fundit botërore, deri tek filmat vendor që po vazhdojnë të korrin suksese.
Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe
ku t’i shikosh filmat më të rinjë, më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në
kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 9, respektivisht 6 filma të
ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora
23:00. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:
1) I Love Tropoja Pas suksesit të
jashtëzakonshëm të filmit “2 Gisht Mjaltë”, i cili mbetet filmi më i shikuar në
Cineplexx, Ermal Mamaqi sjell një komedi të re, me titullin “I Love Tropoja”.
Filmi flet për një djalë me
ambicie të mëdha për jetën, i cili shpreson që së shpejti do të vendoset në
pozicionin që meriton në kompaninë ku ai punon, por çuditërisht ndodh e
kundërta. Djali e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet
verior, në Tropojë, ku duket se shpresa ka vdekur bashkë me botën në mendjen e
tij.
2) Sonic The Hedgehog Bazuar në personazhin e famshëm nga loja
Sonic, filmi flet për një iriq shumë të shpejtë i cili gjen veten në planetinë
Tokë dhe duhet të përballet me një detektiv të ligë i cili dëshiron ta kapë që
të bëjë eksperimente me të.
3) Like a Boss Dy shoqe me ideale shumë të ndryshme nga njëra tjetra fillojnë një kompani bukurie së bashku. Njëra është më praktike ndërsa tjetra dëshiron të fitojë fatin e saj dhe të jetojë një mënyrë jetese të lavdishme. Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen edhe filmat familjarë, Call of the Wild, Playing with Fire, super aksioni Bad Boys 3 dhe filmi horror Fantasy Island, ndërsa në kinemanë në Prishtinë në shfaqje mbeten edhe Dolittle, dhe filmi Birds of Prey.
Adhurues të shumtë të filmit qëndruan në radhë të gjata të hënën e 17 shkurtit, vetëm për të pasur mundësinë t’i blejnë biletat për edicionin e sivjetmë të festivalit të filmit “Berlinale”. Disa prej tyre madje kishin qëndruar jashtë gjatë gjithë natës, në mënyrë që të ishin ndër të parët në radhë.
Disa prej të pranishmëve, ishin ndjekës të rregullt të festivalit ndër vite, andaj edhe po i kryenin rutinat e tyre të zakonshme të kampimit jashtë kabinës ku shiten biletat, në sheshin “Potsdamer Platz” të Berlinit.
Biletat janë në dispozicionin e publikut vetëm për disa ditë, para se të nis shfaqja e filmave si dhe një person ka të drejtë t’i blejë maksimumi 2 bileta për mbrëmje. Ndërsa çmimet e tyre ndryshojnë sipas kategorive të filmit, transmeton Koha.net.
Edicioni i 70-të i “Berlinales” është i pari në 18 vjetët e fundit, që nuk do të udhëhiqet nga ish-drejtori i festivalit, Dieter Kosslick. Me këtë rast, disa prej ndjekësve të rregullt të festivalit kishin shprehur pakënaqësitë e tyre rreth programit të filmave që do të shfaqen sivjet, duke i cilësuar si “shumë të errët”, pikërisht për këtë kohë kur njerëzit veçse janë të ngarkuar çdo ditë me çështje të komplikuara të cilët shfaqen nëpër televizione.
Hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtarë të filmit në Berlin, do të mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars, me ç’rast do të shfaqen gjithsej 342 filma, në mesin e tyre edhe një film kosovar. “Exil” nga Visar Morina do ta ketë premierën evropiane në kuadër të kësaj ngjarjeje prestigjioze kinematografike, duke u shfaqur për publikun më 24 shkurt në kinemanë “Zoo Palast 1”, në kuadër të programit Panorama. Ndërsa, vetëm 18 filma do të konkurrojnë për çmimet kryesore të “Berlinales”, atë “Ariu i Artë” dhe “Ariu i Argjend”. / KultPlus.com
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.
Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.
“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.
Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.
Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.
“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.
Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.
Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.
Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.
Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.
Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.
Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.
Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.
I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.
Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com
Kosova është e para në Ballkan për sa i përket pozitave ministrore të cilat drejtohen nga gratë.
REL ka nxjerrë statistikat ku Kosova prinë me 31 për qind.
Pason Serbia me 23 për qind. Më pas, Mali i Zi me 21 për qind. E pason Maqedonia njëjtë me 21 për qind, Kroacia me 20 për qind dhe Bosnje e Hercegovina me 17 për qind.
Kujtojmë se për herë të parë që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, që përbëhet nga 15 ministri, pesë prej tyre do to udhëhiqen nga gratë.
Ndërkaq, në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur po ashtu një grua, Vjosa Osmani e cila zëvendëse të parë ka po ashtu një grua, deputeten Arbërie Nagavci, transmeton Koha.net.
Ministret gra të votuara në Kuvendin e Kosovës janë Albulena Haxhiu, ministre Drejtësisë, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave – që të dyja nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami është emëruar ministre e Arsimit dhe Vlora Dumoshi Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërkaq, nga komunitetet joserbe, Emilia Rexhepi do të jetë ministre e Administrimit të Pushteti Lokal.
Kosova renditet e para në listën e vendeve më të lira të Evropës për sa i përket çmimeve të lira në restorante. Sipas portalit mbi kostot dhe cilësinë e jetës, Numbeo, Kosova renditet e para në Europë si më e lira, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit.
Në këtë listë Maqedonia renditet e dyta, e përcjellë nga Ukraina, Serbia , dhe Shqipëria.
Bosnja dhe Mali i Zi janë më të shtrenjtat e rajonit. Bosnja ka një diferencë të ngushtë me Shqipërinë, ku një drekë atje kushton mesatarisht 2527 lekë. Ndërsa Mali i Zi, i 12-ti në renditje, vlerësohet të jetë më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor, ku fatura shkon mesatarisht 3000 lekë, duke kaluar kështu edhe vende anëtarë të BE-së si Çekia apo Bullgaria, shkruan monitor.al.
Kujtojmë se me çmimet ishin ndarë të kënaqur edhe tifozët anglezë, të cilët kishin ardhur në Kosovë për ndeshjen që u zhvillua në nëntor mes Anglisë dhe Kosovës.
Në rrjete sociale ata në vazhdimësi kanë ndarë postime me miqtë e tyre se sa e lirë ishte Kosova për të jetuar. / KultPlus.com
Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë.
Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë. KALLXO.com ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.
Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.
Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.
Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.
PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në 6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6 (mbi mesatare).
Sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve
Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.
Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.
Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.
Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.
Ushtria e Kosovës janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të ju dalë në ndihmë. I gjithë vendi është mobilizuar që t’i ndihmojnë qytetarët në çfarëdo forme, madje shumë prej tyre kanë deklaruar që dyert e shtëpisë janë të hapura për të gjithë të lënduarit, viktimat apo ata që kanë mbetur pa shtëpi.
Poeti Liridon Mulaj ka reaguar në Facebook pasi ka par fotografinë e Ushtrisë së Kosovës teksa niset drejt Shqipërisë. Kjo fotografi e ka emocionuar shumë poetin i cili është shprehur se po ndihet si një i varfër që i del dikush në krah.
“Une du vetem me kjajt
si femija kur shoh kete foto se me duket sikur s’jena vetem. Si ai i vorfni qe
i del dikush krah”, ka shkruar Mulaj.
Kujtojmë që në Thumanë, aty ku
paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu
nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e
saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.
Në
Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për
të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e
madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga
rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në
Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për
t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai
humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër
person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u
përplasur për vdekje.
Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. / KultPlus.com
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thonë se Kosova është e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë pas tërmeteve që përjetoi.
“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti. Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, ka shkruar Thaçi.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë duke thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë shtetit amë.
“Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, shkroi Haradinaj. /KultPlus.com
Në kanalin YouTube është ngarkuar një video e cila ka mbledhur brenda vetes momentet historike të shqiptarëve, shkruan KultPlus.
Këto momente janë shoqëruar nën melodinë e këngës “Coming
Home” të Rita Orës, një prej vajzave shqiptare që ka arritur majat e suksesit
botëror dhe ka bërë shqiptarët krenarë jo rrallë herë.
Kjo video po pëlqehet e po shpërndahet shumë në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Pavarësisht humbjes që pranoi sonte, Kosova ka qenë njëra nga storiet më të mira të këtyre kualifikimeve. Me një kombëtare krejtësisht të re ajo arriti të shënonte disa fitore rradhazi si dhe të rivalizojë edhe përfaqësuese serioze siç ishte skuadra çeke, shkruan KultPlus.com
Merita të mëdha për këto momente që ka dhuruar përfaqësuesja e Kosovës i ka legjenda e futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili me punë të ndershme dhe me përkushtim kishte arritur ta anëtarësonte Kosovën në UEFA dhe FIFA, dy organizatat më të mëdha dhe më fuqishme të futbollit në botë.
Në një periudhë të rëndë sociale dhe politike, përfaqësuesja jonë u shëndrrua në një simbol e cila na mbajti së bashku pavarësisht dallimeve tjera. Një përfaqësim dinjitoz, një krenari në vete.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është duke u zhvilluar ndeshja historike mes Kosovës dhe Anglisë. Atmosfera në stadium ashtu si edhe jashtë tij është mbresëlënëse, shkruan KultPlus.com
Në duart e shikuesve nga Kosova ka një sërë pankartash që flasin për mirënjohjen e tyre ndaj shtetit të Anglisë.
Kujtojmë se forcat britanike kanë qenë pjesë e bombardimeve të NATO-së për çlirimin e Kosovës.
“Kur ne po përjetonim gjenocidin dhe dhunimin e grave, ju na i rritët shpresat tona për liri. Gjithnjë falënderues, Anglisë!” – shkruhet në një pankartë nga tifozët dardanë.
Tifozët kosovarë kanë treguar respektin e madh për Kombëtaren e Anglisë, para fillimit të ndeshjes Kosova – Anglia në “Fadil Vokrri”.
Në prag të ndeshjes, gjatë intonimit të himnit të Anglisë, të gjithë të pranishmit në stadium ngritën flamujt e Anglisë, raporton Insporti
Kjo ka lënë përshtypje te gazetari i njohur i “Mirror”, John Cross.
“Kur u intonua himni ‘God Save the Queen’, çdo tifoz kosovar ngriti një flamur të St George. Respekt”, ka shkruar John Cross. /Insporti.com/ KultPlus.com
Nga orën 18:00 në stadionin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, është duke u ndeshur kombëtarja e Kosovës me atë të Anglisë.
Një entuziasëm i madh ka nisur qysh në orët e para të mëngjesit, derisa në Prishtinë kanë ardhë edhe tifozë anglezë, miq të shtetit tonë.
Ambasada e Britanisë së Madhë në Prishtinë, pak para ndeshjes ka postuar disa imazhe në faqen zyrtare Facebook, ku shihen tifozë anglezë e kosovarë së bashku, ndërsa shkruhet:
“Gati është koha… që tifozët e Kosovës dhe të Anglisë festojnë së bashku në një atmosferë të shkëlqyer feste në qendër të qytetit. Le të fitojë ekipi më i mirë”.
Postimi i plotë:
It’s almost time… the excitement’s building in Pristina, as Kosovo and England fans celebrate together amidst a great party atmosphere in the city centre. May the best team win!
Mediumi i madh britanik, “The Guardian”, sikurse edhe shumë media tjera botërore, këto ditë po qëndron në Kosovë për të përcjellë atmosferën para ndeshjes së nesërme mes Kosovës dhe Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje kjo e vlefshme për Euro 2020.
Gazetari i rubrikës së futbollit në “The Guardian”, është në Prishtinë dhe ai përcjell tek lexuesit këtë atmosferë dhe historinë mes dy vendeve.
Këtyre ditëve, nga banesat e gjelbra në lagjen “Dardania” të Prishtinës mund të shihni një shkollë, një bibliotekë dhe një fushë futbolli të rrethuar. Ky ka qenë vendi më i vështirë i kryeqytetit të Kosovës, por ajo kohë tashmë ka kaluar.
Heshtja nuk sjell asnjë kërcënim dhe thyhet vetëm nga një zë në një banesë diku, ku një fëmijë e thërret nënën e tij. E poshtë, në hapësirën për lojë, dëgjohen goditje të kohëpaskohshme të topit teksa dy djem ushtrojnë – njëri me pajisje të plota prej portieri e tjetri përgjegjës për ta ushtruar.
Dy dekada më parë këtu ka qenë hapësirë e egër, e hapur me bar e dhe. Ka ndryshuar aq shumë, por në majë të ndërtesës më të lartë ka kujtime për atë që ka ndodhur dikur. Një strukturë e hirtë dikur ka qenë postbllok i ushtarëve britanikë që zbarkuan në Prishtinë më 1999, kur forcat e NATO-s erdhën për të ruajtur paqen dhe për të krijuar ambient të sigurt në një shtet që ishte shumë i traumatizuar dhe i shkatërruar nga lufta.
Teksa Atdhe Muharremi përshkon hapësirën, atij i kujtohen ditët e para pas kthimit të tij dhe familjes së tij në Prishtinë atë verë, pasi kaluan tre muaj si refugjatë në Maqedoni. Ata ishin të parët që u kthyen në zonën e tyre, në Taslixhe, në anën tjetër të qytetit dhe, siç thotë ai, ishte një “fillim i ri… koha për të ndërtuar një jetë dhe shoqëri të re sërish”.
Qyteti në fillim dukej i zbrazët e i shkretë, por teksa ktheheshin gjithnjë e më shumë njerëz, mundësitë për t’i shijuar rekreacionet e vjetra u rritën. Muharremi do të udhëtonte për në Dardani për të luajtur futboll në atë fushën me gropa. Kohë pas kohe, atyre u bashkëngjiteshin, vetëm për pak minuta, ndonjë i huaj.
“Djemtë e KFOR-it britanik ishin në patrullime dhe ndonjëherë hynin në lojë, luanim me top me ta”, thotë ai. “Ndalonin, flisnin me to, na bashkëngjiteshin. Ishte njëfarë mënyre lidhje përmes lojës, nuk na duhej gjuha e njëjtë. I shihnim si heronjtë tanë. Ishin shumë të mirë, shumë të dashur me ne. Ishte një dashuri e ndërsjellë e sigurt pa fjalë, e ndienim energjinë. Mund ta ndienim këtë dashuri”.
Pritja e për Anglinë dhe tifozët e saj është e jashtëzakonshme për ndeshjen e së dielës për kualifikime në Euro 2020, gjë që për Kosovën tashmë është betejë e humbur por do të kremtohet një marrëdhënie që vështirë se mund të ketë më të thellë.
Roli britanik, në mesin e një koalicioni ndërkombëtar, për t’i dhënë fund betejës brutale me forcat serbe nuk është harruar asnjëherë në Kosovë. Për këtë arsye edhe rrugët janë të emërtuara në bazë të Tony Blairit dhe Robin Cookut, të cilët ishin instrumental me politikat e tyre që çuan në dëbimin e trupave të Beogradit nga Kosova përmes NATO-s, dhe për ç’arsye edhe shumë fëmijë u emërtuan Tonibler. Dhe për këtë arsye qendra e Prishtinës është stërmbushur me posterë që ofrojnë falënderime ndaj 1,000 apo më shumë fansave që kanë mbërritur në kryeqytetin e Kosovës.
Fjalët e Muharremit nuk dalin lehtë; si një figurë me përvojë të gjatë me të kaluarat e vendeve e pyeti “Observer”-in, sa shpesh mund të thuhet sinqerisht se një komb ka dashuri kaq të thellë për një vend tjetër? Kushdo që kalon nëpër Bulevardin “Nëna Terezë” s’mund të shmang banerët “Welcome and respect” – bashkë me flamujt anglezë e kosovarë me një lulëkuqe – që shfaqen çdo 100 metra apo më shumë dhe ka pasur edhe shenja tjera të vogla. Një plan për t’u ofruar fansave anglezë alkool gratis nuk u realizua por kamarierët nëpër Prishtinë do të veshin fanella të veçanta.
Blodin Gagica është pronari i “Gagit”, një restorant mesdhetar 500 metra larg stadiumit kombëtar. Kur vëllai i tij më i ri, që ka një foto-studio, dizajnoi banerin “Welcome, brothers!” me fotografitë e Raheem Sterlingut, Fabian Delphit e Danny Roset, ai kërkoi edhe një për veten. Tani ajo qëndron në ballkonin e ndërtesës, transmeton Koha.net.
“Nuk e bëmë për vëmendje”, thotë ai. “Thjeshtë e bëmë për t’iu falënderuar për gjithçka. Asnjëherë s’kemi menduar se do ta kemi mundësinë ta themi në këtë mënyrë, para se të luanim futboll kundër Anglisë. Më sjell emocione të mëdha. Kur i pamë ushtarët britanikë thamë se ‘Zoti po nda ndihmon’”.
Dhëndëri i Muharremit, Shpetimi, u bë i famshëm kur një fotografi e tija duke luajtur futboll me një ushtar në Dardani u rishfaq online para se dy skuadrat të luanin në Southampton dy muaj më parë. Qindra persona tjerë kanë ndonjë tregim të tillë dhe ndikimi i forcave ishte i pabesueshëm.
Por Kosova nuk do të ishte një shtet kaq optimist pa vendosmërinë e popullit të vetë; ekipi i futbollit, i cili luajti ndeshjen e parë miqësore zyrtare pesë vjet e gjysmë më parë mund të arrijë Euro 2020 përmes play-offit, është reklama më e mirë e kësaj dhe Muharremi është krenar që janë në gjendje të jenë sikurse Anglia.
“Kurrë s’e kam menduar se do të luanim me ta për 20 vjet, dhe kurrë s’e kam menduar se do të kemi një skuadër kaq të fortë për t’iu bërë ballë atyre”, thotë ai. “I duam futbollistët tanë; na kanë bërë të ndihemi më shumë kosovarë”.
Teksa ai flet, fëmijët në fushën e betonit – të cilët janë të moshave rreth 11 vjeçe, sa mosha e Muharremit kur ishte kthyer më 1999 – vazhdojnë të luajnë, njëri nga ta bën lojë të mirë duke bërë goditje të mira me këmbën e tij të majtë. Ai është i veshur me fanellën e Kosovës dhe sqaron se ka ushtruar një kohë në një akademi në Kroaci.
Vetëbesimi i tij flet për Kosovën moderne, reflekton në identitetin që futbolli po ndihmon të gdhend. Kullat e sipërme dëshmojnë një lojë të mbushur me shpresë përsëri; por kjo ngjan me një botë larg kohës kur, nën shoqërinë e atyre ushtarakëve britanikë, ishte çlirim vetëm të luaje.
“Kur isha i ri ëndërroja të luaja në fanellën e Kosovës sikurse kjo”, thotë Muharremi.
E tani, duke iu falënderuar pjesërisht ndihmës britanike, djemtë e vajzat në Kosovë nuk kanë nevojë më të imagjinojnë. Koha.net / KultPlus.com
Kosova u përpoq shumë që t’i bëjë anglezët të ndihen mirë në vendin e tyre.
Nëpër qytet u varën parulla që shkruanin “Mirë se vjen, vëlla”, dhe përshëndetje të tjera.
Kryetari i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, tha se kosovarët i janë mirënjohës Anglisë jo vetëm për atë që ka bërë për vendin e tyre, por edhe për faktin që në Angli ka shumë kosovarë.
Ndërkohë, vizitorët e thjeshtë kanë mbetur të kënaqur me çmimet dhe ushqimin në Kosovë, duke postuar në rrjete shoqërore përvojat e tyre.
Të dielën në Stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja kualifikuese për Euro 2020 në mes Kosovës dhe Anglisë.
Ambasada e Britanisë në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, ka përshkruar Kosovën si vend mikpritës dhe me njerëz miqësorë.
“Thirrje për të gjithë fansat e Anglisë të cilët udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së dielës Kosovë-Angli. Një mikpritje e ngrohtë iu pret në Kosovë, vend i famshëm për mikpritje dhe njerëz miqësor. Bëni qejf, bëni miq dhe shijojeni ushqimin e shkëlqyeshëm dhe natyrisht futbollin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës angleze. Top Channel / KultPlus.com
Sot në orën 16:00 ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e shumëpritur, Kosova – Anglia.Kosova – Anglia është takimi i fundit që kombëtarja e Kosovës e zhvillon në kuadër të ciklit kualifikues për ‘Euro 2020’, shkruan Insporti.
Pak çaste më parë, ueb-sajti në fjalë u kthye në sistem, derisa është parë se biletat në tribunat P2, P3 dhe P4 janë shitur.