Koha është të duhemi, të kesh besim në mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës, do ta ndez llambën në kullë, do ta hedh farën në tokën e re. Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. /KultPlus.com
Si ditë e plotë ai shtjellej Me re dhe erë mbi atdhe. Një emër, Gjergj, e kish si diellin, Tjetrin si hënën, Skënderbe.
Dy brirë dhije kish mbi krye, Emblemë e vjetër e çuditshme, Sikur ta dinte që mes brinjëve Dy perandorë do të godiste.
Njëzet e katër luftra bëri. Njëzet e katër vdekje theu. Çka mangut linte ditën Gjergji, Plotësonte natën Skënderbeu.
Pas vdekjes eshtrat iu ndanë, Në mijëra varre ato u shtrinë. Gjithçka të shumtë ai e pati. Të vetmen kish vec Shqiperinë./KultPlus.com
TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON
Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë: Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.
Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë, E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare, Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija, Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija, Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,
skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com
Pse s’vjen o dit’e mirë Pse vallë nuk vjen? Gjer kur në errësirë? Mos Zoti të pëlqen?
As hidhe gardhë, Dhe shpejto pakë O dit’e bardhë, Dhe jakë,jakë
Se të pres, Nuk vdes
Jak’o dit’e uruar Që lind nga perendon, At’an e ke ndrituar E ne pse na harron
Dritëz’e jetës Edhe e motit Dhe se vertetës, Dhe gaz i zotit,
Ndritna E zgjohna.
Kjo poezi që hyn në mesin e poezive të tjera të njohura si “Fyelli”, “Bilbili”, “Fjalët e Qiririt”, “Jeta”, e shumë poezi të tjera kanë luajtur një rol të rëndësishem në simbolikën e mendësisë shqiptare.
Ajo çka vërejmë në poezitë e tij janë dhimbja, mërgimi, largimi, malli e vuajtja e autorit, brenga e autorit dhe zjarri i fshehur brenda tij që Naimi e përçon te ne përmes poezisë. / KultPlus.com
Nuk kalon nji natë e n’andërr porsi zgjandërr e shof nanën këtu përbri; me krye vjerrte, me lot për sy rri tue shfry njat idhnim që don me e gri Ndejun m’duket prap te votra ku me motra n’dritë t’kandilit qepte e arnote por njat gaz ka që i shndritte kur goditte petkat e djalit e shendote Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe kur nuk kishe fije idhnimi nëpër ftyrë e ngurron, si t’kenke gurit e, pshtetë murit lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë “T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë – thotë sa herë, – Afër nanës qe t’desh e t’ruejti; t’kishe mbyllë me duer te mia këtu te shpia njata sy qe mordja shuejti Afër vorrit tand nan-shkreta porsi bleta ishte sjellun tue gjimue e n’at bar qe kishte qitë për gjithë ditë ndonji lule kish kerkue…” …E mandej, si del nji krue tue bumue rreth e rreth prej brijes s’malit rrkaj i ulen lot’ per rrudha – Nuk asht udha nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit Kur n’kët shekull n’drit’ e qite kur e rrite me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh) “Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke, bir n’kët dhe nana jote a shqiptaria Mend e zemër për të shkriji e përtriji nam e lavd kur t’i vijë dita” Mbas fjalësh t’tua përherë shkova e t’ndigjova: shqiptarin’ nuk e korrita./KultPlus.com
Nga po na vjen, moj erë e rreptë? Pse vërshëllen me aq mallëngjim? -Vij drejt nga malet e Shqipërisë, për të përhapur zi e vajtim. Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn, drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Nga ata male, moj erë trime, ç’lajme të reja po na ke siell? Pse je e vrerët dhe e helmuar? qiellë me zi përse na e mbiell? Fryn, moj erë, etj.
Pse e ke synë të trubulluar e rent kaluar mi t’zeza re? Pse të pikojnë lottë të zeza, lottë të zeza posi rrëke? Fryn, moj erë, etj.
Syri m’u err nga ato që pashë Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot. Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar, rent ta haroj, po rentkam më kot. Fryn, moj erë, etj.
Atje tek losnja në fush’ të Korçës, duke u hedhur lis më lis, një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër, ma vrau shpirtin ay filis. Fryn, moj erë, etj.
Tokat pushonin, prift nukë dukej, e pakënduar na u varros; mihnë dëborën, i bënë varrë, shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos. Fryn, moj erë, etj.
Atje mi varrë qante një grua, një grua qyqe me mallëngjim; burrën të qante më par’a çupën, për kë të bënte më par’vajtim? Fryn, moj erë, etj.
Renda e ika e fluturova, po dhëmbjen time ku do ta fsheh? Çava oqeane, dete dhe male, po vajtoj edhe sikundër sheh. Fryn, moj erë, etj.
-Moj er’e rreptë, erë malsore, shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu; sytë m’u errë si ty dhe mua, mëndja në kokë më bubullin. Fryn, moj erë, etj.
Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë dhe un’i varfri një porosi: një re të madhe dërgo të zbresë e ta ngarkojmë me lott’e mi. Fryn, moj erë, etj.
E kur të kthehesh nga Shqipëria, Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh, dhe lott’e mia si vesë qjelli dalë nga dalë do t’i pikosh. Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj, derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com
Telefoni po merr nje sy gjume para ardhjes sate Abazhuret varen te heshtur mbi pritjen Perbindeshat mbi qilimin e dhomes dremitin te qete
Ora kaloi Ti u vonove Drita e abazhureve u be e keqe Si i vrare telefoni ka rene permbys e s’merr fryme Tani perbindeshat filluan te levizin Ja, po zgjohen me leshra te kerleshura mbi qilim
Ti do vish patjeter te qetesosh gjithcka./ KultPlus.com
Kam dashur, po dua tani më me zjarr, Kam qenë shërbyes, tani jam një skllav, Me ç’zell kam shërbyer këdo! Por befas më ndezi kjo mike besnike, Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike, Per mua s’ka tjeter si kjo!
Besova, tani besoj me pasion! Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon, Besimi prej eje s’mërgohet! Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin, Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin, Por qielli nis prapë kthjellohet!
Kam ngrënë, tani po ha sa për tre, Me ndriti krejt shpirti e zemra më rreh, Gjithçka e harroj mes defrimi! Rinia me zjen bërtas e gajas, Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas, Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!
Kam pirë me parë, tani s’lë sapllak, Dhe vera na ngre, na bën me cakmak, Dhe gjuhën na gjidh nga zinxhirat! Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim, Na ndez kaq deshira, na ngjall kaq besim, S’na ndalin hendeqet, rrepirat!
Në valle jam hedhur, ne valle marr zjarr, Asnje shilarthar dhe asnjë valltar S’erdh rrotull në valle si flutur! Dhe kush shumë lule ia doli te thurë, Dhe kurre s’i ndau, s’i shkeli në turr, I mbeti kurora e bukur!
Ta thurim kurorën! Mos kini ngurrime! Kush merr trëndaflin plot vese e shkelqime E çjerr veç pak gjëmbi i mprehtë. Si dje edhe sot shkelqejnë fort yjet, Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshëm ul kryet Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!./KultPlus.com
Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.
Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.
Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.
“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”
Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.
Tani jam një vit më i madh se Naimi, dyfish më i moshuar se Migjeni dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.
Për ditëlindjen time pimë nga një gotë verë me Veronikën nga Kili dhe Mihain nga Bukureshti.
Ç’rastësi Të tre kemi njohur nga një diktaturë (unë dy a tri) dhe kemi ëndërruar botën e lirë. I cakërrojmë gotat dhe themi: Gëzuar! Secili në gjuhë të vet; në Paris, në botën e lirë (A thua, vërtet?)
Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë! / KultPlus.com
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë? Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit Ra përmbi tryezë.
Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë Si palaço të punojë Në cirkun e verdhë.
Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë -që të dy prej letrës së verdhë- Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin Dashurinë, poezinë. E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig -të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë Prej fjalësh të pathëna Dhe prej mëlçisë së zezë.
Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet Në pritjen e vet Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve Të fikura derdhin kot Si një pikë në det Jemi si yje Në qiell. Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak Dashuria s’është ilaç as helm. Me kokën time e krijoj Me duart e mia dhe eci nëpër planet. Natën e mirë: Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com
Poezi nga Rumi Që nga fillimi i jetës time Jam duke kërkuar fytyrën Tënde Por sot e pashë.
Sot e pashë tërheqjen, Bukurinë, Mëshirën e papërshkruar Të fytyrës që po e kërkoja Ditën që të gjeta Ty.
Dhe ata që dje më qeshnin Dhe më fyenin Tu vie keq Që nuk kërkuan ashtu si kërkova unë.
Jam mahnitur nga madhëria e bukurisë Tënde Dhe do të dëshiroja të shikoja me njëqind sy. Zemra më është djegur me pasion Dhe e ka kërkuar përherë Këtë bukuri të mahnitshme që tani e mbajë.
Më vie turp ta quaj këtë dashuri njerëzore Dhe kam frikë nga Zoti ta quaj Hyjnore.
Era e aromës tënde, sikurse flladi i mëngjezit Erdhi tek qetësia e kopshtit.
Më fryve jetë të re në mua Jam bërë hija dhe rrezja jote e diellit.
Shpirti im thërret në ekstazë. Çdo fije në qenien time ka rënë në dashuri me Ty. Shkëlqimi Yt ka ndezur një zjarr në zemrën time Dhe e ke bërë të qartë për mua Tokën dhe Qiellin.
Shigjeta ime e dashurisë arriti cakun.
Jam në shtëpinë e mëshirës.
Dhe një vend lutjesh zemra ime u bë. /KultPlus.com
Poezi nga Sali Bashota Ka ra malli Ka ra malli me fjetë Si dashuria Me përkund të njëjtin fat Me dashtë një dallëndyshe Me flatra të bardha Si dikur Me ikë e me pa dhimbjen Si nuk vdes në shi Me e marrë me vete Atë zjarr të buzëve Me ia heq shkrumbin Deri te pragu i vendlindjes Pa lënë asnjë gjurmë Si dikur Ka ra malli me fjetë Si dashuria për ty/KultPlus.com
Ri mbështetur në tryezë Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë, Pa vjen malli të më ndezë Zjarr në zemër, zjarr në ballë.
Asohere dyke pritur I marr tëmbëlat nër duar E qëndroj krye-venitur Me vështrim në kraharuar.
Sbret një yll prej lartësije, Një të ndritur shkrepëtime — Pasi flakë e posi hije Ajo ryn në zemër t´ime.
E kuptoj me shpirt të sosur Si kullon dale-nga-dale, E si fjalës së palosur M´i hap kindën e një pale…
Unë qit një psherëtitje, Thyem pak e zë të shkruaj, Dhe më shkon më një pulitje Kur një dit´ e kur një muaj.
Mëndjen t´ime-e merr dëshira, Ndjej në gjit një këngë gjaku, M´i fal syrit plot çudira Këjo odë varfanjaku:
Këjo oda s´ka mënyrë Ku të kryet, ku të nisë Ndaj më ndrin si në pasqyrë Drita e Përjetësisë.
Po çudi tani më fal-ti, Zjarr, që djeg në shkrepëtimët! Dyke ngjitur për së nalti Fërfëllon një flakë-a himët…
Me kullim të pashteruar Ajo del prej vetes s´ime, Del nga shpirt´ i përvëluar Nër një mijë shkëndijime.
E si shkoj që prej së felii, Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija? U nxi dheu?… U shua qjelli?… U bë natë gjithësija?… S´është gjë: veç yll´i vetë, Më s´më djeg në kraharuar: Unë shoh me gas të qetë Këngëzën e përvëluar./KultPlus.com
Janë shpallur sot fituesit e edicionit të IV-të të konkursit të përvitshëm për Çmimin Letrar Vexhi Buharaja 2023, përcjell KultPlus.
Juria profesionale e përbërë nga Ymer Çiraku, Diana Kastrati, Agim Baci, Aleksandër Çipa dhe Yzedin Hima kanë vendosur që çmimet të ndahen si në vijim.
Në përkthim – Granit Zela, Shqipëri, në poezi – Vlora Ademi, Kosovë dhe Rozafa Shpuza, Shqipëri.
Ceremonia e çmimit do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 24 Maj 2023, ora 11:00 në Bibliotekë. / KultPlus.com
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./Kultplu.com
Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Apolloni.
Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e gëzoj dhe provoj të dehem e ndjej që ikën larg shumë larg, për mjerimin e shpirtit tim mjerimi im i trishtë. Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër dhe ta thith gojën, gjatë, papushim, jam i trishtuar, vogëlushe, sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur duke të dashur kaq keq. Ti ma jep gojën tënde dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur sepse shpirti në ne është shumë i lodhur nga ëndrra tash t’ëndërruara. Por jam unë, jam unë frikacaku, dhe ti je kaq lart saqë, kur mendoj për ty, nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie për atë pak gëzim që më jep, s’di a për tekë a për mëshirë. Bukuria jote është bukuri e trishtë të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja, por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr. Kur të flas për gjërat më të ëmbla dhe të shtrëngoj në zemrën time dhe ti nuk mendon për mua, ke të drejtë, vogëlushe: unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak. Dhe ja, ti je për mua asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë me sy të mëdhenj ëndrre, që për një orë më shtrëngohet në zemër dhe më mbush plot me gjëra të ëmbla, plot keqardhje. Kështu më ndodh kur i dërrmuar shtrydhem për të futur në vargjet e lehta një hov timin të trishtë. Një lule e përkohshme poezie asgjë më shumë, dashuria ime. Por ti nuk e di, vogëlushe, dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj. Do të vazhdoj, lule e vogël bionde, që kaq shumë ke vuajtur në jetë, të ta sodis fytyrën që të qan edhe kur buzëqesh -oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde! nuk do ta dish kurrë, vogëlushe – do të vazhdoj të adhuroj pranë teje gjymtyrët e tua të vogla melodioze që kanë ëmbëlsinë e pranverës dhe janë kaq prekëse dhe aromatike saqë unë gati sa nuk çmendem nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë duke i mbërthyer në trupin e tij. Do të vazhdoj të të adhuroj, të të puth dhe të vuaj, deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka duhet të marrë fund. Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën, por do të çirrem nga dhimbja dhe do të puth në ëndërr dhe do të shtrëngoj në gjoks iluzionin e zhdukur. Dhe do të shkruaj për ty, për kujtimin tënd zemërthyes pak vargje vajtuese që ti nuk do t’i lexosh kurrë. Por mua do të më qëndrojnë mizorisht të gozhduara në zemër përgjithmonë./KultPlus.com