Ministria e Kulturës në Shqipëri premton ndriçimin e 15 kalave

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Elva Margariti ka publikuar një projekt që pritet të ndodh përgjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Margariti në facebook ka shkruar se do të arrihet ndriçimi i 15 kalave në Shqipëri.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Elva Margaritit:

Ditë të mbarë!  #Punëtqëçojmëpërpara2021

Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohen 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke u kthyer krenarinë e harruar. / KultPlus.com

Ministria e Jashtme e Shqipërisë vazhdon promovimin e gjuhës shqipe në biblioteka të Malit të Zi

Iniciativa e Ministrisë së Jashtme në Shqipëri për libraritë dhe bibliotekat shqip në Mal të Zi po vazhdon, shkruan KultPlus.

Ministri Gent Cakaj ka bërë të ditur se kanë mbeshtetur ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në Tuz.

Pas mbështetjes financiare për ngritjen e librarisë së parë me literaturë në gjuhën shqipe në Ulqin, kemi vendosur të japim mbështetje financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në qytetin e Tuzit”, ka shkruar Cakaj.

Përveç premtimeve për mbështetjen e mëtutjeshme të shqiptarëve të Malit të Zi, ministri ka thënë se do të hapet së shpejti edhe Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin. / KultPlus.com

100 vjet më parë, Shqipëria anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve

Si sot, 100 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve.

Presidenti Ilir Meta, duke kujtuar këtë datë të shënuar, u shpreh se, “ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913”.

“Mundi, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, sidomos përpjekjet diplomatike të patriotëve, kudo ku ndodheshin, veçanërisht të Federatës Patriotike “Vatra” dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, u kurorëzuan nëpërmjet këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm, që e pranoi Shqipërinë, edhe pse të lodhur e të copëtuar nga Lufta e Parë Botërore, si të barabartë mes të gjitha kombeve, me të drejtat dhe detyrimet, që buronin nga anëtarësimi në këtë organizatë”, tha Meta.

Presidenti shprehu, “mirënjohje për kontributin e spikatur të Presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i cili nëpërmjet planit të tij prej 14 pikash hodhi themelet e një paqeje të barabartë në Europë, krijimin e konceptit të kombeve me të drejta të barabarta, pavarësisht madhësisë së tyre dhe vizionin për një organizatë të sigurisë kolektive si Lidhja e Kombeve”. /ata/ KultPlus.com

Me fanellën kuq e zi, gjimnasti me origjinë ruse shpall Shqipërinë kampione Evrope

Shqipëria ka arritur të fitojë një medalje të artë në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës, falë atletit rus i pajisur me pasaportë shqiptare, Matvei Petrov. Në garën e zhvilluar në Mersin të Turqisë, Petrov fitoi më shumë pikë se të gjithë në kategorinë “kalë me doreza”, duke i dhuruar Shqipërisë kështu për herë të parë rezultat historik. 

Pas Petrov, qëndron një tjetër shqiptar. Ai është stërvitur shqiptari Alon Hasa, i cili është president i klubit Sk Hradcani në Pragë si edhe zotëron një nga palestrat më të mira për gjimnastikë. Në përfundim të garës, Petrov ka shpjeguar edhe lidhjen e tij me Shqipërinë.

“Kur nuk u kualifikova për Lojërat Olimpike 2016, unë e përfundova karrierën time si gjimnast dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner. Unë nuk kam menduar për të ndjekur një karrierë si gjimnaste. Por ndërsa punoja si trajner, gjeta pak kohë të lirë, kështu që fillova përsëri stërvitjen dhe kuptova se isha akoma në gjendje të mirë. Dhe unë isha me fat sepse drejtori i palestrës ku unë punoja, Alon Hasa ishte shqiptar. Kështu filloi historia ime me Shqipërinë “, tha Matvei Petrov./shqiptarja/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=5_mEEqHjIAs&feature=emb_logo

Familja e Klodian Rashës me një letër publike: Protestat po na i thellojnë dhimbjet

Katër ditë pas humbjes së djalit, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.

Top Channel ka siguruar këtë letër, për të cilën një nga anëtarët e familjes Rasha i konfirmoi se ajo është letër publike për të gjithë shqiptarët. Në letër, anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.

Kështu nis letra publike e familjes së 25-vjeçarit, vrasja e të cilit ka ngritur në këmbë mijëra vetë në protesta që janë përshkallëzuar prej tri ditësh në dhunë.

“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”.

“Djalit tonë”, shkruhet më tej në letër, “ia mori jetën arma e një polici”.

Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.

“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”. /express/ KultPlus.com

104 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 104 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Pas vrasjes së 25 vjeçarit, dorëhiqet ministri i brendshëm i Shqipërisë

Pas trazirave në Shqipëri ku mbeti i vrarë nga policia i riu Klodian Rasha, ministri i punëve të brendshme, Sandër Leshaj ka dhënë dorëheqje, shkruan KultPlus.

Ministri i brendshëm nëpërmjet një deklarate drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë dorëheqjen e tij pas protestimeve të shumta rreth vrasjes së 25 vjeçarit.

“Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka thënë në deklaratë Leshaj.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e ish-ministrit të brendshëm, Sandër Leshaj:

Deklaratë e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj

Tiranë, 10.12.2020

Edhe pse në jetën time kam pasur shumë detyra të rëndësishme shtetërore, kurrë nuk kam luftuar apo bërë përpjekje të posaçme për të marrë ndonjërën prej tyre. Të gjitha kanë ardhur si produkt rrethanash të caktuara, ku unë kam qenë i thirrur.

Kur u thirra nga Edi Rama për të kryer detyrën e ministrit të brendshëm në vitin 2018, isha krejt i vetëdijshëm për atë që më priste. Duhej të ecja në një fushë të minuar herët, që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar.

U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue.

Edhe unë me ndërgjegje të plotë vendosa të “baj nji marri”, sepse nuk mund të tregoja dobësi.

Isha i qartë se e gjithë përpjekja ime do të ishte vetëm në funksion të konsolidimit të shtetit shqiptar, dhe se pikërisht për këtë arsye, do të isha në shënjestrën e atyre që shtetin shqiptar e luftojnë sistematikisht që nga dita e krijimit të tij. Në se nuk i njihni, mundohuni të kujtoni ata që vënë zjarr mbi institucionet e Shqipërisë, vrasin dhe plagosin policët e saj, që e vjedhin, e shajnë dhe e shëmtojnë pa mëshirë atë.

Nuk kam pasur për asnjë çast iluzionin se unë do ta ndryshoj ministrinë apo Shqipërinë. Megjithatë jam përpjekur me të gjitha energjitë e mia për të lënë një gjurmë normaliteti në ushtrimin e detyrës.

Pas dy vjetësh, deklaroj me përgjegjësi të lartë se Shqipëria është një vend më i sigurtë, me më pak vrasje, më pak banda, më pak kanabis, më pak aksidente dhe me më pak krim se kurrë më parë në historinë e 30 vjetëve të fundit. Kjo tablo nuk është meritë e imja, por e qytetarëve shqiptarë, e policëve shqiptarë dhe e gjithë atyre që punojnë përditë për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, ata që historikisht e kanë vrarë, djegur, vjedhur, dhunuar, turpëruar dhe shëmtuar Shqipërinë, po përpiqen sot që të gjejnë një pretekst për të nisur një sulm të ri kundër vendit, në vijim të përpjekjeve për ta mbajtur atë në gjendje amullie dhe larg trungut amë europian.

Të aftë për të mos pasur turp as márre përpara asgjëje, ata po përpiqen të përdhosin një mort të dhimbshëm të një djali të ri, të vrarë padrejtësisht nga një punonjës policie që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, për të sulmuar barbarisht policët e tjerë të Shqipërisë dhe institucionet e shtetit tonë.

Ministria e Brendshme është pozicionuar menjëherë drejt, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e punonjësit të policisë që sollën vdekjen e një qytetari, duke bërë kështu një akt elementar përgjegjshmërie, por edhe të pazakontë në historinë e re të vendit.

Qytetarët e Shqipërisë nuk mund të harrojnë kurrë se ata, që sot ngrenë gishtin për të akuzuar dhe dorën për të goditur, më 21 janar 2011 vranë katër qytetarë, plagosën qindra të tjerë, në një kasaphanë politike barbare në mes të kryeqytetit, dhe e thelluan më tej mynxyrën, duke shkatërruar provat e krimit shtetëror dhe duke refuzuar madje edhe zbatimin e urdhrave të prokurorëve për arrestimin e autorëve, gjë e panjohur në ndonjë vend normal. Nuk mund të harrohen ata që kurrë nuk kërkuan as ndjesë për masakrën që dirigjuan vetë dhe që vijojnë edhe sot që ta quajnë të drejtë këtë turp të madh përpara Zotit, popullit dhe shtetit shqiptar.

Përballë përpjekjes së autorëve të 21 janarit 2011 për të kërkuar sot një pretekst të ri për të mbjellë dhunë mes shqiptarësh bazuar mbi një episod tragjik dhe fatal, si dhe me vetëdijen e plotë se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës.

Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata.

Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë.

Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.

Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.

Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë.

U identifikova me vetëdije me çdo polic të Shqipërisë dhe i mbeta besnik këtij standardi.

Edhe sot besoj se tek punonjësit e policisë qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm, për sa kohë ministri pajtohet dhe pranon sjelljet apo qëndrimet e këtyre punonjësve.

Të gjitha gjërat që arrita të bëj në shërbim të konsolidimit të shtetit shqiptar janë hipoteka ime e rëndësishme që më bëjnë sot personalisht të ndihem mirë përpara qytetarëve shqiptarë dhe plot mirënjohje për kontributin e gjithë personelit të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe atë të bashkëpunëtorët e mi.

Në të njëjtën kohë, u përpoqa dhe arrita që të mos ta ndryshoj veten time. Mbeta ai që isha, me të njëjtën strehë familjare, me të njëjtën familje, me të njëjtët miq. Nuk mora asgjë nga posti, përveç pagës që ishte më e ulët se të ardhurat që kisha përpara se të bëhesha ministër, nuk bleva, nuk shita, nuk ndërtova, nuk……

Të gjitha këto gjëra që nuk bëra janë sot pasuria ime e pafundme që më bën të ndihem i fortë si shkëmb, i pastër si dritë dhe jashtëzakonisht i qetë.

E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.

Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë.

Ky akt vjen edhe si shenjë falënderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, kjo është edhe shprehje dashurie, pse jo edhe një urim për Krishtlindjet, ndaj familjes time, asaj shumë të madhes, të madhes dhe të voglës, për të cilët mungova pothuajse krejtësisht për më shumë se dy vjet dhe që, megjithatë, vijuan të më duan e të më mbështesin si gjithmonë fort dhe pa kushte.

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË! / KultPlus.com

12 artistë pikturojnë gjatë pandemisë Shqipërinë nga Jugu në Veri

Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.

“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.

Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit

“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.

Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

8 Dhjetori, Basha: 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë

“Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit, le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson Kreu i PD, Lulzim Basha në përkujtim të Lëvizjes Studentore të 30 viteve më parë.

Basha shprehet se “’E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimi”

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan.  Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson kreu i PD, Basha. / atsh/ KultPlus.com

15 vjet isopolifonia shqiptare në listën e UNESCO-s

Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.

“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.

Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.

“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.

Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.

Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.

Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka uruar Pavarësinë e Shqipërisë në 108 vjetorin e saj, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të NATO-së në facebook, NATO ka uruar shtetin shqiptar, duke i ftuar të tjerët në festimin e kësaj dite.

“Bashkohuni me ne në festimin e Aleatit tonë #Albania në Ditën e Pavarësisë së tyre.

#Ne jemiNATO”, ka shkruar Alenaca Veriatlantike.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009. / KultPlus.com

28 Nëntori bashkon tre ministrat e jashtëm shqiptarë

28 Nëntori përveç që ka qenë shënim i sukseseve kombëtare, sot është edhe ditë unfikuese për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Këtë e dëshmuan tre ministrat shqiptarë nga tre vendet me popullsi shqiptare, teksa u lidhën në një video telefonatë.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradina-Stublla, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj si dhe Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u bashkuan virtualisht për këtë ditë të madhe të kombit.

Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë. / KultPlus.com

Shqipëria e shekullit të XIX sipas piktorëve të huaj

Piktorët shqiptarë vazhduan të pikturonin motive fetare sipas kanoneve të artit post-bizantin deri në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ata pothuajse nuk arritën të krijonin as një imazh të botës reale, të jetës së përditshme, ose një peizazhi të natyrës së vendit. Kjo mungesë thelbësore e historisë dhe kulturës shqiptare u plotësua nga piktorë të huaj.

Gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, pikërisht kur populli shqiptar u gjend në syrin e stuhisë, dhe së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit atyre iu desh të luftonin kundër osmanëve. Kjo rriti vëmendjen e piktorëve të huaj ndaj Shqipërisë. Lufta, rezistenca, emigrimi gjatë pushtimit osman, ishin temat e shumicës së pikturave në ato vite. Më të vjetrat janë portrete të Skënderbeut, të tilla si piktura, Rrethimi i Skutarit nga Paolo Veronese (1528-1588) e cila ruhet në Pallatin e Doges në Venecia. Mendohet se Gentile Bellini (1429-1507) bëri portretin e parë gjatë periudhës në të cilën Skënderbeu ishte në Itali për të ndihmuar Ferdinandin e Napolit.

Piktorët e huaj ishin të magjepsur nga rrobat shumëngjyrëshe, peisazhet, dhe gjithashtu nga krenaria e shqiptarëve. Disa piktorë të njohur janë Camille Corot (1796-1875) me Vajze shqiptare, Eugene Delacroix (1796-1863) me pikturën Çift shqiptaresh, Leon Gerome (1824-1904) i cili bëri rreth 30 piktura me tema shqiptare.

Pikturat e Gerome janë ndër më të bukurat nga të gjitha ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë, midis të gjithë piktorëve të huaj. Edward Lear anglez, gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri midis 1848-1849, pikturoi rreth 100 fotografi. Midis pikturave të ndryshme nga Lear me temë shqiptare, litografia Gjirokastra dhe akuareli Ura e Bahçallekut, janë të rëndësishme jo vetëm për vlerat artistike, por edhe sepse përshkruajnë dy monumente të kulturës shqiptare me shumë vlera që nuk ekzistojnë më sot: Ujësjellësi i Gjirokastrës dhe ura mbi Drinin, afër Shkodrës. Puna e Lear-it është dëshmia e vetme e këtyre monumenteve të rëndësishme.

Lear ishte shumë i magjepsur nga Shqipëria, nga njerëzit dhe veshjet popullore. Në pikturat e tij ne kemi përfaqësuar peisazhet e mrekullueshme shqiptare dhe pothuajse gjithmonë ka njerëz të veshur me rroba tradicionale.

Të gjithë këta piktorë të huaj ndihmuan në sjelljen e një jete nga ajo periudhë pasi nuk ka mbetur as një pikturë nga periudha realiste nga piktorët shqiptarë./Mario Bellizzi/ KultPlus.com

Shqipëria në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit

Organizatorët e Eurovisionit kanë konfirmuar se 41 vendet që pritej të merrnin pjesë në maj në Rotterdam të Holandës do të jenë pjesëmarrëse në vitin 2021.

Grupi i Konkursit të Eurovisionit është pajtuar që të mos vazhdojë me një short të ri të alokimit në muajin janar. Kjo nënkupton se të gjitha vendet që ishin caktuar për gjysmëfinalen e parë dhe të dytë do të performojnë në Ahoy Arena më 2021.

Në këtë formë ruhet edhe validiteti i biletave të blera nga fansat e Eurovisionit për edicionin 2020.

Shqipëria do të performojë në gjysmëfinalen e dytë.

Në gjysmëfinalen e parë, më 18 maj 2021 paraqiten këto shtete:

Kurse në të dytën, më 20 maj 2021, do të performojnë këto vende:

KultPlus.com

‘111 arsye për të dashur Shqipërinë’, gjermani i apasionuar pas tokës së shqiponjave

Turistin gjerman Joerg Doisher e kemi takuar verën e 2019  në Tiranë teksa përpiqej të orientohej në kryeqytet, por me të këqijat dhe të mirat e saj ai e ka pranuar Shqipërinë.

Për më shumë se një dekadë Jorg ka zbuluar jugun dhe veriun e vendit tonë, për të rrëfyer më pas në një libër 111 arsyet për ta dashur Shqipërinë.

Jorg ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 2006 , e tregon se pasi është larguar drejt Berlinit ka pasur dëshirën të shkruajë për përjetimet e tij këtu. Më pas ikje ardhjet këtu ishin të shpeshta, nuk numërohen. Ndërsa prej një viti shtëpia e tij është kthyer Lukova.

Për shkrimtarin gjerman libri është një deklaratë dashurie për një nga vendet më të bukura në botë, i cili gjendet ngahera në ndërtim e sipër. /tch/ KultPlus.com

Spektakël i rrallë hipizmi në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo

Darëzeza e Fierit mori një tjetër dimension turistik.

Me qindra pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria e Kosova përjetuan spektaklin e rrallë të hipizmit në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi lidhur me organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportivo turistik u shpreh se “kalorës të apasionuar pas kalërimit nga Fieri, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi i vunë një kurorë të artë turizmit tonë bregdetar”.

“Mirënjohje për organizatorët fierakë dhe Shoqatës “Bilali” të hipizmit që e kthyen Darëzezën tonë në pistën me fantastike të hipizmit mbarëkombëtar”- tha Subashi.

Për herë të parë bregdeti i Darëzezës në Fier është shndërruar në një “pistë” hipizmi.

Iniciatorët e kësaj gare u bënë disa të rinj fierakë, të cilët prej janarit të këtij viti çdo ditë për hobi bënin shëtitje me kuaj në bregdet. Gara u zhvillua në bregdetin e Darëzezës dhe Pishporos për shkak të gjatësisë të pandërprerë, prej 10 km.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan dy gara, një garë shpejtësie ku marrën pjesë 15 kalorës që zgjati 1 minutë dhe gara tjetër zgjati më shumë. Gara e gjatë e rezistencës është e gjatë 10 km, vajtje ardhje nga Darëzeza në Pishporo dhe nga Pishporo deri tek grykëderdhjen e Vjosës ku kufizohet Fieri me Vlorën.

Hipizmi është prej shekujsh një sport i preferuar për adhuruesit e tij, i cili sjell emocione dhe adrenalinë të papërshkrueshme. Mund të ushtrohet nga të gjithë grupmoshat. Ky sport vë në lëvizje të gjithë pjesët e trupit si dhe mendjen në të njëjtën kohë./ atsh/ KultPlus.com

Kur Shqipëria shkëlqente në skenat botërore (FOTO)

Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.

Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.

Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. / KultPlus.com

Kriteret për të marrë patentën shqiptare në 1925: Duhej të ishe 21 vjeç dhe të mos ishe gjaknxehtë

Në vitin 1925 Shqipëria miratoi një rregullore të detajuar  për mënyrën sesi duhej të jepeshin patentat, si merrej leja e qarkullimit të automjeteve, tarifat që duheshin paguar dhe penalitetet me të cilat përballeshin ata që shkelnin rregullat e qarkullimit.

Referuar rregullorës, të gjitha qerret me fuqi motorri që punojnë në rrugë në vende publike duhet të ishin nën kontroll të autoriteteve kompetente te qeverisë. Çdokush që dëshironte të mbante e përdorte qerre me fuqi motori duhet të kishte leje nga qeveria. Leja merrej pasi kërkuesi të paraqitej te autoritetet kompetente të shtetit e të jepte provimin e zotësisë, shkruan Scan, transmeton KultPlus.

“Çdo qerre me fuqi motori që vepron mbi rrugë ose vende botnore (publike) duhet të ketë një leje veprimi. Çdo përdorues i këso lloj qerresh duhet të ketë leje përdorimi që quhet “Leje Chaufferi”” shkruhej në rregullore.

Rregullorja ishte aq e detajuar sa parashikonte edhe elementet e sigurisë që duhej të përmbante automjeti, përcjell albinfo.ch.

“Çdo qerre motorike duhet të ketë një aparat sinjali me za. Çdo qerre me fuqi motori do të ketë përpara dy llampa e përmbrapa nji për ndriçim” përcaktohej më tej në rregullore.

Referuar rregullore, ‘përbrenda qyteteve ‘Chauffeuri” nuk do të kalojë 10 kilometra shpejtësi në orë. Përjashta qyteteve jo më tepër se 40 kilometra në orë’.  Shpejtësia nuk duhej të kapërcente më shumë se 6 kilometra në orë kur moti ishte me mjegull ose kur makina kalonte në kryqëzime.

Çmimi i çertifikatës së pronësisë ishte 50 franga ari.

Ai që dëshironte të merrte patentën për drejtimin e automjetit duhej të bënte një kërkesë para autoriteteve kompetente. Dokumentacioni që duhej dorëzuar ishte çertifikata e lindjes. Kushti i parë ishte që kandidati të kishte mbushur moshën 21 vjeç. Po ashtu, kandidati duhej të mos kishte kryer krime e për këtë kërkohej edhe dorëzimi i “dëftesës penale” apo dëshmisë së penalitetit jo me të vonshme se 2 muaj.

Po ashtu, në listën e dokumenteve ishte edhe certifikata mjekësore në të cilën vërtetohej nga mjeku i qeverisë ose i bashkisë se kandidati nuk kishte të meta fizike apo shëndetësore që mund të pengojnë drejtimin e automjetit.

Provimi për patent përbëhej nga dy faza, sikurse në ditët e sotme; testimi teorik dhe praktik. Provimi teorik përbëhej nga pyetje të ndryshme verbale. Ndërkohë, testimi i praktikës zhvillohej duke e çuar kandidatin që të ngasë automjetin në rrugë ku kishte më shumë vështirësi qarkullimi.

“Në provim praktik konsiderohet vetëm aj qi tregon dijeni të plotë dhe nuk ka gjaknxetësie” përcaktohej në rregullore.

“Çertifikata e Chauffeurit” kushtonte 20 franga. Kjo rregullore hyri në fuqi me datën 1 shtator 1925./ scan/ KultPlus.com

Kosova dhe Shqipëria me platformë të përbashkët digjitale të arsimit

Kosova dhe Shqipëria do të përdorin një platformë të përbashkët digjitale të arsimit para universitar për vijimin e mësimit në kushte pandemie.

Kjo platformë do të jetë online, ku gjenden të gjitha videot e xhiruara nga mësimdhënësit e Kosovës dhe Shqipërisë. E njëjta është paraparë për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 12-të.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, sot prezantuan platformën e përbashkët digjitale të arsimit, e cila do të shërbejë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ministrja Shahini tha se përveç videove të xhiruara, kjo platformë mundëson pjesën e mësimit që zhvillohet në klasë në formatin digjital.

“Mësuesit do të kenë mundësinë që të krijojnë edhe klasën virtuale, është pak a shumë formati i ngjashëm me Google class room, tashmë është në gjuhën shqipe. Mësuesi boton mësime, boton pyetje, kuize. Përveç videove që ekzistojnë, ku leksionet e ndryshme janë të xhiruara dhe nxënësi mund t’i ndjekë. Mund të zhvillohet edhe pjesa e mësimit qe zhvillohet në klasë, por në këtë formatin digjital. E mira e kësaj është që ne do të kemi mundësinë nga Shqipëria t’i shohim leksionet e xhiruara në Kosovë, nga mësuesit më të mirë. Ju do të shikoni edhe leksionet e xhiruara në Shqipëri, kurrikula është e përbashkët dhe ky shkëmbim i metodologjisë së mësimdhënies do të qoj në përmirësim të cilësisë së arsimit”, ka thënë Shahini.

Ndër tjera, Shahini tha se kjo platformë mbulon klasën nga 1 deri në 12, dhe se është menduar edhe mësimi për fëmijët me nevoja të veçanta, ku si funksion do të aplikohet me fillimin e mësimit me 14 shtator.

Ajo tha se disa shkolla janë hapur në Shqipëri, por që viti i ri shkollor do të fillojë më 14 shtator.

“Jemi të vetëdijshëm që hapja e shkollave do ta rritë edhe transmetimin e virusit pak më shumë. Dhe këtë nuk po e themi ne, por e kemi parë edhe nga vendet e tjera që rihapen shkollat. Gjermania, Franca kanë raste që po i mbyllin shkolla individuale, apo klasa individuale. Dhe përderisa është me interes të lartë kombëtar hapja e shkollave dhe kthimi në bankat e shkollës, kjo është e mundshme vetëm nëse ne arrijmë të përgatisim gjithë këtë platformë mbështetëse në kushte shtëpie. Nëse ne duhet të mbyllim një shkollë, apo një klasë kemi menduar që nxënësit duhet të mos mbesin pa mësime, por të vijojë mësimin në kushte shtëpia”, u shpreh ajo.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se marrëveshja është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrive Kosovë-Shqipëri. Sipas tij, vendi është para një sfide për organizimin e mësimit në kushte pandemie.

“Bashkëpunimi i sotëm dhe marrëveshja të cilët e kemi përgatitur sot është në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar, të cilin e ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashihet përdorimi i një platforme të përbashkët për mësimin në distancë, të cilin Ministria e Arsimit të Shqipërisë ia dhuron falas Ministrisë së Arsimit të Kosovës, por njëkohësisht edhe ne platformën tonë do ta vejmë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë. Gjithashtu biseduam edhe për marrëveshje tjera të konkretizimit të tyre, sidomos sa i përket teksteve mësimore, kurrikulave, dhe fushave të tjera”, tha ai.

Likaj tha se kanë pasur takime me kolegjiumin e DKA-ve dhe kanë vizituar 30 komunat e Kosovës për të parë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas tij, pjesa dërmuese e tyre përmbushin kriteret për fillimin e mësimit.

“Një vendim e kemi të përgatitur është gati që të nënshkruhet nga ana ime. Mirëpo, ne po presim. Sot është mbledhja e qeverisë, por po ashtu edhe rekomandimi përfundimtar nga task-forca ndërministrore sa i përket COVID-it. Besojmë që nesër do të dalim me një vendim përfundimtar dhe ne jemi të bindur që pjesa dërmuese e shkollave në Kosovë i përmbushin kushtet që të fillohet viti i ri shkollor më datën 14 në objektet shkollore”, u shpreh ai.

Në rastet kur do të ketë infektime me Covid-19 në shkolla, Likaj njoftoi se është duke u bërë gati platforma për mësim online. Ai ka theksuar se në rast të infektimit të mësimdhënësve, do të punojnë me orë plotësuese.

Historike: Kosova dhe Shqipëria formojnë ligën e përbashkët

Kosova dhe Shqipëria do të formojnë Ligën e përbashkët në basketboll. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Nuk arritën të bëhen bashkë në futboll, të krijonin një Ligë të përbashkët, por Shqipëria dhe Kosova më në fund mund të unifikohen në parketin e basketbollit.

Pas shumë përpjekjeve, më në fund dy trojet shqiptare ia kanë dalë të krijojnë një Ligë të përbashkët në basketboll, “Liga Unike”, ku do të marrin pjesë katër ekipet më të mira nga të dy shtetet.

Të enjten, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE, thuhet në njoftimin e FBK-së, përcjell albinfo.ch.

Pas një pune të gjatë dhe intensive mes dy federatave, më në fund po jetësohet ëndrra për zhvillimin e veprimtarive basketbollistike të trevave shqiptare.

Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Liga Unike pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesante, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave që do të përfshihen në këtë kompeticion.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues,  e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

Duhet theksuar se ky është një hap i madh për basketbollin në hapësirat shqiptare duke formuar ligën UNIKE.

Ky projekt është përkrahur nga komuniteti i basktebollit në Shqipëri dhe Kosovë, duke e konsideruar atë si një event të shumëpritur dhe gjithashtu është përkrahur edhe nga FIBA Evropa.

The Guardian: Shqipëria, parajsa e pazbuluar e Evropës

The Guardian e rendit Shqipërinë në top dhjetë vendet më të mira dhe të qeta në Evropë.

Thethi 2 days tour

Një udhëtim në Luginën e Thethit, një prej zonave më të bukura në Shqipëri, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të huajve.

Thethi si zonë malore turistike dhe klimaterike, e mirënjohur për bukuritë natyrore, ofron mundësi turizmi për të gjitha stinët e vitit.

159 Thethi Albania Photos - Free & Royalty-Free Stock Photos from Dreamstime

Të gjitha këto bukuri të papërsëritshme të këtij fshati në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën, traditën e kulturën shqiptare. Për këtë arsye, Parku i Thethit, si zonë pranë kufirit, është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, i cili përfshin territore edhe nga Kosova e Mali i Zi.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi turistik, zbulohet projekti i transformimit të tij - Real Story

Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj., janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, /Albinfo.ch / KultPlus.com

Thethi

Shqipëria ishte bërë me mbret para 92 vjetësh

Sot mbushen 92 vjet kur Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare të trashëguar dhe Zogun I u shpall Mbret të Shqiptarëve. Gjithashtu u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit.

Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë Dhoma e bardhë e Parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy.

Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

Ai u betua (Formula e betimit):

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Ahmet Zogu lindi në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895.Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13 vjeçare. Më 15 qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kontrollonte Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912. Pas vdekjes së t’atit më 1908, u bë Beu i Matit, i quajtur edhe Beu i vogël. U zgjodh në vend të vëllait Xhelal bej Zogolli.

Gjatë Lufta e Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. U mbajt në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919 përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919. Gjatë kohës në Vjenë, ai shijonte stilin e jetës së Evropës Perëndimore, dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.

Mbas vdekjes së babait të tij, Xhemal Pasha Zogu, ai u bë i zoti i shtëpisë së tij dukë u mbështetur nga nëna ë tij, Sadije Toptani që më pas u bë nëna mbretëreshë. Në këtë kohë 13 vjeç, Ahmet Zogu bëhet kështu shef i krahinës së Matit.

Më 20 korrik 1912 Ahmeti, u kthye në Shqipëri, për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, po përgatiteshin që ti shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai merr pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze duke i ardhur në ndihmë qytetit të Shkodrës i cili mbrohej nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij Esat Pashë Toptani. Por thyhet keq nga serbët në Zadrimë. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte Beu i Vogël, i cili kryesonte delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që luftonte, u njoftua se Dibra u pushtua dhe u dogj nga forcat serbe, si dhe po i drejtoheshin Matit. Atëherë Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe u nis për në Mat, ku filloi menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

Mbas përfundimit të kuvendit u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët vinin në Mat për t’u furnizuar. Edhe një herë Mati u bë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i braktisën të ardhurit por i mbajtën në familjet e tyre të pa ndarë në ushqime. Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu mbrojti interesat e kësaj qeverie duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e përkrahu atë. Në pranverën e 1914, plasi një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani). Zogu u vu në ndihmë të Princ Vidit dhe kërkoi nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai marshon drejt Elbasanit dhe Krujës, i thyen forcat rebele dhe vendoset në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe ia lë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo bëri që edhe Zogu, të tërhiqej nga Kruja drejt Matit. Në luftën e parë botërore Mbreti Zog u rreshtua ne krah te Austro-Hungarisë dhe vuri në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin). Më 3 Mars 1916, Zogu, thërret Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë. Kjo iniciativë e tij, në fillim pati mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë u tremb dhe e pengoi. Ky akt bëri që Zogu, të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kërkon ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj, shkon në Burgajet, e vesh si frat Ahmetin e merr në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu shkon me studime në Austri në një Akademi Ushtarake. Në Janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë u bë kurorëzimi i Karlit dhe u ftua një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kërkuan Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për vendin tonë. Atje takon dhe Çatin Saraçin. Ai u detyrua të vendosej në Vjenë deri në përfundim të Luftës. Në 1919, Shqipëria rrezikonte realisht ndarjen, kështu që Zogu, rikthehet në aktivitetin politik duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që u mbajt në Lushnjë me 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vete nga ai (Kongresi e emëroj ministër te brendshëm).

Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr prapashtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.

Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri. Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923, Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re. Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës. Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Tek Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark. Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare. Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa, Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”. Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë. Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht. I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet. Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

Më 25 janar 1925, Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 Gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

Ai u betua (Formula e betimit):

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 Prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetësh nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi. Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 Maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët. Më 30 Qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 Maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilët pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët. Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi. Më 2 Korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 Gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qera një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 Qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në Hotelin Ritz dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 Mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.

Në pasluftë, më 29 Gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16 në moshën 65 vjeçare. / KultPlus.com

81 vjet më parë në Shqipëri u hodhën për të fundit herë në qarkullim monedhat prej argjendi

Si sot, 81 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi.

Më 22 gusht 1939, Banka Kombëtare e Shqipnis (1925-1945), hodhi për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi. Ato ishin të prerjeve prej 5 dhe 10 lekë. Në bazë të Dekretit të Mëkëmbësit dhe Ligjit të ri për rregullimin monetar të vitit 1939, ato zëvendësuan monedhat e argjendit 1 dhe dy franga ar, emetime të viteve 1926, 1927, 1935 dhe 1937. Më pas, monedhat e qarkullimit u shtypën vetëm në metal të thjeshtë.

Faqja e këtyre monedhave, siç përshkruhet në ligj, mban bustin në profil të Mbretit Viktor Emanueli III me mbishkrimet “VITT•EM•III RE E IMP•MBRET E PER•”. Shpina mban shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe dy fasha liktoriane anash saj, si dhe mbishkrimet: “SHQIPNI 1939 XVII 5 LEK/ 10 LEK ALBANIA” dhe emrin e gdhendësit G. Romagnoli. Buzët e monedhës kanë mbishkrimin “MBRETNIA SHQIPTARE”. /atsh/ KultPlus.com

Shqipëria përfituese e 7 projekteve të programit “Europa Krijuese”

Në këtë kohë të krizës ardhur nga pandemia e Covid-19, Shqipëria është bërë përfituese e shtatë projekteve europiane në kuadër të thirrjes “Bashkëpunimi Kulturor në Ballkanin Perëndimor 2020”.

Është ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ajo e cila ka dhënë lajmin, ku thotë se ndër 300 aplikues, vetëm 13 projekte u shpallën fituese, mes tyre, shtatë organizata jofitimprurëse dhe institucione publike kulturore nga Shqipëria.

Ministrja sqaron se programi “Europa Krijuese” mbështet Shqipërinë në projektet: Shoqata Poeteka (2 herë fitues), Tulla, Qendra Marrëdhënie, Vox Baroque, Qendra Harabel dhe Muzeun Historik Kombëtar. Programi ”Europa Krijuese” jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor europian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë.

Synimet e programit janë të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës dixhitale dhe globalizimit; të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social; të japë akses për sektorin e kulturës dhe medias në Europë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audience ndërkombëtare. / KultPlus.com