“Me ekzistu është vetë kuptimi”, është një përsiatje poetike mbi shumë fenomene të cilat e kanë përcjellë shoqërinë tonë. Orvatje për të vazhduar rrugën drejt një njohje të re të shumë figurave, që ne i kemi lartësuar apo mos njohur për motive të caktuara shoqërore dhe politike e që rrjedhimisht i kemi shndërruar në dikë tjetër, epilogu i së cilës është tjetërsimi i tij/saj. “Me ekzistu është vetë kuptimi” rikthen njeriun kah vetja. Duke njohur veten ne do të krijojmë paqen jo vetëm për ekzistencën, por na bënë më njerëzor edhe ndaj tjetrit, i cili jo domosdoshmërish duhet të jetë si ne.
Bëhet fjalë për librin më të ri të poetes dhe sociologes Sibel Halimi, një vëllim poetik që para lexuesit vie si një rinjohje ndaj vetvetes duke trajtuar kështu shumë fenomene të cilat zhvillohen e rriten krahas shoqërisë sonë. Në një intervistë për KultPlus, Halimi shpalos më shumë rreth librit të saj më të ri, rreth të qenurit shkrimtare, rreth zhvillimit të kulturës e letërsisë në Kosovë.
Sibeli tregon se shkruan për të mos e ndjerë kohën, shkruan për t’u arratisur e fshehur nga ajo. Kështu edhe arriti deri tek realizimi final i ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, duke i përmbledhur poezitë e saj në një vëllim të vetëm.
Ndonëse, në leximin e parë të titullit na bien ndërmend shumë gjëra, ajo çfarë autorja ka tentuar të përçojë ka të bëjë me zhveshjen e njeriut nga kuptimet që e emërtojnë identitetin personal, çlirimin e tij nga kuptimet që i japin vlerë e si rrjedhojë duke mos qenë vetja, njeriu është i humbur.
‘Njeriu kosovar është i instrumentalizuar nga politika, religjioni dhe konsumerizmi dhe si rezultat, ne e kemi humbur atë si një mendje kritike. Ne thjesht sot e takojmë njeriun që i përket grupeve të ndryshme, kolektives, kokë ulur, e në një ambiguitet të thellë. Ndonëse, rruga për të vetja është e gjatë, prandaj si fillim thjesht duhet t`i gëzohemi ekzistencës, pavarësisht pasigurisë e konfuzionit që mund të shkaktohet nga fakti që nuk i takojmë askujt. Por, po bëhemi të vetëdijshëm për veten ne e kemi bërë hapin e parë drejt vetëdijes mbi jetën tonë e shoqërores, vetëm kësisoj mund ta shpëtojmë lirinë.’, shprehet tutje Halimi për KultPlus.
Nuk ka shkrimtarë që në ndonjë periudhë apo tjetrën nuk ka kaluar në një moment bllokimi, në një moment ku ka humbur vetveten dhe rrugën drejt krijimit. Ndërkaq, momentet e tilla, Sibeli i quan më shumë momente reflektimi sesa bllokimi. Përmes poezisë, ajo përpiqet të çlirojë njeriun nga dogmat e ndryshme që ia zënë frymën atij, e në këtë synim e çliroj edhe veten
‘Vështirë të bëhet një dallim i prerë në mes personales dhe sociales në të shkruar. Përditshmëria sociale është pjesë e pandashme dhe jo vetëm. Rrugëtimi i njeriut në ngjarjet politike dhe shoqërore janë inspirimi im.’, deklaron ajo.
Duke qenë se sociologjia është pjesë e pandashme e Sibelit, ajo ka arritur që në mes të sociologjisë dhe poezisë të bëjë një gërshetim të mahnitshëm, i cili e shpie punën e saj drejt një krijimi që padyshim mund t’i vëmë titullin ”Art’. Një art që tek lexuesit e saj vjen në një formë e përmbajtje që në një mënyrë apo tjetrën, prekë secilin prej tyre.
Sibeli tregon se në relacion me sociologjinë e cila e kundron realitetin siç është, poezia i jep asaj mundësinë e projektimit të diçkaje që e bën të ndihet mirë, një lloj shtegtimi imagjinar për të dëshirueshmen. ‘Kur shpresa humbet, poezia është shpëtim që ta jep mundësinë e konceptimit të vetes në relacion me të tjerët’, potencon ajo.
‘Trajtimi i fenomeneve sociologjike në shoqërinë kosovare, shpesh më ngjason me njëfarë vargëzimi sociologjik. Është zgjatim, ku fenomenet marrin trajtë artistike, ku vargu shndërrohet në revoltë, indinjatë, ndaj si i tillë nuk e përmbushë veten vetëm në aspektin metrik. Poezia është shëmbëllim i vetvetes, katarsis për atë që s`e ke, për atë që e do dhe për atë që mbase mund të mos jetë e arritshme kurrë. Shprehja nëpërmjet vargjeve është ngarendje pas lirisë, ngase aty përplotësohet uni dhe dëshmohet se liria individuale është mbi të gjitha’, shprehet Sibeli për KultPlus.
Sibel Halimi njihet edhe për pjesëmarrje në shumë aktivitete kulturore, duke konsideruar se konteksti kulturor nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra jonë e të menduarit dhe të jetuarit. ‘Liria nuk i përket qenies, por turmës në Kosovë. Aty ku tjetri konceptohet si armik- i huaj, krijohet mendim uniform, e injorohet të menduarit, të jetuarit ndryshe, prandaj shfaqet ndëshkimi apo disiplinimi. Në këso kushte, kultura e ka të vështirë mbijetesën, ngase përballet me konceptin, të cilën Branko Merxhan e quan “shoqëri kazermë”. Rrjedhimisht, kemi problem të prodhojmë profile kulturore të qëndrueshme, që na sjellin ndryshim në mënyrën e të menduarit, vlerave shoqërore e kulturore.’, potencon Halimi.
Ndër të tjera, Sibeli me shqetësim të thellë e konsideron se shoqëria kosovare është në një krizë të thellë. Sipas saj, mungesa e shkrimtarëve që shtyjnë botën drejt një drejtimi njerëzor e mendimi ndryshe, shndërron atë në mjetin që arsyeton qëllimet regresive. Ajo poashtu potencon se nëse një shoqëri e kalon në heshtje mbylljen e qendrave kulturore, koncepti i shkrimtarit ëshë një sall dekor politik, i cili i shërben nevojave të turmës, ku sipas saj kjo vie si pasojë e faktit që shkrimtari si i tillë i frikësohet t’i del turmës përballë.
Në vijim mund të lexoni dy nga poezitë e ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, të cilat Sibeli i ka zgjedhur për lexuesit.
Për dyert që mbyllen
⦁ Për timen bijë –
Në vetmi mësohu ta dëgjosh veten Të gërmosh në skutat e errëta e t’u rrish ballë Mësohu të ecësh vetë Edhe ashtu ishe gjithmonë Por, herët a vonë do ta kuptosh
Mos e ndjek askë Nëse së paku njëherë nuk e kthen kokën E të sheh në sy Për të kuptuar nëse je në këmbë apo në gjunjë
Nëse je rrëzuar një herë Ngrihu ngadalë Është imazhi im e fjala “kici i mamit” që do të ndjekë Gjithmonë nga pas
Mësohu ta duash qetësinë tënde Edhe atëherë kur nuk i beson Nga kjo qetësi Do të dalësh ti
Ecja nuk nënkupton gjithmonë lëvizje Mësohu ta mbash kokën lart të ndjekësh një yll edhe kur retë e mbulojnë ajo do të ekzistojë për ty
Mësohu të duash Të përqafosh Të falësh buzëqeshje Kur jeta të rrëzon e të përplas për toke Vetja, të shpëton!
Me u çue peshë
Me u çue peshë domethënë me e dashtë e njoftë lirinë E liria kokën dikujt ia han rënkojnë gardianët e moralit e tok bashkë me e mbyllë në dry në trup t‘tokës Se me kenë i lirë është më lehtë me mendue për vdekjen jo të vetes Ke frikë nga vdekja njeriu im? Kemi mbet fillikat e pezull unë e ti në peshë t‘atomit
Kohët e fundit në Kosovë, letërsia ka marrë hov në zhvillim e saj. Dhe ajo që vërehet më shumë, është numri i madh i grave që krijojnë. Ndërkaq, Sibeli, na ka folur më shumë rreth dy koncepteve, atij të ‘letërsisë femërore” dhe ‘kritikës feministe’. Sipas saj, konceptimi fillestar i letërsisë femërore duket të jetë projeskion patriarkal, përpjekje për të kornizuar letërsinë e grave brenda gjinisë. Ndërsa, ‘kritikën feministe’, e konsideron një prespektivë feministe mbi traditën letrare, mbi rolet e kufizuara që u atribuoheshin personazheve fiktive të shkrimtarëve si dhe njohjen e shkrimit të grave.
”Kritika feministe gjatë tri dekadave të fundit na shpie në fokusimin dhe tematizimin e nënshtrimit letrar të grave, përjashtimin e tyre e gjer tek analiza e konstruksionit dhe prezantimit të gjinisë brenda diskursit letrar. Andaj, si e tillë, kritika feministe i ndihmoj institucionalizimit dhe legjitimimin e feminizmit si vlerë akademike, falë përpjekjes së shumë teoriticienteve dhe shkrimtareve feministe si Mary Wollstonecraft, Madame de Stael, George Eliot, Margaret Fuller, Rebeka West, Virginia Woolf dhe Simon de Beavoir, e Judith Buttler.’, vazhdon tutje ajo.
Ndërkaq, rolin e grave që bëjnë art e letërsi në Kosovë, Sibeli e konsideron si ende të konceptualizuar në kuadër të paradigmave patriarkale. ‘Vetëm nëse marrim pjesë në grupet letrare shohin që ekziston një dominim i shkrimtarëve burra, të grumbulluar në grupe të caktuara, të cilët janë në shpërputhje të madhe në mes asaj çfarë shkruajnë dhe çfarë mendojnë e kush janë në të vërtetë. Letërsia duhet të jetë ndër të tjera dhe ngacmuese në nervin dhe kallon e shoqërisë patriarkale, duhet të ketë misionin emancipunes, në të kundërtën do t`i përshtatet rahatisë që ua sjell ky sistem.’, tregon Sibeli.
”Shkruaj për gratë, ngaqë jam grua, dhe askush më mirë se sa unë nuk e di se sa vështirë është të jesh grua në vendet si e jona.”, deklaron Sibeli.
Ekziston gjithmonë një shtysë kur shkrimtarët shkruajnë. Ekziston një revoltë, një nostalgji, një shqetësim që e shtyen secilin ta hedhë atë në fletën e bardhë, e sidomos kur shkrimtarja qëllon të jetë një grua në një sistem patriarkal. Ndërkaq, për Sibelin, qëndron kështu: Kur shkruajmë jemi të vetmuar dhe të shqetësuar, jo për veten e të tashmen, sa për të ardhmen e gjeneratat që viijnë. Premisa, nëse mund ta emërojmë kësisoj, e poezive të mia e kanë fokusin tek gratë, jetën dhe padrejtësitë që u bënë asaj përgjatë historisë.
”Saherë që mendoj për ta konceptuar gruan, më duket sikur ia bëj të padrejtën e radhës sikurse vetë historia. Të gjitha etapat duke e përfshirë edhe feminizmin janë përpjekur për të definuar atë, ndaj në këtë ngarendje me dashje apo jo, ne kemi vendosur gruan brenda projeksioneve tona. Ajo është përtej konceptimit shoqëror dhe politik. Gruaja dhe liria janë disiplinuar dhe kontrolluar duke përcaktuar role dhe përgjegjësi statike, andaj gruan nuk mund të konceptoj ndryshe, përpos si liria vetë. Pa mëdyshje, nocionin grua do ta kisha zëvendësuar me liri, ndoshta vetëm në këtë mënyrë do t`i kishim zbutur mëkatet ndaj saj.”, deklaron ajo.
Sibeli ka përmendur edhe gratë shkrimtare që zhvillojnë letërsinë në vendet shqipfolëse, të cilat sipas saj po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme shqipe. ‘Vështirë ta bëjë një listë të grave shkrimtare e poete kam frikë të mos e harroj ndonjërën. Por ato të cilat po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme në Kosovë dhe jo vetëm janë Luljeta Leshanaku, Entela Tabaku, Donika Dabishevci, Majlinda Bregasi, Dije Demiri Frangu, Nerimane Kamberi, Ervina Halili, Eli Krasniqi, Rita Petro Filipi, Ilire Zajmi, Erenestina Gjergji Halili, Entela Kasi, Flutura Açka e shumë të tjera.’, tregon ajo.
Sibel Halimi, si një poete zëri i së cilës dëgjohet gjithmonë fuqishëm, ku përmes poezisë sa saj ka prekur gjithmonë tema të ndjeshme, tregon se ajo i qëndron fuqishëm pas mendimit se në Kosovë gratë duhet të shkruajnë, se vetëm kësisoj ato mund të arrijnë të ridefinohen dhe të lirohen nga paradigmat e kulturës patriarkale. / KultPlus.com
Sociologia dhe poetja, Sibel Halimi, së shpejti publikon librin e ri të saj të titulluar “Me ekzistu është vet kuptimi”, shkruan KultPlus.
Vet autorja e librit e ka bërë të ditur këtë lajm teksa ka treguar edhe për përmbajtjen e tij si dhe ka falënderuar ata që kanë mbështetur këtë libër.
Këtu keni statusin e saj të plotë:
“Së shpejti …
Në kohën kur gjithçka rreth nesh ka marrë një kuptim tjetër, njeriu si kurrë më parë ka nevojë për një rikthim kah vetja. Një introspeksion i tillë, e bënë njeriun të vetëdijshëm e vigjilent nga përpjekja e jashtme drejt orientimit të rrugëve ‘kundër’ vullnetit të tij.
“Me ekzistu është vet kuptimi”, libri im i radhës me poezi, është një përsiatje poetike mbi shumë fenomene të cilat e kanë përcjellë shoqërinë tonë. Orvatje për të vazhduar rrugën drejt një njohje të re të shumë figurave, që ne i kemi lartësuar e mos njohur për motive të caktuara shoqërore dhe politike e që rrjedhimisht e kemi shndërruar në dikë tjetër, epilogu i së cilës është tjetërsimi i tij/saj. Andaj, “Me ekzistu është vet kuptimi” rikthen njeriun në njohjen e vetes, e si rezultat sjell edhe paqen për ekzistencën e tij, e duke e njoh veten, ne jemi njerëzor edhe ndaj tjetrit.
Për jetësimin e librit, falënderoj shumë redaktorin e librit profesorin Anton Berishajn, botuesin Jeton Nezirajn (Qendra Multimedia), dizajnuesin e ballinës Agon Çetën si dhe për faqosjen e librit, Samir Halitin (project.graphics), që më ndihmuan dhe ekzistencës së librit me i dhanë kuptim”. / KultPlus.com
Kur nana ik nga kjo botë Në pragun e jetës Ta lë këmishën e njeriut t`rritur T`i lë me qindra fjalë të heshtura N`kornizë muri hijen e saj
Kur nana vendos me shku I ka veç pak ditë shikimin e lëshon përtej është përshëndetja e saj Mos ki frikë njeriu im i vogël
Kur nana pështillet rreth vetes ajo nuk ka pësuar amnezion siç e mendon ti njeriu im i vogël I kthehet shpisë së çiknisë Puth në ballë e merrë n`gryk t`kalumën e saj
Kur nana s`mundet me të thirrë n`emër do m`ja kujtue fytyrën kur ti gjunjëzohesh ka mu t`u shfaq e drejtë si hyjni se ajo nuk do të jetë me t`plotnue me fjalët tu t`dhanë dashni
kështu ta lë fytyrën si shenjë me u çua e me lëvizë
Njeriu im i vogël Tani je rritur më lëre të qetë n`lirinë e saj
Tutna me shkru veç për gratë se s`du asnjiherë me ju hi n`hak Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi Veç kemi dërdëllitë e kemi ba nanën plagë të përvujtun e kemi shtri për toke e kemi naltësu në vargje ia kemi rritë dashninë, madhështinë prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju Se kjo shoqni ka zanë n`thu Nanën kauzë politike tu e ba Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja Është veç ajo, liria e saj
Tutna me shkru veç për gratë se s`du asnjiherë me ju hi n`hak Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi Veç kemi dërdëllitë e kemi ba nanën plagë të përvujtun e kemi shtri për toke e kemi naltësu në vargje ia kemi rritë dashninë, madhështinë prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju Se kjo shoqni ka zanë n`thu Nanën kauzë politike tu e ba Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja Është veç ajo, liria e saj
Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.
Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.
‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.
Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.
Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.
Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.
Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.
Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com
Të du pse je ti Asnjëherë andrru s`e kam Me jetu pa të pas ngat Në mes neve është një oqean I kthjelltë e i kaltër si na E kur e gëlltit diellin e fut n`bark
Të du Se kur qesh unë, i gëzuem je ti E kur qaj, i trishtuem je Të du, se kurrë nuk e di deri n`fund kush je Asnjiherë s`kam dashtë me ditë Këtë betejë t`humbun e kam pas Të du Se kjo fjalë ka kuptim me ty I ka rezistu çdo hipokrizie ngatë saj
Të du Se dashnia i pengon njerëzve Tuten se me dashtë asht me u ndi i vogël E kurrë s`u tuta mu ni e tillë
Të du Se ti më ke mësu qysh asht me dashtë Ma ke mësu nji rrugë t`cilën se kam shiju tu nga sa ç`kam mujtë E me ecë ditë kurrë s`kam
Të du Se kur kam ra përtokë, ti mi ke njeh yjet M`ke thanë qoje kryet e shihe veten qysh po shndrit Si nur i bukurisë
Të du Se ma ke thjeshtu jetën Mi ke tretë dilemat E m`ke dhanë puthje të panumërta
Të du Se njerëzia pak e përdorin këtë fjalë, prandaj besojnë në religjion Të du Sepse me dashtë nuk asht veç një akt Asht esencë…
Ne jemi vazhdimësia e braktisjes Strehuar në njërën prej çative Këndet fshehin shikimet Divanet pagjumësitë e dashurive të pa jetume Nën shkallë Botën marrim në gji E të nesërmen ecim tutje mbi kalldrëmet e historisë Me qafën mbuluar në shall valëvitur si vet liria Presim lindjen e njërës Pasnesër varrosim bardhësinë E mbase e harrojmë veten Në fjalën e pathënë Fati i gruas nuk është anonim
Kosova është vend i ditëve të jashtëzakonshme, mbase edhe kështu po mbijetojmë, kushedi! Të gjithë të ekzaltuar i dalim në ballë situatave a ngjarjeve dhe më pas i tejkalojmë duke mos e kthyer kokën më.
Kosova ka nevojë për liderë që e duan vendin e tyre jo vetëm
deklarativisht, por që mendojnë për qeverisjen e mirë, luftojnë korrupsionin e
nepotizmin. Mendojnë për të rinjtë, gratë e burrat, fati i të cilëve nuk
manipulohet e instrumentalizohet vetëm në kohë fushatash, e sigurisht ky do të
ishte patriotizmi i vërtetë i tyre.
Kosova ka nevojë për liderë që e braktisin kullën,
mentalitetin farefisnor e frikësimin e çdoditshëm të qytetarëve të saj me idenë
e armikut të jashtëm, duke na kujtuar çdo ditë përkatësinë e jo qytetarinë.
Kosovës i duhen liderë që udhëheqin vendin e i gëzohen
qeshjes së vajzave e grave kudo që janë ato!
Këndellës është përcaktimi
Për ta harruar historinë
Ankthin e përjetuar të tjetrit
Për murin ndërtuar rreth e qark
Histori do të thotë
Të shtrihesh lehtas në kuvertën e anijes
Që ndjekë fatin e marinarit të humbur
Në pafundësinë e kaltërsisë
Histori do të thotë
Ta kundrosh botën nga një vrimë çelësi
Histori është
Kur të ngjethet mishtë
Mornicat bëhen mitologji
e vetë shndërrohesh në guri
Histori do të thotë
Të mos ekzistosh për veten
Tjetrin ta njohësh para se t’ia shohësh sytë
Para se t`ia ndiesh gishtërinjtë
Të shtrembëruar nga e kaluara
Histori do të thotë
Kur varë veten në një germë të pluhurosur
Histori do të thotë Kurrgjë tjetër pos peng i zbulimit të rrotës…/KultPlus.com
Tutna me shkru veç për gratë se s`du asnjiherë me ju hi n`hak Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi Veç kemi dërdëllitë e kemi ba nanën plagë të përvujtun e kemi shtri për toke e kemi naltësu në vargje ia kemi rritë dashninë, madhështinë prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju Se kjo shoqni ka zanë n`thu Nanën kauzë politike tue ba Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja Është veç ajo, liria e saj/KultPlus.com
Tash jemi këtu Pritja iu është ngjit vrapit të së pamundurës Drita në fundin e tunelit ishte iluzioni i shpëtimit shpërblim i ecjes se vetmuar Braktisja kurrë nuk ka qenë fundi mundësi për të dëgjuar veten e harruar
Tash jemi këtu Të sfilitur drejt një puhie Pse duhet patur rëndësi definimi i lëvizjes së largesës A nuk është merita e së vërtetës? a nuk është shpëtimi nga zjarri e nga vërshimet e vrullshme të buzëqeshjes së detyruar?
Tash jemi këtu Pullaz kemi qiellin Të tonën tapi… /KultPlus.com
Takimi i dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë top lajm në të gjitha mediet e Kosovës, atyre të Shqipërisë, por edhe të rajonit, shkruan KultPlus.
Mirëpo, jo vetëm mediet kanë pasë në fokus këtë takim të dy Qeverive të mbajtuar në Pejë, të kryesuara nga kryeministrat: Ramush Haradinaj e Edi Rama, të cilët, bashkë me ministrat kanë realizuar edhe fotografi me shqiponjë.
Ky takim është vën në pah edhe nga shumë qytetarë, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë shprehë, admirim, ironi, humor…
Sociologia Sibel Halimi, duke aluduar mbi këtë takim, ka shkruar vetëm një status.
“Shqiponja, mbrapa së cilës fshehim veten, turpin tonë!”, ka shkruar Halimi./KultPlus.com
Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet drejtuar edhe institucioneve të Kosovës, duhet të jetë alarm për autoritetet politike, të cilat e kanë shpërfillë problemin e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës.
Fillimisht, realiteti kosovar mbylli çështjen e të mbijetuarave gjatë luftës në sirtarët e politikës. Pastaj, mbi këtë çështje, shteti nuk ndërtoi asnjë premisë diskutimi. Çfarëdo tentative që erdhi jashtë politikës përfundoi si zë i mekur karshi gjuhës dominuese të kësaj kulture politike.
Reagimet të përcjella me gabime nga më të ndryshme nga sfera politike, përqendruan vëmendjen e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale, të cilat iu nënshtruan një dhunimi për së dyti, por kësaj here të karakterit verbal dhe mostrajtimit të plagëve të tyre. Situatë kjo, e cila stigmatizoi gratë jo vetëm në sferën publike, por ndikoi negativisht edhe tek vet gratë dhe familjet e tyre.
Rrëfimet si ky është dashtë që moti të dëgjohen, por konsensusi shoqëror bëri që ato të mbyllen për 20 vite rresht. Tash, vargut të rrëfimeve duhet t`i bashkëngjiten të tjera rrëfime për t`i dhënë fund atyre me një epilog. Qoftë në bisedimet politike me Serbinë, qoftë në rregullimin e statusit të tyre./ KultPlus.com
Derisa në vendet e zhvilluara edhe një shikim i cili mund të jetë ngacmues dënohet, në Shqipëri dhe në Kosovë dhuna është multidimensionale, e pranuar dhe legjitimuar nga të gjitha mekanizmat shoqëror. Trajtimi që ia bëjnë mediat kohëve të fundit vajzës nga Shqipëria, tregon qartazi për një shoqëri e cila vazhdon të funksionoj sipas diktatit primitiv dhe patriarkal dhe i cili shumë pak duket të këtë dallim në mes të gjithë këtyre mekanizmave shoqëror dhe dhunuesit faktik. Mjafton një situatë të shpërfaq dhe të na kujtoj saktë se kush jemi dhe që ndryshimi vështirë të ndodhë edhe për një kohë. Kjo për faktin se misogjenizimi është duke u promovuar në çdo dimension të shoqërive tona.
Si mund të çuditemi, kur ka zhanre muzikore ku vajzat dhe gratë janë personazhet kryesore të inferioritetit, ku ato paraqiten që me dashurinë më të madhe pranojnë me qenë viktima, madje ndihen krenare për këtë rol. Andaj, jo rastësisht, Michel Foucaul shkruan se arkeologjia e dijes nuk është asgjë tjetër deri në mënyrën në të cilën i qasemi gjërave të caktuara.
Rrjedhimisht, fatkeqësia më e madhe është se një armatë e tërë teknikësh sot e zënë vendin e të vërtetave të tyre të cilat në një mënyrë a tjetër, të gjithë i shërbejnë një pushteti dhe çdo veprim a sjellje ose është disiplinim e kontroll ose dhunë.
Prandaj, me të drejtë Foucault shkruan se “Shtypja nuk është gjë tjetër veçse vënia në veprim e një raporti force të përhershme në gjirin e pseudo paqes civile, e cila është tërësisht e depërtuar nga lufta e pareshtur” prandaj, për një kohë të gjatë, në shoqërinë shqiptare, vajzat dhe gratë do t`i bartin pasojat e këtij mentalitetit të një politike militariste, e cila nuk po arrin asnjëherë të zhvilloj dhe të krijoj një shoqëri ku e drejta dhe mirëqenia janë një domosdoshmëri e jo luks!. /KultPlus.com
Në vetmi mësohu ta dëgjosh veten
Të gjërmosh në skutat e errëta e t’i rrish ball
Mësohu të ecësh vet
Edhe ashtu ishe gjithmonë
Por, heret a vonë do ta kuptosh
Mos e ndjek askend
Nëse së paku njëherë nuk e kthen kokën
E të sheh në sy
Për të kuptu nëse je në këmbë apo në gjunjë
Nëse je rrëzua njëherë
Ngrihu ngadalë
Është imazhi im e fjala “kici i mamit” që do të ndjek gjithmonë nga pas
Mësohu ta duash qetësinë tënde
Edhe atëherë kur nuk i beson
Nga kjo qetësi
Do të dalësh ti
Ecja nuk nënkupton gjithmonë lëvizje
Mësohu ta mbash kokën lart
të ndjekësh një yll edhe kur retë e mbulojnë
ajo do të ekzistoj për ty
Mësohu të duash
Të përqafosh
Të falësh buzëqeshje
Kur jeta të rrëzon e të përplas për toke
Vetja, të shpëton! /KultPlus.com
Mos u tut nga hijet kudo
Ato janë aktore n`teatrin e territ
Me i prekë s`mundesh, sall prapa të vijnë
Mos u tut, se trishtimi ma i madh ditën a`
Hera, mos u tut as prej insekteve që banue me neve kanë
Janë picirruke, të pickojnë sall për ta kujtu
Ndjesinë e t`voglit, që sherr të madhit s`mun i ban
Mos u tut, as kur njerëzit britma lëshojnë
Ata janë të trishtuem nga vetja
E frika jote i ban me mendue se bota e tyne asht
Madje, Hera, tutë fare mos ki
As kur n`agun e mëngjesit
Psalme kushtu zotit dëgjon
Kot marrin mundin për t` lidhë me ta`
Sepse ti veç nji gjaje që shihet i beson
Tuta mjet kontrolli e njerëzia gogolë
Hera ime, mos u tut as atëherë kur na s`jemi aty
Shiko vërdallë, ndiej, merr frymë…
N`bebëzat tua jena
Mos u tut nga zhurma e hapave të tu
Krejt njisoj asht
Njerëzit janë gjeodetë
I masin rrugët sa t`gjata e ku t`qojnë
Ti marsho sigurt
Kryenaltë!
Mos u tut as nga mësueset
Dhe detyrat që t`i japin ato
Bani si të duesh, siç ma së miri i kupton
Se obligimet shpesh bajate janë
Por të tilla që duhet me i ba
Thithe gishtin si biberon, rrëshqitë me gishta flokëve t`arta
Mendo qetë për gjanat që t`pëlqejnë
Vafshin n`djall
Krejt ata që duan tjetrit
T`i bahen busullë
Mos u tut nga frika
Se ethet n`bark hi
i kanë
Babaroga s`asht
Veç njerëzit janë…
Në kohën e sotme, vajzat rriten me idenë që qenia e tyre reduktohet në trup. “Trupi ideal” i shpërfaqur në kukulla dhe i promovuar nga media ka arritur të krijoj mitin e së bukurës. Në saje të modelit të tillë, shumë vajza në botë bien në anoreksi dhe sëmundje të ndryshme mendore, sidomos në kohën e adoleshencës, pikërisht për faktin se ky ‘tip ideal’ duhet të ndiqet dhe të realizohet nga shumë vajza, përndryshe ato nuk mund të gëzojnë feminitetin e tyre e rrjedhimisht statusin e privilegjuar.
Duke e analizuar këtë gjendje në të cilën janë shumë vajza në botën moderne, të instrumentalizuar nga sisteme të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike, trupi i tyre shfrytëzohet për çështje marketingu, mode për qëllime përfitimi dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për rikthim në rolin e tyre tipik për ato. Prandaj, Naomi Wolf shkruan se “Definimet “e bukur” dhe “seksuale” ndryshojnë vazhdimisht për t’i shërbyer rendit shoqëror dhe lidhja mes tyre është një shpikje e fundit”.
Derisa, Norbert Elias në veprën së tij “The Civilizing Process”, vendos theksin në proceset shoqërore dhe politike që shpalosen nëpërmjet trupit. Duke analizuar gjenezën e formave moderne të rregullimit të pozitave sociale, sjelljeve, qëndrimeve e emocioneve.
Prandaj, kënga “Toy” nga Netta Barzilai, fituese e Evrovizionit 2018 duhet analizuar nga kjo perspektivë. Performanca dhe teksti i këngës është ironizim dhe tallje duke dhënë mesazhin për një lloj tjetër të së bukurës. Mesazh ky i dedikuar publikut që vajzat nuk janë lodra, madje e paraqitur vet në një figurë jo tipike si figurat e katër prezantueset e kësaj ngjarje. Ndërsa, në anën tjetër, ajo qartë thekson që nuk i interesojnë predikuesit e kohës duke ironizuar edhe me simbolikën e barbit si dhe telefonave smart, të cilat janë edhe metaforat e shoqërisë moderne. Madje, thirrja e saj për t`u shpërngulur nga idea e te qenurit kukull është mesazhi më i fuqishëm i këngës, pavarësisht që komentet nuk arritën ta shohim këtë performancë të saj përtej “pulës” dhe religjionit në këtë rast!
I’m not your toy
You stupid boy
I’ll take you down
I’ll make you watch me
Dancing with my dolls
On the MadaBaka Beat
Not your toy!
I di vendet kur vetes rrahë shpinën ia kam
Kur në gjunjë s`u përkula
I di vendet kur arratisur jam korridoreve
Kur tej më tej, nji dhimbje m`ka trandë
E vendin tjetërkujt ia kam lanë
I di vendet ku jam lemeritë
Kam vrapu si marathonomak
T`gëzohem mujtë s`kam
Por kumtin e lirisë dhanë e kam
I di çastet kur toka m`ka lëvizë nën kambë
E unë e kam rrëkëllye nji gotë
Jam sjellë, tue provue teorinë e Galileut
I di vendet
kur asht dashtë andrrat mi riandrru
E di vendin
kur kam dhanë shpirt tu shpjegu
se me kanë gru asht me u majtë fort për vete
se të jesh gru asht njësoj si me kanë burrë
peng të nji shoqnie te dy
I di vendet kur kam ec
E jam kthy se s`kam mbërri me ndje kurgja
I di vendet ku jam nis
E s`kam ditë mu kthy
Kur meta vet
Hera erdh furishëm
I thash dielli është mbi kryet tand
Unë s`jam emri yt
Vendet e tua s`janë ato
Këqyri pa bëza
Se diellin veç ashtu e sheh!