Prekëse: Ky fëmijë nga Gjakova dhuron të gjitha lodrat për fëmijët në Shqipëri

Mobilizimi i shqiptarëve nga Kosova për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve të tyre të prekur nga tërmeti në Shqipëri ka qenë i madh.

Një akt simbolik të ndihmës e ka bërë edhe një fëmijë, nga Gjakova.

Ani Sadiku ka vendosur që të gjitha lodrat e tij t’i dhuronte për bashkëmoshatarët të prekur nga tërmeti, në Shqipëri.

Tërmeti prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha.

Deri tani janë konfirmuar 49 viktima dhe 750 të lënduar. / KultPlus.com

Psikologë, psikiatër, epidemilogë e mjekë nga Kosova do të nisen për në Shqipëri

Shoqata e Psikologëve të Kosovës, njofton se një grup prej 50 psikologësh, 4 psikatër, 1 epidemiolog dhe 1 mjek, të dielën do të nisen për në zonat e prekura nga kriza që u shkaktua pas tërmetit 6.4 shkallësh të Rihterit, në Thumane, Durrës dhe Tiranë.

Në njoftimin për media thonë se nisna bëhet të dielën në orën 5 të mëngjesit.

Në përbërje të ekipit janë:

2 mjekë psikiatër

2 mjekë neuropsikiatër

2 mjekë epidemiologë,

50 psikologë nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës në përbërje edhe nga SHBA (PhD), dhe

15 nga Shoqata e Psikologeve të Shqipërisë, që te gjithë profesionistë të shëndetit mendorë me përvojë.

“Aktiviteti ynë ka vazhduar edhe gjatë datës 26 dhe 27 nëntor, me grupe të vogla, por që ky aktivitet do jetë më i madhi i këtij lloji me ç’rast do të bëjmë edhe identifikimin dhe regjistrimin e personave të trajtuar, në data bazë në mënyrë që të ndjekim ecurinë e tyre pas periudhës 4 javore kur është periudha në të cilën personat e traumatizuar mund të shfaqin flash back,, apo ripërjetim të skenave, çka është shumë e rrezikshme dhe si diçka duhet të ndiqet në mënyrë kontinuele me qëllimin e vetëm që ato të mos kalojnë në çrregullime mendore, apo në PTSD”, thuhet në njoftim që e transmeton Koha.net.

Në njoftim theksohet se aktiviteti do të jetë i koordinuar me Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë. / KultPlus.com

Djali që humbi babanë në tërmetin e 2002-tës në Gjilan: Ku ishit atëherë, apo ndoshta atëherë nuk ekzistonte like, për t’i bërë marketing vetes



Tërmeti që në vitin 2002 goditi qytetin e Gjilanit, la një person të vdekur, derisa pati edhe shumë pasoja materiale.

Djali i burrit që vdiq vite më parë në Gjilan, ka bërë një postim prekës, duke kujtuar kohën e atëhershme.

Gyner Muja, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka kaluar nëpër sfidat që momentalisht kanë banorët e Shqipërisë.

Ai shton se është i kënaqur që sheh njerëzit duke ndihmuar popullin pas tërmetit shkatërrues në Durrës.

Megjithatë, Muja ka kujtuar edhe se në vitin kur kishte ndodhur tragjedia në Gjilan, biznesmenë, politikanë, e këngëtarë nuk i dolën në ndihmë të prekurve, e as familjes së tij. Ai tutje, ka thënë se kishte mbetur pa u shkolluar, derisa, ishte detyruar që të punonte qysh në moshë të re për të siguruar jetesën.

Gyner Muja ka shkruar se në vitin 2002 ishte organizuar edhe një koncert bamirësie për familjen, por, thotë se të hollat e mbledhura nuk ju ishin dorëzuar asnjëherë.

Postimi i plotë i Gyner Muja:

I gezuar apo i hidheruar?

Termeti dikur ne Kosove e tani ne Shqiperi. Nuk jam i sigurt me kete shkrim se eshte koha adekuate te shkruaj apo jo,por i bindur ne mirkuptimin tuaj te pakten per te besuar se ne diqka te tille kam kaluar dhe une.
I kenaqur, madje i perlotur nga gezimi me ato qe po shohe keto dit popullim tim te organizuar ne maksimum per ti dalur ne ndihme popullit ne shqiperi te prekur nga termeti qe ndodhi pak dite me pare ne Durres.
I merzitur shum me jetet qe mori ky termet i kobshem,madje duke shuar edhe familje e duke shkatruar gjithqka qe kishin para vetes.
Ndihmat po vazhdojn qdo dit,qdo moment pa asnje dyshim bravo bravo. Mirpo mund te ju pyes ju biznesmen, politikan, vipa, kengetar etj eti ku ishit ju ne 2002 kur Gjilani u perfshi nga termeti, sa i dolet ndihme vendit dhe qytetarve tuaj. Nuk keni pas nevoj me pagu as taksen prej 5 eurove, as me hargju derivate per furgona, madje as me kalu ndonje kufi
Per ju qe keni harruar ne termetin e 2002 ishte vetem nje viktime (BABI IM) te me falni ku ishit ju. Apo ndoshta ateher nuk egzistonke Like, folloë, sponsored,facebook e instagram per ti be marketing vetes.
Faleminderit qe fale ( ndihmes ) tuaj une mbeta mbes 2 deshirave SHKOLLIM APO PUNE. Faleminderit per (ndihmen) tuaj qe une ne vend se te shkollohesha e te mbaja mendjen te mesimi une u desh te kujdesesha per kameren timen qe mbaja nen bank qe pas mesimit te shkoja ne pune.
Faleminderit edhe atyre qe perdoren foton time u ulur ne lagjen time kur isha duke pritur te dergoja Babin tim per ne varreza ata organizuan koncert bamiresije per familjen time e qe ne fund as ata e as ato para nuk i kemi par kurre.
PER FUND VAZHDONI NDIHMONI BASHK ME JU DHE UNE. E MOS HARRONI SE NE SHQIPERI ISHIN EDYE DY DJEM NGA GJILANI QE U VARROSEN SOT.

Tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, kur një person humbi jetën dhe u shënuan dëme të mëdha materiale me Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ballë të Merkalit./ KultPlus.com

Kurti në ‘vatrën’ e tragjedisë në Durrës: Jemi një komb, ndihmën e kemi obligim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.

“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.

“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com

Letra e një çami: Sot mbetëm me turp, ata na thonë “vëllezër e motra”, po ne si i trajtojmë kosovarët?

Më poshtë gjeni një letër të shkruar nga një çam, autor që është pronar i një hoteli të rrënuar në Shqipëri.

Letra:

Fjalia qe kam patur me shume tmerr te artikuloj ka qene “pushuesit kosovare”! Me kane pyetur jo pak here se cfare jane pjesa me e madhe e pushuesve qe na frekuentojne, gjithnje u jam pergjigjur “te huaj dhe shqiptare te kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportes se tyre ne sistemin e hotelit e kam bere “shqiptar” asnjehere “kosovar”! Kohen e luftes ne shtepi kemi mbajtur nje familje me plot halle,kemi ndare gezimin tone me ta dhe ata hidherimin e tyre me ne,kemi ndare buken bashke ne nje tryeze! Degjoja shpesh “aman mos me trego mua kosovaret se jane te pabese,do i mbani me buke por do ikin e as emrat tuaj nuk do kujtojne me”!

Sot ata erdhen ne heshtje, pa buje pa kamera,pa lajmerime,erdhen per te ndare sot me ne dhimbjen tone…Po ne sot mbetem pa fjale perballe tyre dhe plot turp: ata edhe pushimet i kalojne tek ne per te mos ia dhene dikujt tjeter ato para,ne cfare bejme???? Ata edhe ne stadiumin e tyre ngrejne flamurin kuq e zi, po ne cfare bejme???? Ata na thone “vellezer e motra” po ne cfare u themi atyre???? Shpirtmadhesia jone vdiq pas viteve ’98-’99, njerezit u bene si kafshe dhe nisen te shqyhen mes tyre per nje mur,per nje oborr,per dy rrenje ullinj…Nxorrem dhembet ndaj vellait,motres,femijes,mikut,komshiut…u transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po behej mese e natyrshme te ishe kesisoj njeriu!!!

Ne shkaterrojme vendin tone,pronen tone,perdhosim emrin tone neper bote,madje ne te shumten e rasteve u beme Maria nga Mejreme dhe mohuam origjinen tone per nje vend pune,per nje grusht para…Kjo eshte gjeja me e shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja,kesisoj njerezish u beme ne- lepijme doren e atij qe na trajton si kafshe e qe na pi gjakun ne pune dhe kafshojme doren e atij qe na mban me buke e qe na ofron strehe! Ne po pranojme mbi kurrizin tone lloj-lloj mashtrimesh,padrejtesish,ligesish,vjedhjesh,etj etj etj, po i pranojme dhe nuk po ngreme krye as per te pare driten e diellit! Po na shkulet zemra vendit tek shohim femijet tane qe mezi i rritem,te ikin neper bote ne kerkim te nje jete me te mire…dhe heshtim,pranojme cdo lloj dhimbjeje dhe mallkimi! Ne jemi bere si ai uji i ndenjur qe qelbet e vjen ere,e Zoti lart po zemerohet kaq shume me ne dhe me mendjet tona!!!

Me falni o njerez,por personalisht mendoj se keto jane sinjale te Zotit per reflektim,per vetegjykim,per veteveprim! Shikoni brenda vetes me shume me teper dashuri dhe besim,sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek te tjeret! Mos dashuroni makina,çanta,shtepira dhe bizhuteri- dashuroni njeriun!!! Mos e zemeroni Perendine me shume se dite me te keqija mund te perjetojme nese vazhdojme keshtu! Pse duhet te kemi nevoje per nje tragjedi te tille,qe te tregojme miresine qe kemi brenda nesh???? Perse duhet te perjetojme dite tmerri si keto per te treguar qe sic dime te duam ne askush ne bote nuk di ta beje???

Perse duhet ta shohim vdekjen me sy qe ta kuptojme vleren e vertete te jetes? Ata qe na vjedhin cdo dite,ata qe nuk kane miresi ne shpirt,ata qe nuk kane as din e as iman,sot bejne sikur qajne por nga xhepat e tyre nje cent s’e dhane!!! Shqiptare kudo qe jeni neper bote,vetem nje gje te dini te beni: te doni me shume dhe cdo dite njeri-tjetrin,me pas Zoti serish do na doje me shume neve! Me lot ne shpirt,me gur ne zemer,ju themi qe hapim dyert e hotelit per te ofruar strehe per familjet ne nevoje! Zoti na ndihmofte!

Autori eshte pronari i nje hoteli ne Shqiperi (Marrë nga “Gazeta Shqiptare”) / KultPlus.com

“Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës sime”, fjalët e fundit të Diena Karaxhës

Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.

“Një nënë e goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu artikullin “Mirror”.

“Diena Mecaj Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26 nëntorit. Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel, e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë. Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës time”.

Mediat lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.

Burri i saj, Dorian Karanxha ka vdekur nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.

Diena postoi foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”.

“Shumë njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë do të të dua përgjithmonë”.

Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror. / KultPlus.com

Papa Françesku dhuron 100 mijë euro për të prekurit nga tërmeti


Papa Françesku është sensibilizuar me gjendjen e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë, pas tërmetit 6.4 ballë të së martës.

Ai ka dhuruar 100 mijë euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i fuqishëm.

“Të shprehim afërsinë shpirtërore me të prekurit. Dhurojmë 100 mijë euro për Shqipërinë. Paratë do të shkojnë për të ndihmuar popullin shqiptar”, thotë Papa.

Kujtojmë që edhe një ditë më parë Papa shprehu ngushëllimet për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar.

“Dëshiroj t’i dërgoj përshëndetjen dhe afërsinë time popullit shqiptar që ka vuajtur aq shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë i Evropës që kam dashur të vizitoj. Jam afër viktimave, lutem për të vdekurit, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti bekoftë këtë popull që e dua aq shumë”, thuhej në letrën e ngushëllimit./ KultPlus.com

Gazetari rom: Shqiptarë, ua ha zemrën

Nga Denis Galushi

Shqiptarë, ua ha ❤

– Peja, Gjakova e Prizreni, në këto momente ua kanë hapur dyert e shtëpive të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, pa dallime.

– Ama bukvalisht, pa dallime!

– Ajo që më ra në sy nga hotelet dhe shtëpitë që i kanë strehu viktimat, një numër i madh i takon komunitetit romë, ku unë tani e bëra këtë “dallim” me tregu që: SOLIDARITETI nuk njeh racë e as fe!

– Pasi që u bë akomodimi i qytetarëve të Shqipërisë në hotele dhe shtëpi të Gjakovës (një pjesë e madhe prej tyre rome), tani më nuk ka vend për pjesën tjetër të familjarëve, por zgjidhja menjëherë për ata u bë që të strehohen në një kamp ushtarak të Prizrenit.

– Prandaj, në këto ditë të vështira, ju lutem që mos të bëni komente të tipeve raciste, ashtu siç po flitet për Gjakovën që kinse nuk ka dashur t’i pranoj romët!

– JU LUTEM, keni kujdes se çfarë postoni në Facebook.

– KOSOVE, Evropa dhe e gjithë BOTA, mund t ‘kenë zili për dashurinë, respektin dhe mikpritjen pa kufi dhe pa dallim!

P.S.

ALL DIFFERENT, ALL TOGETHER!  / KultPlus.com

.

Edi Rama: Rrofsh e qofsh me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do zemra o Behgjet Pacolli

Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar sot 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Për këtë ndihmë të madhe të Pacollit kanë reaguar të gjithë qytetarët, të lumtur që viktimave të tërmetit po ju vijnë në ndihmë të gjithë.

Por i befasuar është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka uruar më të mirat për Pacolli.

“RROFSH e QOFSH me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do e bardha zemër O BEHGJET PACOLLI🙏”, ka shkruar Rama.

Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka thënë Pacolli. / KultPlus.com

Behgjet Pacolli dhuron 1 milion euro për Shqipërinë

Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, njofton Klan Kosova.

”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri.

Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.

Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.

Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur.

Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.

Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”.

Rama për 28 Nëntor: Hyri Dita e Flamurit Kuq e Zi në errësirën që na rrethon

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përkundër dhimbjes për jetët e humbura nga tërmeti që ndodhi ditën e martë në Shqipëri, sot ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, ani pse kësaj radhe festa është kthyer në zi, përcjellë KultPlus.

Kryeministri Rama përmes një postimi në faqen e tij në Facebook ka uruar Ditën e Flamurit duke këtë ditë si një errësirë.

 “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”, shkruan Rama në Facebook.

Ai gjithashtu ka reaguar edhe me një tjetër thirrje në këtë ditë të shënuar për shqiptarët, duke kërkuar që kjo festë të kthehet në solidaritet.

“Dhe me adresën unike shtetërore për adresimin e çdo kontributi, në https://e-albania.al/dhuro ju uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë dhe uroj që këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në DITË të shënuara SOLIDARITETI KOMBËTAR, në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për TË GJITHË NE”, ka përfunduar Rama. / KultPlus.com

Rama mesazh: S’kemi më nevojë për ndihma materiale por financiare

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë këtë mëngjes, lidhur me situatën katastrofike, në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit.

“Nuk ka më nevojë për ndihma materiale por financiare, pasi falë jush ka masivisht, por mund të ketë nevojë për më shumë bashkërendim dhe koordinim. Ju lutem të gjithë atyre që do të vijnë të drejtohen te Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që të bëjnë një ndarje sa më të drejtë të ndihmave. Plaga është te strehimi, ndaj dhe duhet të fokusohemi te ky kontribut. Është një situatë me përmasa të atille që do të kishte lëkundur shtete shumë më të mëdha se sa ne. Është bërë një super-pune, me një investim moral dhe fizik. Na ra ne, dhe ne duhet ta mbajmë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër t’i shmangemi kësaj sfide, që do shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshme në cdo aspekt.
Në faqen e ‘e-albania’ pashë të dhënat, ka kontributorë të mëdhenj, por ka dhe kontributorë të vegjël, por që janë tejet të çmuar”, tha Rama, përcjell tch.

“Në thumanë i kemi njerëzit në cadra, sepse aty është një vatër e zjarrtë tragjedie. Por, së pari na duhet të përcjellim të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 40. Menjëherë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar”, tha Rama. / KultPlus.com

Shqiptarët në SHBA, për më pak se 24 orë mbledhin gati 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti

Marko Kepi i organizatës “Rrënjët Shqiptare” në Nju Jork dhe Mark Kosmo me fondacionin “Global Albanians” në Boston folën me Zërin e Amerikës për përpjekjet e ndihmave nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe në botë.

Kepi tha se komuniteti shqiptar në SHBA e kanë për detyrë që t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Shqipëri kurdo që kanë nevojë, ndërsa tregoi se janë mbledhur mbi 700 mijë dollarë për më pak se 24 orë.

“Akoma s’janë bërë 24 orë nga nisja e iniciativës për të mbledhë para, dhe janë mbledhur rreth 730 mijë dollarë. Ne u gëzuam shumë, na u bë qejfi kur pamë shqiptarët e Kosovës që u nisën me makina drejt Shqipërisë menjëherë pas tërmetit, duke dhënë kështu kontributin e tyre. E shqiptarët që jetojnë në Amerikë nuk e kanë mundësinë të shkojnë direkt në Shqipëri e të kontribuojnë, por ky ishte kontributi i tyre. Jemi një”, tha ai për Zërin e Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/5183617.html?utm_medium=affiliate&utm_campaign=VOA-player5183617&utm_source=www.koha.net/arberi/196305/shqiptaret-ne-shba-per-me-pak-se-24-ore-mbledhin-gati-1-milion-dollare-per-te-prekurit-nga-termeti/&utm_content=player#player-start-time=1.711429

Kurse Kosmo ka thënë se janë mbledhur rreth 70 mijë dollarë për rreth 24 orë.

“Shpresojmë të mbledhim 150 mijë dollarë, por kush e di. Po provojmë të mbledhim fonde edhe nga organizatat amerikane, jo vetëm nga ato shqiptare”, deklaroi Kosmo.

Ushtria e Boletinit ishte vonuar në Vlorë, ushtria e Kosovës mbrërriti e para

Blerim Reka

Kufiri i gjakut

Dje tragjedi, sot ditë zie, nesër ditë pavarësie. Ushtria e Boletinit ishte vonuar para një shekulli në Vlorë, por ushtria e Kosovës mbërriti e para, dje në Durrës.

Kufiri i Londrës; që ndau vëllezërit dhe bashkoi armiqtë, dje u shkri. Ky kufi artificial, nuk arriti të ndajë gjakun natyral. Mbi një shekull nga ndarja, shqiptarët vazhdojnë të kufizohen me vetveten. Nesër, është dita e pavarësisë së Shqipërisë. Këndej kufirit londinez, është dita e flamurit që mbajti gjallë gjakun që nuk shprishet.

Kufinjtë janë vetëm në harta; jo në zemër!./KultPlus.com

“Ku janë sot pasanikët e Shqipërisë”

Mbi 1000 banesa të dëmtuara, 29 viktima dhe 600 të plagosur është bilanci i tmerrshëm i një tërmeti që shkundi Shqipërinë. Të gjithë u sensibilizuan, ofruan ndihma, para, shërbime dhe çdo gjë që kishin nevojë të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.

Nga Kosova mbërritën biznesmenë të ndryshëm, panë situatën nga afër dhe u sensibilizuan duke derdhur në llogaritë e ndihmës, disa qindra mijëra euro.

Po të pasurit e Shqipërisë ku po fshihen?!

Në këto 6 vitet e fundit, janë dhënë mbi 1 miliard euro koncesione, ku pjesën më të madhe e kanë marrë një grup biznesmenësh të pasur. Gjithashtu me dhjetëra kompani përfitojnë fonde publike çdo vit, nëpërmjet tenderave të ndryshëm. Të gjithë këta janë fshehur, kanë braktisur Shqipërinë dhe po sigurojnë pasurinë e tyre.

Këta të pasur nuk janë sot pranë shqiptarëve, pranë njerëzve që kanë nevojë. Për ta, ky tërmet është një ngjarje e zakonshme, përsa kohë ata nuk janë prekur. Shumica prej tyre kanë braktisur vendin me familjet e tyre, dhe tërmetin po e shikojnë nga televizori.

Koncesionet, rrugët dhe tenderat, këta biznesmenë i fitojnë nga pasuritë e qytetarëve. Janë taksat tona, dhe të atyre viktimave të tërmetit, që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit, dhe pasurinë e tyre. Dhe këta të fundit nuk japin asnjë qindarkë nga pasuria e tyre.

Sot këta të pasur, zotërojnë apartamente që mund t’i vendosin në dispizicion, kanë para, kanë supermarkete për ndihma ushqimore, dyqane me elektroshtëpiake, kanë hotele për t’i strehuar të dëmtuarit e tërmetit. Por asgjë deri tani! Në media janë parë vetëm akte bamirësie me shuma modeste, në raport me pasurinë që kanë.

Po tërmeti natyrisht ka pasoja edhe mbi të pasurit! Në një situatë të tillë katastrofe, bie konsumi dhe shpenzimet, bie xhiroja, dhe natyrisht bien të ardhurat për ta. Prandaj, ata që sot fshihen, nëse nuk japin kontribut për të dalë nga kjo krizë, restoja ndaj tyre do të jetë tepër e shpejtë./ Shqip / KultPlus.com

Familja nga Deçani strehon familjen nga Durrësi tek të cilët kishin qëndruar në kohë lufte (VIDEO)

Një familje nga fshati Carabreg i Deçanit të Kosovës, ka strehuar një familje nga Durrësi i Shqipërisë.

Kjo siç raporton rel, u bë pas tërmetit tragjik që ndodhi në këtë qytet të martën, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetëra dhe u lënduan qindra persona.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, familja Qorraj kishte qëndruar për disa muaj te familja Kazanxhi në Durrës.

Komuna e Prishtinës ndan 50 mijë euro për Shqipërinë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal pas tërmetit në Shqipëri tha se dje ka qenë ditë tragjike për të gjithë shqiptarët. Me këtë rast janë ndarë 50 mijë euro për Shqipërinë.

“Prej dje kemi vazhduar kontaktet në Shqipëri me Erion Veliajn nëse ka nevojë për ndihmë. Ndihmat qe po mblidhen është gati e pamundshme të koordinohen. Mësohet se sot mbi 400 qytetarë të Shqipërisë kanë arritur në qytete të ndryshme. Erion Veliaj do të na njoftojë për çdo gjë që kanë nevojë. Do të ndajmë 50 mijë euro, është shumë e mjaftueshme qe si kryeqytet të tregojmë solidaritet”, tha Ahmeti, raporton KTV.

Ahmeti shtoi se “po kërkohen inxhinierë”.

“Sot do të shkojnë 15 inxhinierë të statikës për vlerësimin e objekteve në Durrës. Do të dërgojmë çdo kapacitet që kemi mundësi, ekspertë apo inxhinierë”, tha Ahmeti. / KultPlus.com

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ndanë 20 mijë euro për Shqipërinë

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës, ndihma me mjete financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për familjet e dëmtuara nga tërmeti që ka ndodhur dje në Shqipëri.

Me këtë rast këshilltarët komunalë unanimisht aprovuan këtë rend dite.

Më pas, të gjitha grupet politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, kanë shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tyre me vëllezërit me motrat në Shqipëri. / KultPlus.com

“Askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim”


Nga Kimete Berisha

Ne duaj ty e ti duaj veten-s’shkon.

Pezulloje taksën e Rrugës së Kombit për shqiptarët e t’u më së pari, që po strehohen në Kosovë, sepse askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim, me pagu gjobë për mbijetesë, gjobë për bukë goje.

Ku keni pa ju kështu, gjithë ky zullum që bën qeveria shqiptare kundër popullit tonë të varfër e s’ka kush na mbron prej kësaj padrejtësie.

Në daç me pshtu shpirtin- paguaj gjobë.
Në daç me çu ushqim për viktimat e tërmetit në Shqipëri-je i detyruar t’ia paguash gjobën një krimineli aty që e ka vendos një rampë të krimit dhe plaçkitjes, si postblloku i Nedakovcit në kohë t’Serbisë.

Me na ndal nuk mundeni, për atë kufi u dhënë gjak, e po i bën kush hesap paret e haramit tënd, s’ka kufi që nuk e kapërcen Kosova për me dalë andej.
Por është turp që edhe prej ndihmave humanitare me rras ju gushën e krimit.

P.S. S’kemi luks me lu ‘lojna’ se mundet njeri hiç mos me ua pagu atë gjobë krimi. Thjesht m’i lënë ndihmat te kufiri le të vjen Edi Rama le ti merr. / KultPlus.com

Sot Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë hap librin e zisë

Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë, dita e sotme, është shpallur ditë zie kombëtare.

Në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Prishtinë do të hapet një libër ngushëllimesh sot prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10.00 – 13.00.

Në mesditën e sotme në ambasadë do të mbahet një minutë heshtje. / KultPlus.com

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një takim urgjent mëngjesin e sotëm ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e personave të cilët janë ende nën rrënoja.

“Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi se deri më tani janë 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe 45 jetë të shpëtuara.

“Tërmeti ishte sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike”, tha Rama.

Ai më pas shprehur mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë.

Kryeministri shqiptar falënderoi edhe vendet të cilat janë solidarizuar më Shqipërinë në këto orë të vështira duke e quajtur mbresëlënëse atë çfarë bëri Kosova dhe vendet mike.

“Solidaritet mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Rama. / KultPlus.com

Ramë Lahaj: Ju keni një shtëpi që u rindërtua hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë

Me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri po solidarizohen të gjithë duke ju ardhur në ndihmë në forma të ndryshme, shkruan KultPlus.

Artistët gjithashtu po shprehen të prekur nga kjo tragjedi. Tenori i njohur, Ramë Lahaj përmes një statusi në Facebook është shprehur se të gjithë të prekurit e kanë një shtëpi që u rindërtua 20 vjet më parë, duke aluduar në Kosovën, qytetarët e secilës Shqipëria i strehoi gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Gjithmonë e në çdo frymëmarrje do të jemi me ju, sikur që ju shenjtërisht ishit me ne, në kohët më të vështira! Të gjithë duhet ta dini se keni një shtëpi që u rindërtua, hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë derisa tuajën ta rindërtojmë së bashku. Tashme, ia kemi marrë dorën ne të mjerët, gjithmonë të shkatërruar ose nga ndonjë regjim barbar ose ndonjë politikë e gabuar, dhe herë pas here, na përplas edhe vet Zoti, sikur pak të kemi vuajtur ne shqiptarët! Por të fuqishëm do të qëndrojmë, deri në frymën e fundit. Me shpirt jeni me ju, gjithmonë!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com

Fotoja që po qarkullon nëpër rrjete sociale është lajm i rremë

 

Një fotografi e një qeni që po pret pronarin e tij, e po dyshohet të ketë qenë në Shqipëri, po qarkullon në rrjetin social ‘Facebook’. Por, një informacion i tillë ka rezultuar të jetë një lajm i rremë.

Me një të kërkuar në motorin e kërkimit ‘Google’, Lajmi.net ka arritur të kuptojë se fotografia është marrë nga arkiva e kësaj të fundit.

Siç shihet edhe në detajet që ofrohen poshtë fotos, mund të vërehet se fotografia është ngarkuar më 2 janar të këtij viti.

Sido që të jetë, Shqipëria është goditur sot nga një termet destruktiv, prej 6,4 ballësh, duke shkaktuar 15 viktima dhe dhjetëra të lënduar.

Po ashtu, pak minuta më parë, rajoni ka përjetuar edhe një termet tjetër, përkatësisht në orën 14:05, por që ende nuk është raportuar për ndonjë lëndim. / KultPlus.com

Rita Ora: Zemra dhe mendimet e mia sot janë me të prekurit nga tërmeti

Tërmeti në Shqipëri ka prekur të gjithë njerëzit, ata po mundohen të solidarizohen me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.

Këngëtaret shqiptare të njohura botërisht si Dua Lipa e Rita Ora nuk kanë qëndruar indiferente për këtë tragjedi të vendit të tyre.

Rita Ora përmes një postimi në InstaStory ku ka shpërndarë një fotografi të flamurit shqiptar ka shkruar se bashkëndjen dhimbjen me gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Zemra dhe mendimet e mia sot janë me ata qe janë prekur nga tërmeti”, ka shkruar Rita. / KultPlus.com