Reportazhi i revistës rumune, “Ziare.Com”: Tirana, kryeqyteti shumëngjyrësh dhe miqësor me turistët

 Dikur një qytet i trishtë dhe gri, si shumica e qyteteve komuniste në Evropën Lindore, Tirana sot është një kryeqytet i vogël, por shumëngjyrësh, shkruan Iulian Anghel në revistën e përditshme rumune “Ziare.Com”.

Ende mbizotëron ajri arkaik i epokës që kaloi tre dekada më parë, por tani ka një nuancë të ngrohtë, të këndshme, të rrethuar nga mirësia dhe entuziazmi i njerëzve.

Tirana është një qytet i lirë, ku mund të hash mirë, me çmime të ulëta dhe ku mund të kalosh një fundjavë pa frikën se mund të mërzitesh.

Tirana është një qytet shumë i sigurt, për më tepër, është edhe miqësor, me njerëz të thjeshtë dhe të ngrohtë, të kënaqur kur shohin rritjen e turizmit të shfaqur në vitet e fundit, në të cilën qeveria dhe sektori privat sigurojnë të ardhura.

Nuk e prisja, por madje pashë disa grupe aziatikësh, kinezësh, japonezësh apo çfarëdo tjetër, nëpër qytet, dëgjova edhe gjermanisht dhe frëngjisht që flitej në rrugë.

Plus italisht, por kjo nuk është përfundimtare, pasi çdo shqiptar që respekton veten ka të paktën një të afërm në Itali dhe nëse nuk ka, sigurisht që e ka bashkëshortja e tij.

Natyrisht, Tirana nuk është Londra, Parisi apo Barcelona, madje as Bukureshti, por ka hijeshinë e një qyteti ballkanik, mjaft të rregullt, me shumë restorante dhe tarraca, një bulevard të gjerë, sipas modelit të Moskës, ku janë valëvitur dhjetëra flamuj të kuq me një shqiponjë të zezë, një shesh i madh qendror, xhami dhe kisha, disa parqe dhe liqene natyrore.

Qyteti i ngjan pak Brasovit, i vendosur mes maleve. Madje, një prej tyre, Dajtin, mund ta ngjitësh edhe me teleferik, nga ku ka një pamje të përgjithshme të qytetit deri në detin Adriatik.

Sigurisht që vera është më e bukur, mund të arrish në 800 metra lartësi dhe në rrugë të ndryshme.

Por, tani është mjaft ftohtë dhe nuk duket koha e duhur për ecje nëpër pyll. Përtej qendrës, peizazhi i Tiranës është i ndërthurur.

Blloqe gri të ndërtuara sipas modelit sovjetik, ku rrobat varen për t’u tharë në telin jashtë banesës, por edhe rrugë të vogla me kalldrëm, sipas modelit turk.

Gjatë qindra viteve kur ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, Shqipëria u quajt zyrtarisht Arnavutluk dhe banorët e saj ishin arnavutlarët (Arnautët).

Shqipëria fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Në vitin 1939 u pushtua nga italianët dhe më 1944 komunistët morën pushtetin.

Në vitin 1991, pas disa vitesh izolimi dhe komunizmi, shqiptarët rifituan pavarësinë e tyre, duke u bërë një vend demokratik.

Shqipëria është një vend i njohur që nga janari 2003 si një vend kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Tirana është një qytet që vuajti shumë gjatë komunizmit, si Shqipëria. Rasti i diktatorit Enver Hoxha është unik në botë.

Ai ndërtoi mbi 200 000 bunkerë (disa thonë deri në 700 000) në të gjithë vendin, duke pasur një fobi ndaj luftës bërthamore dhe pushtuesve.

Në thelb, Hoxha, i cili vdiq në vitin 1985, bëri një bunker për pothuajse çdo familje në Shqipëri. Bunkerët janë kudo, në qytete, fshatra, fusha, pyje.

Shtëpia ku ai jetonte, një kështjellë e vërtetë në kohët e vjetra, tashmë është kthyer në muze.

Nën drejtimin e Hoxhës, një mandat i karakterizuar nga izolimi nga pjesa tjetër e Evropës dhe aderimi i vetëshpallur ndaj parimeve marksiste-leniniste, qeveria shqiptare krijoi një imazh të evolucionit të vendit nga një shtet gjysmë feudal në një shtet të industrializuar.

Në kujtim të Hoxhës, Partia Komuniste e Shqipërisë ngriti Piramidën e Tiranës, një atraksion unik dhe intrigues, i ndërtuar në vitin 1988 si muze për ta festuar atë.

Një statujë ari e diktatorit ishte vendosur sipër strukturës së mermerit dhe betonit, por u hoq pas rënies së komunizmit në 1991.

Sot, piramida shërben si një qendër për kulturën dhe artin.

Bunk’Art 1 (në qendër) dhe Bunk’Art 2 (në periferi) janë dy nga bunkerët e Hoxhës, të cilët janë kthyer në atraksione turistike. Hyrja është 7 euro, online vetëm 3,5 euro.

Vlen të shihet se sa larg kishte shkuar fiksimi i njeriut që udhëhoqi Shqipërinë komuniste. Ai kishte bërë edhe dhomat e dekontaminimit bërthamor.

Kuzhina shqiptare është për gustatorët. Shqiptarët pohojnë se përgatisin mishin e qingjit më të shijshëm dhe specialitetet e tyre janë: byreku (byreku tradicional me djathë ose me mish), tave kosi (pjatë qengji me kos), sufllaqe, qofte.

Birra shqiptare Peja është e mira (1-2 euro), verërat janë më të shtrenjta pasi janë italiane. Në Tiranë sigurisht që nuk vdes nga uria, dhe marrëzia më e madhe është të shkosh drejt ushqimeve të shpejta.

Meqë ra fjala, në të gjithë Shqipërinë nuk ka restorant McDonalds dhe Starbucks, por ka KFC dhe Burger King.

Në përgjithësi, Shqipëria është një oaz i lirë, në një botë gjithnjë e më të shtrenjtë.

Me paratë që shpenzon në Paris për tri ditë, ndoshta mund të mbijetosh në Tiranë për një muaj.

Akomodimi, në një bujtinë në qendër, kushton 13 euro nata, dhomë teke.

Sigurisht që ka vende të shtrenjta, por turizmi masiv nuk praktikohet me pesë yje.

Mjaft pranë sheshit është edhe rruga më e zhurmshme e qytetit. Në vitin 2007, George W. Bush u bë lideri i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe me këtë rast, në nder të tij u emërtua një rrugë kryesore.

Popullsia e vendit dhe e Tiranës është kryesisht myslimane, si trashëgimi shekullore e sundimit osman, por ka edhe ortodoksë shqiptarë (20%) dhe katolikë (10%).

Duke filluar nga viti 1967, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte i vetmi shtet në botë i shpallur zyrtarisht ateist, kishat dhe xhamitë u mbyllën dhe ata që mbanin emra fetarë u detyruan t’i ndryshonin ato.

Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot. Por tani gjërat janë ndryshe. “Feja ime është Shqipëria dhe shqiptarët janë vëllezërit e mi”, është motoja që ndikoi në tolerancën fetare mes grupeve.

Rrallëherë sheh hixhabe apo koka të mbuluara në rrugë.

Aeroporti i Tiranës ka një pamje spektakolare me malet pas pistave.

Monedha vendase është leku shqiptar. Një euro është rreth 100 lekë. Fjala lek është shkurtesë e Aleksandrit të Madh, siç quhet nga shqiptarët ish-mbreti i madh i Maqedonisë së Veriut.

Ka një autobus nga aeroporti në qytet, i cili shkon çdo orë, 24/24.

Udhëtimi është 400 lekë dhe zgjat nga 30 deri në 40 minuta, në varësi të trafikut.

Në kohën e komunizmit, kishte rreth 1 000 makina në të gjithë vendin, shumica prej të cilave i përkisnin partisë.

Nuk ka metro apo tramvaj  por shumë autobusë janë hibridë. Ka edhe shumë taksi, por vendet turistike janë të lidhura në qendër të qytetit, kështu që nuk keni nevojë për transport publik për t’i njohur.

Nënë Tereza është një figurë e rëndësishme në Shqipëri. E lindur më 26 gusht 1910, me emrin Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, ajo themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkutë, Indi në vitin 1950.

Për më shumë se 45 vjet ajo u kujdes për të varfërit, të sëmurët, jetimët dhe ata që po vdisnin, duke udhëhequr zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në të gjithë Indinë, pastaj në vende të tjera. Në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqen.

Më 4 shtator 2016, Kisha Katolike e shpalli shenjtore në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Nënë Tereza është e pranishme pothuajse në të gjitha suveniret shqiptare, që nga kriklat e deri te magnetet, peshqirët, kapelet etj.

Një personazh tjetër është Ahmet Zogu, i quajtur ndryshe edhe Zogu I, i cili ishte kryeministër, president dhe mbret i Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Ai i mbijetoi 55 atentateve që u krijuan gjatë një periudhe dhjetëvjeçare. Më pas Zogu vdiq i qetë në mërgim në Paris.

Shqiptarët janë të apasionuar pas muzikës dhe argëtimit dhe janë krenarë që Rita Ora dhe Dua Lipa kanë origjinë shqiptare.

Në Tiranë ka shumë klube, por edhe pak qendra tregtare. Qyteti ka një qendër të madhe tregtare pikërisht në qendër, me dhjetëra dyqane, disa edhe luksoze.

Çmimet janë të ngjashme me tonat dhe nëse rrogat e shqiptarëve janë pak më të ulëta, oreksi për shopping duket se nuk ndikohet nga kjo.

Megjithatë, shumica e banorëve kanë të afërm jashtë vendit, të cilët i ndihmojnë ata në shtëpi.

Thuhet se në të gjithë botën jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Shqipëri, ku shumica e tyre migrojnë në Itali, Greqi, Turqi, Kanada, Australi dhe SHBA.

Shqipëria ka 2,8 milionë banorë dhe rreth 500 mijë prej tyre jetojnë në Tiranë.

Gjuha shqipe ka mjaft fjalë të përbashkëta me rumanishten dhe një theks të ngjashëm.

Teksti i himnit kombëtar të Shqipërisë, i titulluar “Himni i flamurit”, është shkruar nga arumuni Aleksander Stavri Drenova.

Muzika është “Bashkimi është shkruar në flamurin tonë” dhe është kompozuar nga Ciprian Porumbescu.

Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve nuk duhet të mungojnë në listën e objekteve për t’u vizituar.

Janë vende ku mund të njiheni me trashëgiminë kulturore të një vendi të vogël, por bujar në piketa arsimore.

Gjithashtu, Kalaja e Tiranës, e ndërtuar në vendin e një fortifikimi të vjetër, ka një histori interesante dhe ofron pamje interesante të qytetit dhe maleve të zonës.

Duke qenë në jug të Rumanisë, Tirana ka një mot më të butë, veçanërisht në stinën e ftohtë.

Nuk është shumë ftohtë as në dimër, dhe bie shi më shumë se borë.

Qyteti është në të njëjtën gjerësi gjeografike si Napoli, Madridi ose Stambolli dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovën. /ATSH /KultPlus.com

Tirana, kryeqyteti i filmit në Ballkan, Jorgji: Mundësi për kineastët dhe ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm

Tirana do të jetë kryeqyteti i filmit në Ballkan. Në kryeqytet nga data 13-17 dhjetor do të vijnë producentët dhe regjisorët më të rëndësishëm në fushën e filmit nga e gjithë Europa, për të marrë pjesë në “Balkan Film Market”.

Jonid Jorgji, kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë e Tiranës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se industria kreative dhe filmi në tërësi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm.

“Eventi gjigand në industrinë e kinemasë do të sjellë në Tiranë qindra producentë dhe kineastë, përfaqësues të platformave televizive nga më të njohurat në Europë. Do të vijnë në Tiranë për katër-pesë ditë. Do ketë panele diskutimesh, workshop-e, por edhe konkurse për idenë më të mirë “Pitching”, që do të sjellin bashkëprodhime të ndryshme ballkanike, shqiptare por edhe në Europë”, tha Jorgji.

Kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë e Tiranës solli dhe shembuj se si industria e kinemasë ka ndikuar drejtpërdrejt në turizëm.

“Industria e filmit dhe e gjithë industria audiovizuale jep një feedback të rëndësishëm në turizëm. Është një ambasador i mirë për turistët e ardhshëm që do të vijnë në vendin tonë. Kroacia është një shembull konkretë që edhe falë “Game of Throne” u kthye në një atraksion turistik nga më të rëndësishmit në rajon dhe Evropë. Këtë strategji po ndjekim dhe në Tiranë, duke krijuar këtë zyrë të filmit, duke sjellë sa më shumë produksione filmash”, tha ai.

“Falë incentivave të marra kanë ardhur shumë produksione filmash, ndërsa po punohet dhe ligji për sektorin audiovizual, ku ndihmon dhe incentivon të huajt dhe vendasit që duan të xhirojnë në vendin tonë filmat apo produktet  e tyre audiovizuale. Para një viti në vendin tonë u xhirua dhe episodi i fundit i një Reality Show holandeze, dhe Tirana pas transmetimit të atij episodi pati bum turistësh nga Holanda”, theksoi Jorgji.

“Balkan Film Market”  do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen. Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në BFM, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.

Në rrethin e mbi 300 të ftuarve, të cilët kthejnë sytë nga projektet ballkanike, regjisorët e rajonit do të kenë mundësinë përgjatë pesë ditëve të promovohen, të zgjerojnë rrethin e njohjeve me emra të cilët kanë një historik të gjatë dhe të suksesshëm në industrinë filmike botërore, ku disa prej tyre të nominuar me çmime OSCAR.

Përpos mundësisë për ekspertët e fushës, nëpërmjet marketit Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.

Balkan Film Market realizohet në partneritet me bashkinë Tiranë, Ambasadën Franceze, Ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit AGIMI, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative./atsh/KultPlus.com

Tirana ndez dritat! Sheshi Skënderbej, qyteza e festave dhe argëtimit

3, 2, 1… Tirana zyrtarisht ka hyrë në periudhën më të bukur të vitit!

Kthyer tashmë në traditë, sheshi ‘Skënderbej’ është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi me fjalën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ftoi të gjithë të mbajnë “ndezur” dritën e mirë brenda vetes, për të çuar përpara punë të mira për familjen dhe vendin. Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë më solidarë, më të dashur dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sidomos këtë muaj festash.

“Përveç festave te Pazari, Kalaja, Liqeni, Kopshti Zoologjik, apo këtu në shesh, uroj që secili prej nesh ta mbajë ndezur “dritën e mirë” që ka brenda vetes dhe sa herë zgjohet në mëngjes t’i bëjë një pyetje vetes: “Sot do zgjohem dhe do bëj mirë apo keq? Sot do inkurajoj njerëzit apo do merrem me llafe e do i shaj? Sot do çoj përpara punë të mira për familjen, për vendin, për qytetin apo do bëhem pengesë e dikujt? Është shumë e rëndësishme që këtë dritë që ndezim sot, ta mbajmë ndezur gjithë kohën e festave. Dua që këto festa të jenë plot me solidaritet dhe mirësi e dashuri. Kërkesa që kam për secilin është: Nëse keni pak më shumë ëmbëlsira, ndihmoni dikë që nuk ka. Nëse natën e Viti të Ri, natën e Krishtlindjes, gjatë festave, keni më shumë ushqime se ç’ju duhet, ndihmoni dikë që ka më shumë nevojë; nëse keni mjaftueshëm pulovra e bluza, jepini edhe atij që ndoshta s’e ka mundësinë të festojë si të gjithë të tjerët””, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të ftojnë sa më shumë familjarë, që i kanë brenda apo jashtë vendit, për të kaluar festat në kryeqytet.

“Është shumë e rëndësishme që këto festa të kenë dashuri pa fund. Këtë vit Tirana ishte Qyteti Evropian i Sportit. Jam kaq entuziast që, shumë nga çunat e gocat e Tiranës merren me aktivitete sportive. Tirana ka pasur numrin më të madh të turistëve ndonjëherë, ndaj duam që edhe festat të prodhojnë ekonomi. Nëse keni kushërinj e të afërm, miq, familjarë, ftojini për të kaluar festat në Tiranë, se duke shpenzuar në Tiranë, krijojmë ekonomi për vendin tonë dhe punësim për njerëzit tanë. Ndezim sot pemën e parë dhe më të madhe në Tiranë, për të vijuar festat gjatë gjithë këtij muaji, me solidaritet, me dashuri dhe mirësi për njeri-tjetrin!”, përfundoi Veliaj.

Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një mini-qytezë festash me një super-atmosferë për të gjithë ata që do ta vizitojnë./TopChanel/KultPlus.com

85-vjetori i Radio Tiranës, Begaj: Promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare.

Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.

“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.

“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është,  gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”, theksoi Begaj.

“Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se, “duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj./atsh/KultPlus.com

Festat e dhjetorit sjellin shumë risi në Tiranë

Bashkia e Tiranës është bërë gati për festat e dhjetorit, ndërsa pritet vetëm ndezja e dritave që kryeqyteti të përfshihet i tëri në atmosferën festive plot ngjyra, që do të zgjasë përgjatë gjithë muajit.

“Do të ketë koncerte artistike, festa të ndryshme në lokale të jetës se natës, do të ketë angazhime për fëmijët në të gjithë rrethinat e Tiranës, jo vetëm në kryeqytet, duke çuar një Christmas Market në çdo njësi administrative, me lodra me animacione, me dhurata për të qëndruar sa më afër në këto ditë festash me të gjithë grupmoshat dhe me të gjithë shtresat”, shpjegon Mirela Kocollari, drejtoreshë e promovimit të qytetit.

Aktivitetet festive janë dhe një mënyrë e mirë për të tërhequr edhe më shumë turistë në vendin tonë, në këtë vit që ka provuar të jetë një sukses sa i përket shtimit të vizitorëve të huaj.

“Promovimi fantastik, linjat e reja ajrore që janë hapur, lidhja e mirë me destinacionet, çmimet ekonomike por edhe eventet dhe të gjitha këto gjërat që ndodhin në Tiranë kanë qenë si një karrem qe i ka shtyrë edhe më shumë turistët e rinj një ditë më shumë, të vijnë një fundjavë dhe të kalojnë në një atmosferë kaq fantastike, ditë më shumë në Tiranë. Kështu që ne presim patjetër përsëri edhe në muajin dhjetor edhe pse mund te jetë pak ftohtë, që të kemi turistë”, thotë Kocollari.

E natyrisht ardhja e më shumë turistëve është pozitive jo vetëm për promovimin e vendit por ndikon dhe në rritjen ekonomike të qytetit.

“Do të konsumojnë një drekë një darkë, do blejnë një dhuratë për të afërmit, do flenë një një hotel, kështu që të gjitha këto janë ne të mirë të ekonomisë së vendit, rritet numri i vendeve të punës sepse nevoja për shërbimet , për përmirësimin e shërbimeve edhe është rritur dhe është më e madhe kështu që e gjitha është një zinxhir qe sjell dhe një rritje ekonomike dhe zhvillim”, shton Kocollari.

Më datë 24 do të jetë koncerti i Krishtlindjeve dhe më pas në çdo mbrëmje deri më 31 dhjetor, do të ketë koncerte me artistë të ndryshëm. Ndërsa gjatë ditës, në sheshin Skënderbej, aty ku do të jetë edhe fshati i Krishtlindjeve, do të ketë aktivitete për të gjitha grupmoshat. /Tch/ /KultPlus.com

Tirana promovohet si vend për xhirime filmash në Hollywood

Në datat 31 tetor deri më 5 nëntor, në Los Anxhelos u zhvillua Marketi Amerikan i Filmit, ku merrnin pjesë profesionistë nga e gjithë bota.

Në vendin ku kinematografia merr jetë ndryshe, aty ku kanë ndodhur eventet më të rëndësishme të kësaj industrie – pikërisht në Hollywood! – Tirana Film Office, si pjesë e Agjencisë së Industrisë Kreative (Agjenci në varësi të Bashkisë së Tiranës) ishte prezente përgjatë ditëve të marketit.

“Takimet me producentë amerikanë dhe aziatikë ishin ato që u veçuan nga pjesëmarrja e TFO në American Film Market. Promovimi i Tiranës si një lokacion ideal për xhirime erdhi si një propozim që tërhoqi maksimalisht vëmendjen e prodhuesve të filmit dhe regjisorëve të rinj, të cilët e panë kryeqytetin nga një tjetër këndvështrim. Përfaqësuesit e TFO njëkohësisht i njohën profesionistët e filmit me gjithçka që ofron industria vendase: nga kapacitetet e grupeve të xhirimit, deri tek mundësitë që ofrojnë studiot e prodhimit. Krijimi i Zyrës së Filmit erdhi thuajse dy vite më parë si ide e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për ta bërë Tiranën më të njohur dhe të aksesueshme në tregun ndërkombëtar kinematografik, e njëkohësisht për të shfaqur më të mirën e kryeqytetit nëpërmjet rrugës së filmit. Një sektor ky i cili vjen si vlerë e shtuar për Bashkinë e Tiranës dhe stategjitë promovuese përtej kufijve”, thekson Jonid Jorigji, drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë e Tiranës.

Përpos shkëmbimit të eksperiencave në prodhimin e filmit, përfaqësuesit e TFO u ftuan në studio e shtëpisë filmike Warner Bros Pictures, ku u diskutua më tej mundësia për bashkëpunime për projektet e ardhshme, duke e parë kështu Shqipërinë si lokacion të mundshëm filmik. E gjithë eksperienca në American Film Market, sëbashku me shumë nga pjesëmarrësit kryesorë në AFM do të jenë prezentë në eventin më të rëndësishëm kinematografik, Balkan Film Market. Ky i fundit do të mbahet në Tiranë në datat 13-17 dhjetor, duke sjellë këtë herë një frymë ndryshe në aspektin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës për profesionistët e fushës audiovizive.

“Promovimi i kryeqytetit në aspektin kinematografik është gjithmonë në qendër të vëmendjes për Tirana Film Office, jo vetëm në Europë, por kudo ku industria filmike është në maksimumet e veta. Diçka është e sigurt: shumë shpejt do ta shohim Tiranën si imazh të ri në filma nga më të ndryshëm”, tha Jonid Jorgji nga Agjencia e Industrisë Kreative. /ATSH /KultPlus.com

“Zelosos por Buenas Renovables”: Tirana, kryeqyteti mbresëlënës i Shqipërisë

Shqipëria, një vend i vogël i vendosur në Gadishullin Ballkanik, njihet për peizazhet e saj mahnitëse, historinë e pasur dhe kulturën e gjallë, shkruan gazetari Alonso Zamora në një artikull për të përditshmen meksikane “Zelosos por Buenas Renovables”, (zbr.com.mx).

Por, kur bëhet fjalë për qytetin më të madh të Shqipërisë, ai që bie më shumë në sy është Tirana.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është jo vetëm qyteti më i madh në vend, por edhe qendra politike, ekonomike dhe kulturore.

Me një popullsi prej mbi 800 000 banorësh, ajo është shtëpia e një pjese të konsiderueshme të popullsisë totale të Shqipërisë.

Pse Tirana është qyteti më i madh në Shqipëri?

Pozicioni i Tiranës si qyteti më i madh në Shqipëri i atribuohet disa faktorëve.

Së pari, si kryeqytet, natyrshëm tërheq një numër të madh banorësh që kërkojnë punësim, arsimim dhe mundësi më të mira.

Përqendrimi i institucioneve qeveritare, bizneseve dhe institucioneve arsimore në Tiranë kontribuon gjithashtu në rritjen e popullsisë së saj.

Për më tepër, vendndodhja strategjike e Tiranës në Shqipërinë qendrore e bën atë një qendër transporti dhe tregtare.

Qyteti është i lidhur mirë me pjesë të tjera të vendit përmes një rrjeti të gjerë rrugor dhe një sistemi transporti publik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës si për banorët ashtu edhe për vizitorët.

Cilat janë disa tipare të dukshme të Tiranës?

Tirana është një qytet që ndërthur në mënyrë perfekte të vjetrën me të renë.

Karakterizohet nga një ndërthurje e arkitekturës osmane, italiane dhe komuniste, duke demonstruar historinë e larmishme të qytetit.

Sheshi Skënderbej, është një pikë referimi qendrore dhe vendtakimi për vendasit dhe turistët.

Qyteti ka gjithashtu një skenë të gjallë kulturore, me muze të shumtë, galeri arti, teatro dhe vende muzikore.

Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Teatri i Operas dhe Baletit janë vetëm disa shembuj të atraksioneve kulturore që ofron Tirana.

Tirana është padyshim qyteti më i madh në Shqipëri

Popullsia, rëndësia ekonomike dhe ofertat kulturore e bëjnë atë një qytet dinamik dhe të suksesshëm.

Pavarësisht nëse jeni të interesuar për historinë, artin ose thjesht dëshironi të përjetoni atmosferën e gjallë të kryeqytetit, Tirana është një destinacioni thelbësor në Shqipëri. /atsh / KultPlus.com

Tirana mikpret për herë të parë Paradën e Shqiptarëve më 28 Nëntor! 125 bashki nga trojet shqiptare mblidhen në kryeqytet

Më 28 nëntor, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Albanian Roots”, do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 

E kthyer tashmë në një traditë në Nju Jork, shqiptarët nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë. Marko Kepi, president i “Albanian Roots” (Rrënjë Shqiptare) u shpreh se kjo traditë e bukur do të mbahet çdo vit në një qytet shqiptar.

Sivjet për herë të parë do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në Tiranë, pra në Shqipëri dhe dëshira jonë është që çdo vit Paradën ta përcjellim nëpër qytete shqiptare, pra në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Ulqin, në të gjitha trevat shqiptarë që ta bëjmë si traditë bashkimin e shqiptarëve. Të paktën të festojmë njëherë në vit së bashku, të lëmë anash politikën dhe gjërat që na përçajnë por të mblidhemi për diçka që na bashkon që është të jemi shqiptarë”, tha ai.

Marko Kepi vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës dhe të kryebashkiakut Veliaj për organizimin e kësaj parade dhe që bëri bashkë mbi 125 bashki nga trojet shqiptare.

“Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Erion Veliaj që po na ndihmon dhe po bashkëpunojmë së bashku që ta zhvillojmë këtë paradë. Ata kanë bërë të mundur që të ftojmë 125 bashki në trojet shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë. Janë më shumë se 300 veta që do vijnë nga Italia. Shpresojmë të jetë tamam një paradë, ashtu si ka emrin një paradë shqiptare që na bën të gjithëve krenarë, të shpalosim ato vlerat tona shqiptare përveç që ta shohin shqiptarët nëpër media, por edhe të huajt. T’i japë një arsye edhe të tjerëve, të huajve që vijnë në Shqipëri edhe për paradën shqiptare. Pra t’i shtojmë diçka turizmit shqiptar, t’i shtojmë diçka Shqipërisë, një bukuri me ngjyrat tona siç kemi me veshje kombëtare, me muzikën shqiptare.  Të jetë një arsye tjetër për të huajt që të vijnë në Shqipëri, të vizitojmë Shqipërinë.  Siç shkojnë të huajt apo amerikanët në Gjermani kur është “October Fest” ose në vende të tjera që janë bërë traditë disa festa të tyre, ta bëjmë edhe ne traditë në Shqipëri që edhe më shumë të sjellim turistë dhe të huaj në Shqipëri. Të shohim kush jemi ne shqiptarët vërtetë, sa të bukur jemi me traditat dhe kulturat tona”, shprehet ai.

Presidenti i “Rrënjë Shqiptare” u shpreh se janë të shumta kërkesat për të marrë pjesë nga SHBA, Anglia apo Zvicra. “Çdo vit kemi kërkesa nga shqiptarët në të gjithë botën që thonë ta bëjmë dhe një në Londër, ta bëjmë edhe ne në Zvicër. Është pothuajse një vazhdim ose një përgjigje ndaj atyre thirrjeve të shqiptarëve nëpër botë që e shohin paradën e Nju Jorkut dhe kanë dëshirë edhe ata që nuk mund të marrin pjesë në Nju Jork, të marrin pjesë në një Paradë Shqiptare. Mendojmë se kjo paradë do ta përhapë patriotizmin shqiptarë edhe në trojet ku ata shqiptarë jetojnë sot për sot. Ne do jemi si këtu në Nju Jork, do hapim paradën shqiptare, do i prijmë paradës shqiptare. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, është një koordinim shumë i mirë dhe jemi duke ecur shumë bukur me punimet e kësaj parade dhe do vazhdojmë paradën në Tiranë që të mundohemi që çdo vit ta bëjmë sa më bukur”, deklaroi Kepi./topchanel/Kultplus.com

Tirana qendër e kulturës dhe muzikës bashkëkohore, Teatri Metropol sjell Metrosound

Tirana gjithnjë e më shumë po kthehet në një qendër arti, me aktivitete të përditshme kulturore.

Mbas 5 edicionesh të suksesshme, Metrosound kthehet nga një aktivitet i përvitshëm në një pjesë integrale të programit të Teatrit Metropol, i cili do të shtrihet përgjatë gjithë sezonit. Takimi i parë vjen këtë të enjte në 2 nëntor me violincelistin e mirënjohur shqiptar Redi Hasa.

Dy vjet pas publikimit të “The Stolen Cello” artisti prezanton albumin e tij të dytë si solist, “My Nirvana”.

Në të ai tregon një pjesë të historisë së tij: Takimin me muzikën rock dhe grunge të viteve ‘90 fill pas rënies të sistemit diktatorial në Shqipëri, pak vite përpara se të vendoste të linte vendin e tij për të shkuar në Pulja, Itali.

Ky album sjell në vëmendje këngët më domethënëse nga grupi i mirënjohur drejtuar nga Kur Cobain duke “rishpikur” kështu disa prej këngëve që kanë shënjuar një epokë të rëndësishme në historin e rockut botëror dhe sakaq janë kthyer në himne.

Në versionin live Hasa e transformon violincelin nëpërmjet distorsioneve dhe eksperimenteve elektronike radikale. Në ktë performancë ai do të jetë i shoqëruar nga Valerio Daniele ndërkohë që do të ribashkohet në skenë për të performuar disa pjesë me mikun e tij dhe bashkëthemeluesin e grupit “The Fish Hook”, artistin e mirënjohur Bojken Lako.

Metrosound është një program i kuruar nga Rubin Beqo me synimin për të sjellë në vëmendje projektet më domethënëse nga artistë bashkëkohor shqiptar në fushën e muzikës.

Teatri Metropol i bashkisë së Tiranës ka ngjitur në skenë disa vepra të njohura artistike, duke afruar jo vetëm artistë me eksperiencë, por duke u dhënë një mundësi dhe të rinjve që të shfaqen para publikut kryeqytetas./atsh/KultPlus.com

“Lonely Planet Italia”: Tirana, kryeqyteti i ri i teknologjisë së lartë i Evropës Lindore

Katërmbëdhjetë shkallë të pjerrëta të bardha të vendosura në të gjithë strukturën të çojnë në majën e Piramidës së Tiranës, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në revistën italiane, “Lonely Planet Italia”.

Ish-trashëgimia e epokës komuniste, e ndërtuar në vitin 1988 me iniciativën e vajzës dhe dhëndrit të diktatorit Enver Hoxha, pas katër vitesh punë, më në fund ka rihapur dyert për publikun dhe po përgatitet të bëhet qendra më e madhe multifunksionale në Evropën Lindore.

Ajo lindi falë një investimi të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Bashkisë së Tiranës, projektuar nga studioja e famshme holandeze e arkitekturës MVRDV.

Studioja ka rinovuar me mjeshtëri kompleksin e rrënuar dhe gjithashtu hapësirat e jashtme të Piramidës, duke ruajtur strukturën bazë origjinale.

Tani ajo është një ndërtesë transparente ku mbizotëron e bardha dhe drita, me dritare të mëdha, elementë hekuri, kuba me ngjyra, pemë dhe gjelbërim përreth.

Tirana kryeqyteti i ri për t’u zbuluar

“Dhomat e saj do të presin biznese të reja, zyra, evente dhe një qendër TUMO për t’u garantuar studentëve të rinj shqiptarë dhe rajonal, akses në aftësitë dixhitale të afta për t’u dhënë atyre një të ardhme punësimi.

‘Qendra të ngjashme janë tashmë funksionale në Jerevan, Paris, Berlin, Los Anxhelos, Zyrih dhe Lion, por ajo në Tiranë është hapësira e parë për teknologjitë kreative në të gjithë Ballkanin”, tha Ketrina Jarazi, Drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Tiranës.

Vitet e fundit, qyteti ka ndryshuar shumë, ndërtesa të reja, zona të rinovuara, restorante të shkëlqyera, ngjarje çdo javë, dhe shumë turistë.

Tirana tashmë ofron gjithçka që duhet për t’u bërë destinacioni i ri për një fundjavë ndryshe.

Këtë vit numri i vizitorëve ishte shumë i lartë për një komb të vogël si Shqipëria, e rrethuar nga vende si Italia, Kroacia, Greqia, Turqia.

Sipas të dhënave nga Instat, Instituti Kombëtar i Statistikave të Shqipërisë, numri i turistëve arriti ne 8,2 milionë.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë

Linjat ajrore me kosto të ulët tashmë lidhin kryeqytetin shqiptar me aeroportet kryesore evropiane dhe duke filluar nga nëntori, “Ryanair” do të fluturojë drejt Tiranës edhe nga Bolonja, Milano, Roma, Katania, Treviso dhe shumë qytete të tjera të kontinentit të vjetër.

Kalendari i ngjarjeve po evoluon vazhdimisht, këtë verë artistë të mëdhenj si Enrique Iglesias, Ricky Martin dhe Placido Domingo performuan në Tiranë, ndërsa festivali ndërkombëtar i filmit TIFF dhe Festivali Europian i Filmit Rinor i Tiranës tërhoqën aktorë dhe regjisorë nga i gjithë Ballkani dhe Evropa.

Por, viti nuk ka mbaruar akoma, më 16-17 tetor Festivali Kosmos mbledh artistë të muzikës klasike vendase dhe ndërkombëtare në qytet, më 22 tetor është Maratona.

Nga 15 deri më 19 nëntor organizohet Panairi i Librit dhe është rasti më i mirë për të takuar shqiptarët. autorë, shumë prej të cilëve janë përkthyer edhe në italisht.

Më 29 nëntor është Nata e Bardhë e shoqëruar me muzikë, kërcim dhe argëtim në rrugët e Bllokut, dhe më pas është tregu i Krishtlindjeve i cili nga dhjetori deri në fillim të vitit të ri mbledh artizanët, bodrumet e verës dhe stendat e ushqimit në sheshin Skënderbej të veshur me veshje festive.

Vizitë në muze

Nga sheshi i madh, zemra e qytetit, në BunkArt2 është një hap i shkurtër.

Është muzeu kushtuar viktimave të regjimit komunist i ndërtuar në dhomat e një bunkeri antiatomik në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Bunkart1 në periferi të kryeqytetit, gjithashtu i ndërtuar brenda një bunkeri (shtatë kate nën nivelin e tokës) përfshin salla, dhoma dhe një teatër.

Dy ndalesa të paharrueshme për t’u thelluar në historinë jo shumë të largët të Shqipërisë, në xhevahirin e vërtetë të Shtëpisë së Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor 2020 të Këshillit të Evropës, në ish-selinë e Sigurimit, policia sekrete shqiptare në kohën e Hoxhës.

Mes arkivave dhe pajisjeve të llojeve të ndryshme, rrëfehet dhe përkujtohet dhuna psikologjike në muze, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kontrolli i ushtruar ndaj qytetarëve gjatë viteve të vështira të regjimit komunist.

Tirana me pamje

Në fund të ditës, rrugët e qytetit mbushen me njerëz, Parku i Madh, në fund të Bllokut, tërheq familje dhe sportistë, çifte të moshuarish për shëtitje dhe grupe të vogla miqsh që takohen.

Është gjithmonë kënaqësi të ecësh këtu dhe përshtypja që të jep është se nuk ndihesh kurrë vetëm, por pjesë e një komuniteti të madh.

Në perëndim të diellit, megjithatë, bëni sërish një udhëtim në Piramidë, ngjituni në majë për të admiruar qytetin nga lart në orën më të bukur të ditës.

Sigurisht që nuk do të jetë si një pamje e Romës apo Parisit, por kryeqyteti shqiptar është “shtëpia ime larg shtëpisë” dhe për mua çdo herë është gjithmonë e bukur, origjinale, unike. Me një fjalë të vetme? Tirana. /atsh / KultPlus.com

Juria e panairit të librit, ‘Tirana 2023’

Nga data 15 deri më 19 nëntor do të zhvillohet Panairi i 26 i LIBRIT. Mes shumë aktiviteteve, një nga ata që pritet me shumë interes, është edhe konkursi i Çmimeve të Panairit.

Juria këtë vit përbëhet nga personalitete të letërsisë dhe kulturës:

Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare

Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar

Enkel Demi – shkrimtar

Erion Kristo – pedagog, përkthyes

Monika Stafa – gazetare e kulturës

Autori, përkthyesi, libri më i mirë për fëmijë etj. i vitit 2023 do të përzgjidhen për këto çmime te mirepritura.

Në konkurrim do të përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 25 të Librit (dhjetor 2022 – nëntor 2023), përjashtuar ribotimet. Mund të futen në garën e çmimeve me librat e tyre të gjithë botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në Panair.

Shumë libra janë paraqitur dhe shumë të tjerë priten ende. Data e fundit e dorëzimit të librave është 3 nëntor 2023./express/KultPlus.com

‘Reuters’ shkrim për transformimin e Piramidës në qendër digjitale për të rinjtë

Agjencia e njohur ndërkombëtare e lajmeve, “Reuters”, i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimit të Tiranës dhe transformimit të Piramidës.

Në artikull evidentohet nisma e bashkisë se Tiranës për ta kthyer atë që dikur ishte muzeu i diktatorit Hoxha në qendrën më të madhe teknologjike në Ballkan, ku fëmijët do të mund të mësojnë kodim.

Shkrimi i plotë

Një muze i ndërtuar në Shqipëri në vitet 1980 për të nderuar diktatorin shumëvjeçar komunist Enver Hoxha, i njohur ndryshe si Piramida, po shndërrohet në një qendër trajnimesh kompjuterike për të rinjtë, duke hequr gjurmën e fundit të së kaluarës së izoluar dhe represive të vendit.

Ndërtesa dikur shfaqte pasuritë personale dhe fotografitë e mëdha të Hoxhës, i cili e shkëputi Shqipërinë nga bota e jashtme nën sundimin e ashpër stalinist për 40 vjet, duke zgjeruar shkrim-leximin dhe kujdesin shëndetësor, por duke lënë shumicën e shqiptarëve në varfëri të regjimentuar.

Tani ish-muzeu, i ridizajnuar nga arkitekti holandez Winy Maas, po përgatitet të presë qindra të rinj shqiptarë të etur për trajnime në teknologjinë kompjuterike dhe kodimin, pjesë e përpjekjes së qeverisë për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Arkitektët, të cilët përfshinin vajzën e Hoxhës, Pranvera, e projektuan ndërtesën në formën e një piramide që lavdëronte liderin si një faraon të stilit egjiptian.

Muzeu u përfundua në vitin 1988, tre vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe dy vjet para rënies së sundimit të izoluar komunist, duke i lënë vendin demokracisë.

Leon Cika, një nga kuratorët origjinalë të muzeut, tha se në kohën kur ai përfundoi, ndërsa regjimet e dominuara nga sovjetikët në të gjithë Evropën Lindore po fillonin të shkatërroheshin, ai ndjeu se do të ishte “lopata e fundit për një monument të komunizmit” në Shqipëri.

Në të vërtetë, pas rrëzimit anarkik të komunizmit në kombin jugor të Ballkanit, krahët si piramidë të ndërtesës, të ruajtura gjatë rinovimit, u përdorën nga fëmijët si rrëshqitje në mungesë të këndeve të lojërave.

Pamja e jashtme e rinovuar rrethore përbëhet nga shkallët që vizitorët vendas dhe të huaj i ngjitin për të fituar një pamje panoramike të kryeqytetit Tiranë, i cili është shndërruar në një qytet modern dhe plot gjallëri.

Brendësia kubistike përmban atë që duken si grupe kontejnerësh të grumbulluar, të cilat do të shërbejnë si klasa, duke u ngritur disa kate në kupolën origjinale të qelqit.

Shqiptarët ishin të ndarë për vite me radhë se si ta përshtatnin ndërtesën në përputhje me demokracinë e tyre në zhvillim, me disa të hidhëruar për trashëgiminë represive të Hoxhës që kërkonin që ajo të rrafshohej dhe të tjerë donin ta ruanin atë si një ikonë arkitekturore.

Në vitet pasuese, aty u ngrit një klub nate, një stacion televiziv dhe madje u vendosën edhe zyrtarë të NATO-s gjatë ndërhyrjes së aleancës për të ndalur luftën në Kosovën fqinje në vitin 1999.

“Ishte një monument arkitektonik si asnjë tjetër”, tha Ilda Qazimllari, drejtoreshë e investimeve në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës

Nga ana tjetër, shton ajo, ideja fillestare ishte që të kishim një mauzole për të kujtuar Hoxhën dhe kjo është arsyeja pse njerëzit donin të fshinin simbolin e vetëm të mbetur nga koha komuniste./KultPlus.com

‘Tirana një qytet modern dhe plot gjallëri’

Agjencia e njohur ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimit të Tiranës dhe transformimit të Piramidës.

Në artikull evidentohet nisma e Bashkisë se Tiranës për ta kthyer atë që dikur ishte muzeu i diktatorit Hoxha në qendrën më të madhe teknologjike në Ballkan, ku fëmijët do të mund të mësojnë kodim.

“Një muze i ndërtuar në Shqipëri në vitet 1980 për të nderuar diktatorin shumëvjeçar komunist Enver Hoxha, i njohur ndryshe si Piramida, po shndërrohet në një qendër trajnimesh kompjuterike për të rinjtë, duke hequr gjurmën e fundit të së kaluarës së izoluar dhe represive të vendit, shkruan Reuters.

Ndërtesa dikur shfaqte pasuritë personale dhe fotografitë e mëdha të Hoxhës, i cili e shkëputi Shqipërinë nga bota e jashtme nën sundimin e ashpër stalinist për 40 vjet, duke zgjeruar shkrim-leximin dhe kujdesin shëndetësor, por duke lënë shumicën e shqiptarëve në varfëri të regjimentuar.

Tani ish-muzeu, i ridizajnuar nga arkitekti holandez Winy Maas, po përgatitet të presë qindra të rinj shqiptarë të etur për trajnime në teknologjinë kompjuterike dhe kodimin, pjesë e përpjekjes së qeverisë për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Arkitektët, të cilët përfshinin vajzën e Hoxhës, Pranvera, e projektuan ndërtesën në formën e një piramide që lavdëronte liderin si një faraon të stilit egjiptian. Muzeu u përfundua në vitin 1988, tre vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe dy vjet para rënies së sundimit të izoluar komunist, duke i lënë vendin demokracisë.

Leon Cika, një nga kuratorët origjinalë të muzeut, tha se në kohën kur ai përfundoi, ndërsa regjimet e dominuara nga sovjetikët në të gjithë Evropën Lindore po fillonin të shkatërroheshin, ai ndjeu se do të ishte “lopata e fundit për një monument të komunizmit” në Shqipëri.

Në të vërtetë, pas rrëzimit anarkik të komunizmit në kombin jugor të Ballkanit, krahët si piramidë të ndërtesës, të ruajtura gjatë rinovimit, u përdorën nga fëmijët si rrëshqitje në mungesë të këndeve të lojërave.

Pamja e jashtme e rinovuar rrethore përbëhet nga shkallët që vizitorët vendas dhe të huaj i ngjitin për të fituar një pamje panoramike të kryeqytetit Tiranë, i cili është shndërruar në një qytet modern dhe plot gjallëri.

Brendësia kubistike përmban atë që duken si grupe kontejnerësh të grumbulluar, të cilat do të shërbejnë si klasa, duke u ngritur disa kate në kupolën origjinale të qelqit. Shqiptarët ishin të ndarë për vite me radhë se si ta përshtatnin ndërtesën në përputhje me demokracinë e tyre në zhvillim, me disa të hidhëruar për trashëgiminë represive të Hoxhës që kërkonin që ajo të rrafshohej dhe të tjerë donin ta ruanin atë si një ikonë arkitekturore.

Në vitet pasuese, aty u ngrit një klub nate, një stacion televiziv dhe madje u vendosën edhe zyrtarë të NATO-s gjatë ndërhyrjes së aleancës për të ndalur luftën në Kosovën fqinje në vitin 1999.

“Ishte një monument arkitektonik si asnjë tjetër”, tha Ilda Qazimllari, drejtoreshë e investimeve në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës.

“Nga ana tjetër, ideja fillestare ishte që të kishim një mauzole për të kujtuar Hoxhën dhe kjo është arsyeja pse njerëzit donin të fshinin simbolin e vetëm të mbetur nga koha komuniste”, shtoi ajo.

“Piramida e Tiranës” si pasqyrim i bukurisë (VIDEO)

E vendosur në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, “Piramida e Tiranës” është një monument i ndërtuar në vitin 1988, shkruan KultPlus.

Së fundmi, me disa imazhe të publikuara në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, kjo Piramidë ka marrë një pamje krejtësisht të re.

Tirana edhe një herë shfaqet si një qytet me shumë bukuri dhe monumente të veçanta për t’u vizituar. /KultPlus.com

https://twitter.com/erionveliaj/status/1691738023665217873?s=46&t=zWuy-_t0XVqGSJTSY2ARVw&fbclid=IwAR2h7IX5390Nr2h9NeWcvBIyHTaFkJuqzWE70P0maVuZmhBrjVGesuU3LZ0

Tirana mirëpret kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota

Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike. Edicioni i dytë i Travel Fest Albania ka ngritur siparin në Amfiteatrin e Tiranës, falë një ekrani gjigand e plot filmave premtues.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Fotografisë “Travel Fest Albania” në Amfiteatrin e Tiranës!Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike”, thekson Veliaj.

Në tërësi do të shfaqen 112 filma të përzgjedhur, të cilët i adresohen njeriut, qenies që mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton e vepron.

Ekrani i madh në zemër të Amfiteatrit të Tiranës tërhoqi pas vetes grupmosha të ndryshme. Dhe ekrane të ngjashme premtojnë se do të dallohen nga i njëjti pasion e dashuri për kinematografinë, për plot 4 ditë dhe në qytete të tjera.  /tvklan.al/ KultPlus.com

Tirana përzgjidhet nga Bloomberg ndër 10 qytetet me infrastrukturë inovative për biçikletat

Tirana është përzgjedhur, mes shumë aplikantësh nga e gjithë bota, si një ndër 10 qytetet përfituese të grantit të Bloomberg Philanthropies për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI).

Investimet në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe çiklistët, ka bërë që Tirana të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.

Bloomberg Philanthropies shpalli fituesit e parë të Iniciativës së Bloomberg për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI), me dhjetë qytete globale, që marrin mbështetje për të ndërtuar infrastrukturën inovative të çiklizmit dhe opsionet e lëvizshmërisë së qëndrueshme për banorët e tyre.

Krahas Tiranës, ku do të mbështetet ndërtimi i një rrjeti çiklizmi për të gjitha moshat, nëpërmjet zbatimit të projektimit të kryqëzimeve të sigurta, përfitues janë edhe Milano në Itali dhe Lisbona në Portugali.

Qëllimi i kësaj nisme është të ndihmojë qytetet të dizajnojnë rrugë që rrisin përdorimin e biçikletave, rigjallëron lagjet dhe promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve të tyre.

Përveç financimit, Tirana do të marrë dhe asistencë teknike për projektimin dhe zhvillimin e projekteve. E nisur në vitin 2014, misioni i Iniciativës Globale të Projektimit të Qyteteve është të transformojë rrugët në mbarë botën./atsh/KultPlus.com

‘Vogue Italia’: Tirana, kryeqyteti me nuanca dhe dimensione europiane

Tirana nuk është një kryeqytet i zakonshëm, por ajo paraqet dimensione europiane, shkruan faqja italiane vogue-it në një artikull të gazetarit Paolo Armelli.

Tirana ka qënë një qytet me një të kaluar komplekse, por tashme e ka lënë pas ”krahëve” duke u bërë më e jetuar, padyshim më e bukur dhe më europiane. I duhet një udhëtari kureshtar me pasion për të pazakonshmen për të vlerësuar të gjitha nuancat dhe kontrastet më të dukshme.

Me një popullsi të lashtë e ndërthurur me interesash tregtare qysh nga epoka e hekurit, ajo mori rëndësi në shekullin e XVII.

E ndarë midis Evropës Qendrore dhe Perandorisë Osmane, ajo kaloi më pas nga dominimi i Italisë fashiste deri tek regjimi komunist. Më pas erdhën vitet 1990, me imazhet e zbarkimeve përtej Adriatikut të gdhendura ende në kujtesën e shumë italianëve.

Por ndërkohë, Shqipëria dhe vetë Tirana, kanë vendosur rrugën dhe ëndrrat e tyre, duke kaluar pengesat, vështirësitë dhe korrupsionin, por edhe duke u mbështetur në energjitë e saj më të forta dhe më të rrënjosura.

Kryeqyteti, i rrethuar nga mali i Dajit mbetet një ”kondensim shpirtërash” shumë të ndryshëm dhe kontradiktor, nisur nga arkitektura në të cilën spikasin vilat në stilin italian të viteve 1920 dhe kalldrëmet osmane që ndjekin njëra-tjetrën.

Mes tyre në Tiranë sytë të shohin dhe rrokaqiej madhështore, tregje tradicionale dhe butikë moderne. Në dekadën e fundit, një projekt qeveritar ka pikturuar fjalë për fjalë me ngjyra të ndezura monumentet dhe ndërtesat e epokës komuniste, një metaforë e madhe për një realitet urban i mbushur me jetë të re.

Pas tërmetit shkatërrues të 2019-ës, i cili rrezikoi të ndërpresë këtë vrull, Tirana është rikuperuar sërish, duke u nisur nga burimet e saj më energjike. Është në fakt një qytet i mbushur me të rinj, që janë kthyer nga jashtë ose që jetojnë këtu. Nuk është rastësi që vitin e kaluar qyteti u shpall Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022.

Edhe sot ai është një katalizator i paprecedentë dhe ende në rritje për stimuj, ngjarje dhe tendenca. Për të zbuluar një qytet që duket se fsheh sekretet e tij me ”xhelozi” kërkuam disa informacione për vendet themelore të një Tirane të pazakontë dhe vazhdimisht në zhvillim.

Ku të qëndroni?

“Për të qëndruar në një vend të këndshëm dhe për të shijuar kuzhinën e rafinuar mesdhetare, ”Padam Boutique Hotel & Restaurant” është vendi im i preferuar”, na thotë Sonila Alushi, një gazetare dhe aktiviste shqiptare që jeton prej 25 vitesh në Bergamo.

I vendosur në një vilë klasike të stilit viktorian, afër zemrës së qytetit, restoranti elegant dhe i rafinuar ka gjithashtu një bar lounge të vendosur në një kopsht të madh që e bën atë një vend vendi të përsosur për të kaluar një pasdite ose një mbrëmje nën kolonat zanore muzikore.

”Maritim Hotel Plaza” është gjithashtu komod dhe me një stil të rafinuar, një hotel i klasit të parë pak hapa nga parlamenti i vendit dhe Teatri i Operas, me një çati ku mund të përfitoni 360 gradë befasuese me pamje nga Tirana.

Të shijosh një aperitiv në Lounge Bar në katin e 23-të do të thotë të largohesh nga zhurma e metropolit dhe në vend të kësaj të shijosh pamjen e ngjyrave pasionante të perëndimit të diellit dhe dritat e vrullshme të kryeqytetit në relaksim absolut.

”Areela”, nga ana tjetër, është një hotel me dizajn të rinovuar së fundmi, ku bashkohen stili neoklasik dhe komoditeti, të cilat përmes shërbimeve inovative premtojnë qëndrime shumë të këndshme, pikërisht në zemër të lagjes më historike të qytetit.

Për ata që kërkojnë eksperienca alternative, megjithatë, pranë tregut të madh të Pazarit të Ri, ”Hostel Milingona” është një vend vërtet ikonik dhe piktoresk.

Duke ecur nëpër kryeqytet, drejt zonës së verërave, Durrësit, gjysmë ore nga aeroporti i Tiranës, është e këndshme të hasësh agroturizëm Gjepali ku shefi i saj Fundim Gjepali ka rifituar fermën familjare të konfiskuar në të kaluarën nga regjimi dhe ka krijuar një vend të zhytur në natyrën më autentike.

Sugjermimet e ëmbëlsirave

Si të mos e nisni ditën nëse jo me një mëngjes të shijshëm me ëmbëlsira franceze? Vendi i duhur është ”Patisserie Française”, një vend emri i të cilit tashmë mban erën e Parisit, i themeluar nga Madame Marie-Thérèse Marchal, një grua kurioze franceze që ra në dashuri me Tiranën në fillim të viteve 1990 dhe hapi fillimisht një furrë buke franceze dhe më pas pastiçerinë e shijshme.

“Për mua ishte një vend magjik ku piqeshin mrekulli. Shqipëria në ato vite po kalonte një periudhë historike shumë të vështirë dhe me vështirësi mund të dilte nga varfëria e thellë”, kujton Sonila.

Këshilla për të zbuluar qytetin

Ndër vendet e tjera në zemër të Sonilës është restoranti Gzona, pranë Kalasë së Tiranës. Ndodhemi në një kompleks antik të inauguruar në vitin 2018, në të cilin janë grupuar restorante, galeri dhe dyqane që shesin produkte tipike gastronomike dhe prodhime vendase. Të ulesh rreth një tavoline dhe të shijosh ushqimin është një nga karakteristikat më tradicionale të kulturës shqiptare: nuk është rastësi që ”gzona” në dialektin e shqipes veriore të gegërishtes do të thotë “të gëzohemi së bashku”.

Në këtë restorant, në fakt, shërbehen gatime tipike të recetave më të vjetra kombëtare, me produkte vendase, por të ripunuara me teknika novatore, një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes që të lejon të mbash gjallë traditat.

Pak minuta larg sheshit Skënderbej, qendra e vërtetë nervore e qytetit me shtatin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Skënderbet, i cili në shekullin e 15-të kishte refuzuar pushtimin turko-osman, është Bati, një restorant peshku i vogël.

Këtë e rekomandon Andrea Ferrari, sipërmarrës i turizmit mjeko-estetik që fluturon shpesh nga Milano në Tiranë.

“Për të ngrënë në lagjen ”Blloku”, një sugjerim është sigurisht Kripa, ku kaloni nga rizoto italiane në sushi, e fiorentine. Këtu menyja e larmishme, ambienti eklektik dhe i rafinuar, por edhe shërbimi i vëmendshëm tërheq rininë e shfrenuar vendase. Por atyre që u mungon vërtet Italia, mund të kontaktojnë ”Artizanën” e cila ka selinë e saj në një vilë simpatike”, thekson ai.

Në qendër të bulevardit ndodhet Piramida, një strukturë piktoreske që kishte qenë mauzoleumi i Enver Hoxhës, liderit autoritar që sundoi Shqipërinë nga viti 1941 deri në vdekjen e tij.

Çfarë duhet të vizitoni?

Pikërisht në sheshin qendror Skënderbej, dikur i rrethuar nga makinat dhe tani zemra e gjallë e qytetit, vërehen dy nga vendet më të vizituara në Tiranë: nga njëra anë Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij madhështore dhe mozaikun shumëngjyrësh që përfaqëson fitoret e populli shqiptar, brenda të cilit mund të rikthehen mijëvjeçarët duke filluar nga periudha paleolitike deri në atë komuniste; dhe nga ana tjetër Xhamia Et’Hem Beut, simbol i shumëllojshmërisë fetare të vendit dhe mahnitëse për dekorimet e mrekullueshme me lule brenda.

Por destinacionet më të veçanta, në qytet, janë ato më pak tërheqëse, në fakt praktikisht nëntokë. Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, për shembull, janë bunkerë të mbajtur top sekret në qendër të qytetit për një kohë të gjatë, të përdorur në të kaluarën nga policia sekrete shtetërore.

Sot ato strehojnë një ekspozitë historike që përfshin imazhe, aksesorë dhe objekte nga periudha komuniste dhe shtypja e tij, duke zbuluar sekretet e policisë politike. Ata janë hapur pë publikun përkatësisht në 2014 dhe 2017, me iniciativën e gazetarit italian Carlo Bollino, ish-drejtor i ”Gazzetta del Mezzogiorno”, i cili i bindi autoritetet të ndajnë shumë dokumente që kishin mbetur të klasifikuara prej kohësh.

“Reja” në Tiranë

Nga e kaluara më e errët tek e ardhmja më e ndritur me Reja, apo “Reja”, një nga monumentet e reja të qytetit, skena e selfieve më të shumta. Instalacioni, i vendosur në kopshtin e Galerisë Kombëtare të Arteve, është projektuar nga arkitekti japonez Sou Fujimoto dhe përbëhet nga një strukturë kubesh çeliku të bardhë dhe të lehtë, të cilët krijojnë një hapësirë ​​të brendshme të gjallëruar nga projektime kinematografike dhe ngjarje të tjera për t’u shijuar sidomos në verë.

Për të gjithë vizitorët që duan një eksperiencë blerjeje një udhëtim në ”Pazarin e Ri”, i konsideruar nga shumë njerëz si zemra e vetë qytetit, është i domosdoshëm dhe ideale. Krijimi i tij daton në vitet tridhjetë nën Mbretin Zog, i cili e bëri atë tregun e parë, i cili megjithatë u riorganizua me kalimin e viteve për t’u bërë tregu më atraktiv dhe i sigurt.

I pasur me bare, bistro, restorante të modës dhe bujtina Pazari i Ri ka më shumë se 150 tregtarë me tezgat e tyre: nga mishi dhe peshku te perimet, nga mjalti te djathi, te erëzat, vaji, duhani dhe suvenire.

“Këshilla është blerja e çajit të malit, që sipas nesh shqiptarëve shëron të gjitha sëmundjet”, rrëfen Sonila, duke iu referuar këtij çaji bimor të bërë nga një shkurre e egër, i njohur edhe si pije e poetëve dhe filozofëve, sepse është për t’u konsumuar në vetmi, dhe gjithashtu i famshëm për virtytet e tij anti-inflamatore, antibakteriale dhe antioksidante.

Tregu i Pazarit të Ri

Për të përjetuar plotësisht jetën më të gjallë të natës në Tiranë, ka vetëm një fjalëkalim: Blloku.

Ky është rrethi më i ri dhe më vital, emri i të cilit fjalë për fjalë do të thotë “bllok”, sepse ishte rrethi ekskluziv i drejtuesve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, jashtë kufijve për njerëzit e zakonshëm.

I projektuar si një “distrikt kopshtesh” nga Gherardo Bosio, arkitekti italian që udhëhoqi rinovimin e ndërtesave shqiptare në epokën fashiste, sot është qendra nervore e vrullshme e të rinjve, të cilët e përjetojnë atë në të gjitha kontrastet e saj: duke filluar nga kokteji më magjepsës, baret klasikë, klubet ekskluzive deri tek vendet më intime ku mund të ndiqni muzikë live.

Ka një prezencë të fortë restorantesh italiane, të hapura nga ata që janë kthyer pasi kanë jetuar në vendin tonë prej dekadash.

Këtu vendi më interesant është padyshim ”Radio Bar Tirana”: dizajni i rikuperuar nga periudha komuniste, mobilje ekscentrike, postera dhe foto vintage në mure, atmosferë miqësore (në çdo kuptim) dhe mbi të gjitha kokteje të shkëlqyera./atsh/KultPlus.com

Kryeministrja daneze habitet me vizatimet e Ramës: Më pëlqejnë

Vizita e kryeministres daneze, Mette Frederiksen në Tiranë, ku është takuar me homologun e saj, Edi Rama, është shoqëruar edhe me momente pikante, ndërsa ajo vizitonte zyrën e punës së kreut të qeverisë shqiptare.

Asaj, jo pak kureshti i kanë ngjallur pikturat në zyrën e Ramës.  Fredriksen, është shprehur se nuk ka parë asnjëherë një zyrë të tillë e dizenjuar me piktura të bëra nga vetë kryeministri.

Dialogu

Kryeministrja daneze: Nuk kam parë kurrë një zyrë të tillë, do të jetë e vetmja në botë!

Edi Rama: Angela më tha të njëjtën gjë.

Kryeministrja daneze: I bën direkt në mur?

Edi Rama: Jo! Hidhen në kompjuter dhe pastaj murosen.

Kryeministrja daneze: Më pëlqejnë vizatimet!

Teatri Kombëtar i Kosovës zhvendoset në Tiranë

Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com

Shqipëria ndërton muzeun kushtuar qytetarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar planin për të hapur një muze në Tiranë kushtuar historive të qytetarëve të saj që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan David I. Klein për një nga gazetat më të mëdha izraelite ”Times of Israel”.

”Muzeu do të nderojë gjithashtu historinë dhe kulturën hebraike”, shtoi Rama.

Muzeu ”Besa” do të emërtohet sipas kodit të rreptë të nderit që shqiptarët thonë se i motivoi ata të mbrojnë fqinjët e tyre hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe më vonë Gjermania naziste, popullsia e saj hebreje u rrit gjatë gjithë luftës duke u trefishuar më shumë se sa refugjatët që u dyndën atje nga e gjithë Evropa.

Ambasada e Shqipërisë në Berlin lëshoi letra të rreme identiteti për hebrenjtë dhe shumë vendas i fshehën ata në shtëpitë e tyre. Yad Vashem, autoriteti i kujtimit të Holokaustit në Izrael, ka njohur të paktën 75 individë si të drejtë midis kombeve për shpëtimin e hebrenjve.

“Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata”, tha Elva Margariti, ministrja e Kulturës e Shqipërisë.

“Për shqiptarët kjo është BESA; është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë, duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme. Muzeu ‘Besa’ do të jetë një urë komunikimi mes brezave; një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë”, tha ajo.

Shqipëria ka hapur një konkurs me dy faza për të gjetur një projektues.

Muzeu do të vendoset në ndërtesën historike të Shtëpisë së Toptanëve në qendër të Tiranës, të cilën ministrja e përshkoi si një shembull të “arkitekturës më të mirë shqiptare të shekullit XIX”.

Pavarësisht se konkursi sapo ka filluar, Ministria e Kulturës i tha Agjencisë Telegrafike Hebraike se shpreson ta hapë muzeun deri në fund të vitit.

Biznesmeni dhe filantropisti kazako-izraelit Alexander Machkevitch po financon fazën e konkurrimit.

“Është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës”, tha Rama.

“Dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson ai.

Edi Rama: Ky është objekti që do të jetë një ndër më të vizituarit në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë ka ndarë më ndjekësit e tij disa fotografi, duke prezantuar një objekt që sipas tij do të jetë një ndër më të vizituarit në Tiranë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e tij.

Ky është Mozaiku i Tiranës që shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohen copëza të historisë, përmes mozaikëve të rrallë të antikitetit./ KultPlus.com

Veliaj: Piramida do jetë atraksioni më i kërkuar nga turistët

Tirana ka njohur katërfishim të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit.

Gjatë një takimi me me guidat turistike në kryeqytet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion  Veliaj theksoi se ky “boom” turistësh ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri dhe Kalanë e Tiranës.

“Sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndjerë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë,” tha Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës renditi disa nga atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë së fundmi, ndërsa veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.

“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës,” deklaroi ai.

Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë, ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.

Për destinacionet më të largëta nga qendra, Veliaj e vuri theksin te ecja në këmbë.

“Te “Bulevardi i Ri” është punuar që në fillim për më shumë hapësirë për ecjet dhe ato që quhen “linear parks”. Në disa raste të tjera na është dashur të bëjmë një lloj kompensimi në urbanistikë, si tek Bulevardi “Zogu I”, një tjetër rrugë që vizitohet shumë, ku hoqëm gjithë parkimin”, sqaroi kryetari Veliaj.

Për sa i përket autobusëve dhe terminaleve, ai tha se tashmë ka mbaruar terminali lindor, ndërsa te “Kthesa e Kamzës” do fillojnë punimet shumë shpejt për terminalin e ri perëndimor.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin,” nënvizoi Veliaj.

Ai njoftoi se bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.

Në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me mundësi të pafundme për të rinjtë, përmes 1000 aktiviteteve, për të vijuar këtë vit, si Qyteti Evropian i Sportit, gjë që do të sjellë akoma më shumë tërheqje e atraksion për turistët e apasionuar pas aktiviteteve sportive./ atsh /KultPlus.com

”Corriere della sera”: Tirana kryeqyteti i mbushur plot surpriza

Kryeqyteti i Shqipërisë, qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit, Tirana është një qytet në evolucion të vazhdueshëm, e gjallë dhe ideale për një fundjavë ndryshe nga zakonisht, shkruan Francasca Masotti për gazetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.

Tirana është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, si dhe qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit ballkanik. Qyteti ndodhet në qendër të vendit, rreth 30 kilometra larg detit Adriatik.

Popullsia urbane llogaritet në 912 190 banorë. Anglishtja flitet pothuajse kudo dhe shumë njerëz flasin dhe kuptojnë italisht.

Klima e Tiranës është e butë, me verë të nxehtë dhe dimër të freskët dhe temperaturat rrallë bien nën zero. Falë pozicionit në fushë dhe afër detit Adriatik, qyteti ndikohet veçanërisht nga një klimë sezonale mesdhetare.

Shtatori është muaji më i mirë për të vizituar qytetin.

Sheshi ”Skenderbej”, i cili befason me përmasat e tij, është jo vetëm qendra gjeografike e kryeqytetit shqiptar, por edhe vendi simbolik i Tokës së Shqiponjave dhe i gjithë universit shqiptar.

Zonat kryesore të Tiranës janë Pazari i Ri, i njohur për tregun e bukur të rinovuar së fundmi, Blloku, zona e jetës së natës, ”21 Dhjetori”, ”Don Bosko”, Stacioni i Trenit, ”Ali Demi” dhe Lapraka më periferike, ”Xhamliku”, Kinostudioja, Kombinati, Yzberishti dhe  Sauku.

Nga ana tjetër tragetet GNV lidhin portin e Durrësit vetëm me portin italian të Barit. Për të mbërritur në Tiranë nga Durrësi, nëse nuk keni makinën tuaj, zgjidhja më e përshtatshme është të merrni një taksi.

Mënyra më e përshtatshme për të lëvizur nëpër Tiranë është më këmbë ose me taksi, e cila, për turistët italianë, është një mjet transporti i lirë në krahasim me çmimet tona.

Kryeqyteti shqiptar është një qytet gjeografikisht i sheshtë dhe shumë i sigurt, krimi i vogël pothuajse mungon plotësisht, edhe nëse kjo nuk do të thotë se nuk duhen marrë masa paraprake të përbashkëta si gjatë çdo udhëtimi. Në Tiranë, Wi-Fi është i përhapur pothuajse në të gjitha objektet turistike dhe ofrohet pa pagesë.

Çfarë duhet të shihni në Tiranë? Muzetë dhe monumentet

Sheshi ”Skënderbej” është zemra e kryeqytetit shqiptar. I rinovuar tërësisht në vitin 2017, është një drejtkëndësh i madh prej 24 000 metrash katrorë me një mozaik gurësh natyrorë nga të gjitha trojet historikisht shqiptare, madje edhe ato që ndodhen përtej kufijve kombëtarë.

Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat me sipërfaqe të gjelbra. Në qendër është monumenti ekuestrian prej bronzi i Skënderbeut, i vendosur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes.

Disa nga ndërtesat më të rëndësishme historike të qytetit kanë pamje nga sheshi, përkatësisht Xhamia e Et’Hem Beut, me dekorime të mrekullueshme me lule nga brenda, Opera, Pallati i Kulturës, Banka e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Për të admiruar sheshin në tërësi, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit, që ndodhet pas xhamisë.

Muzetë

Në dhomat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili shquhet për mozaikun plot ngjyra në fasadë, në tetë pavionë të mëdhenj rrëfehet historia e Shqipërisë nga Paleoliti deri në ditët e sotme.

Pak metra më tutje, Bunk’Art2 është vendi ideal për të mësuar më shumë për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. I inauguruar në vitin 2016, muzeu i kushtohet viktimave të regjimit dhe është i ndërtuar brenda një bunkeri antiatomik, prapa Ministrisë së Brendshme, midis viteve 1981 dhe 1986 për të strehuar personelin e Ministrisë në rast të një sulmi të mundshëm bërthamor. Sot në dhomat e tij janë ekspozuar imazhe historike, aksesorë dhe objekte që rrëfejnë ngjarjet e ndodhura në Shqipëri deri në vitin 1991.

Një tjetër vend për t’u vizituar është Shtëpia e Gjetheve, një qendër ekspozite kushtuar veprimtarisë së policisë sekrete dhe spiunazhit gjatë viteve të diktaturës, e cila në vitin 2020 fitoi Çmimin Muzeor të Këshillit të Evropës.

Nga ana tjetër, Galeria Kombëtare e Arteve ka një koleksion të pasur me vepra të piktorëve shqiptarë nga fundi i shekullit XIX deri në vitet 2000. Përpara ndërtesës ndodhet ”Reja”, një strukturë e bardhë që i ngjan një reje për shkak të pamjes së saj, vepër e artistit japonez Sou Fujimoto.

I vendosur në periferi të qytetit, Bunk’Art1 është një muze i ndërtuar brenda bunkerit më të madh anti atomik në Shqipëri. Bunkeri ishte projektuar për të strehuar diktatorin Enver Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të Partisë në rast të një sulmi bërthamor, megjithëse nuk u përdor kurrë për këtë qëllim. Sot, në mbi 100 dhoma rrëfehet historia e vendit të shqiponjave, nga pushtimi fashist e deri te komunizmi.

Së fundi, Muzeu Arkeologjik, i pari muze i hapur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, strehon mbi 2 000 zbulime arkeologjike të gjetura në territorin shqiptar.

Qendra Botërore Bektashiane.

Pavarësisht sundimit të gjatë osman dhe më pas shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës së atëhershme komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria është sot një shtet laik tolerant ndaj të gjitha besimeve.

Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashinj dhe ndodh shpesh që përfaqësues të komuniteteve fetare të takohen në ngjarjet dhe festat e tyre përkatëse.

Tirana është shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i arritshëm për këdo që dëshiron të zbulojë një vend jashtë radarit në kryeqytetin shqiptar. Teqeja, e përfunduar në shtator 2015, është e stolisur me mozaikë mermeri shumëngjyrësh hipnotik dhe në bodrum është vendosur një muze interesant, fatkeqësisht me informacion vetëm në gjuhën shqipe, në dhomat e të cilit rrëfehet historia e vëllazërisë islame me prejardhje sufi, e themeluar në shekullin XIII.

Monumentet

Në Tiranë ndodhet edhe Xhamia e Madhe, e cila do të inaugurohet së shpejti pas shumë vitesh punë, Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, e ritit ortodoks, struktura e tretë më e madhe e këtij lloji në gadishullin ballkanik dhe Katedralja e Shën Palit e ritit katolik.

Ndër pikat e tjera me interes në qytet janë Ura e Tabakëve, Piramida, një ndërtesë e madhe prej betoni të përforcuar e ndërtuar si mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha, i përdorur më vonë si bazë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Më pas u bë një klub nate, një qendër ekspozite dhe një pikë takimi për të rinjtë nga Tirana. Aktualisht është në fokus të një projekti rinovimi që do ta shndërrojë atë në një qendër të rëndësishme kulturore, shkencore dhe teknologjike në Ballkan.

Parqe dhe kopshte

”Tajvani” është një zonë rekreative me një bar, restorant, pistë bowling dhe një nga këndet më të mëdha të lojërave në qytet, i frekuentuar nga familje me fëmijë. Megjithatë, vendi i preferuar i banorëve të Tiranës për të shëtitur dhe marrë të vegjlit për të luajtur është Parku i Madh, mushkëria e gjelbër e kryeqytetit, ku ndodhet edhe një liqen i madh artificial.

Falë aktiviteteve të shumta në natyrë që mund të kryhen, është vendi i preferuar për t’u çlodhur gjatë fundjavave dhe madje edhe gjatë javës, duke u argëtuar dhe duke u larguar nga kaosi i qytetit. Zona e parkut përfshin gjithashtu Pallatin e Brigadave, ndërtimi i të cilit filloi në 1936 dhe u përfundua në 1941 nga arkitekti fiorentin Gherardo Bosio.

Për të shpëtuar përkohësisht nga kaosi i Tiranës, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, që ndodhet 25 kilometra në lindje të qendrës së Tiranës, mund të arrihet me makinë, taksi ose me teleferikun Dajti Ekspress, më i gjati në Ballkan, i cili zgjat rreth 20 minuta.

Zona natyrore është një parajsë e vërtetë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë, e këndshme në çdo stinë të vitit, por sidomos në pranverë, kur livadhet mbushen me lule dhe në vjeshtë, kur gjithçka merr tone të ngrohta. Parku i Aventurave të Dajtit është një park aventure për të rritur dhe fëmijë (nga 5 vjeç) i ndërtuar në zemër të pyllit midis shtigjeve, zip-lines dhe shtigjeve prej druri.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë: Blloku, zona e jetës së natës

Në afërsi të parkut ndodhet Blloku, zona e jetës së natës në Tiranë, e njohur për baret dhe klubet e shumta. Nëse sot Blloku është vendi ku takohen të rinjtë në diskotekat dhe klubet e zonës, në vitet e diktaturës komuniste lagja ishte e rezervuar ekskluzivisht për elitën politike dhe nuk lejohej hyrja e të tjerëve.

Radio Bar, Nouvelle Vague dhe Antigua janë ndër vendet më të frekuentuara nga banorët e Tiranos dhe janë të njohur për koktejet e tyre të shkëlqyera, stilin e rafinuar dhe atmosferën e këndshme.

Zona është shumë e gjallë edhe nga pikëpamja kulturore: në pallatet e disa ndërtesave janë krijuar vepra të shumta të artit të rrugës nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe duke u endur nëpër rrugët e saj nuk është e rrallë të hasësh galeri të vogla arti, ku artistë bashkëkohorë shqiptarë ekspozojnë veprat e tyre (Galeria FAB është shumë aktive, në pronësi të Akademisë së Arteve në Tiranë).

Një tjetër vend i padiskutueshëm për të pasionuarit e jetës së natës është Kafe-Muzeumi i Komitetit, pranë Piramidës, një vend me objekte të epokës komuniste ku mund të provoni mbi 20 variacione të rakisë, një pije alkoolike e aromatizuar me origjinë otomane, tipike për të gjithë Ballkanin.

Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës

Tregu i ri në Tiranë, Pazari i Ri, është rezultat i një rizhvillimi ambicioz që ka ripërtërirë pamjen e strukturës dhe të zonës përreth, e karakterizuar sot nga ndërtesa me fasada me ngjyra me motivet tradicionale gjeometrike të Ballkanit. Arkitektura moderne në qelq dhe çelik në tezgat e së cilës shiten fruta, perime, reçel, marmelatë dhe ushqime të ndryshme tipike shqiptare, është përuruar në vitin 2017.

Kalaja e Tiranës është vendi tjetër i preferuar për shopping. Brenda ka restorante, galeri arti, bare dhe dyqane artizanale ku shiten produkte lokale gastronomike dhe joushqimore.

Albastër në formë bunkeri, qilima tradicionale me modele gjeometrike, qeleshe, shalle mëndafshi, çanta të punuar me dorë, raki, vaj dhe verë, janë vetëm disa nga suveniret më të mira për t’u blerë si kujtim i një udhëtimi në Tiranë.

Ku të flemë në Tiranë?

Maritim Hotel Plaza: është hoteli më i famshëm dhe luksoz në Tiranë, pikërisht në qendër, me dhoma të mobiluara me elementë dizajni, shtretër të rehatshëm dhe të bollshëm, qendër Wellness, sauna, tre restorante të kuzhinës ndërkombëtare dhe pamje të bukur të sheshit ”Skënderbej”.

Hotel Mondial: dhoma me vëmendje ndaj detajeve, një përzierje e arredimit klasik dhe bashkëkohor. Pishinë të jashtme në çati dhe bar në çati me pamje nga çatitë e Tiranës. Hoteli ndodhet pak metra larg Mozaikut të Tiranës, e vetmja mbetje arkeologjike e pranishme sot në qytet, pjesë e një vile të lashtë romake të shekullit III.

Nga ana tjetër, Hotel Areela Boutique është një hotel i vogël në stilin neoklasik dhe industrial, shtatë minuta më këmbë nga sheshi, me dhoma të mëdha dhe shumëngjyrëshe, të mobiluara me qilima tradicionale dhe vepra arti bashkëkohor.

Ku të hamë në Tiranë?

Tirana po hyn plotësisht në listën e destinacioneve gastronomike më interesante në Evropën Jugore. Ndër pjatat tipike janë byreku, tavë kosi, patëllxhanë të mbushur dhe qofte, qofte pikante dhe speca të skuqur. Por, ka restorante të shumta që rishikojnë kuzhinën tradicionale me ndikime bashkëkohore.

Mes të shumtëve, për t’u theksuar në rendin e ditës ”Mullixhiu” në tryezat e të cilit mund të shijoni shijet tradicionale të gastronomisë shqiptare, ”Padam”, një ”institucion” lokal, në kuzhinat e të cilit shefi i kuzhinës Fundim Gjepali krijon një menu jashtëzakonisht të rafinuar; ”Gzona” nga shefi i kuzhinës Bleri Dervishi (me shumë eksperienca italiane dhe ndërkombëtare pas tij), i cili rrit përbërësit dhe shijet vendase duke i shndërruar në gatime që ngjajnë me vepra arti.

Çfarë të vizitoni pranë Tiranës?

Një orë larg Tiranës, Kruja, kryeqyteti i lashtë i mbretërisë shqiptare, është një qytet i bukur malor me një treg historik, ku artizanët vendas shesin tekstile, bizhuteri, qilima të endura në tezgjah dhe antika.

Në kalanë e saj, simbol i rezistencës kundër pushtimit osman, ku Skënderbeu luftoi kundër turqve për 25 vjet për të mbrojtur Shqipërinë, ndodhen dy muze të rëndësishëm.

Muzeu Etnografik i Krujës, i vendosur në sallat e një shtëpie të vjetër, që u ofron vizitorëve një pasqyrë interesante të jetës lokale gjatë viteve të pushtimit osman dhe Muzeu i Skënderbeut, sallat e të cilit ekspozojnë afreske, statuja, mozaikë dhe dokumente për ngjarjet historike të vendit.

Nga tarraca me xham e restorantit ”Panorama”, e cila shërben pjata të shkëlqyera të gastronomisë vendase, mund të admironi pamjen më të bukur të qytetit, tregut dhe kalasë.

Durrësi është një nga qytetet më të vjetra në Mesdhe, me mbetje të shumta arkeologjike, duke përfshirë amfiteatrin romak, i ndërtuar midis shekujve I-II pas Krishtit, nën mbretërimi i Trajanit, i cili mund të strehonte më shumë se 20 000 njerëz.

Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të shkoni disa kilometra larg qendrës për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku mund të pushoni.

Ai ka plazhe ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë të vegjël falë ujit të cekët dhe të pastër.

Gjithashtu në veri të Durrësit, Kepi i Rodonit, një kep shkëmbor që del nga deti Adriatik, është në vend të kësaj një nga vendpushimet bregdetare më magjepsëse në Shqipëri, me shkëmbinj, plazhe të pacenuara dhe shkurre mesdhetare sa të sheh syri.

Disa kilometra larg qendrës historike, nga ana tjetër, duke u nisur nga jugu, plazhet e Golemit, Karpenit, Gjeneralit dhe Spillesë janë rizhvilluar kohët e fundit dhe tashmë janë perfekte veçanërisht për familjet.

Tirana, evente dhe festivale

Pasi ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Tirana është Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023. Për të gjitha eventet që lidhen me nominimin, këshillohet të konsultoheni me faqen e internetit tirana.al/.

Në Shqipëri dhe në Tiranë, 14 marsi, dita e pranverës, shënon fillimin e verës.

Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave është një ngjarje që feston ardhjen e verës. Nga pikëpamja e ngjarjeve, shtatori është muaji më i gjallë.

Në fillim të shtatorit Festivali Ndërkombëtar i Xhazit përfshin artistë të xhazit nga e gjithë Evropa; Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë vepra në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit; Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana (tiranafilmfest.com), në fund të muajit, është eventi më i rëndësishëm i filmit në vend.

Maratona e Tiranës është një takim fiks prej disa vitesh në fund të tetorit.

Panairi i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës botuese dhe mbahet çdo vit në nëntor.

Më në fund, në dhjetor, sheshi shndërrohet në një fshat të madh Krishtlindjesh me stenda, shtëpi prej druri dhe lojëra për të rinj dhe të moshuar./ atsh / KultPlus.com

Tirana, 103 vjet kryeqytet i Shqipërisë

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:

– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),

– pozita gjeografike në qendër të vendit,

– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe

– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.

Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com