“Ditët e Librit Arbëresh”, aktivitete në Tiranë edhe në Shkodër

“Ditët e Librit Arbëresh” do të zhvillohen në Tiranë dhe në Shkodër. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që organizon këtë veprimtari bën me dije se do të zhvillohet në datat 9 e 10 nëntor në Tiranë, ndërsa në datën 11 nëntor kjo veprimtari do të zhvillohet edhe në Shkodër, në bashkëpunim me Qendrën Albanologjike të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

“Krahas studimit dhe botimit të autorëve e veprave të historisë retrospektive të komuniteteve arbëreshe në Itali, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka si qëllim të promovojë edhe autorë e vepra bashkëkohore. Ndaj lindi domosdoshmëria e organizimit të një veprimtarie të tillë, me synimin e të bërit të njohur publikut shqiptar botime të autorëve bashkëkohorë arbëreshë për gjuhën, kulturën, identitetin, etnografinë”, thuhet nga QSPA.

Sipas QSPA-së në këtë kuadër, veprimtaria parashikon një ekspozitë të pasur të librave të këtyre dhjetëvjeçarëve, e cila do t’u paraprijë dy ditëve të ngjeshura me diskutime mbi disa prej veprave (9-10 nëntor), me pjesëmarrjen e vetë autorëve arbëreshë, pas një përzgjedhjeje paraprake sipas kritereve të vendosura nga komiteti shkencor dhe organizues.

“Ftojmë të gjithë hulumtuesit, studiuesit, gjuhëtarët, studentët, historianët, gazetarët, sociologët, botuesit dhe të gjithë të interesuarit të na bashkohen në këtë aktivitet të librit arbëresh. Informacion më i hollësishëm për kriteret e përzgjedhjes dhe pjesëmarrjes, do të jetë i gatshëm në javët në vijim”, thuhet nga QSPA, që një ditë më parë shprehej se për momentin, faqja zyrtare e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët është e bllokuar, si pasojë e hakerimit të fundit të agjencive qeveritare.

QSPA thotë se me zhbllokimin e saj të interesuarit do të informoheni në vazhdim në adresën: qspa.gov.al, si dhe në faqen Facebook. / KultPlus.com

ForwardKeys: Tirana, destinacioni i dytë me rritjen më të madhe të turistëve

Tirana renditet në krye të destinacioneve të preferuara turistike në Evropë.

Sipas kompanisë “ForwardKeys”, e cila shqyrton trendet e udhëtimeve në rang global, bazuar në analizën e të dhënave nga fluturimet ajrore, Shqipëria përmes aeroportit të Tiranës renditet e dyta ndër destinacionet e preferuara për plazhe, duke lënë pas edhe vende si Mykonos.

“Pas dy sezonesh verore të ndikuara nga pandemia, turizmi i është rikthyer normalitetit dhe këtë e tregojnë të dhënat pozitive të periudhës janar-qershor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”, shprehet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një postim në rrjetet sociale.

Edhe sipas të dhënave të INSTAT, thekson Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.

Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.

Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë. Në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia me gjethe”, etj./ atsh / KultPlus.com

Tirana e gjitha kuqezi, gati për betimin e presidentit të ri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka postuar në rrjetet sociale  fotot nga zbukurimet me flamuj kuqezi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Veliaj shkruan se kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët edhe pse shpesh kanë sabotuar projektet madhore të bashkisë.

“Kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët, dhe pse shpesh kanë sabotuar punët, nga këndet e lodrave e gjer tek projektet madhore, Astiri e Lana. Me shpresën e madhe që më në fund do kemi një president normal, qyteti i Tiranës është stolisur kuq e zi gati për ceremoninë”, shkruan Veliaj. /KultPlus.com

83 vjet më parë ndërtohej ujësjellësi i Tiranës

Më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.

Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.

Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi./atsh/ KultPlus.com

“Festa e fërgesës”, promovim i kulinarisë së kryeqytetit

“Festa e Fërgesës” tashmë është kthyer në traditë të përvitshme në Tiranë.

Kjo festë u zhvillua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ku restorante të ndryshme ishin të ftuar të marrin pjesë, duke sjellë recetat e tyre speciale të fërgesës.

“Festa e Fërgesës” në këtë edicion, një bashkëpunim mes 2 bashkive, asaj të Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit, ishte një mbrëmje me kryefjalë promovimin e kulinarisë dhe traditës së Shqipërisë së Mesme.

Sipas organizatorëve, “Festa e Fërgesës”, solli konkurs gatimi, ushqim, pije, muzikë e lojëra, me temën gazmore “Rakia connecting people, Fërgesa unite them”.

Kjo festë, në thelb ka ruajtjen e traditave të kulinarisë dhe përcjelljen e tyre brezit të ri, por sjell edhe një prezantim dinjitoz e argëtues tek turistët e huaj.

“Festa e Fërgesës” u organizua për të 5-tin vit radhazi. Më herët festa është organizuar edhe në rrethinat e kryeqytetit, si në Surrel.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë, me performancën e ansamblit të këngëve dhe valleve “Isuf Myzyri” të Elbasanit./atsh/ KultPlus.com

Reagon Dua Lipa pas rikthimit të festivalit Sunny Hill në Prishtinë

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival kanë bashkuar forcat për ta rikthyer festivalin Sunny Hill në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka njoftuar se Festivali po rikthehet në Prishtinë në datat 4,5,6 dhe 7 gusht 2022 i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Ky lajm duket se e ka gëzuar edhe vetë artisten Dua Lipa e cila ka reaguar përmes një statusi në Instagram teksa shprehet shumë e lumtur.

“Me një zemër të plotë dhe të lumtur, jam krenare të them se është vendosur që festivali ynë Sunny Hill të vazhdojë në bazën e tij në 4,5,6,7 gusht në Prishtinë, Kosovë dhe tani do të bëjmë edhe 26, 27,28 Gusht në Tiran, Shqipëri. Mezi presim t’ju shohim të gjithëve atje! Më shumë detaje do të zbulohet së shpejti. Me dashuri Dua”. / KultPlus.com

“Sunny Hill’ dhe drama e ndërtuar mbi gjysmë të vërtetë

Gjylieta Mushkolaj

Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.

Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!

Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”

Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!

Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!

Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.

Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.

Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.

Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.

Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com

Përparim Rama: Arsyeja e zhvendosjes së ‘Sunny Hill’ në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.

Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.

“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.

Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.

Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.

“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.

Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.

“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com

Pas “Sunny Hill” Tirana bëhet sponsor zyrtar i “Doku Fest”

Bashkia e Tiranës sot zyrtarisht është bërë sponsor zyrtar i festivalit të suksesshëm të filmit “Doku Fest” që mbahet çdo vit në Prizren, shkruan KultPlus.

Ky lajm vjen një ditë pas atij për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill, nga Prishtina në Tiranë, lajm ky që po vazhdon të përcillet me reagime të shumta.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur lajmin duke u shprehur se për ta ka rëndësi që jeta kulturore të zhvillohet kudo ku ka shqiptarë.

“Shume i lumtur qe kete vit Tirana do jete sponsor zyrtar i DokuFest ne Prizren kuruar me nga Vetoni, Erolli, Nita & miq! Ndonese jo ne Tirane, por me sh pjesmarrje nga Tirana, per ne ka rendesi qe jeta kulturore te geloje ketej, andej e gjithandej ka
shqiptare!

“Doku Fest” është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër që mbahet në qytetin e Prizrenit që tërheq artistë dhe audiencë ndërkombëtare dhe rajonale. / KultPlus.com

Stadiumi Air Albania gati për të pritur gladiatorët për finalen e madhe të Ligës së Konferencës

Roma do të përballet me Feyenoord në finalen inauguruese të UEFA Europa Conference League në Arenën Kombëtare të Tiranës, takim i cili luhet sot me fillim nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Stadiumi i Tiranës do të hy në histori përgjithmonë, kjo pasi do të jetë finalja e parë që zhvillohet në histori të UEFA Europa Conference League.

Roma, si një nga skuadrat më të mëdha në Itali, konsiderohet favorit në këtë takim, me trajnerin Jose Mourinho i cili ka një karrierë të bujshme në Europë dhe veçanërisht në finalen e Europës.

Feyenoord në anën tjetër, arriti që si ekip jo-favorit të kalojë në finale të kësaj gare dhe tani kërkojnë që të përmbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ekspeditë në Evropë, konkretisht duke ngritur trofeun në Tiranë.

Një ditë më parë, tifozëritë e të dyja palëve janë përballur me policinë shqiptare, ku pati edhe trazira dhe njerëz të lënduar.

Sot pritet që stadiumi i Tiranës të jetë i stërmbushur dhe të zhvillohet një ndeshje e madhe. /KultPlus.com

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që tregon rrugët që do të bllokohen nesër

Finalja e madhe e “Conference League” në Tiranë ka sjellë me dhjetra tifozë në kryeqytet, duke e bërë kështu të nevojshme një strukturë të mirëorganizuar, që 25 maji të mos ketë incidente të asnjë lloji. 

Një hartë, që ndihmon qytetarët për të lëvizur në kryeqytet gjatë ditës së mërkurë, është shpërndarë nga policia.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.

Harta, e përpiluar në shqip e anglisht tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që

Në zonën ngjyrë kafe në hartë është shënuar zona e dedikuar për këmbësorët. Në rrugët e vijëzuara me ngjyrë të kuqe nuk lejohet qarkullimi, përveç automjeteve të autorizuara dhe emergjencave, rrugët e vijëzuara me të verdhë janë të dedikuara për automjete që kanë bileta për të parë ndeshjen në stadium. Rrugët me portokalli janë të dedikuara për emergjencat, ndërsa rrugët e ngjyrosura me blu janë për ata që do të hyjnë në stadium.

Rret 35 ultras të Romës dhe dhjetëra tifozë mbërritën këtë mëngjes në portin e Durrësit, për të ndjekur nesër skuadrën e preferuar që luan kundër Feyenoord-it në finalen e Conference League. Para se të nisnin dhe shijonin qëndrimin e tyre në Tiranë, të gjithë tifozët kanë marrë disa këshilla për mënyrën sesi duhet të sillen.  Ata janë paralajmëruar të zbatojnë rregullat më poshtë:

1. Shmangni ecjen vetëm ose në grupe të vogla.

2. Mos merrni me vete flamuj apo simbole të tjera. Do të ofrohen vetëm kur të mbërrini në stadium.

3. Vendtakimi ku do të grumbullohemi për të shkuar drejt stadiumit do të konfirmohet më vonë.

4. Respektoni qytetin që po na mirëpret”.

Këtë të mërkurë, më 25 maj, Tirana do të presë finalen e parë të Conference League, atë mes Romës dhe Feyenoord, që do të luhet duke filluar nga ora 21:00, një moment historik në futbollin shqiptar, pasi për herë parë në vendin tonë organizohet një event i tillë. Burimi: Euronews, Top Channel./ KultPlus.com

Tirana proteston kundër pushtimit rus, solidarizohen me Ukrainën

Gjatë ditës së sotme, në Tiranë ka ndodhur një protestë në shenjë solidarizimi me Ukrainën kundër pushtimit rus, shkruan KultPlus.

Sheshe të ndryshme evropiane janë mbushur me numër të madh të njerëzve të cilët po protestojnë kundër pushtimit rus.

“Putini kriminel”, ishte njëri prej mesazheve kryesore që Tirana tha në këtë protestë. /KultPlus.com

‘Tirana e hershme dhe fëmijnia jonë e mjerë’

Mustafa Greblleshi

E kam të gjallë Tiranën e vogël me një grusht shtëpish qerpiçi e me një hotel të vetëm po prej qerpiçi, po me nji emën me nam: “Hotel Stambolli”. Se qysh i ka qëndrue furisë së moteve e ka mbetë në kambë edhe sot e kësaj dite, i qofsha falë. E ke mbas Mapos ushqimore, ku po ngrihen apartamentet e reja, ku nis Rruga e Durrësit. Konaqe me oxhakë kishin vetëm Toptanasit. Elektriku nuk njihej. Edhe llamba me vojguri e rrallë ish. Atë e gjeje vetëm në zyrat e hyqymetit e në odat e shtëpive me oxhak. Te votrat tona, ku ngrihej tymi fjollë, mu aty te carani, ngjat flakës së druve, digjej pishtari a flaka e bishtukut. Nji fjollë e zezë tymi, ngjitej përpjetë përtueshëm e me përdredhime… Elektrik nuk kish as xhadeve. Kandila me voj, rrallë e tek, xixëllonin rrugëve e ndriçonin nji sofër vend. Në do drushta të shtrembta vareshin fenerët, Mbramjeve, nji rrogtar i ngarkuem, me nji vojnik në dorë, i qasej drushtave. Ulte fenerin me anë të nji sixhimi, e ushqente me voj, e ndizte e kalonte te tjetri, tue shkelë me hap të randë nëpër gurët e shrregullt të kalldrameve. Kalldrame, vija uji, vorre e ullij ka pasë motit Tirana. Vorrezë e ullij ish i gjithë Pazari i Ri. Vorrezë e ullij, Sheshi Skënderbej, vorrezë e selvi Sheshi i monumentit të Partizanit. Gjithkund vorrezë. Në çdo lagje. Më kujtohen mirë ato fushat e vorreve, se unë e moshatarët e mij i vizitojshim shpesh, për të mos thanë për ditë.

–A di përse na të vegjlit silleshim vorreve? – vijoi Shyqri Beqir Fuga -Te hymja e vorrezëve, me të perënduem të diellit, do të takojshim patjetër ndonji plakë te mbështjellun me napën e bardhë. Plaka e mbështjellun me napë të bardhë dhe e ulun kambëkryq, shtronte përpara nji kuze të madhe me topa hallve dhe pranë kuzes nji ibrik dheje me ujë. Me zanin e saj të mekun e të mbytun ajo ftonte kalimtarët e rrallë të marrin “rahmet” për të afërmin e saj, që kish shkue kësaj bote. Kalimtari kthehej, përkulej mbi kuzen, merrte nji shuk hallvë, pinte edhe nji hurm ujë me atë çyçën e trashë t’ibrikut si kaçarrum dhe largohej në punë të vet, si i lëshonte nji rahmet shpirtit të të vdekunit. Po kështu përkuleshim edhe na të vegjlit, përlanim sikush nga nji shuk hallvë të ngrohtë e nga nxitimi voji na rridhte nëpër buzë. Pijshim nga nji herë ujë e me radhë i lëshojshim nga nji rahmet atij që kish shkue me të shumtët. Ja kështu bridhshim vorrezë me vorrezë. Ku të gjejshim ndonji plakë me tepsi përpara se ishim, si thonë, me lugë në brez. Nji grue tjetër, po e shtëpisë së përzishme, e mbështjellun gjithë me napë të bardhë e me tepsi përpara, rrinte në krye të rrugës së lagjes. Edhe ajo u kish zanë shteg kalimtarëve e i priste si në pritë. Na të vegjlit, si të mëdhajt, dy herë në nji tepsi nuk bajshim kabull me marrë, se e kishim për keq e për gjynah. Dy herë i urojshim prehje e paqe të vdekunit, po të marrim dy topa hallvë në nji tepsi, s’e pat thanë Zoti.

Prani e dalldisi në mendime Shyqri Beqir Fuga. Si të rrekej me i renditë në mend kujtimet e largëta që i vijshin me vrull. Ai pat folë si nji nxanës i përgatitun mirë, që s’don ta ndërpresish. Po ashtu nisi e foli sërish:

-Rrallë e tek u çelën do dyqane në Rrugën 28 Nandor. Në njanin syresh, në nji dyqan me harqe përballë Sahatit, pashë nji natë nji grumbull njerzish që ishin mahnitë si u mahnita edhe unë, prej dritës së fortë të nji llambe që s’patëm pa kurrë parandej. Ish nji petromaks. S’ngiheshim tue soditë ato dy mëshikza mëndafshi, që ndriçojshin aq fort, e s’dijshim si me e spjegue atë zhurmë si zhuzhurima e bletës. Elektrik si sot pamë për herë të parë kur patën qenë këtu austriakët, nemselitë si i quejshim na. Kur ndizeshin elektrikët e nemselive, nana ime binte në shehadet, se i ngatërronte me shkreptimat. Asokohe shkeli së pari kalldramet tona automobili. I madh e i vogël, të rij e pleq, i shkojshin mbas automobilit të parë. Ish nji automobil me rrota të nalta, si qerre. Pat edhe asish që e quejtën qerrja e qoftëlargut e i ndërsyen qentë e lëshuem, qent e kasapëve. Po kështu i fuguen pas edhe Shazivar beut kur pat sjellë nga Vjena biçikletën e parë.

E tillë ish Tirana kur kremtohej Nevruzi, Moti i Ri allaturka, kur njerëzit vritshin mendjen për të sajue nji byrek me lakna e s’u shkonte ndërmend se do të vijë nji ditë që do të rendin rrugëve e dyqaneve për të ble ambëlsina, fruta, lojna e kuklla për fëmije – tha Shyqri Beqir Fuga tue e pa me të qeshun shokun e tij. – Për të kremten e Nevruzit e kisha fjalën. Na të vegjlit e pritshim darkën me padurim, vetëm për atë byrekun me spinaq që e bajshim derë për derë e që e quejshim byrek me pare. Thërriste hoxha në minare, ja niste me gjëmue lodra me topuz e tallamazi me kaish. Uleshim të gjithë rreth e qark byrekut. Ndërmjet petëve të laknorit fshihej nji koron sermi, i mbështjellë me nji shuk brumi. I pari i shtëpisë e sillte vërdallë tri herë tepsinë. Mandej zejshim fill me hangër. Kujt t’i takonte për rrisk koroni kishte të drejtë me e përvetësue. Hej ç’kismet kishte ai që peshkonte atë koron të mbështjellë me nji guaskë brumi, si karavidhe! Ajo pare e vogël sermi të bante zot për disa çaste, se me ballin nalt, e ndaloje në vend, në daç sheqerxhiun, në daç simitxhiun. Kur ta shihshin në dorë atë pare sermi, si njani tjetri, ishin gati me të shërbye si t’ishe ti bir oxhaku. I pari ulte tavllën e të lente të zgjedhish, me dorën tande, copa hallve, mollë sheqeri të kuqe, tasa hashuresh, lule Stambolli. Tjetri i kthente simitet përmbys, për me të prishë mendjen me avullin e ngrohtë e me erën e kandshme të qiqrës.

Gjellë për darkë e për davet ish byreku me spinaq, byreku me pare sermi. Bam bum e dum dum, bubullonte tej e përtej daullja me topuz e Zhing zhang, tallamazi me kaish. Tak tak, trokitte zemra jonë e vogël që dridhej e dëshirueme për të gjetë, në petat e byrekut me spinaq, paren e vogël prej sermi. Atë pare sermi, që të bante me hangër simite të ardhuna me brumë qiqre e copa hallve me susam, kurrë nuk e pata gjetë në petat e byrekut me spinaq. Më kujtohet ashtu si nëpër gjumë se nji moti e gjet nana ime. Mirëpo ajo nuk u krenue si bajshin të tjerët, heshti dhe me marifet e vu në pjesën e laknave të mija. Që të gëzohesha edhe unë. Se i pat mbetë gozhdë në zemër kur më pat rrejtë disa herë: kur kalonte sheqerxhiu me tavllën plot hallvë, hashure e lule Stambolli. Zani i fortë i hallvaxhiut buçiste e ushtonte së largu e na e dridhte shpirtin ne të vegjëlve.

“Sheqerxhiu!” ulërija unë së vogli, tha Shyqri Beqir Fuga – e doja pa derman nji grosh, se goja më lëshonte larg për të lëpimë një aso mollësh sheqeri, gjak të kuqe. Po nana, dritë i pastë shpirti – se të thashë o Maksut vdiq e re; nuk vdiq, plasi – nana, me atë zanin e saj të ambël e gjithë ankim më thosh: “Jo bir, nuk asht sheqerxhiu, asht hoxha”. Thërret hoxha në minare, se u ba vakt dreke. Hajde të të jap nana nji copë bukë! Me çka e do, me gjizë apo me ullij? “Me gjizë, jo me ullij, e doja bukën. Se ullijt i kisha mbledhë vetë, kokrra kokrra, kur i shtronte era përmbi vorret. Më pëlqejshin fort ullijt e regjun me krypë e me voj, po nuk i haja. Më dukeshin ullij të vdekunish. Ullij të njomun me vesë vorresh. Nji ditë tjetër, kur nana ish shtrue – e s’u çue ma – në rrugë buçiti sërish zani i fortë i sheqerxhiut. Ajo u drodh e më pa me ata sy të fikun. Mandej nxori nga gjini nji grosh e ma dha: “Merre bir e shko blej nji mollë sheqeri”.
– Ai grosh ish i ngrohët. M’u ba sikur ma dogj e ma përvëloi dorën. Ja ktheva prapë e i thashë: nuk e due nanë. Nuk asht sheqerxhiu. Po thërret hoxha në minare. Nana nuk foli. Veç nga ata sy të fikun, riguen çurk lotët e zbritën faqeve të zbehta. Me faqen time ja tera, e zjarri i etheve që digjte atë, më dogji edhe mue. Ky zjarr më dogji mirë nji ditë, kur te kryet e rrugës sonë, nji plakë e mbështjellun me napë të bardhë, me tepsi hallve përpara e me ibrik dheje, me za lutës u kujtonte kalimtarëve të marrin nga nji top hallvë për t’i lëshue rahmet shpirtit të nji grueje të re. Kjo grue e re që u fik përgjithmonë e që më la rrugëve, ishte nana ime. Ajo i mbylli sytë zemërplasun.

Ja Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë, – përfundoi Shyqri Beqir Fuga – Byreku me spinaq ish gjellë e rrallë. Sot kalamajt tonë e presin Motin e Ri të veshun e të qeshun. E presin me të gjitha të mirat. Kur qesh i vogël, i vogël si Ndue Gjokë Frroku, s’u gjet kush të më sjellë nji peshqesh. Sot, edhe pse im bir asht midis të gjitha të mirave në Kinë, unë mendoja ç’dhuratë t’i çoj, se më mbetej peks po ta ndaja nga këta pesë të tjerët. Ashtu si ti, që s’po të pritet gjersa të blejsh nji kukull të bukur për vajzën tande. Kujtoj se u çlodhëm, o Maksut Hasan. Shi nuk po bie ma. Çohemi e shkojmë bashkë dyqaneve për të zgjedhë nji kukull të bukur.

Në Rrugën e Postës, përballë magazive të valutës, qenë grumbullue plot njerëz. Qëndruen edhe të dy bojaxhinjtë.

– Me fal shoqe, ç’farë ka dalë këtu?

– Kukulla shok, kukulla të bukura për fëmijë. Hynë. Shitsja hapte kutitë dhe nxirrte gjithfarë kukullash të bukura, me flokë të gjatë e të shkurtën, me flokë të zes e të verdhë. Nji palë me fustane të gjata, nji palë me tuta, nji palë me veshje marine.

– Sa kushtojnë? – pyeti Maksut Hasani nji grue të re, e cila tue dalë nga dyqani i buzëqeshte kukllës ashtu si nji nanë e re i buzëqesh bebes. – Katërqind lekë – tha grueja e re. -E vlen për gazin që i fal fëmijës.

Maksut Hasani iu vardis shitëses:

– Të lutem shoqe, më jep nji kukull! Atë me flokë të zes e me përparse të bardhë. Duket kukull punëtore. /KultPlus.com

Tirana, 102 vjet kryeqytet i Shqipërisë

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:

– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),

– pozita gjeografike në qendër të vendit,

– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe

– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.

Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com

Së shpejti nis “Java e Kulturës Bashkëkohore së Kosovës” në Tiranë

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga data 14 shkurt, qendra kulturore ‘Tulla’ në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh kulturore, shkruan KultPlus.

Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Mos e humb Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës në Tiranë – KS #14 Showcase

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga data 14-20 shkurt, Tulla – Culture Center në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh të cilat do të sjellin kinematografinë 🎞️, teatrin🎭, artin vizual 🎨 dhe muzikën më të mirë kosovare”, ka shkruar Veliaj. / KultPlus.com

Dua Lipa në hapjen e TEYC: Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin e rinisë shqiptare

Ylli i muzikës botërore, shqiptarja Dua Lipa, përmes një videomesazhi drejtuar të gjithë të rinjve shqiptarë ka përshëndetur sot në ceremoninë hapëse të eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022”.

Dua Lipa ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Përshëndetje çuna, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, u shpreh në videomesazhin e saj Dua Lipa. /atsh/KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë ‘rikthehet’ edhe një herë tjetër në Shqipëri

Më 1 shkurt është mbajtur ceremonia publike e inagurimit të monumentit kushtuar Trëndafilit të Bardhë të Hungarisë dhe Mbretërshes së shqiptarëve, Geraldinën, shkruan KultPlus.

Në mesin e figurave të njohura, u bë edhe inagurimi Inagurimi i shtatores së Mbretëreshes Geraldinë.

Financimin e kësaj vepre arti e ka bërë Qeveria e Hungarisë, derisa këshilli bashkiak i Tiranës e ka bërë edhe përzgjedhjen e një vendi simbolikisht domethënës për ngritjen e bustit.

Fjalimin e tij, Princ Leka e nisi duke falënderuar të pranishmit, derisa gjithashtu shtoi se kjo vepër arti do të stolisë sot e mbrapa një nga arteriet qëndrore të qytetit të Shqipërisë.

“Rastësi apo jo, është një koinçidencë që dy gratë më të famshme shqiptare të shekullit të shkuar – Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldinë – kur u takuan në New York më 25 qershor 1981, ndanin me njëra-tjetrën një fat të përbashkët: të dyja ishin të djegura për të parë Shqipërinë; të dyja e kishin të ndaluar të shkelnin mbi dheun e këtij vendi”.

Ai e mbylli fjalimin, duke cituar mikun e Elias, shkrimtarin Ismail Kadare, që përpara 20 vitesh i shkruante kështu Mbretëreshës.

“Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.

Princ Leka ishte i pranishëm në këtë event së bashku me Elian dhe beben Geraldinë ,derisa skulptori Sandor Kligl u përkujdes për ta riprodhuar mjeshtrisht këtë figurë të madhe për Shqipërinë. /KultPlus.com

97 vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president

Tirana zbukurohet me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, Veliaj pret në takim Ramën

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Sa bukur që nisëm vizitën zyrtare të Perparim Rama në Bashkia Tiranë me një vepër teatrale si MEPHISTO – kaq të arrirë nga një trupë e aktorëve të Tiranës e Prishtinës me rastin e #EYC2022”, shkruan i pari i Tiranës në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022.

Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, kryetari i bashkisë së Klaipedas në Letoni, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.

“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën.

“Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021. Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër”, tha ai.

Kreu i bashkisë theksoi se përgjatë 2022-it, do të mbështeten dhe promovohen jo vetëm të rinjtë nga Tirana, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse. “Ne duam gjithashtu që të përdorim këtë mundësi fantastike për të promovuar të rinjtë shqiptarë edhe përtej Tiranës, të rinjtë shqiptarë kudo në Shqipëri, të rinjtë shqiptarë kudo në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë Perëndimore, në jug të Malit të Zi, sepse shohim si një platformë ku ne mund të tregojmë aftësitë tona”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata që kanë një ide për aktivitete për t’u bërë pjesë e kalendarit fantastik.

“Do kemi disa aktivitete që do jenë masive nëpër të gjithë sheshet dhe terrenet e mëdha të Tiranës. Sigurisht do kemi edhe disa gjëra që janë më të vogla në nivel shkolle, lagje, në nivel komunitar. Për këto ide ne sapo kemi hapur një thirrje. Është një thirrje për të gjithë organizatat rinore, universitetet, për të gjitha organizimet rinore, qofshin ato kulturore apo sportive që të aplikojnë, që të kemi mundësi t’i mbështesim financiarisht për të realizuar të gjitha ëndrrat dhe gjithë pasionet dhe idetë që kanë në vitin 2022”, nënvizoi Veliaj.

Titulli “Tirana European Youth Capital 2022” i është akorduar të rinjve të Shqipërisë, në vitin 2019 në Aimens, Francë, si një përpjekje e finalizuar me sukses nga organizatat e shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresi Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e bashkisë së Tiranës. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Viti 2022 do të jetë viti i kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se, “viti 2022 do të jetë viti i kulturës”.

Margariti tha se, viti i kulturë do të vijë si një paradë shumëngjyrëshe kulturash, traditash nga e gjithë bota.

“Dje, në një mbrëmje miqësore prezantuam para përfaqësuesve të trupave diplomatike në Tiranë, nismën më të re të Qeverisë: Javët Kulturore Ndërkombëtare, si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por gjithë Shqipërinë”, tha ministrja.

Margariti bëri të ditur se, kjo është një nismë që u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, teksa shtoi se “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”. / KultPlus.com

Sot bëhen 77 vjet nga Çlirimi i Tiranës

Si sot, 77 vite më parë, u çlirua nga pushtimi nazi-fashist, qyteti i Tiranës. Operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese.

Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944, me urdhër të Qeverisë së Përkohshme Antifashiste, e cila ato ditë ndodhej në Berat, një repart i ushtrisë partizane mori në ruajtje godinën qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipnis në Tiranë.

Reparti partizan mori në ruajtje edhe pasurinë e saj monetare, administrative dhe arkivore. Më 15 dhjetor 1944, disa ditë pasi organet e larta të shtetit qenë vendosur në Tiranën e çliruar, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, u ndalua dalja jashtë Shqipërisë e arit, argjendit, platinit dhe gurëve të çmuar./ KultPlus.com

Tirana ndër kryeqytetet me ushqimin më të mirë në Evropë

Kur mendojmë për pushimet të gjithëve na vijnë në mendje perceptime të ndryshme. Disa duan të pushojnë në plazh me një pije në dorë, disa të eksplorojnë rrënojat e lashta ose të përjetojnë aventura në shkretëtirë. Por ka dhe një kategori që “dashuron” ushqimim. Për dashamirët e ushqimit, gjithçka ka të bëjë me ushqimet e shijshme dhe të reja që mund të provojnë.

Uswitch ka gjetur kryeqytetet më të mira evropiane për adhuruesit e ushqimit, duke marrë parasysh kategori si ushqimi vegjetarian, kafenetë, baret, Fast-food, Brunch (mesvakt), çmimi mesatar dhe numri i restoranteve dhe ka renditur dhjetë kryeqytetet më të mira. Tirana është renditur në vendin e 4 dhe konsiderohet një ndër vendet më të mira për të ngrënë dhe pushuar.

Për ushqime me çmime të arsyeshme por edhe të shijshme dominon Athina në Greqi. Ka mbi 1000 restorante për të zgjedhur vetëm në qytet, me akoma më shumë në periferi me një vlerësim prej 9 nga 10 pikë në total me një çmim prej 19,26 dollarësh për vakt.

Beogradi pason listën e një rezultat të përgjithshëm prej 83.06 nga 100. Ky kryeqytet serb është më i miri për pijet e tyre me 9.05 pikë. Kostoja mesatare e vaktit është pak më e lirë se Athina gjithashtu, në 18.48 dollarë.

Po kërkoni diçka të shpejtë për të ngrënë në lëvizje? Sofjes, Bullgari është një nga më të mirët për ushqim të shpejtë, me 9.02 nga 10 pikë. Kafenetë padyshim që ia vlen të vizitohen gjithashtu.

Tirana, Valletta dhe Lisbona janë të gjitha vende të shkëlqyera për drekë dhe për ata që duan të gjejnë kohë për t’u shoqëruar, për të ngrënë mirë dhe për të fjetur. Të tre kryeqytetet kanë një rezultat të përgjithshëm 70 nga 100 pikë dhe janë zgjedhje shumë e mirë për adhuruesit e ushqimit. Tirana është madje në 10 vendet kryesore evropiane për makinat më të lira me qira, e cila do të jetë e përshtatshme për të udhëtuar midis të gjitha këtyre pikave ushqimore.

Kryeqytetet e Evropës Qendrore Bratislavë (Sllovaki) dhe Zagreb (Kroaci) janë dy vende të tjera me mundësi cilësore për adhuruesit e suhqimit. Ndërsa Zagrebi bie nën 70 me rezultatin e tij të përgjithshëm (68.76), e kompenson rezultatin me kafenetë e tij.

I fundit i 10 më të mirëve është Bukureshti në Rumani. Duke arritur një vlerësim të përgjithshëm prej 68.73 nga 100 pikë, ai ka rezultatet e tij më të larta për cilësinë e kafeneve (si në atmosferë ashtu edhe në vetë ushqimin) dhe fast-food. Pra, pavarësisht nëse pëlqeni të darkoni në ndërtesa simpatike ose thjesht dëshironi të hani një meze të shpejtë, Bukureshti i ka mbuluar të dyja. /dosja.al/ KultPlus.com

Mbyllet ‘Mural Fest 2021’, ja disa nga veprat që zbukuruan muret në Tiranë (FOTO)

Pas 45 ditësh punë intensive dhe 2 vjet përgatitje mbyllet “Mural Fest 2021”, organizuar nga “Dekor Tirana” dhe kuruar nga Helidon Doni Haliti dhe Kiriakos Losifidis.

Artistë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj udhëtuan drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.

Gjatë këtyre ditëve, artistët dhanë mesazhet e tyre përmes hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.

Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj u shkrinë me fasadat e godinave në Tiranë duke ridizajnuar hapësirat urbane dhe kthyer ato jo vetëm në pika të reja atraksioni në kryeqytet, por edhe destinacione për turistët e shumtë të huaj dhe ata vendas.

Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, u mbështet nga Coca Cola Bottling, Albania VIZart dhe Urbanact. /atsh/ KultPlus.com