Vdes shkrimtari i njohur

Shkrimtari i njohur amerikano-polak dhe skenaristi Janosh Glovacki ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur sot nga bashkëshortja e tij, aktorja Oleana Leonenko Glovacki. Ajo nuk ka bërë të ditur shkaqet e vdekjes.

Glovacki ishte shumë i popullarizuar në qarqet artistike dhe intelektuale në Poloni dhe Nju Jork.

Ai ishte i njohur për dramat “Antigona në Nju Jork” dhe “Motra e katërt” në të cilat merrej me tema klasike në shoqërinë moderne./ KultPlus.com

Të huaj jemi

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë. / KultPlus.com

HAVEIT, nesër pjesë e Autostrada Biennale në Prizren

Katër vajzat e kolektivit artistik HAVEIT janë në mesin e pjesëmarrësve në edicionin e Autostrada Biennale – organizim artistik që do të nisë sonte në Prizren.

HAVEIT, të njohura për performancat e tyre në rrugë dhe ndërhyrjet aty ku vajzat e kanë parë të nevojshme, do të jenë pjesë e Autostrada Biennale me datë 20 gusht, këtë të diele.

“Do ti shfaqim katër video të titulluara “Kur baba kajke, nana mi lajke sytë”, ndërsa poashtu do të kemi edhe një performancë” tregon Hana Qena nga HAVEIT, për KultPlus.

HAVEIT do të paraqiten në ora 15:30 tek Hamami i Prizrenit, të dielën e 20 gushtit.
HAVEIT këtë vit do të jenë të pranishme edhe në disa ekspozita tjera në Prishtinë. HAVEIT përbëhet nga Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj dhe Alketa Sylaj ndërsa ato kanë performuar e ekspozuar në Stokholm, në Itali, në Tiranë, Greqi e në vende tjera. / KultPlus.com

Çka shënon ‘Dita Botërore e Fotografisë’

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Por, fotografia i ka fillet tek shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të vitit 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi” përfshinë fotografi të vjetra më shumë se 150 viteve që ruhen në Shkodër. / KultPlus.com

Fotografia e parë në historinë e njerëzimi e realizuar nga Nipce, në vitin 1826.

Patty Jenkins ta bëjë regjinë e Wonder Woman II

Patty Jenkins është në fazat finale të negociatave për të nënshkruar në regji-bërjen e Wonder Woman II.

Regjisorja e kishte bërë me mjaft sukses regjinë e filmit të parë, me rol kryesor Gal Gadot, film ky që u realizua më herët gjatë kësaj vere.

Filmi i dytë për Wonder Woman u konfirmua muajin e kaluar në Comic-Con, ndërsa data e realizimit do të jetë më 13 dhjetor të vitit 2019. / KultPlus.com

‘Anibar’ përmbyllë ditën e pestë me performanca madhështore

Dita e pestë e edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’, filloi me workshopat të cilët tanimë kishin ditën e parafundit të tyre, përcjellë KultPlus.

Në orën 12:00 ndërkohë që Tomas Volda në korridorin e Kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ bënte përformancen e tij për filmin e shkurtër me kukull që vizaton, në sallën e kinos po mbahej programi special: This must be the place – New Female Wave in Polish Animation, ndërsa në Teatrin “Istref Begolli” u shfaq Kids Program 4, e në Galerinë e Arteve vazhdoi ligjërata për Jurinë e Studentëve nga Maros Brojo. Në Coffee and Talks të ftuar ishin Tal Kantor drejtori i “In Other Words” (Film i cili u shfaq në kino Liqenin me 17 Gusht në ora 20:30 dhe prezantimi mbi “Twisted Dreams of Central European animation” nga Olga and Michal Bobrowski.

Në orën 14:00 në Teatrin ‘Istref Begolli’ u shfaqen filmat e programit Teen 3, në Kino ‘Jusuf Gërvalla’ mbajti prezantim Gerta Xhelo, një shqiptare e cila jeton dhe vepron në New York, lidhur me platformën edukative të TED Ed, dhe erdhi në Anibar për të shpjeguar punën e saj dhe të TED Ed, ndërkohë që në Galerinë e Arteve vazhduan ligjëratat për animacionin e Europes Lindore me temën: between art and commercial use. “Miniatures to the Classical Music” (Television Animated Film Studio, Poznań) and music videos of Zbigniew Rybczyński.

Programi Panoramat 1 u shfaq në orën 16:00 në kino ‘Jusuf Gërvalla’, dhe në teatrin ‘Jusuf Gërvalla’ u shfaq Teen Program 3.

Paneli i radhës kishte për panelist: Eliza Hozha (arkitekte dhe aktiviste, Universiteti i Prishtinës), Klodeta Krasniqi (arkitekte, UN Habitat) – TBC, Hajrulla Çeku (EC)

Moderatore: Valëza Zogiani (Instituti D4D) u mbajt në Galerinë e Arteve dhe kishte për temë: Qytetarja dhe qyteti: hapësira publike dhe ndjenja e përkatësisë.

Në kino liqenin u shfaqen filmat e programit International kurse në kino kubat filmat e programit Students.

Një mbrëmje madhështore me qindra adhurues të muzikës rep përmbylli ditën e pestë të festivalit ku të ftuar ishin Buta dhe Dj Tandam. / KultPlus.com

Ribotohet libri me tregime ‘Shumë rrugë dhe një rënie’ i Adil Ollurit

Libri me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie” i shkrimtarit Adil Olluri, është ribotuar nga shtëpia botuese “Botimet Artini”, shkruan KultPlus.

Ky është botimi i dytë i këtij librit, i pari është realizuar në gusht të vitit 2013. Shtëpia e mëparshme botuese e këtij libri është “Parnas”.

Në botimin e dytë nuk janë të gjitha tregimet e të parit, duke i mënjanuar disa sosh, për t’i lënë vetëm ato që janë të përkthyera dhe të botuara në gjuhën italiane nga ana e shtëpisë botuese “Ensemble”, me seli në Romë. Andaj, m’u për këtë qëllim në kopertinën e tij të pasme janë vendosur vetëm mendimet e shprehura nga kritikët, shkrimtarët dhe gazetat e përditshme italiane.

“Dua ta shpreh kënaqësinë që botimin e dytë të këtij libri e mori përsipër shtëpia botuese “Botimet Artini”, e drejtuar nga Artin Ahmeti. Duke e parë përgjegjësinë dhe seriozitetin e tij, ndaj bindjen se për një kohë të shkurtë, ai do të jetë njëri nga zërat më të rëndësishëm e më të respektuar në fushën e botimit të librit në gjuhën shqipe”, shkruan Olluri.

Recensentë të botimit të dytë të “Shumë rrugë dhe një rënie” janë: Manjola Brahaj dhe Ylberza Z. Halili, ndërsa ballinën e ka punuar Faton Bajgora. /KultPlus.com

Yjet që parashikuan vdekjen e tyre të hershme

Testamenti është gjëja e fundit me të cilin ju tregoni njerëzve se çfarë të bëjnë pasi të vdesësh. Një praktikë të tillë e bëjnë edhe yjet e shoubiznesit, por disa prej tyre vërtet të tronditin me amanetet e tyre. Ata sikur e kishin parashikuar vdekjen e tyre të hershme. Ne ju sjellim disa nga kërkesat më të çuditshme të disa prej figurave të famshme, të cilat më nuk janë në mesin tonë.

Legjenda e Hollivudit Marilyn Monroe në testamentin e saj kishte shkruar se të gjithë gjërat dhe rrobat, përveç parave, ia lë mësuesit të saj të aktrimit dhe ashtu kishte ndodhur pas vdekjes së saj të papritur. Mirëpo, personi në fjalë nuk kishte bërë asgjë me këto gjësende. Mirëpo, kur ai kishte vdekur në vitin 1982 gruaja e tij i kishte vënë ato në ankand dhe kishte fituar para të majme nga shitja e tyre, transmeton “Zëri.info”

Aktorja tjetër Farrah Fawcett, e njohur për rolin e saj në serinë “Charlie’s Angels”, tërë pasurinë e saj ia kishte lënë djalit të saj, derisa për të dashurin e saj Ryan O’Neal, me të cilin ishte në lidhje për më shumë se 20 vjet nuk kishte lënë asnjë cent, me arsyetimin se ai nuk i ka ofruar asaj asgjë derisa ishin në lidhje.

Këngëtari Kurt Cobain, i cili e kishte vetëvrarë veten, në testamentin e tij kishte shkruar se e bija e tij Frances dhe bashkëshortja Courtney do të jenë më mirë pa të, pasi do të fitojnë shumë para nga vdekja e tij sesa që do të bënte ai nga muzika. Por ai kishte shkruar se nëse gruaja e tij vendos të martohet me dikë tjetër, atëherë ajo nuk merr asnjë cent.

Reperi i famshëm Tupac në testamentin e tij kishte lënë amanet që trupi i tij të digjej dhe më pas hiri i tij të përzihej me marihuana dhe pastaj t’u jepet anëtarëve të bandës së tij, të njohur si “The Outlawz” që ta tymosin. Në testamentin e Whitney Houston shkruante se ajo pas vdekjes kërkon që trupi i saj të digjet dhe pastaj hiri i saj të futej në një vazo dhe të hidhej në mes të detit. Ky amanet nuk është përfillur, pasi është varrosur.

Amy Winehouse njihet për varësinë e saj ndaj drogës dhe alkoolit, ndërsa në testamentin e saj ajo ka kërkuar që nëse vdes gjatë varrimit të pranishmit të çojnë nga një gotë raki. Aktorja Brittany Murphy kishte kërkuar që të vishej me fustan nusërie kur të varroset. Dhe pikërisht me një fustan të tillë edhe është varrosur. / KultPlus.com

Arben Bala: Për role ‘bad guy’ nuk ja zgjasë dorën askujt

Arben Bala, djali i cili qysh në moshën 13 vjeçare u largua nga Kosova për në Norvegji, për tu shndërruar atje në një aktor mjaft të pëlqyer, kjo pasi ai është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme atje, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion. Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. E padyshim që kjo ishte një përvojë e paharruar për aktorin e që do të donte të zgjaste gjithë jetën. Arbeni në një intervistë për KultPlus, ka zbuluar shumë nga jeta e tij dhe përvoja si aktor.

Ndonëse u largua shumë i ri nga vendlindja, ai tregon se ato vite jetë në vendlindje i mjaftuan që në të të mbillet dashuria e madhe për këtë vend dhe për të mos i harruar asnjëherë traditat, gjuhën e zakonet shqiptare. Madje ai thotë se pasuria më e madhe e tij janë pikërisht këto vlera. Jetën si aktor në Norvegji ai e filloi falë kontakteve që i ka krijuar përmes shoqërisë, fillimisht i është dhënë një rol shumë i vogël por i cili ka mjaftuar që regjisorët të binden që ai ka talent për aktrim e sidomos për rolet në filmat aksion dhe kështu kanë filluar ftesat për role më të mëdha. Deri më tani Arbeni ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër.

Jeta Zymberi

KultPlus: Jeni në proces të xhirimeve të filmit më të ri të Izer Aliut, dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja që ju solli nga Norvegjia në Maqedoni, çfarë ndjesie keni që po xhironi në një film shqiptar, duke pas parasysh se një përvojë të tillë tashmë e keni në Norvegji?
Arben Bala: Para disa viteve kam thënë në një intervistë se ëndrra ime më e madhe është të luaj në një film shqiptar, dhe ja tani kjo ëndërr është plotësuar. Gjatë këtyre ditëve që jemi në xhirime, po mundohem ta shfrytëzojë kohën në maksimum duke qëndruar me ekipin të cilët janë të mrekullueshëm. Është ndjesi tjetër të xhirosh me njerëzit e vendit tënd. Për mua kënaqësia më e madhe është kjo koha gjatë xhirimeve sepse ato momente mbesin gjatë në memorien time. Këto momente ma zgjasin jetën. Jam aq i kënaqur këtyre ditëve saqë po fle shumë pak, duke dashur ta zë kohën.

KultPlus: Është filmi i parë shqiptar që po merrni pjesë, apo keni ndonjë rol tjetër edhe në projekte të tjera?
Arben Bala:
Ky është projekti i parë shqiptar në të cilin po marrë pjesë. Deri më tani kam qenë pjesë e filmave, serialeve dhe si aktor i tetarit në Norvegji. Por ky rol në filmin e regjisorit shqiptar Izer Aliu është i veçantë për mua. Në këtë film kam rol kryesorë bashkë me aktorët Naser Rafuna, Xhevdet Jashari, Astrit Alihajdari dhe Rina Krasniqi, me të cilët kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë dhe finalizimi besoj që do të jetë i mrekullueshëm.

KultPlus: Megjithatë, edhe pse Izer Aliu një regjisor shqiptar, ai punën e tij e zhvillon në Norvegji, që nënkupton që punën e tij e keni njohur prej atje, do ta pranoje një ofertë tjetër nga regjisorët shqiptarë që punojnë në trojet shqiptare?
Arben Bala:
Me Izerin jam njohur në Norvegji dhe kam qenë pjesë e filmave të Izerit edhe më herët. Kam shumë respekt për të dhe punën e mrekullueshme që bënë. Por, nëse edhe ndonjë regjisor tjetër shqiptar më bën ftesë për ndonjë film, padyshim që do e pranoja ftesën, madje me shumë kënaqësi. Por gjithmonë kam dëshirë të punoj me njerëz të thjeshtë dhe jo me mendjemëdhenj.

KultPlus: Në kastën e aktorëve të filmit të Izer Aliut, ka mjaftë aktorë të famshëm brenda për brenda Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, i ke njohur më parë, apo ra ky film e u njohët?
Arben Bala:
Është hera e parë që jam takuar me këta aktorë dhe me të vërtetë po kemi raporte shumë të mira. Po kalojmë aq mirë me njëri tjetrin, sikur të kishim luajtur së bashku në filma që 20 vite. Jemi duke kaluar aq mirë saqë kam frikë se do të kalojë në depresion kur të kthehem në Norvegji.

KultPlus: Ndërkohë, ju keni mjaftë role në teatër, seriale e filma norvegjez, por jo të keni famë edhe në trojet shqiptare, pse gjithë kjo tërheqje?
Arben Bala:
Kam kontaktuar njëherë me një person që është aktor këtu në Kosovë, të cilit ja kam shpalosur një projekt timin, gjithashtu kam tentuar të flas me disa persona të botës së artit por nuk më kanë marrë seriozisht. Po mendojnë që ne që jetojmë jashtë bëjmë vetëm punë fizike, nuk po arrijnë ta kuptojnë që ka edhe persona që jetojnë jashtë dhe merren me art.

KultPlus: Mund të na përmendi për karakteret që luani në projekte të ndryshme në Norvegji?
Arben Bala:
Në filma e kam luajtur pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ime e imponon që unë të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy” dhe për role të tilla të them të drejtën nuk ja zgjasë dorën askujt. Nga gjithë filmat që kam luajtur, do ta veçoja filmin ku kam luajtur me Steven Van Zandt, i cili njëherit është edhe kitaristi i Bruce Springsteen’s. Zandt ka luajtur në shumë filma hollivudian si dhe në serialin e famshëm ‘The Sopranos’.

KultPlus: Sikur të ishte në dorën tuaj, cilin karakter do ta luaje me shumë pasion?
Arben Bala:
Këtë karakter e luaj gjithmonë dhe tash është bërë pjesë e imja. Por nuk do të thotë që nuk luaj edhe role të tjera. Në filmin që jemi duke e xhiruar tani, kam një rol krejt tjetër. Në këtë rol paraqitem si një njeri më i tërhequr, një person që frikësohet shumë nga policët, rojtarët e në përgjithësi njerëzit me uniformë. Edhe këtë rol po e realizoj pa problem.

KultPlus: Por, nga përvoja e shumë artistëve shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, rolet që karakterizohen janë ato të kriminelëve, çfarë mendon që ju besohen këto role, se Ballkani karakterizohet si vend me potencial të kriminelëve, apo se ju vini nga Ballkani dhe mund ti sillni më mirë se askush tjetër?
Arben Bala:
Fatkeqësisht bota po na trajton si popull të tillë, po edhe ky paragjykim ka filluar të zhduket. Në rastin tim është fizionomia ime dhe talenti që kanë bërë të më besohen rolet e tilla.

KultPlus: Shqiptarët kanë mjaftë rrëfime që mund të shndërrohen në filma edhe të suksesshëm, cilin rrëfim do të doje ta ndaje më të tjerët?
Arben Bala:
Rrëfimin e jetës sime mendoj ta bëj film. Kam pasur një jetë shumë interesante dhe mendoj që po ta bëj film do të dal diçka tepër e mirë sepse aty përfshihet historia e një djali shqiptar që mendoj se do të ishte një histori tërheqëse. Unë e kam skenarin gati por jam ende në bisedime. Në Kosovë nuk mendoj që mund të gjej mbështetje, jam i bindur që nuk vij në rend këtu. Ndërsa në Norvegji ju ka pëlqyer shumë si ide dhe kam gjetur përkrahje por problemi është se ata po kërkojnë ti kenë të gjitha të drejtat e filmit, dhe unë aty nuk pajtohem sepse është jeta ime që do të shfaqet në atë film dhe dua të kem të drejtë mbi atë film. Filmin kam dëshirë ta bëjë shqip sepse historia ime është shumë interesante dhe vetëm në shqip mund ta ketë dinamiken e vërtetë.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë e pret Arbenin pas përfundimit të xhirimit të filmit me regjisorin Izer Aliu?
Arben Bala:
Sapo ti përfundoj xhirimet me Izerin, do të kthehem në Norvegji sepse jam pjesë e një filmi të metrazhit të shkurtër i cili do të filloj xhirimet muajin tjetër. Është një projekt interesant pa dialog. Në këtë film jam në rolin kryesorë dhe do të luaj së bashku me aktorë tjerë shumë të famshëm. Ky është një rol shumë i rëndësishëm për karrierën time. Ndërsa më datë 27 tetor jepet premiera e filmit ‘Gjengangere’, pjesë e së cilit film jam edhe unë. / KultPlus.com

Peticion për pranimin e Kosovës në UNESCO

Nga java e ardhshme, dita e hënë, do të nisë nënshkrimi i një peticion për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Me anë të këtij peticioni do të kërkohet nga Komiteti Ekzekutiv dhe Konferenca e Përgjithshëm e UNESCO-së, që të bëhet pranimi i Kosovës në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtare për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore botërore.

Peticionin do të kenë rast që të nënshkruajnë punonjësit shkencor të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Institutit të Historisë në Prishtinë, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe ata nga Universiteti i Prishtinës. / KultPlus.com

Sonte nisë ‘Autostrada Biennale’

“Autostrada Biennale”, organizon sonte pritjen e hapjes së edicionit të parë të ekspozitës ndërkombëtare bashkëkohore të kuruar nga Manray Hsu. Hapja e ekspozitës bëhet në Kalanë e Prizrenit në ora 18:00, përcjellë KultPlus.

Tema “E ardhmja e kufijve”, është zgjedhur për edicionin e parë, për të adresuar me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, dhe për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.

Vetëm tre dekada më parë, kur globalizimi aktual vazhdimisht shembi muret e rregullimit dhe i bëri të gjithë kufijtë poroz, përgjigja për këtë pyetje ka qenë qartësisht dhe definitivisht se e ardhmja është e një bote pa kufij. Sot, bota duket se po shkon në drejtim të kundërt dhe kufijtë po kthehen. Çështjet e refugjatëve, punëtorëve migrantë, korporatave transnacionale, katastrofave mjedisore, identiteteve nacionale dhe etnike, dhe kështu me radhë, sjellin në vëmendje kufijtë e formave të ndryshme, që mbahen në drejtësi, të drejta njerëzore dhe jo-njerëzore, demokraci dhe politikë. E ardhmja e kufijve ka ardhur në qendër të vëmendjes të së sotmes tonë.

Për aq sa është i lidhur arti bashkëkohor me këtë proces, është përhapja e bienaleve dhe përhapja e tyre në kënde të ndryshme, shpesh rajone margjinale të botës, duke e bërë veten pjesë të një platforme të madhe në të cilën mund të shihet jo vetëm arti nga periferia, por çështjet e shqetësimeve globale dhe lokale mund të ndahen, diskutohen dhe debatohen. Në këto rrethana, është krijuar Autostrada Bienale. Dhe në thelb të kohës sonë, edicioni i parë do të përqendrohet në probleme të ndryshme kufitare.

Ekspozita, së bashku me ngjarjet e saj diskursive dhe pedagogjike, do të shikojë: Si funksionojnë shtetet kombëtare dhe sistemi i tyre për të politizuar (ose depolitizuar) identitetet kulturore, për të territorizuar zonat natyrore, kulturore dhe ekonomike nën konkurrencën kapitaliste dhe gjenerimin e fitimit? Si përballen rezistencat lokale dhe rajonale me strategjitë gjeopolitike të sistemit shtetëror? Si përdor lëvizja qytetare mjete të ndryshme, artistike dhe të tjera, për të trajtuar problemet e kufirit, për të ndërtuar identitete lokale apo koalicion ndërkufitar?
Në modernitet, qyteti është zhvilluar përgjatë vijës ndarëse kulturë-natyrë, duke vendosur kufij mes zonave urbane dhe rurale, mes mjediseve njerëzore dhe jo-njerëzore. Qyteti është i larmishëm me kufij gjinorë, kufij etnikë, kufij midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të huajve dhe vendasve, midis specieve njerëzore dhe të tjera. Ndërsa shumica e këtyre kufijve në qytet janë të padukshëm, të mbivendosur dhe të ndërlidhur, funksionimi i tyre përbën thelbin e jetës bashkëkohore urbane.
Artistë, urbanistë, aktivistë dhe edukatorë janë të ftuar të reflektojnë mbi këta kufij, veçanërisht mbi ata në qytetin e Prizrenit, reflektime të cilat do të rezultojnë në ndërhyrje specifike për vendin, vepra publike dhe punëtori për dizajn urban dhe aktivizëm.

Edicioni i parë i Autostrada Biennale do të përdorë hapësirat e mrekullueshme historike të Prizrenit në përputhje me temat dhe format e zhvilluara në veprat e artit. Stacioni i autobusëve dhe hapësira përreth do të fokusohen në çështjet e lëvizshmërisë, migrimit, kufijve kombëtarë dhe etnikë.

Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor. Përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë. Përderisa pozicionet e ndryshme të artistëve vështirë se mund të kufizohen në vendosjen e thjeshtë hapësinore në qytet, ato janë aty poashtu për të ndihmuar në ripërcaktimin e topografisë së Prizrenit nëpërmjet ndërveprimit me vizitorët.

Ekspozita ndërkombëtare do të hapet sonte me performancë dhe evente dhe do të vazhdojë me organizimin e konferencës dhe punëtorive tre ditore nga 20 deri 22 Gusht.

Artistë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Tajvan), Libia Castro (Spanjë) & Ólafur Ólafsson (Islandë), Irwin (Slloveni), Alban Muja (Kosovë), Rena Rädle (Gjermani) dhe Vladan Jeremić (Serbi), Ella Raidel (Austri) , Oliver Ressler (Austri), Saso Sedlacek (Slloveni), Alketa Xhafa (Kosovë). Veprimtaritë e këtyre artistëve mbulojnë media të ndryshme duke filluar nga fotografitë, videot, vizatimet, posterët, robotët interaktiv dhe performancat. / KultPlus.com
“Autostrada Biennale” do të mbahet deri më datë 23 shtator. / KultPlus.com

‘Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX’, ekspozitë dokumentare dhe fotografike

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës hapin ekspozitën “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX”, ekspozitë me dokumente dhe fotografi nga fondi i Arkivit Qendror Shtetëror, përcjellë KultPlus.

Ekspozita është hapur në Sheshin e Limanit në Sarandë. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido.

Në ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Sarandës dhe zonave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX.

Përmes tyre vizitorët ftohen të bëjnë një udhëtim të shkurtër në kohë, mes fotografive të vjetra të qytetit, dhe mes dokumenteve që tregojnë zhvillimin e Sarandës nga një port modest i jugut, në një qendër urbane./ KultPlus.com

Lavdia e Skënderbeut në teatrin anglez

Tomas Uinkop lindi më 1709. Shkroi me ndjenjë dashurie të thellë për Skënderbeun, dramën lirike “Skënderbeu ose liri dhe Dashuri” (Scanderbeg or Love and Liberty) dhe e botoi në 1747.

Vepra është bazuar në historinë e Barletit për rrethimin e parë të Krujës dhe martesën e Skënderbeut.
Ai e trajton Skënderbeun si hero që luftoi me guxim e trimëri për çlirimin e atdheut të vet duke e ngritur lart luftën e popullit shqiptar përmes vargjeve kushtuar Gjergj Kastriotit:

“Sa kohë të përmendet Arbëria
në faqe t’Historis’ e nëpër shekuj
atdheu ynë, q’e shpëtove ti,
a për të ngritur shtyllë triumfale
me lavde që s’do njohin vdekje kurrë.
Me emrin tënd, o Skënderbe, që mposhte
krenin’ e vrazhdë të fuqisë otomane”

George Lillo (1691-1739), botoi tragjedinë kushtuar Skënderbeut me titull: “Heroi i Krishterë”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin e 1734.

Lillo që në prolog shënon:

“Sonte këndojmë për mbretin Gjergj Kastrioti, heroin besnik e mbretin atdhetar; natyra atë e lindi të dënojë ambicien dhe të mbrojë njerëzimin.”

Në epilog, duke frishkulluar ata oborrtarë që kur flasin për të mirën e popullit, kanë ndërmend të mirën e vet, poeti pyet:

“Po a ka të atillë që i shërbejnë atdheut dhe të mos e bëjnë këtë gjë për fitim të vetin? Dhe i përgjigjet pyetjes Posi jo! Gjergj Kastrioti është një burrë i tillë!”

Helena, e bija e Sulltanit, që e dashuron Skënderbenë pasi përshkruan virtytet e princit arbër të pashoq në burrëri, në bukuri, në mençuri dhe në ëmbëlsi, i tmerrshëm e i rreptë në luftë por edhe i drejtë në gjykime, i mëshirshëm dhe i përmbajtur, thotë për Skënderbenë:

“Kush të njeh ty, dhe nuk të don,
tregon se të ka cmir’ dhe ta përçmon vitytin.”

Në aktin e katërt vdes e bija e Muratit në krahët e Skënderbeut të cilin e ka lajmëruar të ruhet prej tradhtarit Hamza. Duke vdekur i lutet Skënderbeut të mos e vrasë t’anë, po ta zërë rob.

Dashuri dhe Liri

Dhe vërtet në aktin e pestë hyn Skënderbeu bashkë me Arianitin dhe bijën e tij të uruar. Sjellin rob edhe sulltanin të lidhur me hekura. Skënderbeu urdhëron ta zgjidhin dhe ta lënë të lirë.

Helena, e bija plot virtute, e denjë për një mbarim më të mirë, ma shpëtoi jetën mua. Në këtë skenë vdes sulltan Murati me porosi për të birin që t’ja marrë hakun. Fjalët e fundit të Skënderbeut qenë:
“Që jeni të gëzuar e të lirë, kjo më bën të gëzuar mua. Në kreva drejt detyrën, jam shpërblyer”.

Dhe populli i përgjigjet:

“Ju duam si duhet, si polem i lirë
Duhet të dojë mbretin patriot.”

Në tragjedinë e Lillos gjejmë Arianitin dhe të bijën, të zënë rob. Qëndrimi i Arianitit përpara sulltanit edhe tek vepra e Lillos, është qëndrimi i një burri të fortë. Sulltani i thotë Arianitit:
“Po të mendonin mbretërit e krishterë si ti dhe Kastrioti vallë a do t’ju linin të luftonin vetëm?”

Arianiti i përgjigjet:

“O poshtërisë! O turp që s’lahet
kurrë!
Po të bashkoheshin, Evropa e
Gjorë
Nuk do të rënkonte nën zgjedhën tënde,
Dhe të vajtonte humbjen
e lirisë.”

Hapet ekspozita fotografike që sjellë Shqipërinë e diktaturës nga sytë e fotoreporterëve holandez

Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u hapë ekspozita fotografike me titull: “The Other Side of Albanian Communism”, “Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar”, përcjellë KultPlus.

Shqipëria ka qenë një rast i veçantë brenda Perandorisë të së Keqes. Nuk ishte e lehtë të ngrije objektivin, të gjeje një kënd të përshtatshëm, dritën dhe të fokusoje për të bërë fotografi rrugëve të një vendi komunist, të pasqyroje realitetin e trishtë të njerëzve, duke prishur kështu pamjen e retushuar e plot ngjyra që servirte vetë regjimi për atë që quhej “bota kapitaliste”. Në shumicën e rasteve aparatet fotografikë kontrolloheshin nga njerëzit e shërbimit sekret dhe filmat sekuestroheshin. Gjithçka ishte nën kontroll. Por ata mundën t’ia dilnin.

Ishin së paku 12 fotografë holandezë që e bënë të mundur një gjë të tillë. Misioni i tyre ishte t’i bënin të njohur botës faqen tjetër të jetës në vendet e Bllokut Komunist. Njëri prej tyre kishte në destinacion edhe Shqipërinë. Në vitin 1987 fotografi holandez Piet den Blanken fotografoi vendin e izoluar komunist, jo ashtu si programohej në protokollin zyrtar, por atë që fshihej tej fasadës, e që mbahej larg syve të turistëve kureshtarë. Fotografi është shprehur se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë dhe u desh që filmin e fotove ta fuste në bagazh të makinës në valixhet e një kolegu, për ta nxjerrë jashtë vendit. Dhe sikur të mos i kishte fshehur filmat fotografikë sot ato dëshmi do të ishin zhdukur. 30 vite më vonë, fotot e këtij ekipi janë rikthyer në Tiranë si pjesë e një ekspozite të përbashkët.

Në këtë mënyrë, në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar u hapë ekspozita fotografike me titull: “Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar”. Ajo mblodhi bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të çasteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989. Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe.

Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht, se kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj ishin të ndaluara, si edhe ndalohej gjithashtu realizimi i fotografive në rrugë, ai mundi të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist.

“Ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” është një ekspozitë që mundohet ta shikojë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit të sundimit komunist në jetën publike të Evropës Lindore. Për herë të parë për publikun janë publikuar foto sesi dukej Shqipëria e viteve të fundit të diktaturës në sytë e një fotoreporteri të huaj. Është e vërtetë që Shqipëria ka qenë një rast i veçantë brenda Perandorisë të së Keqes, por ajo ka të përbashkëta diferencën në mjerimin njerëzor të ëndrrës për një jetë më të mirë dhe realitetit të trishtë që kishte ngërthyer vendet e Evropës Lindore në fund të viteve ’80. Ekspozita në vetvete është një thirrje për një dialog të hapur me të shkuarën dhe dëshmi antropologjike e vizuale e së shkuarës për atë çka ishte Shqipëria në fund të viteve ‘80”, tha në fjalën e tij, gjatë ceremonisë së çeljes së ekspozitës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

Në hapjen e ekspozitës merrte pjesë dhe ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Deëi van de Ëeerd.
Ekspozita në fjalë është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së vendeve të Ulta në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit dhe Traumës dhe Torturës, drejtor ekzekutiv i të cilës është Adrian Kati. / KultPlus.com

‘Kush niset me bo sevda’ e risjellë për mrekulli nga Florent Abrashi (VIDEO)

Këngëtari Florent Abrashi, fituesi i një nga edicioneve të “The Voice of Albania”, mbetet një ndër artistët që ka lënë më së shumti gjurmë nga ky talent show, shkruan KultPlus.

Talenti i tij dhe interpretimet e veçanta, e bëjnë Abrashin shumë të dashur për publikun.

Ndonëse projektet nga ana e tij nuk janë të shpeshta, ai mbrëmë ka lansuar një prej tyre.

Projekti i tij më i ri muzikor është kënga “Kush niset me bo sevda” të cilën e solli me videoklip.

Kënga është një ripërpunim i këngës së vjetër qytetare, të cilën Florenti e ka realizuar për mrekulli në bashkëpunim me Florent Boshnjakun.

Videoklipi është realizuar në qytetin e Prishtinës nga produksioni Entermedia. / KultPlus.com

Dua Lipa merr kurorën nga Adele (FOTO)

Dua Lipa këtë javë ka siguruar pozitën e parë në toplistën britanike, duke i dhënë fund dominimit të meshkujve që prej vitit 2015.

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova është e para femër që kur Adele me këngën ‘Hello’ zuri këtë pozitë në tetorin e vitit 2015.

“New Rules” është kënga e parë e Duas që arrin pozitën e parë, ndërsa dy këngët tjera “No Lie” dhe “Be The One” arritën të siguronin topdhjetëshen e këngëve më të mira në Britani, transmeton Koha.net.

“Faleminderit për përkrahjen e New Rules – zyrtarisht jemi në vendin e parë! Faleminderit që e keni shpërndarë me shokë, që e keni dëgjuar e shkarkuar! Ju dua, kjo do të thotë shumë për mua”, ka thënë Dua Lipa.

Presidenti i studios së famshme muzikore Warner Bros. Records UK, ka shtuar: “Talenti i Duas kurrë nuk ka qenë në dyshim. Të jesh numër një në këtë fazë është një arritje e madhe në rrugëtimin e saj për t’u bërë pop-yll. Është rezultat i tre vjet pune të madhe dhe kreativiteti nga Dua dhe ekipi i Tap Managmentit, dhe krejt WB Recordsit”. / KultPlus.com

Vdes legjenda televizive e Britanisë së Madhe

Veterani i emisioneve televizive në Britani të Madhe, Sir Bruce Forsyth, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, njofton menaxheri i tij.

Sir Bruce ishte i dashur nëpër Britani për karrierën e tij 75-vjeçare në televizion përfshirë udhëheqjen e emisionit “The Generation Game”, “Play Your Cards Right” dhe “Strictly Come Dancing”.

Ai lindi në vitin 1928. Sir Bruce për herë të parë në televizion u shfaq kur ishte 11-vjeçar.
Tre vjet më vonë ai bëri debutimin e tij profesionist në emisionin “The Mighty Atom”.

Bëri famë gjatë viteve ’50 me një seri të emisioneve televizive. / KultPlus.com

Cigarja e Sandër Prosit gjatë xhirimeve të “Plumba Perandorit” (FOTO)

Një film ka gjithnjë dy histori. Atë që shfaqet në ekran dhe atë përtej tij që i përket grupit të punës që e realizuan atë.

Kohët kur xhirohet një film janë më të bukurat në jetën e aktorëve dhe regjisorëve, pavarësisht sfidave dhe vështirësive për të realizuar karaktere apo ndërtuar ngjarje. Disa fotografi bardh e zi të ruajtura me kujdes nga skenografi Fatbardh Marku na tregojnë momente interesante nga një prej filmave më të folur në kinemanë shqiptare “Plumba perandorit”.

Nën regjinë e Mevlan Shanajt, ky film tregon historinë e një të riu nga jugu i Shqipërisë i cili niset për në kryeqytet për një jetë më të mirë. Gjatë asëkohe në Tiranë pritej të vinte perandori i Italisë, dhe vendi ziente nga zhurmat e makinave ushtarake por edhe nga përgatitjet e bujshme. Ndërkohë ishte arestuar edhe i vëllai ku ekzekutohet, pasi merte pjesë në lëvizjen antifashiste. Urejtja e nxiti të merte një vendim që të qëllonte kundër perandorit.

I veshur me një pallto të zezë, kapele dhe një cigare në dorë duke biseduar me regjisorin e filmit, në foto na shfaqet i ndjeri Sandër Prosi. Duhet të jenë në bulevardin kryesor të qytetit të Sarandës. Foto është realizuar në vitin 1979. Në një tjetër foto regjisori përgatit për xhirim aktorin e ri protagonist në këtë film Kastriot Caushin në film (Vasil Laçi).

Pranë kameras shfaqet në disa foto regjisori Pali Kuke. Në një tjetër foto Sandër Prosi shfaqet i qeshur pranë Pali Kukes me cigaren që nuk e heq nga buzët. Në role të tjera në këtë film kanë intepretuar aktorët Vangjush Furrxhi, Liza Laska, Robert Ndrenika, Lec Shllaku, Ylli Demneri, Renis Hyka, Marko Bitrako, Agim Qirjazi, Jorgaq Tushe, Spiro Strati, Aleksandër Pogace, Rezarta Vincani. / KultPlus.com

Rita Ora tregon në emisionin amerikan obsesionin me patike dhe atlete (VIDEO)

Rita Ora ka marrë pjesë së fundmi në emisionin e njohur “Sneaker Shopping” nga Complex.

Rita Ora në këtë emision tregon se si bën zgjedhje kur duhet blerë patike e këpucë dhe se si harxhon kohë për një gjë të tillë.

Dashuria e saj mbesin Nike Air Force 1 dhe Human Race NMD nga Pharell. Ajo tregon se qysh e re ka qenë e interesuar në patike të kompanisë Nike dhe sidomos kur edhe këngëtari i saj i preferuar në fëmijëri – Dizzee Rascal ka punuar me kompaninë e njohur të atleteve. / KultPlus.com

Tiranës po i kthehet Shkolla “Kosova”, katër herë më e madhe

Një prej institucioneve simbol të arsimit në kryeqytet, shkolla “Kosova”, e cila u shkatërrua qëllimisht disa vite më parë, po rindërtohet për t’u rikthyer në vatër dije për fëmijët. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hapjen e themeleve të godinës, e cila do të jetë katër herë më e madhe se sa ish-ndërtesa e mëparshme që u dogj për t’u shndërruar në pallat. Në nisjen e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla do të jetë gati pas një viti dhe u shpreh i kënaqur që Tiranës do t’i rikthehet një nga shkollat simbol, që para disa vitesh u synua të kthehej në pallat.

“Për të gjithë ata qytetarë që kanë jetuar në Tiranë, të paktën në dekadën e fundit, e dinë që kjo shkollë i ngjan një prej atyre legjendave shqiptare, si legjenda e Rozafës. Më në fund, sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje. Një projekt i cili ka kaq kohë që përgatitet, por më në fund, me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Si një ish-nxënës i kësaj shkolle, Veliaj shprehu kënaqësinë e dyfishtë se ky institucion arsimor do të rikthehet me një kapacitet 4 herë më të madh, por duke ruajtur të njëjtën cilësi siç edhe e ka pasur shkolla e mëparshme. “Siç është ajo shprehja, këpucën e tij këpucari e rregullon të fundit. Kjo është në fakt shkolla ime. Më vjen mirë që e fundit në serinë e parë të shkollave, të katër shkollave të reja, është shkolla “Kosova”, ndaj ndihem shumë i lumtur që për të gjithë ata si puna ime, që kanë nostalgjinë e të qenit fëmijë, e të rriturit, të formuarit në këtë hapësirë fantastike si shkolla “Kosova”, do e rikenë, por kësaj here katërfish më të madhe. Shkolla shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë. Do të ketë të njëjtin cilësi, siç ka qenë ndër vite reputacioni i shkollës ‘Kosova’”, shtoi Veliaj.

Ai tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm do të ndihmojë që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera përreth që funksionojnë në këtë njësi. “Mezi pres që t’u lëmë hapësirë ndërtuesve, që këtë vit të punojnë me ritme të shpejta e ta përfundojnë para afatit, që shtatori tjetër jo vetëm të akomodojë këtu nxënësit e shkollës “Kosova”, por automatikisht të lirojë të gjithë trysninë që ushtrohet tek Liceu Artistik apo shkolla “Osman Myderizi” e “Mihal Grameno”, me nxënësit e shkollës “Kosova”, që janë shpërndarë në të gjithë këto territore”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se me shkollën “Kosova” shkon në 4 numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës për të vazhduar më pas edhe me 16 shkolla të tjera të reja që do të ndërtohen në partneritet me privatin dhe që do t’i japin fund problemit të ngarkesave në klasa. / KultPlus.com

Shfaqja mbi Nënë Terezën rikthehet në teatrot e Parisit

Jeta e një bamirëseje si ajo e Nënë Terezës nuk ka qenë rrugë e lehtë dhe pa gjemba.

Aktorja Catherine Salviat, një prej aktoreve më të mira franceze, duke nisur nga java tjetër do të sjellë në jetë Nënë Terezë në teatrot e Parisit dhe Monakos.

“Nënë Tereza – Hije dhe Dritë” është shfaqja nga Joëlle Fossier e cila nga data 24 gusht vjen në Paris, fillimisht në Theatre du Lucernaire në Paris. Shfaqja është një zhytje në jetën e Nënë Terezë, siç shkruan në konceptin e shfaqjes.

E njëjta shfaqje është dhënë vitin e kaluar, në shtator, ndërsa po rikthehet në Paris dhe sipas të gjitha gjasave edhe me rreth 40 repriza të tjera, shkruan KultPlus.
Aktorja Salviat është 70 vjeçare dhe ka fituar çmimin më të madh francez për aktoren më të mirë – Çmimin Moliere. / KultPlus.com

Çka thanë për njëra tjetrën Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela?

Nuk mund të dalin asnjëherë në peshore, sepse të dyja janë figura që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.

Njëra me zërin e saj madhështor dhe tjetra me vokalin e saj hyjnor, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela ndër vite i kanë dhënë shikuesit shqiptar emocione të fuqishme, rrahje zemre të forta dhe këngë e performanca gati gati teatrore të cilat vështirë se mund të përsëriten.

Për njëra tjetrën, të dyja kanë thënë fjalët më të mira, lavdet që e çojnë në piedestal njëra tjetrën.
“Nexhmija është një këngëtare e madhe dhe unë kam përjetuar kënaqësinë kur e kam parë për herë të parë në skenën tonë. Ishte një grua e bukur, me një dinjitet të plotë artistik” ka thënë dikur Vaçe Zela për Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.

“Ajo ndiente nevojë të madhe shpirtërore të këndonte para spektatorit tonë. Atëherë, te Nexhmija pashë një emocion që e kam vërejtur herë pas here te vetja ime. Zëri i saj ishte një vokal në një lirizëm të ëmbël, kishte shumë kolorit popullor, amtar. Ajo kishte një zemër shumë të madhe dhe unë personalisht e vlerësoj këtë virtyt njerëzor” citohet Vaçe Zela kur përmend talentin e madh të Nexhmijes.

Por edhe Nexhmija – Bilbili i Këngës Shqipe, nuk është kursyer kur ka folur për mënyrën e këndimit të Vaçes.
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela” thotë Nexhmija kur pyetet për Vaçen.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Nuk di çtë them me fjalë se çka ka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë krejt diçka tjetër” është shprehur Nexhmije Pagarusha kur ka marrë lajmin për vdekjen e Vaçe Zelës. / KultPlus.com

Faik Konica për shqiptarët: Egërsira dhe kafshë, armiq të vetvetes

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi jo vetëm realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, po edhe atë që e priste.

Mënyra e komunikimit të Konicës është e drejtpërdrejtë, aq e drejtpërdrejtë sa ndonjëherë është edhe e frikshme për nga mënyra e përçimit dhe realitetit që përmban në të.

I tillë është edhe ky shkrim që Konica.al ka rezervuar për ju, ku vetë Konica ka folur për mendimin e madh të shqiptarëve se Evropa është ajo që do t’i nxjerrë në dritë, ndërkohë që është krejt e kundërta. Ja ku është postimi i plotë…

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut.

Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.

Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme…

Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.

Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara.

Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.

Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit.

Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.

Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.

Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë.

A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?

Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”. / KultPlus.com

Vajza nga Turqia që studioi Gjuhën dhe Letërsinë shqipe vjen në Prishtinë

Gjuhën shqipe nuk e mësojnë shumë njerëz në Turqi. Më shumë e preferojnë frëngjishten, gjermanisht dhe italishten. Por, Eylemi Eylem Sevilen Arslanboğan nuk do që të jetë e zakonshme, andaj ajo filloi ta studionte Gjuhën dhe Letërsinë shqipe, përcjellë KultPlus.

Në fillim s’kishte aq njohuri për të, por më pas e kuptoi që e ndiente të afërt këtë gjuhë. Prandaj ajo edhe erdhi në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare I cili këto ditë po mbahet në Prishtinë. Duke qenë e pranishme në këtë Seminar, ajo do të mësojë edhe më shumë për shqipen dhe Kosovën.

“Kosova qenka vërtetë vend i vogël, por se mbaka zemra të mëdha”, është shprehur Eylem për njerëzit që I ka takuar në Kosovë.

Kur të kthehet në Turqi ajo nuk do ta pikturojë ndonjë fytyrë, as ndonjë ndërtesë që do t’i ketë mbetur në kujtesë nga Prishtina. Ajo do ta pikturojë shpirtngrohtësinë e njerëzve që i takoi në kryeqytetin kosovar. Piktura nuk do të jetë shumëngjyrëshe si flokët e saj, do të jetë bardhë e zi. Eylemi pikturon veç në bardhë e zi. Miqtë e quajnë Rainbow (ylber). Mbase jo veç për flokët.

Kur doli në skenën e Talent X në Turqi, 4 vite më parë, ajo kishte pasur frikë se emocionet do t’ia rëndonin këmbët dhe nuk do ta linin të vallëzonte. Ishte veç 17 vjeçe atëherë. Nuk kishte pasur guxim t’i këqyrte qindra fytyrat përballë saj. Eylemi ia drejtoi sytë kafe errësirës sipër kokave të tyre dhe hodhi hapat nën tingujt e muzikës. Që kur kishte qenë shumë e vogël, prindërit e kishin nxitur të vallëzonte. Më pas asaj i pëlqeu dhe u bë valltare profesionale. Tash, përmes pikturës, vallëzimit dhe muzikës, Eylem e shfaqë më së miri brendësinë e vet.

“Diku sipër ylberit, qiejt janë të kaltër dhe ëndrrat që guxon t’i ëndërrosh, vërtetë realizohen.”, thuhet nën tingujt e këngës “Over the rainbow”, që luan këtë mesditë në vendin ku çdo mbrëmje Eylemi vallëzon, shkruan në faqen zyrtare të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. / KultPlus.com