Melania Griffith, ylli i kinemasë mbush 60 vjeç

Aktorja Melanie Griffith sot shuan 60 qirinj. Ajo u bë e njohur në vitin 1988 falë “Një gruaje në karrierë”, komedi suksesi e Mike Nichols, që i dha dhe kandidaturën për çmimin Oscar.

Filmi i bëri të mundur publikut të gjerë të njihet me bukurinë e saj, plotësisht në kontrast me fizikun e dobët të bashkëprotagonistes Sigourney Weaver.

Nga ana profesionale, filmi nuk i hapi dyert e Hollivudit. Në 1990 recitoi në “Il falò delle vanità”, me regji të Brian De Palma, por ishte një dështim. I shkoi pak më mirë me filmat “La vita a modo mio”, në krah të Bruce Willis dhe “Amiche per sempre”.

Në 1999 një tjetër sukses duket sikur e mbyti. Bëhej fjalë për filmin “Pazzi in Alabama”, në të cilin regjisor ishte burri i saj i tretë Antonio Banderas (të martuar në 1996). Në përgjithësi e gjithë karriera e saj është e karakterizuar nga suksese dhe kritika. Situatën e përkeqësonin problemet me varësinë dhe jeta sentimentale e trazuar.

Tre bashkëshortë dhe katër martesa. E para nga katër dasmat ishte ajo me yllin e “Miami Vice” Don Johnson, kur ajo ishte vetëm 18 vjeç, por zgjati më pak se një vit. Burri i saj i dytë ishte aktori dhe producent Steven Bauer, me të cilin u martua në vitin 1982, dhe dasma gjithashtu shënoi periudhën e parë të qëndrueshme të jetës së tij. Bauer e ndihmoi atë të dalë nga vërsia dhe nga martesa e tyre lindi në 1985 Alexander Griffith Bauer.

Por, marrëdhëniet e tyre u ndërprenë në vitin 1987 dhe dy vjet më vonë Melanie u martua për herë të dytë me ish-burrin Don Johnson. Nga lidhja që zgjati 6 vjet, lindi ylli i “50 hijet e grisë” Dakota Johnson. Takimi në set me Antonio Banderas e çoi aktoren në divorcin e tretë dhe në martesën e katërt, në vitin 1996. Kjo ishte lidhja më e gjatë (19 vjet), nga e cila lindi vajzën e tretë Stella Banderas.

Problemet e varësisë e kanë persekutuar gjithmonë dhe në vitin 2009 u shtrua në një klinikë për detoksikim. Tani mbush 60 vjeç, ka arritur në atë që duhet të jetë mosha e diturisë. Ajo ka deklaruar se ka mësuar ta bëj një gjë: “Nuk dal më e frikësuar, kam mësuar të marr me vete forcën. Është çështje shkaku dhe pasoje”./ KultPlus.com

‘Euronews’: Shqipëria zbulon thesaret e saj nënujore

Dhjetëra amfora janë një shembull nga shumë thesare të panjohura gjerësisht dhe që shtrihen në brigjet e Shqipërisë, thotë Euronews. Shtrati i detit në këtë vend, një vend që pati mbetur gjatë i izoluar në Evropë, është një ndër më pak të eksploruarit në botë. Por, kjo tani po ndryshon.

Autoritetet parashikojnë të bëjnë gjithçka për të ruajtur këtë thesar, duke e vlerësuar, falë hulumtuesve dhe OJQ-ve të specializuara në arkeologji, si Fondacioni “Nautical Foundation Nautical RPM”, prezent dhjetë vjetët e fundit në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

“Nga ajo që unë kam parë deri tani, ju vetëm duhet të notoni disa metra për të gjetur gjëra të mahnitshme, qoftë në aspektin e historisë kulturore apo historisë natyrore”, thotë në reportazh Derek Smith, studiues i asociuar për “Nautical Foundation RPM”.

Situata e Shqipërisë është strategjike, me që është në hyrje të detit Adriatik, rrugët e lashta tregtare e lidhnin me Perandorinë Romake në Ballkan. Dyzet rrënoja dhe dëshmi në lidhje me dy luftërat botërore janë zbuluar gjithashtu në këtë rajon.

Në krye të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare shprehet: “Ideja për të paraqitur trashëgiminë e detit shqiptar është e re për vendin, sepse deri më tani shumë pak është e njohur historia e pasur e bregdetit shqiptar, duke përfshirë të gjitha anijet e mbetura në thellësi të detit për shkak të aksidenteve të ndryshme apo luftërave të ndryshme. Unë mendoj se ka ardhur koha për t’i treguar botës pasurinë e trashëgimisë sonë detare”.

Përtej interesit shkencor, industria e sektorit të turizmit mund të përfitojë nga këto pasuri nënujore. Agjencia nacionale bregdetare mbështet hapjen e disa vendeve, josensitive, për të gjithë ata që adhurojnë zhytjet në thellësirat e detit.

Vidéo:
L’Albanie dévoile ses trésors sous-marins
http://fr.euronews.com/2017/08/08/lalbanie-devoile-ses-tresors-sous-marins-caches

Rita Ora shtyn lansimin e albumin të dytë për vitin 2018 (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora e cila me këngën e saj të fundit ‘Your Song’ arriti sukses të madh, po e shtyn për të dytën herë lansimin e albumit të saj të dytë, shkruan KultPlus.

Krijuesja e hitit ‘Hot Right Now’ fillimisht përmes një video të postuar në profilin e saj në Instagram, njoftoi se albumi i saj i dytë, i vonuar do të dalë më 17 nëntor të këtij viti, por të hënën në një bisedë live në Facebook, Rita tha se ka shumë gjasa që albumi i ri të lansohet në vitin 2018, shkruan‘Music News UK’, përcjellë KultPlus.

“Albumi im i ri do të vjen shumë shpejt. Dua të them në fillimin e vitit të ardhshëm. Por surprizat vinë apo jo?”, tha ajo, duke iu përgjigjur një fansi gjatë një sesioni pyetje – përgjigjeje .

Gjatë kësaj bisede në Facebook ajo zbuloi se në albumin e ri ka punuar me artistë të njohur, përfshirë Chris Martin, Julia Michaels dhe kompozitorin Justin Tranter. Ajo poashtu njoftoi edhe se do të bëjë një turne botëror. /KultPlus.com

Ermonela Jaho shkëlqen në Peralade, mediet spanjolle e krahasojnë me Maria Callas

Sopranoja e famshme Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e Festivalit Peralade të Spanjës, ku në edicionin e 31-të, ka përfshirë artistët më me ndikim në vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho ka mrekulluar audiencën spanjolle me rolin e saj në shfaqjen operistike “Madama Butterfly”, e cila tashmë ka bërë paraqitjen e parë, kurse po në këtë festival do të ngjitet edhe një herë me këtë shfaqje, pikërisht në mbrëmjen e sotme.

Dhe performanca e saj është vlerësuar aq lartë nga mediet spanjolle, ku sopranoja shqiptare është krahasuar me artisten e madhe Maria Callas, krahasim që padyshim i vë edhe një vulë të rëndësishme suksesit të Ermonelës, e cila viteve të fundit ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës. /KultPlus.com

Sinéad O’Connor: Dua ta dinë të gjithë se si është të kesh sëmundje mendore (VIDEO)

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur irlandeze, Sinéad Marie Bernadette O’Connor, e cila njihet edhe si aktiviste e të drejtave të grave, fëmijëve dhe viktimave të luftës, por edhe për pikëpamjet e saj për fenë, tani po kalon një periudhë të vështirë në jetën e saj, duke u ballafaquar me sëmundje mendore, shkruan KultPlus.

Sinead O’Connor, u bë e njohur në vitet 90-ta me këngën ‘Nothing Compare 2 You’, duke folur hapur për sëmundjen e saj mendore dhe mënyrën se si ajo po ndihet në këtë gjendje, ajo kërkoi ndihmë nga familja e saj. Sipas saj “të huajt në Facebook” janë më mbështetës për të sesa familja e saj. Ajo poashtu u kërkoi fëmijëve të saj të rritur dhe baballarëve të tyre për të bërë një përpjekje për ta sjellë atë në Irlandë.

Këngëtarja 50 vjeçare, është duke qëndruar e vetme në një dhomë hoteli në periferi të qytetit New Jersey, prej ku ka postuar edhe një video 12 minutëshe, në Facebook, ku flet për gjendjen e saj emocionale dhe thotë se është vetëvrasëse dhe se po të ishte në dorën e saj do ‘të zhdukej’.

‘Jam vetëm, nuk kam asnjë në jetën time, përveç doktorit tim, psikiatrit tim, njeriu më i ëmbël në botë, i cili thotë se jam heroi i tij, dhe kjo është absolutisht e vetmja gjë që më mban gjallë në këtë moment… dhe kjo është patetike. Dua që të gjithë ta dinë se çfarë është, prandaj po e bëj këtë video. Sëmundja mendore është si droga, nuk do t’ia dish se kush je, dhe çfarë është më e keqja, është stigma, askush nuk dëshiron të dijë më se kush je. Papritur të gjithë njerëzit që ti mendoje se të donin dhe kujdeseshin për ty, tani të trajtojnë si një mbeturinë, rrëfen duke qarë këngëtarja, nënë e katër fëmijëve, përcjellë KultPlus.

Përveç dhjetë solo albumeve, puna e saj përfshin shumë këngë, këngë për filma, bashkëpunime me shumë artistë të tjerë, si dhe shumë koncerte me qëllime bamirësie. /KultPlus.com

Dua Lipa përjeton sukses të madh në karrierën e saj, falënderon fansat

Këngët e Dua Lipës qysh në lansim priten tejet mirë dhe arrijnë klikime të shumta. Por kënga e fundit “New Rules” ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.

Kënga “New Rules” deri më tani është klikuar mbi 80 milionë herë në YouTube.

Për një gjë të tillë, Dua është shprehur tejet falënderuese duke postuar një fotografi në rrjetet sociale me mbishkrimin: “80 milionë klikime në videon e New Rules. Ju dua, faleminderit”.

Kjo këngë po cilësohet si shumë e veçantë bashkë me videoklipin që e shoqëron. / KultPlus.com

Shkëlzen Doli sjellë përsëri Filarmoninë e Vjenës në Tiranë

Të gjithë e kujtojmë ende mbrëmjen e 2 janarit, ku violinist i mirënjohur Shkëlzen Doli solli në Tiranë Filarmoninë e Vjenës. Me plis në kokë dhe me një teke raki, Doli i entuziazmoi të gjithë në sallën e Pallatit të Kongreseve. Por duket se ky emocion do të përsëritet edhe njëherë.

Burime nga “Gazeta Shqiptare” kanë mundur të mësojnë se Shkëlzen Doli do të rikthehet edhe njëherë në Tiranë, së bashku me Filarmoninë e Vjenës. Me aq sa kemi mundur të mësojmë kanë nisur provat për të mirëpritur artistin e mirënjohur, në një koncert që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”. Bëhet me dije se koncerti do të mbahet më 23 shtator 2017.

I mbërritur në Shqipëri, një ditë pasi mori pjesë në koncertin e fillimvitit në Vjenë, artisti shqiptar dhe Ansambli i Filarmonisë vjeneze, performuan me rezonancë të lartë profesionale në kryeqytet më 2 janar të këtij viti. Në një shfaqje që solli në ajrin shqiptar kompozitorët më të mëdhenj të botës, kulmi ishte performanca e orkestrantëve me plis në kokë, ndërsa luanin “Danubin Blu” dhe pinin raki shqiptare.

Për më tepër se 1 orë e 30 minuta, 36 anëtarët e filarmonisë vjeneze performuan klasikët e muzikës botërore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga shfaqja shkuan për bamirësi. Mbetet për t’u parë sesi do të jetë organizuar shfaqja këtë herë, por natyrisht që do të ketë tipare tradicionale shqiptare në ço detaj. E duke qenë se është në shesh të hapur, hyrja do të jetë e lirë për të gjithë publikun.

Rikujtojmë edhe lajmin e madh kur Shkelzen Doli njoftoi për ardhjen e 36 artistëve nga Vjena për të performuar në Tiranë.

“Të nderuar miq dhe artdashës ! Dëshiroj të ndaj me Ju kënaqësinë dhe emocionin e veçante qe kam para kësaj performance kaq te jashtëzakonshme! Me 2 janar, ne Tiranen tone te bukur, do te mberrijne nga Vjena 36 artiste te shquar qe do te shfaqin për herë të parë në Shqiperi, në menyrë kaq autoktone, perlat e artit Austriak per t’ju uruar, sëbashku me mua, të gjithë shqiptarëve, live nga Tirana: një vit të mbarë dhe sa më shumë harmoni! Juaji Shkëlzeni”. / KultPlus.com

Kreshnik Xhiku viziton veprën e tij ‘George Kastrioti – Skanderbeg’ në Londër pas pesë vjetësh

Skulptori i njohur Kreshnik Xhiku, i cili para disa viteve realizoi figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Londër, është kthyer te vepra e tij për ta parë me dashuri ashtu si ditën që e realizoi, shkruan KultPlus.

Një fotografi të skulptorit afër veprës së tij, e ka shpërndarë Mal Berisha, ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, duke thënë se artistët e vërtetë i shohin veprat e tyre me shumë dashuri, njësojë si fëmijët.

“Artistët e vërtetë i shohin veprat e tyre me shumë dashuri, ndoshta njësoj si fëmijët. Edhe skulptori ynë i njohur Kreshnik Xhiku, ishte kthyer pas afro pesë vjetësh tek vepra e tij, George Kastrioti – SKANDERBEG në Londër”, shkruan Mali, duke treguar tutje edhe mesazhin që Kreshniku ja ka dërguar në ditën që e vizitoi veprën e tij.

“Mesazhi që më dërgoi: “Isha 5 ditë në Londër dhe busti dukej shumë bukur dhe plot me lule e gjelbërim. Të fala Kreshniku, dhe bukuria që e rrethon bustin më solli ndërmend një thënie të një artisti të madh anglez, Henry Moor: “Skulptura është arti që zbukuron mjediset e hapura. Drita e ditës dhe ndriçimi i Diellit janë të nevojshme për t’i parë ato, është kjo arsyeja pse vendi më i mirë dhe më i përshtatshëm për të është vetë natyra”.

Veprat monumentale të Kreshnik Xhikut hijeshojnë disa sheshe si busti i Faik Konicës në Parkun e Liqenit të Tiranës, shtatorja e Mbretit Zog në bulevardin Zog I, busti i Skënderbeut në Londër si dhe disa nga shtatoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë: monumenti i Nënës Terezë në Cleveland Ohio dhe Ekuestri i Skënderbeut në Rochester Hills Michigan. / KultPlus.com

Vdes legjenda e muzikës botërore

Artisti i cili gjatë karrierës së tij fitoi 5 çmime Grammy dhe shiti më shumë se 45 milionë albume, ka vdekur pas një sëmundje të rëndë.

Këngëtari legjendar Glen Campbell, vdiq në moshën 81-vjeçare. Ai ishte i njohur në rrymën e muzikës ‘Country’.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij të cilët thanë se ai kishte luftuar për një kohë të gjatë me sëmundjen e Alzheimerit.

Campbell u nda nga jeta ditën e hënë në në Nashville të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hitet e tij më të njohura janë “Wichita Lineman” dhe “By the Time I Get to Phoenix”. Ai u diagnostifikua me sëmundjen e Alzhaimerit para 6 vitesh. / KultPlus.com

Shenja famëkeqe e Hitlerit po kthehet në simbol të paqes (VIDEO)

“Swastikas” shenja e njohur për të gjithë e krijuar nga Hitleri, po kthehet në simbol paqe nga një grup i artistëve të rrugës.

Edhe pse kanë kaluar plot 7 dekada që nga koha e Adolf Hitlerit në Gjermani nuk janë asgjësuar këto shenja të terrorit që kanë frikësuar miliona njerëz, deri tani ku Ibo Omar bashkë me disa shokë të tij artistë kanë ndërmarr iniciativën ta largojnë këtë shenjë të urrejtjes e frikës nga muret në parqe e vende tjera në Gjermani, transmeton gazetametro.net

Tani këto simbole të urrejtjes, kujtime të këqija të luftës dhe Holokaustit po kthehen në simbole paqeje.

Për më shumë ndiqeni videon më poshtë. / KultPlus.com

Lumi i Shalës, perla turistike e veriut (FOTO)

Agjenci të shumta turistike, këto ditë të nxehta gushti, udhëtojnë më së shpeshti në drejtim të veriut të vendit. Kjo për vet arsyen sepse në lartësi është më freskët, por edhe sepse tashmë zona veriore e vendit ka mjaftë destinacione turistike.

Është Liqeni i Komanit me bukuritë e tija përrallore, është Thethi, është Valbona dhe plot vende me natyrë të bukur dhe tërheqëse.

I tillë është dhe Lumi i Shalës, një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit.

Ngjyra e ujit është karakteristikë e këtij lumi dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin.
Në lumin e Shalës do gjeni shumë bukuri të cilat është e vështirë të përshkruhen me fjalë.
Lumi i Shalës është lum i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.
Lumi është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.

Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, që mahnit çdo vizitor.

Ky lum, këto ditë është bërë një destinacion turistik si për të huajt dhe vendasit, ku ata e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë. Aty veç natyrës së bukur mund të bësh edhe plazh në zonën ranore të tij ku bashkohet me Liqenin e Komanit. Çdo javë nisen drejt këtyre burimeve ujore me bukuri të rrallë agjenci të shumta të shërbimit turistik. Lumi i Shalës është një dashuri me shikim të parë. / KultPlus.com

E drejta e autorit, miratohen tarifat e shpërblimit

Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit në mbledhjen e tij të fundit, miratoi metodologjinë dhe masën e tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv.

Për herë të parë, Shqipëria tashmë renditet mes vendeve europiane që adaptojnë një sistem transparent dhe që e aplikojnë këtë sistem tarifor në mënyrë të drejtë dhe të standardizuar me praktikat ndërkombëtare.

Ky sistem i miratuar tashmë i shërben së pari shpërblimit të drejtë dhe të merituar të autorëve, interpretuesve, ekzekutuesve dhe prodhuesve të fonogramit në vendin tonë dhe jashtë saj, por gjithashtu dhe klimës së biznesit dhe të drejtës së tyre legjitime për të paguar mbi produktin intelektual që përdorin, në mënyrë të ndershme.

Ky vendim miratohet në zbatim të reformës në fushën e të drejtës së autorit të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës vitet e fundit. Administrimi kolektiv i të drejtave të krijuesve ka gjeneruar prej shumë e shumë vitesh problematika dhe konflikte të panumërta mes biznesit, subjekteve përdorues të produktit artistik dhe komunitetit të krijuesve. Procesi i miratimit të kësaj metodologjie, gjatë gjithë procesit të hartimit të saj është konsultuar me të gjitha grupet e interesit, ekspertet e WIPO-s dhe aktorëve ndërkombëtarë të industrive krijuese duke dhënë secili kontributin e tij të vlefshëm në interesin më të mirë të të gjithë palëve të interesuara.

Reforma e nisur në fushën e të drejtës së autorit ka nisur me miratimin e kuadrit të ri ligjor, akteteve nënligjore rregulluese të zbatimit të tij, Strategjisë Kombëtare për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale 2016-2020, konstituimit të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KKDA), vendimi i masës së tarifave etj. Të gjitha këto hapa në jetësimin e reformës së plotë në të drejtën e autorit tashmë janë një realitet që do të sjellë frytet e veta në rregullimin e tregut intelektual, normalizimit të raporteve tejet konfliktuale mes krijuesve dhe biznesit si dhe përmbushjen e detyrimeve që i lindin palës shqiptare gjatë procesit të integrimit europian ne kuadër të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.

Tarifat janë transparente, konkurruese për subjektet, jo arbitrare, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizmin e tregut duke siguruar në këtë mënyrë konkurrencë të lirë dhe duke i dhënë fund abuzimeve dhe problematikave të mbartura ndër vite, si rezultat i abuzimit me këto tarifa, por dhe duke nxitur subjektet e ndryshme përdorues për të paguar në mënyrë të rregullt AAK-të. Në këtë mënyrë sistemi funksionon në mënyrë të drejtë, subjektet përdorues paguajnë aq sa përdorin, artistët shpërblehen për kontributin e tyre.

Procesi i hartimit të metodologjisë së tarifave u është referuar praktikave më të mira ekzistuese në Europë duke i vendosur ato me kuadrin e aplikueshëm ligjor, rrethanat ekonomike dhe kulturore të vendit tonë dhe qëllimi i saj është të përmirësojë situatën e pagueshmërisë, të rritë bazën kontributore, dhe përdorueshmërisë së tarifave të mbledhura nga AAK-të përmes aplikimit të tarifave bilaterisht të pranuara dhe lehtësisht të aplikueshme / të zbatueshme, duke i dhënë fund abuzimeve dhe gangrenës së krijuar ndër vite tek subjektet përdorues.

Prioritet i kësaj metodologjie ka qenë që këto tarifa të miratura të ishin të thjeshta, të kuptueshme dhe të zbatueshme nga të gjithë subjektet përdorues të pronësisë artistike. Metodologjia shmang mundësinë e paligjshme që Agjencitë e Administrimit Kolektiv të abuzojnë me fuqinë e tyre të tregut, duke vendosur çmime të paarsyeshme ose të angazhohen në praktika diskriminuese, të tilla si aplikimi i tarifave të ndryshme për përdoruesit e ngjashëm që veprojnë në të njëjtat tregje. Aplikimi i deritanishëm ka qenë tejet i kontestuar nga subjektet dhe praktikisht i pa aplikueshëm. Si rezultat i kësaj është trashëguar një realitet abuzues, viktimizues për të gjitha palët në këtë proces. Tashmë me këtë sistem tarifor vendoset ekuilibri i munguar mes palëve duke i dhënë fund abuzimeve në tregun e produktit artistik. / KultPlus.com

Hueyda El Saied: Sigurisht, shpesh nevrikosem me Shqipërinë tonë!

Balerina Hueyda El Saied shpeshherë në profilin e saj në “Facebook” ka shprehur qëndrimet e saj kundrejt shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ka raste kur ajo ka rrëfyer sesa shumë e kanë nevrikosur raportet e ftohta mes njerëzve në Shqipëri, duke thënë se problemi i shqiptarëve nuk është varfëria, por marrëdhëniet e ftohta mes njëri-tjetrit. Ndërsa, dje ndër të tjera ka shkruar se askush nuk duhet që të fyejë vendin e tij, pasi ka siguruar një pasaportë të huaj, sepse kjo nuk e bën më të rëndësishëm.

Më poshtë statusi i plotë i moderatores.

“Ne po kthehemi në shtëpi, ose më saktë në një nga strehët tona, se si Gabrieli dhe unë shtëpi konsiderojmë vetëm shtëpinë e None Hajries dhe teze Vjollcës.

Ne të dy, ndryshe nga disa individë që janë larguar nga Shqipëria, nuk ndihemi krenarë që po kthehemi te streha në Francë, e më pas në Luksemburg, përkundrazi, nëse do të dëgjonim zemrën tonë, do të ktheheshim muajin e ardhshëm.

Sot po kthehemi në Francë, aty ku mua m’u dha mundësia të realizoja shumë ëndrra, si femër, si artiste si dhe aty pashë për herë të parë fytyrën e bukur të tim biri. Ardhja e Gabrielit në jetën time përkon dhe me një moment tjetër shumë të bukur, që lidhet me Shqipërinë, një moment, i cili më ka emocionuar shumë dhe e kujtoj me kënaqësi ende.

Kisha vetëm pak orë që isha bërë nënë, por tek ndiqja nga televizori i dhomës së spitalit manifestimin e “11 Janarit” në homazh të karikaturistëve të vrarë të “Charlie Hebdo-së”, disa ditë më parë, pashë të marshonin përkrah miliona njerëzve, personalitete të njohura botërore dhe Edi Ramën me disa klerikë shqiptarë të feve të ndryshme.

Kryeministri ynë kishte vendosur në xhepin e sipërm të xhaketës tre lapsa me ngjyrë blu, të bardhë e të kuqe (ngjyra që ka flamuri francez). Mbaj mend që të kem thirrur infermieret e spitalit, të cilat kujtuan se kisha dhimbje apo që Gabrieli ishte zgjuar, por unë i kisha thirrur vetëm për t’u mburrur e për t’i treguar harmoninë fetare që kemi ne në Shqipëri.

Sigurisht shpesh nevrikosem me Shqipërinë tonë, se jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që ka plot gjëra nuk shkojnë siç duhet tek ne, madje dhe e kam shprehur mërzinë time për këtë, por ama njëkohësisht ka plot gjëra që më bëjnë të mburrem.

Kam plot miq të cilët mund t’i cilësoj si heronj, pasi punojnë me dinjitet dhe ndërtojnë çdo ditë me djersë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Kështu që kur dëgjoj shqiptarët – vizitor të hedhin vrer apo t’i fusin të gjithë në një thes, trishtohem dhe dua t’u them: Nuk është një pasaportë jo shqiptare që të bën ty më të mirë se atdhetarët e t’u, ata që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri. Duke fyer vendin tënd dhe ata që jetojnë, ti fyen veten në radhë të parë. E mos harroni se një pemë pa rrënjë, është jetëshkurtër”.

Bajamet Shqiptare ndihmojnë në organizëm dhe jetëgjatësi

Një grusht bajamesh në ditë është ndihma më e mirë që mund t’i japësh organizmit. Vetë Shqipëria është e bekuar me pemë të bajames, të cilat gjithmonë e më tepër po rikthehen në vëmendjen e kultivuesve shqiptarë.

Bajamet shqiptare gjenden të kultivuara në pemishte në mbarë vendin, por plantacionet më të mëdha janë të përqendruara në zonat e Veriut, Përmetit, Korçës, Beratit dhe rivierës së Jugut.

Çmimi i kultivuesve në grumbullimin me shumicë varion nga 150 – 200 Lekë për kilogram, ndërsa nga grumbulluesit në treg ka një diferencë goxha të madhe. Çmimi që raportohet nga tregjet agro-ushqimore arrin në 400-500 Lekë për kilogram.

Llojet e bajames në Shqipëri janë të shumta, por disa prej tyre janë me famë të veçantë. Një nga këto bajame është Bajamia e Melçanit, që rritet në Korçë në lartësitë mbi 600 metra. AgroWeb.org është bazuar në studimet dhe publikimet e ekspertit Kostandin Mosko, i cili tregon se sot mbjellja e bajames bëhet me fidane të shartuar në fidanishte.

Fara për nënshartesën zakonisht zgjidhet nga bajame të egra për t’u përshtatur sa më mirë kushteve të terreni ku do të mbillen, njëlloj si kultivimi i pemëve të ullirit. Për bajamen si nënshartesë mund të shërbejë dhe pjeshka, kajsia dhe kumbulla.

Fruti i bajames ka një përdorim të gjerë jo vetëm si frut i thatë për konsumatorët, por edhe nga amvisat shqiptare për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme madje deri tek llojet e bukëve me shije, etj.

Nga bajamet mund të përgatitet gjalpë arrorësh dhe qumësht bajame me një shije të veçantë. Fruti i bajames është i pasur në vlerat ushqimore si: vitamina, proteina, fibër dhe shumë minerale.

Përfitimet e konsumit të bajameve

Parandalon problemet e zemrës. Lëndët flavonide që gjenden tek bajamet kombinuar me vitaminën E reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Konsumi i bajameve mundëson një ulje me 50 përqind të rrezikut nga ataku në zemër.
Kontrollon nivelin e kolesterolit në gjak. Vitamina E tek bajamet është një antioksidant i fuqishëm që mbron qelizat nga dëmtimet në dhe parandalon arteriesklerozën.
Ndihmojnë në funksionin e mirë të trurit. Bajamet përmbajnë riboflavinë dhe L-carnitine, që ndikojnë për të rritur aktivitetin e trurit dhe në rritjen e jetëgjatësisë.
Veprojnë në rritjen e fortësisë të kockave dhe dhëmbëve. Përmbajtja e lartë e fosforit në frutin e bajames ndikon në fortësinë e kockave.
Ndihmojnë për të ulur peshën. Përmbajta e lartë e fibrave në frutin e bajames ndikon për te mos patur një rritje në peshë. Ata që hanë dy here në javë bajame ulin mundësinë për të shtuar peshë rreth 30 përqind.
Bajame ndikon për të ulur rritjen e sheqerit në gjak. Bajamet nuk përmbajnë niseshte dhe përdoren si miell për përgatitjen e biskotave dhe ëmbëlsirave për diabetikët.

Rugova, pika turistike që ia vlen ta vizitosh në çdo stinë (FOTO)

Pika turistike e Rugovës, e gjendur 93 km larg qytetit të Prishtinës, në Kosovë në këto ditë të nxehta vere frekuentohet nga vizitorë të shumtë. E ndodhur në veri-perëndim të qytetit të Pejës Rugova është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare.

E shpallur në vitin 2013 Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kjo pikë turistike vizitohet nga turistë të shumtë vendas e të huaj.
Rugova është vend i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshktari, ski, ngjitje në shkëmbinj, hedhje me parashutë, piknikë me familje etj. Një rrugë piktoreske, e cila edhe pse e ngushtë është e asfaltuar, të çon në qendrën e skijimit e të pushimit veror në Bogë, e cila ndodhet në lartësinë prej 1400 metrash.

Duke ecur rrugës, ndeshesh me shumë makina që i drejtohen kësaj pike turistike, ndërsa mbetesh e mahnitur nga bukuria e pishave dhe ajri i pastër dhe i freskët. Në të dy anët e rrugës pa shkuar në fshatin Bogë, që është rreth 29 kilometra nga qyteti i Pejës, shikon restorante të shumtë, ku qytetarë drejtohen për të kaluar disa orë larg temperaturave të larta të kësaj vere.

Të bien në sy edhe makina të ndaluara anës rrugës, ku njerëzit mund të peshkojnë në lumin Lumbardha, në Grykën e Pejës, që gjarpëron ndërmjet majave më të larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Një hotel i madh i ndërtuar buzë rrugës që të çon në Bogë, dallon mes të tjerëve për nga arkitektura dhe ambienti i jashtëm i mbushur me gjelbërim, por që duket se ende nuk është hapur për turistët. Pasi mbërrin në fshatin piktoresk të zë syri një sërë shtëpi banimi dhe hotele, të ndërtuara kryesisht prej druri.

Pika turistike e Rugovës

Rugova është trevë malore në Veri-Perëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo është rrethinë etnografike, me rëndësi të madhe për degët e gjuhësisë si leksikologjia, etimologjia dhe onomastika . Rugova është e përshtatshme për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknikë me familje etj. Rugova radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore nga Federata Ndërkombëtare e Siktarisë (FIS) me qendrën në Lucernë. Për më tepër, në prill të vitit 2013, Peja fitoi çmimin “Tourism for Tomorrow” me projektin “majat e Ballkanit”.

Day_ tour_ from_ Pristina_ to_ Rugova_ Gorge_ReadyClickAndGo

Rugova është e pasur me forma të shumta si shpellat, ujëvarat, liqenet glaciale, majat e larta, tunelet etj. maja më e lartë është Hajla (2403 m) por rëndësi dhe interes paraqet edhe Qafa e Qyqes nga e cila mund të soditet i gjithë qyteti i Pejës. Nga Guri i Kuq (1522 m) shihen si në pëllëmbë të dorës: Gjeravica, trekufiri Boriqe, maja e Mariashit,maja e Hekurave, Shkëlzeni dhe Liqeni i Plavës. Volujaku është po ashtu një majë e lartë (2014 m).

Në kilometrin e katërt gjendet “Rruga e Hekurt” e vetmja në Ballkan. Rugova përfshin një territor me sipërfaqe prej 20330 ha. Ka shtrirje Lindja-Perëndim me gjatësi prej 23 km. Gjendet në mes të maleve Hajla, Shtedim, Lumbardh dhe Kopranik. Lumi Lumbardh e ndan në dy pjesë duke krijuar luginë e më pas gjatë rrjedhës kanionin e thellë.

Bimësia e rajonit të Rugovës është e pranishme si në Europën Qendrore në lartësitë e mëdha,por edhe bimë që janë karakteristike për Ballkanin dhe vetëm për këtë rajon. Në Rugovë dallojmë 4 zona bimore(ahu, dushku, breu dhe kullota alpine).

Adrian Çene, artisti shqiptar i femrave nudo (FOTO)

Nudo vijon të jetë një ndër format më të aplikuara nga artistët. Misteri i një trupi të zhveshur vazhdon të hulumtohet nga piktorët të cilët kërkojnë të gjejnë pikërisht në shenjat e trupit, zonat e mendjes. Në këto ditë të nxehta vere, piktori Adrian Çene ka hedhur në telajo një cikël të ri nudosh. Janë femra që ashtu të shkujdesura i bashkohen një loje me dallgët e detit, apo të ulura në një kolltuk kërkojnë të gjejnë përgjigje për shqetësimet e jetës.

Një nudo nuk mund të jetë e bukur nëse nuk ka brenda të vërtetën e jetës. Dhe Çene di të shohë përtej sensualitetit, duke i bërë këto telajo të duken të bukura. Nuk është hera e parë që ai zgjedh të prezantojë nudo. Në ekspozitën që hapi pak kohë më parë “Manipulation” në Galerinë Kombëtare të Arteve mes 70 punimeve mund të dalloje lehtë dhe 5 tablo nudo. Prej 20 vitesh Çene është një artist që vepron në skenën e artit në vend.

Ai është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. “E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë ‘Imitim’”, thotë Suzana Varvarica për punët e tij.

Çene u dallua në rreth 20 vite të rrugëtimit të tij të parë, për një pikturë ku dominoi ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese. Ai krijoi një gjuhë vizuale përmes ngjyrave, të cilat janë pushtueset e para të telajos së tij. Ai pikturoi me gjallëri dhe promotori i tij emocional krijoi sipërfaqe me ndjesi të forta foviste, ku detaji natyror abstragohej dhe shfaqej prej ushtrimit të një peneli me presion ekspresiv.

Alban Muja, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci, pjesë e ekspozitës “Travellers” në Estoni

Arbër Selmani

Titulli i ekspozitës është ironik. Flitet për udhëtimin në një regjion ku liria e udhëtimit ka qenë, deri vonë, një luks i të pasurve.

Revolucioni i vitit 1989/1991 dhe hapja ndaj procesit të globalizimit botëror lejoi qytetarët e bllokut të Lindjes lëvizje personale në përmasa që nuk ishin dëgjuar deri atëherë.

Një ekspozitë me titullin “The Travellers” (Udhëtuesit) merret me efektet e udhëtimit dhe problematizon tensionet që lindin në mes të poetikës së përvojës së udhëtimit dhe situatës politike që e kushtëzon atë.
E kjo ekspozitë do të ketë brenda vetes, midis artistëve tjetër, tre shqiptarë. Alban Muja, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci do të shpalosin inspirimin e tyre rreth udhëtimit, në një formë a tjetrën, brenda ekspozitës në fjalë ku janë mbledhur artistë të ndryshëm botërorë.

Magdalena Moskalewicz është kuratore e ekspozitës që hapet me 25 gusht në Kumu Art Museum në Tallin të Estonisë.

Muja në këtë ekspozitë do të paraqitet me punën artistike “My name their city”. Njerëz të rëndomtë mbajnë në duar fotografinë e qyteteve, emrat e të cilëve në fakt janë edhe emrat e këtyre individëve.
Saranda mban në duar fotografinë e plazhit të Sarandës, Miloti mban në duar fotografinë e Milotit shqiptar, Butrinti, Shkodrani, Gjirokastra. Të gjithë janë qytetarë të Kosovës por me emra të qyteteve të Shqipërisë. Emërimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, buron nga faktorë tjerë. Si për shembull, pamundësia e shqiptarëve të Kosovës të udhëtojnë drejt çka ata ndjenin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët – çka edhe ushqej ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë.

Sislej Xhafa, artist tjetër i njohur shqiptar, do të jetë i pranishëm në ekspozitë me “Sunshade”, punë e vitit 2011-të. Një ombrellë plazhi tregon fallcitetin shpesh të pushimeve që duhet përfunduar me çmime të ulëta. Një tokë e premtuar në mënyrë hipotetike.

Ndërsa Adrian Paci në ekspozitën “Travellers” vjen me video instalacionin “The Column”. Puna tanimë është e njohur pasi është ekspozuar e transmetuar në ekspozita të ndryshme, ndërsa rrëfen rrugëtimin nga Kina në Itali, derisa krijohet një kolonë klasike.

Sipas vetë artistit, ideja për këtë instalacion ka lindur nga strategjia e egër ekonomike, ku koha kondensohet deri në pikën kur shpërndarja përputhet me konceptin prodhim.

24 artistë nga ish Blloku Sovjetik dhe Jugosllavia e dikurshme do të tregojnë në këtë ekspozitë se si njerëzit, të mirat dhe idetë e kësaj pjese fluturojnë për në vendet tjera nëpër botë. Të qenit refugjat, të qenit me pushime, mbyllja e kufijve në Luftën e Ftoftë, janë disa prej temave që do të jenë pjesë e ekspozitës në fjalë.
Pos artistëve shqiptarë, emrat si Adéla Babanová, Daniel Baker, Olga Chernysheva, Wojciech Gileëicz, C.T. Jasper & Joanna Malinowska, Flo Kasearu, Karel Koplimets, Tímea Anita Oravecz, Vesna Pavlović, Dushko Petrovich, Janek Simon, Radek Szlaga & Honza Zamojski, Maja Vukoje janë pjesë e ekspozitës. / KultPlus.com

Rita Ora merr çmim për bamirësi

Këngëtarja e mirënjohur, Rita Ora është shpërblyer me një çmim nga revista amerikane Variety për punën e saj të jashtëzakonshme filantropike.

“Rita Ora, 26 vjeç, ylli i popit dhe ikona e modës, ka fituar këtë vit çmimin ‘Variety + H&M Conscious’ për punën e jashtëzakonshme filantropike, e cila ka qenë e përfshirë në organizata bamirësie prej vitesh”, thuhet në shkrimin e kësaj reviste, transmeton Koha.net.

Kauza e fundit në të cilën ajo ishte e përfshirë në divizionin britanik të Kryqit të Kuq, që ndihmoi në rehabilitimin e atyre që u prekën nga katastrofa në zjarrin që kishte shpërthyer në “Grenfell Tower” në qershor. Dhe kjo ishte një çështje e përzemërt për të, dhe bamirësia ishte zgjedhje e saj, fondi i ndihmave do të marrë donacion 10 mijë dollarë nga “Variety dhe H&M”.

Ora, që kishte emigruar në Britani nga Kosova me familjen e saj kur ishte ende fëmijë, ishte rritur në lagjen ku ishte Grenfell Tower dhe kishte shokë që ishin prekur nga ky shpërthim i zjarrit, duke e bërë atë edhe më pasionante që t’i jepte vëmendje më të madhe kauzës.

“Duke njohur këta njerëz, edhe fizikisht, është një gjë krejtësisht tjetër se sa vetëm të kem simpati për ta”, është shprehur Ora.

Ajo gjithashtu ka thënë se, “nuk kam parë asnjëherë ndonjë komunitet të bashkohet aq shpejtë. Ishte e bukur të mendosh se ende ka shpresë të tillë në botë”.

Rita Ora ka qenë pjesë e aktiviteteve të bamirësisë edhe më parë. Ajo ishte aktive me UNICEF-in për disa vjet, dhe Kosova e ka shpallur ambasadore nderi më 2015 për ndihmën që i ka dhënë vendit.

Sot e kam shfletue librin e vjetër

Poezi e shkruar nga Ndue Ukaj.

Sot e kam shfletue librin e vjetër.
I kam prekë dhimbjet e kohëve,
Ata gurë të fortë pikëllimi
Që randojnë mbi Dardani;
Tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pâ një shall që rri heshtun
Pranë sendeve të bukura
Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.

Kam pâ portretin e Bogdanit
Me kryet kah qielli
Sikur m’ thoshte:
“Mu kanë m’em zhvarrue
E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi.
Por jo idenë teme.”
Sot e kam shfletue librin e vjetër.
E kam pâ aty hapin e matun të lirisë
Si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
Ma të nalt se vala e trishtimit.
Kam pâ portrete shkrimtarësh
Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pâ edhe hijen e fjalës
Si e mposhte trishtimin;
Atë shikimin mallëngjyes
Që ta këputë shpirtin.
Libri i vjetër
Ka shpresa
Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017)

Kategoria kombëtare forcon konkurrencën në Festivalin e Filmit – DokuFest

Sarandë Selimi

E katërta ditë e festivalit DokuFest, pos projeksioneve të shumë dokumentarëve e filmave të shkurtër, në orët e mbrëmjes solli edhe katër filma të metrazhit të shkurtër të kategorisë kombëtare. Në këtë natë erdhën gjithsej 4 filma: ‘Fatalist’ – regjia Edin Alija, ‘Lulet Plastike’ me regji të Ylljet Aliçka , ‘Bon Appetit’ me regji nga Erenik Beqiri dhe ‘Meeting’ me regji të Durim Kryeziut.

‘Fatalist’ filmi që flet për fatin
‘Fatalist’, është filmi 12 minutësh me regji nga Edin Alija. Ky film edhe pse studentor, bëri publikun kureshtar me ngjarjen që u zhvillua brenda pak minutash nga pesë personazhe sa kishte filmi. ‘Fatalist’, ashtu si tregoi vetë regjisori Alija, është i bazuar në përvojat e tij që ka pasur me njerëzit që rrinë nëpër vendet ku pihet alkooli dhe të cilët flasin për gjëra të ndryshme. Kësisoj këtë përjetim regjisori e ka kombinuar me librat e Dostojevskit.
“Mesazhi i këtij filmi nuk është ndjenjë por është ide filozofike e parapërcaktimit. Filmi nuk imponon asnjë ide, vetëm e detyron audiencën të bëjë disa pyetje në lidhje me veten dhe rrethanat ku jetojnë ata. Filmin e kam xhiruar për një natë, me buxhet të vogël, por e mira ka qenë se ekipi ishte shumë entuziast dhe kemi punuar me shpirt”, tha për KultPlus Edini, njëherësh student i regjisorit Ismet Sijarina.
“Qysh sezonin e parë unë kam përcjellë filma në Dokufest, dhe aty jam dashuruar me filmin dhe pas disa vitesh po vij në Dokufest me filmin tim, është ndjenjë e jashtëzakonshme”, pohoi regjisori i ri, filmi i të cilit ka udhëtuar edhe në 16 festivale të tjera.
Në ‘Fatalist’ luajnë Xhevdet Doda, Labinot Lajqi, Ylber Bardhi, Basri Shala dhe Agim Sylejmani.

‘Lulet plastike’, dhe çifti i lezetshëm
‘Lulet plastike’, është filmi 28 minutësh i regjisorit Ylljet Aliçka. Ky film sjellë një histori të dhimbshme të një çifti në moshë, dy personazhe që jetojnë në një fshat të Shqipërisë. Ata thirren në një dasmë në kryeqytet, dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e asaj dasme, për të blerë dhuratën më të shtrenjtë në dyqanin e fshatit, për tu zgjuar herët që mos të vonohen asnjë minutë, e bëri publikun herë të qeshë e herë të ndihet goxha keq.
Në fund, ironikisht, ata nuk priten aq mirë në atë dasmë dhe ‘Lulet e plastikës’, nuk ishin dhurata më e mirë për qiftin e ri.
Ky film vjen nëpërmjet aktorëve Robert Ndrenika, Suzana Prifti, Elia Zaharia dhe Gentian Hazizi.

‘Bon Appetit’, film që flet për kanibalizmin politik
‘Bon Appetit’, film fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare erdhi kësaj radhe edhe në DokuFest. Erenik Beqiri, regjisor i këtij filmi, sjellë një qasje tjetër për politikën e keqe në shtetin shqiptar. Çfarë është në gjendje të bëjë një njeri për pushtet tregohet më së miri në filmin e Erenikut, ku personazhi kryesor, në këtë rast Presidenti (Arben Bajraktaraj) ushqehet me kundërkandidatin e tij.
Me role në këtë film paraqiten aktorët Arben Bajraktaraj, Romir Zalla, Ema Andrea e aktorë tjerë.

‘Meeting’, filmi i fundit në natën e katërt të DokuFest
‘Meeting’, film ky me regji të Durim Kryeziut, paraqet jetën e një drejtori, i cili rrin gjatë gjithë kohës duke pirë me shokët e tij aq shumë sa që as dhëmbët e tij nuk di se ku i ka. Gjatë gjithë kohës filmi flet për disa dhëmbë artificial të humbur të një drejtori të ‘humbur’. Në këtë film luajnë: Hysen Binaku, Miradije Muriqi, Ramadan Kurti…
Këta ishin katër filmat e prezantuar mbrëmjen e së hënës në Doku Plato. Sonte vijnë edhe katër të tjerë të regjisorëve shqiptarë në Doku Plato, në kategorinë kombëtare./ KultPlus.com

Turqia nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 2018-të

Sipas zëdhënësit të kryeministrit turk, Turqia nuk do të kthehet si shtet pjesëmarrës në Eurovizionin e vitit tjetër.

Bekir Bozdag i ka thënë medieve të huaja se shanset që Turqia të marrë pjesë në Eurovizion – festivalin e madh të këngës në Evropë, janë shumë të vogla.

Turqia është larguar nga garat e Eurovizionit për shkak të problemeve me buxhet, ndërsa së fundmi ka qenë fituesja e vitit 2003, artistja turke Sertab Erener, ajo që ka treguar në Instagram se dëshiron që Turqia të kthehet në garën e madhe muzikore, shkruan KultPlus.

Turqia nuk merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2013-të. Eurovizioni do të mbahet në Lisbonë, vitin tjetër, në datat 8, 10 dhe 12 maj. Deri tash 22 shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë këtu Rusinë e cila këtë vit mungoi në garë për shkak se ngjarja u mbajt në Ukrainë. / KultPlus.com

Të jesh e veçantë sikur Tinka Kurti (VIDEO)

Tinka Kurti mbetet ndër ato aktore të cilat nuk i janë dorëzuar lehtë ligjit të natyrës.

Aktorja e njohur shqiptare, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, gjithmonë ka ditur të mahnitë publikun shqiptar dhe atë ballkanik me rolet e saj.

E lindur në Bosnje, nga një baba shqiptar dhe nënë hungareze, ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë e rinisë në Shkodër, aty ku edhe ka xhiruar disa filma.

“Nuk i frikësohem plakjes, madje as vdekjes. I frikësohem pleqërisë së trurit, dhe kur të vije ai moment do të jem dyfish e vdekur. Ja pse dua të punoj” thotë Tinka Kurti.

“Bota”, “Etjet e Kosovës”, “Zemra e nënës”, “Si gjithë të tjerët” janë disa prej roleve ndër vite që Tinka i solli me mjeshtërinë që e karakterizon, me karizmën prej një gruaje të fuqishme që mund ta përqafojë secilin skenar që është i denjë për të.

“Jam shumë kritike ndaj vetes për rolet që kam lozur ndër vite, dhe prandaj të thashë dhe pak më lart se nuk i shikoj filmat” pati thënë Tinka në një intervistë të mëhershme të sajën.

Të jesh e veçantë si Tinka Kurti, po, është e vështirë. Ende e gatshme të lexojë libra, të analizojë përreth saj, Tinka Kurti është aktore që nuk e ka secili shtet. Një fshat në Shqipëri, fshati Lekbibaj, ka një shkollë e cila është emëruar me emrin e saj.

“Lexoj shumë, nuk ngopem duke lexuar. Sa herë që ka dhe panaire libri shkoj, madje i falënderoj shumë se dhe na dhurojnë libra” pohon artistja shqiptare e cila ka marrë edhe medalje shtetërore për karrierën e saj.
Dhe ndoshta nuk e keni ditur, por Tinka ishte vetëm 16 vjeçare kur nisi karrierën në teatër, aty ku nuk ka reshtur së shkëlqyeri. Që nga viti 1949 ajo ka luajtur në rreth 120 drama, numër ky i madh në bagazhin artistik të aktores.

Ajo ishte aktore në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë – “Tana”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Po, të jesh e vecantë si Tinka Kurti është e vështirë, por ajo është një grua e rritur në një frymë plot pozitivitet dhe po këtë virtyt ajo e reflekton edhe sot në moshë më të shtyrë. / KultPlus.com

Bebe Rexha performon në ‘iHeartRadio’, paralajmëron edhe albumin e ri (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, e njohur për performancat e saj të veçanta live, pas paraqitjes së shkëlqyer që dha në shoun televiziv ‘The Tonight Shoë Starring Jimmy Fallon’, ka qenë e ftuar edhe nga rrjeti i njohur botëror i radiostacioneve ‘iHeartRadio’ ku dha një tjetër performancë live, shkruan KultPlus.

Gjatë paraqitjes së saj në këtë emision, Bebe Rexha ka treguar se më 11 gusht pritet të lansojë edhe albumin e saj të ri të titulluar ‘All Your Fault: Pt. 2”.

‘Sa e mahnitshme @beberexha sonte në skenën e iHeart për të festuar albumin e saj të ri # allyourfaultpt2. Të entuziazmuar’, kështu ka shkruar ‘iHeartRadio’ në rrjetin social Instagram, ku kanë shpërndarë edhe video nga performanca e Bebe Rexhës në skenën e tyre. /KultPlus.com

Our #iHeartFestival village artist @beberexha #iheartbebe WATCH: http://youtube.com/iHeartRadio

A post shared by iHeartRadio (@iheartradio) on

When @beberexha brings out @g_eazy 😍 Watch it all here, http://youtube.com/iHeartRadio #iHeartBebe

A post shared by iHeartRadio (@iheartradio) on

Earl Cameron, aktori i parë me ngjyrë që theu paragjykimet raciste, mbush 100 vjet (VIDEO)

Sot 100 vite më parë, lindi aktori i njohur bermudian – britanik, Earlston J. Cameron i është një ndër aktorët e parë me ngjyrë i cili ka kontribuar kundër paragjykimeve dhe racizmit në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në botë, shkruan KultPlus.

Earlston J. Cameron, i njohur më shumë si Earl Cameron, me paraqitjen e tij në filmin ‘Pool of London’ të vitit 1991, u bë aktori i parë me ngjyrë në atë kohë që luan një rol kryesor në një film britanik.
Me talentin dhe rolet e tij, aktori tashmë 100 vjeçar Cameron, solli një frymë të re në industrinë e filmit dhe marrëdhëniet racore në atë kohë, ku me paraqitjen e tij si Johnny Lambert, në ‘Pool of London’ për herë të parë shohim një njeri me ngjyrë që është në pozitë më të lartë, kundrejt personazheve të tjerë të bardhë.

Pas paraqitjes së tij në ‘Pool of London’ ai luajti rolet kryesore edhe në filma tjerë si: ‘Simba’, ‘Mau Mau’, ‘The Heart Ëithin’, ‘Sapphire’, ‘The Message’, ‘Tarzan the Magnificent’, ‘Flame in the Streets’, ‘Tarzan’s Three Challenges’, ‘Guns at Batasi’ ‘Battle Beneath the Earth’, ‘A Warm December’, ‘The Interpreter’, ‘The Queen’, ‘Inception’, ‘Up on the Roof’, etj.

Filmi ‘Pool of London’ është bërë në vitin 1951 me skenar nga Jack Whittingham dhe John Eldridge, regji të Basil Dearden, ndërsa producent i filmit është Michael Balcon.

Earlston J. Cameron, ka lindur në Pembroke Parish, Bermuda më 8 gusht të vitit 1917 ndërsa më 29 tetor të vitit 1939 është shpërngulur në Angli, ku ka vazhduar karrierën e tij si aktor. Sot ai shënon ditëlindjen e tij të 100. /KultPlus.com