Mark Wahlberg aktori më i paguar i vitit 2017

Mark Wahlberg është aktori më i paguar i vitit 2017, me 68 milionë dollarë të ardhura.

Sipas revistës “Forbes”, 46 vjeçari i fitoi këto të ardhura falë interpretimit në filmat “Daddy’s Home 2” dhe “Transformers: The Last Knight”.

Lideri i këtij klasifikimi vitin e kaluar, Dwayne Johnson, kaloi në vendin e dytë, me 65 milionë dollarë fitime në vitin 2017.

Vin Diesel renditet i treti, pasi fitoi 54.5 milionë dollarë falë filmave “xXx: The Return of Xander Cage” dhe “Guardians of the Galaxy Vol. 2”.

Pesëshen e parë e plotësojnë Adam Sandler (50.5 milionë dollarë) dhe Jackie Chan (49 milionë dollarë), i cili po bën një mori filmash në Kinë.

Ja 20 aktorët më të paguar sipas “Forbes”:

1. Mark Wahlberg ($68m)
2. The Rock ($65m)
3. Vin Diesel ($54.5m)
4. Adam Sandler ($50.5m)
5. Jackie Chan ($49m)
6. Robert Downey Jr ($48m)
7. Tom Cruise ($43m)
8. Shah Rukh Khan ($38m)
9. Salman Khan ($37m)
10. Akshay Kumar ($35.5m)
11. Chris Hemsworth ($31.5m)
12. Tom Hanks ($31m)
13. Samuel L Jackson ($30.5m)
14. Ryan Gosling ($29m)
15. Ryan Reynolds ($21.5m)
16. Matt Damon ($21m)
17. Jeremy Renner ($19m)
18. Chris Evans ($18m)
19. Chris Pratt ($17m)
20. Mark Ruffalo ($13m)./ KultPlus.com

Letrat e Lasgush Poradecit për Ismail Kadarenë

Lasgush Poradeci dhe Ismail Kadare kanë pasur dhe raporte miqësie. Përveç lidhjes me letërsinë, ata kanë ndarë bashkë dhe shqetësime të jetës nën diktaturë.

Në disa letra të shkruara në vitin 1978, shihet besimi që Lasgush Poradeci kishte tek shkrimtari Kadare, të cilit i kërkon ta ndihmojë dhe për emërimin e vajzës së tij Kostandina, mësonjëse në Pogradec.

Dihet që Lasgushi bëri një jetë të tërhequr në qytetin e tij të lindjes duke iu përkushtuar vetëm letërsisë. Në këto letra shihet besimi dhe vlerësimi që dy figurat e rëndësishme të letrave shqipe kanë për njëri tjetrin.

Ismail Kadare e ka treguar raportin me poetin në librin “Ftesë në studio”, dhe vlerësimin për qëndrimin dhe vargjet e tij në korpusin e letrave shqipe.

Tiranë, nëntor 2002
Letra e parë
Merr: Ismail Kadare
Pogradec, 8 korrik 1978

I dashur Kadare

Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam.

Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë.
Të fala edhe të përqafoj
Lasgushi Poradeci,
—————

Letra e dytë
Pogradec, 1 Shtator 1978

I dashur Kadare,

Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arësimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?

Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit.

Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit.
Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor.

Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës.

Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua.

Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon Lasgushi.

Promovohet libri “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” i autores Fetnete Ramosaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, kësaj radhe do t’i hapë dyert për një promovim libri. Librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” i autores Fetnete Ramosaj vjen në gjuhën bullgare, përcjellë KultPlus.

Studimi është përkthyer në gjuhën bullgare nga albanologu i njohur bullgar, Anton Panchev, nga Universiteti i Sofjes dhe Ballkanski Nauçen Institut i Sofjes.

Promovimi bëhet më datë 25 gusht në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, duke filluar prej orës 12:00.

Paraprakisht ky libër ka pasur dy botime të tjera në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Në 10 vjetorin e vdekjes përkujtohet ikona e kinematografisë, legjenda Faruk Begolli

Qendra Kinematografike e Kosovës organizon një takim në kujtim të aktorit të njohur shqiptar Faruk Begollit, shkruan KultPlus.

Ky takim do të mbahet sonte, në ora 20:00 te Klubi M. “Shpirtin ma keni k’put”, Faruk Begolli 10 vjet”, është sllogani i këtij takimi, që shënon edhe dhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit./KultPlus.com

Sot fillon festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë”

Me mbjelljen e drurit dhe lexim poetik për nder të fituesit të “Kurores së artë”, Charles Simic, sot në Strugë do të fillojë festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë.

Hapja zyrtare e edicionit të 56-të të festivalit është planifikuar për sonte në ora 20:30 në pllajën e Shtëpisë së poezisë me lexim poetik ndërkombëtar “Meridiane poetike”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përmbajtjet e festivalit do të vazhdojnë gjatë pesë ditëve të ardhshme, kur do të mbahet simpoziumi “E humbur/e gjetur në përkthimin”, portretet e laureatëve të sivjetshëm – fituesi i “Kurorës së Charles Simic dhe laureati për çmimin “Urat e Strugës” të MSP dhe UNESCO-s, Goran Çolakhoxhiq dhe shpallja e fituesit të sivjetshëm të çmimit “Vëllezërit Milladinovci” për përmbledhje më të mirë poetike në gjuhën maqedonase mes dy festivaleve.

Festivali në Strugë do të përfundojë më 27 gusht me manifestimin poetik “Urat e Strugës” dhe dorëzimin e çmimeve të fituesve të sivjetmë. / KultPlus.com

‘Buzzfeed’ fton amerikanët të zgjohen e të hyjnë në botën e Dua Lipës

Mediumi amerikan Buzzfeed ia ka kushtuar një tekst këngëve dhe karrierës së këngëtares shqiptare, Dua Lipa, duke u bërë thirrje amerikanëve që ta dëgjojnë më shumë e t’i japin shans yllit të muzikës.

Buzzfeed shkruan se Dua Lipa gjatë karrierës së saj ka nxjerrë në treg shumë këngë që konsiderohen hite të jashtëzakonshme, si ‘Be The One’ e ‘Blow Your Mind’. Megjithatë, sipas tyre, amerikanët nuk kanë ditur të çmojnë talentin e yllit 22 vjeç, siç ka ndodhur në Britaninë e Madhe.

“Kur ‘Be The One’ e Dua Lipës kishte dështuar në Amerikë, nuk thamë asgjë pasi e dimë që amerikanët janë të prirur të mos i çmojnë gjërat e reja që dalin në treg”, shkruan faqja amerikane.

Sipas tyre, është koha që amerikanët ‘të zgjohen nga gjumi’ e të hyjnë në botën artistike të talentit të Dua Lipës, dhe këtë mund ta bëjnë përmes këngës së saj të re, ‘New Rules’, të cilën Buzzfeed e konsideron si ‘kënga e verës’, pasi që edhe renditet në pozitën e parë si kënga më e dëgjuar në Britani. Por, kjo nuk ndodh në Amerikë, pasi atje, kjo këngë e Lipës renditet vetëm e 81-ta. / KultPlus.com
Linku: https://www.buzzfeed.com/mjs538/dua-deserves-better?utm_term=.fyoJNxkGj#.ojD50KLXB

Princeshë Diana pushton faqet e para të gazetave edhe 20 vite nga vdekja

Nga dokumentarët televizivë, te rrëfimet e djemve të saj dhe teoritë e reja mbi vdekjen e Princeshës se Uellsit, Diana ka pushtuar sërish faqet e para të gazetave 20 vite pas largimit nga kjo botë.

Ajo do të shuhej 31 gushtin e vitit 1997, në moshën 36-vjeçare, kur limuzina në të cilën udhëtonte bashkë me të dashurin Dodi al-Fayed u përplas me shpejtësi marramendëse në një tunel të Parisit, gjatë përpjekjeve për t’iu larguar paparacëve që e ndiqnin me motoçikleta.

Bashkëshortja e parë e trashëgimtarit të fronit, Princit Charles, ishte princesha rrëzëllitëse e “Soap Opera”-s mbretërore që zhvillohej para syve të medias, duke e kthyer atë asokohe në femrën më të famshme të globit.

“Nuk do të ketë më kurrë një tjetër si Diana”, thotë Ingrid Seëard, kryeredaktore e revistës “Majesty”. Përvjetorët e mëparshëm të kësaj vdekjeje kanë pasur më pak bujë, gjë që bëri të mendohej se Princesha e popullit, siç e kishte quajtur Tony Blair, e kishte humbur ndoshta një pjesë të joshjes dhe rëndësisë së saj.

Por, kur dy djemtë William dhe Harry folën në shtyp për të ëmën në 20-vjetorin e vdekjes së saj, Diana ishte sërish kryetitull. Dy princat rrëfyen për publikun traumën e humbjes së nënës dhe impaktin e thellë e të gjatë emocional që pati ajo mbi ta. Afrimin e Dianës me popullin po përpiqen tani ta bëjnë dhe të bijtë, të cilët sipas disa komentuesve janë e ardhmja e monarkisë britanike. / KultPlus.com

Yjet që i refuzuan disa prej roleve më të mëdha të Hollywoodit (FOTO)

Shumë aktorë hollivudianë kanë refuzuar role, të cilët më pas kanë rezultuar jashtëzakonisht të suksesshëm.

Po ju sjellim më poshtë yjet që i kanë refuzuar rolet që do t’i bënin shumë të pasur dhe akoma më të famshëm.

Jack Nicholson dhe “Godfather”

Veterani i Hollywoodit ka rrëfyer se kishte refuzuar rolin e Michael Corleones në kult-filmin “Godfather”, të cilin më pas e kishte pranuar Al Pacino.
“Asokohe mendoja se indianët duhet të portretizohen nga indianët, kurse italianët nga italianët. Shumë aktorë kanë mundur ta luajnë rolin e Corleones duke më përfshirë edhe mua, mirëpo Al Pacino ishte Michael Corleone i vërtetë”, ka deklaruar Nicholson.

Will Smith dhe “Matrix”

Fansat kanë pasur dëshirë të madhe ta shihnin Will Smithin në rolin e Neos, saqë kishin bërë edhe xhirime me atë në rolin kryesor në “Matrix”.
Megjithatë, Smith e kishte refuzuar rolin duke thënë se thjesht e ka ditur se “Matrix” nuk ishte për të
“E kam parë Keanu (Reeves) në atë rol – dhe rrallë e them këtë – por vetëm do ta kisha prishur”, është shprehur Smith.

Matt LeBlanc dhe “Modern Family”

Matt LeBlanc ka treguar se i ishte ofruar roli i Phil Dunphyt në serialin “Modern Family”, të cilin e kishte refuzuar.
Ky rol pastaj i është besuar aktorit Ty Burrell, i cili falë tij është bërë shumë i suksesshëm. Ai i ka fituar edhe dy çmime Emmy.
Ylli i hit-serisë komike, “Friends”, ka treguar se ofertën e kishte marrë në vitin 2009, kur është anuluar xhirimi i serialit “Joey”.
“Mbaj mend se kur e lexova skenarin mu duk i mirë, mirëpo mendoja se unë nuk isha njeriu i duhur për atë rol”, ka thënë Matt.

Dana Delany dhe “Sex and the City”

Dana Delany ka treguar se ajo kishte marrë ofertë ta luante rolin e të famshmes Carrie Bradshaw në serialin “Sex and the City”.
Rolin ia kishte ofruar miku i saj, Darren Star, por ajo i kishte thënë jo.
Në vend të saj, rolin e pranoi Sarah Jessica Parker dhe pastaj dihet suksesi i jashtëzakonshëm që pasoi. / KultPlus.com

Filmi i Izer Aliut nominohet për Nordic Council Film Prize 2017, konkurrentë edhe të nominuar për Oscar

Në mesin e të nominuarve ka emra të mëdhenj të kinematografisë, sikurse Selma Vilhunen, e cila ishte e nominuar edhe për çmimin Oscar, sikurse edhe Guðmundur Arnar Guðmundsson që tashmë ka 50-të çmime ndërkombëtare.

Ai sapo ka marë çmimin e madh në Amanda Awards, ku Izer Aliu është shpërblyer me çmimin për regjisorin më të sukseshëm, shkruan KultPlus.

Mirëpo, akoma pa kaluar java nga ky çmim prestigjioz, filmi “Huntig Flies”, i Izer Aliut, që së fundi është prezantuar edhe në PriFilmFest, është nominuar në mesin e pesë filmave për çmimin Nordic Council Film Prize 2017, çmim ky prestigjioz që ndahet tash e 14-të vite.

Në mesin e të nominuarve ka emra të mëdhenj të kinematografisë, sikurse Selma Vilhunen, e cila ishte e nominuar edhe për çmimin Oscar, sikurse edhe Guðmundur Arnar Guðmundsson që tashmë ka 50-të çmime ndërkombëtare.

Ndërkohë, fituesi i këtij çmimi do të bëhet i ditur më 1 nëntor të këtij viti.
Filmin “Hunting Flies”, flet për një mësues i cili pasi largohet nga puna provon një sukses me studentët e tij, ku hyn në lojë edhe miqësia e armiqësia mes fshatit. Filmi u shfaq vitin e kaluar në Toronto International Film Festival ndërsa në rolin kryesor paraqitet Burhan Amiti, si mësuesi Gani.
Izer Aliu është ndër regjisorët më të mirë të gjeneratës së tij momentalisht në Evropë. /KultPlus.com

Dikur një aktor, Lirak Çelaj nominohet për kryetar të Prishtinës

Dikur aktor aktiv në skenën kulturore të Kosovës, politikani Lirak Çelaj është nominuar për Kryetar të Prishtinës.

Kryesia e PDK-së sonte ka marrë vendimin që kandidat i saj për kryetar të Prishtinës të jetë Lirak Çelaj. Çelaj është kryetar i degës së PDK-së në kryeqytet dhe asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal.

Partia Demokratike sonte për orën 23:00 do të mbajë një konferencë për media, në të cilën pritet të bëhen publik emrat e kandidatëve për kryetar të të gjitha komunave të vendit.

Çelaj është i njohur sidomos për rolin e tij në komedinë “Tre Gjermanët e Trashë”, një shfaqje dhe emision televiziv i njohur për shumë gjenerata në Kosovë. / KultPlus.com

Etydi një shiu

Poezi e shkruar nga Ilnisa Agolli.

Le të bëjmë sikur u deshëm
Sikur besuam!
Sikur fjetëm pa darkë dhe folëm për të tjerë kur u ndamë.

Le të bëjmë sikur binte shi çdo herë që më takoje
dhe dëshpëroheshe aq shumë
për flokët e mi që do lageshin,
që do më gatërroheshin fytyrës nga era
e që, taksistit kjo do i pëlqente.
Ai do e shijonte dhe rrugës do më vinte
CHOPIN , atë që më pëlqen
NOCTURNE NO.20
atë që më kthen në hiçgjë.
Ndërsa ti , sigurisht, rrëmon në dhomë për cigaret që unë harroj çdoherë dhe pastaj me sytë ngulur tavanit
ashtu lakuriq çarçafëve të prishur
copëton nën pëllëmbë paketën.
Ishte hera e parë që në atë grusht mbledhur
ti kuptove s’e unë të mungoja.
Le të bëjmë sikur e ndjeve,
Më doje.

Taksisti nuk foli kurrë
dhe ti e dije që unë do qaja.
Ishte udhëtimi më i gjatë!
Le të bëjmë sikur në çdo tingull piano që dëgjoja, kërkoja buzët e tua xhamave lagur
Sikur kuptova që ç’ish një puthje!

Ndërsa ti aty në heshtje të dhomës
me pak dritare hapur
pa drite
pa zhurmë televizori
do e gdhije gjithë natën.
Le të bëjmë sikur në çdo shkreptimë që dëgjoje,
kërkoje të më prekje
dhe kuptove se nuk ngopeshe dhe se ç’ish të bërit dashuri.

Le të bëjmë sikur u deshëm!
E të kthehemi nëpër shi një ditë,
sikur unë do të çuditesha aq shumë kur të gjeja në shtëpi një pusullë tënde që në fakt
taksisti s’do e nisë kurrë.
Dhe ti nga përtej dritares pastaj
Besoje s’e unë të mendoja ç’do ditë
e se çdo herë që s’binte shi grisja poezi dhe prishja cigare
Pastaj besoje se më mungoje
e, ndonjëherë të mungoja
dhe kishe ftohtë
Mbyllje dritaren!

Por jo, ne nuk i bëmë këto
Sepse nuk pati kurrgjë
as puthje
as dëshirë syve
as frymës
as trupave dhe çarçafëve
as Chopin nuk pati asnjëherë.
Ishin vetëm vegime
Ishin sajesa të një sonate pa hënë
të një pagjumësie që ndërron pozicione krevatit dhe djersitet.
Ishte thjesht etyd.
Një etyd pasioni që s’e deshëm kurrë
Sepse nuk pati asnjë shi
Asnjë unë
Asnjë ti.

Sead Kazanxhiu sfidon ironinë e kufijve që nuk ekzistojnë

Në gjuhën rome, në gjuhën e tij, nuk ka fjalë për fjalën shqipe “kufi”. Nuk ekziston.

Megjithatë artisti Sead Kazanxhiu dëshiron ti sfidojë kufijtë.
Në Prizren këtyre ditëve, në formë të balonave në lokacione të ndryshme në qytet shkruhet me ngjyrë të verdhë “I Don’t Have Borders to Protect”. Kjo është punë e këtij artisti.

“Nuk kam kufij për ti mbrojtur” është një ironi e të festuarit ardhmërinë e kufijve, shkruan KultPlus.

Kazanxhiu është pjesëmarrës në edicionin e këtij viti të Autostrada Biennale, dhe kjo është vetëm njëra prej punëve artistike të tij që po ekspozohet në kuadër të kësaj Bienaleje arti.

“Kjo fjali është një dëshmi nga gjyshërit e mi, të cilët ishin të detyruar të luftonin. Ata i fshihnin fëmijët e tyre, që ata të mos shkonin në luftë, sepse nuk kishin kufij për ti mbrojtur” tregon artisti Kazanxhiu.

Këtu po i paraqesim edhe disa punë të artistit të cilat janë ekspozuar në Prizren në kuadër të Autostrada Biennale:
Zhamballa:

Podium:

Museum of Conversation:

Audicion për projektin filmik “Cirku Fluturues” në regji të Fatos Berishës

Shtëpia filmike B2 bën ftesë për audicion me rastin e fillimit të pregatitjes për xhirimin e filmit artistik me metrazh të gjatë “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berishën.

Numri i personazheve: 31 mashkuj mosha prej 18 – 65 vjecar per role te ndryshme, dhe 6 femra mosha 18 – 45 vjecare per role te ndryshme.

Aktorët e interesuar duhet të dërgojnë një biografi (CV) të shkurtër, 1 foto (portret) dhe link (nese kanë) me sekuenca nga projekte tjera filmike.

Aplikimi bëhet në email adresën: [email protected] si dhe në faqen e facebook https://www.facebook.com/B2agency/ më së largu deri më datën 27 gusht 2017.

Audicioni do të mbahet me datën 29-30 gusht 2017 në Teatër Kombëtar në Prishtinë nga ora 10.00h, dhe me datën 7 shtator në Teatër Kombëtar në Tiranë nga ora 10.00h. Orari I saktë do t’I dërgohet aplikuesëve me email.

Aktorët nuk duhet të kenë të pregaditur apo mësuar ndonjë tekst të caktuar. Pjesa e tekstit për lexim do t’u jepet gjatë audicionit.

Xhirimet e filmit planifikohet të fillojnë në tetor/nëntor 2017. Pjesa më e madhe e xhirimeve do të realizohen në Kosovë dhe Shqipëri, me mundësi që një pjesë e tyre të realizohen dhe në Mal të zi e Maqedoni.

Ky projekt filmik është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Për më shumë kontaktoni në [email protected]

“Rrugëve të këtij qyteti, unë e pata dashurinë, fshehtësinë e di, Prishtina…” (VIDEO)

Nëse ka një këngë për Prishtinën dhe ku Prishtina duket ashtu siç është, e bukur dhe nostalgjike, është kënga që Gili e solli disa vite pasi Prishtina u çlirua.

Këngëtarja e njohur i kushtoi këngë Prishtinës menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, me tekst nga Ilir Berani.
“Rrugëve të këtij qyteti, unë e pata dashurinë, fshehtësinë e di, Prishtina…” janë vetëm disa fraza të këngës së njohur, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=T7DlOFsqH9M

Kënga dhe Videoklipi janë realizuar në vitin 2001, kur Gili u kthye në Prishtinë pasi kishte qëndruar në Francë për disa kohë me familjen e saj. Kënga dëgjohet edhe sot dhe e sjellë Prishtinën e asokohe, një Prishtinë ku ka pasur më shumë shpresë për jetë më të mirë.

Gili, në një prej emisioneve televizive, së fundmi ka treguar se kënga është personale dhe mbetet një emocion edhe për të, një këngë të cilën ajo sa herë e dëgjon ka mallëngjim. / KultPlus.com

Rita Ora paralajmëron videoklipin e “Lonely Together”

Pas “Your Song”, Rita Ora ka konfirmuar se së shpejti do të sjellë edhe një këngë me videoklip.

Në një postimnë Instagram ajo ka zbuluar se do të sjellë me videoklip këngën “Lonely Together” të cilën e ka në bashkëpunim me DJ e mirënjohur suedez, Avicii, transmeton Koha.net.

“Lonely Together” tashmë është publikuar audio më 10 gusht, ndërsa është pjesë e albumit më të ri të Aviciit “Avīci’.

A post shared by Rita Ora (@ritaora) on

Gentian Koçi: Ishte njësoj si të fitonim çmimin e filmit më të mirë

……dritat janë fikur, titrat janë shfaqur por duartrokitjet e publikut të Sarajevës pas premierës së filmit “Dita zë fill” ende nuk janë zbehur. Aq më pak për regjisorin dhe protagonistët e këtij filmi i cili u prezantua për herë të parë në një festival prestigjioz si ai i Sarajevës.

Gentian Koçi, pas “Zemrës së Sarajevës” që shkoi për protagonistën Ornela Kapetani si aktorja më e mirë rrëfen se ky është një çmim për gjithë filmin dhe një prozhektor për kinemanë shqiptare. “Personazhi kryesor është vet filmi, unë kështu e kam parë gjithmonë që kur kam shkruajtur skenarin. Kam parë që në film është personazhi kryesor dhe do ndiqet personazhi kryesor me kameren time në 90% të filmit, por për ne ishte njësoj si të fitonte si “filmi më i mirë”. Jemi shumë të lumtur për Ornelën, ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Kur u mor çmimi “Aktori më i mirë” ishim të gjithë në gëzim shumë të madh” theksoi regjisori Gentian Koçi. Drita ka rënë mbi filmin shqiptar edhe pas takimit shumë të ngrohtë të ekipit të filmit me regjisorin e njohur Oliver Stone.

“Është një konfirmim që i bëhet kinemasë shqiptare në një festival të rendësishëm si ai i Sarajevës. Duhet të dimë që është jashtëzakonisht e vështirë që të depërtosh në festivale të kësaj rëndësie. Duke bërë premiera atje kemi marrë një vizibilitet ndërkombëtar dhe kemi marrë review shumë të mira nga revista shumë të njohura ndërkombëtare. Takimi me Oliver Stone ishte një surprizë e bukur. Shumë i interesuar për kinemanë në përgjithësi dhe më pas për kinemanë shqiptare në veçanti. Kishte një peng pse skishte ardhur asnjëherë në shqipëri”.

Filmi ka zgjuar vëmendjen e medias së specializuar të kinemasë me review në Cine Europa, Variety etj regjisori projekton shfaqjen e filmit për publikun shqiptar që do të bëhet nga gjysma e dytë e shtatorit. Filmi i cili rrëfen betejat edhe kompromiset e një nënë të re për të mbijetuar ka qënë një sfidë e vërtetë edhe për regjisorin.

“Nëse ka një gjë për të cilën unë nuk bëj kompromis është pikërisht puna që unë bëj, ai frame që unë stampoj. Nuk ka asnjë lloj kompromisi. Kemi patur vështirësi të mëdhaja për çështje produktive, sepse filmi ka patur buxhete të ulëta. Nuk e di e ndjeva të shkruaja për një femër. Nuk e di nuk mund ta them ekzakt pse unë shkruar për një femër”. Filmi pasi është kuotuar lart nga Festivali i Sarajevës tashmë koleksionon ftesat në festivale të rëndësishme të kategorisë A edhe pse ende është herët për ti publikuar emrat e festivaleve. Pra rrugëtimi i këtij filmi duket se është shënjuar në shenjën e suksesit. / RTSH / KultPlus.com

VICE rekomandon punën e Petrit Halilajt në Bienalen e Venecias

Aty ku ekspozon Petrit Halilaj, artistët tjerë vetëm mund të shpresojnë të marrin vëmendjen që merr ai.

Rëndësia dhe origjinaliteti i veprave artistike të djalit të njomë kosovar gjithmonë vlerësohet nga kritika botërore. Dy çmimet e tij të fundit, ai special në Bienalen e Venecias dhe çmimi Mario Merz Prize kanë bërë që Petriti të jetë një prej artistëve më të përfolur të gjeneratës së tij, momentalisht.

VICE së fundmi e ka vendosur Petritin në listën e tetë artistëve që duhet shikuar patjetër në Bienalen e Venecias, për ata që e vizitojnë këtë organizim artistik ku përfaqësohen mbi 80 shtete të botës.

VICE shkruan se vlen të shihen qilimat e punuar nga Petriti dhe nëna e tij, të ekspozuar qysh në hyrje të Arsennales në Bienale, përcjellë KultPlus.

VICE tregon se si edhe kjo punë e Halilajt e ka mbi vete barrën e realitetit të Petritit, i cili si fëmijë u desh të largohej nga Kosova për shkaqe lufte.
Rreth 120 artistë ftohen cdo dy vite në Bienale për tu prezantuar para rreth gjysmë milioni vizitorësh që vijnë në Bienalen e Venecias përgjatë gjashtë muajve. VICE ka përzgjedhur kësisoj Petritin në mesin e tetë artistëve të cilët janë në rritje në karrierën e tyre.

Guan Xiao nga Kina, Pauline Curnier Jardin nga Franca, Marienchen Danz nga Irlanda janë në mesin e artistëve të tjerë të përfshirë në këtë listë. / KultPlus.com

Kur Vaçe Zela erdhi në Prishtinë, njerëzit qanin

Njerëzit qanin dhe puthnin autobusin e pluhrosur, sepse brenda ishte këngëtarja e madhe shqiptare – ishte vitit 1980

Kujtime nga Hys Shkreli, moderator i koncertit të vetem te Vaçe Zelës në Prishtinë para tri dekadash

Vaçe Zela! Kur degjova se ke shkuar, se ke ndërruar jetë, mu ngjall një Vaçe , të cilën e takova 34 më parë në kufirin qe ndante Kosovën më Shqipërinë… Ajo Vaçe, e kujtimeve te mia, po hynte në Kosovë për turnenë e sajë të parë e të fundit në këtë vend. Ajo Vaçe, atë ditë Maji , zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. Më përqafoi mua dhe të tjerët qe ishin tubuar për ta pritur… Në atë moment, mu bë sikur po takohëshin dy shekuj, dalë nga një popull. Sepse, aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi afro dyzetë vjet Vaçe…
Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madhe e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As qe kam mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova kufiri shqitaro- shqiptar, e të tjerët e shpërndanë këtë emër. Atë ditë, më ty Vaçe filloi shëmbja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi shumë vite më parë.

Ai kufi, at ditë pranvere të vitit 1980, dukej si “toke e vdekur”, tokë e askuj, pa jetë e gjallëri. Aty s’ kishte arrijtë pranvera kurr, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjallë ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët qe po e thyenit at mur duke na sjellur kengëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave për rreth , të cilët kishin dëgjuar për arrijtjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emicioneve. Lulet qe sollem në kufi për ju , u përzien më lote dhe… sikur u rriten për disa minuta.
Ti po shkelje për herë të parë në Kosovë. Mbase nuk e dije, se ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë.Në atë karavan yjesh te kohës , pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, më të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurr nuk i kishim takuar.
Ato vite, pas disa dekadave te izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të kengës nga Shqiperia, po fillonin turnenë e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurr më parë jashtë Shqipërisë. Për herë te parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare.Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosove, mirëpo kurr nuk e kishin parë këtë vend…

Isha gazetar , por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaje kohe. Më zgjodhen të shoqeroja këtë grup dhe të drejtoi koncertet e tyre. Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nepër kohe, dhëmbje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrojsh takimin e shqiptarëve – më shqiptarët, rilidhjën e rrenjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur.
Udhetonim më autobusa nga një qytet në tjeterin. Kudo që ndalëshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej . Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjte më lule – sikur takonin ëngjujt e ëndrruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asajë, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj verehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posacërisht kur njerëzit flisnin më fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do te rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpermbajtje.
Në vendet e palestra ku kendonit ju Vaçe, njerëzit prisnin më lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata xhvishnin këmishat e xhaketat dhe u venin flakën. Digjëshin këmishat e zemrat nga malli. Digjëshin ndarjet e kufijt. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken qe ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetem muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Me vjen keq qe s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist lekaj…ishin nder më të angazhuarit . Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej pregaditur, dhe luajtur drejtëpërdrejtë para publikut apo “live” siç do te thonim sot.

****

Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju.

Eprorët tu , më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar . Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perendimor. Më këshilluan që të mos e ngrisë zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vleresuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Pastaj, unë mora kritika edhe nga ana tjetër, kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë së do te duhej pershendetur publikun më një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose do te angazhonin një serb Ishte ky nje provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atvherë bisedojmë për çeshtje, sygjerova unë.
Vaçe Zela. A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, së as në Shqipëri nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takohëshin të gjithë lumejtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për të i lidhur dekadat e shkëputura nepërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinvn dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohën e nuk shpresonin që një ditë do të t’kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhët e nënave që sjellnin edhe foshnjët e tyre për t’ u fotografuar më ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A to kujtohet gazetarja që nderpreu intervistën më ty, sepse nuk i permbante dot lotët…Njerëz që kurr nuk të kishin takuar, hynin më fëmijë, nëna, gjyshe… në dhomën tënde prapa skenës, dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka te çuditshme, gadi hyjnore në ato përqafime. Herë herë, u ngjanin takimit më dikend që sapo da dal nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e ti puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zenin vendin fjalëve.

*****

Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metrpopol”, ku kënduam, festuam e qeshem deri në mengjes. E ne agim, si një këmbonë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga teraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”…Kush është Selimi, pyetem ne? E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste më tërë zërin. Pastaj sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrije qe quhej Selim …” Dua ti them atij , ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai.Për ne, kjo tinglloi si humor ,pasi s’dinim nëse nga Selimi kishte kujtime të mira apo të keçija.
Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin pertej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetem në këtë anë të liqenit, e veshem pikllimin. Të dy palët po kthëheshim në botërat e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndertuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Serish u nda në dysh…

Vaçe Zela. Pas tri dekadash,u ktheve për herë të dytë në Prishtinë. Herën e kaluar na solle këngën, kësaje radhe – pikllimin. Hyre për herë të fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe nga aty shkove lartë në qiell. Yjet si ti – i takojnë qiellit. U bashkove më yjët tjera shqiptare, Elena Gjikën, Aleksander Moisiun, Gjon Bellushin, Elena Ciriqin, Ibrahim Kodrën, Bekim Fehmiun.Ti mbetesh Teuta jonë e këngës tonë . Të fala yjeve Vaçe. Pusho atje lartë të Dielli yt i Ri , dhe vazhdo te ndiçojsh…

‘Kur shoh fëmijë në karroca, shkoj e i përqafoj sikur të ishin lule’

Ç`është ajo që kësaj gruaje të këndshme ia plotësoi akoma më shumë jetën?

Mua, thotë, Nëna Tereze më ka ndihmuar shumë. Unë, kur i kam parë njerëzit e hendikepuar disi jam vështiru, ndonëse më dhimbseshin. Mirëpo, kur ia kam parë nënës Tereze një gjysmë fëmije në dorë – atëherë e kam urryer veten! E tash, ku të shoh fëmijë të tillë, shkoj dhe i përqafoj, sikur të ishin lule. Kjo është gjëja më e shenjtë e njeriut. Ia di shumë për nder nënës Tereze, është e njerëzishme t`ua falësh dashurinë njerëzve, gjithkujt – dhe të falësh! A e di sa mirë e ndjej veten tani?! E pashë një ditë një fëmijë në karrocë ortopedike. Më shikonte, si duket më njohu. Shkova dhe e përqafova, a e di ti sa shumë u gëzua? A ka më mirë se ta gëzosh dikë? Kjo është zemra e mirë.

Pjesë e marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit, ku Leze Qena flet në disa fjalë mbi rëndësinë e Nënës Tereze në jetën e saj dhe se sa e shenjtë është dashuria që falet, sidomos njerëzve në nevojë. / KultPlus.com


Photo: Shkëlzen Rexha / Valed Promotion

Pas Rita Orës edhe Bebe Rexha si një kukull ‘Barbie’ (VIDEO)

Ishte Rita Ora ajo e cila u shfaq para pak dite si një kukull Barbie, menjëherë pas saj këngëtarja Bebe Rexha është shfaqur me po të njëjtin stil, shkruan KultPlus.

Veshur me ngjyrë pink, me syze me po të njëjtën ngjyre dhe me flokët e bardhë, Bebe Rexha duket me të vërtetë si një Barbie.

Këngëtarja me origjinë shqiptare është duke qëndruar këto ditë në Bangkok, Thailand. Pamjen e saj si Barbie ajo e ka shfaqur në Instagram përmes fotografive dhe videove. / KultPlus.com

Don't fall in love with me

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Është lansuar traileri i filmit “Dita zë fill”, ku Ornela Kapetani fitoi Zemrën e Sarajevës (VIDEO)


“Dita zë fill” me regji të Gentian Kocit është filmi i parë i metrazhit të gjatë, por suksesi i këtij filmi duket se veç sa ka filluar, shkruan KultPlus.

Për rolin më të mirë të aktores është shpërblyer pikërisht aktorja shqiptare Ornela Kapetani, në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit të Sarajevës që është mbajtur së fundi.

Ndërkaq, sapo është lansuar edhe traileri i këtij filmi ku shihet Ornela Kapetani, Kasem Hoxha e aktorë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij projekti filmik, që tashmë ka marrë ftesa edhe nga shumë festivale të rëndësishme botërore.

Në film luajnë edhe Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Turqia ndërton teatër për maqedonasit, xhami për shqiptarët

Investimet turke në Maqedoni dallojnë në pjesën maqedonase dhe atë shqiptare.

Ndërsa kapitali turk ka hapur me dhjetëra qendra tregtare të mëdha në Shkup ku punojnë mijëra maqedonas, investimet e vetme në zonat shqiptare janë ndërtimet e xhamive me stil otoman.

Në takimin e fundit mes ministres së Kulturës, Elizabeta Milevska, dhe ambasadores turke në Shkup, Tulin Erkal, është biseduar për projektet kulturore mes të dyja vendeve.

Në këtë takim u bisedua për thellimin e lidhjeve mes institucioneve kulturore të të dyja vendeve, duke përmendur me theks të posaçëm ndërtimin e një teatri modern në Shkup, shkruan Konica.al

Në anën tjetër, i ashtuquajturi Fondacion i Çështjeve Fetare të Turqisë ka paralajmëruar ndërtimin e një xhamie të madhe në Shkup.

Ky objekt fetar me pamje otomane do të ndërtohet në Fushë-Tophanë të Shkupit. Ky kompleks i madh do të jetë i ngjashëm me xhaminë Mihrimah Sultan në Stamboll dhe xhaminë Koxhatepe në Ankara. / KultPlus.com

Me këngën e vitit 1983, Bonnie Tyler rrëzon super hitin “Despacito” (VIDEO)

Bonnie Tyler, këngëtarja me famë botërore, e cila kulmin e karrierës së saj e kishte në vitet e 80-ta, ka shënuar një sukses të paparë, duke kaluar edhe hitin super të famshëm “Despacito”, shkruan KultPlus.

Tyler ka kënduar këngën “Total Eclipse of the Heart”, pikërisht në momentin e eklipsit të djeshëm që kanë përjetuar qytetarët e Amerikës, dhe kjo këngë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është radhitur e para në iTunes.

“Unë kurrë nuk lodhem duke e kënduar këtë këngë”, ka thënë këngëtarja Bonnie Tyler për Good Morning America, pak para se të këndonte këtë këngë në bordin e një anije udhëtimi në lindje të Bahamas./KultPlus.com

Dua Lipa feston ditëlindjen, babai e uron me një foto të veçantë (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa, vajza e sukseseve, sot feston ditëlindjen.

Ndonëse ende e re në moshë, ajo ka arritur të përjetojë suksese të mëdha në karrierën e saj, madje këto ditë ajo është duke përjetuar kulmin e sukseseve, kjo falë këngës së saj të fundit ‘New Rules’, shkruan KultPlus.

Dua sot feston ditëlindjen e 22-të e rrethuar me miq, por urimin më të veçantë ajo e mori nga babai i saj Dukagjin Lipa i cili kishte përzgjedhur një foto nga fëmijëria e Duas ku të dy duken shumë të lumtur.

“Buzëqeshja dhe qeshja jote gjithmonë e ndriçojnë ditën time. Ne e bëjmë këtë mirë së bashku. Gëzuar ditëlindjen dashuria ime”, ka shkruar Dukagjini poshtë kësaj fotografie. / KultPlus.com