Çfarë shkruhet nën statujën e Skënderbeut në Romë (FOTO)

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, gjendet kudo në botë. Këtë vit Skënderbeu shënohet edhe 550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Një ndër statujat e Skënderbeut gjendet edhe në Romë, ku ky vend ka shkruar edhe një frazë poshtë statujës.

Nën statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Romë shkruhet:

“Roma përkujton 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, mbrojtësit të Qytetërimit Perëndimor”. / KultPlus.com

Doli: Sheshi ‘Skëndërbej’ do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare

“Muzika Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit tonë. Studiuesit e huaj kanë arritur në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është Folklori Muzikor”, ka shkruar violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli i cili do të rikthehet sërish për publikun shqiptar, në një koncert të pagëzuar “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, që do të mbahet më 23 shtator në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.

“Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur. Në 23 Shtator në “Sheshin Skëndërbej”, një pjesë e materialeve muzikore, pjesë e folklorit muzikor Shqiptar, do të interpretohet LIVE nga Maestro Shkëlzen Doli dhe orkestra. “Sheshi Skëndërbej” do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare”, ka shkruar Doli në facebook.

Prezantimi i fundit dhe shumë mbresëlënës te publiku shqiptar i violinistit Doli ishte ai në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e 2 janarit.

Në shtator të vitit të kaluar Doli ishte dhe i ftuar special në koncertin e dhënë me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan. / KultPlus.com

La Repubblica: Pushime të lira, italianët të intriguar nga Shqipëria

Shqipëria turistike vijon jehonën në mediat ndërkombëtare. Media italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një shkrim të veçantë turistëve italianë në Shqipëri, që këtë vit kanë qenë më të shumtë në numër.

Ndërtimet e reja dhe çmimet e ulëta janë ato që kanë tërhequr italianët, të cilët nga janari deri në korrik kanë qenë plot 182 mijë, me një rritje prej 56%.

“Pushime low cost, italianët të intriguar nga Shqipëria: Këtu me 30 euro fle në hotel dhe 10 euro ha darkën”, është titulli i shkrimit të “La Repubblica”. Turistët nga Puglia duket se janë më të shumtët që kanë preferuar të kalojnë pushimet në brigjet shqiptare, vë në dukje shkrimi, duke pasur parasysh se dhe fluksin më të madh të lëvizjeve e mbart porti i Barit.

Një nga agjencitë që ofrojnë paketa turistike në shtetin fqinj e cilësojnë Shqipërinë si vendin me kosto shumë të ulët, por me mrekullira të natyrës dhe ndërtesa të reja, duke bërë krahasimin me vendet fqinje si Mali i Zi apo Korfuzi. / KultPlus.com

Linku i shkrimit: http://bari.repubblica.it/cronaca/2017/09/02/news/albania_vacanze_low_cost-174407519/?ref=RHPPLF-BH-I0-C8-P5-S1.8-T1

‘Lutja e detit’, një histori nga Khaled Hosseini për Alanin tre vjeçar nga Siria (VIDEO)

Në përkujtim të Alan Kurdit, djalit 3 vjeçar nga Siria, i cili u mbyt në vitin 2015, teksa mundoheshin të arrinin në Greqi, shkrimtari i famshëm afgan Khaled Hosseini shkroi “Lutja e detit” (Sea Prayer).

Letra imagjinare, është shkruar në formën e një monologu, dërguar nga një baba sirian, djalit të vet. Teksa ai është në gjumë në prehrin e të atit, në prag të lundrimit të tyrE drejt Evropës.

Një natë para udhëtimit fatal, babai reflekton me djalin e tij mbi jetën në Siri para luftës dhe të ardhmes së panjohur.

Hosseini, një nga shkrimtarët më të lexuarit të momentit, është autor i “Gjuetari i balonave”, “Dhe malet oshtinë”, “Një mijë diej vezullues”, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese OMSCA-1.

“Lutja e detit” është narrativa e parë e cila vjen edhe në formën e një filmi të animuar 360°. Ky film është bërë në bashkëpunim me UNHCR.

Rrëfyer nga aktori fitues i çmimit Bafta, Adeel Akhtar, i cili ka rolin e babait, “Lutja e detit” vendoset në qytetin Homs, Siri, një zonë lufte e shkatërruar, ku ai u rrit dhe bashkë me djalin detyrohen, ta braktisin.

Njerëzit nga Siria vazhdojnë të bëjnë përpjekje për këtë udhëtim, ku shumë humbasin jetën gjatë lundrimit. Që prej vdekjes së Alan, të paktën 8,500 refugjatë dhe emigrantë kanë vdekur ose kanë humbur, teksa mundohen të kalojnë në detin Mesdhe. / KultPlus.com

Jane Fonda dhe Robert Redford nderohen me çmimin e karrierës

Dy yjet e kinemasë amerikane Xhejn Fonda dhe Robert Redford u nderuan me çmimin e karrierës në festivalin e 74 të filmit në Venecia. Në ekranin e këtij festivali u shfaq dhe filmi i fundit ku interpretojnë se bashku dy artistët e kinemasë.

Duartrokitje të fuqishme dhe të gjata pritën në skenën e Festivalit të Venecias Jane Fonda dhe Robert Redford, gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit “Luani i artë” me të cilët u nderua karriera e tyre disa dhjetravjecare. Për herë të parë në historinë e festivalit të Venecias çmimi i jepet një çifti aktorësh. Dy divat e Hollivudit, ai 81 vjeç dhe ajo gati 80, duken ende në formë dhe gjatë konferencës për shtyp që i parapriu dhënies së çmimit, ata i dhuruan shumë buzëqeshje gazetarëve.

“Besoj se seksi përmirësohet me moshën, para së gjithash sepse jemi më kurajozë. Çfarë kemi për të humbur, plaket lëkura jote, por edhe ajo e tjetrit”, tha me shaka aktorja amerikane fituese dy herë e çmimit Oskar.

“Kur arrin në një farë moshe, e di se për çfarë ke nevojë. Njeh më mirë trupin tënd dhe nuk ke frikë për të kërkuar atë që ke nevojë. Kjo si në nivelin seksual ashtu dhe atë të dashurisë të cilat përmirësohen me moshën”.

Jo aq rozë e shikonte moshën e trete kolegu i saj Redford.

“Gjëja më e vështirë është për tu përshtatur, mbi të gjitha për një si unë, sepse kur isha i ri isha shumë sportive dhe mund të lëvizja siç doja. Nuk e kisha menduar kurrë këtë, por papritur e kupton që duhet të fillosh të bësh kujdes. Dhe është e vështirë për tu përballuar”, deklaroi Robert Redford.

Redford e Fonda në Festivalin e Venecias prezantuan filmin “ Shpirtrat tonë natën” një film jashtë konkurrimit i prodhuar nga Netflix, bazuar në romanin e Kent Haruf. Filmi i cili do të fillojë të shfaqet që prej 29 shtatorit ne Netflix flet për dashurinë e moshës së tretë. Dy protagonistët në film janë fqinj, të dy të ve, por që nuk njiheshin shumë me njëri-tjetrin. Pastaj një vizitë e papritur e fqinjës që i propozon të flenë bashkë, jo për të bërë dashuri, por për të kaluar natën”, kryqëzon shikimet e tyre në drojën e ndërsjellët emotive dhe me pak fjalë i tregojnë jetët e tyre njëri-tjetrit, atë pjesë që nuk ia njihnin edhe pse jetonin përballë. Filmi përshkohet nga veprime të vogla të përditshmërisë që hapin digat e kujtimeve për të kaluarën. / KultPlus.com

Mbretëresha Elizabeta ngushëllon familjarët e viktimave nga uragani Harvey

Mbretëresha Elizabeta i ka dërguar letër ngushëllimi presidentit amerikan Donald Trump, ku ka ngushëlluar familjarët e viktimave nga uragani Harvey.

91-vjeçarja ka thënë se ndihet “thellësisht e pikëlluar për vdekjet, shkatërrimin dhe përmbytjet që ndodhën kohët e fundit atje”.

“Mendimet dhe lutjet e mija janë me ju”, ka shkruar ajo.

Së paku 100,000 mijë shtëpi janë shkatërruar në Texas, ndërkaq rreth 785,000 persona janë evakuuar nëpër vende të ndryshme. / KultPlus.com

Etnofest sonte me vikendin e fundit për këtë edicion

Vendi nikoqir i festivalit Etnofest, fshati Kukaj ka qenë i rrethuar për disa javë rresht me aktivitete nga më të ndryshmet kulturore e artistike, shkruan KultPlus.

Vepra arti, valle tradicionale, këngë folklorike e gjithçka tjetër ka mirëpritur adhuruesit e këtij festivali në secilin vikend.

Ky edicion i shtatë i Etnofest, mblodhi një numër të madh të njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor, duke shpalosur kështu para tyre gjërat më të bukura që ishin përgatitur për ta.

Por, Etnofest këtë javë po përmbyllet duke sjellë vikendin e katërt dhe të fundit për këtë edicion.
Sonte dhe nesër ju do të mund të shijoni gjëra tradicionale në natyrën e bukur të fshatit Kukaj.

Zona e debatit më temë: “Kaosi urban dhe mungesa e arkitekturës autoktone” do të filloj mbrëmjen sonte nga ora 17:00 – 18:00, për t’i lënë tutje vend debatit etnologjik më temë: “Vallet përfaqësuese të Kosovës si trashëgimi kulturore shpirtërore”, nga ora 18:00 – 19:00.

Tutje programi vazhdon me “Melodi ilire”, koncert në piano nga Dita Hysaj, e për t’i lënë vend më vonë Grupit të frymoreve nga Filharmonia e Kosovës – “Prishtina Brass”, koncert ky me motive muzikore tradicionale.

Krejt për fund, për të përmbyllur këtë mbrëmje do të jetë edhe Etno Neja që fillon nga ora 21:00 me Jehona Lumin.

Ndërsa nata përmbyllëse e këtij festivali kulturore, ju mirëpret më datë 3 shtator, ku përveç aktiviteteve të shumta do të bëhet edhe shpallja e fituesve të festivalit. / KultPlus.com

Polemika satirike e Gjergj Fishtës për Faik Konicën

Që më herët është botuar një artikull ku flitet për Kastriotin e fundit që pretendoi fronin e Shqipërisë. Emri i tij ishte Juan Pedro Aladro Kastriota, jetonte në Madrid të Spanjës dhe pretendonte për një lidhje të largët tijën me Gjergj Kastriotin, një lidhje jo e ligjshme, pasi vinte si fryt i marrëdhënieve jashtëmartesore.

Disa nga mbështetësit e tij ishin atdhetarë të njohur, ku, mes tyre, përmendim edhe Faik Konicën i cili i dha një hapësirë të konsiderueshme në revistën e tij “Albania” duke shkruar mbi historinë e jetës së tij dhe lidhjet e tij farefisnore me Gjergj Kastriotin, shkruan Konica.al

Sipas gjasave, kjo hapësirë iu dha pasi Juan Kastriota ndihmoi financiarisht revistën në botimin e saj dhe në botimin e kalendarit të përvitshëm, pasi revista, çdo fundvit, bashkë me revistat e vitit që kishte kaluar, dërgonte edhe një kalendar me urimin e Vitit të Ri për ato që ishin të interesuar t’i blenin.

Përveç kësaj, ai reklamoi edhe një fotografi tijën në të cilën ai falënderohej dhe nderohej me titullin “I ndritshmi Gjin Kastrioti” e të tjerë.

Sipas një versioni të historisë, flamuri i ngritur në Vlorë në nëntorin e vitit 1912 nuk është punuar nga Marigoja, por i është dhuruar njërit prej firmëtarëve të pavarësisë nga vetë Juan Pedro Aladro Kastriota.

Njohja e tij në Shqipëri u bë kryesisht nëpërmjet revistës “Albania” ndonëse ajo nuk ishte e vetmja që e reklamonte figurën e tij. Kështu, mes intelektualëve shqiptarë, lindi debati nëse duhej që ai të vinte në Shqipëri apo jo. Jashtë këtij debati nuk mund të rrinte as Atë Gjergj Fishta, i cili shkruan një satirë të qartë me titull “Jaho Begu e Palokë Cuca” për Juan Kastriotin dhe një tjetër pretenduesi si pasardhës i Gjergj Kastriotit me emrin Gjikë.

Gjithashtu, në një pjesë (pjesën e fundit ndër pjesët e mëposhtme), Atë Fishta polemizon dhe ironizon edhe atdhetarët që e mbështetën Juan Kastriota, një ndër të cilët ishte edhe Konica.

Poezia e tij është e jashtëzakonshme dhe ka një satirë sa therëse, aq edhe të këndshme. Konica.al po ju paraqet pjesë nga ajo poezi, marrë nga “Anzat e Parrnasit”, Botimi i tretë, 1942:

Pjesa ku flitet për ardhjen e Juan Pedro Aladro Kastriota (Gjin Kastrioti):

Paj në krajli – deshti Zoti –
Që na bijti, Gjin Kastrioti,
Njashtu nget n’Madrit.
Madje thonë se e kem kushri
E me gjasë n’per nji baxhi,
Martue n’Spanjë kah dit.
Kjo baxhija, sa kje vajsë,
Thonë kje halla e nanës s’dajës
E Gjergjit Kastriota.
S’ka ma ngjat, po e shihni vetë:
T’gjithve nji nanë s’na bjen n’ket jetë,
Si i qet kpurdhat bota.
E prandej me shumë arrsye
Gjinit sod i ka hyp n’krye
Me ardh krajl ndër ne.

Pjesa ku flet për Gjikën

Nji farë Gjiket paska ndi
Se po u lypka krajl n’Shqypni
Derës bujare le;
E t’u ngrehka, jurra djalë,
Diku kambë e diku m’kalë,
Me ardh krajl n’kët dhe.
Pse, me gjasë edhe aj po thotë
Se me fis asht Kastriotë
Gjakut t’Skanderbegut.
Kjosha bindë prej Gjergj Kastriotit
Ç’paska ba aj asi motit,
Tuj hap rodin (fisin) dheut.

Pjesa ku flet për mbështetësit dhe miqtë e Juan Pedro Aladro Kastriota

Përse Aladroja i ka do pare
Me të cillat n’tokë shqyptare
E ka xanë ndoj mik,
T’cill’t mandej, po duen me thanë
Se atij besen ia kanë dhanë
N’Triestë a Dubrovnik.
Qi n’seli kanë për ta vue,
N’kjoftë se i herë ka me u pague
Njado borxhe t’vjetra.
Gjindja e moçme për atdhe
Kjen mundue me besë e fe,
E me armë e letra;
Po, por t’sodshmit – kqyr nji herë!
E kanë gjetë se me tefterë
Puna hecë ma mbarë.
Prandej sod edhe ‘i stervinë
Mjaft qi t’hasë kund m’ndoj sterlinë
E’mbahet atdhetar.

“Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë”, ekspozita që promovon vlerat kulturore

Ekspozita “Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë” do të prezantohet në Prishtinë, duke i shtrirë aktivitetet për tri ditë radhazi, përcjellë KultPlus.

Në ditën e parë programi artistik do të fillojë me valle tradicionale të interpretuara nga AEK “Katarina Josipi” nga Zymi. Ndërsa në ditën e dytë dhe të tretë ekspozita do të jetë e hapur për publikun.

Qëllimi i këtij manifestimi – ekspozite është promovimi i trashëgimisë dhe vlerave kulturore shqiptare.
Ekspozita hapet në datë 3 shtator dhe qëndron deri më datë 5 shtator në Sheshin “Zahir Pajaziti”. /KultPlus.com

Vdes aktori i njohur Shelley Berman

Ka vdekur në moshën 92-vjeçare, aktori i njohur Shelley Berman.

Komediani i njohur për rolin e tij si babai i Larry David në serialin “Curb Your Enthusiasm” Shelley Berman, i cili fitoi shumë çmime, ka vdekur në moshën 92 vjeçe.

Berman vdiq të premten në shtëpinë e tij në Bell Canyon të Kalifornisë, nga komplikimet nga sëmundja Alzheimer, sipas zëdhënësit Glenn Schwartz. / KultPlus.com

Yjet vazhdojnë të dhurojnë të holla për të prekurit nga uragani Harvey

Yjet po vazhdojnë të dhurojnë të holla për personat e prekur nga uragani Harvey në Texas.

Gjatë një episode të emisionit të saj, Ellen DeGeneres, e cila do të transmetohet më 7 shtator, prezantuesja e njohur Amerikane e cila tashmë i ka dhuruar 50 mijë dollar për organizatat që i dalin në ndihmë banorëve të Teksasit, i dhuroi edhe 1 milion dollar ekstra në emër të kompanisë Walmart.

Të hollat iu dhuruan yllit të futbollit Amerikan, J.J. Watt, dhe fondacionit të tij i cili i del në ndihmë të prekurve nga uragani Harvey, transmeton emisioni Express në KTV.

Watt, deri më tani i ka mbledhur 9 milion dollar. Ai e falënderoi nga zemra Ellen-in për ndihmën që po ia jep shtetasve të Teksasit.

Ellen ndër të tjera ka bërë të ditur se kompania Walmart do ti dhuroj në tërësi 20 milionë dollar para të gatshme dhe pajisje të nevojshme për personat e prekur nga kjo katastrofë natyrore, që ka lënë shumë familje pa shtëpi.

Edhe Miley Cyrus e cila ishte e ftuar në emisionin “The Ellen DeGeneres Show”, gjatë intervistës u emocionua shumë për këtë situatë, dhe filloi të qante teksa shprehte keqardhje për gjithë personat e prekur nga ky uragan.

Ndër të tjera ajo tregoi se planifikon t’i dhurojë gjysmë milioni dollarë nga paratë e saja personale,
për këtë çështje. /KultPlus.com

Nëse…

Poezi e shkruar nga Endrit Krasniqi.

Nëse do të të mërzis, shko, lërmë vetëm
largohu nga unë përgjithmonë, nëse do dhe për pak kohë
por nëse vjen mos vono dhe gjatë, se mbase tretem
imazh të atillë s’do dëshiroje të shikoje, apo jo ?

Më fal, por unë nuk mund të isha ndryshe
ti e dije, por fajin ty nuk mund të ta hedhë
se ndofta shpesh herë të kam flakur në pllaja vetmie
nuk do e bëja esull, madje as nuk do e kisha thënë.

Dhe megjithatë ik nga unë, pa marrë parasyshë si ndihem
dhe nëse gjen më mirë të lutem mos u kthe
mos u brengos nëse dhimbjet tek unë kthehen
apo nëse më kapërdijnë dhe më të tmerrshmet re.

Harroj të gjitha duke më përfshirë dhe mua
dhe mos e kujto më qenien time të thatë
se përndryshe do kujtosh mërzitë e tua
harromë mua, madje më mbaj dhe inat.

Nëse ndonjëherë do ndjesh trishtimin
do ta kuptonte ky shpirt që vije nga bota e mërzisë
unë do vija, por mbase gjithçka do humbte kuptimin
nuk e di nëse ti me mua do rrish.

Do vija si qiell gjatë perëndimeve me pamje krejt tjetër
nuk do më njohësh mbase, nuk do të t’vë faj
nuk do i ngjajë botës së mërzitshme të vjetër
do harroheshim duke biseduar pranë zjarrit në skaj.

Por ti kthehu tani, mos vono dhe shumë
se mbase pas pak kohësh ndofta tjetërsohem
më fal prapë, kam mundur të isha ndryshe unë
por tani kthehu mos ma trondit botën shpirtërore.

Do ishte mëkat aq pak të rrish e të kthehesh
nuk do mundja kësaj radhe ti mbijetoja stuhisë
është ndjenjë e trishtë të jetosh mes kujtimesh
eja, më shpëto nga kthetrat e vetmisë.

I ndërrohet emri Sheshit Marshal Tito në Zagreb

Sheshi Marshal Tito në Kroaci nuk do ta ketë më këtë emër.

Të enjten është votuar në Këshillin e Qytetit të Zagrebit se emri i Sheshit duhet ndërruar në Sheshi i Republikës së Kroacisë.

“Me këtë veprim, Tito mbetet histori dhe shpresoj që kështu do të jetë gjithmonë” ka thënë për medie zëdhënësi Andrija Mikulic.

Krimet që i ka realizuar Tito por edhe abuzimi me të drejtat e njeriut duket se janë disa prej arsyeve që është marrë një vendim i tillë.

Që nga viti 1990, shumë rrugë që kanë mbajtur emrat e anti-fashistëve janë riemëruar ndërsa rreth 3 mijë monumente kulturore anti-fashiste janë shkatërruar. / KultPlus.com

Myftiu i Tiranës mohon se u mbulua shtatorja e Skënderbeut

Lutja e mëngjesit e festës së besimtarëve myslimanë “Kurban Bajramit”, edhe këtë vit u fal në sheshin “Skënderbe” në Tiranë, në pritje të përfundimit të Xhamisë së Namazgjasë, e cila për nga madhësia e saj pritet të shmangë faljet në shesh të besimtarëve shqiptarë.

Më shumë sesa simbolika e kësaj dite të veçantë për besimtarët, zëri është ngritur për atë që po konsiderohet skandal, dhe që ka të bëjë me ‘mbulimin’ nga një monitor, të bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të vendosur në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Në një reagim nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, situata duket krejt ndryshe. Gurra thotë se vendosja e monitorit është bërë 10 metra larg monumentit të Skënderbeut, dhe nuk ka asnjë qëllim për të mbuluar imazhin e tij, të konsideruar dhe të pranuar si hero të kombit, edhe nga ana e myslimanëve.

“Është absurde, është gjëja më non sens që mund të ndodhte nëse ka njeri në komunitet që mendon se në rastet e një falje të Bajramit do të çonim nëpërmed të mbuluarit e bustit, çfarëdo busti, siç është ai i heroit kombëtar”, – shprehet ai.

Sa i përket idhujtarisë, Myftiu sqaron se në rastet e faljes së namazit në shtëpi, “është e këshillueshme, e sugjerueshme që të mos ketë pamje frymore, (një portret -njeriu ose kafshe) por kjo nuk përjashton në mënyrë kategorike të mos mbajturit e tyre.

Sipas Myftiut të Tiranës e gjithë kjo krijohet për efekt të përçarjes së besimtarëve.

“Ushqyerja e ndasisë, e urrejtjes, sado minimale të jetë është nga rreziqet më fatale, më goditëse. Urrejtje fetare të këtij lloji, në këtë mënyrë, kaq shpejt dhe kaq shumë në lidhje me Bajramin, nuk ka pasur ndonjëherë”, – përfundoi për Myftiu i Tiranës Ylli Gurra. / KultPlus.com

Hitet e harruara të verës së vitit 2011-të (VIDEO)

Çdo verë i ka hitet e saj. Këngëtarët madje përgatiten që pak para verës të nxjerrin këngët më ritmike dhe verore në mënyrë që të ftohen më pas nëpër koncerte e net muzikore.

Do të shikojmë se si është zhvilluar nëpër kohë muzika gjatë stinës së verës. Viti 2011-të ka pasur disa hite të cilat janë dëgjuar në verën e këtij viti jo fort të largët.

Në Shqipëri e Kosovë, dhe aty ku flitet shqip, vera gjithmonë rezervohet për hite dhe muzikë. Në Kosovë vijnë mysafirët nga diaspora, në Shqipëri shkohet në bregdet, gjithmonë shoqëruar me këngë. / KultPlus.com

Viti 2011-të u shënua me këto hite verore:

https://www.youtube.com/watch?v=9NYu3QDHTGI

Me 5 shtator do të bëhet shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Në afërsi të Ulpianës Antike, toka e Shën Florit dhe Laurit, martirëve të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), afër varrit të zhvarrosur dhe të zhdukur të argjipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe ftojmë në shugurimin e Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë.

Duke filluar nga këto fakte historike, si dhe nevoja e kahershme e Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore. Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gurthemeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore, të shumë besimtarëve dhe qytetarëve vullnetmirë.

Mirëpo vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark Sopi, (11 janar 2006), si dhe Presidentit Ibrahim Rugova (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit.

Me emërimin dhe ardhjen ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Ggjergji, ky proces u përshpejtua, për të arritur atë që ishte premtuar, që më 2010 të kremtohej 100-vjetori i lindjes së të Lumes Nënë Terezës së paku nën kulmin e këtij Tempulli.

Fillimet e punimeve të ndërtimit u bënë më 5 shtator 2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze.

Synimi ynë kryesor ishte përurimi dhe bekimi i Shenjtërores Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator 2013, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos dhe Vitit të Fesë, 10 vjetori i Lumturimit të saj.

Shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve (3 shtator 2016), me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (4 shtator); Mesha e falënderimit ishte udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin (5 shtator).

Më 5 shtator 2017, në 1 vjetorin e shenjtërimit, do të bëhet shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, që do të udhëhiqet nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Hirësia e Tij, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.

Shenjtërorja Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte që Nëna Terezë i mori ndër ne, i dëshmoi me jetë dhe barti në mbarë botën.

Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016)./drita.info

Rita Ora ndihmon të prekurit nga stuhia Harvey (FOTO)

Rita Ora edhe këtë herë e ka treguar anën e saj bamirëse.

Rita është angazhuar të ndihmojë për të prekurit e Stuhisë Harvey. Rita po angazhohet të ndihmojë sa më shumë për të prekurit e katastrofës natyrore e cila ka marrë 38 jetëra njerëzish deri tash.

Rita bashkë me një ekip të radios Kiss FM kanë ndihmuar me donacione dhe me veshmbathje për të prekurit.

1 milion dollarë të enjten i ka dhuruar aktori Leonardo DiCaprio, ndërsa edhe aktorja Sandra Bullock ka ndihmuar me donacione.

Uragani Harvey ka goditur së fundmi Teksasin dhe Louisianën. / KultPlus.com

Margarita Xhepa: Nënat tona shqiptare janë nëna fisnike

Aktorja Margarita Xhepa është ndër aktoret shqiptare të cilat i kanë dhënë shumë teatrit e filmit shqiptar.

Aktorja edhe sot vazhdon të luajë në role të ndryshme, dhe thotë se nuk ndihet e lodhur sepse dashuria për profesionin e mban të re, i jep energji e forcë.

Një pjesë e roleve të saj janë gjithmonë nënat, ajo luan shpesh këtë rol dhe thotë se në gati 30 vite që luan në skenë, këto nëna nuk janë njësoj.

Ky fakt aktoren e kthen në Lushnjë, në mëhallën e fëmijërisë së saj, te ato nëna të mrekullueshme, që i ka në kujtesën e saj, si të veçanta, të cilat ishin model në kuptimin e mirësisë, “pa shkollë”, por që kishin atë fisnikërinë, atë anën njerëzore, për të bërë mirë, për të punuar, ato nëna që jetonin në atë varfëri, po plot bukuri…

“Të rritesh në atë mjedis, do të thotë të ushqehesh dhe shpirtërisht, t`i marrësh ato ndjesi, do të thosha, të holla, të bukura dhe këto, them unë, janë një pasuri që më kanë ndihmuar shumë në profesionin tim”, tregon aktorja Margarita Xhepa kur bashkëbisedon me Sanije Gashin në librin – “Ecje nëpër kujtesë”.
Në libër madje përshkruhet një rol që Margarita e mishëroi shpejt.

Kur regjisorët grekë Kristo Vuporos dhe Jorgo Kores i ofrojnë assaj ta luajë rolin e nënës në filmin “Mirupashim”, Margarita tregon se nuk e pati aspak të vështirë një aktrim të tillë.
“Nuk e pata të vështirë sepse po luaja në njëfarë dore, vetveten. Gjatë xhirimit, aktori frek Sakelariu më tha – ti derdhe lot në tri sekuenca! Si mundët? – Po, sigurisht që derdha lot, ia kthen Margarita, sepse unë përfaqësoja nënat shqiptare që i kanë djemtë në mërgim”.

Në Festivalin e 38-të të Selanikut, Margarita dhe Kadri Roshi nderohen me Çmimin e Nderit.

Margarita Xhepa ka lindur në prill të vitit 1932. Ka krijuar mbi 150 role në teatër. / KultPlus.com

Charles Baudelaire: Dehuni

nga Charles Baudelaire

(përkthyer nga Alket Çani)

Duhet të jesh gjithmonë i dehur. Këtu qëndron gjithë puna; kjo është e vetmja çështje. Për të mos ndier barrën e tmerrshme të Kohës që ju thyen shpinën e ju kërrus drejt tokës, duhet të deheni pa pushim.

Po me çfarë? Me verë, me poezi a me virtyt, si të doni. Por, dehuni, ama.

Dhe nëse ndonjëherë, në shkallët e një pallati, mbi barin e gjelbër të një hendeku, në vetminë e zymtë të dhomë suaj, ju zgjoheni dhe dehja ju është pakësuar apo zhdukur plotësisht, pyetni erën, valën, yllin, zogun, sahatin, gjithçka që ofshan, gjithçka që ecën, gjithçka që këndon, gjithçka që flet, pyetni sa është ora; dhe era, vala, ylli, zogu, sahati, do t’ju përgjigjen: “Është ora për t’u dehur! Për të mos qenë skllevërit e martirizuar të Kohës, dehuni, dehuni pa reshtur! Me verë, me poezi a me virtyt, sipas dëshirës” / KultPlus.com

Halima, femra e parë e mbuluar me shami në ballinën e ALLURE

Halima Aden është femra e parë që e mbuluar me shami paraqitet në ballinën e revistës së njohur Allure.

E lindur në Keni ndërsa e shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 7 vjeçare, ajo ka lindur në një kamp refugjatësh ndërsa më pas ka shpëtuar bashkë me nënën e saj.

“Kjo është zgjedhja ime. Ka gra myslimane të cilat vendosin të mos mbulohen me shami, me mbulesë, por unë e kam këtë identitet” thotë Halima. Ajo tanimë është e para grua me mbulesë për Allure, ndërsa ka marrë oferta edhe nga revistat tjera.

Pos që është e bukur, 19 vjeçarja është edhe shumë e mençur dhe tanimë kontratat për bashkëpunim i ka nënshkruar edhe me H&M e Dolce and Gabbana. / KultPlus.com

“Dje kurban një grua, sot Skënderbeu”

Rreth lajmit që po qarkullon sot se Shtatorja e Skënderbeut në Tiranë do të mund të jetë mbuluar pasi është falur Namazi i Bajramit në qendër të Tiranës, ka reaguar edhe shkrimtarja Flutura Açka.

Mes shumë emrave tjerë, ajo ka postuar një fotografi e cila megjithatë duket se nga ky prizëm lë vend për debat, shoqëruar me një tekst si ky poshtë:

“Në Europë duket se po e çojnë Skënderbeun, thotë kjo e shkruara e makinës këtu. Kurban atëherë u bë për Europën, kurban edhe sot për hipokritët që nuk u ngopën.
Dje kurban një grua,
sot Skënderbeu,
nesër Atdheu…”

Në disa komente, jo vetëm tek shkrimtarja por edhe tek personat tjerë, shkruhet se feja islame ndalon faljen para ambienteve ku ka statuja, prandaj edhe një e tillë si ajo e heroit është mbuluar. / KultPlus.com

Skënderbeu mungon edhe në fotografitë zyrtare të Komunitetit Mysliman në Shqipëri

Mbulimi i shtatores të heroit kombëtar Skënderbeu në sheshin që mban emrin e tij në kryeqytetin e Tiranës, me rastin e faljes së Namazit të Kurban Bajramit, ka ngjallur shumë reagime në media dhe rrjete sociale duke e akuzuar Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për këtë veprim.

Por teksa KMSH-ja nuk ka dalë me asnjë sqarim në lidhje me këtë veprim. Insajderi ka provuar ta kontaktojë kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj,por ai nuk ka pasur qasje në telefon.

E KMSh-ja në faqen e tyre zyrtare në internet kanë publikuar një seri fotografish nga falja e namazit në Sheshin “Skenderbej”.

Por edhe aty mungon Skënderbeu. Në asnjë nga fotografitë e publikuara nga KMSH-ja nuk shihet shtatorja e Skënderbeut, e dhe pse disa prej fotografive të publikuara janë realizuar me dron ku shihet e gjitha hapësira e zënë me besimtarë që kanë falur namazin.

Ja të gjitha fotografitë e publikuara nga KMSH-ja. / KultPlus.com



Rikthehet grupi ‘Minatori’, sjellë këngë të re

Rok-grupi i suksesshëm ‘Minatori’, të cilët i takojnë gjeneratës kur muzika është dëgjuar e ndjerë, ka kohë që i ka munguar skenës, shkruan KultPlus.

Por, ky rok bend, ndonëse prezent kohë pas kohe nëpër mbrëmje të ndryshme, ka kohë që nuk kanë sjellë në skenë një këngë të re, ani pse kërkesat për rikthimin e tyre janë të shumta.

Solisti i ‘Minatorit’, Naser Gjinovci ka bërë të ditur se do të rikthehen por asnjëherë duke mos specifikuar asgjë.

Por, kësaj pritje po i vjen fundi. ‘Minatori’ sonte sjellë këngën e re. Është Hamam Bar Prishtina që e sjellë Minatorin sonte në skenë për të performuar edhe këngën e re të titulluar “Krejt njejt”.

Andaj të gjithë ju që e keni pritur këtë rikthim, sonte nga ora 21:00 në Hamam Bar Prishtina, ju pret grupi Minatori dhe kënga e tyre e re. / KultPlus.com

Gudar Beqiraj “rikthehet” në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pritet të jetë ai që sot është nënkryetari i saj, matematikani Gudar Beqiraj.

Asambleja e Akademisë së Shkencave do të votojë më 4 shtator për dy postet e rëndësishme të kryetarit të ASH dhe nënkryetarit, por nga thirrja e hapur e bërë për kandidatë, vetëm kryetari aktual dhe nënkryetari kanë aplikuar për poste, që i bie të zëvendësojnë njëri tjetrin.

Më 3 korrik 2017 në faqen zyrtare të Akademisë është bërë njoftimi mbi aplikimin për postin e kryetarit dhe nënkryetarit, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit e nënkryetarit aktual.

Por duket se kanë munguar aplikantët, apo kandidatët që do të dorëzonin CV e tyre për të qenë në krye të Akademisë, pasi në mbledhjen e radhës, që do të jetë më 4 shtator, janë vetëm dy kandidatë për postin e kryetarit dhe zv/kryetarit, pikërisht kryetari aktual i Akademisë Myzafer Kërkuti, që kërkon postin e nënkryetarit, dhe nënkryetari aktual Gudar Beqiraj, që kërkon postin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave.

Gudar Beqiraj pritet të rikthehet kështu në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, post të cilin e ka mbajtur gjatë viteve 2009-2014, ndërsa Muzafer Kërkuti e ka marrë postin e kryetarit më vitin 2014. / KultPlus.com